19 09 2019

Takim me ambasadorin gjerman Christian Heldt

Kryetari Albin Kurti takoi sot ambasadorin gjerman Christian Heldt, me të cilin foli për zhvillimet e fundit politike dhe rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Bashkë me ambasadorin ndamë mendimin që qytetarët e Kosovës e meritojnë të kenë një proces të rregullt zgjedhor, demokratik e të lirë, me transparencën e nevojshme dhe me një fushatë zgjedhore të ndershme. Mbi zhvillimet e fundit politike, Kryetari Kurti i prezantoi ambasadorit Heldt prioritetet e VETËVENDOSJE!-s me theks në sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe zhvillimin ekonomik që gjeneron vende pune.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 09 2019

S’ka lagje e fshat të Gjilanit të pamobilizuar për Qeverinë Kurti

Në Gjilan, nga lagjia Arbëria deri në fshatin Malishevë përgjatë mbrëmjes vazhduam radhën e pafund të tubimeve mobilizuese e bashkbisedimeve me qytetarë në koridore të gjata shkollash e në palestra sportive mbushur plot.

Kandidatët nga Gjilani, Alban Hyseni e Arbëreshë Kryeziu, Labinota Demi e Shemsi Syla, folën në lagjen Arbëria për nevojën e një faze mobilizimi final drejt fitores së 6 tetorit. Ndërsa Nevzad Isufi e Ismajl Kurteshi, Arijeta Rexhepi e Sami Kurteshi mbajtën fjalët e tyre në fshatin Malishevë.

Thirrja për fitoren e Lëvizjes është në të njëjtën kohë detyrë qytetare, dëshirë popullore dhe nevojë imediate. Përkrahja për Lëvizjen është masive, bindëse dhe e palëkundur. Kosova dhe bashkëqytetarët tanë meritojnë më shumë arsim, shëndetësi, infrastrukturë e ligjshmëri, më shumë barazi, solidaritet e zhvillim.

Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, shpjegoi programin qeverisës të Lëvizjes. Në qeverinë Kurti e për Kryeministrin e zemrave tona, për punëtorin do të ketë ligj pune, 5-fishim të inspektoriatit, gjykatë të punës e fuqizim të sindikatave, për ndërmarrësit do të ketë bankë zhvillimore me këste të ulëta në periudha të gjata e gjykata komerciale dhe për ndërmarrjet publike e shoqërore do të kemi fondin sovran.

“Kurrë më nuk do të kemi pushtet që sillet si prona i republikës dhe popullin e vet e ndan si argat e armiq”, deklaroi Albin Kurti. “Më së shumti duhet t’u shërbejmë atyre që kanë nevojat më të mëdha”, u zotua i pari i maratonës tonë fituese Kurti.

Varfërisë, pabarazisë dhe padrejtësisë po u vjen dita e fundit. Qytetarët me qeverinë Kurti nuk do të ndihen të vetmuar e të mangët, por të bashkuar e të zotët e këtij vendi. Paaftësinë do ta zëvendësojë profesionet, urrejtjen dashuria, frikën entuziazmi, pabarazinë barazia e mjerimin zhvillimi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 09 2019

Erdhi dita për një shtet në funksion të shëndetit dhe banimit

Entuziazëm i lartë edhe në pjesën e Prishtinës së vjetër ku qytetarët e mbushën hollin e shkollës ‘Emin Duraku’ për të dëgjuar kryeministrin e ardhshëm Albin Kurti dhe kandidatët për deputet Arben Vitinë, Leonora Shabani-Bajraktarin, Shpejtim Bulliqin dhe Venera Llunjin. Pati edhe dhjetra anëtarësime të reja e të pranishëm ishin edhe kandidatët e tjerë të listës së Lëvizjes.

Arben Vitia tha se statistikisht 20% e popullsisë për arsye ekonomike nuk shkon te mjeku dhe që kjo do të ndryshoj me sistemin e sigurimeve shëndetësore që do e sjell qeveria e re, ku secili qytetar do t’i marr shërbimet më të mira e sidomos ata që kanë pak.

Kandidatja Leonora Shabani-Bajraktari foli për betejat që ka zhvilluar edhe individualisht por edhe përmes VETËVENDOSJE!-s në Komunën e Prishtinës për t’i ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo tha se qeveria e re do ta marr përsipër të kujdeset për fëmijët, arsimimin dhe zhvillimin e tyre.

Shpejtim Bulliqi tha se VETËVENDOSJE! është e vetmja që sjell ndryshimin dhe perspektivën për qytetarët e vendin dhe se andaj është bërë pjesë e saj. Ai porositi që mos t’iu besojmë atyre që flasin tani për vija të kuqe ngase e kaluara ka dëshmuar se ato vija të kuqe bëhen të gjelbra në përfundim të zgjedhjeve.

Venera Llunji foli për sistemin arsimor duke theksuar nevojën për cilësi dhe dinjitet më të lartë në këtë fushë si parakusht që të kemi mjekë, ekonomistë dhe inxhinierë të mirë por edhe qytetarë të denjë në të ardhmen.

Kryeministri Kurti tha se në Kosovë nuk është treguar aspak kujdes me klasën e mesme dhe se një sëmundje më serioze po i zhvendosë ata nën pragun e varfërisë, për shkak se nuk ka sigurime shëndetësore, as medikamente bazë dhe shpeshherë as shërim brenda vendit.

“Tek ne veturat kanë sigurim por jo edhe njerëzit dhe kjo tregon që e kemi një shtet në funksion të veturave, asfaltit, qarkullimit, por jo në funksion të banimit. Me qeverinë e re do të kalojmë nga investimet në asfalt në investime që gjenerojnë vende të punës e akumulojnë kapital. Me sigurime shëndetësore dhe spitale që e bëjnë ndarjen mes privates dhe publikes në mënyrë që mjekët të mos rekrutojnë pacientë paradite për ordinancat e tyre private pasdite. Me një shtet human që nuk është në funksion të veturës, mallit, parasë dhe ku pacienti kur niset për në QKUK të mos e mendoj xhepin e tij por sëmundjen që ka, do ta fillojmë qeverisjen e re”, tha ai.

Deri më sot data dhe subjekti dihej, tash e dimë edhe numrin e fitores 126, andaj duhet të mobilizohemi që fitorja të jetë sa më e madhe ngase ndryshimet duhet të jenë sa ma rrënjësore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 09 2019

Gjakova: Erdhi dita për prodhuesit e punëtorët

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi dje në Gjakovë ku bashkërisht me kandidatët për deputetë Jahja Koka, Arbërie Nagavci, Agon Batusha, Mimoza Kusari-Lila, Mimoza Shala, Hysamedin Feraj, Taulant Kryeziu, Lorik Lipoveci dhe Vlora Vula-Gojani, vizituan ndërmarrjen shoqërore ‘Jatex’, kompanitë që merren me përpunimin e drurit për mobileri ‘Mebel’ e ‘Deva’ si dhe një fermë në fshatin malor Babaj të Bokes, me të cilët nga afër u diskutua për problemet e tyre dhe zgjidhjet që i parasheh qeveria e re e VETËVENDOSJE!-s.

Në ‘Jatex’, Drejtori Riza Lula tregoi se si kjo ndërmarrje me prodhimtarinë e saj eksportuese dikur punësonte rreth 1300 punëtorë, kurse tani në listë ka vetëm 600 prej të cilëve vetëm 30 marrin paga. Ai shprehu shqetësimin se si pronat e ‘Jatex’ në rajon, të blera me pagat e 12-ta të punëtorëve, në Bosnje (5), Mal të Zi (4) dhe Serbi (24) janë uzurpuar e janë shitur dhe shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë. Si përgjigje, Kryetari Kurti tha se qeveria e re do ta shfuqizoj AKP-në dhe përmes Fondit Sovran që i përgjigjet Kuvendit, një bordi profesional, do ta menaxhojë dhe strukturojë këtë ndërmarrje duke ua mundësuar qytetarëve e në veçanti atyre nga diaspora të bëhen aksionarë në të. Qeveria e re do të kërkojë zyrtarisht zhdëmtim për shkatërrimet që ka bërë Serbia, përfshi këtu edhe pronat që janë uzurpuara e shitur si ato të ‘Jatex’.

Kompanitë që merren me mobilieri shprehën shqetësimin për ikjen e punëtorëve të kualifikuar, hapësirën e punës dhe ngjashëm me fermerët mungesën e subvencioneve dhe kreditë e larta që detyrohen t’i marrin. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s, do të ketë sistem dual të arsimit që e lidh këtë të fundit me ekonominë në atë mënyrë qe barra e edukimit të punëtorëve të mos bie më mbi bizneset. Kurse kamatat do të bien nën 3% dhe koha e kthimit do të rritet përmes Bankës Zhvillimore që do t’i ndihmojë prodhuesit vendor, tha Kryetari Kurti.

Pas këtyre takimeve, Kryetari Kurti, së bashku me kandidatët për deputet nga Gjakova, uruan mirëseardhjen për 50 e më shumë anëtarë të rinj në Qendrën e Lëvizjes në Gjakovë, me të cilët u zhvillua një diskutim publik rreth mobilizimit për zgjedhjet e 6 tetorit. Dalja do të jetë masive, fitorja e madhe dhe ndryshimet rrënjësore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 09 2019

Besiana mezi po e pret 6 tetorin

Në qendër të Besianës dhe në oborret e shkollave të fshatit Sfeqël e Gërdoc me qytetarë të bashkuar edhe nga Kaqybegu të po kësaj komune kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti mbajti tre tubime bashkëbiseduese dhe mobilizuese. Në tubime morën pjesë edhe kandidatët për deputetë të Lëvizjes, Ajet Potera, Sabri Kiçmari, Shpejtim Bulliqi, Mevlyde Hyseni, Fitim Haziri dhe Fatmir Humolli duke mbajtur fjalët e rastit.

Sabriu tregoi gatishmërinë e qytetarëve dhe të Lëvizjes për t’i nxjerrur në pension qeveritë e deritanishme bashkë me mentalitetin e tyre, ndërsa Shpejtimi shprehu bindje se fitorja e Lëvizjes do vijë falë bashkimit të qytetarëve të të gjitha gjeneratave që identifikohen me qëllimin tonë. Ajeti u zotua për mbështetjen e duhur buxhetore për ushtrinë, ndërsa Mevlydja foli për mbrojtjen e punëtorëve dhe grave në qeverisjen e Lëvizjes. Fitimi tha se në asnjë mënyrë qeverisja Kurti nuk do t’i ngjajë qeverisjeve të deritanishme, ndërsa Fatmiri ndau bindjen se Kosovës ndryshimi nuk mund t’i vijë nga jashtë por nga dëshira e madhe që kanë qytetarët e saj.

I rrethuar nga plot anëtarë të rinj të Lëvizjes, Kryeministri i ardhshëm Kurti tha se gjëja e parë që do të bëjë në qeveri do të jetë zvogëlimi i qeverisë dhe zgjerimi i shtetit duke thënë se, “unë nuk kam nevojë për 3 zëvendësa dhe 35 këshilltarë”. Më tutje, mbështetjen për prodhimin vendor në prodhim, shpërndarje, por edhe në konsum tregoi se qeveria e Lëvizjes do ta garantojë përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe e ilustroi me shembullin se, “shteti si konsumator do të jetë konsumues i prodhimeve vendor më së pari”.

Përmes shtetit social, zhvillimor dhe të së drejtës Lëvizja do ta luftojë edhe pabarazinë, edhe papunësinë edhe padrejtësinë. Tashmë, ka ardhur dita që qytetarët e shumtë që po na bashkohen e dinë se Kosova nuk mund të vazhdojë më kështu, e duan ndryshimin e kësaj gjendje dhe do ta votojnë masivisht Lëvizjen.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 09 2019

Lëvizja e përkushtuar në mbrojtjen e votës

Zgjedhjet e 6 tetorit janë shumë më shumë se sa vetëm zgjedhje. Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote do t’i japin fund keqqeverisjes, e do t’i hapin rrugë një kulture krejtësisht tjetër të qeverisjes së mirë, të ndershme, transparente e nga profesionistë të thekur. Ndryshimi i madh ka qenë vazhdimisht i nevojshëm, por kësaj here është edhe i mundshëm po aq sa i domosdoshëm.

Mbështetja e madhe për Lëvizjen, është dëshmi për ndryshimin e madh që po vjen. Por, përkrah mobilizimit për ndryshim, strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë filluar tashmë mobilizimin për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të për garantuar paprekshmërinë e vullnetit të votuesve.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë marrë kuptim me praninë e komisionerëve dhe të vëzhguesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër vendvotime e qendra të votimit. Roli i komisionerëve dhe vëzhguesve tanë ka qenë vendimtar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa, në zgjedhjet e 6 tetorit jemi edhe më të përgatitur e më të mobilizuar për të mos lejuar çfarëdo përpjekje apo tendence për ta deformuar vullnetin e votuesve. Komisionerët dhe vëzhguesit e Lëvizjes do të jenë gardian të secilës votë, të secilit qytetarë pa dallim. Në ditët e javët në vijim, do të zhvillojmë takime mobilizuese, e trajnime profesionale me të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve për të mundësuar zgjedhje të lira, të ndershme e në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Ftojmë të gjitha instituciont shtetërore përgjegjëse për të përgatitur apo garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme institucionale që garantojnë pacenueshmërinë e zgjedhjeve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 09 2019

Tubim mbresëlënës në lagjen Bregu i Diellit

Qindra qytetarë të lagjes Bregu i Diellit u mblodhën në një tubim mobilizues për zgjedhjet e 6 tetorit. Në tubim foli kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatët për deputetë Nora Kelmendi, Rexhep Selimi, Driton Vela dhe Getoar Mjeku. Të pranishëm në hollin e mbushur të shkollës ‘Ismail Qemali’ ishin edhe kandidatët e tjerë të listës tonë.

Nora Kelmendi tha se Lëvizja me punën e saj të pandalshme në Kuvendin e Kosovës dhe në Komunën e Prishtinës e ka dëshmuar se rrënjët e së keqes mund të luftohen dhe të çrrënjosen dhe se pas 6 tetorit ato rrënjë do t’i largojmë njëherë e përgjithmonë.

Rexhep Selimi foli për nevojën e një sistemi arsimor që i aftëson fëmijët drejt një ardhme më të ndritur e qe arrihet vetëm përmes programit të VETËVENDOSJE!-s.

Driton Vela kujtoi uzurpimet e hapësirave publike dhe përforcoi domosdoshmërinë e çlirimit të tyre nga të gjithë ata që keqpërdorin.

Ndërsa Getoar Mjeku, si më i riu, theksoi rëndësinë e punës dhe dinjitetit të arsimtarëve dhe profesorëve. Ai përmendi se si lagja e Bregut të Diellit në kohë lufte ofronte hapësirë për mësimdhënie kurse sot i mungojnë hapësirat e duhura për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Kryeministri – siç e thërrisnin qytetarët në sallë – Albin Kurti, përdori figurën e një ulëseje të vjetër tradicionale për ta paraqitur programin e Lëvizjes, “Shkëmbi që të jetë ulëse duhet t’i ketë tri këmbë: Zhvillimin, Drejtësinë dhe Barazinë. Shkëmbi siç e dimë të gjithë nuk është për politikanë, nuk është karrigë politikani, por është ulëse për popullin. Ai e mban peshën e popullit dhe ato tri këmbë janë aty për ta luftuar dhe për t’i rezistuar pabarazisë, padrejtësisë dhe papunësisë”.

Një kësi shkëmbi i nevojitet vendit tonë. Një shtet i ri, një qeverisje e re, në të cilin ata që kanë më shumë paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme dhe ata që i kanë nevojat më të mëdha shërbehen të parët. Një këso shteti zotohemi që do ta sjellim që nga dita e parë, pas fitores tonë me 6 tetor – tha kryetari Kurti.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 09 2019

Erdhi Dita e Listës Fitimtare

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kandidatit për Kryeministër, Albin Kurtit, prezantoi listën fitimtare të kandidatëve tanë për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në një atmosferë të zjarrtë mes aktivistësh që nuk dinë të ndalen, Kryetari, Albin Kurti foli për vizionin e një qeverie e cila do t’i japë fund hajnisë dhe korrupsionit për një shtet ku drejtësia është e padiskutueshme, zhvillimit i hapet rruga dhe lulëzon barazia.

Kryetari Kurti tregoi se, “Lista e VETËVENDOSJE!-s për zgjedhjet e 6 tetorit është dëshmi e një qasjeje ndryshe për ndryshim progresist e për përfaqësim të pandryshueshëm. Lista jonë përbëhet nga burra dhe gra me edukim cilësor, me atdhedashuri të dëshmuar, me profesionalizëm të lartë e me aktivizëm shoqëror”.

Me aktivistë me guxim të palëkundur dhe me profesionistë të zotë që nuk mund të rrinë pa i shërbyer vendit, Kosovës po i vjen një ditë e re, një ditë e drejtësisë, barazisë dhe e zhvillimit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 09 2019

Kurilla – Pika e Ndryshimit

Në lagjen e rëndësishme të Kurillës, që ishte edhe vendimtare për fitoren e Lëvizjes në zgjedhjet e nëntorit 2017 në Prizren, u hap sot zyra e shtabit të Kurillës. Me këtë rast, interesimi i madh i banorëve e shndërroi oborrin privat të familjes Doda në një tubim publik ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, i cili foli për ndryshimet që e presin vendin pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kryetari Kurti tha se qeveritë e mëparshme, në veçanti panistët, kanë hy në borxh me Prizrenin, duke aluduar në ndarjen e buxhetit. “Kryeqytetit tonë kulturor dhe historik i është ndarë një buxhet simbolik. Njerëz që nuk e duan Prizrenin kanë qenë në këtë panqeverinë, që shkoi për të mos u kthyer më kurrë.”

Në zgjedhjet e qershorit 2017 i fituam tre deputetë nga Prizreni, ndërsa tani duhet t’i kemi 6: Artan Abrashin, Arbër Rexhajn, Drita Millakun, Hajrullah Çekun, Dafina Alishanin dhe Yllëza Hotin, të cilët nuk janë thjeshtë njerëzit e VETËVENDOSJE!-s në Prizren, por edhe njerëzit e Prizrenit në VETËVENDOSJE! e së shpejti deputetët e Kuvendit të Republikës.

Shteti i dobët dhe i kapur i Kosovës nuk mundet ta mbajë edhe një qeveri të kriminalizuar dhe të korruptuar të këtyre panistëve, andaj ata duhet të shkojnë. Panistët janë në panik e prandaj po na sulmojnë porsi opozita e ardhshme neve që jemi qeveria e ardhshme.

VETËVENDOSJE! zotohet para jush që pa rezerva dhe pa kompromis, pa kursim për qeverinë, do ta luftoj krimin dhe korrupsioni, se do ta çlirojë prokurorinë nga ekzekutivi në mënyrë që edhe hajnat të shkojnë në burg edhe plaçka të kthehet në buxhet.

Në vend të emigrimit na duhet punësimi. Duhet ta lidhim tregun e punës me shkollimin cilësor. Arsimin me ekonominë. Në mënyrë që hendekun e aftësive ta urëzojmë fuqishëm për herë të parë 20 vjet pas çlirimit dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Shëndetësia do të jetë në nivelin e duhur, siç ka dëshmuar Arben Vitia në Prishtinë, në mënyrë që qytetarët kur të sëmuren të mos e kenë parasysh thellësinë e xhepit, por vetëm seriozitetin e sëmundjes që do ja diagnostikoj mjeku ynë e që do ua shërojnë barërat tona që nuk do të detyrohet t’i blej jashtë.

Ne do ta zbusim pabarazinë. Do të ketë drejtësi sociale përveç se rritje ekonomike në mënyrë që edhe ligji të mos jetë thjeshtë një instancë që e ndanë popullsinë në ata që janë të pambrojtur dhe ata që janë të paprekshëm, por që na bën bashkë duke qenë çdoherë kudo të barabartë para tij dhe përpara tij. Sundimi i ligjit nuk ka alternativë në qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s.

Me Lëvizjen, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor që më herët ka qenë ministri e shpronësimit dhe asfaltit të shtrenjtë me neve bëhet ministri që e mbron mjedisin. “Bëhet ministri e cila planifikimin hapësinor e shndërron në kushtetutë të dytë të vendit tonë. Nëse kushtetuta siç e njohim ne kodifikon të drejtat civile dhe organizimin institucional kushtetuta e dytë është mjedisi dhe planifikimi hapësinor ku prioritet do ti jepet mbrojtjes së ambientit e jo shpronësimeve për asfaltin e shtrenjtë”

Kurilla di të përcaktohet, të punojë, të angazhohet dhe organizohet që fitoren e 6 tetorit në Prizren ta përkthejmë në gjithë Kosovën.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 09 2019

Një intervistë e kryetarit Albin Kurti për rrjetin publik gjerman, Deutsche Welle dhe një raportim mbi aktivitetet e tij të ditëve të fundit në Gjermani

Kryetari i grupit parlamentar të Evropës Juglindore, Josip Juratoviç (SPD), dikur tejet kritik ndaj Vetëvendosjes dhe ish-liderit të saj, i tha Deutsche Welle-s se Albin Kurti “i ka idetë e duhura për ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje që sundon prej disa dekadash e ku pushteti ka mbetur në dorë të një klike të dalë prej luftës e që nuk ka qëllim tjetër veç mbajtjen e pushtetit”. Josip Juratoviç dhe Albin Kurti diskutuan të mërkurën në Berlin për të ardhmen e Kosovës, në një panel të përbashkët, të organizuar nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” dhe dega gjermane e Institutit Aspen.

Një tjetër deputet socialdemokrat nga Bundestagu, Stefan Schwartze, mbajti një fjalë të shkurtër në tubimin zgjedhor në Berlin-Neukölln, që u mbajt të mërkurën në mbrëmje dhe i inkurajoi shqiptarët e diasporës që të votojnë për Albin Kurtin. Krahas Kurtit, në tubim folën edhe drejtuesi i grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca dhe kandidatja e re për deputete, Mevlyde Hyseni, si dhe drejtuesi i fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë, Frank Hantke.

https://m.dw.com/…/kurti-prioriteti-ynë-është-lu…/a-50400770

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 09 2019

Erdhi Dita edhe për lagjen e Muhaxherëve

Mes banorësh të etur për ndryshime Lëvizja VETËVENDOSJE! me kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, mbajti tubim në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë. Në tubim mbajtën fjalën kandidatët nga Qendra e Prishtinës, Arben Vitia dhe Venera Llunji, e të pranishëm ishin edhe kandidatë të tjerë nga lista jonë fituese.

Arben Vitia foli për një problem të madh, që i prek gjithë qytetarët, gjendjen e rëndë nëpër spitalet e vendit tonë, përfshi edhe QKUK/në. Vitia u zotua se qeveria e Lëvizjes do të garantojë trajtim të barabartë: “erdhi dita që gjërat t’i kthejmë kah e mbara, bashkë me shumë njerëz të guximshëm, e profesionistë të fushave të ndryshme”.

Venera Llunji theksoi nevojën e angazhimit të barabartë të grave dhe burrave për fitimin e zgjedhjeve dhe për ndryshimet për barazi mes gjinive. Vota e grave është tepër e rëndësishme për të siguruar ndryshimin për të cilin Kosova ka kaq shumë nevojë.

Kryeministri i ardhshëm Kurti tregoi se ka ardhur dita për angazhimin e shtetit kundër krimit të organizuar, se ka ardhur dita për lidhjen e arsimit me tregun dhe për financimin e shkencës e kulturës. Ka ardhur dita që ta rregullojmë sistemin shëndetësor në mënyrë që asnjë pacient kur niset për spital ose për në ambulancë, apo për në qendër të mjekësisë familjare të mos mendojë sesa të thellë e ka xhepin, por vetëm sesi të shërohet sa më shpejt e më mirë në shërbimin publik shëndetësor në vendin tonë – tha kryetari Kurti. Tubimi u mbyll përzemërsisht me fjalët, “për hir të amanetit të dëshmorëve, për hir të ëndrrave të fëmijëve në djep, për hir të dëshirave të të rinisë bëhuni bashkë, punoni ditë e natë, në mënyrë që të shohim shumë dritë me 6 tetor”.

Problemet e mëdha që ka Kosova kanë nevojë për një kthesë të vërtetë, dhe Lëvizja ka idetë, programin, ekipin dhe guximin për realizimin e tyre. Brengat e qytetarëve janë programi i Lëvizjes. Rruga për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është e hapur. Erdhi dita që drejtësisë t’i japim zemër e guxim. Erdhi dita që ekonominë ta furnizojmë me ide zhvillimore. Erdhi dita që qytetarëve t’ua sigurojmë spitalet, shkollat dhe të drejtat në punë e mes gjinive në emër të barazisë mes vetes. Kapjes së shtetit i ka ardhur fundi. Erdhi dita për t’u bërë pjesë e një ëndrre të përbashkët për drejtësi, zhvillim e barazi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 09 2019

Bashkatdhetarët me Albinin

Më 7 shtator, në Aarau të Zvicrës në një tubim me mbi 1000 pjesëmarrës, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me deputetin e Këshillit Kombëtar në Zvicër, Cedric Wermuth, mbi zgjedhjet që i presin dy vendet tona dhe për nevojën e angazhimit qytetar në to.

Mërgata është elementi që e përforcon fitoren e Lëvizjes në Kosovë, në zgjedhjet e 6 tetorit. Bashkatdhetarët kanë qenë gjithnjë nismëtarët e ndryshimeve të mëdha në Kosovë. Tashmë, edhe Partia Social-Demokrate në Zvicër ka nevojë për mbështetjen e mërgatës shqiptare në zgjedhjet e radhës.

Shqiptarët e mërgatës po e ndjejnë nevojën e një angazhimi politik qoftë si aktivistë e qoftë përmes votës si qytetarë edhe në vendet ku kanë mërguar edhe në Kosovë. Angazhimi për avancimin e pozitave të shqiptarëve kudo ku janë si angazhim për barazi me të tjerë shpërfaq rritjen e vetëdijes politike mes nesh.

Si dy qytetarë të angazhuar, aktivistë e organizatorë, Kurti dhe Wermuth përforcuan nevojën për një social-demokraci energjike e cila e zgjeron raportin me qytetarët brenda vendeve dhe e forcon koordinimin mes forcave politike me të njëjtat bindje edhe mes shtetesh të ndryshme.

Në këtë tubim mbi 500 pjesëmarrës plotësuan regjistrin për të votuar në Kosovë, e me entuziazmin e tyre na e afruan ndjenjën e mirë të fitores që po vjen në 6 tetor.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 09 2019

Shtabi zgjedhor takohet me kandidatët e listës fitimtare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Shtabi zgjedhor dhe kandidatët nga Lista fitimtare, ajo e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e mbajtën sot një takim të përzemërt, motivues e mobilizues. Mes shumë diskutimesh e bashkëbisedimesh, nisi një punë e përbashkët, e cila do të na shoqërojë deri në 6 tetor, kur së bashku do ta festojmë fitoren tonë dhe për Kosovën, kthesën e madhe kah e mbara!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 09 2019

Erdhi Dita e Ndryshimit me Diasporën

Mbrëmë në Berlin, në tubimin me bashkatdhetarët tanë, kandidati për kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me kandidatët për deputetë, Glauk Konjufca dhe Mevlyde Hyseni, shoqëruar edhe nga deputeti i Bundestagut nga radhët e SPD-së, Stefan Schwartze, dhe Drejtori i FES-it për Kosovë, Frank Hantke, folën për domosdoshmërinë e ndryshimeve në Kosovë dhe për qeverisjen e re të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Me fitoren e Lëvizjes me në krye njeriun që mishëron më së miri, programin dhe konceptin e saj, Albin Kurtin, do të ndryshojë çdo fushë e jetës në Kosovë, nga vënia e rendit dhe ligjit deri te vendosja e Kosovës në binarë të sigurtë të zhvillimit ekonomik”, tha në fillim Glauk Konjufca.

Më tej, kandidatja Mevlyde Hyseni vazhdoi duke thënë se me gjithë kontributin e saj mërgata duhet të ketë vendin e vet në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe akoma më shumë të faktorizohet pas këtyre ndryshimeve. “Kemi nevojë për biznesmenë dhe bashkatdhetarë që investojnë në Kosovë, mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, mbajnë rininë brenda vendit, dhe sjellin përvojën e tyre të punës.”

Ndërkaq deputeti i SPD-së gjermane Stefan Schwartze tha se zgjedhjet në Kosovë, janë zgjedhje historike për investimet në shëndetësi e arsim dhe foli për sistemin dual që e lidhë arsimin me ekonominë dhe nevojat e saj, gjë që Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka në program. Ai përshëndeti dhe uroi kandidaturën e kryetarit Kurti për kryeministër, si realizimin e një dëshire personale të kahershme të tij për një socialdemokraci të vërtetë në Kosovë.

Frank Hantke në fjalën e tij tha se si Drejtor i FES ka 15 vite që punon për të ndihmuar ardhjen e socialdemokracisë në Ballkan, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës brenda Evropës. Tutje, përmendi se diaspora shqiptare më së shumti ka dhënë për Kosovën dhe se solidariteti i vërtetë nuk është vetëm të japësh, por edhe të marrësh. Ka ardhur koha që diasporës t’i njihet kontributi dhe të faktorizohen brenda Kosovës, përfundoi ai.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti në fjalën e tij tha se emri i shansit për ndryshimin në Kosovë është Lëvizja VETËVENDOSJE!, që me programin e saj me qëndrimet konsistente, orientimin socialdemokrat, patriotik dhe me njerëz të pathyeshëm do të marrë përsipër që ta bëjë vendin të lehtë për t’u jetuar nga njerëzit e ndershëm dhe të vështirë për të korruptuarit. Do ta mundësojmë drejtësinë pa hakmarrje, në salla gjyqi, me prokuror të zotë e të patrembur, të dijshëm, kompetent, kredibil dhe po ashtu gjykatës që nuk zmbrapsen para asnjë vështirësie, tha ai.

“Ne dëshirojmë që paraja e diasporës të mos jetë thjeshtë për mbijetesë sociale, por të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë do ta themelojmë Fondin Sovran që ndërmarrjet publike ia merr qeverisë, ndërmarrjet shoqërore ja merr AKP-së, i ristrukturon dhe i shet aksionet në vend të privatizimit të egër. Kështu hapet rrugë për investimet vendore, të diasporës dhe të vendeve tjera. Po ashtu, zotohemi se punëtorët dhe punëdhënësit shqiptarë në Gjermani, Zvicër dhe gjetiu duhet ta kenë të drejtën e votës në Kosovë pa pengesa. Erdhi dita që diaspora të vijë të votojë më 6 tetor, që entuziazmi i tubimeve tona të na mbajë gjatë dhe pas fitores së madhe”, përfundoi Kurti.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 09 2019

Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive

Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesi i tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë.

Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizive.

Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët.

Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë.

Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazit, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 09 2019

Ta ndihmojmë fitoren për të mirën e vendit

Të dashur miq e mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si në çdo zgjedhje, ne i drejtohemi qytetarëve për mbështetje financiare. Si subjekti më transparent në Kosovë, ne e kemi patur një mbështetje financiare në rritje, e cila është përkthyer edhe në rezultat më të mirë elektoral. Kësaj radhe fitorja jonë është e domosdoshme, për ta çliruar shtetin e Kosovës nga kapësit e korruptuar e kriminalë.

Ne nuk pranojmë financime nga persona apo biznese të dyshimta. Nuk pranojmë shuma të mëdha. Fuqia jonë bazohet në ndihmat e vogla, që na i jepni shumë prej jush.

Andaj, me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! do të fitojë, ne duhet të bëjmë një fushatë perfekte. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ndihma juaj. Cilado shumë që keni mundësi, pa ju ngushtuar e pa ju vënë në vështirësi, neve na ndihmon që ta sjellim më pranë kthesën e madhe. Qeveria Kurti do të jetë momenti i kthimit të Kosovës kah e mbara, për të gjithë qytetarët e saj.

Udhëzimet mund t’i gjeni në faqen: https://donacion.vetevendosje.org

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 09 2019

Albin Kurti kandidat për Kryeministër të Republikës

Lëvizja, përmes organit më të lartë vendimmarrës, Këshillit të Përgjithshëm, vendosi që në zgjedhjet e 6 tetorit të mandatojë për kryeministër njeriun më të votuar në Kosovë, aktivistin e shquar dhe politikanin shembullor, Albin Kurtin. Kryetari Kurti u votua nga të gjithë pjesëmarrësit, me kërkesën unanime, që të na prijë drejt fitores e ta sjellë kthesën kah e mbara, që Kosovës i duhet kaq shumë.

Duke iu drejtuar delegatëve dhe qytetarëve Kryetari i Lëvizjes shfaqi bindjen se një përmbysje e madhe në politikën e vendit po ndodh me këto zgjedhje. Është përmbysja e kapjes së shtetit dhe e logjikës së korrupsionit, karakterizuese e partive të vjetra. Për këtë fushatë, në këto zgjedhje dhe vitet e ardhshme të qeverisjes Kryeministri i ardhshëm Kurti kërkoi që ndryshimi të bëhet së bashku dhe me ndihmën e qytetarëve.

“Më ndihmoni që të fitojmë me një diferencë të madhe në mënyrë që ndryshimi të jetë i madh dhe fitorja të jetë masive. Më ndihmoni të çlirojmë shtetin nga kapja. Më ndihmoni ta luftojmë pabarazinë, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Më ndihmoni të ndërtojmë një të ardhme ku të gjithë jetojnë në paqe, në siguri dhe me dinjitet”.

Në Këshillin e Përgjithshëm pjesëmarrësit konfirmuan se VETËVENDOSJE! është Levizja e popullit për transformimin që ka nevojë Kosova. Albin Kurti është kandidati më i denjë që përfaqëson konsistencën politike, aktivistin e pathyeshëm dhe njeriun që mund të bëjë ndryshimin.

Po ashtu, Këshilli autorizoi Kryesinë e Lëvizjes për të bërë plotësimet e fundit në listën e kandidatëve për deputetë të miratuar në Këshillat e Qendrave të Lëvizjes dhe nga Kryetari Kurti.

Me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin na mbetet të themi na priftë e mbara e na priftë i mbari në këtë fushatë entuziaste.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 09 2019

Në Medvegjë shqiptarët po fshihen nga regjistrat civilë

Kosova është në ethet e zgjedhjeve të parakohshme, dhe qytetarët presin ndryshimin e domosdoshëm. Por, në të njëjtën kohë po ndodhin zgjedhjet vendore në Medvegjë, ku më 8 shtator do të votohet. Është tepër shqetësues fakti se, në vitin 2015 kanë qenë 4200 votues shqiptarë të regjistruar në lista, e në 2019 janë vetëm 800 votues shqiptarë. Atyre po u fshihen emrat nga lista e adresave e regjistrat civilë, dhe po u konfiskohen letërnjoftimet.

Shqiptarëve të Medvegjës të cilët kanë mërguar, po iu mohohet kësisoj e drejta themelore qytetare, e drejta e votës. Ky proces është një spastrim burokratik i Medvegjës prej shqiptarëve, të cilët janë banorë autoktonë, pronarë të tokave, banorë të kahershëm të atyre anëve. Fshirja e tyre prej listave është një proces i nxitur nga A. Vuçiqi, i cili kontrollon një pjesë të madhe të pushtetit në Serbi, dhe e përdor atë edhe kundër shqiptarëve, në kundërshtim me të drejtën dhe ligjin vendor e ndërkombëtar.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, vazhdimisht thonë se e kanë nën vëzhgim situatën, mirëpo mohimi i të drejtave dhe çregjistrimi i 85% të shqiptarëve të Medvegjës është një ngjarje e cila kërkon reagim të fortë dhe të menjëhershëm, përndryshe do të jetë çështje e vështirë për t’u zgjidhur në të ardhmen.

Lëvizja VETEVENDOSJE! kërkon prej qeverisë të Kosovës e asaj të Shqipërisë të veprojnë në mbrojtje të shqiptarëve të Medvegjës, që të mos lejohet eleminimi i tyre prej listave të adresave dhe konfiskimi i letërnjoftimeve të tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 09 2019

Pranverë vullnetarësh në Tiranë

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti mbajti një bashkëbisedim entuziast në Tiranë me qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri. Zgjedhjet e 6 tetorit i kanë dhënë më shumë se kurrë aktualitet nismës kombëtare të Lëvizjes si dhe entuziasmit të shqiptarëve kudo ku janë për fatet e tyre.

Tubimi u hap me fjalën e një prej vullnetarëve të shumtë që do të nisen nga çdo kënd i Shqipërisë për t’u bërë pjesë e fushatës në Kosovë. Një tjetër aktivist u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, që janë të lindur ose kanë një prind të lindur në Kosovë, të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Fjala e Albin Kurtit u përshkua nga bindja se Lëvizja do të jetë fituesja e madhe e zgjedhjeve dhe se fitorja do t’i ndryshojë koordinatat e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Taksat brenda Shqipërisë dhe ato mes Shqipërisë e Kosovës nuk do t’i sabotojnë më marrëdhëniet mes nesh. Kudo ku mund të kryhet bashkimi, marrëveshjet do të punojnë vetëm për këtë. Deri tani, pesë mbledhjet mes qeverive të dy vendeve tona dhe 50 marrëveshjet e nënshkruara nuk kanë mjaftuar as për integrimin e tregut dhe as për investimet e përbashkëta. Të dy vendet ende vazhdojnë të importojnë dhe eksportojnë jo mes vetes. Me fitoren e Lëvizjes do të ndryshojnë koordinatat e marrëdhënieve ekonomike.

Ëndrra jonë ka qenë një shtet i së drejtës ku jetojmë të lirë, të bashkuar, të barabartë dhe me dinjitet. Ndaj, do të punohet për tregun e përbashkët, unionin doganor, sistemin e unifkuar energjitik, regjistrin e përbashkët civil dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë.

Ndryshimi kurrë nuk ka qenë më afër, kurrë më i domosdoshëm dhe kurrë më i mundshëm, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Shqipëria dhe Kosova janë të Kastriotit dhe jo të Kastratit tha kryeministri i ardhshëm Kurti. Le të jetë fitorja e Lëvizjes në Kosovë shpresë e guxim për shqiptarët për ndryshimin e Shqipërisë. Të bëhemi bashkë kundër korrupsionit dhe kundër krimit andej dhe këndej kufirit. Të jemi të drejtë në qëllime, të pastër në zemër dhe të kthjellët në mendje, ky është ndryshimi që kemi pritur.

Tiranë, 3 shtator 2019,
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 09 2019

Homazhe në Prizren

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Kurti vizitoi sot familjen Kuzhnini në Prizren, për të shprehur nderimet më të larta për veprimtarin e kombit shqiptar i cili disa ditë më parë u nda nga jeta, Mikel Kuzhnin. Mikeli së bashku me vëllain e tij Simonin ka themeluar Lidhjen e Shqiptarëve në Botë, dhe ka kontribuar gjithë jetën e tij për bashkimin, lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve. Ai do të mbahet mend nga të gjithë si një atdhetar i palodhshëm dhe i pakursyer i çështjes shqiptare, si ai që ka dhënë një shembull të atdhedashurisë dhe përkushtimit për të.

Delegacioni bëri homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Landovicë, për të vazhduar tek lapidari aty ku është zhvilluar beteja e Vrrinit, në përvjetorin e 21-të të asaj beteje.

21 vite më parë, në zonën e lirë të fshatrave të Vrrinit në Prizren, u zhvillua një nga betejat më të hershme dhe më të lavdishme të UÇK-së. Brigada 125 e saj me komandant Drinin iu kundërvu rrethimit të ushtrisë serbe, e cila prej sipër zonës malore kishte drejtuar artilerinë poshtë fshatit dhe qytetit. Brigada 125 e UÇK-së, nën rrethim e në pamundësi për përforcime dhe me një armatim të lehtë, bëri të pamendueshmen asokohe, duke rezistuar dhe mbajtur forcat serbe aq gjatë në distancë, sa të hapej rruga për evakuimin e popullatës, spitalit ushtarak dhe dokumentacionit të shtabit. Betejë e përgjakshme, por edhe e lavdishme, prej betejave të para që u zhvilluan aq hapur si në fshatra ashtu edhe në qytet, dhe me aq shumë të rënë, 27 dëshmorë dhe 54 martirë që mbrojtën shtëpitë e tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

31 08 2019

Anëtarësime të reja në Qendrën e Gjilanit

Dhjetëra studentë, absolvent të mjekësisë së përgjithshme, bachelor të shkencave kompjuterike dhe ekonomisë, sportistë, punëtorë dhe veprimtarë nga mërgata, iu bashkuan sot Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Në prani të Kryetarit Albin Kurti, Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Gjilan, Nevzad Isufi, së bashku me anëtaren e kryesisë dhe asambleisten Arbëreshë Kryeziun, uruan mirëseardhjen për anëtarët më të rinj në Gjilan duke nënvizuar se ky bashkim i përditshëm i qytetarëve me Lëvizjen po e përafron fitoren e 6 tetorit.

Pas anëtarësimeve, në tubimin e mbajtur me strukturat e gjera të organizatës në Gjilan, Kryetari Kurti tha se pesë javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, nga dita e fitores aq shumë të nevojshme për qytetarët e Republikës. “Ndryshimi me datë 6 tetor do të jetë në formë referendumi ngase dalja do të jetë masive, vota e plotë dhe fitorja e madhe, tha ai duke shtuar se krejt çfarë na duhet tani në këto pesë javë është të punojmë që ta ushqejmë tutje këtë mbështetje për Lëvizjen”, tha ai.

Kryetari Kurti theksoi se bashkatdhetarët që nuk kanë nënshtetësi të Kosovës duhet të regjistrohen si votues deri më datë 10 shtator, kur është edhe afati i fundit për regjistrim. Edhe pa nënshtetësi këta qytetarë mund të votojnë përmes ndonjë dokumenti tjetër të Republikës, por këtë duhet ta bëjnë online. Ndërsa për bashkatdhetarët që kanë nënshtetësi të Kosovës ai tha se është e rëndësishme të vijnë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve, ku, përveç se do të votonin, një ditë pas edhe do ta festonin fitoren e Lëvizjes.

Në lidhje me koalicionin, ai u shpreh se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë gjithçka çfarë është e mundshme për një bashkëpunim parazgjedhor dhe se tash i ka mbetur vetëm të fitojë në zgjedhje.

Pas këtij tubimi me struktura, Kryetari, Albin Kurti takoi edhe studentë nga fusha e kimisë, biologjisë dhe teknologjisë ushqimore me të cilët foli për rëndësinë e këtyre drejtimeve për ekonominë e vendit, si dhe për rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me ekonominë, që do të ndodhë me qeverisjen e re të Lëvizjes.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT