13 01 2020

Homazhe për Rexhep Malën e Nuhi Berishën

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Kurti bën homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan me rastin e përvjetorit të vrasjes së dy dëshmorëve të kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha si dhe vizituan kazermën e FSK-së që mban emrin e këtyre dy heronjve.

Po ashtu, Kyetari Kurti së bashku me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë e aktivistë të Qendrës sonë në Gjilan bën vizitë edhe te familjet Mala e Berisha.

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të kombit

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 01 2020

Mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim.

Pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t’ia drejtojë Dekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

8 janar 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 01 2020

Të lirohet Nezir Mehmetaj, të ndalet përndjekja e qytetarëve të Kosovës!

Lëvizja VETËVENDOSJE! po e përcjell me shqetësim arrestimin e Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, në kufirin Serbi-Kosovë kur Neziri po kthehej në vendin e vet. Nezir Mehmetaj kishte qenë në Serbi për të shoqëruar nënën e tij në spital në Nish, e veç kur po kthehej bashkë me nënën, e arrestuan.

Nezir Mehmetaj jeton e punon prej shumë vitesh në Zvicër, e është qytetar i Kosovës.

Arrestimi i Nezir Mehmetajt tregon se Serbia vazhdon qëndrimin agresiv ndaj Kosovës, sa herë që ka mundësi. E kjo sjellje duhet të na bëjë të reflektojmë për dy gabime tonat, së pari që përmes pjesëmarrjes në marrëdhënie joreciproke e josimetrike me Serbinë, ne si Kosovë kemi kontribuar në normalizimin e imazhit të një vendi anormal, e së dyti, për gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë në vendin tonë, ku edhe 20 vite pas lufte njerëzit detyrohen të shkojnë për vizita të specializuara në Beograd e Nish, duke marrë përsipër rreziqet e një vendi që zyrtarisht i diskriminon shqiptarët e Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje institucioneve të Kosovës të angazhohen maksimalisht për lirimin e Nezir Mehmetajt. Ne solidarizohemi plotësisht me shqetësimin dhe tronditjen e familjarëve të tij, nga kjo sjellje hakmarrëse nga ana e shtetit që dikur na mbante të pushtuar e që na përndoqi me metoda gjenocidale. Qeveria e re duhet krijuar sa më shpejt edhe për ta ndryshuar këtë raport asimetrik dhe këtë pasivitet diplomatik, që po i lë qytetarët tanë nën kërcënim të vazhdueshëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 01 2020

Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme.

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin lirues për rastin më flagrant e më të mediatizuar kriminal e korruptiv në Kosovën e pasluftës, të njohur si ”Afera Pronto”. Ky rast përfshinte elementë të rëndësishëm të partive në pushtet, si dhe zyrtarë me pozita të larta në ekzekutiv, ndërmarrje publike, e prokurori. Vendimi i sotëm është skandaloz. Dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian.

Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme. Për më keq dhe si për ironi arsyetimi i Gjykatës ishte se nuk kishte prova të mjaftueshme çka çoi në lirimin e protagonistëve të “Aferës Pronto”, mirëpo vetëm bisedat telefonike të publikuara, emrat e atyre që flasin, dhe temat e bisedave, janë dëshmi të pakontestueshme e prova të qarta se krimi e klientela po qeveris, dhe janë aty përbrenda institucioneve të drejtësisë.

Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pashqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmja.

Raste të tilla shumë të rënda për vendin dhe shoqërinë po tregojnë ngutjen e kapësve të shtetit për t’i mbyllur çështjet me gjykatat para se të krijohen institucionet e reja. Por njëkohësisht këto raste gjykime skandaloze bëjnë edhe më e ngutshme konstituimin e qeverisë në mënyrë që shteti i së drejtës të fillojë së funksionuari dhe gjyqësori të çkapet, e jo të mbetët vetëm legjitimues i kriminelëve të cilët po vazhdon t’i certifikojë me vulën e pafajësisë si njerëzit më të ndershëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 01 2020

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! urojnë një mbrëmje të gëzuar të ndërrimit të viteve për këdo që e lexon këtë mesazh.

Viti që po shkon pati gëzimet e trishtimet e veta. E përjetuam të gjithë dhimbjen për viktimat e tërmetit në Shqipëri, e menjëherë u organizuam për të ndihmuar me çka patëm mundësi. Rreth 400 tonë ndihma janë dërguar në vendet e prekura nga tërmeti dhe në kampet e strehimit. Shumë prej të pastrehëve i ndihmuam të strehohen në shtëpitë tona e ato të qytetarëve vullnetmirë. Për t’u përmendur është dhe Komuna e Prizrenit, e cila nën drejtimin e aktivistit Mytaher Haskuka, së bashku me shumë aktivistë të tjerë, vuri në dispozicion një kamp me kushte optimale për strehimin e qindra të prekurve nga tërmeti.

E momenti më sfidues i vitit, për ne si aktivistë, ishin zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit dhe fushata që u parapriu. Një fushatë e karakterizuar nga kontributi i madh vullnetar dhe aktivizmi, një fushatë me të cilën e çuam mesazhin dhe programin tonë në secilën lagje e fshat, duke fituar përkundër parashikimeve të sondazheve, shpenzimeve të milionave, cinizmit e sulmeve të porositura mediale, dhe blerjes së votave e influencës korruptive të forcave të vjetra. Ishte puna e të gjithëve ne, bashkuar me nevojën urgjente të popullit për ndryshim, që e prodhoi rezultatin e shkëlqyer të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi me mbi 15.000 vota diferencë nga subjekti i dytë, duke i dhënë njeriut më të votuar në Kosovë, aktivistit Albin Kurti, mandatin për të krijuar qeverinë e ndryshimit e të zhvillimit.

Në vitin e ardhshëm zotohemi se modestia dhe puna pa mburrje e pa zhurmë do të jetë synimi ynë, kudo e sido që të ketë nevojë Lëvizja, shoqëria e kombi ynë.

Urojmë që ky vit t’u sjellë shëndet të sëmurëve, mirëqenie atyre që janë në situatë të vështirë ekonomike, afërsi atyre që kanë pritur me mall të shohin të dashurit e tyre që janë në mërgim, si dhe drejtësi, punë, dashuri e gëzim për të gjithë njerëzit.

Gëzuar Vitin e Ri 2020

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 01 2020

LAJMËT E FUNDIT

08 01 2020

LAJMËT E FUNDIT

30 12 2019

Mbledhja e XXXIX e Këshillit të Përgjithshëm

Sot zhvilloi punimet Mbledhja XXXIX e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Siç është tradita, kryesuesi i Këshillit, Hydajet Hyseni ftoi që të mbajë fjalën hapëse kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti. Ai shpjegoi se si viti që po mbyllet ka qenë vit i humbur, nga këndvështrimi i interesave shtetërorë të Kosovës. Një qeverisje e paaftë dhe e kapur, ka shënuar dobësim e regres si në politikën e jashtme ashtu edhe në sferat e brendshme të zhvillimit ekonomik, drejtësisë, arsimit e shëndetësisë.

Por nga aspekti i perspektivës, viti i shkuar ishte i rëndësishëm, sepse edhe një herë Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi rritje elektorale, duke dalë sërish e para e duke fituar të drejtën për të themeluar qeverinë. Albin Kurti theksoi edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin e Lëvizjes për ta përmbushur mandatin që votuesit na e dhanë, duke parë si partner të vetëm për koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm përshëndeti dy aktivistët, Glauk Konjufcën dhe Arbërie Nagavcin, të cilët u zgjodhën nga Kuvendi i Kosovës si kryetari e nënkryetarja e organit më të lartë të Republikës. Më pas vijuan diskutimet e debatet mbi situatën politike, sfidat e brendshme e ato rajonale, si dhe u shtjelluan nevoja për përforcime strukturore të Lëvizjes, për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave, të rinjve e mërgatës

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 12 2019

Gjuha e krimit nuk ka vend në politikë

Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë.

Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.

Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës.

Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti.

I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit.

Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 12 2019

Ndeja e fundvitit me gazetarë

Mbrëmë, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një koktej me gazetarë, redaktorë e përfaqësues mediash.

Së bashku me Sekretariatin për Media dhe Komunikimin ishin edhe Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, Kryetari dhe Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Arbërie Ngavaci e deputetë e zyrtarë të tjerë nga Lëvizja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar shumë aktivitete, shumë konferenca, shumë paraqitje televizive e intervista të shkruara nëpër mediat tona dhe ato të huaja. Një pjesë të mesazhit e kemi përçuar tek qytetarët përmes tyre dhe jemi informuar nga to jashtëzakonisht shumë.

Duke iu uruar edhe një vit të mbarë, me shumë punë dhe duke u angazhuar së bashku në fuqizimin e fjalës së lirë, urojmë vitin 2020 me sa më shumë lajme të mira.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 12 2019

LAJMËT E FUNDIT

30 12 2019

Një kryesi ndryshe nga të shkuarat

Në kohën rekord prej 60 minutash, qysh në mbledhjen e parë të deputetëve të rinj, u konstituua Kuvendi i Republikës së Kosovës, për legjislaturën e shtatë. Pa vonesa e pa lojëra.

Seanca u hap nën drejtimin e deputetit më të moshuar të Kuvendit, Jahja Kokës, me ndihmën e deputetes më të re në moshë, Fjolla Ujkanit. Të dy nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Përfaqësimi i të gjitha moshave, gjinive, profesioneve e prejardhjeve, së bashku në Lëvizjen VETËVENDOSJE! gjeti simbolikë shembullore te Jahja Koka e Fjolla Ujkani. Nën drejtimin e prof. Koka u vijua sipas procedurave me betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryesisë.

Betimi i deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si përherë u bë para ligjit e popullit të Kosovës, si edhe para flamurit tonë kombëtar, i cili gjithnjë na prin kah e mbara.

Pas betimit, subjekti fitues, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kryetarit të saj Albin Kurtit, propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, Glauk Konjufcën. Kjo pozitë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i takon subjektit fitues. Dhe Glauk Konjufca, nga Lëvizja VETËVENDOSJE! u votua me 75 vota në krye të Kuvendit të Republikës. Me këtë rast Lëvizja dëshiron t’i urojë anëtarët e simpatizantët e saj, por edhe popullin e Kosovës. Në krye të legjislativit tashmë qëndron një njeri i ditur, i pakorruptuar, me integritet të lartë moral e kombëtar.

Më pas u propozuan nga grupet parlamentare edhe nënkryetarët e Kuvendit, ku nga radhët e Lëvizjes kryetari Kurti propozoi deputeten Arbërie Nagavcin. Edhe ky propozim u votua.

I urojmë aktivistët Glauk Konjufca e Arbërie Nagavci për pozitën e re, ku jemi të sigurt se do të na përfaqësojnë ndershëm e mirë, me kulturë e zbatim të ligjit, duke respektuar qytetarët, mediat, opozitën dhe gjithë deputetët, ndryshe nga ç’ka ndodhur më parë.

Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona, erdhëm në këtë seancë pa koalicion. Ne kemi kërkuar marrëveshje të drejtë e shpërndarje proporcionale të përgjegjësive, por pala tjetër po këmbëngul që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë. Të dyja këto mundësi janë zhgënjyese. Shumë më lehtë e shpejt janë lidhur në të shkuarën marrëveshje që i kanë sjellë dëm Kosovës, por e paskan shumë të vështirë të lidhin marrëveshje me subjektin e vetëm të pakorruptuar, që ka vullnet e plan të luftojë varfërinë e korrupsionin.

Situata po ndryshon, me kalimin e kohës dhe afateve kushtetuese, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht do të kërkojë bashkëpunim në të mirë të Kosovës.

Urime edhe një herë deputetëve për fillimin e Legjislaturës VII. Qoftë kjo legjislatura që e prodhon ndryshimin, sepse qytetarët kanë votuar për ndryshim rrënjësor, s’kanë kohë për të humbur e durim për të pritur.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 12 2019

Për shumë mote gëzuar

Të dashur aktivistë, anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes të besimit të krishterë, sot Lëvizja feston me ju. Ua urojmë festën gjithë bashkëkombasve tanë të këtij besimi, kudo që ata punojnë e jetojnë. Por ua urojmë edhe gjithë miqve të shqiptarëve e njerëzve të mirë të këtij besimi kudo në botë. Secila festë fetare përveç mesazhit të saj specifik, te ne shqiptarët zbukurohet edhe nga zakoni ynë, për ta ndarë gëzimin me njëri-tjetrin, pavarësisht fesë së cilës i takojmë. Ashtu siç ndajmë gëzimet, i ndajmë edhe vështirësitë e hidhërimet. Shembulli i fundit ishte tërmeti shkatërrues në Durrës e rrethina, ku shqiptarët treguan edhe një herë dashurinë e tyre për njëri-tjetrin, me vepra e jo veç me fjalë. Së bashku në festa gëzimi është më i madh, së bashku kundër pengesave, ato kalohen më lehtë. Prandaj le të kujdesemi për bashkësitë ku jemi pjesë, për kombin e shtetin, shoqërinë e familjen, qytetin, fshatin e lagjen. Urime të gjithëve, lumturi e gëzime na sjelltë kjo festë.

Gëzuar Krishtlindjen nga Lëvizja VETËVENDOS

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 12 2019

Padi për vendimin e zyrës së Rregullatorit për tarifat nxitëse

Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan në Gjykatën themelore padi ndaj vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike, me ç’rast kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Komiteti për Energjitikë, Grupi parlamentar, kanë reaguar e sqaruar disa herë lidhur me dëmet që janë duke u bërë interesit publik nga këto skema.

Kujt po i jipen favore dhe liçenca për burimet e ripërtëritshme të energjisë? https://www.vetevendosje.org/kujt-po-i-jipen-favore-dhe-licenca-per-burimet-e-riperteritshme-te-energjise/

Më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në rajonin e Durrësit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi në mënyrë të paparalajmëruar, gati klandestine, si pikë të rendit të ditës, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Ky vendim nuk përmban arsyetim.

Të njëjtin vendim e pati marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MW dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar.

Këto skema të tarifave nxitëse i kanë tre detyrime për shtetin dhe qytetarët, energjinë elektrike të prodhuar duhet t’u blihet 100%, kohëzgjatja 12 vjeçare e këtyre pagesave, me çmimin prej 85.5 euro për MWh. Energjia elektrike e prodhuar nga KEK kushton rreth 28 euro për MWh, dhe mesatarja e çmimit të energjisë në Kosovë shkon rreth 36 euro për MWh përfshirë importin dhe të gjithë burimet e ripërtëritshme. Kjo shtesë që buron nga këto skema nxitëse për­fun­dimisht paguhet nga faturat e energjisë elektrikë të kon­suma­to­rëve. Pra nga të gjithë ne.

Kosova e ka shlyer detyrimin për kuotën e 25% për të gjitha burimet e ripërtëritshme, të vendosur nga Traktati për Energjinë më 2006. Nuk ka aktualisht asnjë ligj që e lejon cilëndo institucion të vjelë nga faturat e qytetarëve para të tjera për t’ia dhënë cilësdo kompanie private, pavarësisht a është për panele fotovoltaike, e me erë apo minihidrocentrale.

Kushtetuta mbron barazinë para ligjit, pronën, konku­rre­ncën dhe kon­su­matorin.

Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara de­ty­rojnë Ko­so­vën të zba­tojnë legjislacionin e BE-së për energjinë, kon­kurrencën dhe ndihmën shte­të­rore. Normat e BE-së parashohin që përfituesit e ndih­mës për ener­gjinë të për­zgjedhen me metoda të tregut të lirë (an­kand ose ofer­time kon­ku­rrue­se) dhe që ndihma të më­nja­nohet nga viti 2020.

Vendimi i marrë nga ZRRE me 27 nëntor duke caktuar tarifa nxitëse nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkik.

24 dhjetor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 12 2019

Takim me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, anëtarët e kryesisë Arbërie Nagavci e Xhelal Sveçla dhe anëtarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes nga IRDK Elbert Krasniqin, priti në takim përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës, z. Rasim Demir nga Koalicioni Vakat, znj. Emilija Rexhepi nga NDS, znj. Duda Balje, z. Fikrim Damka dhe znj. Fidan Zholta nga KDTP, z. Veton Berisha nga PLE, z. Albert Kinolli nga PREBK, z. Etem Arifi nga PAI dhe z. Adem Hoxha nga JGP.

Në këtë takim, të parin e këtij lloji me këtë përbërje, Kryetari Kurti i njoftoi deputetët e ardhshëm nga komunitetet joshumicë mbi bisedimet e deritashme për arritjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, posaçërisht për zotimin për komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës.

Kryeministri në ardhje i siguroi përfaqësuesit e këtyre komuniteteve për vullnetin e qeverisë së tij, që, në plotni t’i përmbushë pritjet e qytetarëve të vendit tonë për ndryshimin aq shumë të nevojshëm drejt shtetndërtimit e sundimit të ligjit, zhvillimit e krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë dhe pa bërë dallime. Deri te kjo, ai tha se arrihet vetëm duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar hapat dhe në atë drejtim jemi.

Me këtë rast, Kryetari Kurti mori mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve për tejkalimin e problemeve me të cilat qytetarët por edhe komunitetet ballafaqohen, si dhe për realizimin e projekteve të cilat do të përmirësonin cilësinë e jetesës për gjithë qytetarët e Republikës e në veçanti të atyre që kanë më së shumti nevojë.

Pjesëmarrësit u dakorduan që takimet të vazhdohen dhe të shpeshtohen me qëllim të përmbylljes së punëve drejt qeverisë së re dhe përgatitjes për punët e mëdha e të mira të qeverisë sonë të përbashkët.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 12 2019

DIALOGU SHOQËROR “Bashkë me gratë për zhvillimin”

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti të premtën një tryezë me titullin DIALOGU SHOQËROR “Bashkë me gratë për zhvillimin”, ku folës kryesor për të bashkëbiseduar me gratë aktiviste dhe përfaqësuese të organizatave dhe institucioneve vendore mbi situatën e përgjithshme të grave në Kosovë ishte kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryeministri i ardhshëm Albin Kurti.

Tryezën e hapi aktivistja, udhëheqësja e Sekretariatit për Gruan Aktiviste në VETËVENDOSJE!, Nazlie Balaj, e cila theksoi rëndësinë e dialogut shoqëror për çështjen e grave në Kosovë duke shprehur njëherit bindjen se gjendja e grave në Republikën e Kosovës lë për të dëshiruar, por edhe hapësira për veprim dhe ndërtim të politikave që përmirësojnë pozitën dhe situatën e tyre në shoqëri.

Kryetari, Albin Kurti, në fjalën e tij përmendi të arriturat dhe tha se me qeverinë e re nuk do ketë më pengesa drejt synimit të barazisë dhe shtrimit të kërkesave për atë që na duhet.

Ai theksoi se pas 6 tetorit është garantuar pjesëmarrja e grave në qeveri e në pozita të larta me 30%, do të ketë ministre dhe zëvendësministre, por edhe punë që ky standard të përmirësohet në drejtim të 50%, ashtu siç edhe është shoqëria jonë. Deri te kjo, sipas tij, arrihet përmes politikave emancipuese nga lart që garantojnë ndryshimin poshtë dhe përmes organizimit dhe aktiviteteve nga poshtë për të jehuar sa më lartë e më gjerë.

“Duhet vepruar në secilin aspekt, nga arsimi i lehtësuar e pa pagesë te punësimi pa diskriminim, nga realizimi i të drejtës për trashëgimi e në pronë deri te lehtësimet në shërbimet shëndetësore publike”, tha Kurti i cili theksoi se në shtetin e ri zhvillimor nuk mund të ketë as drejtësi e as zhvillim pa barazi gjinore.

“Nëse ka pasur në të kaluarën pushtete që i kanë penguar organizimet dhe aktivitetet e atyre që janë të dominuar, në këtë rast gratë në përgjithësi e posaçërisht disa shtresa ose kategori të tyre, tash do të ngjajë e kundërta. Tek unë do ta keni njeriun i cili interesohet që t’iu ndihmoj të organizoheni sa më shumë. Sa më shumë solidaritet gjinor, sepse në burra mund të llogarisni, por jo edhe tepër. Gruaja duhet ta ndihmojë gruan. Duhet të ketë aktivitete dhe organizime në të cilat solidariteti gjinor është vepër. Unë besoj që edhe me kuotat që duhet të jenë aty, edhe me ligjet që janë e që do t’i bëjmë edhe më të mira, e fitojmë substancën e domosdoshme. Pra, organizim dhe aktivitete, solidaritet gjinor, e për këtë qëllim natyrisht që unë kam disa ide por me siguri ju keni edhe më shumë që t’i realizojmë bashkë në mandatin tonë”. potencoi ai.

Gratë pjesëmarrëse në këtë tryezë, aktiviste dhe përfaqësuese, prezantuan shqetësimet e tyre rreth situatës së grave në vend të cilat kalojnë nga papunësia e grave deri te shpërfillja e institucioneve të drejtësisë ndaj tyre, nga amvisëria që nuk njihet deri te gratë të cilave veçanërisht në vendet rurale nuk iu ofrohen shërbimet adekuate shëndetësore, nga gratë që përjetojnë dhunën sistematike deri te ato rrezikohen të mbesin jashtë strehimoreve për shkak të mungesës së fondeve publike.

Të pandashme janë vuajtjet dhe dhimbjet tona për këto çështje, andaj edhe bashkëveprimi duhet të jetë i bashkërenduar si në fuqizimin dhe kundërshtimin e pabarazisë ashtu edhe në solidaritet, ishte qëndrimi i përbashkët i shumë folësve të kësaj tryeze.

Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet do t’i luftojmë së bashku dhe bashkarisht do të fitojmë, tha për fund kryeministri i ardhshëm Albin Kurti, i cili u zotua se tek ai dhe qeveria e re, gratë do ta gjejnë mbështetjen për organizim, aktivitet dhe fuqizim në të ardhmen.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 12 2019

Takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen dhe avancimin e interesave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë

Sot, në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e kryesisë Xhelal Sveçla dhe Sami Kurteshi, pritën në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen dhe avancimin e interesave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, z. Isak Skenderi dhe znj. Vesa Batalli nga “VoRAE”, znj. Shpresa Agushi nga “RROGRAEK”, znj. Vlora Latifi nga “Syri i Vizionit” dhe z. Muhamet Arifi nga “BSFK”.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas e vuajnë dyfish varfërinë dhe papunësinë në Republikën tonë, kjo për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimeve shtesë që atyre u bëhen. Për 20 vite me radhë, ata kanë qenë të neglizhuar nga qeverisja dhe përveçse nuk u janë garantuar të drejtat dhe liritë, u ka munguar edhe qasja në punësim, shëndetësi, edukim, mbrojtje sociale dhe kujdes.

Kjo nuk mund të vazhdojë edhe me qeverisjen e re, andaj, pas konsultimit me përfaqësuesit politik e institucional të këtyre komuniteteve, Kryetari Kurti priti sot në takim edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që mbrojnë interesat e romëve, ashkalive dhe egjiptasve në Kosovë, me të cilët bashkëbisedoi për koordinatat e një qeverisje të re që nuk përjashton askë por që interesohet, mbron dhe mundëson përparimin e aktiviteteve dhe politikave në të mirë të këtyre komuniteteve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave kanë listuar çështjet më të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies së këtyre tri komuniteteve ku prinë edukimi dhe arsimimi, punësimi, banimi, buxheti i përgjithshëm dhe anti-gjipsizmi.

Kryetari Kurti shprehu vlerësimin e tij për punën e bërë nga këto organizata dhe i njoftoi përfaqësuesit e tyre me prioritetet e qeverisë së re, ku shtetndërtimi demokratik dhe sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik e krijimi i vendeve të punës nuk do të përjashtojë e diskriminojë më askë. Me qeverinë e re aty ku ka nevojë më së shumti do të ndihmojmë më së pari dhe ne e dimë që komunitetet e romëve, ashkalive dhe egjiptasve e ka një barrë të dyfishtë ngase janë të diskriminuar në një mënyrë të veçantë brenda të diskriminuarve në përgjithësi, tha ai, duke potencuar që kjo do të ndryshojë. Qeveria e re do e orientojë energjinë drejt projekteve që prekin dhe zhvillojnë drejtpërdrejt jetën e këtyre komuniteteve dhe këtu do të përfshijmë sidomos përkrahjen e organizimeve dhe aktiviteteve që mbrojnë dhe avancojnë interesat e tyre.

Për këtë, tashmë kemi edhe dakordim me përfaqësuesit institucional, por edhe me organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të këtyre komuniteteve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 12 2019

Takim me Ambasadorin Britanik, z. Nicholas Abbott.

Në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin Britanik, z. Nicholas Abbott.

Aty u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të tyre me qeverisjen tonë të re. U bisedua edhe për procesin e formimit të koalicionit qeverisës dhe sfidat e mbetura drejt seancës konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor 2019. Kryetari Kurti, si kryeministër i ardhshëm, shprehu interesimin për të bashkëpunuar me qeverinë e re britanike të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit e që do të udhëhiqet nga kryeministri i ri z.Boris Johnson.

Me këtë rast, z. Kurti përkujtoi një pjesë domethënëse të fjalimit të z. Boris Johnson, asokohe Ministër i Punëve të Jashtme, mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 10 nëntor 2016: “Duhet të jetë e pakundërshtueshme të thuash që të gjithë ata që janë fajtorë për krime lufte, nga të gjitha anët, duhet të burgosen. Unë do të them të njëjtën gjë në Beograd, dhe në të gjithë Ballkanin. (…) Dua të shfrytëzoj këtë rast për të ngushëlluar familjen dhe miqtë e Astrit Deharit, i cili së fundi vdiq në paraburgim. Unë miratoj thirrjet e bëra nga të gjitha palët për një hetim transparent mbi vdekjen e tij.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 12 2019

Takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës

Dje, anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu dhe Kreshnik Ahmeti, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, kryetarin e Sindikatës z. Etrit Hoti dhe kryetarin e degës në Prishtinë, z. Faton Morina.

Përfaqësuesit e Sindikatës njoftuan mbi problemet me të cilat përballet Posta e Kosovës dhe punëtorët e saj. Ata u shprehën që ka mungesë të mbështetjes së ndërmarrjeve publike nga aksionari i saj, që ua pamundëson dhënien e shërbimeve të tjera Postës së Kosovës, nga të cilat ajo do të gjeneronte të hyra dhe fitim. Për shembull, nëpërmjet udhëzimeve administrative, qeveritë e kaluara ia kanë pamundësuar Postës së Kosovës shpërndarjen e pagesave publike. Posta e Kosovës e bën vetëm shpërndarjen e asistencës sociale, dhe atë e realizon nëpërmjet një banke private, me ç’rast qytetarët që marrin asistencë sociale rëndohen me tarifa të dyfishta. Po t’i merrte përsipër Posta e Kosovës shpërndarjen e të gjitha të ardhurave, buxhetet familjare të qytetarëve të Kosovës do të lehtësoheshin dukshëm.

Zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! njoftuan përfaqësuesit e sindikatës me qëndrimet dhe programin që ka ajo në raport me ndërmarrjet publike. Përgjatë tërë historisë së saj, Lëvizja është angazhuar për mbrojtjen e ndërmarrjeve publike nga korrupsioni dhe privatizimi, dy duart nëpërmjet të cilave u shtri sistemi neoliberal në vendin tonë.

Në fund, të dyja palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në të mirë të punëtorëve dhe për ta ngritur ndërmarrjen e Postës së Kosovës në një ndërmarrje që ofron shumëllojshmëri të shërbimeve për qytetarët, e nëpërmjet të cilave ngritë përformancën e saj dhe gjeneron të hyra financiare.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 12 2019

Takim lamtumirës me ambasadorin e Italisë, z. Piero Cristoforo Sardi.

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Italisë, z. Piero Cristoforo Sardi.

Në këtë takim të përzemërt u fol për rëndësinë e avansimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona, për përvojat e Italisë në forcimin e saj ligjor e demokratik dhe ndihmën e mbështetjen që mund ta jap ky vend për shtetndërtimin e Kosovës. Gjithashtu u diskutua edhe për situatën aktuale në Kosovë, me theks te arritjet dhe sfidat drejt koalicionit qeverisës midis LVV dhe LDK.

Kryetari Kurti e falënderoi Ambasadorin Sardi për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve duke i dëshiruar punë të mbarë në angazhimet e tjera të tij. Me ambasadorin e ardhshëm, urojmë që të vazhdojë puna dhe takimet e përbashkëta me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 12 2019

Prokuroria nis punën për kallëzimin penal kundër Thaçit e Veselit

Me 25 prill të këtij viti Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes, dhe Glauk Konjufca, asokohe drejtues i Grupit Parlamentar, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bënë kallëzim penal kundër z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë (sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4), dhe deklaratë të rreme nën betim (sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074.)

Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur.

Dëshirojmë të rikujtojmë për opinionin publik se Hashim Thaçi, president i Republikës dhe Kadri Veseli, asokohe kryetar i Kuvendit, kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

Pasi që dorëzuan kallëzimin penal deputeti Konjufca i cilësoi dëshmitë e rrejshme të Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si “përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit dhe Kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit”.

Edhe pse e kemi pritur më shpejt veprimin e prokurorisë, qysh prej fillimit ne kemi shprehur bindjen dhe nuk kemi reshtur kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi është ende i kapur.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT