27 04 2022

LV inicon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë nga viti 2006-2022

LV inicon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë nga viti 2006-2022

Grupi Parlamentar i LV, duke parë që demokracia në Kuvend është vënë në pikëpyetje nga opozita, dhe gjithashtu duke qenë në shërbim të opinionit dhe qytetarëve për zbardhjen e të vërtetës sa i përket vendimmarrjes në sektorin e energjisë, ka vendosur të procedojë kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë me të gjitha kërkesat që opozita tashmë i ka parashkruar por duke e zgjeruar fushëveprimin e këtij komisioni nga 2006 deri më 2022.

Kthimi në 2006 për vlerësimin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë është i rëndësishëm për shkak se në atë kohë Kosova ende pa e shpallur pavarësinë e saj është bërë pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Në atë vit një mori iniciativash janë zhvilluar në këtë sektor. Prej shthurjes së KEK-ut deri te themelimi i KOST-it. Planifikimet për strategjinë për të ardhmen e sektorit të energjisë. Projektet gjeneruese. Strukturimi i brendshëm i energjisë dhe zbatimi i standardeve që burojnë nga Traktati.

Për rikujtim të publikut, ligji për hetim parlamentar ka hyrë në fuqi në korrik 2010, atëherë kur LDK dhe PDK bashkëqeverisnin. Të njëjtat rregulla prej atëherë e deri tek komisionet më të fundit hetimore kanë qenë në fuqi – as propozuesit as koalicioni qeverisës nuk e drejtojnë komisionin hetimor. Këto janë rregullat që këta vet i kanë propozuar dhe ideuar. Pavarësisht kësaj, sikur mos të dinin se çfarë kanë bërë këta vet me vendimet e veta sollën një kërkesë të nënshkruar nga të gjithë duke u vetbllokuar e duke mos e themeluar dot komisionin hetimor.

Kështu që edhe në këtë drejtim PDK LDK AAK nga një panik i paprecedentë paraqitën një kërkesë po ashtu të paqëndrueshme dhe me thënë të drejtën edhe të palogjikshme. Opozita së bashku me listën serbe dhe një deputet të pavarur nga minoritetet u vetbllokuan në një rrugë qorre (pa krye).

Në dritën e kësaj situate, ne morëm nismën që ta ndihmojnë opozitën për të dalë nga kurthi ku ka rënë me këmbët e veta e s’po di si të dalë prej andej duke e dorëzuar sot kërkesën për komision hetimor parlamentar me shtrirje nga viti 2006 deri aktualisht dhe me zgjerimin e objektit për hetim.

Shumëçka nga ajo kohë nuk ka arritur të jetësohet. Andaj, rrethanat e trashëguara nga sektori i energjisë duhen hetuar nga vitit 2006.

Opozita do ta kryesojë këtë komision hetimor parlamentar.

Përveç kërkesave të opozitës, komisioni do t’i trajtojë edhe këto kërkesa.

– Investimet kapitale në ndërmarrjen publike KEK sh.a., (2006-20222).

– Investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku u bënë ato investime (vlera e investimeve të parapara me kontratën e privatizimit ishte 300 milionë euro).

– Pagesa e mbi 17 milionë euro nga KEK për KEDS në emër të ‘korrigjimit’ të tarifave të vitit paraprak në vitin e parë pas privatizimit të distribucionit.

– Veprimet e ZRrE dhe njësisë mbikëqyrëse e privatizimit të KEDS rreth mbikëqyrjes së realizimit të investimeve dhe raportet mbi mbikëqyrjen.

– Mbi numrin e të punësuarve në KEK, procesi i rekrutimit lidhur me to dhe shqyrtimin i mbajtjes së konkurseve të punësimit të shpallura në ndërmarrjen publike KEK-u nga viti 2006 deri në Prill 2022.

– Kontratat e lidhura për blerje të Energjisë elektrike që nga viti 2006–2022 dhe procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve?

– Shqyrtimi i rrethanave që rezultuan me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Shtator 2014 dhe rritja tjetër në Prill 2015.

– Shqyrtimi i vendimeve që rezultuan me heqjen e bllok tarifës në vitin 2017.

– Licencat e BRRE-ve, kriteret për dhënien e tyre dhe vendimmarrja për licencat e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtërishme me tarifa nxitëse.

– Shqyrtimi i rrethanave dhe vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse që vendosën “humbjet komerciale” (vjedhjet, rryma e papaguar në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës) t’ju faturohen (shpërndahen në fatura) secilit konsumatorë të kyçur në sistem.

– Baza ligjore e rregullativës së ZRrE-s për përfshirjen e humbjeve komerciale (vjedhjeve) në tarifa të energjisë elektrike.

– Shqyrtimi i vendimeve të ZRRE-së që sollën deri tek autorizimi i KOSTT për mbulimin e devijimeve.

– Shqyrtimi i vendimmarrjes që solli deri tek bllokimi i investimeve në njësitë e TC Kosova A në vitin 2015, rasti me projektin Bilfinger.

– Vendimet Qeveritare për shpalljen zone me interes të veçantë për hapësirat në mihjet sipërfaqësore në komunën e Obiliqit.

– Vlerësimi i procesit të shpronësimit të pronave rreth mihjes sipërfaqësore në Hade, Shipitullë përfshirë rritjen e vlerave të shpronësimit nga 4 milionë Euro në 28 milionë Euro (referuar vlerësimeve paraprake).

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 04 2022

Deklarata e Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa

Deklarata e Zv. Kryeministrit Besnik Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa

Grupi punues i Republikës së Kosovës është munduar që të vijë deri te një draft propozim, por që nuk kishte gatishmëri nga pala serbe për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e 3-të e marrëveshjes së 30 shtatorit. Përgjatë gjithë këtyre 6 muajve ka pasur shumë pak interesim nga Serbia që të merren me kërkesat që i ka paraparë ajo marrëveshje dhe në vend të saj ata janë marrë me elemente margjinale që kanë treguar se thjeshtë dëshirojnë ta sabotojnë punën e grupit punues.

Zv. Kryeministri Bislimi deklaroi se Republika e Kosovës do të trajtojë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabelat KM të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale do të ofrohet një opsion se si do të kalojmë tek targat normale.

Ndërkaq, tema e arkivave nuk është diskutuar as në takimin bilateral e as në takimin trelateral. Kjo është një prej shqetësimeve serioze për mënyrën se si Beogradi e adreson çështjen e dialogut, tha Besnik Bislimi.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/1076117202944332

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 04 2022

Po demokracisë parlamentare – JO abuzimeve të vjetra

Sot është hera e dytë me radhë që PDK, LDK, AAK, Lista Sërpska në kundërshtim me ligjin provojnë ta formojnë komisionin për hetim parlamentar për masat e ndërmarra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë. Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i gatshëm ta mbështes këtë komision hetimor apo çfarëdo komisioni tjetër hetimor dhe në lidhje me cilëndo sekuencë të qeverisjes tonë, por, jemi që kjo të bëhet sipas ligjit dhe duke respektuar rregullat, tha shefja e GP, të LV, Mimoza Kusari Lila.

Kusari Lila po ashtu bëri të ditur që si pasojë e lëshimit të sallës nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së mbetën pa u votuar 4 marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në vlerë prej 100 milionë eurove. 1) Marrëveshja mes RKS dhe RSH për ndihmë juridike falas; 2) Marrëveshja për kredi mes RKS dhe Bankës Evropiane për Investime për impiantin e ujërave të zeza në Mitrovicë. 3) Marrëveshja për kredi me BERZh-in për projektin e trajtimit të ujërave të zeza; dhe 4) Reforma e sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, që njëherit përbën marrëveshjen e parë ndërkombëtare të rrëzuar njëherë në Kuvend nga LDK-ja.  

Sipas ligjit në fuqi dhe frymës së Kushtetutës ku flitet për komisione hetimore, përcaktohet qartë kriteri i përbërjes dhe i kryesimit të komisionit. Të gjithë ata që nënshkruajnë kërkesën për komision hetimor parlamentar janë iniciues të saj, rrjedhimisht asnjë deputet nga grupet parlamentare nënshkruese nuk mund ta kryesojë komisionin, kjo bie ndesh me ligjin. PDK, LDK, AAK, dhe Lista Sërpska kanë bllokuar vetën proceduralisht dhe nuk po mund të procedojnë tutje, dhe krejt çfarë bëjnë tani është akuzojnë mazhorancën, pozitën, që kinse po i bllokon, tha deputeti Adnan Rrustemi. 

“Nuk mund të na kërkohet që të votojmë diçka për të cilën jemi të bindur që është e kundërligjshme. Nuk është hera e pare që Kuvendi po shqyrton themelimin e komisioneve hetimore. Nëse reflektojnë e besojnë tanimë që rregullat i kanë bërë gabim sa ishin në pushtet, i ftojmë të fillojmë nga ndryshimi i ligjit të ri për hetimin parlamentar. Gjithë idetë e tyre se si duhet të jetë hetimi parlamentar le t’i paraqesin në atë projektligj. Kështu punohet me ndershmëri dhe me parime demokratike”, tha Rrustemi në fund, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës të reflektojnë e të procedojnë sipas ligjit drejt formimit të këtij komisioni. 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 04 2022

Në 9 vjetorin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq

Në 9 vjetorin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq

Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike. Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.

Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.

Si pjesë e opozitës së atëhershme ne jo vetëm kemi kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.

Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë.

Ende pa u bërë një vit nga fillimi i dialogut, me 24 shkurt 2012 na sillet marrëveshja e parë politike që njollosi pavarësinë e Kosovës edhe tekstualisht duke i vendosur pavarësisë një fusnotë. Fusnota i bishtnohet pavarësisë duke e ngrehur nga pas UNMIK-un tashmë 10 vjet. Ne protestuam edhe kundër kësaj fusnote kurse ata që e sollën na thanë se ishte një fjollë bore që do shkrihej me ardhjen e pranverës.

Një vit pas njollosjes së pavarësisë, me 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”) duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe. Thënë shkurtë, një Republika Sërpska në tentativë brenda Kosovës.

Ashtu siç ndodhi edhe me shumë marrëveshje të tjera të dëmshme, qeveria asokohe e PDK-së u kujdes që këtë akt të rëndë të shkeljes së kushtetutës e sovranitetit të vendit ta “legjitimojë” në parlamentin e Kosovës. Në orët e mesnatës së 21 prillit, 2013, 89 deputetë në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët e AAK-së dhe LDK-së të cilët dy vite më herët kishin votuar kundër rezolutës për bisedime me Serbinë, ngritën duart për ta votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin njëetnik.

Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Kur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese interpretoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për kompetencat e Asociacionit të nënshkruar nga LDK dhe PDK e që buronte nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, ajo e nxori asociacionin të paligjshëm dhe praktikisht të pazbatueshëm pasi nuk ka vend në kushtetutën shumetnike për organizma një-etnik.

Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm pavarësisë së Kosovës e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit.

Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik.

E sikur kjo të mos mjaftonte për të keq, po atë ditë, më 19 prill 2013, ish Kryeministri Thaçi i dërgoi letër ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, ku njëanshëm i zotohej që FSK-ja nuk do të kalojë lumin Ibër!

Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 04 2022

Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë


Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë.

Këtë gjë ka bërë Prokuroria e Kosovës, pa u brengosur aspak për aspektin njerëzor të familjarëve e shokëve të Astrit Deharit, por mbi të gjitha, pa u shqetësuar fare për drejtësinë dhe ligjin në Republikën e Kosovës, gjë e cila do të duhej të ishte mision kryesor i atij institucioni.

Instrumentalizimi politik i institucioneve të drejtësisë lehtë përfundon në instrumentalizim kriminal të atyre institucioneve. Këtë na i tregon të gjithëve rasti i Astrit Deharit. Por ndryshimi i madh që ka ndodhur në Kosovë kërkon t’i jepet fund drejtësisë që fsheh krimet dhe dënon të pafajshmit. Ai ndryshim nuk kthehet pas, institucionet do të çkapen, drejtësia do të pavarësohet.

Ashtu siç nxituan atëherë për ta shpallur vetëvrasje, ashtu po nxitojnë dhe sot, për komunikata me informacione selektive.

Asnjë komunikatë e asnjë reagim i atyre që e kishin dhe e kanë detyrë ligjore zbardhjen e rasit, nxjerrjen para përgjegjësisë e mundësimit të drejtësisë së plotë për Astritin, nuk mund të shfajësojë as zinxhirin institucional të kohës, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme.

Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e përgjegjësve para gjykimit. Nga arrestuesit e tij me akuza të fabrikuara, te përgjegjësit e burgut, drejtori i policisë e Kryeprokurorin Sylë Hoxha për pretendimet e tij të pabazuara, kontradiktore e deklaratat e rrejshme.

Burgosja e Astritit dhe mbajtja për dy muaj pas grilave ishte sulmi i parë i dhunshëm kriminal ndaj të drejtave njerëzore e qytetare të Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu. Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij nga dora e shtetit e që vdiq në duar të shtetit.

Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si most ë jemi   të zhgënjyer.
 
Jemi të bindur, si aktivistë dhe si qytetarë, se asnjë pengesë e stisur, e asnjë individ apo grup, të cilët mund ta kenë qëllim moszbardhjen e rastit Dehari, nuk mund ta sfidojnë drejtësinë.

Në dokumentin më poshtë gjeni Kallëzimin Penal të parashtruar nga Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 03 2022

1 vit nga fillimi i vaksinimit në Kosovë

Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! erdhi në qeverisje kishte zero vaksina.

Nuk kishte as marrëveshje dhe as kontratë për sigurimin e tyre.

Falë punës dhe përkushtimit të lartë të qeverisjes tonë, ish-ministrit, Arben Vitia, në kohë rekorde negociuam suksesshëm një kontratë të favorshme për sigurimin e vaksinave.

Kështu, nga të qenit shteti i fundit në rajon për shkallën e vaksinimit kaluam në situatën ku tash jemi shteti i parë në rajon me 1,820,000 doza të administruara, duke u krahasuar me disa shtete të Evropës.

Një falënderim u takon të gjithë mjekëve tanë, punëtorëve të shëndetësisë, dhe shteteve mike që e ndihmuan Kosovën me stoqe të vaksinave si donacion

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 03 2022

Konferencë për media në lidhje me debatin e zhvilluar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike.

Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari dhe deputeti Armend Muja mbajtën konferencë për media në lidhje me debatin e zhvilluar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike

Opozita dëshiron të flas për pasojat pa folur për shkaqet dhe situatat konkrete të krizës nëpër të cilën kemi kaluar, andaj sot, grupi ynë parlamentarë nuk ua ka mbështetë nismën për komision hetimor parlamentar për çështjen e energjisë.

Kur kemi dëgjuar propozimin për këtë hetim parlamentar ne kemi treguar gatishmëri të lartë për ta mbështetur për shkak se edhe ne dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar mirë mbi atë se çfarë ka ndodhë gjatë kësaj krize, por sot opozita e ndryshoi në tërësi propozimin e saj.

Ne e vlerësojmë aktivitetin opozitar por jo edhe tendencat e synimet e ulëta që të vihet hi dhe pluhur duke thënë të pavërteta mbi veprimet e qeverisë që vetëm përgjatë këtij viti është ballafaquar me kriza të njëpasnjëshme si ajo e pandemisë, energjisë dhe tani luftës në Ukrainë.

Aktiviteti opozitar bashkë me aktivitetin hetimor natyrshëm bëhen për ta mbajtur qytetarin të informuar mbi atë që ka ndodhur dhe jo thjeshtë për të shënuar disa pika të ulëta siç po bënë opozita tani.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/5348226945207924

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 03 2022

Në Krushë të Vogël u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën.

Në Krushë të Vogël, para 23 vitesh, forcat serbe ndanë gjakftohtësisht familjet, ndalën burrat dhe djemtë dhe i dëbuan nga fshati të gjitha gratë dhe fëmijët. Në këtë masakër u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën. Nga kjo masakër 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë. Ndërsa nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb.

Ndërkaq sot pas 23 vitesh janë rivarrosur mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999.

‘’Historia e shtetit tonë nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e Krushën e Madhe. Nuk mund të shkruhet pa adresimin e dhimbjeve e tmerrit të përjetuar. Dëmeve e vuajtjeve të shkaktuara. Historia jonë është e shkruar me mbi 400 masakra të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë. Kjo histori nuk mund të rishkruhet e as të harrohet. Asnjëherë të ndryshohet, tha Kryeministri Kurti.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, gjatë luftës, Andin Hoti.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 03 2022

Marsi shënon muajin e përkujtimit të qindra masakrave ndaj popullit të Kosovës të ndërmarra nga shteti i Serbisë në luftën e fundit të vitit 1998-99.

Masakra e Krushës së Madhe që e kujtojmë me 26 mars, pak ditë pas fillimit të bombardimit të NATO-s, ku u vranë 241 qytetarë civilë të këtij fshatit është shembull konkret i krimit dhe gjenocidit të kryer nga Serbia.

”Na e kërkon këtë rivendosje të drejtësisë çdo familje e Krushës, çdo familje e Kosovës, por mbi të gjitha vërtetësia dhe qëndrueshmëria jonë si shtet e si popull. Natyrisht që simbolin e Krushës ne e kemi edhe më të lartë e më të ndritur. Një prej të zhdukurve me dhunë të Krushës është një nga njerëzit më të mençur që ka kaluar në gjuhën shqipe e në trojet shqiptare: Ukshin Hoti. Është e lartë dhe e vështirë t’i rikthesh Krushës së Madhe drejtësinë për Ukshin Hotin. Është e vështirë drejtësia për të zhdukurin. Është e vështirë drejtësia për cenimin në inteligjencë të një populli”, tha Kryeministri Kurti në 23 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe.

Qeveria e Kosovës krahas përgatitjes së padisë për gjenocid ka themeluar edhe Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë jo vetëm për t’i evidentuar ato, por për të sjellë drejtësi për mijëra viktima që u vranë padrejtësisht në vendin e tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 03 2022

Grupi Parlamentar i VETËVENDOSJE!-s bën homazhe në nderim të znj. Madeleine Albright

Mikja e pazëvendësueshme e atyre që luftuan për liri dhe dinjitet njerëzor, znj. Madeleine Albright, do të kujtohet përherë si gruaja që deri në frymën e saj të fundit u rreshtua me popujt e angazhuar për paqe, liri, dhe barazi.

Si Kosovë, si institucione, përfaqësues, e shoqëri, do e kujtojmë dhe nderojmë përherë si kontributin e saj për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës ashtu edhe mbështetjen e pakursyer të saj për zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë.

Madeleine Albright u nda nga kjo botë duke lavdëruar luftën e grave nga Kabuli deri në Kiev, duke theksuar që mendja dhe zemra e saj është me të gjithë ata që luftojnë për një botë të lirë e demokratike, për një botë ku ka barazi e prosperitet për të gjithë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 03 2022

Kosova po bëhet me një termocentral diellor ndër më të madhin të tillë në Evropë.

Projekti “Solar4Kosova” do të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ky projekt do të shtojë kapacitetet për rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë.

Do të sigurojë kyçjen në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo 60.000 banorë;

Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2;

Do të reduktojë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes;

Do të reduktojë emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000t në vit; si dhe

Do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 03 2022

Të drejtat e punës për gratë

Sot Nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! njëkohësisht dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, dr. Fatmire Kollçaku  së bashku me dhe Drejtuesen e grupit të Grave deputete Tinka Kurti morën pjesë në tryezën e organizuar nga Forumi Ekonomik i Grave, Friedrich Erbet Shtiftung dhe Iniciativa për Stabilitet ne Kosovë në diskutimin publik për Lejen e lehonisë dhe Lejen prindërore. 

Nga organizatoret dhe pjesëmarrëset u paraqitën disa propozime si model për ta adresuar këtë çështje në ligjin e ri që do të përgatitet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka pasur dhe ka prioritet të lartë çështjen e legjislacionit të punës dhe veçanërisht zonat ku rregullohet të drejtat e prindërve për rritjen e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre krahas vijimit të punës. 

Jemi të vetëdijshëm që edhe hartimi i legjislacionit të ri por mbi të gjitha zbatimi i ndershëm dhe i drejtë i tij ka për të pasur tepër shumë pengesa e vështirësi të cilat nuk janë vetëm të natyrës ekonomike apo të burimeve njerëzore, kryesisht në sektorin privat, por edhe të një botëkuptimi të ri për marrëdhëniet e punës dhe të drejtave themelore të lidhura me to.

Të dhënat e dekadës së fundit për çështjen e punësimit të grave dhe veçanërisht të ndërprerjes së marrëdhënies së punës e daljes plotësisht nga marrëdhëniet e punës për shkak të pushimit të lehonisë janë tejet shqetësuese. 

Në këtë drejtim qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e në komisionet që i drejtojmë, qoftë në nivel të qeverisjes qendrore e lokale ne do t’i dëgjojmë të gjitha llojet e propozimeve që vijnë nga grupe shoqërore e organizata ngase  synimi ynë është ta transformojmë rrënjësisht këtë gjendje. 

Dhe kemi bindjen që do ta bëjmë. 

23 mars 2022 

Lëvizja VETËVENDOSJE! 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 03 2022

1 vit Qeverisje, 1 vit zhvillim dhe drejtësi!

Sot bëhen 1 vit nga votimi i Qeverisë Kurti II. Menaxhimi i suksesshëm i pandemisë dhe dëmeve të saj, rritja e pashembullt ekonomike, investimet në ekonomi dhe siguri, luftimi i krimit dhe korrupsionit, fillimi i procesit të Vetingut bashkë me atë të konfiskimit të pasurisë dhe kujdesi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë, janë vetëm disa prej arritjeve krahas shumë punëve që janë bërë përgjatë një viti qeverisje. Shumë zotime janë realizuar e për shumë rezultate që i dëshirojmë dhe na duhen tashmë është shtruar rruga që na shpien atje.

• Ndalja e gjakderdhjes financiare

150 milionë euro të kursyera nga anulimi i kontratave të dëmshme.

Shkurtimet e shpenzimeve qeveritare.

Stabiliteti institucional

Zgjedhje demokratike.

Shumicë solide.

Asnjë keqpërdorim i parasë publike.

Kosova e para në rajon për sundim të ligjit sipas “World Justice Project”.

• Luftimi i krimit dhe korrupsionit

550 operacione, 1102 bastisje, 54 grupe kriminale.

Konfiskim i 1 mijë 192 kg drogë.

Mbyllje e rrugëve të kontrabandës në veri.

Arrestim i fajdexhinjve.

Arrestim i policëve për ryshfet.

Themelimi i bazës së Policisë në Bërnjak.

Kapja e keqpërdorimit me derivate prej 600 mijë eurosh.

• Investimi në ndërmarrje publike

Themelimi i Fondit Sovran.

40 milionë për Telekomin dhe Trepçën.

Fillon punën NSH “Brezovica”.

Investimi në siguri

100 milionë euro për FSK.

Modernizimi i ushtrisë.

Fondi i Sigurisë.

• Ringjallja e Ekonomisë

7.9% rritje të GDP-së.

Aktiviteti ekonomik +15%

Eksportet +66%

Të hyrat buxhetore +30%

40 milionë për prodhuesit vendor.

20 milionë për skemën e punësimit.

Mbi 1.1 miliardë euro të hyrat nga dogana.

Mbi 600 milionë të hyra të reja në ATK.

Koncept Dokumenti për energji të ripërtishme.

Subvencionim i kredive.

Letrat me vlerë “Bono të Diasporës”.

10 milionë në rezervat shtetërore.

Pakoja e ringjalljes ekonomike.

• Mbështetje direkte për qytetarët

Kujdes shtetëror për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

Nuk ka më pensione nën 100 euro.

142,237 fëmijë përfitues të shtesave.

11,646 nëna lehona përfituese të shtesave.

45 milionë euro shtesa për nënat lehona.

35 milionë euro për skemat sociale dhe pensionale.

• Vaksinimi

2 milionë vaksina Pfizer dhe Astrazeneca.

Vaksinimi i më shumë se 60% të popullsisë.

24 milionë euro për barnat esenciale.

• Veting dhe konfiskim i pasurisë.

Miratimi i koncept dokumentit për Vetingun dhe fillimi i këtij procesi.

Kalimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Miratimi i Projektligjit për Gjykatën Komerciale.

• Ristrukturim dhe restaurim në Kulturë

Reformë në teatër, balet, Bibliotekë dhe Arkivë Shtetërore.

Kërkesë zyrtare Serbisë për rikthimin e artefakteve.

Projekti për kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Dyfishim i fondit për ndërhyrje emergjente në objektet e trashëgimisë kulturore.

• Infrastrukturë zhvillimore

Heqja e homologimit.

Kartoni i gjelbër për mërgatën.

Rruga Prishtinë-Tetovë.

Hekurudha Prishtinë-Durrës.

Nënshkrimi i Projektit për banim të përballueshëm.

• Politikë me integritet dhe dinjitet

Përfaqësim i dinjitetshëm.

Qasje reciproke me Serbinë .

Thellim i aleancave dhe partneriteteve.

• Për rininë e edukuar dhe profesionale

Arsimi publik falas për të gjithë.

100 mijë euro për studentët në universitete elitare.

1000 bursa për vajza që studiojnë shkenca ekzakte.

Mbi 100 asistentë në shkolla për fëmijë me aftësi të kufizuara.

Kosova merr statusin e vendit të asociuar në programin “Horizon Europe” me të drejta të plota.

• Për gratë me punë e barazi

Barazi gjinore nga lart poshtë në secilin institucion e bord.

Subvencionim i kredisë për biznese prodhuesve që udhëhiqen nga gratë.

Bursa shtetërore për shkollim të lartë.

Miratimi i strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

• Për bujqit në prodhim

Subvencione direkte në bujqësi.

216% rritje të mbështetjes për bujqit.

70 milionë euro për fermerë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 03 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpall zgjedhjet e brendshme të përgjithshme.

Nisur nga vendimi i Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shpallur zgjedhjet e brendshme të përgjithshme. Nga 15 marsi, secili anëtar i Lëvizjes do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është organizata me mbështetjen më të madhe në vend, çka duhet të reflektohet në struktura edhe më të fuqishme, e të cilat do të vijnë si rezultat i zgjedhjeve që do të jenë të drejtpërdrejta, të lira e demokratike. Në 30 qendra të Lëvizjes në Kosovë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë mundësi që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vetpropozohen.

Të gjithë anëtarët do të kontaktohen për të marrë pjesë në zgjedhje, kurse ju që mbështetni Lëvizjen, por nuk jeni anëtarësuar ende, vizitoni zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE në komunën tuaj dhe anëtarësohuni që të bëheni pjesë e këtij procesi demokratik.

Lëvizja fton të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 03 2022

Homazhe te Memoriali Heroinat

Sot, me 8 mars, Kryeministri i Kosovës bashkë me ministre të kabinetit qeveritar, deputete të Republikës së Kosovës dhe zyrtarë të Sekretariatit të Përgjithshëm e Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë bënë homazhe te Memoriali Heroinat në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së shumë grave të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998-99 kundër shtetit okupator, Serbisë.

Te ky memorial që i është kushtuar grave heroina për sakrificën dhe kontributin e tyre gjatë luftës së popullit tonë për liri është vend ku nuk përkujtojmë vetëm sakrificën për liri e çlirim nga pushtuesi, por edhe domosdoshmërinë e barazisë shoqërore. Barazia është liria e vërtetë.

Padrejtësitë ndaj grave dhe vajzave vazhdojnë të jenë evidente në shoqërinë tonë çka e bën edhe më të nevojshëm angazhimin e secilës e secilit prej nesh punën e parreshtur për drejtësi, barazi, për të gjitha gratë, pa dallim.

Sekretariati i Gruas Aktiviste

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 03 2022

Mbështesim “Marshojmë, s’festojmë”

Më 8 mars aktiviste e aktivistë të Kolektivit “Marshojmë s’festojmë” kanë organizuar një marsh protestues, që do të ketë tri pikëtakime kryesore, në orën 10:00 Pallati i Drejtësisë, 11:00 te rrethi i Flamurit dhe 12:00 te sheshi “Zahir Pajaziti”.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë në mbështetje të plotë të marshit dhe nesër do të jemi në shesh sepse mendojmë që për gratë e burrat në shoqërinë tonë duhet të ketë barazi të të drejtave politike, ekonomike e shoqërore. Prandaj është detyrë jona qytetare të dalim në marshim përkrah aktivisteve e aktivisteve të shoqërisë civile.

Mendësia patriarkale mban gjallë vrasjen e grave, femicidin, fenomen kriminal që duhet luftuar nga gjithë pjesët e shoqërisë sonë. Prandaj edhe marshimi nën thirrjen “Marshojmë kundër vrasjes së grave” duhet të na bashkojë të gjithëve si shoqëri e si institucione për drejtësi e barazi gjinore e shoqërore.

Tashmë është dëshmuar se organizimi shoqëror për të jetësuar synimet tona për barazi e drejtësi është e vetmja alternativë. Andaj si çdo ditë edhe në ditën ndërkombëtare të grave ne jemi në solidaritet të plotë me secilin organizim që kryefjalë e ka solidaritetin gjinor sepse jemi të ndërgjegjshëm që solidariteti gjinor është shpresa e vetme nëpërmjet së cilës arrihet te barazia, edhe gjinore.

Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, jo vetëm ne Prishtinë por, kudo ku marshohet edhe në qytetet tjera të bashkohen kundër patriarkatit që vret, e për barazi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 03 2022

Mbledhja e XLVI e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajti mbledhjen e XLVI në të cilën u diskutuan shumë çështje politike e organizative.

Në pjesën e parë të mbledhjes, anëtarëve të Këshillit iu drejtua Kryeministri, njëherazi Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, duke kujtuar në fillim të fjalës së tij muajin mars si muaj të lavdishëm të historisë e të çlirimit tonë.

“Sot është 5 marsi dhe në dy ditët në vijim po ashtu do shënohen ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Populli ynë ndër shekuj ka pasë lëvizje çlirimtare, e tillë ishte edhe UÇK-ja që kulmoi me heroizmin e pashembullt të Familjes Jashari”, tha ai.

“Këto ditë i kujtojmë për të mos harruar kurrë barbarinë e okupatorit serb mbi popullin e Kosovës dhe heroizmin e shqiptarëve për të rezistuar dhe luftuar për mbrojtjen e atdheut. Më shumë se kujtdo tjetër, lirinë që gëzojmë sot ua kemi borxh dëshmorëve të luftës. I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për ta dhe e përhershme qoftë puna jonë në realizimin e amanetit të tyre”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, pozitën në të cilën gjendet Republika e Kosovës, dhe për pozicionimin e vendit tonë krahas shteteve aleate duke dënuar agresionin dhe duke vënë sanksione ndaj Rusisë.

“Dënojmë ashpër edhe mos-dënimin e agresionit rus dhe mos vënien e sanksioneve nga Serbia e cila kësisoj po i bashkangjitet Bjellorusisë. Nëse deri dje, disa besonin se duke i ledhatuar autokratët zbuten ca e ndoshta bëhen demokratë, tashmë duhet ta kenë marrë mësimin. Derisa Serbia nuk pranon të nënshkruaj deklaratë mos-sulmimi e paqeje me Kosovën, dhe nuk distancohet nga agresioni rus për pushtimin e Ukrainës, dhe në të njëjtën kohë nuk i bashkohet demokracive të tjera në sanksionimin e Rusisë, ajo përbën kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë afatgjate e të përbashkët”, shtoi Kurti.

Sa i përket çështjeve organizative, ai i njoftoi anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që në përputhje me vendimin paraprak të organit më të lartë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shumë shpejt do të futemi në zgjedhjet e brendshme dhe në këtë drejtim në secilën qendër të Kosovës tashmë janë caktuar koordinatorët e qendrave, ndërsa në mërgatë janë caktuar koordinatorë në 10 nga gjithsej 13 qendra. Grupe punuese deri tani janë caktuar 22 sosh, dhe së shpejti do të plotësohen edhe grupet punuese të mbetura.

Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi punimet duke diskutuar e votuar propozim-rregulloret për dy organet e reja të LV-së, si: Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!, organe këto të cilat po ashtu do të jenë pjesë e zgjedhjeve të brendshme.

Në kuadër të kësaj mbledhje u raportua edhe mbi raportet e punës për vitin 2021, për sekretariatet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 03 2022

24 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Fjalimi i plotë i Kryeministrit, Albin Kurti, mbajtur në ceremoninë e rreshtimit të njësive ushtarake të FSK-së, për 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Politika për ne është angazhimi më i lartë dhe shprehja e sjelljes më publike e më të ndershme. Ajo është aftësia për të parashikuar kompleksitetin gjeopolitik rajonal dhe botëror, por edhe aftësia e projektimit kombëtar. Duhet t’i kthehemi në mënyrë të vazhdueshme përkufizimit të politikës si aktiviteti më publik, më patriotik dhe më i gjithanshëm i njeriut. Me sjelljen tonë politike ne mund të bëjmë në mënyrë të mbarë vlerësimin e inteligjencës dhe mirësinë e trashëgimisë, si një e tashme e cila merr përgjegjësi për të shkuarën e afërt dhe të largët.

Politika, me karakter publik, demokratik dhe universal nuk na lë të jetojmë një të ardhme që mohon arritjet e të shkuarës, dhe as që e redukton të tashmen në gjendje të shkuara, të afërta apo të largëta. Vetia publike e veprimtarisë sonë nuk duhet të na braktisë e nuk duhet të na lejojë të humbim udhën e integrimeve të drejta, ajo duhet të mbajë gjallë direktivën e qartë: nuk duhet të ndërtojmë paqe të korruptuara, dhe as t’i lejojmë korrupsionit të funksionojë në paqe. Ne mendojmë e perceptojmë sipas këtyre direktivave dhe konstatojmë se nuk kemi gabuar.

Ne kemi ndjekur projektin më të natyrshëm që rezulton nga historia: vullnetin dhe dëshminë më rrënjësore të vullnetit – dëshmorin. Ne nuk kemi trima pushtimi, por dëshmorë çlirimi. Në ditët dhe javët që po kalojmë, ky mesazh është më i nevojshëm se kurrë. Cilido individ apo shtet që ndjek porosinë e dëshmorit çlirimtar nuk ia huq subjektivitetit të lirisë, dhe as universalitetit të drejtësisë.

Ne synuam integritet territorial, jo për hir të mbylljes sonë por për hir të paqes së drejtë. Shumë shpejt aktualiteti na vërtetoi se qëndrimi ynë ishte i saktë dhe i drejtë. Ne synuam përgjatë viteve dialog me parime, dhe shumë shpejt aktualiteti kontinental po na vërteton se ngutia për dialog pa parime është e tillë që bëhet për pazare. Kombet nuk janë monedhë e as mall në duar të shteteve dhe përfaqësuesve të tyre të lartë, veç në mos po flasim për Serbi, Rusi e Bjellorusi. Ne duam paqe afatgjatë, andaj edhe nuk ngutemi e nuk vendosim data përfundimtare. Një dialog i imponuar e pa parime është një konflikt i ardhshëm me pazare.

Të nderuar të pranishëm,

Datat na duhen, por në zhvillimin e brendshëm. Progresi njerëzor, shoqëror dhe ekonomik kërkon data, afate dhe shpejtësi. Së jashtmi kompleksiteti ka shumë faktorë e aktorë, andaj kërkon veprim të pjekur e maturi, kërkon kohë.

Së brendshmi, na duhet sinqeritet dhe së jashtmi, reciprocitet.

Së brendshmi është emergjent veprimi i unifikuar, së jashtmi veprimi strategjik dhe i koordinuar.

Së brendshmi na duhet uniteti dhe së jashtmi aleanca.

Së brendshmi duhet të shtojmë fuqinë shoqërore, së jashtmi subjektivitetin shtetëror. Ne e kemi deklaruar gjithnjë se jemi për subjektivitet shtetëror e jo për subjektivizëm pushteti.

Vullnet dhe subjektivitet. Kjo është porosia e dëshmorëve çlirimtarë. Kjo është porosia e flijimit sublim të Jasharajve. Me vullnetin e tyre, ata na dëshmuan se vullneti e sjell subjektivitetin, se subjektiviteti e shpreh vullnetin. UÇK-ja e çliroi Kosovën. Në jemi të qartë për këtë pikë. Një komb e mban të çliruar vullneti, aleancat i ndërton subjektiviteti.

Këto ditë të planetit kur jemi dëshmitarë të pushtimit të Ukrainës na e sjellin edhe më të qartë rëndësinë dhe vlerën epopenë e UÇK-së. Nëse Ukraina nuk do të rezistonte, edhe uniteti i drejtë perëndimor nuk do të ishte i mundur. Vullneti ukrainas do ta bëjë të mundur progresivisht kthjelltësinë e shprehjes botërore. Pra, vullneti i Ukrainës do të përcaktojë njëjësinë e subjektivitetit të saj sovran me subjektivitetin demokratik perëndimor. Njësimi i vullnetit të Ukrainës me subjektivitetin e saj do ta rrisë mbështetjen botërore dhe qartësinë e kësaj mbështetje, duke i dhënë botës një drejtësi më të pjekur e afatgjatë. Luftërat çlirimtare të popujve të pushtuar e kanë pjekur gjithnjë mendimin e njerëzimit. Kështu ishte edhe në vendin tonë në kohën e luftës cclirimtare të viteve 1998-1999.

Eh pra, sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën dhe epopenë e luftës së saj. Populli i Kosovës, pa shtet e pa ushtri, gjeti vullnetin për me ndërtu një ushtri çlirimtare. Sigurisht me një çmim historik: jo vetëm dy vite luftë, por me rezistencën shekullore, me pushtim e me burgosje, me protesta e me rezistencë ilegale. Ne i dhamë shembujt më shpjegues një bote të tërë, që nga viktima civile foshnje e gra, deri te familja dëshmore, deri te farefisi dëshmor. Të gjithë gamën e vullnetit ne ia shpallëm njerëzimit demokratik.

Ne urojmë që shpirti ynë të jetë i atillë që të jehojë gjithku në botë, e që Ukraina mos të jetë as Bosnje e as Kosovë, të mos ketë 600 shekuj burg politik si` pati për shqiptarët, të mos ketë as spastrimin etnik e as të zhdukur me dhunë, as përdhunimet seksuale e as masakrat e panumërta. Sakrifica jonë e kishte njoftuar botën demokratike mbi rreziqet e mbetura në Lindjen e padepërtuar nga demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Të nderuar miq, ne e dimë mirë se duhet menduar thellë për me pa larg. Ne mendojmë thellë sepse dëshmorët i kemi afër. Ne mendojmë së afërmi sublimen. Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembullt – flijimin e të gjitha moshave për lirinë – familjen Jashari. Sa më shumë vonohet veprimi i shoqërisë politike, aq më shumë civili bëhet ushtar e dëshmorë sepse detyrohet. Dhe dëshmia do të na bërtasë më pas nga numri i varreve, nga emrat e grave dhe moshat e fëmijëve të gdhendur në mermer.

Dëshmori është vullneti sublim. Sa më shumë që e mendojmë sakrificën e tyre, aq më e sigurtë është drejtësia e paqes së ardhshme, aq më i pamundshëm është rreziku për njerëzimin.

Në kohën e rezistencës së një shekulli ne i kemi studjuar aleancat, i kemi njohur e i kemi shquar. Bota sot po shkon drejt segmentit luftë e ftohtë – luftë bërthamore. Aleanca e studiuar dhe efektive është e vetmja mundësi që të mos kenë mundësi subjektivizmat e shteteve autokrate dhe diktaturat despotike të pushteteve mbi popujt e tyre. Nuk mund të bëhet tregti me dikë që nuk ndan vlera të njëjtat.

Në aleancat tona ne nuk flasim me emra abstraktë e të përgjithshëm. Ne flasim me emra shtetesh. Edhe kur mendojmë BE-në, ne mendojmë para së gjithash shtetet më të përparuar e më themelues të idesë së saj. Paqja ndërtohet nga shtete e popuj, siç edhe pushtimi që kryhet nga shtete dhe heshtja ose bashkëpunimi i popujve të tyre. Nëse Evropën e përcaktojnë shtetet që e mbrojnë më shumë idenë e saj, atëherë Evropa do të jetë afër idealit të saj. Evropa afër idealit të saj, do të jetë ajo që do të ndjejë se shqiptarët kanë qenë gjithnjë të sigurtë në zgjedhjen e tyre evropiane. Një bashkësi evropiane e fuqishme sa e drejtë, do ta kuptojë se Ballkani ka qenë jo çështje e ngutshme e popujve të saj, por e vet Evropës. Harmonia në Ballkan nuk është e vetvetishme nëse nuk është pjesë e ngutshme e projektit të Evropës. Nuk na lipsen luftërat për të kuptuar subjektivizmin e botës serbe dhe të botës ruse. Shqiptarët janë aleatët e Evropës, kanë qenë dhe do të jenë aleatët e demokracisë. Sa më shumë BE-ja i mbante larg vetes, aq më shumë funksionimi ynë shtetëror dëmtohej në nivelin e saj të brendshëm demokratik.

Sot, koha e neutralitetit mori fund. Neutraliteti nuk bën pjesë në politikë, por vetëm në diplomacinë pa politikë e pa parime. Ndaj ne nuk ngutemi. Në çdo akt tonin diplomatik ne synojmë të vendosim sa më shumë përgjegjësi të politikës dhe publikes. Institucionet e Evropës duhet të nguten. Ne duhet të integrohemi në vetvete demokratikisht, dhe kjo kushtëzohet e lehtësohet në masën dhe shpejtësinë me të cilën na integron Bashkimi Evropian. Një popull që ka epope çlirimtarësh, nuk do të duhej të kishte epope refugjatësh, por vetëm epope integrimesh.

Ne i qëndrojmë njoftimeve e deklarimeve që kemi bërë, natyrisht me mundësinë tonë e në masën që mund të dëgjohemi. Evropës i duhet të integrojë luftën çlirimtare të Kosovës dhe jo varrezat masive që fshehin masakrat e ushtrisë serbe në trupin e shtetit serb. Nuk ka neutralitet kur bëhet fjalë për ndjenjën e lirisë. Nuk ka simetri mes pushtimit dhe lirisë. Sa më shumë tolerohet në simetrinë e gabuar, aq më shumë bashkësitë demokratike bien në faj, aq më të pakthyeshme bëhen pasojat. Aq më shumë pjesët e sëmura prej shovinizmit do të gjejnë mjedis të favorshëm. Rusia don të shkojë përpara drejt të shkuarës, ndërsa presidenti i saj drejt kohës së carëve. Serbia do të flasë për djepin e saj në Kosovë dhe Rusia për djepin e saj në Ukrainë. Të dyja do të kenë frikë instiktive për BE-në dhe NATO-n. Dorëlëshimi i gjatë i simetrisë së gabuar mes pushtimit dhe lirisë, mes shoqërive demokratike dhe shteteve autokratikë do të sjellë bipolaritetin e luftës së ftohtë. Nuk duhet të ngutej Kosova e të dilte kundër dëshmorëve të saj, por duhet të ngutet Evropa e të zgjidhte dëshminë e çlirimtarëve të popujve të saj të shtypur. Kjo është rëndësia e madhe dhe themelore e dëshmorëve tanë. Ajo na mëson mbi vullnetin tonë dhe shijen e vërtetë të demokracisë perëndimore.

Lavdi kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari,

Lavdi familjes legjendare Jashari,

Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 02 2022

Ditëlindja e Ademit dhe Astritit

Të lindur më 26 shkurt, me një gjysmëshekulli në mes, Adem Demaçi, sot do të mbushte 86 vjeç, kurse Astrit Dehari 32. Në vizitë te familjet e tyre përveç ngrohtësisë mikpritëse, jeton i gjallë kujtimi për veprën e tyre.

Kryeministri, Albin Kurti, me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetët, Hydajet Hyseni e Salih Zyba, dhe bashkë me Arben Vitinë, vizituan sot familjet Demaçi e Dehari.

I riu dhe i moshuari. Energjia dhe historia. Baca Adem e Astriti janë shembulli për rininë. Shkolla dhe atdheu duhen njëjtë. E, ne sot, me mburrje, i kujtojmë të dy nëpërmjet librave e jetës aktive të tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 02 2022

Solidarity with Ukraine

VETËVENDOSJE Movement! shows solidarity with the Ukrainian people who are resisting the invading Russian forces.

The military aggression ordered by Putin is condemned not only by us, but by the entire public opinion and institutional public in Kosovo, as well as by the Albanian nation in general. We, ourselves have experienced the aggression of Serbia in the ’90s, so we can empathize on the pain and suffering that the citizens of Ukraine are now going through.

We support freedom and peace for Ukraine, fully back the resistance of the Ukrainian people, cherish every Russian citizen who opposes the occupation while we are in full coordination with our allies who are following the issue with concern and attention. These are the attitudes of the Movement in this difficult day for the whole world.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 02 2022

Me popullin e Ukrainës

Lëvizja VETËVENDOSJE! solidarizohet me popullin ukrainas që po reziston kundër forcave pushtuese ruse.

Agresionin ushtarak që urdhëroi Putini nuk e dënojmë vetëm ne, por i gjithë opinioni publik e institucional në Kosovë, ashtu si edhe kombi shqiptar në përgjithësi. Ne e kemi provuar agresionin e Serbisë në vitet ‘90, prandaj e dimë dhimbjen e vuajtjen që po përjetojnë tash qytetarët e Ukrainës.

Liri e paqe për Ukrainën, mbështetje për qëndresën e popullit ukrainas, përkrahje për çdo qytetar rus që i kundërvihet pushtimit, dhe bashkërendim i plotë me aleatët tanë që po e ndjekin me shqetësim e vëmendje çështjen. Këto janë qëndrimet e Lëvizjes në këtë ditë të vështirë për krejt botën.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT