05 09 2019

Në Medvegjë shqiptarët po fshihen nga regjistrat civilë

Kosova është në ethet e zgjedhjeve të parakohshme, dhe qytetarët presin ndryshimin e domosdoshëm. Por, në të njëjtën kohë po ndodhin zgjedhjet vendore në Medvegjë, ku më 8 shtator do të votohet. Është tepër shqetësues fakti se, në vitin 2015 kanë qenë 4200 votues shqiptarë të regjistruar në lista, e në 2019 janë vetëm 800 votues shqiptarë. Atyre po u fshihen emrat nga lista e adresave e regjistrat civilë, dhe po u konfiskohen letërnjoftimet.

Shqiptarëve të Medvegjës të cilët kanë mërguar, po iu mohohet kësisoj e drejta themelore qytetare, e drejta e votës. Ky proces është një spastrim burokratik i Medvegjës prej shqiptarëve, të cilët janë banorë autoktonë, pronarë të tokave, banorë të kahershëm të atyre anëve. Fshirja e tyre prej listave është një proces i nxitur nga A. Vuçiqi, i cili kontrollon një pjesë të madhe të pushtetit në Serbi, dhe e përdor atë edhe kundër shqiptarëve, në kundërshtim me të drejtën dhe ligjin vendor e ndërkombëtar.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, vazhdimisht thonë se e kanë nën vëzhgim situatën, mirëpo mohimi i të drejtave dhe çregjistrimi i 85% të shqiptarëve të Medvegjës është një ngjarje e cila kërkon reagim të fortë dhe të menjëhershëm, përndryshe do të jetë çështje e vështirë për t’u zgjidhur në të ardhmen.

Lëvizja VETEVENDOSJE! kërkon prej qeverisë të Kosovës e asaj të Shqipërisë të veprojnë në mbrojtje të shqiptarëve të Medvegjës, që të mos lejohet eleminimi i tyre prej listave të adresave dhe konfiskimi i letërnjoftimeve të tyre.

Kontribo