27 11 2018

Takim me delegacionin nga Kuvendi i Kroacisë

Sonte, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Nënkryetari i Parë, Besnik Bislimi, në ambasadën e Kroacisë në Prishtinë u takuan me një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kroacisë me përbërje: Dr. Domagoj Ivan Milošević, Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, Znj. Vesna Pusić, Anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane, ish Kryetare e Komisionit për Negociata për antarësim në BE (ish zv. kryeministre dhe ministre e punëve të jashtme), Z. Joško Klisović, Anëtar i Komisionit për Çështje Evropiane, Znj. Jelena Špiljak, Sekretare e Komisionit për Çështje Evropiane, si dhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Znj. Marija Kapitanović.

Në këtë takim i cili kaloi në një atmosferë miqësore dhe të përzemërt, u theksua rëndësia e bashkëpunimit bilateral Kosovë-Kroaci si dhe u diskutua për çështje e tema të ndryshme politike e rajonale si dhe socio-ekonomike.

 

Kontribo

27 11 2018

Homazhe për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj

Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri homazhe në Kuvendin e Kosovës në nder të dy dëshmorëve të kombit, gjeneral major Ilir Konushevcin dhe Dr. Hazir Malajn. Vepra dhe rënia e tyre na e rrisin përgjegjësinë përballë historisë dhe janë pika referimi përballë të ardhmes. Vendi jonë është historia dhe amaneti i dëshmorëve tanë. Amaneti i tyre nuk është realizuar plotësisht ende. E tashmja politike e Kosovës po u shmanget dëshmorëve të saj. Dëshmorët janë ata që e mbajnë bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. “Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj luftuan edhe para luftës, punuan për ta mundësuar luftën çlirimtare. Gjaku i tyre ujit rrënjët e pemës së lirisë, frytet e së cilës do t’i gëzojnë shumë breza. Kujtimi për ta i paharrueshëm! Lavdi e përjetshme!”, ishin fjalët e Kryetarit të Lëvizjes Albin Kurti në nderim të dy dëshmorëve të kombit tonë.

Kontribo

26 11 2018

Promovimi i “Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike”

Promovimi i “Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike”: Si dukemi në sytë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Dy ditë para 106 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në këtë vit të Skënderbeut dhe në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi promovimin e Librit “Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike”. Për rëndësinë e këtij botimi folën disa nga autorët e eseve të këtij libri, studiuesi i filozofisë Elvis Hoxha, studiuesit e shkencave politike Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj dhe Gent Carrabregu, shkrimtari dhe njëherësh botuesi i librit Krenar Zejno dhe studiuesi i historisë Durim Abdullahu. Po ashtu, mendimet e tyre për këtë punimi kolektiv i ndanë me të pranishmit edhe Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE Albin Kurti, i nderuari Avni Dehari dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Arbër Zaimi.

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” është realizuar nga Instituti Politik i Studimeve Humane në Tiranë dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “ZENIT”. Botimi synon riaktualizimin e mendimit politik të figurave qëndrore të Rilindjes Kombëtare dhe të historisë së letrave shqipe. Nga Frang Bardhi deri tek Ukshin Hoti, mendimi politik shqiptar është i pandashëm nga projekti i bashkimit kombëtar në një shtet demokratik dhe anti-autoritar. Ky projekt është aktual për aq kohë sa gjendje e shqiptarëve nuk është në lartësinë e këtij vizioni politik.

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” është pjesë e një cikli të nisur në vitin 2012 me dy botime pararendëse “Publikja shqiptare 1: Ese kritike” dhe “Publikja shqiptare 2: Figurat e skandalit”. Kontribuesit e këtij numri vijnë nga lëmitë politike, akademike dhe artistike të letrave shqipe. “Fraza Politike” risjell mendimin e kondensuar në fraza nga disa prej figurave qëndrore në historinë e letrave shqipe përmes analizave eseistike të tyre. Si njëri nga kuratorët e këtij botimi dhe si kontribues në të, Elvis Hoxha, njëherësh anëtar i Kryesisë së Lëvizjes, u shpreh se përmes frazave politike ky botim nxjerr në pah publiken shqiptare dhe çfarë do të kishim qenë si komb në sytë e këtyre frazave. Për Elvis Hoxhën problemi i shqiptarëve ka qenë gjithnjë mungesa e teorisë mbi historinë tonë kombëtare pasi nuk jemi mësuar ta regjistrojmë trashëgiminë e reflektimeve tonë historike. Ky botim është edhe një ftesë për projekte të tilla të ngjashme nga lëmi të ndryshme të letrave shqipe.

Në fjalën e tij, Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti theksoi rëndësinë e qasjes së këtij botimi duke thënë se ky libër është nga ata botime që i përndjek autorët dhe në të njëjtën kohë u paraprin autorëve. “Tekstet e kësaj fraze politike nuk janë të lehta sepse janë të drejta, e duke qenë të drejta thërrasin në përgjegjësi publike për çështjen kombëtare. Të jesh shqiptar është përgjegjësi. Të qenit shqiptar është pjesë e jona, por është pjesë më e madhe se ne”, tha Kryetari Kurti.

Përgjatë prezantimit, u vu në pah se ky libër është shenja e bashkimi historik të shqiptarëve për nga temat që trajton dhe shenja modeste e bashkimit gjeografik për nga autorët që kanë kontribuar në të. Autorët theksuan faktin se Shqipëria akoma nuk është plotësisht Shqipëri për sa kohë Kosova është e ndarë prej saj. Pikërisht, frazat politike janë ato që na i organizojnë marazet politike të ndarjes kombëtare. Shprehjet politike janë ato që na nxjerrin nga prehja e të qenit spektatorë të një historie që luan me fatin e shqiptarëve. Frazat politike janë ato që na hedhin në aksione politike.

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” shënjon vazhdimësinë e mendimit politik të Rilindjes Kombëtare në funksion të bashkimit, çlirimit dhe organizimit demokratik të hapësirës tonë publike si shqiptarë; parakusht ky për stabilizimin e jetëve tona private.

Vizioni i Rilindjes Kombëtare është një projekt demokratik dhe anti-autokratik i cili mbetet për t’u përmbushur dhe që vazhdimisht thërret ndjekës bashkëkohor të tij. Shumica e Rilindasve ishin të përndjekur politik të cilët do të vazhdojnë të jenë të përndjekur deri sa projekti i tyre të realizohet në një bashkim politik dhe demokratik të shqiptarëve.

Për sa kohë projekti jonë kombëtar vazhdon të jetë i ndrydhur, pyetja nuk shtrohet se si duket Rilindja Kombëtare në sytë tanë, por se si dukemi ne në sytë e Rilindjes tonë Kombëtare.

Kontribo

25 11 2018

NË PESËDHJETËVJETORIN E DEMONSTRATAVE TË 1968, JEHONA E BROHORITJEVE KUMBON ENDE!

NË PESËDHJETËVJETORIN E DEMONSTRATAVE TË 1968, JEHONA E BROHORITJEVE KUMBON ENDE!

Përkundër kontributit në luftën kundër fashizmit, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli për shqiptarët rezultatet e pritura dhe realizim të vullnetit të njohur për vetëvendosje dhe për një shtet të përbashkët. Përkundrazi, tokat shqiptare u copëtuan, synimet kolonialiste të Serbisë nuk u ndërprenë, ndërsa dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi.

Padrejtësitë ndaj shqiptarëve bënë që një pjesë e madhe e tokave të tyre të mbeten të aneksuara nga shteti jugosllav, si vazhdimësi e aneksimit të Serbisë hegjemoniste e kolonialiste. Të gjetur në një situatë të tillë dhe përballë masave shtypëse ushtarako – policore të regjimit jugosllav, të cilat vazhdonin të rëndoheshin, populli shqiptar detyrohej të rezistonte në mbrojtje të ekzistencës e të identitetit të tij, por edhe për të përmbushur vullnetin legjitim të tij politik e kombëtar.

Të privuar nga çfarëdo e drejte kombëtare nga politikat shtypëse e kolonizuese të Serbisë në kuadër të Jugosllavisë, pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 1968 shqiptarët nisën demonstratat për të drejtat e tyre politike e kombëtare, ku për herë të parë u kërkua publikisht që Kosova të bëhet Republikë, që popullit shqiptar t’i njihet e drejta për vetëvendosje, përdorim të lirë të flamurit kombëtar, universitet shqip, ndalje të kolonializmit serbë dhe të drejta të barabarta me kombet tjera.

Demonstratat e vitit 1968 bënë një kthesë të madhe të gjendjes së shqiptarëve dhe afirmuan çështjen e Kosovës si çështje të pazgjidhur, shpërfaqen dhunën dhe politiken shtypëse serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve, por edhe afirmuan vendosmërinë e popullit shqiptar në rrugën e pandalshme të avancimit të të drejtave të tyre për Republikë e bashkim kombëtar.

Për rrjedhojë, demonstratat nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, të rinisë, studentëve, punëtorëve e gjithë popullit pa dallim, vulosën të drejtën dhe vullnetin e shqiptarëve për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje. Viti 1968, ishte vit i protestave e demonstratave kudo në Evropë e botë, por për shqiptarët ngërthen një ngjarje të patejkalueshme, themeltare për përpjekjet e rezistencën që do të vinte më pas, luftën çlirimtare e shpalljen e pavarësisë.

Pesëdhjetë vjet nga atëherë, si një ngjaje tanimë monumentale, na kujton se ecja drejt lirisë e pavarësisë ishte ecje nga ngjarja në ngjarje, secila e frymëzuar nga pararendësja e që frymëzonte e mundësonte pasueset. Përpjekjet për ta ndërprerë dialektiken e prosperitetit të shqiptarëve janë tentim për zvetënim. Tabani i rezistencës me demonstratat e 68-së, 81-së, 90-së e 97-së për të kulmuar me luftën çlirimtare ka përcaktuar jo vetëm të tashmen tonë por do të përcaktojë edhe të ardhmen e shqiptarëve. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, ashtu si edhe demonstratat pasuese e lufta e UÇK-së shënojnë hallkat e vazhdimësisë së lëvizjeve për çlirim kombëtar, të filluara që me Lidhjen e Prizrenit.

Në demonstratat e vitit 1968, u manifestua vetëdije e lartë kombëtare e politike dhe u dërgua mesazh i qartë, që shërbeu si frymëzim për shqiptarët edhe më pas, sikurse do të vazhdojë të na orientojë edhe në të ardhmen. Jehona e brohoritjeve të atëhershme “Vetëvendosje”, “Kosova Republikë” etj, kumbon edhe sot, kur pretendimet e Serbisë për Kosovën mbesin po ato. Politikat hegjemoniste të Serbisë, përkundër krimeve e gjenocidit, nuk kanë ndryshuar në raport me trajtimin e shqiptarëve dhe aspiratat për tokat tona as pesëdhjetë vite më pas. Me kanosjen e vazhdueshme nga këto politika, mobilizimi gjithpopullor në mbrojtje të Republikës dhe tokave tona mbetet angazhimi më sublim të cilën brezat e demonstratave të 68-s na e lanë si shëmbëlltyrë dhe rrugë, për ta përdorur atëherë kur politikat udhëheqëse të konjunkturës bëhen hisedarë a symbyllur në një rrezik të tillë.

Kontribo

25 11 2018

Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime. Por, për to ka vetëm zotim dhe jo zbatim.

Fjala e Kryetarit Albin Kurti:

Liberalizimi ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë është interes i kombit shqiptar. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shpie te fuqizimi i ndërsjelltë drejt integrimit e bashkimit tonë. Kjo është në frymën evropiane dhe i kontribuon paqes dhe kohezionit.

Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime në takimet e tyre të përbashkëta që mbahen një apo dy herë në vit. Problemi është se në asnjë faqe zyrtare, as të Kosovës e as të Shqipërisë, këto marrëveshje nuk janë publikuar të plota. Ato nuk i janë sjellë Kuvendit të Kosovës për njoftim që nga viti 2014 e këtej. Herën e fundit me kërkese të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2016 janë dorëzuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme katër dokumente, disi më shpjeguese, por jo marrëveshjet.

Deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli kanë bërë kërkesë, mirëpo nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria nuk ka pasur përgjigje me shkrim. Në kërkesën e administratës së Komisionit për qeverinë, përgjigja në pranverën e këtij viti ka qenë: Nuk i kemi!

Ndonëse këto marrëveshje janë quajtur ndërkombëtare, karakteristikë e tyre është se ato asnjëherë nuk e kanë marrë karakterin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pra me cilësi e përparësi zbatuese (meqë ato do të votoheshin nga Kuvendi me 2/3 e deputetëve).

Sigurisht që në kuadër të bashkëpunimit midis dy vendeve termi marrëveshje ndërkombëtare do të dukej disi ndarës, por praktika institucionale nuk po tregon as ndonjë afrim, as ndonjë shkrirje, e në rastin e marrëveshjeve me Shqipërinë, as seriozitet zbatimi.

Pra, sado që nënshkruhen këto marrëveshje, nga pikëpamja e zbatueshmërisë në secilin prej vendeve, referuar ligjeve përkatëse për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe, kushtetutave e akteve nënligjore për fushëveprimin normativ të qeverive, këto marrëveshje në rendin juridik të secilit vend janë në shkallën më të ulët.

Praktikisht, siç e shohim, ato nuk është e thënë të zbatohen dhe as nuk ka ndonjë mekanizëm që përbën detyrim për t’i zbatuar a respektuar nga qeveria në qeveri a nga shteti në shtet. Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë nga marrëveshjet për zbatueshmëri.

Katër vjet më vonë, Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë, ndonëse Shqipëria i ka hequr ato mënjeherë pas nënshkrimit në vitin 2014. Qeveritë e Kosovës kanë thënë njëra pas tjetrës se duhet të ndryshohet ligji për të huajt në Kosovë. Ligji u ndryshua, kjo marrëveshje nuk u përfshi.

Ky është një nga shembujt ilustrues dhe sigurisht jo i vetmi. Gati secila marrëveshje apo memorandum e ka një dimension të tillë, pra: zotim pa zbatim. Ato zhduken menjëherë pas konsumit mediatik.

Ose, flitet për mërgatën e përbashkët, për Një Diasporë, por ku janë qendrat e përbashkëta kulturore, ku është furnizimi me tekste shkollore në shqip për mërgatën?

Sot Kosova e Shqipëria i shesin njëra-tjetrës më së shumti skrap, mbetje metalike, materiale ndërtimi, çimento e asfalt, si dhe tuba e shufra hekuri. Kjo tregti mes nesh tregon sa prapambetjen e bashkëpunimit, aq edhe mungesën e vizionit për zhvillim në të dyja anët e kufirit.

Resurset e bujqësisë mesdhetare të ultësirës perëndimore, apo bujqësia kontinentale e rrafshit të Kosovës nuk rezultojnë fare në bilancet tregtare mes vendeve, sepse të dyja vendet nuk synojnë të ndihmojnë fermerët e bujqit tanë, por ia kanë hapur derën prodhimeve ushqimore nga vende të tjera.

Prej dy qeverive ende nuk e kemi një strategji të përbashkët për një sektor të rëndësishëm, siç është energjia. Industria e naftës në Shqipëri, e cila po kalon probleme të mëdha prej privatizimeve të papërgjegjshme, do të mund të funksiononte shumë mirë për të furnizuar një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Por, që të ndodhë kjo, ajo duhet të jetë nën pronësi e administrim transparent dhe jo e privatizuar prej firmave fantom, me pronësi të dyshimtë e me kapital të fshehur. Kapitali shtetëror i Shqipërisë dhe i Kosovës, bashkë me kapitalin nga diaspora, do të mund të përdorej për ta modernizuar industrinë e naftës në Shqipëri dhe për ta vënë atë në funksion të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve tona.

As për sektorin e prodhimit të energjisë elektrike nuk e kemi një strategji të përbashkët, që do të mundësonte uljen e çmimit dhe forcimin e ekonomisë vendore. Kosova e Shqipëria nuk po bashkohen, por që të dyja janë së bashku peng të Serbisë e cila na mban të bashkuar e të bllokuar intekoneksionin 400 kV tashmë të ndërtuar. Pra, jemi bashkë sepse jemi të dyja peng të Serbisë.

Nuk na duhet nacionalizëm elektoral, as paradë bashkimi e sfilatë qeveritarësh në mbledhje ceremoniale, sa na duhet themelimi i nje fryme bashkëpunuese të konkretizuar në institucione e mekanizma të përbashkët, me synim konkret dhe me ndikim sektorial: komisione të përbashkëta qeveritare dhe parlamentare për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore, pastaj treg i për përbashkët për prodhimet, mallrat, shërbimet dhe bizneset mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së, mandej nga treg i përbashkët edhe dogana të përbashkëta, konsullata e ambasada të përbashkëta, shkolla të përbashkëta ushtarake e policore, strategji zhvillimore të përbashkëta sepse jemi kompementarë (përplotësues), program i njësuar arsimor etj. Dhe, raportim publik e parlamentar për realizimin e marrëveshjeve dhe ndikimin e tyre në jetën e shqiptarëve. Nuk kemi nevojë për gjithnjë e më shumë zotime me gjithnjë e më pak zbatime.

(Pyetje nga gazetari):
– “Kur jemi tek bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe kjo taksa që i është vënë produkteve serbe e kemi parë një qëndrim të Ministrit të Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili ka dalë kundër këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës madje gjatë një vizite në Beograd ka kërkuar bashkëpunim më të madh me Serbinë. Si e komentoni ju këtë deklaratë të Ministrit të Financave?”

Së pari, ne besojmë që duhet të priten efekte pozitive nga taksa 100%, ndonëse metoda nuk është adekuate dhe përgatitjet mungojnë. E kam fjalën për atë që në vend të reciprocitetit të plotë tregtar, politik, ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë që do të vinte nga përcaktimi për integritet dhe dinjitet shtetëror të vendit tonë, është vënë ad-hoc një taksë 100% e cila është më shumë, le të themi, një gjobë taktike apo një akt i dëshpëruar, për shkak të sjelljes së Serbisë sidomos me rastin e mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol. Pra, ne besojmë që bojkotimi i produkteve të Serbisë, reciprociteti i plotë me Serbinë duhet të jenë parimi që për pasojë do të kishte pastaj moslejimin e hyrjes së mallrave të Serbisë. Në këtë mënyrë siç e ka bërë Qeveria e Kosovës me kryeministrin e saj, sigurisht që defektin e kemi tek mungesa e përgatitjeve elementare dhe tek thirrja dëshpëruese e kryeministrit që “aman mos i rritni çmimet ju shitore anembanë Kosovës.”. Në vitin 2006 kur Lëvizja VETËVENDOSJE! pat filluar fushatën për bojkotimin e mallrave të Serbisë, ne gjithashtu kemi thirrur edhe për konsum të produkteve vendase, por edhe në të njëjtën kohë kemi përgatitur fletushkat tona, ku të gjitha mallrat e Serbisë i kemi paraqitur në një shtyllë, ndërkaq në anën tjetër zëvendësimet nga Kosova apo vendet tjera që na kanë njohur. Pra, edhe kur ishim si VETËVENDOSJE! tërësisht jashtë sistemit politik e institucional kemi bërë përgatitje për më shumë se një muaj për fushatën tonë. Andaj me keqardhje po them që në vend se kjo taksa 100% të jetë gjobë taktike dhe një lloj akti dëshpërues, do të duhej të kishim reciprocitetin e plotë sepse jemi shtet me integritet dhe dinjitet.

Sa i përket Republikës së Shqipërisë, ne besojmë se Republika e Shqipërisë në politikën e saj të jashtme karshi Serbisë duhet ta ndjekë Kosovën, por këtu më duhet të them mbase jo presidentin e saj. Pra, Republika e Shqipërisë në politikën e jashtme karshi Serbisë duhet që gjithsesi si masë e përmasë ta ketë Republikën e Kosovës. Ju e dini që edhe Republikën e Parë të Kosovës që është shpallur me 2 Korrik, me deklaratën e famshme të vitit 1990, e pat njohur Republika e Shqipërisë e lëre më këtë tjetrën. Ne jemi një komb në dy shtete, prandaj, nuk mund t’i kemi dy politika karshi Serbisë.

 

Fjala e Nënkryetarit të parë, Besnik Bislimi:

Në katër mbledhjet e deritanishme të përbashkëta janë nënshkruar 50 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume bashkëpunimi apo dakordime mes palëve. Prej tyre 14 memorandume e marreveshje dhe tri zotime i takojnë fushës së ekonomisë, përfshirë këtu sistemin fiskal, doganor, energjinë, zhvillimin ekonomik ndërkufitar, bujqësinë, tregun e punës dhe një segment tjetër me rëndësi, ai i nxitjes së zhvillimit ekonomik në Luginën e Preshevës. Nuk do mend se secila nga këto marrëveshje është e një rëndësie të veçantë në rrugën drejt integrimit të vazhdueshëm të ekonomive tona dhe drejt krijimit të një tregu ekonomik mbarëshqiptar. Fatkeqësisht, pjesa dërrmuese e këtyre marrëveshjeve janë harruar që në ditën e nënshkrimit të tyre. Asnjëra prej tyre nuk ka kaluar nëpër dyert e parlamenteve të dy vendeve dhe për më tepër as nuk i gjen në databazat apo prezencën online të qeverive të dy vendeve apo ministrive gjegjëse.

Në pjesën më të madhe, marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë përmbajnë zotime por asesi afate për implementimin e tyre e as indikatorë për matjen e progresit drejt afateve të përcaktuara. Në vend të kësaj, pala kosovare është përcaktuar për prioritizimin e implementimin e marrëveshjve të nënshkruara me Serbinë duke lënë në plan të dytë apo injoruar komplet ato më Shqipërinë. Kështu për shembull, memorandumi i mirëkuptimit për themelimin e berzës së përbashkët të energjisë mes dy vendeve është lënë në harresë dhe zëvendësuar me angazhim intensiv të qeverisë sonë për të licensuar operatorin serb, “Elektrosever”, në veri të vendit.

Ne kemi nënshkruar marrëveshje për krijimin e fondit zhvillimor për Luginën e Preshevës, por a mund të na thotë kush se çfarë progresi është bërë në këtë drejtim, dhe sa mjete janë derdhur në këtë fond? A mund të na thotë kush se sa mjete buxhetore kanë derdhur qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë për blerjen e pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës – marrëveshje këto të nënshkruara që në vitin 2014.

Ne kemi nënshkruar pothuajse secilin vit, që nga mbledhja e parë e përbashkët e vitit 2014, marrëveshje, memorandume e zotime, për lehtësim të tregtisë mes vendeve tona, por edhe për dakordime në fushën e politikave doganore. Por, a mund të na thotë dikush se pse edhe pas katër viteve nuk ka as përmirësim periferik në fushën e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve?

Shqipëria, nga totali i importeve, vetëm 1.3% i merr nga Kosova. Madje edhe shtete më periferike si Polonia, Bullgaria eksportojnë më shumë mallëra drejt Shqipërisë sesa Kosova.

Në të njëjtën kohë, Kosova është partneri i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë e jashtme, duke lënë vetëm Gjermaninë si shtet me shkëmbim më të madh tregtar. Shqipëria eksporton më shumë në Kosovë sesa në katër kontinente marrë së bashku (Azi, Afrikë, Amerikë dhe Australi).

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës janë katërfish më të larta sesa ato drejt Serbisë, gjë që është për t’u përshëndetur. Por në të njëjtën kohë, importet e Shqipërisë nga Serbia janë trefishi i importeve nga Kosova, që lënë shumë për të dëshiruar. Dhe fatkeqësia është se këto raporte vetëm se janë përkeqësuar që nga fillimi i mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta të qeverive tona dhe zhurmave për forcim të bashkëpunimit. Sa për ilustrim, që nga viti i nënshkrimeve të para në vitin 2014, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, përderisa Shqipëria ka arritur gati të trefishojë eksportet drejt Serbisë.

Ne kemi nënshkruar marrëveshje edhe për bashkëpunim në politikat tatimore si dhe për hetime të përbashkëta tatimore mes vendeve tona. Por a mund të thotë dikush, qoftë edhe për një takim të vetëm pasues, ku të jetë diskutuar për një lloj të vetëm të tatimit për të cilin ka nisur iniciativa për harmonizim apo për një hetim të vetëm tatimor ku dy vendet tona do të operonin së bashku?

Ne kemi nënshkruar marrëveshje për lehtësim të qasjes në tregun e punës së dy vendeve për qytetarët. Por pas katër vitesh ende qytetarët e Shqipërisë nuk mund të punojnë në Kosovë pa leje të veçanta të punës.

Ne kemi nënshkruar që në vitin 2016 zotimin për krijimin e një mekanizmi për zbatimin, ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve të marra deri më tani midis dy vendeve tona. Këto rrjedhin nga Dokumenti i Partneritetit Strategjik. Gjithashtu, kemi nënshkruar edhe zotimin për funksionalizimin e menjëhershëm të të gjitha komisioneve të përbashkëta, sipas marrëveshjeve të arritura, duke synuar progresin e tyre për zbatim. Kemi nënshkruar edhe zotimin për hartimin e menjëhershëm të një liste me projektet e përbashkëta për zhvillimin ekonomik të zonës ndërkufitare. Por, a mund të raportojë sot dikush nga dy qeveritë se cili prej këtyre zotimeve është zbatuar, duke mos harruar që këto zotime është dashur të përmbusheshin brenda qershorit të vitit 2016.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka brengën se të gjitha këto marrëveshje janë marrëveshje të nënshkruara me një datë validiteti në datën e nënshkrimit, por pa zotim për zbatimin e tyre. Bëjmë thirrje që në mbledhjën e radhës, ndoshta të ketë më pak vullnet për nënshkrim të marrëveshjeve, por më shumë zotim për implementimin e tyre.

Ju faleminderit.

Kontribo

24 11 2018

30 anëtarë të rinj në Gjilan

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, sot vizitoi Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, me ç’rast mori pjesë në ceremoninë e pranimit të 30 anëtarëve të rinj në këtë Qendër.

Ai iu dëshiroi mirëseardhje në Lëvizje anëtarëve të rinj, duke iu thënë që ne politikën e shohim si shërbim ndaj qytetarëve, me një koncept e program të bazuar në drejtësi, zhvillim e solidaritet. Kryetari Kurti shprehu bindjen që së bashku jemi më të fortë, drejt sfidave dhe sukseseve të reja.

Kontribo

22 11 2018

Mytaher Haskuka prezanton Prizrenin në Paris

Pas takimeve zyrtare, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, mbajti mbrëmë një fjalë rasti në aktivitetin e organizuar nga Qendra Kulturore e Kosovës në Paris, bashkë me “Trashëgimia pa kufij” dhe shoqatën “Albania”. Në këtë mbrëmje u promovua edhe botimi i revistës kulturore “Art dhe Trashëgimi” kushtuar Prizrenit. Të pranishëm në këtë aktivitet të hapur për publikun ishin profesorë, studentë dhe biznesmenë të mërgatës shqiptare, si dhe qytetarë të Francës, studiues dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, që kanë një interes për Kosovën dhe Shqipërinë.

Kryetari Haskuka foli për historinë dhe vlerat kulturore të Prizrenit, si kryeqytet historik i shqiptarëve që bart në mozaikun e trashëgimisë së tij edhe kultura të tjera të larmishme të cilat ia pasurojnë vlerat. Më tej ai shpjegoi disa prej sfidave dhe punën e Komunës për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit e cila ka vlerë sa materiale aq edhe shpirtërore.

Në fund të aktivitetit, të pranishmit shprehën dëshirën dhe interesin jo vetëm për ta vizituar Prizrenin, por edhe për të identifikuar dhe për të çuar përpara projekte bashkëpunimi.

Paris, 22 nëntor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 11 2018

Takime dhe aktivitete në Paris

Takime dhe aktivitete në Paris

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Boiken Abazi, janë në një vizitë dy ditore në Paris, për të marrë pjesë në mbrëmjen kulturore kushtuar qytetit të Prizrenit, ku do të mbajë një fjalë rasti edhe Kryetari Haskuka mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti. Ky aktivitet organizohet nga Qendra Kulturore e Kosovës në Paris në bashkëpunim me “Trashëgimia pa kufij”.

Gjatë ditës së sotme, Kryetari Haskuka dhe Sekretari Abazi zhvilluan gjithashtu një takim me Nënkryetarin e Komunës së Parisit, Christophe Girard, dhe stafin e tij, bashkë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim R. Gashi. Në takimin me z. Girard u diskutua konkretizimi i bashkëpunimit mes Komunës së Parisit dhe Komunës së Prizrenit duke ia nisur nga aktivitete të përbashkëta kulturore, për të vazhduar më tej edhe me sektorë të tjerë të rëndësishëm për të dyja Komunat.

Në vazhdim u mbajt një takim me zyrtarin e Sekretariatit Ndërkombëtar të Partisë Socialiste të Francës, Sébastien Gricourt, me të cilin u zhvilluar edhe një video-intervistë e Kryetarit Haskuka dhe Sekretarit Abazi në Fondacionin “Jean Jaurès”.

Vizita në Paris vazhdon me takime të tjera. Sakaq ftojmë bashkatdhetarët të na bashkohen sot në mbrëmjen kulturore dedikuar Prizrenit në Paris, në ora 19:00 në adresën “Maison des associtions”, vii, 4 Rue “Amélie”.

Paris, 21 nëntor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

20 11 2018

Ekspozita retrospektive e prof.Tahir Emra

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, piktori ynë i mirënjohur akademik prof.Tahir Emra organizoi ekspozitë retrospektive jubilare. Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti bashkë me deputeten Arbërie Nagavci dhe ish-drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Yll Rugova, vizituan këtë ekspozitë me rastin e hapjes së saj. Me vizatimet dhe pikturat e tij të shumta opusi i prof.Tahir Emra është një kontribut i madh estetik dhe thesar artistik i Kosovës, kënaqësi dhe edukim si për artistët e rinj ashtu edhe për qytetarët në përgjithësi. Shumë mall dhe dashuri, punë dhe teknikë ka në veprat e akademik Tahir Emres.

Kontribo

20 11 2018

Konferencë për media në lidhje me dështimin në Interpol

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me dështimin e Qeverisë dhe Presidentit për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në Interpol.

Anëtari i Kryesisë, deputeti Xhelal Sveçla foli, për luftën e madhe të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dhe për aventurën e Presidentit Thaçi për të vrapuar drejt pazareve me Serbinë.

“Hipokrizia qëndron në faktin e takimeve Thaçi-Vuçiq. Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit”, tha Xhelal Sveçla.

Ai po ashtu, theksoi se hapi i parë që dëshmon se palët janë të intersuara për një marrëveshje finale është pushimi i “luftës” në terren. Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terrren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë. Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për konfuzionin që kanë shkaktuar Presidenti, Kryeministri e Ministri i Punëve të Jashtme me dobësinë e treguar karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, tha Albulena Haxhiu.

Haxhiu shtoi se “Thaçi e Pacolli, por edhe Haradinaj, duke u treguar të butë e të dobët karshi Serbisë, karshi Vuçiqit, Daçiqit e Radojçiqit, e kanë dobësuar pozitën tonë si shtet kudo, e kanë stërkequr perceptimin mbi neve. Dobësia e butësia karshi Serbisë nuk interpretohen nga askush si bujari a gjenerozitet yni, por si frikë e si padituri e jona”.

Kuvendi i Republikës dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin e Thaçit në aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë, po ashtu Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendos reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.

Pasojat e dështimit për t’u anëtarësuar në INTERPOL janë më të mëdhatë në një rrafsh tjetër: mijëra kriminelë të luftës në Serbi sot po festojnë. Me iniciativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, më 25 tetor 2018, pra ende nuk është bërë një muaj, u miratua në parim Projekt-Ligji për gjykimin në mungesë të krimeve të luftës me 61 vota PËR, 19 KUNDËR dhe 7 ABSTENIME. Kjo ishte fitore e jashtëzakonshme për drejtësinë në Kosovë. Mirëpo, tash drejtësia në Kosovë u sulmua nga dështimi në Dubai. Pra, pasojat nuk janë vetëm në fushën e sigurisë por edhe të drejtësisë, jo vetëm për drejtësinë në paqe por edhe për drejtësinë për krimet e luftës.

E vetmja mënyrë si mund ta ndihmojnë ata Kosovën është duke dhënë dorëheqje. Shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, për të mos thënë të gjithë, do të gëzoheshin sonte, sikur në lajmet e mbrëmjes të dëgjonin se Thaçi, Pacolli dhe Haradinaj kanë dhënë dorëheqje.

Kontribo

19 11 2018

Takim me Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat

Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u zhvillua sot një takim nga Kryetari, Albin Kurti, Nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, me Kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, dhe Menaxheren e Burimeve Njerëzore të kësaj sindikate, Mimoza Sopaj.

Në këtë takim, Kryetari Kurti theksoi rëndësinë që Lëvizja VETËVENDOSJE! i kushton çështjes të së drejtave të punëtorëve në Kosovë, përfshirë këtu pagat e ulëta dhe të prapambetura, kontratat dhe kushtet e punës, si dhe privatizimet abuzive që kanë lënë të papunë me dhjetra mijëra punëtorë e që kërcënojnë ende me mijëra të tjerë. Si subkjet politik social-demokrat, Lëvizja VETËVENDOSJE! ia ka caktuar vetes detyrë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përparimin e këtyre të drejtave përmes angazhimit brenda dhe jashtë institucioneve. Shqetësimi i madh i Lëvizjes VETËVENDOSJE! lidhet me vdekjet në vendin e punës, me mungesën e kontratave të punës, ose me mosrepsektimin e tyre, me mungesën e politikave qeveritare për rritjen e prodhimit vendas, dhe për pasojë mungesën e mundësive të punësimit në Kosovë, si dhe me shpërfilljen që institucionet e vendit bëjnë ndaj shkeljes sistematike të të drejtave të punëtorëve. Nënkryetarja Mulhaxha Kollçaku theksoi punën në Kuvendin e Republikës dhe në aktivitetet jashtë Kuvendit, që Lëvizja ka bërë në vazhdimësi për rritjen e pagës minimale në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, bëri një përmbledhje të gjendjes së rëndë të punëtorëve në sektorin privat në Kosovë, dhe pengesat e mëdha që vendosen për realizimin e të drejtave. Ai theksoi gjthashtu domosdoshmërinë për rritjen e pagës minimale, dhe tregoi se shumica e punëtorëve të sektorit privat janë të punësuar pa kontratë pune dhe nuk u paguhen kontributet pensionale. Për pasojë, shfrytëzimi i tyre dhe shkelja e të drejtave bëhet edhe me i lehtë. Më tej, ai shpjegoi se institucionet e vendit dhe inspektoriati i punës janë në dijeni për këto shkelje të rënda që i bëhën punëtorëve, mirëpo lidhja mes biznesit dhe politikës në Kosovë kontribuon direkt në mirëmbajten e gjendjen aktuale. Z. Azemi ngriti në veçanti edhe çështjen e punëtorëve të Fabrikës së Llamkosit në Vushtrri, dhe shkeljen e të drejtave të tyre. Për më shumë, tregoi për nevojat jo vetëm për organizmin e punëtorëve në vendin e tyre të punës, por edhe për këshillimin juridik që u nevojitet atyre.

Përfaqësuesit e Lëvizjes ofruan bashkëpunimin për të gjitha çështjet e ngritura nga Sindikata. Për më të tepër, ata e njoftuan Sindikatën se Lëvizja planifikon ngritjen e strukturave të brendshme organizative të cilat do të merren edhe më nga afër me problemet dhe shkeljet e të drejtave të punëtorëve, si dhe me organizmin e punëtorëve për të realizuar të drejtat e tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të bashkëpunojë me çdo sindikatë që mund të kontribuojë në ngritjen e dinjitetit të punëtorëve dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Prishtinë, 19 nëntor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

19 11 2018

Vizitë në fshatin Mushnikovë.

Albin Kurti me deputetë, zyrtarë e asambleistë të Prizrenit, vizitoi fshatin Mushnikovë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me deputetët Drita Millaku, Arbër Rexhaj, Kryetarin e Qendrës së Prizrenit dhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal, Artan Abrashi, drejtorin për siguri dhe emergjenca, Faruk Dakaj dhe asambleistët Karanfil Haxhillari e Adem Shabanaj, vizitoi fshatin Mushnikovë, ku mbajti tubim me banorët e fshatit.

Tubimin e hapi Artan Abrashi, i cili tha se Komuna e Prizrenit i mban premtimet edhe pas fushatës edhe me vet faktin që vjen në tubime sa herë që banorët e kërkojnë këtë. Ai tregoi se Komuna e Prizrenit tash më e ka siguruar transportin për nxënësit e fshatit, deri sa e adresoi problemin e ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh, me ç’rast u premtoi banorëve se Komuna e Prizrenit nuk do të japë leje për ndërtimin e tyre, por do të veprojë konform interesit të banorëve.

Kryetari, Albin Kurti në fjalën e tij shprehu kënaqësinë e tij që në një vjetorin e fitores në balotazh në Prizren gjindet në Mushnikovë, fshat ky që u bë pjesë e ndryshimit të madh në Prizren.

Duke folur për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, ai tha se vendi i ka problem keqqeverisjen brenda e cila po e gërryen buxhetin dhe pasuritë, si dhe aventurën personale dhe të rrezikshme të presidentit të shantazhuar.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka parësor sovranitetin me integritet institutional e territorial dhe zhvillimin ekonomik me prodhim e punësim. Ai përmendi Fondin Sovran ku ristrukturohen ndërmarrjet publike e shoqërore dhe Bankën Zhvillimore si dy projekte të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Tubimin e përshëndetën poashtu edhe deputetët Drita Millaku dhe Arbër Rexhaj, të cilët falenderuan banorët dhe premtuan kontakte të shpeshta e komunikim me ta.

Kontribo

17 11 2018

Prezantim nga prof. Venera Demukaj.

Sot në mbrëmje në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Profesoresha Venera Demukaj paraqiti prezantimin “Ndihma e Jashtme: Mundësitë dhe Kontradiktat”. Pas prezantimi vijoi diskutimi mbi një temë tepër të rëndësishme siç është implikimet e ndihmës së jashtme për një vend, kur filloi ky koncept i ndërveprimit, çfarë ndodhi me vendet që e “pësuan” e apo e “fituan” këtë tip të ndihmës.

Kontribo

17 11 2018

Kryetari i Prishtinës në funksion të kapitalit privat

Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mbajti konferencë për media për të folur në lidhje me degradimin e vazhdueshëm në Komunën e Prishtinës nga qeverisja e Shpend Ahmetit duke lejuar ndërtimin pa leje nëpër disa lokacione në Prishtinë.

Asambleisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Prishtinës, Arbër Vokrri, foli edhe një herë për ndërtimin pa leje që po ndodhë tek objekti i ‘’Albi Commerce’’, për të cilën Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë përgjigje.

”Pas akuzës sonë publike shfaqet kryetari i Komunës dhe i bën reklamë pikërisht të njëjtit konsorcium, të njëjtave biznese, që ishte e habitshme për ne. Aty një brend i njohur ndërkombëtar e ka hapur një butik dhe tash kryetari ngarend për t’i bërë një reklamë thuajse fjala është për hapje të ndonjë fabrike që do ta zvogëlonte papunësinë në Prishtinë. Ndërkaq sa i përket lajmit të mirë të ardhjes së brendeve të njohura ai nuk është as i pari as i fundit që vije në Prishtinë’’, tha Arbër Vokrri.

Ai po ashtu theksoi se kjo rrjedhë e ngjarjeve e përforcon dyshimin për mundësinë e një lidhjeje korruptive në këtë mes duke thënë se kanë marrë informacione, që po konfirmohen, se bëhet fjalë qartas për një interes të ngushtë të kryetarit të komunës me Albi Commerce-in(Albi Mall). Nga e gjithë kjo natyrshëm lindë pyetja: a mos kryetari i Komunës është aksionar në këtë biznes, apo mos e ka punësuar ndonjë familjar të afërt aty? Apo mos e ka marrë përsipër marketingun e kompanisë a kompanive në fjalë?

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes dhe ish-drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, Liburn Aliu foli për objekte që dikur ishin simbole të ndërtimeve pa leje dhe që ishin ndaluar, ndërkohë që tash aty është rikthyer tash puna në mënyrë intenzive.

‘’ Bëhët fjalë për dy objekte që kanë qene simbole të ndërtimeve pa leje dhe të degradimit të qytetit të Prishtinës. Janë të në qendër të Prishtinës, njëri në rrugën Agim Ramadani dhe tjetri në rrugën e UÇK-së. Njëri nga ta ishte objekti i cili u shëndërrua në pikën kryesore të fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje ! në Prishtinë më 2013, kur kishim kandidat Shpendin dhe fituam. U patëm zotuar asokohe për ndalim të ndërtimeve pa leje dhe vendosje të rregullit. Ashtu dhe patëm bërë. Ndalimi i ndërtimeve pa leje ishte pikënisja e ndryshimit në Prishtinë. Ishte fillimi i vështirë i ndryshimit’’, tha Liburn Aliu.

Ai gjithashtu tha se Shpendi e di mirë për presionin që kemi pasë, telefonatat e kërkesat për takime nga shumëkush, madje edhe nga njerëz mjaft eminent të politikës.Duke e marrë parasysh nivelin e presionit që bëhej asokohe për ndërtimet pa leje dhe veçanërisht për këto dy objekte e kuptohet që këtu nuk kemi të bëjmë më thjesht për lejim të ndërtimeve pa leje dhe rikthim te degradimit si në të shkuarën në Prishtinë. Këtu ka diçka më shumë.

Shpendi po qeverisë tani ashtu si u qeveris dikur në Prishtinë dhe ashtu si qeveriset me Kosovën tash e shumë vite. Shpendi për nga qeverisja po i përngjan Ramushit dhe këta të dy bashkë cilitdo kryeminister të Republikës së Kosovës deri tani. E tu përngjash atyre nuk është kaq e thjeshtë, duhet të jesh në gjendje të thyesh më shumë kufij, dhe nuk ndalon me ndërtime pa leje.

Me këtë që po shihet pritet që së shpejti të na shpërthejë diçka edhe më e madhe, andaj Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë është e intersuar të dijë se a lidhet kjo me kryeministrin Ramush Haradinaj apo me presidentin Thaçi, le të na e thojë Shpend Ahmeti?

Kontribo

16 11 2018

Alternativa e Lëvizjes me katër hapa për bisedimet me Serbinë

(Fjala e Kryetarit, Albin Kurti, në konferencë për media)
Deklarata e dy presidentëve për korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi, sot i ka mbushur 9 muaj. Me 16 shkurt 2018 e nënshkruan bashkë Thaçi dhe Vujanoviq, por sot jemi me 16 nëntor: deklaratën e kemi, por korrigjimin nuk e kemi. 80 deputetë regjimi nuk do të mund t’i bënte asokohe pa këtë mashtrim. I gënjyen deputetët se Çakorri e Zhlepi e Bjelluha do të jenë të Kosovës. Më lejoni të citoj: “Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishiqojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.” Kështu thuhej në Deklaratën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe Vujanoviqit. Votat i morën, tokën e dhanë, korrigjimi ka ngelur veçse në letër.

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, e ka inkurajuar Thaçin për këtë aventurën e tij për pazare territoriale me Serbinë, në emër të një demarkacioni të ri me të, të një korrigjimi tjetër nga i cili ne sërish dalim humbës. Haradinaj i dha 8.200 hektarë për ulësen e kryeministrit. Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit, ndërkohë që shtiret se kjo është për ulësen e Kosovës në OKB. Territor për karrigë, gjithsesi. Territor shteti për karrigë pushteti.

Mirëpo, kot bredh Thaçi poshtë e lart si paparazzi. Derisa ai nuk ka mandat legjitimues nga Kuvendi dhe as ekip negociator nga Qeveria, nuk do të guxojë të nënshkruajë marrëveshje me Vuçiqin. I bëj thirrje AAK-së e Nismës që të mos formojnë ekip negociator i cili do t’i shërbente Thaçit për të dëshmuar para faktorëve ndërkombëtarë se ai nuk është i vetmuar. Thaçi është dhe duhet të mbetet i vetmuar. Në protestën e 29 shtatorit u dëshmua që populli ynë nuk i nënshtrohet këtij njeriu. Çfarëdo ekipi negociator tash, vetëm sa i jep hov negociatave, dhe shërben si dhjam për arushën, si imunitet për presidentin në këtë aventurën e tij me agjendë serbo-ruse.

Para dy viteve e gjysmë, pakkujt, në mos askujt, nuk ia ka marrur mendja që fiton Trumpi apo ngjan BREXIT-i. Mirëpo, para vetëm një viti e gjysmë askujt, ama bash askujt, nuk ia ka marrë mendja që ish kyeministri maqedonas Gruevski do të kërkojë azil politik në Hungari. Prandaj, asaj rruge është edhe Thaçi – drejt azilit në Rusi. Ne nuk mund ta ndalim në rrugën e tij. Por, ne mund dhe duhet ta ndalim që ai ta marrë Kosovën me vete. Kosova nuk futet dot në valixhe. Asnjëherë, të askujt. Toka jonë është e shkriftë, sepse historikisht është përplot gjak, lot e djersë të panumër brezave. Të palarat e veta në valixhen e tij, Thaçi nuk i shkëmben dot me tokë të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! propozon alternativën me katër hapa për bisedime me Serbinë, pra për bisedime alternative, të përgatitura mirë për zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme:

Hapi i parë: shqyrtim dhe vlerësim i dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) në Kuvendin e Republikës. Janë 33 marrëveshje me Serbinë dhe një raport 38 faqësh i qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e atyre marrëveshjeve. Shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017, teknik e politik, do të na tregojë ku ndodhemi dhe cilat janë mësimet që duhet t’i nxjerrim për rrugën përpara. Me 9 korrik ka ardhur ky raport qeveritar në Kuvend. Edhe pas më shumë se katër muajve, kryetari i Kuvendit Veseli po e bllokon atë në agjendën parlamentare që të mos e sjellë në seancën plenare. Agjenda parlamentare është e zaptuar.

Hapi i dytë: ne duhet ta dimë se çka duam, cilat janë qëllimet tona në bisedimet me Serbinë. Kuvendi i Republikës duhet ta përcaktojë qartë se cilat janë qëllimet e shtetit tonë dhe ato qëllime duhet të përkthehen mandej në listë kërkesash zyrtare ndaj Serbisë. Natyrisht që edhe Serbia do të ketë listë të kërkesave, por kjo nuk na intereson neve tash. Ne duhet ta dimë dhe përcaktojmë çka ne duam, psh. njohja e pavarësisë, kthimi i të pagjeturve, reciprociteti i të drejtave, reparacioni e sukcesioni etj. le ta përcaktojmë qartë e saktë dhe le ta bëjmë këtë kërkesë zyrtare.

Hapi i tretë: platforma me parime e Republikës së Kosovës për bisedime me Serbinë. Ne qysh në vitin 2014 kemi deklaruar që nuk jemi në parim kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa parime; këto parime duhet të përcaktohen, diskutohen e votohen në Kuvendin e Kosovës. Është gabim të flitet për rezultatin në fund të bisedimeve, sepse atë askush nuk e di. Ne duhet të flasim për qëllimet tona dhe parimet e procesit. Bisedimet nuk mund të jenë një skenar i gatshëm ku ne bëhemi aktorë mekanik përfundi një regjisori të ashpër, por proces me parime ndërmjet palëve që kanë qëllime.

Hapi i katërt: ekipi negociator me legjitimitet nga Kuvendi, me përbërje gjithëpërfshirëse, udhëheqje kredibile dhe strategji përkatëse. E vetmja gjë që nuk mund të jetë publike në këta katër hapa, është strategjia e ekipit negociator. Gjithçka tjetër duhet të jetë transparente. Ky ekip negociator i raporton Kuvendit të Republikës dhe komisioneve të tij varësisht nga kërkesa dhe nevoja siç është normale në një republikë parlamentare si puna e shtetit të pavarur të Kosovës.

Dy hapat e parë mundemi t’i bëjmë edhe para zgjedhjeve të reja e të parakohshme parlamentare. Hapat 3 dhe 4, vetëm pas zgjedhjeve kur dalin institucionet me legjitimitet të freskët.

 

Kontribo

15 11 2018

Vizitë në Akademinë për Siguri Publike.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me sekretaren organizative, Vlora Haxhimehmedi, deputetin, Liburn Aliu, nënkryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi dhe gjeneralin në pension, Enver Dugollin, vizitoi Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.

Ata u pritën nga Ismail Smakiqi, drejtor i përgjithshëm i kësaj akademie, i cili në një prezantim të gjerë tregoi se kjo akademi e themeluar në vitin 1999 bën trajnimin e kadetëve për Policinë e Kosovës, Inspektoratit Policor, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Agjencionit Doganor, Shërbimit korrektues dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës. Deri në vitin 2017 në këtë akademi, trajnime kanë ndjekur mbi 146 mijë vijues.

Në fund, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! pati rastin që nga afër të ndjekë një ushtrim të kadetëve të Policisë.

Kontribo

14 11 2018

Takim me banorë të fshatit Gërnçar

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga disa nga drejtorët e Komunës së Prizrenit, Levent Kasëmi, drejtor i shërbimeve publike, Refik Shaqiri, drejtor i kadastrit (boshnjak, partia NDS), Visar Shehu, drejtor i shëndetësisë, Islam Thaçi, drejtor i inspeksionit, Krenare Koqi, shefe e kabineti të kryetarit, Artan Abrashi kryesues i asamblesë komunale vizituan fshatin Gërnçar të kësaj komune, fshat ky i banuar me pjesëtarë të komunitetit boshnjak.

Në takim me ta, kryetari Kurti foli mbi situatën e përgjithshme në Kosovë, të cilën e vlerësoi të rëndë për të gjithë qytetarët e vendit. Fajtor për këtë është modeli ekonomik i gabuar, i koncentruar vetëm në tregti e import dhe administratë të fryrë, duke lënë anash prodhimin, duke i privatizuar ndërmarrjet dhe duke i lënë punëtorët pa të drejta.

Ai i përmendi tri shtylla mbi të cilat sipas programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të ndërtohet shteti funksional: shtetin zhvillimor të bazuar në prodhimtari, shtetin e së drejtës me barazi ligjore për qytetarët dhe luftim të pakomromis të korrupsionit, dhe, shtetin social, i cili do të të ofronte mbrojtje për qytetarët, para së gjithash për ata në nevojë.

Nga ana e tyre, drejtorët e Komunës së Prizrenit i njoftuan të pranishmit me projektet e realizuara dhe të planifikuara komunale nga të cilat do të përfitojë ky fshat. Projekti i rrjetit të ujësjellësit të fshatit, shkolla fillore si dhe Qendra e Mjekësisë Familjare, priten të përfundojnë vitin tjetër.

Kontribo

14 11 2018

Diskutim: Sistemi arsimor në Kosovë

Komiteti për arsim e kërkim shkencor në Lëvizjen VETËVENDOSJE! organizoi sot në mbrëmje diskutimin mbi sistemin arsimor të Kosovës.

Jusuf Thaçi dhe Artan Dermaku paraqitën studimet e tyre dhe idetë për një platformë për ndryshimin e transformimin e gjendjes në sistemin arsimor në Kosovë.

Pas prezantimeve u diskutua mes të pranishmëve mbi gjendjen në arsim, rëndësinë e tij shoqërore dhe ndërhyrjet e domosdoshme për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka trajtuar si prioritet këtë fushë edhe po bën përgatitjet e nevojshme për të detajuar dhe më tej programin e planin në këtë drejtim.

Kontribo

14 11 2018

Ekspozita e shoqatës së intelektualëve të Gjakovës “Jakova” dhe fabrikës së llaqit, ngjyrave dhe ngjitësit “Le Fix”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me sekretaren organizative, Vlora Haxhimehmedi, deputeten, Arbërie Nagavci, kryetarin e Qendrës, Agon Batusha, nënkryetarin, Bashkim Rrahmani, asambleistë dhe aktivistë, vizitoi ekspozitën e shoqatës së intelektualëve të Gjakovës “Jakova”, me rastin e 15 vjetorit të themelimit të saj.

Me këtë rast, kryetari i shoqatës Ruzhdi Sefa i njoftoi të pranishmit me historikun e kësaj shoqate dhe aktivitetin e saj gjatë kohës, ndërkaq ish kryetari, Xhevat Koshi, prezentoi veprat e botuara nga kjo shoqatë dhe anëtarët e saj. Ai i dhuroi kryetarit, Kurti librin “Kujtime Jetike” të shkruar nga Akademik, Minir Dushi.

Në vazhdim të vizitës në Gjakovë, kryetari Kurti vizitoi edhe fabrikën për prodhimin e llaqit, ngjyrave dhe ngjitësit “Le Fix”, ku me pronarin Rrustem Leti bisedoi mbi procesin e punës, sfidat, arritjet e pengesat. Me këtë rast u njoftua se sfidë kryesore është mungesa e kimistëve dhe e teknogëve të prodhimit, shumë të nevojshëm për këtë lloj prodhimi, problem për të cilin kryetari Kurti tha se është rezultat i drejtëpërdrejt i mungesës së përgjithshme të ndërlidhjes së arsimit me ekonominë në Kosovë.

Kontribo

13 11 2018

Të bllokohet kontrata me Z- Mobile, shkatërruese për Telekomin

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media për shkatërrimin sistematik që po i bëhet Telekomit të Kosovës duke vazhduar me emërimet e personave politik dhe jokompetent në udhëheqje të këtij institucioni dhe duke mos zbatuar rezolutën e Kuvendit të miratuar më 12 korrik të këtij viti.

Drejtuesi i Komitetit për Komunikime elektronike dhe postare në LV, Fatban Bunjaku, foli për vendosjen e njerëzve politik dhe krejtësisht të papërgatitur në krye të Telekomit të Kosovës siç ishte rasti me Drejtorin e Telekomit, Gent Begollin dhe tash UD i Drejtorit, Trim Musliu.

“Këtë vit qeveria Haradinaj emëroi një bord drejtues jokompetent dhe të lidhur në masë të madhe me pushtetin direkt. Më pas emëruan një kryeshef ekzekutiv si Gent Begolli që nuk e njeh as abc-në e qeverisjes së telekomunikacionit. Edhe pse morën kritika e kërkesa nga Kuvendi i Kosovës, për ta ndërruar këtë qasje të drejtimit të Telekomit, Qeveria Haradinaj, vijoi më tej duke na lavdëruar e mburrur këtë menaxhment”, tha Fatban Bunjaku.

Ai poashtu theksoi se qëllimi i kësaj amullie të krijuar tash e sa vite dhe që po vazhdon të mirëmbahet në Telekom është pikërisht për zhvatjen e 30 milionë eurove përmes përmbarimit për t’i transferuar ato në Z-Mobile.

Po të ishte ndryshe, sot do të kishim në Telekom menaxhmentin e krizës siç e kërkon Rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018. Po ashtu edhe kontrata me Z-mobile duhet të ishte e anuluar. Këto ditë nëpër Telekom po flitet e veprohet në emër të një personi edhe më jokompetent se të tjerët më herët. Trim Musliu, me profesion producent filmash është duke aktruar si U.D. i Kryeshefit ekzekutiv të Telekomit. Ndërkohë, bordi përbëhet nga gruaja e deputetetit të AAK-së Bekë Berishës, njëkohësisht dhe punonjëse në KEK. Pjesa tjetër është nga kryetarë e anëtarë degësh e nëndegësh të AAK-së, NISMË-s dhe PDK-së.

Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë në kompentencat e saj karshi kontratës kriminale që po e gërryen telekomin. Nuk mjafton të marrë nën gjykim ish – drejtuesit, duhet ta bllokojë kontratën. Kësilloj, si po vepron vetëm po ia shton këtij rasti personat e ardhshëm që do të pësojnë gjykim penal.

Kontribo

13 11 2018

Vizitë në “Loyola Gimnasium” dhe në Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, vizituan shkollën “Loyola Gimnasium” në Prizren, me ç’rast nga drejtori i shkollës, Axel Bödefeld, u njoftuan për procesin mësimor në këtë shkollë, e cila i ka rreth 1100 nxënës, nga ta 350 në shkollës fillore dhe 750 në atë të mesme, si dhe projektin pararsimor “Loyola Transit” për integrimin e fëmijëve të komunitetit ashkali e rom, të cilët mësohen nga 110 mësues dhe arsimtarë gjithsej.

Kryetari Albin Kurti përgëzoi personelin e shkollës për punën e deritashme, edukimin cilësor dhe suksesin e arritur, duke vlerësuar se në këtë shkollë po arsimohen nxënësit, të cilëve po u jipet edhe dije edhe edukim. Ai theksoi se pa arsim cilësor nuk ka as zhvillim ekonomik dhe as mirëqenie shoqërore.

Në vazhdim të vizitës në Prizren, Kryetari i Lëvizjes Kurti dhe Kryetari i Komunës Haskuka vizituan edhe Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit” , ku nga themeluesi i saj, Halil Kastrati u njoftuan se kjo shoqatë deri më tash i ka strehuar 200 familje, ndërkaq në gjelltoren e saj rregullisht ushqehen 309 persona. Albin Kurti e inkurajoi z. Kastrati të vazhdojë me punën e bamirësisë që po bën dhe i ofroi bashkëpunim të vazhdueshëm, ngjajshëm si marrëveshja me Komunën e Prizrenit për ndërtimin e 28 shtëpive, çelësat e të cilave do të shpërndahen më 28 nëntor.

Kontribo