17 06 2021

Kosova duhet të përfaqësohet si Republikë dhe pa fusnotë.

“Përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës në SECP do të marrin pjesë në punimet e seancës plenare në Turqi, ne do të kërkojmë që Kosova të trajtohet në përputhje të plotë me deklaratën e samitit të Bukureshtit të vitit 2014 dhe nuk do të votojmë asnjë deklaratë nëse emri i Republikës së Kosovës shënohet me fusnotë”.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/125649512981401

Kontribo

17 06 2021

Javën e Lëvizjes e përmbyllim me ditëlindjen Ukshin Hotit.

Javën e Lëvizjes tash e sa vite përmbyllim me ditëlindjen e njërit prej profesorëve e intelekualëve më të jashtëzakonshëm shqiptar, Ukshin Hotit. Në shënimin e kësaj dite një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryeministri i Kosovës dhe njëherit kryetari i LV-së, Albin Kurti shoqëruar nga deputetë e aktivistë të Lëvizjes vizituan Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe.

Këtë vit përpos vizitës në shtëpinë e Bacës Ukë dërguam edhe dy palë rroba të tija të cilat u vendosën nga kryeminstri Kurti dhe deputeti Avni Dehari. Këto rroba autentike që u vendosën sot profesori i kishte veshur pas përfundimit të burgut të parë me 1985, ku ishte mbajtur në burg për mbështetjen e protestave studentore të vitit 1981, por ishte izoluar në fshat. Pavarësisht këtyre rrethanave, me rrobat që u vendosën sot në Shtëpinë Muze, ai shihet në fotografi në një koncert të këngëtares Shkurte Fejza në Kërçovë me 28 shtator 1985. Kjo fotografi dhe kjo veshje tregon edhe një dimension tjetër të Ukshin Hoti: Ai nuk i trembej regjimit dhe nuk mund të izolohej. Personaliteti dhe bindjet e tij ishin të pathyeshme, Ai gjendet në mes të popullit, mu sikur në fotografi.

Jeta dhe mendimi politik i profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti që janë në përputhje të plotë me njëra-tjetrën janë shtyllat të cilat na mbajnë në rrugën e drejtë të orientimit tonë politik.

Kontribo

15 06 2021

Deklarata e Kryeministrit Kurti në lidhje me çështjen e të pagjeturve

“Është zotimi ynë si qeveri e Republikës së Kosovës që nëse ka një gjë që nuk pret, ajo është çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë. Meqenëse familjet nuk jetojnë vetëm me dhimbje e pikëllim por edhe me ankth. Nëse në rastet tjera koha i zbutë ca plagët, e kundërta vlen për të pagjeturit, për ata që u zhdukën me dhunë”.

Kontribo

15 06 2021

Fjala e Kryeministrit Kurti pas takimit në Bruksel:

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/183492100271665

Sot, këtu në Bruksel, u zhvillua takimi i parë me delegacionin nga Serbia. Unë isha bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog. Kjo u bë me ndërmjetësimin e z. Borrell dhe z. Lajçak. Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë.

Përderisa pala tjetër fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja:

Propozimi i parë ishte që ta avancojmë marrëveshjen CEFTA të Ballkanit Perëndimor në marrëveshje SEFTA, me ç’ rast do ta përdornim modelin e shteteve si Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia që kanë me Bashkimin Evropian, pra EFTA-EEA.

Propozimi i dytë i yni ishte që një ditë pas Samitit të djeshëm të NATO-s ku u dhanë porosi shumë të qarta dhe unanime. Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku ne zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes, sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Propozimi tjetër që e bëmë ishte për çështjen e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, duhet të largohet nga delegacioni serb z. Veljko Odaloviqi cili ka qenë udhëheqës famëkeq në vitet 1997-1999 dhe bashkë me Zoran Angjelkoviq e kanë udhëhequr “Kosovën e okupuar” siç e kanë quajtur atëherë qarkun e Kosovës. Pra, vetë z. Nenad Canak ka pohuar se ekzistojnë 16 varreza masive në Serbi, vetëm 5 prej tyre janë hapur, janë zhvarrosur mbi 1 mijë shqiptar, prej tyre 744 vetëm në Batajnicë, por janë edhe 11 varreza të tjera masive dhe nuk kemi përse e komplikojmë çështjen kur zotërinjtë Odaloviq dhe Angjelkoviq e dinë se cilat janë ato varreza të tjera. Ndërkaq z. Nenad Canak pat thënë se këtë e ka dëgjuar nga ish ministri i brendshëm serb në kohën e kryeministrit të vrarë Zoran Gjingjiq, z. Dushan Mihajloviq.

Propozimi ynë i katërt sa i përket çështjes së pakicave ishte reciprociteti bilateral, i cili është parim i përgjithshëm por në veçanti në Kosovë, për serbët e Kosovës, ne do të mund të kishim një këshill nacional ashtu siç është në Serbi për shqiptarët e boshnjakët.

Tre propozimet tona të fundit u refuzuan. Për propozimin e parë për SEFTA-n nuk dhanë përgjigje, por unë sinqerisht shpresoj që do ta konsiderojnë seriozisht këtë propozimin tonë që e bëmë sot kur të kthehen ata në Beograd.

Ndërkaq takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës, që i bie me 25 korrik. Pra, ne do të jemi të gatshëm për pjesëmarrje në proces mirëpo nuk ka ende dakordim sa i përket agjendës për dialogun e ardhshëm në këtë takim të parë që u zhvillua sot.

Kontribo

12 06 2021

16 vjet VETËVENDOSJE!

Në Javën e Lëvizjes, ditën e sotme, kur përkujtohet edhe çlirimi i Kosovës, nga ambientet e para ku filloi organizimi i Lëvizjes 16 vite më herët, mbajtëm konferencë për media me rastin e përvjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në prani të gazetarëve, Kryetari i Lëvizjes dhe Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit dhe anëtarin e kryesisë së Lëvizjes, Glauk Konjufca, të shoqëruar nga aktivistet, Liridona Gashi dhe Lirika Komoni, ndanë mbresat dhe rëndësinë e historikut të Lëvizjes.

Në atë hapësirë ku u organizuan mbledhjet dhe aksionet e para, u tha se organizata jonë ka një datë ngjizjeje e historik aktivitetesh, mirëpo ideja që na ka shtyrë e na mban nuk është krijuar nga organizata, por nga përpjekja historike e popullit shqiptar për vetëvendosje. Betejat e përpjekjet e një populli nuk përzgjidhen nga subjektet politike; janë subjektet politike që përzgjidhen prej betejave të një populli. Populli është më i madh se subjektet politike dhe njëkohësisht më i madh se betejat e tij politike. Ekzistojnë mundësi e potenciale të pamatshme të një populli dhe nuk ka pengesë a shtypje që t’ia grabisë ato. Me këtë besim dhe ide, 16 vite më parë kemi nisur për të mos u ndalur një organizim politik për çlirimin e mundësive dhe aftësive të popullit tonë.

Nga vetëvendosja përballë e përkundër UNMIK-ut dhe deri te qeverisja e vendit, me shumë guxim e krijimtari dhe nëpër një mori protestash, tubimesh, parullash e aksionesh, duke qëndruar gjithnjë në mesin e qytetarëve dhe me ta, kemi arritur që identifikimin tonë me popullin ta zhvillojmë edhe në identifikimin e popullit me ne. I pari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh shpengueshëm se Lëvizja VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë bërë pjesë e trashëgimisë politike të Kosovës, nuk ka pretenduar se ka shpikur ndonjë gjë të re, por i ka qëndruar besnike vullnetit historik të popullit shqiptar, “me jetu rehat në shtëpinë tonë dhe me mund me përcaktu lirshëm fatin e vet politik.”

Kryeministri Kurti tha se pa angazhimin e aktivistëve e të qytetarëve Lëvizja nuk do të mbërrinte aty ku është sot. Në veçanti, ai kujtoi veprën e Mon Balajt e Arben Xheladinit, Astrit Deharit dhe e të gjithë atyre aktivistëve të cilët e kanë bërë Lëvizjen sipas punës së tyre dhe të cilët nuk gjenden më në mesin tonë. Tashmë që jemi në qeverisje, Kryetari Kurti ritheksoi se asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar në Lëvizje prej themelimit të saj, “programi i VETËVENDOSJE!-s është po ai, alternativa po ajo, andaj edhe synimet mbeten të njëjta.”

Kontribo

12 06 2021

Vlerat social demokrate dhe politikat lokale

Përgjatë këtij vikendi, Lëvizja VETËVENDOSJE! në bashkëpunim me organizatat FES dhe NDI, kanë organizuar punëtorinë dy ditore për trajnimin rreth identifikimit te politikave lokale me aktivistët e Qendrave tona.

Në të gjitha Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë kemi ngritur nga një trupë organizative e profesionale e cila bashkë me komunitetin në secilën zonë, do të merret me skanimin e problematikave me të cilat përballen qytetarët në secilën komunë. Si dhe, zgjidhjet për të njëjtat, do të janë pjesë e alternativave dhe platformave tona zgjedhore që do të ofrojmë për qeverisjen e mirë edhe në nivel lokal.

Në këtë punëtori, me nga një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar edhe kryeministri, njëherësh kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, njëherësh kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, Arben Vitia, dhe Eva Ellereit, drejtoresha e FES. Gjithashtu edhe trupa koordinuese e këtij projekti në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e përbërë nga deputetja Fitore Pacolli, Koordinatori i Qendrave, Valon Hoti, përfaqësuesi ynë në KQZ, Alim Rama dhe sekretari i Qendrës së Prishtinës, Egzon Azemi.

Fjala e plotë e kryeministrit dhe njëherit kryetarit të LV-së, Albin Kurti:

Të dashur aktivistë, të nderuar përfaqësues të NDI dhe FES,

Përgjatë historisë pandemitë shëndetësore, krizat ekonomike, katastrofat natyrore dhe ato njerëzore kanë formësuar planifikimin dhe konfigurimin urban të qyteteve. Krizat kanë nxitur evoluimin e qyteteve për të zgjidhur problemet me sanitari, higjenë, shëndetësi, strehim, ngrohje, transport e të tjera. Në shekullin XIX përhapja e kolerës nxiti transformimin e metropoleve si Nju Jorku, Londra, Parisi por edhe shumë qytete tjera. Ato investuan në infrastrukturën hidrosanitare dhe i bënë qytetet më të pastra, më të ndritshme, me bulevarde e hapësira publike të gjelbëruara.

Ngjashëm, por nga një dimension tjetër, pandemia Covid-19 ka detyruar botën të rimendoj kahjen e zhvillimit që qytetet duhet të ndjekin. Pandemia vuri në pah mangësitë në sistemet shëndetësore dhe arsimore, në sistemet e transportit dhe hapësirat publike, ekonomitë urbane dhe pabarazitë sociale që ekzistojnë brenda dhe mes qyteteve.

Përderisa ne po flasim, qytetet në shtetet e zhvilluara po ndryshojnë në një shkallë të paprecedent. Tani kemi një rikthim te rëndësia e lagjeve ku shërbimet publike, çerdhja për fëmijët, shkolla për nxënësit, hapësirat rekreative e qendrat inovative mund të arrihen në këmbë, me biçikletë apo me mjete tjera motorike ekologjike. Po ndodh një zhvendosje drejt krijimit të hapësirave pubike aktive, të jetueshme, sociale e gjithëpërfshirëse.

Edhe qytetet tona janë formësuar e kanë evoluar si rezultat i periudhave të ndryshme historike. Lufta e fundit dhe zhvendosja e madhe e qytetarëve nga fshatrat në qytete, papunësia e varfëria, urbanizimi i paplanifikuar e korrupsioni, janë vetëm disa zhvillime të rëndësishme ndikimet e të cilave në qytetet tona mund t’i perceptoni por edhe t’i përjetoni.

Covid-19 shpërfaqi problemet e mëdha që kanë trashëguar qytetet tona, duke filluar nga pabarazia e thellë në zonat rurale e urbane, te mungesa e qasjes në ujë të pijes, mungesa e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe keqmenaxhimi i mbeturinave, nga mungesa e transportit publik të integruar te hapësirat publike të uzurpuara.

Pandemia, përkundër dëmeve në njerëz dhe në ekonomi, na ka ofruar mundësinë që të rimendojmë mënyrat e organizimit dhe zhvillimit të qyteteve tona. Pra, neve na bie barra që të ndërtojmë qytetet e së ardhmes dhe të gjeneratave që do të vijnë pas nesh.

Qyteti është shumë më afër qytetarëve sesa që është shteti. Aty mund të adresohen problemet ku nuk depërton dot shteti. Qytetet janë më shumë se infratrukturë e banim, transport e shërbime publike. Ato nxisin dhe realizojnë ëndrrat, përfaqësojnë aspiratat dhe shpresat e gjeneratave.

Vizioni ynë për qytetet e së ardhmes është të ndërtojmë qytete të drejta apo “just cities”, qytete gjithëpërfshirëse, solidare, të sigurta, të gjelbra, dhe me qasje të barabartë në shërbime publike e me mundësi për të gjithë. Qytete që sigurojnë mirëqenie sociale, shërbime shëndetësore, edukim dhe strehim.

Ju të gjithë që jeni pjesë e kësaj punëtorie jeni përzgjedhur nga Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! prej nga vini. Mësimet dhe aftësitë që do t’i zhvilloni nga këto trajnime janë tejet të rëndësishme. Angazhimi i juaj dhe aplikimi i njohurive në punën që do të bëni pastaj në organizatë dhe në terren përcaktojnë razultatet tona në komunat ku ne synojmë t’i fitojmë zgjedhjet. Prandaj, ju sot duhet të jeni shumë të përqëndruar e të mos hezitoni të pyesni sa më shumë që të kuptoni sa më mirë ato që sot ju prezantohen.

Ju sot filloni punën për të kurorëzuar atë në ditën kur festojmë fitoret tona në qytetet e përbashkëta. Ju falemnderit.

Kontribo

11 06 2021

Replika e Kryeministrit Kurti me kryetarët e subjekteve opozitare:

“Ne jemi në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë por ju jeni në një seancë tjetër. Po flisni për një pikë të rendit të ditës që nuk është, duhet të kërkoni shmangie paraprakisht, sepse nuk është në rend të ditës takimi i të martës. Kjo seancë është që ne t’i nxjerrim mësimet tona nga gabimet e juaja. Pra, diskutim mbi ecurinë e deritanishme, prandaj është raporti dhe fjala ime”.

“10 vjet dialog tuajin, ne duhet ta trajtojmë, që t’i nxjerrim mësimet për të ardhmen, ky është kuptimi i pikës së katërt. Po e bëjmë një përmbledhje të diskutimit për gabimet 10 vjeçare sepse ato janë të domosdoshme për të mos u përsëritur”.

“Në javën e ardhshme nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër, nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog që na ka sjellë në këtë situatë, por do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/837020570530831

Kontribo

11 06 2021

Fjala e Kryeministrit Kurti në seancën e thirrur nga Qeveria në lidhje me shqyrtimin e dialogut të mëparshëm.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/816789918963160

Në përgjithësi mund të thuhet që procesi i dialogut deri më tani është shoqëruar me disa veçori që mbase drejtpërdrejtë ose tërthorazi kanë pamundësuar arritjen e objektivave që burojnë nga mandati i rezolutës së asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në vijim dua të përqendrohem në disa prej tyre që besoj se janë më me peshë:

1. Rezoluta e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e datës 9 shtator 2010, kishte marrë si pikënisje dy momente të rëndësishme: kërkesën e saj të tetorit 2008 drejtuar gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë mbi përputhshmërinë e deklaratës së 17 shkurtit 2008 me legjislacionin ndërkombëtar dhe pastaj vetë opinionin e kësaj gjykate që konstatonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të njëjtin legjislacion.

Pastaj kishte mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të ndërmjetësojë mes Serbisë dhe Kosovës, dmth mes dy shteteve sovrane për tema që promovojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Do të thotë që mandati i Bashkimit Evropian kufizohet në këto tema me interes të ndërsjellë e jo për tema të brendshme të Kosovës.

Futja e mëvonshme në agjendë të bisedimeve të temave komplet të brendshme, deri edhe të tilla si për shembull dizejni i urës mbi lumin Ibër janë tejkalime të mandatit që ka buruar nga kjo rezolutë. Kjo bie ndesh edhe me vetë parimet e panegociushme 1, 3 dhe 4, si pjesë e platformës së palës kosovare për dialogun teknik ndërshtetëror të përpiluara në mars 2011 tek të cilat potencohej se statusi i Kosovës është i zgjidhur, se rregullimi i brendshëm është kompetencë sovrane e institucioneve shtetërore dhe që plani i Ahtisarit ishte platforma e të drejtave dhe garancive të komuniteteve. Nga ideja fillestare si e rezolutës së KB ashtu edhe parimeve të panegociueshme të palës kosovare të një procesi për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, procesi gradualisht është reduktuar në dialog mbi pozitën e vetëm një minoriteti në Kosovë si dhe për rregullimin e brendshëm në vend, ndërkohë që të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit nuk ishin përfshirë fare në agjendë.

2. Pozicioni i ndërmjetësit si neutral ndaj statusit, ka rezultuar jo vetëm si i gabueshëm por edhe i dëmshëm. Fillimisht procesi i dialogut i është besuar Bashkimit Evropian nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe në këtë kontekst fare nuk çon peshë se a ka vende në BE që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Duke qenë se BE ka qenë vetëm lehtësues e jo palë direkte, atëherë pozicioni i Bashkimit Evropian është i parëndësishëm, por kur përdoret si pjesë përbërëse e procesit, atëherë neutraliteti shndërrohet në anësim, apo më mirë, neutraliteti ndaj statusit përkthehet si mosnjohje e statusit, duke krijuar pa nevojë pabarazi në tavolinë.

3. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte filluar pa parime të nxjerra në mënyrë eksplicite, sidomos për pritshmëritë nga procesi. Kalimi nga strategjia “hap pas hapi” e Baroneshës Catherine Ashton, tek ideja e dakordimit për tema të mëdha politike, e më vonë edhe te nevoja për të nxjerrë në tavolinë marrëveshjen gjithëpërfshirëse, apo marrëveshjen ligjërisht obligative, në mënyrë implicite nënkuptojnë pranimin e qasjes së gabueshme në fazën paraprake. Madje edhe vetë procesi i “Normalizimit të marrëdhënieve” asnjëherë nuk është përkthyer në përmbajtje që do të duhej të kishte për të përmbushur kushtin e trajtimit si e tillë. Paradoksalisht edhe tani kur SHBA ka dalë publikisht me pritjen nga procesi i dialogut, e përkufizuar si njohje reciproke, mungon vullneti nga ana e Bashkimit Evropian për të dalë me listim eksplicit të elementeve të domosdoshme dhe pritjeve nga marrëveshja e quajtur finale. Arsyetimi që zakonisht haset në këtë kontekst është jo bindës.

Fakti se 5 shtete të BE nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk mund të përdoret si argument, por në fakt thërret për paracaktimin eksplicit të rezultatit përfundimtar. Shumica e vendeve mosnjohëse e kanë kushtëzuar njohjen e Kosovës me progresin në dialog, që mund të interpretohet si vijon: Angazhohuni në dialog për njohje nga Serbia, si parakusht për njohjen nga vendi ynë. Pra, kjo nënkupton se të njëjtat shtete e kanë të qartë se dialogu po zhvillohet për njohje reciproke. Kalimi i dialogut nga çështjet teknike mes dy shteteve në ato politike për çështje të brendshme të Kosovës e deri të ideja e shkëmbimit territorial e ka krijuar idenë se statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur se Kosova ende nuk është tamam e pavarur. Kjo ka ndikuar direkt në ndaljen e njohjeve nga vendet që mund ta bënin këtë sepse si mund të të njoh një vend i cili e sheh se ti vetë je i angazhuar për zgjidhje të statusit e që rrjedhimisht e konsideron vetën jo të pavarur.

4. Procesit të dialogut qartazi i mungon një horizont më preciz kohor, brenda së cilit do duhej të ecej drejt marrëveshjes përfundimtare. Vendosja e kornizave të tilla pastaj është përcaktuese e shpejtësisë në hapat e ndërmjemë. Mungesa e afateve kohore që pastaj është përkthyer në zvarritje, e ka lënduar procesin në mënyrë endogjene, meqë e ka ekspozuar të njëjtin ndaj ndryshimeve politike jashtë sferës së ndikimit të regjionit e nganjëherë edhe të BE-së.

Qëndrimet e tipit, tash është momenti për marrëveshje, tash është hapur një dritare e volitshme për t’u ngutur me procesin; tash është problematike sepse fillon cikli i zgjedhjeve nëpër qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes, e bëjnë vetë procesin shumë të lëndueshëm dhe të paparashikueshëm. Por njëkohësisht krijojnë idenë se Kosovës po i ngutet të zgjidhë statusin e saj? Pse po ngutemi ne e përse duhet të ngutemi? Ne jemi vend i pavarur. Koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi, duke sjellë pranimin për krimet e tyre e ta njohin pavarësinë tonë e jo të ndryshojë realitetin e Kosovës së pavarur. Pra pse të ngutemi? Kur është shpallur pavarësia askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia. Pse kjo varësi e Kosovës së pavarur nga njohja e pavarësisë sonë nga Serbia? Nuk është shpallur pavarësia në mënyrë që varësia e dikurshme nga Serbia të zëvendësohet me varësinë e shtetit tonë nga njohja e Serbisë.

5. Dialogu është dëmtuar në masë edhe nga qasja asimetrike e vetë Bashkimit Evropian në ndërlidhjen e procesit të dialogut me avancimin drejt agjendës së integrimeve evropiane. Përderisa Serbia nuk ka asnjë pengesë në këtë proces dhe mund të vendosë lirshëm për momentin kur dëshiron të fillojë me konstruktivitet në dialog, e që lidhet me avancimin e brendshëm drejt BE, për palën kosovare integrimi diktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fakti se 5 shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj. Asimetria natyrisht se do eliminohej me bindjen e 5 shteteve mosnjohëse që të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Mirëpo presioni i BE-së do duhej të ishte mbi Serbinë nga 22 shtete që njohin Kosovën e jo mbi Kosovën që është në fund të procesit të integrimit e kushtëzohet nga 5 shtete. Pra 22 janë më shumë se 5, kurse kur je më afër anëtarësimit ke kërkesa më të mëdha. Mirëpo, po ndodhë e kundërta.

6. Në raste të caktuara marrëveshjet janë shoqëruar edhe me paragrafë problematikë, joprofesional dhe në raste edhe kundërthënës, edhe me frymën dhe me standardet më të mira të vetë Bashkimit Evropian. Për shembull, në dokumentin e përpiluar me 16 shtator 2014, me titull “Konkluzionet rreth lirisë së lëvizjes dhe licencimit”, në pikën e parë të paragrafit të dytë thuhet që kompanitë që janë themeluar në komunat veriore para 17 janarit të vitit 2013 – që është data e nënshkrimit të marrëveshjes për mbledhjen e të hyrave doganore – nuk kanë fare nevojë të regjistrohen. Është problematike që me marrëveshje apo dakordim ndërkombëtar dhe në ombrellën e BE-së të promovohet apo sanksionohet mirëmbajtja e ekonomisë joformale. htë mirëmbajtur ekonomia joformale me marrëveshje ndërkombëtare.

Te marrëveshja e 25 gushtit 2015 me titull “Konkluzionet e ndërmjetësit të BE-së mbi implementimin e marrëveshjes së vitit 2013 për energjinë”, fillimisht vendoset afat 7 ditësh për regjistrimin e një operatori nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, që është procedurë krejtësisht e parëndësishme, ndërsa për procedurën kryesore të licencimit pranë ZRRE nuk janë paraparë fare afate kohore. Kjo ka kontribuar në shtyrjen shumëvjeçare të implementimit nga ana e Serbisë. Në po të njëjtin dokument, specifikohet edhe emri i kompanisë që do të duhej të licencohet për furnizim me energji në komunat e veriut të Kosovës, edhe pse kjo bie ndesh me secilën rregullativë bazike ligjore të BE-së mbi konkurrencën. I është dhënë emri i kompanisë që fiton.

Te marrëveshja për përfaqësimin regjional të Kosovës, apo si njihet marrëveshja e fusnotës, vërehen tri deficite të mëdha: edhe pse e disenjuar për të rregulluar përfaqësimin regjional të Kosovës, në fjalinë e fundit të paragrafit 10, është përvjedhur edhe teksti që përfshinë fusnotën edhe në marrëveshjet bilaterale me Bashkimin Evropian; ndonëse paragrafi i 11 e cilëson këtë dakordim si të aprovuar me bazë të përkohshme, ajo mbetet në përdorim edhe pas afërsisht 10 viteve; dhe ndonëse arsyeja e vendosjes së fusnotës ishte fakti që 5 shtete të BE dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës apo Kosovën si Republikë, fusnota nuk i është vënë termit Republikë por emrit Kosovë. Fusnota i është vënë emrit Kosovë, jo fjalës Republikë.

Dëmi që është shkaktuar nga Qeveritë paraprake është se 22 shtete të BE-së që e njohin republikën tonë sot detyrohen t’i nënshtrohen vullnetit të 5 shteteve anëtare. Në njëfarë mënyre, sikletin dhe hallin që shumica e shteteve të BE-së e kishin me këto 5 shtete që nuk na njohin, ua hoqëm ne duke pranuar fusnotën për veten tonë. Kështu e hoqëm edhe presionin e brendshëm që mund të ushtrohej ndaj tyre nga shumica e vendeve anëtare. Ne ua kemi vështirësuar 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës që të bëjnë trysni mbi 5 shtetet mosnjohëse.

7. Që në fillim të bisedimeve për çështjet teknike, ishte kristalizuar vullneti për pranimin e ambiguitetit në interpretim si një mundësi për lehtësimin e arritjes së marrëveshjeve. Kjo pastaj ka degjeneruar në interpretim krejt të ndryshëm të së njëjtës marrëveshje në Kosovë dhe në Serbi, në varësi të nevojave dhe interesave të brendshme. Probleme të tilla kemi në një pjesë të madhe të marrëveshjeve të arritura përfshirë këtu edhe marrëveshjen mbi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rast më kurioz kemi të marrëveshja, apo konkluzioni i ndërmjetësit të BE për energjinë të datës 25 gusht 2015, për të cilën znj. Tahiri në dokumentin e saj mbi përfitimet shtetërore të Republikës së Kosovës nga pakoja e marrëveshjeve të 25 gushtit 2015, konstaton sa vijon: “Në këtë marrëveshje, Serbia ka njohur denominimin Republika e Kosovës si dhe ka hequr dorë nga përdorimi i fusnotës në dokument, ku ka vënë nënshkrim edhe kryeministri i Serbisë”. E vërteta është se denominimi Republika e Kosovës, përdoret vetëm në faqen e dytë e cila nuk ka fare nënshkrime, dhe atë në pjesën e dokumentit të quajtur disclaimers, ku krahas vendit ku përmendet denominimi Republika e Kosovës, qëndron edhe kjo fjali: Serbia konsideron se në pajtim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar apo rezolutën 1244, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë.

8. Dialogut i kanë munguar mekanizmat më preciz të monitorimit të implementimit të marrëveshjeve, mekanizmat për identifikimin preciz të palës mosbashkëpunuese, si dhe mekanizmat për sanksionim eventual të të njëjtës.

Kontribo

11 06 2021

Homazhe në nder të aktivistit Arbënor Dehari

Sot, kryeministri Albin Kurti, bashkë me deputetë, ministra e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë homazhe në 7 vjetorin e ndarjes nga jeta të aktivistit, Arbënor Dehari.

Arbënori ka qenë dhe është frymëzim jo vetëm për aktivistët e Lëvizjes tonë, por për të gjithë ata që refuzojnë̈ të nënshtrohen e me vullnet të fuqishëm përfshihen nëpër beteja për më shumë drejtësi e barazi shoqërore.

Abënori ishte shembull i aktivistit punëtor e modest. Ai bënte bashkë teorinë dhe praktikën, kishte thellësi politike e prirje të madhe organizative.

Kontribo

03 06 2021

Dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit

“Gjendja në arsim është larg rezultateve që të gjithë i synojmë dhe i dëshirojmë. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, dhe nuk janë këtu dy apo tri gjenerata të humbura por janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në përgjithësi. Këto ndërhyrje kanë bërë që përkundër përkushtimit të jashtëzakonshëm të shumë mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla që e kryejnë punën e tyre me përgjegjësi rezultatet të mos jenë ato që i dëshirojmë e të cilat i dimë të gjithë, andaj kjo është prioritet i qeverisë tonë. Unë ju lus të gjithëve që të reflektoni për të gjithë ndikimet që keni pasur në të kaluarën dhe të ndihmoni që me një kritikë konstruktive dhe një bashkëpunim të angazhohemi për të përmirësuar këto rezultate dhe të punojmë bashkë për të arritur këto që po deklaroheni se i dëshironi.”

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/519240985885395

Kontribo

03 06 2021

Gjendja e arsimit në Kosovë gjatë pandemisë

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/832900227609407

Gjendja e arsimit gjatë pandemisë në Kosovë reflekton sfida dhe vështirësi të përbashkëta për tërë globin, ndërsa ndan një fat edhe më të përbashkët me vendet e Ballkanit. Ajo çka e dallon Kosovën është se arsimi në pandemi reflekton edhe një trashëgimi të degradimit sistematik për dy dekada.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore 19% e nxënësve në botë janë prekur nga afektet pandemike dhe rreth 1.6 miliardë nxënës janë lënë jashtë shkollës. Humbjet në procesin e nxënies do të jenë të pa shmangshme dhe të konsiderueshme.

—-

Qeveria Kurti duhet ta orientojë angazhimin e saj në disa plane:

Duhet mbështetja psikologjike e nxënësve dhe studentëve, sidomos atyre që janë të ndjeshëm ndaj gjendjeve depresive.

Në çështjet edukativo-arsimore kërkohet angazhim në kompensimin e mësimit për nxënësit të cilët ne mungesë të infrastrukturës teknologjike ose arsyeve të tjera kanë humbur orë mësimore.

Të shqyrtohen modalitetet përkatëse për lehtësimin ose mundësimin e kalimit të nxënësve në ciklet vijuese të shkollimit.

Duhet orientuar në investimet të cilat janë të qëndrueshme, në staza afatgjata dhe që lidhen me përshtatjen e proceseve mësimore me inovacionet teknologjike.

Të hartojë një kurrikulë të veçantë të kompetencës digjitale për mësuesit.

Qeveria do të duhet të fillonte përgatitjet për rikthim të procesit mësimor në hapësirat shkollore.

Duhet që të përkushtohet në zgjidhjen e problemeve reale, prej të cilave lëngon rëndë sistemi arsimor në Kosovë. Të angazhohet për departizimin e sistemit arsimor dhe instalimin e meritokracisë.

Kërkohet futja me prioritet e mësimdhënësve në programin për vaksinim përbrenda kufizimeve ekzistuese të sasisë së vaksinave, duke iu dhënë prioritet atyre që janë më në moshë dhe që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Kontribo

02 06 2021

Kryeministri Albin Kurti, takoi presidenten e Republikës, znj. Vjosa Osmani për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve.

Sot kryeministri Albin Kurti, si kryetar i subjektit më të madh, Lëvizjes VETËVENDOSJE! takoi presidenten e Republikës, znj. Vjosa Osmani për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve.

Qytetarët dhe vendi ynë presin një ndryshim të madh në nivelin lokal, ashtu si edhe në nivelin qendror. Fitorja mbi 50% e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet lokale në Podujevë paralajmëroi fitoren dhe mandatin e fuqishëm tonë në zgjedhjet qendrore të mbajtura me 14 shkurt. E pikërisht fitorja mbi 50% në këto zgjedhjet e fundit qendrore paralajmëron mandatet e fuqishme që do t’i marrim nëpër shumicën e komunave të Kosovës. Po shkojmë drejt fitores për shkak se ndryshimi që ka filluar do e marrë formën e tij të plotë, për shkak se zhvillimi i gjithmbarshëm që ka filluar po e kërkon zhvillimin e secilës pjesë. Në këtë kuptim, qëndrimi që kryetari ynë, z. Kurti, paraqiti në presidencë ishte që data për zgjedhjet lokale të caktohet sa më shpejt e ato të mbahen sa më parë.

Kontribo

27 05 2021

Fjala e Kryeministrit Kurti në lidhje me shuarjen e AKP-së

“Gjërat e mira mund të vijnë edhe ngadalë, por gjërat e këqija duhet të ndalen shpejt. Vetëm ata që kanë interes për gjërat e këqija thonë ndalini ngadalë”.

“AKP-ja duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet fondi Sovran. Nuk mundemi edhe Agjension të Privatizimit edhe Fond Sovran. Në zgjedhje ka fituar Fondi Sovran, në zgjedhje ka fituar Banka zhvillimore, prandaj ne duhet ta shuajmë AKP-në. E për ta shuar AKP-në duhet ta shkarkojmë Bordin e AKP-së”.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/953906642051413

Kontribo

27 05 2021

Kryeministri Kurti: Reciprociteti me Serbinë

Qysh në dhjetor të vitit 2011 e patëm miratuar në Kuvend rezolutën për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, dhe ajo rezolutë u hodh poshtë me një rezolutë tjetër nga Qeveria dhe mazhoranca e atëhershme kundër reciprocitetit. Dihen njerëzit me emër e mbiemër që në këtë Kuvend kanë votuar kundër reciprocitetit.

Se ne jemi për reciprocitet ajo nuk do mend, por ajo çka ne do të bëjmë tash është ta zbatojmë atë dhe e gjithë përpjekja jonë është se si ta mundësojmë zbatimin e plotë. Serbia bën përgjithësisht barriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës, por ka gjithashtu edhe barriera sistemike. Për ta zbatuar reciprocitetin për të cilin ne jemi zotuar kemi nevojë që t’iu bëjmë ballë suksseshëm edhe barrierave sporadike edhe atyre sistemike. Kjo nënkupton që neve na duhet kohë për t’u përgatitur që ta zbatojmë të plotë reciprocitetin.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/538913034159935

Kontribo

27 05 2021

Fjala e Kryeministrit Kurti në lidhje me shkarkimin e bordit të AKP-së dhe ARKEP-it

Fjala e Kryeministrit Kurti në seancën e sotme në lidhje me shkarkimin e bordit të AKP-së, ARKEP-it dhe sqarimi në lidhje me çështjen e reciprocitetit me Serbinë.

“Kemi thënë se AKP duhet të shuhet dhe do të shuhet. Por që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet bordi sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk do t’i lejojmë të vjedhin më. Kanë vjedhur me paga e kanë vjedhur me privatizime. Janë paguar për të vjedhur”.

“Edhe bordi i ri i ARKEP-it do ta ketë mision të ri jo shërbimin ndaj operatorëve privat të oborrit qeveritar si në të kaluarën, por interesin e Republikës për diçka që nuk është vetëm treg i yni, por njëkohësisht është edhe çështje e sigurisë nacionale”.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/478021766783394

Kontribo

25 05 2021

Konferencë për media: Të shkarkohet Bordi i AKP-së

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që i ka shkaktuar aq shumë dëme ekonomisë tonë, punëtorëve, dhe gjithë shoqërisë përmes proceseve të njëpasnjëshme të privatizimit po mbyllet. Asetet e kësaj agjencie, ashtu siç është paraparë me programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të kalojnë në Fondin Sovran. Sot, në komisionin për Ekonomi është miratuar rekomandimi ynë që në seancën e ardhshme plenare të shkarkohet Bordi i AKP-së dhe të zgjedhet Bordi i ri që për detyrë ka bartjen e aseteve nga AKP në Fondin Sovran. Kështu programi ynë i zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik po ecë drejt realizimit.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/3308420532717516

Kontribo

25 05 2021

Takim me Deputetin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z. Cédric Wermuth

Deputetin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, njëherazi Bashkë-Presidentin e Partisë Socialdemokrate zvicerane, z. Cédric Wermuth, e mirëpritëm sot në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në këtë takim miqësorë, ku prezentë nga ana jonë ishin anëtarët e kryesisë, Arbër Zaimi dhe deputetja Tinka Kurti, përfaqësuesi ynë në KQZ, njëherit njohësi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Zvicër, Sami Kurteshi dhe Koordinatorja e Sekretariateve në Lëvizje, Albana Gashi, u fol për zgjedhjet e fundit, mandatin e fuqishëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, barazinë sociale e gjinore, diasporën, si dhe prioritetet tjera të qeverisjes tonë.

Z. Wermuth na uroi për fitoren në zgjedhje dhe për fushatën e mirë zgjedhore që arriti t’i adresojë me sukses kërkesat e votuesve në vend duke ia siguruar kështu një mandat kaq të fuqishëm Lëvizjes VETËVENDOSJE! Me theks te përgjegjësia e rëndësishme që kemi marrë për ta qeverisur vendin, ai tha se realizimi i programit të Lëvizjes që brenda vetes përmban çështje progresiste si barazinë sociale e gjinore, punësimin e drejtësinë, e ndër të tjera edhe aktivizimin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik e shoqërorë në vend, i përgjigjet më së miri votës plebishitare të 14 shkurtit.

Në fund, duke e falënderuar për urimin, vizitën dhe interesimin e shprehur për qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, me z. Wermuth ndamë bindjen e njëjtë që me qeverisjen e re në Kosovë vetëm sa do të shtohet dhe thellohet bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve tona.

Kontribo

20 05 2021

Armend Muja mbi humbjet financiare

Deputeti Armend Muja në emër të Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, foli për shpenzimet, humbjet, rrjedhjet, e faljet financiare, dhe sugjeroi tri hapa që duhen ndërmarrë:

1) Një auditim i veçantë i të gjitha shpenzimeve që janë bërë në emër të Fondit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

2) Reforma strukturore në politikë fiskale, nuk ka më lirime dhe kllapa të lirimit tatimorë për grupe të interesit dhe nuk duhet të ketë më falje të borxheve.

3) Duhet të formalizohet ekonomia.

Në kategorinë e shpenzimeve ne kërkojmë që të studiohet, të bëhet një diagnozë e plotë e sistemit dhe shpenzimeve e transfereve sociale, në mënyrë që të përfitojnë kategoritë që vërtetë kanë nevojë. Pra, të varfrit, fëmijët, gratë dhe të incentivizohet pjesëmarrja në tregun e punës.

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/488218805767203

Kontribo

20 05 2021

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në interpelancën e datës 20 maj, 2021

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/889503351604582

Qeveria e kaluar pasi ka kuptuar që po shkojmë në zgjedhje ka vendosur që për muajin janar, shkurt, mars të ketë shtesat për pensionistë, pranuesit e asistencës sociale, mjekët dhe policët.

Në muajin prill ka përfunduar ai vendim, nuk ka pasur më shtesa.

Çfarë ka bërë Qeveria Kurti II në tridhjetëditëshin e parë është që t’i vendosë prapë shtesat për këto kategori.

Shtesat për pensionistë në vlerë prej 6 milionë euro nga të cilat përfitojnë 165 mijë pranues.

Shtesa për përfituesit e asistencës sociale në vlerë 2.5 milionë euro nga të cilat përfitojnë rreth 26 mijë pranues.

Shtesat për mjekë në vlerë 2 milionë euro për 6 mijë 883 pranues.

Shtesa për infermierë në vlerë 1.3 milionë euro për 4 mijë e 258 pranues.

Shtesa për stafin mbështetës shëndetësorë në vlerë 532 mijë euro për 2 mijë e 661 pranues.

Shtesat për policinë në vlerë 1.1 milionë euro për 5 mijë e 333 pranues.

Pra, shtesat kanë qenë prej vendimeve të para të Qeverisë Kurti II, kurse kërkesa që shtrohet në këtë interpelancë nuk ka të bëjë asgjë me realitetin.

Sa i përket gjendjes me sistemin pensional në vend, theksojmë se gjendja nuk është e mirë. Mirëpo për të lëvizur tutje duhet të punojmë dhe kjo merr kohë. Nuk mund të bëhet diçka e tillë që në start në këtë situatë pandemie për shkak se kemi të bëjmë me shuma dhe ngarkesa të mëdha buxhetore.

Vetëm sa për krahasim, mund të jemi shteti i vetëm në botë ku proporcionin të punësuar në tregun e punës karshi personave që marrin pensione apo transfere të tjera sociale e kemi 1 me 1. Proporcioni ideal do të ishte 3 me 1, pra 3 të punësuar paguajnë tatim për ta mirëmbajtë 1 pensioner, në Kosovë e kemi 1 me 1. Pra, kemi rreth 300 mijë të punësuar dhe i kemi rreth 300 mijë përfitues të skemave pensionale dhe sociale.

Kostoja aktuale për këto skema, në kushte të rregullta, është rreth 500 milionë euro. Kostoja që po kërkohet të shtohet, nëse aplikohet gjatë tërë vitit, është 94 milionë euro.

Ne kur po themi që do të bëjmë politika të reja për 4 vitet e ardhshme mandat po na thuhet s’ keni për t’ia dalë pasi nuk keni se ku t’i merrni paratë, kurse ju vet tani po kërkoni që në muajin e parë qeveria t’i gjejë 94 milionë euro për një politikë e cila ka qenë fushatë zgjedhore. Sepse nëse kthehemi pas, shtesa ka pasur për prill, maj, qershor 2020, dhe prej korrikut deri në dhjetor 2020 nuk ka pasur shtesa. Qeveria e kaluar vendimin e ka marrë tek në janar pasi është ditë që po shkojmë në zgjedhje.

– Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në interpelancën e datës 20 maj, 2021

Kontribo

20 05 2021

Tinka Kurti: Institucionet të mos heshtin karshi dhunës dhe abuzimit ndaj grave

“I drejtohem Policisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve indiferentë: gratë po vriten dhe përdhunohen, nuk ka gjumë të rehatshëm me këtë gjendje, shpërfillja është bashkëfajësi. Ky vend u përket grave, Kosova është e grave, Kosova është e grave dhe burrave, andaj në vend se grave t’iu dridhet zëri kur ato denoncojnë krimet, janë kriminelët e abuzuesit që duhet të dridhen.” – deputetja Tinka Kurti në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/4191476510914130

Kontribo

18 05 2021

Fjala e u.d. të Shefes së GP të LV, Mimoza Kusari-Lila

“Të gjithë ju që keni votuar ndryshimin dhe të gjithë bashkë që po e presim atë. Rritja dhe ndryshimi gjithmonë përcillen me dhimbje por nuk ka asgjë më të dhimbshme sesa qëndrimi në një situatë të pandryshuar ku nuk e kemi vendin. Nuk e kishim vendin aty ku ishim, prandaj secila storje e suksesit është e përcjellë me aktivitete të adaptimit të vazhdueshëm, rishikimit të aksioneve aktuale dhe ndryshimit të tyre. Ajo çfarë po kalojmë së bashku janë dhimbjet e ndryshimit deri te destinimi final ku e meritojmë të gjithë të jemi si shtet dhe si popull.” – nga fjala e Mimoza Kusari-Lila, u.d. e Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në seancë ku u prezantua programi qeverisës (2021-2025)

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/477193280180072

Kontribo