15 03 2019

LVV dhe LDK dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për Dialogun

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbajtën konferencë të përbashkët për mediat në ambientet e Kuvendit për procedimin nga ana e tyre në Gjykatën Kushtetuese të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovë në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Në konferencë folën deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu dhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.

Dy subjektet opozitare e kundërshtojnë këtë Ligj për shkak të shkeljeve në të paktën tetë nene të Kushtetutës së vendit. LVV dhe LDK po ashtu kërkojnë vendosjen e masës së përkohshme për ta ndaluar instalimin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe kërkojnë një seancë dëgjimore për të argumentuar çështjet e ngritura prej tyre.

Ligji kundërshtohet për tendencën e tij për ndryshimin e hierarkisë kushtetuese, për ndërhyrjen në kompetencat e pushtetit ekzekutiv e legjislativ dhe për mbivendosjen e tij si një ligj me natyrë speciale mbi ligjet e tjera. Bëhet fjalë për shkeljen e Kushtetutës përkatësisht në nenin 2 në lidhje me sovranitetin e Kosovës, në nenin 4 mbi formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve, në nenin 7 mbi rendin kushtetues, në nenin 18 mbi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në nenin 20 për bartjen e sovranitetit dhe kalimin e kompetencave shtetërore, në nenin 65 mbi kompetencat e Kuvendit, në nenin 93 mbi kompetencat e Qeverisë dhe në nenin 94 mbi kompetencat e Kryeministrit.

Ky projektligj e shpërfytyron institucionalisht Republikën e Kosovës duke autorizuar një trupë antikushtetuese dhe duke cënuar rëndë parimin e ndarjes së pushteteve në Kosovë.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj u shpreh se, “si grupe parlamentare, si deputetë të dy partive politike e kontestojmë në tërësi kushtetuetshmërinë e këtij Ligji, besojmë që përgjigja do të jetë edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që ky projektligj të rrëzohet dhe si i tillë mandati kushtetues i institucioneve të mos cënohet”.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu tregoi se projektligji është i gatshëm të shkelë kushtetutën vetëm për t’i shërbyer projektit për ndarjen e Kosovës të propaganduar nga Presidenti Thaçi. “Gjithë kjo aventurë e fundit është pra në shërbim të plotë të Hashim Thaçit. Në këtë kaos të qëllimshëm, që po krijojnë aktorët që ishte dashur të ruajnë aktorët që ishte dashur të ruajnë koherencën e politikës së jashtme dhe sovranitetin e integritetin territorial, përfshihet edhe i ashtuquajtur Ligj për Dialogun”, tha deputetja Haxhiu.

Deputetët e dy subjekteve opozitare deklaruan se veprimet e tyre nuk do të kufizohen këtu. Në rastin e ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij projektligji dhe të këtij projekti angazhimi do të vazhdojë në shfrytëzimin e të drejtës për të protestuar kundra një procesi kaq të rrezikshëm.

Kontribo

14 03 2019

Tryeza: Edukimi i hershëm i fëmijëve midis shtetit dhe nënës

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për trajtimin e përditshëm të problematikave shoqërore të lidhura me çështjen e gruas.

Përmes Grupit Parlamentar dhe Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezën me temë “Përgjegjësitë për edukimin e hershëm të fëmijëve – Roli shtetëror përballë rolit prindëror” . Në tryezën e diskutimit morën pjesë studiuese dhe pjesëtare të shoqërisë civile. Tryezën e moderoi Aulonë Bytyqi nga Sekretariati i Gruas Aktiviste dhe parashtrimet e para i mbajtën anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtoresha e çerdheve me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës, Anduena Arrni dhe zyrtarja Ligjore nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Adelina Berisha.

Edukimi i hershëm i fëmijëve në Kosovë vuan nga numri i vogël i institucioneve publike dhe private parashkollore. Mungon prania e tyre në zonat rurale thuajse plotësisht, ku ndodhet më shumë se 50% e popullsisë së vendit. Vetë kopshtet dhe çerdhet vuajnë nga infrastruktura e dobët dhe e pamjaftueshme, mungesa e investimeve infrastrukturore dhe mungesa e stafit.  Sipas buxhetit aktual dhe parashikimeve të tij nuk duket se do të ketë një vëmendje të veçantë për të,  apo një strategji të posaçme për trajtimin e problemeve të edukimit të hershëm. Po ashtu, prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta e vuajnë akoma edhe më shumë mungesën e parashikimit të një përkujdesjeje për këto kategori.

Shteti e trajton edukimin e fëmijëve parashkollorë si të jetë një çështje private familjare. Në kushtet kur më shumë se gjysma e popullsisë nuk ka qasje në edukimin e hershëm publik, atëherë pesha për edukimin e fëmijëve bie mbi nënat. Kjo peshë u rëndon edhe më tepër grave nga pamjaftueshmëria e kohës për të kërkuar apo punuar ndërkohë. Puna e madhe shtëpiake e grave është një punë pa pagesë dhe një çështje politike e shtypur në diskursin tonë publik. Edukimi i fëmijëve duhet shikuar edhe si çështje e emancipimit të gruas, edhe si e drejtë kushtetuese e çdo fëmije dhe familjeje, edhe si avancim i politikave arsimore shtetërore.

Në përfundim të tryezës u nxorrën edhe konkluzionet e diskutimit si në vijim:

  • Edukimi i hershëm është përgjegjësi e institucioneve të vendit, si për ofrimin e të drejtave të garantuara për secilin fëmijë pa dallim, ashtu edhe për ofrimin e mundësive për gratë dhe nënat e reja për zhvillimin e tyre;
  • Shfrytëzimi i zgjidhjeve alternative si kopshtet në komunitet dhe ndihmat nga organizatat ndërkombëtare duhet organizuar nga institucionet adekuate, sidomos me vëmendje të veçantë për grupet e margjinalizuara në shoqëri;
  • Të ngrihet zëri në vetëdijësimin e vendimmarrësve se çerdhet nuk janë lluks, por domosdoshmëri dhe një e drejtë që i duhet garantuar çdo fëmije dhe familje;
  • Rritja e buxhetit për edukimin në moshë të hershme.

Edukimi i hershëm i fëmijëve duhet të ndahet midis shtetit dhe prindërve, mungesa e madhe e njërit prej tyre e bën këtë edukim gjysmak. Prindërit dhe shteti nuk mund t’i zëvendësojnë rolet e njëri-tjetrit në edukimin e fëmijëve. Nënat nuk munden të mbajnë barrën e mungesës së një shteti dhe barrën e mungesës së babait.

Kontribo

11 03 2019

Gratë në rezistencën kombëtare

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tryezë diskutimi me temë “Gratë në rezistencën kombëtare”. Të ftuara të veçanta për të ligjëruar ishin studiuesja e historisë Mrika Limani, veprimtarja dhe aktivistja e çështjes kombëtare dhe gjinore Shukrie Gashi dhe ish-ushtarja e UÇK-së dhe njëkohësisht asambleistja e Lëvizjes në Gjakovë Mimoza Shala.

Historia e angazhimit të grave për çlirim kombëtar dhe barazi gjinore është një histori e lënë në hije, sporadikisht e trajtuar dhe gjithnjë e lidhur me historinë e burrave përkrah të cilëve kanë rastisur të jenë. Historiografia zyrtare dhe klasike e përpjekjeve për çlirim të shqiptarëve karakterizohet nga një mendësi patriarkale, e cila edhe ato pak gra që përmend i sheh sipas imazhit të burrit. Përgjithësisht, gratë që njihen më së shumti nga kjo historiografi janë ato gra të cilat kanë qenë motrat apo gratë e komandantëve apo të të tjera figurave tradicionale mashkullore.

Në tryezë u vu në pah fakti se jeta dhe kontributi i përditshëm i grave në shoqëri dhe në përpjekjet për emancipim e çlirim është i anashkaluar nga historiografia jonë. Gruaja del në skenën publike si figura e gruas partizane përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Deri në atë kohë roli i asaj ishte komplet i padukshëm nga izolimi në sferën private. Prej protestave të vitit 1968 deri në ato të vitit 1981 dhe 1989 angazhimi i grave për çeshtjen kombëtare dhe barazi gjinore bëhet më masiv.

Emra pak të njohur dhe të tjerë plotësisht të panjohur, të veprimtareve dhe dëshmoreve të çështjes kombëtare dhe barazisë gjinore, u përmendën në tryezë për të treguar se aq shumë kontribut është dhënë dhe aq pak njihet.

Gjatë luftës së fundit, gratë u përballën me dhunime të shumta, por pas mbarimit të luftës u lanë nën hije bashkë me dhimbjen e tyre. Një pjesë e anashkalimit u lehtësua nga mungesa e komunikimit mes grave, dallimet ideologjike, dhe njohuritë e pakta për barazinë dhe të drejtat gjinore. Edhe shumica e grave të cilat u bënë përfaqësuese të popullit dhe të institucioneve shtetërore nuk treguan një angazhim sistematik për ndryshimin e formave të pushtetit dhe avancimin e barazisë gjinore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetëdijshme se historia, sidomos ajo e grave nuk është për t’u lënë pas, por për t’u zbuluar dhe për t’u mirënjohur. Lufta për barazi gjinore dhe kombëtare nuk ka përfunduar, vetë mbulimi i historisë së saj tregon se më së shumti ajo po tentohet të heshtet.

Kontribo

08 03 2019

8 marsi: Barazi në institucione, në punë dhe në pronë

Për ditën ndërkombëtare të gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një aksion simbolik, me ç’rast në muret e institucioneve aktivistet e lëvizjes shkruajtën parullën, “Barazi në institucione, në punë dhe në pronë”. Parulla synon të theksojë pabarazinë e madhe shoqërore në vendin tonë ku gruaja është shumëfish më e shtypur.

Në Republikën e Kosovës ekziston Ligji për Barazi Gjinore, por të drejtat që burojnë nga ky ligj kanë mbetur për më shumë se një dekadë vetëm në letër. Në Kosovë gruaja është e larg instuticioneve, larg punës dhe larg pronës. Shoqëria jonë është larg barazisë dhe aspirata për të ka mbetur e huaj për shtetin tonë. Shteti ynë po etablohet si i pabarabartë.

Asambleistja e Lëvizjes në Gjilan, Arbëresha Kryeziu u shpreh në komunikatën për aksionin se, “prania e gruas në institucionet e Kosovës është krejt simbolike. Jo rrallë kjo prani është mbulesë e shëmtuar për shtypjen që i bëhet grave dhe vajzave. Madje gjoja-përfaqësimi bëhet edhe për të çuar përpara projekte të dëmshme si për shoqërinë ashtu edhe për vetë gruan. Ç’kuptim ka të flasësh për praninë ose jo të grave në delegacione, komisione e borde kur ato ndërtohen me misionin për negociata pa kushte, për privatizimin e aseteve publike, ose për krijimin e privilegjeve të reja për padronët e vjetër”.

Aktualisht, rreth 82% e grave janë të përjashtuara nga ekonomia e vendit. As në ambientin e shoqërisë civile dhe në institucionet publike gratë e vajzat nuk janë ende sa dhe si duhet pjesëmarrëse. Ekziston po ashtu edhe Ligji për Trashëgiminë, por në shoqërinë tonë vetëm rreth 4% e grave kanë pronë të trashëguar. Kjo nuk është vetëm simptomë e kulturës mbizotëruese. Mbi të gjitha është plaçkitje që tolerohet me vetëdije nga Noteri deri te sistemi i lartë i drejtësisë.

Ligji si i tillë, pavarësia formale dhe niveli i përfaqësimit nuk po mjaftojnë. Na duhet pjesëmarrje e vrullshme dhe e madhe për barazi dhe drejtësi. Këto qeverisje të djathta neoliberale janë në shërbim të thellimit të pabarazisë. Njeriu në përgjithësi dhe gruaja në veçanti janë reduktuar në mjet në shërbim të kapitalit të grupeve parapolitike. Ata akumulojnë pasurinë, ndërsa qytetarët akumulojnë mllefin e mjerimin. Kjo është dhunë që e lë shoqërinë të varfër me gruan pa punë, pa pronë, në shtëpi dhe të dhunuar fizikisht.

Pa riorientim rrënjësor të sistemit socio-ekonomik ndryshimet formale drejt realizimit të të drejtave të gruas mbeten mbulesë e dëmshme dhe mirëmbajtje e pabarazisë gjinore. Pa gruan e barabartë nuk mund të ketë Republikë.

Kontribo

07 03 2019

Ngushëllime për aksidentin në Gjilan

Tmerri që përjetuan qytetarët e Gjilanit nga aksidenti i sotëm ku humbi jetën një person dhe u lënduan shumë të tjerë, na ka tronditur rëndë të gjithëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përcjellur me shqetësim këtë ngjarje të dhimbshme dhe bashkëndjen me familjen e Qerim Çoçajt, i cili humbi jetën në këtë aksident dhe me të gjithë të lënduarit e tjerë. Në këto çaste të vështira le t’i qëndrojmë afër familjes së viktimës, kurse të lënduarve të ju ofrohet trajtimi dhe kujdesi shëndetësor për të tejkaluar lëndimet.

Duke i shprehur ngushëllime familjes dhe uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve, Lëvizja VETËVENDOSJE! thekson rëndësinë që duhet t’i japim sigurisë në komunikacion, të rrisim vëmendjen dhe përgjegjësinë në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten!

Kontribo

07 03 2019

LV mbështet marshin protestues për 8 MARS

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues të organizuar nga aktiviste e aktivistë të kolektivit ‘MARShojmë s’ Festojmë’ dhe fton anëtarësinë e saj t’i bashkohet këtij marshi të premten nga ora 12:00 në sheshi ‘Zahir Pajaziti.’

Angazhimi i aktivistëve dhe organizatave që merren me të drejtat e grave, për më shumë barazi shoqërore muajve të kaluar, ka dëshmuar se bashkarisht jo vetëm se mund t’i qëndrojmë dhimbjes, por edhe ta bëjmë atë të pajustifikueshme, e të pashpjegueshme nga cilado anë e pushtetit. Ka dëshmuar se po u organizuam bashkë, do të lëkundet hierarkia e çdo pushteti që mban përgjegjësi për dhunimin e jëtës në këtë vend.

Të marshojmë edhe më shumë, edhe më zëshëm këtë 8 mars. Vetëm një angazhim i përbashkët mund ta përpunojë përvojën e barazisë dhe drejtësisë drejt një drite të re. Vetëm me një ritëm të tillë të MARShit hapim radhët për gjithë ato të reja e të rinj, të moshuara e të moshuar që kërkojnë barazi më të plotë, e jete më të drejtë në këtë vend.

Kontribo

07 03 2019

132 vjet nga hapja e shkollës shqipe

Sot më 7 mars, 132 vjet pas hapjes së shkollës së parë shqipe përkujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë mësueset e mësuesit që me sakrificat, vullnetin dijen e veprimtarinë e tyre e ngritën dhe avancuan shkollës shqipe.

Figura e mësueses, e mësuesit është padyshim figura e veprimtarëve në linjë me atë të çlirimtarëve. Shumë prej tyre qenë të tillë. Mësueset dhe Mësuesit janë në fakt shenja e pashlyeshme e rezistencës sonë intelektuale e politike ndaj pushtuesit. Mësimi në gjuhën shqipe deri në shekullin e kaluar nënkuptonte rezistencë.

Sot, shqiptarët në Preshevë Medvegjë e Bujanoc, Mal të zi, madje edhe në Maqedoni, janë ende në zgrip të kësaj përpjekje.

Shqiptarët në mërgatë edhe pse të vetorganizuar nuk mbështeten sa duhet nga institucionet në Kosovë e Shqipëri me tekste e mundësi të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e tyre.

Në Kosovë ende shkolla, arsimimi në përgjithësi është larg të qenit në nivelin e aspiratave për dije të nxënësve tanë. Na mungojnë bibliotekat e pasura shkencore për mësuesit e nxënësit, laboratorët e tekstet cilësore. Mësimi vijon të jetë me dy e tre ndërrime.

Arsimi, shkolla shqipe përveç se të shpallet duhet të jetë prioritet kombëtar. Por në çdo përpjekje të tillë po haset në rezistencë të pushtetit që e ka lënë anash.

Shkolla shqipe është vektori emancipues. Është vendi singular nga ku kapërcejmë në universalitetin e dijes. Cenimi i vazhdueshëm i saj na lë pas brenda vetes dhe na ngushton mundësitë e krijimit dhe prodhimit.

Në kujtim të Mësueseve dhe Mësuesve dëshmorë të kombit, urime 7 marsin!

Kontribo

06 03 2019

Homazhe në Prekaz

Një delegacion i LV-së, i prirë nga nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, shefi i GP-së Glauk Konjfuca dhe deputetë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes kryen homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.

Pas homazheve nënkryetari Besnik Bislimi deklaroi:

“Homazhet e sotme janë shenja përmes të cilës i tregojmë e ritregojmë vetes dhe botës sesa shumë mbështetemi te dëshmorët e familjes Jashari dhe te të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit tonë. Në këtë vend, 21 vite më parë Adem e Hamzë Jashari, kryeluftëtarët e lirisë ranë heroikisht bashkë me 56 anëtarë tjerë të familjes dhe treguan se e duan Kosovën dhe popullin e saj më shumë se veten. Ata na treguan gjithë neve dhe botës se si një familje e vetme mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli. Ata dëshmuan se kur do diçka që nuk ke patur kurrë, mbase edhe duhet bërë diçka që se kishe bërë asnjëherë më parë. Me homazhet tona të përvitme, ne duam të dërgojmë tri mesazhe tek familja Jashari: Që duke sakrifikuar më të çmueshmen e tyre dhe më të dashurit e tyre, ata në fakt nuk i humbën familjarët e tyre, por i bartën ata tek secili prej nesh, nga marsi 1998 e deri në përjetësi. Që ne e kuptojmë drejt mesazhin e kësaj sakrifice dhe që mund t’i shikojmë ende në sy familjen Jashari duke konfirmuar që nuk kemi devijuar nga përpjekja për mbrojtjen dhe avancimin e amaneteve të tyre. Dhe që të gjithë së bashku nuk do lejojmë askë që të rrezikojë themelet e lirisë dhe sovranitetit tonë. Lavdi e përjetshme veprës dhe besimeve të tyre!”.

Po ashtu fëmijët e aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes vendosën lule tek varret e familjes Jashari.

Kontribo

04 03 2019

Konferencë për diskriminimin në punësim të grave

Punë e pagë të dinjitetshme për secilën grua

Në kuadër të muajit të gruas, sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje e diskriminimit në punësim të vajzave dhe grave.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për mendësitë e gabuara keqqeverisëse që Kosovës i janë akumuluar prej të cilave më kryesorja është papunësia që arrin deri në 40% ku vajzat dhe gratë janë të shtypura dyfish, edhe duke qenë si qytetare por sidomos pse janë vajza e gra. Ndërkaq, vetëm 12 përqind e tyre kanë një vend pune.

“Diskriminimi e shtypja, dhuna fizike e psiqike, shfrytëzimi i vajzave dhe grave ka ndërlidhje të ngushtë me varësinë dhe shtypjen ekonomike. Në aspektin e legjislacionit janë bërë disa ndryshime, por të cilat thjesht kanë mbetur të pazbatuara”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu foli edhe për projektligji i punës të proceduar nga Qeveria duke theksuar se nuk ka mekanizma mbrojtës kundër diskriminimit të grave në punësim madje nuk ka asnjë autoritet ku mund të raportohen rastet. Arsyet pse nuk punësohen gratë, është sepse punëdhënësi e konsideron problem pushimin e lehonisë. Pushimi i lehonisë natyrisht që duhet të mbetet për periudhën 1 vjeçare por është koha që ta ndajmë atë në formë të obligueshme, 6 muaj nëna, 6 muaj babai.

Në anën tjetër anëtarja e Kryesisë Tinka Kurti foli për diskriminin që i bëhet gruas në rastet e punësimit.

“Kur papunësia e grave është mbi 80 për qind, është e qartë se aty nuk bëhet fjalë për fat individual e as për përcaktim natyror. Kjo është kryekëput rezultat i politikave të gabuara e të dëmshme të shtetit. Dhe më e keqja është se këto shifra nuk janë të reja dhe nuk kanë shënuar ndonjë lëvizje që prej pasluftës. Pra, nuk bëhet fjalë për mospjesëmarrje, por për përjashtim”, tha Tinka Kurti. Ndërkohë, gratë kalojnë nëpër më shumë intervista pune sesa burrat gjatë procesit për të siguruar një vend pune. Graë kanë raportuar se kanë kaluar nëpër 5 intervista gjatë pesë viteve të fundit në dallim me burrat që kanë kaluar nëpër tri sosh. Kjo tregon për vështirësi të dyfishuara për gratë.

Sipas studimeve që kryhen në universitet publike në Kosovë janë 41 mijë e 787 gra studente dhe 32 mijë 819 burra, referuar një shifre të publikuar nga instituti GAP. Pra, rreth 9 mijë studente më shumë sesa burra dhe prapë vetëm 12 përqind e grave punojnë. Rreth 80 përqind janë joaktive në punë. Diskriminimi ndodh që prej konkurseve ku nuk fshihet fare seksualizimi i punës. Për gratë kërkohen kritere shtesë në CV-të e tyre. Kërkohet dërgimi i obligueshëm i fotografisë dhe bëhen më shumë pyetje rreth jetës e planeve të tyre private, sidomos rreth planifikimit të shtatëzanisë. Kjo është e njëjtë sikur të dënohesh pse lind fëmijë.

Universiteti publik duhet të marr rol me studime e analiza poashtu edhe Avokati i Popullit duhet të organizojë seksione e informata se si e ku mund të paraqiten ankesa të kësaj natyre. Pra pa angazhimin e të gjithëve, nuk mund të kemi përparime dhe vajzat dhe gratë do të vazhdojnë të shtypen e diskriminohen në punësim. Këtë mund ta ofrojë vetëm një shtet zhvillimor me punë e pagë të dinjitetshe për gjithsecilën e gjithsecilin.

Kontribo

04 03 2019

Tuzi, shembulli që duhet ndjekur

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron subjektet politike shqiptare të bashkuara rreth koalicionit të përbashkët dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, për fitoren e rëndësishme të ditës së djeshme në Tuz. Në shpresojmë që vetëqeverisja në komunën e Tuzit do të përmirësojë jetën dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Tuzit, duke bërë që shqiptarët të rrisin mundësitë për veten dhe familjet e tyre në trevat e tyre historike, pa pasur nevojë për të kërkuar një jetë më të mirë larg vendlindjes.

Fitorja e mbrëmshme e koalicionit të subjekteve politike shqiptare në Tuz shpërndau rreze gëzimi e shprese tek të gjithë shqiptarët gjithandej. Ishte hera e parë që partitë shqiptare dolën me një listë të përbashkët, sepse nevojat dhe interesat e shqiptarëve janë të njëjta e të përbashkëta. Bashkimi mundësoi fitoren, ashtu siç pritej dhe siç duhej të ndodhte.

Shqiptarët në Mal të Zi po përballen për një kohë të gjatë me politika të vazhdueshme diskriminuese, shpërnguljes masive, varfëri e asimilim, si pasojë e mohimit të drejtave të tyre politike e kulturore. Pa edukim dhe arsimim në gjuhën shqipe, diskriminim në administratë e në punësime në institucione dhe me papunësi të gjerë. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet për qeverisje të mirë e të drejtë tash, pa privilegje e diskriminime sepse ajo e kuptimëson plotësisht fitoren dhe e afron edhe më shumë me qytetarin.
Fitorja e shqiptarëve në Tuz është një shembull i humbur në zgjedhjet e kaluara në Mal të Zi, por edhe një mësim që duhet ndjekur gjithnjë dhe në çdo palë zgjedhje, sepse bashkimi i potencialeve dhe kapaciteteve, është shumëfishim i mundësive për shqiptarët, kurse realizimi i të drejtave kolektive është rruga e vetme. Ndërsa, qeveritë shqiptare në Tiranë e Prishtinë duhet të braktisin shpërfilljen dhe të mbështesin aktivisht realizimin e të drejtave politike, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve.
Është e domosdoshme që qeveria zyrtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të ngrenë një strategji të përbashkët për të drejtat politike, sociale e kulturore të shqiptarëve atje, me kërkesa konkrete, me qëllim të garantimit që shqiptarët të kapërcejnë sforcimin për të mbajtur gjallë identitetin e tyre, në mundësi të zhvillimit dhe jetesës së dinjitetshme në trevat e tyre dhe duke pohuar me krenari identitetin e tyre shqiptar.

Kontribo

02 03 2019

Parulla denoncuese – gratë nuk mund të izolohen e përjashtohen

Situata e grave në vendin tonë, dallon prej situatës së gjithsecilit grup shoqëror dhe kjo për disa arsye. Së pari, ato nuk janë një shumë numerike lehtësisht e izolueshme, por përbëjnë gjysmën e popullsisë. Së dyti, roli i tyre në shoqërinë tonë është themelor dhe i pazëvendësueshëm. Dhe së treti, me gjithë rëndësinë që kanë për shoqërinë dhe jetën në këtë vend ato janë më të margjinalizuarat në rolet e tyre ekonomike e politike. Sot kemi gra amvise që punojnë e mbajnë një familje prej më shumë se pesë anëtaresh, e që për këtë punën të shumëfishtë, nga shteti fillojnë të kompensohet tek në moshën 65 vjeçare me një shumë simbolike, kjo është e papranueshme. Situata e grave është e dallueshme nga ajo e secilit grupi tjetër shoqëror edhe për një arsye që tek së fundi ka filluar të marrë më shumë vëmendje e që lidhet me dhunën që ushtrohet ndaj tyre. 1496 raste të viktimave të dhunës i kemi vetëm brenda një viti, e këtu sa e sa thirrje të tjera e raste të raportuara – thirrje të humbura që e lënë mbrapa atë shifër. Nga shteti dhe institucionet vendore përveç se nuk kemi ndonjë masë, kemi edhe përpjekje aktive për mbylljen e strehimoreve për gra, nën arsyetimin e disa faturave të energjisë apo ndonjë shërbimi tjetër. Pra, një faturë të pambarimtë për to. Kjo është e palejueshme. Në këtë situatë ku secili ka një peshë të veten, aktivistët dhe aktivistet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vendosën ta përcjellin një kumtim të vjetër, të shkruar nga njëra prej aktivisteve që e shtruan përvojën e parë të barazisë mes një transformimi shoqëror dhe politik – Roza Luksemburgu – që edhe tha “kush nuk lëvizë nuk i ndjenë prangat.” Po nuk lëvizëm bashkarisht, si burra ashtu edhe gra, drejt një situate ku ka më shumë barazi e drejtësi shoqërore, atëherë do ngecim për kohë të gjatë në këtë qetësi të prangave që nuk bëjnë zë – as për faturat që na ngarkohen, e as për borxhet që kemi.

Kontribo

01 03 2019

Nga pjesëmarrja në Samitin e Diasporës

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori sot pjesë si i ftuar në Samitin e Diasporës të organizuar në Tiranë. Deputetët Liburn Aliu dhe Fitore Pacolli, si dhe anëtarët e Kryesisë Hydajet Hyseni dhe Boiken Abazi, ndoqën sot panele të ndryshme diskutimi në lidhje me të drejtat e bashkatdhetarëve tanë dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrjen dhe jetën politike, ekonomike, institucionale e kulturore të atdheut.

Deputeti Liburn Aliu foli në këtë Samit edhe si panelist në diskutimin për të drejtën e votës. Ai theksoi se mbështetja e madhe ekonomike që aktualisht jep mërgata shqiptare është krejtësisht në shpërputhje me të drejtën e mohuar të votës. Në Kosovë, edhe pse ligji ekziston, vetë ligji dhe procedurat e zbatimit të tij krijojnë barriera të shumta që pengojnë përfshirjen e bashkatdhetarëve në zgjedhje. Është e qartë se shembujt e praktikave të mira nuk mungojnë, dhe këto barriera janë pasojë e vullnetit të munguar politik. Deputeti Aliu shpjegoi se edhe nëse realizohet e papenguar e drejta e votës, kjo do të ishte prap e pamjaftueshme. Mërgata do duhej të kishte ulëse të rezervuara në Kuvend, si dhe të gjitha çështjet që prekin mërgatën do duheshin trajtuar përmes strukturave të posaçme të aparatit shtetëror.

Përfaqësuesit e Lëvizjes do të vazhdojnë të qëndrojnë sot në këtë Samit për t’u takuar me bashkatdhetarët që kanë ardhur nga e gjithë bota.

 

Kontribo

01 03 2019

Marsi, muaji i angazhimeve të grave dhe vajzave në Lëvizje

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për mediat për të shënuar fillimin e muajit mars si muajin e angazhimeve, përkushtimeve dhe anëtarësive masive të grave në Lëvizje dhe përmes Lëvizjes në shoqërinë tonë. Në konferencë, përkrah Drejtueseve të Sekretariatit të Gruas nga Qendrat e Lëvizjes në Kosovë, foli Drejtuesja e përgjithshme e sekretariatit të Gruas, Nazlie Bala dhe Drejtuesja e Sekretariati të Gruas në Gjilan Arijeta Rexhepi.

Kosova ka ligje që garantojnë barazinë dhe dënojnë diskriminimin, por gjendja e grave i ngjan më shumë një gjendjeje të jashtëzakonshme sesa një gjendjeje normale ligjore. Ligjet nuk zbatohen jo për fajin e grave, por nga dështim i pushteteve dhe mungesa e brengosjes së tyre për të avancuar pozitën e grave dhe vajzave në shoqëri. Një shtet që nuk i mbron gratë është një shtet i dobët.

Lëvizja i bën thirrje grave dhe vajzave që të afrohen dhe të angazhohen në Lëvizje për ndryshimin e kësaj situate nga vetë gratë.

Aktivistja Nazlie Bala shprehu angazhimin e Lëvizjes për çështjen e gruas përgjatë këtij muaji duke thënë, “marsi shqiptar ka në vete domethënie të shumëfishtë. Demonstrata, protesta, marshe që e karakterizojnë këtë muaj ndër dekada. Marrë parasysh kontributin dhe angazhimin e grave në këto procese, Lëvizja Vetëvendosje dhe gratë që janë pjesë e saj, këtë muaj do të vazhdojnë me aktivitete që nuk ndalen në simbolikën e 8 marsit”.

Angazhimi i përditshëm për të drejtat e grave do të ketë një intensitet dhe dinamikë më të lartë përgjatë marsit me aktivitete të ndryshme si tryeza, vizita, konferenca, e aksione që do të adresojnë gjendjen dhe çështjet të cilat prekin drejtpërdrejt gratë dhe vajzat në Kosovë.

Bashkimi i grave është i domosdoshëm sepse përfshirja e tyre në sferën publike dhe avancimi i politikave feministe janë e vetmja rrugë për ta zgjeruar dhe intensifikuar demokracinë, barazinë dhe lirinë brenda shoqërisë tonë.

Lëvizja dhe Kosova nuk mund te kenë progres pa pjesëmarrjen dhe përfshirjen e grave, ndërsa me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre masive nuk do të jenë më të njëjtat. Nga kjo brengë, dëshirë dhe entuziasëm e shpallim muajin mars, muajin e anëtarësimit të grave dhe vajzave në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Pranvera shqiptare nuk vjen pa pjesëmarrjen e grave dhe vajzave ne Lëvizje, e pranvera vjen duke u bërë bashkë të gjitha ato që refuzojnë të nënshtrohen.

Kontribo

28 02 2019

E ardhmja e arsimit parauniversitar – mësimdhënia, tekstet, mjetet dhe infrastruktura shkollore

Cikël diskutimesh profesionale mbi 10 vitet e decentralizimit në arsimin parauniversitar

Vazhdon angazhimi për trajtimin sistematik të problemeve të arsimit parauniversitar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezën e katërt për arsimin parauniversitar me fokus mësimdhënien, tekstet, mjetet dhe infrastrukturën shkollore. Parashtrimin kryesor të çështjeve të kësaj tryeze e bëri Osman Buleshkaj.

Mësimdhënia në shkollat tona po zhvillohet më shumë spontanisht sesa me strategji dhe synime të qarta. Shumë struktura brenda shkollës si pedagogët dhe psikologët janë lënë në hije dhe struktura të tjera si koordinatorët e ndryshëm duken të jenë të tepërta. Drejtimi i shkollave ka mbetur më së shumti në vullnetin e drejtorëve, mbështetja e të cilëve për mësimdhënësit lë për të dëshiruar. Përgatitja dhe zhvillimi i mësimdhënësve do të duhej të ishin ngushtësisht të lidhur me vlerësimin e mësimdhënies dhe jo të mësimdhënësve. Mirëpo, inspektimi dhe vlerësimi i mësimdhënies është tepër i dobët dhe i paorganizuar mirë.

Sa i përket teksteve, edhe pse kemi një kurrikulë të re për mësim të integruar, ajo nuk është e përcjellur me tekste të reja drejtpërsëdrejti të lidhura me zbatimin e saj. Tekstet aktuale janë përgatitur në bazë të ligjit të vjetër për tekstet, i cili e pengon përgatitjen e teksteve të reja në disa aspekte, por edhe hapësirat e tij ligjore kanë mbetur të pashfrytëzuara. Ndërsa materialeve mësimore nuk trajtohen me të njëjtën procedurë si tekstet, nuk kontrollohen nga MASHT-i dhe Inspektoriati, nuk trajtohen si ndërlidhura me tekstet dhe zëri i mësimdhënësve nuk dëgjohet në përzgjedhjen e tyre. Po ashtu, nuk kemi platforma digjitale dhe tekste të digjitalizuara për shkollat tona.

Infrastruktura shkollore është një tjetër problematikë, e lidhur edhe me lëvizjet e brendshme të popullsisë, të cilat duhen patur parasysh për ndërtimin e objekteve të reja ose për riorganizimin e hapësirave ekzistuese.

Në përfundim të tryezës u nxorrën edhe rekomandimet e mëposhtme:

· Nevojitet një qasje sistemore në trajtimin e problematikave;

· Ligji i ri duhet të saktësojë procedurën e saktë të përgatitjes së një teksti shkollor, të parashohë pilotimin e tekstit dhe përfshirjen e atyre që e përdorin në përzgjedhjen e tij;

· Duhet monitoruar procesi i reformave në zbatim;

· Duhen standardet shtetërore për arsimin;

· Fakulteti i edukimit duhet të jetë i lidhur integralisht me arsimin parauniversitar;

· Ka nevojë të integrohet përmbajtje e kurrikulës së re në përgatitjen e mësuesve;

· Nevojitet monitorim, vlerësim dhe mbështetje shtetërore e procesit arsimor në të gjitha nivelet.

Në përfundim të këtij cikli që pati qëllimin e shqyrtimit profesional të gjendjes një dekadë pas decentralizimit të kompentencave në arsimin parauniversitar dolën një seri konkluzionesh të cilat janë të adresuara apo të anashkaluara nga niveli i lartë institucional.

Angazhimi vijon në seancën plenare ku do të mbahet Debati për Arsimin parauniversitar. Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! po përgatisin për secilën nga temat e trajtuara qëndrimet për këtë seancë.

Kontribo

28 02 2019

Përvjetori i betejës së Likoshanit dhe Çirezit

21 vite më parë, në Likoshan dhe Çirez të Drenicës, te vendi i quajtur “Të tre lisat” filloi edhe haptas lufta në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale shtetërore serbe. Për nder të këtij përvejetori, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes, ndër ta deputeti Rexhep Selimi, kryetari i Qendrës së Drenasit Shemsi Elezi, asambleistët. Florentina Elezi e Sokol Bylykbashi, delegati Enver Dugolli etj, kryen sot homazhe tek varrezat e këtyre dëshmorëve e heronjve. Beteja e Likoshanit dhe Çirezit shënon një betejë të rëndëishme të luftës çlirimtare. Humbjet e forcave kriminale serbe ishin aq të mëdha, sa ata u tërhoqën për t’i rrethuar më pas ato fshatra me artilerinë më të rëndë që kishin, me tankse e helikopter. 24 civilë të pafajshëm u vranë nga forcat serbe, prej të cilëve 11 anëtarë vetëm nga famlja Ahmeti. Ky fillim i luftës, me krime monstruoze ndaj civilëve të pafajshëm, sa e tregoi armikun aq edhe i jehoi domosdoshmërisë së luftës çlirimtare ndaj tij. Sa e qepi uniformën e çlirimit në përplotë trupa të djemve e vajzave aq edhe më shumë e vuri në qarkullim atë drejt lirisë. Lavdi e përjetshme për dëshmorët e heronjtë e këtij vendi.

Kontribo

27 02 2019

Takim me Mark Gjonajn dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare në ShBA

Në Selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë u prit një delegacion me përfaqësues të politikës, biznesit, medias dhe shoqërisë civile nga mërgata shqiptare në ShBA, i udhëhequr nga z. Mark Gjonaj, i cili ka qenë përfaqësues i Asamblesë së Shtetit të New York-ut dhe është aktualisht Këshilltar i Komunës së Qytetit të New York-ut. Delegacioni nga mërgata u prit nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, bashkë me deputetët Liburn Aliu dhe Fitore Pacolli, si dhe Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimemedi, dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi.

Glauk Konjufca theksoi në këtë takim rolin vendimtar të shqiptarëve në ShBA për çlirimin e Kosovës, nga përfshirja e drejtpërdrejt në radhët e UÇK-së, duke rënë dëshmorë për liri, e deri te ndihma materiale dhe avokimi e lobimi në ShBA. Ai shprehu mirënjohjen e thellë të Lëvizjes për gjithë kontributin që ka dhënë e vazhdon të japë mërgata shqiptare për zhvillimin dhe përparimin e atdheut. Më tej, ai shpjegoi situatën e rëndë socio-ekonimike në Kosovë, si dhe shkaqet e kësaj situate, të lidhura me politika e politikanë që kanë ndikuar shumë negativisht në rëndimin e situatës. Konjufca gjithashtu theksoi kundërshtimin e Lëvizjes ndaj çdo plani për copëtimin e territorit të Kosovës.

Ishte e lehtë të gjendej gjuha e përbashkët me delegacionin e mërgatës nga SHBA-ja, pasi në fjalën e tij z. Gjonaj theksoi të parën rëndësinë jetike të çështjes shqiptare, dhe gatishmërinë e mërgatës për të kontribuar maksimalisht për çështjen kombëtare. Ai foli për nevojën e madhe që ka mërgata shqiptare për lidership nga dy shtetet shqiptare në rrugën drejt zgjidhjes së çështjes kombëtare.

Përfaqësuesit e Lëvizjes gjithashtu folën për “Projekt-Ligjin për Diasporën” dhe mangësitë e tij, si dhe për faktin se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, 71% e votave nga mërgata ka qenë për Lëvizjen, fakt ky që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si Qeveria e ka zvarritur lehtësimin e procedurave të votimit për bashkatdhetarët.

Të gjithë u dakorduan se kemi para shumë punë për të bërë, dhe se duhen intensifikuar dhe koordinuar sa më shumë përpjekjet për të realizuar zhvillimin e kombit dhe aspiratën historike të shqiptarëve për bashkim.

 

Kontribo

26 02 2019

SHKOLLIMI PROFESIONAL – MUNDËSITË QË NUK PO SHFRYTËZOHEN

Në ambientet e Kuvendit, Komiteti për Arsim dhe Shkencë mbajti sot tryezën e tretë të ciklit të tryezave profesisionale.

Temat kryesore lidheshin me arsimin professional dhe orientimin në karrierë, problematikat dhe propozimet për avancimi e këtij sektori arsimor.

Parashtrimin kryesor të temës e mbajti drejtori i EdGuard Institute, Rinor Qehaja, përfaqësuesit e institucioneve të arsimit, profesinistët dhe përfaqësues të donatorëve të kësaj fushe shpalosën sugjerimet, analizën por edhe në një masë të madhe kritikën për shkollimin profesional dhe këshillimin në karrierë.

Ky sektor i arsimit vuan nga numri i vogël i shkollave, cilësia e tyre e dobët, mungesa e koordinimit dhe e politikave për punën e tyre dhe mbështetja e vogël shtetërore.

Ka një rritje të nxënësve që zgjedhin shkollimin profesional, por ky shkollim nuk është në lartësinë e ëndrrave të tyre. Vërehen mungesa të investimeve në infrastrukturën shkollore, përqendrimi i buxhetit kryesisht vetëm për paga dhe po ashtu një masë e madhe e mësimdhënësve të papërgatitur sa duhet për të dhënë mësim.

Për sa i përket procesit të decentralizimit, për një shtet të vogël që nuk mban përgjegjësi dhe nuk jep mbështetjen e domosdoshme institucionale, decentralizimi është i pamundur.

Po ashtu, ndërlidhja e shkollimit profesional me tregun e punës është tepër e dobët për t’u konsideruar ndërlidhje. Investimet në shkolla profesionale kanë ardhur kryesisht vetëm nga donatorë të huaj pa politika qeveritare orientuese. Nga ana tjetër, tregu ende nuk ka kapacitete që shumë profile profesionale të mundet t’i përbrendësojë me vende pune. Tregu në Kosovë njihet për biznese jo stabël, që e vështirësojnë planifikimin e ndërlidhjes me arsimin. Megjithatë, edhe bizneset nga ana e tyre, të pavetëdijësuar mjaftueshëm për rëndësinë e arsimit profesional, ankohen për profile jo stabile nga shkollat.

Ne jemi të angazhuar për të përgatitur politika për shkollimin profesional të cilat e zgjerojnë fokusin për këtë sektor, i specifikojnë kompetencat e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tij, përqendrohen në garantimin e standardeve dhe jo mbylljen e shkollave, apelojnë biznesin me praktika dhe trajnime që të ndihmojnë në zhvillimin e këtij arsimi dhe ngrenë qendra për këshillimin e rinisë tonë. Politikat tona të arsimit profesional i mendojmë si pjesë të një bote me profesione fleksibël dhe punëtorë polivalentë.

Kontribo

26 02 2019

Urime Ditëlindja Astrit!

Urime Ditëlindja Astrit! Sot të erdhëm me një ritëm të ngadaltë. Padrejtësia po na rëndon, po forcën tënde ende e ndjejmë si dorë në shpinën tonë, kur ecim e shohim rrugicës, lagjes, qytetit – të varfrin, të shtypurin e qytetarin në nevojë.

Kontribo

26 02 2019

Homazhe te varri i Adem Demaçit

Me rastin e 83 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, në kujtim e në nderim të atdhetarit e veprimtarit shembull të çështjes kombëtare, të burgosurit politikë, shkrimtarit e humanistit, simbolit të rezistencës, sot deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë homazhe pranë varrit të tij. Adem Demaçi lartësoi si askush tjetër virtytet e tiparet e veprimtarit të përhershëm, të pathyer e të palëkundur në të drejtën e popullit të tij, që nuk reshti deri në frymën e fundit së angazhuari për kombin e vendin. Atdhedashuria e Adem Demaçit do të mbetet gjithnjë në zemrat dhe shpirtin tonë, kurse vendosmëria e paepur ndaj kombit dhe atdheut është qartësim i rrugës që duhet ndjekur sot e gjithnjë!

Kontribo

25 02 2019

Të zbatohet plotësisht tarifa ndaj mallrave të Serbisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me moszbatimin e plotë të  tarifës prej 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja tash kur janë bërë tre muaj nga vendosja e kësaj mase.

Deputeti i Lëvizjes, Salih Zyba foli për lëshimet në zbatimin e këtij vendimi duke bërë që mallrat nga Serbia të jenë shumë prezente në treg dhe për të cilën gjë Qeveria nuk ka shpjegim ndërsa Ministria e Financave nuk është në nivel të përgjegjësisë.

“Presidenti Thaçi, nga partia e të cilit vjen Minisitri i Financave aktual që do të duhej me mekanizmat e tij institucional të luftojë kontrabandën, në mënyrë cinike na thotë se është rritur kontrabanda në veri. Pra, kemi një deklaratë që është denoncim shtetëror apo pranim i kolapsimit shtetëror. Presidenti i një vendi thotë se kontrabanda me Serbinë është rritur. Kjo i bjen që ai pranon se ka pasur gjithmonë dhe kohët e fundit veçse është rritur”, tha Salih Zyba.

Ai po ashtu deklaroi se Presidentit kontrabanda po i pengon pikërisht në kohën kur ai dhe partia nga ai vjen po kërkojnë pezullimin e tarifës 100% ndaj Serbisë. Sepse s’e kemi dëgjuar asnjëherë më parë këtë konkluzion denoncues nga ai. As kur ka qenë kryeministër.

Sipas linjës së përgjegjësive në këtë mes janë përgjegjës Ministria e Financave dhe institucionet në varësi si Doganat dhe Antikontrabanda. Përgjegjëse po ashtu është Ministria e Punëve të Brendshme me Policinë e Kosovës, Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Antikontrabanda. Ndërkaq sa i takon tregut të brendshëm në Kosovë brengosës është edhe mosreagimi i Ministrit të Tregtisë. Ka manovra të shumta me flamujt e vendosur që nuk përkojnë me vendet e origjinës siç e kërkon udhëzimi administrativ. Por për këto shkelje ka pak gjoba e konfiskime malli. Nuk ka fushatë për të vetëdijësuar qytetarët për rëndësinë e kujdesit dhe mos konsumit të këtyre produkteve.

Nëse çdo ditë bëhet thirrje për heqjen apo pezullimin e taksës prej Presidentit te kryetari i Kuvendit e te ekipi negociator si mund të presim që zyrtarët që përballen me kontrabandën “me letra” dhe atë totalisht ilegale do t’i qëndrojnë presionit nga grupet financiare e jo rrallë herë dhe kriminale?

Lëvizja VETËVENDOSJE! megjithëse e cilëson si të pamjaftueshme këtë tarifë kërkon zbatimin e plotë të këtij vendimi, ndërkaq në lidhje me kontrabandën dhe keqpërdorimet me produktet të cilat kanë taksën prej 100% ditëve në vijim do të dorëzoj kërkesën për interpelancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

Kontribo

24 02 2019

KUNDËR SHKATËRRIMIT TË LUMBARDHIT

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencën për median në Pejë mbi ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh. Në konferencë folën nënkryetarja Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe anëtari i Kryesisë në Pejë Taulant Kelmendi.
Komisioni ndërministror për investime strategjike ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh. Një projekt i cili nuk i plotëson kushtet mjedisore dhe është shkatërrues për ambientin tashmë cilësohet si investim strategjik. Ky vendim është marrë në kundërshtim me planin zhvillimor komunal, i cili i ndalon ndërtimet e HEC-eve në zonë, pikërisht nga degradimi që ka ndodhur në komunën e Deçanit nga i njëjti investitor. Më parë, edhe Ministria e Ambientit e ka dekurajuar ndërtimin në këtë zonë.

Projekti ka filluar në 18 tetor 2013 në një marrëveshje mes komunës dhe kompanisë Kelkos Energy për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milion euro. Ndërsa vetë kompania në regjistrimin e saj figuron me vetëm një punëtor dhe një mijë euro kapital. Plani zhvillimor komunal e ka ndaluar projektin deri në vitin 2016 kur zyra e rregullatorit të energjisë ka pranuar kërkesën e kompanisë për gjenerimin e energjisë.
Synimi i kompanisë dhe i bashkëpunëtorëve të tyre në institucionet përkatëse publike është që projekti të kalojë heshturazi, pa kundërshti dhe pa njoftimin e qytetarëve. Këtë gjë nuk po e lejojnë qytetarët e Pejës të cilët ditën e nesërme organizojnë një protestë kundër këtij projekti.

Ne jemi për energji alternative, por jo në kurriz të shkatërrimit të natyrës. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! e mbështet protestën e qytetarëve të Pejës, i bashkohet asaj dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Pejës që të bëhemi bashkë kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti.

Kontribo