26 07 2019

Edhe një herë: Bordi duhet të bëj publik vendimin për mosvazhdimin e kontratës me Z-mobile

Bordi i Telekomit të Kosovës, publikoi një reagim pas konferencës së mbajtur sot nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në të cilën deputeti Liburn Aliu, anëtar i komisionit hetimor dhe anëtar i Komisionit për Zhvillim ekonomik ku raportojnë ndërmarrjet publike si Telekomi i Kosovës, dhe drejtuesi i Komitetit profesional Fatban Bunjaku, kërkuan të mosvazhdimin e kontratës me Z-mobile dhe dëmin e shkaktuar nga kjo kontratë.

Në këtë reagim Bordi nuk njofton nëse e ka dërguar njoftimin për mosvazhdimin e kontratës për Z-mobile por shpenzon kohë duke etiketuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një subjekt poltik parlamentar.

Bordi duhet të kthejë përgjigje publikut dhe deputetëve të Kuvendit për njoftimin zyrtar ku sqarohet pa ekuivoke mosvazhdimi i kontratës.

Çdo veprim tjetër i tyre bie ndesh me interesin publik, interesin e ndërrmarrjes dhe në përgjithësi me interesin shtetëror.

Anëtarët aktual të bordit duhet të kuptojnë se janë në atë detyrë me mandat dhe përkohësisht, ndaj brenda mandatit të tyre ligjor duhet të veprojnë në mbrojtje të Telekomit të Kosovës, i cili është aseti më i çmuar që ka vendi në këtë sektor.

Edhe njëherë përsërisim: Bëni publike vendimin për shkëputjen e kontratës me Zmobile.

Kontribo

26 07 2019

Homazhe për Adem Demaçin

Në një vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit, një delegacion nga Lëvizja VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Albin Kurti, së bashku me veprimtarë politik, deputetë dhe aktivistë, mbajti homazhe në nder të jetës së tij kushtuar dashurisë për atdheun, çlirimit nga okupatori dhe barazisë në popull e mes popujsh.

Adem Demaçi na e bashkon të ardhmen me historinë e përpjekjeve tona për liri, vetëvendosje dhe barazi. Në figurën e tij bëhen bashkë mendimi dhe ndjeshmëria më e lartë për çlirimin. Falë tij kemi mësuar se përpjekja për çlirim është e domosdoshme, se liria na thërret për ta jetuar të gjithë jetën në shërbim të saj.

Adem Demaçi u rrit, jetoi dhe vdiq i lirë. Ideja dhe ndjenja e lirisë e zgjodhën të edukohej, të luftonte dhe të vdiste brenda kësaj ideje. Adem Demaçi është zgjerimi maksimal i imagjinatës politike të popullit tonë. Jeta e tij është edukim dhe emancipim për ne, lavd lirie, ngazëllim jete.

Kontribo

26 07 2019

Bordi i Telekomit, më së largu të hënën të njoftojë se kontrata me Z-mobile nuk vazhdohet më

Edhe katër ditë kanë mbetur nga kalimi i afatit për mosvazhdimin e kontratës mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile, pra 30 korrik 2019. Ende nuk kemi asnjë vendim nga bordi i Telekomit të Kosovës. Kjo heshtje është tejet shqetësuese për katër ditë kaq vendimtare, ndërkohë që pas shtjellimit deri në detaje të kontratës së Telekomit me Z-Mobile në komisionin hetimor parlamentar nuk ka më asnjë dyshim mbi masë e dëmit të tij.

“Tanimë është e qartë se kemi të bëjmë me një kontratë ku Z-Mobile e ka të hapur derën të marrë sa të dojë nga Telekomi i Kosovës, ta shesë me çfarëdo çmimi që dëshiron dhe të japë 27% të atyre të hyrave, pa e pasur fare në konsideratë që kostoja e atyre shërbimeve mund të jetë shumë më e lartë”, tha deputeti Liburn Aliu.

Kjo kontratë nuk duhet të vazhdohet me asnjë kusht, por menjëherë duhet të fillojnë procedurat për kthimin e fondeve të plaçkitura përmes saj.

“Deri të hënën, bordi i Telekomit të Kosovës duhet të marrë vendim për mosvazhdimin e kontratës, të njoftojë Z-mobile për këtë vendim si dhe të informojë opinionin për këtë vendim”, u shpreh Liburn Aliu.

Vala është dëmtuar së fundmi edhe moralisht me performancën e dobët që i kanë shkaktuar mbingarkesat abusivë të Z-Mobile.

Fatban Bunjaku gjatë konferencës tha se “kontrata e Telekomit me Z-Mobile, më e pashembullta që e ka njohur sektori i komunikimeve elektronike në botë, e ka dëmtuar Valën dhe e ka çrregulluar të gjithë tregun e Telefonisë mobile në vend”.

Nga raporti i paraqitur prej profesionistëve të Telekomit në Komisionin Hetimor Parlamentar, dëmi i drejtpërdrejtë që Z-Mobile i ka shkaktuar Telekomit llogaritet:

· 107 milionë euro humbje reale të deklaruara për Telekomin, ndërkohë që Z-Mobile ka pasur rreth 73 milionë euro të hyra bruto;

· Mbi 140 milionë euro llogariten të hyrat e munguara për Telekomin, si pasojë e kësaj kontrate;

· Humbjet financiare disa milionëshe për shkak të thirrjeve të humbura dhe largimit të konsumatorëve si pasojë e mbingarkesës së shkaktuar nga shërbimet pa limit të Z-Mobile;

Numrat e Z-Mobile janë evidentuar në krye të vjedhjes në ridrejtim të trafikut hyrës ndërkombëtar, që nga publiku njihet si: Afera “SIM-to-SIM”.

Vetë rendi publik rrezikohet të lëkundet nga kapja kriminale e sektorit të komunikimeve elektronike.

“Siguria shtetërore, policia, ushtria, AKI, shëndetësia, emergjencat civile, zjarrfikësit, agjensitë dhe grupet e agjensive për reagim në situata emergjente, e shumë instanca me rëndësi jetike, prej financave tek sistemi arsimor mbështeten në punën e Telekomit të Kosovës”, shpjegoi Drejtuesi i Komitetit Bunjaku.

Bordi dhe Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës nuk guxojnë të veprojnë në kundërshtim për interesin e ndërmarrjes që drejtojnë, me interesin publik dhe me në kundërshtim me sigurinë shtetërore. Kushdo që vepron në kundërshtim me sa më sipër, jo shumë vonë do të gjendet përgjegjes nga sistemi i drejtësisë.

Bordi i Telekomit, më së largu të hënën të njoftojë se kjo kontratë më nuk vazhdon.

Kontribo

24 07 2019

Vizitë te fabrika e përpunimit të patates ”VIPA”

Në fabrikën që përpunon patatet duke u dhënë 12 shije, e që i punëson 252 punëtorë, aty po ndodh ekonomia. Pra, në një fabrikë të Vushtrrisë po tregohet se është e mundshme të prodhohet, të ngrihet cilësia e prodhimit për çdo vit, si dhe të rritet numri i punëtorëve, edhe pse shteti nuk po bën asnjë lëvizje për ta ndihmuar apo lehtësuar procesin. Me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, shteti do të jetë në mbështetje dhe mbrojte të prodhuesve vendorë sepse vetëm kështu zhvillohet e përparon procesi i prodhimit, përmirësohet larmia dhe cilësia, rritet ekonomia dhe punësimi si dhe zëvendësohet importi. Këto, dhe masa të tjera që do t’u dalin në krahë prodhuesve vendor, i thotë Alternativa jonë Qeverisëse që shumë shpejt do të jetësohet përmes zgjedhjeve të reja dhe demokratike. Alternativë që i kushton rëndësinë e duhur bujqësisë, tokës, prodhimit vendor, dhe që i lidh këto – sikurse edhe fushat tjera të ekonomisë, me arsimin.

Kontribo

24 07 2019

Ministrat e Arsimit, nëpërkëmbja e studentëve dhe skandali me librat amëz

Gjatë 5 muajve të fundit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministri tashmë i qeverisë së dorëhequr, kabineti i tij dhe sekretari i kësaj ministrie kanë fshehur me vetëdije të plotë skandalin me parregullstitë e librave amzë të institucioneve të Arsimit të Lartë ku ruhen të dhënat e studentëve të Kosovës.

Pas shumë kërkesave zyrtare e publike të Ismajl Kurteshit, deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Inovacione dhe ndërmarrësi, Kabineti i Ministrit Bytyqi dërgoi dokumentin e kërkuar.

Kjo çështje është një nga skandalet dhe dëmet e mëdha që i janë bërë Arsimit të lartë, studentëve nga Ministrat e Arsimit, përfshirë dhe këtë të fundit, Inspektoriati dhe çdo zyrtar që ka heshtur prej kaq vitesh dhe ka lejuar që ky dëm të marrë përmasa të tilla.

Gjeni më poshtë fjalën e plotë të Kryetarit të Komisionit parlamentar për Arsim, deputetit nga LVV, Ismajl Kurteshi

Letra e zyrtares Gagica drejtuar ministrit, sekretarit dhe zyrtarëve të tjerë të lart të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 11 shkurt të këtij viti, përmes të cilës alarmonte se po ndodhin parregullsi të përmasave të jashtëzakonshme me Librat Amëz të kolegjeve private, më nxiti që ta kërkoj raportin në fjalë.

U deshën pesë muaj përpjekje për ta siguruar këtë raport edhe pse e kisha kërkuar në formë të rregullt, me shkrim, në cilësinë e deputetit dhe kryetarit të Komisionit për Arsim, nga Sekretari i MASHT-it dhe vet Ministri.

Cila ishte arsyeja e mbajtjes të fshehur të këtij dokumenti më së miri flet letra përcjellëse e nënshkruar nga shefi i Kabinetit të Ministrit Bytyqi, z.Baton Dushi.

Në letrën përcjellëse të raportit në lidhje me Librat Amëz të Kolegjeve, të dërguar në adresën time me 14 korrik, të nënshkruar nga z. Baton Dushi, MASHT, ndër të tjerat thuhet:

“… Më lejoni t’ju informoj se gjatë viteve të kaluara , në shumë raste , Kolegjet Private po ashtu dhe Universitetet Publike, nuk i kanë dorëzuar brenda afatit Librat Amëz në MASHT, apo nuk i kanë dorëzuar fare dhe si pasoj e kësaj gjendje, një numëri të madh të studentëve nuk mund t’u verifikohej diploma e studimeve … kjo problematik serioze është trashëguar nga kabinetet e kaluara, të cilat nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta zgjidhur këtë situatë.

Vlen të theksohet se probleme të tilla pra nuk kemi trashëguar vetëm nga kolegjet private por edhe nga disa universitete publike… Duhet të sqarohet se përgjegjësinë fillestare e kanë Kolegjet dhe Universitetet me mosrespektim të afateve ligjore për dorëzim të Librave Amë, si dhe Ministria deri në mandatin tonë, meqë nuk ka ndërmarrë asnjë masë ligjore kundrejt tyre dhe nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje për studentë, edhe asaj i faturohet faj i mjaftueshëm. Dikasteri i Arsimit është këtu për t’i shërbyer publikut dhe ja që Kabinetet pararendëse nuk e kanë përmbushur këtë detyrë ndaj interesit publik!”.

Siç po shihet ky problem shtrihet dhe në universitet publike. Fatkeqësisht ne nuk kemi raport për këto raste. Edhe pse brenda Ministri me siguri që ekziston një i tillë.

Çka do të thotë të jesh student dhe të mos jesh i regjistruar në librat amëz?

Përballë shtetit pavarësisht kohës së kaluar në Institucionet e Arsimit të Lartë qoftë në ato publike a private dhe pavarësisht pagesave financiare, një studenti të paregjistruar në këto libra nuk i njihet as diploma as studimet edhe kur e merr dokumentin të quajtur diplomë.

Pra, një dëm i madh dhe i pariparueshëm ka ndodhur me të rinjtë e të rejat tona. Ata kanë besuar se po kryejnë studimet e tyre universitare në fakt kanë qenë të mashtruar.

Prandaj kabineti aktual i Ministrisë së Arsimit në këtë drejtim, nuk dallon aspak nga kabinetet tjera, ky kabinet është përpjekur ta mbaj të fshehur këtë shkelje të papresedan nga publiku, e kjo është shkelje në vehte. Kabineti aktual bartë përgjegjësi si kabinetet pararendëse.

Kabineti aktual këto ditë po punon në nxjerrjen e një Udhëzimi Administrativ i cili do t’i legjitimonte këto shkelje, sidomos neni 5 i këtij udhëzimi. Prandaj ky Udhëzim Administrativ nuk do të duhej të përdorej.

Në raportin që unë sot do ta bëjë publik shihet se një numër i konsiderueshëm i kolegjeve Librat Amëz ose i kanë dorëzuar me vonëse ose nuk i kanë dorëzuar fare.

Librat Amëz të dorëzuara në Ministrinë e Arsimit, ose janë të paprotokolluara, ose janë të pambyllura, ose të panënshkruara, ose janë të nënshkruara por nuk janë të vulosura por sigurisht ka edhe të atilla që janë në rregull.

Duke e njoftuar opinionin me këto parregullsi që me vetëdije i ka lejuar MASHT-i, nuk ka asnjë arsye që me këtë çështje të mos merret Prokuroria e Shtetit.

Qeveria është në dorëheqje ndaj kërkoj nga Ministri i Arsimit të mos marrë vendime që nuk i lejohet një ministri në dorëheqje, siç që janë botimi i teksteve të kontestuara shkollore, përdorimin e Udhëzimit Administrativ Për verifikimin, vërtetimin dhe vulosjen e dokumentacionit të lëshuar nga Institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe Arsimit të lartë me qëllim të përdorimit jashtë vendit.

Unë po ua dorëzoj sot këtu raportin ashtu si e ka dërguar MASHT-i.

Përndryshe kjo qeveri bashkë me Ministrinë e Arsimit do të mbahen në mend për:

Diskreditimin e arsimit universitar duke e përjashtuar atë nga EQAR.
Çorganizimin e brendshëm të MASHT-it
Emërimet dhe shkarrkime të paligjshme.
Cenimin e procesit mësimor për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik dhe përplasjet Qeveri-SBAShK.
Komprometimin me procesin e hartimit të teksteve të reja shkollore.
Ndërhyrjen në procesin e vlerësimit të universiteteve nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe mosakreditimin e tyre.
Mungesën e buxhetit për kërkimin shkencor dhe dështimin e kurrikulës për edukimin e hershëm (çerdheve), e dështime të tjera.

Kontribo

23 07 2019

Zgjedhje të reja menjëherë, qeveria e dorëhequr të ndërpresë veprimtaritë e dëmshme

Nënkryetari Besnik Bislimi dhe kryesuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca shprehën shqetësimin e Lëvizjes për vendimet e dëmshme që qeveria e dorëhequr po vazhdon të marrë. “Vendimet nuk po ndalen edhe kur kjo qeveri është në dorëheqje, e ndoshta është qeveria e vetme në botë që edhe pas dorëheqjes po i rritet numri i zëvendës-ministrave. Ndoshta ky do të jetë edhe akti i fundit komik i kësaj qeverie e cila thotë se është duke shkuar por në të njëjtën kohë zëvendës-ministrat nga 80 bëhen 82.” vuri në dukje Konjufca, i cili shprehu qëndrimin tashmë të njohur se opsioni që preferon Lëvizja VETËVENDOSJE! për qeverisje të përbashkët, është me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Konjufca theksoi se e vetmja ftesë e pranueshme nga presidenti në këtë moment, është ajo për caktimin e zgjedhjeve të reja. Qytetarët presin ndryshim, dhe nuk do të pranohen makinacionet presidenciale që do të synojnë shmangien e zgjedhjeve.

Ndërsa Besnik Bislimi vuri në dukje se roli i qeverisë së dorëhequr duhet të jetë vetëm tranzitor. Pra të mirëmbajë funksionimin normal të administratës publike dhe kryerjen e pagesave rutinore në pajtim me buxhetin e aprovuar të vendit. Rrjedhimisht kompetencat e qeverisë tranzitore janë tejet të limituara. Ky limitim nënkupton që:

1. Kjo qeveri nuk ka më mandat për të implementuar program qeverisës dhe nuk mund të marrë asnjë vendim që ndikon negativisht aftësinë e qeverisë në ardhje për të implementuar programin e saj qeverisës.

2. Kjo qeveri nuk guxon të paraqitet në emër të Kosovës lidhur me ndonjë marrëveshje sa i takon Serbisë apo çështje që ndërlidhen me marrëveshje të mëhershme me të.

3. Nuk mund të marrë vendime me ndikim në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit.

4. Nuk mund të merret me përgatitje të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

5. Nuk mund të implementojë asnjë projekt madhor infrastrukturor; vazhdojë asnjë kontratë me peshë financiare e me ndikim ekonomik dhe iniciojë asnjë reformë institucionale apo ekonomike.

6. Nuk mund të emërojë asnjë zyrtar në pozita të larta në hierarkinë politike institucionale apo në ndërmarrjet publike e shtetërore, agjencitë e pavarura dhe stafin diplomatik të vendit.

Besnik Bislimi më pas tregoi konkretisht se cilat janë 14 çështje të rëndësishme me të cilat qeveria në dorëheqje nuk guxon të ndërmarrë asnjë hap, pasi çdo aventurë do të anulohej nga qeveria e ardhshme që në ditën e parë të saj:

1. Ndërprerjen e cilitdo aktivitet që ndërlidhet me termocentralin e ri në Kosovë apo me shkatërrimin e lumenjve të vendit përmes lejimit të operimit jashtëligjor të hidrocentraleve.

2. E cilësdo nismë që lidhet me operatorë privatë apo marrëveshje të ngjashme sa i përket Ndërmarrjes Publike “Trepça” sha.

3. Ndërprerjen e çdo aktiviteti të ndërlidhur drejtpërdrejt apo indirekt me privatizimin e Telekomit të Kosovës, si dhe ndalimin e futjes së Telekomit në borxhe me synim të transferimit të milionave drejt marrëveshjeve haptazi të korruptuara me Z-Mobile.

4. Ndërprerjen e çdo aktiviteti që lidhet me vazhdimin e kontratës me Z-Mobile.

5. Ndërprerjen e çdo aktiviteti që ndërlidhet me autostradën e planifikuar të Dukagjinit.

6. Ndërprerjen e çdo aktiviteti me synim vazhdimin e monopolit në fushën e homologimit.

7. Ndërprerjen e çdo aktiviteti nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ndërlidhet me procesin e kompromentuar të botimit të teksteve shkollore.

8. Ndërprerjen e pseudoreformave në shëndetësi që më shumë synojnë përmirësimin e imazhit personal të individëve brenda PDK-së se sa përmirësimin e sistemit të mjerë shëndetësor.

9. Ndërprerjen e menjëhershme të emërimeve jomeritore dhe jokompetente në pozita të larta në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë.

10. Ndalimin e çdo emërimi në pozitat e larta nëpër ministri, përfshirë ato të drejtorëve apo sekretarëve të përhershëm.

11. Ndalimi i secilit emërim në pozita menaxhuese dhe në borde mbikëqyrëse e menaxhuese të ndërmarrjeve publike dhe agjencioneve rregullative.

12. Ndërprerjen e menjëhershme të çdo emërimi të ri në stafin diplomatik të vendit.

13. Largimin e menjëhershëm nga detyra të gjithë asaj brigade zëvendësministrash, koordinatorësh, nënkordinatorësh dhe pozita tjera të shpikura në këto dy vitet e fundit, meqenëse këto janë krejtësisht të panevojshme në periudhën tranzitore.

14. Të pamundësojë përdorimin apo keqpërdorimin e aseteve publike për qëllime zgjedhore të subjekteve politike pjesë e koalicionit qeverisës.

Në të njejtën kohë Besnik Bislimi i bëri thirrje punonjësve dhe specialistëve të ndershëm të Administratës publike në Kosovë: “Mos bini pre e presionit nga kabinetet e ministrave dhe kryeministrave për të implementuar vendime që janë të dëmshme dhe shkojnë përtej kompetencave të një qeverie në dorëheqje”.

Këto vendime duhet t’i lihen qeverisë në ardhje, tha Bislimi, duke nënvizuar se sigurojmë që qeveria e ardhshme do sjellë një model krejtësisht ndryshe të qeverisjes. Një qeveri që bazohet në drejtësi shoqërore, punësim dhe mirëqenie.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
23 korrik 2019

Kontribo

22 07 2019

Tubim në Bardhin e Madh të Fushë Kosovës

Kosova ndodhet në një krizë të shumëfishtë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës u mungon drejtësia dhe punësimi; të gjithë janë shumë të zemëruar prej korrupsionit dhe moszhvillimit; prej të ardhmes së pasigurt; prej arsimimit të dobët dhe shëndetësisë edhe më të dobët – por populli ynë, gjithmonë i ka mbledhur forcat dhe ka dalë nga situatat e vështira, edhe atëherë kur askujt nuk ja ka marrë mendja, dhe kjo do të ngjajë edhe kësaj radhe. Qeveria ka rënë dhe është krijuar një shans që me zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, qytetarët ta thonë fjalën e tyre, ta shprehin përcaktimin e tyre, për ndryshime që tashmë janë të domosdoshme. Por, çdo mungesë që e ka qytetari i Kosovës nuk mund të krahasohet me mungesën e ujit. Mund ta merrni me mend se në çfarë krize është vendi ynë kur edhe uji është bërë luks. Qytetari nuk do të duhej të gëzohej kur ka ujë sepse ai nuk do të duhej t’i mungonte. Unë e di se Bardhi i Madh i ka dhënë qindra hektarë KEK-ut, me çmim shumë të lirë përgjatë dekadave të ndryshme; e di se ajri është ndotur prej KEK-ut dhe se keni pas vështirësi edhe për shkak të zhurmës së eskavatorëve. Gjithashtu e di se për shkak të eksploatimit të minierave u janë pakësuar burimet e ujit dhe tash keni mbetur pa të – probleme këto që nuk janë fatkeqësi natyrore, por janë keqqeverisje e paparë. Prandaj ne duhet të bashkohemi që ta bëjmë ndryshimin dhe asisoj të mundësojmë që ai të reflektohet edhe këtu në jetën tuaj, jo vetëm për ujin por edhe për shumëçka tjetër. Lëvizja VETËVENDOSJE! është infrastrukturë që i lidhë njerëzit dhe qytetarët e këtij vendi, dhe ua ofron vetveten atyre për ndryshimet pozitive që ata i duan. Zgjedhjet janë afër dhe është me rëndësi që ta ushtroni të drejtën tuaj për ndryshime në këtë vend.

Kontribo

21 07 2019

Takim me bashkëatdhetarë në Prizren

Ditët e verës janë ditët kur mërgimtarët vizitojnë vendlindjen duke u takuar dhe çmallur me familjen. Sot, Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskukën, Sekretaren Organizative Vlora Haxhimehmedi, Kryetarin e Qendrës së Prizrenit Artan Abrashin dhe deputetët Arbër Rexhajn e Drita Millakun mbajtën një takim të përzemërt me bashkëatdhetarët e kësaj ane. Mërgata është kontribuesja më e madhe e pasluftës në ekonominë e vendit ndërkohë është neglizhuar komplet nga qeverisjet e deritanishme, madje është rrjepur që nga hyrja në kufirin e vendit të tyre. Me rënien e kësaj qeverie më të madhe të pasluftës sa i përket kabinetit por edhe korrupsionit Kosovës i ndalohet avazi i shkatërrimit të ndërmarrjeve dhe pasurive publike, por edhe i hapet rruga për një qeverisje të re e të duhur. Përveç që qeverisja e re do të duhet të ftojë e sigurojë investimin e diasporës, ajo duhet të krijojë kushte që nga Kosova të mos largohen qytetarët për një jetë më të mirë.

Kontribo

20 07 2019

Fjala e kryetarit dhe nënkryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në konferencën e sotme për medie, mbajtur më 20 korrik 2019

Albin Kurti:

Që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë nisur të vijnë ftesat për komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale. Me 3 gusht bëhen 4 vjet prej kur u ndryshua Kushtetuta e Kosovës me amandamentin nr.24 për t’i hapur rrugë Speciales e cila hyn brenda trupit të Republikës sonë dhe me kusht që të mbetet sipër saj. Me 82 vota PËR e patën pranuar atë që është e paimagjinueshmja. UÇK-në të cilën e lanë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe jashtë Kushtetutës së Republikës, e futën brenda Gjykatës Speciale! Është mirë që televizioni publik të ritransmetojë seancat plenare të Kuvendit të Republikës të 26 qershorit dhe 3 gushtit 2015.

Sot ne i vuajmë pasojat e qëndrimeve të liga dhe të vendimeve të gabuara vite më parë, kur politikanë përfaqësues, zyrtarë të lartë, që më shumë e deshën vetveten sesa kombin dhe shtetin, Kosovës ia bënë Gjykatën.

Dhjetëra luftëtarë po intervistohen. Nuk dihet kush do të akuzohet. Askush nuk e din këtë. Ish kryeministri Haradinaj as nuk është arrestuar dhe as nuk është akuzuar. Pra, ish kryeministri as nuk është në burg dhe as nuk ka aktakuzë. Do të intervistohet nga prokuroria e specializuar si dhjetëra luftëtarë e komandantë të tjerë. Që nga Rrustem Mustafa – Remi, Komandant i ZO të Llapit, te Sylejman Selimi, Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, e deri te Sokol Dobruna, Kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, tashmë që të gjitha këta e shumë janë intervistuar. Duket se janë intervistuar edhe politikanë të tjerë e zyrtarë të lartë shtetërorë të cilët nuk kanë preferuar që kjo gjë të jetë apo të bëhet publike.

Se a intervistohesh nga Prokurori i Specializuar si kryeministër apo si u.d. i kryeminitsrit, kjo s’përbën dallim për Gjykatën Speciale. Dallimi është në Kosovë, jo në Hagë. Nuk e kemi më një qeveri që ishte e mbrapshtë dhe e pashpresë ashtu siç ishte e madhe. Tash shpresa është te ndryshimi, te zgjedhjet, te liria, te demokracia, te vetëvendosja.

Ish kryeministrin e kemi paralajmëruar disa herë shumë herët. Sa më afër gjarpërit, aq më i rrezikuar je. Rexhep Selimi e pat paralajmëruar ish kryeministrin që të ketë kujdes nga puthja e gjarpërit, mirëpo e mbani mend se si ai u pat shfryrë kundër Rexhep Selimit në një seancë plenare.

Po të mos kalonte demarkacioni i gabueshëm me Malin e Zi, do të binte presidenti Thaçi. Deri me 21 mars të vitit të kaluar, Haradinaj e kishte kapur gjarpërin për koke. Pas 21 marsit 2018 kur u ratifikua demarkacioni ‘Meha’, Haradinaj e mbante gjarpërin për bishti.

E kemi lutur ish kryeministrin që të mos e mbështesë demarkacionin me Malin e Zi. Na shpërfilli. Gati 500 ditë pas ratifikimit, askund nuk e kemi korrigjimin e premtuar që na e kthen kufirin në Qafë të Çakorrit, në Kullë të Zhlepit e me Bjelluhën brenda Kosovës. E kemi lutur kryeministrin të na e mbështesë mocionin opozitar që ia ndalon presidentit negocitatat për territor. Na shpërfilli. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka rezolutë që ia ndalon presidentit pazaret me territorin e shtetit sepse vazhdimisht na u pamundësonte kuorumi.

Presidenti Thaçi duhet të na thërrasë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kaq. I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen.

Ne po i mobilizojmë si Lëvizje VETËVENDOSJE! strukturat tona dhe do t’i përgatisim ato për zgjedhje të reja. Fundja edhe letra e dorëheqjes së ish kryeministrit ishte fillim i fushatës. Kosova ka nevojë për shpresë. Kosova ka nevojë për të zgjedhur, sepse ka nevojë për qeveri të re, e cila sjell edhe prokurori të guximshme, edhe prokurim të ndershëm, edhe punësim për popullsinë, edhe barazi për qytetarët edhe mirëqenie pa diskriminim.

Besnik Bislimi:

Të nderuar të pranishëm, ditën e djeshme u vetërrëzua para se të shkarkohej qeveria më e madhe dhe më e shkurtër e Kosovës së pasluftës. U vetëshkarkua para se të binte, qeveria që kishte kapur shtetin si asnjë tjetër para saj. Një qeveri enorme dhe e korruptuar. Opozita e vërtetë gëzohet gjithnjë kur bie qeveria e sidomos kur bie një qeveri si kjo që e kishim ne.

Jemi të gëzuar që ra qeveria me 23 ministra, 5 zëvendës-kryeministra, mbi 80 zëvendës-ministra, e me 35 këshilltarë vetëm për kryeministrin.
· Qeveria që tregoi inovacion vetëm në shpikjen e panumërt të pozitave e posteve të reja për të rehatuar qindra familjarë e militantë.
· Kjo qeveri shkeli së paku tri ligje për t’ia siguruar “Contour Global”-it shitjen e energjisë, kredinë bankare dhe fitimin e garantuar prej 18,5%.
· Ia dyfishuan vetes pagat në shtetin më të varfët me papunësinë më të madhe në Evropë.
· Ia falën borxhet ndërmarrjeve të papërgjegjshme në pronësi të oligarkëve.
· Ia falën 8. 200 hektarë të territorit të Kosovës Malit të Zi.
· Mashtruan qytetarët me vite për liberalizimin e vizave.
· E legalizuan krimin dhe e kthyen në vlerë nepotizimin e kroniizmin.
· E çuan drejt falimentimit PTK-në me menaxherë partiakë jokompetentë që dinin gjithçka përvec punës së menaxherëve.
· E mbushën një të tretën e kabinetit me njerëz nën hetim për vepra kriminale.
· E diskredituan arsimin universitar kosovar duke e përjashtuar atë nga EQAR-i dhe duke ndërhyrë në vendime të pavarura të Këshilit Shtetëror të C-së me synim mbrotjen dhe sigurimin e cilësisë në arsim.
· I paguan 1 milion euro për serbët në veri që nuk paguanin energjinë elektrike.
· Ia dhanë 53 milionë euro të taksave të qytetarëve në mënyrë të paligjshme kompanisë Bechtel-Enkas.
· Kërcënuan prokurorët tanë për të pamundësuar hetimin e skemës së korruptuar të përfitimeve për veteranët e luftës.
· Manipuluan me pronat në Shipitullë dhe Hade dhe planifikuan të njëjtën edhe në autorrugën e Dukagjinit.
· E rritën me shpejtësi rekorde deficitin buxhetor dhe borxhin public të vendit.
· E miratuan përmes pazareve të paskrupullta dhe nuk e rishikuan as buxhetin e vitit 2018 e as të vitit 2019.
· E mirëmbajtën monopolin në homologimin e automjeteve në kundërshtim me rekomandimin e Agjencisë Kosovare të të Konkurrencës.
· Krijuan dhe mirëmbajtën bord joprofesional ZRrE, partiak në Trepçë, e familjar në Telekom.
· Shpenzuan për asfalt 10 herë më shumë sesa për Universitetin e Prishtinës, 10 herë më shumë sesa për Këshillin Gjyqësor e Prokurorial, apo 20 herë më shumë sesa për ujësjellës e kanalizim së bashku.

Të nderuar të pranishëm, ditën e premte, me 19 korrik u rrëzua një qeveria e cila bëri gjithçka që nuk do duhej të bënte, por nuk ia ruajti nderin vendit, ashtu si nuk e ruajti stabilitetin e buxhetit dhe nuk i ruajti xhepat e qytetarëve. Një qeveri që nuk solli as edhe një njohje të vetme për vendin, por duke dëmtuar në vazhdimësi imazhin e vendit jashtë dhe të qeverisë brenda, pamundësoi edhe anëtarësimin në cilëndo organizatë ndërkombëtare të rëndësishme. Dje u vetërrëzua një qeveri e cila të gjitha dëmet e dy viteve u mundua t’i fshehë pas një ftese për intervistë.

Dje u vetërrëzua një qeveri së cilën e paralajmërojmë që të shmang çfarëdo përpjekjeke për të marrë ndonjë vendim me peshë politike e financiare deri në krijimin e qverisë së re, ngase të njëjtat do të zhvlerësohen në ditën e parë të punës të qeverisë në ardhje.

Realisht, LVV-së i është vjedhur dyfish fitorja na zgjedhjet e kaluara. Së pari, kur ne u dyfishuam, u bëmë partia më e madhe dhe e parë në Kuvend me kryetarin Kurti si njeriun më të votuar në Kosovë dhe na e pamundësuan përmes manipulimeve të ndryshme krijimin e qeverisë. Së dyti, kur u tjetërsua vullneti i votuesve tanë me ata që ikën duke i marrur padrejtësisht mandatet e Lëvizjes me vete për t’i çuar ato në një parti të vogël që kishte garuar bashkë me PAN-in.

Andaj, le të shkojmë në zgjedhje të reja pa vonesë. Presidenti ta dijë që secila tentativë e tij eventuale për të zvarritur zgjedhjet e reja vetëm se do të përshpejtojë shkarkimin e tij. Le të garojmë me programe zhvillimore, le t’ia kthejmë shpresën popullit, drejt një qeverie të re që mundëson drejtësi në vend pa korrupsion dhe punësim në vend të emigrimit.

Ju falemnderit.

Kontribo

19 07 2019

Në mbështetje të marshit “Kundër Vrasjeve institucionale” në Fushë Kosovë

Prokuroria dhe policia, në një shtet të së drejtës do të duhej të ishin institucione që përkujdesen dhe mbrojnë qytetarët e Republikës pa dallim përkatësie e statusi shoqëror, dhe jo të jenë të neglizhentë, e në të shumtën e rasteve selektivë, duke mos vepruar as kur paraqiten rastet e dhunimit e kërcënimit me jetë.

Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes Kuvendit të Kosovës janë duke hulumtuar në detaje për rastin e përdhunimit dhe vrasjes së të riut nga Fushë Kosova. Ajo çka jemi të bindur deri tani është se pas procedimit të rastit nga Policia, Prokuroria e ka neglizhuar në tërësi rastin në fjalë, dhe ajo është përgjegjësja kryesore për këtë rast.

Përdhunimi i 11 vjeçarit për të disatën herë, paraqitja e rastit, dhe më pas vrasja e tij, janë tregues që në Kosovë nuk funksionon shteti i së drejtës dhe nuk ka institucione që kujdesen për qytetarët e këtij vendi; janë tregues që nëse dikush kërcënohet atëherë më mirë të shohë për alternativa të tjera sesa të presë mbrojtje nga institucionet. Kjo është e papranueshme.

Reagimi institucional ndaj rasteve të paraqitura në vendin tonë po merr trajtat e një fenomeni këmbëngulës e shqetësues. Vitin e kaluar kishim rastin e një të riu rom, 18 vjeçar, që u dënua me 7 vite burg, për 450 euro që thuhet se i kishte vjedhur nga një bankë; këtë vit patëm rastin e një gruaje rome që u sulmua më shumë se dy herë dhe së fundi këtë vrasje makabre të një 11 vjeçari rom për të cilin rast kaluan dy ditë, e deri kur filloi çështja të bëhet më publike nuk pati asnjë reagim.

Këto institucione që për rol kushtetues kanë të mbrojnë jetën e qytetarit të Republikës, po vazhdojnë ta dallojnë rolin e tyre: nëse rasti i paraqitur ka të bëjë me një grua, me një fëmijë, e aq më tepër me një rom atëherë shpesh nuk veprohet, madje as kur në rrezik është jeta. Kjo qasje nuk mund të vazhdojë tutje.

Institucionet duhet të japin llogari për këto jetë të humbura, për dhunën e përsëritur, dhe për qasjen selektive e diskriminuese në vënien e rendit dhe drejtësisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah marshin protestues të thirrur sot prej orës 14:00 dhe fton qytetarët t’i bashkangjiten kësaj proteste e cila mbahet tek lagja Meshari (te pazari) për të vazhduar më pas drejt stacionit policor në Fushë Kosovë.

Kontribo

18 07 2019

Homazhe për Enver Zymberin.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga kryetari Albin Kurti, deputetët Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi, Arbërie Nagavci, Shemsi Syla dhe Xhelal Sveçla, si dhe nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi, nënkryetarja e Qendrës sonë dhe asamblistja Gresa Muli e me aktivistë të tjerë, vizituan familjen e Enver Zymberit dhe bënë homazhe te varri i tij në Dubovc të Vushtrrisë në tetë vjetorin e rënies. Me këtë rast kryetari Kurti deklaroi:

Rënia e Enver Zymberit është rënie për ta ngritur lartë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetërorë të Republikës. Prandaj Kosova, institucionet, politika dhe qytetarët e saj, i kanë shumë borxh këtij polici tonë i cili nuk kurseu asgjë për atë që është e jona, që është e të gjithë neve.

Nuk mund të themi që Enver Zymberi prehet i qetë dhe as që ne jemi të qetë si qytetarë dhe politikanë përderisa drejtësia nuk vihet në vend.

Në njërën anë vrasësit janë të lirë, ndërkaq në anën tjetër veriu ende nuk është plotësisht i integruar, dhe për të dyja këto institucionet, politika dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen meqenëse i ka obligim sipas detyrës, i ka borxh sipas moralit njerëzor dhe kombëtarë. Lavdi Enver Zymberit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Kontribo

17 07 2019

Nga vendi i ligjërimit – një ligjëratë e posaçme

Mbrëmë në selinë qendrore u organizua ligjëratë me profesorin e biologjisë, Ilir Mazrekun. Së bashku me studentë të psikologjisë, biologjisë e shkencave të tjera, ligjëratën e pasuan pyetje e komente mbi temën që ishte një pikëprerje e kërkimeve nga të dyja këto fusha. Në diskutimin mbi bindjet ideologjike, konstruksionin dhe burimin e ndërtimit të besimeve dhe qëndresën karshi tyre, përballjen me faktorët e ndryshimit dhe rolin shoqëror për to, e sollëm në vëmendje se kërkimi shkencor i shoqëruar me mbështetjen për studiuesit e studentët është jo vetëm i dëshirueshëm por kusht themelor i emancipimit.

Kontribo

17 07 2019

Takim me delegacionin zyrtar nga Mbretëria e Bashkuar

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca dhe deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, priti në takim delegacionin nga Mbretëria e Bashkuar të kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Foreign Office, z. Andrew Page, znj. Susan Laffey, drejtuese e Sektorit të Analistëve, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairí O’Connell, dhe Samuel Paice, Sekretar Politik në Ambasadë.

Në fillim të takimit Kryetari Kurti e njoftoi z. Page për zhvillimet e fundit në Kosovë me fokus të veçantë situatën socio-ekonomike, mungesën e zhvillimit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë sidomos tek gratë dhe të rinjtë, nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe nevojën shumë të madhe të lidhjes së sistemit edukativ me ekonominë.

Në anën tjetër, z. Page tregoi interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i ndihmuar Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së ndërmarrësisë tek të rinjtë me interes të veçantë në fushën e shkencave kompjuterike dhe dixhitalizimit si dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që ata të mos largohen nga vendi. Po ashtu, z. Page njoftoi për dyfishimin e fondeve që ndanë Mbretëria e Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perendimor dhe dyfishimin e ekspertëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e krimit kibernetik.

Ndër çështjet tjera për të cilat u diskutua ishte Procesi i Berlinit, të arriturat dhe fushat ku duhet fokusuar në të ardhmen ku kryetari Kurti sugjeroi se Procesi i Berlinit duhet të iniciojë një fond për zhvillim ekonomik të ngjashëm për Ballkanin siç ishte Plani i Marshallit për Evropën me fokus të veçantë në qytetet e ndara.

Sa i përket dialogut më Serbinë z. Page ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar e cila është kundër iniciativës për ndryshimin e kufijve. Ndërsa, z. Kurti ritheksoi qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për një dialog të hapur nga poshtë-lartë për zhvillim si mënyrë për integrim e përparim.

Kontribo

17 07 2019

Driton Vela anëtarësohet në VETËVENDOSJE!

Driton Vela në VETËVENDOSJE!. Tash jemi edhe më të fortë e më të përgatitur. Ai është asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i mjekësisë interne. Definitivisht një profesionist i përkushtuar i profesorëve të gjeneratës së re me arritje të konfirmuara në fushën e shkencës. Dritoni e mori çmimin Shkencëtari i Vitit më 2018. Dhe botoi librin e çmuar nga fusha e mjekësisë – Fiziologjia e Sistemit Kardiovaskular. Shumë të gëzuar që do ta bëjmë së bashku rrugën e mbetur për ndryshimin e domosdoshëm të vendit tonë.

Kontribo

17 07 2019

Takim me bashkatdhetarë

Në mbrëmjen e 17 korrikut Lëvizja mirëpriti shumë bashkëatdhetarë të cilët këto ditë po kalojne pushimet në vendlindje. Ky është viti i dytë me radhë që Lëvizja organizon takime me mërgimtarët. Kosova asnjëherë nuk e ka vlerësuar siç duhet kontributin e bashkëatdhetarëve nga mërgata, të cilët kanë merita e kontribut të veçantë, si për lëvizjen kombëtare para luftës, ashtu edhe Kosovën për vetë çlirimin, dhe ende sot janë një nga ndihmat kryesore për ekonominë tonë. Pa ta jeta e shumicës së familjeve në Kosovë do të ishte jashtëzakonisht e vështirë, nëse jo e pamundur. Lëvizja u dëshiron pushime të mira ne vendlindje mërigmtarëve, ndërkohë i falenderon shumë të gjithë ata që erdhën në këtë takim, ku u bisedua për shumë tema të rëndësishme për mërgimtarët. Pritje të tilla për bashkatdhetarët, sërish me pjesëmarrjen e figurave kryesore të Lëvizjes, do të mbahen edhe në datat 7 e 14 gusht.

Kontribo

10 07 2019

Prokurimi publik në Kosovë, nga problemet në zgjidhje – Si të parandalojmë keqpërdorimin e parasë publike përmes tenderëve

Çdo projekt e shërbim publik në modelin e funksionimit  në Kosovë preket nga procesi I prokurimit publik. Si i tillë ky proces dhe sektori që e zbaton atë kthehet në një nga më të rëndësishmit dhe prek drejtpërdrejt parametrat e zhvillimit ekonomik të vendit.

Nëpërmjet prokurimit publik rreth 1/3 e gjithë buxhetit vjetor të Kosovës vendoset të shpenzohet në projekte e shërbime për publikun e administratën në përgjithësi. Përmes prokurimit, institucionet publike, qendrore dhe lokale blejnë mallra, shërbime dhe punë. Si dhe projektet e plaftormat qeverisësë pas buxhetimit

Volumi i transaksioneve, interesat financiare, kompleksiteti i procesit dhe ndërveprimi i zyrtarëve publik me bizneset e bëjnë prokurimin publik të ndjeshëm ndaj korrupsionit.

Në Kosovë një përqindje e lartë e shumave të tenderëve përfundon në xhepat e zyrtarëve publikë. Zyrtarë të lartë publik përdorin ndikimin e tyre për të orientuar tenderët tek partnerët e tyre të biznesit, tek të afërmit dhe tek anëtarët partiakë.

Pasuria e pashpjegueshme e shumë zyrtarëve të lartë publik mendohet se është siguruar edhe përmes korrupsionit në tenderë publikë.

Korrupsioni në prokurim publik që të humbet vlera e parasë publike duke përfunduar xhepat e zyrtarëve publik; bënë që kualiteti i punëve të jetë i dobët çka kërkon riinvestim dhe ritenderim dhe rimundësi për më shumë korrupsion; bën që të krijohet klientelizëm mes zyrtarëve partiakë dhe bizneseve të cilat pastaj kontrollojnë qytetarët (të punësuarit) çka ndikon direkt në zgjedhje të lira; bën që të rritet kriminaliteti pasi pasuria e siguruar në mënyrë të paligjshme ushqen kriminelët dhe kriminalitetin; bën që parimet bazë të garës së bizneseve për ide dhe kualitet të korruptohen çka ndikon në cilësinë e shërbimeve, inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve dhe krijon monopol në treg.

Të enjten në Lëvizjen VETËVENDOSJE! u diskutuan në një prezantim të detajuar nga Jeton Zulfaj e pasuar nga një diskutim i gjatë mbi praktikat dhe zonat ku nevojitet ndërhyrje.

10

Kontribo

21 06 2019

Takimi i fshehtë Arifi – Gjuriq, vazhdim i avazit antikombëtar

Qytetarët e Kosovës morën vesh prej informacioneve të publikuara nga mediat e më vonë të konfirmuara nga Vuçiqi, se në Berlin janë mbajtur takime të fshehta mes përfaqësuesit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit, dhe të dërguarit të Vuçiqit, Marko Gjuriq.

Haradinaj, është ai i cili fillimisht sapo u bë kryeministër, në mënyrë antikushtetuese ia la dialogun Thaçit. Kësisoj ai ia hapi rrugën projektit antikombëtar, atij të copëtimit të Kosovës. E tash, kur projektin e copëtimit të Kosovës e ndalëm, përmes protestave masive si dhe duke e diskredituar ndërkombëtarisht, kryeministri dërgon këshilltarin e tij në takime të fshehta. Ky kryeministër i cili nuk pranoi të marrë haptazi përgjegjësitë e tij duke ndalur rrezikun që po sillte Thaçi, tash, po shkon fshehurazi për të ringjallur projekte të marra fund, siç ishte “Zajednica”.

Ne nuk e dimë ç’mund të jetë folur në atë takim, sepse askush nuk e njoftoi as popullin e Kosovës e as parlamentin për këtë takim. Por, një gjë është e sigurt, nuk do të ketë kurrë dialog pa i ndjekur katër hapat që e bëjnë dialogun legjitim e demokratik, dhe ato janë:

1 – Shqyrtimi i marrëveshjeve të deritashme dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017.
2 – Përcaktimi paraprak i qëllimeve të Kosovës në këtë dialog që bëhen kërkesa ndaj Serbisë.

Pas këtyre, zgjedhje të reja dhe legjitimim të institucioneve demokratike që e drejtojnë dialogun. Dhe, dy hapa tjerë pastaj:

3 – Përgatitje e platformës ku përcaktohen parimet, temat e panegociueshme e ato të ngutshme për t’u trajtuar në dialog.
4 – Formimi i një ekipi negociator gjithëpërfshirës, me udhëheqje kredibile e strategji.

I gjithë procesi i dialogut, që nga fillimi, do të duhet të ketë mbështetjen e 2/3 të Kuvendit, dhe jo vetëm ratifikimi i përfundimit të tij.

Këto përpjekje për të gjetur rrugë të fshehta, nuk i japin kredibilitet dialogut të diskredituar. Me këtë mungesë transparence, Haradinaj po tregon se i qaset dialogut me mentalitet të njëjtë si të Thaçit.

Kontribo

20 06 2019

Takim me shoqata shqiptare në Stamboll

Mbrëmë, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilloi takim të përzemërt katërorësh me përfaqësues të dhjetëra shoqatave dhe organizatave të ndryshme shqiptare në Stamboll.

Kryetari Albin Kurti falenderoi shqiptarët e Turqisë për kontributin e tyre për Kosovën dhe shqiptarët, në paqe dhe në luftë, si dhe për ndikimin e tyre në institucionet e shtetit turk për mbështetjen e Kosovës. “Mërgata jonë ndodhet jashtë atdheut, por ajo është brenda kombit” – tha Kurti.

U diskutua për shumë tema e çështje: mësimin e gjuhës shqipe, investimet në Kosovë, të drejtën për nënshtetësi, studentët shqiptarë, e deri te aktualiteti politik në Kosovë.

Në bashkëbisedim të hapur me bashkatdhetarët, qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i shpalosën edhe anëtarët e tjerë të delegacionit: Mytaheri, Albulena, Fitorja, Arbeni, Esma dhe Arbëri.

Kontribo

20 06 2019

Në mbështetje të Federatës Sindikale të Telekomit

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet kërkesat dhe qëndrimet e Federatës sindikale së pavarur të PTK-së të paraqitura sot publikisht, lidhur me ndërprerjen, respektivisht mosvazhdimin e Kontratës së dëmshme me Z-mobile, afati përfundimtar i së cilës përfundon me 30 korrik 2019.

Prej gati një dekade Lëvizja VETËVENDOSJE!, përfaqësuesit e saj dhe profesionistët e telekomunikacionit e financave kanë kërkuar hetimin dhe ndërprerjen e kësaj kontrate skajshmërisht të dëmshme për Telekomin dhe për të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike në vend.

Prej 1 viti Qeveria ka qenë e obliguar që të marrë masa si aksioner i kësaj ndërmarrje publike, për të evidentuar dëmin dhe për ta ndërprerë kontratën me Z-mobile. Kjo është kërkuar nga rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018.

Afati për Qeverinë po përfundon, ndaj punëtorët kanë të drejtë dhe duhen mbështetur në protestën e tyrë të paralajmëruar për të hënën, 24 qershor 2019.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën sërish thirrje menaxhmentit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Qeverisë që të ndërpresin menjëherë kontratën me Z-mobile. Të përllogarisin dëmin e ta kërkojnë ligjërisht dëmshpërblimin për dëmin shkaktuar Telekomit nga kontrata.

I drejtohemi po ashtu edhe organeve të drejtësisë, prej krimeve ekonomike e deri tek prokuroria e shtetit: Hetoni krimin ekonomik që dëmtoi Telekomin dhe financat publike duke hetuar këtë kontratë.

20 qershor 2019
Komiteti për Komunikimi Elektronike dhe Postare
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

18 06 2019

Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë

Sot pasdite delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në krye me kryetarin Albin Kurti pati një drekë pune me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë, z. Mustafa Şentop i cili theksoi se përcjell situatën politike në Kosovë si dhe qëndrimet dhe punën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Z. Şentop shtoi se paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe rajon janë shumë e rëndësishme, duke shtuar se Turqia ashtu siç ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës do të vazhdojë të përkrahë Kosovën edhe më tutje në arenën ndërkombëtare. Z. Şentop theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve duhet të thellohen më tutje por rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet takimeve të këtilla mes deputetëve të parlamenteve tona.

Ndërsa, kryetari Kurti falenderoi Turqinë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës: ndihmën humanitare për popullsinë, pjesëmarrjen ushtarake në misionin e NATO-s dhe projektet zhvillimore në ekonominë në Kosovë. Ai potencoi se ka shumë hapësirë që të bëhet më tepër sidomos në zhvillim industrial dhe në avancimin profesional të të rinjve. Kosova ka nevojë në ndërtimin e urave ndërmjet shkollimit profesional dhe ekonomisë prodhuese dhe këtu Turqia mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Kontribo

18 06 2019

Delegacioni nga LVV takohet me Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe me drejtuesit e TIKA-s

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri po qëndrojnë në një vizitë katër ditore në Turqi.

Sot në mëngjes vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara ku takuan Ambasadorin, Avni Spahiu dhe Atasheun Ushtarak, Bekim Osmani të cilët njoftuan delegacionin për aktivitetet e Ambasadës.

Më pastaj u takuan me Drejtorin e TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zütüh Çevik. Drejtori Çevik i informoi rreth aktiviteteve dhe projekteve që ka realizuar TIKA në Kosovë. Ai theksoi se janë rreth 600 projekte me vlerë rreth 35-40 milionë euro prej të cilave 260 projekte sociale ku hyjnë 150 projekte në fushën e edukimit dhe 60 projekte në shëndetësi.

Kryetari Kurti e falenderoi z. Çevik për mikpritjen dhe për projektet që ka realizuar TIKA në Kosovë. Kurti e njoftoj z. Çevik se këtë vit Kosova shënoi 20 vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe shtoi se Kosova është vend i varfër edhe për shkak se okupatori serb ka kryer shumë vrasje e masakra, dhe ka shkaktuar shumë vuajtje e dëme. Papunësia është shumë e lartë dhe na mungojnë investimet ekonomike, sidomos ato të cilat rrisin prodhimtarinë në Kosovë. Aty ku neve mund të na ndihmojë Turqia dhe TIKA në veçanti është lidhja e arsimit profesional me ekonominë prodhuese.

Në anën tjetër, kryetari i Prizrenit Haskuka e falenderoj për ndërtimin e çerdhes ne Komunën e Prizrenit, projektin për biblotekën, restaurimet e monumenteve si dhe trajnimin profesional të shumë të rinjëve nga Prizreni.

Arben Vitia, foli në veçanti për projektet e TIKA-s në shëndetësi, arsim dhe sidomos për Qendrën për Autizmin dhe Sindromën DOWN. Ai falenderoj TIKA-n për këtë projekt të rëndësishëm, ku përveç investimeve materiale pritet të ofrohet edhe ndihmë profesionale për këtë qendër.

Kontribo