27 09 2021

Mireshi po i prinë ndryshimit të 17 tetorit!

Nga takimi i mbajtur me gra sot në Miresh, gjetëm frymën e fitores, frymën e ndryshimit.

Kryetari Alban Hyseni, bashkë me kandidatët për asamble Selvete Sylejmani e Bedri Asllani, si dhe deputeten Arbëreshë Kryeziu Hyseni, u zotuan para të pranishmeve se me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, do të ketë transparencë të plotë në konkurse, e cila ka munguar në qeverisjet paraprake. Po ashtu roli i gruas do jetë vital në qeverisjen e re, ku bashkëpunimi me gratë dhe fuqizimi i tyre do jetë prioritet kryesor.

Mireshi e ka ndarë mendjen për numrin 144!

Kontribo

25 09 2021

25 09 2021

Bashkë qeverisim për Lipjanin

Trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve pa dallim në investime e punësim dhe depolitizimi i arsimit në njërën anë bashkë me funksionalizimin e qendrave shëndetësore në fshatrat e komunës së Lipjanit dhe mbështetjen e bujqve e fermerëve përmes ngritjes së subvencioneve në anën tjetër, do të jenë prioritetet e qeverisjes së re të Lipjanit me kryetar Adnan Rrustemin.

Bashkë më shumë me Lipjanin, bashkë më mirë, bashkë punojmë dhe bashkë qeverisim me Adnan Rrustemin dhe numrin 144.

Kontribo

24 09 2021

Bashkë qeverisim për Gjilanin!

Dje, Kryeministri Kurti, bashkë me Kryetarin në ardhje të Gjilanit, Alban Hysenin, vizituan disa biznese atje, dhe mbajtën një takim me gra, një me të rinjë e të reja, dhe një me profesionistë prej fushave të ndryshme për të folur mbi qeverisjen e re që po vjen me datë 17 tetor në Gjilan. Bindja prej këtyre takimeve ishte se ndryshimit në qendër tani ka filluar t’i përgjigjet secila pjesë e këtu edhe Gjilani që do e fitojmë pa balotazh! Gjilani do ta ketë qeverisjen e re që e meriton dhe përkrahjen e qeverisë Kurti që i takon! Bashkë qeverisim me Alban Hysenin! Bashkë qeverisim për Gjilanin! VOTO numrin 144!

Kontribo

24 09 2021

Bashkë qeverisim për Shtimen

Modernizimi i shërbimeve publike dhe karakteri urban i qytetit të Shtimes janë pikat kryesore ku do të orientohet qeverisja e re lokale me Kryetar Qemajl Aliun. Me qeverinë qendrore që në radar i ka këto shqetësime, e sidomos Shtimen që ka mbetur aq mbrapa në zhvillim, qeverisja e drejtë dhe punëtore e Qemajl Aliut do ta ketë të lehtë t’i realizojë këto projekte e t’ia kthejë dinjitetin Shtimes.

Bashkë qeverisim me Qemajl Aliun.
Për Shtimen me numrin 144!

Kontribo

23 09 2021

Bashkë qeverisim për Prizrenin

Me qeverisjen qendrore në Prishtinë e atë komunale në Prizren, me projektin e madh infrastrukturor që lidhë Prizrenin me Tetovën për çfarë kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, jemi të bindur se ditë, javë, muaj e vite shumë më të mira e presin Prizrenin, tha Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së djeshme në Prizren, ku qëndroi dhe zhvilloi disa takime në mbështetje të kandidatit tonë Mytaher Haskuka. Prizrenin do ta fitojmë pa balotazh në mënyrë që ta vazhdojmë sa më shpejtë Bashkë qeverisjen. 144 është numri i fitores tonë, 144 është numri i kandidatit Mytaher Haskuka.

Kontribo

22 09 2021

Bashkë qeverisim për Prishtinën!

Projektet e Kryetarit Vitia dhe të qeverisë Kurti përputhen prandaj ndryshimi në kryeqytet me Arbenin përveç se do të jetë i shpejtë do të jetë edhe përmbajtësor. Mbrëmë, Kryetari i Lëvizjes, njëherazi Kryeministri i vendit, Albin Kurti, takoi kandidatët e listës tonë fituese për Prishtinën dhe anëtarët e shtabeve zgjedhore që i kemi nëpër pika e zona për të bashkëbiseduar rreth fushatës tonë zgjedhore që suksesshëm i adreson nevojat e kryeqytetit. Prishtina po ju kthehet qytetarëve dhe Prishtinës po i kthehet qeverisja e mirë, zhvillimore, e progresiste me Arben Vitinë. VOTO 144 – #Bashkëqeverisim#Kryeqyteti#ArbenVitia

Kontribo

22 09 2021

Bashkë qeverisim për Besianën!

Rritja ekonomike këtë vit u mbështet edhe prej ekonomisë prodhuese dhe eksportuese të Besianës. Kryeministri Albin Kurti me Shpejtim Bulliqin që tash kërkon mandatin katërvjeçar për Besianën vizituan sot dy fabrika atje dhe zhvilluan dy takime të hapura me sportistë e kandidate të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kuvendin Komunal. Krahas ekonomisë që duhet mbështetur, bizneseve që duhen fuqizuar, Besiana ka edhe një rini të talentuar e punëtore që duhet ta realizojë potencialin e vet. Pas zgjedhjeve të 17 tetorit që do na nxjerrin fitues, qeverisja jonë lokale në bashkëpunim të ngushtë me atë qendrore do t’i shtyjë mundësitë zhvilluese për Besianën. #144 #Bashkëqeverisim #ShpejtimBulliqi #Besianë

Kontribo

21 09 2021

Bashkë qeverisim për Vushtrrinë!

Gratë në ndërmarrësi edhe pa përkrahjen e shtetit kanë arritur suksese. Dëshmi e kësaj është Kuzhina e hapur nga Shoqata e Grave Vetushqyese në Vushtrri, të cilën e vizitoi sot Kryeministri Albin Kurti, bashkë me kandidatin për kryetar të Vushtrrisë, Arsim Rexhepi. Qeverisja e VETËVENDOSJE!-s i përkrahë gratë sipërmarrëse. Është ky sektor, e sidomos punësimi i grave që na intereson e që do ta mbështesim në Bashkë qeverisje prej 17 tetorit. #Bashkëqeverisim #ArsimRexhepi #Vushtrri

Kontribo

19 09 2021

Bashkë Qeverisim

Bashkë Qeverisim drejt zhvillimit, drejtësisë dhe mirëqenies për të gjithë. Bashkë Qeverisim sepse punën që e filluam me qeverinë po e vazhdojmë me komunat, sepse kryeministrin që e kemi në qendër e kemi në secilin pjesë të vendit me ju e pranë kandidatëve tanë që garojnë në këto zgjedhje. Për qeverisjen lokale me program modernizues, të ndershëm e humanist që ju do e jetësoni duke mbështetur kandidatë tanë me 17 tetor! 144 është numri i komunës, 144 është numri i Bashkë Qeverisjes!

Kontribo

06 09 2021

Tribunë: Ushtrimi i të drejtave të pakicave në procesin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Ballkanit Perëndimorë

Të drejtat e pakicave duhen respektuar dhe diskriminimi ndaj pakicave joserbe nga Beogradi duhet ndalur. Pakicat duhet të shërbejnë si urë bashkëpunimi ndërmjet shtetesh dhe jo si instrument konflikti ku ata jetojnë. Kjo është një çështje themeltare kur flasim për integrimin evropian dhe euro-atlantik të Ballkanit Perëndimorë, thanë tre përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s, nënkryetarja, njëherazi deputetja, Fatmire Mullhaxha Kollçaku, deputeti, Armend Muja dhe përfaqësuesi ynë në KQZ, Sami Kurteshi, në tribunën me titull: Ushtrimi i të drejtave të pakicave në procesin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Ballkanit Perëndimorë, që u mbajt ditën e shtunë në Novi Pazar.

Në mesin e gjashtë panelistëve të kësaj tribune, ku prezentë ishin edhe përfaqësuesit e Luginës, deputeti në parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi dhe Kryetari Këshillit Kombëtar në Luginë, z. Ragmi Mustafi, tre përfaqësuesit tanë theksuan po ashtu rëndësinë që në procesin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike Bashkimi Evropian të ketë një trajtim më të drejtë ndaj popujve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor e më strikt ndaj politikanëve dhe shteteve që pengojnë integrimin në këtë pjesë. Popujt nuk duhet të vazhdojnë t’i bartin pasojat e liderëve të tyre.

Kontribo

22 08 2021

Takim me listën e iniciativës së përbashkët qytetare “Mitrovica”.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka pritur sot në takim listën e iniciativës së përbashkët qytetare “Mitrovica”.

Ai ka përgëzuar pjesëtarët e kësaj liste për për bashkimin përtej dallimeve jo vetëm partiake në shërbim të interesit qytetar duke shprehur kështu nevojën e madhe që të përforcohet pozita e komunitetit shqiptar dhe komuniteteve tjera jo serbe në atë zonë.

Kandidati për Kryetar të Komunës veriore të Mitrovicës Erden Atiq dhe Bartësi i listës Skënder Sadiku duke njoftuar për iniciativën e asaj ane kërkuan përkrahje nga kryetari Kurti sepse, siç u shprehën ata, kjo është hera e parë e një formati të tillë të organizimit, pra të gjitha partitë shqiptare, shoqëria civile dhe Vakati së bashku për një qeverisje lokale ndryshe.

Kontribo

17 08 2021

Vizita e kryeministrit Kurti në Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova -B

KEK-u kaloi një vit të suksesshëm duke përmirësuar performancën e prodhimit të energjisë elektrike me mbi 6 mijë GWh. Gjashtë mujori i parë i këtij viti tregon një vazhdimësi të punës së mirë pasi është tejkaluar plani për eksploatimin e thëngjillit. Furnizimi i pandërprerë me energji elektrike është parakusht për zhvillimin ekonomik dhe qeveria jonë do ta mbështes në plotni këtë ndërmarrje, tha kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës që i bëri sot KEK-ut bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kryeministri Kurti foli mbi nevojën për dekarbonizim, investimet që do të bëhen për zvogëlimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet, duke falënderuar njëherazi Bashkimin Evropian për mbështetje të pa kursyer në këtë drejtim. Tutje, ai theksoi se KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në mënyrë që të arrihet diversifikimi i prodhimit të energjisë duke inkuadruar energjinë e ripërtritshme e në veçanti atë solare.

Ministrja Rizvanolli në fjalën e saj kujtoi se KEK-ut më shumë se kurrë tani i duhet një udhëheqje profesionale e me integritet, që ka vizion reformues por edhe aftësi për të planifikuar dhe zbatuar atë vizion. Ajo ndau njoftimin se muajve në vijim do të hapet konkursi publik për bordin e rregullt të KEK-ut dhe ftoi të gjithë profesionistët e fushës të aplikojnë, me theks të veçantë gratë të cilat fatkeqësisht deri tani kanë qenë të nënpërfaqësuara.

Ngjashëm, ajo inkurajoi të gjithë profesionistët e interesuar të aplikojnë edhe për pozitën e kryeshefit ekzekutiv te KEK-ut në konkursin publik i cili vazhdon të jetë i hapur deri me 23 gusht të këtij viti. Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria është e interesuar që të sigurojë një proces fer, profesional dhe transparent të rekrutimit në pozitat e hapura në Ndërmarrjet Publike.

Vizita që filloi në mëngjesin e sotëm përfshiu Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova -B

Kontribo

12 08 2021

Bashkëpunimit të suksesshëm ia mbajmë gjithnjë derën hapur

Fryma e shkëlqyeshme e bashkëveprimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Alternativës për Kosovën ka sjellë rezultate të mira në nivel qendror e tash është momenti ta zgjerojmë edhe në nivel lokal. Ndryshimet e mëdha për të cilat ka nevojë Kosova, kërkojnë një bashkërendim të reformave e veprimeve të Qeverisë, me një drejtim transformues nëpër komuna.

Përmes këtij memorandumi mes subjekteve tona njoftojmë opinionin publik që kandidatja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Gjakovë do të jetë Kryetarja e Alternativës për Kosovën dhe njëherit ushtruesja e detyrës së grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari-Lila.

Me 14 shkurt u bashkuam në listën ngadhnjyese për referendumin e Republikës, në 17 tetor duhet të bashkohemi edhe një herë, për komunën, fshatin e lagjen tonë. Qeverisjes së mirë në nivel qendror duhet t’ja bashkangjesim edhe qeverisjen punëtore në nivel lokal.

Kontribo

02 08 2021

Në Lëvizjen VETËVENDOSJE! janë duke u bërë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Përmes kësaj komunikate u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve tanë nga komunitetet jo shumicë, por edhe të tjerëve nga këto komunitete që nuk janë pjesë e organizatës tonë por që pajtohen me parimet tona bazë, të aplikojnë për të kandiduar për kuvendet komunale në zgjedhjet që po afrojnë. Demokracia e përfaqësimi plotësohen e shumë çështje të rëndësishme për komunitetet shtyhen përpara duke u bërë pjesë e garës zgjedhore dhe duke përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe komuntiteteve të cilave u takojmë.

Inkurajojmë kandidimin e grave në veçanti për shkak se është shqetësuese se si në të kaluarën nga komunitetet jo shumicë nuk ka pasur gra nëpër kuvendet komunale. Kjo është e papranueshme dhe flet për një ngërç shoqëror që duhet tejkaluar, andaj u bëjmë thirrje grave të kandidojnë e ta shtyjnë njëra tjetrën të kandidojnë nëpër listat tona për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen me datë 17 tetor të këtij viti. Vetëm bashkë mund t’ia dalim e t’i realizojmë ndryshimet që i synojmë.

Kontribo

27 07 2021

Qeveria do e zvogëloj hendekun mes komuniteteve në arritjet mësimore

“Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara”, tha Kryeministri Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.

Duke përshëndetur mobilizimin e komunitetit për ndërtimin e një qendre të tillë, kryeministri Kurti theksoi se edhe qeveria do të jetë krahë i fuqishëm në drejtimin e njëjtë.

“Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër do të bëjmë përpjekje që kjo shumë të rritet. Ndihma profesionale që ofrojnë këto qendra mësimore do të jetë me rëndësi që fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të mos ngecin në mësime dhe, në këtë formë, të inkurajohen ta vazhdojnë shkollimin. Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri”, tha Kurti.

Kontribo

23 07 2021

LËVIZJA ME MËRGATËN

“Pa mërgatën nuk do të kishte pasur lëvizje dhe mërgata jonë është gjithnjë në lëvizje”, tha Kryeministri, njëherazi Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dje në fjalën e tij hapëse në takimin me bashkatdhetarë.

Në parkun e qytetit të rregulluar për ngjarjen “Lëvizja me Mërgatën” që mbahet çdo vit, pranë përplot mërgimtarëve që kishin ardhur të njiheshin e të bashkëbisedonin me deputetët, ministrat, dhe aktivistët tanë, Kryetari Kurti foli për të arriturat e qeverisjes që ai drejton ku veçoi luftimin e krimit dhe korrupsionit, dhe ekonominë që 5 mujorin e parë me qeverisjen e re ka shtuar qarkullimin për 15%, të hyrat doganore për 28%, të hyrat tatimore për 34%, dhe rritjen e eksporteve për 66%. Duke iu referuar politikës së emetimit të bonove për diasporën që vetëm në ditën e parë mblodhi një investim të diasporës prej 1 milionë euro, Kurti tha se mërgata përveç se motor për zhvillimin e jetës së qëndrueshme në vendin tonë tani po bëhet edhe motor i zhvillimit ekonomik të saj.

Në fund, me referencë në muajt e parë të qeverisjes tonë që kanë treguar se shumëçka është e mundshme dhe shumëçka mund të bëhet më mirë në Kosovën tonë, Kurti kujtoi rëndësinë që ka regjistrimi dhe pjesëmarrja e mërgatës edhe në zgjedhjet lokale që po afrojnë. Bashkë është e mundshme dhe bashkë si gjithnjë, si përherë, ja dalim t’i jetësojmë ndryshimet për të cilat kemi nevojë e të cilat i duhen vendit.

Kontribo

09 07 2021

PAKOJA E RINGJALLJES EKONOMIKE

1/5 e masave për ringjalljen ekonomike, prezantuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i financave, Hekuran Murati

Me prezantimin e pakos për ringjalljen ekonomike, qeveria e Kosovës ka treguar se për prioritet ka çështjen e punësimit. 50 milionë euro janë ndarë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve.

– 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 − prill 2021. Për çdo të ri të punësuar qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj.

– 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në 3 muajt e fundit e që deklarohet në ATK. Secilit prej tyre do t’iu paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës për 12 muaj me radhë.

– 5 milionë euro për ta mbështetur punësimin e grave. Secilës grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit, e që punësohet, do t’i subvencionohet 50% e pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tremujore, do të subvencionohet kontributi pensional.

– 10 milionë euro për ta filluar qysh këtë vit skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, ku secilit të ri do t’i garantohet puna e parë, e subvencionuar nga shteti në nivelin e pagës minimale.

– 5 milionë euro për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në TI. Për të orientuar talentet e reja drejt fushës së TI-së, do të ndahen kuponë me anë të të cilëve mund të ndiqen kurse për TI, apo trajnime në praktikë. Atyre që përfundojnë kursin apo trajnimin me sukses, do t’u ofrohet mbështetje në punësim për 3 muajt e parë.

– 5 milionë euro për punësimin e personave me nevoja të veçanta. Në funksion të arritjes së synimit për një shtet të barabartë për të gjithë, qeveria e Kosovës do ta mbështes secilin të punësuar me aftësi të veçanta me 50% të pagës, deri në maksimum 150 euro në muaj. Mbështetja do të bëhet për 6 muajt e parë.

– 5 milionë euro për skemën e granteve për zanatet. Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, qeveria do t’i mbështesë me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të certifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e pajisjeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe certifikimit.

2/5 e masave për ringjalljen ekonomike, prezantuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i financave, Hekuran Murati.

Masa e dytë: 108 milionë euro për ringjalljen e ekonomisë dhe prodhimit

– 108 milionë euro për investime në teknologji e inovacion, prodhim dhe eksport, pa harruar as mbështetjen e bizneseve që u goditën më së shumti nga pandemia.

– 30 milionë euro me qëllim të mundësimit të investimeve të reja.

Të gjitha bizneset prodhuese dhe përpunuese do të mbështeten nëse marrin kredi për të financuar zgjerimin e kapaciteteve, duke ua subvencionuar deri në 20% të kryegjësë së kredisë, më saktësisht 10% të kryegjësë në fillim, për të mundësuar një grejs periudhë fillestare, si dhe 10% tjera në fund të kredisë në rast se janë përmbushur objektivat e investimit.

Bizneset që janë në pronësi të grave po ashtu do të mbështeten nëse marrin kredi për rritje të kapaciteteve, me deri në 20%, pavarësisht sektorit në të cilin operojnë.

Bizneset që kanë pësuar rënie në të hyra, mirëpo megjithatë kanë ruajtur numrin e punëtorëve, dhe tani u duhet likuiditet për t’u përgatitur për investime të reja, do t’u mundësohet subvencionimi i 10% të kryegjësë së kredisë.

– 43 milionë euro mbështetje bizneseve për qasje në financa.

Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financim, do të mbështetet Fondi Kosovar për Garanci Kreditore duke shtuar kapitalin për edhe 40 milionë euro tjera, që do të mundësojnë garantimin e rreth 120 milionë eurove kredi shtesë për bizneset.

Po ashtu, me 3 milionë euro tjera do të subvencionohen tarifat e Fondit, gjë që do të çlirojë potencial për edhe 86 milionë euro tjera kredi të garantuara.

– 10 milionë euro për Investime në TI dhe Inovacion.

7 milionë euro janë dedikuar për investim në digjitalizim dhe inovacion, duke mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme drejt tranzicionit në epokën digjitale.

Gjithashtu, 3 milionë euro do të investohen në parkun e inovacionit dhe trajnimeve në Prizren (ITP Prizren) për të krijuar një nyje të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të TI-së. Këto investime do të mobilizojnë edhe rreth 4 milionë euro tjera grante nga donatorët.

– 10 milionë euro mbështetje eksportit.

Me këtë masë do të mbështeten bizneset prodhuese dhe eksportuese në rritje të cilësisë dhe marrjen e certifikimeve të nevojshme. Si pjesë e mbështetjes do të jetë edhe asistenca në dizajnim dhe marketing të produkteve. Po ashtu, do të mbështetet edhe pjesëmarrja në panaire jashtë vendit.

– 10 milionë euro për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit.

Mbështetja e produkteve bujqësore duhet të bëhet edhe përtej prodhimit. Me anë të kësaj mase do të investohet në krijimin e infrastrukturës dhe parakushteve për zhvillimin e agroturizmit nëpër fshatrat tona. Kjo përfshin edhe mbështetjen për investime që do të mundësojnë shndërrimin e shtëpive të fshatit në bujtina që mund të presin mysafirë.

– 5 milionë euro për rikuperimin e hotelerisë dhe bizneseve të mbyllura.

Me këtë masë do të mbështeten bizneset të cilat kanë pësuar më së shumti gjatë pandemisë dhe për shkak të mbylljes nuk kanë arritur të kryejnë detyrimet që kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe bankave.

3/5 e masave për ringjalljen ekonomike, prezantuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i financave, Hekuran Murati.

Masa e tretë: 50 milionë euro mbështetje për familjet, shtresat e cenueshme të shoqërisë, për t’ua lehtësuar sadopak barrën që kanë pasur gjatë pandemisë.

– 4 milionë euro do të ndahen për familjet që kanë humbur kryefamiljarin e tyre nga Covid-19, duke marrë parasysh që humbja e më të dashurve mund të ketë nënkuptuar edhe humbjen e burimit të vetëm të të ardhurave.

– 17 milionë euro për t’i paguar shtesat për pensionistë ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, si dhe për mbështetjen e familjeve që pranojnë asistencë sociale me 30% mbi nivelin e rregullt. Shtesat do të aplikohen deri në fund të vitit fiskal.

– 12 milionë euro për reformimin e skemës së asistencës sociale. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, qeveria do ta fillojë këtë reformë me qëllim zgjerimin e saj për të përfshirë më shumë familje në nevojë. Shuma e përgjithshme e projektit pritet të jetë rreth 47 milionë euro.

– 4 milionë euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë. Për 6 muaj me radhë, në bashkëpunim me UNDP-në dhe me financim të BE-së, 7,500 familjeve më në nevojë do t’u shpërndahen kuponë ushqimi në vlerë prej 60-70 euro, varësisht nga madhësia e familjes. Mbështetja do të zgjerohet edhe për rreth 3,000 familje tjera nga komunitetet jo-shumicë, me mbështetje të IOM-it.

– 3 milionë euro për pagesën e lehonave të papunësuara. Në kuadër të kësaj skeme që do të fillojë këtë vit, të gjitha lehonat që nuk punojnë, do të përfitojnë mbështetje në nivelin e pagës minimale për 6 muaj me radhë.

– 10 milionë për mbështetjen e likuiditetit familjar. Me qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro. Kjo do t’iu mundësoj shumë familjeve të mbyllin bilancet e kredit-kartelave që kanë interesa shumë të larta, dhe njëkohësisht të përgatiten për vjeshtë duke pasur likuiditetin e nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve sezonale.

4/5 e masave për ringjalljen ekonomike, prezantuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i financave, Hekuran Murati.

Masa e katërt: 112 milionë euro mbështetje për publiken. Rritja e cilësisë së shërbimeve publike, shërbimet më cilësore në shëndetësi, arsim, kulturë e sport janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti II.

– 53 milionë euro mbështetje për shëndetësinë. Për luftën ndaj pandemisë COVID-19 janë dedikuar 40 milionë euro, që përfshin blerjen e vaksinave dhe shpenzime tjera të ndërlidhura me menaxhimin e pandemisë. 8 milionë euro janë dedikuar për blerjen e barnave esenciale. Kurse 5 milionë euro shtesë mbi buxhetin fillestar për mbulimin kostos për specializantët e rinj.

– 9 milionë euro mbështetje për arsimin. Kjo masë mundëson mbulimin e hendekut të krijuar në të hyrat vetanake të universiteteve publike gjatë kohës së pandemisë, do të mundësojë blerjen e teksteve mësimore për nxënësit, si dhe do të mundësojë 1 milionë euro ndarje për bursa për studentët që studiojnë fushat e shkencave, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

– 5 milionë euro mbështetje për Kulturën dhe Sportin. Me këtë masë qeveria do të përkujdeset t’i jap vendit gjallëri duke organizuar dhe mbështetur ngjarje e projekte kulturore të cilat vënë në pah artistët e rinj dhe krijojnë mundësi të promovimit të tyre. Njësoj mbështetje do të ketë edhe për sportin, duke mundësuar organizimin e turneve dhe ngjarjeve tjera sportive.

– 10 milionë euro mbështetje për sigurinë. Me qëllim të avancimin të FSK-së drejt një ushtrie moderne që mundëson përmbushjen e misionit të saj, do të mbështetet pagesa për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake.

– 5 milionë euro mbështetje për mërgatën. Është zotim i Qeverisë Kurti II që të lehtësohen të gjitha barrierat për mërgatën tonë. Andaj do të mbulohet kostoja e policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhet përfundimisht çështja e Kartonit të Gjelbër.

– 30 milionë euro mbështetje për ndërmarrjet publike. Marrë parasysh gjendjen e rënduar financiare të shumicës së ndërmarrjeve publike, qeveria do të hartojë një plan për ringjalljen e tyre. Me këtë masë, do të mundësohet kreditimi i ndërmarrjeve publike ashtu që të mundësohet edhe jetësimi i planit të ringjalljes.

5/5 e masave për ringjalljen ekonomike, prezantuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i financave, Hekuran Murati.

Masa e pestë: 100 milionë euro investim në infrastrukturë dhe ambient

Nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.

Në kuadër të ambientit jemi duke negociuar me institucione financiare ndërkombëtare edhe për investime tjera në fushën e efiçiencës dhe energjisë elektrike, dhe jemi në hulumtim edhe për mundësi tjera financimi nga grantet dhe donatorët.

Po ashtu, në këtë aspekt ka edhe investime tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim ky që sillet rreth 90 milionë euro, ku shumica është grant nga fondet IPA të BE-së. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth.

Kontribo

01 07 2021

Shpallen zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021

Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nga sot shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash.

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) njofton të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionin e kandidatit për Kryetar të Komunës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga data 1 korrik deri më 3 korrik 2021, ora 17:00.

Pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm, Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës (KZAQ) dhe KZP do të bëjnë verifikimin e tyre dhe do ta pajisë kandidatin/en me formularin e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës, ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik e më transparent sa i përket vendimmarrjes, veprimtarisë e organizimit. Në frymën e demokracisë së brendshme ne urojmë për një proces zgjedhor sa më të mirë dhe ftojmë për përfshirje sa më të madhe rreth këtij procesi.

Ky proces zgjedhor i brendshëm do t’i paraprijë mobilizimit e përgatitjeve për të mundësuar që ndryshimi i madh i 14 shkurtit të shtrihet edhe nëpër komuna. Referendumi i 14 shkurtit do të kompletohet më 17 tetor, kurse ndryshimi i gjithmbarshëm do të jetë edhe më i shpejtë edhe më i thellë pas 17 tetorit.

Kontribo

30 06 2021

Nga punëtoria për identifikimin e sfidave lokale mjedisore

Gjatë tërë ditës së djeshme, Lëvizja VETËVENDOSJE! në bashkëpunim me fondacionin gjerman Heinrich Böll Stiftung kanë organizuar një punëtori rreth artikulimit dhe identifikimit të sfidave lokale mjedisore me aktivistët e Qendrave tona.

Në këtë punëtori ka qenë e pranishme deputetja dhe raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon, e cila njëkohësisht i takon edhe grupit të të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane.

Znj. Cramon bashkë me deputeten e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fitore Pacolli, dhe përfaqësuesin e Heinrich Böll Stiftung për Kosovë, Granit Gashi, kanë bashkëbiseduar me aktivistët rreth sfidave dhe problemet mjedisore që ka Kosova, mundësitë dhe praktikat më të mira për t’i adresuar ato përmes koordinimit të nivelit qendror me atë lokal dhe Bashkimit Evropian. Znj. Cramon ka përmendur disa shembuj konkret që ka ndërmarr Gjermania të cilat mund të adaptohen si modele të mira për avancimin e agjendës së gjelbër në Kosovë. Ajo ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit të vizitave dhe ka ofruar angazhimin e saj për të organizuar një vizitë në Gjermani që aktivistët dhe këshilltarët lokal të kenë mundësi nga afër të kuptojnë sfidat me të cilat është përballur Gjermania dhe mënyrat se si i ka adresuar ato.

Në pjesën tjetër e punëtorisë kanë qenë të angazhuar ekspertët z. Pëllumb Gjinolli, Dardan Abazi dhe Granit Gashi të cilët kanë prezantuar dhe kanë diskutuar me aktivistët rreth temave konkrete duke filluar nga drejtësia sociale dhe qytetet e gjelbra, dekarbonizimi në nivel lokal, instrumentet lokale për qeverisje mjedisore dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Kontribo

27 06 2021

Mbahet mbledhja e XLIV e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLIV të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje politike dhe organizative.

Në pjesën e parë të mbledhjes, anëtarëve të Këshillit ju drejtua Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Kryetari Albin Kurti, foli për të arriturat e qeverisë që ai drejton tani si kryeministër, duke filluar nga menaxhimi i mirë me pandeminë, zhvillimi ekonomik me rritjen e eksporteve dhe GDP-së, krijimi i incentivave dhe lehtësirave për diasporën, çkapja e bordeve dhe inkurajimi i profesionistëve për të aplikuar në to, kursimet nga rishikimi i kontratave në infrastrukturë dhe projektet e reja, marrëdhëniet me Shqipërinë, dialogun, për ta përmbyllur më pas fjalën me zgjedhjet lokale që do të mbahen me datë 17 tetor.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, kryetari Kurti tha që synimi ynë duhet të jetë t’i fitojmë ¾ e komunave, pasi qytetarët duhet ta përjetojnë qeverisjen e mirë, që sjell si rregull e zhvillim urban ashtu edhe investime dhe punësim.

Pasi në zgjedhjet e fundit qëndrore është dëshmuar sinqeriteti e serioziteti në aktivizëm të përbashkët, edhe në këto zgjedhje lokale do të vazhdojë bashkëpunimi me Listën Guxo dhe Alternativën për Kosovën, tha Kurti, i cili bëri thirrje për komunikim e angazhim të përbashkët në terren dhe anembanë Kosovës.

Për fund, Kurti theksoi se sulmet ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë përpjekje që të mos përsëritet rezultati ynë i 14 shkurtit. Në këtë drejtim, ai u bëri thirje anëtarëve tanë që të punojnë sa më shumë e të jenë sa më syhapur drejt konfirmimit të fitores tonë me datë 17 tetor.

Në pjesën e dytë të mbledhjes u raportua nga zyrtarët përgjegjës të Lëvizjes për:

Raportin vjetor financiar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për vitin 2020;

Raportin vjetor të punës së sekretariateve në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për vitin 2020;

Raportin vjetor të punës së Qendrave për vitin 2020;

Raportin vjetor të punës së Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë për vitin 2020;

Raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në Besianë;

Raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri të Mitrovicës;

Raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e parakoshme qëndrore të 14 shkurtit 2021;

Në fund të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm delegatët u njoftuan edhe për anëtarësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Political Youth Network, organizatë kjo që është rrjet rajonal i organizimit të aktiviteteve me rininë e partive anëtare, në fushat e të drejtave të njeriut; ngritjen e kapaciteteve; dhe shkëmbimin e përvojave.

Kontribo