26 06 2018

Fillojnë punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, po marrin pjesë në punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste që po zhvillohen në Gjenevë në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në agjendën e punimeve të Këshillit do të trajtohet kontributi i social-demokracisë në zgjidhjen e konflikteve për siguri dhe paqe ndërkombëtare, tejkalimi i sfidave me të cilat ballafaqohet demokracia nëpër botë për të fituar lirinë dhe të drejtat për të gjithë, si dhe përgjigja e bazuar mbi vlerat dhe parimet globale në lidhje me krizën aktuale të refugjatëve.

Gjenevë, 26 qershor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

24 06 2018

Interesat e Kosovës nuk mund t’i mbrojë partneri i Vuçiqit

Sot, në ditën kur në Bruksel po pritet të zhvillohet takimi Thaçi-Vuçiq, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për të shpalosur dëmet që ka shkaktuar dialogu me Serbinë gjatë periudhës 2011-2017.

Nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku solli në vëmendje mungesën e legjitimitetit të Qeverisë që s’i ka as numrat minimal. Ndërsa Presidenti është plotësisht jokredibil dhe nuk paraqet unitetin e vendit.

“Me një president jokonsensual dhe jokredibil, i cili ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme si ajo për Zajednicën dhe pa u bërë një bilanc për të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani pala e Kosovës do të vazhdojë me kompromise të reja”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu foli mbi marrëveshjet e dëmshme që ka sjellë kjo mendësi e negocimi.

“Para 7 viteve, në kohën kur nisi procesi i dialogut me Serbinë, u tha se do të ishte thjesht në proces teknik dhe se nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës. Në fakt ishte dialog politik i ndërtuar mbi premisa të gabuara.”, tha Albulena Haxhiu.

Kujtojmë se gjatë këtyre viteve padrejtësisht Kosova i pësoi dëmet nga këto marrëveshje të dala një proces asimetrik dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Nga ky dialog:

·Kosovës iu vendos fusnota e cila u tha se do të shkrihet porsi fjollat e borës, më tej nga ky proces i dialogut u krijua një subjekt që e lufton Republikën e Kosovës e i cili është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë pra Lista serbe pra ne Serbinë e kemi në mes të Kuvendit të Kosovës.

· Iu nda në dysh buxheti i vendit përmes fondit për veriun, u amnistuan strukturat kriminale përmes ligjit për Amnisti,

– Iu nda në dysh drejtësia me marrëveshjen për drejtësi të vitit 2015, e iu krijua një proces fals kinse për integrimin e gjyqtarëve në sistemin tonë të drejtësisë, por në fakt ata gjyqtarë ishin caktuar me listë nga Vuqiqi. Madje u nënshkrua edhe një marrëveshje të cilën ende sot e mbajnë të fshehur e që ka të bëj me njohjen e aktgjykimeve të strukturave paralele të Serbisë e që është goditje shumëdimensionale për Republikën e Kosovës.

·Marrëveshja për Energjinë ku kontestohet pronësia e Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Serbisë, mbi resurset dhe rrjetin tonë energjitik.

·Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it” që të operojë brenda territorit të Kosovës ose thënë konkretisht që Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë. Kompanisë serbe “Elektrosever” ia kanë njohur të drejtën e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë fuksionim e sistemit energjetik të Kosovës.

·Kodin telefonik thuhej se do të na jepet për 3 muaj më së shumti. Kanë kaluar më shumë se dy vite dhe ende nuk kanë treguar se në pronësi të kujt është, të Kosovës a të Serbisë.

·Marrëveshja për Zajednicën që parasheh një entitet ligjor me karakter të veçantë me rend vetanak juridik dhe me kompetenca sikurse të Qeverisë.

Thaçi sot në takim me Vuçiqin nuk përfaqëson Kosovën, ai mundet veç veten të përfaqësojë atje. Kosovës i duhet një bilanc. Duhet një pasqyrë e plotë për marrëveshjet nga Energjia te Telekomunikacioni, nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave, nga policia e gjyqësia në veri te përfaqësimi diplomatik i ndërsjellë, nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri te denominimi antikushtetues i Republikës së Kosovës (fusnota).

Hashim Thaçi duhet të ndalet, askush nuk mundet të pranojë dëme të reja për avazet e vjetra të tij.

Kontribo

23 06 2018

Aleanca për kapjen e shtetit të Kosovës

Në kohën kur vetë qeveria pranon se Telekomi i Kosovës është duke u përballuar në një situatë të vështirë financiare që ka ardhur para së gjithash për shkak të menaxhimit të dobët të kësaj ndërmarrjeje, Bordi i kësaj kompanie ka emëruar në krye të kësaj kompanie Gent Begollin, një zyrtar të AAK-së, pa asnjë eksperiencë në fushën e telekomunikacionit dhe të menaxhimit.

Kuvendi i Kosovës, në disa diskutime në lidhje me Telekomin, ka kërkuar që Qeveria të ndërmarrë masa për nxjerrjen nga kriza të kësaj kompanie. Emërimi i Begollit tregon se ky pushtet është duke e bërë saktësisht të kundërtën, pra, po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja, e cila për vite me radhë përdori këtë kompani për qëllime politike, elektorale e korruptive.

Është pikërisht kjo qasje e ndjekur gjatë nga partitë e pushtetit, që ka sjellur kompaninë më fitimprurëse në Kosovë buzë falimentimit, praktikë kjo që është përcjellur edhe në kompani të tjera publike, të cilat pasi janë zhvlerësuar tejmase, u janë dhënë grupeve të interesit të lidhura me pushtetin nëpërmjet privatizimeve abuzive.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka folur e shkruar shumë mbi qasjen e pushtetit që e ka sjellur Telekomin dhe kompani tjera publike në prag të kolapsit, herë me qëllim dhe herë për shkak se thjesht nuk ka pasur dije e përgatitje profesionale.

Kur një drejtor menaxhues emërohet në një kompani publike pa pasur ekspertizën e duhur, ai e di se është aty duke iu falenderuar partive në pushtet, dhe, kur kjo ndodhë, vendimet e tij do të jenë të orientuara më shumë drejt shpagimit të borxheve ndaj politikës sesa drejt zhvillimit të kompanisë.

Tekekomi i Kosovës, përkatësisht ish-PTK, është ngritur me mund e sakrifica nga profesionistët vendor në dekadën e parë pas luftës, kurse është shkatërruar nga partitë politike në dekadën e dytë të tij.

Gjatë një numri të madh të diskutimeve publike dhe të brendshme, VETËVENDOSJE! ka paraqitur një plan të përgjithshëm për nxjerrjen e PTK-së nga kriza, me masa konkrete e të detajizuara për zhvillimin e kësaj kompanie, e cila ka qenë bartëse e sektorit më fitimprurës të kësaj epoke, telekomunikacionit.

Përkundër faktit se kjo kompani në vazhdimësi është dëmtuar nga politika e korruptuar, në një ambient tërësisht zhvatës të krijuar nga bordet krejtësisht politike, si rezultat i ekspertizës së krijuar në fillimet e saj, kjo kompani u ngrit deri në masën sa në vitin 2009 pagoi dividendë prej 200 milionësh për Buxhetin e Kosovës. Mirëpo, politika e korruptuar dhe e papërgjegjshme, pati pasoja të rënda për këtë kompani dhe sot ajo përballohet me rrezikun e falimentimit.

Emërimi i Begollit në krye të kësaj kompanie rrezikon të jetë një goditje finale ndaj një biznesi publik që në botën bashkëkohore konsiderohet të jetë tregu më fitimprurës dhe me ndikim të madh në zhvillim në sektorët tjerë të ekonomisë. Falimentimi i Telekomit mund të jetë i pashmangshëm nëse ne nuk i dalim në rrugë korrupsionit të instaluar në këtë sektor nga të partitë politike që deri sot patën pushtet.

Goditje e rëndë ndaj kompanisë më të madhe publike, Telekomit, përveç se nëpërmjet korrupsionit, ka ndodhur edhe me bartjen e ndikimit industrial, i cili është anti-ligjor e kundër parimeve të OECD-së, e që ka ardhur para së gjithash nga PDK-ja, por që është përcjellur edhe nga AAK-ja, LDK-ja dhe të gjitha partitë që deri sot kanë pasur pushtet. Njerëz me interesa në sektorin privat të telekomunikacionit kanë pasur kompetenca vendimmarrëse në Telekom. Këta njerëz gjatë marrjes së vendimeve, i kanë pasur primare interesat private dhe kanë lansuar e zbatuar politika që kanë dëmtuar Telekomin, për interesa të bizneseve private të lidhura me partitë politike. Qysh moti, VETËVENDOSJE!, profesionistë dhe ekspertë të ndershëm vendas si dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile kanë alarmuar opinionin publik dhe institucionet kosovare, përfshirë këtu edhe organin më të lartë të vendit, Kuvendin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dhënë zgjidhjen për të dalur nga kriza, por Qeveria është duke u sjellur me shpërfillje mbi këto propozime. Pasojat do të jenë shumë të rënda.

Ne konsiderojmë se falimentimi eventual i Telekomit do të ketë pasoja të shumta për ekonominë e Kosovës: jo vetëm për faktin se do të hedhë në rrugë mijëra punëtorë, por se do të ndikojë negativisht në sjelljen e teknologjisë për sektorët tjerë të ekonomisë, për nxitjen e inovacionit, dhe madje edhe për sigurinë kibernetike të vendit.

Me fjalë të tjera, ne nuk përballohemi vetëm me zhbërjen e një kompanie publike, por jemi në prag të shkatërrimit të një lokomotive të zhvillimit në ekonominë moderne të vendit. Shkatërrimi i kësaj kompanie do të pamundësojë prospektet e Kosovës që të ndërtojë një ekonomi funksionale, do të thellojë varfërinë e do ta rrisë papunësinë. Kjo duhet të shqetësojë gjithkënd dhe jo vetëm politikën.

Kontribo

22 06 2018

Takim me një grup të profesionistëve të rinj

Sot, një grup i profesionistëve të rinj, u takuan me Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe Koordinatoren e Komiteteve Profesionale, Dejona Mihalin.

Këta profesionistë të rinj, arkitektë, artistë, inxhinerë, ekonomistë, gjeodetë, inxhinierë të IT-së, iu bashkuan sot Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Midis tjerash, Sekretarja Organizative iu uroj mirëseardhjen dhe e theksoi lidhshmërinë mes çështjeve organizative dhe dijeve profesionale.

Kryetari Kurti theksoi se një shoqëri e qëndrueshme dhe demokratike mund të bëhet vetëm me qytetarë të ndershëm dhe të dijshëm. Përmes Këshilleve profesionale, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të synon që të ngritë rolin e profesionistëve të rinj, pasi e ardhmja ju takon atyre.

Profesionistët u ankuan për mungesën e përgjithshme të zhvillimit në Kosovë, por ku e shohin Lëvizjen VETËVENDOSJE! si të vetmen shpresë për ndryshime progresive. Me këtë rast u zotuan që do të japin ndihmën për Lëvizjen dhe për Kosovën përmes angazhimit të tyre.

Kontribo

19 06 2018

Skema e financimit të RTK-së sipas projektligjit të ri – zhvatje për qytetarët

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media lidhur me problemet e mëdha që i bart projektligji për RTK, i hartuar nga Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.
Deputeti Valon Ramadani, anëtar i këtij komisioni paraqiti propozimet që ka bërë gjatë hartimit të projektligjit si dhe shqetësimet mbi skemën e financimit të RTK-së. Deri tani asnjë prej këtyre propozimeve nuk është marrë parasysh.

“Hartimi i këtij projektligji është përcjellë me probleme të mëdha. Do të doja sot t’ju bëja me dije një problem tepër të madh siç është skema e financimit të RTK siç parashikohet me këtë projektligj”, tha Valon Ramadani.

Gjithashtu ai theksoi se anëtarët e grupit punues të këtij komisioni kanë vendosur në këtë version pagesën me 2.5 euro në muaj për çdo subjekt fizik dhe subjekt juridik në Republikën e Kosovës. Po ashtu kanë vendosur që këto të ardhura të mblidhen nëpërmjet kompanisë private KEDS/KESCO. Provizioni për këtë shërbim që do t’i jipet kompanisë private është 50 cent për konsumator pra 2.5 milionë euro në vit.

Deputeti Ramadani ka kërkuar që, së pari, para se të hartohet skema e financimit nga qytetarët e Kosovës duhet që RTK të reformohet thellë, të garantohet që ka menaxhim të përgjegjshëm, që nuk ka korrupsion dhe që secili që merr pagë aty e bën edhe një punë konkrete, të matshme dhe të vlerësueshme.

Së dyti, kemi kërkuar që grupi punues të përfshijë specialistë të lartë të inxhinierisë së fushës dhe mbi të gjithë specialistë të lartë të ekonomisë e financave. Ne nuk besojmë dhe objektivisht është e pamundshme që këtë projektligj kaq të rëndësishëm mund ta hartojnë qoftë Nait Hasani qoftë Xhevaire Izmaku apo anëtarë të tjerë të komisionit të cilët asnjëri nuk janë të thirrur në ndonjë nga fushat e nevojshme.

Së treti, ne kemi kërkuar të organizojmë debate publike në çdo komunë të Kosovës me qytetarë dhe përfaqësues të tyre. Me qëllim që të marrim edhe qëndrimet e tyre për mundësinë e financimit të RTK nga qytetarët. As kjo nuk është pranuar.

Së katërti, ne kemi kundërshtuar prerazi që edhe në rast të financimit nga qytetarët të RTK kjo shumë të mblidhet nga KEDS/KESCO kompania private që menaxhon shpërndarjen e rrymës në Kosovë. Sepse nuk është një kompani e përgjegjshme dhe se provizioni që do të marr prej këtij shërbimi është tepër i lartë, pra e papranueshme që qytetarët të paguajnë sërish për fitime të KEDS.

Së pesti, tarifa e propozuar pra 2.5 euro në muaj e lidhur me matësat e energjisë në çdo ndërtesë të Kosovës qoftë ajo amviseri qoftë këpucar, zyrë noteri, bukëpjekës, fabrikë etj është jo vetëm arbitrare, por e padrejtë dhe antikushtetuese.

Së gjashti, asnjë studim, vlerësim apo diskutim serioz me njerëz të fushës nuk është bërë paraprakisht për formulën e financimit.

Së shtati, edhe nëse RTK do të reformohej duke rritur dukshëm cilësinë e përgjegjshmërinë, edhe nëse specialistët pas një studimi të hollësishëm do të na kishin sugjeruar skemën e financimit nga publiku tarifat duhet të ishin plotësisht të përballueshme nga familjet e Kosovës dhe ato sipas nesh do të duhej të mblidheshin nga Posta e Kosovës.

Kështu siç është ky version është i papranueshëm dhe përbën zhvatje të qytetarëve. Andaj, ne i bëjmë thirrje edhe deputetëve të tjerë nga opozita, deputetëve të LDK që të mos ta pranojnë këtë version skandaloz. I rikujtojmë edhe njëherë Komisionit që ky projekt është jo serioz, i dëmshëm, i padrejtë dhe antikushtetues.

I ftojmë gazetarët që nesër, 20 qershor ora 10:00 të ndjekin mbledhjen e komisionit parlamentar ku do të paraqitet për shqyrtim ky projektligj.

Kontribo

18 06 2018

Presidenca të konfirmojë sa më parë dy anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në KQZ

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për veprimet jokushtetuese të zyrës së Presidentit Hashim Thaçi lidhur me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Albulena Haxhiu tha se është e drejtë e subjekteve politike që në bazë të fuqisë të marrë në zgjedhjet e fundit të dërgojnë anëtarët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Në KQZ duhet t’i ketë dy anëtarë kolicioni PAN, dy anëtarë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe dy anëtarë LAA siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje, dhe siç e përcaktoi rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Përkundër që Presidenca nuk inicioi procedurën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, Lëvizja VETËVENDOSJE! më 17 prill të këtij viti dorëzoi dy nominimet, Adnan Rrustemin dhe Nazlie Balajn, për dy anëtarë në KQZ, ashtu siç parashikohet me Kushtetutë dhe Ligjin për Zgjedhje’’, tha Albulena Haxhiu.

Aktualisht zyra e Presidentit në vend se të procedojë me këto nominime po pengon emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga opozita. Ata në shpërfillje të ligjit kanë njoftuar për betimin tek Presidenti vetëm nga një përfaqësues e jo siç i takon opozitës, nga dy anëtarë.

Adnan Rrustemi numëroi shkeljet kushtetuese që Presidenti Thaçi po i bën, sidomos me vendimet e fundit për mandatimin e përfaqësuesve të subjekteve politike në KQZ.

Rrustemi konstatoi që ndonëse kanë kaluar mbi dy muaj prej kur Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dërguar dy nominimet e saj për anëtarë të KQZ-së, presidenca nuk i ka përmbushur përgjegjësitë që ka në konfirmimin e këtyre nominimeve si anëtarë të KQZ-së. Në bazë të ligjit për zgjedhje, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës. Gjersa, rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës është certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, duke reflektuar kështu përbërjen e re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit’’, shtoi Adnan Rrustemi.

Nazlie Bala tregoi për thirrjen krejtësisht në mënyrë joserioze, pa asnjë shkresë apo e-mail zyrtar që ajo ka marrë nga ana e Zyrës së Presidentit. “Të enjten e kaluar, nga Zyra e Presidentit , gjegjësisht nga zyra ligjore, kam pranuar një telefonatë për të marrë pjesë në betimin si anëtare e KQZ-së. Kjo thirrje nuk është as zyrtare e as ligjore sepse nuk kam pranuar asnje dokument zyrtar e aq më tepër kur i nominuari tjetër nga Lëvizja, Adnan Rrustemi, nuk është kontaktuar fare. Kjo ka ndodhur pa asnjë shpjegim zyrtar dhe kësilloj është e papranueshme’’, shtoi Nazlie Bala.

Ky proces po përdoret qëllimshëm nga Presidenti Thaçi dhe kjo pashmangshëm ndërlidhet edhe me faktin, por jo vetëm, se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-së, kryetar i së cilës ishte Hashim Thaçi, nuk do t’i takojnë dy anëtarë siç ishin deri më tani, por vetëm një, respektivisht dy anëtarë si PAN, ndërsa Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet t’i ketë dy anëtarë në KQZ, sikurse edhe LDK duhet t’i ketë po ashtu dy. Lëvizja VETËVENDOSJE! në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për zgjedhje ka bërë nominimet për anëtarë të KQZ-së, duke ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Andaj kërkojmë nga zyra e Presidentit pa vonesa të mëtejshme që sa më parë të konfirmohen të dy anëtarët e KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe të dy anëtarët e LDK-së

Kontribo

13 06 2018

Bashkatdhetarët po trajtohen si: të huaj në mërgatë, të huaj në vendin e tyre

Në kuadër të Ditës së Mërgatës që po shënohet brenda Javës së Lëvizjes, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpërmjet një aksioni të zhvilluar afër Ministrisë së Diasporës i kanë rikujtuar shpërfilljet institucionale që u bëhen mërgimtarëve tanë. Njëkohësisht, u dha alternativa dhe zgjidhjet e Lëvizjes për kërkesat dhe nevojat e mërgimatërvë karshi institucioneve të Kosovës.

Sekretarja organizative e VETËVENDOSJE!-s Vlora Haxhimehmedi e cila vetë është kthyer nga Norvegjia tha se “Sikur të mos mjaftonin vështirësitë e mëdha, dhe në shume raste diskriminimi politik, ekonomik, dhe kulturor me të cilin ballafaqohen bashkadhetarët tanë jashtë vendit, ata gjithnjë e më shumë po trajtohen nga institucionet si të huaj edhe në vendin e tyre. Nga nëpërkëmbja e të drejtës për të votuar, te pagesa e padrejtë për kartonin e gjelbërt, nga radhët e gjata në kufi dhe vonesat e tjera administrative, e deri te kërkesat për rryshfete, këto institucione e kanë kthyer mërgatën tonë në objekt mashtrimi dhe abuzimi”.

Sakaq, është mërgata ajo që ka qenë jetike për mbijetesën dhe çlirimin e shqiptarëve nën ish Jugosllavi. Ajo u kthye jo vetëm në strehë për të përndjekurit politikë, gazetarët, artistët e shkrimtarët, por financoi me dekada ekzistencën ekonomike, politike dhe arsimin. Gjatë luftës mërgata dha një mbështetje të fuqishme me njerëz dhe materiale. Por qeverisjet e deritanishme, pas luftës, ia kanë reduktuar rolin mërgatës në minimum, përveç në aspektin e remitancave, ku mërgata kthen në Kosovë rreth 1 miliard Euro. Megjithatë edhe ky kontribut shkon kryesisht për konsum të mallrave të huaja, për shkak të mungesës së prodhimit vendas, dhe për pasojë këto para dalin prap jashtë vendit.

Kjo situatë thërret për ndryshim të menjëhershëm. Ne angazhohemi për garantimin e të drejtës elementare të votës, për vende në Parlament për mërgatën dhe shtrirje të politikave për mërgatën në të gjithë aparatin shtetëror, nga ekzekutivi te diplomacia, nga zhvillimi ekonomik e kulturor e deri të ngritja e Institutit të Mërgatës. Duhet të punojmë për atë që njihet si “rikthimi i trurit” që është larguar nga vendi.

Përmes bankës zhvillimore që Lëvizja VETËVENDOSJE! synon të themelojë, remitancat do të kalojnë nga konsumi në investime të mbrojtura në sektorët strategjik të ekonomisë, duke i dhënë mërgatës përparësi. Vetëm në Gjermani janë aktualisht të regjistruara mbi 32,000 biznese shqiptare. Paramendoni çfarë mund të bëjnë këto bizneze sikur të ndihmoheshin të organizoheshin më mirë. Paramendojeni çfarë ndikimi do të kishin në ekonominë e Kosovës këto biznese sikur të investonin qoftë dhe 10% të kapitalit të tyre. Ata po investojnë, por shumë më pak nga ç’dëshirojnë sepse u kërkohet rryshfet, sepse u pritet hovi që ne start përmes korrupsionit dhe mashtrimit.

Le të bëhemi bashkë që ky vend mos të jetë më i huaj për qytetarët e vet.

Kontribo

13 06 2018

Vendimi për pagat nuk mund të merret pa vendim të Kuvendit

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për shkeljet kushtetuese që ka bërë vetë trupi e GJK-së kur e ka nxjerrë vendimin se ngrijta e pagave nuk e cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Në vend që Gjykata Kushtetuese të ndalonte abuzimin me paranë publike, gjyqtarët si Arta Rama – Hajrizi, Ivan Cukalovic, Allta Suroy, Snezhana Botusharova, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi, përmes këtij vendimi mundësuan ngritjen e pagave edhe për vete. Aktgjykimi i Gjykatës se rritja e pagave nga qeveria për vetë qeverinë dhe stafet e tyre është brenda normës kushtetuese tregon më shumë për karakterin në të cilin është zhytyr trupa e gjyqtarëve se sa për vet vendimin’’, tha deputetja Haxhiu.

Duke folur për këtë vendim dhe rrethanat e një shteti të kapur, ajo theksoi se ky veprim po ashtu i shërben konjukturës së pushtetit duke konstatuar se shumica e gjyqtarëve të Kushtetueses u shndërruan në rojtarë të kësaj konjukture duke shpërfillur detyrën e mbrojtjes së Kushtetutës si kohezion shoqëror.

“Vendimi i Qeverisë Haradinaj për rritje të pagave përpos që është vepër penale është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. Këtë e dëshmon edhe qëndrimi mospajtues i dy gjyqtarëve te Gjykatës Kushtetuese, znj.Gresa Caka-Nimani dhe Almiro Rodriguez”, shtoi Haxhiu.

Ndërkaq, Avni Zogiani krahasoi pagat e kryeministërve të vendëve të rajonit karshi pagës mesatare të këtyre vendeve përkatëse që tregon se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkundër që ka varfëri e pabarazi të madhe sociale i ka pagat më të larta në rajon.

Sipas shifrave të vitit 2017, paga mesatare në Mal të Zi është 509 euro, ndërkaq Kryeministri i këtij shteti paguhet 1130 euro. Në Bosnjë paga mesatare është 439 euro, kurse ajo e Kryeministrit 1700 euro, duke vijuar tutje me Maqedoninë ku mesatarja është 372 euro dhe ajo e Kryeministrit 1300 euro, në Serbia 407 euro mesatarja dhe 1000 euro e Kryeministrit, në Shqipëria 347 euro krahasuar me atë të Kryeministrit që merr 1700 euro. Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës ka pagën 2950 euro përkundër pagës mesatare që është 405 euro (sipas disa të dhënave edhe më e ulët).

Autoriteti që merr vendime në Republikën tonë lidhur me pagat është Kuvendi përmes ligjit për buxhetin dhe ligjit për pagat. Por jo vetëm kaq, vendimi për rritje të pagave është edhe shkelje e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për shkak se kjo rritje nuk është paraparë me buxhetin për vitin 2018. Ligji i Buxhetit 2018 ka paraparë vetëm rritjen e pagave 4% për të gjithë punësuarit që paguhen nga buxheti i shtetit.

Në bazë të përllogaritjeve të ekspertëve tanë, ky vendim ka implikime buxhetore prej 6 deri në 7 milionë euro që do të thotë se një pjesë e parave do të merren nga kategoritë e tjera buxhetore, mirëpo ky vendim nuk do të mund të merret pa vendim nga Kuvendi.

Do ia marrin ndonjë kopshti, shkolle, buxhetit per shendetësinë specifkisht për barnat apo kategorive sociale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nisur të hartojë kallëzimin penal për Kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votim, perfshirë edhe gjyqtarët e Kushtetueses të cilët rriten edhe pagat e tyre.

Kontribo

12 06 2018

Konferencë për media

Sot, në ditën kur janë bërë saktësisht tre muaj prej ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për të rikujtuar se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt korrigjimit të këtij Demarkacionit, ndërkaq Hashim Thaçi, i cili ka nënshkruar këtë marrëveshje, kokë në vetë po niset drejt pazareve të reja me Serbinë.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti foli për mungesën e numrave të Qeverisë aktuale dhe mungesës së legjitimitetit të saj, në njërën anë, dhe në anën tjetër, ngarendjen e Thaçit për të bërë pazare të reja me Vuçiqin.
‘’Nuk mund të ketë edhe demokraci edhe qeveri të pakicës. Numri i partive në koalicionin qeverisës është dyfish më i madh sesa numri i deputetëve të partisë së kryeministrit. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj i cili për çdo javë bën së paku nga një skandal. Ai duhet ta testojë qeverinë me votëbesim në Kuvend. Kosova nuk mund ta bëjë shtetndërtimin e saj pa demokraci. E, nuk ka demokraci me qeveri të pakicës. Kemi nevojë për zgjedhje të reja e të lira’’, tha Albin Kurti.
Ai poashtu foli edhe për Strategjinë e Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nga e cila Serbia është privilegjuar shumë duke u futur në të njëjtën kategori me Malin e Zi për anëtarësim në vitin 2025.

‘’ Qëllimet e Beogradit janë të qarta: 1) ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë; 2) Anëtarësim sa më i shpejtë i Serbisë në BE. Në përputhje me këto qëllime Vuçiqi shtron kërkesa. Kosova nuk i ka formuluar qëllimet dhe parimet e saj dhe rrjedhimisht as kërkesat ndaj Serbisë. Krerët e institucioneve nuk e thonë as që synojmë e as që e kërkojmë njohjen e pavarësisë dhe dëmshpërblimin nga Serbia. Presidenti flet për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe besoj që e ka fjalën për dhimbjen që do ta ketë Kosova si shtet dhe populli ynë dhe jo vetë ai. Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel, kurse Thaçi po shkon te Vuçiqi’’, shtoi Albin Kurti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që të bëhet vlerësimi zyrtar i dialogut me një raport qeveritar 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Nuk mund të ketë dialog që na i merr 6 vjet pa pasur së paku edhe një vlerësim që na i merr 6 javë.
Presidenti Thaçi nuk është njeri që bën gabime të paqëllimshme, por njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil, as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe i paditur. Thaçi është President për vete, jo për Kosovën. Marrëveshjet e Presidentit apo ujditë e fshehta të tij nuk do të vlejnë në Kosovë. T’i përcaktojmë synimet e kërkesat tona dhe vetëm më pas të vazhdojmë me emra të përveçëm, ekipesh e liderësh, të dialogut që duhet të jetë padyshim me parime e me kushte.

Kontribo

12 06 2018

13 vjet rezistencë dhe rritje, alternativë dhe progres

Në 13 vjetorin e themelimit u mbajt konferencë për media ku u fol për aktivitetin politik, rezistencën karshi proceseve të dëmshme në Republikën e Kosovës e rolin progresiv të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Tri koncepte të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë kyçe dhe për të cilat ka dëshmuar koha dhe proceset politike se VETËVENDOSJE! ka pasur të drejtë:

Kritika e VETËVENDOSJE!s ndaj klasës politike udhëheqëse në Kosovë, të cilët kanë vendosur gjithmonë interesin e tyre privat përkundër atij publik duke përfunduar në njerëzit më të pasur në vend karshi shumicës së qytetarëve të varfër.

Kundërshtimi i dialogut me Serbinë, i cili nuk po përfundon as sot si proces. Dhe në lidhje me këtë dialog Lëvizja mendon se me Serbinë nuk duhet të dialogohet, por ajo që është e nevojshme është vetëvendojsa. Ky dialog nuk i ka sjellur asnjë të mirë vendit tonë.

Kritika e VETËVENDOSJE!s ndaj UNMIK-ut, ku vetëm pas shpalljes nga të gjithë u pranua kritika e Lëvizjes se UNIMIK-u ishte një mision i dëmshëm për Kosovën. Poashtu VETËVENDOSJE! vazhdoi edhe me kritikën për EULEX-in duke thënë se ai është vetëm vazhdimësi e misionit paraprak, UNMIK-ut.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca foli edhe për orientimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe etapat në të cilat ka kaluar Lëvizja që nga themelimi i saj më 12 qershor 2005.

“Me 10 shkurt 2007 në protestën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! u vranë dy protestues, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, ndërkaq me 5 nëntor 2016, në Burgun e Prizrenit, gjeti vdekjen aktivisti ynë, Astrit Dehari”, tha Glauk Konjufca teksa rendiste hapat e rezistencës e përpjekjes së pandalur të Lëvizjes.

Ai renditi po ashtu dhe etapat e Lëvizjes si alternativë e zgjedhur në nivel qendror dhe lokal. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, Lëvizja u votua masivisht nga qytetarët e Republikës duke dalë si subjekti më i votuar në vend me 32 deputetë dhe 27% të votës së përgjithshme. Ndërsa në nivel lokal, kishim fitoren në Komunën e Prishtinës në vitin 2013 dhe 2017 dhe fitoren në Komunën e Prizrenit dhe atë të Dardanës në zgjedhjet e fundit.

“Ideologjia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është socialdemokracia, horizonti ynë i veprimit politik është shqiptarizmi, kurse sistemi politik shtetëror në të cilin ne besojmë, është republika”, shtoi Glauk Konjufca.

Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku foli për figurën e aktivistit dhe aktivistes si figurën më të rëndësishme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ajo theksoi vlerat që shpreh e përfaqëson kjo figurë, aktivizmin politik, vullnetarizmi dhe sakrifica.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka aktiviste e aktivistë që nuk kanë hezituar asnjëherë të jenë aktiv politikisht sepse një gjë e tillë ishte e domosdoshme për kohën. Ata nuk janë vetëm edhe ardhmja, por janë edhe e tashmja. Është koha e të rinjve që t’u prijnë proceseve”.

Në këtë 13 vjetor Lëvizja VETËVENDOSJE! vijon të strukturojë e shtrijë organizimin e saj në të gjithë Kosovën e në mërgatë, kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Me solidaritet e përkushtim, me vullnet e dije, me guxim e nder për të realizuar atë që e thotë dhe manifesti ynë:

Vetëvendosje, sepse asnjë populli nuk mund t’i vendosen kushte për lirinë e vet. Sepse çdo popull ka të drejtë të dekolonizohet; të jetë përcaktues absolut i kahjeve të zhvillimit të mundësive të veta; i resurseve vetanake ekonomike; i pasurive të veta nëntokësore. Të përcaktojë lirshëm identitetin e tij dhe të kultivojë i papenguar frymën autentike kulturore. Vetëvendosje, sepse kjo është diçka e natyrshme: është gjë e pritshme të vendosim në interes të vetes më shumë se ç’do ta bënte këtë gjë tjetërkush dhe gjithkush tjetër për ne.

Kontribo

11 06 2018

Lëvizja VETËVENDOSJE! dorëzon në Kuvend projektligjin për gjykimin e personave në mungesë për krimet e luftës

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albulena Haxhiu dhe Saranda Bogujevci mbajtën konferencë për media në lidhje me dërgimin, nga ana e Lëvizjes, në Kuvend të draftligjit, që ka në qendër të trajtimit çështjen e gjykimit në mungesë të personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

Albulena Haxhiu foli mbi gjithë këto vite të pasluftës ku ende nuk kanë dalë para drejtësisë kriminelët e regjimit të Millosheviçit, që kryen krime në Kosovë.
Për më keq, jo rrallë, kemi parë që ata të hyjnë të papenguar në Republikën e Kosovës.

“Së fundi në Kuvend u zhvillua debati parlamentar sa i takon çështjes së të pagjeturve nga lufta e fundit. Njëra nga kërkesat e rezolutës së miratuar është hartimi i projektligjit për gjykimin në mungesë të personave të akuzuar për krime lufte në Kosovë dhe ndaj shtetasve të Kosovës. Ne kemi përgatitur draftligjin, që ka në qendër të trajtimit çështjen e gjykimit në mungesë personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë,” ‒ tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu foli edhe për dështimin e misioneve të huaja në Kosovë, UNMIK-ut dhe EULEX-it, që nuk patën si qëllim shqyrtimin e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve. Ata më shumë se çdokush kanë qenë në dijeni për hollësi të masakrave, të dhunimeve dhe të mijëra rasteve të dhunës së kriminelëve të ushtrisë e të policisë së Serbisë në Kosovë, por asnjëherë nuk vepruan.

Në anën tjetër, deputetja Saranda Bogujevci foli për mungesën e drejtësisë për familjet që kanë pësuar nga lufta e fundit në Kosovë, ku tash e sa vite ende nuk kanë gjetur drejtësi.

“Ky ligj do t’u japë një formë të drejtësisë këtyre familjeve. Në bazë të përvojës sime personale, sa u përket gjykimeve të krimeve të luftës, por edhe nga studimet që janë bërë nga gjykimet e gjykatave ndërkombëtare kanë dëshmuar, që proceset gjyqësore dhe nxjerrja e një vendimi sa u përket këtyre proceseve është tejet me rëndësi për familjarët. Me këtë ligj do të dokumentohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe do të ketë drejtësi për familjarët,” ‒ tha Saranda Bogujevci.

Ky projektligj parasheh dërgimin e 20 neneve të Kodit të Procedurës Penale.
Këto nene nuk do të vlejnë më si dispozita të Kodit të Procedurës Penale në rastet e hetimeve dhe të gjykimeve të krimeve të luftës:

Neni 103 (3) – Parimet e përgjithshme të fazës së hetimeve;
Neni 132 (7) – Marrja e deklaratës në procedurën paraprake;
Neni 151 – Marrja në pyetje e të pandehurit në procedurën paraprake;
Neni 152 ‒ Zbatimi i marrjes në pyetje të të pandehurit në procedurë paraprake;
Neni 153 ‒ E drejta e të pandehurit në përkthim;
Neni 154 ‒ Marrja në pyetje e të pandehurit gjatë deklaratës në procedurë paraprake;
Neni 157 – Pezullimi i hetimit;
Neni 245 – Shqyrtimi fillestar;
Neni 246 – Pranimi i fajësisë;
Neni 248 – Pranimi i fajësisë gjatë shqyrtimit fillestar;
Neni 254 – Shqyrtimi i dytë dhe caktimi i shqyrtimit gjyqësor;
Neni 285 (4) – Caktimi i shqyrtimit gjyqësor;
Neni 307 – Mosparaqitja e të akuzuarit në shqyrtim gjyqësor;
Neni 321 – Prania e personave të thirrur në shqyrtimin gjyqësor dhe vërtetimi i identitetit të të pandehurit;
Neni 322 – Udhëzimet fillestare të gjykatës lidhur me dëshmitarët dhe të dëmtuarit;
Neni 323 – Udhëzimet për të akuzuarin;
Neni 324 – Leximi i aktakuzës;
Neni 325 – Deklarimi i të pandehurit për aktakuzën;
Neni 326 – Pranimi i fajësisë nga i pandehuri në shqyrtimin gjyqësor dhe
Neni 346 – Marrja në pyetje e të akuzuarit.

Kriminelët e luftës, që i shërbyen dhe zbatuan planin e Millosheviçit për vrasjet e dhunimet e shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë duhet të dënohen. Nuk kemi asnjë arsye për të pritur më gjatë për vendosjen e drejtësisë.

Kontribo

09 06 2018

I përjetshëm qoftë kujtimi për personalitetin dhe për veprën e madhe të Fadil Vokrrit!

Me pikëllim të thellë sot morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kryetarit të FFK-së dhe njërit prej personaliteteve më të shquara dhe më kontributdhënëse në fushën e sportit, Fadil Vokrri.

Fadili ishte mjeshtër i madh i futbollit. Nga një i ri i talentuar në KF Llapi, ai u bë qendërsulmues dhe kapiten i gjeneratës së artë të KF Prishtina, klub të cilin e udhëhoqi në nivelin më të lartë, ligën e parë të futbollit. Atëherë kur futbolli nuk ishte vetëm sport por edhe rezistencë, 55 golat e Fadil Vokrrit në fanelën e Prishtinës i bënin krenarë shqiptarët në gjithë ish Jugosllavinë dhe jo vetëm. Përkundër shtypjes dhe urrejtjes antishqiptare talenti i i tij e bëri atë shqiptarin e vetëm që luajti nën fanelën e ish Jugoslavisë. 2 golat e tij kundër Irlandës Veriore bën që tërë stadiumi i Sarajevës të brohoriste emrin e tij. Vokrri shkëlqeu edhe në Partizanin e Beogradit, Fenerbahçen e Stambollit e Nimes të Francës.

Vepra dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm në ngritjen e nivelit të sportit në Kosovë ndër breza mbetet vlera më e madhe që ky sportdashës i madh po na lë të trasuar rrugën për të vazhduar tutje.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ndan dhimbjen me familjen Vokrri dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kontribo

09 06 2018

Shpaloset Java e Lëvizjes

Sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi dhe deputeti i VETËVENDOSJE!-s Liburn Aliu kanë shpalosur sot në një konferencë për media Javën e Lëvizjes, që po organizohet në 13-vjetorin e organizatës sonë.

Sekretarja Haxhimehmedi ka treguar për aktivitetet e secilës ditë:
Nga nesër më 10 qershor, fillon “Java e Lëvizjes” me shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Gjatë kësaj jave do të organizojmë aktivitete ditore me dhe për qytetarët dhe për aktivistët.

Kemi caktuar nga një temë për çdo ditë të Javës së Lëvizjes, si në vijim:

• E diel, 10 qershor, është Dita e Lidhjes. Pas 140 vjetëve Lidhja Shqiptare e Prizrenit është gjallë dhe shërben si burim frymëzimi.

• E hënë, 11 qershor, është Dita e Anëtarësimit. Do të përkujtojmë një ndër aktivistët tanë më shembullor, Arbënor Deharin, që ka dhënë një kontribut të çmueshëm për anëtarësimet e reja në Lëvizje. Në frymën e kontributit të tij, do të përqendrohemi te rekrutimi dhe te anëtarësimi, si dy shtylla te organizimit

• E martë, 12 qershor, është Dita e VETËVENDOSJES!, që do ta shënojmë në Prishtinë me temën: “13 vjet ballafaqim dhe organizim”.

• E mërkurë, 13 qershor, është Dita e Mërgatës, dita e atyre që edhe pse kanë jetuar jashtë trevave shqiptare, nuk kanë reshtur të çojnë përpara proceset më të rëndësishme të shqiptarisë.

• E enjte, 14 qershor, është Dita e Komunës, ajo që e përbën të përbashkëtën tonë. Prandaj, do të organizojmë aktivitete për të fuqizuar lidhjen e komunës me qytetarin.

• E premte, 15 qershor, është Dita e Solidaritetit në komunitet, që shënon edhe përfundimin e muajit të Ramazanit dhe festën e Bajramit, ku do të gjendemi pranë njerëzve më në nevojë.

• E shtunë, 16 qershor, është Dita e Organizimit. Do t’ia kushtojmë organizimit bazë në komunitet ‒ pikave të VETËVENDOSJE!-s.

• E diel, 17 qershor, e përmbyllim Javën e Lëvizjes me shënimin e ditëlindjes së Ukshin Hotit dhe të veprës së tij.

Kjo javë do të mbyllet me një aktivitet socio-kulturor në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Deputeti Liburn Aliu ka folur për Lidhjen e Prizrenit, 140 vjetori i së cilës e hap Javën e Lëvizjes.

Lëvizja Kombëtare e mbajti Lidhjen gjallë. Në shumë forma organizimi, herë legale, herë ilegale, lufta për liri vazhdoi, fshehurazi ose haptazi. Ajo u zhvillua dhe në terrenin e letrave e të arteve, ku pasardhësi më i spikatur i Abdyl e Sami Frashërit, si ideolog i Lëvizjes, u bë Ukshin Hoti. Ai ia vendosi vetes dhe secilit veprimtar imperativin “Shqipërinë e pabërë, bëje të bërë. Bëje ose vdis!”.

Maksimën e Ukshin Hotit e mishëroi në mënyrë më sublime Adem Jashari dhe mijëra veprimtarë. Me organizimin e UÇK-së shqiptarët iu kundërvunë edhe një herë forcave spastruese dhe në vitin 1999 arritën t’i ndalin ato, duke e çliruar Kosovën.

Detyrat që na i ka dhënë Lidhja e Prizrenit ende nuk janë realizuar. Rusia e disa nga fqinjët vazhdojnë të kenë pretendime ndaj nesh, kurse ne nuk e kemi organizimin e duhur ushtarak për vetëmbrojtje. Nuk kemi arritur të ndërtojmë diplomaci që t’i përfaqësojë shqiptarët në mënyrë të dinjitetshme. Fatkeqësisht kemi ambasadat e konsullatat plot miq e kushërinj të pushtetarëve. Ende nuk e kemi një shtet shqiptar mjaftueshëm të fortë, që t’u japë garanci e mbrojtje shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Ç’është më e keqja, ende qeverisemi nga klika vjedhësish, shpresa e vetme e të cilëve është servilizmi ndaj perandorive. Këta na kanë lënë me ekonomi, me shoqëri dhe me kulturë të pazhvilluar.

Për sa kohë që këto probleme të jenë aktuale, Lidhja vazhdon të jetë gjallë, jo vetëm në zemrat e mendjet e të shqiptarëve, por edhe si Lëvizje, në një shumësi formash të ballafaqimit e të organizimit. Njëra prej këtyre formave është Lëvizja VETËVENDOSJE! Frymëzohemi prej Lidhjes së Prizrenit, gurthemelin e kemi po aty.

Për këtë, nesër, më 10 qershor, në Prizren do të mbahet tribuna me temën “Situata gjeopolitike e shqiptarëve – siguria dhe mbrojtja”. Në panel do të marrin pjesë, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, profesori i filozofisë politike, z. Hysamedin Feraj dhe gjenerali, z. Enver Dugolli.

#JavaeLeviz13s

Kontribo

07 06 2018

Tryeza: “Telekomi i Kosovës – gjendja, shkaqet, zgjidhja”

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Komiteti për Telekomunikacion mbajtën tryezën mbi gjendjen aktuale në Telekomin e Kosovës me analizë rreth shkaqeve të problemeve dhe zgjidhjen e tyre.

Në këtë tryezë përveç deputetëve dhe ekspertëve e njohësve të kësaj lëmie, ishin edhe Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, profesor Ismet Hamiti dhe profesor Salem Lepaja.

Në hapje të tryezës Kryetari Albin Kurti foli mbi rëndësinë që ka Telekomi në zhvillimin e vendit duke konstatuar se “Telekomi, KEK-u dhe Trepça janë historia dhe shansi për zhvillim të Republikës së Kosovës”.

Ai po ashtu foli edhe degradimin e Telekomit të Kosovës, ku nga një ndërmarrje shumë fitimprurëse tash nuk arrin të mbulojë shpenzimet e veta.

Ndërkaq, profesor Ismet Hamiti foli në lidhje me mënyrën se si Telekomi ka degraduar deri në këtë pikë.

“Nuk di ndonjë kompani në botë të kësaj veprimtarie të ketë falimentuar, ndërkaq Telekomi në Kosovë aktualisht nuk arrin t’i mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse. Kjo për shkak të plaçkitjes së të hyrave përmes kontratave, aranzhmaneve dhe skemave nga me të ndryshmet. Një skemë plaçkitëse është operatori virtual mobil i njohur si Z-Mobile. Përmes kësaj skeme aktualisht, deri sa po flasim, plaçkiten së paku 30% e të hyrave nga shërbimet mobile të Telekomit të Kosovës”- tha Prof. Ismet Hamiti dhe vazhdoi:

“Kjo skemë për herë të parë u shfaq publikisht me 30 mars 2007 me shpalljen e PTK për krijimin e një skeme të tillë me urdhër të individëve në nivele të larta qeverisëse e partiake ndërsa në vitet në vijim e realizuan drejtues e borde të PTK-se dhe të rregullatorit, e mbrojtën ministra dhe kryeministra dhe nuk veproi prokuroria dhe drejtësia”.

Në anën tjetër, profesor Salem Lepaja foli në lidhje me disa hapa që duhet të ndërmerren për të dalë nga kjo gjendje, duke u nisur nga suspendimi i kontratës nga Prokuroria, formimi i një grupi për menaxhimin e krizës, që më pas do të kishte autorizim të plotë dhe do të ristrukturonte TK.

Ai foli edhe për politikat e kuadrit dhe kontratën e Telekomit të Kosovës me Dardafonin si dy faktorë kryesor të shkaktimit të kësaj krize.

Gjithashtu, i gjithë ky proces do të ishte transparent dhe publik përmes raportimeve të rregullta në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nënkryetari i Lëvizjes, Besnik Bislimi tha se përveç kontratës së dëmshme me Z-Mobile, duhet të rishikohen edhe kontrata të tjera që janë po aq të dëmshme si ajo me “Artmotion”, marrja në shfrytëzim me qira të shumë objekteve si dhe mbipunësimi e luksi nga drejtuesit e TK-së.

Avni Zogiani përmendi edhe tenderët me operatorët e tjerë, siç është rasti me operatorin Koscell, ku edhe pasi Koscell ishte ranguar e para, fitues u shpall Telekomi slloven e jo Koscell ku ndër të tjera ishte edhe Telekomi austriak. Pas kësaj ajo, përmes firmës ligjore, nisi pesë raste gjyqësore. Që nga nisja e këtyre rasteve gjyqësore, ministri i atëhershëm i Financave, Ahmet Shala, e kishte marrë këtë kompani si këshilltare për privatizimin e Postës.

Pjesëmarrës të tjerë gjithashtu folën edhe për dimensione të tjera të plaçkitjes nga kontrata me Z-Mobile që nga vlerësimi se kjo kontratë po ashtu bie ndesh me ligjin për konkurrencën, për të vazhduar më pas me keq-menaxhimin e vazhdueshëm të resurseve njerëzore e deri te luksi i udhëheqësve të lartë në Telekomin e Kosovës.

Në fund të gjithë u pajtuan se Telekomi i Kosovës është në krizë, por mund të shpëtohet dhe të rikthehet në kontribuues të rëndësishëm të buxhetit të shtetit. Se a do të ndodhë kjo është ne dorë të prokurorisë dhe të qeverisë. Prokuroria duhet urgjentisht të bëjë suspendimin e menjëhershme dhe të nisë hetimet e kësaj kontrate në tërësinë e saj. Ndërsa qeveria duhet të emëroi menaxhmentin e krizës, të përbërë nga profesionistët e kësaj fushe, me detyra të qarta për kthimin e Telekomit në gjendje normale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të ndalet asnjëherë të vë në pah krimin e organizuar, që nga Qeveria e deri te drejtorët e bordet e TK-së, dhe as nuk do të rresht së kërkuari ndjekjen penale të kryerësve të këtij krimi që po falimenton ndërmarrjen shumë fitimprurëse të Republikës sonë.

Nesër, e premte Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do ta ballafaqojë më këto çështje kryeministrin Haradinaj, në interpelancën e kërkuar prej datës 3 maj.

Po ashtu gjejmë rastin që sërish t’i bëjmë thirrje prokurorisë që të mos të mbyllë veshët e sytë por të veprojë. Kjo heshtje nuk duket aspak e paqëllimtë dhe çdo vonesë po i bën ata bashkëfajtorë.

Kontribo

06 06 2018

Nga shërbëtor në djalosh me dekoratë

Sa më shumë që presidenti i Kosovës të kufizohet në rolin e tij do të ishte më mirë për Kosovën. Nuk do të ishte ide e keqe që ai të reduktohej në ndarës dekoratash por as këtu nuk është treguar i suksesshëm duke marrë parasysh sa shumë të tilla i janë refuzuar atij. Por sot, një person e pranoi me kënaqësi një medalje e cila nuk kuptohet qartë se pse iu nda. Thaçi e kurorëzoi sot Baton Haxhiun me medalje presidenciale në emër të kontributit të tij gjatë luftës. Derisa ky kontribut për ne mbetet i panjohur, ne i njohim shumë mirë detyrat që i kryen Batoni për Thaçin.

Zakonisht pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim. Kështu e kërkon edhe natyra e punës së agjentëve, por meqë Haxhiu po e bën tash e sa kohë mbrojtjen e shërbimin haptas për PDK-në atëherë edhe Thaçi po ia kthen këtë nder në formë krejt transparente, para kamerash.

Gazetarët nuk do të duhej të pranonin medalje nga një president i tillë siç është Thaçi, por meqë e ka filluar, ne e inkurajojmë Hashim Thaçin që të dekorojë edhe të tjerë dhe kështu na e bën edhe më të qartë se cilët janë oborrtarët e tij.

Tani që raporti PDK-Baton Haxhiu u kurorëzua me medalje presidenciale, për Lëvizjen është e qartë që ky raport duhet të neutralizohet duke e defaktorizuar shërbyesin. Këtë do ta bëjmë duke refuzuar çdo bashkëpunim me çdo emision që moderohet nga Haxhiu.

Kontribo

06 06 2018

GP i Lëvizjes VETËVENDOSJE! parashtroi kërkesën për interpelancë.

Sot grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! parashtroi kërkesën për interpelancë në emër të deputetit Liburn Aliu lidhur me pagesën që Qeveria e Kosovës po ia bën Bechtel Enkës me 53 milionë euro.

Për këtë skandal Qeveria duhet të japë llogari në Kuvend. E prokuroria duhet të nisë hetimet.

I bëjmë thirrje Kryeministrit mos të fshihet pas “axhendës së ngarkuar” por të paraqitet brenda afatit në Kuvend.

Kontribo

06 06 2018

Draftstatuti i miratuar nga Qeveria rrezikon Trepçën

Në tryezën e organizuar sot nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Komiteti për Industri lidhur me gjendjen dhe problemet në Trepçë morën pjesë ekspertë, profesionistë, Kryetari i Sindikatës së Trepçës, z.Shyqyri Sadiku, Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Agim Baftiri, të cilët shprehen shqetësimet e tyre për draft statutin e miratuar së fundmi nga Qeveria.

Njëra prej vërejtjeve të para që u theksua prej shumë të pranishmëve ishte se ky draft statut duhej të hartohej prej bordit të vetë ndërmarrjes e jo prej Qeverisë dhe t’i imponohej bordit.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe kryetari Albin Kurti e nënkryetari Besnik Bislimi si dhe drejtuesi i Komitetit për Industri Nazmi Mikullovci. Vërejtjet kryesore kishin të bënin me mospërfshirjen e shumë aseteve të Trepçës duke i lënë ato të rrezikuara për likuidim në AKP.

Vërejtje të mëdha kishin të pranishmit në lidhje me statutin e ri. Aty nuk përkufizohet se cilat janë minierat e Trepçës. Flitet tepër pak për metalurgjinë dhe i shtrohet rruga ndarjes së atyre në pjesën veriore. Ky statut praktikisht heq dorë prej pjesës veriore. Ndërkohë, paralajmërohet një studim tjetër i fizibilitetit edhe pse vitin që kaloi u bë një i tillë.

Çështja tjetër brengosëse është ajo e aksionarëve. Në tryezë u vlerësua se me gjithë vërejtjet e shumta për ligjin për Trepçën, ky statut është më keq sesa vetë ligji, i hartuar nga ndokush i paditur, si në aspektin teknik e juridik po ashtu edhe në atë ekonomik e financiar.

Gjithashtu, gjatë tryezës u kritikua bordi i ri përbërja e të cilit janë persona joprofesionalë e krejt partiakë.

Në këto rrethana, është urgjente mbrojtja e Trepçës për t’i hapur rrugë zhvillimit të saj.

Lëvizja VETËVENDOSJE! gjatë shqyrtimit të Ligjit për Trepçën pati kërkuar që statuti i saj të miratohej nga Kuvendi me 2/3 e votive të Kuvendit, kjo për të siguruar që Trepça nuk rrezikonte as asetet e saj e saj pronësinë e saj. Atëbotë PDK e LDK nuk e patën pranuar këtë propozim duke e zbritur miratimin e statutit në Kuvend por me shumicë të thjeshtë.

Sot jemi para këtij problemi të madh, ku vet statuti që tash është vetëm draft t’i paraqitet Kuvendit për miratim. Ne do të punojmë që ky version i statutit të kthehet mbrapsht dhe vetëm pasi aty të jenë të qartësuara drejt dhe sigurt mbrojtja dhe zhvillimi i Trepçës t’i vijnë Kuvendit.

Prandaj paraprakisht i bëjmë thirrje Qeverisë, bordit se duhet të tërhiqen nga ky variant i statutit.

Po ashtu, ne do të mbështesim punëtorët në kërkesat e tyre legjitime për mbrojtjen e aseteve të Trepçës.

Kontribo

06 06 2018

Takim me raportuesin e Bashkimit Evropian për Kosovën, z. Igor Šoltes

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti ka zhvilluar një takim me raportuesin e Bashkimit Evropian për Kosovën, z. Igor Šoltes. Gjatë takimit është biseduar për situatën politike dhe institucionale në Kosovë, për drejtësinë dhe EULEX-in e po ashtu për dimensionin social e ekonomik të vendit.

Z. Kurti gjatë takimit theksoi se për shtetndërtimin dhe zhvillimin tonë bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm sesa ulësja në OKB që po premtohet pa mbulesë dhe se tash kur shënojmë një dekadë të EULEX-it mund të themi se ai ka dështuar sa i përket si krimeve të luftës po ashtu edhe krimeve të paqes.

Ky takim ishte në kuadër të një bashkëpunimi të vazhdueshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me përfaqësuesit dhe zyrtarët nga Bashkimi Evropian

Kontribo

05 06 2018

Statuti i miratuar nga Qeveria rrezikon zhvillimin e Trepçës

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe drejtuesi i Komitetit për Industri, Nazmi Mikullovci, paraqitën në konferencë për media vërejtjet dhe shqetësimin e Lëvizjes në lidhje me statutin e ri të ndërmarrjes Trepça miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari, Albin Kurti foli për rëndësinë që Trepça ka në zhvillimin e Republikës së Kosovës, rëndësi kjo që aspak nuk shprehet në statutin e ri të kësaj ndërmarrje.

“Për ne, Trepça është tri gjëra kryesore: e para kapacitet industrial prodhues, e dyta, pasuri minerare dhe e treta organizatë e punëtorëve. Statuti i ri, është i tillë që, në fakt nuk është përpiluar nga bordi mbikëqyrës i Trepçës siç do të duhej por ka ardhur aty i servuar nga Qeveria. Asetet të cilat përfshihen janë shumë të kufizuara: janë 3 miniera me flotacionet e tyre dhe eventualisht, vetëm pas një studimi të fizibilitetit të tyre janë edhe metalurgjia e plumbit, e zinkut dhe industria kimike që nuk është e sigurtë se në fund do të jenë të përfshira në ndërmarrjen e re publike “Trepça sh.a.”, tha Albin Kurti.

Drejtuesi i Komitetit për Industri në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Nazmi Mikullovci foli për shkatërrimin sistematik që i është bërë Trepçës nga Qeveritë që vetëm kanë ndërruar fytyrat dhe strategjitë por gjithnjë në dëm të ndërrmarrjes e së fundi edhe përmes hartimit të statutit të ri që tenton t’i jep goditjen përfundimtare pasurisë më të madhe të Republikës së Kosovës.

“Me këtë statut Trepçës do t’i ndërprehet zhvillimi, duke e humbur industrinë dhe duke mbetur vetëm në bujqësi e xehtari. Në asnjë vend nuk përmenden pasuritë dhe investimet e Trepçës”, tha Nazmi Mikullovci.
Poashtu ai theksoi edhe faktin se ky statut i ri rregullon zgjedhjen e Bordit, që ka 9 anëtarë, 3 prej të cilëve thuhet se duhet të jenë serbë, mirëpo po të njejtit kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij bordi. Kësisoj qëllimi dhe rezultati i këtij ligji të ri do të jetë ndarja e Trepçës.

Në statut gjithashtu nuk përmenden fare mijëra hektarë tokë, objekte të ndryshme në Kosovë dhe vende të ish-Jugosllavisë, pasuri këto të ndërmarrjes Trepça, të cilat janë duke shkuar drejt likuidimit.

Në lidhje me këtë çështje, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nesër do ta mbajë një tryezë me ekspertë dhe njohës të kësaj fushe për të diskutuar edhe më tutje për zhvillimin dhe mbrojtjen e Trepçës.

Kontribo

03 06 2018

PROKURORIA E KA NË DORË SHPËTIMIN E TELEKOMIT


Lëvizja VETËVENDOSJE! ka folur për zgjidhjen në Telekomin e Kosovës pas gjendjes së rënduar. Në këtë konferencë bashkë me kryetarin Albin Kurti foli edhe eksperti për telekomunikacion Ismet Hamiti.
Albin Kurti:

Gjendja e sotme në Telekomin e Kosovës është pasojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Në Telekomin e Kosovës janë bërë krime dhe nuk janë bërë hetime. Kanë përfituar biznismenë privatë e zyrtarë shtetërorë, por është dëmtuar qytetari dhe shteti. Në Telekomin e Kosovës nuk janë lejuar investimet dhe vazhdimisht Telekomi është kërcënuar me privatizim. Njeriu i cili e ka paraljmëruar qysh më 30 mars 2007 krimin e organizuar në Telekomin e Kosovës është këtu me ne sot, profesor Ismet Hamiti, profesionist i telekomunikacionit me përvojë gjysmëshekullore në Kosovë dhe në ITU, në letrën e tij dërguar Prokurorit të Shtetit me emër e mbiemër denoncoi përgjegjësit për katandisjen me paramendim të Telekomit të Kosovë
Ne konsiderojmë se Telekomi i Kosovës edhe mund të shpëtohet edhe mund të zhvillohet. Prokuroria të veprojë duke hetuar menjëherë. Qeveria të veprojë për një menaxhment krize me detyrë për ristruktimin të thellë dhe nën mbikëqyrje të përgjegjshme publike. Pra, është e mundshme, edhe të shpëtohet edhe të zhvillohet Telekomi i Kosovës. Ne po e tregojmë zgjidhjen, a do ta tregojnë ata vullnetin?

Ismet Hamiti:
Telekomi i Kosovës është në gjendje të keqe. Aq në gjendje të keqe është sa nuk mund t’i mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse. Kjo përkundër faktit se Telekomi është kompani shumë fitimprurëse. Është në këtë gjendje për arsye të vetme: sepse fitimet i janë plaçkitur dhe i plaçkiten përmes mekanizmave nga më të ndryshmit, që nga tenderë e kontrata të dëmshme e deri te humbjet e inskenuara të “arbitrazheve”.

Përgjegjëse për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe këtë të sotmen, të cilat kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rrolin kryesor në te gjitha zhvillimet negative në Telekomin e Kosovës. Qeveritë fillimisht eliminuan apo mënjanuar gjithë kuadrin profesional që kishte Telekomi dhe i zëvendësuan me njerëzit e vet, të huaj e vendorë, të gjithë të padijshëm, të papërgjegjshëm dhe me prirje kriminale. Si të kontrolluar që ishin këta individë pastaj punuan e punojnë jo përintersine Telekomit por llogarinëe atyre që i kishin emëruar aty.

Individë të tillë zbatuan “idenë” e shefave të vet për krijimin edhe skemës plaçkitëse nënmaskën e “operatorit mobil virtual”. Përmes kësaj skeme 30% tëtë hyrave të Telekomin shkojnë në xhepa të një kompanie private të njohur si “Z-Mobile”.

Po bëhen përmbi 11 vjet, që nga shfaqja publike e kësaj skeme me 30 mars 2007, që nëvazhdimësi jemi duke e paraqitur atëzyrtarisht te organet kompetente por edhe publikisht kurdo qënaështë dhënë rasti. Askush nuk ka bërë asgjë edhe pse ka qenë fare e lehtëtë parandalohet. Formalisht prokurorisë ia kam paraqitur para një viti e gjysmë, por para kësaj atë ia kam paraqitur zyrës për kontroll të brendshëm të OKB (OIOS) dhe gjithë kryeprokurorëve të EULEX-tmë pas. Por vetëm në dhjetor të vitit të kaluar prokuroria e gjeti të udhës të më ftojë të them diçka për këtë krim, porjo për krimin si tërësi, por vetëm për një hallkë të vogël të tij.

Prokuroria e këtij vendi nuk është e interesuar të hetojë plaçkitjen e Telekomit të Kosovës duke u bërë kështu pjesë e krimit të organizuar që krijoi skemën plaçkitëse. Nga kallximi im prokuroria i ka te gjitha hollësitë e këtij krimi. I ka individët që e kanë nisë dhe qe e kanë miratuar në bordet e njëpasnjëshme të PTK-së, e din personin me emër e mbiemër që e ka nënshkruar licencën në kundërshtim me ligjin, e din personin që e ka nënshkruar kontratën, i ka zyrtarët e lartë që e kanë mbështetur këtë krim. I ka të gjitha.
Përkundër kësaj, përkundër faktit se ky është një shembull shkollor i krimit të organizuar, nga më të lehtit për t’u dëshmuar, për kundër faktit se plaçkitja vazhdon para syve tonë edhe në momentin që po flasim, prokuroria nuk vepron. E dëmi që është duke iu shkaktuar interesit publik është kolosal, jo vetëm për përmasën ee madhe të fondeve publike që plaçkiten, por edhe për faktin se këto fonde përdoren për të rrënuar themelet demokratike të shtetit.

Pushtetin faktik në këtë vend e kanëstruktura të pazgjedhura që kontrollojnë fondet e plaçkitura, përfshirë edhe fondet e plaçkitura të Telekomit të Kosovës përmes kësaj skeme.

Prokuroria e ka në dorë t’i jep fund tatëpjetës që ka marrë ky vend. Duhet vetëm të kryej punën për të cilën paguhet. Konkretisht, në rastin e Telekomit, Prokuroria duhet tëmerr krejt çka është e nevojshme:

(i) për ndërprerjen e menjëhershmetëkontratëssëpërmes së cilës Telekomit të Kosovës i plaçkiten fonde në përmasa të mëdha; dhe
(ii) për hetimin e kësaj kontrate në tërësinë e saj, që do të provonte se kjo kontratëështë produkt i krimit të organizuar ashtu siç është.
Kultura e mosveprimit e prokurorisë duhet merr fund. Ndryshe nuk ka se si të mos konsiderohet pjesë e krimit dhe përgjegjëse për rrënimin e shtetit.

Kontribo

02 06 2018

Java e Lëvizjes – 10 – 17 qershor

Kryetari Albin Kurti dhe sekretarja e Lëvizjes Vlora Haxhimehmedi kanë mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë folur për organizimin e Lëvizjes, zgjedhjet e pjesshmë të brendshme dhe aktivitetet përgjatë javës së Lëvizjes.

“Sapo kemi mbajtur mbledhjen me pëfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes. Aty u përqëndruam te rëndësia e zgjerimit dhe dinamizimit të mëtejshëm të organizimit tonë. Kjo ishte dhe mbledhja ime e parë si Sekretare Organizative, prandaj dëshiroj të falenderoj organizatën për besimin që më ka dhënë. Për më shumë, falenderoj strukturat tona organizative për angazhimin dhe punën gjatë vitit 2018. Vetëm këtë vit Lëvizja është rritur me 3000 anëtarësime të reja.Rëndësi të veçantë i japim angazhimit të gruas në Lëvizje. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që kërkojnë ndryshim në Kosovë që të na bashkohen”, tha Haxhimehmedi.

Në synojmë që të gjithë këta anëtarë të rinj të bëhen më tej pjesë e strukturave tona organizative anekënd Kosovës dhe në mërgatë. Këtë mund ta bëjnë menjëherë, duke u përfshirë në zgjedhjet e pjesshme të brendshme që po mbahen për zgjerimin dhe konsolidimin e organizatë përgjatë muajit qershor.

Haxhimehmedi shpjegoi edhe aktivitetet e vendosura për përvjetorin e Lëvizjes. “Ky muaj, për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është muaj që ia kemi dedikuar organizimit. Në këtë frymë, nga data 10 qershor deri në 17 qershor, do të zhvillojmë aktivitete për atë që e kemi titulluar: “Java e Lëvizjes”. Brenda Javës së Lëvizjes ka disa data shumë të veçanta. Ajo fillon më 10 qershorin, pra me shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, vazhdon me 12 qershorin, që përkon me 13-vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe përmbyllet më 17 qershorin, me përvjetorin lindjes së aktivistit, studiuesist dhe mendimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, i cili do t’i kishte bërë 75 vjet”, tha ajo.

Java e Lëvizjes do të ketë diskutime publike e tribuna, aktivitete organizative, sociale dhe kulturore. Atë javë do të jemi të gjithë bashkë në organizim e për organizim, sepse vetëm organizimi çon para aspiratat tona politike dhe kombëtare. Programin e plotë të Javës së Lëvizjes do ta bëjmë publik shumë shpejt, dhe i ftojmë anëtarët e qytetarët të na bashkohen në të gjtiha aktivitetet që do të zhvillojmë.

Ndërkaq, Kryetari Albin Kurti i bëri thirrje anetarësisë së Lëvizjes që të angazhohen e mobilizohen për zgjedhjet e pjesshme të organizatës në mënyrë që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe.

“ Lëvizja VETËVENDOSJE! në njërën anë është koncept dhe program i cili është i përmbledhur në Alternativën tonë Qeverisëse dhe në qëndrimet e vazhdueshme politike e socio – ekonomike të cilët i përfaqësojnë aktivistët tanë në institucione, në tubime e në aktivitete si dhe në media. Në anën tjetër, Lëvizja jonë është edhe organizata e aktivistëve që përbëhet prej Qendrave të Lëvizjes sonë e ato më tepër përbëhen prej pikave në nivel organizativ të lagjeve e qyteteve e të fshatrave të komunave anekënd Kosovës. Kjo e dyta, dimensioni organizativ i Lëvizjes, ka prioritet në muajin qershor sepse siç e shpjegoi edhe sekretarja jonë e re organizative Vlora Haxhimehmedi ne do të mbajmë pjesërisht zgjedhje, të lira e demokratike në anëtarësinë e Lëvizjes tonë për t’i kompletuar struktuarat nëpër qendra”, tha kryetari Kurti.

Kontribo