24 12 2018

Gëzuar Krishtlindjen!

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë besimtarët dhe shqiptarët e krishterë kudo që ndodhen për festën e Krishtlindjes!

Si ngjarje e triumfit të dashurisë, së mirës, sakrificës dhe bashkëndjesisë për njëri-tjetrin dhe nevojtarët, Kërshëndellat na kujtojnë rëndësinë e angazhimit me dashuri dhe vendosmëri për drejtësi, barazi e mirëqenie.

Barazia e mirëqenia, drejtësia e dinjiteti janë edhe të merituara edhe të arritshme kudo dhe për të gjithë. Përpjekjet e pareshtura janë rruga drejt tyre dhe për to, shtrëngimi i duarve me ata që kanë nevojë dhe ndërmjet vetë nevojtarëve është shtegu jonë i përbashkët.

Historia është e mbushur me ngjarje që frymëzojnë devotshmëri dhe idealizëm, që na udhëzojnë si dje, si sot, ashtu edhe nesër, si fije të lidhura fort në mes të shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes drejt një shoqërie, vendi dhe bote më të mirë.

Tradita jonë kombëtare i ka bërë bashkë besimet e ndryshme, për një vend e shoqëri të drejtë, të barabartë dhe të jetueshme për të gjithë.

Gëzuar Krishtlindjen!

Kontribo

24 12 2018

Letra e përbashkët e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca

Sot, pranë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, u dorëzua për dijeninë e Ambasadores Nataliya Apostolova, letra e përbashkët e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca. Letra i drejtohet Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisionerit Johannes Hahn. Përmbajtja e plotë e kësaj letre është vendosur në vijim në gjuhën shqipe dhe atë angleze:

Shkelqësija e saj, Znj. Federica Mogherini
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politka të Sigurisë,

Komisioneri Johannes Hahn
Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit
Prishtinë,

24 dhjetor 2018

LËNDA: Zhvillimet lidhur me dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

Të nderuara Shkelqësi,

Kemi ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet e fundit dhe komunikimin tuaj zyrtar dhe publik në lidhje me dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ju lutemi të keni parasysh se ne përfaqësojmë dy partitë më të mëdha Opozitare në Parlamentin e Republikës së Kosovës, me 44 deputetë. Fuqia jonë e votës, bazuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, në qershor të vitit 2017, përbën mbi 50 përqind të votave të përgjithshme të elektoratit. Kjo mbështetje masive e qytetarëve për dy partitë tona politike është rikonfirmuar vazhdimisht, dhe është në rritje e sipër, sipas një sërë sondazhesh të opinionit publik që janë zhvilluar gjatë këtij viti.

Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë në vijim: “Me vendosjen e ekipit të unitetit me një mbështetje të gjërë nga partitë në qeveri dhe në opozitë…”. Ju lutemi të keni parasysh se ne, Opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë “ekip të unitetit” të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka “mbështetje të gjerë” për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj. Kemi detyrimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, për ta nxjerr në pah këtë realitet.

Ne mbetemi të përkushtuar për të zgjidhur të gjitha çështjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut, sipas letrës tonë të dërguar më 12 shtator 2018. Jemi shumë të interesuar për një dialog mes dy vendeve tona që largohet prej paqartësisë dhe shkon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke nënkuptuar njohjen reciproke.

Kemi besimin se ju dhe institucionet e BE-së do t’i merrni parasysh shpjegimet tona, dhe mirëpresim forcimin e bashkëpunimit tonë në dobi të integrimit të mëtejshëm të Republikës së Kosovës në BE.

Sinqerisht,

Avdullah Hoti
Kryetar i Grupit Parlamentar
Lidhja Demokratike e Kosovës

Glauk Konjufca
Kryetar i Grupit Parlamentar
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

23 12 2018

Mbledhja e XXXV e Këshillit të Përgjithshëm

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e XXXV-të. Kryetari Albin Kurti pos diskutimit mbi situatën politike ka folur edhe për punën e organizatës sonë gjatë këtij viti. Kurse, sekretarja Organizative Vlora Haxhimehmedi ka prezantuar raportin e punës së qendrave por edhe të Sekretariatit të Përgjjthshëm.

“Gjatë vitit 2018, deri më sot, ne i kemi patur 5.120 anëtarësime të reja. Nuk ka asnjë vit prej se jemi themeluar me kaq shumë anëtarësime brenda vitit. Dhe, pasi i kemi përditësuar e pastruar listat, sot ne i kemi mbi 36.500 anëtarë gjithsej, duke qenë një prej organizatave politike më të fuqishme jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Sigurisht, suksesi nuk ka qenë vetëm tek anëtarësimet, por edhe te strukturimi i brendshëm. Gjatë këtij viti ne i kemi bërë edhe 146 pika të reja, pra jemi shtrirë edhe në 146 lagje qytetesh apo fshatra anembanë komunave të Kosovës ku më përpara nuk kemi patur strukturë”, ka thënë kryetari Kurti.

Këtë herë, Këshilli i Përgjithshëm ka pasur brenda objektit ku mbahej mbledhja, edhe çerdhen për fëmijët e vegjël të delegateve e delegatëve. Kjo është organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm dhe bëhet me qëllim që t’u lehtësohet pjesëmarrja, sidomos grave delegate.

Gjatë mbledhjes janë miratuar edhe tri rezoluta të cilat do të publikohen në tri ditët e ardhshme.

Kontribo

23 12 2018

Bisedim me bashkëatdhetarët tanë në New York

Në vazhdën e bashkëbisedimeve me bashkatdhetarët, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari, Albin Kurti, së bashku me Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe Koordinatorin e Sekretariateve, Kreshnik Ahmetin, patën një takim virtual me anëtarët tanë në New York, ShBA.

Bashkëbisedimi u bë pas anëtarësimeve te dhjetëra bashkatdhetarëve të rinjë në New York, me synim të zgjerimit të organizatës sonë edhe në ShBA.

Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi, shpjegoi rëndësinë e organizimit të shqiptarëve edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo tregoi përvojën e dëri tanishme me organizimin e strukturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në shtete të ndryshme të Evropës, organizim i cili së shpejti pritet të realizohet edhe në ShBA. Shpjegime të mëtutjshme për formën e organizimit të Sekretariatit të Përgjithshëm dhe Sekretariateve të Qendrave dha Koordinatori i Sekretariatit të Përgjithshëm, Kreshnik Ahmeti.

Takimi vazhdoi me prezantimin e situatës politike nga Kryetari, Albin Kurti. Ai theksoi rëndësinë historike dhe aktuale të mërgatës shqiptare për dy shtetet shqiptare dhe kombin tonë në përgjithësi. Kryetari Kurti u përqendrua tek zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun me Serbinë, veçanërisht tek aventurat personale të Presidentit Thaçi dhe tek propozimi i “Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse” të Kryeministrit Haradinaj. Ai theksoi se para çdo dialogu të ardhshëm me Serbinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet që së pari të shqyrtoj dhe vlerësoj dialogun e deritanishëm 6 vjeçar, hapi i dytë do të duhej të ishte caktimi i qëllimeve të Republikës sonë nga ky dialog dhe përcaktimi i kërkesave që do të duhej t’i drejtoheshin Serbisë, si hap i tretë do të duhej të caktohej platforma me parime për bisedimet me Serbinë, e si hap i fundit do të duhej të caktohej ekipi negociator gjithëpërfshirës dhe me legjitimitet nga Kuvendi. Përderisa këto hapa nuk po mirren parasysh nga Presidenti e Qeveria aktuale, Kryetari Kurti theksoi rëndësinë e kundërshtimit të procesit aktual të dialogut me Serbinë, i cili po rezulton në përparimin e Serbisë drejt BE-së, e në ndarjen e defunksionalizimin e Republikës së Kosovës. Në vazhdën e këtij kundërshtimi, ai përmendi edhe bashkëpunimin aktual me një pjesë të opozitës për ndaljen e dialogut aktual dhe shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Bashkatdhetarët u shprehën të brengosur me situatën aktuale politike dhe ekonomike të Kosovës. Ata shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e zhvillimit ekonomik e korrupsionin në njërën anë dhe skandalet e politikës së jashtme e dialogun e dëmshëm me Serbinë të cilit po i prinë Presidenti i Kosovës dhe të cilit tani i është bashkuar edhe Qeveria me një pjesë të opozitës në Kuvend. Por, ata treguan gatishmërinë e tyre për të punuar për shtrirjen e organizatës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe në New York dhe në shtetet e tjera të ShBA-ve, për të u përballur së bashku kundër këtyre proceseve të dëmshme.

Në fund u pajtuam që t’i vazhdojmë takimet tona në shërbim të organizimit sa më të mirë të shqiptarëve në ShBA dhe në shtrirjen sa më të gjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! atje.

Kontribo

22 12 2018

Gjendja e përkeqësuar e arsimit në vitin 2018

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë fundviti për media mbi gjendjen e arsimit në Kosovë për vitin 2018. Në konferencë folën dy deputetët e Lëvizjes, njëherazi edhe anëtarë të komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi dhe Arbërie Nagavci. Gjendja në arsim është po aq e rëndë sa dy vite më parë, kur në janar të vitit 2017 u miratua rezoluta e iniciuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! e cila e shpallte arsimin prioritet kombëtar për shkak të gjendjes së tij.

Deputeti Ismajl Kurteshi listoi problematikat e cilësisë së ulët të arsimit për të gjitha nivelet. Në Kosovë vazhdon mësimi me tre ndërrime dhe me mungesë laboratorësh e mjetesh të tjera të punës në shumë shkolla. Ndikimi i partive politike dhe vendosja e jashtëligjshme e drejtorëve pa kualifikim adekuat janë mëse të pranishme.

Po ashtu, tekstet shkollore të importuara nga Serbia për nxënësit e komunitetit serb janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ku përveç të tjerash mbjellin urrejtje nacionale, por askush nuk merret me këtë problem. Një tjetër problematikë e rëndë në arsim që nuk po trajtohet seriozisht është edhe përdorimi i lëndëve narkotike në shkolla.

Për sa i përket arsimit të lartë, deputeti Kurteshi përmendi faktin se asnjëri nga universitetet rajonale publike nuk i ka plotësuar standardet për akreditim. Në kolegje private gjendja është edhe më e rëndë me pranimet e tepërta të studentëve, pranimet në programe të pa akredituara, mosrespektimin e afateve të regjistrimit, mosregjistrimet në librat e amzës, etj. Ndërsa sa i përket monitorimit të IAL-ve, Agjencia Kosovare e Akreditimit ka kapitulluar duke thënë se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për përcjelljen e punës së institucioneve të akredituara.

Deputetja Nagavci duke përmenduar rezultatet e testit PISA dhe të indeksit të ri të kapitalit human tregoi se nxënësit e Kosovës për 13 vite shkollim marrin njohuri ekuivalente me vetëm rreth 7 vite. 5 vite shkollim humbasin dhe rrjedhin nga 13 vite për shkak të problemeve të sistemit tonë arsimor. Një 15 vjeçar i Kosovës është 6 vite mbrapa një moshatari të tij nga Singapori.

Po ashtu, deputetja Nagavci përmendi shkarkimin e KSHC të Agjencisë së Kosovës për Akreditim duke thënë, “vendim ky i marrë me kërkesën e Kryeministrit Haradinaj, gjë që çoi deri te përjashtimi i Agjensinë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke dëmtuar kështu arsimin e lartë për shkak të betejave krejtësisht partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit”.

Përkushtimi për përmirësimin e cilësisë nuk shihet as tek Projektligji për buxhetin. Shpenzimet kapitale në arsimin parauniversitar vazhdojnë të dominohen nga shpenzimet për ndërtimin dhe renovimin e shkollave, me investime të papërfillshme në cilësinë e arsimit. Buxheti nuk ka prioritet investimin në institucionet e edukimit të fëmijërisë së hershme. Nga Projektbuxheti, ku planifikohen 69 milionë euro per MASHT, vetëm 27 milionë drejtohen për arsimin e lartë duke lënë një shumë të papërfillshme për hulumtimin shkencor dhe projektet zhvillimore.

Me këtë trend të politikbërjes për arsimin, viti 2019 dhe vitet në vazhdim janë ogurzeza për fëmijët dhe të ardhmen tonë. Kjo qeveri është e verbuar dhe e burgosur nga përfitimet e të tashmes dhe e ka të pamundur të mendoj për të ardhmen e rinisë dhe të arsimit.

Kontribo

22 12 2018

Dardanë: Fitorja e LV-së është e pashmangshme

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Dardanë, në një sallë të madhe e të mbushur plot me mbështetës e simpatizantë të LV-së ka mbajtur një takim ku është diskutuar gjatë mbi situatën politike në nivel vendi dhe për atëlokale.

Kryetari Albin Kurti i cili ishte i pranishëm në këtë takim në Dardanë, gjatë fjalimit të tij tha se të gjithë ata që kanë besuar se LV-në mund ta ndalin apo ta dëmtojnë parikuperueshëm kanë gabuar. Populli shqiptar kurrë nuk e ka lënë veten pa Lëvizje. E në shekullin 21, është Lëvizja VETËVENDOSJE!

“LV po kalon ditët e veta më të mira sa i përket fuqisë së saj si lëvizje e si organizatë. I kemi kaluar 36 mijë anëtarë dhe jemi mbi 5 mijë e 200 anëtarë vetëm në vitin 2018. Asnjë vit prej se jemi themeluar nuk kemi pasur anëtarë më shumë sesa këtë vit”. Pos gëzimit, ky fakt na bën edhe më përgjegjës.

Ndëkaq duke folur për qeverisjen tha se nuk ka pasur asnjëherë qeveri me më shumë skandale se kjo. Zhvatja e buxhetit të Kosovës është shoqëruar me cenimin e shtetësisë dhe rrudhje të territorit.

Kurse, kryetari i Qendrës atje, Bajram Mavriqi tha se atë të cilin e bëmë kryetar të qytetit i tradhtoi qytetarët. Më tutje, ai tha se linja që ndoqi është sot patericë e nivelit qendror që për funksion kryesor e ka fuqizimin e Thaçit në dialogun me Serbinë.

Atmosfera e takimit ka vazhduar me pyetje e diskutime prej qytetarëve të pranishëm në takim. Kurse, një konstatim tjetër i Kryetarit Kurti ka qenë se zgjedhjet në 2019 janë të pashmangshme ashtu siç është fitorja e LV-së.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe mbi 50 veta nga mërgata të cilët po qëndrojnë në Kosovë

Kontribo

21 12 2018

Tregtia me KQZ – Thaçi po e shkel Kushtetutën për t’i shpërblyer partnerët në dialog

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me shkeljet kushtetuese që Presidenti Thaçi po i bën që një vit e gjysmë duke mos emëruar anëtarët e KQZ sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes dhe deputeti Xhelal Sveçla duke folur për Komisioni Qendror të Zgjedhjeve si organ i rëndësishëm kushtetues dhe i pavarur, ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e të cilit është parakusht për garantimin e paanshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve, foli për degradimin dhe kapjen që Presidenti po i bën këtij institucioni, mirëpo tash edhe me bashkëpunëtorët e tij negociatorë, jo vetëm PDK, kryetar i së cilës ishte, por edhe me AAK-në, NISMA-n dhe PSD-në.

“Përbërja dhe funksionet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të shihen nga këndvështrimi i ndikimit në integritetin e zgjedhjeve, besueshmërinë e paanshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërtimit të konsolidimit të demokracisë nëpërmjet garës elektorale të subjekteve politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe që kanë qenë të çertifikuara nga ana e KQZ-së në zgjedhjet e fundit. Kjo është norma dhe fryma që mbartë Kushtetuta e Republikës, e veçmas e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Andaj, çfarëdo cenimi i integritetit të KQZ-së, siç po bënë Presidenti Thaçi, është cenim i demokracisë e shkelje e rëndë e ligjit dhe e Kushtetutës së Republikës”, tha Xhelal Sveçla.

Ai po ashtu foli edhe për ligjin për zgjedhjet që thekson qartë se“Mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend”. Pra mandatet në KQZ nuk kanë të bëjnë me Kuvendin, por direkt me rezultatin e zgjedhjeve. Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 koalicioni PAN do të duhet të ketë 2 anëtarë, Lëvizja VETËVENDOSJE! 2 anëtarë dhe koalicioni LAA dy anëtarë.

Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe procedurat dhe kushtet e emërimit të anëtarëve të KQZ-së të cilat janë të qarta.

“Sipas Kushtetutës, grupi më i madh parlamentar duhet te konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë më shumë vende në Kuvend, në kuptim të nenit 64 (1) të Kushtetutës, se çdo tjetër parti, koalicion, iniciativë qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë marrë pjesë si të tillë në zgjedhje…”, tha ajo duke cituar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Hashim Thaçi nuk mund ta përdorë zyrën e Presidentit, për t’ia mohuar opozitës përfaqësimin që ua ka dhënë votuesi në zgjedhje, e ia garanton Kushtetuta, ligji, por edhe standardet ndërkombëtare.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për zgjedhje, sot do të dorëzojë tek presidenti dy nominime për anëtarë të KQZ-së, Adnan Rrustemin, anëtarin e deritanishëm të KQZ-së nga Lëvizja dhe Nazlie Balen. VETËVENDOSJE! kërkon nga Presidenti që sa më parë të konfirmojë dy anëtarët e propozuar të KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! në këtë mandat dhe të tërhiqet nga skenarët e tij për të tregtuar përbërjen e KQZ-së. Çfarëdo vendimi tjetër përveç atij që na garanton Kushtetuta, ligji për zgjedhjet dhe rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, do të jetë i papranueshëm dhe do të kontestohet në të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese.

Kontribo

21 12 2018

Në projektbuxhetin 2019 nuk përfshihet rritja e pagave për punëtorët shëndetësisë

Qeveria e Kosovës, Kryeministri dhe ministri Shëndetësisë ia kanë rritur pagat 100% vetes para një viti. Edhe pse disa herë kanë premtuar se do të marrin parasysh rritjen e pagave për sektorin e shëndetësisë, pra mjekët e punëtorët shëndetësor në tërësi ende sot nuk ka asnjë shenjë në atë drejtim.

Edhe në projektligjin për paga mjekët specialistë, farmacistët, infermierët dhe mjekët familjarë ishin vendosur tepër ultë në hierarkinë e pagave të punëtorëve në sektorin publik.

Me iniciativë të deputetëve, edhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u dërgua amendament për t’i rritur koeficientët për ta.

Por në Projektbuxhetin 2019 i cili është katandisur si libri i pagave të qeveritarëve, e jo i qytetarëve e profesionistëve të Kosovës në sektorin publik, nuk është përfshirë asnjë rritje pagash për sektorin e shëndetësisë.

Është alarmante që në vendin tonë një këshilltar i ministrit apo i kryeministrit apo një zëvendës ministër të paguhet disa herë më shumë se një kirurg.

Këto ditë është duke u zhvilluar grevë në klinikat e kirugjisë në Qendrën Klinike Universitare. Sot janë në ditën e pestë të kësaj greve, ku si pasojë nuk po kryhet asnjë operacion përveç rasteve urgjente dhe ambulancat specialistike po ashtu nuk po japin shërbime.

Kërkesat e tyre jo vetëm që janë të drejta por janë minimale. Jo vetëm rritja e pagës për ta por edhe rregullimi imediat i kushteve të punës në sallat e operacioneve është urgjent.

Teksa planifikohet që për zyrat e Kryeministrit, 750 mijë eurosh, dhe ndërtim të ndërtesës së Zyrës së Presidentit prej gjysmë milioni eurove.

E ndërsa pagat e mëditje te Zyra e Presidentit dhe Kryeministrit në vlerë prej 5.9 milionë euro, si dhe 12.6 milionë euro të dedikuara për mallra dhe shërbime.

Mbështësim grevën e qëndrimin e kirurgëve. Po ashtu mbështesim grevën e punëtorëve të shëndetësisë, të organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

Bëjmë thirrje për solidarizim edhe të punëtorëve të tjerë të sektorit publik.

Një qeveri e papërgjeshme nuk zmbrapset pa presionin shoqëror.

Komiteti për Shëndetësi
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 12 2018

Kriza mjedisore – qeveria pa plan, pa buxhet, pa zgjidhje

E drejta për ajër të pastër është e drejtë themelore e qytetarëve tanë. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë kompromis me këtë çështje.

Nën këtë frymë Grupi parlamentar i Lëvizjes së bashku me deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot në Kuvend mbajtën një debat mbi krizën mjedisore në vend. Tema ishte e fokusuar në ndotjen e ajrit. Anipse prej 1 shkurtit është miratuar rezoluta për masa imediate, sot ende nuk kemi asnjë rezultat. Po ashtu, asnjë veprim serioz nuk pritet nga planet e qeverisë për vitin 2019. Në tryezë ishin të ftuar profesorë, studiues, ekspertë mjedisor dhe organizata të shoqërisë civile.

Kriza mjedisore është emergjencë lokale, kombëtare dhe globale. Raporti me mjedisin po na shtyn si njerëzim të rikonsiderojmë të gjitha presupozimet e marra si të mirëqena deri tani mbi zhvillimin ekonomik, politikbërjen dhe të ardhmen tonë.

Në rajonin e Prishtinës, një ditë më parë ndotja e ajrit arriti nivelin e fundit, atë helmues. Aspak më mirë nuk qëndron situata në rajonin e Drenicës për shkak të Ferronikelti dhe në atë të Hanit të Elezit për shkak të Sharr Cemit.

Ndotjes i ka dhënë ndihmesë të madhe edhe mënyra e qeverisjes. Mungojnë investimet serioze për sistemet e ngrohjes. Termokosi mbulon pak lagje në Prishtinë dhe zgjerimi i shtrirjes së tij po ecën tepër ngadalë. Çmimi i energjisë është rritur 4 herë nga KEDS-i, që prej privatizimit të vitit 2013. Rritja e çmimit të energjisë e ka nxitur edhe më tepër përdorimin e lëndeve të tjera si qymyri për ngrohje shtëpiake. Industritë prodhuese private dhe publike nuk mbikqyren dhe as nuk ndëshkohen për efektet e tyre të dëmshme dhe të papërgjegjshme mjedisore. Ndërsa për zonat e rrezikuara nga shpyllëzimi nuk ka ndonjë projekt ambicioz për krijimin e brezave të gjelbërt.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti midis të tjerash në fjalën e tij tha se po të shihet planifikimi buxhetor për 2019 të krijohet përshtypja se Kosova nuk ka fare probleme mjedisore.

Mungesa e matjeve dhe e analizave të përhershme për nivelin e krizës mjedisore, ndonëse ka matje e studime të pjesëshme, e bën edhe më të komplikuar situatën.

Diskutimi përgjatë tryezës shtroi problemin e mungesës së implementimit të pikave të miratuara në rezolutën e vitit të kaluar për krizën mjedisore.

Po ashtu, u përmend fakti se në rastin e Prishtinës, futja e autobusëve të rinj nuk e ka ndryshuar ndotjen e ajrit. Plani i mobilitetit urban të Prishtinë duhet të planifikojë një infrastrukturë të posaçme për autobusët me ndotje të vogël, në mënyrë që qytetarët ta shohin të natyrshëm përdorimin e transportit publik.

Profesionistët e profileve të ndryshme nuk e kursyen as kritikën për institucionet të mbrojtjes mjedisore. Përgjegjësit për mjedisin janë të padukshëm dhe vuajnë nga tepria e korrupsionit, mungesa e kompetencës, mungesa e një vizioni strategjik. Jeta pa ndotje për ta është rrëfim i konferencave jashtë vendit, jo detyrë e panegociueshme e punës së përditshme.

Propozimet për zgjidhjen e krizës tonë mjedisore variojnë dhe disa sosh janë: izolimi i ndërtesave publike; investime në energji diellore dhe në erë; ndërprerje e liçensave për futjen e ujrave nëpër tuba; studim fizibiliteti për nevojat e Kosovës për energji elektrike; studime mbi përdorimin e qymyrit dhe të ekonomisë ilegale të lidhur me të, etj.

Prodhimin, konsumin, zhvillimin dhe raportin tonë me hapësirat publike duhet t’ia nënshtrojmë kësaj të drejtë primare, të drejtës për ajër të pastër. Parimeve dhe jetësimit të drejtësisë sociale, jetës së dinjitetshme duhet t’i bashkëngjisim angazhimin për mjedisin.

Kontribo

20 12 2018

Politika e jashtme e Republikës së Kosovës – Një vit përplot premtime, shumë dështime e skandale pafund

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media mbi premtimet e dështuara dhe skandalet që s’kanë të ndalur nga politika e jashtme e Republikës së Kosovës. Në konferencë foli deputetja dhe anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Fitore Pacolli. Viti 2018 është viti i premtimeve të papërgjegjshme për politikën e jashtme me mjete e tentativa kaotike e të rrezikshme për realizimin e tyre dhe si përfundim me rezultate dëshpëruese.

Këtë vit, dialogu 8-vjeçar pa parime e pa kushte me Serbinë, në vend të njohjes nga Serbia premtuar nga qeveria jonë, ka mbërritur në vënien në dyshim të shtetësisë së Kosovës me idenë e “korrigjimit të kufijve” të Presidentit Thaçi. “Presidenti Thaçi e ka kthyer vendin në kohën para shpalljes së pavarësisë. Ka dobësuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe ka fuqizuar Serbinë. Ka krijuar kështu hapësirë më të gjerë lobimi kundër shtetësisë së Kosovës”, tha deputetja Fitore Pacolli.

Në këto kushte, Serbia ka intensifikuar fushatën kundër Kosovës tek shtetet që ende nuk na kanë njohur. Ndërkohë, institucionet e politikës tonë të jashtme japin deklarata kundërthënëse dhe të çakorduara mbi tërheqjen e njohjeve nga vendet që na kanë njohur më parë, duke konfirmuar më shumë antifushatën e Serbisë sesa fushatën për Kosovën. Po ashtu, edhe presidenti i vendit i ka hedhur benzin zjarrit të kësaj antifushate të Serbisë me takimet e tij me Medvedevin dhe Putinin, kundërshtarët kryesorë të Pavarësisë së Kosovës. Nuk mund dhe nuk duhet zëvendësuar Gjermania, dhe partneriteti strategjik me të, me Rusinë.

Më tutje, përgjatë këtij viti diplomacia jonë nuk ka arritur asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare dhe as aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilën Qeveria ka thënë se është gati që në muajin prill. Ndërsa për rastin e INTERPOL-it, jo vetëm që nuk siguruan anëtarësimin, por i morën edhe fytyrën shtetësisë së vendit me mungesën e dinjitetit dhe integritetit në paraqitjen e tyre.

Në lidhje me nivelin e diplomacisë, deputetja Pacolli renditi problematikate saj duke thënë, “shërbimi i Jashtëm dhe funksionimi i përfaqësive diplomatike e konsullore nuk ka përmirësime. Degradimi i mëtejshëm dëshmohet edhe nga diplomatët tashmë të dorëhequr. Kanë ndërmarrë vendime arbitrare, për interesa partiake e individuale të cilat bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi nga Presidenti te Ministri i Punëve të Jashtme. Ligji për Shërbimin Diplomatik në Kosovë e përcakton që kuota për përfaqësuesit diplomatikë është 50% politikë dhe 50% të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm, apo siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës. Në Kosovë kjo kuotë është tejkaluar, duke bërë që gati 80% të përfaqësuesve diplomatikë në vendet e huaja të jenë të emëruar politikë”.

Po ashtu, Qeveria s’kishte hezituar të premtonte marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2018. Ky proces lidhet direkt me zbatimin e Planit Kombërare të MSA-së dhe reformave kyçe në kuadër të Agjendës për Reformë Evropiane. Deputetja Pacolli përmendi nivelin e progresit për këto reforma, “informatat zyrtare paraqesin se vetëm 13% e prioriteteve në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së janë përmbushur, ndërsa vetëm 4 prioritetet prej 22 prioriteteve të Agjendës Evropiane për Reforma janë përmbushur plotësisht”.

Kjo qeveri dështoi edhe me Liberalizimin e Vizave, premtuar në mënyrë të përsëritur prej vitit 2009. Madje, Kryeministri ende po e premton këtë fundvit liberalizim e tyre edhe pse, për informacion, institucionet e BE-së nga data 21 deri më 2 janar marrin pushimet dimrërore. Por edhe për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, që ka qenë kriter kryesor i vendosur për liberalizim, sipas raportit të ekspertëve të Komisionit Evropian është theksuar mungesë e vullnetit për zbatimin e ligjit dhe e kapaciteteteve institucionale me përgatitje profesionale për të luftuar korrupsionin në nivelin e lartë dhe të ardhurat nga krimi dhe shpëlarjen e parave.

Në mbyllje të viti 2018, mund të themi pa mëdyshje se me këtë mendësi të qeverisje nuk mund të presim avancime në proceset e integrimit dhe në politikën e jashtme. Pa politikë të brendshme zhvillimore, të qëndrueshme dhe me integritet, politika e jashtme është vetëm një iluzion.

Kontribo

20 12 2018

47 anëtarësime të reja në Kaçanik

Ditën e sotme, hapave të sigurt të Lëvizjes i janë bashkuar edhe 47 anëtarësime të reja në Kaçanik. Domosdoshmëria e angazhimit politik po ndihet kudo në Kosovë. Angazhim ose arrati është zgjedhja e thjeshtuar dhe aspak e thjeshtë për çdo qytetar të republikës. Thirrja për ta ndryshuar veten dhe Kosovën bashkë me të na e rrit entuziazmin dhe na e shton vendosmërinë. Lëvizjes po i shtohet masa dhe intensiteti, përgjegjësia dhe pritshmëritë. Mbështetja e rritur për Lëvizjen tregon se Lëvizja është një domosdoshmëri popullore dhe një vizion kolektiv për të ardhmen tonë.

Kontribo

20 12 2018

Prezantimi: “Çka prodhojmë – me çka po ushqehemi?”

Mbrëmjen e sotme Imri Demelezi nga komiteti për bujqësi mbajti prezantimin mbi “Çka prodhojmë – me çka po ushqehemi?” Në diskutimin me fermerë, agronomë, veterinerë, studiues, ekonomistë e specilistë të zhvillimit rural e të shëndetit publik që pasoi, u fol për secilin segment nga ku u trajtua prodhimi si qëllimi jo vetëm i punësimit e ndërmarrësisë por si agregat final i ushqimit të popullatës.

Kontribo

19 12 2018

Edhe në Prizren shtohen radhët e Lëvizjes

Lëvizjes VETËVENDOSJE!, po vazhdojnë t’i forcohen radhët. Parimeve të drejta po i shtohet ditë e më shumë edhe fuqia organizative përmes anëtarsimeve të shumta. Mbrëmë, Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, Kryetari i Qendrës dhe i Kuvendit Komunal të Prizrenit Artan Abrashi si dhe deputetët Drita Millaku e Arbër Rexhaj mirëpriten dhjetëra anëtarë e rinj që së fundmi iu bashkuan Lëvizjes.

Angazhimi i përditshëm politik në lagje e në fshat, në Komunë e Republikë janë jo vetëm nevojë, por edhe garanci e ruajtjes së parimeve politike dhe vazhdimit të rrugës së drejtë për zhvillim. Politika e shkëputur nga qytetari është qeverisje dhe pasurim për vete, qytetaria në qeverisje është mirëqenie dhe barazi për të gjithë.

Kontribo

19 12 2018

Raporti i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian – Lëvizja e lirë, ERA, MSA

Ditën e sotme, në ambientet e Kuvendit të Kosovës u mbajt tryeza e diskutimit me temë “Raporti i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian – Lëvizja e lirë, Reformat, MSA” e ftuar nga deputetët anëtarë të Komisionit parlamentar për integrime, dr. Fatmire Kollçaku nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Armend Zemaj nga LDK-ja. Pjesmarrës në tryezë ishin profesionistë të fushës, përfaqësuesit e instituteve dhe organizatave që mbulojnë këtë fushë dhe profesorë e studiues të çështjeve të integrimit dhe politikës së jashtme. Qëllimi i tryezës ishte mbledhja e kritikave, propozimeve dhe rekomandimeve mbi raportin e vendit tonë me BE-në në mënyrë që këto çështje të mund të ngrihen dhe të çohen më tutje në Kuvendin e Kosovës dhe në Komisionet përkatëse parlamentare.

Mosliberalizimi i vizave, ngecja e zbatimit të Agjendës Evropiane të reformave, mosshfrytëzimi për anvacim të mëtejmë i MSA-së europiane dhe dialogu problematik me Serbinë e bëjnë të domosdoshme organizimin e një debati të gjatë publik në fushën e integrimeve nga opozita bashkë me profesionistët e fushës dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Tryeza theksoi detyrën e opozitës për mbikqyrjen e ngecjeve të proceseve integruese, duke u kontribuuar pikërisht kështu proceseve përmes kritikës dhe rekomandimeve të saj. Në vazhdim të fjalëve u përmend fakti se Kosova cilësohet sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare si “shtet me elementët të shtetit të kapur”. Është pikërisht kapja e shtetit ajo që po e ngulfat dhe nuk po i lë të lëvizin politikat integruese të Kosovës.

Më tutje, të pranishmit treguan rrjedhën e proceseve të hapura nga BE-ja për Kosovën nga viti 2003 e këtej. Këtu u kritikua fakti se në vitin 2011 qeveria e Kosovës i dërgoi mesazhin e gabuar BE-së me hapjen e dialogut me Serbinë. Tashmë dialogu me Serbinë, edhe sipas strategjisë së fundit për zgjerim, është bërë kërkesa më e fortë ndaj Kosovës në raport me integrimin, edhe pse pa asnjë vizion dhe datë të qartë për përmbylljen e këtij procesi.

Sa i përket axhendës evropiane të reformave dhe strategjive të nënshkruara në kuadër të MSA-së, të pranishmit listuan ngecjet e këtyre reformave dhe moszbatimin e strategjive për të cilat janë zotuar nënshkruesit tanë.

Po ashtu, edhe mbi mosliberalizimin e vizave u argumentua se problemi kryesor duhet të shihet te lufta e munguar e korrupsionit. Plotësimi i kritereve për liberalizim do të duhej të ishte ndjekur nga zbatimi i tyre, çka nuk ka ndodhur. Asnjë akt final gjykimi nuk është dhënë nga gjykatat tona mbi ndonjë rast të korrupsionit në nivele të larta. Korrupsioni që e shqetëson BE-në në Kosovë nuk është ai i niveleve të ulëta, por ai institucional përmes zhvatjes së buxhetit të shtetit.

Ndryshe nga pushteti, i cili është fokusuar në kritikën vend e pavend ndaj BE-së, një plan dhe strategji për çkapjen e shtetit është detyra kryesore e opozitës për t’u hartuar në bashkëpunim me deputetë, profesionistë, profesorë dhe organizata të shoqërisë civile. Ky plan do të duhej të hartohej me vizionin se integrimet ndërkombëtare nuk duhet të jenë më shumë qëllime në vetvete sesa efekte të zhvillimit të brendshëm dhe se nuk mundet të ketë integrime ndërkombëtare pa integritet të brendshëm politik dhe institucional.

Në vazhdim të diskutimit u kritikuan edhe komisionet parlamentare për mungesë të përgatitjes së duhur, mungesë të memories institucionale dhe mungesë të mbikqyrjes në lartësinë e detyrës të punëve të qeverisë dhe të proceseve integruese.

Në përfundim, nga tryeza u nxorrën disa konkluzione për t’u patur parasysh nga deputetët e opozitës deri në organizimin e tryezës së radhës:

1. Ngecja në reforma dhe moskryerja e obligimeve për të cilat institucionet e Kosovës janë zotuar para organizmave të BE-së;

2. Miratimi i ligjeve dhe plotësimi i kritereve nuk është pasuar nga zbatimi i tyre dhe legjislacioni vijon të pësojë ndryshim – plotësime të njëpasnjëshme që në vitin e parë ose të dytë të miratimit;

3. Mungesa e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit;

4. BE duhet ta marrë në konsideratë qasjen pro BE-së nga qytetarët e Kosovës;

5. Kuvendi nuk ka qenë në lartësinë e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve në raport me mekanizmat e BE-së dhe mbikëqyrjen e kritereve të pranuara nga të dy palët;

6. Opozita duhet të udhëheqë Komisionin Parlamentar për Integrime;

7. Komisioni për Integrime duhet të kryejë shumë më shumë monitorim e mbikëqyrje se deri më tani.

Kontribo

19 12 2018

Diskutim mbi draft kodin civil të Kosovës dhe Shqipërisë

Në mbrëmjen e sotme studiues e studentë morën pjesë në ligjëratën dhe diskutimin mbi ngjashmëritë dhe dallimet midis draft kodit civil të Kosovës dhe kodit civil të Shqipërisë, të mbajtur nga Ass.Prof. Majlinda Belegu të organizuar nga Komiteti për Drejtësi në VETËVENDOSJE!. Profesoreshë Majlinda është gruaja e parë që ka doktoratura në të drejtë civile të Republikës së Shqipërisë nga civilistët e Kosovës.
Në këtë diskutim u theksua nevoja për bashkërendimin e rregullimit në sferën e të drejtës civile. Siç dihet marrëdhëniet shoqërore rregullohen e normohen me kodet civile. Në këtë dimension populli dhe shoqëritë tona kanë nevojë imediate që të kapërcejnë dyfishimet e ndarjet në kodet civile.

Nuk mund të pretendojmë bashkime doganore apo marrëveshje të sferës civile nëse nuk përafrojmë pikërisht praktikat civile dhe vet kodet.
Kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu paralajmëroi ardhjen në kuvend të rishikimit të kodit civil të Kosovës e me këtë rast grupi ynë do të paraqesë këtë nevojë imediate shoqërore.

Njëjtë si kjo çështje kanë nevojë të trajtohen çështjet e trashëgimisë, familjes dhe detyrimeve.

Në thelb një kod civil mund ta mundësojë ose pengojë drejtësinë sociale.
E drejta në formacionet republikane duhet së paku të ekzistojë si parim e normin që të hapë rrugë për betejën e pafundme midis palëve e grupeve shoqërore për më shumë drejtësi e të drejtë të fituara e siguruara.

Drejtësia shoqërore në Kosovë e Shqipëri nga kodi tek fakticiteti kanë padyshim tepër shumë zona për t’u ndërruar apo avancuar.

Kontribo

18 12 2018

Pazaret e papranueshme të presidentit me KQZ-në

Po bëhet një vit e gjysmë nga çeritifikimi i zgjedhjeve parlamentare dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e reflekton përfaqësimin politik kushtetues. KQZ-ja duhet të përbëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve pra dy anëtarë nga koalicioni PAN, dy anëtarë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe dy anëtarë koalicioni LAA, siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje. KQZ nuk mund të ketë përbërje siç e dëshiron Presidenti Thaçi por siç ka votuar populli. Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij të vjetër e të rinjë duan që PAN t’i ketë katër anëtarë e Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga një anëtar.

Presidenti Hashim Thaçi, shkeljen kushtetuese mbi njëvjeçare po e mbulon me shkelje të radhës. Roli i Presidentit është i kufizuar në konfirmimin e nominimeve kushtetuese të subjekteve politike që kanë marr pjesë në zgjedhjet e fundit, e kurrsesi të bëjë emërim mbi afërsi partiake të anëtarëve të KQZ-së mbi pazare politike e interesa personale.

Ky President i cili në vend të unitetit të popullit, përfaqëson përçarjen e tij, në vend të mbrojtjes së Republikës, simbolizon zvetënimin e saj, në vend të garantimit të institucioneve të pavarura, ngërthen si asnjë tjetër kapjen dhe uzurpimin e tyre, tash po synon t’i mohojë opozitës atë që ia kanë dhënë qytetarët dhe që ia garanton Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhjet.

Ftesa e fundit nga zyra e Presidentit për nominimin vetëm nga një anëtar për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe LDK-në, në ndërkohë që subjektet politike që ishin pjesë e PAN-it në zgjedhjet e fundit të nominojnë katër anëtarë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, Ligjin për zgjedhje dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues 2015. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se çka parasheh Kushtetua si grup parlamentar, aty thuhet qartë: “Sipas Kushtetutës, grupi më i madh parlamentar duhet te konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë më shumë vende në Kuvend, në kuptim të nenit 64 (1) të Kushtetutës, se çdo tjetër parti, koalicion, iniciativë qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë marrë pjesë si të tillë në zgjedhje… Kjo është ajo që parasheh Kushtetuta si grup parlamentar dhe, aq më tepër, që kjo është defacto në pajtim me praktiken parlamentare në shtetet demokratike”.

Ndërsa, ligji për zgjedhje e përgjithshme e përcakton se “Mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend”. Ky paragraf, përtej afatit se kur duhet të fillojë më së voni mandati i anëtarëve të KQZ-së, e qartëson gjithashtu edhe kriterin ligjor mbi subjektet legjitime për të bërë nominime për anëtarë të KQZ-së, sikurse që e garanton mekanizmin e domosdoshëm për vazhdimësi institucionale të një institucioni të përhershëm kushtetues. KQZ do të duhej të kishte përbërjen e re kushtetuese që në vitin e kaluar, ndërkohë Presidenti vazhdon të pres shfaqjen e “grupeve të reja parlamentare. Por, me logjikën e mospërfilljes së rezultatit të zgjedhjeve, në Kuvend të Kosovës mund të krijohen pafundësisht grupe parlamentare vetëm sa për të fituar apo shtuar numrin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për më tepër, nga përbërja kushtetuese dhe ligjore e KQZ-së varet edhe integriteti i organizimit të zgjedhjeve të ardhshme, sikurse që një KQZ antikushtetuese dhe antiligjore do te prodhonte vendime e veprime jokushtetuese e joligjore. Suspendimi i kushtetutshmërisë në vend, është faza e fundit para arbitraritetit të pushtetit autoritar.

Përpjekja për të përdorur institucionet kushtetuese, siç është KQZ për të paguar shërbimet dhe nënshtrimin e PSD-së, AAK-së dhe NISMA-s ndaj Thaçit, janë të papranueshme dhe paralajmërim i thellimit dhe zgjerimit të kapësve e të kapjes së shtetit.

Kontribo

18 12 2018

Tryezë me dy odat ekonomike shqiptare

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, organizoi sot një tryezë në Prizren për prodhimin vendas dhe hapat drejt tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë, me Drejtuesin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, dhe me Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LV) Albin Kurti. Ndër të tjerë, në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuesit e shoqatave afariste dhe të zejtarëve të Prizrenit bashkë me afaristë të tjerë nga Kosova e Shqipëria.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e hapi këtë tryezë duke folur për faktin se mes Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar mbi 10 marrëveshje për bashkpunim ekonomik dhe tregun e përbashkët, sakaq tregtia mes dy shteteve ka mbetur mbrapa për shkak të barrierave të shumta jotarifore e pengesave të shtuara.

Të dy kryetarët e odave ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë treguan, se edhe pse ka patur 5 mbledhje të përbashkëta qeveritare, gjendja sa i përket koordinimit dhe tregut të përbashkët nuk është përmirësuar, radhët në kufi janë shtuar, ndërsa pengesat vazhdojnë të jenë të shumta. Ata shprehën vullnetin për t’u angazhuar maksimalisht për transformimin e kësaj situate.

Kryetari i LV, Albin Kurti, tha se të gjithë në këtë tryezë kanë shprehur dëshirën për më shumë bashkëpunim e koordinim, për të hequr pengesat që e ndalin krijimin e një tregu të përbashkët, pengesa këto që mirëmbahen jo rastësisht, por sepse dikujt i levërdisin. Ai theksoi se këto dëshira duhet të kthehen në plane e koordinim që me vullnet jetësohen. Kryetari Kurti tha se ndryshe nga dëshirat e planet e kësaj tryeze, mbledhjet mes dy qeverive duket se janë të fiksuara në rendin e fantazisë. Ato luajnë me simbolikat kombëtare dhe ndjenjat e shqiptarëve, por nuk pasohen me zbatim politikash që këtë ndjenjë e kthejnë në vetëdije kombëtare e plan ekonomik për zhvillim e bashkim.

Pjesëmarrësit në Tryezë e pasuruan diskutimin me shembuj dhe kërkesa konkrete, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit drejt një tregu të përbashkët. Kryetari Mytaher Haskuka e mbylli këtë tryezë duke ofruar gjithë ndihmën e Komunës së Prizrenit në funksion të synimit për shfrytëzimin maksimal të mundësive të bashkërendimit të dy odave për mbështetjen e prodhimit vendas shqiptar.

Prizren, 18 dhjetor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

17 12 2018

Homazhe në Koshare

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri sot homazhe për nder të betejës së Koshares e cila u zhvillua në po këtë ditë 19 vite më parë, betejë në të cilën u bë thyerja e kufirit mes shqiptarëve.

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Kontribo

17 12 2018

Kritika propozimit të qeverisë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse

Të nderuar gazetarë, ju faleminderit shumë që jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë të radhës për media nga selia qendrore e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Para tri ditëve në adresë të selisë qendrore, përkatësisht timen si kryetar na ka ardhur një material me 30 faqe nga Kryeministri i Kosovës si Marrëveshje gjithëpërfshirëse siç e parasheh ai, midis Kosovës dhe Serbisë.

Materialin e propozim marrëveshjes së tij me Serbinë, kryeministri Haradinaj na e solli në gjuhën angleze. Qartazi nuk e kishte me neve e për neve. Por, për ambasadorët e Quintit dhe me ta. Nuk e miratoi ne qeveri, nuk e solli në Kuvend, por e diskutoi me ambasadorët.

Në këtë material 30 faqesh, qartazi flitet për parime, por qasja është joparimore.

Është mungesë frapante e parimit të reciprocitetit. Fjala reciprocitet nuk figuron askund në këto 30 faqe dhe është qasje tipike e subordinimit dhe e dominiumit. Jo e barazisë dhe e reciprocitetit. Mandej është një qasje e gjuhës së ndërmjetësuesit. Nëse do ta kisha lexuar pa autorin në “cover letter”, në letrën e parë, në fletën e parë atëherë do të kisha menduar se këtë material e ka shkruar ndonjë shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e as ndonjë shtet që nuk na njeh neve, se lëre më këtë ta bëjë Qeveria e Kosovës siç është rasti tani.

Më shumë se 100 pika fillojnë me shprehjen “palët”, por në përmbajtje shumica dërmuese e obligojnë Kosovën. Rreth 50 pika apo paragrafë shprehimisht i adresohen Kosovës dhe vetëm disa sosh, butësisht Serbisë. Problemi kryesor i mënyrës së bërjes së këtij dokumenti është që ai parasheh themelimin e një morie trupash, e komisionesh e ekipesh të përbashkëta midis Kosovës e Serbisë që në fakt e rilegjitimon pranin funksionale të Serbisë në Kosovë.

Para së gjithash, si mund të bëhet që në Kosovë të shtunen të votohet një grup negociator i Qeverisë dhe i cili thuhet se duhet të përpilojë platformën për dialog me Serbinë, kur qeveria tashmë na e ka sjellur marrëveshjen përfundimtare e gjithëpërfshirëse? Që është diçka që vije edhe pas platformës, edhe pas procesit negociator. Qeveria e Kosovës me këtë qasje në mënyrë të saj, sigurisht që është në një lloj kaos sui generis. Të shtunën që shkoi votohet grupi negociator i Qeverisë, ndërkaq një ditë para është “Marrëveshja Gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. Nga i njëjti Kryeministër. Pra, së pari Marrëveshja përfundimtare, mandej grupi negociator e shohim e bëjmë për platformë me parime e për kërkesat që duhet t’ia bëjmë Serbisë, ndërkohë që ai materiali 40 faqesh i raportit qeveritar për 33 marrëveshjet e deritanishme me Serbinë në kuadër të dialogut gjashtë vjeçar fare nuk është trajtuar në kuvendin e Republikës, është bllokuar në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, dhe ka hyrë në muajin e gjashtë që nuk futet në agjendë parlamentare për seancë plenare.

Në letrën e KM thuhet se çështjet e hapura me Serbinë që kërkojnë trajtim dhe zgjidhje “do të përmbyllen me njohjen reciproke”. Pra, njohja në fund. Ky është shërbim i madh Serbisë. Kërkesa jonë e parë është njohja, e ky i thotë Serbisë që kjo vjen në fund! Në fakt, nuk vjen as në fund, sepse në fund kërkohet veçse ulësja në OKB. Përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këtë njohjen reciproke e kishte vetëm për cover letter për liderët. Sepse, që nga pika 1.4 e kapitullit të parë (Marrëveshja Politike) e deri në faqe 29, parashikohet vetëm anëtarësimi në OKB. Vërejeni me kujdes, kur thuhet njohja nuk thuhet e pavarësisë, thuhet “njohja e ndërsjellët”. Por asgjë brenda nuk ka të bëjë me reciprocitetin pastaj. Pra, s’do mend që në këtë material nuk përmenden askund shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, shqiptarët në Serbi në përgjithësi. Nuk është e rastësishme që thuhet njohja pa e përmendur pavarësinë. Nuk është e rastësishme që në faqe 24 thuhet se Kosova e Serbia do të kenë misione diplomatike te njëra-tjetra dhe jo ambasada.

Në pikën e 6-të të Preambulës pranohet si legjitime e drejta e Serbisë për të avokuar për të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë, por asnjë fjalë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe as për parimin e reciprocitetit.

Në pikën e 7-të të Preambulës përmendet e drejta e vetëvendosjes së popujve të shtypur, ndërkohë që kjo nuk përmendet në deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe as në Kushtetutën e Republikës sonë. Pra, po kërkon nga Serbia të ta pranojë ty atë që nuk ia ke pranuar e përshkruar vetes. Absurde.

Në pikën e 11-të të Preambulës merren përsipër obligimet e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit përgjatë dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pas, demarkacionit me Malin e Zi, hapur, kryeministri Haradinaj po e pranon edhe ‘Zajednicën’ e Serbisë. Dje u bënë 10 muaj nga marrëveshja Thaçi – Vujanoviq për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi. Asnjë hap, asnjë metër korrigjim. I mashtruan deputetët për ta bërë ratifikimin. Çakorrin, Zhlebin e Bjelluhën, plot 8.200 hektarë të Kosovës, i dha Haradinaj për çerek metri katror të ulëses së kryeministrit. Pas demarkacionit tash i është futur edhe ‘Zajednicës’.

Në pikën 1.9 të kapitullit të parë, thuhet se do të krijohen struktura të përbashkëta për zgjidhjen e çështjeve të luftës si reparacioni, të pagjeturit, krimet e dhunës seksuale dhe krimet e luftës. Kështu merret njëfarë bashkëfajësie e barabartë me Serbinë. Këso propozimi mund të bëjë, pra vetëm ndonjë shtet që nuk na ka njohur, dhe i cili e ka atë qasjen “status neutrale”, mirëpo këtë nuk mund të na e bëjë një shtet i cili na ka njohur e kurrsesi Kosova përmes qeverisë të ia bëjë vetvetes si shtet.

Në pikën 5 të kapitullit 2 (Ndërtimi i masave të mirëbesimit) thuhet se duhet të formohet një Asociacion i Biznesit Kosovë-Serbi për t’i mundësuar ndërmarrjet publike dhe private t’i adresojnë shqetësimet e përbashkëta dhe të reduktojnë barrierat e të bërit biznes në kufi. Ne nuk kemi një Odë Ekonomike të përbashkët Kosovë-Shqipëri, por këtu parashihet një Asociacion Biznesi me Serbinë. Dhe, taksa 100% kësisoj bëhet e negociueshme. Nuk ka mundur të jetë ndryshe mbase përderisa nuk është reflektim i parimit të reciprocitetit, por një lloj vendimi ad hoc.

Në pikat 4, 5 dhe 6 të nënkapitullit ‘Siguria’ te kapitulli 3 (Garancitë dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut) tregohet që policia do të jetë e ndarë mbi baza etnike dhe se komandantët e stacioneve policore lokale do të njoftohen paraprakisht për operacionet e policisë qendrore ose speciale atje.

Te nënkapitulli ‘Të drejtat fetare dhe kulturore dhe mbrojtja e tyre’ flitet në përgjithësi dhe mandej vetëm për ortodoksinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Te nënkapitulli ‘Pjesëmarrja e komunitetit serb në nivel qendror’ përshkruhen dispozita të Kushtetutës sonë, e që i bie se Kosova i zotohet Serbisë për Kushtetutën e vet. Absurde edhe kjo. Por, mandej edhe merren elemente të marrëveshjeve të Brukselit të 19 prillit 2013 si dhe të asaj për drejtësi të 10 shkurtit 2015.

Kur përmenden plaçkitjet e kontributeve pensionale dhe depozitave bankare, nuk përmenden me këto terma si plaçkitje, dhe te nënkapitulli ‘Dëmet e mëdha financiare, pensionet dhe kursimet’ në kuadër të kapitulli 4 (Ekonomia), flitet për formim të Komisioneve të përbashkëta vlerësuese por jo për borxhin që na e ka Serbia. Nuk shtrohen kërkesat ndaj Serbisë dhe parashihen marrëveshje neutrale që formojnë komisione e të cilat mandej duhet të gjejnë zgjidhje. Parashihet të merremi vesh me Serbinë për një komision të përbashkët i cili do të merret vesh për dëmet e okupimit dhe luftës, pa e emërtuar okupimin si të tillë dhe pa e konsideruar asnjëherë në asnjë vend Serbinë agresore dhe okupatore.

Njësoj, edhe kapitulli 5 i këtij materiali (Drejtësia Tranzicionale dhe Pajtimi), kemi ekipe e komisione të përbashkëta nga të cilat pritet se do të na sjellin drejtësi e pajtojnë, thua se nuk jemi shtet i pavarur por në ndonjë raport federal a konfederal me Serbinë. Të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, reparacioni etj. me këto marrëveshje ngelen nën vullnetin e mirë të presupozuar të Serbisë. Pra, janë çështje në mirëbesim me Serbinë.

Kapitulli 6 (Edukimi dhe rinia) tregon që edhe me këtë marrëveshje arsimimi do të mbetet i ndarë mbi baza etnike dhe, për pasojë, siç e dimë, nxënësit shqiptarë dhe ata serbë do të mësojnë histori të ndryshme e diku edhe të kundërta për vendin tonë.

Te kapitulli 8 (Asociacioni i komunave me shumicë serbe) kemi zotim për ‘Zajednicë’ ndonëse përmendet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, meqenëse së pari përmendet marrëveshja e 19 prillit 2013 e cila gjashtë pikat e para ia kushton ‘Zajednicës’. Në fakt, vetë emërtimi i asociacionit të cilin e afirmon Haradinaj është kundërkushtetues. Nuk mund të quhet Asociacion i Komunave me shumicë serbe, sepse nuk mund të ketë karakter njëetnik në formimin e asociacionit. Mund të ketë Asociacion të komunave të lumit Ibër a Lepenc, të Drenicës a të Bjeshkëve të Rugovës, por nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me shumicë serbe. Nuk është karakteri etnik i popullsisë nëpër komuna kriteri i nevojshëm e i mjaftueshëm në bazë të të cilit ti krijon asociacione.

Kjo marrëveshje të cilën e dëshiron Haradinaj me Serbinë, merret ekskluzivisht me serbët e Kosovës, psh. me kthimin e tyre, thua se nuk ikën njëherë shqiptarët e Kosovës prej Serbisë gjatë gjithë shekullit 20 e deri te viti 2000 kur u dëbuan nga veriu i Mitrovicës.

Me këtë marrëveshje të KM, që fillimisht duket sikur një far Ahtisari ++, gjithsesi i shkruar sikur nga një shtet i cili nuk na ka njohur, në fund, nuk do ta marrim njohjen e pavarësisë nga Serbia, por ajo do ta fitojë ‘Zajednicën’ brenda Kosovës.

Shkëmbimit territorial të Thaçit që në fakt është ndarje e Kosovës, Haradinaj praktikisht don t’i kundërvihet me ‘Zajednicën’ që në fakt është bosnjëzim. Secili më keq se tjetri. Asnjëri s’janë zgjidhje. Të dy janë problemi. Prandaj për Lëvizjes VETËVENDOSJE! ky material në formën, mënyrën, qasjen dhe përmbajtjen e tij është i papranueshëm dhe nuk do të duhej që të dalë jashtë kabinetit të Kryeministrit apo të atyre që e shkruan këtë dokument.

Ne do të kemi mundësi që të ua përcjellim edhe juve përshkak se një dokument i tillë ende nuk është bërë publik e ne besojmë që përveç ambasadave të Quintit do të duhej ta shohin edhe politikanët e Kosovës, qytetarët e Republikës sonë. Pa transparencë nuk ka zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme.

Kontribo

28 11 2018

INTEGRIMI EKONOMIK KOMBËTAR – Bashkënpunimi, Harmonizimi, Bashkimi

Lëvizja VETËVENDOSJE! më 28 Nëntor organizoi tribunën me temë ‘Integrimi Ekonomik Kombëtar’ për rritjen e bashkëpunimit dhe harmonizimin e politikave ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës drejt bashkimit ekonomik. Në tribunën me moderator Nënkryetarin e Lëvizjes prof. Besnik Bislimin folën Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, Arbërie Nagavci nga Komiteti për Arsim dhe Kërkim shkencor dhe Edison Jakurti nga Komiteti për financa. Integrimi ekonomik kombëtar ka qenë gjithnjë pjesë e platformës politike të Lëvizjes dhe Lëvizja vazhdimisht po i shton analizat dhe propozimet drejt kësaj ideje.

Aktualisht, niveli i bashkëpunimit ekonomik dhe koordinimi i përbashkët i politikave ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë më të largëta sesa bashkëpunimi dhe organizimi ndërmjet kombeve brenda Bashkimit Europian. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës po nënshkruajnë marrëveshje, por pa i shoqëruar me zbatimin e tyre. Ndërkohë, problemet tona mbeten të ngjashme dhe kërkojnë zgjidhje të përbashkëta.

Në fushën e arsimit, Arbërie Nagavci tregoi se në të dy shtetet tona vërehet mungesa e kuadrove të shkathët në mendim kritik dhe reflektim analitik, mungesa e vetëdijësimit për rëndësinë e arsimit profesional dhe mungesa e koordinimit për kurrikulat shkollore e po ashtu për aftësimin profesional të mësimdhënësve. Deputetja Nagavci propozoi disa hapa për zgjidhjen e përbashkët të këtyre problemeve ku përfshihen heqja e kuotave dhe njësimi i kritereve për qytetarët tanë për studimet universitare në të dy shtetet dhe harmonizimi i praktikave profesionale. Po ashtu, propozoi bashkimin në një institucion të vetëm të Akademive të Shkencave, Instituteve Albanologjike, Instituteve për formimin profesional të mësimdhënësve, agjensive të akredimi dhe formimin e një instituti për vlerësimin dhe monitorimin e arsimit e po ashtu formimin e një instituti për hulumtim akademik dhe shkencor.

Për nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona, Edison Jakurti tregoi se ai është në fazën e një integrimi foshnjor, pasi dy vendet kanë arritur të nënshkruajnë vetëm për trajtime preferenciale dhe tregti të lirë mes tyre, por ngelen larg fazave të integrimit intensiv si: unioni doganor, tregu i përbashkët dhe unioni monetarë e bankarë. Import-Eksportet mes dy vendeve, edhe pse janë rritur vitet e fundit, mbeten modeste. Përmes analizës së tij të të dhënave, Jakurti shpjegoi sesi e kzistojnë shumë barriera tregtare mes dy vendeve sepse qeveritë gjithnjë kanë implementuar reforma sipas motos “secili për veten e tij”. Është interesi i oligopoleve dhe i monopoleve me lidhje të shkurtra me qeveritë respektive, të cilit nuk i intereson bashkimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë, potenciali për shkëmbim tregtar është i madh falë dallimeve të vogla mes nesh si shoqëri. Për hapat e domosdoshëm drejt integrimit ekonomik Edisoni Jakurti propozoi: heqjen e barrierave jotarifore përmes unifikimit të standardeve dhe institucioneve për prodhimet vendore, unifikimin e instituteve të statistikave, regjistrit të biznesit dhe bashkimin doganor me synim të mëtejshëm bashkimin e bankave qëndrore.

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti kritikoi nivelin aktual të bashkëpunimit mes dy qeverive duke thënë se më të shpeshta duhet të jenë llogaridhënia dhe raportimi i marrëveshjeve tashmë të nënshkruara sesa shtimi i marrëveshjeve që nuk zbatohen nga mungesa e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë. Përndryshe, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak mes dy vendeve do duhej të ishte prioritar. Sipas Kryetarit Kurti defiçiti i lartë tregtar për secilin nga shtetet tona tregon se territori jonë përdoret kryesisht për qarkullimin e kapitalit ndërkombëtar, në vend se të përdorej për akumulimin e kapitalit kombëtar. Secila nga qeveritë tona i gjymton buxhetet përkatëse në vend se të mendonte për investime të harmonizuara në fushën e energjisë, bujqësisë dhe në hapësira të tjera të nevojshme. Ndërsa koordinimi i dy qeverive për shqiptarët jashtë kufijve të dy shteteve tona është i padukshëm. Kryetari Kurti e mbylli fjalën e tij duke thënë se në këtë periudhë kur flitet për ndarjen e Kosovës, dy qeveritë shqiptare do të kishin bërë mirë ta mbanin takimin në Mitrovicën që duhet bashkuar sesa në Pejën prej ku ju dhanë mbi 8,200 hektarë Malit të Zi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

28 Nëntor 2018

Kontribo

28 11 2018

Homazhe në Prekaz

Sot, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga të gjitha qytetet e Kosovës, por jo vetëm, bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta te varrezat e Jasharajve. Në nder të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.
28 Nëntori është një ditë më e madhe se Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Kjo datë i jep drejtim historisë, politikës dhe të ardhmes tonë.

“28 Nëntori është dita thelbësore e identitetit kombëtar dhe historisë së shqiptarëve. Nga Skënderbeu në Krujë tek Ismail Qemali në Vlorë tek Adem Jashari në Prekaz, kujtojmë ngjarjet e lavdishme dhe njerëzit e mëdhenj me ndjenjën e përbashkët të krenarisë dhe përgjegjësisë tash kur amaneti i tyre na e ndriçon rrugën përpara. Të gjithë shqiptarëve, urime dhe gëzuar 28 nëntori i flamurit, i pavarësisë dhe i UÇK-së”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti.

Kontribo