27 12 2020

Mbahet mbledhja XLII e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen XLII të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje politike dhe organizative, si dhe u morën vendime të rëndësishme, duke miratuar pakon e reformës organizative. 

Në pjesën e parë të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, anëtarëve të Këshillit ju drejtua Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Albin Kurti kujtoi se viti 2020 ka qenë vit i vështirë për të gjithë. Gjatë këtij viti nga pandemia kemi humbur njerëz të dashur, shoqëria e kombi ka humbur anëtarë me vlerë. Kryetari Kurti vlerësoi dhe falënderoi punëtorët të cilët nuk kanë pasur mundësi që të punojnë nga shtëpitë, e nga puna e tyre në kushte dhe rrethana të vështira si në prodhim, transport, shëndetësi, pastrim, jemi varur të gjithë ne.

Lidhur me situatën politike, Kryetari Kurti kujtoi pengesat e shumta që kishte krijuar LDK gjatë krijimit të Qeverisë në fillim të vitit, refuzimin e tyre për të kuptuar se kishin humbur zgjedhjet, si dhe punët e mira që kishte bërë Qeveria përkundër pengesave të shumta. Por ne vazhduam të qeverisnim deri me 3 qershor, sepse ata që na rrëzuan nuk kishin vota që të krijonin qeveri. Madje edhe me 3 qershor nuk i bënë votat. U detyruan të shkonin natën nëpër shtëpi deputetësh, për t´i bindur ata me premtime të ndryshme, deri edhe duke u dhuruar konsullata për djemtë. Por, prapë nuk ia dolën. U desh të marrin edhe votën e deputetëve të dënuar me burg. Prandaj i thamë qeveri Koti. Se ishte e pafuqishme, e paligjshme dhe jokushtetuese.

Gjatë qeverisë sonë ne treguam se nuk ka nevojë të shkelësh parimet kombëtare për të ruajtur pushtetin. Nuk ka nevojë të jesh i dhunshëm për ta mbajtur pushtetin. Pushtetin ta jep vetëm qytetari, kurse pushteti që merret në mënyrë jokushtetuese nuk mbahet dot.

Por gjatë këtyre muajve mbështetja për VETËVENDOSJE!-n është rritur më shumë se dyfish. Njerëzit e kanë vlerësuar punën dhe qëllimet tona. Po ashtu, të gjithë janë të zhgënjyer prej padrejtësisë që na u bë me 25 mars dhe intrigave që vazhdimisht përpiqen të bëjnë kundër nesh. Prandaj, si kurrë ndonjëherë, mund të themi me plot gojën se ka ardhur koha e VETËVENDOSJE!-s.

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet janë shumë pranë. Gjasat janë që në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra. Nga një anë, ky është lajm i mirë. Por, duhet të bëjmë kujdes që të mos e ulim standardin e listës. Duhet ta kthejmë në Kuvend vlerën e fjalës dhe peshën e mendimit.

Këshilli i Përgjithshëm sot shqyrtoi dhe miratoi ndryshimet statutore. Këto ndryshime në përgjithësi përfshijnë çështje që kemi hasur në rrugën tonë të deritanishme dhe të tjera që e forcojnë drejtimin tonë përpara. Ne ecim duke forcuar organizimin dhe përmirësuar aty ku konstatojmë bashkërisht që duhet përmirësuar.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm votuan harmonizimin e statusit të anëtarit me atë të aktivistit dhe shtimin e kategorisë së simpatizantit, shtrirjen e strukturave të Lëvizjes edhe në komunat me shumicë të popullsisë nga pakicat për t’iu mundësuar edhe shqiptarëve të veriut të Mitrovicës, të Kllokotit, të Zveçanit e të vendbanimeve tjera që të bëhen pjesë e organizatës tonë. Po ashtu u miratua formula dhe kriteri i përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm dhe të Këshillave të qendrave, organizimi i qeverisjes lokale dhe raporti me Organizatën, procesi i përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë, e organizim i veçantë në mërgatë, si dhe përfaqësim të mërgatës në listën e kandidatëve në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Një ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm, është padyshim themelimi i strukturave të ndërvarura brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! siç janë “Gratë për Vetëvendosje” dhe “Rinia për Vetëvendosje”, si një pasqyrim i përkushtimit të Lëvizjes për barazi e solidaritet gjinor dhe pjesëmarrje sa më të madhe e të rinjve në vendimmarrje brenda Organizatës e jashtë saj.

Pas miratimit të reformës organizative, Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi punimet me pika tjera të rendit të ditës, si miratimi i buxhetit për vitin 2021, raport të punës së Grupit parlamentar dhe diskutimin për situatën politike në vend. Në këtë mbledhje u ndanë edhe çertifikatat për aktivistët të cilët suksesshëm përfunduan shkollën politike.

Kontribo