03 07 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE! u ftua të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste

Lëvizja VETËVENDOSJE! u ftua të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste që u mbajt në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, Zvicër, në datat 1-2 korrik, 2016. Boiken Abazi, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, e përfaqësoi Lëvizjen në këtë mbledhje të Këshillit të Internacionales.

Në këtë Këshill morën pjesë delegatë nga mbi 90 parti socialdemokrate nga e gjithë bota. Disa prej delegatëve të partive nga Evropa në këtë Këshill përfshinë Partinë Socialiste të Francës, Partinë Socialiste të Belgjikës, Partinë Socialdemokrate të Finlandës, Partinë Socialdemokrate të Hungarisë, Partinë Socialdemokrate Austriake, Partinë Popullore Republikane të Turqisë, Partinë Socialiste të Spanjës, e shumë parti të tjera nga Amerika Latine, Afrika dhe Azia.

Këshilli ia nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmit terrorist që ndodhi para pak ditësh në aeroportin e Stambollit në Turqi. Më tej Këshilli u përqendrua në tre tema kryesore: përforcimi i reagimit politik dhe humanitar ndaj sulmeve terroriste dhe konflikteve të armatosura, mbrojtjen dhe mbështetjen e përpjekjeve për demokraci në vende të ndryshme të botës, si dhe përpjekjen për të ndërtuar një model ekonomik që e sfidon dhe e mund pabarazinë ekonomike mes shteteve dhe brenda secilit shtet.

Gjatë Këshillit, Sekretari Abazi pati mundësinë të takohet me dhjetëra delegatë të partive pjesëmarrëse për të prezantuar situatën ekonomiko-politike në Kosovë si dhe programin e VETËVENDOSJE!-s. Më tej, Lëvizja u ftua për të marrë pjesë edhe ne Kongresin e Internacionales Socialiste që do të mbahet në fund të këtij viti.

2 korrik 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo