05 10 2016

NGA DEBATI MBI MËSIMIN ME KURRIKULAT E SERBISË NË KOSOVË

Grupi Parlamentar me mbështetje të Komitetit për Arsim dhe Kërkim Shkencor në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, mbajtën sot debat në Kuvendin e Kosovës me temën “Kurrikula shkollore për nxënësit e komunitetit serb në Kosovë”, ku morën pjesë deputetë, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, ekspertë të arsimit e përfaqësues të tjerë.

Në fjalën e tij, deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ismajl Kurteshi, theksoi që sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Ministria i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është përgjegjëse për çështje të arsimit në tërë Kosovë, por një gjë e tillë nuk respektohet në shkollat me mësim në gjuhën serbe. “Në këto shkolla punohet me kurrikulë serbe, tekstet shkollore shtypen në Serbi dhe në ato tekste nxënësit mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë dhe shqiptarët armiq të Serbisë”, tha midis të tjerash Kurteshi.

Po ashtu ai solli në vëmendje se dhe Komisioni i Pavarur për rishqyrtimin e teksteve nga Serbia ka konkluduar zyrtarisht që në 2010-tën se këto tekste janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe se po ashtu vërehen edhe dallime të shumta në kurrikulë dhe strukturë arsimore. Me ç’rast sqaroi se Kosova punon me sistemin 5+4+3 e Serbia ende me sistemin 4+4+4. Edhe pse nuk këto shpërputhje e shkelje të rënda ende nuk është ndërmarrë asgjë nga Ministria e Arsimit ose të paktën zyrtarisht nuk është komunikuar asgjë.

”Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, dhe veçanërisht nga Ministria e Arsimit t’i ndërmerr masat për të cilat është e obliguar me ligj për ta pamundësuar shkeljen e Kushtetutës dhe përhapjen e urrejtjes në mesin e shkollarëve të ri të komunitetit serb, të cilët në këtë situatë janë pa fajin e tyre, dhe kështu kurrë nuk do të integrohen në shoqëri dhe nuk do ta përjetojnë Republikën e Kosovës si të veten” përfundoi fjalën e tij deputeti Ismajl Kurteshi.

Deputeti tjetër, Prof. Mytaher Haskuka në këtë debat ngriti çështjen e arsimit universitar në gjuhën serbe në Kosovë. Ai theksoi se në Kosovë edhe arsimi universitar është bërë sinonim i ndarjes e jo i përbashkimit, duke shtuar se Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë figuron si ”Universiteti i Prishtinës në Kosovska Mitrovicë” dhe është themeluar nga Parlamenti i Republikës së Serbisë, e po ashtu financohet nga Republika e Serbisë.

“Për më shumë, ky universitet për dallim nga universitet publike të Kosovës nuk i nënshtrohet fare licensimit nga MASHT-i dhe akreditohet nga Republika e Serbisë”, theksoi Prof. Haskuka.
Ndër të tjera ai tha se formimi i “Zajednicës” do ta legalizonte moszbatimin e ligjit në fuqi dhe do ta përkeqësonte tutjen gjendje, teksa një universitet në Mitrovcë do të mund të ishte flakadani i perspektivës për zhvillimin e rajonit.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, paraqiti normat ligjore në fuqi dhe prezantoi të dhënat e gjendjne për shkollën “Dimitrie Prica” në Bernicë, e cila punon me kurrikulë të Serbisë. Sipas Nagavcit, deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim konkret si inspektim apo inicim të procedurave disiplinore për mosrespektim të kurrikulës apo kërkesë për mësim shtesë në shkollat e minoritetit serbë ku nuk respektohet kurrikulumi. Ministria, tha ajo, ka dështuar krejtësisht në realizimin e detyrimeve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga shkollat ku mësojnë serbët në Republikën e Kosovës.

Shqetësime ngriti edhe Prof. Halim Hyseni, i cili kërkoi përgjegjësi për mosrespektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Sistemi i arsimit në Serbi është i organizuar për qëllime ekspasioniste. Fëmijët serbë janë viktima, sepse ata edukohen në frymën se si ta urrejnë kombin shqiptar”, theksoi ndër të tjera profesori Halim Hyseni, i cili shprehu shqetësimin për mosveprimin e Qeverisë së Kosovës.

Eksperti i fushës së edukimit, Jusuf Thaçi, kërkoi zbatueshmëri të Kushtetutës dhe ligjeve sa i takon kurrikulave dhe përmbajtjes së teksteve. Si dhe studiuesi Shkëlzen Gashi, i cili kërkoi nga deputetët që t’i kushtojnë fillimisht rëndësi teksteve mësimore të kurrikulës së Kosovës, të cilat i quajti po ashtu skandaloze.

Në këtë debat prezantuan qëndrimet e tyre dhe deputetet Teuta Haxhiu nga AAK dhe Shukrije Bytyçi nga NISMA. Haxhiu tha se shqetësimi për moszbatimin e ligjit është i përbashkët për gjitha partitë, duke shtuar se MASHT ka treguar paaftësi në këtë drejtim, dhe theksoi se kjo e vështirëson integrimin e pakicës serbe. Kurse Shukrije Bytyçi tha se është shqetësuese mungesa e përfaqësuesve të Ministrisë në këtë debat dhe përmendi dështimin e Qeverisë për librat në Luginën e Preshevës.

Në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës, në mesin e të cilëve Xhelal Memeti, zv. Kryetar i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafi nga Kuvendi Komunal i Bujanocit, Ragmi Mustafa, kryetar i PDSH-së në Preshevë dhe profesori i gjuhës shqipe Enkel Rexhepi.

Z. Mustafa, pati kritika për qeveritë e Kosovës që nga paslufta, duke thënë që nuk e kishin parasysh që po udhëheqin shtet. Ai tha se Kosova duhet të kërkojë zbatimin e principit të reciprocitetit nga Serbia, duke problematizuar po ashtu pengimin e teksteve mësimore nga Serbia për shqiptarët e Preshevës, gjë e cila është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kurse profesor Rexhepi tha se në vazhdimësi serbët e Kosovës kanë qenë të mbiprivilegjuar, ndërsa shqiptarët e Luginës të nënvlerësuar, duke përmendur problemin e teksteve mësimore, çështjen e mosnjohjes së diplomave e probleme të tjera. E përfaqësuesi nga Bujanoci, Ragmi Mustafa, tha se sistemi i arsimit në Kosovë nuk mund të quhet paralel, por ai është ilegal, si dhe problematizoi mospërkrahjen e Kosovës për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. “Çështja jonë është shpërfillë në çdo proces të Luginës, prej Rambujesë e deri në negociatat që mbahen sot”, theksoi Mustafa.

Në fund, Ismajl Kurteshi përmbylli debatin duke prezantuar konkluzionet e mëposhtme:

1.MASHT të mos lejoj përdorimin e teksteve shkollore dhe plan-programeve shkollore të Serbisë nëse paraprakisht nuk është njoftuar ashtu siç parashihet me nenin 12.3 të ligjit nr/03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës.
2 .Neni 12.4 i ligjit për Arsim në Komuna e obligon MASHT-in ta kundërshtoj përdorimin e plan-programeve dhe teksteve shkollore që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në Komisionin e Pavarur të themeluar me të njëjtin ligj. Prandaj MASHT-i është i obliguar të veproj sipas ligjit.
3.Neni 13 i ligjit për Arsim në Komuna e obligon Komisionin e Pavarur ta ndaloj përdorimin e plan-programeve dhe teksteve shkollore që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Komisioni i Pavarur është i obliguar të veproj sipas ligjit.
4. Qeveria e Kosovë/MASHT-i duhet të përdor parimin e reciprocitetit me Serbinë në lidhje me plan-programet dhe tekstet shkollore.
5. Me konkluzionet e këtij debati do të njoftohet Komisioni Parlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe MASHT-i.
6. MASHT ka formësuar një procedurë për verifikimin e vlefshmërisë së diplomave të marra nga universitetet në Serbi por procedurë do të duhej të zbatohej në reciprocitet, pra në masën që Serbia i validon diplomat e universiteteve të Kosovës. Por kjo procedurë nuk duhet të aplikohet për validimin e diplomave të së ashtuquajturës “Universiteti të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”. Validimi i diplomave të këtij Universiteti paralel (ilegal) të Prishtinës në Mitrovicë paraqet shkelje të rëndë ligjore dhe legalizim i ndarjes etnike të universitetit. Një proces i tillë do të pamundësonte integrimin e këtij institucioni paralel të arsimit në sistemin arsimor të Kosovës në të ardhmen.

Kontribo