16 11 2018

Alternativa e Lëvizjes me katër hapa për bisedimet me Serbinë

(Fjala e Kryetarit, Albin Kurti, në konferencë për media)
Deklarata e dy presidentëve për korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi, sot i ka mbushur 9 muaj. Me 16 shkurt 2018 e nënshkruan bashkë Thaçi dhe Vujanoviq, por sot jemi me 16 nëntor: deklaratën e kemi, por korrigjimin nuk e kemi. 80 deputetë regjimi nuk do të mund t’i bënte asokohe pa këtë mashtrim. I gënjyen deputetët se Çakorri e Zhlepi e Bjelluha do të jenë të Kosovës. Më lejoni të citoj: “Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishiqojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.” Kështu thuhej në Deklaratën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe Vujanoviqit. Votat i morën, tokën e dhanë, korrigjimi ka ngelur veçse në letër.

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, e ka inkurajuar Thaçin për këtë aventurën e tij për pazare territoriale me Serbinë, në emër të një demarkacioni të ri me të, të një korrigjimi tjetër nga i cili ne sërish dalim humbës. Haradinaj i dha 8.200 hektarë për ulësen e kryeministrit. Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit, ndërkohë që shtiret se kjo është për ulësen e Kosovës në OKB. Territor për karrigë, gjithsesi. Territor shteti për karrigë pushteti.

Mirëpo, kot bredh Thaçi poshtë e lart si paparazzi. Derisa ai nuk ka mandat legjitimues nga Kuvendi dhe as ekip negociator nga Qeveria, nuk do të guxojë të nënshkruajë marrëveshje me Vuçiqin. I bëj thirrje AAK-së e Nismës që të mos formojnë ekip negociator i cili do t’i shërbente Thaçit për të dëshmuar para faktorëve ndërkombëtarë se ai nuk është i vetmuar. Thaçi është dhe duhet të mbetet i vetmuar. Në protestën e 29 shtatorit u dëshmua që populli ynë nuk i nënshtrohet këtij njeriu. Çfarëdo ekipi negociator tash, vetëm sa i jep hov negociatave, dhe shërben si dhjam për arushën, si imunitet për presidentin në këtë aventurën e tij me agjendë serbo-ruse.

Para dy viteve e gjysmë, pakkujt, në mos askujt, nuk ia ka marrur mendja që fiton Trumpi apo ngjan BREXIT-i. Mirëpo, para vetëm një viti e gjysmë askujt, ama bash askujt, nuk ia ka marrë mendja që ish kyeministri maqedonas Gruevski do të kërkojë azil politik në Hungari. Prandaj, asaj rruge është edhe Thaçi – drejt azilit në Rusi. Ne nuk mund ta ndalim në rrugën e tij. Por, ne mund dhe duhet ta ndalim që ai ta marrë Kosovën me vete. Kosova nuk futet dot në valixhe. Asnjëherë, të askujt. Toka jonë është e shkriftë, sepse historikisht është përplot gjak, lot e djersë të panumër brezave. Të palarat e veta në valixhen e tij, Thaçi nuk i shkëmben dot me tokë të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! propozon alternativën me katër hapa për bisedime me Serbinë, pra për bisedime alternative, të përgatitura mirë për zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme:

Hapi i parë: shqyrtim dhe vlerësim i dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) në Kuvendin e Republikës. Janë 33 marrëveshje me Serbinë dhe një raport 38 faqësh i qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e atyre marrëveshjeve. Shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017, teknik e politik, do të na tregojë ku ndodhemi dhe cilat janë mësimet që duhet t’i nxjerrim për rrugën përpara. Me 9 korrik ka ardhur ky raport qeveritar në Kuvend. Edhe pas më shumë se katër muajve, kryetari i Kuvendit Veseli po e bllokon atë në agjendën parlamentare që të mos e sjellë në seancën plenare. Agjenda parlamentare është e zaptuar.

Hapi i dytë: ne duhet ta dimë se çka duam, cilat janë qëllimet tona në bisedimet me Serbinë. Kuvendi i Republikës duhet ta përcaktojë qartë se cilat janë qëllimet e shtetit tonë dhe ato qëllime duhet të përkthehen mandej në listë kërkesash zyrtare ndaj Serbisë. Natyrisht që edhe Serbia do të ketë listë të kërkesave, por kjo nuk na intereson neve tash. Ne duhet ta dimë dhe përcaktojmë çka ne duam, psh. njohja e pavarësisë, kthimi i të pagjeturve, reciprociteti i të drejtave, reparacioni e sukcesioni etj. le ta përcaktojmë qartë e saktë dhe le ta bëjmë këtë kërkesë zyrtare.

Hapi i tretë: platforma me parime e Republikës së Kosovës për bisedime me Serbinë. Ne qysh në vitin 2014 kemi deklaruar që nuk jemi në parim kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa parime; këto parime duhet të përcaktohen, diskutohen e votohen në Kuvendin e Kosovës. Është gabim të flitet për rezultatin në fund të bisedimeve, sepse atë askush nuk e di. Ne duhet të flasim për qëllimet tona dhe parimet e procesit. Bisedimet nuk mund të jenë një skenar i gatshëm ku ne bëhemi aktorë mekanik përfundi një regjisori të ashpër, por proces me parime ndërmjet palëve që kanë qëllime.

Hapi i katërt: ekipi negociator me legjitimitet nga Kuvendi, me përbërje gjithëpërfshirëse, udhëheqje kredibile dhe strategji përkatëse. E vetmja gjë që nuk mund të jetë publike në këta katër hapa, është strategjia e ekipit negociator. Gjithçka tjetër duhet të jetë transparente. Ky ekip negociator i raporton Kuvendit të Republikës dhe komisioneve të tij varësisht nga kërkesa dhe nevoja siç është normale në një republikë parlamentare si puna e shtetit të pavarur të Kosovës.

Dy hapat e parë mundemi t’i bëjmë edhe para zgjedhjeve të reja e të parakohshme parlamentare. Hapat 3 dhe 4, vetëm pas zgjedhjeve kur dalin institucionet me legjitimitet të freskët.

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 11 2018

Vizitë në Akademinë për Siguri Publike.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me sekretaren organizative, Vlora Haxhimehmedi, deputetin, Liburn Aliu, nënkryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi dhe gjeneralin në pension, Enver Dugollin, vizitoi Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.

Ata u pritën nga Ismail Smakiqi, drejtor i përgjithshëm i kësaj akademie, i cili në një prezantim të gjerë tregoi se kjo akademi e themeluar në vitin 1999 bën trajnimin e kadetëve për Policinë e Kosovës, Inspektoratit Policor, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Agjencionit Doganor, Shërbimit korrektues dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës. Deri në vitin 2017 në këtë akademi, trajnime kanë ndjekur mbi 146 mijë vijues.

Në fund, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! pati rastin që nga afër të ndjekë një ushtrim të kadetëve të Policisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 11 2018

Takim me banorë të fshatit Gërnçar

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga disa nga drejtorët e Komunës së Prizrenit, Levent Kasëmi, drejtor i shërbimeve publike, Refik Shaqiri, drejtor i kadastrit (boshnjak, partia NDS), Visar Shehu, drejtor i shëndetësisë, Islam Thaçi, drejtor i inspeksionit, Krenare Koqi, shefe e kabineti të kryetarit, Artan Abrashi kryesues i asamblesë komunale vizituan fshatin Gërnçar të kësaj komune, fshat ky i banuar me pjesëtarë të komunitetit boshnjak.

Në takim me ta, kryetari Kurti foli mbi situatën e përgjithshme në Kosovë, të cilën e vlerësoi të rëndë për të gjithë qytetarët e vendit. Fajtor për këtë është modeli ekonomik i gabuar, i koncentruar vetëm në tregti e import dhe administratë të fryrë, duke lënë anash prodhimin, duke i privatizuar ndërmarrjet dhe duke i lënë punëtorët pa të drejta.

Ai i përmendi tri shtylla mbi të cilat sipas programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të ndërtohet shteti funksional: shtetin zhvillimor të bazuar në prodhimtari, shtetin e së drejtës me barazi ligjore për qytetarët dhe luftim të pakomromis të korrupsionit, dhe, shtetin social, i cili do të të ofronte mbrojtje për qytetarët, para së gjithash për ata në nevojë.

Nga ana e tyre, drejtorët e Komunës së Prizrenit i njoftuan të pranishmit me projektet e realizuara dhe të planifikuara komunale nga të cilat do të përfitojë ky fshat. Projekti i rrjetit të ujësjellësit të fshatit, shkolla fillore si dhe Qendra e Mjekësisë Familjare, priten të përfundojnë vitin tjetër.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 11 2018

Diskutim: Sistemi arsimor në Kosovë

Komiteti për arsim e kërkim shkencor në Lëvizjen VETËVENDOSJE! organizoi sot në mbrëmje diskutimin mbi sistemin arsimor të Kosovës.

Jusuf Thaçi dhe Artan Dermaku paraqitën studimet e tyre dhe idetë për një platformë për ndryshimin e transformimin e gjendjes në sistemin arsimor në Kosovë.

Pas prezantimeve u diskutua mes të pranishmëve mbi gjendjen në arsim, rëndësinë e tij shoqërore dhe ndërhyrjet e domosdoshme për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka trajtuar si prioritet këtë fushë edhe po bën përgatitjet e nevojshme për të detajuar dhe më tej programin e planin në këtë drejtim.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 11 2018

Ekspozita e shoqatës së intelektualëve të Gjakovës “Jakova” dhe fabrikës së llaqit, ngjyrave dhe ngjitësit “Le Fix”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me sekretaren organizative, Vlora Haxhimehmedi, deputeten, Arbërie Nagavci, kryetarin e Qendrës, Agon Batusha, nënkryetarin, Bashkim Rrahmani, asambleistë dhe aktivistë, vizitoi ekspozitën e shoqatës së intelektualëve të Gjakovës “Jakova”, me rastin e 15 vjetorit të themelimit të saj.

Me këtë rast, kryetari i shoqatës Ruzhdi Sefa i njoftoi të pranishmit me historikun e kësaj shoqate dhe aktivitetin e saj gjatë kohës, ndërkaq ish kryetari, Xhevat Koshi, prezentoi veprat e botuara nga kjo shoqatë dhe anëtarët e saj. Ai i dhuroi kryetarit, Kurti librin “Kujtime Jetike” të shkruar nga Akademik, Minir Dushi.

Në vazhdim të vizitës në Gjakovë, kryetari Kurti vizitoi edhe fabrikën për prodhimin e llaqit, ngjyrave dhe ngjitësit “Le Fix”, ku me pronarin Rrustem Leti bisedoi mbi procesin e punës, sfidat, arritjet e pengesat. Me këtë rast u njoftua se sfidë kryesore është mungesa e kimistëve dhe e teknogëve të prodhimit, shumë të nevojshëm për këtë lloj prodhimi, problem për të cilin kryetari Kurti tha se është rezultat i drejtëpërdrejt i mungesës së përgjithshme të ndërlidhjes së arsimit me ekonominë në Kosovë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 11 2018

Të bllokohet kontrata me Z- Mobile, shkatërruese për Telekomin

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media për shkatërrimin sistematik që po i bëhet Telekomit të Kosovës duke vazhduar me emërimet e personave politik dhe jokompetent në udhëheqje të këtij institucioni dhe duke mos zbatuar rezolutën e Kuvendit të miratuar më 12 korrik të këtij viti.

Drejtuesi i Komitetit për Komunikime elektronike dhe postare në LV, Fatban Bunjaku, foli për vendosjen e njerëzve politik dhe krejtësisht të papërgatitur në krye të Telekomit të Kosovës siç ishte rasti me Drejtorin e Telekomit, Gent Begollin dhe tash UD i Drejtorit, Trim Musliu.

“Këtë vit qeveria Haradinaj emëroi një bord drejtues jokompetent dhe të lidhur në masë të madhe me pushtetin direkt. Më pas emëruan një kryeshef ekzekutiv si Gent Begolli që nuk e njeh as abc-në e qeverisjes së telekomunikacionit. Edhe pse morën kritika e kërkesa nga Kuvendi i Kosovës, për ta ndërruar këtë qasje të drejtimit të Telekomit, Qeveria Haradinaj, vijoi më tej duke na lavdëruar e mburrur këtë menaxhment”, tha Fatban Bunjaku.

Ai poashtu theksoi se qëllimi i kësaj amullie të krijuar tash e sa vite dhe që po vazhdon të mirëmbahet në Telekom është pikërisht për zhvatjen e 30 milionë eurove përmes përmbarimit për t’i transferuar ato në Z-Mobile.

Po të ishte ndryshe, sot do të kishim në Telekom menaxhmentin e krizës siç e kërkon Rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018. Po ashtu edhe kontrata me Z-mobile duhet të ishte e anuluar. Këto ditë nëpër Telekom po flitet e veprohet në emër të një personi edhe më jokompetent se të tjerët më herët. Trim Musliu, me profesion producent filmash është duke aktruar si U.D. i Kryeshefit ekzekutiv të Telekomit. Ndërkohë, bordi përbëhet nga gruaja e deputetetit të AAK-së Bekë Berishës, njëkohësisht dhe punonjëse në KEK. Pjesa tjetër është nga kryetarë e anëtarë degësh e nëndegësh të AAK-së, NISMË-s dhe PDK-së.

Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë në kompentencat e saj karshi kontratës kriminale që po e gërryen telekomin. Nuk mjafton të marrë nën gjykim ish – drejtuesit, duhet ta bllokojë kontratën. Kësilloj, si po vepron vetëm po ia shton këtij rasti personat e ardhshëm që do të pësojnë gjykim penal.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 11 2018

Vizitë në “Loyola Gimnasium” dhe në Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, vizituan shkollën “Loyola Gimnasium” në Prizren, me ç’rast nga drejtori i shkollës, Axel Bödefeld, u njoftuan për procesin mësimor në këtë shkollë, e cila i ka rreth 1100 nxënës, nga ta 350 në shkollës fillore dhe 750 në atë të mesme, si dhe projektin pararsimor “Loyola Transit” për integrimin e fëmijëve të komunitetit ashkali e rom, të cilët mësohen nga 110 mësues dhe arsimtarë gjithsej.

Kryetari Albin Kurti përgëzoi personelin e shkollës për punën e deritashme, edukimin cilësor dhe suksesin e arritur, duke vlerësuar se në këtë shkollë po arsimohen nxënësit, të cilëve po u jipet edhe dije edhe edukim. Ai theksoi se pa arsim cilësor nuk ka as zhvillim ekonomik dhe as mirëqenie shoqërore.

Në vazhdim të vizitës në Prizren, Kryetari i Lëvizjes Kurti dhe Kryetari i Komunës Haskuka vizituan edhe Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit” , ku nga themeluesi i saj, Halil Kastrati u njoftuan se kjo shoqatë deri më tash i ka strehuar 200 familje, ndërkaq në gjelltoren e saj rregullisht ushqehen 309 persona. Albin Kurti e inkurajoi z. Kastrati të vazhdojë me punën e bamirësisë që po bën dhe i ofroi bashkëpunim të vazhdueshëm, ngjajshëm si marrëveshja me Komunën e Prizrenit për ndërtimin e 28 shtëpive, çelësat e të cilave do të shpërndahen më 28 nëntor.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 11 2018

Diskutim mbi politikën e jashtme dhe imazhin e Republikës së Kosovës në botë

Sot në mbrëmje u zhvillua debati pas ligjëratës së dhënë nga prof. i shkencave politike në UP, Bekim Baliqi mbi politikën e jashtme dhe imazhin e Republikës së Kosovës në botë. Gjatë diskutimeve u trajtuan veçanërisht temat kryesore që kanë zënë vend në politikën e jashtme të Kosovës dhe ato lidhur me Kosovën. Po ashtu u diskutua edhe për qëndrimet e zyrtarëve të Republikës së Kosovës, si dhe nivelin dhe përgatitjen e shërbimit diplomatik në raport me zhvillimet në politikën ndërkombëtare.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

10 11 2018

Administratë Dinjitoze dhe me barazi në Paga

  • Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes Nënkryetares dhe deputetes Fatmire Mullhaxha Kollçaku, anëtares së Kryesisë dhe deputetes Arbërie Nagavci si dhe antëtares së Kryesisë dhe deputetes Albulena Haxhiu mbajti konferencë për projektligjin e ri për administratën publike.

    Para këtij projektligji, Kryeministri pati vendosur rritjen e pagave për veten e tij, për çka Lëvizja ka dorëzuar kallzim penal dhe është në pritje të trajtimit të tyre. Sot, përmes dispozitave të këtij projektligji të prezantuar, Kryeministri tenton të legjitimojë rritjen e mëparshme të pagave.

    Po ashtu, ky projektligj tregon se qeveria po tenton përsëri të privilegjojë përmes ligjit veten e saj, individë dhe deputetë. Deputetja Albulena Haxhiu tregoi sesi, sipas propozimit të ri, pagat e Presidentit, Kryeministrit dhe deputetëve janë respektivisht 17, 15 dhe 12 herë më të mëdha sesa paga minimale në Kosovë.

    Projektligji privilegjon një pakicë dhe nënvlerëson një shumicë. Ai është propozuar pa debat, arsye dhe shpjegim duke përplasur dhjetra ligje dhe duke mundësuar çorganizimin e administratës publike. Deputetja Haxhiu shpjegoi sesi, sipas kësaj pakete ligjore, Komisioni i Pavarur për Miniera bashkë me Këshillin për Trashëgimi, Autoritetin e Konkurrencës dhe Zyrat e Rregullatorit të Energjisë dhe Ujrave vendosen nën diktatin e Qeverisë.

    Nënkryetarja e Lëvizjes Kollçaku përmendi problematikën e ikjes së mjekëve nga Kosova. Ky fenomen po favorizohet nga qeveria e Kosovës duke mos u dhënë atyre prioritetin dhe mbështetjen e nevojshme. Me amendamentet e Lëvizjes për projektligjin për pagat synohet që mjekëve t’iu jepet dinjiteti i merituar.

    Po ashtu, edhe arsimi nuk e ka mbështetjen e duhur dhe do të duhej të bëhej prioritet kombëtar i qeverisjes. Deputetja Nagavci tregoi sesi punëtorët e arsimit janë të diskriminuar në paga raport me sektorët e tjerë për punë të së njëjtës kategori.

    Përballë këtyre problematikave aktuale në administratën publike dhe përballë rrezikut të përshkallëzimit të tyre përmes projektligjit të ri të Qeverisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar amendamentet e mëposhtme:

    • heqjen e nenit që legjitimon vendimin e qeverisë për rritje page;
    • heqjen e shtesave të propozuara për deputetet dhe heqjen e një
    • përqindje të caktuar nga pagat në rastet kur deputetët nuk shkojnë në seanca;
    • heqjen e pagës kalimtare për një vit të parashikuar për zv.ministrat pas largimit nga puna;
    • rritjen e koeficentit për prokurorët dhe gjykatësit e krimeve të rënda, të gjykatave dhe prokurorive themelore dhe për gjyqtarët për kundravajtje;
    • akordimin e koeficentëve në raport me përgjegjësitë që kanë për bashkëpunëtorët profesional që i ndihmojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve;
    • shtesa të posaçme për shërbyesit civil në institucionet e drejtësisë;
    • shtesa të posaçme për shërbimin korrektues;
    • rritje të koeficentit dhe të shtesave të posaçme për zjarrfikësit për shkak të rrezikut të madh në punën e tyre.

    Tre ligjet e administratës publike kanë nevojë për shumë punë dhe Lëvizja po e vazhdon analizën, kritikën dhe propozimet e saj kundrejt të tre ligjeve. Në instancë të fundit, amendamentet e Lëvizjes kanë për synim që në Kosovë të ketë paga të barabarta për punë të barabarta dhe paga të dinjitetshme për çdo punë në administratën publike. Ligjet për administratën publike dhe vetë administrata publike duhet të reflektojë këto dy parime përballë shoqërisë tonë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 11 2018

Dorëzohen amendamentet për paketën ligjore të Administratës publike në mbështetje të arsimit, shëndetësisë, drejtësisë e sigurisë

Pas më shumë se katër vitesh Ministria e Administratës publike dërgoi në Kuvend ndryshimet për paketën e Administratës publike ku përfshihen dhe pagat në këtë sistem.

Kësaj pakete i parapriu vendimi arbitrar, i paligjshëm dhe i padrejtë i Qeverisë Haradinaj për t’ia rritur pagat vetes.

Në thelb edhe pse kjo paketë ligjore ishte parashikuar qe të realizonte një reformë në administratën publike përfundoi duke qenë një mbulesë legjitimuese për rritjen e paligjshme të pagave që i bëri vetes dhe të tijve kryeministri aktual.

Me këtë paketë ligjore do të duhet të kishim edhe diskutimin e gjerë e përmbajtësor mbi modelin e Administratës publike të Kosovës. Por fatkeqësisht kjo mungon. Duhet të kishim edhe standartizimin e agjencive dhe institucioneve të tjera përveç ekzekutivit e legjislativit. Edhe kjo mungon. Në të kundërt kjo paketë sjell pështjellime e paqartësi duke i kthyer nën varësi të qeverisë plot instiucione e agjenci që duhet të jenë të pavarura.

Kjo paketë duhet të paraprihej nga diskutimi e debatimi i plotë mbi profesionet, shkollimin dhe karakteristikat e profesioneve brenda shërbimit publik të Kosovës. Dhe mbi kritere të drejta e të barabarta duhej të përkufizonte ato. Si rrjedhim do të duhet të kishim ligjin dhe klasifikimet për pagat. As kjo nuk ndodhi. Kjo paketë nuk garanton pagë të barabartë për punë të barabartë. Dhe nuk arrin të shquaj profesionet me vështirësi të lartë e kërkësë shkollimi superior.

Reforma në administratë do të duhet të adresonte fillimit shërbyesit e nëpërkëmbur ata që janë në nivelin më të ulët të pagesave dhe të trajtimit. Nuk e kanë bërë, përkundrazi janë kujdesur që zyrtarët publik të lartë edhe ashtu me plot privilegje t’i rehatojnë edhe më tej.

Si pasojë punonjësit shëndetësor, sistemi arsimor parauniversitar e parashkollor në përgjithësi, stafi mbështetës i sistemit të drejtësisë, zjarrëfikësit e plot kategorit të tjera nuk janë adresuar nga qeveria.

Edhe pse ne kemi kritika thelbësore dhe kërkesë për ta nisur ndryshimin që në thelb të kësaj pakete siç janë bërë publike dhe janë adresuar në komisione parlamentare nga përfaqësuesit tanë, duke qenë se mazhoranca ka gjetur votat për ta kaluar në lexim të parë, deputetët tanë në konsultim me profesionistët e punëtorët e sektorit publik kanë adresuar tre fusha bazë, si arsimi, shëndetësia dhe drejtësia. Shtuar këtyre dhe kërkesat për ulje dhe heqje të shtesave për zyrtarët e lartë.

Ne besojmë se Administrata publike është zemreku i shtetit. Ne e duam punonjësin e sektorit publik si përshpejtim i shtetësisë sonë jo si peng i shtetit të kapur.

Republika e Kosovës duhet sa më parë të adresoj në një tjetër mënyrë e platformë llojin e organizimit të admistratës ku paga e Presidentit nuk është 17 herë me e lartë se paga minimale e sanksionuar me ligj në Kosovë. Ku drejtuesit e kabineteve të ministrave paguhen e vlerësohen më shumë se kirurgët e arsimtarët. Ku stafet e ministrave paguhen 10 fish më shumë se edukatorët e çerdheve.

Përveç amandementeve që Lëvizja VETËVENDOSJE! i dorëzoi dje në Kuvend nëpërmjet deputeteve të saj dhe nëpërmjet komisioneve ku bëjnë pjesë gjatë ditëve në vijim do të thërrasë në takim konsultuese e diskutim publik sindikatat e përfaqësuesit e institucioneve që kanë pasur probleme me këtë paketë.

Po ashtu të gjitha shqetësimet e tyre po përpiqemi që t’i bëjmë pjesë të ndryshimeve në grupin punues të Komisionit parlamentar për Administratë publike.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 11 2018

Nga vizita në FSK

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi, deputeti Xhelal Sveçla, ish-gjenerali që është pjesë e Lëvizjes Enver Dugolli, deputeti i Lëvizjes dhe ish – koloneli i FSK-së Shemsi Syla, si dhe anëtari i kryesisë e po ashtu ish – koloneli i FSK-së Ajet Potera, kanë vizituar sot Forcën e Sigurië së Kosovës (FSK) me ç’rast janë pritur nga Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Rrahman Rama, Koloneli Jeton Dreshaj, Kolonelin Agron Bajrami si dhe Drejtori për Politika dhe Plane Faruk Geci.

Ky takim ishte i nevojshëm pas kalimit të projetkligjit për FSK-në për t’u parë se ku dhe si mund të ndihmohet më tutje. Gjenerallejtnant Rrahman Rama e falenderoi Lëvizjen për mbështetjen dhënë analizave të tesktit dhe votimit të projektligjit për FSK-në derisa shpjegonte historikun e transformimit që prej UÇK-së në TMK e më pas zhvillimit të FSK-së. Deputeti Sveçla tregoi se në Komisionin për Siguri po punon për disa ndryshime që të mos ketë pengesa në të ardhmen.

Nga ana e delegacionit të LV-së u tha se mbështetja për ushtrinë është obligim yni. Po ashtu, gjatë takimit pati pajtueshmëri së çështja e zhvillimit dhe avansimit të FSK-së duhet prioritizuar në aspektin buxhetor.

Me një ushtri të përgatitur e armatosur mirë, qytetarët e Kosovës do të kishin më shumë vetëbesim, më shumë siguri dhe më shumë shpresë për të ardhmen e vendit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 11 2018

Përurimi i librit “Ali Aliu Kelmendi – Ringjallja e Prometeut”

Sot u mbajt përurimi i librit “Ali Aliu Kelmendi – Ringjallja e Prometeut”, përgatitur dhe hartuar nga veprimtari dhe shkrimtari i mirënjohur Avni Dehari. Në përurim morën pjesë shumë veprimtarë, familjarë të familjes Aliu e po ashtu Dehari dhe dashamirë të fjalës së shkruar e librit.

Falë aftësive stilistike e zotërimit të mirë të gjuhës, kjo vepër, shkruar Avni Dehari merr rëndësi dhe rol të madh letrar e estetik. Prandaj, Ali Aliun, nuk e ka fisnikëruar në këtë libër vetëm vepra e tij, por edhe shkrimi i një autori shumë të zotë. Vepra jetësore e Ali Aliut dhe vepra letrare e Avni Deharit e marrin një formë të plotë në këtë libër.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 11 2018

Shpend Ahmeti zgjodhi qyqarllëkun në vend të përballjes

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për mediat me drejtorët dhe asambleistët e Lëvizjes në Komunën e Prishtinës si reagim ndaj qyqarllëkut politik të Kryetarit Ahmeti dhe shkarkimit të tij televiziv të mbrëmshëm të drejtorëve tanë. Në konferencë folën Drejtori i Shëndetësisë Arben Vitia, Drejtoresha e Kadastrës Nora Kelmendi dhe Drejtori i Kulturës Ylli Rugova.

Pesë vitet e fundit, nëpërmjet qeverisjes tonë lokale kemi ndryshuar konceptin e qeverisjes në Prishtinë. Megjithatë, kryetari Shpend Ahmeti, pasi ishte pjesë e këtij ndryshimi, jo vetëm që devijoi nga Lëvizja, por tani po tregon se po devijon edhe nga modeli i qeverisjes së Lëvizjes. Mbrëmë, në një emision televiziv që u shfrytëzua kundër VETËVENDOSJE!-s, pa njoftuar apo biseduar paraprakisht me drejtorët respektivë, Shpend Ahmeti deklaroi se po i shkarkon nga detyra drejtorët nga radhët e VETËVENDOSJE-s.

Vitia që është edhe Kryetari i Qendrës së Prishtinës së LV-së, tregoi se Ahmeti ka muaj që nuk komunikon thuajse fare me drejtorët e Lëvizjes për punët e domosdoshme të Komunës.

“Kjo qeverisje u fitua me besimin dhe votën e qytetarëve, por edhe me angazhimin e mijëra aktivistëve dhe vullnetarëve në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Tashmë është e qartë se Kryetarit, pas fitimit të mandatit të dytë, nuk i bëhet vonë as për besimin e qytetarëve dhe angazhimin e aktivistëve, por fatkeqësisht as për premtimet me të cilat e fitoi këtë mandat”, tha Arben Vitia.

Nora Kelmendi deklaroi se Kryetari Ahmeti nuk ka guxim të ballafaqohet sy-më-sy me drejtorët nga radhët e Lëvizjes dhe tashmë ka mbetur përfundimisht qyqar në drejtimin e institucionit. Vazhdimisht po i shmanget Lëvizjes, madje edhe largimin prej saj, më herët, e pati bërë të ditur përmes një deklarate në rrjetet sociale.

Ndërkaq, Yll Rugova përsëriti qëndrimin e tij të djeshëm se edhe ai do të largohet nga detyra e Drejtorit, edhe pse Ahmeti pati thënë se—ndryshe nga dy të tjerët—nuk po e shkarkon atë.

Po ashtu, Drejtorët e Lëvizjes me rastin e largimit falënderojnë të gjithë qytetarët, aktivistët, stafin e komunës, personalin e shëndetësisë dhe komunitetin artistik e kulturor, gazetarët dhe mediat e vendit për mbështetjen e madhe dhe kritikat e vyera të tyre. Pa ta puna e bërë në qeverisjen lokale nga Lëvizja VETËVENDOSJE! do kishte qenë e pamundur.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 11 2018

Një shtet normal do të lëshonte urdhërarrest për Hashim Thaçin

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me takimin Thaçi-Vuçiq që mbahet sot, për të cilin është njoftuar vetëm disa orë para.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Glauk Konjufca foli për praktikën e re të takimeve Thaçi-Vuçiq për organizimet e shpejta dhe të paparalajmëruara që nuk janë të rastësishme.

“Kjo është një praktikë e cila nuk ka ndodhur më herët, së paku takimet Thaçi-Vuçiq janë paralajmruar disa ditë më herët, kjo është një praktikë e re dhe nuk është e rastësishme. Këto takime po ndodhin kështu për dy arsye: së pari që të mos ketë kohë për organizim parlamentar dhe institucional dhe reagim të opozitës dhe, së dyti, për të pamundësuar reagimin qytetarë siç ishte protesta e 29 shtatorit”, tha Glauk Konjufca.

Ai po ashtu theksoi se presidenti është duke shkuar pa mandat në këtë takim me Vuçiqin. Kjo është shqetësuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe më shqetësuese është gatishmëria e Thaçit për marrëveshje me Serbinë e cila ka vetëm një kuptim: Presidenti Thaçi është në gjendje të paguajë me territor të Kosovës njohjen e Serbisë. Ndërkaq, Kosova lindore po përdoret nga Thaçi vetëm si justifikim për takimet e tij me presidentin e Serbisë.

Prej vitit 2011, presidenti Thaçi, atëherë si kryeministër, ka qenë figura udhëheqëse në negociatat me Serbinë. Nga gjitha këto pazare të tij janë tre produkte kryesore të këtij dialogu:

Së pari, krijimi i Listës serbe që merr drejtpërdrejt direktiva nga Vuçiqi dhe bllokon proceset më ekzistenciale për shtetin e Kosovës;

Së dyti, marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që dëmton funksionim unitar të Republikës së Kosovës, të cilën marrëveshje Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë.

Së treti, legalizimi e pushtetit të Serbisë në Kosovë duke i ndarë institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë, në Polici duke e propozuar Komandantin rajonal, pastaj në AKI duke integruar agjentët e saj brenda këtij institucioni, si dhe në fushën e energjetikës dhe atë telekomunikacionit.

Dhe tash presidenti Thaçi, që i ka bërë të gjitha këto kompromise, shitet si shpëtimtar i kombit dhe sillet sikur të jetë njeriu i vetëm ku ne do t’i varim shpresat për bashkimin e shqiptarëve. Është pik֝ërisht ky që më së shumti ka dëmtuar perspektivën e shqiptarëve.

Duke marrë parasysh që presidenti Thaçi ka shkuar atje pa mandat dhe që Qeveria e Kosovës deklarohet që nuk e di se për çka po bisedon presidenti, por edhe gatishmërinë e tij që të flasë për territore, atëherë në një shtet normal, jo të kapur, Kryeprokurori do të lëshonte urdhërarrest për Hashim Thaçin për shkeljet që po i bënë Kushtetutës së vendit.

Të gjithë ata që përfaqësojnë institucionet e Republikës së Kosovës, e veçanërisht presidenti, nuk ka të drejtë e as mandat që të shkojë me armikun e Kosovës e të deklarohet se nuk ka vija të kuqe dhe se është e diskutueshme gjithçka.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 11 2018

Takim me delegacionin francez nga Ministria e Punëve të Jashtme

Dje, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufcën, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazin, dhe zyrtaren nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, Diona Budimën, pritën në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, znj. Florence Mangin, Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Didier Chabert, Zyrtaren përgjegjëse për Kosovën, znj. Fanny Sebban, dhe përfaqësuesin e Zyrës Politike, z.Timothée Barbier.

Në këtë takim, përfaqësuesit e delegacionit francez shprehën interesimin për të mësuar më shumë mbi qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për situatën politike në Kosovë dhe propozimet në lidhje me dialogun me Serbinë.

Kryetari Kurti e falenderoi delegacionin francez për mbështetjen e Francës prej intervenimit të NATO-s dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës e deri te përkrahja për konsolidimin e sovranitetit të jashtëm të Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Më tej ai theksoi nevojën e madhe për drejtësi, përmes shtetndërtimit demokratik me sundim të ligjit, dhe, për progres shoqëror përmes zhvillimit ekonomik me mbrojtje sociale. Për këtë Lëvizja ka paraqitur në Alternatieven e saj Qeverisëse dhe Prioritet e saj per Republikën edhe zgjidhjen nëpërmjet Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore. Sa i përket dialogut, u prezantuan 4 hapat e nevojshëm: (1) vlerësimi në Kuvend i 33 marrëveshjeve të dialogut gjashtëvjeçar dhe i (mos)zbatimit të tyre; (2) përcaktimi i qëllimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; dhe, më tej, pas zgjedhjeve të parakohshme: (3) platforma negociatore me parime; dhe (4) ekipi negociator me udhëheqës e strategji.

Përmes një alegorie, Kryetari Kurti foli për Presidentin e Kosovës duke thënë se: “Thaçi duket sikur një astronaut i vetmuar në një anije kozmike që fluturon larg Tokës, e prej nga propozon shkëmbim territoresh, duke u orvatur të zbarkojë në stacionin rus MIR. Atij i duhet ndalur e ndaluar kjo aventurë e rrezikshme, ai duhet të zbres në Kosovë e të shkojë në shtëpi.”

Glauk Konjufca shpjegoi koordinimin e opozitës për rezolutën për dialogun, dhe nga ana tjetër shpjegoi taktikën absurde të një koalicioni qeverisës të delegjitimuar, që braktisë seancat e thirrura nga Opozita për të prishur kuorumin edhe pse pretendon se ka shumicën. Republika parlamentare nuk e duron që qeveria e pakicës ta sulmojë opozitën duke bojkotuar Kuvendin, prandaj nevojiten zgjedhjet e reja për legjitimitet të ri dhe politikanë kredibilë.

Përfaqësuesit e Lëvisjes theksuan se për normalizim e Kosovës, Kosova duhet ndryshuar shumë. Ndërkaq, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia duhet të ndryshojë shumë. Zgjidhjet e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihen përmes një qasjeje patriarkale dhe autoritare, siç është vepruar nga dyshja Thaçi-Vuçiq.

Diskutimet ishin të hapura dhe të përzemërta, dhe palët u dakorduan të shtojnë bashkëpunimin dhe takimet.

Prishtinë, 7 nëntor 2018

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 11 2018

Astrit Dehari kujtohet në Tiranë

Në mbrëmjen e 6 nëntorit, në sallën Black-Box të Akademisë së Arteve mbështetës e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Tirana e nga vende të tjera të Shqipërisë u mblodhën për të përkujtuar shembullin e aktivizmit dhe atdhetarisë, Astrit Deharin, i cili u vra në 5 nëntor 2016 në burgun e Prizrenit, ku mbahej padrejtësisht.

Kjo mbledhje për nder të Astrit Deharit u shndërrua në një odë të vërtetë shqiptare, me pjesëmarrjen e grave e burrave, vajzave e djemve, nga shumë profesione e prejardhje, nga shtresa të ndryshme shoqërore, të gjithë bashkë në ërkujtim të një idealisti, i cili përditë e më shumë e forcon dritën e idealit për të cilin dha jetën!

Në këtë aktivitet erdhën edhe miqtë nga Kosova, bashkëshortja e Astrit Deharit, znj. Arta Boshtraj-Dehari, prindërit e tij, Xhemile e Avni Dehari, xhaxhai i Astritit, Esat Dehari, dhe babai i Artës, Nezir Boshtraj. Po ashtu bashkë me ta erdhën edhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputetët Liburn Aliu e Xhelal Sveçla, si dhe veprimtari i vjetër e miku i familjes, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Emrush Xhemajli.

Gjatë këtij aktiviteti aktorja Ema Andrea e përshëndeti kujtimin e Astritit përmes poemës „Në Mundsh“ të Rudyard Kiplingut, ndërsa Elvis Hoxha, Arbër Zaimi, Gearda Demiraj, Krenar Zejno e Hysamedin Feraj folën për kujtimet, përvojat e mendimet e tyre me Astritin.

Në fjalët e Ema Andreas, „Duke folur për vdekjen ne i bëjmë nder e shërbim jetës“, e në fjalët e Krenar Zejnos, „Vetëm një shtet vetëvrasës, që shkatërron veten e vet e fal territorin e vet, mund të presë në mes një jetë të apasionuar prej aktivisti, prej mjeku të ri që sapo ka kryer studimet, prej babai që po pret fëmijën e tij të parë“.
Shembulli jetësor i veprimtarit Astrit Dehari e mban atë të gjallë, si frymëzues e ndriçues për Lëvizjen që është e që do të vazhdojë të jetë, për Bashkim Kombëtar, për një shoqëri të drejtë e të barabartë, për një shtet funksional e demokratik.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 11 2018

Astrit Dehari kujtohet në Tiranë

Në mbrëmjen e 6 nëntorit, në sallën Black-Box të Akademisë së Arteve mbështetës e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Tirana e nga vende të tjera të Shqipërisë u mblodhën për të përkujtuar shembullin e aktivizmit dhe atdhetarisë, Astrit Deharin, i cili u vra në 5 nëntor 2016 në burgun e Prizrenit, ku mbahej padrejtësisht.

Kjo mbledhje për nder të Astrit Deharit u shndërrua në një odë të vërtetë shqiptare, me pjesëmarrjen e grave e burrave, vajzave e djemve, nga shumë profesione e prejardhje, nga shtresa të ndryshme shoqërore, të gjithë bashkë në ërkujtim të një idealisti, i cili përditë e më shumë e forcon dritën e idealit për të cilin dha jetën!

Në këtë aktivitet erdhën edhe miqtë nga Kosova, bashkëshortja e Astrit Deharit, znj. Arta Boshtraj-Dehari, prindërit e tij, Xhemile e Avni Dehari, xhaxhai i Astritit, Esat Dehari, dhe babai i Artës, Nezir Boshtraj. Po ashtu bashkë me ta erdhën edhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputetët Liburn Aliu e Xhelal Sveçla, si dhe veprimtari i vjetër e miku i familjes, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Emrush Xhemajli.

Gjatë këtij aktiviteti aktorja Ema Andrea e përshëndeti kujtimin e Astritit përmes poemës „Në Mundsh“ të Rudyard Kiplingut, ndërsa Elvis Hoxha, Arbër Zaimi, Gearda Demiraj, Krenar Zejno e Hysamedin Feraj folën për kujtimet, përvojat e mendimet e tyre me Astritin.

Në fjalët e Ema Andreas, „Duke folur për vdekjen ne i bëjmë nder e shërbim jetës“, e në fjalët e Krenar Zejnos, „Vetëm një shtet vetëvrasës, që shkatërron veten e vet e fal territorin e vet, mund të presë në mes një jetë të apasionuar prej aktivisti, prej mjeku të ri që sapo ka kryer studimet, prej babai që po pret fëmijën e tij të parë“.

Shembulli jetësor i veprimtarit Astrit Dehari e mban atë të gjallë, si frymëzues e ndriçues për Lëvizjen që është e që do të vazhdojë të jetë, për Bashkim Kombëtar, për një shoqëri të drejtë e të barabartë, për një shtet funksional e demokratik.

 

 

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2018

2 vjet nga vrasja e Astritit

Sot, me 5 nëntor, u bënë 2 vjet pa aktivistin dhe shokun tonë Astrit Dehari. Për nder të jetës dhe veprës së Astritit sot një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari Albin Kurti së bashku me shumë aktivistë bënë homazhe pranë varrit të tij.

‘’Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin. Dy vjet më vonë ne kemi dhembje, sepse nuk e kemi Astritin dhe sepse nuk e kemi drejtësinë. Kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm. Ky krim nuk mund të falet sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv, pa të cilën nuk ka republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë e i prokurorisë, i gjyqësisë e i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarit. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vetë liria për qytetarin në Republikë. Astrit ishte i Lëvizjes, tash ne jemi të tij. Të fuqishëm si asnjëherë tjetër, sepse me një popull që na do si askush tjetër’’, tha Albin Kurti.

Ndërsa Avni Dehari duke i falenderuar të pranishmit tha se pjesëmarrja dhe protesta i bënë ata edhe më të fuqishëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2018

Rruga ”Arbënor e Astrit Dehari”

Me propozimin e grupit të asamblesitëve të Lëvizjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës u vendos që një rrugë të mbajë emrin e aktivistëve Arbënor dhe Astrit Dehari, për nder të jetës dhe veprës së tyre atdhetare.

Në vendin ku gërshetohen rrugët ”Muharrem Fejza” dhe ”Bahri Fazliu” sot u vendos dhe ajo e ”Arbënor e Astrit Dehari” .

Lavdi të gjithë heronjve të Kombit. Lavdi Arbënor e Astrit Deharit

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2018

Letër nga Internacionalja Socialiste për rastin e Astrit Deharit

Sot në adresën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, drejtuar Kryetarit Albin Kurti, është dërguar një letër nga Internacionalja Socialiste në lidhje me rastin e Astrit Deharit. Internacionalja Socialiste është grupacioni më i madh ndërkombëtar i partive social-demokrate, ku bën pjesë edhe Levizja VETËVENDOSJE!. Në vijim teksti i plotë i letrës dërguar sot nga Internacionalja Socialiste:

INTERNACIONALJA SOCIALISTE

5 nëntor 2018

Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kosovë

I dashur Kryetar, i dashur mik,

Teksa përkujtojmë sot përvejtorin e dytë të vdekjes së trishtueshme të anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Astrit Deharit, i cili vdiq në burg ndërkohë që aty mbahej pa aktakuzë, ne ju shprehim juve, familjes dhe shokëve të tij, konsideratën dhe solidaritetin tonë.

Është tërësisht e papranueshme që pas dy vitesh rrethanat e vdekjes së tij tragjike ende nuk janë sqaruar dhe se ende nuk është vendosur drejtësi. Ne e mirëpritëm vendimin e marrë nga qeveria në shkurt të vitit 2018 për të lejuar një hetim të pavarur nga “Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore – Romand”, (CUTML), në Zvicër, por mbetemi thellësisht të shqetësuar për vonesat në përmbylljen e këtij procesi, duke sjell ndër mendje se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

Shfrytëzojmë rastin për t’i bërë thirrje qeverisë që të nderojë dhe respektojë të drejtat e Astrit Deharit dhe familjes së tij, të shpejtojë zbardhjen e këtij rasti, si dhe të bashkëpunojë plotësisht dhe pa vonesa me hetimin e pavarur që po zhvillohet në Qendrën e Mjeksësisë Ligjore në Zvicër.

Familja globale politike e Internacionales Socialiste, anëtare e së cilës është Lëvizja VETËVENDOSJE!, do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet e këtij rasti.

Përshëndetje të përzemërta,

Luis Ayala
Sekretar i Përgjithshëm

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2018

TRIBUNË PËR ASTRIT DEHARIN: JETON VETËM AI QË FLIJOHET PËR TË TJERËT

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tribunën për dy vjetorin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari. Jeta dhe vepra e Astritit u përkujtuan nga deputeti i Lëvizjes Xhelal Sveçla, Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës dhe Kryetari i Qendrës së Prishtinës Arben Vitia dhe nga shoku e kolegu i tij Arlind Lika. Në tribunë u lexua edhe letra e solidaritetit e dërguar nga grupi më i madh i partive social-demokrate Internacionalja Socialiste, e cila kërkonte sa më shpejt zbardhjen e plotë të së vërtetës.

Astriti ishte shok i dashur, aktivist shembullor, student i shkëlqyer i mjekësisë dhe biri i një familje atdhetare. Astriti vazhdon të jetojë ngaqë u sakrifikua për të tjerët dhe ne vazhdojmë të jetojmë ngaqë Astriti u flijua për ne. Drejtësia e vonuar për vdekjen e tij të dhunshme është drejtësi e mohuar. Kanë kaluar dy vite dhe akoma vrasja nuk është zbardhur.

Astriti u arrestua dhe u mbajt në burg në mënyrë tërësisht arbitrare. Për më shumë se 60 ditë nën arrest nuk u mor asnjëherë në pyetje, por vetëm u ushtrua presion mbi të. Pas vdekjes së tij të dhunshme Drejtori i Policisë së Prizrenit, Prokuroria e Kosovës, Ministra e Drejtësisë dhe disa nga mediat ngjitur me pushtetin u vërsulën menjëherë me deklarata publike për ta mbuluar duke e shpërfytyruar të vërtetën për rastin. Deshmitari kryesor okular dhe i burgosuri që ka ndarë qelinë e burgut me Astritin vdiq papritmas në burg ende pa filluar siç duhet procesi i hetimit për vrasjen e Astritit. Po ashtu, të gjithë ata që punuan për zbardhjen e çështjes, si në rastin e ekspertëve të pavarur mjeko-ligjor, nuk mbetën pa u kërcënuar nga pushteti.

Ende edhe sot, asnjë zyrtar nuk është ndëshkuar për veprimet, apo mosveprimet e tij. “Regjimi donte të disiplinonte dhunshëm secilin student, familjar, aktivist e qytetar shembullor të angazhuar, duke goditur pikërisht shembullin tonë më të plotë”, tha deputeti Xhelal Sveçla.

Astriti e zhvilloi veprën dhe angazhimin e tij si student, humanist dhe aktivist politik. Arben Vitia rikutoi brengën e Astritit për nivelin e shëndetësisë dhe gjendjen e përgjithshme të Kosovës duke risjellë shumë kujtime nga angazhimi i shokut tonë. Astriti dinte ta kthente brengën për Kosovën në angazhim politik, dinte t’i kthente shënimet e tij studimore në politika publike shëndetësore dhe dinte ta përthyente modestinë në vullnetarizëm të palodhshëm.

Kolegu dhe shoku i tij Arlind Lika ndau dhimbjen e tij duke thënë, “Astriti ishte pjesë e jona dhe ne ishim pjesë e Astritit. Pa të nuk jemi më të njëjtit. Një pjesë e jona u vra bashkë me të, por s’mundemi të shkojmë asgjëkundi pa e mbartur me vete një pjesë të tijën. Astriti ra, ndërsa ne duhet të ngrihemi në lartësinë e rënies së tij”.

Humbja e aktivistit politik ia rrit peshën të shkuarës, por edhe na nxjerr nga burgu i të tashmes. Ne jemi gjurmët e Astritit, hapat e lirisë dhe barazisë që çlirojnë dhe shtrojnë shtegun e të ardhmes së kësaj toke. Astriti është shembulli jonë për t’u ndjekur. Ne as nuk harrojmë dhe as nuk ndalemi pa u vendosur drejtësi për të dhe liri e barazi për Kosovën.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT