22 05 2024

Homazhe në 25 vjetorin e Masakrës së Dubravës

25 vite më parë, nën organizimin shtetëror të Serbisë, në hapësirat e burgut të Dubravës u vranë 116 të burgosur politikë shqiptarë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Nga data 19 maj, deri më 24 maj, të burgosurit shqiptarë që ishin sjellë aty nga të gjitha burgjet e Kosovës, po përjetonin ditët më të rënda të tyre duke u përballur me një forcë që ishte mposhtur tashmë dhe që po hakmerrej mbi ta duke i masakruar. Në ato ditë plot me tortura, dhunime e vrasje pati të burgosur që arritën të shpëtonin dhe të arratiseshin përmes siç shpjegojnë edhe vetë ata, përpjekjeve gati mbinjerëzore.

Sot, në shënimin e 25 vjetorit të kësaj masakre, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari, njëherazi Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministra dhe zv. ministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe te pllaka përkujtimore e kësaj masakre në Dubravë.

Kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se emrat e të burgosurve të vrarë në Masakrën e Dubravës ngrehin dëshminë dhe akuzën e fortë ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë.

“Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin këtu në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i të vërtetës të Kosovës. E kjo e vërtetë në vetvete është aktakuzë para drejtësisë dhe historisë, ndaj shtetit të Serbisë, për përgjegjësitë që ka për të kaluarën e saj kriminale në Kosovë. Të 116 të vrarët që u janë skalitur emrat këtu në këtë memorial, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës. I zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur. 185 të burgosur të plagosur nga 771 të mbijetuar gjithsej, janë e vërteta mes njerëzish të gjallë që ishin dëshmitarë të masakrës së Dubravës, e vërteta që ende flet dhe dëshmon, sikurse këtu sot”, tha ai.

Lavdi të rënëve të masakrës së Dubravës dhe të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për liri!

Kontribo

12 05 2024

300 anëtarësime të reja në Prizren!

“Prizreni po e forcon lidhjen me VETËVENDOSJE!-n, dhe kryeqyteti i kulturës e i historisë shumë shpejt do i kthehet punës së mbarë progresiste dhe lidhjes me mirëqeverisjen demokratike”, tha Kryeministri, njëherazi Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, në takimin e mbajtur dje me qindra anëtarë të rinj që i janë bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren.

Rruga Prizren-Tetovë, hekurudha që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën janë dy prej projekteve në infrastrukturë që kemi filluar e që do të kontribuojnë si në lidhjen e shqiptarëve ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të Prizrenit, tha Kryeministri, i cili kujtoi spitalin e këtij qyteti dhe Universitetin “Ukshin Hoti” që në këto tre vite janë transformuar.

Në Prizren kishim një shkëputje të shkurtër por po kthehemi dhe këtë e dëshmon anëtarësimi i lartë dhe i vazhdueshëm i qytetarëve në subjektin tonë. Prizreni frymon me Lëvizjen për këtë jemi garantues secili prej nesh dhe të gjithë ne së bashku, tha Kryeministri Kurti.

Kontribo

30 04 2024

Homazhe në kujtim dhe nderim të martirëve dhe dëshmorëve të Drenasit dhe Skenderajt!

Kryeministri, Albin Kurti, filloi ditën duke bërë homazhe në Gllobar, Verboc dhe Shtuticë, në përkujtim të shqiptarëve të vrarë nga këto fshatra dhe zonat përreth, nga forcat policore e ushtarake të Serbisë më 30 prill 1999. Pas kësaj, ai vazhdoi për në Skenderaj, te Kompleksi Memorial në Marinë, në nderim të rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra.

“Para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë”, tha kryeministri Kurti.

Pas homazheve në Gllobar, ku nderoi nëntë të vrarët e atij fshati, dhe nderimeve për 60 të vrarët në Verboc, Kryeministri vendosi buqetë me lule edhe në fshatin Shtuticë. Aty, kryeministri Kurti nderoi 76 shqiptarët e vrarë gjatë luftës, ndër ta 32 të vrarë në masakrën e vitit 1999. Në mesin e tyre, dy janë ende të pagjetur.

Duke vlerësuar flijimet kaq të mëdha të popullit në fshatrat Shtuticë, Gllobar, Verboc, Baks, e mbarë Kosovës, ai tha se Kosova jonë demokratike me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, është dëshmia që ia ka vlejtur sakrifica edhe për çlirim edhe për përparim.

Pas homazheve në këto fshatra, Kryeministri vazhdoi për në Skenderaj, te Kompleksi Memorial në Marinë, ku vendosi lule të freskëta për 42 dëshmorët e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” në krye me komandantin Ilaz Kodra, të cilët ranë në luftime të ashpra duke mbrojtur civilët në Shtuticë, Verboc, Baks, Gllobar, e fshatra përreth.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të vendit tonë!

Kontribo

27 04 2024

Homazhe për të zhdukurit me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë

Sot, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë nga Serbia në luftën e fundit, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe te pllaka përkujtimore e të pagjeturve pranë Kuvendit të Kosovës, për të vazhduar te Parku Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, dhe më pas në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

Kujtojmë që, të mërkurën që e lamë pas me datë 24 prill, me kërkesë të grupit të asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Kuvendin e Komunës së Prishtinës u hodh sërish në votim propozimi ynë për emërtimin e parkut në oborrin e Bibliotekës Kombëtare si Parku Memorial: Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia. Me 44 vota PËR, ky propozim kaloi.

Pas homazheve të bëra sot në këtë park, delegacioni ynë vendosi shirita të bardhë nëpër pemët e mbjellura përreth tij, në përkujtim të personave të zhdukur që të gjithëve na mungojnë.

27 Prilli, është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës ku u vranë 377 civilë shqiptarë të Kosovës nga policia dhe ushtria serbe. Në këtë ditë, 25 vjet më parë, burra e djem u nxorën nga kolonat e refugjatëve në një pikë kontrolli në Mejë dhe familjet e tyre u urdhëruan që të vazhdojnë udhën për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë e ndarë nga kolona, pastaj u ekzekutuan pranë rrugës. Masakra konsiderohet si më e madhja gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Vetëm një pjesë e kufomave janë gjetur, pjesa tjetër janë vënë në kamionë dhe janë transportuar në Serbi ku janë varrosur në varreza masive ose janë djegur për të zhdukur gjurmët.

Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën që mbajti sot në Mejë kujtoi që ndonëse lufta ka përfunduar në qershor të 1999, lufta për luftën e Kosovës nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot.

“Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, kemi zhvilluar bazën ligjore, dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të tyre. Kemi ndarë mjete për fuqizimin e Prokurorisë Speciale dhe pozita të reja në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Madje që në vitin 2019. Dhe gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësi, sepse këto krime veçse nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë”, tha ai.

“Në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës. Me strukturën e re të miratuar në Policinë e vendit tonë, nga sektori e kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues, pra kemi rritur më shumë se 100 për qind numrin e hetuesve. Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. E tani kemi një adresë pra për të dërguar të gjitha dëshmitë.”

“Ashtu siç e kemi fituar luftën më 1999, me përpjekjet e paepura të popullit tonë, me betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ashtu do ta fitojmë edhe luftën për luftën e Kosovës, me të vërtetën historike, me drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, të gjithë ne bashkë, shteti dhe populli i Kosovës, me miq dhe aleatë si dhe me vlerat tona të përbashkëta demokratike e perëndimore”, tha Kryeministri Kurti.

Lavdi dëshmorëve e martirëve! Lavdi Mejës!

Kontribo

26 04 2024

Lëvizja përkrah grave, gratë përkrah Lëvizjes

Sonte, në Kastriot Organizata Gratë për VETËVENDOSJE! ka mbajtur takim me gra e vajza të kësaj komune. Në këtë tubim përplot me entuziazëm të pranishme ishin kryetarja e GVV-së njëherazi ministre e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryetarja e GVV-së në Kastriot Fjolla Nasufi, kryetari i Qendrës atje njëherazi deputeti Halil Thaçi dhe deputetë e aktivistë të tjerë të LV-së.

Në këtë tubim u fol për qeverisjen e Lëvizjes që ka adresuar shumë probleme e ka marrë veprime që kanë ndikuar direkt në jetën dhe mirëqenien e grave. Shumë gra e vajza në këto tre vite që Qeverisë Kurti e kanë ndjerë dorën e shtetit për herë të parë. Nënat lehona përmes shtesave për to e fëmijë, subvencionet e politikat mbështetëse në punësim, grantet në biznes, bursat STEM për studente janë vetëm disa prej politikave të qeverisjes që drejtohet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! që kanë pasur në qendër mbështetjen për gratë dhe vajzat.

Tubime si ky në Kastriot janë dëshmi e qartë se Lëvizja është adresa e angazhimit të secilës grua dhe vendi ku politikat emancipuese gjejnë zbatim.

Kontribo

17 04 2024

Homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë sot homazhe në Drenas në kujtim të martirëve të Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër.

25 vjet më parë, në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit forcat serbe kryen gjenocid duke masakruar 77 civil shqiptarë. 53 anëtarë të familjes Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha në Poklek, kurse 24 civil të tjerë në Çikatovë të Vjetër. Nga foshnja gjashtë muajshe deri te plaku 75 vjeçar, në mënyrë çnjerëzore, me bomba dhe plumba, 77 shqiptarë të paarmatosur u vranë, u djegën, u varrosën, e më pas u zhvarrosën për t’i zhdukur nëpër varreza masive nëpër Serbi. Ky ishte monstruiziteti i Serbisë kriminale në Kosovë në luftën e fundit, që synonte shfarosjen e popullit shqiptarë.

Vrasja dhe djegja e kufomave janë dëshmi jo vetëm për shfarosje të jetërave por edhe të qenies. Masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë dhe autorët e saj duhet të dënohen. Këtë vit bëhen 5 vjet qëkur në Kuvendin e Kosovës ka kaluar ligji që mundëson ndjekjen e kriminelëve të luftës dhe dënimin e tyre në mungesë, prokuroria duhet të veprojë. Duhet drejtësi për viktimat dhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ekzekutuesit dhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve.

Kryeministri Kurti tha se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.

Delegacioni u ndal edhe te Shtëpia Muze në Poklek që paraqet dëshmitë e kësaj masakre nga shteti Serb.

Nderimet më të larta ndaj atyre që sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë tonë.

Kontribo

15 04 2024

Homazhe në kujtim të martirëve dhe dëshmorëve nga Sllovia e Lipjanit dhe Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë

Sot, në Republikën tonë, u organizuan homazhe për të kujtuar dhe nderuar 45 civilë shqiptarë në Sllovi të Lipjanit dhe 23 të tjerë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, të cilët u masakruan para 25 vitesh nga forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeverisës, deputetë, dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në fshatin Sllovi të Lipjanit, ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin kanë bërë homazhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

Në Sllovi, Kryetari Konjufca, tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes por edhe të krenarisë për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.

“Sot bëra homazhe për nder të martirëve të Sllovisë, duke iu përkulur me respektin më të lartë sakrificës sublime. Dhimbja është shumë e madhe kur e dimë se sa shumë dha populli ynë për lirinë që e gëzojmë sot. Martirët tanë janë dëshmia e së drejtës sonë, e obligimit për drejtësi, të cilën nuk do reshtim kurrë së kërkuari. Ata janë thirrja ndaj ndërgjegjes sonë individuale dhe kolektive se duhet të bëjmë vazhdimisht më shumë për Kosovën”, ka shkruar ai.

Në Mitrovicë, ministri Sveçla, tha se përkulemi para sakrificës së të rënëve dhe angazhohemi çdo ditë për zbardhjen e krimeve të Serbisë dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë.

“25 vite më parë, forcat serbe grumbulluan rreth 80 shqiptarë në shtëpinë e Mustafë Sahitit në Lagjen e Boshnjakëve ku i keqtrajtuan, torturuan e masakruan 23 prej tyre. I përulemi sakrificës së të rënëve për lirinë që e gëzojmë ndërsa si institucione të Republikës së Kosovës po angazhohemi çdo ditë në zbardhjen e krimeve që Serbia kreu në Kosovë dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë”, ka thënë ministri Sveçla.

Kontribo

14 04 2024

Mbledhja LIV e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot në mbledhjen LIV të organit tonë më të rëndësishëm, Këshillit të Përgjithshëm, që njëherit shënon mbledhjen e parë për vitin 2024, u prezantuan arritjet e qeverisjes tonë përgjatë tre viteve të fundit dhe u fol për sfidat që i kemi përpara në muajt në vazhdim që janë edhe muaj para zgjedhjeve që do të mbahen në Republikën tonë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raportuan për punën e tri dikastereve që drejtojnë. Organizatat GVV, RVV, Sekretariati i Përgjithshëm dhe Sekretariati për Marrëdhënie Ndërkombëtare prezantuan raportet vjetore, si dhe u bë ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit në Nivelin Politiko-Organizativ të Shkollës Politike.

Mbledhja e Këshillit u hap me një fjalë hyrëse të Kryetarit, njëherazi Kryeministrit, Albin Kurti, i cili foli për të arriturat dhe sukseset të qeverisë që ai drejton, për progresin e gjithmbarshëm ekonomik dhe demokratik të Republikës tonë, dhe për sfidat që na presin në vitin e fundit të këtij mandati qeverisës.

Demokracia dhe transparenca e subjektit tonë politik është e lidhur ngushtë me demokracinë dhe transparencën në qeveri dhe kjo tashmë është dëshmuar në këto tri vite qeverisje, tha Kurti në fillim të fjalës së tij.

“Në tri vite qeverisje jemi ngritur për 22 vende në lirinë e medias, 21 vende në luftën kundër korrupsionit, 16 vende në demokracinë liberale dhe 13 vende në demokracinë elektorale. Në liritë globale, të drejtat politike dhe liritë civile jemi ngritur për 6 vende dhe për dy vite (2021-2022) renditemi të parët në rajon në indeksin e sundimit të ligjit. Pra ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes demokracisë së brendshme, qeverisjes demokratike, dhe avancimit të demokracisë në shtet e shoqëri. Prandaj këto arritje janë meritë e përbashkët. Dhe këtë duhet ta theksojmë vazhdimisht sepse kjo e bën dallimin”, tha ai.

Në rajon ka rënie të demokracisë kurse në Kosovë rritje dhe avancim të saj, por kjo nuk duhet marrë si e garantuar, nëse duam që ajo të vazhdojë duhet të luftojmë për të. Demokracia, liritë dhe të drejtat siç është dëshmuar sjellin rritje ekonomike, sociale dhe kulturore.

“Ukrainasit po japin jetë për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtën për të jetuar të lirë. Kudo në rajon demokracia është në rënie kurse në Kosovë ajo po rritet dhe avancohet…Demokracia, rritja e lirive dhe të drejtave sjellin mundësi për rritje ekonomike, sociale dhe kulturore dhe çojnë në zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë. Pikërisht kjo është dëshmuar në këto tri vite qeverisje ku: Rritja ekonomike qëndron mesatarisht në 6.2% me 4% rritje vitin e kaluar; Janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte dhe raporti mes eksportit dhe importit ka rënë nga 1:9 në 1:6; Të hyrat tatimore janë rritur për 60% dhe kemi 420 mijë vende aktive të punës që është përmirësim për 20% krahasuar me vitin 2021; Vitin e kaluar u ekzekutuan 555 milionë euro në investime kapitale, që përbënë shifrën më të lartë ndonjëherë, ndërkaq që kemi borxhin publik më të ulët në Evropë”, tha Kurti, duke theksuar se këtë zhvillim e kemi shpërndarë në biznese dhe mundësi për qytetarë.”

Kemi hyrë në javën e 30-të, prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e varu rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku.

“Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge atje, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro. Për të rritur sigurinë janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e varu rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të”, tha Kurti, duke potencuar që pas 24 vjetëve komunat në veri të vendit i janë kthyer normalitetit dhe janë vu në shërbim të qytetarëve.

“Progresit i nevojitet drejtësia. Drejtësisë i nevojitet progresi. Qeveria progresin, gjyqësori drejtësinë”, Kryeministri, Albin Kurti.

Në pranverën e 25-të të pasluftës po shënojmë përvjetorë të masakrave, kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, më herët (2019) kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet tjera të nevojshme që kriminelët serbë të përballen me drejtësi. Është koha që sistemi ynë i drejtësisë me urgjencë t’i adresojë këto raste, tha ai.

Avancimi dhe progresi brenda vendit është përcjellë me përmirësimin e imazhit dhe forcimin e sovranitetit jashtë.

“Koha kur qytetarët e Kosovës ishin më të izoluarit në Evropë mori fund në janar të këtij viti me liberalizimin e vizave që solli lirinë e lëvizjes dhe forcimin e pasaportës. Nga 1 janari pasaportën e Republikës së Kosovës e njeh edhe Spanja. E liria e lëvizjes vetëm sa shtoi dashurinë për vendlindjen pasi tani kemi më shumë qytetarë që kthehen sesa që shkojnë. Mbase, në fund të vizitave, qytetarët po kthehen me bashkë-familjarët tanë nga mërgata dhe po sjellin edhe vizitorë të huaj për të shijuar bukuritë e Kosovës. Në maj të vitit 2022 i dhamë fund edhe një periudhë tjetër të izolimit duke aplikuar në Këshill të Evropës, ku pasi kemi kaluar shumë pengesa kemi ardhë në fund të rrugëtimit për anëtarësim të plotë.”

Betejën e radhës e të fundit për këtë proces do ta kemi deri në mesin e muajit maj, kur mbahet ministeriali i Këshillit të Evropës i cili duhet ta ftoj Kosovën që të bëhet anëtarja e 47 e organizatës më të madhe dhe më të vjetër evropiane, tha Kryeministri Kurti duke përmendur një sërë anëtarësimesh në organizata ndërkombëtare si avancimin e statusit të Kosovës në NATO, anëtarësimin në 7 organizata si Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYC) e Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Administrative (IIAS).

Kryeministri, Albin Kurti, i bëri thirrje mërgatës të marr pjesë në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit duke përkrahur qendrën e majtë, socialdemokratët, sepse vetëm ata janë të besueshëm karshi ekstremizmave dhe fashizmave në rritje. Ai po ashtu theksoi rëndësinë për regjistrim online të diasporës brenda procesit të regjistrimit të përgjithshëm që ka filluar në Kosovë.

“Regjistrimi i popullsisë është një instrument kyç që shërben për të kuptuar nevojat dhe gjendjen edhe të pjesëtarëve të diasporës sonë. Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës, në vetëm dy ditë sa është hapur platforma janë regjistruar afër 17 mijë qytetarë. Është koha që të gjithë ne të mobilizohemi për të informuar mërgatën për këtë proces jetik.

Përmes të dhënave statistikore, do të mund të planifikojmë politika dhe shërbime më efikase për të gjithë bashkatdhetarët tanë. Andaj, kërkoj nga secili prej jush që së bashku të angazhohemi për të ndarë këtë informacion të rëndësishëm për regjistrimin online përmes platformës ediaspora.rks-gov.net. Regjistrohuni ju dhe familjet tuaja nga çdo cep i botës.”

Për fund, Kryeministri Kurti, foli për zgjedhjet që po afrojnë. Ai tha se këto tri vite në qeverisje na kanë shtuar vullnetin për të arritur edhe më shumë.

“Sfidat që kemi përpara janë të shumta ndërkaq rreziqet që na kërcënojnë janë të mëdha, por e madhe është edhe forca jonë dhe e gjerë është mbështetja e qytetarëve tanë të cilët janë të bashkuar më shumë se kurrë për punën tonë të drejtë. Prandaj edhe nuk ka arsye pse të mos i arrijmë synimet tona. Mbështetja e madhe qytetare është burim i pashtershëm shprese dhe energjie për mua si Kryeministër. Është motori që më shtynë mua dhe qeverisë drejt ndërtimit të shtetit që duam dhe meritojmë. Orët e ditës e ditët e javës mundohem t’i shtoj e zgjas për t’ua kthyer me punë besimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë”, tha Kryeministri Kurti.

Kontribo

14 04 2024

Homazhe te Memoriali “Heroinat”

Sot, në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri Sulimani, me Kryetaren e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statutit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovë, znj. Leonora Selmani, zv. Kryeministrin Bislimi dhe zv. Kryeministren Donika Gërvalla, ministra e zëvendësministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri nderime te memoriali “Heroinat”, në Prishtinë.

Kryeministri Kurti tha se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.

Teksa shprehu zotimin se institucionet e shtetit janë në krye të detyrës për ta mbrojtur këtë kategori, njëkohësisht bëri thirrje edhe tek qytetarët për mbështetjen e tyre, pasi që 25 vite stigmatizimi ndaj tyre nuk ka munguar.

Së bashku me znj.Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj.Shyrete Tahiri Sulimani, Kryeministri bëri thirrje për më shumë mbështetje shoqërore e angazhim për drejtësi.

“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës’’, u shpreh ai.

‘’Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia’’ u shpreh ai, teksa shprehu përulje e mirënjohje për qendresën, ndaj Marte Tunaj dhe të gjitha viktimave të dhunës seksuale që nuk rrojnë më.

Kontribo

05 04 2024

25-vjetori i Masakrës së Rezallës: Thirrje për Drejtësi dhe Kujtim për Martirët

Në 25-vjetorin e masakrës së Rezallës, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Nënkryetari i Lëvizjes, njëherazi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryetarja e GVV-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deputeti, Gani Krasniqi, Sekretari Organizativ i Lëvizjes, Alim Rama, dhe aktivistë nga qendrat tona, bënë sot homazhe te kompleksi memorial i varrezave në Rezallë të Skenderajt, në kujtim dhe nderim të martirëve të rënë.

Me 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skenderajt policia dhe ushtria okupatore serbe ekzekutoi 98 shqiptarë civil të paarmatosur, duke zhdukur më pas me dhunë 44 trupa të tyre.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, theksoi se krimi në Rezallë është një shembull i përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit të Serbisë për të kryer spastrim etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ai tha se Serbia nuk ka ndryshuar sepse kurrë nuk është përballur me krimet e veta.

“Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia. Pa e ndryshuar mendësinë dhe pa u përballur me krimet e veta, përballë nesh ajo do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm dhe kërcënim të vazhdueshëm. Ne kemi dëshmorë e martirë të cilëve u përkulemi, ndërsa Serbia kriminelë lufte që i mbron. Rezalla është pjesë e dhimbjes sonë të madhe, ku martirët lanë dëshminë e sakrificës si çmim të lirisë. Për ta ne do të vijojmë të kërkojmë drejtësi. Rezalla nuk ishte episod i izoluar apo rast përjashtimor, por ndodhi në vazhdën e fushatës së krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, masakrave të njëpasnjëshme dhe spastrimit etnik, që ishin mekanizma dhe mjete të shtetit të Serbisë, si strukturë e kalkulimit dhe gjenerimit të vrasjes në masë.”

Kryeministri, Albin Kurti, duke kujtuar këtë masakër, u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtar të kërkojnë nga Serbia zbardhjen e fatit të të vrarëve në këtë masakër që janë zhdukur më pas me dhunë. Ai ripërsëriti kërkesën që drejtësia vendore pa vonesë të veprojë që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të gjykohen e dënohen.

“Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen.”

“E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla!

Kontribo

28 03 2024

Kujtimi i Masakrës së Izbicës: 25 vjet pas, në qendër kërkesa për Drejtësi!

25 vjet më parë, në mëngjesin e 28 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt dhe filluan sulmin ndaj popullsisë civile duke masakruar 147 shqiptarë. Pas krimit mizor trupat u varrosën n Izbicë, për t’u zhvarrosur më pas nga të njëjtat forca serbe që më pas i morën trupat e pajetë dhe i shpërndanë në vende të ndryshme nëpër Kosovë dhe Serbi. Në Izbicë ka varre bosh, gjashtë persona ende rezultojnë të zhdukur.

Për ta kujtuar këtë ngjarje, këtë krim të Serbisë që sot mbushi 25 vjet, Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me bacën Rifat Jashari, nderuan të vrarët e kësaj masakre duke vendosur lule të freskëta te varrezat e tyre në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Pranë Memorialit, Kryeministri Kurti tha se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg. Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, tha ai.

“Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin “Patkoi” synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh”, u shpreh ai. Me keqardhje, tha ai, për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar.

“Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë në përgjithësi, edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë”, tha kryeministri.

Ai përsëriti se Prokuroria e Shtetit e ka mbështetjen e plotë, të parezervë e të pa kursim të Qeverisë së Republikës, që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë të cilët e donin tokën dhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, në mënyrë që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët.

Të pranishëm në homazhet në Izbicë ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri i Punëve të brendshme, Bardhyl Dobra dhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani.

Kontribo

28 03 2024

25 vjetori i Masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu

25 vjet më parë, 28 mars 1999, në Podujevë, 21 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, prej të cilëve 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç, dhe 7 gra, u pushkatuan nga njësiti policor serb “Shkorpionët”. Në këtë masakër, 16 anëtarë të familjes ju vranë kurse me 16 plumba në trup, Saranda Bogujevci, bashkë me katër kushërirë të saj mbijetuan.

Për të bërë homazhe e për të vendosur lule të freskëta te varrezat e anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, ishte sot Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me zv. Kryeministrin, Besnik Bislimi, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Shefen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, dhe me ministra të kabinetit, deputetë, asamblistë dhe aktivistë të Lëvizjes.

Kryeministri, Albin Kurti, i bëri thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë lidhur me arrestimin e kryerësve të masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë.

“Ne edhe një herë i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që këta vrasës mizor të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të ndodhen prapa grilave sepse ka pasur shumë më tepër ekzekutorë dhe urdhërdhënës të kësaj ekspedite kriminale gjenocidale se sa që janë përballur në procesin e drejtësisë, ku siç dihet në Serbi nuk ka pasur drejtësi për këto familje.”

Kryeministri Kurti tha se dëshmorët na e përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë që e gëzojmë sot dhe se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe i dëshmorëve.

Ai po ashtu kujtoi se në këtë masakër janë vrarë shtatë gra e shtatë fëmijë, por që përkundër një procesi gjyqësor në Serbi nuk ka pasur drejtësi të mjaftueshme.

“Fëmijët kanë qenë prej 2 vjeç deri në 15 vjeç dhe me këtë rast është mbajtur një proces gjyqësor në Serbi, ku janë dënuar disa pjesëtarë të njësitit famëkeq “Shkorpion”, të cilët kanë kryer vrasje edhe në gjenocidin e Srebrenicës dhe ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet pa u penduar, kur i kanë mbajtur 2/3 e dënimit janë liruar. Kryesori i tyre Sasha Svjetan është arrestuar në dhjetorin e vitit 2022 në Athinë, si kreu i një karteli të drogës atje. Kjo tregon se si kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar në paqe janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por ne kemi nevojë për drejtësi institucionale në Kosovë dhe rajon”, ka thënë ai.

Kontribo

27 03 2024

5 vjet nga rrëmbimi i 11 burrave dhe djemve të Gjakovës

Në 25 vjetorin e rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me deputetin Agon Batusha dhe aktivistë të Lëvizjes, vizituan shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u pritën nga Nëna Ferdonije Qerkezi.

Kujtojmë që me datë 27 mars 1999, forcat policore të Serbisë rrëmbyen katër djemtë e nënës Ferdonije Artanin, Armendin, Ardianin, Edmondin dhe bashkëshortin Halimin. Nga aty rrëmbyen edhe nipin e saj Vegim Qerkezin, mikun e shtëpisë Shpejtim Ymeragën dhe fqinjët Skender Dylhasin me djalin Myrteza dhe dy djemtë e familjes Jetishin, Shpendin e Fatosin. Në këtë lagje, më 27 mars 1999 forcat serbe masakruan 40 civilë shqiptar.

Këto vrasje dhe zhdukje me dhunë gjatë luftës ishin pjesë e “Patkoit”, projektit serbomadh për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Këto krime janë dëshmia e madhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me dhembje dhe krenari do t’i kujtojmë përherë të gjithë ata që u flijuan për atdheun tonë të shtrenjtë.

Nga Shtëpia e Nënës Ferdonije në Gjakovë, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendësministrin e arsimit, Taulant Kelmendi vazhduan për në lagjen Dardania të Pejës. Në këtë lagje, më 27 mars 1999 forcat serbe masakruan 40 civilë shqiptar.

Aty bëmë homazhe dhe vendosëm lule për të vrarët.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

Kontribo

26 03 2024

25-vjetori i Masakrave në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe Suharekë: Homazhe për Dëshmorët dhe Martirët e Kombit Shqiptar

Sot, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga sekretari organizativ, Alim Rama së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë, asamblistë dhe aktivistë të Lëvizjes, fillimisht morën pjesë në inaugurimin e Muzeut në Krushë të Madhe që do të ruaj kujtimet dhe të vërtetën e krimeve të Serbisë, për të vazhduar me homazhe në varrezat e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, si dhe në Suharekë te familja Berisha.

Në fjalën e saj gjatë inaugurimit të Muzeut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se nëpërmjet këtij muzeu ruhet kujtesa kolektive për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ajo po ashtu bëri të ditur që tashmë është themeluar Instituti për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, në të cilën do të dokumentohen të gjitha masakrat dhe krimet e tjera që janë kryer në Kosovë.

25 vjet më parë, me 26 mars 1999, menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat paramilitare serbe rrethuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. Vetëm në Krushën e Madhe për tre ditë u vranë e u masakruan 243 persona prej të cilëve 64 ende janë të pagjetur, dhe 850 shtëpi të fshatit u dogjën. Ndërkaq, në Krushë të Vogël gratë dhe fëmijët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre për t’i nisur drejt Shqipërisë, ndërsa burrat, pleqtë, të rinjtë dhe fëmijë i detyruan të hynin në një shtëpi, ku i pushkatuan dhe më pas i vunë edhe zjarrin. Vetëm gjashtë persona arritën të shpëtojnë nga kjo tragjedi, 112 burra dhe djem u vranë, ndërkohë një ditë para ishin vrarë 9 banorë të këtij fshati.

Pas homazheve pranë varrezave të të rënëve në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, shkuam në Suharekë, te shtëpia e familjes Berisha që në po këtë datë 25 vjet më parë ishte rrethuar nga forcat serbe.

Pra, me datë 26 mars 1999, forcat serbe nxorën me dhunë familjen Berisha nga shtëpia dhe e detyruan atë të hyjë brenda një kafeneje ku më pas hapën zjarr dhe hodhën eksploziv. Si pasojë, 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë u vranë atë ditë. Mes tyre, Dorentina 3 vjeçare, Ismeti 2 vjeçar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeç. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit. Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Dëshmorët dhe martirët tanë janë udhërrëfyesit e rrugëtimit tonë shoqëror, politik e kombëtar. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari vënien e drejtësisë për krimet e kryera nga lufta e fundit, deri në vendosjen e saj.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!

Kontribo

25 03 2024

25 vjet pas, kujtim e nderim i dëshmorëve dhe martirëve: Homazhe në Goden të Gjakovës dhe në Fortesë e Celinë të Rahovecit

Dje në Epopenë e Dukagjinit kurse sot në Goden të Gjakovës dhe në fshatrat e Rahovecit, Fortesë, Celinë e Brestoc, për të kujtuar dhe nderuar dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë e Kosovës.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me deputetë, asambleistë dhe aktivistë tanë, bënë homazhe në kujtim të ngjarjeve të rëndësishme për gjithë kombin tonë, në kujtim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri nga lufta e fundit.

Në mëngjesin e 25 marsit, në fshatin Goden të Gjakovës, 20 shqiptarë civil të paarmatosur refuzuan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre duke u përballë me forcat paramilitare serbe, me ç’rast nga rezistenca mbetën të vrarë 20 banorë shqiptarë.

Gjatë 25-28 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 65 shqiptarë civil të paarmatosur prej të cilëve 15 nën moshën 18 vjeçare. Kurse në kohën e njëjtë, në Celinë të kësaj komune, u vranë edhe 82 shqiptarë civil të paarmatosur prej të cilave 13 nën moshën 18 vjeçare.

Janë ngjarje si këto që na frymëzojnë dhe na mbajnë të lidhur me historinë tonë ato që na shtyjnë përpara drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më prosperuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kurrë nuk do të harrojmë dhe do të kërkojmë drejtësi deri në vënien e saj.

Lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

Kontribo

20 03 2024

Një ngjarje suksesi nga Islam Aliaj

Sot, nën organizimin e Rinia për VETËVENDOSJE!, kishim kënaqësinë që në zyret tona të dëgjonim rrëfimin e jashtëzakonshëm të Islam Aliajt – tashmë deputet në Këshillin Kombëtar të Zvicrës. Gjatë këtij bashkëbisedimi të këndshëm që u udhëhoq nga Koordinatori i RVV-së, Libron Kelmendi, patëm rastin ta dëgjojmë rrëfimin e Islamit, sfidat, punën e madhe që ka bërë në rrugëtimin e tij politik e njëkohësisht edhe t’i shtrojmë pyetje për të gjitha këto. Islami shkroi historinë e vet duke u bërë deputeti i parë shqiptar në Këshillin Nacional të Zvicrës. Ndonëse me nevoja të veçanta, kjo nuk ia ndërpreu rrugëtimin e tij politik me partinë Socialdemokrate zvicerane, e nuk ju shuan shpresat asnjëherë. Rrëfimi i tij përveç se është frymëzues për ne, është edhe një dëshmi dhe thirrje e rëndësishme se personat me nevoja të veçanta janë të barabartë dhe duhet të përfshihen kudo dhe në secilën betejë për progres dhe zhvillim shoqëror. Islamit i uruam suksese të mëtejme në angazhimin e tij politik.

Kontribo

17 03 2024

Mbledhja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Qendrat e saj

Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! njëherazi Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, nënkryetarja e dytë, Mrika Limani-Myrtaj, Koordinatori i Qendrave, njëherazi deputeti Salih Zyba, si dhe nga kabineti qeveritar të pranishëm po ashtu ishin ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, njëherazi sekretar për marrëdhënie me jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si dhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

Në pjesën hyrëse, kryetari i Lëvizjes njëherazi Kryeministri Kurti dhe sekretari organizativ, Alim Rama, ngritën një mori çështjesh organizative, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve në dy nivelet organizative, në Pika dhe Qendra të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Rëndësi e veçantë iu dha nxitjes dhe dinamizimit të aktiviteteve me bazë komunitetin, opozitarizmit në Kuvendet Komunale dhe në komuna në përgjithësi, anëtarësimeve të reja në qendra, e po ashtu edhe funksionalizimin e trupave organizative të brendshme zgjedhore.

Nga drejtues të qendrave po ashtu u ngritën dhe bashkëbiseduan çështje politike dhe organizative të rëndësishme për komunat prej nga vijnë.

Tek situata politike u diskutua mbi punët që po vijojnë dhe planifikimet e mëtutjeshme, për të cilat foli Kryeministri Kurti. Mbi zhvillimet rreth anëtarësimit të Republikës tonë në Këshillin e Evropës dhe çështjet tjera ndërlidhëse, folën edhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, si dhe ministri i MKRS, njëherazi sekretari për marëdhënie me jashtë në LV, Hajrulla Çeku.

Strukturat drejtuese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të intensifikojnë dinamikën dhe punën organizative në komuna gjithandej Republikës, me aktivitete të shtuara, zgjerim në struktura dhe anëtarësime të reja.

Kontribo

17 03 2024

20 vjet nga vrasja e tre fëmijëve në Çabër të Zubin Potokut

20 vjet më parë, në Çabër të Mitrovicës, buzë lumit Ibër, katër fëmijë, Egzon Deliu, Avni Veseli, Florent Veseli, dhe Fitim Veseli po luanin duke ndjekur shota të egra. Fillimisht një serb që po korrte tallën aty fillon t’i fyej, e më pas një grup tjetër serb që i bashkohen atij me sharje, ndërsejnë qentë e tyre drejt fëmijëve të cilët të frikësuar fillojnë të ikin dhe hyjnë në lumin Ibër prej ku i gjallë doli vetëm Fitim Veseli.

Kjo ngjarje e përshkruar si më lart, është shkruar asokohe edhe në raportin e prokurorit amerikan të UNMIK-ut, Robert Dean, por për të nuk është ndarë kurrë drejtësi.

Kjo vrasje e tre fëmijëve preku secilin qytetar duke rezultuar në organizimin e protestës paqësore me datë 17 Mars. Qytetarët shqiptarë dolën te ura e lumit Ibër në Mitrovicë për të parë serbët e organizuar në pjesën tjetër të cilët filluan të shtijnë me armë zjarri ndaj protestuesve, dhe ndaj shqiptarëve që ende jetonin në pjesën veriore. Policia e UNMIK-ut dhe e KFOR-it, vetëm kishte vëzhguar situatën dhe nuk kishte provuar ta ndalë dhunën e t’i arrestojë kriminelët serb që kishin shtënë mbi protestuesit paqësor. Kështu, pas vrasjes së fëmijëve dhe qytetarëve të paarmatosur në protestë, në mbarë vendin vërshuan protestat që kërkonin drejtësi. Në këto ngjarje që pasuan, e që u quajtën “Trazira të Marsit”, 19 qytetarë mbetën të vdekur, prej tyre 11 shqiptarë.

Data 16 mars, shënon një ditë e zezë për Mitrovicën dhe gjithë Kosovën. Drejtësia për ngjarjen tragjike, vrasjen e tre fëmijëve e më pas edhe e qytetarëve të tjerë, ende nuk është vënë. Ne nuk do e harrojmë kurrë dhe do të kërkojmë përherë vendosjen e drejtësisë për këto krime.

Për të bërë homazhe në nderim e kujtim të tre fëmijëve që humbën jetën tragjikisht sot në Çabër ishte një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Sekretari Organizativ, Alim Rama së bashku me deputetë, aktivistë e anëtarë të Qendrës sonë. në Mitrovicë

Kontribo

08 03 2024

Gratë për VETËVENDOSJE! bëjnë homazhe te Memoriali Heroinat

Kryetarja e Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me nënkryetaren e Lëvizjes, Mrika Limani Myrtaj, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetet e Republikës së Kosovës dhe aktiviste të Lëvizjes bënë homazhe te Memoriali Heroinat në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së shumë grave të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998-99 kundër shtetit okupator, Serbisë.

“Vuajtjet e të gjitha atyre grave që përjetuan tmerrin e dhunës seksuale kanë goditur zemrat e të gjithë neve, për të mos i harruar kurrë, dhe për të kërkuar drejtësi për krimet e shkaktuara ndaj tyre”, tha kryetarja e GVV, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Te ky memorial që i është kushtuar grave heroina për sakrificën dhe kontributin e tyre gjatë luftës së popullit tonë për liri është vend ku nuk përkujtojmë vetëm sakrificën për liri e çlirim nga pushtuesi, por edhe domosdoshmërinë e barazisë shoqërore. Barazia është liria e vërtetë.

Kontribo

06 03 2024

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz te Familja Jashari

“Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, që paraqet edhe dhembje e krenari por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë”, – Kryeministri, Albin Kurti,

Presidentja, Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti, Kryekuvendari, Glauk Konjufca, ministrat dhe zëvendës ministrat, dhe një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Kryetarë të komunave ku qeverisim, deputetë, aktivistë tanë, bënë sot homazhe në Prekaz te varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, për liri të Kosovës.

Presidentja Osmani tha se familja Jashari do të jetë përherë si udhërrëfyese ashtu edhe frymëzuese për popullin tonë.

“Familja Jashari do të mbetet përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Siç e shihni jo vetëm përgjatë epopesë, por edhe periudha të ndryshme të vitit, kemi fëmijë nga shkolla anembanë Kosovës që vinë këtu për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë e guximin e tyre. Lavdi përjetë komandantit Adem Jashari e gjithë anëtarëve të familjes Jashari, e gjithë të rënëve e dëshmorëve të tjerë të UÇK-së.”

Kryekuvendari Konjufca kujtoi se sakrifica e Jasharajve dhe lufta e UÇK-së janë prej ngjarjeve më të rëndësishme në vetëdijen tonë kombëtare.

“Padyshim që në gjithë historinë tonë, së bashku me luftërat e lavdishme të Skënderbeut edhe Lidhjen e Prizrenit, sakrifica e Jasharajve dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen tonë kombëtare. Për sa kohë të ketë popull shqiptar, kombi ynë për sa të ekzistojë, gjithmonë do të jetë një vend ku jo vetëm përkulemi por edhe vazhdimisht gjejmë frymëzim dhe patriotizëm se si të mbrohet vendi e se si të ushqehet liria.“

Kryeministri, Albin Kurti, tha se vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë. Ajo paraqet si dhembje e krenari ashtu edhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

“Në Prekazin heroik e historik, kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë. Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë, që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes. Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, që paraqet edhe dhembje e krenari por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë. Me përkulje respekti dhe me ndjenjë admirimi, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharajve. Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit.”

Kontribo

04 03 2024

Qeveria Kurti për gratë dhe vajzat

1. Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave:


• Shtesat për fëmijë dhe për nëna lehona kanë ndihmuar mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 45 mijë nëna lehona.
• Programet si SUPERPUNA dhe punë praktike kanë angazhuar mbi 9364 të rinj, ku gjysma prej tyre janë vajza dhe gra.

• Mbi 12 milionë euro janë ndarë si grante investive për gratë në projektet e zhvillimit rural 2021-2022.

2. Edukimi dhe trajnimi profesional:


• Bursa për studiuesit në fushën STEM dhe drejtimet deficitare kanë ndihmuar 1882 studente vajza/gra dhe 1256 studente djem/burra.
• Avancimi i gruas në pozita drejtuese në arsim ka përforcuar përkushtimin tonë për barazi gjinore në këtë sektor.


3. Iniciativat ligjore dhe aktivitetet tjera:


• Janë zbatuar mbi 59% të aktiviteteve të strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje.
• Është hartuar protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.
• Programi për trajtimin e kryesve të dhunës ka ashpërsuar dënimet për dhunuesit përmes propozimit të ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale etj.
• Ministria e Ekonomisë ka ofruar subvencionim për pajisjet efiçiente të energjisë për nënat vetushqyese dhe ka rritur përqindjen e grave në bordet e ndërmarrjeve publike nga 10% në 40%.

• Janë realizuar mbi 80 aktivitete përgjatë fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” nën Sloganin “Sot dhe çdo ditë tjetër”.


4. Shëndeti dhe mirëqenia:


•  Tashmë në QKUK bëhet rikonstruksioni i gjirit për gratë që kanë pësuar kancerin e gjirit dhe është ofruar mamografi falas për të gjitha gratë.
• Prioriteti për shëndetin e nënës dhe fëmijës është theksuar me fuqizimin e programit për vizitat shtëpiake për nënat dhe fëmijët.

• Për herë të parë në Kosovë ka filluar administrimi i Vaksinës HPV që në mënyrë direkte e parandalon kancerin e qafës së mitrës. 

Kontribo