28 08 2022

Mbledhja e XLVIII e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLVIII të Këshillit të Përgjithshëm të saj. Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit njëherit Kryetarit të LV-së, Albin Kurti:

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të dashur aktivistë e anëtarë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhje të 48 të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në këtë muaj u bënë një vit e gjysmë nga fitorja e madhe e 14 shkurtit 2021. Ndërkaq, në muajin e ardhshëm bëhen një vit e gjysmë nga qeverisja jonë demokratike e progresiste. Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar që nga atëherë. Kemi filluar kthesën e madhe si shtet e shoqëri drejt zhvillimit demokratik dhe avancimit të gjithanshëm, të cilave ua kemi dedikuar gjithë kohën dhe ua kemi dhënë maksimumin e energjisë, duke ia bashkangjitur rritjen dhe zhvillimin ekonomik pikërisht këtij përparimi demokratik. E megjithatë, ky angazhim në qeveri nuk e ka ndalur angazhimin tonë në Lëvizje: kemi mbajtur mbledhjet e rregullta dhe gjithëpërfshirëse, kemi marrë vendime transparente dhe kemi hapur Lëvizjen për secilin e për secilën që ndanë vlerat e qëllimet tona të përbashkëta. Sepse ne besojmë që demokracia e brendshme dhe transparenca në subjektet politike është e lidhur ngushtë me demokracinë dhe transparencën në qeveri.

Prandaj edhe themi që Lëvizja jonë nuk është e jona e as për ne. Është mundësi e platformë për gratë dhe burrat e popullit tonë që përmes garës e procedurave demokratike të ndryshojnë e perfeksionojnë shoqërinë. Në këtë kuptim, as subjekti politik e as qeveria nuk janë qëllim të vetvetes dhe për këtë janë garanci qytetarët, meqenëse edhe Lëvizja edhe qeveria janë nga qytetarët e për qytetarët. Liritë individuale marrin kuptimin kur secili mbi bazën e besimit e të vlerave që përfaqëson arrinë të gjejë jo vetëm hapësirën por edhe mundësinë për të realizuar potencialin e vet. Është detyrë e secilit dhe secilës që Lëvizjen ta bëjë shembull të një platforme dhe forumi demokratik ku idetë përparimtare e kritikat konstruktive e mbajnë Lëvizjen e hapur, të përgjegjshme dhe funksionale.

E unë jam zgjedhur që të jem bartës, së bashku me ju e në mesin e të barabartëve, i të gjitha këtyre ndryshimeve demokratike që po i bëjmë edhe të tjerat të cilat do t’i bëjmë në të ardhmen. Mirëpo zhvillimi i shtetit e demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ e një grup të njerëzve të cilët besojnë në vlerat e demokracisë e të progresit shoqëror. Nënkupton gjithë Lëvizjen tonë, dhe jo vetëm. Qeverinë e mirë e demokratike që kemi tani nuk mund ta marrim të mirëqenë nëse platformat përmes të cilave fitohet pushteti nuk kanë demokraci të brendshme. Lëvizja është dhe mbetet e hapur për të gjithë, por jo ndaj të gjithëve. Hapja dhe demokracia e brendshme në Lëvizje është në funksion të promovimit të vlerave të përbashkëta që e çojnë përpara progresin shoqëror. Ne besojmë në liri individuale, në barazinë gjinore, në drejtësisë sociale. Ne besojmë në të drejtat e njeriut.

I them këto edhe për shkak se jemi subjekti më i madh demokratik në Kosovë dhe jemi shpresë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Andaj edhe kemi përgjegjësinë që njëjtë siç motivuam ndryshimet në lidership të disa subjekteve politike në Kosovë, të motivojmë edhe reformat demokratike brenda tyre përmes udhëheqjes me shembull.

Nuk është për t’u çuditur se një qeveri e cila punon për të siguruar barazi dhe të drejta të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim, udhëhiqet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më demokratik në vend. Dhe vetë koncepti i demokracisë ngërthen në vete parimet e barazisë dhe të respektimit të drejtave të njeriut. Pa garantimin e lirisë së shprehjes dhe të tubimit, pa siguruar të drejtën e votës për të gjithë, demokracia nuk mund të funksionojë. Dhe parimi thelbësor i çdo demokracie, parimi “një person, një votë”, na detyron që të konceptojmë secilin qytetar si të barabartë me të tjerët, me të drejta dhe liri të barabarta. Është pikërisht ky parim thelbësor demokratik, “një person, një votë”, ai që i bën kaq të rëndësishme zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Përmes këtyre zgjedhjeve, të gjithë ata që synojnë një pozitë zyrtare brenda Lëvizjes, i nënshtrohen një procesi demokratik, ku vota e një anëtari të thjeshtë nuk ka më pak peshë sesa vota e vetë kryetarit. Në këtë proces, të gjithë kemi të drejta dhe liri të barabarta, pa asnjë dallim. Prandaj, iu bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që të marrin pjesë sa më gjerësisht në këto zgjedhje të brendshme. E ardhmja e Lëvizjes sonë, e ardhmja e vendit tonë, varet jo prej meje, prej asnjërit prej nesh, por prej të gjithë neve bashkë.

Tani më lejoni të flas për punën e rëndësishme që kemi bërë dhe po bëjmë në qeveri. Siç e dini, dy nga prioritetet tona kryesore mbeten puna dhe drejtësia. Në këtë drejtim, vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni. E këtë vit për herë të parë, vlera e eksportit pritet të kap shifrën e një miliard eurove.

Kemi ngritur mirëqenien sociale me prezantimin për herë të parë të shtesave për lehonat dhe fëmijët.

Në drejtësi këtë vit kemi bërë funksionalizimin e Gjykatës Komerciale si gjykatë e specializuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore që do të ndihmojë për zhvillimin e biznesit por edhe në sjelljen e investimeve. Është punuar në reformën e Këshillit Prokurorial, kemi miratuar Koncept Dokumentin për krijimin e fondit të konfiskimit dhe Projektligjin për Sanksionet e Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut.

Në 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 ligje në qeveri dhe së bashku kemi kaluar pastaj ato në kuvend, ku 87 ligje kaluan vetëm në gjysmën e parë të këtij viti.

Prioritet kryesor në drejtësi mbetet vettingu i sistemit të drejtësisë dhe këtë do ta bëjmë së bashku me kuvendin e në bashkëpunim me gjithë spektrin politik.

Kemi vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur mbi 700 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe janë arrestuar mbi 2000 persona, prej të cilëve afër 300 janë zyrtarë publik; janë shkatërruar 65 grupe kriminale e është konfiskuar 1,5 ton narkotikë. Kemi luftuar monopolizimin dhe ilegalitetin duke bërë fiskalizimin e resortit të skijimit në Brezovicë, zhbllokimin e rrugëve në terminalin e Hanit të Elezit dhe heqjen e liçensës korruptive të homologimit. Operacionet policore për sundim të ligjit janë zhvilluar në çdo cep të vendit, duke përfshirë edhe veriun ku janë shkatërruar 5 laboratorë të substancave narkotike, laboratorë për prodhimin e kriptovalutave dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale. Sundimi i ligjit, luftimi i kriminalitetit do të mbetet prioritet në gjithë vendin pa dallim etnie e prejardhjeje.

Në shëndetësi ka vazhduar menaxhimi i pandemisë COVID-19 si prioritet primar ndërkohë që po punohet në Ligjin për Shëndetësinë, atë për Sigurime Shëndetësore dhe në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2023-2030. Këto do të rezultojnë me zgjerimin e trajtimeve shëndetësore, ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe rekrutimin e specializantëve të ri për fushat deficitare.

Arsimin përveçse e kemi bërë falas, kemi shtuar testet dhe kemi rritur buxhetin me qëllim të shtimit të profesionalizmit e të kualitetit mësimdhënës dhe ngritjes së infrastrukturës adekuate. Kemi filluar me hapa konkret për arsimin dual duke nënshkruar marrëveshje me bizneset për 3 profile për vitin shkollor 2022/2023. E për mërgatën, në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, në këtë 1 shtator do ta kemi abetaren e përbashkët për mësim e kultivim të gjuhës shqipe. Prioritet deri në fund të ktëij viti mbetet përfundimi i ndërtimit të 15 çerdheve të reja për gjithsej 1,800 fëmijë.

Kemi bërë dhjetëra ndërhyrje emergjente dhe restauruese në monumentet e trashëgimisë kulturore në gjithë vendin. Dinamizim të punëve në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive dhe renovim të ndërtesave të institucioneve të kulturës. Kemi rritur mbështetjen financiare të skenës së pavarur të kulturës dhe të artit e të federatave të sportit dhe për herë të parë kryeqyteti ynë është nikoqir i një prej bienaleve më të mëdha nomade në botë – “Manifesta”. Qysh tani në verë, dihet që viti 2022 është viti më i mirë në Kosovën e pasluftës për nga ngjarjet e zhvillimet kulturore, për nga avancimi i skenës artistike.

Për komunat kemi trefishuar grantin e përformancës dhe kemi filluar digjitalizimin e shërbimeve dhe aktiviteteve komunale, me ç’rast do të zhvillohet edhe platforma e-Komunat që parasheh ofrimin e 50 shërbimeve të digjitalizuara. Ndërkaq, buxheti që do t’u ndahet komunave për vitin 2023 është për 15% më i lartë sesa buxheti i vitit 2022.

Kemi miratuar Projektligjin për Bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Hekurudhën Durrës-Prishtinë, e cila do ta lidh portin e ri të Durrësit me portin e thatë të Prishtinës. Kemi marrë masa që të mbrohen konsumatorët nga spekulimet dhe keqpërdorimi me çmime të derivateve dhe do të vazhdojmë edhe me produkte të tjera elementare, sepse në kohë krize na duhet solidaritet me njëri-tjetrin, që ta ruajmë njëri-tjetrin, që t’i mbrojmë të gjithë, sidomos ata në nevojë, që të mbrohemi bashkarisht.

Sa i përket integrimeve euro-atlantike, pas një pauze të gjatë të vetë-izolimit, si mungesë e dijes por edhe e ndëshkimit për shkak të korrupsionit, kemi zgjeruar lidhjet e vendit me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euro-atlantike dhe ndërkombëtare. Kemi aplikuar në Këshillin e Evropës si një vend demokratik, liridashës e paqedashës që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në NATO dhe Programin për Paqe të NATO-s. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku do ta dorëzojmë sivjet aplikacionin. Kemi hequr çdo pengesë e dyshim te vendet hezituese të Bashkimit Evropian për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave përmes luftimit të krimit e korrupsionit dhe zhvillimit demokratik që e kanë përmirësuar shumë imazhin tonë. Jemi rreshtuar me vendet demokratike duke dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke ju bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Federatës Ruse dhe jemi solidarizuar me popullin ukrainas duke hequr vizat dhe duke strehuar gazetarë të saj që tash janë banorë të kryeqytetit tonë.

E me punën që kemi bërë së bashku jemi ngritur për 17 vende në Indeksin e Transparency International dhe po aq vende në indeksin e lirisë së mediave, teksa jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit sipas World Justice Project.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, kemi përpara disa procese delikate për të cilat jemi të bindur që do të arrijmë të kemi rezultate të mira. Por, kjo kërkon durim dhe këmbëngulje në mbështetjen e vazhdueshme të aktivistëve e anëtarëve për Lëvizjen. Mbështetja nuk duhet të vijë si duartrokitje, vetëm kur e korrim ndonjë fitore, sepse duartrokitjet për fitoret na i japin edhe partitë e tjera. Por, prej anëtarëve dhe aktivistëve, na duhet mbështetja e besimi edhe në ato javët e gjata, kur ne angazhohemi e ballafaqohemi me sfidat për të cilat nuk mund të komunikojmë aty-për-aty, sepse çdo komunikim do ta dëmtonte rezultatin. Pra na duhet mbështetja para fitores, lloji i vetëm i mbështetjes që është kontribuese në fitore.

Jemi dëshmitarë se ka investim në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinionit publik. Ka edhe njerëz e ndonjë kanal medial në Kosovë që interesin kryesor e kanë të besohet më shumë lajmi me origjinë nga Beogradi se sa lajmi me origjinë nga Prishtina. Pavarësisht se ne po përpiqemi të japim shembull për korrektesë e vërtetësi, ndërsa nga Beogradi prej dekadash vijnë sensacionalizma dhe lajme të rrejshme. I bëjnë jehonë çka thotë filani e fisteku, pastaj më thonë mua e ministrave të mi pse nuk e komenton atë çka tha ai, pse nuk po flet, çka po fshehni. E pra një gjë po e them sot dhe mbase nuk do të duhet ta përsëris më: çdo komunikim i imi për media, si kryeministër, do të jetë vetëm në kuadër të interesit të Kosovës, dhe asgjë tjetër. Çdo komunikim i imi për media, si kryetar i Lëvizjes, do të jetë vetëm në kuadër të interesit të Lëvizjes dhe asgjë tjetër. Nuk jam unë në pozitë që të them çdo mendim që kam dhe të komentoj gjithçka, sepse ajo prishë punë. Madje i këshilloj gjithë vartësit e mi, të ndjekin të njëjtin parim. Duhet ta ulim pak këtë zhurmën e spektaklit, dhe të komentimit për komentimet pambarim për gjithçka, sepse vetëm ashtu do të mund të dëgjojmë më mirë njëri-tjetrin dhe të lidhemi bashkë.

Të nderuar delegatë,

Ekonomia globale është në një moment të vështirë. Nuk ka nevojë ta fshehim këtë gjë që mund ta lexoni në çdo medie serioze ndërkombëtare, madje përditë. Janë lidhur shumë faktorë me njëri-tjetrin. Pandemia që ndërpreu konsumin dhe dëmtoi zinxhirët e ofertës, post-pandemia që solli një konsum më të madh se sa ishte e përgatitur ekonomia globale, lufta pushtuese e agresore e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet, që kanë shkaktuar rritje të çmimeve të gazit e naftës, por edhe të hekurit e drithit, tensioni mes Kinës dhe perëndimit për çështjen e Tajvanit, kriza klimatike që po shoqërohet me thatësira të mëdha në shumë vende të botës, të gjitha këto e influencojnë inflacionin.

Ne jemi ekonomi e vogël, jemi një vend në zhvillim, edhe pse as vendet e mëdha dhe të zhvilluara nuk kanë përgjigje të shpejtë për këto probleme. Por e kemi dhe ne një të mirë: jemi mësuar me vështirësi, dhe do t’ia dalim, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Qeveria do të ketë këto parime për krizën: 1. do të angazhohet 100% të kohës për të zbutur dhimbjen ekonomike që do ndjejnë pjesët më të brishta të shoqërisë; 2. do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të afruar investime të huaja direkte; 3. në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, ne do të jemi gjithnjë me kahje atlantiste dhe europianiste; 4. korrupsioni te ne nuk ka vend, dhe ata aktorë privatë apo politikë që përpiqen ta shfrytëzojnë krizën për të avancuar ndonjë veprimtari korruptive apo për të shantazhuar shtetin, do të hasin në vështirësi që nuk ua pret mendja; dhe 5. do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë, sepse jemi komplementarë dhe ballafaqohemi me vështirësi të ngjashme, por edhe do të nxisim marrëdhënie ekonomike dhe me gjithë vendet të cilat e njohin Kosovën.

Politikat tona sociale dhe ekonomike nuk maten nga teket e askujt. Pakoja e ringjalljes ekonomike ka arritur gjithsej vlerën prej 7% të Bruto Produktit Vendor. Jemi qeveria që ka ndërmarrë më shumë politika sociale se cilado qeveri para nesh. Por edhe në krahasim me rajonin, qeveria jonë ka dhënë mbështetje të madhe ekonomike, nëse llogarisim për kokë banori. Me inflacionin, jemi ndër vendet me shifra më të ulëta krahasuar edhe me vende të zhvilluara evropiane. Sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas Financial Times, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështetje është me disa forma, që nga përkrahja për konsumatorin, e deri te mbështetja e prodhuesve. Mirëpo çmimet po rriten. Është mirë të kursejmë, këtë po e thonë shumë qeveri në Evropë, pra: jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë “mos kurseni”, duan t’ju vjedhin.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Egoizmat, karrierizmat, edhe brenda lëvizjes ku jemi në zgjedhje, po edhe në raport me shtetin e me qeverinë, e me kuvendin, nuk janë mënyra për të ecur përpara. Na duhet punë kolektive, punë ekipore, ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize. E shoqëruar me vendosmërinë të cilën e kemi pasur përherë.

Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës. Nuk mjafton që të thuhet se ministri apo zëvendësministri i VETËVENDOSJE!-s nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës. Nuk mjafton të themi që punojnë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren, të takohen me sektorët dhe me qytetarët që i prek fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjidhin problemet konkrete që janë brenda mundësive të qeverisë, duhet të vijnë me projekte e ide të reja zhvillimore, gjithnjë brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre. Të ketë zbatim të tyre deri në fund. Nuk mund ta nisim një punë që nuk e përfundojmë dhe nuk mund t’i lëmë punët përgjysmë sepse sado të mira që janë ato moszbatimi i tyre i plotë i delegjitimon.

Duhet të reformojnë administratën, sepse nuk tolerohet një administratë e trashëguar ku ka plot elementë që nuk e bëjnë punën për të cilën paguhen. Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm.

Në raport me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, asnjëri nuk duhet ta harrojë se për çka është votuar. Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca. Kemi bërë punë të mirë. Të gjithë deputetët kanë punuar mirë, dhe unë ju falënderoj përjetë e ju jam mirënjohës përditë për këtë gjë, por e keni mundësinë të shkëlqeni. Mirë nuk është shkëlqyeshëm. Midis jush mund të ketë edhe ministra e zëvendësministra të ardhshëm, e njerëz që udhëheqin projekte e procese sot, në të ardhmen, e ndoshta edhe një ditë kur unë nuk jam kryeministër, por nëse nuk përkushtoheni tash dhe këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti e vetëpërmbajtje në jetën e përditshme dhe kudo ku jeni e tërë kohën, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që edhe në mesin e deuteteëve që kemi sot do të ketë nga ata të cilët nuk do të jenë në lista herën e ardhshme.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, të dashur aktivistë,

Më lejoni të flas për dy çështje të cilat kërkojnë sa vëmendjen për informim po aq edhe mirëkuptimin e bashkëpunimin e të gjithë neve. E, këto janë energjia dhe dialogu me Serbinë.

Siç e dini muajin e kaluar kemi nënshkruar grantin mbi 200 milionësh me Korporatën e Mijëvjeçarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mjete të cilat do të shkojnë në energji të gjelbër, duke investuar në bateri që ruajnë energjinë e vjelur nga era e nga dielli. Ky investim së bashku me investimin në Parkun e Erës në Bajgorë dhe Selac me kapacitet prej 105 MW, e po ashtu edhe investimet e planifikuara për parkun energjetik afër Korporatës Energjetike të Kosovës me kapacitet prej 100 MW, përbëjnë hapat tonë konkret jo vetëm në adresimin e hendekut në rritje të mungesës së energjisë por edhe në investimin në diversifikimin e burimeve të energjisë drejt një energjie të gjelbër e të qëndrueshme.

Për situatën të cilën e kemi trashëguar, kemi folur dhjetëra herë. Termoelektrana të stërvjetruara, kapacitete të pamjaftueshme, dhe mungesë të investimeve për dekada. Në krye të kësaj kemi krizën botërore me energji për të cilën fola, e cila ka sjellë edhe një krizë të ekonomisë që e ndjejnë të gjithë evropianët jo vetëm qytetarët e shtetit tonë me rritje të çmimeve që e rëndojnë dhe e vështirësojnë jetën e secilit. E me ditët e ftohta që po afrohen vjen edhe nevoja për t’u ngrohur. Në mungesë të investimeve në ngrohje alternative, burimi kryesor për shumë qytetarë për ngrohje vazhdo të jetë energjia elektrike. Për ta përballë konsumin e rritur në dimër energjia duhet të blihet. Në bursën Hupex, një orë MW, sot shkon deri në 800 euro. Kurse në pikun kur kemi më së shumti nevojë, parashihet të shkojë deri në 1500 euro. Me një çmim të tillë, nëse blejmë në kohën e pikut, ne do të humbim miliona euro në ditë, mjete këto të cilat nëse do të shkonin në blerje të energjisë do të shkatërronin të gjitha shanset për investime në projekte zhvillimore duke ndalur progresin tonë dhe duke dëmtuar të ardhmen.

Ne tashmë kemi ndarë 100 milionë euro për të zbutur ndikimin e rritjes së faturave të energjisë për qytetarët por çmimi i energjisë është vazhdimisht në rritje. Prandaj, edhe na duhet një debat i hapur dhe i sinqertë mes nesh mbi gjendjen që jemi dhe sfidën që kemi përpara në mënyrë që gjatë dimrit të fokusohemi në atë që është e mundur e që mbi të gjitha siç e theksova është kursimi i energjisë.

Tema tjetër është dialogu dhe marrëdhëniet tona me Serbinë. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit. Serbia nuk njeh dhe lufton pavarësinë tonë andaj edhe marrëdhëniet tona nuk janë normale. Dhe, për shkak se marrëdhëniet tona nuk janë normale ne jemi në një proces normalizimi. Ne dëshirojmë që të ketë normalizim dhe këtë ta bëjmë përmes një marrëveshje ndërkombtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Në takimin e fundit në Bruksel kam prezantuar një kornizë të përgjithshme me 6 kapituj, me shumë elemente, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për t’u takuar edhe më shpesh, në mënyrë që ta finalizojmë këtë marrëveshje.

Por në mungesë të marrëveshjes do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset gradualisht. Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur, njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor.

Do të donim që me Serbinë të kishim marrëdhënie normale, sikur që do të dëshironim që të kishim si fqinj një Serbi demokratike që ballafaqohet me të kaluarën e saj, një Serbi që e trajton seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje me njerëz të vrarë e kufoma të rrëmbyera, gjithsej 950 shqiptarë deri më tash, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak.

Prandaj edhe vendimet tona sikur ato për referendumin, zgjedhjet e deri te këto për targat e kartat identitetit, por edhe tek vendimet tjera në të ardhmen, janë asgjë më shumë e më pak sesa shprehje e ushtrimit të sovranitetit.

Unë jam i angazhuar dhe i përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative, në bashkëpunim e koordinim me partnerët e aleatët tanë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, të arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjelltë në qendër, marrëveshje kjo që sjell paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe do t’i kontribuojë sigurisë ballkanike.

Dhe për këtë do të punoj së bashku me gjithë spektrin politik. Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitar për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara.

Ne jemi demokraci e demokracia është e zhurmshme edhe e komplikuar. Secili prej nesh kemi mendimet tona dhe kur përballemi me vendime të mëdha është e natyrshme që të kemi edhe dallime e mos-pajtime, por asnjëherë dallimet tona nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror e kombëtar, shoqëror e qytetar. Angazhimi e aktivizmi ynë në Lëvizje kurrë s’ka qenë për hir të kundërshtimit por çdoherë në mbrojtje të sovranitetit, të barazisë dhe të trajtimit me dinjitet.

Do të kemi fitore edhe të tjera, ashtu siç kemi patur arritje me çështjen e zgjedhjeve, apo këto të fundit raportet bilaterale me Serbinë, apo ato të rritjes ekonomikë e të politikave sociale. Por këto fitore nuk janë kundër askujt, nuk e lëndojnë askënd, nuk e dëmtojnë asnjeri. Këto janë vetëm fitore të barazisë mes popujve, e të barazisë brenda popullit. Ne do të punojmë fort, dhe do të pranojmë zgjidhje e formula të cilat siç do të zbatohen nga Kosova, simetrikisht do të zbatohen nga Serbia. Nuk është puna këtu çfarë do japim e çfarë do marrim, as kush fiton e kush lëndohet, është puna të jemi të barabartë, dhe angazhimi ynë është vetëm në këtë drejtim, dhe i tillë që është pa kursim e pa rezervë.

Të dashur aktivistë,

Para disa viteve thoshim “kush qëndron, fiton”, kurse tash themi “bashkë, vetëm bashkë, përparojmë, përparojmë shumë”.

Ju falemnderit.

Kontribo