18 05 2019

Hapat institucionalë për adresimin e krimeve të luftës

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë vite që në mënyrë institucionale ka bërë përpjekje të vazhdueshme për adresimin dhe ndërgjegjësimin në lidhje me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe për ndjekjen e kriminelëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar padi për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë në gjykatat komunale të Republikës së Kosovës. Pastaj, prej se është në Kuvend, ka marrë iniciativa për adresimin e krimeve, çështjes së të pagjeturve, kushteve ndaj Serbisë dhe dëmeve materiale të luftës. Vazhdimisht për arsye të ndryshme, Lëvizja VETËVENDOSJE! është penguar qoftë në institucione, qoftë në forma të tjera nga mazhorancat qeverisëse në të gjitha legjislaturat. Madje, midis dhjetra iniciativave për rezolutën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe opozitës së asaj kohe në lidhje me krimet e luftës, dorëzuar në kuvend me 3 gusht të vitit 2015, është publike vota kundër nga mazhoranca që rezoluta të vendosej edhe si pikë e rendit të ditës.

Kujtojmë, po ashtu, votimin që ka ngjarë në mars të vitit 2013 lidhur me rregullimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Po në vitin 2013, me 11 korrik, pushteti miratoi edhe ligjin për amnistimin e të gjithë strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, në mesin e të cilëve ka kriminel të dëshmuar.

Në konferencën e mbajtur sot, deputeti Sami Kurteshi i përsëriti këto çështje duke paraqitur hapat, të cilat për vite me radhë Lëvizja i thekson.

Si e mendon Lëvizja VETËVENDOSJE! adresimin vendor të krimeve të luftës:

– Themelimi me ligj i institutit për hulumtimin e krimeve të luftës me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë. Instituti duhet të jetë i përhershëm dhe në Ministrinë e Drejtësisë;

– Miratimi i propozimit të Lëvizjes për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës;
Krijimi i komisionit parlamentar të përhershëm për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, për gjenocid dhe për dëmet e tjera të shkaktuara;

– Krijimi i një prokurorie të specializuar për krimet e luftës me një numër të mjaftueshëm prokurorësh të mirëtrajnuar. Po ashtu, krijimi i një dhome të veçantë gjykimi brenda sistemit gjyqësor të Kosovës me gjykatës të specializuar;

– Krijimi i departamentit në Policinë e Kosovës specializuar për krimet e luftës, për ndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë;

– Krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjensisë së Kosovës për Forensikë;

– Miratimi i një legjislacioni të vecantë për mbajtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve;

– Krijimi i një dege të veçantë brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.

Të gjitha këto janë të mundshme dhe të realizueshme brenda institucioneve të Kosovës, por duhet vullnet politik dhe dedikim financiar adekuat dhe përgjegjësi institucionale për realizimin e këtyre pikave.

Po ashtu, në ditët e fundit nëpërmjet një shkrimi të publikuar Prof. Robert Muharremi ka dhënë një propozim që ndahet edhe nga profesionistë të tjerë të fushës dhe që duhet trajtuar seriozisht nga institucionet shtetërore:

– Anëtarësimi i Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit;

– Padia e Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ne në parim pajtohemi me to. Secilën prej këtyre çështjeve e kemi trajtuar në kohë të ndryshme në Kuvend, por jo vetëm aty, dhe do të vijojmë ta bëjmë edhe më zëshëm.

Kontribo

17 05 2019

Zhvillim pa diskriminim – zgjidh nr. 60

Mbrëmë, në kuadër të fushatës zgjedhore, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim në fshatin Çabër të Komunës së Zubin Potokut dhe Lagjen e Boshnjakëve të Mitrovicës së Veriut. Kandidatët për kryetarë nga këto dy komuna, Liridona Kahrimani dhe Erden Atiq të shoqëruar edhe nga Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, deputetët, Rexhep Selimi e Xhelal Sveçla e nga Kryetari dhe Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e Faruk Mujka, shpalosën para qytetarëve të kësaj ane prioritetet për këtë zonë.

Disa prej zotimeve të Lëvizjes për fshatin Çabër të cilat do të zbatohet nga qeverisja e Liridona Kahrimanit janë: Funksionalizimi i shkollës së fshatit. Poashtu, programi i shujtave duhet siguruar për të gjithë nxënësit e klasave 1-5 në të gjitha shkollat e komunës. Do të sigurohen vizitat sistematike shëndetësore për fëmijët e të gjitha shkollave. Ndërkohë në infrastrukturë do të bëhet lidhja e rrugëve rurale me qendra. Rritja e subvencioneve në bujqësi, në biznesin e vogël dhe në sport. Funksionalizimi i plotë i QMF për të gjitha qytetarët. Hapja dhe transparenca e komunës, e mbledhjeve dhe vendimeve të saj, me qytetarët. Rikthimi i përdorimit të ligjshëm të dokumentave me vulë e logo të Rep. së Kosovës.

Ndërkaq, zotimet e Erden Atiqit për Mitrovicën e Veriut janë: Zbatimi i programit mësimor të Republikës së Kosovës në Çdo shkollë, sigurimi i shujtave për nxënësit në shkollat fillore. Tutje, do të dyfishohet programi i bursave për në Universitetin e Prishtinës. Do të bëhet organizimi i vizitave të rregullta shëndetësore për të gjithë nxënësit. Mbështetja për rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e banorëve në pronat e tyre dhe riorganizimi e funksionalizimi i plotë i transportit urban publik veçanërisht qendër – zonë periferike. Ndërkaq në fushën e shëndetësisë do të bëhet funksionalizimi me kohë të plotë i Ambulancës dhe do të pajisjen me barna e laboratorë funksionalë. Hapja dhe publikimi i vendimeve të Komunës për qytetarët. Transformimi i shërbimeve të administratës për qytetarët, me dokumentacion të Republikës së Kosovës. Rigjenerimi i rrjetit të ujësjellësit dhe rregullimi i sistemit të kanalizimit. Hapja e programit intensiv për subvencionimin e pagës dhe planifikimi i programit të subvencioneve për bizneset e vogla prodhuese. Ndryshimi, vendosja e ligjshmërisë dhe cilësisë në konkurset për punësimet në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Kordinimi me Komunën e Mitrovicës së jugut dhe nivelin qendror për të jetësuar peticionin e qytetarëve për bashkimin e dy komunave në një.

Kontribo

17 05 2019

Ndryshimet politike janë kusht për luftimin e korrupsionit me profil të lartë

Korrupsioni mirëmbahet nga prokuroria dhe gjyqësori për sa kohë nuk ka asnjë profil të lartë të dënuar përfundimisht.

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi në ambientet e Kuvendit të Kosovës tryezë mbi korrupsionin e profilit të lartë. Në tryezën e moderuar nga deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu parashtrimet hapëse i mbajtën Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Berat Thaqi nga Instituti GAP dhe Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK. Në diskutim morën pjesë shumë deputetë të opozitës dhe organizata joqeveritare.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar është kthyer në problemin kryesor në Kosovë në kushtet kur nuk qeveriset me një  projekt zhvillimor. Projektet e mëdha publike përdoren jo për zhvillim, por për të zhvatur paratë e tyre. Me gjithë skandalet e shumta, akoma nuk kemi asnjë dënim përfundimtar për rastet e korrupsionit të profilit të lartë.

Akt-akuzat që ngrihen përgjithësisht bazohen në axhenda partiake apo në grupe të tjera të interesit brenda policisë dhe gjykatave. Shumica janë ngritur për shkelje administrative dhe jo për korrupsion. Dosjet e tyre kanë gjysmë-prova dhe gjysmë-të-vërteta. Aktakuzat e shumta të prokurorisë speciale që rrëzohen që në seancën fillestare tregojnë se ato ngrihen qëllimisht për të dështuar.

Rrëzimi i akt-akuzës së prokurorit Blakaj për listat e rreme të veteranëve dhe fakti se kryeprokurori i Kosovës ka ardhur në detyrë falë aferës Pronto tregojnë se puna e prokurorisë sabotohet nga brenda. Madje, kryeprokurori Lumezi ka shkuar edhe më tutje duke e centralizuar prokurorinë deri në pikën sa çdo procedim për korrupsion në nivele të larta duhet paraprakisht të miratohet prej tij.

Për të ndërhyrë në këtë situatë në tryezë dolën rekomandimet e mëposhtme:

  • Për të ndryshuar gjendjen e drejtësisë është i domosdoshëm ndryshimi politik i qeverisë;
  • Kërkohet vetting në gjyqësor dhe në prokurori;
  • Kryeprokurori duhet të jetë politik që të mbajë përgjegjësi për mosveprim;
  • Nevojitet ligji antimafia;
  • Duhet themeluar një prokurori speciale për krimin e organizuar dhe korrupsionin;
  • Buxheti duhet proceduar në Kuvend 3 muaj më herët që të rritet transparenca;
  • Prokurorët e gjyqtarët duhen mbrojtur për çështje kur u rrezikohet jeta dhe jo të kërcënohen nga instancat shtetërore;
  • Duhen rritur kapacitetet financiare dhe njerëzore për hetimin dhe gjykimin e korrupsionit në nivele të larta.

Lëvizja do ta vazhdojë përpjekjen për të ngritur një front të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me të gjithë ekspertizën e nevojshme dhe me të gjithë forcën politike për t’i dalë ballë atij.

Kontribo

15 05 2019

Takim me përfaqësuesit rajonal të Fondacionit Westminster për Demokraci

Sot, në zyrat qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, ish Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, bashkë me Sekretarin e ri për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, pritën në takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), Emil Atanasovski, menaxherin e projekteve për Ballkanin Perëndimor të WFD, Rob van Leeuwen dhe përfaqësuesin e WFD në Kosovë, Fitim Mulollin.

Në këtë takim u diskutua për problemet kryesore me të cilat po përballet aktualisht Kosova. Përfaqësuesit e Lëvizjes prezantuan analizën e tyre mbi degradimin e insitucioneve shtetërore në Kosovë dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Më tej ata shpjeguan edhe qëndrimet e Lëvizjes në lidhje me dialogun asimetrik dhe jodemokratik të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, si dhe për alternativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me këtë dialog. Aty u diskutua edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, veçanërisht tek moshat e reja. Gjithashtu, përfaqësuesit e WFD u njoftuan edhe me aktivitetet e fundit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në kundërshtim të korrupsionit të qeverisë aktuale, nëpërmjet fushatës Kundër “PANhajnisë”.

Përfaqësuesit e WFD prezantuan projektet e tyre, të cilat janë duke i realizuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Palët e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes WFD dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe u pajtuan për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Kontribo

14 05 2019

Takim me delegacionin e Lutjeve të Mëngjesit

Mbrëmë, në Selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti dhe Nënkryetari Besnik Bislimi bashkë me deputetet, Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci, pritën në takim delegacionin e Lutjeve të Mëngjesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë delegacion të shoqëruar nga z. Ahmet Shala dhe z. Visar Azemi ishte kongresmeni z. Randy Hultgren së bashku me z. Michael Stoltzfus, z. Todd Hendricks, z. Kent Ford. Gjithashtu të panishëm ishin edhe përfaqësuesit e orgaizatës “Kosovo Hope”, z. John Walden dhe z. Berat Gegaj.

Në këtë takim miqësor u bisedua për sfidat që po kalon Kosova 20 vjet pas përfundimit të luftës, si mungesa e një sistemi të pavarur të drejtësisë që do të trajtonte krimet e luftës dhe korrupsionin e paqes, gjendja e rëndë socio-ekonomike me nivelin e lartë të papunësisë në veçanti tek të rinjtë dhe gratë etj. Kryetari Kurti iu shprehu mirëseardhje mysafirëve dhe theksoi se është shumë mirë që jeni bashkë me ne në këtë kohë, në 20 vjetorin e masakrave të luftës së fundit. Ai shtoi se janë afër 400 masakra me mbi 10 mijë civilë të vrarë, 20.000 gra të dhunuara e mbi 1650 të zhdukur vetëm nga lufta e fundit.

Nënkryetari Besnik Bislimi shpjegoi situatën ekonomike dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë bizneset vendëse duke thekuar se për të ndryshuar këtë gjendje të rëndë duhet të bëjmë ndryshim të shpejtë dhe rrënjësor. Deputetja Saranda Bogujevci ndau me kongresmenët amerikanë atë çfarë ajo kishte përjetuar gjatë luftës dhe rrugëtimin e saj për drejtësi me gatishmërinë e saj për të kontribuar në luftën për drejtësi për viktimat e luftës.

Delegacioni amerikan shprehi keqardhjen për vuajtjet dhe humbjet si dhe solidaritetin e tyre për të gjitha viktimat duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë afër dhe do të ndihmojnë shtetin e Kosovës edhe në të ardhmen.

Të gjithë u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe mundësitë për të intensifikuar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta.

Kontribo

13 05 2019

Takim me udhëheqësit e Sindikatës së RTK-së

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me deputetin Valon Ramadani, pritën udhëheqësit e Sindikatës së RTK-së, z.Fadil Hoxha, kryetar, znj.Albana Murseli, nënkryetare dhe z.Visar Duli e z.Veton Rugova, anëtarë.

U bisedua lidhur me gjendjen e rëndë në RTK, programin televiziv dhe situatën e punëtorëve aty, si dhe problemet që veç po shtohen çdo ditë.

Bashkarisht u konstatua nevoja që të mbahet një seancë e veçantë në Kuvendin e Kosovës për RTK-në, për ta rritur cilësinë e këtij institucioni të rëndësishëm dhe transmetuesi publik. Në këtë seancë do të propozohej edhe një komision hetimor parlamentar, me theks të veçantë mbi paligjshmërinë pas shpalljes arbitrare të drejtorit pa vota të plota të bordit drejtues.

Kontribo

13 05 2019

Qendra e Prishtinës: Dorëheqja e kryetarit frikacak shpëton edhe atë edhe qytetarët

Sot, vizituam vendin ku paradite për shkak të rrëshqitjeve të dheut është rrezikuar jeta e një numri të qytetarëve të kësaj pjese, dhe nxënësve të cilët vijojnë mësimin në shkollën Naim Frashëri. Rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e punimeve që po zhvillohen në këtë objekt. Komuna e Prishtinës u mundua që fajin ta hedhë te shpërthimi I një gypi të ujësjellësit. Kjo u demantua nga KRU-Prishtina të cilët pas analizës së marrë nga tereni konstatuan se, po citoj, “ekzekutimi I punëve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës, është bërë në mënyrë joprofesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore”.

Ky nuk është rasti i parë që po ndodh diçka e tillë. Para disa javësh në po të njëjtën lagje kemi pasur një rast të ngjajshëm dhe poashtu për raste të tilla po raportohet edhe nga lagjet tjera. Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes reagimeve edhe në asamblenë komunale edhe me aktivitete të vazhdueshme kemi ngritur shqetësimin për degradimin e qeverisjes komunale në fushën e ndërtimeve, si për mënyrën si po lëshohen lejet ashtu edhe si po tolerohen ndërtimet pa leje.

Para disa ditësh vetë kryetari i Komunës së Prishtinës deklaroi që nuk mund t’i ndalë ndërtimet e egra, sepse ose e vrasin ose e fusin në burg, e ndërkohë në Prishtinë po vazhdojnë ndërtimet pa leje, e nuk po mbikqyren ato me leje.

Përderisa rastet e fundit ku është rrezikuar jeta e qytetarëve nga ndërtimet kanë të bëjnë kryesisht me rrëshqitje të dheut, kjo lë hapësirë për dyshim që gjtihë ndërtimet po zhvillohen jashtë standardeve dhe duke mos i respektuar lejet e dhëna, duke u bërë rrezik I vazhdueshëm për qytetarët.

Deklaratat e Kryetarit të Komunës, ku si zakonisht mundohen t’ua hedhë fajin tjerëve, janë alibi për mospunën dhe dembelinë e tij dhe në asnjë rast nuk e arsyetojnë çkado që rrezikon qytetarët nga ky degradim i qeverisjes komunale.

Ky kryetar dembel e frikacak, i cili thotë se i rrezikohet jeta e tij, po rrezikon jetëra e qytetarëve të Prishtinës.

Që të shpëtojë jetën e tij dhe të qytetarëve, Shpend Ahemti ka një zgjidhje të lehtë: DORËHEQJEN!

 

Kontribo

10 05 2019

Takim me Federatën Sindikale të Telekomit të Kosovës

Sot në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti së bashku me koordinatoren e Komiteteve, Dejona Mihali dhe Drejtuesin e Komitetit për Komunikime Elektronike, Fatban Bunjaku, pritën delegacionin e Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, të përbërë nga Kryetari Lamih Bala dhe anëtarët e kryesisë, Shpëtim Zharkun e Naim Halitin.

Në këtë takim Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehu pajtimin e plotë me qëndrimet e shprehura publikisht të Sindikatës dhe u dakorduan për t’i paraqitur këto qendrime në institucionet e Kosovës.

Telekomi i Kosovës, Qeveria, nuk i ka asnjë borxh kompanisë Devolli dhe operatorit të tyre virtual Z-mobile. Kontrata e iniciuar më 2007-2008 dhe e finalizuar me 2009 midis PTK dhe Z-mobile është produkt i krimit të organizuar. Si e tillë autorët, nënshkruesit dhe të gjithë të përfshirët sot duhet të ishin të dënuar nga drejtësia dhe kontrata në fjalë duhet shkëputur dhe dëmi i shkaktuar me mbi 200 milionë euro nga Z-mobile ndaj Telekomi duhet të ishte kthyer.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, në bashkëpunim me LDK, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të datën 12 maj ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkohen urgjentisht masa ndaj kësaj situate dhe propozimi i projektligjit për ndalimin e operatorëve mobil virtual.

Kontribo

06 05 2019

“Z-Mobile” do të ndalohet me ligj 

Në kohën kur Telekomit të Kosovës i kërcënohen se edhe një javë kohë i ka mbetur për t’ia paguar borxhin që buron nga një kontratë e kriminalizuar Zmobile, Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes drejtuesit të Grupit Parlamentar të saj, z. Glauk Konjufcës njoftoi për dy nisma emergjente për ta ndalur krimin që ka gjunjëzuar gjyqësorin, prokurorinë dhe Qeverinë.

E para ka të bëjë me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në kuvend, dhe e dyta ka të bëjë me një nismë ligjore, së cilës nëse ia ngushtojmë kuptimin siç tha Konjufca në konferencë për media, i bie që t’i ndalohet veprimtaria kompanisë Z-Mobile.

Deri te keto nisma, sipas Konjufcës ka ardhur për shkak se kompania private “Devolli” e ka kapur qeverinë, dhe bashkë me të po qëndron mbi kuvendin e Kosovës dhe mbi institucionet e drejtësisë në vend.

Kontrata me Zmobile është produkt i krimit të organizuar dhe implikimet prej saj për Telekomin nuk duhet të njihen si obligime për Tekomin. Të gjitha pjesëtarët dhe mbështetësit e kësaj kontrate nga të gjitha qeveritë duhet të nxirren para drejtësisë.

Prej 12 korrikut të vitit 2018, në Kuvendin e Kosovës është në fuqi një rezolutë e cila është votuar nga shumica e deputetëve të kuvendit të Kosovës. Ajo rezolutë në pikën e 7-të të saj thotë: “Qeveria e Kosovës si aksionari kryesor duhet të tërhiqet nga marrëveshja abuzive e ish-drejtorit të Telekomit me kompaninë Z-Mobile.” Kjo rezolutë sipas Konjufcës është shpërfillur që disa muaj nga qeveria e Kosovës dhe nuk po zbatohet.

Arsyeja se përse kjo rezolutë nuk po zbatohet sipas tij ka të bëjë me faktin se qeveria është plotësisht e gatshme që përmes ministrit Valdrin Lluka t’ia vazhdojë kompanisë “Z-Mobile” kontratën me Telekomin e Kosovës.

“Kjo nuk po zbatohet ngase këta janë të gatshëm që edhe për 10 vite të tjera ta zgjasin kontratën me atë kompani. Dhe kërcënimi i kompanisë “Devolli” po bëhet pikërisht me këtë qëllim, pra si shantazh ndaj qeverisë së Kosovës për vazhdimin e kontratës edhe për 10 vite të tjera. Mos të harrojmë se rezoluta që është momentalisht në fuqi, pika e saj 12 thotë kështu: Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Prokurorinë e Kosovës që të vendosë në prioritet hetimin e kontratës me Dardafon (më tej Z-mobile).” tha Konjufca, duke përmendur edhe çështjen e arbritrazhit dhe gjykatës ndërkombëtare.

Siç dihet kompania në fjalë është ankuar në arbitrazh dhe e ka fituar rastin. Por edhe kjo e ka anën e vet kriminale, ngase ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! besojmë se krejt kjo çfarë ka i ndodhur Kosovës ka të bëjë me krim të organizuar mes kompanisë “Devolli” dhe Bordit të Telekomit të Kosovës.

“Bordi është udhëhequr nga Rexhë Gjonbalaj – njërit prej drejtuesve kryesor të PDK-së në qytetin e Pejës. Dhe mënyra se si është bërë mbrojtja lë për të dëshiruar ngase është bërë përmes një institucioni krejt fantom i cili i ka marrë Kosovës gati gjysëm million euro për kinse mbrotjejn e telekomit. Në rastin e AXOS-it, kur kishim një angazhim më serioz asokohe, e fituam rastin, kurse në këtë rast duket se qëllimi ka qenë që rasti të humbet, dhe 32 milionë euro të merren nga taksapaguesit”

Ne e dimë që Telekomi nuk ka mundësi për këto para, dhe që kjo do të thotë bankrotim. Kjo është bashkëpjesëmarrje në krim për bankrotimin e Kosovës. Kjo nënkupton që punëtorëve të telekomit u rrezikohet puna.

Konjufca tutje tha se këta i kanë kapur edhe instucionet e drejtësisë, ngase në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka mundur të ndodhë një apelim ndaj masës së arbitrazhit që së paku kjo gjobë të mos shkonte drejtpërdrejt me përmbarim, por kjo nuk është bërë.

Për fund, duke folur në emër të Lëvizjes, Konjufca tha se mbështesim peticionin e punëtorëve dhe kërkesën e tyre për ndërprerjen e kontratës me “Z-Mobile” dhe se do të angazhohemi si Lëvizje përmes dy iniciativave në Kuvend, një seance të jashtëzakonshme dhe një ligji që ndalon operimin e operatorëve virtualë si “Z-mobile”, ta ndalim këtë krim të organizuar mes qeverisë dhe kompanisë që është ulur këmbëkryq në të dhe po tenton zhvatjen e taksapaguesve.

Kontribo

05 05 2019

Urime Muaji i Ramazanit

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarët muslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit. Ky muaj është i mbushur me domethënie shpirtërore e me shenjtëri, për të gjithë besimtarët.

Muaji i Ramazanit është muaji jo vetëm i besimit, por i besimit me besnikëri. Në Ramazan besohet jo vetëm përmes shpresës e dëshirës, por më së shumti përmes vullnetit, disiplinës e guximit. Agjërimi na tregon se pastrimi dhe kalitja e mendjes dhe e zemrës nuk vjen nga jashtë, por duhet të bëhet vetë dhe mund të bëhet vetë, prej të gjithëve atyre që zgjedhin të jenë pjesë e një komuniteti dhe e një fryme.

Në Ramazan mësojmë po ashtu se vetësakrifica, me dhimbjet dhe idealet e saja, apo edhe besimi me devotshmëri ndaj idealeve nuk ushtrohen vetëm, e nuk mbahen vetëm për vete, por në bashkësi dhe me të tjerë, në solidaritet e në bashkëveprim.

Urojmë që muaji i Ramazanit, të na i forcojë lidhjet me të dashurit tanë dhe të na përbashkojë me të tjerë që nuk i kemi njohur.

Qoftë i lehtë agjërimi për ata që do të agjërojnë, sjelltë lumturi e gëzim në zemrat e besimtarëve!

Kontribo

03 05 2019

Korrupsioni në prokurim e tenderë, pengesë për integrimin, por burim pasurimi për qeveritarët

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media rreth korrupsionit të lartë dhe sistemik në prokurimin publik në Kosovë ku folën nënkryetari i Lëvizjes, Besnik Bislimi dhe eksperti i sapo anëtarësuar në Lëvizje, Jeton Zulfaj.

Korrupsioni në vend është bërë barrierë për proceset integruese të vendit, liberalizimin e vizave, rritjen ekonomike, zvogëlimin e pabarazisë dhe forcimin e kapaciteteve të adminsitratës publike. Krijimi i koalicionit PAN me bashkangjitjen e AKR-së kanë qenë shenjë ogurzezë se apetitet për korrupsion do të shtohen.

“Tani kemi pasurim të shpejtë përmes metodave korruptive si stërngarkimi i administratës publike me punësime familjare, falje e borxheve, rritje arbitrare e pagave, ndryshime të ligjeve për të privilegjuar klientelën politike dhe shumë e shumë të tjera”, denoncoi nënkryetari Bislimi.

Ndërkohë që kjo qeveri tenton korrupsionin ta trajtojë si kulturë dhe rezistencën qytetare ndaj tij si të pashpresë, Besnik Bislimi theksoi se Lëvizja e ka për mision të bindë se, “luftimi i korrupsionit është i mundur dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Më tutje, Jeton Zulfaj tregoi me statistika gjendjen e rëndë të krijuar nga korrupsioni në prokurim publik. Kjo është mundësuar për shkak të numrit të madh të autoriteteve kontraktuese, planifikimit të dobët të nevojave buxhetore, menaxhimit të dobët të kontratave dhe mungesës së transparencës.

Në vitin e kaluar më shumë se 1/4 e buxhetit ka kaluar përmes prokurimit publik me mbi 35% rritje të volumit dhe vlerës së kontratave krahasuar me vitin 2017. Rritjen më të madhe e ka Ministria e Infrastrukturës me 1/5 e të gjithë vlerës së prokurimit, një rritje kjo prej gati 500%, kurse komuna e Deçanit ka shtuar për 9 fish vlerën e prokurimeve. Numri më i madh i ankesave dorëzuar për parregullsi në procedura prokurimi është pikërisht për Ministrinë e Infrastrukturës, 70 sosh. Kjo ministri prin me numrin e kontratave të lidhura fshehurazi, që ndryshe njihet si procedure e negociuar, pa publikim të kontratës. Ka dhjetra aneks kontrata për punë të papërfunduara në kohë apo për shpenzime shtesë që shkojnë deri në 100 milion euro dhe ka kompani të cilat janë të lidhura me pushtetin të cilat po bën monopole në fushën ku operojnë.

Po ashtu, gjatë vitit 2018 është dyfishuar numri i kontratave me vlerë minimale në mbi 4 mijë, për më shumë se 4 milion euro për shërbime dhe mallra të cilat duhet të jenë subjekt i hetimit të prokurorisë, por edhe i monitorimit nga KRPP dhe agjensia antikorrupsion, sepse në këtë kategori janë blerë ora dore, kostume dhe veshmbathje pa arsyetim dhe pa adresë me taksat e qytetarëve.

Afër 100% e tenderëve kanë kaluar përmes cmimit më të ulët, kriter ky i kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian sepse lë hapsirë për korrupsion para dhënies së tenderit dhe pas tij për shkak të ritenderimeve nga cilësia e dobët e punimeve fillestare.

Ndërsa masat që do të duhej të merreshin për zgjidhjen e kësaj situate Jetoni i listoi duke thënë se, “duhet një reformë e thellë e cila prek edhe agjensinë për regjistrimin e bizneseve. Kemi tepër pak njohuri se kush qëndron prapa bizneseve që fitojnë tenderët. ARBK duhet të bëjë transparente përfituesit përfundimtar të kompanive, menaxhmentin e kompanive dhe aktet ligjore me ndryshimet e tyre. Kjo është kërkesë edhe e Komisionit Evropian. Kompanitë që duan të bëjnë biznes me shtetin duhet të i nënshtrohen një standardi më të lartë të transparencës. KRPP duhet të përjashtojë nga prokurimi kompanitë që operojnë në zonat pa taksa (tax heavens) dhe të bëjë transparente të gjitha kontratat, urdhërpagesat dhe faturat që qarkullojnë përmes prokurimit publik. Kjo mund të arrihet shumë lehtë nëse ministria e financave e hapë thesarin për publikun. Thesari mbushet me djersën e popullit, por populli nuk e din se si shpenzohet paratë e tij. Thesari mund dhe duhet të lidhet direkt me modulin për menaxhim të kontratës në KRPP duke treguar se ku shkon secili cent i qytetarëve. Agjensia kundër korrupsionit duhet të zgjerojë listen e zyrtarëve publik të cilët deklarojnë pasurinë duke përfshirë të gjithë zyrtarët e prokurimit. Ka vite të tëra që Komisioni Evropian kërkon hetimin e pasurisë së pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë shtetëror”.

Kjo qeveri nuk është e interesuar ta zbardhë këtë gjendje sepse prek direkt interesat e bizneseve me të cilat është e lidhur. Ndërsa Lëvizja as nuk është e kapur me dhe nga bizneset, as nuk i mungon ekspertiza dhe as nuk i mungon guximi për ta luftuar korrupsionin brenda dhe rreth institucioneve shtetërore.

Kontribo

28 04 2019

Urime e Pashkë të gëzuara të gjithë besimtarëve ortodoksë

Ditët e Pashkës janë shenjim i vlerave që frymëzojnë besimtarët. Disa prej këtyre vlerave janë besnikëria ndaj angazhimit të marrë, mbajtja e fjalës së dhënë, vetësakrifikimi e përkushtimi ndaj së vërtetës së mbrujtur në të përbashkëtën, në komunitet.

Porosia e ripërtëritjes i mbush besim e gëzim ata e ato që besojnë e të gjithëve i udhëzon se edhe “ripërtëritja” kombëtare e shoqërore do të vijë si pasojë e punës, sakrificës dhe përkushtimit të atyre që besojnë në të.

Le të qëndrojmë e përpiqemi së bashku. Qëndron mirë kush qëndron deri në fund.

Me këto porosi në mendje e në zemër u urojmë të gjithë ortodoksëve për shumë mot Pashkën!

Kontribo

27 04 2019

20 vjet nga masakra e Mejës

Sot, në 20 vjetorin e njërës prej masakrave më të tmerrshme që u kryen përgjatë luftës së fundit në Kosovë, masakrës së Mejës në Gjakovë, ku u vranë 376 shqiptarë, civilë të paarmatosur, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, deputetë Fitore Pacolli e Liburn Aliu dhe Kryetari i Qendrës së Gjakovës Agon Batusha e asamblistë e aktivistë të kësaj qendre ka bërë homazhe te varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Mejë. Po ashtu delegacioni i Lëvizjes bëri homazhe edhe pranë lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Skivjan të Gjakovës.

20 vite më parë, përmes një operacioni të planifikuar ku morën pjesë njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët dhe fqinjët e maskuar, u bllokuan të gjitha rrugët në drejtim të Mejës për të seleksionuar dhe ekzekutuar më pas 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me “lojërat e juristëve” të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Askush nuk arriti t’i mbijetojë kësaj masakre, dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi. Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

20 vite më pas, ne kujtojmë luftën dhe përpjekjen për çlirim përmes heronjve, dëshmorëve dhe martirëve, ndaj të cilëve dhe për sakrificën e të cilëve jemi krenarë dhe përkulemi. 20 vite më pas, ne poashtu qëndrojmë pranë familjarëve dhe atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, duke kërkuar drejtësi për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Këto krime nuk vjetërohen, këto krime nuk harrohen, këto krime kërkojnë drejtësi.

Kontribo

27 04 2019

Thellohet bashkëpunimi me Fondacionin “Westminster”

Në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë u organizua një prezantim mbi sfidat e partive politike në shekullin XXI dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Prezantimin e mbajti z. Iain Gill, konsulent i “Westminster Foundation for Democracy” (Fondacioni Westminster për Demokraci). Z. Gill ka një përvojë të gjerë bashkëpunimi si konsulent me mbi 200 parti politike në Evropë, ShBA, etj. Prezantimi u zhvillua në kuadër të projektit të bashkëpunimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), që funksionon si një agjenci e pavarur publike në Mbretërinë e Bashkuar (MB) e cila punon me partitë politike brenda dhe jashtë MB-së në mbështetje të demokracisë.

Në këtë prezantim morën pjesë deputetë, anëtarë kryesie, asambleistë komunalë, dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ata u përfshinë në një bashkëbisedim në lidhje me parimet e subjekteve politike, angazhimin e grupeve të papërfaqësuara, strategjitë e komunikimit dhe mesazhet politike. Projekti do të vazhdojë me hapa të tjerë në të ardhmen që janë në përputhje me parimet demokratike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të WFD-së.

Kontribo

26 04 2019

Lepur ik, duam Republikë

Sot, në orën 11:55, tek zyra e Prokurorisë së Shtetit, në rrugën Luan Haradinaj, në Prishtinë, disa mijëra qytetarë u mblodhën paqësisht në një protestë të thirrur pak ditë më parë.

Protesta u hap me fjalët e deputetes Albulena Haxhiu, e cila tregoi se ky aktivitet është vetëm hapi i parë, në drejtim të zhbllokimit të prokurorisë së kapur nga pushteti e të frikësuar nga krimi. Znj. Haxhiu kërkoi që prokuroria të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, duke lejuar prokurorët e aftë e të ndershëm të punojnë, e duke larguar shërbëtorët e PANhajnisë. Vetëm kështu do të fillonte hetimi i pasurisë të paligjshme të pushtetarëve.

Më pas, disa studentë u veshën si prokurorë dhe ngritën aktakuza për keqpërdorim të buxhetit dhe abuzim me detyrën, kundër disa prej njerëzve më të korruptuar në pushtet. Kështu, Arbër Binaku ngriti aktakuzë kundër Pal Lekajt, Yll Sokoli kundër Kadri Veselit, Berita Abazi kundër Hashim Thaçit dhe Altinë Nika kundër Aleksandër Lumezit.

Protesta u mbyll me fjalët e Glauk Konjufcës: “Ky nuk është kryeprokuror, por është prontokuror. Jemi bërë bashkë këtu me shpallë një aktakuzë kolektive ndaj sistemit tonë të dështuar të drejtësisë. Të pandehurit janë pushtetarët e korruptuar dhe prokurorët e shitur. Kurse emri i krimit është amnistia e keqbërësve nga prokuroria e shtetit.”

Falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë sot në protestën për largimin e kryeprokurorit, si dhe aktivistët që punuan për përgatitjen e mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, i cili do të pasohet nga tubimet e tjera kundër PANhajnisë dhe zyrtarëve të korruptuar në prokurori e qeveri.

Kontribo

25 04 2019

Kurti e Konjufca dorëzojnë kallëzim penal për Thaçin e Veselin, për dëshmi të rrejshme nën betim

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Glauk Konjufca dorëzuan sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kallzim penal për dëshmi të rrejshme nën betim ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ndaj Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Thaçi dhe Veseli kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018 në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës organizata Syri i Popullit, ku kanë deklaruar se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

“Këta dy njerëz që ndodhen në postet më të larta institucionale kanë rënë në pozitat më të ulëta njerëzore dhe këta jo që nuk e mbrojnë Republikën, por Republika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve të cilët shpifin nën betim”, deklaroi për mediat Kryetari Kurti.

Ndërsa deputeti Konjufca e lidhi dëshminë e rreme të dy krerëve të institucioneve me sulmin e vazhdueshëm ndaj Lëvizjes, “një tendencë politikë e qartë që përmes kontrollimit të drejtësisë të luftohet Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne këtë e kualifikojmë si përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë Albini dhe unë, padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit. Pra, Presidenti në deklarimin e tij gjatë dëshmisë ka thënë që, dhe i ka urdhëruar gjykatën faktikisht, që të zgjerohet akuza në drejtim të Albinit dhe meje”.

Arsyeja e dorëzimit të kallzimit u përforcua edhe nga Kryetari Kurti edhe deputeti Konjufca se Lëvizja nuk resht kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi në tërësi është i kapur.

Kontribo

24 04 2019

Kryeprokurori vallëzon tango me pushtetin

Ardhja e Aleksandër Lumezit në krye të prokurorisë paska qenë për ta centralizuar dhe monopolizuar gjithë praktikën e hetimit të korrupsionit të profilit të lartë, tha Glauk Konjfuca, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes, në konferencën e sotshme për media ku u fol edhe për protestën e së premtes.

Aleksandër Lumezi ka krijuar një komision i cili brenda pesë ditëve duhet t’i raportojë atij për secilin rast të profilit të lartë publik që është nën hetim për korrupsion, tha ai, duke përmendur 70 rastet e zyrtarëve të lartë publik, ndaj të cilëve në kohën e Lumezit, ose janë braktisur aktakuzat, ose kanë pushuar hetimet ose dënimi nuk ka qenë efektiv.

Konjufca tha se shpjegimi i deritashëm politik i kapjes së drejtësisë duhet të riformulohet. “Kjo nuk është kapje, kapja është e njëanshme kurse ky është vallëzim tango ku siç dihet nevojiten dy palë. Njëra palë në tango është Lumezi i cili po vallëzon për mrekulli me pushtetin dhe kjo është e dyanshme, e vullnetshme, dhe për t’u rregulluar kjo gjë, duhet vullnet politik.” tha ai duke aluduar te zgjedhjet e reja që i jepin një mundësi të re qytetarëve.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Albulena Haxhiu përmendi se si në pozitën e kryeprokurorit Lumezi erdhi me dy premtime publike. Me premtimin që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin (gjë që nuk ndodhi asnjëherë) dhe me premtimin për hetimin e krimeve të luftës (që poashtu nuk ndodhi asnjëherë).

“Në këto 4 vite, gjatë kohës sa Lumezi ishte në krye të prokurorisë, mund të themi me bindje e përgjegjësi që skandalet e korrupsionit në nivelet e larta vetëm sa janë rritur dhe në anën tjetër nuk ka pasur veprime konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit” tha ajo.

Ajo po ashtu përmendi rastet më flagrante të krimit dhe korrupsionit për të cilat kërkoi përgjigje nga kryeprokurori: vendimi për rritjen e pagës nga Qeveria, favorizimet e njerëzve të kryeministrit, 53 milionë eurot për Bechtel-Enkan, kontrata e dëmshme e Contour-Global, keqpërdorimet me subvencione në bujqësi, shpenzimet e parasë publike për librin personal të Hashim Thaccit, vjedhja e qytetarëve nga ZRRE me fatura të rrymës dhe shumë raste të tjera.

Sipas organizatave që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, del se mbi 60% e rasteve të profileve të larta, prokuroria ose i hedh poshtë kallëzimet penale, ose i pushon hetimet tha ajo duke shtuar se prokuroria duket e pafuqishme përballë kriminelëve e të korruptuarve në këtë vend.

Ky prokuror që nuk vepron po i kushton shumë Republikës tonë. Nuk mund të presim edhe 3 vite të tjera që Lumezi ta dëshmoj veten.

Andaj, sa nuk është bërë vonë, të mblidhemi e të angazhohemi kundër PANhajnisë dhe kundër atyre që nuk po verpojnë ndaj kriminelëve dhe të korruptuarve” porositi Haxhiu duke ftuar qytetarët që të premten e 26 prillit, 5 minuta në 12 të marrin pjesë në protestën që do zhvillohet para zyrës së kryeprokurorit.

Kontribo

23 04 2019

Klina kundër PANhajnisë

Këta qeveritarë e vodhën shpresën, popullin dhe kërcënuan drejtësinë. Ata janë kundër mirëqenies, kundër zhvillimit ekonomik e hapjes së vendeve të punës dhe kundër ligjit e rendit. Prandaj edhe janë bërë bashkë në koalicionin e hajnisë, PANhajnisë.

Si është e mundur që shqetësimi kryesor i qytetarëve të vendit të jetë korrupsioni, i raporteve të huaja të jetë po ashtu korrupsioni, ndërkohë ende nuk kemi luftim të krimit e korrupsionit, përkundrazi ka bashkëjetesë mes prokurorisë e krimit. Kryeprokurori i zgjedhur nga partia siç e kemi dëgjuar në ”Pronto-aferë” sigurisht se nuk mund ta luftojë krimin. Ai është emëruar në detyrë nga krimi.

Me qeverisjen e re, prokurorët do të jenë armiqtë kryesor të krimit, e jo bashkëpunëtorë të tij. Shteti i së drejtës do të ngadhnjejë mbi krimin e korrupsionin. Pa u luftuar korrupsioni nuk do të ketë as ekonomi dhe zhvillim e as siguri dhe mirëqenie.

Prandaj, nga Klina përplot me vullnet, si qytetarë të Republikës, u mblodhëm për të ngritur zërin kundër Kryeprokurorit që nuk bënë zë ndaj krimit dhe hajnisë së nivelit të lartë, dhe përçuam mesazhin se të premten e 26 prillit do të protestojmë paqësisht para zyrës së Kryeprokurorisë.

Kontribo

21 04 2019

Më 26 prill, në ora 11:55, protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit

Korrupsioni në vendin tonë është shtuar e përhapur si asnjëherë më parë. Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot.

Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike. Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre.

Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre.

Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin.

Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë.

Nga raportimet e përditshme nëpër medie për aferat korruptive të qeverisë e deri te të gjeturat e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit, asgjë nuk i bën përshtypje këtij kryeprokurori. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar.

Sulmit dhe kërcënimeve të kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj, ai ju përgjigj me sulme e kërcënime shtesë kundër këtij vartësi të vet. Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë.

Me këso lepurushash nuk mbahet republika e nuk bëhet shteti.

Me hajna nuk ka shtet, por as me lepurusha nuk bëhet shteti.

Andaj, për të premten e 26 prillit 2019, në ora 5 n’12, pra 5 minuta para mesditës, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për protestë paqësore para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Ky Lepur nuk e ka vendin në rrugën që mban emrin Luan.

Kontribo

21 04 2019

GËZUAR PASHKËT!

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë besimtarët katolikë gëzuar pashkët, këtë kremtim të virtyteve më të larta njerëzore të vetësakrificës, mëshirës dhe dashurisë për liri e barazi.

Pashka është dita e lajmit të mirë ku vetësakrifica dhe mëshira zëvendësojnë sakrifikimin e të tjerëve, ndërsa dashuria dhe drejtësia tregojnë se janë më të mëdha se shtypja dhe hakmarrja. Pashka është dita kur kuptojmë se liria është e pamundur të realizohet pa bashkimin barazitarmes besimtarëve, dita kur kuptojmë se barazia dhe bashkimi mes besimtarësh janë filizat e lirisë kundër perandorisë.

Në mesin tonë, festa të tilla janë ditë paqeje, solidariteti dhe dashurie shoqërore e kombëtare ndërfetare.

Besimtarëve katolikë ju urojmë mbarësi, shëndet e lumturi në këtë ditë feste.

Gëzuar Pashkët!

Kontribo

21 04 2019

Ferizaj kundër PANhajnisë

Qeverisja e re do të bëjë investime që gjenerojnë vende të reja pune, por jo në asfalt që mbetet i zbrazur. Këta politikanë që mbyllin perspektivën për qytetarë nuk mund të hapin vende të reja të punës. Këta investimin dhe investitorin së pari e shohin si përqindje pastaj si investim.

PANqeveria që ndjek prokurorin nga shteti nuk mund të sigurojë investime për vendin. Pa drejtësi e siguri nuk mund të ketë zhvillim e punësim. Andaj, me qeverisjen e re, siguria e ligji, zhvillimi e barazia do të jetë rruga e vetme për ta nxjerrë Republikën nga kjo ngrehinë.

Sot, në Ferizaj, qytetarët e bashkuar treguan se Kosova po ndryshon, një herë si vendosmëri, sikur sot, pastaj edhe në protestë e zgjedhje të reja.

Kontribo