31 08 2019

Lëvizja mban zgjedhjet e brendshme për kandidatë për deputetë

Demokracia e brendshme është një nga shtyllat më të rëndësishme të organizimit tonë. Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019.

Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues brenda 48 orëve nga publikimi i këtij njoftimi. Në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë ngritur Komisionet Zgjedhore ad hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm.

Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme, ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Prishtinë
31.08.2019
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 08 2019

Në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur

Në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti bashkë me ish-deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes mbajtën homazhe në sheshin Skënderbeu para përmendores dedikuar të pagjeturve të luftës.

Prej luftës së fundit në Kosovë fati i 1652 të pagjeturve ende mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb. Familjarët e tyre ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për ta. Fati i të pagjeturve është ngushtësisht i lidhur me fatin tonë, të mos kërkosh drejtësi për ta do të thotë ta zhdukësh veten prej drejtësisë. Paqja, ardhmëria dhe zhvillimi nuk e mbushin kurrë boshin dhe mungesën e tyre. Brenga për të pagjeturit na mëson se paqen në jetë e sjell vetëm vendosja e drejtësisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 08 2019

Inovacioni dhe teknologjia: Oferta e Qeverisë Kurti

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë mbështetje e jashtëzakonshme për të rinjtë krijues në biznes, teknologji dhe fusha të tjera.

Energjia, talenti dhe përkushtimi i të rinjve profesionistë dhe entuziastë në inovacion dhe teknologji është kontribuese në rritjen e produktivitetit dhe punësimit në vend, mirëpo kjo po ndodhë pa mbështetjen e shtetit.

Duke e ndjekur këtë zhvillim, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përpunuar një sërë zgjidhjesh që do t’i bëjë të qëndrueshme sipërmarrjet e të rinjve dhe do ta hapin rrugën për më shumë nisma të tilla. Kryetari Albin Kurti prezantoi këto zgjidhje, në një takim me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve e sipërmarrësve nga ky sektor, me moderimin e Hekuran Muratit nga Komiteti për Politika Financiare e Tregtare.

Masa e parë ka të bëjë me talentin. Lëvizja ka për synim ndryshimin e kurrikulave ekzistuese, harmonizimin dhe certifikimin e tyre, edhe në bashkëpunim me ofruesit privatë të kurseve dhe programeve të fushës së teknologjisë. Po ashtu, synohet edhe ndërtimi i programeve të veçanta për shkollimin e mesëm dhe të lartë për teknologji informative në programim, zhvillimi i web-it, dizajn grafik, media online etj., si dhe përfshirja e këtyre si lëndë zgjedhore nëpër shkollat e mesme dhe në veçanti në shkollat profesionale të teknikës.

Masa e dytë ka të bëjë me themelimin. Ata të rinj që kanë ide për të themeluar një start-up për së paku një vit do të kenë ndihmë ligjore në themelim, në përpilimin e statutit dhe në ndarjen e aksioneve përfshi edhe kontabilitet. Përveç kësaj, ata do të kenë edhe mbështetje me anë të ofrimit të kapitalit bërthamë (Seed Capital) ku do t’iu ofrohen mundësi të ndryshme financimi, qoftë si hua e garantuar nga shteti, qoftë si pjesëmarrje në ekuitet. Rëndësi të veçantë do t’i jepet edhe ndihmesës për të pasur qasje në fondet e Bashkimit Evropian që ndahen për këtë fushë. Infrastruktura nuk duhet të jetë më problem, do të krijohen qendra rajonale për zhvillimin e ideve. Një start-up me një ide të mirë, me mbështetjen e duhur në themelim, dhe me financimin e nevojshëm mund t’i japë Kosovës një produkt me të cilin mund të shënohet në hartën e inovacionit. Të gjithë e dimë ngjarjen e kompanisë ‘Skype’ që dy vite pas formimit u ble për 2.6 miliardë dollarë nga një kompani tjetër.

Masa e tretë ka të bëjë me tregun. Shumë produkte dhe shërbime sot tregtohen online më lehtë dhe më shpejtë se gjithçka më parë. Në Kosovë aktualisht mungon infrastruktura e nevojshme që mundëson një treg online në të cilin do të mund të zhvilloheshin kompanitë e sektorit të IT-së. Mungon infrastruktura e nevojshme ligjore dhe teknike për të kryer transaksionet online. Mungon legjislacioni për nënshkrimin digjital për pagesën e produkteve. Dhe përveç kësaj hapja e kontove ‘Merchant Accounts’ ende has në vështirësi sidomos në pranimin e parave nga jashtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i largoj këto barriera, dhe do ta kemi edhe Switch Nacional të Electronic Financial Transactions (EFT) në Bankën Qendrore të Kosovës, dhe shërbimet e-Commerce do të jenë të lira dhe të shpejta.

Masa e katërt që e përmbushë ciklin e një ekosistemi për zhvillimin e ndërmarrjeve inovative kalon përmes asaj që quhet “Transaksioni i Fundit i Themeluesit të Ndërmarrjes”, pra, momenti kur themeluesi, pas maturimit të ndërmarrjes, e shet atë, me synimin për të ndërtuar e financuar një projekt të ri me një ide të re e më të anvancuar. Ta zëmë siç ka bërë Elon Musk, kur pas shitjes së aksioneve në kompaninë ‘Paypal’, paratë e shitjes i investoi në dy projekte tjera: ‘Tesla’ dhe ‘SpaceX’. Kompania e parë tani është prodhuesi më i madh i veturave elektrike, kurse e dyta dërgon njerëz në hapësirë. Paypalin e Elon Musk, e kishte blerë ‘eBay’. Por në Kosovë aktualisht nuk ka ndonjë kompani si ‘eBay’ që ka mjetet financiare për të siguruar një Exit (shitje) të suksesshme të një start-upi. Por deri sa të arrijmë aty, këtë funksion do ta kryej Fondi Sovran, i cili pas themelimit do të ketë edhe degën e Private Equity, e cila do të investojë në blerjen e pjesërishme apo të plotë të aksioneve të ndërmarrjeve të suksesshme me qëllim që ta përshpejtoj këtë cikël.

Pjesëmarrësit me komente dhe propozime konkrete u përfshinë në prezantimin e këtyre masave. Theksi u vu te sistemi arsimor dhe ndërlidhja e tij me fushën e teknologjisë përmes bursave, internshipeve dhe trajnimeve të specializuara. Si problem, përveç infrastrukturës, mjedisit për punë, u paraqit edhe mangësia e ligjeve si dhe mungesa e komunikimit institucional me ndërmarrësit e rinj. Të gjitha këto komente dhe propozime që u dhanë do të merren parasysh nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 08 2019

Mërgata po vjen për të bërë ndryshimin

Mërgata po vjen për të bërë ndryshimin Me shpalljen e datës së zgjedhjeve në datën 26 gusht, bashkatdhetarët nga të gjitha vendet e Evropës, SHBA e vende të tjera, kanë filluar të blejnë biletat, për të ardhur në Kosovë në datën 6 tetor. Disa prej tyre tashmë na i kanë dërguar biletat që i kanë blerë. Ata do të votojnë për shpresën e vetme, për ndryshimin e domosdoshëm për Kosovën. Mërgata vazhdimisht ka mbështetur me një shumicë të madhe Lëvizjen, sepse mërgata vazhdimisht e ka ndihmuar ekonomikisht Kosovën, dhe ka sjellë shembull demokratik e dije perëndimore në vendin tonë. I falënderojmë bashkatdhetarët që po vijnë për të forcuar fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qeveria Kurti do të marrë vendime të rëndësishme për ta ndihmuar mërgatën që të kontribuojë në Kosovë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 08 2019

Entuziasëm i Ri në Vushtrri

Në Vushtrri, mes shumë aktivistësh të rinj të Lëvizjes, bashkë me Kryetarin e Lëvizjes në Qendrën e Vushtrrisë Besim Muzaqin dhe drejtorët e Lëvizjes në Komunë i uruam mirëseardhjen anëtarit të Kuvendit Komunal, Hajriz Mustafës dhe shumë të rinjve të tjerë të cilët bashkë me të sapo janë bërë pjesë e jona.
Hajriz Mustafa është me profesion gazetar, moderator dhe kryeredaktor në radion lokale Vicianum, si dhe korrespondent i disa mediumeve mediatike në vend. Profesionistët, politikanët, artistët, por më së shumti të rinjtë po i shtohen çdo ditë Lëvizjes. Lëvizja ua çel fytyrën të rinjve, por edhe të rinjtë ia zbukurojnë fytyrën Lëvizjes e qytetarëve.

Livadhi mundet me pas lule shumë, por pa bletë që shkojnë lule më lule nuk ka mjalt të cilin bletët nuk e kanë për vete, por për njerëzit. Edhe Lëvizja ka përkrahje shumë, por pa aktivistët e rinj që punojnë si bletët nuk mundemi ta bëjmë Kosovën të ëmbël siç e duam të gjithë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 08 2019

VETËVENDOSJE! e dënon sulmin ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova në afërsi të Krushevcit

Edhe një akt barbarie anti-shqiptare në Serbi. Burracakëria shoviniste kësaj radhe u shfaq në sulmin me gurë e mjete të forta ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova dje në afërsi të Krushevcit, që shkonin drejt vendeve të BE-së.

Është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste.

Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë. Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 08 2019

Lëvizim

Sot u mbajt aktiviteti i parë i kampanjës “Lëvizim” ku morën pjesë më shumë se 200 çiklistë. Qëllimi i aktivitetit ishte që permes kësaj kampanje të rritet ndërgjegjësimi i politikbërjes për përfaqësimin e politikave mjedisore dhe ndaljen e vendimeve që dëmtojnë cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës sonë duke kërkuar kështu programe e investime konkrete në krijimin e kushteve për ecje të papenguar të këmbësorëve, për shtigje të dedikuara e qarkullim të papenguar për biçikletat, për lëvizje me transport urban. Falendërojmë të gjithë pjesëmarrësit që e bënë këtë aktivitet madhështor. Po ashtu falenderojmë prodhuesin vendor Pilot Bike dhe të gjithë njerëzit me zemër të madhe që dhuruan bicikletat e tyre për këtë aktivitet. Shihemi në aktivitetet e radhës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 08 2019

Takim me ambasadorin e Francës Didier Chabert

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti së bashku me anëtarët e kryesisë, Fitore Pacollin dhe Arben Vitinë pritën në takim ambasadorin e Francës Didier Chabert bashkë me bashkëpunëtoret e tij zv. shefen e misionit Carole Blestel dhe Celia Freudenberger nga zyra politike.

Përgjatë takimit ramë dakord për nevojën e organizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë, pa keqpërdorime dhe shkelje të këtij procesi kaq të rëndësishëm për vendin. Në bisedë i treguam ambasadorit edhe për nevojën urgjente që ka Kosova për një qeveri të re e cila i përqendron forcat dhe vëmendjen e saj për ta lidhur arsimin tonë me tregun e punës, për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur investimet në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Në përfundim të takimit ambasadori përsëriti përkushtimin e tij në përforcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në ndjekjen e zhvillimeve Kosovë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 08 2019

Kryetari i Mitrovicës dhe qindra qytetarë i bashkohen Lëvizjes

Në një tubim madhështor që u mbajt sot në Mitrovicë, qindra anëtarë të strukturave të AKR-së së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirin, vendosën t’i bashkohen Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kryetari Albin Kurti tha se një qytet me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e shtetësisë si Mitrovica, është me fat që për dy mandate e ka në krye Agim Bahtirin, i cili i zmbrapsi mujsharët e vjetër dhe strukturat e Serbisë që bënin zullum mbi popullsinë shqiptare në Mitrovicë, dhe dëshmoi që qëndresa e rezistenca njëmend vlen e sjell rezultate, kur nuk lejoi në asnjë mënyrë që Vinarci, Gushavci, Vidimiriqi dhe Suhodolli të shkojnë me pjesën veriore të Mitrovicës, pavarësisht trysnisë së lartë të shumë pushteteve.

Kryetari uroi ardhjen e Bahtirit dhe qindra aktivistëve në Lëvizje, dhe tha se Lëvizja me ose pa koalicione po marshon sigurte dhe fuqishëm drejtë fitores, dhe se ardhje e bashkime të tilla vetëm sa na forcojnë në atë drejtim.

Bahtiri falënderoi kryetarin Kurti që i ka dalë në ndihmë në një kohë kur Mitrovica i ishte lënë krimit, strukturave paralele serbe dhe trysnisë së tyre për ta ndarë qytetin e Mitrovicës te lumi Ibër. Sipas tij, ishte përkrahja e Kryetarit Kurti për t’iu kundërvënë atyre pushteteve që asokohe kërkonin ndarje të qytetit – si e vetmja përkrahje nga Prishtina, që e shtyu jo vetëm atë, por edhe gjithë strukturën e AKR-së, t’i bashkohen Lëvizjes në këto zgjedhje, drejt bërjes së Albin Kurtit Kryeministër të vendit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 08 2019

Tubim me bashkatdhetarë në Kaçanik

Në Kaçanik, në një takim shumë të ngrohtë e motivues, mërgimtarët që po e kalojnë verën në atdhe, e pritën kryetarin e Lëvizjes Albin Kurtin dhe kryetarin e qendrës sonë atje Avni Tafilin. Në Kaçanik Lëvizja prin prej disa vitesh, dhe në zgjedhjet e qershorit 2017 Kaçaniku votoi masivisht për VETËVENDOSJE!-n. Edhe në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë. Garancë për këtë është përkrahja e madhe e pa rezervë e banorëve të Komunës së Kaçanikut, e sidomos atyre nga mërgata jonë. Kaçaniku i varfëruar e me shumë probleme, e meriton një qeveri e cila do të zhvillojë ekonominë, arsimin, shëndetësinë e infrastrukturën, dhe që punon për realizimin e amanetit të dëshmorëve e të ëndrrave e fëmijëve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 08 2019

Takim me ambasadoren e Suedisë znj. Karin Hernmarck Ahliny dhe sekretarin politik të ambasadës z. Olle Ingvarsson.

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti dhe drejtuesi i grupit parlamentar Glauk Konjufca pritën në takim ambasadoren e Suedisë znj. Karin Hernmarck Ahliny dhe sekretarin politik të ambasadës z. Olle Ingvarsson.

Në takim u ndanë mendimet mbi situatën në vend dhe mbi zhvillimet që priten të ndodhin në skenën tonë politike në ditët dhe javët në vazhdim. Kryetari Kurti përsëriti me partnerët e ambasadës së Suedisë qëndrimin e Lëvizjes për domosdoshmërinë e ndryshimeve të mëdha politike në Kosovë që do të hapin një horizont të ri për daljen nga kriza dhe përparimin e saj. Në veçanti u diskutua për nevojën e trajtimit të barazisë gjinore dhe krizës klimatike ne shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Në bisedë ambasadorja Ahliny përsëriti gatishmërinë e saj për t’i përforcuar marrëdhëniet mes dy vendeve, një gatishmëri reciproke kjo edhe nga ana e Lëvizjes.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 08 2019

Tubime në Bakshi e Sibovc të Kastriotit

Lëvizja VETËVENDOSJE! po vazhdon tubimet me qytetetarë. Mbrëmë, Kryetari Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Qendrës së Lëvizjes në Kastriot, Halil Thaçin, Donik Sallovën si dhe veprimtarin Aziz Bicin vizituan fshatin Sibovc dhe Bakshi të komunës së Kastriotit, ku u mirëpritën nga banorë të shumtë që kishin ardhur për të dëgjuar dhe folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.

Kryetari Kurti tha se janë dy probleme themelore që qeverisja e Lëvizjes do t’i adresojë qysh në fillim të mandatit. “E para ka të bëjë me prokurorët. Neve na duhen prokurorë të aftë dhe të guximshëm që e gjurmojnë dhe e ndalin krimin e lartë financiar. Atyre do t’u ofrohet mbrojtje dhe asistencë shtetërore për ta hetuar dhe ndalur krimin. Dhe e dyta ka të bëjë me dekriminalizimin e prokurimit. Në Kosovë janë mbi 170 autoritete të prokurimit që blejnë mallra dhe shërbime me para të buxhetit dhe ku tenderë fitojnë kompanitë e njëjta rregullisht. Nuk është e thënë të bëhet një autoritet i vetëm i prokurimit, por edhe 170 janë shumë. Le të kemi më pak që ta kontrollojmë më mirë paranë publike”.

Kryetari Kurti tha se qeverisja e re do të krijojë kushtet që diaspora të faktorizohet në ekonomi. “Ne jemi të interesuar që diaspora jonë të bëhet faktorë në ekonomi, por çfarë i bie kjo? Ta zëmë, në vend se një familje nga Shtutgarti ta blejë një banesë në Prishtinë, më mirë do të ishte t’i investojë 0.01% në Telekom, të blejë aksione, dhe shteti do të ishte garantues, ose në Trepçë, ose KEK, dhe jo të investojnë në një banesë në të cilën nuk dihet se a qëndrojnë një javë përgjatë gjithë vitit, e për të cilën nuk ka as llogari ta lëshojë me qira. Pra, më mirë është që diaspora të bëhet aksionare në zhvillimin ekonomik sesa mirëmbajtëse e mbijetesës sociale”.

Për ta rritur ekonominë duhet edhe një bankë zhvillimore tha kryetari Kurti. “Në Kosovë operojnë 10 banka, 8 prej të cilave janë të huaja dhe vetëm 3 prej tyre e kanë 75% të kapitalit – që i bie se tre veta mund të pinë kafe një ditë dhe të dakordohen për kamata dhe për interesat në depozita. 3.2 miliardë janë depozitat, pra shuma që qytetarët ua kanë dhënë bankave ku interesi është më pak se 1%, kurse 2.7 miliardë janë kreditë, paratë që ata na japin neve e ku interesi është 7%. Neve na duhet një Bankë Zhvillimore, një BQK tjetër, që i zbret kamatat për bujqit, për industrinë nën 3% dhe periudhën e pagesës së kamatës e rrit në 7-8 vite”, tha ai duke theksuar se në Kosovë përveç shtetit edhe populli është i kapur nëse i referohemi statistikave të BQK-së, ku 350 mijë janë të punësuar, kurse 600 janë në kredi bankare.

Kurti foli edhe për rëndësinë e lidhjes së arsimit me ekonomi duke përmendur sistemin dual ekonomik Zviceran-Gjerman, ku 2/3 e shkollave të mesme janë profesionale, kurse 1/3 Gjimnaze. “Ndërmarrjet prodhuese duhet që bashkë me administratën e universitetit t’i shkruajnë planprogramet. Tek ne nuk ndodhë që ndërmarrjet të shkojnë në universitet për të pyetur se çfarë kuadro prodhojnë, dhe as nuk ndodhë që universiteti t’i pyes këto ndërmarrje se çfarë kuadro ju duhen. 4.3% të prodhuesve vendor në Kosovë kanë deklaruar (në anketën e përgjithshme të 5 mijë ndërmarrjeve) që punëtorin që e marrin në punë, pas një muaji aftësohet. 166 mijë biznese janë të regjistruara në Kosovë, vetëm 50 mijë janë funksionale, prej tyre vetëm gjysma janë të fiskalizuara, pra që paguajnë tatime me rregull, dhe prej tyre vetëm 5 mijë janë prodhuese dhe numri mesatar i punëtorëve te ato është 6. Te këto 50 mijë ndërmarrje 90% i kanë më pak se 10 punëtorë, edhe për vite të tëra, neve na duhet që ky sektor të rritet, pra qasje më të lehtë në kapital dhe shkolla që e furnizojnë jo me fuqi punëtore më të lirë, por më të shkathët.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 08 2019

Të dëgjohen kërkesat e punëtorëve të aeroportit

Në periudhën kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” po rriten, e rrjedhimisht po rriten edhe te hyrat për kompaninë private që e ka marrë me koncesion, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë. Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kohë qe ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato. Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve.

Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva.

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në solidaritet me punëtorët e organizuar rreth Sindikatës së Pavarur e ANP dhe mbështet veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë legjitime, ato duhet të realizohen.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 08 2019

Takim lamtumirës me ambasadoren e Kroacisë, znj. Marija Kapitanović, dhe Sekretarin e parë të ambasadës, Zlatko Vnućec

Ambasadoren e Kroacisë, znj. Marija Kapitanović, dhe Sekretarin e parë të ambasadës, Zlatko Vnućec, sot, i pritën në takim lamtumirës, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Kryetari Kurti e falënderoi znj. Kapitanović për bashkëpunimin gjatë shërbimit të saj dhe i uroi suksese në angazhimet e tjera të radhës.

Përgjatë bisedës u theksua rëndësia e institucionalizimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona. Po ashtu, u diskutuan përvojat e Kroacisë në forcimin e saj ligjor e demokratik dhe ndihma e mbështetja e Kroacisë në shtetndërtimin e Kosovës. Kryetari Kurti përsëriti nevojën e vendit tonë për një qeveri të re e cila do t’i intensifikojë marrëdhëniet ndërshtetërore me vendet aleate e partnere, veçanërisht me Kroacinë.

Në fund të takimit, znj. Kapitanović shprehu dëshirën e saj për t’i ndjekur edhe më tej zhvillimet në Kosovë, ndërkaq zyrtarët e Lëvizjes shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin me pasuesin e Ambasadores.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 08 2019

Takim me pikën e Drenocit

Mbrëmë ishim në fshatin Drenoc të Malishevës me ç’rast u takuam me pikën tonë të re në këtë fshat, ku së shpejti do t’i themelojmë edhe dy pika të reja.

Së bashku me kryetarin e qendrës Adem Berisha e veprimtarin e çështjes kombëtare Gani Krasniqi ishte edhe kryetari i Lëvizjes Albin Kurti.

Veçanërisht këto ditë duhet të angazhohemi në çdo fshat e lagje të Republikës për të sjell ndryshimin që i duhet vendit. Është momenti vendimtar të ndërrojë orientimi i shtetit të cilin e kanë mbytur me korrupsion dhe kapluar me papunësi.

Pika jonë është pikëtakimi i qytetarit me Lëvizjen, aty takohen kërkesat e popullit me angazhimin politik të aktivistit. Jemi shumë afër ndryshimit prandaj duhet të jemi gjithmonë e më afër qytetarëve. Lëvizja është e popullit dhe asnjëherë nuk do të jetë ndryshe.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 08 2019

Vizitë në HardhFest

Vera e hardhive të Rahovecit bëri bashkë në HardhFest vreshtarë, verëprodhues e dashamirës të pijes së cilës i kanë thurur vargje prej Homerit te Khajami, prej Hafizit te Emersoni, e Neruda e Lorka e sa poetë të tjerë.

Vera e Rahovecit është produkt vendor me të cilin krenohemi. Ajo zë vende të larta në konkurse botërore, dhe e vendos Kosovën në hartën e verërave të mira. Por, duhet punuar më shumë, dhe nevojitet më tepër koordinim e ndihmë nga shteti, që kjo verë të marrë famën e duhur e të mund të konkurrojë denjësisht, së paku me prodhimet e vendeve të rajonit.

Me prodhues e njohës të verës, me vreshtarë e punëtorë të kompanive të ndryshme që prodhojnë verën e Rahovecit, folëm për mundësitë që do t’u hapen në qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila do të jetë gjithnjë përkrahësja e prodhimit vendor.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 08 2019

Takim me bashkatdhetarë në Rahovec

Dje ishim në Rahovec për t’u takuar me bashkatdhetarët prej këtij vendi shumë punëtor. Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti së bashku me deputetë e aktivistë nga qendra e Rahovecit mirëpritën mërgimtarët që po kalojnë ditët e pushimit në atdhe.

Mërgata jonë e fuqishme deri tani është parë vetëm permes ndihmës së madhe që i ka dhënë familjes. Me Lëvizjen kjo gjë do të ndryshoje, mërgata do të jetë edhe katalizatore direkte e zhvillimit ekonomik të Republikës. Paratë e shumta që dërgon diaspora nuk do të shkojnë vetëm në konsum, por do ta zhvillojnë ekonominë e rrisin mirëqenien e qytetarëve. Republika nuk do të eksportoje paratë e mërgimtarëve, por përmes investimeve do t’i shumfishojë ato.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 08 2019

Homazhe për Fazli Greiçevcin.

Sot, në përvjëtorin e vrasjes mizore të mësuesit atdhetar Fazli Greiçevci, një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari Albin Kurti bëri homazhe te varri i tij në Sankofc të Drenasit.

Fazli Greiçevci përvec angazhimit në punë ishte pjesë e grupeve ilegale të asaj kohe që për qëllim kishin vetvendosjen për Kosovën dhe bashkimin me Shqipërinë. Ai ishte pjesëmarrës në mbledhjen e shtatorit të vitit 1963 ku u themelua organizata e fshehtë atdhetare e quajtur, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ e cila udhëhiqej nga veprimtari i cështjes kombëtare Adem Demaçi.

Shkrimtarit tonë Adem Gashit ja arrestuan mësuesin flamurtar para 55 viteve. Ishte ditë tregu ajo. Ai sot mbajti një fjalë rasti para neve të pranishmëve që ta përkujtonte atë:

“Fazli Greiçevci ishte me profesion mësues, me vokacion atdhetar dhe më pasion poet. Me të trija këto ai arriti majat dhe shkëlqeu”, tha ai.

Mësuesi atdhetar u vra mizorisht me torturë në burg nga shteti serb që më pas tentoi edhe të fsheh vrasjen e tij. Por, tashmë ishte vonë, vepra e Fazli Greiçevcit ishte bërë frymëzim për shumë dimensione të jetës e për të gjithë popullin. Emri dhe vepra e tij u bënë inspirim për rapsodët e këngës popullore, për vargjet e poetëve dhe rrëfimet e shkrimtarëve. Ai ishte bërë simbol i angazhimit për çlirim kombëtar.

Lavdi jetës dhe veprës!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 08 2019

Takim lamtumirës me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, kryesuesi i Grupit Parlamentar, z. Glauk Konjufca, dhe dy deputetet e Kuvendit të Republikës se Kosovës, znj. Saranda Bogujevci dhe znj. Fitore Pacolli, pritën në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell, dhe Sekretarin Politik, z. Samuel Paice. Zyrtarët e Lëvizjes e falënderuan Ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin gjatë misionit të tij në Kosovë dhe për qasjen e sinqertë që kishte në relacion me institucionet e vendit tonë. Gjatë këtyre viteve, Ambasadori O’Connell gjithashtu dha një kontribut drejt avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në takim, Kryetari Kurti e theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të shpallën së shpejti, dhe, domosdoshmërinë e ardhjes së një qeverie të re, e cila në theks ka luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e sidomos përmirësimin e cilësisë së arsimit e shëndetësisë.

Populli ynë përherë është falënderues ndaj mbështetjes së pa rezervë të Mbretërisë së Bashkuar, si një prej aleatëve kryesor dhe një prej shteteve më të fuqishme në Evropë. Shteti ynë duhet të punojë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e z. O’Connell. E, kjo arrihet me një qeveri e cila nuk ka të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i dëshiron dhe uron Ambasadorit O’Connell suksese në angazhimet e tij të radhës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 08 2019

Hidrocentralet në Shtërpcë, Deçan dhe Mitrovicë – kush po fiton nga degradimi i lumenjve?

Sot deputeti Liburn Aliu paraqiti sërish problemet që po vijojnë me degradimin e pellgjeve lumore në kurriz të banorëve e balancit ujor.

Aliu vërejti se me rënien e qeverisë është krijuar përshtypja e rrejshme e qetësisë nëpër institucione. Vëmendja mediatike është drejtuar kah deklarimet para elektorale teksa disa mekanizma po funksionojnë me zell të madh në degradimin e ambientit, konkretisht lumenjve. “Dje pata rastin të jem në vizitë në Shtërpcë, sërish në vizitë për punimet rreth hidrocentraleve që po ndërtohen atje, punë këto që qytetarët atje po i kundërshtojnë tash e sa kohë. Kundërshtimi i tyre i pandërprerë dhe i drejtë ka bërë që të rritet një sensibilizimi edhe në shoqërinë civile” – tha Aliu.

Për çështjen e hidrocentraleve të reja kudo në Kosovë deri më tani është protestuar dhe ka pasë edhe raportime në komisionet parlamentare. Punimet në hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza ujore dhe mjedisore.

Para një muaji Avokatit i popullit ka paraqitur kërkesë për masë të përkohshme në punimet ndërtimore në hidrocentrale, kërkesë kjo që deri më tani është pa përgjigje. Ministria e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor arsyetohet se nuk ka mandat të marre vendime për shkak se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata kushtetuese. Në ndërkohë që dikasteret e tjera apo edhe i njëjti kur bëhet fjalë për dhënie të lejeve funksionon shumë mirë. Këta po gjejnë lloj-lloj arsyetimi banal dhe cinik kur bëhet fjalë për të ndaluar diçka të keqe në këtë vend. Në ndërkohë që në ministri përpiqen të arsyetojnë heshtjen, në terren vazhdojnë punimet.

Në Shtërpcë dhe Biti po vazhdon të punohet që të fusin plotësisht lumenjtë në gyp. Lepenci dhe lumenjtë e vegjël Kallugjer dhe Bolovan janë jetë për banoret atje dhe ata kanë të drejtë në kërkesën e tyre. Ata janë të mbështetur për muri pasi i vetmi ujë qa u kalon pranë po u merret.

Sasia e ujit në këta lumenj është e vogël, ajo rritet vetëm në muajt e shkrirjes së borës, ajo shërben për pije dhe për ujitje për qytetarët atje. Ata kanë fermat e tyre, kopshtet dhe plantazhet e mbjella me mjedra dhe pemë tjera, qe varen drejtpërdrejtë nga ai ujë. Në ata lumenj ka edhe troftë dhe ai ujë e mban gjallë tërë ekosistemin përreth. Është e pakuptimtë se cila mendje ka marrë atë vendim për ti futë në gyp ata lumenj. Nuk mund të besojmë që ka ndonjë ekspert që mirëfilli trajton dhe vlerëson nevojat për atë ujë dhe vlerëson të mundshëm hidrocentralin, e njëjtë edhe për institucionin. I tërë ai dëm për banorët duke i lënë pa ujë vetëm që dikush privatisht të përfitojë. Kjo është tejet kriminale dhe nuk duhet të shpëtojë pa u hetuar. Këtu ka çështje hetimi.

Sot shteti nuk funksionon apo më mirë të themi funksionon vetëm në dobi të dëmit. Në emër të një vakumi institucional tani po vazhdon degradimi i cili në Kosovë ndodhë tash sa vite. Lumi Bistrica në Shalë të Bajgorës tanimë është mbyllë, është futë në gyp dhe banorët atje kanë reaguar dhe reagojnë në vazhdimësi. Të njëjtën duan ta bëjnë kudo në Kosovë.

Situata plotësisht e rënduar paraqitet në Lumbardh të Deçanit. Aty ish Ministri së bashku me sekretarin e Ministrisë së Mjedisit i kanë kërkuar jashtë çdo rregulle e norme ligjore Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që t’ia zgjasë afatin edhe për tre muaj kompanisë “Kelkos” gjoja për të plotësuar kushtet. Të gjithë që punojnë në këtë fushë dhe banorët po ashtu e dinë që për tre muaj “Kelkos” nuk mund të bëj asgjë lidhur me degradimin e madh që ka shkaktuar.

Inspektorati për ujërat dhe Autoriteti i pellgjeve lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk mund të fshihen pas faktit që nuk dihet a kanë ministër a jo. As pas ZRRE-së. Ligji për ujërat i njeh ata përgjegjës për të vepruar. Respektivisht për të ndalur punimet aty ku po dëmtohen pellgjet lumore, apo ka raportim për degradim e shkelje të autorizimeve. Andaj, t’i ndalojnë këto punime. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin por bëhet fjalë për drejtpërdrejtë jetën dhe ekonominë e qytetarëve dhe për këto shkelje duhet ta kenë të qartë se nuk do të mund t’i shpëtojnë hetimit dhe drejtësisë.

 

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 08 2019

Takim me bashkatdhetarë në parkun e qytetit të Prishtinës

Shiu nuk na pengoi që sonte, në Parkun e Qytetit në Prishtinë të organizonim një ndejë me bashkatdhetarët. Ky takim ishte paraprirë nga shumë takime të tjera gjithandej nëpër Kosovë.

Mërgata vazhdon të mbajë ekonomikisht familjen e varfër të Kosovës, e gjithnjë është rreshtuar drejt politikisht. Lëvizja falenderon të gjithë mërgimtarët e shumtë që morën pjesë në aktivitetet e organizuara në shenjë respekti për ta. Megjithatë takimet tona do të vazhdojnë, edhe në vendet ku ata jetojnë e punojnë, por edhe në Kosovë, ku tash po troket një kohë e re.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT