20 04 2019

Ata që bënë pazare me Serbinë nuk mund të sjellin drejtësi për viktimat

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sami Kurteshi dhe Saranda Bogujevci mbajtën një konferencë për media ku folën rreth dy nismave të PDK-së në lidhje me krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Sami Kurteshi tha se kjo PDK që votoi kundër njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale dhe që votoi për Gjykatën Speciale, tani po provon kinse të bëjë diçka karshi krimeve të Serbisë. Sipas tij, janë po këta njerëz që kanë mohuar luftën çlirimtare përmes kushtetutës, që nuk i kanë përfshirë në dialog krimet e luftës, që kanë refuzuar të krijojnë një gjykatë për krime të luftës në Kosovë dhe që kanë penguar e më pas vulosur shuarjen e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Janë po këta persona, veçanërisht Abelard Tahiri, që në rolin e Ministrit të Drejtësisë edhe sot bën përpjekje për të penguar integrimin e “Gjykimit në mungesë” për kriminelët e luftës në Kosovë”, tha Kurteshi në fjalën e tij, duke përmendur edhe mosdokumentimin e rasteve.

“Për 20 vite me radhë, pushtetarët e këtij vendi kanë mohuar krimet e Serbisë me mosveprimin e tyre në drejtim të dokumentimit e gjykimit të tyre”, tha deputetja Saranda Bogujevci në fjalën e saj. Përse të kalojnë 20 vite që një nismë ligjore e tillë të vij në kuvend, kur dihet se Serbia ua ka mohuar shqiptarëve të drejtat elementare për dekada me radhë?

Duke theksuar mosdokumentimin e krimeve të luftës dhe mungesën e mekanizmave shtetëror për përkrahjen e dëshmiratëve si vetëmohim, Bogujevci tha se, “Mosndërtimi dhe mungesa e insistimit ndaj komunitetit ndërkombëtar për mekanizma shtetëror për gjykimin e krimeve të luftës është vetëmohim. Mospërmendja e krimeve të luftës në negociata me Serbinë është vetëmohim. Shuarja e Institutit për mbledhjen e të dhënave për krime lufte është vetëmohim. Kot janë deklaratat se gjoja po kërkojnë llogari nga Serbia kur këta si bartës të institucioneve nuk kanë bërë asgjë në nivel shtetëror për të adresuar krimet e luftës në Kosovë.”

Propozimi i kryesuesit të Kuvendit për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krime ndaj shqiptarëve është absurditet. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të thërritet nga ne për të bërë punët tona. Ne duhet ta kemi vetë gjykatën tonë për krime lufte, të vendosim drejtësi dhe eventualisht të kërkojmë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kontribo

20 04 2019

Gjilani kundër PANhajnisë

Shqetësimi i qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë korrupsioni enorm. PANqeveria po vazhdon me rritjen e korrupsionit në dy drejtime, përmes punësimeve partiake e të familjarëve dhe përmes logjikës së shtrimit të asfaltit.

Kjo qeveri dëshiron ta mbajë klientelën në Kosovë e qytetarin e zakonshëm ta largojë nga ajo. PANqeveria dëshiron ta vendosë popullin para zgjedhjes: ose PAN-in ose largimin nga vendi.

Por Lëvizja VETËVENDOSJE! së bashku me popullin jo vetëm që do të hedhin poshtë koordinatat që sjellin këto dy alternativa, por do të rrëzojnë edhe vet shkaktarët e këtij shantazhi. PANhajnia nuk mund të bllokojë e falimentojë Republikën, qytetarët janë mobilizuar dhe PANhajnia duhet ndëshkuar.

Së bashku do të largojmë PANhajninë, do ta zhdukim korrupsionin dhe institucionin publik do ta kthejmë në shërbim të qytetarëve.

Kontribo

19 04 2019

Prizreni kundër PANhajnisë

Në mbrëmje ishim në qytetin e Prizrenit në kuadër të takimeve e tubimeve me qytetarë kundër PANhajnisë.

Plani politik dhe ekonomi i PANqeverisë: varfëri dhe papunësi, mbytje të shpresës dhe mërgim.

Në Kosovë përveçse diasporës që vidhet e kërcënohet kur investon, po ndiqen edhe qytetarët nga vendi. Në mungesë të investimeve të huaja në Kosovë, Kosova po bëhet e huaj për qytetarët e saj.

Kosovës dhe Prizrenit i duhet më shumë se kurrë ndryshimi, për ta kthyer zhvillimin dhe për kthyer perspektivën.

Vendit i duhet një qeveri që qeverisë së bashku me qytetarët dhe i punëson ata, dhe jo qeverisje mbi qytetarët dhe që punëson vetëm familjarët. Qeveria e re e VETËVENDOSJE!s përmes fondit sovran, në njërën anë, do të investojë në industri prej nga do të hapen vende të punës, dhe në anën tjetër, përmes bankës zhvillimore kamatat do të jenë shumë të ulta dhe kthimi afatgjatë.

Kontribo

19 04 2019

Drenasi kundër PANhajnisë!

Kryeminstri i PANqeverisë ia rriti pagën vetës prej 100% me arsyetimin, kinse për të mos vjedhur. Por menjëherë nisi punësimi i familjarëve të PAN-it në borde të ndërmarrjeve e institucione publike. Pra ky kryeminstër dy herë i gënjeu qytetarët e vendit e dy herë i vodhi buxhetin e shtetit, përmes rritjes së pagës vetes, e përmes punësimeve familjare, të cilat janë vjedhje.

Dhjetra storie televizive, qindra fakte dhe atë të pranuar nga vetë zyrtarët politik për punësimet korruptive me ndikim partiak dhe ende asnjë aktakuzë apo ftesë nga prokuroria. Kjo është vula e kapjes së shtetit. Kryeprokurori i Prontomafisë nuk mund të sjell drejtësi.

Në tubimin e sotëm në Drenas para qytetarëve theksuam nevojën për një shtet të së drejtës ku Kryeprokurori i përgjigjet vetëm Kushtetutës dhe jo shefave, ndërkohë që punësimet bëhen me meritokraci pa kriter mbiemrin e partinë. Kudo në Kosovë po shohim një shpresë, se këtyre politikanëve e kësaj lloj qeverisje po i vjen fundi.

Së bashku do të ndërtojmë frymën dhe do ta bëjmë ndryshimin.

Kontribo

18 04 2019

Raporti i shpenzimeve të PANhajnisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti një konferencë për shtyp ku analizoi Raportin e Shpenzimeve për vitin 2018, publikuar nga Ministria e Financave.

Deputetja Arbërie Nagavci dhe aktivisti Edison Jakurti, i specializuar në ekonomi, vunë në dukje disa nga të gjeturat e analizës së raportit:

Kosova ka pasur normën më të lartë të papunësisë dhe normën më të ulët të rritjes së vendeve të punës. Përveç zvogëlimit të tregut të punës, me njerëz që po e lëshojnë vendin, rreth 58% e atyre që janë në treg të punës duhet të presin më shumë se një vit për të gjetur punë. Rritja ekonomike e publikuar nga qeveria, e cila nuk po krijon vende të punës mbetet veç një shifër pa ndikim pozitiv e efektiv në mirëqenie.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve është për 3.3% më i lartë në mars të 2019 sesa ai në mars të 2018. Cmimi i bukës dhe drithërave është rritur për rreth 12%, çmimi i mishit është rritur përreth 4%; ai i qumështit, djathit, dhe vezëve për 4%, i perimeve për 33%; e kostoja e përdorimit të pajisjeve për transport personale për 6.4%. Këto janë produkte e shërbime bazë, nuk janë luks. Pra, raporti i zhdrejtë mes normës së papunësisë dhe normës se inflacionit, tek ne është kthyer në raport të drejtë: ne kemi edhe rritje të papunësisë, edhe rritje të çmimeve. Pra na kanë ofruar një gjendje të katastrofës.

Një përcaktues tjetër i rritjes ekonomike thuhet të jetë eksporti në shërbime. Por, në masë të madhe, kjo ndodh për shkak të mërgimtarëve që vijnë në Kosovë për vizitë – nuk është meritë e ndonjë politike proaktive të qeverisë. Në tregtinë me mallra, ku mund të ketë dorë kjo qeveri, kemi deficit të lartë tregtar: ne vitin 2018, deficiti tregtar iu afrua shifrës së 3 miliard eurove, që ishte mbi 11% më i lartë se deficit tregtar në vitin 2017. Pra, për një euro të fituar nga eksporti, ne i kemi dhënë 9 euro në import.

Krenaria tjetër e Ministrisë së Financave mbetet stabiliteti makroekonomik. Por, norma e papunësisë rreth 30%, norma e popullsisë ekonomikisht joaktive 59%, deficiti tregtar prej afër 3 miliardë eurosh; inflacioni prej rreth 3.3%; tregojnë se ne jemi në krizë. Dhe, në kohë krizë stabiliteti do të thotë mirëmbajtje e krizës. Pra duhet stimulim i ekonomisë, e jo stabilitet.

Në vitin 2018, mbi 12 milionë euro janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, nga të cilat mbi 7 milionë vetëm për akomodim dhe meditje të zyrtarëve. Ndërsa, qeveria ka ndarë 120,000 euro për 800 familje të rrezikuara të komunitetit egjiptian. Pra, 150 euro për ta nxjerrë nga rreziku një familje të komunitetit egjiptian, dhe mbi 7 milionë për meditje dhe akomodim të zyrtarëve jashtë vendit.

Gjatë vitit të kaluar, rreth 3 milionë e gjysmë janë shpenzuar në dreka zyrtare. Ndërsa për këtë vit, për 103,409 qytetarë të varur në ndihmën sociale janë ndarë 30 milionë euro, që i bie rreth 0.79 euro në ditë. Pra, qeveria që ka shpenzuar 3.5 milionë euro për dreka zyrtare në 2018 ndërsa ka planifikuar 0.79 euro në ditë për një të varfër në vitin 2019.

Asnjë biznes i madh i ri nuk u regjistrua në Kosovë vitin që lamë pas.

Për Vetura zyrtare janë shpenzuar mbi 1 milionë euro. Ndërsa për Fushat sportive vetëm 300 mijë euro. E për pajisje muzikore për artistët tanë 0 euro. Furnizim me ushqim dhe pije në total kjo qeveri i ka shpenzuar rreth 12 milionë euro.

Dhe të marrësh me mend se çfarë kanë qenë rezultatet në politikën apo në tregtinë e jashtme të Kosovës përballë 7 milionë eurove të shpenzuara gjatë 2018.

Shpenzimet për shënimin e pavarësisë mbi 600 mijë euro, pra për një ditë të vetme shtuar kësaj dhe pagesën e borxhit të prapambetur nga një vit më parë rreth 200 mije euro, pra gati 800 mijë euro për shënimin e pavarësisë.
Raporti i të punësuarve me kontratë për shërbime të veçanta, pra ata që i angazhojnë ministrat sipas interesit të tyre mbi stafin civil që e ka të përcaktuar çdo ministri.

Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë 207 persona
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve 118 persona
Ministria e Infrastrukturës 135 persona.

Nuk është çështja vetëm që ka keqpërdorimeve enorme, këtu është problemi që mendësia e tyre është e tillë. Dhe se secili prej tyre nga PANQeveria mendon se i takon ta përdorë paranë publike sipas interesit të ngushtë.
Nuk mundemi më me këtë mendësi. 11 vite menaxhim i buxhetit, 11 vite paradigmë ekonomike e mbrapsht.
Është koha për ta ndërruar rrënjësisht këtë situatë.

Kontribo

18 04 2019

Takim me Vasfije Krasniqi Goodman

Në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari Albin Kurti, nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mullhaxha Kollçaku, përfaqësuesja në KQZ dhe drejtuesja e sekretariatit të gruas Nazlie Bala, deputetja Saranda Bogujevci, deputeti Sami Kurteshi dhe anëtari i Kryesisë Arben Vitia takuan dhe bashkëbiseduam dashamirësisht me Vasfije Krasniqi Goodman, gruan e guximshme që i mbijetoi tmerrit të luftës dhe heshtjes së pasluftës.

Një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë. Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë të dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave.

Ndërkohë, për asnjë rast të vetëm drejtësia nuk është sjellë në vend dhe asnjë gjykim nuk është dhënë për ata që planifikuan, organizuan dhe kryen dhunimet ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Këtë brengë të drejtësisë rindau Vasfije Krasniqi Goodman. Drejtesia për ta denuar krimin dhe kriminelin ka munguar.

Institucionet e vendit duhet ta marrin guximin dhe ta kenë vullnetin për t’u angazhuar për t’i vendosur kriminelët përballë drejtësisë.

Thirrja e Vasfijes është thirrja e 20.000 grave dhe vajzave të dhunuara. Thirrja e Vasfijes është thirrja që i jep zë dhimbjes. Një forcë dhe guxim i jashtëzakonshëm duhet për t’u përballur dhe për t’i dhënë zë dhimbjes, duhet forca dhe guximi i të vërtetës dhe të drejtës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet misionin dhe iniciativën e Vasfijes për të sjell drejtësi.

Kontribo

17 04 2019

Peja Kundër PANhajnisë

Kosovës i duhet një riorientim politiko-ekonomik. Drejtësia duhet të triumfojë mbi korrupsionin dhe krimin, ndërsa barazia mbi pasurimin e paligjshëm dhe varfërinë esktreme. Qeverisja e re do të rishpërndajë pasurinë prej nga do të rritet mirëqenia për të gjithë.

Kosovës nuk i duhen qeveri si kjo PANqeveria, e cila shikon vetëm veten prej ku ia rrit pagën vetës 100% dhe punëson vetëm familjarët e saj. Kosova nuk është as e qeverisë dhe as e farefisit të Kryeministrit. Ajo duhet të jetë e barabartë për të gjithë pavarësisht postit apo mbiemrit.

Nga qyteti i bukur i Pejës sot, së bashku me qytëtarët e kësaj komune, përçuam edhe një herë mesazhin: Kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja.

Së bashku do ta ndryshojmë vendin dhe do t’i japim shpresë Republikës sonë, Kosovës.

Kontribo

17 04 2019

Takim me Ambasadorin e Turqisë, z. Çagri Sakar

Dje, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar Glauk Konjufca pritën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çagri Sakar.

Kryetari Kurti falenderoi ambasadorin e Turqisë për rolin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në ndaljen e gjenocidit të Serbisë para 20 vjetëve, në njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës para 11 vjetëve, dhe, në ndihmën humanitare dhe mbështetjen me projekte zhvillimore. Ambasadori Sakar vlerësoi rolin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në skenën politike në Kosovë dhe shprehu interesimin për të mësuar për idetë, pikëpamjet dhe qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s.

Në takim të dy palët theksuan rëndësinë e mbarëvajtjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, dhe avansimin e tyre sidomos në aspektin ekonomik.

Takimi njoftues me ambasadorin Sakar u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe Kurti e Sakar u pajtuan për të vazhduar edhe në të ardhmen me komunikim të vijueshëm dhe takime të tjera.

 

Kontribo

16 04 2019

Kastrioti kundër PANhajnisë

Në kuadër të tubimeve e bashkëbisedimeve me qytetarë nëpër Kosovë sot ishim në qytetin e Kastriotit ku u pritëm nga qindra qytetarë.

Kastrioti që i jep gjithë dritën Kosovës është lënë nën tymin jo vetëm të elektranave pa filter, por edhe nën mjegullën e harresës së qeverisjeve të pasluftës.

Me angazhimin e përbashkët qytetar dhe lëvizje popullore do të funksionalizohet drejtësia e do të kapet korrupsioni. Me një qeverisje ndryshe shteti do të jetë ai i së drejtës dhe pa hakmarrje. Ndërkohë me shkapjen e shtetit do të ndihen të kemi jo vetëm investime të huaja që i mungojnë Kosovës, por do të fitohet edhe besimi i diasporës që asnjëherë s’u la e lirë të investojë në vendlindje.

Me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen ndryshe nuk do të ketë më përqindje në tendera dhe kërcënime për investitorët nga grupet kriminale të lidhura me politikën.

Prandaj edhe Kastrioti shprehu sot vullnetin e qytetarëve te vet, për ndryshim të menjëhershëm, për ndalje të PANhajnisë, për zgjedhje të reja.

Kontribo

15 04 2019

Malisheva kundër PANhajnisë

PAN qeveria me Kryeminstër Ramush Haradinajn thanë se viti 2019 do të jetë vit i ekonomisë, ndërkohë që ndër vendimet e para të këtij Kryeministri ishte rritja e pagës së tij prej 100%. Në anën tjetër ai ja fali 53 milionë euro Bechtel-Enkas dhe 84 milionë Aeroportit.

E komuna si Malisheva kanë mbetur në varfëri të madhe. Sa më shumë vjedhin PDK AAK dhe Nisma, aq më të varfër qytetarët e Malishevës dhe krejt komunave.

Në kohën kur brenda ditës qindra qytetarë largohen nga Kosova PANqeveria në vend së të investojë në projekte që rrisin zhvillimim dhe mirëqenien vazhdon me projektin e kahmotshëm të qeverive: asfaltin. 500 milionë euro duhet të shërbejnë për hapjen e vendeve të punës, jo për përqindjen e përfitimit në tenderët me asfalt.

Kosovës i duhet një qeverisje që buxhetin e orienton kah e mira e përgjithshme dhe shtimi i vendeve të punës që shoqëruar me luftën ndaj krimit e korrupsionit do të kthejnë shpresën dhe dëshirën për të jetuar në këtë vend.

Dhe këtë do ta arrijmë bashkë, përmes Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kontribo

13 04 2019

Prokuruesit e Aleksandër Lumezit s’kanë më alibi

Kaluan shtatë ditë dhe ende asnjë nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është distancuar nga reagimi shantazhues dhe i paprecedentë i publikuar nga zyra e shtypit e këtij institucioni.

Dokumenti i datës 6 prill 2019 me titull “Reagimi i Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit ndaj deklaratave të deputetit Selimi në RTK” dërguar redaksive të mediave, ishte iniciuar nga zyra e Prokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi drejt Këshillit Prokurorial.

Reagimi i tyre kolektiv, për sa që asnjë nga anëtaret dhe anëtarët nuk është tërhequr nga ajo përmbajtje, përbën shantazh ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ndaj një subjekti politik parlamentar. Si i tillë është i dënueshëm, edhe ligjërisht.

Shumica e tyre e zgjedhur prej 1 janarit 2016, bashkë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi në vitin 2015 dhe me Kryesuesin Hyseni, ish deputet i PDK-së që u zgjodh këtë vit, kanë dështuar jo vetëm në misionin e tyre si garantues të drejtësisë publike por edhe e kanë cenuar në plotni institucionin emrin e të cilit mbajnë.

Ky këshill prokurorial nuk mund të quhet ndryshe përveçse i kapur dhe i dirixhuar nga interesa që nuk janë ato të publikut. Si i tillë duhet shkarkuar.

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Rexhep Selimi dhe në përgjithësi përfaqësuesit e Lëvizjes, profesionistë, pjesëtarë të shoqërisë civile, mijëra qytetarë, prej kohësh apelojnë në Prokurorinë e Shtetit për veprime sipas detyrës zyrtare dhe detyrimeve ligjore që i ka sistemi prokurorial në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në të kundërt Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, të cilin e ka marrë në mbrojtje Këshilli Prokurorial, i ka mbyllur sytë dhe veshët ndaj krimit e korrupsionit të cilësdo formë e natyrë. Ai dhe ata kanë toleruar përndjekjen dhe kërcënimin publik të kolegut të tyre Elez Blakaj nga vet Kryeprokurori Lumezi, nga ish kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe nga Kryeministri. Kanë heshtur përballë krimit që po ndodh në Telekomin e Kosovës, në KEK, në secilën ndërmarrje publike qendrore dhe lokale të Kosovës. Ndonëse ka rezoluta në Kuvend që i bëjnë thirrje të veprojnë. Thirrje të përsëritura ka dhe për krimin e organizuar që ka mbështjellë çështjen e sigurimeve shëndetësore dhe korrupsionin me fondet e sistemit informativ shëndetësor. Ky sistem prokurorial nuk ngriti asnjë aktakuzë për kontrabandën me importin e energjisë elektrike, me barnat e me karburantet. Nuk arriti të adresonte asnjë rast të pastrimit të parave dhe të përfundonte një proces antimafia apo antikorrupsion me sukses. Ndërsa krimet e luftës presin dosjeve duke i konsumuar dëshmitarët deri në fund të jetës pa i thërritur askush. Ndërsa dosjet e krimeve të luftës të dorëzuara nga familjarët e të pagjeturve dhe të vrarëve, mbeten arkivave të prokurorisë të patrajtuara.

Janë fshehur duke mosvepruar përballë krimit të organizuar në strukturat e larta të Policisë së Kosovës dhe Inspektoriatit policor. Tolerojnë çdo ditë duke mos nisur hetimet për asnjë nga skandalet në Drejtorinë e Krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, ndonëse plot prokurorë individualisht rrezikohen çdo ditë nga sabotimi dhe bashkëpunimi me krimin të këtij segmenti. Vonojnë, neglizhojnë rastet e dhunimit të grave dhe i mbyllin ato në mënyrë flagrante. Shkaktuan një maskaradë të tmerrshme me rastin e burgosjes dhe mbytjes në burg të aktivistit Astrit Dehari dhe askush prej këtij sistemi nuk dha përgjegjësi.

Madje Kryeprokurorit iu arratis gjatë procesit edhe personi i akuzuar për vjedhjen e shtëpisë së tij e ende nuk dihet qartë se çfarë u bë me atë proces.

Është tragjikomike t’i ofrohet publikut shpjegimi i ndërhyrjes në “sistemin gjyqësor” në rastin e kritikave publike të një deputeti për heshtjen e Kryeprokurorit ndaj krimit. Së pari, na dëftojnë për mungesën totale të profesionalizmit duke u thirrur në ndarjen e pushteteve, a thua se janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Së dyti, na njoftojnë për gjunjëzimin total, kur dështojnë së mbrojturi pavarësinë e tyre nga ndikimi i drejtpërdrejtë i ekzekutivit.

Këshillit prokurorial i Kosovës, Prokurori i shtetit, sistemi prokurorial, janë pa dyshim institucione të e mekanizma të pavarur. Por nga qeveria ama, jo nga ligji. As nga drejtësia e interesi publik. Janë aty jo për të mbrojtur veten por shtetin, qytetarët.

Koha e tyre ka skaduar, ndaj edhe mandati i tyre duhet gjithsesi. Njëjtë dhe për Prokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi që vetëm shtetin nuk e përfaqëson.

Kontribo

11 04 2019

Prishtina kundër PANhajnisë

Sot në Prishtinë në sytë e shumë qytetarëve pamë vullnetin dhe bindjen e qytetarëve se vendi duhet ndryshuar, se PANhajnia duhet ndaluar.

Migrimi i qytetarëve është indikator jo vetëm i një qeverisje që nuk sjell zhvillim e që varfëron vendin, por edhe i një qeverisje që mbyt shpresën duke vjedhur, shkatërruar e privatizuar ndërmarrjet e pasurinë publike. Të përballur mes papunësisë dhe punës së pasigurt në sektorin privat, në njërën anë dhe në anën tjetë pamundësisë për t’u punësuar në sektorin publik sepse është i rezervuar për familjarët e pushtetit, rruga e vetme duket se mbetet migrimi. Por ka dhe një rrugë tjetër.

Ajo është rruga e qëndresës. Pse të largohen qytetarët e ndershëm? Le të largohen hajnat nga qeveria!

PANqeveria dëshiron që përmes largimit të të rinjve të largojë edhe pakënaqësinë, por rinia dhe e reja janë alternativa e vetme që shihet në horizontin pranë nesh.

Nuk do ta lejojmë, ne bashkë me qytetarët!

Kontribo

10 04 2019

Miliardat të mos shkojnë për asfalt rrugësh paralele që shkatërron tokat bujqësore, por për investime zhvillimore

Deputeti Liburn Aliu në ambientet e Kuvendit të Kosovës mbajti konferencë për media në lidhje me ndërtimin të edhe një autostrade tjetër.

Në lidhje më këtë temë sot drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca, deputetët, Liburn Aliu dhe Arbër Rexhaj dhe zyrtarë të Lëvizjes nga qendrat e Prizrenit dhe Rahovecit zhvilluan një takim në Rahovec me Këshillin nismëtar për kundërshtimin e këtij projekti.

Qytetarët e Rahovecit prej javësh po e kundërshtojnë mënyrën se si është vendosur traseja e autostradës pa i pyetur dhe duke i anashkaluar nevojat e tyre. Peticioni i nisur prej tyre i ka kaluar 5000 nënshkrime për të mbrojtur tokat bujqësore nën ujitje dhe komasacion nga një mur i pakalueshëm i cili u bllokon qasjen jetike në Drinin e Bardhë. Pas takimeve dhe sqarimeve me ta Lëvizja e bashkëndan shqetësimin, seriozitetin dhe brengën e tyre.

Javën e kaluar Komiteti drejtues ndërministror për zhvillimin e projektit i drejtuar nga Ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti pa analizë paraprake të fizibilitetit, pa arsyeshmëri ekonomike dhe në kundërshtim me të gjitha planet hapësinore në Kosovë. Cënimi i pakthyeshëm i tokave bujqësore nën komasacion dhe me sistem ujitje përveçse është dëm ekonomik është edhe veprimtari e ndaluar me ligj.
Vendimi ad-hoc si dhe caktimi ad-hoc i koridoreve të autostradës është pikërisht modeli i kësaj qeverie, e cila improvizon projekte të pastudjuara në shërbim të interesave private të mirëpërllogaritur.

Deputeti Aliu e denoncoi logjikën e projektit duke thënë, “Përse të shpenzohen 1 miliardë euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”.

Në mungesë të ideve zhvillimore dhe zonave industriale, infrastukturën e cila i mbyt potencialet e zonës qeveria e shet si investim zhvillimor.

“Në Rahovec ka nevojë të bëhet rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë dhe mbrojtja e tij nga keqshfrytëzimi, subvencionimet e projektet që avancojnë teknologjinë përpunuese të prodhimeve bujqësore. A nuk do të ishte më mirë që ato një miliardë euro të shkonin në investime për zhvillim ekonomik të të njejtave zona?”, shtoi Liburn Aliu.

Kjo qasje jo zhvillimore dhe korruptive qeverisëse e cila në vend se t’i nxjerrë në pah potencialet e Kosovës ia ngulfat ato është një prej arsyeve kryesore pse zona të mëdha pjellore në Kosovë po braktisen nga banorët e tyre. Kosova ka nevojë për një shtet të drejtë, politika largpamëse, politikanë mirëkuptues dhe ekonomi zhvillimore.

Kontribo

10 04 2019

Gjakova kundër PANhajnisë

Edhe në Gjakovë folëm me bashkëqytetarët për nevojën e domosdoshme për ndryshim dhe për zgjedhje të reja. Kosova ka nevojë për zhvillim e forcim, e jo për dështimin dhe degradimin e shtetit nga qeveria PAN.

Kjo qeveri që ia besoi negociatat presidentit Thaçi me arsyetimin se do të merrej me punët e shtëpisë në fakt po merret veç me punët e familjes. Një qeveri që e shpalli vitin 2019 si vit të ekonomisë, ka punësuar vetëm militantë e familjarë të ministrave, dhe po largon nga vendi mijëra qytetarë çdo vit. Në kohën kur qytetarët shohin dhe përjetojnë varfërinë e papunësinë e edhe migrimin e mungesën e perspektivës, kjo qeveri mbyll sytë dhe nuk i pranon problemet. Madje thonë se po të mundeshin do anëtarësonin çdo militantë e familjar të tyre.

Për të kundërshtuar dhe mobilizuar kundër korrupsionit e hajnisë, sot, mbajtëm tubim me qytetarët e Gjakovës prania e të cilëve na dha vullnet dhe besim se populli i Kosovës do t’i ndëshkojnë PANkapësit e shtetit. Ndërkohë, kundër PANhajnisë e për zgjedhje të reja do të shihemi nesër në Prishtinë me ç’rast do të mblidhemi te Salla e Kuqe prej orës 18:00.

Kontribo

09 04 2019

11 vite nga miratimi i Kushtetutës, 11 vite shkelje e të Drejtave Kushtetuese

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media me rastin e 11 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe cënimeve që i janë bërë prej asaj dite. Në konferencë folën nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi dhe deputetja Albulena Haxhiu.

Kushtetuta e Kosovës u miratua pas çlirimit të vendit dhe Shpalljes së Pavarësisë dhe është e dyta pas asaj të Kaçanikut. Edhe pse me probleme të shumta në lidhje me kufizimin e vullnetit të popullit përmes ndalimit të referendumit, Kushtetuta gjithsesi i garanton një sërë të drejtash  të lidhura drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve.

Institucionet e vendit tonë, sidomos pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor, nuk kanë qëndruar në lartësinë e garantimit të këtyre të drejtave, por i kanë sabotuar vazhdimisht përmes kapjes së shtetit dhe orientimit të tij të gabuar politik.

Deputetja Haxhiu u shpreh duke thënë, “askush nuk e ka besuar që 11 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetarë e qytetare e Republikës së Kosovës. Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk po e siguron as barazinë, as drejtësinë shoqërore, as ndaljen e diskriminimit, as punën, as pronën publike, as shëndetin, as arsimin, as jetën”.

E drejta e punës është e garantuar, mirëpo Kosova përballet me papunësi të madhe, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Qytetarët kanë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të arsyeshëm, mirëpo ankesat për gjykime të padrejta dhe për dënime pa bazë po shtohen çdo vit.

Pushtetarët i kemi të pabarabartë para ligjit në raport me qytetarët dhe nuk i kemi të nënshtruar ndaj kontrollit të parlamentit. Nga kapja që i kanë bërë shtetit dhe ekonomisë është rritur pabarazia në vend.

Rritjen e pabarazisë nënkryetari Bislimi e denoncoi duke thënë se, “Sot në sistemin bankar të Kosovës, më pak se 900 qytetarë të Kosovës, apo më pak se 0.05 përqind e popullatës sonë mbajnë mbi 15% të depozitave, duke mbajtur mesatarisht nga 350.000 euro kursime. Pra 5% e shtresës së pasur kanë mbi 85% të kursimeve në vend. Dhe natyrisht se kjo pakicë nuk mund t’i kuptojë ata të rinj e  të reja që përditë kërkojnë mundësi për të ikur nga vendi në kërkim të çfarëdo mundësie për të gjetur një vend pune”.

Me Kushtetutën tonë shteti duhet ta garantojë në çdo kohë dhe kudo mbështetjen dhe mbrojtje për më të dobëtit dhe më të pambrojturit, por ky pushtet nuk po ia lejon zbatimin e Kushtetutës shtetit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës më së shumti po shkelet nga ata që ajo i definon si mbrojtësit kryesor të saj.

Kontribo

07 04 2019

Ngushëllime për vdekjen e veprimtares, luftëtares dhe zërit të UÇK-së nga Zona Operative e Dukagjinit, Fetnete Ramosajt

Me pikëllim të thellë morëm lajmin e vdekjes së veprimtares, luftëtares dhe zërit të UÇK-së nga Zona Operative e Dukagjinit, Fetnete Ramosajt. Fetnete Ramosaj u nda nga jeta në 5 prill 2019, e sot asaj iu dha lamtumira e fundit.

Fetnete Ramosaj edhe pas luftës vazhdoi aktivizmin e saj patriotik, duke mbledhur fakte të krimeve të bëra nga Serbia dhe duke i botuar bashkë me shkrime e analiza në gazeta të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Fetneten ne listë Lëvizja VETËVENDOSJE! mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet nacionale në vitin 2010. Fjalimet e saja, kritikat e saja ishin porosi për të gjithë pushtetarët kompromisaxhinj që të mos takoheshin me trashëgimtarët politikë të Milosheviqit e Sheshelit pa kërkuar dëmshpërblimin, zbardhjen e krimeve, kthimin e eshtrave të të vrarëve shqiptarë. Kërkesat e saja nëpërmes shkrimeve e botimeve qëndrojnë edhe sot kur ajo nuk është më në mesin tonë. Lavdi jetës dhe veprës së veteranes së UÇK-së Fetnete Ramosajt, ngushëllime familjes dhe bashkëveprimtarëve.

Libri i Fetnete Ramosajt “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, i cili u botua në vitin 2019, përmban dokumente e dëshmi të dorës së parë, përfshirë edhe disa intervista të përgjegjësve të luftës për Zonën Operative të Dukagjinit. Libri është i ilustruar më fotografi dhe dokumente autentike. Ky libër mbetet si kontributi i fundit i një njeriu me plot dinjitet, i një gruaje të fortë, i luftëtares për atdhe, dhe i idealistes, Fetnete Ramosaj.

Kontribo

07 04 2019

Të zbatohet ligji për sigurimet shëndetësore. Të ndalohet monopoli i kompanive private

Në ditën botërore të shëndetit, nënkryetarja e Lëvizjes, znj. Fatmire Kollçaku Mulhaxha tha se moszbatimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor Publik ka bërë që shumë qytetarë të këtij vendi, të prekur nga sëmundjet, e në veçanti ato malinje, ose të kërkojnë shërim me kosto të lartë jashtë vendit, ose në pamundësi të mjeteve financiare të bredhin pa shpresë. Kompanitë që ofrojnë sigurim shëndetësor privat sipas saj vetëm sa po zhvatin xhepat e qytetarëve duke kërkuar klientë që janë gati 100% të shëndoshë, nën moshën 65 vjeçare dhe pa dosje shëndetësore.

“BQK-ja e cila mbikëqyr këto kompani ende nuk ka përmbushur kërkesën e cila del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për raportim, lidhur me veprimtarinë e kompanive të sigurimeve. Ky njëherit është edhe obligim ligjor.” tha nënkryetarja Kollçaku Mulhaxha e cila theksoi se kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore, e që pas diagnostifikimit të klientit të tyre me ndonjë sëmundje, provojnë ta ndërprejnë kontratën me të, duhet të japin përgjegjësi para institucioneve të Republikës, deri në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre, poqëse është nevoja.

Kollçaku Mulhaxha tha se ka dyshime të bazuara që Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik qëllimisht po prolongohet, me qëllim që të mirëmbahet monopoli i kompanive private në treg. Para ligjit duhet të jemi të barabartë, dhe të kemi qasje në të mirat shëndetësore tha nënkryetarja e Lëvizjes duke porositur edhe njëherë që: Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik duhet të zbatohet, dy rezolutat e kaluara në Kuvendin e Republikës të merren parasysh, dhe BQK t’i mbikëqyrë kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore.

Kontribo

06 04 2019

Mitrovica kërkon bashkim, Trepça kërkon zhvillim

Mitrovica më shumë se asnjë vend tjetër e ka vuajtur ndarjen e diskriminimin politik dhe shkatërrimin e diskriminimin ekonomik. Qyteti sot është ndarë, si pasojë e dialogut që synim e ka pasur copëtimin e Kosovës. Ndërsa në Trepçë, në thesarin e Kosovës, prej se jemi çliruar, nuk është investuar. Mitrovica është indikatori më i saktë për ta kuptuar si është qeverisur me Kosovën për gjithë këto vite: copëtim e ndarje territoriale si dhe shkatërrim ekonomik e vjedhje.
Angazhimi qytetar, e veçanërisht protesta e madhe e 29 shtatorit e ndaloi projektin tejet të dëmshëm të ndarjes së vendit, e tash së bashku ka ardhur koha ta ndalim edhe vjedhjen prej PAN-hajnisë. Në Mitrovicën plot entuziazëm e vullnet qindra qytetarë na u bashkangjitën në takimin e radhës, në iniciativën tonë të përbashkët, për ta larguar korrupsionin nga pushteti e për të sjellur zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët.

Mitrovica ka nevojë për ndryshim e bashkim, dhe ato do të vijnë me zgjedhjet e reja e me qeverisjen e Lëvizjes.

Kontribo

06 04 2019

Besiana e Llapi kanë nevojë për ndryshim

Pjesëmarrja masive në tubimin kundër PAN-hajnisë, tregon vendosmërinë e qytetarëve të Llapit dhe të gjithë Kosovës për një shtet që realizon idealet e dëshmorëve dhe përkujdeset për të tashmen e të ardhmen.

Secila qeveri e pasluftës ka rritur papunësinë dhe ka nxitur ikjen e rinisë nga vendi. Nga viti 2013 deri në vitin 2017 nga vendi ynë janë larguar mbi 173 mijë persona apo rreth 9% e popullsisë. Ndërkohë 48% e qytetarëve të anketuar janë pesimistë se mund të bëhet mirë në Kosovë. Kjo tregon se republikës sonë i duhet ndryshim, i duhet një qeverisje e re që i jep fund arsyeve që e shtyjnë rininë të largohet dhe rikthen shpresën së në atdheun tonë mund të punohet për një jetë më të mirë.

Sot në Besianë qytetarët me mbështetjen e tyre e shprehën qëndrimin kundër qeverisjes të bashkuar në PANhajni të cilët po gërryejnë shtetin, po vjedhin xhepat e qytetarëve e po punësojnë familjarë në institucione e ndërmarrje publike. Së bashku me qytetarët e Llapit e gjithë Kosovës do të vazhdojmë të angazhohemi pa u ndalur së bashku, deri në zgjedhje të reja e deri në një qeveri të ndryshimit, me mendësi shtetndërtuese dhe vlera të reja të qeverisjes.

Kontribo

06 04 2019

Në mbështetje të kandidaturës së Blerim Rekës për President në Maqedoninë e Veriut

Marrë parasysh situatën e përgjithshme ekonomiko-politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe gjendjen jo të mirë të popullit shqiptar atje, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron që Blerim Reka është kandidati i duhur për President.

Të gjithë ata që e kanë përcjellë nga afër veprimtarinë e kandidatit për President Blerim Reka tashmë e kanë krijuar mendimin për të si një person me integritet dhe përgjegjësi të lartë. Sakaq, përgatitja e tij profesionale është e konfirmuar në çdo vend që ka punuar. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku ka kryer edhe studimet e nivelit Master. Më tej, ka përfunduar doktoraturën në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Grazit në Austri, dhe ka bërë specializimin në Universitetin e Harvardit, duke qenë edhe vijues i programit Fulbright në SHBA, në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Ai ka ligjëruar në universitetet të ndryshme, si ai i Bolonjës, i Kalabrisë, i Gentit, i Louvenit, i Grazit, i Floridës Jugore (USFSP), i Kalifornisë Jugore, i Prishtinës, i Tetovës, etj.

Nëpër proceset ku ka kaluar kombi shqiptar gjatë historisë sonë të re, Blerim Reka vazhdimisht është pozicionuar qartë, mbi parime universale të drejtësisë, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të popullit tonë dhe përpjekjes për liri. Në anën tjetër, edhe përvoja e tij politike nuk ka munguar. Ai ka qenë i angazhuar edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Kosovë. Kontributi i tij ka qenë publik dhe i njohur.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si dhe forcat politike shqiptare, mund të përparonin në realizimin e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut duke mbështetur kandidaturën për President të Blerim Rekës. Vota e shqiptarëve, dhe jo vetëm, për Blerim Rekën për President, do t’i mund t’i hapte rrugë disa prej ndryshimeve të nevojshme e të shumëpritura prej qytetarëve.

Kontribo

05 04 2019

Nga Vushtrria, për ndryshim

Brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës, nëpër çdo anketë, janë papunësia e korrupsioni. Të dyja këto shqetësime shkaktohen nga qeverisja e korruptuar dhe e keqe, nga PANqeveria. Nga skandalet e përditshme te rehatimet e familjarve e deri te milionat si dëmshpërblime nëpër kompanitë e huaja e pushimet super luksoze, kjo PANqeveri me të drejtë mund të quhet PANhajni.

Republikës së Kosovës i duhet një mendësi e re qeverisëse që kthen shpresën për të jetuar në vend. Që taksat e qytetarëve nëpërmjet buxhetit i kthen në zhvillim dhe mirëqenie. Kosova jo vetëm që nuk ka më kohë për të humbur, por tashmë ka humbur shumë kohë.

Angazhimi e mobilizimi qytetar gjithandej nëpër Kosovë është hapi i parë për të larguar këtë mendësi të gabuar nga pushteti. Nga qyteti në qytet, nga tubimi në tubim, së bashku me qytetarët e Republikës do të tregojmë se vullneti i popullit të Kosovës është për të ndryshuar. Një gjë të tillë sot e filluam në qytetin e Vushtrrisë, në sheshin “Adem Jashari”, ku përplot qytetarë me shumë entuziazëm e vendosmëri na pritën drejt rrugëtimit të ri për ta larguar këtë qeverisje të stërkequr.

Kontribo