16 03 2019

Nga Panairi i Bizneseve të Grave në Prizren

Sot me datë 16 mars, u hap Panairi i Bizneseve të Grave në Prizren, organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës z. Mytaher Haskuka. Të shumtë ishin vizitorët që në ecjen e tyre provonin e blinin produkte vendore të prodhuara nga gratë dhe bizneset e tyre. Për vizitë në këtë ditë të ngrohtë marsi, në panair ishte edhe kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti së bashku me kryetarin e Prizrenit z. Mytaher Haskuka, nënkryetarin e Kuvendit Komunal të Prizrenit z. Artan Abrashi, deputetët Drita Millaku e Arbër Rexhaj si dhe aktivistë nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren.

Kryetari Haskuka tha se ky panair mbledh organizata dhe biznese të grave nga mbarë Kosova dhe jo vetëm Prizreni. Problemi kryesor i prodhimtarisë vendore sipas tij është plasimi i produkteve, qasja e tyre në marketet e mëdha. Për këtë ai u shpreh se Prizreni si komunë, edhe përmes organizimeve të tilla si ky panair po mundohet të jap ndihmën e vetë për këta prodhues. “Jemi në muajin mars, dhe ky muaj shënon shtimin e përpjekjeve për fuqizimin e gruas e për më shumë barazi gjinore.” tha ai në fjalën e tij duke shtuar se “komuna e Prizrenit po punon në drejtim të krijimit të një hapësire ku të gjitha organizatat joqeveritare që prodhojnë, e sidomos bizneset e grave ta kenë një vend të përhershëm prej ku do t’i plasojnë më pas produktet e tyre, dhe t’i shesin kësisoj ato drejtpërdrejtë.” Haskuka poashtu ftoi gjithë qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës ta vizitojnë panairin dhe të blejnë produkte vendore e ta ndihmojnë prodhimtarinë e këtyre bizneseve të grave në vend.

Edhe kryetari i Lëvizjes pas bashkëbisedimit me gratë prodhuese, ku edhe dëgjoj hallet dhe vështirësitë e tyre për plasimin e prodhimeve në treg, inkurajoji qytetarët ta vizitojnë këtë panair e të blejnë prodhime vendore. “Ky panair i bizneseve të grave është edhe mirëmbajtje dhe kultivim i zanateve tradicionale, por njëkohësisht edhe shembull i grave të suksesshme të cilat punojnë dhe bëjnë prodhime e krijime edhe cilësore edhe të bukura.” tha kryetari Kurti duke theksuar se blerja dhe konsumimi i produkteve vendore natyrshëm e ndihmon ekonominë, dhe se panaire të ngjashme përveç se e zgjerojnë tregun, e bëjnë atë edhe më intensiv e më të qasshëm për qytetarët e Prizrenit dhe vizitorët e shumtë të këtij qyteti në fundjavë.

Kontribo