02 06 2018

Fjala e sekretares organizative Vlora Haxhimehmedi në konferencë për media

Sapo kemi mbajtur mbledhjen me pëfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes. Aty u përqëndruam te rëndësia e zgjerimit dhe dinamizimit të mëtejshëm të organizimit tonë. Kjo ishte dhe mbledhja ime e parë si Sekretare Organizative, prandaj dëshiroj të falenderoj organizatën për besimin që më ka dhënë. Për më shumë, falenderoj strukturat tona organizative për angazhimin dhe punën gjatë vitit 2018. Vetëm këtë vit Lëvizja është rritur me 3000 anëtarësime të reja. Rëndësi të veçantë i japim angazhimit të gruas në Lëvizje. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që kërkojnë ndryshim në Kosovë që të na bashkohen.

Në synojmë që të gjithë këta anëtarë të rinj të bëhen më tej pjesë e strukturave tona organizative anekënd Kosovës dhe në mërgatë. Këtë mund ta bëjnë menjëherë, duke u përfshirë në zgjedhjet e pjesshme të brendshme që po mbahen për zgjerimin dhe konsolidimin e organizatë përgjatë muajit qershor.

Ky muaj, për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është muaj që ia kemi dedikuar organizimit. Në këtë frymë, nga data 10 qershor deri në 17 qershor, do të zhvillojmë aktivitete për atë që e kemi titulluar: “Java e Lëvizjes”. Brenda Javës së Lëvizjes ka disa data shumë të veçanta. Ajo fillon më 10 qershorin, pra me shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, vazhdon me 12 qershorin, që përkon me 13-vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe përmbyllet më 17 qershorin, me përvjetorin lindjes së veprimarit, studiuesist dhe mendimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, i cili do t’i kishte bërë 75 vjet.

Java e Lëvizjes do të ketë diskutime publike e tribuna, aktivitete organizative, sociale dhe kulturore. Atë javë do të jemi të gjithë bashkë në organizim e për organizim, sepse vetëm organizimi çon para aspiratat tona progresiste dhe kombëtare. Programin e plotë të Javës së Lëvizjes do ta bëjmë publik shumë shpejt, dhe i ftojmë anëtarët e qytetarët të na bashkohen në të gjtiha aktivitetet që do të zhvillojmë.

Kontribo

01 06 2018

Nga takimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, dje, më 31 Maj, Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar dhe Arbër Zaimi, anëtar i kryesisë, organizuan një takim me qytetarë.

Në fillim të takimit Arbër Zaimi ekspozoi gjendjen e trishtë të largimit të shqiptarëve në mungesë të shpresës në shoqëri dhe sundimit të korrupsionit në institucione. Më pas Glauk Konjufca paraqiti nevojën e përhershme të konceptit të vetëvendosjes.

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti në fjalën e tij trajtoi veçanërisht se si shkojnë bashkë reduktimi i prodhimit në financën tregtare me reduktimin e shtetit në oligarki dhe ndarjes të njësisë shqiptare.

Bashkëbisedimi me të pranishmit që vijoi për më shumë se dy orë u përqendrua në pyetjet mbi domosdoshmërinë e bashkësisë politike dhe ekonomike të shqiptarëve si stabilitet dhe në fuqinë e programit socialdemokrat.

Midis të tjerave u kërkua që të shtohen takimet e kësaj natyre dhe që çështjet që i brengosin shqiptarët në Kosovë e me gjerë të jenë pjesë e diskutimit aktiv edhe në Tiranë e qytete të tjera të Republikës së Shqipërisë.

Kontribo

01 06 2018

Kush është Njazi Thaci, kushëriri i presidentit, që u bë u.d. i drejtorit të KEK-ut?

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me emërimin e kushëririt të Hashim Thaçit, Njazi Thaçi, si u.d i Drejtorit të KEK-ut, që tregon, edhe njëherë, se kapja e shtetit po vazhdon dhe nga personi dhe subjekti i njëjtë, Hashim Thaçi dhe PDK.

Ndërkohë që partitë politike të Kosovës po përpiqen të krijojnë një konsensus rreth vazhdimit të dialogut nën udhëheqjen e Presidentit Hashim Thaçi, kushëriri i tij i parë, Njazi Thaçi, është emëruar drejtor i Korporatës Energjetike ‒ KEK.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti foli për kapjen e shtetit nga Thaçi dhe PDK, të cilët kanë kapur çdo institucion përmes familjarëve dhe militantëve të tyre të ngushtë.

“Thaçët dhe PDK-ja kanë ushtruar pushtet në KEK nëpërmjet z. Njazi Thaçit, që për një kohë të gjatë sa ishte drejtor i Prokurimit nënshkroi kontrata që gati e kolapsuan këtë kompani publike. Raportime të shumta hulumtuese nga mediat dhe organizatat e huaja të auditimit kanë treguar për manipulime të rregullta të Njazi Thaçit në KEK. Në kohën kur në këtë zyrë ishte pikërisht z. Thaçi, ndër përfituesit të të mëdhenj ishin kompanitë nga Serbia. Për aq sa është zbuluar deri më sot, në kohën sa Qeverinë e kishte PDK-ja e shef i Prokurimit ishte i sapoemruari u.d i drejtorit në KEK, kompanitë serbe përfituar rreth 400 milionë eurove vetëm deri ën vitin 2013”, tha Albin Kurti

Ai gjithashtu theksoi se nga mbrëmë është thelluar krimi i organizuar dhe kapja e shtetit e shtetit të Kosovës në epiqendër të së cilit ndodhet pikërisht presidenti aktual.

Ndërkaq, Avni Zogiani foli për orientimin e fondeve drejt kompanive serbe në kohën sa kushëriri i Hashim Thaçit, Njazi Thaçi ishte udhëheqës i Prokurimit.

“Zyra e Auditorit të BE-së, OLAF, pati gjetur lidhje të dyshimta te tenderët e kompanive serbe të importit të energjisë, që kryesisht paraqiten me emrat “Rudnap” me seli në Beograd, “Geni”, po ashtu në Beograd dhe të kompanisë “EFT”, me seli në Londër, por që rrënjët i ka në shtetin serb dhe është në pronësi të biznesmenëve serbë. Të ndërlidhur me këto kompani ishin të ashtuquajturit mafia energjetike në Ballkan, të famshmit Vuk Hamoviq dhe Damir Fazliq, ky i fundit nip i ish-shefit të Sigurimit Shtetëror Serb, UDB, Jovica Stanishiq” tha Avni Zogiani.

“Sipas raporteve hulumtuese, në njërën anë, kompanitë serbe kanë marrë shuma të mëdha për shitjen e energjisë elektrike, e në anën tjetër, si shef i Prokurimit në KEK, z. Njazi Thaçi ka dhënë tender të mëdhenj për kompanitë serbe. Vetëm nga një një kontratë, kompania shtetërore serbe “14. Oktobar”, me nënshkrimin e Njazi Thaçit ka përfituar rreth 49 milionë euro për furnizimin e KEK-ut me pajisje të transportimit të dheut dhe të qymyrit, që kishin dalë nga funksioni për disa javë, sepse sipas zyrtarëve të kësaj kompanie ishin pajisje të amortizuara tërësisht, por të rifarbuara dhe të shitura si të reja”, shtoi Zogiani.

Njazi Thaçi, gjatë karrierës së tij si zyrtar i KEK-ut ka shpërblyer me tenderë edhe familjarët e deputetëve të PDK-së. Familja e deputetit Shaip Muja nëpërmjet kompanisë “Doni” dhe “Ci-Kos”, pronë e Fatmir Mujës, vëllait të Shaipit, është e kontraktuar për shitjen e skrapit të KEK-ut, ku Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur një sërë parregullsish.

Nga Zyra e Prokurimit Publik në KEK, Njazi Thaçi qe ngritur në detyrë si drejtor i TC-së “Kosova B”, ku qëndroi deri më sot kur u emërua drejtor ekzekutiv i KEK-ut. Ky emërim vetëm sa konfirmon se PDK-ja edhe në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vazhdon të vendosë për çështjet më të rëndësishme në sektorin publik.

Kontribo

31 05 2018

Sapo u miratuan në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me sektorin e Energjitikës dhe Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”

R E Z O L U T Ë

– Qeveria brenda 2 javëve në bashkëpunim me Menaxhmentin e Korporatës Elektroenergjitike të hartojë planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë në sigurimin e prodhimit të energjisë.

– Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos pranojë kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë nga kompania KEDS-KESCO.

– Qeveria e Republikës së Kosovës të iniciojë sa më i shpejtë rindërtimin e Termocentralit “Kosova A”.

– Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me KEK të përshpejtojë planin e remontit të Termocentralit “Kosova B”.

– KOSTT të realizojë kontraktimin e energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhë afatgjatë.

– Qeveria të marrë masa urgjente dhe t’i aplikojë ato për stabilizimin e prodhimit të qymyrit – sanimi i ndërtimit të kundërligjshëm në Shipitullë.

Kontribo

25 05 2018

Deklaratë nga tryeza e subjekteve politike, 25 maj 2018

Ne, subjektet politike të Republikës së Kosovës pajtohemi që në situatën aktuale rruga e duhur për një qeverisje legjitime dhe demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të organizuara në kohën më të përshtatshme të mundshme por pa vonesa.

Kryeministri nuk mund të vijojë qeverisjen dhe marrjen e vendimeve më tej, pa provuar në Kuvend shumicën. Andaj e ftojmë Kryeministrin dhe Qeverinë të votëbesohet dhe ta dëshmojë në Kuvend që mund të qeverisë.

Po ashtu, së bashku me subjektet politike në Kuvend do ta ndërrmarrim nismën për të shqyrtuar në debat vendimet, një pjesë shumë problematike, të marra në mungesë të shumicës qeverisëse dhe duke anashkaluar Kuvendin e Republikës.

Diskutimi i temave jetike për vendin dhe vendimet strategjike duhet të diskutohen dhe merren në Kuvend. Aty jemi të mandatuar nga populli i Kosovës për ta kryer këtë detyrë.

Tryezat e diskutimet duhet të na shërbëjnë për të konkretizuar organizimin e zgjedhjeve të reja nga të cilat duhet të burojë një shumicë qeverisëse e qartë, demokratike dhe e pavarur nga aktorë të tjerë, mospranues të Republikës.

* * *

Ky tekst i mësipërm, pa ndryshime, përpos Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u nënshkrua edhe nga tri subjekte politike pjesëmarrëse, kurse në ditët në vijim presim vërejtjet dhe sugjerimet nga subjektet e tjera pjesëmarrëse në tryezë.

Kontribo

23 05 2018

Kryetari Albin Kurti sot priti rreth 30 studentë e të rinj nga organizata “Shpresa” e Luginës së Preshevës.

Kryetari Kurti tha se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kanë kontribuar shumë në luftë e në paqe, për Kosovë e për Shqipëri, porse në fund çmimin më të lartë e paguan ata sepse mbetën edhe jashtë Kosovës edhe jashtë Shqipërisë.

Kryetari i organizatës “Shpresa”, z.Nevzad Lutfiu, njoftoi kryetarin Kurti për programin dhe aktivitetet e shumta të tyre. U zhvillua një bashkëbisedim i hapur e i përzemërt për shumë tema: mosnjohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës nga Serbia, shpërnguljen e popullsisë që shkakton rënien e përvitshme të nxënësve që regjistrohen në shkolla, e deri te domosdoshmëria e angazhimit serioz të Prishtinës e Tiranës për ta ndihmuar e mbështetur popullsinë shqiptare që ngelet e diskriminuar në çdo lloj të të drejtave e në secilin aspekt të progresit socio-ekonomik.

Mbi të gjitha u theksua nevoja e parimit të reciprocitetit, aq më tepër kur dihet se më shumë ka shqiptarë autoktonë në Serbi sesa serbë në Kosovë. Serbia do integrim të shpejtë për vete në Bashkimin Evropian, por kjo nuk mund të ndodh pa njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e respektimin e të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kontribo

21 05 2018

Presidenti nuk duhet ta emërojë Radomir Laban

Deputetja Albulena Haxhiu, në emër të Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i ka dërguar sot letër zyrës së Presidentit të Kosovës, për të mos e emëruar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese Radomir Laban. Sipas informacioneve që janë bërë publike në media, i njëjti është dënuar si pjesë e një grupi kriminal.

Sipas Gjykatës Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 114 paragrafi 1 thuhet se:

“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë…”

Njoftojmë po ashtu se para votimit pasi që jemi informuar me këtë çështje kemi bërë përpjekje për ta ndalur votimin me disa nga grupet e tjera por ata kanë vijuar me votimin për.

Në këto kushte po njoftojmë dhe po paralajmërojmë Presidentin që nëse dhe ai nuk e kthen këtë vendim që përmban shkelje të rëndë të Kushtetutës, do t’i hapet rrugë delegjitimimit të institucionit të Gjykatës Kushtetuese.

Kontribo

21 05 2018

Plani 4+1

Tema e cila aq shpesh riaktualizohet nga pushteti saqë përherë mbahet si prioritet, sigurisht se është ajo e dialogut me Serbinë. Së fundmi e kanë paralajmëruar edhe finalen e madhe të dialogut. Mbase kjo do të bëhet edhe një çerekfinale tjetër e vogël, nëse pa një:

PLAN 4 + 1

Para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që:

1) Të bëhet bilansi shtetëror i dialogut 2011-2017: të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim dhe pak transparencë. 33 marrëveshje i kanë nënshkruar Kosova me Serbinë në dialogun gjashtëvjeçar. Shumica dërrmuese e tyre nuk janë realizuar. Në veçanti duhet theksuar bllokimi që na e bën Serbia në fushën e energjisë elektrike, në urën mbi Ibër në Mitrovicë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në reciprocitetin e njohjes së diplomave. Në anën tjetër, kemi edhe marrëveshje pa efekt, si psh. zyrtarët ndërlidhës në Prishtinë e Beograd që nuk kanë kurrfarë roli. Apo, kemi edhe marrëveshje të arritura me kundërefekt, psh. fusnota në emërtimin e shtetit: Serbia na lufton njësoj kur duam të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Nuk ekziston një dokument zyrtar qeveritar që vlerëson dialogun gjashtëvjeçar dhe marrëveshjet e tij. Ai dokument moti është dashur të vijë në Kuvendin e Kosovës.

2) Të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucionet dhe shoqërinë tonë. Debate në Kuvend para dialogut e për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën, për qëllimet dhe formatin. Dialogu që u zhvillua në vitet 2011-2017 me Serbinë ishte dialog sipas kushteve të Serbisë: diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës, pa u konsideruar Serbia si borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Dialogu i brendshëm duhet zhvilluar me kategoritë e ndryshme shoqërore dhe grupet e interesit, si dialog prej poshtë. Psh. me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, shoqatën e ish të burgosurve politikë, komunitetin e biznesit, kryetarët e komunave të Kosovës, pakicat kombëtare etj. Siguresat e procesit edhe duhen përcaktuar edhe duhet të jenë qysh në fillim e jo veçse në fund.

3) Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian (BE) për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu. Nuk mund të vazhdohet me “dykuptimësinë kreative” me ç’rast për vetë emërtimin e dialogut, pra “normalizimin e marrëdhënieve”, në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel kemi së paku tri kuptime të ndryshme. Po ashtu, vetë procesi herë quhej dialog teknik e herë politik, herë bisedime e madje edhe negociatë. Duhen sqaruar shprehjet dhe objektivat, si dhe përfitimet e Kosovës në integrimin euro-atlantik, ndërlidhja me Procesin e Berlinit dhe kalimi nga “normalizimi i marrëdhënieve” te “fqinjësia e mirë”. Dialogu paraprak me BE-në është i nevojshëm edhe për vetë BE-në e cila ka shprehur interesim të ripërtërirë për integrimin e Ballkanit perëndimor dhe ka filluar të mendojë për kalendarin përpara të gjashtë shteteve të Ballkanit të cilat ende ngelen jashtë BE-së.

4) Të pajtohemi që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga prioretizimi i punësimit dhe drejtësisë, si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim. Gjatë dialogut 2011-2017, është rrëmbyer agjenda shtetërore nga diplomacia e bisedimeve permanente të “normalizimit”. Zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, u patën lënë anash. Energjia qeveritare, koha mediale si dhe vëmendja qytetare u ç’orientuan prej preokupimeve të brendshme të shtetndërtimit demokratik, drejtësisë institucionale dhe zhvillimit socio-ekonomik. Po ashtu, dialogu me Beogradin i defaktorizoi qytetarët serbë të Kosovës dhe i la ata në harresë. Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017, shkeljet më të rënda dhe më të shumta u bënë pikërisht në mjediset ku jetojnë serbët për shkak të ndërhyrjes së Serbisë dhe prederencës së saj për njërin subjekt politik të serbëve në Kosovë.

Në këtë mënyrë, do të ndërtohej pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat e parimet, strategjitë dhe përfaqëimin në dialog. Në asnjë moment, rrethanë apo rol kjo pajtueshmëri nuk mund t’i përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit. Njeriu i cili:
– në dialog me Serbinë nuk e ngriti çështjen e të pagjeturve, të dëmeve të luftës, të ndarjes së Mitrovicës e të shfrytëzimit të Trepçës, të shqiptarëve të shtypur në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të 1.200 artefakteve kulturore të plaçkitura nga Serbia, të kontributeve pensionale dhe të depozitave bankare të vjedhura, të 172 pronave të Kosovës që janë nëpër ish Jugosllavi;
– për gjashtë vjet e heshti çështjen e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit të Serbisë në Kosovë dhe nuk e paditi Serbinë për to;
– i frikësohet tejet shumë aktakuzës së mundshme nga Gjykata Speciale të cilën për interes personal u orvat ta sulmojë në natën e 22 dhjetorit 2017;
– është protagonist i aferës ‘Pronto’ (të gjithë mbajmë mend se si i quante qytetarët e Malishevës dhe ish kryeparlamentarin Jakup Krasniqi);
– vendosi lule dhe bëri nderim te pllakat përkujtimore të strukturave të Serbisë në Kosovë ku shkruan ‘viktimat e terrorizmit shqiptar dhe të agresionit të NATO-s’;
– gjithë dialogun e tij me serbët lokalë e zhvilloi para një morie kamerash kur ia fali një serbi një traktor e të cilin ai e shiti pastaj;
– e mbështeti ‘Zajednicën’ (Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe) që doli të jetë anti-kushtetuese;
– me 20 janar 2012 i detyroi deputetët e PDK-së ta rrëzojnë reciprocitetin e Kosovës me Serbinë të miratuar më 7 dhjetor 2011 në Kuvendin e Kosovës;
– mban përgjegjësinë kryesore për dështimin në anëtarësimin në UNESCO që paraqet dështimin më të madh në politikën e jashtme kosovare…

nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësojë në këtë proces

Kontribo

20 05 2018

ZGJIDHJA NËPËRMJET ZGJEDHJEVE

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë.

Kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhja demokratike që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe integrimet euro-atlantike, duke përfshirë këtu edhe pakicat në shtetin tonë e raportin me fqinjtë tanë.

Kontribo

16 05 2018

19 vjetori i rrëmbimit të Ukshin Hotit.

Në 19 vjetorin e rrëmbimit pas lirimit nga burgu të veprimtarit Ukshin Hoti, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka nderuar figurën e tij tek shtëpia muze në Krushë të Madhe.

Ky delegacion u përbë nga kryetari Albin Kurti bashkë me aktivistë të qendrave të Rahovecit, Prizrenit e Gjakovës si dhe deputetët Saranda Bogujevci, Arbër Rexhaj, Drita Millaku, profesorin Hysamedin Feraj, veprimtarin Gani Krasniqi, Ismet Gashin, babain e dëshmorit Bekim Gashi, kryetarin e qendrës së Prizrenit, Artan Abrashi dhe asaj të Rahovecit, Dërvish Çadraku.

Në fletoren që mbledh mendimet dhe kujtimet mbi Ukshin Hotin, kryetari Kurti shënoi: Çdo vit vijmë më 16 maj këtu. Në mes të luftës, u rrëmbye posa u lirua nga burgu. 19 vjet më vonë nuk e dimë ku është fizikisht baca Ukë, prof. Ukshin Hoti, por çdo ditë e ndjejmë në zemrat e mendjet tona, kur flasim e veprojmë për kombin e shoqërinë, lirinë e demokracinë, luftën e paqen, sipas mësimeve të tij, që nuk përfundojmë së mësuari, sepse i rifillojmë së lexuari.

Lavdi Ukshin Hotit, për jetën
dhe veprën që i bëri bashkë,
për të na bërë bashkë neve!

Kontribo

10 05 2018

Rritet padrejtësia – edhe dy muaj paraburgim për aktivistët

Vazhdimi i paraburgimit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Studentore STUDIM KRITIKË VEPRIM edhe për dy muaj të tjerë është skandaloz për drejtësinë dhe për funksionimin demokratik të një vendi. Aktivistët, Korab Muhadri, Januz Shatri, Pajtim Demaj, Endrit Shatri, Hajredin Krasniqi dhe Kreshnik Gega do të mbahen pasi kanë vuajtur dënimin prej 1 muaj paraburgimi do të mbahen edhe 2 muaj të tjerë vetëm se kështu do pushteti.

Nuk ka ligj që i ndalon festat e studentëve e as tubimet e organizimet e tyre. Megjithatë, këtij pushteti nuk i duhen ligjet e as e drejta. I duhet vetëm vullneti për t’i kundërshtuar aktivistët. Ata po ashpërsohen kundrejt aktivistëve pavarësisht se në çfarë aktiviteti ndodhen këta të fundit.

Rikujtojmë që aktivistët ishin arrestuar pas dhunës brutale vetëm pse ishin mbledhur në përvjetorin e organizatës së tyre në një manifestim modest në parkun e qytetit. Atyre më pas nuk u janë lejuar vizitat mjekësore duke iu shkelur kështu të drejtat elementare. Të gjitha këto, vetëm pse e kanë kryer veprën e të qenit aktivist.

Qëllimi i pushtetit është i qartë, t’i frikësojë aktivistët e t’i shkurajojë ata që duan të organizohen për ndryshime pozitive, qofshin ato në universitet, qofshin përpjekje politike apo kudo tjetër. Por kjo metodë jo vetëm që ka dështuar por ka treguar rezultate të kundërta.
Aktivistët duhet të lirohen menjëherë dhe arrestimet e mbajtjet e tilla që janë krejtësisht politike nuk guxojnë të ndodhin më.

Kontribo

06 05 2018

Plotësohet kryesia – zgjidhen edhe nënkryetari dhe sekretarja organizative

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti, sot, mbledhjen e XXXIII-të të Këshillit të Përgjithshëm. Para delegatëve të organit më të lartë të Lëvizjes, mbajti fjalën hyrëse kryetari, Albin Kurti.

Në mbledhje, përveç tjerash, është kompletuar kryesia e Lëvizjes ku nga tash numëron 23 anëtarë gjithsej si dhe u plotësuan me anëtarë të rinj katër komisione:

– Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm,
– Komisioni Statutor,
– Komisioni Diciplinor dhe
– Komisioni për Shqyrtime dhe Ankesa.

Këshilli i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zgjodhi nëpërmjet votimit të fshehtë pesë anëtarë të rinj të Kryesisë së Lëvizjes si dhe zgjodhi për nënkryetarin e parë, Besnik Bislimin dhe për sekretare organizative, Vlora Haxhimehmedin.

Ndërkaq në pozicionin e drejtuesit të Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë është zgjedhur Boiken Abazi dhe udhëheqëse e Komiteteve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dejona Mihali. Anëtarët e rinj të Kryesisë, përmes votimit, janë plotësuar me Arbërie Nagavcin, Martin Berishajn, Arber A. Rexhajn, Arbër Zaimin dhe Ajet Poterën

Mbledhja ka vazhduar me shumë diskutime dhe pika të shumta të rendit të ditës, me ç’rast drejtorët e drejtorive në komuna ku qeveris Lëvizja VETËVENDOSJE! kanë raportuar mbi punët që po bëjnë këto drejtori gjithnjë me orientim nga alternativa e Lëvizjes dhe synim barazinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në Kosovë nuk është përmbyllur shtetndërtimi sepse nuk ka demokraci në institucione dhe sepse ka kapje të shtetit gjithandej. Në Kosovë nuk është bërë zhvillimi ekonomik sepse nuk ka prodhim e punësim dhe sepse ka nepotizëm dhe krim. Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekti më demokratik në vend, demokracinë e brendshme, do ta bartë edhe në institucionet e Republikës dhe komunat e vendit gjithandej nëpër Kosovë.

Prishtinë,
6 maj 2018

Kontribo

05 05 2018

Pranvera në Kosovë vjen e mbushur me kujtime e përkujtime për dëshmorët e kombit.

Me rastin e përkujtimit të dëshmorëve të Llapit, së pari ndaluam në Batllavë tek përmendorja e Zahir Pajazitit. Sa herë që jemi në Llap, UÇK-në e kemi edhe më afër nesh. Nuk është rastësi që edhe baza e parë e UÇK-së ishte në Lladovc të Llapit. Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushefci dhe Edmon Hoxha u nderuan nga një delegacion i Lëvizjes i prirë nga kryetari, Albin Kurti, deputetët Xhelal Sveçla e Saranda Bogujevci dhe zyrtarë nga Qendra e Besianës, Bajram Ajeti, Ajet Potera dhe aktivistë tjerë nga Qendra.

Kryengritja popullore është simboli më sublim i Republikës sonë. Sakrificat e mëdha të popullit tonë i japim kuptim fundamenteve të Shtetit tonë. Janë 120 dëshmorë që nderohen për çdo vit në Llap. Gra, burra, vajza e djem, të rinj e të moshuar, me e pa profesione, të shkolluar e të arsimuar, të varfër e më të varfër, shtëpi e bagëti, asgjë nuk u kursye. Vrasje mizore, dhunë e tortura ç’njerëzore e plaçkitje masive janë ato të cilat llapjanët i përjetuan në lëkurën e familjarët e tyre.

Një numër kaq i madh i martirëve, gjithandej Kosovës tregon se kush ishte vërtetë agresori. Mirëpo një numër po kaq i madh i dëshmorëve të kombit tregon edhe se populli shqiptar nuk e duron shtypjen dhe se shpeshherë ka bërë kryengritje.

Kontribo

03 05 2018

Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dorëzoi sot në Kuvendin e Kosovës kërkesën për interpelancë lidhur me Telekomin dhe Postën e Kosovës.

Në deklarimet e tij me 18 prill (https://www.facebook.com/albini2017/videos/360212544478636/) dhe me 24 mars (https://www.facebook.com/albini2017/videos/350838235416067/) në Kuvendin e Kosovës, kërkuesi i kësaj interpelance, Kryetari dhe deputeti Albin Kurti pati paraqitur problemet e thella që i kanë krijuar këtyre dy ndërmarrjeve ndërhyrjet konstante te grupeve financiare dhe pushtetore por po ashtu paraqiti edhe rruget e zgjidhjes që ne i propozojmë.

Në vijim të këtyre qëndrimeve është dhe kërkesa e sotme për Interpelancë me Kryeministrin e Kosovës.

Telekomi i Kosovës (TK) aktualisht është në krizë, por si biznes. Situata e këtillë financiare nuk është rastësi apo pasojë e rrethanave jashtë përgjegjësisë së Qeverive të Kosovës dhe vendimeve të marra prej vitit 2007 e deri më sot. Z-Mobile si ide, si projekt dhe si manipulim përveç fitimit të pronarëve të tyre shërben si nismë për rrënimin e Telekomit. Çfarë s’u arrit dikur me AXOS-in u përmbush me arbitrazhin dhe gjobën mbi Telekomin nga një marrëveshje e paligjshme dhe mafioze me Z-Mobile. Ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës nga e cila buxheti do të kishte të siguruar veçse fitim po e kthejnë në ndërmarrjen të cilës ia kanë bërë arkitekturën e krizës financiare që të kenë alibinë e përkryer për t’ia justifikuar publikut zgjidhjen me privatizim/shitje. Mbipunësimet kryesisht në administratë, jo në staf teknik profesional, janë klientelizëm dhe shërbim për rrjetin e partive në pushtet. Por në kuptimin e qeverisjes së ndërmarrjes publike ato janë porosia e qartë e rrënimit të afarizmit të saj. Ka pasur dhe ka plan për ta dobësuar dhe madje diskretituar TK deri në pikën që publiku i gjerë me vetëdëshirë të mbështesë shitjen e saj.

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) si pasuri, me infrastrukturë postare e telekomunikuese dhe me gjithçka tjetër që posedon, është ashtu dhe aty si ka qenë gjithmonë dhe mbetet ndër pasuritë më të vlefshme që ka vendi ynë dhe me rëndësi jetike për shtetin tonë.

Shkaktarët që e sollën Telekomin dhe Postën në këtë gjendje duhet të përballen e do të përballen me drejtësinë. Sot duket e vakët kjo mundësi për shkak të sistemit të drejtësisë që e ka Kosova. Por gjurmët e krimit në PTK nuk mund të fshihen as të humbin. Dhe, as emrat që i kanë shkaktuar.

Synimi është të propozojmë zgjidhje të kësaj situate sepse Telekomi si biznes mund dhe duhet patjetër të shpëtohet. PTK si biznes është para falimentimit dhe rrezikohet funksionimi i shërbimeve postare dhe telekomunikuese në vend.

Kuvendi i Kosovës është i detyruar të ndërhyjë për të siguruar ofrimin e pandërprerë të këtyre shërbimeve dhe të propozojë një rezolutë pas diskutimit në Kuvend.

Kontribo

01 05 2018

Nuk ka zhvillim pa punë dhe dinjitet të punëtorëve

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot në 1 Maj në ditën ndërkombëtare të punëtorëve mbajti një aksion simbolik duke krahasuar hendekun në paga në Kosovë. Në këtë aktivitet në të cilin u prononcua anëtarja e Kryesisë Nazlia Bala tha se sot kur duhet të flasim për të drejtat dhe gjendjen e punëtorëve nuk mund të mos flasim për varfërinë.

Ende Kosova vazhdon të jetë vend i varfër. Mbretëron papunësia, dhe pabarazia ekonomike, sepse qeveritarët e kanë për synim pasurimin e vet, e jo zhvillimin ekonomik.

Një vend me gjendje të tilla dihet që nuk ka kushte për punëtorët sepse të drejtat e punëtorëve janë të lidhura ngushtë me papunësinë. Sa më shumë të papunë, aq më i pasigurt punësimi edhe për ata që janë në punë, sepse mund të zëvendësohen lehtë e shpejt. Sepse ai që s’ka rrogë fare, lehtë e pranon rrogën e keqe, e ndonjëherë i mbyll sytë e veshët edhe përballë abuzimit nga shefi.

Prandaj, ne nuk jemi këtu për t’u treguar atyre që punojnë sa të shtypur janë. Sepse gjithë gratë e burrat që punojnë, e dinë, ata sot me VETËDIJE e pranojnë një farë shtypje e abuzimi, vetëm e vetëm që ta kenë të paktën një vend pune.

Papunësia e madhe paraqet rrezik që të punësuarit ta humbin punën e që shpesh herë është burim i vetëm i të hyrave për familje. Kjo i shtyn ata që ta pranojnë gjendjen mjeruese e të papërmirësueshme qofshin punëtore në arkat e marketeve, qofshin punëtorë të minierave, qofshin taksistë, punëtorë sigurimi a infermiere.

Sipas shifrave të Bankës Botërore papunësia është rritur me 3 përqind në vitin 2017. Ndërkohë, edhe ata që paguhen në fakt keqpaguhen. Paga minimale në Kosovë është 130 euro deri në moshën 35 vjeçare– kurse 170 mbi 35 vjeç. Ndër më të ulëtat në kontinent. Kaq nuk mjafton as për bukë, dhe a ka turp më të madh se sa të punosh, e megjithatë të mos arrish as bukë të blesh?

Por ky nuk është realiteti i vetëm i Kosovës. Ka në Kosovë paga marramendëse që ne nuk na e merr mendja. Vetë buxheti i Kosovës paguan paga mbi 4 mijë, madje dhe mbi 5 euro për muaj. Poashtu, ka privatë, pronarë korporatash me fitime multi milionëshe. Këta me importin që bëjnë mbysin ekonominë vendore, e edhe aty ku ka vend për ndonjë prodhim vendor, e uzurpojnë përmes monopolit. Janë bash të njëjtit që i keqpaguajnë punëtorët.

Kufizimi i orarit të stërzgjatur i punës, ndalja e punësimit pa kontratë pune, kryerja në rregull e pagesave nuk janë një refren ankues por kërkesa të qarta e të drejta që kërkojnë zbatim të menjëhershëm. Këto kërkesa janë krejt normale madje është skandal se pse në vitin 2018 ne ende duhet të bëjmë kërkesa të tilla.

Sivjet, pra për katër muaj të këtij viti kanë vdekur katër punëtorë në vendin e punës. Vitin e kaluar 17. Vetëm në KEK që nga paslufta kanë vdekur 43 punëtorë në vend të punës. Çka është kjo moskokëçarje e shtetit dhe e privatit për punëtorët? Në këtë vend ku po e qeveris shtetin dhe ekonominë hajnia, duket sikur punëtorëve u është shpallur luftë.

Qeveria duhet ta shohë me prioritet punësimin dhe barazinë, edhe pse ne e dimë se nga ky lloj pushtetarësh që është i lidhur ngushtë me oligarkët dhe me neoliberalizmin, zhvillim ekonomik nuk ka për të pasur. Deri tash prej tyre ne kemi parë vetëm përkushtim ndaj luksit të vet, të oligarkëve dhe të drejtorëve që i kanë ortakë dhe shokë. Ndërmarrjet nuk janë të drejtorëve, as të oligarkëve. Kosova nuk është e korporatave dhe punëtorët nuk janë shifra dhe të papunët nuk janë shifra. Ata janë njerëz, janë qytetarë, janë forca e vetme që mund ta zhvillojë Kosovën. Shteti ka obligime për ta. Tashmë shteti është në borxh të madh si tek të papunët edhe tek punëtorët, e që të ndryshojë gjendja për ta, duhet të ndryshojë vetë pushteti. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka alternativën më të mirë për zhvillim ekonomik, rritje të punësimit, zvogëlim të pabarazisë dhe të drejta të punëtorëve.

Kontribo

30 04 2018

Në përkrahje të punëtorëve dhe të drejtave të tyre

Shfrytëzimi, kërcënimet dhe rreziku i lartë në punë ia kanë nëpërkëmbur punëtorëve të Kosovës dinjitetin duke ia përdhosur të drejtat. Vetë ligji aktual i punës i diskriminon, por edhe ato nene të këtij ligji që synojnë mbështetjen dhe mbrojtjen minimale në punë nuk respektohen. Nga njëra anë, shumica e njërëzve në Kosovë janë të papunë, nga ana tjetër shumica e atyre që janë në punë janë nën presione nga më të ndryshmet, qoftë për të punuar pa kontrata, apo pa sigurimet bazë të shëndetit dhe jetës, qoftë nën kërcënimin e vazhdueshëm të pushimit nga puna.

Kosova ka nevojë të bashkojë punëtorë e të papunë për ta transformuar këtë situatë që është krijuar si pasojë e një modeli ekonomik që ka njësuar pushtetin politik me interesat e biznesit oligarkik në sulmin e drejtpërdrejt ndaj punëtorëve. Ky sulm realizohet sa përmes përmbajtjes së kuadrit ligjor aq edhe përmes zbatimit të keq të tij, për ta goditur punëtorin ekonomikisht dhe për ta nënshktruar atë, duke e trajtuar si mall konsumi.

Këtë vit, pas një kohe të gjatë pasiviteti të BSPK-së, 1 Maji do të shënohet në Prishtinë përmes një proteste që është thirrur pikërisht nga BSPK-ja me disa kërkesa me të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! pajtohet. Ne i kemi ofruar BSPK-së shumë ditë më parë ndihmën tonë për koordinimin dhe realizimin e protestës së 1 Majit, me qëllimin për të shtyrë përpara realizimin e të drejtave të punëtorëve në Kosovë. Këtë e kemi bërë duke marrë parasysh bindjet dhe orientimin tonë social demokrat që ka në epiqendër zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik përmes mbrotjes së punëtorëve dhe respektimin e plotë të të drejtave në punë.

Gatishmëria jonë nuk është marrë parasysh, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! e vlerëson faktin se BSPK-ja ka vendosur ta mbajë këtë protestë për 1 Maj, dhe urojmë që protesta të realizojë synimet dhe të shënojë një hap të rëndësishëm drejt dinamizimit të punës sindikale në Kosovë. Deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes do të marrin pjesë në këtë protestë.

Kontribo

30 04 2018

Gjykata Kushtetuese sërish nuk guxoi ta trajtojë shkeljen e Kushtetutës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ashtu siç kishte bërë në 2013 me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq ku 6 pikat e para parashihnin Zajednicën, marrëveshjen vijuese të së cilës në 2015 e paraqiti me 23 shkelje kushtetuese, veproi edhe me rastin e dërguar lidhur me brendinë e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

I sjellim në vëmendje qytetarëve të Republikës së Kosovës se Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë në shqyrtim marrëveshjen dhe nuk ka konkluduar për të.
Pra: “TA REFUZOJE njëzëri kërkesën e parashtruesve për të shqyrtuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që kërkesa nuk është ratione materiae ne pajtim me Kushtetuten dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”.

Edhe pse paraprakisht kontastonte se: “14. Me 18 prill 2018, pas shqyrtimit te raportit te gjyqtarit raportues, Kolegji shqyrtues njezeri i rekomandoi Gjykatës ta deklarojë kerkesën të pranueshme dhe të vlerësojë meritat e kërkesës.”
Pra gjykata në njërën anë e shpall kërkesën e tonë si të pranueshme, pra e njeh juridiksionin e vet mbi rastin, për të konstatuar më pas se i mungon juridiksioni ratione materiae.
Po mos të kishte Gjykata juridiksion ratione materiae atëherë do të duhej ta shpallte kërkesën e tonë si të papranueshme. Kjo përshkruhet shumë qartë në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese, neni 36, Kriteret e Pranueshmërisë.

Në Kërkesën e deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk u kërkua shqyrtimi i Ligjit për ratifikimin, edhe pse Gjykata ka kthyer përgjigje për këtë, por e dhëna faktike nga Komisioni shtetëror se Kosovës i cenohet territor nga marrëveshja me Malin e Zi.

Si mbrohet ndryshe Kushtetuta nëse nuk merren parasysh të dhëna të tilla. Republika e Kosovës dhe territorisot fatkeqësisht rrezikohen edhe nga deputetët e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetutese.

Versioni se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka juridiksion mbi Legjislacionin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mjafton dhe nuk ndalon për të shqyrtuar brendinë e tyre nëse ajo bie direkt ndesh me cilindo parim të kushtetutës së Kosovës.
Bëjmë të qartë pra për opinionin publik se gjyqtarët aktual të Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë shpallur në përputhje me kushtetutën Marrëveshjen me Malin e Zi për çështjen e Demarkacionit, por nuk kanë guxuar ta interpretojnë dhe gjykojnë përmbajtjen e saj, duke shmangur kështu detyrimin kushtetues që ka përballë mbrojtjes së tërrësisë territoriale të Republikës.

Njëjtë si me “Zajednicën” dikur, Gjykata Kushtetuese po e përcjell problemin tek qytetarët duke mos e korrigjuar atë. Ditën kur do të fillojë puna për ta zbatuar atë marrëveshje, do të konkretizohet, materializohet antikushtetueshmëria e saj. Këta gjyqtarë njëjtë si në 2013 iu bashkuan deputetëve të PDK-së, me Nismën brenda, LDK-së dhe AAK-së për ta cenuar kushtetueshmërinë e vendit tonë për pak siguri pushtetore. Nuk ju eci atëherë, nuk do ju eci as tash.

Kontribo

30 04 2018

Rreziku për prodhimin e energjisë – shpronësimet abuzive

Rreziku për prodhimin e energjisë – shpronësimet abuzive

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media me qëllim që të adresohen çështjet e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimin në sektorin e energjitikës.

Në këtë konferencë në të cilën foli deputetja Arbërie Nagavci tha se gjatë muajve të kaluar qytetarët anëkend komunave të Kosovës u ballafaquan me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Edhe pse qytetarët jo vetëm se e kanë paguar rrymën, por kanë paguar më shumë sesa që në të vërtetë kanë kushtuar shërbimet e marra, KEDS ka vazhduar në avazin e njëjtë me reduktime të paarsyeshme.

Importi i energjisë elektrike për vitin 2017 ka kushtuar rreth 68 milionë euro. Nga viti 2011 deri në vitin e fundit mbi 300 milionë euro janë shpenzuar për import të energjisë, por situata në këtë sektor nuk është përmirësuar fare.

Duke pasur parasysh dhe ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, dhe ndryshimin e fundit të tarifave dimër-verë, në tarifën që është më afër shifrës së sezonit dimëror kjo faturë në shpenzimet e gjithmbarshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj bëhet tepër e madhe.

Kjo situatë e vërteton dhe një herë përveç të tjerash edhe papërgjegjshmërinë e plotë të KEDS si shkeles i kontratës me qytetarët e Kosovës, gjegjësisht me secilin qytetar që paguan rrymën.

Për më shumë dhe për më keq, qytetarët jo vetëm që përballen me mungesë të energjisë, por ata janë të obliguar të paguajnë dhe humbjet teknike dhe komerciale, apo thënë më drejtpërdrejtë qytetarët obligohen të paguajnë vjedhjen e rrymës nga kompanitë dhe ekonomitë jo formale dhe qytetarët e papërgjegjshëm. Këtë e vërtetoi për një pjesë të asaj energjie (për katër komunat në veri të vendit) edhe raporti i Avokatit të Popullit dhe pastaj vendimi i Gjykatës.

Edhe pse kur KEDS-it u privatizua në mënyrë krejtësisht arbitrare, u tha se përveç të tjerave kjo po bëhet që të garantohet furnizim i pandërprerë me energji elektrike dhe se humbjet teknike e edhe ato komerciale do të reduktoheshin, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por anasjelltas vazhduan reduktimet e u rrit çmimi.

Vitin që shkoi Kryeministri Haradinaj mori vendim për kompesimin e të gjitha ndërtimeve në zonën e mbrojtur ekonomike në Shipitullë. Ky vendim u bë në shpërfillje totale të kushtetueshmërisë dhe ligjeve në fuqi.

Të gjithë janë në dijeni se në Shipitullë janë bërë ndërtime abuzive duke e ditur saktë se aty një ditë do të shpronësohej për të hapur minierën. Edhe pse kishte dy vendime qeverie, me 2004 dhe më 2009 që ndalonin ndërtimet në këtë zonë, qeveritë dhe komuna e Kastritotit me vetëdije lejuan ndërtime në masë.

Njëjtë po ashtu dhe bordet drejtuese të KEK-ut të cilët jo vetëm se nuk e adresuan në nivelin që duhet këtë çështje, por shumë prej tyre janë pjesë e kësaj megaafere në këtë zonë me rëndësi të veçantë.

Në bazë të të dhënave as vlerësimi i vlerës së këtyre ndërtimeve nuk u është lejuar vlerësuesve të licencuar. Dhe se ndaj tyre dhe punonjësve të KEK ka pasur kërcënime për të cilat ende sot nuk janë marrë masa.

Ndërtimet uzurpuese kanë vazhduar në këtë pjesë jashtligjshëm, bordi i KEK-ut nuk ka reaguar fare, Komuna e Kastriotit që udhëhiqet nga AAK dhe që madje u fitua nga kjo marrëdhënie klienteliste po ashtu as Ministritë e Mjedisit apo e Zhvillimit ekonomik nuk kanë kurrfarë reagimi.

Kryeministri Haradinaj ka obligim të njoftojë:

1. A i njeh dhe a do të respektojë Vendimet e vitit 2004 dhe 2009 si dhe atë të Qeverisë Mustafa për shpronësim, apo do të kompensojë edhe shtëpitë e ndëtuara pas vitit 2009, gjë që do të ngrente dyshime të bazuara për korrupsion?

2. Ndërtimet nga cili vit do t’i kompensojnë?

3. Sa ka mbërritur vlera e plotë e shpronësimit?

4. Kur do të publikohet lista e plotë e të kompensuarve dhe titulli i tyre i pronësisë?

5. Si dhe më e rëndësishmja kur do të përfundojë studimi për minierën e re dhe kur do të fillojë nga ndërtimi ajo?

7. Kur planifikohet remonti i Termocentralit “Kosova B”?

Ne gjendemi në të njëjtin rrezik si një vit më parë, kur po njëjtë Lëvizja VETËVENDOSJE! referuar ekspertëve të fushës paralajmëroi për krizën që po e priste sektorin e prodhimit të energjisë elektrike

Kontribo

23 04 2018

Seancë e jashtëzakonshme – Raporti i Progresit

Rekomandimet nga seanca e jashtëzakonshme për Raportin për Kosovën nga Bashkimi Evropian:

1. Të fillojmë një dialog të brendshëm për të ndërtuar një strategji shtetërore për rrugën që duhet të ndjekim drejtë integrimit evropian.
2. Obigohet qeveria që brenda 30 ditëve të sjellë në Kuvend një plan të veprimit për të adresuar të gjeturat në Raportin për vendin.
3. Urgjentisht të ndërmerren hapat për departizimin e administratës publike duke filluar me bordet e ndërmarrjeve dhe agjencive publike.
4. Në përputhje me kriteret e kapitujve 23 dhe 24 të hartohet plani aksional për sundimin e ligjit dhe forcimit të sundimi të ligjit. Si dhe plotësimi i legjislacionit me miratimin e ligjeve anti-mafia dhe konfiskimet e pasurisë së paligjshme.
5. Krijim të vendeve të reja të punës perms investimeve direkte në zhvillimin e prodhuesve vendor duke u pasuar me miratimin dhe zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Prodhimeve vendore për të ndikuar në uljen e papunësisë në vend.
6. Sigurime Shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që asnjë qytetarë të mos mbetet pa shërbim shëndetësor.
7. Investime në hapjen e çerdheve të nevojshme nëpër komuna dhe investime në shkollat profesionale dhe ndërlidhjen e tyre me nevojat e tregut vendor dhe ndërkombëtar.
8. Plan të veprimit për vendosjen e raporteve të mira me 5 shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.
9. Plan të veprimit për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me të gjitha shtetet e BE-së të cilat e kanë njohur Kosovën.
10. Pastrimin e listave të veteranëve nga personat që kanë bërë deklarim të rrejshëm për të fituar padrejtësisht këtë status si dhe plotësim – ndryshimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
11. Hartimi i një plani të detajuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës perms të cilit Kuvendi kërkon nga Qeveria të raportoj çdo 6 muaj për realizimin e rekomandimeve

Kontribo

23 04 2018

Politikat favorizuese për librin janë platformë e zhvillimit kombëtar

Sot, në ditën ndërkombëtare të librit, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media lidhur me çështjen e politikave për librin në përgjithësi dhe mospërkrahjen institucionale për të. Po ashtu delegacione të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër komunat e Kosovës kanë organizuar vizita në bibliotekat e qyteteve si dhe kanë dhuruar libra për fëmijët e familjeve në nevojë.

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Sami Kurteshi u shpreh në lidhje me shqetësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mohimin e të drejtës së qytetarëve për qasje të lirë në librin.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është e brengosur dhe jashtëzakonisht e shqetësuar me mohimin e të drejtës së qytetarëve, sidomos rinisë studentore dhe fëmijëve për qasje në librin”, tha Sami Kurteshi.

Ai gjithashtu foli edhe për gjendjen tepër rëndë të bibliotekave nëpër komunat e Kosovës duke u nisur nga infrastruktura e dobët, mospërditësimi i fondit të librave, mungesa e hapësirave të leximit e deri te mungesa e rrjetëzimit të këtyre bibliotekave.

“Shqetësimi tjetër i Lëvizjes është edhe mungesa e fondit për librin. Buxheti i Kosovës nuk ka kod buxhetor të dedikuar për librin. Ka subvencione, por libri dhe dija nuk mbahen me subvencione ad-hoc. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës fondi i gjithmbarshëm i librave në Kosovë është rreth 1 milion e 793 mijë që i bjen më pak se një libër për banorë”, shtoi Kurteshi.

Për rëndësinë, edhe vetëm në nivel formal, tregon edhe qasja që qeveritë kanë pasur ndaj librit duke e e lënë atë vetëm si Divizion, dhe jo Departament, në Ministrinë e Kulturës. Nga ky mosinteresim institucional për librin kemi edhe rezultatet e dobëta nëpër teste ndërkombëtare siç ishte ai i PISA-s dhe rritja gjithnjë e më shumë e analfabetizimit absolut e atij funksional.

Qasja në fondet publike të librave siç janë bibliotekat komunale dhe ato të shkollave përbëjnë një domosdoshmëri marrë parasysh situatën ekonomike të familjeve në Kosovë.

Hapësira shqipfolëse e kryesit Kosova dhe Shqipëria ende kanë “kufi” për librin. Ndonëse në 2014 reciprokisht u hoq TVSH-ja për librat, periodikët e gazetat ende sot botuesit e të dy vendeve hasin probleme të mëdha më shpërndarjen e librit shqip. Kjo gjendje vështirësohet tepër shumë për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që të rritet buxheti në Kosovë për fondin e librit dhe botimet në Kosovë, të hiqet TVSH-ja nga të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me librin si dhe të krijohet një fond i veçantë Kosovë – Shqipëri për përkthime të librit.

Kontribo

19 04 2018

Bojkotoje Serbinë

Sot, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilluan aktivitet simbolik pranë objektit ku po zhvillohet panairi “Prishtina 2018” për të shprehur kundërshtinë lidhur me këtë organizim që për qëllim kryesor ka promovimin e produkteve dhe mallrave serbe, pavarësisht raportit armiqësor që ajo ka pasur dhe vazhdon ta ketë ndaj Republikës së Kosovës.

Pas shpalosjes së banerit me mbishkrimin “Jo normalizim të hegjemonisë ekonomike të Serbisë në Kosovë – Bojkotoje Serbinë”, deputeti Arbër Rexhaj foli, në njërën anë për krimet dhe dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, dhe në anën tjetër, për praninë simbolike të Republikës së Shqipërisë në këtë panair.

“Prej 170 bizneseve sa janë në këtë panair, 70 prej tyre janë nga Serbia, biznese këto që kanë hapësirën qendrore në sipërfaqe prej 500 metra katrorë. Duke pasur parasysh që vlera e eksportit të Serbisë në Kosovë arrinë shifrën prej rreth gjysmë milliard euro, ajo tash po pretendon që këtë shifër edhe ta dyfishojë. Ndërkaq Shqipëria eksporton në vlerë prej vetëm 150 milionë eurosh. Këto shifra tregojnë shumë për karakterin e shtetit dhe orientimin e tij”, tha Arbër Rexhaj.

Deputeti Rexhaj gjithashtu foli edhe për shumë borxhe që Serbia i ka Kosovës, për dëmet e luftës dhe krimet në njerëz, prej nga mungojnë edhe 1652 njerëz të pagjetur. Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje për bojkotimin e produkteve dhe mallrave serbe në mënyrë që të ndalohet normalizimi i hegjemonisë ekonomike të Serbisë në Kosovë. Republika e Kosovës duhet ekonomikisht të fokusohet kah Republika e Shipërisë dhe jo të promovojë bizneset e Serbisë në Kosovë.

Kontribo