24 02 2022

Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend, foli për agresionin rus në Ukrainë, dhe për projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë që do të votohet sot në Kuvend.

Fjala e plotë e Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend, ku foli për agresionin rus në Ukrainë, dhe për projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë që do të votohet sot në Kuvend.

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë,

I nderuar kabinet qeveritar,

Qytetarë të dashur,

Sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën dhe jo vetëm. Sot, i gjithë kontinenti ynë por edhe më gjerë, janë zgjuar me lajmin e trishtë të invazionit rus në Ukrainë që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe lirisë.

Duke qenë të brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re, shumë e madhe, me pasoja tashmë tragjike edhe në rajonin tonë e posaçërisht në Republikën e Kosovës, mbrëmë kemi mbajtur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku me disa prej ministrave dhe me drejtues të institucioneve tona të sigurisë kemi vlerësuar, analizuar, dhe diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që orientimi ynë evropian dhe euro-atlantik të jetë në nivelin, në cilësinë, në intensitetin më të lartë të mundshëm.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërsa vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore, i cili është sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta marrë miratimin tuaj sot.

Ka vite që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia.

Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria. Herë zbrazëtirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë, kanë lënë mundësi për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshmërisë. Rrjedhimisht, ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit, janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve.

Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do t’i heqë pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Kjo Byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Nëpërmjet këtij projektligj, në vendin tonë nuk do të dominojë më parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”.

Hartimi i këtij Projektligji është bërë në bashkëpunim me ekspertë dhe njohës ndërkombëtarë të fushës, krahas përfaqësuesve të duhur institucional, ekspertëve të pavarur dhe shoqërisë civile. Në hartim janë përfshirë madje edhe gjykatës dhe prokurorë, të cilët drejtpërsëdrejti interpretojnë dhe zbatojnë ligjet.

Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publik dhe të ekspozuarve politikë. Pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të të drejtave të palëve në procedurë, të cilat i njeh Kushtetuta dhe ligjet tjera në fuqi.

Ky ligj pra përcakton kthimin e pasurisë tek pronari legjitim dhe juridik, që është Republika e Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm, meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë.

Miratimi i këtij projektligji na hap udhë për të vepruar në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira, për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.

Andaj, ju ftoj që ta mbështesni me votën tuaj.

Ju falemnderit

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 02 2022

Mbledhja e parë me koordinatorët e rinj të qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Pas vendimit në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm për fillimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryesia e Lëvizjes, së bashku me qendrat, ka emëruar koordinatorët e rinj më të cilët sot u mbajt mbledhja e parë.

Në mbledhje morën pjesë Kryeministri, njëherazi, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedit, dhe Koordinatori për Qendra, Valon Hoti.

Në hapje të mbledhjes, Kryetari Albin Kurti uroi koordinatorët e rinj për detyrën e marrë, duke theksuar rëndësinë që ata kanë në udhëheqjen e procesit të brendshëm zgjedhor në këtë fazë të re ku organizata ka një mbështetje kaq të madhe popullore. Viti 2022 nuk do të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare e lokale, por vit i zgjedhjeve brenda Lëvizjes sonë, tha Kurti.

Në fund të fjalës, Kryetari Kurti njoftoi mbi punët dhe të arriturat e qeverisë me theks të veçantë ndryshimin për të mirë të të gjithë parametrave ekonomik, luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe procesin e suksesshëm të vaksinimit ku prej zero vaksinave në fillim të mandatit sot pas njëmbëdhjetë muajsh jemi liderë në rajon.

Në pjesën e dytë të mbledhjes u diskutuan detyrat kryesore të Koordinatorit dhe të Grupit Punues, ku Koordinatorët e rinj do të jenë bartës të këtij procesi të brendshëm zgjedhor.

U diskutua po ashtu itinerari i mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme sipas dinamikës së përcaktuar nga vendimi i fundit të Këshillit të Përgjithshëm.

Krahas procedurave të parapara me statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, këto zgjedhje, për dallim nga zgjedhjet e tjera të mbajtura përbrenda VV-së, do të sjellin në jetë edhe dy organe tashmë statutore, atë të Gruas për VETËVENDOSJE! dhe Rinisë për VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, duke i uruar punë të mbarë koordinatorëve dhe grupeve punuese nëpër secilën qendër, fton anëtarësinë dhe qytetarët të angazhohen gjatë këtij procesi të brendshëm zgjedhor në mënyrë që mbështetjes së madhe për subjektin tonë t’ia shtojnë edhe angazhimin përbrenda organeve të saj. Lëvizja jonë, Lëvizja e qytetarëve të Republikës do të mbetet përherë infrastrukturë e popullit përmes së cilës do të çojmë përpara ndryshimet e nevojshme për vendin, ato për të cilat angazhohemi pareshtur.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 02 2022

Fjala e plotë e Kryeministrit, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës

E nderuara Presidente e Republikës,

Kryetar i Kuvendit,

Deputetë të popullit,

Kabinet i qeverisë,

Familje të dëshmorëve,

Veteranë të luftës,

Shkëlqesi ambasadorë,

Qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Sot është ditë feste për të gjithë neve. Është ditë ku për disa çaste lëmë mënjanë dallimet tona të përditshme për ta shënuar këtë moment arritje që në shumë aspekte përbënë arritjen e gjeneratave të shqiptarëve ndër shekuj.

Shpallja e pavarësisë ishte padyshim rezultat i luftës tonë çlirimtare, kauzës tonë të drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.

Historia na mëson se e kaluara jonë është ajo mes të drejtës dhe sakrificës së vazhdueshme për të jetuar të lirë në trojet tona dhe përballjes me synimet e të tjerëve për të na dëbuar e për të pushtuar këto troje. E përkundër gjithë atyre luftërave e padrejtësive, populli ynë asnjëherë nuk u shndërrua në popull sundues e pushtues. Në fakt, populli ynë është ndër popujt e rrallë paqedashës në botë, të cilët janë pushtuar shpesh, kanë luftuar vazhdimisht kundër okupatorëve, por kurrë nuk kemi pushtuar popuj tjerë. Andaj edhe nuk është çudi që përkundër që jemi shteti më i ri në Evropë, ne kontribuojmë shumë për paqen dhe demokracinë.

Sot, përveçse festojmë këtë datë historike, ne nderojmë e falënderojmë ata që kontribuuan për këtë ditë. E në radhë të parë janë dëshmorët tanë të cilët dhanë gjithçka për të ardhmen tonë; është Shqipëria dhe mbarë kombi ynë; janë figurat historike sikurse Hasan Prishtina e Isa Boletini, Azem Bejta e Shotë Galica, Shaban Polluzha e Tahir Meha, Adem Demaçi, Fehmi Agani e Ibrahim Rugova, dhe familja Jashari e kryekomandanti Adem Jashari. Janë edhe qindra gra dhe burra, ish aktivistë politikë, ish studentë e qytetarë, deri tek ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, secili në kapacitetet e role e tyre që dhanë maksimumin që sot të gëzojmë këtë ditë. Historia e Kosovës do të njeh vuajtjet, sakrificën dhe kontributin e secilit.

E pikërisht në këtë ditë, është e përshtatshme që të reflektojmë për rrugëtimin tonë, të bëjmë një bilanc se ku ndodhemi si shoqëri dhe si popull, sfidat që kemi përpara dhe e ardhmja që na pret.

Muajin që vjen bëhen plotë dy vite të përballjes me pandeminë COVID-19. Marrë nga çdo aspekt, kjo pandemi ka ndikuar në jetën e secilit nga ne. Në këtë betejë kemi humbur njerëz të dashur e të afërt, teksa shumë prej nesh jemi prekur nga virusi. Fëmijët kanë humbur kohën e çmueshme pranë bankave shkollore e prindërve u janë shtuar presionet mes punës e familjes. Punëtorët shëndetësor kanë vënë jetët në rrezik, bizneset kanë pësuar humbje, e ne së bashku kemi ndjerë peshën e kufizimeve larg të afërmve dhe të shoqërisë.

Përtej pasojave direkte në shëndetin tonë, pandemia solli edhe kriza të tjera në ekonominë tonë. Ajo që tashmë është bërë e ditur është se në një botë të ndërlidhur si kurrë më parë, krizat nuk janë më asnjëherë lokale. Pas një pauze relativisht të gjatë, hapja e menjëhershme e ekonomive bëri që kërkesat e hovshme për konsum global të tejkalonin aftësinë për prodhim e shpërndarje. Kjo shkaktoi rritjen e çmimeve në shumë sektorë, e sidomos në atë të energjisë, çka rëndoi edhe më shumë krizën fillestare.

S’ka dyshim se krizat të cilat kanë përcjellë vendin tonë që nga fillimi, kanë testuar aftësitë dhe shkathtësinë tonë për të vepruar në ambient të paparashikuar me mjete e mundësi të kufizuara. Kriza me pandeminë pastaj edhe me energjinë kanë prekur secilin shtet duke dëmtuar rëndë strukturën e shoqërisë, por edhe nxorën në pah mungesën e planifikimit tonë afatgjatë e të investimeve strategjike. Prandaj është mëse e nevojshme që në tema kapitale që definojnë të ardhmen e gjeneratave që vijnë, të gjejmë konsensusin shoqërorë dhe gjuhën e mirëkuptimit me njëri-tjetrin.

Krizat kanë prekur të gjithë qytetarët. Unë e ndjej peshën që ato kanë shtuar te secili qytetar sepse i di kushtet në të cilat jetojnë shumica e qytetarëve të Kosovës. I kam takuar e kam biseduar me ta, i njoh brengat e tyre. Shumica jetojnë nga muaji në muaj me paga të ulëta e pa kursime, e të shumtë nga ta jetojnë me dërgesa nga diaspora, me ushqim të dobët e me shëndet të rrezikuar. Në fakt ishte pikërisht kjo gjendje e rëndë e qytetarëve dhe humbja e besimit në drejtësi e barazi ajo që solli ndryshimin e madh një vit më parë.

Ajo që mund të themi sot është se në këtë shumësi krizash të trashëguara e të papritura, kemi naviguar mirë në këto stuhi me politika të cilat kur krahasohen me rajonin tregojnë se ne kemi ruajtur me sukses edhe jetët e qytetarëve edhe shëndetin e ekonomisë. Krahasuar me rajonin, Kosova ka numrat më të ulët të vdekjeve, numrat më të lartë të vaksinimit dhe ka shënuar përmirësimin më të mirë të indikatorëve ekonomik. Tashmë kemi administruar mbi 1.8 milionë vaksina, ku janë vaksinuar me dy doza mbi 60% e popullsisë mbi moshën 16 vjeçare, kurse vitin 2021 e mbyllëm me një rritje ekonomike prej 9,9%, me rritje prej 2/3 e eksporteve, 1/3 të të hyrave buxhetore e mbi 50% rritje të investimeve të huaja, shifra këto që ishin më të lartat që nga shpallja e pavarësisë.

Për ta zbutur krizën me pandeminë, brenda 100 ditëshit tonë të parë, qeveria ndau mbi 20 milion EURO për policinë, personelin shëndetësorë, pensionistët, personat në asistencë sociale, e për punëtorët dhe bizneset, kurse për të zbutur krizën me energjinë ndamë 20 milion EURO me zotimin që deri në 100 milion të tjera gjatë këtij viti, për të mbrojtur ata që janë më dobët ekonomikisht.

Në përputhje me zotimin për ndërtimin e shtetit social, vitin që shkoi filluam për herë të parë me ndarjen e shtesave për nënat lehona, me shtesat për fëmijë, si dhe bëmë edukimin falas në të gjitha nivelet.

Falë punës së mirë, të përbashkët, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, Kosova është renditur e para në rajon në indeksin e drejtësisë në botë, dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit në indeksin e Transparency International.

Në rrafshin ndërkombëtar, kemi thelluar bashkëpunimin dhe bashkërendimin me partnerët, aleatët, dhe miqtë tanë, duke forcuar sigurinë për qytetarët, duke afirmuar sovranitetin shtetërorë, dhe duke mbrojtur integritetin territorial të Republikës sonë.

Po investojmë më shumë se kurrë në ushtrinë e Kosovës, dhe vitin që shkoi Kosova ishte pjesëmarrëse në mesin e 27 shteteve dhe nikoqire në mesin e 16 shteteve, me 330 ushtarë në ushtrime ushtarake të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 21”. E po ashtu ushtria jonë bashkë-zbarkoi në Kuvajt, krahas ushtrisë së ShBA-ve në misionin e saj të parë paqeruajtës në botë.

Kemi realizuar numër rekord vizitash jashtë dhe brenda vendit dhe kemi ridefinuar dialogun në Bruksel, si dialog mes dy shteteve të barabarta, të përqendruar në njohje reciproke. Së bashku me këtë kuvend miratuam një rezolutë për mos lejimin e shkeljes së sovranitetit nga ana e Serbisë ndaj synimit të saj për mbajtjen e referendumit kushtetues ku kemi ndryshuar praktikën e dëmshme të deritashme e cila ishte në shkelje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës. Politika jonë rajonale dhe e jashtme është ajo e fqinjësisë së mirë, bazuar në reciprocitet e në vlerat themelore të demokracisë. Kjo politikë është në harmoni të plotë me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian, për zhvillim të demokracisë dhe luftim të korrupsionit.

Pra, në vitin e 14-të po hyjmë me shifra të larta të rritjes ekonomike, shifra të luftimit të krimit e korrupsionit dhe me standarde të larta të qeverisjes demokratike që duhet ta bëjë krenar secilin prej nesh.

Këtë vit do të miratojmë strategjinë e re të energjisë 2022 – 2030, me të cilën së bashku do të zgjidhim për dekadat që vijnë problemin e energjisë. Me buxhetin e ri kemi ndarë 40 milion euro për prodhuesit vendor; 40 milionë euro për ringritjen e ndërmarrjeve publike, e mbi 700 milionë euro për sigurinë, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë e kulturën.

Qytetarët e kuptojnë dhe ndjejnë se ndryshimi po ndodhë çdo ditë dhe ata janë të vetëdijshëm se dëmet e mëhershme nuk përmirësohen për një dit e as për një vit.

Të nderuar deputetë e të dashur qytetarë, derisa qeveria përmbushë përgjegjësitë e saj, ka diçka që qeveria e vetme nuk mund ta bëjë, e ajo është përsosmëria e demokracisë sonë. Ndërtimi i demokracisë kërkon qytetari aktive e të mirëinformuar dhe kërkon që secili qytetar e secili institucion të bëjë punën me qëllimet më të mira.

Qeveria duhet të bëjë punën e saj, por po kështu duhet edhe drejtësia, edhe shoqëria civile, edhe mediat e aktivistët. Secili duhet të kontribuojë në ndërtimin e shtetit që duam.

Është përgjegjësi e qeverisë të krijojë politika që parandalojnë dhe luftojnë krimin e korrupsionin, por kur ai ndodhë është përgjegjësi e drejtësisë që të dënojë kriminelët dhe të korruptuarit.

Është detyrë e qeverisë që punët t’i bëjë në dritën e diellit e të rrisë transparencën, por qeveria e vetme nuk mund të mbrojë demokracinë nga dezinformatat. Kjo është detyrë e secilit.

Njëjtë siç korrupsioni në institucione publike rrënon besimin e qytetarëve në demokraci e në qeveri, dezinformatat rrënojnë besimin në media të lira e të pavarura, e një demokraci pa media të lira e të pavarura është çdoherë rrezik.

Në fakt, dezinformatat janë kërcënim direkt ndaj demokracisë sepse ato keqinterpretojnë të vërtetën dhe shtrembërojnë realitetin.

Shpeshherë këto dezinformata vijnë nga shërbime të huaja të jashtme, e aktorë dashakëqij të cilët synojnë destabilizimin e vendit dhe dobësimin e shtetit dhe demokracisë tonë, andaj duhet të jemi të vëmendshëm, shumë të vëmendshëm që të gjithë.

Ne jemi shtet demokratik. Kushtetuta jonë mbron lirinë e shprehjes e fjalën e lirë, njëjtë siç mbron lirinë dhe të drejtën e tubimit e të protestës. Si Kryeministër i vendit e kuptoj dhe pranoj që njerëzit do të thonë lloj lloj gjërash çdo ditë për mua, dhe unë do të mbroj të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse lufta jonë për liri nuk ishte luftë vetëm për t’u çliruar nga okupimi por për të jetuar të lirë. Pra, kemi luftuar që të mbrohet e drejta e secilit për të shpreh qëndrimet e saj e të tij edhe kur nuk pajtohemi me to, veçanërisht kur nuk pajtohemi.

E megjithatë, për të ecur përpara na duhet një mendim praktik – jo vetëm kritik. Duhet të pajtohemi e të gjejmë konsensus për gjërat më bazike. Pra, unitet i cili nuk e pamundëson kritikën dhe kritikë që nuk kalëron mbi unitetin. Jeta është praktike edhe në kushte kritike. Qeverisja po ashtu. Bashkë ja dalim sepse jemi bashkë për secilin që është.

Të dashur qytetarë,

në këtë vit të 14 të pavarësisë sonë, le të zotohemi se në veprimet tona do të udhëheqemi nga amaneti i dëshmorëve e nga ëndrrat e fëmijëve, se do të udhëheqemi nga arritjet e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e Distria Krasniqit; nga sukseset e kinematografisë e të sportistëve e të artistëve tanë. Se do të ruajmë e do të shtojmë kontributin e punëtorëve, të bujqve, mjekëve, arsimtarëve, policëve, e ushtarëve.

Gëzuar Dita e Pavarësisë të gjithëve.

Ju faleminderit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 02 2022

Ndahet Medalja Presidenciale e Meritave për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn.

Në 15 vjetorin e protestës së 10 shkurtit 2007, pas kërkesës së deputetëve të Republikës së Kosovës dhe rekomandimit të Komisionit për dhënien e dekoratave, presidentja, Vjosa Osmani, akordoi Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacion për guxim dhe aktivizëm qytetar për kontributin e dhënë nga Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Në këtë ngjarje ku i pranishëm ishte edhe kryeministri, Albin Kurti, bashkë me familjarët e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, presidentja znj. Osmani tha se institucionet e Republikës së Kosovës respektojnë dhe nderojnë kontributin e Monit dhe Arbenit për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe njëkohësisht nuk zmbrapsen nga kërkesa e vazhdueshme për t’u vënë drejtësi mbi rastin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

10 02 2022

HOMAZHE TE PLLAKA PËRKUJTIMORE E MON BALAJT DHE ARBEN XHELADINIT

Shqiptarët e çdo brezi janë takuar në këtë shesh me historinë. Shqiptarët e çdo brezi do të rivijnë përsëri në këtë shesh e do të përkujtojnë të rënët për drejtësinë shqiptare. Në vitin 68, në vitin 81, në vitin 91, në vitet 97, 98 e 99, në vitin 2007, për me mbërrit në të tashmen tonë, ne kishim thënë gjithnjë se drejtësia nuk importohet, por është virtyt i imagjinatës sonë. Me këtë imagjinatë e me këtë besim ne dolëm me mijëra në shesh. Po atë ditë ne deklaruam se është virtyt i demokracisë kjo dalje në shesh. Dhe policia arbitrare e UNMIK-ut na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim pa demokraci. Ne ishim qytetarë të dorës së dytë, e për qytetarët e dorës së dytë nuk ka Kuvend, por polici. Nuk ka gjykim, por hetim. Mijëra ishim bashkë në shesh atë ditë dhe me qindra mijëra në vatrat tona me shpirtin e Republikës. Baca Adem, me 28 vitet e burgut në shpinë, deklaronte drejtësinë para pothuaj 28 vjeçarit Mon Balaj. Ndërsa Arben Xheladinit po i mbusheshin po aq vite prej pjekurimit të parë në protesta, prej atëherë kur ai shpinte bukën në barrikadat e studentëve të vitit 81. Kështu është thurur gjithnjë historia jonë: vitet e burgut të dikujt përcaktojnë moshën e pjekurimit dhe përjetësimit të dikujt tjetër.”

“Prandaj, të gjithë ne pa dallim, ne dhe ngjarja jonë e 10 shkurtit bashkë me ne, jemi të përfaqësuar nga këta dy emra: Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Përmes ngjarjes sonë dhe emrave të tyre ne do të takohemi me nipat e fëmijët tanë në të ardhmen, ashtu siç e kemi bërë historikisht. 10 shkurti ishte ngjarja e Republikës. Pra kur mblidhemi këtu, mblidhemi edhe në emër të të gjithë atyre që janë mbledhur para nesh në këtë shesh, por edhe për të treguar se ç’mësoi dija e Republikës atë ditë. Mblidhemi për të dëshmuar se kemi qenë si popull gjithnjë të pjekur e të vetëdijshëm deri në flijim për plotninë e drejtësisë.”

– pjesë e shkëputur nga fjala e Kryeministrit, Albin Kurti, mbajtur sot pranë pllakës përkujtimore që sot tregon 15 vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nga policia e UNMIK-ut.

Bashkë me Kryeministrin, në sheshin qendror e pranë pllakës përkujtimore përplot me lule të freskëta sot, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrat e qeverisë, deputetët, familjarët, aktivistët dhe shokët e shoqet e Monit dhe Arbenit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

10 02 2022

Homazhe në nderim të Monit dhe Arbenit

Në 15 vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, një delegacion i prirë nga Kryeministri, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me familjarë, aktivistë të Lëvizjes, shokë e shoqe të Arbenit e Monit, bënë homazhe së pari në Besianë te varri i Mon Balajt, e më pas te ai i Arben Xheladinit në Prishtinë.

Moni edhe Arbeni ishin dy prej protestuesve që u vranë në protestën e 10 shkurtit 2007 nga njësiti rumun i policisë së UNMIK-ut. Ata, bashkë me mijëra të tjerë atë ditë, me kërkesën për liri e vetëvendosje, për sovranitet e pavarësi të plotë për Kosovën, po marshonin drejt sheshit “Skënderbeu” ku policia e UNMIK-ut kishte bllokuar rrugën për të shtirë më pas me plumba gome në drejtim të protestuesve që lanë dy të vdekur, e mbi 80 protestues të tjerë të plagosur.

Rënia e Arbenit dhe Monit e shkroi për herë të parë fjalën pavarësi në dokumentin propozues për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe një vit pas kësaj proteste, Kosova e shpalli pavarësinë.

Kujtimi ynë për Arbenin dhe Monin është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 01 2022

Emërohen koordinatorët e rinj të Qendrave të Lëvizjes

Në përputhje me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për rinisjen e procesit të brendshëm zgjedhor, dje dhe pardje, Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbjatur mbledhje ku ka shqyrtuar propozimet nga qendrat (degët) me ç’rast ka emëruar koordinatorët e rinj për 33 nga 43 qendrat tona, ndërkohë pjesa e mbetur pritet të emërohet ditëve në vijim.

Ky vit do të jetë i zgjedhjeve të brendshme e koordinatorët e përzgjedhur do të kenë përgjegjësinë që së bashku me grupet punuese të udhëheqin dhe sigurojnë proces të drejtë zgjedhor dhe me gjithëpërfshirje prej nga do të zgjedhen organet e reja të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ashtu siç parashihet me statutin tonë.

Më poshtë janë të listuar emrat e koordinatorëve të rinj sipas qendrave (degëve) tona:

· Qendra në Artanë: Abdyl Gashi
· Qendra në Dardanë: Donjeta Ismajli
· Qendra në Deçan: Faton Selmanaj
· Qendra në Drenas: Egzona Tërdevci
· Qendra në Ferizaj: Fatbardha Zogaj
· Qendra në Fushë Kosovë: Shpend Bardiqi
· Qendra në Gjakovë: Arbërie Nagavci
· Qendra në Gjilan: Alban Hyseni
· Qendra në Han të Elezit: Mirsad Shkreta
· Qendra në Junik: Lavdim Gaxherri
· Qendra në Kaçanik: Jeton Raka
· Qendra në Kastriot: Halil Thaqi
· Qendra në Lipjan: Adnan Rrustemi
· Qendra në Mitrovicë: Armend Muja
· Qendra në Malishevë: Jetmire Vrenezi
· Qendra në Pejë: Taulant Kelmendi
· Qendra në Prishtinë: Arben Vitia
· Qendra në Prizren: Artan Abrashi
· Qendra në Rahovec: Visar Korenica
· Qendra në Skënderaj: Hysni Mehani
· Qendra në Sharr: Erzen Krasniqi
· Qendra në Shtërpcë: Shpejtim Arifi
· Qendra në Shtime: Qemajl Aliu
· Qendra në Therandë: Salih Zyba
· Qendra në Viti: Arsim Ademi

Qendrat në mërgatë:

· Qendra në Angli: Vlora Pireva
· Qendra në Australi: Sali Rexhepi
· Qendra në Danimarkë: Bernarda Begu Radoncic
· Qendra në Finlandë: Bujar Hajdini
· Qendra në Benelux: Ilir Morina
· Qendra në Itali: Erald Korra
· Qendra në ShBA: Mimoza Hoti Prestreshi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 12 2021

Mbledhja XLV e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Janë bërë 10 vjet e gjysmë qëkur kemi mbajtur mbledhjen e parë të organit tonë më të lartë organizativ Këshillit të Përgjithshëm, që i bie më shpesh se njëherë në tre muaj jemi mbledhur, që është e pashembullt në Kosovën e pasluftës për një subjekt politik, tha Kryetari Albin Kurti në fillim të fjalës së tij drejtuar delegatëve pjesëmarrës.

Fitorja jonë me 14 shkurt ishte më shumë se e nevojshme për ta shpëtuar vendin por ajo që gjetëm në shumë pjesë ishte edhe më keq sesa e mendonim. Një shtet përtoke që gjakonte në të gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21. Në kulmin e këtyre problemeve kishim luftimin e vazhdueshëm të pandemisë COVID-19, e tash edhe një sfidë tjetër, atë të krizës energjetike të shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe mungesa e vizionit të atyre që qeverisën me vendin për dy dekada.

“Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetar me mungesën e energjisë elektrike, më besoni se edhe unë jam i frustruar. Por le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na e lan shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin e që punët i bënin natën e larg syve të qytetarëve, ata s’kishin se si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e në skëterrë”, tha Kurti.

Duke folur për arritjet e qeverisjes së re përgjatë periudhës prej 9 muajve në secilën fushë e sektorë, për paramentrat e shëndetshëm që kemi vendosur drejt dy zotimeve tona kryesore si punësimi dhe drejtësia, Kurti foli edhe për atë se çfarë na pret si organizatë në vitin 2022.

Me këtë stabilitet institucional që tash kemi, viti 2022 na jep mundësinë të planifikojmë më qëndrueshëm e pa urgjenca të krizave politike qendrore e lokale.

Në pjesën e parë të vitit që vjen fokusin tonë do ta kemi në zgjedhjet e brendshme dhe dy rregulloret shtesë që na nevojiten për organizatën e gruas së VETËVENDOSJE!-s dhe organizatën e rinisë.

Në pjesën e dytë do të punojmë për ta përmirësuar tutje organizimin në mërgatë.

Ndërkaq, gjatë tërë vitit 2022 fokusin ta kemi në fuqizimin e grupeve tona të asambleve komunale. Ashtu që aty ku nuk jemi në qeverisje duhet medoemos të bëhemi opozita kryesore ndërkaq aty ku jemi në qeverisje fokus ta kemi bashkëpunimin dhe sinergjinë mes komunës dhe qendrës sonë ku kryetari ynë i komunës mund të jetë edhe kryetar i ardhshëm i qendrës.

“Secila qendër të ketë përqendrim në aktivitete politike siç janë rinisjen e shkollës të nivelit politiko-organizativ në Qendra, debatet për politikat qendrore dhe lokale, me theks në politikat lokale, përfshirjen e aktivistëve në komunitet në Këshille të lagjeve e fshatrave, Këshille të shkollave/prindërve, sindikatave, odave të ndryshme na duhet ndihma prej të gjithëve për ç’kapjen përfundimtare të shtetit – sepse edhe zgjedhjet lokale kanë treguar që një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar nga niveli qendror ku s’kanë më vend si dikur kanë zbritur në atë lokal dhe duhet të pamundësohet kapja e komuniteteve nga fondet, kapitali i zhvatur, i ekstraktuar në këto dy dekada, i cili fatkeqësisht edhe më tej vazhdon t’i ketë pronarët e njëjtë pa ju kthyer akoma shtetit të cilit duhet t’i përkisnin qoftë si mjete financiare apo si pasuri publike e natyrore.”

“Edhe ne, edhe qytetarët e duan këtë; i duhemi njëri tjetrit, dhe, duhet të fitojmë e do të fitojmë veçse bashkë. Ky zotim është edhe urim; andaj gëzuar festat e fundvitit dhe gjithë të mirat secilit prej jush në 2022!”

Në mbledhjen XLV të Këshillit të Përgjithshëm u morën edhe disa vendime: votimi i projektbuxhetit për vitin 2022, diskutimi dhe votimi për koalicionet dhe bashkëpunimet në nivel lokal për komunat Shtime, Dardanë, Junik e Sharr. Po ashtu Këshilli vendosi edhe për rinisjen e procesit të brendshëm zgjedhor së bashku me krijimin e dy organeve të reja: Gratë për VETËVENDOSJE!-n dhe Rinia për VETËVENDOSJE!-n.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 12 2021

Mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryeministri, njëherazi kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti.

Sa i përket situatës politike kryeministri Kurti njoftoi edhe njëherë përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes për miratimin e buxhetit për vitin 2022 që është edhe buxheti më i madh deri tani në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë eurosh.

Ky është buxheti i zhvillimit, mirëqenies, solidaritetit dhe investimeve. Aty gjenden fondet e ndara për mbështetje të prodhuesve vendor dhe bujqve, fondet për ringjallje të ndërmarrjeve publike, shtesat për nënat lehona e fëmijët, shtesat për familjet me asistencë sociale dhe pensionistët, e deri te investimet në fushat si ajo e shëndetësisë, sigurisë, infrastrukturës, kulturës e rinisë.

Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë e përkushtuar edhe në komunat ku qeveris, dhe do të jetë opozitë kryesore nëpër komunat tjera të Kosovës.

Në mbledhjen e përbashkët me qendrat u fol edhe për zgjedhjet e brendshme të cilat do të rinisin në fillimvitin që po vjen, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Të gjitha qendrat ishin njëzëri dakord për të filluar procesin e brendshëm zgjedhor prej nga do të dalim edhe më të fuqishëm edhe më të organizuar. Mbështetjes dhe rritjes së madhe të LV-së duhet t’ja mbështesim një organizatë edhe më të fortë.

Në fund të mbledhjes qendrat u njoftuan edhe për hapjen e aplikimit për Nivelin Teorik në kuadër të Shkollës Politike afati për aplikim i së cilës përmbyllet me 10 janar 2022.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 12 2021

Miratohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2022!

Sot u votua buxheti i Qeverisë Kurti që është më i larti në historinë e Republikës së Kosovës me 2.7 miliardë euro.

Ky është buxhet i zhvillimit për shkak se mbështet prodhuesit vendor, ndërmarrjet publike, punësimin e garantuar për të rinj në dritën e krijimit të vendeve të reja të punës për qytetarët e vendit.

Buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit për shkak se kujdeset për lehona, fëmijë, familje me asistencë sociale dhe pensionistë.

Buxhet i investimeve të mëdha për shkak se si asnjëherë më parë në qendër ka investimet në shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 12 2021

Nga fjala e kryeministrit Kurti në Këshillin e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës

Dialogu nuk duhet të ketë synim të kënaq apo shpëtojë ndonjë politikan, por ta rregullojë jetën e qytetarëve. Asociacioni i komunave me shumicë serbe përveçse antikushtetues më shumë i shërben Beogradit sesa qytetarëve serbë në Republikën e Kosovës. Kemi nevojë për një dialog demokratik.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 12 2021

Turneu i futbollit “Astrit Dehari”

Turneu i futbollit “Astrit Dehari” që organizohet çdo vit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në kujtim të veprës dhe angazhimit të aktivistit tonë, Astrit Dehari, u mbajt sot për të 5-tin vit me radhë. Dhjetëra skuadra aktivistësh prej secilës Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! morën pjesë në këtë turne të futbollit të vogël duke nderuar kështu shokun, aktivistin e shkëlqyer, studentin e mjekësisë, njeriun me ndjeshmëri e punë të pandalshme për barazi e drejtësi, Astrit Deharin.

Turneun e fitoi skuadra e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Istog.

Duke mos harruar kurrë që Astriti nën akuza të rreme dhe për arsye politike u mbajt në burg dhe u vra, ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për të – deri në realizimin e saj.

Vlerat dhe bindjet e Astritit organizata jonë do t’i ndjekë përherë ndërkohë që ne aktivistë e Lëvizjes në rrugën tonë përpara gjithmonë do të kujtojmë dhe angazhohemi në dritën e veprës dhe sakrificës së dëshmorëve që ranë për liri, barazi e drejtësi, ndër ta edhe Astrit Dehari.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

04 12 2021

Indeksi i Sundimit të Ligjit 2021 i “World Justice Project” e rendit Kosovën më së miri në rajon

Republika e Kosovës në renditjen botërore për sundimin e ligjit është renditur si e para në rajon. Kosova prinë në fusha si ajo e kufizimit të pushtetit qeverisës, mungesës së korrupsionit, për transparencë, respektimin e të drejtave të njeriut, rend e siguri, si dhe disa fusha të tjera.

Sa i përket regjionit të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, Kosova renditet e 2-ta në fushën e sundimit të ligjit.Kurse, në po të njëjtën fushë, sa i përket vendeve me të hyra të mesme të larta, Republika e Kosovës zë vendin e 14-të në botë.Këtu gjeni vegëzën për te raporti:

https://worldjusticeproject.org/…/WJP-INDEX-21.pdf…

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 11 2021

13 marrëveshjet që u nënshkruan në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Qarkullimi i qytetarëve pa ndalesë, heqja e lejeve për qëndrim të përkohshëm, dhe bashkëpunimi i zyrtarëve institucional, ishin në qendër të 13 marrëveshjeve që u nënshkruan sot mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 11 2021

Angazhimi është i përhershëm, mësimet janë të vlefshme

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbrëmë ka mbajtur një mbledhje të gjatë për ta analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe situatën politike e gjithashtu është mbajtur një mbledhje me të gjitha qendrat e Lëvizjes. Katër komunat e fituara dhe 194 asambleistë nëpër komuna është mirë por nuk është mjaft. Numri i komunave nuk është rezultat i kënaqshëm për ne.

Analiza jonë do të vazhdojë por tashmë për disa gjëra kanë dalë nga diskutimi ynë i përbashkët. E para është vetëkritika. Kemi hapësirë e nevojë për një gjë të tillë. Nuk jemi përgjigjur sipas nevojës e pritjes popullore. Diku kemi qenë shumë larg e diku kemi qenë shumë afër fitores. Të gjithë kemi mundur të bëjmë më shumë. Diku me kandidatin, diku me programin, diku me komunikimin, diku me angazhimin. Na ka munguar optimizmi në veprim. Nuk i kemi shtyrë limitet e vetëvetes. Megjithëse jemi përpjekur. Nuk flasim për dhjetëra por qindra janë aktivitetet e secilës Qendër tonë. Niveli i tretë organizativ ka koordinuar 1054 vizita kurse nga vetë Qendrat janë organizuar shumë më shumë se kaq aktivitete. Disa prej tyre ku raportet janë të gatshme i kapin këto shifra: Gjilani 403 aktivitete, Gjakova 440, Dardana 620, Rahoveci 470, Besiana 398, Shtimja 324. Të gjitha fshatrat e lagjet sigurisht që janë vizituar por duhej edhe nënlagjet edhe komunitetet e ndryshme, derisa programi ynë të arrinte te secili e secila qytetare. Kemi kontaktuar e organizuar vizita edhe në mërgatë, në Zvicër e Gjermani me kandidatët Alban Hyseni dhe Mimoza Kusari. Jemi mirënjohës për secilën votë të nisur nga mërgata që janë gjithsej 790.

Një mosrealizim i synimit tonë është fakti që kishim vetëm dy gra kandidate për kryetare. Sidoqoftë, komunikimi dhe vëmendja jonë ishte tek gratë e vajzat. Vetëm në periudhën e balotazhit janë organizuar 93 aktivitete të veçanta me gra e vajza duke llogaritur që pothuajse në të gjitha aktivitetet e tjera ka pasur pjesëmarrje të grave por jo në nivele të barabarta me pjesëmarrësit burra.

Pandemia ndërkaq, ka goditur mjetin tonë të veprimit e komunikimit me njëri – tjetrin e qytetarët: tubimet e mesme e të mëdha. Nuk kemi mundur ta përdorim këtë mjet e gjithashtu nuk kemi gjetur një zëvendësim efikas për këtë.

Tash, të rëndësishme janë mesazhet që qytetarët na i kanë dërguar. Këto zgjedhje kanë qenë mësim për ne. Pranojmë të nxjerrim mësime sepse politika është shkolla jonë e përhershme. Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit. Ata të gjithë u bashkuan sepse sot bashkë ruajnë kapitalin. Garojnë në pasuri dhe bashkohen në politikë. Në të dyjat u pengon VETËVENDOSJA!. Andaj e luftuan bashkë. Edhe heshturazi edhe zhurmshëm. Ata nuk kanë ndryshuar. Kanë mbajtur veç zgjedhjet e tyre të brendshme por janë të njëjtë për së jashtmi. Për qytetarët mbesin të njëjtë. Meqë sot nuk mund ta zhvillojnë korrupsionin prej kateve të ndryshme qeveritare ata po duan të provojnë nëpër komunat e ndryshme të qyteteve. Prej lartë, po duan ta zbresin më poshtë. Aty është edhe më i dëmshëm. I prek e gjymton edhe më shumë jetët e qytetarëve. Kryesisht nëpërmjet mafisë së ndërtimit. Këtu do të jetë lufta jonë dhe duhet të jemi syçelë.

Sot të gjitha subjektet politike po na kopjojnë. Por na kopjojnë në metodat tona. Ata po duan të fitojnë si ne por jo të bëhen si ne. Ky është thelbi. Ne nuk kemi fituar sepse kemi protestuar por sepse kemi pasur të drejtë. Ne nuk jemi të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit për metodat tona por për kauzat tona. Andaj, ata janë në sinkron në deklarata, në metoda dhe në rreshtim. Ata e kanë pasion pushtetin, ne politikën.

Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion. Urojmë më të mirën për Kosovën dhe për komunat. Qofshin ndryshime estetike apo më përmbajtësore, në pastë të tilla do t’i përgëzojmë e shijojmë. Në mungofshin do t’i kërkojmë.

Shpresa jonë është e madhe. Sepse aktiviteti ynë është i përhershëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 11 2021

Sinqeriteti, dashuria dhe këmbëngulësia për Dardanën, e kanë bërë Kadri Rahimajn zgjidhje për Kryetar

I qetë dhe i dashur me qytetarë, modest dhe i ndershëm para tyre, profesionist dhe i përkushtuar për ta, Kadri Rahimaj ka dëshmuar që mbi arrogancën dhe smirën e kundërshtarit mund të prezantohet një program qeverisës që i jep zgjidhje problemeve të shumta të Dardanës.

Kadri Rahimaj është i lidhur fort me VETËVENDOSJE!-n dhe Dardanën, e këtë lidhje do e zhvillojë tutje edhe në qeverisjen e tij, për të gjithë e pa dallime. Me 14 nëntor, me numrin 144 fitojmë në Dardanë, dhe festojmë Kryetarin e ri, Kadri Rahimaj.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 11 2021

Arsim Ademi për Kryetar është zgjidhja dhe mundësia e vetme për ndryshimet që i duhen Vitisë

Me programin e tij do të zgjidhet çështja e ujit të pijshëm, infrastruktura që lidhë qytezën me fshatrat dhe Vitinë me autostradën, bujqësia, çerdhet publike e shkollat e reja. Me 14 nëntor, me numrin 144 festojmë fitoren tonë në Viti.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 11 2021

Llashtica e mobilizuar për ta votuar numrin 144

Në takimin e mbajtur në fshatin Llashticë, pamë një disponim të madh të qytetarëve të atij lokaliteti për t’ia dhënë Gjilanit ndryshimin e nevojshëm. Kryetari Alban Hyseni u zotua se pas 14 nëntorit, kur në krye të komunës do të jetë Lëvizja VETËVENDOSJE!, diskriminimet në baza partiake e nepotise do marrin fund. Do krijohen kushte të volitshme për bujqit, si dhe problemeve infrastrukturore e me ujë të pijshëm do i vie fundi. Bashkë punojmë, bashkë qeverisim!

#përtëgjithafshatrat

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 11 2021

Komunitetet joshumicë duan përkrahje më të madhe nga institucionet komunale

Në takimin e mbajtur me qytetarët e komunitetit Rom, dëgjuam shumë probleme që ata kanë, si dhe diskriminimi i madh që i bëhet atyre. Kryetari Alban Hyseni, i shoqëruar nga ministri Elbert Krasniqi, u zotua se pas ardhjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në krye të komunës, diskriminimi ndaj këtij komuniteti nga institucionet komunale do të marë fund. Ne besojmë në barazi, andaj edhe e promovojmë dhe do ta zbatojmë atë. Vetëm nëse jemi të bashkuar të gjithë, mund të arrijmë realizimin e synimeve tona të përbashkëta. Bashkë qeverisim!

#përtëgjithashtresat

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 11 2021

Tophanja dhe Kodra e Trimave është mobilizuar për fitoren e Arben Vitisë në Prishtinë

Me Arben Vitinë Kryetar lagjet e Prishtinës nuk do të jenë më territor për grumbuj të pashpresë ndërtesash që ngushtojnë jetën dhe përditshmërinë e saj. Do të vihet rend dhe rregull, e do të punohet me plan urbanistik për t’i jap shprehje të reja jetës së shëndetshme e të sigurtë për të gjithë dhe gjithsecilin. Me datë 14 nëntor, me numrin 144 votojmë njeriun më të përgatitur e më meritor për Kryetar të Prishtinës, votojmë Arben Vitinë dhe festojmë fitoren tonë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 11 2021

Lagjja Bazhdërhane ka vendosur për numrin 144 dhe Mytaher Haskukën!

Me pjesëmarrje masive të qytetarëve të lagjes Bazhdërhane, kryeministri Albin Kurti, kryetari Mytaher Haskuka dhe ministra, zv.ministra e deputetë të Republikës, mbajtën tubim me qytetarët e lagjes, në Memorialin e Komandant Drinit.Kryeministri Kurti theksoi se me Mytaher Haskukën në Prizren e me Qeverinë e tij në Prishtinë do të angazhohen pa pushim, pa kursim, pa rezervë për qytetarët e Prizrenit pa dallim, në mënyrë që Prizrenit t’ia kthejnë të mbarën e të mirën, qysh e meriton e qysh i takon.

Kryeministri Kurti ballëhapur e krenar u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Prizrenit që më 14 nëntor ta votojnë numrin 144 , kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, prof.dr. Mytaher Haskukën!Kryetari Haskuka theksoi se gjatë katër viteve të ardhshme Prizreni do të bëhet epiqendër e zhvillimit rajonal, duke u bërë kryeqytet i zhvillimit e prodhimit, i trashëgimisë, kulturës, risnisë, sportit e turizmit. Ai tha së këtë do ta bëjnë bashkarisht, duke punuar më mirë, e më shumë.Më 14 nëntor votojmë kundër partive që e kanë bllokuar e diskriminuar Prizrenin, e për qeverisjen e mirë të Mytaher Haskukës. Votojmë numrin 144 që sjell Bashkë qeverisjen dhe fitoren e Mytaher Haskukës.

#BashkeQeverisim

#SkaKthimMbrapa

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT