19 12 2023

Padi për shpifje ndaj Ramës, Abdixhikut dhe Kica-Xhelilit

Siç është bërë e qartë tanimë, kur nuk kanë lëndë për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese, merren me sulme publike dhe shpifje.

Nuk është hera e parë që një zyrtar a përfaqësues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! sulmohet me shpifje dhe të pavërteta.

Para disa javësh në një sulm publik të organizuar tre zyrtarë publikë e përfaqësues politikë paraqitën si të vërtetë ndërhyrjen në një vendim të gjykatës komerciale për tenderin e Komunës së Prishtinës për ndërtimin e “Rrugës A ” në Prishtinë. Procesi në fjalë prej kohësh dihej nga çdo i interesuar apo ekspert i fushës se kishte probleme serioze me integritetin e kompanisë fituese. Çështje kjo për të cilën asnjë nga eksponentët në fjalë asnjëherë as u shprehën publikisht as u organizuan për të kërkuar llogari publike.

Kudo në median e shkruar ishte bërë e qartë se kompania fituese e tenderit për “Rrugën A” në Prishtinë ishte në zotërim të personave me dënime penale. Por kjo çuditërisht nuk i preokuponte krerët e Komunës dhe të LDK-së.

E kundërta ndodhi pasi rasti në fjalë u kontestua nga Gjykatën Komerciale dhe punimet u pezulluan. Fajin për këtë pezullim drejtuesit e Komunës dhe LDK ja lënë deputetes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fitore Pacolli. Meqë sipas shortit për gjykimin e kësaj lënde drejtuesit e Gjykatës kishin caktuar gjyqtaren, të afërmen e deputetes tonë.

Për insinuatat e këtyre eksponentëve dhe shpifjeve të tyre publike sot deputetja Fitore Pacolli – Dalipi ushtroi Padi në Gjykatën Themelore.

Midis të tjerash ajo deklaroi për mediat se:

Sot e dorëzova padinë për shpifje dhe fyerje dhe kompensim të dëmit kundër Kryetarit të Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, Kryetarit të Lidhjes Demokratike z. Lumir Abdixhiku dhe deputetes Doarsa Kica Xhelili.

Të tre të paditurit me deklaratat e tyre publike lidhur me vendimin e Gjykatës Komerciale për “Rrugën A”, me veprimet e tyre, duke e dënuar fillimisht faktin biologjik të të qenit motra e gjykatëses Vlora Pacolli, kanë shpifur duke më dëmtuar imazhin si personalitet publik. Që të tre kanë konsumuar veprën e shpifjes dhe fyerjes ndaj meje.

Me shpresë se Gjykata Themelore do ta trajtojë këtë me kohë dhe sipas afateve ligjore urojmë që të shërbejë si rast për të vendosur drejtësinë në situata të tilla.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

19 dhjetor 2023

Kontribo