17 06 2019

LVV pajtohet me shoqërinë civile: Ligji nuk kalon

Sot, mirëpritëm marshin “Refuzoj” të organizuar nga dhjetra organizata të shoqërisë civile të cilët ndaluan edhe para zyreve tona, në kuadër të marshit të tyre protestues pranë secilës seli të subjekteve politike në kundërshtim të projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kohë më parë pati deklaruar qëndrimin në lidhje me këtë projektligj duke theksuar se është pro rritjes së transparencës dhe llogaridhënies nga subjektet politike, por është absolutisht kundër neneve që janë antikushtetuese dhe shkelin vullnetin e votuesit siç është rasti me nenin 6 që ka të bëjë me financimin e subjekteve politike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrahë kërkesat e drejta të shoqërisë civile dhe kërkojmë që në çdo ndryshim përbrenda projektligjeve për subjektet politike të kërkohet më shumë transparencë, rritje të demokracisë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse.

Gjithashtu, ne dënojmë rëndë sulmin fizik dhe kërcënimin që ju bë aktivistëve të shoqërisë civile nga zyrtarë të PDK-së në selinë qendrore të kësaj partie politike. Ne kërkojmë që ky gjest antidemokratik dhe kriminal të dënohet edhe nga organet e drejtësisë.

Kontribo

14 06 2019

Të fshihet neni që grabit qytetarët në emër të RTK-së

Me 30 maj, 55 deputetë të Qeverisë pra nga PDK, AAK, NISMA, PSD etj, votuan në lexim të parë Projektligjin për transmetuesin publik (RTK) ku detyrohen qytetarët që të paguajnë në faturat e tyre të rrymës plus 2.5 euro, nga të cilat 50 cent për çdo faturë i fiton KEDS, pra rreth 2 milionë e 400 mijë euro të tjera do i falen KEDS dhe do i zhvaten qytetarëve.

Sot deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Grupi ynë parlamentar, Valon Ramadani dhe Albulena Haxhiu, dorëzuan zyrtarisht amendamente ku kërkohen fshirja e këtij neni dhe ndryshimi i disa neneve të tjera.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar disa herë që nuk do ta lejojë grabitjen e qytetarëve të Kosovës për interesave private e klienteliste. Mbarëvajtja e Radio Televizionit Publik është jetike për Republikën tonë. Por atë e ka ngulfatur pushteti që e ka kapur dhe shtetin tonë.

Ne do të jemi po ashtu në mbështetje të qytetarëve që nuk pajtohem me këtë hajni të re, dhe në mbështetje të Sindikatave që po e kundërshtojnë atë.

Nëse ky projektligj mbërrin dhe leximin e dytë të votohet, gjë për të cilën po punojmë që mos të ndodhë, Grupi ynë parlamentar do ta dërgojë atë në Kushtetuese.

Kontribo

14 06 2019

Afera SHAHINI, zv.Kryeministri Hoxhaj dhe dëmi për Sigurimet Shëndetësore

Prej një dekade premtohen sigurimet shëndetësore publike. Bashkë me to dhe finalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor. Në vitin 2016, Lëvizja VETËVENDOSJE! denoncoi aferën e sistemit informativ shëndetësor, ku përveç të tjerëve përgjegjës për abuzimin me fondet e dedikuara ishte Ymer Shahini, kunati i Enver Hoxhaj, aktualisht zv.Kryeministër dhe nënkryetar i PDK-së.

Atëbotë, pas denoncimit tonë, z. Hoxhaj pati dalë publikisht duke e shfajësuar kunatin e tij, lidhur me këtë aferë i cili njëkohësisht ishte një i kërkuar nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara. Madje, ai pati akuzuar Lëvizjen për shpifje dhe “fashizëm politik”.

Para tre ditësh Shahini, nënshkruesi i kontratës për SISH me Ministrinë e Shëndetësisë, u arrestua pas për ekstradim në SHBA ku akuzohet si pjesë e skemës së mashtrimit financiar. Ai qëndronte i fshehur dhe i mbrojtur në Kosovë. Atë asnjëherë nuk e intervistoi apo kërkoi Prokuroria e Kosovës për aferën e Sistemit Informativ Shëndetësor.

Përveç denoncimit publik morëm iniciativë edhe në Kuvendin e Kosovës duke i hapur rrugë Auditorit të përgjithshëm që të shqyrtonte këto kontrata. Rezultati ishte se paratë, mbi 20 milionë, një pjesë nga buxheti dhe një pjesë si donacion nuk kishin dhënë rezultat. Pra, prej vitit 2009 deri në vitin 2018 çdo vit është buxhetuar për këtë sistem deri në 5.600.000 në vit, dhe nga donatori deri në 20 milionë për të gjithë projektin.

Afera Shahini së bashku me Aferën Spitali implikojnë drejtpërdrejt drejtuesit e PANkoalicionit. Kryetari dhe Nënkryetarët e PDK-së, me pozicione drejtuese në Kuvend dhe Qeveri kanë penguar hetimet për këto raste dhe janë duke penguar zhvillimin e sistemit shëndetësor publik.

Uran Ismajli, ministër i shëndetësisë dhe nënkryetar i PDK-së, jo vetëm nuk po punon për të jetësuar Sistemin Informativ Shëndetësor, por ka hequr dorë plotësisht prej këtij detyrimi. PANministri në vend se të distancohej e të denonconte keqpërdorimet, ka vijuar me një tjetër tender, në vlerën 2.5 milionë euro për tani Fondin e Sigurimeve shëndetësore. Sipas nesh një afere e re duket në horizont.

Ende kryeprokurori nuk ka iniciuar asnjë hap për ta adresuar këtë aferë multimilionëshe që e ka lënë Kosovën si para dy shekujsh, pra pa Sigurime Shëndetësore. Edhe pse lënda për këtë rast ka qenë tek prokurori Shkëlzen Ibrahimi, asnjëherë nuk u zgjeruan e thelluan hetimet.

Doktor Jusuf Ulaj dhe doktor Mirsad Shkreta nga Komiteti për Shëndetësi risollën në vëmendjen e publikut këtë aferë, detajet dhe dëmet që ende po vijojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Sistemi informativ shëndetësor është parakusht për Sigurimet Shëndetësore. Sigurimet janë jetike për vendin tonë. Ato ndihmojnë më të varfrit dhe parandalojnë skemat korruptive e abuzive në spitale.

Prokuroria duhet të hetojë. Përgjegjësit duhet të jenë para drejtësisë dhe buxhetit duhet t’i kthehen paratë e humbura duke ia sekuestruar ato dëmtuesve.

Kontribo

12 06 2019

Nga Lëvizja që shërben dhe mbron te Lëvizja që prodhon dhe punëson, siguron drejtësi dhe dinjitet

Me rastin e 14 vjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe Liburn Aliu mbajtën një konferencë për media ku folën për rrugën e Lëvizjes, prej krijimit të saj në 2005 e deri më sot.

Liburn Aliu përmendi shkrimin e parullës ‘JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!’ në murin e UNMIK-ut si aksionin e parë që hapi një valë të re të aktiviteteve të shumta politike në funksion të pengimit të proceseve të dëmshme që po i gatuheshin Kosovës asokohe.

“Ne donim që liria e Kosovës të ndërtohej mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe jo përmes negocimit me pushtuesin. Ishim të bindur se liria dhe zhvillimi i vendit do të jenë të qëndrueshme vetëm duke u bazuar në këtë vullnet.” tha ai duke theksuar bindjen se negocimi do të kishte për bazë vetëm stabilitetin e përkohshëm dhe jo lirinë, barazinë dhe të drejtat që ne si popull po i kërkonim.

“Tubime, aksione, deklarime dhe punë e shumtë vullnetare dhe e përditshme në çdo qendër të Kosovës u zhvilluan nga vera e vitit 2005. Këto u shoqëruan me arrestime dhe dhunë të përditshme por ne nuk u zmbrapsëm ngase ishim në rrugën e drejtë të kundërshtimit të planit të negociatave me Serbinë” tha Aliu në fjalën e tij, duke shpjeguar se si Lëvizja nga takimet e vogla kaloi në tubimet e mëdha, ndërkohë që pushteti vetëm sa shtonte radhët e policëve.

“Në çdo përvjetor, në ligjërimin tonë mbeti përherë e njëjtë një fjali, jemi më të fortë se vitin që shkoi. Edhe sot, ne jemi më të fortë se kurdoherë deri më tani dhe të tjerët janë më të dobët se kurdoherë deri më tani” tha ai duke theksuar se lëvizje të tilla ka pas çdo herë përgjatë dekadave të shkuara, dhe se Lëvizja është vetëm një vazhdimësi e përpjekjes së një kombi të vogël drejt forcimit të vet.

Albin Kurti në fjalën e tij tha se kur çlirimi kishte mbushur 6 vjet dhe pavarësia po shtyhej prej vitit në vit, lindi Lëvizja VETËVENDOSJE!. 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës, por edhe ditëlindja e Lëvizjes sonë. Para 14 vjetëve, në murin që ndante selinë e pushtetit të UNMIK-ut prej neve që asokohe konsideroheshim banorë të Kosovës dhe jo qytetarë shkruam parullën ‘JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!’.

Nga ajo kohë, përveç kritikës, Lëvizja ka paraqitur përherë edhe alternativa tha kryetari Kurti, duke përmendur fushatën për bojkotimin e produkteve të Serbisë në Kosovë, që filloi në maj të vitit 2006, fushatën BLEJ SHQIP në shtator të vitit 2009 dhe fushatën ‘Duaje tënden’ për rritjen e konsumit të prodhimeve vendore në vitin 2011.

“Kemi kundërshtuar planet dhe ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë dhe kemi argumentuar e jemi angazhuar për afrimin e bashkimin me Shqipërinë. Mirëpo, ne nuk e shohim bashkimin e këtyre vendeve tona përmes dobësimit apo dështimit të shteteve tona, por nëpërmjet forcimit të tyre.” tha ai, duke potencuar se PANhajnia e zullumit në politikë dhe e tajkunëve në ekonomi duhet të marrë fund e do të marrë fund.

Kryetari Kurti përmendi se si gjatë aktivitetit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë vrarë aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini kurse në burg u mbyt aktivisti Astrit Dehari.

“Në rrugëtimin tonë, nuk jemi sprapsur e as nuk jemi ndalur, nuk kemi devijuar dhe as s’jemi lodhur, edhe kemi bashkëpunuar me të tjerë edhe dyert i kemi pasur të hapura për të tjerët, për të mirën e vendit dhe interesin e përgjithshëm kemi ecur drejt e qartë, fortë e fuqishëm.” – tha ai.

“Ndryshimi demokratik e progresist do të jetë ai në të cilin opozita e vërtetë dhe e drejtë bëhet qeverisje e ardhshme e mirë. VETËVENDOSJE!-a sot është mundësia për qytetarët e Kosovës dhe garancia për Republikën e Kosovës. Nesër ajo do të jetë qeverisja që shërben e mbron, që rrit produktin, buxhetin dhe punësimin, që siguron drejtësinë, paqen dhe dinjitetin.” – tha Albin Kurti duke theksuar se Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk ka pasur më shumë mbështetje dhe se në zgjedhjet e ardhshme PAN-i do të mundet, e Kosova do të shpëtojë, e do të përparojë.

Kontribo

07 06 2019

Tekstet shkollore po bëhen për klientelë dhe jo për nxënësit

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet profesionistët dhe organizatat e fushës të cilët kanë reaguar dhe informuar mbi gjendjen e rëndë në procesin e hartimin të teksteve të reja shkollore.

Tekstet shkollore janë përdorur nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për interesa klienteliste me kompanitë private botuese dhe jo për garantimin e cilësisë së teksteve për nxënësit tanë.

Deputetja e Lëvizjes Arbërie Nagavci shpjegoi jo seriozitetin e procesit të vlerësimit të teksteve. Recensentët e konfirmuar për të vlerësuar tekstet e shtëpive botuese konkurrente vijnë nga të njëjtat shtëpi botuese. Madje, nuk kanë pasur as udhëzime për kriteret e vlerësimet dhe përshtatjen me kurrikulën e re. Skandali më i madh ishte mbledhja e tyre jo serioze dhe e nxituar brenda një fundjave për përzgjedhjen e teskteve në një hotel, edhe pse formalisht procesi i vlerësimit duhej të zgjaste 45 ditë.

Tekstet e reja kanë gabime përmbajtësore, didaktike dhe teknike. Kanë pasaktësi shkencore, përzierje konceptesh dhe gabime të tjera. Nuk ka tematikë e ushtrime që nxisin ndërthurjen e dijeve të fushave të ndryshme ndërkurrikulare. Ka raste kur recensenti ka rekomanduar që teksti të mos licensohet dhe megjithatë teksti është shpallur fitues. Vetëm në njërin prej teksteve janë numëruar 39 gabime faktike. Recensentëve u është kërkuar të mos i bëjnë publike lëshimet. Vetë Këshilli për tekstet nuk nxori raport përfundimtar për shpalljen e fituesve dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë fazë të procesit të vlerësimit, ndonëse e ka për detyrim ligjor. Përgjegjësia jashtëligjshëm u bart në individë brenda kabinetit të Ministrit. Ministria tashmë e ka pranuar se disa tekste po botohen pa miratimin e Këshillit.

Deputeti i Lëvizjes Ismajl Kurteshi tregoi natyrën klienteliste të këtij procesi. Për shkak të shkeljeve nga Ministria, shumica e anëtarëve të jashtëm të Këshillit për tekstet shkollore dhanë dorëheqje ose u larguan duke i paraqitur shkeljet edhe publikisht.

Në konkursin e publikuar mungonin përshkrimi dhe udhëzimet e nevojshme. Formalisht proces i referohej kurrikulës së re dhe standardeve të teksteve shkollore që burojnë nga Ligji aktual për tekstet, por konkretisht nuk ka ndodhur kështu. Konkursi është konceptuar gabim dhe me natyrë klienteliste pa ftuar studiues dhe profesionistë të fushës të konkurojnë me tekstet e tyre. Shtëpive botuese private u është hapur rruga të kontrollojnë çdo pjesë të procesit.

Ai po ashtu theksoi se Ministria ka qenë e interesuar të hapi një tender më shumë se sa një konkurs përmbajtësor. Për interesat e tenderit nuk është finalizuar projektligji në fjalë. Fondi për tekstet e reja mbërrin deri në 10 milionë euro, ku shumica përfitohen nga shtëpia botuese Dukagjini e cila nga 46 dorëshkrime ka fituar 30 prej tyre.

Siç ka sugjeruar publikisht eksperti Halim Hyseni dhe jo publikisht shumë të tjerë, i gjithë procesi duhet të kthehet në pikën zero. Ministri duhet të japë përgjegjësi ligjore për vonesat, por tani edhe për këtë dështim total të përgatitjes së teksteve të reja. Cilësia e shkollimit të nxënësve tanë, por edhe financat publike po rrezikohen nga një proces i tillë i paligjshëm. Prandaj, do të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për t’u siguruar që Ministri nuk vijon më tej me këtë proces dhe nuk e fut qeverinë në obligime të mëtejshme ligjore e financiare.

 

Kontribo

06 06 2019

Raporti i Komisionit Evropian – Kosova pa sigurime shëndetësore dhe pa mbrojtje sociale për të rrezikuarit

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2019 e cilëson Kosovën vend i cili nuk i garanton plotësisht as shërbimet bazike shëndetësore dhe as mbrojtjen sociale për qytetarët. Ka një dallim të madh mes ligjeve të Kosovës, dhe sasisë në të cilën ligjet zbatohen.

Raporti përmend atë që e dimë të gjithë: vdekjet në vendin e punës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Të drejtat e fëmijëve shkelen shpesh, pasi edhe pse ligji e ndalon punësimin e fëmijëve, 10% e fëmijëve punojnë, madje 6.8% punojnë në kushte të rrezikshme. Skemat sociale janë të fryra, njerëz që nuk kanë nevojë marrin ndihmë sociale, ndërsa shumë familje në nevojë nuk marrin ndihmën e duhur. E sa i përket Sistemit Informativ Shëndetësor, përmes të cilit do të mblidheshin të dhënat e detajuara për pacientët, realizimi i tij është penguar nga vetë Ministria e Shëndetësisë.

Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku përmendi pasojat e kësaj gjendjeje në shëndetësi, ku 40% e kostos së shërbimeve shëndetësore mbulohet me para nga xhepat e pacientëve. Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e organizatës Eurotransplant dhe nuk i garanton transplantet për qytetarët e saj.

Sa i përket të drejtave të njeriut, deputetja e Lëvizjes, Saranda Bogujevci tha se mungon vullneti institucional për zbatimin e legjislacionit në fuqi, ku raporti konstaton, ndër të tjera, se:

–          Dhuna në familje mbetet shqetësim i madh, me numër të lartë të grave të vrara dhe të keqtrajtuara, si dhe të fëmijëve;

–          Çeshtja e strehimoreve nuk po zgjidhet sepse qeveria po refuzon të sigurojë financim të qendrueshëm. Strehimoret mbeten të varura prej vullnetit të subvencionimit. Gjithashtu, nuk ka mekanizma brenda institucioneve që monitorojnë gjendjen e strehimoreve;

–          Dënimet janë shumë të ulëta për veprat penale, shpesh ato janë të vonuara në kohë, dhe shumë prej tyre nuk janë të formës së prerë.

Ende mbetet shqetësim mosmiratimi i projektligjit për të drejtat e fëmijëve dhe mungesa e fondeve për shërbime sociale për ta. E njëjta gjendje është edhe me personat me aftësi të kufizuara. Sa i takon minoriteteve dhe integrimit të komuniteteve të tjera, mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë me ta shpërfaq faktin se mungesa e të drejtave dhe të integrimit të tyre nuk janë shqetësuese për qeverinë tonë.  Prioritet i kësaj qeverie, ashtu si dhe më herët, mbetet asfalti dhe shpenzimet e luksit. Që të ndryshojë Raporti i Komisionit Evropian për ne, dhe që të përmirësohet marrëdhënia jonë me BE-në, duhet së pari ta ndryshojmë qeverinë dhe t´i largojmë pushtetarët me mentalitet korruptiv.

Kontribo

05 06 2019

PANQeveria përgatit zhvatjen e 55 milionë eurove nga buxheti

Qeveria e Kosovës publikoi vendimin për shpronësim më 28 maj, ku kryeministri Ramush Haradinaj ka nënshkruar shpronësimin e një parcele private për siç thonë ata nevoja administrative të qeverisë. Për të njëjtin qëllim më 2 prill patën publikuar shprehjen e interest për shpronësim me sipërfaqe 40 mijë m2.

Për çfarë bëhet fjalë konktretisht pas këtyre vendimeve?

Kemi të bëjmë me shpronësimin e një prone, ndërtim dhe parcelë që shkon deri në 50 mijë m2. Prona në fjalë është marrë për 99 vjet nga kompania Dukagjini – Invest shpk e Ekrem Llukës për vetëm 2 milionë euro. Këtë ndërtim privat Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta “shpronësojë” me vlerë rreth 55 milionë euro.

Së pari ky shpronësim po bëhet kundër ligjit për shpronësime publike, dhe duke shkelur të gjitha planet hapsinore në fuqi të Komunës së Prishtinës. Qeveria ka mjaft parcela në pronësi publike ku dhe janë të parashikuara sipas planit ndërtimet për qëllime administrative. Por ka zgjedhur t’i hyj një rrugë me plot korrupsion e abuzim.

Këta kanë bërë ftesë për ofertim publik dhe kjo me automatizëm, konceptualisht, përjashton ligjin për shpronësim, pasi ligji për shpronësim zbatohet në momentin kur një pronë plotëson një karakteristikë të veçantë dhe kjo çështje nuk është garë e hapur. Vetë hapja e ofertës, vetë fillimi i këtij procesi shkel ligjin për shpronësim.

Sipas planit të Prishtinës, kryeqyteti parashihet të zhvillohet si qytet policentrik, në drejtim të juglindjes dhe mbi këtë bazë është ndërtuar për shembull edhe Pallati i Drejtësisë. Dhe po mbi këtë bazë ajo pjesë është shpallur zonë me interes të veçantë nga vet kjo Qeveri.

Mënyra se si po tentohet të bëhet shpronësimi dhe shkelja e planit të kryeqytetit përveç që është në kundërshtim me ligjin është dhe haptazi korruptive.

Kushdo do të shtronte pyetjen legjitime se mbi cilin plan po bëhet kjo lëvizje.

Në fakt, në këtë mes, askush në qeveri nuk ka fare plan dhe as agjendë. PANQeveria vepron vetëm në funksion të agjendave të profitit të kompanive kliente të pushtetit. Sapo fillojnë të hartojnë nje plan ai iu ndryshon pasi në të ndërhyjnë interesat. Ata pra, PANQeveria janë në kaos, ndërsa vetëm profiterët e dinë se cka po bëjnë.

Duan t’i japin 55 milionë euro për një ndërtesë, e cila në asnjë aspekt nuk përputhet me ndonjë interes të planifikuar publik

Deputeti Liburn Aliu dhe Këshilltari i grupit parlamentar, Avni Zogiani, paraqitën vendimet e sqarimet për aferën me të re të PANqeverisë me buxhetin e shtetit.

Si dhe paralajmëruan se përveç publikimit do t’i shfrytëzojnë rrugët në Kuvendin e Kosovës, që kryeministri Haradinaj, Ministri i Administratës Publike, Jagxhillar, Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të ndalen nga procedimi i mëtejmë të këtij shpronësimi abuziv.

Kontribo

05 06 2019

Kujt po i jipen favore dhe liçenca për burimet e ripërtëritshme të energjisë?

Sot është duke u mbajtur mbledhja e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me kompanitë e licencuara për gjenerimin e energjisë së ripërtëritshme.

Në dekadat e fundit prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtrishme ka marrë hov në vendet e BE-së. , pra nga uji, era, dielli e biomasa. Edhe në Kosovë, në vitet e fundit ka filluar janë dhënë një numër i konsiderueshëm i licencave për prodhimin e energjisë elektrike nga këto burime. Impakti pozitiv i rritjes së pjesëmarrjes së prodhimit të energjisë elektrike nga Burimet e ripërtrishme të energjisë (BRE) është i shumëfishtë, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit tonë.

Kosova ka marrë obligime edhe ndaj Komisionit Evropian dhe Traktatit të Energjisë që deri në vitin 2020, prodhimin e energjisë nga BRE ta rrisë në nivelin prej 25% të prodhimit të tërësishëm. Qeveria e Kosovës ka shkuar edhe më tej dhe këtë cak e ka rritur në mënyrë vullnetare në 29%.

Llogaritjet e deritanishme na dëftojnë se arritja e këtyre caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëristhsme do të rrisë tarifat e energjisë elektrike me rreth 2% për konsumatorët fundor. Sigurisht, që çdokush do ta konsideronte të favorshme këtë rritje marrë parasysh ndikimin që ka në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit tonë.

Por, kjo storie e mirë, progresive, përfundon mu këtu. Nga këtu fillojnë të dalin në shesh, klientela e pushtetit, pazaret dhe abuzimet e drejtuesve ndër vite të ZRrE-s në këtë fushë, në dëm të interesit publik të qytetarëve tanë.

Po listojmë në vijim problemet:

1. Nga etapa e I-rë e licencave të dhëna me 2018 për prodhimin e energjisë solare me kapacitet prej 10MW dhe me çmim të garantuar (çmime nxitëse) prej 136.4 €/MW, 60% të tyre (6 nga 10MW) iu jepen kompanive “Birra Peja sh.a.”dhe “Frigo Food Kosovë”, pra të Devolli Group. Këto licenca janë dhënë për 12 vite.

2. Nga etapa e II-të e licencave për prodhimin e energjisë solare me kapacitet prej 20MW dhe me çmim të garantuar (çmime nxitese /feed-in-tariffs) prej 90.4 €/MW, (që po duan t’ia japin sot në mbledhjen e radhës të ZRrE), 85% të tyre (17 nga 20MW) do t’iu jepen kompanive si “VBS”, “VITA Energy”, “Devolli Group”, “Energy Development Group”, “Alsi & Co-Kosova” dhe “Building Construction”, të gjitha të Devolli Group. Këto licenca janë po ashtu për 12 vite.

3. Shumat e të hyrave që kompanitë e Devollëve do të përfitojnë nga këto licenca kapin vlerën përfundimtare prej 36.1 Milionë € përgjatë 12 viteve.

4. I gjithë procesi i dhënies së licencave është bërë në mënyrë shumë jo-transparente. Për më tepër, njëherë janë dhënë licencat e para dhe më pastaj janë përcaktuar çmimet dhe kushtet e tjera të mbështetjes, gjë që ka bërë që shumë kompani të interesuara nuk kanë mundur të aplikojnë pa i ditur kushtet e aplikimit. Natyrisht, kushtet e ardhshme kane qenë të ditura për kompanitë e lidhura me pushtetin.

5. Çmimi i garantuar prej 105.73 €/MW (i kombinuar nga Etapa I dhe II) për 12 vitet e ardhshme është në kundërshtim të plotë me të gjitha trendet dhe zhvillimet në tregun e energjisë solare në Evropë dhe me gjerë. Me zbritjen e vazhdueshme të prodhimit të paneleve solare dhe avancimet në teknologjinë e ruajtjes së energjisë çmimi i prodhimit të energjisë elektrike pritet te këtë rënie të vazhdueshme.

6. Dhënia e këtij çmimi të garantuar prej 10.6 Cent/KwH për 12 vite është praktikë e monopolit dhe abuzimit me tregun. Në ‘Global Market Outlook 2019-2023’ të Solar Power Europe kosto për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli në vitin 2018 ka rënë rreth 18% nga viti në vit duke mundësuar çmimin prej vetëm 2 Cent amerikanë për kilovat.

7. Dhënia e licencave për prodhues solar përmes praktikave abuzive për një grup specifik, me pronarë specifik, pra Devolli Group dhe kompanive të tyre, me tarifa nxitëse të larta dhe jo-kompetitive në njërën anë, si dhe moslejimi e pengimi i instalimit të paneleve solare për vetkonsum të qytetarëve dhe bizneseve përmes pengesave të shumta administrative e procedurale nga KEDS, KesCo me ndihmën e ZRrE-s, godasin drejtpërdrejtë zhvillimin e tregut të lirë të energjisë në Kosovë, zhvillimin ekonomik, rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe për më tepër, e rëndojnë edhe me shumë koston e jetesës së qytetarëve duke i rritur në vazhdimësi tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët fundor.

Bordi i ZRrE-së sot nuk duhet ta legalizojë këtë abuzim të madh me një fushë që do të duhej të ishte për interesin e publikut dhe me kushte të drejta për çdo investitor e veçanërisht për vetkonsum.

Kontribo

04 06 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarëve Festën e Fitër Bajramit

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarëve Festën e Fitër Bajramit që paraqet edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pas muajit të Ramazanit që shënon muajin e sakrificës, solidaritetit me të varfrit dhe kalitjen shpirtërore për të përballuar sfidat, sot, përreth familjes dhe miqve me dashuri dhe pranë të afërmve shënohet dita e Fitër Bajramit.

Po ashtu, sot një delegacion i Lëvizjes i prirë nga anëtari i Kryesisë Arben Vitia, deputetët, Albulena Haxhiu, Saranda Bogujevci, Xhelal Sveçla dhe Valon Ramadani bënë vizitë tek Bashkësia Islame e Kosovës me ç’rast kreut të BIK-ut, Naim Tërnavës, të pranishmëve të tjerë dhe gjithë popullit shqiptar i uruan festën e Fitër Bajramit.

Duke menduar për më të varfrit e duke u përpjekur për barazinë,
Urime Festa e Fitër Bajramit!

 

Kontribo

03 06 2019

Kosova larg BE-së : Shumë korrupsion e pa zhvillim ekonomik

Raporti i BE-së për Kosovën edhe për vitin 2019 theksoi se korrupsioni në Kosovë është i përhapur gjithandej dhe paraqet nivel shqetësues. Kosova vazhdon të jetë ekonomia më e varfër edhe në raport me vendet e rajonit. Sa i përket integrimit evropian, ky raport tregon se mungon vullneti politik për ecjen përpara me politikat dhe reformat integruese.

Këto problematika dhe zgjidhja për të nxjerrë vendin nga këto probleme që kanë ngulfatur drejtësinë e zhvillimin, barazinë e mirëqenien u prezentuan sot nga deputetja e Lëvizjes, Fitore Pacolli dhe anëtari i Komitetit për politika financiare dhe tregtare, Edison Jakurti.

Madhësia e qeverisë, numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe efikasitetin e punës së qeverisë. Administrata vazhdon të përdoret si pronë private për interesa të militantëve partiakë e familjarëve, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale. Raporti e konsideron tejet shqetësuese ndikimin politik në rekrutimin e pozitave të larta të shërbimit civil dhe rekrutimet pa merita.

Raporti kritikon sistemin e drejtësisë kur potencon se deri më sot ka vetëm 51 raste të regjistruara. Vetëm 38 aktakuza, 27 raste të lidhura me korrupsion dhe 11 të lidhura me krimin e organizuar. Vetëm në 9 raste ka patur një vendim përfundimtar, 5 kanë përfunduar me një vendim (pjesërisht) fajtor, ëqë do të thotë vetëm 9 individë të dënuar për korrupsion. Ndërkaq konfiskimi i pasurisë ka rënë nga 700.000 euro sa ishte në vitin 2017 në vetëm 49.394 euro për vitin 2018.

Po ashtu Raporti thekson edhe shkeljet e të drejtave të njeriut me theks të veçantë dëbimin e 6 shtetasve turq dhe kërcënimet ndaj gazetarëve çka paraqet kërcënim për lirinë e shprehjes në Kosovë.

Zbatimi i Ligjit për barazi gjinore ka mbetur prapa dhe Kosova ende nuk ka miratuar Programin për Barazi Gjinore. Gratë vazhdojnë të mbesin jashtë përfshirjes së barabartë në vendim-marrje. Kosova ka pasur rritje reale ekonomike prej 3.9%, por në të njëjtën kohë në raport theksohet se Kosova ka nivelin më të ulët në rajon të bruto produktit vendor për kokë banori. 1 qytetar i Kosovës ka mesatarisht pak më shumë se ¼ e mesatares së të ardhurave të një qytetari të BE-së dhe pak më pak se ¾ e mesatares së të ardhurave të një qytetari të rajonit. Kjo rritje vjen vetëm për shkak të remitancave të mërgatës e cila në vitin 2018 ishin mbi 800 milionë.

Ndërkaq sa i përket ekonomisë përbrenda vendit Kosova ka edhe mungesë të prodhimit edhe mungesë të punësimit, teksa normat e interesit të bankave vazhdojnë të rriten.

Deficiti tregtar në mallra për vitin 2018 ishte për gati 5 pikë përqindje më i lartë se në 2017-ën, duke arritur afër 3 miliardë euro. Pra, dallimi mes importeve dhe eksporteve në mallra është përafërsisht sa 43% e bruto produktit vendor/ekonomisë tonë. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, kryesisht të importuara, ishte një ndër arsyet kryesore për inflacionin e 2018-ës. E investimet e huaja direkte në vitin 2018 ishin për 16% apo rreth 42 milionë euro më pak se në vitin 2017.

Sa i përket papunësisë, rreth 12 mijë persona më pak të punësuar në krahasim me 2017-ën. Kosova ka nivelin e bruto produktit vendor për kokë banori më të ultin në rajon, Qeveria nuk ka as strategji as koherencë për subvencionimin e ndërmarrjeve publike.

Nga kjo gjendje që të gjithë qytetarët e ndjejnë dhe e jetojnë, por të cilën e përshkruan edhe raporti mund të dilet me një qeveri të re dhe progresiste, që lufton krimin e korrupsioni e çkap shtetin. Qeverisja e re duhet të bëjë ndryshim paradigmatik të ekonomisë, ku: ndalet e hetohet privatizimi, ku Fondi Sovran koordinon ndërmarrjet publike, Banka Zhvillimore financon projekte kapitale me synim punësimin, Banka Qendrore riorganizon dhe rregullon sektorin financiar, ristrukturohen skemat tatimore, ristrukturohen programet për mbrojtje sociale, rimëkëmbet Trepça, rimendohet energjia dhe ruhet ambienti.

Kontribo

31 05 2019

AFERA Spitali – manipulimi me vendimet e Hashim Thaçit

Mediat po vijojnë përditë me publikimin e skandaleve nga “Afera Spitali” ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës. Ky është një nga skandalet më të mëdhenj në sistemin e shëndetësisë dhe i përfshin zyrtarët më të lartë dhe klientët e tyre të afërt.

Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që nga viti 2014 e deri sot, në vijimësi, jemi angazhuar dhe kemi qenë kundër ndërtimit dhe funksionalizimit të spitalit privat brenda hapesirës së QKUK-së.

Nga të dhënat mbi këtë rast ne patëm konkluduar se spitali privat i përgjithshëm ishte dhe ende është i kundërligjshëm, i panevojshëm me qenë aty, dhe si i tillë pengon punën në shërbimin publik, pra në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Ky rast prej fillimit dallohej qartë se përmbante elementë të korrupsionit. Ndaj për këtë ne e kemi denoncuar pa reshtur.

Në mesin e skandaleve lidhur me këtë rast Ministri Ismaili në konferencën e para dy ditëve, u mundua që ta shfajësojë PDK-në dhe ta zhvendosë fajin diku tjetër, duke fshehur vendimin kryesor të marrë nga ish-Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e 70-të qeverisë, me numër 08/70, më 25 qershor 2009, vendim që i hapi rrugën ndërtimit, ndryshimeve ligjore dhe funksionalizmit të spitalit privat brenda hapësirës së QKUK-së.

Pak kohë pas konferencës për media të Ministrit të Shëndetësisë, përmes një portali të afërm me pushtetin, krahas fjalës së ministrit u publikuan vendimet dhe mes tyre një vendim i falsifikuar që përmban numrin e njëjtë të protokollit, të njëjtën datë të lëshimit, që thirret në të njëjten mbledhje të Qeverisë por që ka përmbajtje krejt të kundërt – pra jo të lejimit por të “respektimit të vendimeve të mëparshme të qeverisë” që ndalonin ndërtimin e spitalit privat brenda hapësirës së QKUK-së.

Në këto kushte ish-Kryeministri Hashim Thaçi duhet të dëshmojë se cili nga këto vendime për spitalin privat është i saktë dhe cili është i falsifikuar. Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, meqenëse e ka edhe obligim ligjor, duhet të bëjë publik transkriptin dhe vendimin e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më datën 25.06.2009. Po ashtu, ta publikojë vendimin në fjalë meqë nga faqja zyrtare e Kryeministrit është eleminuar ky dokument.

Prokuroria e shtetit duhet të hapë në mënyrë urgjente hetimet rreth këtyre vendimeve të ish-Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi dhe të mos zmbrapset nga hetimet rreth skandalit të fajdeve dhe videoincizimeve ku permenden disa zyrtarë të PDK-së duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli ka përgjegjësinë e plotë që spitalin privat, qartazi produkt të krimit të organizuar, ta largojë nga mjediset e QKUK-së. Kjo duhet pasuar edhe me ngritjen e kallzimit penal për të gjithë që të janë përfshirë, dhe thellimin e hetimit edhe për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aferë, pavarësisht nëse kanë pasur poste zyrtare apo jo. Këtu duhet përfshirë edhe kryeministri i atëhershëm z. Thaçi, si një nga protagonistët, të cilin çuditërisht ministri harroi ta përmend në arsyetimin e tij.

Ministri i Shëndetësisë, por edhe Kryetari i Komunës, kanë tani përgjegjësi ligjore të marrin vendime kundrejt kësaj padrejtësie që i është bërë publikut, QKUK-së dhe shëndetësisë në Kosovës. Çdo vazhdim më tej është në dëm të pronës publike të qytetarëve të komunës së Prishtinës, pa llogaritur këtu edhe të gjitha dëmet e tjera që janë të lidhura me këtë aferë. Mosveprimi edhe më tej i tyre në këtë rast është në fakt lëndë për prokurorinë.

Ne e dimë saktë se ky vullnet nuk ka ekzistuar, dhe arsyeja e vetme për të cilën është aktualizuar ky problem nga Ministri i Shëndetësisë, ka qëllimin për ta mbuluar disi aferën e fundit me videot e dala në publik për kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, ku një grup personash pretendojnë se i kanë dhënë atij dhe bashkëpartiakëve të tij rryshfet.

Të gjitha këto argumentime dhe dokumentet lidhur me këtë rast u paraqitën në konferencën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi prof. Jusuf Ulaj, dhe anëtari i Komitetit e Kryetari i Qendrës së Prishtinës, Dr. Arben Vitia.

Në ditën në vijim do të vazhdojmë me adresimin e kësaj çështje tepër të rëndësishme.

 

Kontribo

31 05 2019

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës: Asambleistët e munguar duhen zëvendësuar

Sot, asambleistët e Lëvizjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari e Mirsad Vitia deponuan në zyret e Komunës kërkesën për zëvendësim të asambleistëve Visare Gorani e Uran Ismaili, për shkak të mungesave të tyre për më shumë se tre muaj në mbledhjet e K.K. Prishtinë.

Me këtë rast, asambleisti Mirsad Vitia u deklarua:

Më 28 mars 2019, në mbledhjen e 3-të të Kuvendit Komunal të Prishtinës, grupi jonë i Lëvizjes VETEVENDOSJE! kemi ngritur shqetësimin tonë lidhur me mungesat e vazhdueshme të asambleistëve nga rradhët e PSD-së, znj.Visare Gorani dhe PDK-së, z.Uran Ismajli, njëherit edhe Ministër i Shëndetësisë. Fatkeqësisht, deri tani nuk kemi parë asnjë hap konkret nga kryesuesi i KK-Prishtinë, z. Agim Kuleta, sa i përket kësaj cështjeje.

Prandaj ne sot edhe zyrtarisht i dorëzuam atij – Lëndën: “Kërkesë për inicimin e procedurës për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, znj.Visare Gorani & z.Uran Ismajli”. Kjo sepse, edhe përkundër faktit që ne vazhdimisht kemi kërkuar nga ai që arsyet e mungesave të tyre të bëhen publike, ai kategorikisht ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

Ritheksojmë se anëtarëve në fjalë ju ka pushuar mandati sipas “fuqisë ligjore”. Pra, sipas legjislacionit në fuqi, me mungesën e tyre prej 3 muaj rresht pa arsye, automatikisht ju pushon mandati si anëtarë të Kuvendit Komunal. Kjo do të thotë se detyrimi ligjor i kryesuesit të Kuvendit tashmë është krejt formal. Ai është i detyruar që të bëjë zëvendësimin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.

Pra, legjislacioni është zbatuar automatikisht për sa i përket pushimit të mandatit të anëtarëve në fjalë, ndërsa nuk është përmbushur zbatimi i zëvendësimit të tyre me anëtarë të rinj sipas legjislacionit të pushtetit lokal.

Gjithashtu, potencojmë se çdo pagesë mujore në formë të kompensimit apo në ndonjë formë tjetër që u është bërë atyre pas mungesës së tyre në mbledhje të Kuvendit Komunal pas afatit tre mujor, do të thotë shkelje e legjislacionit penal.

Andaj, kërkojmë nga kryesuesi Kuleta, që këtë detyrë të tij ta filloj sa më shpejtë të jetë e mundur në mënyrë që qytetarët e Prishtinës të kenë përfaqësues legjitim dhe të ndërgjegjshëm ndaj besimit që u është dhënë.

Kontribo

30 05 2019

Mundësohet gjykimi në mungesë i kriminelëve të luftës

Sot Kuvendi miratoi nismën ligjore të propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dënimin në mungesë të kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviqit.

Në vend se Ministri i Drejtësisë, të dilte në mbështetje të saj, edhe sot hasëm në kundërshtime të pajustifikuara nga ai dhe nga Qeveria. Kjo edhe e vonoi për shumë muaj miratimin e kësaj nisme të domosdoshme.

Por sot në Kuvend pas shumë përpjekjeve u miratua.

Nga dita e sotme, pasi të nënshkruhet e botohet në Gazetën Zyrtare, prokuroria speciale dhe i gjithë sistemi në Kosovë nuk ka asnjë pengesë apo dhe alibi për të mos vijuar me këto raste, pra me hyrjen më fuqi të këtij ndryshimi lejohet hetimi, akuzimi dhe gjykimi në mungesë për kriminelët e luftës.

Kontribo

29 05 2019

Glauk Konjufca vizitoi bashkatdhetarët në Gjermani e Suedi

Drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca mbajti disa takime me aktivistë dhe me bashkatdhetarë të tjerë, organizuar nga Qendrat e Lëvizjes në Gjermani e Suedi.

Diskutimet u organizuan në një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse nga bashkatdhetarët, me të cilët Glauk Konjufca diskutoi për situatën politike në vend, me theks të veçantë në çështjen e negociatave dhe rrezikun që i kanoset Republikës së Kosovës nga dyshja Thaçi-Vuçiq dhe shkatërrimin e institucioneve e ndërmarrjeve publike nga qeverisja e PANhajnisë.

Një ndër shqetësimet më të mëdha, sidomos nga bashkatdhetarët e rinj, ishin punësimet partiake e familjare nëpër ndërmarrjet publike dhe projektet korruptive e të dëmshme si autostradat e reja dhe projekti për “Kosovën e Re”. Korrupsioni dhe keqqeverisja konsiderohen nga bashkatdhetarët tanë si pengesë për kthimin e tyre në Kosovë për të investuar e për të punuar në përparimin e vendit tonë.

Kontribo

29 05 2019

Raporti i KE për Kosovën: Korrupsion dhe keqqeverisje

Edhe Raporti për Kosovën po vlerëson dhe po vërteton se PANQeveria ka sjellë rritje të praktikave korruptive, dhe karakterizohet nga paaftësia e skajshme qeverisëse, gati në secilën fushë.

Ky dokument i rëndësishëm i publikuar nga Komisioni Evropian, edhe sivjet e përsëriti atë që secili qytetar tashmë e pohon për institucionet e Kosovës, e veçanërisht për Qeverinë dhe sistemin gjyqësor e prokurorial.

Shumë pak ose aspak përparim, vërejtje të shumta për mungesën e plotë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, paaftësinë për të eleminuar punësimet abuzive, mungesën e rritjes së vendeve të punës si dhe aspak përparim në çështjet e zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, nuk është shënuar asnjë përparim në fushën e arsimit dhe të kulturës, e as në infrastrukturë e veçanërisht në atë energjetike.

Raporti thotë se Kosova ka shënuar shumë pak progres në implementimin e reformave evropiane, e për më keq, PANQeveria ka ndërmarrë veprime dhe masa të pamenduara dhe të paplanifikuara, në kundërshtim me linjën e reformave evropiane. Këtë vit Raporti shënon se në Kosovë ka patur edhe një rast të rëndë të shkeljes së të drejtave të njeriut, që është ai i deportimit të paligjshëm të 6 shtetasve turq.

Raporti i Komisionit Evropian adreson një nga problemet e mëdha të PANQeverisë duke theksuar se: “Madhësia e qeverisë, numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe efikasitetin e qeverisë. …Ndikimi politik në rekrutimin e pozitave të larta të shërbimit civil dhe rekrutimet jo të bazuara në merita mbeten çështje shqetësuese serioze. Politikat ad-hoc të ndërmarra nga Qeveria e në shumë raste të ndikuara nga interesa të veçanta janë një pengesë për politika gjithëpërfshirëse dhe të bazuara.”

Gjyqësori mbetet ende nën ndikimin e ndërhyrjeve politike dhe administrata e drejtësisë mbetet e ngadalshme dhe joefikase. Kosovës i mungon një strategji gjithëpërfshirëse për reformat e sektorit të drejtësisë dhe një mekanizëm i duhur për koordinimin ndërinstitucional. Nuk ka koordinim të mjaftueshëm të donatorëve nga autoritetet e Kosovës. Kjo çon në mungesë efikasiteti, në mosmarrëveshje dhe dublikim të përpjekjeve.

Sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar Komisioni Evropian ka vlerësuar se ka shumë pak progres në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe janë bërë shumë pak hetime financiare dhe dënime përfundimtare. Nga 51 raste të korrupsionit me profil të lartë vetëm 38 kanë aktakuzë e vetëm 9 raste kanë vendim përfundimtar, ku vetëm 5 raste janë finalizuar me vendim ku zyrtarët e përfshirë kanë rezultuar pjesërisht fajtor. Këto të dhëna afirmojnë shqetësimin e gjithmbarshëm se këto procese gjyqësore po përfundojnë duke i pastruar nga përgjegjësia zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh gjetja e raportit se konfiskimet e pasurisë së paligjshme përfundimtare kanë rënë ndjeshëm.

Nuk mund të presim edhe raportin e vitit 2020 të cilit ia dimë përmbajtjen paraprakisht falë vendimeve e veprimeve të PANQeverisë. Na duhet të ecim para me kordinimin në Kuvend e shoqëri për ta larguar koalicionin e PANHajnisë duke ia prerë degët që i ka shtrirë prej ndërmarrjeve publike e prokurorisë e deri tek shërbimin diplomatik e sistemi i drejtësisë.

Kontribo

28 05 2019

Policia dëshmoi se ka aftësi, por vullneti politik për të luftuar krimin mungon

Kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë, përfshirë këtu pjesën veriore të vendit tonë.

Kjo dëshmon se policia jonë ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhërat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë.

Komunat në veri të Ibrit janë në Republikën e Kosovës sikurse të gjitha komunat e tjera. Sa më pak që zyrtarët e Serbisë flasin për çështjet e Kosovës aq më shumë paqe dhe siguri për të gjithë do të kemi.

Në anën tjetër, nuk duhet harruar se krim të organizuar e korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri por gjithandej vendit tonë. Edhe komunat në jug të Ibrit janë në shtetin tonë dhe askush nuk bën të jetë mbi ligjin apo jashtë tij.

Të gjithë të arrestuarve duhet t’iu garantohet trajtim ligjor, në ruajtje të dinjitetit njerëzor, dhe, gjyqësi e drejtë, e paanshme dhe profesionale.

Pjesëtarëve të plagosur të policisë sot, u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.

Kontribo

28 05 2019

Zaptimi i Trepçës

Ditën e djeshme është njoftuar se bordi i Trepçës ka zgjedhur Kryeshefin ekzekutiv Basri Ibrahimin dhe Sekretarin korporativ Afrim Haxhiun. Secili prej këtyre i njohur për lidhje me koniukturën e pushtetit që ka kapur shtetin, pra me krerët e PDK-së e ShIK-ut.

Basri Ibrahimi është aktualisht Kryeinspektor i Inspektoriatit të punës, i njohur për lidhjet e tij me Elmi Reçicën, por pa asnjë përvojë as në industri as në drejtimin e ndonjë ndërmarrjeje të madhe dhe me plot dështime në institucionin që drejton. Ibrahimi u zgjodh aty për ta zbatuar planin që e kanë tash sa kohë për ta zaptuar plotësisht Trepçën dhe për ta dërguar drejt falimentimit si përligje e kërkesave për privatizim të pjesëve të saj. Afrim Haxhiu, i afërmi i deputetit Bekim Haxhiu, sekretar në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, ish punonjës në AKI, po ashtu pa asnjë përvojë në drejtimin e ndonjë ndërrmarje të tillë u zgjodh për të njëjtat arsye. E gjitha kjo në kohën kur gjendja financiare në Trepçë është tejet e rëndë.

Bordi plotësisht jo profesional dhe i kapur i Trepçës e bëri dje dhe një akt tjetër për zaptimin e Trepçës.

Ne do t’i kërkojmë Kuvendit të Kosovës të marrë masa për largimin e personave të tillë. Po ashtu do ta përkrahim sindikatën dhe punëtorët e Trepçës që mos t’iu nënshtrohen atyre dhe të kërkojnë largimin e tyre.

Kontribo

27 05 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër kërcënimin e sotëm në Kuvendin Komunal të Skenderajt

Asamblistja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj, Vjollca Ramadani në mbledhjen e Komitetit për Mbrojtje dhe Shpëtim i ka drejtuar disa pyetje përfaqësuesit të policisë në lidhje me aksidentin e një veture zyrtare, mirëpo zyrtari i policisë nuk është lejuar të shpejgohet nga nënkryetari i Skenderajt dhe zyrtar i PDK-së, Nuredin Lushtaku.

Të njëjtat pyetje asamblistja jonë i ka parashtruar në mbledhjen e Kuvendit Komunal ndaj kryetarit të Komunës për të marrë përgjigje. Përveç përgjigjeve të kryetarit, sot asamblistja e Lëvizjes u përballë edhe me kërcënimet dhe fyerjet e nënkryetarit të Komunës që vjen nga PDK, Nuredin Lushtaku të cilat i keni parë përmes videoinçizimeve. Të njëjtat kërcënime Lushtaku i ka përdorur edhe në mbledhje të komitetit duke u munduar të mbyll zërin e opozitës dhe duke tentuar të mohoj çdo mendim kritik përbrenda komunës në stilin e një gangsteri.

Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të mos mbyllë sytë kur kërcënohen të zgjedhurit nga qytetarët. Po ashtu i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit, por edhe drejtueses së Kuvendit Komunal, Fatbardha Haliti, që të lejojnë asambleistët të shprehin mendimin e tyre, të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë llogari nga ekzekutivi i komunës dhe sjelljet e kërcënimet e tilla të përjashtohen nga Kuvendi Komunal.

Por, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bënë të ditur z. Lushtaku dhe çdokujt të sojit të tij se asnjëherë nuk ka rreshtur dhe nuk do të ndalet së bëri opozitë dhe së kritikuari çdo qeverisje e zyrtar drejtues të institucioneve publike. Gangsterët në hall me klanet e tyre, prej nga po del çdo ditë nga një aferë skandaloze, nuk mund të kërcënojnë përfaqësuesit e votuar nga qytetarët.

Kontribo

24 05 2019

Iftar me Bashkësinë Islame të Kosovës

Sot, kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti bashkë me nënkryetarin Besnik Bislimi, sekretaren organizative Vlora Haxhimehmedi, deputeten Albulena Haxhiu, anëtarët e kryesisë Arben Vitia e Ajet Potera dhe drejtoreshën e drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Mitrovicë Nazane Kërveshi shtroi një iftar për kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij ndër ta sekretari i BIK-ut Ahmet Sadriu e zyrtarë të tjerë të kësaj bashkësie.

Në atmosferën miqësore të iftarit u diskutua për bekimin e madh që është bashkëpunimi mes traditave, kulturave e feve të ndryshme tek shqiptarët. Mesazhi i ramazanit, ai i vetëpërmbajtjes, i të qëndruarit bashkë me komunitetin, në solidaritet e në punë, në gëzime e sfida. Kryetari Kurti e myftiu Tërnava, uruan një Ramazan e agjërim të mbarë në këto ditë mbetura.

Kontribo

23 05 2019

Dorëheqje për t’i hapur rrugë hetimeve

Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohet para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje.

Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes.

Vetë Kadri Veseli ka luajtur rolin e naivit dhe ka shtruar pyetjen se pse drejtësia e paska patur për gjashtë vite këtë video dhe nuk e ka hetuar. Dhe pastaj, ka kërkuar vetting në drejtësi. Pra në vend se të flasë për përgjegjësinë e tij në skandalin që po dëmton imazhin e shtetit dhe republikës së Kosovës ku ai është kryeparlamentar, Veseli e gjuan përgjegjësinë tjetërkah, te sistemi i drejtësisë.

Pse nuk ka hetuar asnjë prokuror më përpara mbi këtë video? Sepse prokurorët e sistemi i drejtësisë i tuten Kadri Veselit. Sepse ky dhe njerëzit e tij, siç dihet nga rasti “pronto”, e kanë vendosur në krye të prokurorisë një njeri që u bindet. Prandaj mjaft me hipokrizi, ku Veseli e shërbëtorët e tij të cilëve po u del kriminaliteti në shesh, bëjnë thirrje për drejtësi e vetting.

Para disa ditësh e patëm shembullin e Austrisë, ku pas publikimit të një videoje, menjëherë dha dorëheqje personi i përfshirë, e njëkohësisht u shpallën zgjedhjet e reja. Ky është momenti që Kosova të tregojë se dëshiron të ndjekë modelin perëndimor dhe jo atë rus. Kadri Veseli duhet të largohet nga çdo pozitë e pushtet, për t’i hapur udhë hetimeve, sa më shpejt dhe pa bërë rezistencë. Çdo këmbëngulje e tij për të vazhduar të qëndrojë në pushtet është pengesë e drejtësisë dhe e demokracisë, dhe mbrojtje e krimit të bërë.

Kontribo

22 05 2019

VETËVENDOSJE! mbështet kandidatët shqiptarë në forcat socialdemokrate për zgjedhjet evropiane

Të dashur miq dhe mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jetoni në vendet e Bashkimit Evropian dhe që keni të drejtë votimi në ato vende.

Prej datës 23 deri në 26 maj në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Në këto zgjedhje, Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje të mbështeten ata dhjetëra kandidatë me origjinë shqiptare të cilët janë në listat e partive social-demokrate, të majta e progresive. Rritja e së djathtës ksenofobe e raciste, nxitja e frikës dhe e urrejtjes ndaj emigrantëve, këndvështrimi mbi kulturën e fenë si terrene të përplasjes e të luftës, janë fenomene që duhet të na shqetësojnë. Po ashtu, është shumë shqetësuese edhe indiferenca ndaj problemeve të mëdha ekonomike e strukturore që i shkaktoi neoliberalizmi.

Andaj shpresojmë që në sesionin e ardhshëm të Parlamentit Evropian të shohim sa më shumë shqiptarë që ngrenë aty çështje me rëndësi për kontinentin e për kombin tonë, duke filluar që nga trajtimi i barabartë i shqiptarëve si individë e si shtete, avancimi demokratik e dekolonizues i të drejtës sonë për Bashkim Kombëtar, lufta kundër papunësisë, ruajtja e mjedisit, e deri te ndihma e bashkëpunimi evropian, i nevojshme për një zhvillim më të shpejtë ekonomik e demokratik në vendet tona.

Kontribo