02 04 2015

NJOFTIM

Sot, pas pranimit të një letërankese është mbledhur Komisioni Disiplinor, me ç’rast ka shqyrtuar letërankesën ndaj anëtarëve Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj. Të njëjtët janë thirrur, por nuk i janë përgjigjur ftesës së Komisionit.

Më tej, Komisioni ka vazhduar punën lidhur me shqyrtimin e pretendimeve të përfshira në letërankesën e parashtruar. Me këtë rast Komisioni erdhi në përfundim se:

– Anëtarja Ajnishahe Halimi, duke abuzuar me detyrat e besuara ka krijuar favore financiare në kundërshtim me detyrat e saj, me ç’rast ushtrimi i këtyre detyrave është bërë nën rrethanat e konfliktit të interesit.

– Po ashtu, Anëtarët Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj me paraqitjet e tyre publike kanë shkelur Nenin 24, paragrafi 1, Pikën c të Statutit përkitazi me respektimin e parimeve, dokumenteve themeltare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Pikën ç lidhur me pranimin e vendimeve të shumicës dhe respektimin e mendimit ndryshe dhe pikën e, lidhur me mospërfshirjen në aktivitete apo sjellje që janë komprometuese për Lëvizjen VETËVENDOSJE! që e cenojnë imazhin e saj;

Për shkak të këtyre arsyeve, Komisioni duke u mbështetur në dispozitat e Nenit 88, Paragrafi 10 të Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori vendim që këtyre dy anëtarëve t’iu shqiptohet masa disiplinore nga Neni 88, Paragrafi 11, Pika ë: përjashtimi i plotë nga organet dhe anëtarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

2 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo