09 08 2019

Numrat t’i kthehen Valës, Telekomi të veprojë, Rregullatori mos të pengojë

Kanë kaluar 9 ditë nga përfundimi i kontratës që Telekomi i Kosovës pati me ish Z-Mobile. Brenda 30 ditëve duhet që numrat e kësaj të fundit të rikthehen aty ku e kanë vendin, pra në kompaninë mëmë, në Telekomin e Kosovës.

Është e pritshme që Bordi dhe Menanxhmeti i Telekomit të Kosovës të njoftojë publikun se kanë marrë masat në plotni dhe se brenda 30 ditëve numrat do të kthehen nën përdorimin e Valës.  

Autoriteti Rregullativ (ARKP), Bordi dhe zyrtarët përgjegjës, marrë parasysh ligjin dhe interesin publik të mos krijojnë asnjë pengesë. Opinionet a shpjegimet që dekurajojnë, relativizojnë, pengojnë, këtë proces tejet të rëndësishëm i shkojnë përshtat dëmtuesve të Telekomit.

Çdokush që e vonon këtë proces, apo e devijon, do të jetë padyshim, subjekt i proceseve të ardhshme gjyqësore, ku do të përllogariten dëmet e shkaktuara nga kontrata dhjetëvjeçare PTK-Dardafone. Në të cilën ish anëtarët e bordeve të Rregullatorit kanë pasur rol tejet destruktiv.

Numrat, pra, janë të Valës sepse abonentët që i kanë ata numra e shfrytëzojnë infrastrukturën e Valës, ndaj nuk mund te jenë të askujt tjetër përveçse të Valës. Telekomi i Kosovës duhet t’i kalojë edhe praktikisht nën administrimin e vet menjëherë e pa vonesë. Alibi procedurale dhe ligjore për pritje nuk ka.

 

Kontribo