09 04 2019

11 vite nga miratimi i Kushtetutës, 11 vite shkelje e të Drejtave Kushtetuese

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media me rastin e 11 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe cënimeve që i janë bërë prej asaj dite. Në konferencë folën nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi dhe deputetja Albulena Haxhiu.

Kushtetuta e Kosovës u miratua pas çlirimit të vendit dhe Shpalljes së Pavarësisë dhe është e dyta pas asaj të Kaçanikut. Edhe pse me probleme të shumta në lidhje me kufizimin e vullnetit të popullit përmes ndalimit të referendumit, Kushtetuta gjithsesi i garanton një sërë të drejtash  të lidhura drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve.

Institucionet e vendit tonë, sidomos pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor, nuk kanë qëndruar në lartësinë e garantimit të këtyre të drejtave, por i kanë sabotuar vazhdimisht përmes kapjes së shtetit dhe orientimit të tij të gabuar politik.

Deputetja Haxhiu u shpreh duke thënë, “askush nuk e ka besuar që 11 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetarë e qytetare e Republikës së Kosovës. Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk po e siguron as barazinë, as drejtësinë shoqërore, as ndaljen e diskriminimit, as punën, as pronën publike, as shëndetin, as arsimin, as jetën”.

E drejta e punës është e garantuar, mirëpo Kosova përballet me papunësi të madhe, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Qytetarët kanë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të arsyeshëm, mirëpo ankesat për gjykime të padrejta dhe për dënime pa bazë po shtohen çdo vit.

Pushtetarët i kemi të pabarabartë para ligjit në raport me qytetarët dhe nuk i kemi të nënshtruar ndaj kontrollit të parlamentit. Nga kapja që i kanë bërë shtetit dhe ekonomisë është rritur pabarazia në vend.

Rritjen e pabarazisë nënkryetari Bislimi e denoncoi duke thënë se, “Sot në sistemin bankar të Kosovës, më pak se 900 qytetarë të Kosovës, apo më pak se 0.05 përqind e popullatës sonë mbajnë mbi 15% të depozitave, duke mbajtur mesatarisht nga 350.000 euro kursime. Pra 5% e shtresës së pasur kanë mbi 85% të kursimeve në vend. Dhe natyrisht se kjo pakicë nuk mund t’i kuptojë ata të rinj e  të reja që përditë kërkojnë mundësi për të ikur nga vendi në kërkim të çfarëdo mundësie për të gjetur një vend pune”.

Me Kushtetutën tonë shteti duhet ta garantojë në çdo kohë dhe kudo mbështetjen dhe mbrojtje për më të dobëtit dhe më të pambrojturit, por ky pushtet nuk po ia lejon zbatimin e Kushtetutës shtetit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës më së shumti po shkelet nga ata që ajo i definon si mbrojtësit kryesor të saj.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 04 2019

Ngushëllime për vdekjen e veprimtares, luftëtares dhe zërit të UÇK-së nga Zona Operative e Dukagjinit, Fetnete Ramosajt

Me pikëllim të thellë morëm lajmin e vdekjes së veprimtares, luftëtares dhe zërit të UÇK-së nga Zona Operative e Dukagjinit, Fetnete Ramosajt. Fetnete Ramosaj u nda nga jeta në 5 prill 2019, e sot asaj iu dha lamtumira e fundit.

Fetnete Ramosaj edhe pas luftës vazhdoi aktivizmin e saj patriotik, duke mbledhur fakte të krimeve të bëra nga Serbia dhe duke i botuar bashkë me shkrime e analiza në gazeta të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Fetneten ne listë Lëvizja VETËVENDOSJE! mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet nacionale në vitin 2010. Fjalimet e saja, kritikat e saja ishin porosi për të gjithë pushtetarët kompromisaxhinj që të mos takoheshin me trashëgimtarët politikë të Milosheviqit e Sheshelit pa kërkuar dëmshpërblimin, zbardhjen e krimeve, kthimin e eshtrave të të vrarëve shqiptarë. Kërkesat e saja nëpërmes shkrimeve e botimeve qëndrojnë edhe sot kur ajo nuk është më në mesin tonë. Lavdi jetës dhe veprës së veteranes së UÇK-së Fetnete Ramosajt, ngushëllime familjes dhe bashkëveprimtarëve.

Libri i Fetnete Ramosajt “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, i cili u botua në vitin 2019, përmban dokumente e dëshmi të dorës së parë, përfshirë edhe disa intervista të përgjegjësve të luftës për Zonën Operative të Dukagjinit. Libri është i ilustruar më fotografi dhe dokumente autentike. Ky libër mbetet si kontributi i fundit i një njeriu me plot dinjitet, i një gruaje të fortë, i luftëtares për atdhe, dhe i idealistes, Fetnete Ramosaj.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 04 2019

Të zbatohet ligji për sigurimet shëndetësore. Të ndalohet monopoli i kompanive private

Në ditën botërore të shëndetit, nënkryetarja e Lëvizjes, znj. Fatmire Kollçaku Mulhaxha tha se moszbatimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor Publik ka bërë që shumë qytetarë të këtij vendi, të prekur nga sëmundjet, e në veçanti ato malinje, ose të kërkojnë shërim me kosto të lartë jashtë vendit, ose në pamundësi të mjeteve financiare të bredhin pa shpresë. Kompanitë që ofrojnë sigurim shëndetësor privat sipas saj vetëm sa po zhvatin xhepat e qytetarëve duke kërkuar klientë që janë gati 100% të shëndoshë, nën moshën 65 vjeçare dhe pa dosje shëndetësore.

“BQK-ja e cila mbikëqyr këto kompani ende nuk ka përmbushur kërkesën e cila del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për raportim, lidhur me veprimtarinë e kompanive të sigurimeve. Ky njëherit është edhe obligim ligjor.” tha nënkryetarja Kollçaku Mulhaxha e cila theksoi se kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore, e që pas diagnostifikimit të klientit të tyre me ndonjë sëmundje, provojnë ta ndërprejnë kontratën me të, duhet të japin përgjegjësi para institucioneve të Republikës, deri në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre, poqëse është nevoja.

Kollçaku Mulhaxha tha se ka dyshime të bazuara që Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik qëllimisht po prolongohet, me qëllim që të mirëmbahet monopoli i kompanive private në treg. Para ligjit duhet të jemi të barabartë, dhe të kemi qasje në të mirat shëndetësore tha nënkryetarja e Lëvizjes duke porositur edhe njëherë që: Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik duhet të zbatohet, dy rezolutat e kaluara në Kuvendin e Republikës të merren parasysh, dhe BQK t’i mbikëqyrë kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 04 2019

Mitrovica kërkon bashkim, Trepça kërkon zhvillim

Mitrovica më shumë se asnjë vend tjetër e ka vuajtur ndarjen e diskriminimin politik dhe shkatërrimin e diskriminimin ekonomik. Qyteti sot është ndarë, si pasojë e dialogut që synim e ka pasur copëtimin e Kosovës. Ndërsa në Trepçë, në thesarin e Kosovës, prej se jemi çliruar, nuk është investuar. Mitrovica është indikatori më i saktë për ta kuptuar si është qeverisur me Kosovën për gjithë këto vite: copëtim e ndarje territoriale si dhe shkatërrim ekonomik e vjedhje.
Angazhimi qytetar, e veçanërisht protesta e madhe e 29 shtatorit e ndaloi projektin tejet të dëmshëm të ndarjes së vendit, e tash së bashku ka ardhur koha ta ndalim edhe vjedhjen prej PAN-hajnisë. Në Mitrovicën plot entuziazëm e vullnet qindra qytetarë na u bashkangjitën në takimin e radhës, në iniciativën tonë të përbashkët, për ta larguar korrupsionin nga pushteti e për të sjellur zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët.

Mitrovica ka nevojë për ndryshim e bashkim, dhe ato do të vijnë me zgjedhjet e reja e me qeverisjen e Lëvizjes.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 04 2019

Besiana e Llapi kanë nevojë për ndryshim

Pjesëmarrja masive në tubimin kundër PAN-hajnisë, tregon vendosmërinë e qytetarëve të Llapit dhe të gjithë Kosovës për një shtet që realizon idealet e dëshmorëve dhe përkujdeset për të tashmen e të ardhmen.

Secila qeveri e pasluftës ka rritur papunësinë dhe ka nxitur ikjen e rinisë nga vendi. Nga viti 2013 deri në vitin 2017 nga vendi ynë janë larguar mbi 173 mijë persona apo rreth 9% e popullsisë. Ndërkohë 48% e qytetarëve të anketuar janë pesimistë se mund të bëhet mirë në Kosovë. Kjo tregon se republikës sonë i duhet ndryshim, i duhet një qeverisje e re që i jep fund arsyeve që e shtyjnë rininë të largohet dhe rikthen shpresën së në atdheun tonë mund të punohet për një jetë më të mirë.

Sot në Besianë qytetarët me mbështetjen e tyre e shprehën qëndrimin kundër qeverisjes të bashkuar në PANhajni të cilët po gërryejnë shtetin, po vjedhin xhepat e qytetarëve e po punësojnë familjarë në institucione e ndërmarrje publike. Së bashku me qytetarët e Llapit e gjithë Kosovës do të vazhdojmë të angazhohemi pa u ndalur së bashku, deri në zgjedhje të reja e deri në një qeveri të ndryshimit, me mendësi shtetndërtuese dhe vlera të reja të qeverisjes.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 04 2019

Në mbështetje të kandidaturës së Blerim Rekës për President në Maqedoninë e Veriut

Marrë parasysh situatën e përgjithshme ekonomiko-politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe gjendjen jo të mirë të popullit shqiptar atje, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron që Blerim Reka është kandidati i duhur për President.

Të gjithë ata që e kanë përcjellë nga afër veprimtarinë e kandidatit për President Blerim Reka tashmë e kanë krijuar mendimin për të si një person me integritet dhe përgjegjësi të lartë. Sakaq, përgatitja e tij profesionale është e konfirmuar në çdo vend që ka punuar. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku ka kryer edhe studimet e nivelit Master. Më tej, ka përfunduar doktoraturën në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Grazit në Austri, dhe ka bërë specializimin në Universitetin e Harvardit, duke qenë edhe vijues i programit Fulbright në SHBA, në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Ai ka ligjëruar në universitetet të ndryshme, si ai i Bolonjës, i Kalabrisë, i Gentit, i Louvenit, i Grazit, i Floridës Jugore (USFSP), i Kalifornisë Jugore, i Prishtinës, i Tetovës, etj.

Nëpër proceset ku ka kaluar kombi shqiptar gjatë historisë sonë të re, Blerim Reka vazhdimisht është pozicionuar qartë, mbi parime universale të drejtësisë, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të popullit tonë dhe përpjekjes për liri. Në anën tjetër, edhe përvoja e tij politike nuk ka munguar. Ai ka qenë i angazhuar edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Kosovë. Kontributi i tij ka qenë publik dhe i njohur.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si dhe forcat politike shqiptare, mund të përparonin në realizimin e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut duke mbështetur kandidaturën për President të Blerim Rekës. Vota e shqiptarëve, dhe jo vetëm, për Blerim Rekën për President, do t’i mund t’i hapte rrugë disa prej ndryshimeve të nevojshme e të shumëpritura prej qytetarëve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 04 2019

Nga Vushtrria, për ndryshim

Brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës, nëpër çdo anketë, janë papunësia e korrupsioni. Të dyja këto shqetësime shkaktohen nga qeverisja e korruptuar dhe e keqe, nga PANqeveria. Nga skandalet e përditshme te rehatimet e familjarve e deri te milionat si dëmshpërblime nëpër kompanitë e huaja e pushimet super luksoze, kjo PANqeveri me të drejtë mund të quhet PANhajni.

Republikës së Kosovës i duhet një mendësi e re qeverisëse që kthen shpresën për të jetuar në vend. Që taksat e qytetarëve nëpërmjet buxhetit i kthen në zhvillim dhe mirëqenie. Kosova jo vetëm që nuk ka më kohë për të humbur, por tashmë ka humbur shumë kohë.

Angazhimi e mobilizimi qytetar gjithandej nëpër Kosovë është hapi i parë për të larguar këtë mendësi të gabuar nga pushteti. Nga qyteti në qytet, nga tubimi në tubim, së bashku me qytetarët e Republikës do të tregojmë se vullneti i popullit të Kosovës është për të ndryshuar. Një gjë të tillë sot e filluam në qytetin e Vushtrrisë, në sheshin “Adem Jashari”, ku përplot qytetarë me shumë entuziazëm e vendosmëri na pritën drejt rrugëtimit të ri për ta larguar këtë qeverisje të stërkequr.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 04 2019

Dialogu nuk mund të zhvillohet nga institucione pa legjitimitet

Nga tryeza “Kushtetueshmëria dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë”

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës organizuan tryezën me temë: “Kushtetueshmëria dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë”. Tryeza u hap nga kryetarët e grupeve parlamentare, Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti. Të ftuar ishin profesorë, pjesëtarë nga organizata të shoqërisë civile dhe media.

Në panel morën pjesë me diskutimet e tyre Taulant Kryeziu nga Instuti “Epik”, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Dastid Pallaska nga “Pallaska&Associates”.

Pas dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese nga dy subjektet opozitare, tashmë debatin për kushtetuetshmërinë e procesit të dialogut po e shtrijmë edhe më gjerë me profesionistët e fushës. I ashtuquajturi proces përfundimtar i dialogut ka ndezur një debat me papajtueshmëri të gjerë shoqërore.

Shumë qëndrime të përfaqësuesve politikë në pushtet kanë qenë kundërthënëse dhe konfuze. Paqartësia e krijuar prej mungesës së transparencës, ka bërë që qytetarët ta humbin besimin te kjo mënyrë e të përgatiturit për dialog. Si pasojë ka shqetësim gjithnjë e më të madh për rezultatet, nëse procesi vazhdon në të tilla binarë. Integriteti i Kosovës nuk mund të shtrohet për diskutim dhe negocim, ndërsa dialogu nuk mund të zhvillohet nga institucione pa legjitimitet.

Dialogu vitin e kaluar i ishte dorëzuar Presidentit nga Kryeministri me deklaratën se do të merrej vetëm me punët e shtëpisë. Ndërsa mungesës së legjitimitetit të qeverisë me 52 deputetë, përgjatë rrugës i ka ardhur në ndihmë një grup deputetësh të cilët ia tradhëtuan besimin qytetarëve që i votuan për qëndrime të kundërta. Dialogu për këtë fazë përfundimtare nuk mundet të vazhdojnë në këtë mënyrë, pa legjitimitet dhe me një president tejet problematik. Kjo fazë përfundimtare duhet kthyer në pikën zero për t’u rimenduar me një legjitimitet të ri dhe në binarë kushtetues.

Në përfundim u listuan edhe konkluzat e tryezës:

· Karakteri unitar dhe kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm;

· Nevoja për rilegjitimim të institucioneve;

· Nevoja për konsesnsus të plotë në raport me dialogun pasi i mungon legjitimiteti;

· Projektligji për dialogun bie ndesh me Kushtetutën dhe cënon kompetencat e Kuvendit e të qeverisë;

· Emërimi i përfaqësuesit të shoqërisë civile është pa kritere sipas projektligjit;

· Ky projektligj nuk mund të sjellë konsensus;

· Delegacioni është jokushtetues dhe sillet si institucion paralel kushtetues;

· Presidenti Thaçi nuk ka kredibilitet të udhëheqë dialogun, nuk ka mandat kushtetues dhe as mandat të deleguar nga Kuvendi;

· Gjykata Kushtetuese ka krijuar precedentë të rrezikshëm me heqjen dorë të trajtimit të marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë;

· Nevoja për ekip uniteti dhe strategji konfidenciale në raport me negociatat;

· Nevoja për përfshirjen e Kuvendit që në fazat fillestare dhe bashkrëndimi i institucioneve;

· Transparenca që duhet ta përcjellë procesin;

· Mungesa e konsensusit e ka dëmtuar pozicionin politik të Kosovës;

· Taksa nuk duhet të ndërlidhet me procesin e dialogut;

· Dialogu ka nisur pa parime;

· Bashkëkryesuesit dhe qeveria nuk ka legjitimitet për shkak të mungesës së shumicës.

Dy subjektet opozitare do ta vazhdojnë përpjekjen për ta futur Kosovën brenda binarëve Kushtetues, për t’ia garantuar integritetin territorial dhe për t’i dhënë legjitimitet politik institucioneve të saj.

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

04 04 2019

Kundër PANhajnisë, Zgjedhje Të Reja

Kryeministrin dhe Presidentin e Kosovës i ndan taksa ndaj Serbisë por i bashkon korrupsioni në Kosovë. Dhe, ajo që i bashkon është më e fuqishme sesa ajo që i ndan, meqë po rrinë bashkë në pushtet. Prandaj, këta duhet të shkojnë bashkë. Ne kërkojmë dorëheqjen si të presidentit, ashtu edhe të kryeministrit.

100 ditë në vitin 2004 Haradinajt mund t’i jenë dukur pak për ta treguar veten, mirëpo këto gati 600 ditë në vitet 2017, 2018 dhe tash 2019, janë tepër shumë për të pasur çfarëdo dilema rreth tij. Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha, po shtohet hajnia e po zvogëlohet durimi.

Prej ditës së nesërme fillojmë me tubime me qytetarë, kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja. Në ora 14:00, në Sheshin “Adem Jashari”, nesër, pra të premten, jemi në Vushtrri. Pasnesër, të shtunën, në ora 13:00, në Besianë (Podujevë), kurse në ora 15:00, në Mitrovicë. Vazhdojmë pastaj për çdo ditë anembanë nëpër qytetet e qytezat e Kosovës. Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend që e largon këtë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme demokratike për ndryshimet e dosmosdoshme politike, ekonomike e shoqërore.

Taksa duhet të mbetet, por kjo qeveri duhet të shkojë. Taksën e vendosën 10% e mandej 100%, pa plan, pa strategji, pa përllogaritje e pa mbikëqyrje të zbatimit, në vend se të marrin vendim për reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nga i cili hoqën dorë. Sidoqoftë, tash që Vuçiqi na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë, ama nuk pranojmë që në emër të kësaj takse të legjitimohet zhvatja e keqqeverisja. Ashtu sikurse që pjesëmarrja në luftën çlirimtare nuk është leje për uzurpime të pasluftës, edhe taksa ndaj mallrave të Serbisë nuk mund të jetë biletë për vjedhjen e pasurive dhe buxhetit në Kosovë.

Nuk ka mbledhje të kabinetit që prej formimit të PAN Qeverisë ku nuk është marrë një vendim kundër interesit publik apo që përbën skandal.

Ky kryeministër,

Emëroi 23 ministra, mbi 80 zëvendësministra, 5 zëvendëskryeministra, e 35 këshilltarë, pa asnjë bazë të arsyeshme dhe në shpërfillje të nevojave e me shpërdorim të buxhetit. Zyrtarë politikë me aktakuza për keqpërdorim e korrupsion i ricikluan si ministra dhe zëvendësministra. Kërcënoi ish prokurorin e vetëm që shprehu integritet profesional dhe guxim publik, Elez Blakajn.

Bëri pazar me kriminelin, Milan Radojçiq, për formimin e qeverisë dhe pagoi 1 milion euro nga buxheti për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike.

I mashtroi qytetarët në Kosovë se do të korrigjonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ndërsa ka falur 8.200 hektarë nëpërmjet ratifikimit në Kuvend. Premtoi se për 90 ditë qeverisje do të merret liberalizimi i vizave. Nuk e mbajti fjalën, sepse qysh në fillim ka gënjyer për këtë.

Nënshkroi kontratën më të dëmshme në historinë e sektorit energjetik, atë me “ContourGlobal” që do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike prej 45–80% dhe do ta zbraz buxhetin e shtetit, sepse “ContourGlobal”-it do t’i paguhen të gjitha kostot, këstet e kredisë, kamata e tyre, fitimi dhe tatimi, e ku normën e kthimit të brendshëm në kapital, e kanë paraparë tejet e lartë, 18.5%, thua se bëhet fjalë për ndonjërin prej këtyre institucioneve mikrofinanciare.

Ia dha 53 milionë euro kundërligjshëm Bechtel-Enkas.

E rriti 100% pagën për veten dhe stafin e tij, paligjshëm, e legjitimoi me Ligjin mbi Pagat, dhe i la nën mesataren pagat e mijëra shërbyesve civilë.

Liroi nga akciza e produkteve të duhanit, për interes të kompanisë së vetme në Kosovë, atë të këshilltarit të vet, Gazmend Abrashit.

E çoi drejt falimentimit Telekomin e Kosovës duke mos ndërprerë kontratën me Z-mobile, duke mbipunësuar në konflikt interesi. Emëroi drejtor Gent Begollin e AAK-së, mandej Bedri Istrefin PDK-AAK, secili pa përvojë e pa integritet. Emëroi bordin partiak dhe jokompetent të Telekomit. Shkeli Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Telekomin të datës 9 korrik 2018.

Emëroi anëtarë jokompetent në bordin e Trepçës dhe kompromentoi statutin e Trepçës. Emëruan kryeshef ekzekutiv të KEK-ut, Nijazi Thaçin, kushëririn e korruptuar të presidentit.

E dështuan procesin e realizimit të sigurimeve shëndetësore publike.

Dështim i gjithanshëm në politikën e jashtme, çorientim institucional i qëndrimeve politike dhe skandale të njëpasnjëshme përballë partnerëve dhe aleatëve.

Premtuan uljen e papunësisë, sollën të kundërtën. U rritën ca e për disa të ardhurat, por u zvogëlua numri i vendeve të punës, pra u rrit pabarazia. Asnjë kompani e madhe nuk u hap as në vitin 2017 e as në vitin 2018 në Kosovë. Dhe, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk po mbërrijnë të hapin vend të ri pune.

PANqeveria është PANhajnia.

Që ta ndalim hajninë duhet ta largojmë qeverinë. Me këtë rast u bëj thirrje dhe i mirëpres të gjithë qytetarët, pa dallim moshe a gjinie, pa dallim feje a partie, nëpër këto tubime anembanë Kosovës, në ditët e javët në vijim.

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 04 2019

Qendra Prishtinë: Në mbështetje të “Manifesta 2022”, Bienales Evropiane në Prishtinë

Prishtina është në hapin përfundimtar para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e Bienales Evropiane të Artit Bashkëkohor në vitin 2022, të njohur si “Manifesta”. Megjithëse Prishtina ka konkurrencë Vjenën dhe Kievin, gjasat janë të mëdha që të fitojmë e që ky organizim të realizohet në Prishtinë. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë e mbështet Bienalen “Manifesta”. Ideimi dhe puna për ta realizuar këtë Bienale në Prishtinë ka nisur dhe është çuar përpara në kohën kur Lëvizja VETËVENDOSJE! udhëhiqte Drejtorinë për Kulturën, Rininë dhe Sportin, në Komunën e Prishtinës, përmes drejtorit Yll Rugova.

Organizimi i Bienales “Manifesta” në Prishtinë do të mundësonte ardhjen e mbi 200,000 vizitorëve ndërkombëtarë në Prishtinë, si dhe prurjen e dhjetra miliona euro në ekonominë e Kosovës në format nga më të ndryshme. Duke qenë nikoqire e Bienales “Manifesta”, Prishtina do të kthehej në një kryeqendër evropiane të kulturës, ku emrat më të njohur të artit dhe arkitekturës do të realizonin projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur – si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas, etj. – do të bënin projekte për zhvillimin e Prishtinës. Emra me ndikim në artin botëror gjithashtu do të gravitonin në kryeqytetin tonë për këtë ngjarje. Prishtina do të përfitonte edhe investime në infrastrukturë, duke rehabilituar hapësira kulturore, e duke ndërtuar hapësira të reja publike.

Në këtë fazë, ka mbetur të sigurohet vetëm garancia bankare nga Qeveria e Kosovës dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Komunën e Prishtinës, në mënyrë që Prishtina të shpallet zyrtarisht si nikoqire e Bienales Evropiane “Manifesta” në vitin 2022. Andaj, kërkojmë dhe i bëjmë apel pushtetit Qendror dhe Lokal që të ndërmarrin sa më parë të gjithë hapat e nevojshëm që mundësojë finalizimin e marrëveshjes, përfshirë këtu edhe garancinë bankare për këtë organizim, dhe lehtësimin e të gjitha procedurave.

Ky projekt i takon qytetit të Prishtinës, dhe gjithë Kosovës. Duhet bërë çmos që çdo pengesë të eliminohet dhe çdo bllokadë të rrëzohet, që të kemi në Prishtinë Bienalen Evropiane “Manifesta”. 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 04 2019

Ligjërata e Kryetarit Albin Kurti në AUK

Me ftesë nga studentët e universitetit amerikan në Kosovë, RIT Kosova, sot Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti mbajti një ligjëratë më temën “Aksioni Kolektiv,” ku më pas edhe u zhvillua një bashkbisedim rreth kësaj teme.

Rëndësia e aksionit kolektiv mund të kuptohet që nga etimologjia e këtyre fjalëve. Fjala “kolektiv” do të thotë të mbledhesh, së bashku, të bashkohesh. E “aksioni” ka të bëj me vënien në lëvizje, me bërjen, me veprimin. Bashkimi i këtyre fjalëve prodhon një sinergji përtej etimologjisë e që merr trajtën e veprimit të dyfishtë: atë të bashkimit për të vepruar dhe atë të veprimit të përbashkët.

Si i tillë, aksioni kolektiv ka dallim edhe nga aksioni individual edhe nga pasitiviteti kolektiv. Një thënie e njohur në shumë vende afrikane thotë: vetëm mund të shkohet më shpejt, por së bashku mund të shkohet më larg. Kështu, aksioni kolektiv prioritizon më shumë largësinë e arritur se sa shpejtësinë në proces, duke i dhënë më shumë rëndësi strategjisë hapësinore sesa taktikës kohore. Dhe, për dallim nga pasitiviteti kolektiv, aksioni kolektiv synon vënien në lëvizje të gjërave, ndryshimet socio-politike, si mundësi historike për progres.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka bërë dallimin në politikë duke insistuar në aksionin kolektiv pjesëmarrës në vend të thjesht përfshirjes individuale nga lart, e cila si e tillë nuk e problematizon pabarazinë. E, të pajtohesh me një aktivitet a aksion është përgjegjësi më e madhe sesa mendimi a qëndrimi që përqafon. Sepse duhet të veprosh edhe vetë pastaj, nga keqardhja a simpatia të kalosh në empati e solidaritet. Kështu filluam ta rikuptimësojmë edhe politikën duke e përcaktuar atë, jo vetëm si përfaqësim e ndërmjetësim, siç ishte deri në vitin 2005, por para së gjithash – si vizion dhe si aksion.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 04 2019

Sqarim për opinionin publik: Në lidhje me lajmin e pavërtetë dhe tendencioz, të publikuar në portalin Indeksonline

Në lajmin me titull “Vetëvendosje po kritikon, por familjarët edhe vetë po i rehaton” janë disa lloje të ndryshme të pavërtetash. Disa nga të paraqiturit në këtë lajm janë të punësuar para se Lëvizja të ekzistojë, disa janë para se personat e tyre të afërm të jenë bërë persona publikë e disa janë të angazhuar përbrenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! pa patur kurrë lidhje me punësimet publike.

Së pari, Glauk Tahiri ka qenë asistent i Kryetarit në kohën e Visar Ymerit, e tash nuk është asistent i Albin Kurtit, por edhe po të ishte ky është angazhim përbrenda subjektit politik, e jo në administratë shtetërore, pra nuk është punësim në shtet.

Ndërkohë vëllai i Albin Kurtit, Taulant Kurti, ka studiuar në Fakultetin Ekonomik dhe punon në KEK nga viti 2007, tre vjet para se Lëvizja të merrte pjesë në zgjedhje dhe kur Lëvizja ishte në kohën më të vështirë sa i përket persekutimit dhe dhunës policore.

Në anën tjetër, gruaja e Glauk Konjufcës, Emira Konjufca, prej vitit 2012 ka përmbushur kushtet dhe kriteret për të qenë asistente, dhe për më tepër ajo punon si asistente e një ligjeruesi që është baba i drejtuesit të Grupit Parlamentar të PDK-së, dhe për korrektësi duhet ta pyetni atë se pse është pranuar ajo në Universitet të Prishtinës dhe a ka pasur ndikim miqësor apo familjar dikush.

Gruaja e Hysen Durmishit, Mirjeta Bajrami punon në Komunën e Prishtinës nga viti 2009, pra nga koha kur as nuk janë njohur mes vete, madje shumë kohë përpara së Lëvizja të hynte në zgjedhje lokale, kur Komuna drejtohej nga Isa Mustafa.

Po ashtu edhe gruaja e Xhelal Sveçlës, Merita Barani, që ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, ka punuar prej 15 vitesh në Shtëpi të Shëndetit deri para një viti, pra edhe para se të ekzistonte Lëvizja VETËVENDOSJE!.

E burri i Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi nuk është i punësuar në asnjë ndërrmarrje e administratë publike dhe aktualisht është asambleist në Kuvendin Komunal në Malishevë. Ai është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ka punuar më përpara në pozicione të ndryshme në administratën e Lëvizjes ku ka qenë prezent para se të angazhohej në Lëvizje znj. Haxhiu.

Vëllai i Albulena Haxhiut, Oti Haxhiu, punon në PTK që nga viti 2010 para se Albulena Haxhiu të angazhohej në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe para se të ishte figurë publike.

Ndërsa, Suliote Aliu ka diplomuar për Farmaci në vitin 2006 dhe tani është specialiste e Farmacisë Klinike. Ajo ka punuar më parë si farmaciste në disa subjekte private, si dhe ka një përvojë të punës si specialiste në Agjensinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Prej vitit 2017 ajo punon si specialiste në QKUK, institucion që varet nga Ministria e Shëndetësisë, pra nga qeveria e Kosovës.

I bëjmë thirrje gazetarëve që të hulumtojnë në vërtetësinë e këtyre të dhënave.

Shpifjet dhe të pavërtetat që i shërbejnë relativizimit të korrupsionit dhe të punësimeve nepotike e partiake, vetëm sa e justifikojnë korrupsionin dhe nepotizmin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë ta kritikojë e kundërshtojë kapjen e shtetit, korrupsionin e nepotizmin, me çdo kusht. Ka ardhur koha të ndalet hajnia! Ka ardhur koha për punë e ndershmëri!

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 04 2019

Takim me Emisaren Speciale të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë

Kryetari Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, deputeten, Fitore Pacolli, dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, pritën sot në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Emisaren Speciale për Ballkanin Perendimor të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë, znj. Janina Hrebickova, dhe zëvendës ambasadorin, z. Dusan Kralik.

Në këtë takim, Znj. Hrebickova shprehu mbështetjen e Republikës së Çekisë për Republikën e Kosovës dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për demokratizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre në rrugën drejt integrimit të rajonit në BE. Ajo u interesua më tej edhe për analizat dhe qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! lidhur me zhvillimet në Kosovë, dhe me gjerë në rajon, si dhe në raport me dialogun me Serbinë.

Kryetari Kurti shpjegoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i njëhershëm në BE i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në dekadën e ardhshme, për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe si mënyrë për demokratizimin e mëtejshëm të këtyre shteteve. Ai shpjegoi nevojën për një plan zhvillimor të BE-së për këto gjashtë shtete duke e lidhur me dialogun nga poshtë-lart, që i bashkon qytetarët përmes zhvillimit. Ai kujtoi edhe një herë nevojën e madhe për të vlerësuar 33 marrëveshjet e arritura deri më sot mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar se pazari për copëtimin e Kosovës, i ashtuquajtur “shkëmbim territorial” ose “korrigjim kufijsh”, është një plan që ka dështuar. Megjithatë, pushtetarët që e kanë dashur këtë lloj pazari ende nuk kanë hequr dorë nga ideja. Prandaj, është thelbësore që në Kosovë të kemi një qeveri të re me legjitimitet demokratik, gjë që mund të realizohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Palët ranë dakord të vazhdojnë të shkëmbejnë ide dhe analiza, me synimin për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Çëkisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 04 2019

Përvjetori i demonstratave të vitit 1981

Sot, me 2 prill, në përvjetorin e demonstratave të vitit 1981 një delegacion i LVV-së i prirë nga Kryetari Albin Kurti dhe deputetë e veprimtarë politik bënë homazhe para pllakave përkujtimore të dëshmorëve të pranverës së vitit 1981.

Me datë 2 prill, 1981 rrugët e Prishtinës, por edhe të qyteteve tjera në Kosovë, u vërshuan nga protestuesit që e hapën pranverën politike duke e hapur çështjen shqiptare. “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Bashkim-Bashkim”, “Trepça punon Beogradi fiton” e parulla tjera të ngjashme mbaheshin nga duart e mijëra studentëve dhe qindra punëtorëve që dolën në përkrahje të demostratës që kërkonte të drejta e liri, çlirim e bashkim, nga një regjim që shfrytëzonte shqiptarët për të qëndruar.

2 prilli i vitit 1981 renditet në vazhdimësinë e përpjekjeve që u intensifikuan në mars, e që vazhduan edhe gjatë prillit, pra të një kryengritjeje të përgjithshme që në përmbajtje si diçka të re barte edhe avancimin e çështjes shqiptare nga segmente të demonstratës te ato të luftës së armatosur. Studentë, militantë që kërkonin transformimin e gjendjes që i mbante shqiptarët të shtypur nën Jugosllavi, bashkë me punëtorë që iu bashkuan atyre në kërkesa, përcaktuan fillet e një ndryshimi të madh politik asokohe.

Pushteti jugosllav, duke parë këtë situatë, përdori armatën e saj për t’i shtypur këto demonstrata. Më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 në demonstratën më të madhe të parë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, si dy të rinj që qëndronin në ballë të demonstratës me flamuj, u qëlluan nga oficer ushtarak që ishin fshehur në një objekt banke para demonstruesve. Bashkë me ta, dëshmorë në këtë demonstratë ranë edhe Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu dhe Nesimi Dervishdana. Të gjithë pra, të rinj që me trupat e tyre, po e ngrinin zërin për liri e barazi kombëtare, për drejtësi e progres shoqërorë – u qëlluan me gjakëftohtësi nga regjimi i asaj kohe. Po atë ditë kur ndodhi ky krim, regjimi jugosllav shpalli edhe “Gjendjen e Shtetrrethimit” ku u ndalua takimi i më shumë se tre vetëve, dhe qarkullimi nga ora 20:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit. Kësisoj, veprimtarët, por edhe një popull që kishte dalë në demonstratë kaloi në një segment të dytë të organizimit, në një segment të tillë ku oficerët e fshehur nuk e panë më vetëm duarthatë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 03 2019

Këtu grabitet ekonomia e Kosovës, shtjerret buxheti i shtetit dhe zbrazen xhepat e qytetarëve

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik para terminalit doganor, njërit prej monopoleve të Kompanisë Devolli, paraqiti shkatërrimin e ndërrmarrjeve publike në vazhdën e shkatërrimit të ekonomisë së vendit dhe dëmtimit të interesit publik, prapa së cilave shpesh fshihen interesa të ngushta politike e klanore që janë të lidhura ngushtë me politikën dhe krimin e organizuar.

Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Albana Gashi foli për interesin e ngushtë dhe kapitalin që kanë kapur mendjet e ngushta të zyrtarëve publik që nuk shqetësohen për qytetarin e varfër dhe veçanërisht për përfshirjen e pushteteve edhe te vetë shkatërrimi i Telekomit e shumë kompanive të tjera.

“Kompania “Devolli Group” është sinonim i ekonomisë së kapur, por jo vetëm. Ata janë sinonim i politikës së kapur, pushtetit të kapur dhe si rezultat edhe i shtetit të kapur. Nga Devolli Commerce gjatë okupimit te Devolli Company dhe sot te Devolli Group, prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. “Serbia deformon tregun”, “Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash”, “Mashtrimi me tarifat doganore” janë tituj të zakonshëm kur mediat shkruajnë për Devollët”.

Ekzistenca e Z-Mobile është produkt i krimit të organizuar me pjesëmarrje të një numri të madh individësh. Qartazi, Klani ‘Pronto’ ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender. Për shkak të kurdisjeve të këtilla, pronarë të vërtetë të bizneseve që figurojnë në emër të Devollëve janë vetë kurdisësit, pra Klani ‘Pronto’.

Terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët sesa për Republikën tonë. Devollët karakterizohen nga monopoli absolut i transaksioneve me gjithçka që del prej sektorit publik për t’u dhënë si koncension, si privatizim, si kontraktim apo nënkontraktim.

Republikës së Kosovës i nevojitet një qeverisje e re me shtet zhvillimor ku qeveria është e afërt me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi, por jo e afërt me tajkunet e monopoleve.

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 03 2019

HOMAZHE – 20 vjetori i masakrës në Izbicë dhe familjes Bogujevci

Sot, më datë 28 mars shënojmë 20 vjetorin e masakrës së Izbicës së Skënderajt dhe masakrës së familjes Bogujevci dhe Duriqi në Besianë. Delegacione të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të prirur nga deputetë e aktivistë të qendrës së Skënderajt, respektivisht Besianës, bënë homazhe duke iu bashkuar familjarëve në dhimbjen e tyre të gjallë dhe në përkujtimin e tyre të thellë për viktimat e krimeve çnjerëzore të Serbisë.

28 mars, 1999 – 20 vite më parë, në Izbicë të Skenderajt, 147 burra e djem shqiptarë u masakaruan mizorisht nga forcat serbe, ndërsa gratë dhe vajzat u dëbuan, për t’u terrorizuar dhe vrarë rrugës për në Shqipëri. Trupat e burrave dhe djemve të masakruar u varrosën nga fshatarët. Krimi kundër tyre nuk mbaroi në gjallje. Forcat serbe i zhvarrosën e i shpërndanë trupat e tyre nëpër Kosovë e Serbi.

Po atë ditë, në Besianë, njësiti ‘Skorpion’ kreu masakrën mbi familjen Bogujevci dhe Duriqi. 7 fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra u ekzekutuan. Pesë fëmijë i shpëtuan kësaj masakre. Njëri prej këtyre fëmijëve, që sot është deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Saranda Bogujevci, rrëfeu para të pranishmëve rrjedhën e kësaj masakre.

20 vite më pas, Serbia nuk ka dënuar dhe as ka shënjuar ndonjë përgjegjës për këto krime. Ashtu si dikur shpërndante trupat e vdekur mbi tokën e Serbisë, sot shpërndan vulën e krimit mbi popullin serb. Kriminelët serbë që kryen krimet më çnjerëzore mbi popullsinë civile, me 11 masakra mbi shqiptarët dhe mbi kufomat, që e zhvarrosën krimin e tyre për ta varrosur nëpër tokat e shtetit të tyre, janë ende të lirë. Për pasojë, Serbia është e burgosur në krimin që po e përjetëson vetë në mënyrë qeveritare. Kriminelët gjenocidalë enden të lirë. Me këtë Serbi, me këtë shtet që shërben si tokë e lirë për kriminelët e luftës, disa mendojnë se ende mund të dialogohet dhe të sigurohet njohja. Këta negociatorë mendjelehtë janë pa dyshim ata që i kanë harruar krimet. Janë po ata që shkojnë deri aty sa i mendojnë të lehtë dhe të shpejtë edhe korrigjimet e kufijve.

Në këtë kohë pra, kur po flitet për kompromise të dhimbshme me Serbinë, pranvera 1999 dhe shumë data të ngjashme me të, korrigjojnë më së pari mendjelehtësinë e kujtdo që beson se Serbia ka ndryshuar. Kompromisi i dhimbshëm më shumë se ai me Serbinë, është ai i harresës së krimit dhe përjetësimit të krimit mbi njerëzit tanë.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 03 2019

Takim me fondacionin socialdemokrat gjerman (Friedrich Ebert Stiftung – FES)

Në zyren e Fondacionit socialdemokrat gjerman (Friedrich Ebert Stiftung – FES) në Prishtinë, dje kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe nënkryetarët, Prof.Besnik Bislimi dhe Dr.Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, u takuan me deputetët e Bundestagut nga radhët e SPD-së, z.Josip Juratoviq dhe znj.Gabriele Weber.

Në këtë takim të përzemërt te nikoqiri, drejtori i FES, z.Frank Hantke, u diskutua për situatën politike në Kosovë dhe rajon, për nevojën e zhvillimit socio-ekonomik si dhe të luftimit të krimit e korrupsionit. Kryetari Kurti tha se zgjedhjet e reja e të parakohshme janë zgjidhja e drejtë dhe e duhur në Kosovë, dhe kritikoi sundimin e autokratëve si dhe bashkëpunimin midis tyre që nuk është i kufizuar vetëm në Ballkan. Në veçanti, ai theksoi se projekti i shkëmbimit territorial Thaçi-Vuçiq ka dështuar porse ideja e tyre ende nuk nuk ka vdekur.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 03 2019

Mbrojtja e resurseve ujore të Kosovës

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja organizoi tryezë profesionale mbi mungesën e planifikimit dhe të menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë.

Kjo është tryeza e dytë mbi krizën mjedisore, pas asaj të para tre muajve për ndotjen mjedisore, dhe u moderua nga deputeti i Lëvizjes Liburn Aliu.

Kryetari Albin Kurti mbajti parashtrimin fillestar ku foli për domosdoshmërinë e hartimit të politikave zhvillimore ekonomike në përputhje dhe pa i shkaktuar dëme politikave për mirëmenaxhimin e resurseve ujore. Kryetari i Lëvizjes u shpreh se ujërat janë edhe themeli i luftës gjeopolitike bashkëkohore, edhe një nga të drejtat e njeriut për të pasur qasje në to, por edhe nje garanci për cilësinë e jetës. Ne kemi nevojë për një zhvillim ekonomik i cili nuk i dëmton pakthyeshëm burimet e ujit, por i optimalizon këto burime.

Kosova ka një sasi të kufizuar të burimeve ujore, megjithatë kjo çështje nuk ka qenë prioritet për qeveritë e pasluftës. Prandaj, mungojnë të dhëna për sasinë, kontrollin dhe cilësinë e ujit. Përgjegjësia institucionale për menaxhimin e ujërave mbetet e paqartë dhe e shpërndarë mes disa institucionesh dhe ka një mungesë transparence mbi punët dhe të dhënat e tyre. Nga ana tjetër, Ligji i ujërave ka një mori dështimesh si: monitorim jo të mirë të resurseve nëntokësore; keqmenaxhim të përmbytjeve pa plane paraprirëse; ndërtime problematike në zona të mbrojtura ujore; shfrytëzim të egër të inerteve duke dëmtuar lumenj, shtretërit dhe brigjet e tyre; vjedhje e ujit dhe keqpërdorim i tij; dhe ndërtime të paligjshme të HEC-eve.

Në këtë situatë me politika të improvizuara ka komuna dhe fshatra që nuk e ndajnë ujin me një komunë apo fshat tjetër. Po ashtu, infrastruktura e sistemit të ujitjes, kolektorët dhe trupat ujore janë amortizuar, ndotur, pa investime dhe menaxhimi i tyre nuk është i pakoordinuar me problematikat e ndotjes së ambientit. Sikur të mos mjaftonin këto, qeveria i fal borxhet kompanive të ujit për ambalazhimin dhe lejon që në veri të vendit të operojnë kompani pa liçensë për këtë shërbim.

Në përfundim të tryezës u nxorën edhe konkluzionet e mëposhtme:

· Moszbatimi dhe neglizhenca në zbatimin e Ligjit të ujërave po i rrezikon resurset ujore;

· Institucionet bartëse për resurset ujore duhet të funksionalizohen dhe të forcohen sipas Ligjit;

· Hidrocentralet nuk janë dhënë koncesione në bazë të legjislacionit, prandaj është i paligjshëm secili prej tyre;

· Duhen ngritur kuadro dhe profesionistë të rinj të ujërave;

· Duhet inspektim dhe monitorim më i fortë i resurseve;

· Duhen studime dhe të dhëna më të plota për planifikimin dhe hartimin e një plani për të ardhmen;

· Duhet planifikuar akumulimi i ujit dhe formimi i liqeneve të reja;

· Duhet plan parandalues për emergjencat e vërshimeve dhe për raste të ngjashme;

· Duhen bërë publike të gjitha lejet ndërtimore të ndërtimeve në zonat në fjalë;

· Duhet formuar një institut për ujërat dhe hidro-ekonominë e Kosovës, i cili do jetë vend studimi dhe propozimi për këtë sektor;

· Ky sektor duhet të jetë prioritet strategjik për politikat e vendit dhe duhen rritur ndjeshëm investimet për të.

Politika zhvillimore për të ardhmen e vendit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Kosovës e ka të domosdoshëm një planifikim, menaxhim dhe një investim strategjik në sektorin e ujërave. Për Lëvizjen ky sektor duhet të marrë vëmendjen që i takon, të jetë prioritet jetik për vendin, një e drejtë e garantuar për qytetarët dhe një garanci për sovranitetin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 03 2019

Afera ContourGlobal, 8 arsyet pse ky projekt duhet të ndalet

Në një akt të paprecedent në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u mbyllën mikrofonat kur u prezantua një informatë për kontratën e dëmshme me ContourGlobal.
Qeveria e Kosovës, Kryeministri Haradinaj e privoi publikun në Kosovë nga të dhënat për një çështje themelore siç është ajo e ndërtimit të Termocentralit të ri.

Ky projekt nuk kalon. Qeveria bën mirë të tërhiqet para se të jetë vonë dhe të gjenden në procese gjyqësore secili përgjegjës. Aktualisht Ministria e Ambientit veçse është paditur mbi dhënien me shkelje të pëlqimit mjedisor.

*****

1. 1.3 MILIARDË PËR 500MW [KOSOVA E RE] KRAHASUAR PËR SHEMBULL ME 210 MILIONË PËR 600 MW, [RINDËRTIMI I TRE BLLOQEVE TË TC KOSOVËS A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë €/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.

2. 80€-96/MW ÇMIMI I GARANTUAR I BLERJES NGA CONTOUR GLOBAL, KRAHASUAR ME 30€/MW NGA KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80€ deri 96€/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60€-80€.

3. NORMA E KTHIMIT PREJ 18.5% DHE GARANTIMI I KREDIVE NGA QEVERIA E KOSOVËS – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po qe se ai dështon ta paguaj kredinë.

4. RRITJA E TARIFAVE TË ENERGJISË ELEKTRIKE PËR KONSUMATORË DERI NË 80%– Sipas analizave të ndryshme të pavaruara përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do t’ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.

5. 5-7 MILIARDË € – KOSTOJA TOTALE ENERGJISË ELEKTRIKE NGA TC KOSOVA E RE PËR PERIUDHËN PREJ 20 VJETËSH, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë € (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.

6. KRIJIMI I NDËRMARRJES FANTOME NKEC – QEVERIA KA THEMELUAR NDËRMARRJEN E RE KOSOVARE TË ENERGJISË “NEW KOSOVO ENERGY COMPANY [NKEC]” E CILA DO TË BLEJË ENERGJINË ELEKTRIKE NGA CONTOURGLOBAL ME ÇMIM PREJ 80€-96/MW e cila më pastaj do t’ia shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.

7. ÇRREGULLIMI I TREGUT TË ENERGJISË ELEKTRIKE NË VEND – Në kundërshtim me të gjitha praktikat evropiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.

8. ASNJË BLLOK I NGJASHËM (SI KOSOVA A) NË RAJON E MË GJERË NUK ËSHTË DEKOMISIONUAR POR JANË RINDËRTUAR APO RIPARUAR – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurtë në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 03 2019

Partneriteti Publiko-Partiak: Prona Publike, Punëtorët e Partisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti aktivitet simbolik për të denoncuar edhe një herë punësimet e fundit partiake dhe familjare në institucione publike. Pranë njërit prej filialeve të VALA-s në qendër të qytetit aktivistët e Lëvizjes shkruan parullën Partneriteti ‘Publiko-Partiak: Prona Publike, Punëtorët e Partisë’.

Punësimet partiake dhe familjare në kompanitë publike nuk kanë të ndaluar, vetëm këto ditë kishim qindra sosh nga forcat politike në pushtet. Prej 20 vitesh vazhdon rituali i shfrytëzimit të këtyre kompanive shtetërore për të rehatuar nga pushteti elektoratin e pakënaqur me ekonominë në vend. Këto keqpërdorime janë njëri prej shkaqeve pse ndërmarrjet publike humbin produktivitetin e tyre dhe bëhen gati për t’u privatizuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, deklaratat e fundit të figurave politike nga rradhët e pushtetit, se sikur të mundeshin të gjithë militantët e tyre do t’i punësonin në kompani shtetërore, tregojnë se situata vetëm sa do të përkeqësohet nëse lihet të rrjedhë në këto linja.

Telekomi është rasti më shembullor i degradimit përmes korrupsionit dhe partitizimit të një kompanie publike.

Aktivisti Avni Zogiani i denoncoi këto raste duke thënë, “Që nga Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe deputetë kanë filluar një fushatë masive të punësimit të familjarëve të tyre në kompani publike, sidomos në Telekom, e cila është e vetmja alternativë që japin ata ndaj një situate tepër të rëndë që ekziston në sektorin publik“.

Situata është aq e rëndë sa vetë organet e brendshme të kompanive publike kanë dalur me vendime për ndalimin e punësimeve arbitrare. Po ashtu edhe rezoluta e fundit e votuar në Kuvend për Telekomin bënë thirrje për zgjidhjen e krizës në këtë ndërmarrje, por situata vazhdon të rëndohet. Ky pushtet është aq i dobët sa të vetmen zgjidhje që ofron është normalizimi i këtyre fenomeneve anormale.

Republikës së Kosovë i duhet riorientim i qasjes ndaj pasurisë publike, ndërkohë ndërhyrja për transformimin e situatës me qëllim shpëtimin e kompanive publike nga shkatërrimi dhe privatizimi është i domosdoshëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 03 2019

Haradinajt iu desh një vit që ta kuptojë se e kanë mashtruar për Demarkacionin

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës për një vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes Demarkacionit me Malin e Zi, prej nga Kosova humbi 8.200 hektarë një vit më parë më 21 mars 2018. Në konferencë folën shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca dhe anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Arbërie Nagavci.

Haradinaj u bë Kryeministër duke premtuar korrigjimin e gabimeve të Demarkacionit me Malin e Zi. Një vit më pas, nuk është bërë asnjë hap përpara, asnjë raport apo sqarim për korrigjimin e tij. Deputetja Nagavci kujtoi deklaratat ku vetë deputetët e AAK-së shpreheshin se ishin detyruar ta votonin marrëveshjen dhe se vizat do të liberalizoheshin menjëherë pas ratifikimit të saj. Prej një viti, Kosova vteëm ka humbur dhe vizat akoma nuk janë liberalizuar. Për më tepër, deputetja Nagavci shpjegoi se si ratifikimi i Demarkacionit me idenë e korrigjimit të versionit fillestar po shërben aktualisht si precedent për Presidentin Thaçi që të rehatojë në sferën tonë publike idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Krejt çka Qeveria ka bërë për një vit janë skandale korruptive, punësime partiake e familjare.

Deputeti Konjufca theksoi në vazhdim deklaratën e Kryeminsitrit Haradinaj të datës 2 mars, ku ky i fundit e kishte pranuar se e kishin mashtruar në rastin e Demarkacionit dhe sesi kjo nuk do të përsëritet sërish me rastin e marrëveshjes me Serbinë. Ky deklarim i Haradinajt i vërteton pretendimet e para një viti të Lëvizjes se Kosova tashmë i ka humbur 8.200 hektar dhe se Kryeministri ose është mashtruar ose po mashtron. Prej një viti komisioni nuk ka dalë fare në terren, edhe pse vullneti dhe gadishmëria e anëtarëve të tij nuk mungon.

“Nëse je Kryeministër që të mashtron gjithkush, për besë duhet të japësh dorëheqje”, u shpreh deputeti Konjufca.

Në këto kushte Kryeministri duhet të marrë përgjegjësi edhe për mashtrimin që ka bërë për liberalizimin e vizave, por edhe për mashtrimin që ia kanë bërë për Demarkacionin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT