18 04 2018

Reciprocitet me Serbinë – Bashkëpunim me Shqipërinë

Lëvizja VETËVENDOSJE!, sot, mbajti konferencë për media në lidhje me panairin “Prishtina 2018”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në të cilën i është bërë një favorizim i jashtëzakonshëm produkteve të Serbisë përkundër relacioneve armiqësore që Serbia ka ndaj Kosovës.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca foli për hapësirën e madhe që i është dhënë produkteve të Serbisë si dhe vërshimin e këtyre produkteve në tregun e Republikës së Kosovës pavarësisht që Serbia e lufton në çdo drejtim Republikën e Kosovës, si në arenën ndërkombëtare poashtu edhe përmes strukturave paralele përbrenda Kosovës.

“Nga 174 biznese të cilat marrin pjesë në këtë panair 70 prej tyre janë nga Serbia dhe vetëm një është nga Republika e Shqipërisë. Kjo tregon që institucionet e Kosovës dhe Oda Ekonomike e kanë shndërruar Kosovën në një koloni tregtare të Serbisë”, tha Glauk Konjufca.

Ai gjithashtu potencoi edhe nivelin e lartë të importit tregtar me Serbinë, e cila kalon shifrën prej gjysëm milliard euro, ku nga 19 vite pasluftës produktet e Serbisë në mënyrë shtetërore janë bojkotuar vetëm 45 ditë.

Ndërkaq nënkryetarja e Lëvizjes dhe deputetja Fatmire Mulhaxha foli për dëmet që Serbia i ka shkaktuar Republikës së Kosovës dhe duke mos dhënë asnjëherë përgjegjësi për krimet e kryera.

“Jemi afër ditës së të pagjeturve dhe ne ende nuk e dijmë fatin e 1652 personave të pagjetur dhe nuk dijmë as rrethanat në të cilat ata janë vrarë dhe masakruar nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe. Poashtu janë edhe 20 mijë gra të dhunuara për të cilat asnjëherë, askush, nuk ka dhënë përgjegjësi dhe nuk e ka denoncuar publikisht askush nga Serbia”, tha Fatmire Mulhaxha.

Ajo gjithashtu foli edhe për kontributet pensionale, kontribute këto që punëtorët shqiptarë nuk kanë përfituar asnjëherë nga ato.

Kur shtetet normale nuk kanë realcione të mira politike ato nuk mund të kenë asnjherë as tregëti të lirë e as raporte normale tregtare. Lëvizja VETËVENDOSJE! kundërshton çasjen që insitucionet e Kosovës dhe Oda Ekonomike po ndjekin ndaj Serbisë duke kërkuar kështu reciprocitet tregtar e ekonomik ndaj mallërve e produkteve serbe.

Kontribo

15 04 2018

Pushteti i paraburgosi që të mos dëgjohej rrëfimi i tyre

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Liburn Aliu dhe aktivistja e SKV-së, Berita Abazi në një konferencë për media kanë folur për masën e arrestit të gjashtë aktivisëve të SKV-së me nga 30 ditë paraburgim. Në këtë konferencë u kërkua lirimi i tyre të mënjehershëm meqë arrestimi si dhe masa e arrestit janë të padrejta

“Ne besojmë se ata janë dënuar dje që të mos dëgjohet rrëfimi i tyre dhe që të mos shihen lëndimet që kanë pësuar. Ata janë të lënduar në shumë të pjesëve të trupit. Me t’u liruar ata do të kishin shumë për të treguar, kësisoj ndaj tyre u shqiptua dënimi për 30 ditësh. Pra gjashtë muaj në total”, tha Aliu gjatë kësaj konference.

Ai shtoi se paraburgimi është dënimi i cili po zbatohet me lehtësi ndaj aktivitëve e studentëve dhe sidomos kur ka të bëjë me Lëvizjen VETËVENDOSJE! ose simpatizantët e saj. Këtë paraburgim, e konsiderojmë si dënim policor që vazhdon dhunën policore, në parkun e qytetit ku s’kishte kamera.

Kurse aktivistja Berita Abazi tha se aktivistët pos brutalitetit në parkun e qytetit, pësuan dhunë edhe në ambientet e Policisë së Kosovës. Ajo, tha se ishte dëshmitare e përdorimit të tepruar të forcës policore. Njëjtë kishte pohuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Disa prej studentëve të arrestuar janë duke e humbur afatin e provimeve. Ata do të duhej të ishin në fakultetet e tyre dhe nëpër aktivitetet e përditshme kurse Policia do të duhej të ishte e zënë në ndjekjen e kriminelëve të shumtë që ka Kosova.

Prezenca gjithnjë e madhe e policisë me brutalitetin e saj, është tregues se në këtë vend mungojnë politikat e mirëfillta, mungon mirëqenia, dhe mungon përgjegjësia shtetërore.

Kontribo

13 04 2018

Qeveria e luksit në vendin e varfër

Sot, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilluan një aksion simbolik me ç’rast në Sheshin “Skenderbeu” paraqitën përmes një piramide shpenzimet enorme dhe kabinetin e madh të Qeverisë Haradinaj.

Në lidhje me këtë aktivisti Egzon Haliti foli për luksin e Qeverisë në njërën anë, dhe në anë tjetër për faktin se Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë.

“Qeveria e Kryeministrit Haradinaj vetëm për paga merr nga buxheti i varfër i Republikës 4 milionë 374 mijë euro. Në kohën kur në Kosovë rritet gjithnjë e më shumë varfëria, Kryeministri ia rriti vetës dhe kabinietit të tij pagën deri në 100%”, tha Egzon Haliti.

Ai gjithashtu shtoi edhe numrin e madh të kabinetit qeveritar që numëron hiq më pak se 5 zv.kryeministra, 21 ministra, 82 zv.ministra e më shumë, 120 këshilltarë e mbi 400 asistentë, shoferë e trupëroje.

Një Qeveri me mendësi të tillë, me komoditetin e jetën luksoze, natyrshëm nuk mund të mendojë për qytetarin e varfër, të pastrehë, të papunë e pa asnjë perspektivë. Në vend të mirëqenies, kjo Qeveri, gjithnjë i gënjen qytetarët për liberalizim vizash pikërisht për të ikur nga mjerimi më të cilin përballen.

Kosovës, vendit tonë, i duhet një Qeveri që i minimalizon shpenzimet e veta për t’i shpërndarë ato para ne vend të duhur. Para fukosimit në shpenzime enorme për dreka e darka zyrtare na duhet fukosimi te sofrat e varfëra për të siguruar ushqimin e domosdoshëm e minimumin jetik. E kjo Qeveri nuk e ka këtë as synim, as vullnet e as nuk shqetsohet për këtë.

Kontribo

13 04 2018

Një kushtetutë jo e mirë që u shkel aq shumë për të keq

Sot, në ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për të folur mbi pamjaftueshmërinë e kësaj Kushtetute dhe shkeljet që po kësaj i kanë bërë zyrtarët dhe institucionet më të larta të vetë shtetit të Kosovës.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli në lidhje me vërejtjet dhe mungesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Në dekadën e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk kemi se si mos t’i theksojmë pengesat e vazhdueshme të kësaj Kushtetute që ishte kompromis dhe jo shprehje e vullnetit publik e demokratik. Pra në draftimin e Kushtetutës, nuk u respektua parimi i kontraktualizmit, pra që Kushtetuta të ishte një kontratë e përbashkët, që do të shprehte vullnetin e përgjithshëm pra për shkrimin e saj do të duhej të pytej secili! Sepse është akti më i lartë!Por në fakt në Kosovë, Kushtetuta nuk është akti më i lartë sepse mbi të e kemi pasur në vazhdimësi pakon e Ahtisarit!”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo gjithashtu foli edhe për pengesat, që një njërën anë dalin nga e drejta e vetos që shpesh duket si diktaturë e pakicës duke theksuar kështu se janë 10 vende të garantuara për përfaqësuesit serb të cilat pastaj pamundësojnë çfarëdo ndryshimi pozitiv, dhe në anën tjetër mungesa e të drejtës për referendum që mbyt demokracinë në vend.

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Sami Kurteshi foli për shkeljet që janë bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga vetë krerët e institucioneve që nga themelimi i saj. Duke filluar nga vetë momenti i miratimit, pa të drejtë diskutimi nga deputetët e Kuvendit, momenti paraqitjes, jo nga Kryesuesi i Kuvendit por nga Kryeministri, atë kohë Thaçi, ishte shkelje më vete si dhe miratimi i Flamurit të Republikës ishte momenti i veçantë tjetër i shkeljes.

Sami Kurteshi foli gjithashtu edhe për shkeljet veç e veç që ka bërë Kuvendi, Presidenti, Qeveria, Kryeministri dhe vetë Gjykata Kushtetuese.

“Madje edhe vetë ata që kanë pasur për mission mbrojtjen e Kushtetutës, si Kryetari i GJykatës Kushtetues, i KGJK apo i KPK që nuk e kanë shkelur Kushtetën.Në këtë rast nuk po i shtjellojmë rastet e shkeljeve kushtetuese ndaj individëve, të cilat trajtohen në mënyrë të veçantë, që kanë kryesisht të bëjnë me kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të tyre, me rastë të mosrespektimit të parimëve themelore kushtetuese, diskriminimit dhe proporcionalitetit dhe me gjykimin e drejtë”, shtoi Kurteshi.

Ai gjithashtu përmendi marrëveshjet e dëmshme që cenojnë rëndë rendin kushtetues e sovraninitetin e shtetit, përmes marrëveshjes së Zajednicës së komunave serbe dhe marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Dekada e dytë, duhet të jetë angazhim shoqëror për të pasur një Kushtetutë që do të jetë shprehje e vullnetit publik e demokratik. Një Kushtetutë që na kthen sovranitetin, integritetin, ushtrinë, demokracinë, barazinë e drejtësinë.

Kontribo

13 04 2018

Nga prezantimi në Paris në Fondacionin “Jean Jaurès”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti mbajti sot një prezantim në Fondacionin “Jean Jaurès” lidhur me aktualitetin politik në Kosovë dhe çështjet më të rëndësishme ekonomike për vendin. Në këtë prezantim morën pjesë ekspertë dhe funksionarë të lartë në Francë që kanë punuar me rajonin e Ballkanit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, gazetarë dhe studentë e profesionistë shqiptarë që jetojnë në Francë.

Në këtë prezantim Albin Kurti shpalosi gjithashtu qëndrimet dhe alternativat e Lëvizjes sa i përket modelit të zhvillimit ekonomik e social, sistemin e drejtësisë dhe dialogun me Serbinë. Sa i përket këtij të fundit, Kurti theksoi se parimet, kushtet, agjenda dhe formati i dialogut janë më rëndësishme se emrat e përveçëm që marrin pjesë në të dhe faktorët që do të bëjnë ndërmjetësimin. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e procesit të integrimit Evropian. Të pranishmit në këtë takim kontribuan në diskutim me pyetje dhe komente të ndryshme.

9 prill 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

13 04 2018

Ligjeratë e Glauk Konjufcës në AUK

Drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca, sot, ka qenë pjesëmarrës në ligjëratën e organizuar nga shoqata e studentëve Balkan Express të mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës. Tema e kësaj ligjërate ishte “Shtrimi i rrugës drejt së ardhmes: Zhvillimet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”.

Kontribo

13 04 2018

Nga takimet me eurodeputetët në Bruksel

Pas aktiviteteve në Paris, Kryetari Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, vazhduan sot udhëtimin për Bruksel në një vizitë dy ditore për t’u takuar me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Belgjikë.

Përfaqësuesit e Lëvizjes u pritën sot në takim nga eurodeputeti Tonino Picula, që kryeson delegacionin e marrëdhënieve të Parlamentit Evropian (PE) me Kosovën, dhe eurodeputeti Igor Soltes, Raportuesi për Kosovën në PE. Në këto takime, ndër të tjera, përfaqësuesit e Lëvizjes ngritën shqetësimin për ultimatumin e dhënë nga Beogradi përmes strukturave paralele në Kosovë për themelimin e njëanshëm të “Zajednicës”, si dhe nevojën për të vlerësuar dialogun e zhvilluar deri më sot me Serbinë dhe për të vendosur një agjendë e format me objektiva e parime të qarta lidhur me dialogun. Kryetari Kurti theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për ta zhvilluar debatin mbi dialogun së pari në Kuvendin e Republikës, në vend që të caktohen takime të fshehta Thaçi-Vuçiq të pautorizuara nga Kuvendi.

Në prag të publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën u diskutua gjithashtu për rrugën e integrimit evropian dhe liberalizimin vizave, gjendjen socio-ekonomike si dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku Lëvizja ka dhënë prova se ka vullnetin, dijen, vendosmërinë dhe alternativën për të ndërtuar në Kosovë si shtetin e së drejtës po ashtu edhe atë zhvillimor.

10 prill 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

13 04 2018

AKK po do ta bëjë më të lehtë fshehjen e korrupsionit

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe iniciativën e Agjencisë Kundër Korrupsion për të kufizuar informacionin për publikun rreth pasurisë dhe transaksioneve bankare të personave që mbajnë poste publike. Në konferencë poashtu u fol edhe për gjendjen e bordeve të ndërmarrjeve publike të partizuara edhe më shumë së fundi, pikërisht në kohën kur luftimi i korrupsionit është kusht themelor për liberalizim vizash.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Fitore Pacolli rikujtoi se mbi deputetët është bërë presion për të kaluar marrëveshjen e Demarkacionit që i humbi Kosovës 8200 hektarë. Në të njëjtën kohë, Qeveria po mashtron qytetarët për liberalizim vizash, e në anën tjetër nuk ka aspak luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Paralajmërimi i shefi të Agjencisë Kundër Korrupsion që në ligjin e ri, i cili është pjesë e pakos kundër korrupsion, zyrtarët e lartë të kenë mundësi të mbajnë fshehur për publikun transaksionet bankare dhe paratë e gatshme tregon se këtu nuk ka qëllim të luftohet korrupsioni. Për më tepër kjo iniciativë ka për qëllim të fsheh pasurimin pa bazë të zyrtarëve publik. Kjo iniciativë vie në momentin kur në kuvend Lëvizja VETËVENDOSJE ka proceduar projektligjin për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikuar”, tha Pacolli gjatë konferencës.

Në kuadër të kësaj mendësie qeverisëse, ajo foli edhe për avazin e njejtë të kapjes së ndërmarrejeve publike edhe nga Qeveria aktuale.

“Që nga shpallja e pavarësisë bordet e ndërmarrjeve publike janë përdorur dhe po vazhdojnë të përdoren për interesa të klaneve korruptive brenda partive politike në pushtet. Fillimisht bordet e ndërmarrjeve publike u mbushën me njerëz shumica të PDK-së dhe LDK-së, pastaj të PDK-së, dhe në vitet e fundit në versionin LDK-PDK dhe me këtë qeveri i shtohen AAK – NISMA. Bordet e mbushura me njerëz lehtë të manipulueshëm ka bërë që performaca e ndërmarrjeve publike të jetë gjithnjë në rënie dhe të ofrojnë shërbime gjithnjë më të dobëta”, shtoi Fitore Pacolli.

Në bordin mbikëqyrës të Trepcës janë emëruar jashtëligjshëm 6 anëtarë të bordit. Përveç se anëtarët e emëruar janë njerëz partiak të cilët kanë poste politike për më keq mbi të gjitha janë jo profesionist dhe pa përvojë për të kryer detyrat e anëtarit të bordit. Dy shembujt më flagrantë janë:

1. FERIZ FETAHU, i moshës rreth të 70 i pensionuar. Anëtarë i NISMA dhe kandidat për asamble të Mitrovicës. Ish punëtor i Trepcës në të kaluarën në pozitën e një mbikëqyrësi të gardës për sigurinë e objekteve dhe aseteve të Trepçës.

2. ARDIAN SYLA

I cili karrierën e tij e ka filluar në Hotel Victory pronë e biznismenit Bedri Selmani. I afërt me Kadri Veselin. Pa përvojë punë në pozitë të lartë në sektorin publik.

Njëjtë është vepruar edhe me bordin e Telekomit. Menjëherë bordi i Telekomit emëroj në mbledhjen e parë të mbajtur dje ushtrues të detyrës se bordit të telekomit Zeqir Kiçina, anëtarë dhe kandidat i AAK në Drenas.

Kontribo

07 04 2018

Qeveria e luksit në vendin e varfër

Ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës nxori raportin e mirëqenies sociale ku thuhet se në Kosovë, edhe sipas shifrave zyrtare papunësia është rritur.  Mbi 17% e qytetarëve të Republikës së Kosovës kalojnë ditën me më pak se 2 euro në ditë.

Sipër qytetarëve të varfër kemi pushtetarët super të pasur me shpenzime e privilegje që në rrallë vende mund t’i hasim.

Qeveria e Kryeministrit Haradinaj vetëm për paga merr nga buxheti i varfër i Republikës 4 milionë 374 mijë euro. Në kohën kur në Kosovë rritet gjithnjë e më shumë varfëria, Kryeministri ia rriti vetës dhe kabinietit të tij pagën deri në 100%.

Mirëpo, kjo Qeveri nuk shquhet vetëm për paga të mëdha, por edhe për një kabinet qeveritar jashtëzakonisht të madh. Ajo numëron hiq më pak se 5 zv.kryeministra, 21 ministra, 82 zv.ministra e më shumë, 120 këshilltarë e mbi 400 asistentë, shoferë e trupëroje. Me shumë saktësi mund të themi se ky është kabineti më i madh në Evropë.

Sikur të mos u mjaftonin pagat, kabineti qeveritar është i zhytur në shpenzim enorme, për dreka e darka pavarësisht se shumë familje nuk arrijnë ta sigurojnë kafshatën e tyre për mbijetesë.

Një Qeveri me mendësi të tillë, me komoditetin e jetën luksoze, natyrshëm nuk mund të mendojë për qytetarin e varfër, të pastrehë, të papunë e pa asnjë perspektivë. Në vend të mirëqenies, kjo Qeveri, gjithnjë i gënjen qytetarët për liberalizim vizash pikërisht për të ikur nga mjerimi më të cilin përballen.

Kosovës, vendit tonë, i duhet një Qeveri që i minimalizon shpenzimet e veta për t’i shpërndarë ato para ne vend të duhur. Para fukosimit në shpenzime enorme për dreka e darka zyrtare na duhet fukosimi te sofrat e varfëra për të siguruar ushqimin e domosdoshëm e minimumin jetik. E kjo Qeveri nuk e ka këtë as synim, as vullnet e as nuk shqetsohet për këtë.

Kontribo

01 04 2018

1 Prilli, dita e Kryeministrit

Në 1 prill, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpërmjet një aksioni simbolik ja kujtuan të vërtetat e kësaj dite kryeministrit Haradinaj. Para objektit të Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet shpalimit të një panoje, aktivistët tanë thanë se si kjo qeveri ka premtuar 80 mijë vende pune, zvogëlim të administratës dhe lëvizjen e lirë, pa viza brenda tre muajve.

Ky kryeministër u zotua që edhe do ta mbronte territorin e Republikës, gjegjësisht 8,200 hektarët e rrezikuar nga Marrëveshja për ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi. Asnjërën prej këtyre nuk e bëri!

Aktivistja, Arta Berisha në fjalën e saj pas aktivitetit ndër të tjera tha: “Qeveritarët na kishin thënë se do të siguronin 80 mijë vende pune vetëm në vitin e parë teksa ne anën tjetër, jo që nuk ka vende të reja pune, por po përballemi me ikje masive të të rinjve nga Kosova në mungesë perspektive.”

Për t’i mos i mjaftuar kjo kryeministrit, ajo shtoi edhe: “Po ashtu ky Kryeministër kishte premtuar zvogëlim të administratës, por një gjë e tillë as që u përmend më, madje e vetmja gjë që bëri kjo Qeveri ishte shifra enorme e zëvendës-ministrave, 82 sosh.” Sigurisht që edhe rritja e rrogave për 30% dhe pensionet për 25%, edhe mirëqenia e qytetarëve janë të vërteta vetëm sot, në simbolikën e 1 prillit.

Kontribo

28 03 2018

Prokurorët si Lumezi, mace të vogla para minjve të mëdhenj të nëntokës

Derisa Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në Pallatin e Drejtësisë po shaploste, sipas tij, sukseset,  për luftën ndaj korrupsionit si kusht për liberalzimin e vizave, aktivistët e Lëvizjes zhvilluan një aksion simbolik jashtë kësaj ndërtese.

“Një kryeprokuror i cili nuk e ka asnjë ndjekje të nivelit të lartë institucional për korrupsion është veçse një mace e vogël përballë minjëve të mëdhenjë të nëntokës”, tha aktivistja Aurora Mullatahiri në prononcimin rreth këtij aktiviteti.

Ajo shtoi se të gjithë jemi dëshmitarë që krimi në Kosovë përveç se po lulëzon, ai është në bashkpunim të plotë më prokurorët dhe gjykatësit të cilët në rastin më të mirë heshtin dhe nuk ndërmarrin veprim karshi këtij krimi kur nuk janë bashkëpunëtor në të.

Kosova ka nevojë për drejtësi, ka nevojë për prokurorë të cilët janë të aftë dhe të guximshëm që ta luftojnë krimin e organizuar të nëntokës i cili çdo ditë e më shumë ngre kokën mbi tokë në formën e drejtuesve institucional.

Kontribo

19 03 2018

Albin Kurti: 9 observime nga Konsiderata Mjeko-Ligjore dhe Përfundimet e Raportit të Autopsisë të doktorëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj mbi vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizreni

9 observime nga Konsiderata Mjeko-Ligjore dhe Përfundimet e Raportit të Autopsisë të doktorëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj mbi vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit

1. Dëmtimet në gojë dhe asfiksia:

Nga raporti: “Në bazë të pamjes dhe lokalizimit topografik të lëndimeve në rrënjën e gjuhës dhe të kavitetit të gojës, me lehtësi mund të rikonstruktohet mënyra e shkaktimit të lëndimeve. Mbyllja e laringut (me fundin e gojës), një ngulfatje e tillë kryhet gjate dhunimit zakonisht me qëllim të pengimit të britmës për ndihmë të viktimes së sulmuar tek të rriturit. Asfiksi mekanike e shkaktuar nga mbyllja e vrimës së gojës pa mbyllur vrimat e hundës nuk para ndodhin zakonisht.”

Pra, së pari, është goxha e pamundur që Astriti ta ketë ngjeshur vetë shishen në fytin e tij duke çarë rrënjët e gjuhës së vet dhe duke i rezistuar gjithë kësaj dhimbjeje e duke vazhduar ta mbajë shishen e plastikës në gojë deri në asfiksi. Ajo çka po thonë doktorët është se ka shumë mundësi që për ta finalizuar asfiksinë ia kanë mbyllur edhe vrimat e hundës me jastëkun që gjendej aty. Sipas raportiti thuhet:

“Të dhënave të vendit të ngjarjes, studimi kriminalistiko-mjekoligjor i objekteve të fiksuara në foto në dyshemenë e dhomës së paraburgimit, (vlerësim nëpërmjet fotove te vëna në dispozicion) një jastek në dysheme me mbetje jarge …… (send i butë i perdorur në të cilin vihen re njolla peshtyme të lena nga viktima në çastet e vdekjes…) mund të kete kontribuar në rezultatin perfundimtar të menyres dhe natyrës së kesaj asfiksie mekanike.”

2. Lëndimet në pjesën e djathtë të qafës:

Nga raporti: “Zakonisht në vetëdëmtime plagët e qafës më shpesh lokalizohen në pjesën e përparme dhe anësore majtas kur viktima ka aktive dorën e djathtë dhe anasjelltas, si dhe me drejtim nga lart-poshtë ….!”

Çfarë janë duke thënë dy mjekët ligjor të familjes në këtë rast është se nuk ka shpjegim se si Astriti, i cili NUK ishte mëngjarash dhe në fakt përdorte dorën e djathtë, t’i ketë shkaktuar vetë këto lëndime në pjesën e djathtë të qafës (poshtë nofullës). Lëndimet që paraqiten në pjesën e djathtë të qafës së Astritit (lëndime që duket se janë bërë me brisk roje) do kishin kuptim (deri diku) të ishin vetëlëndime nëse Astriti do të kishte qenë mëngjarash, por Astriti përdorte dorën e djathtë. Për më tepër, drejtimi i prerjeve të këtyre lëndimeve është horizontal – përreth qafës – dhe jo vertikal (nga lart-poshtë ose nga poshtë-lart). Prandaj, nisur nga pozicioni i këtyre lëndimeve në qafë si dhe nga orientimi i prerjeve në këto lëndime, duket se Astriti nuk ia ka bërë vetes ato.

3. Katër shenjat në ballë dhe doreza e hekurit:

Nga raporti: “Dëmtimet në kokë, dërmishjet në pjesen e përparne të kokës të vendosura afër njëra-tjetrës në një diametër rreth 4 cm mund të jenë shkaktuar nga një mjet i fort mbretës, demtimi ekimotik perfshin indet nënlëkurore të skalpit në kete nivel deri në kocken e kokës pa frakturë”.

Jo zyrtarsht, të dy doktorët e familjes janë shprehur se këto katër lëndime (dërmishje) rrethore në ballë ngjajnë si pasojë e një goditjeje me dorezë hekuri. Gjithashtu, në udhëtimin disa ditor që avokati Tomë Gashi bëri në Hagë në dhjetor të vitit 2016, kolegët (miqtë) e tij ndërkombëtarë mjeko-ligjor që panë raportin e autopsisë i thanë në mënyrë joformale se ky është një rast tipik vrasjeje në burg dhe se katër shenjat që Astriti ka në ballë te rrënjët e flokëve janë shkaktuar nga një dorezë metalike (boks i hekurit) me të cilën dikush e ka goditur.

4. Lëndimet përcaktohen si shenja vetëmbrojtjeje:

Nga raporti: “Lëndimet në kokë, në parakrahun e majtë dhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathte, anën e djathtë të qafës, këndin e nofullës së poshtme jane shkaktuar me mjete të fortë dhe keto klasifikohen si lëndime trupore me natyre me shume si shenja të vetëmbrojtjese.”

Për të gjitha këto lëndime mjekët ligjor janë duke thënë se janë shkaktuar në ballafaqim e sipër me persona të tjerë.

5. Mjekët ligjor të familjes nuk u lejuan kurrë në vendngjarje:

Kjo përbën një shkelje flagrante të procedurave mjeko-ligjore dhe analizave kriminalistike duke ia pamundësuar mjekëve të familjes të bëjnë analizat në vendngjarje si dhe duke ia pamundësuar analizat e provave fizike të gjetura në vendngjarje. Nëse pushteti nuk kishte diçka për të fshehur, nuk ka patur arsye për ta bërë këtë shkelje flagrante.

6. Plani operativ i hetimeve nuk u shtrua kurrë si hetim për një vdekje të dhunshme:

Nga raporti: “I gjithë plani hetimor–operativ duhej të shtrihej që në fillim si një vdekje e dhunshme gjersa janë konstatuar dëmtime traumatike, duke evituar mendimet paraprake sepse një orientim jo profesional është shume i keq në kete proces.”

Mjekët e familjes janë duke thënë se policia dhe hetuesia nuk e analizuan kurrë këtë rast, në asnjë moment e që prej fillimit, si rast i një vrasjeje të mundshme. Mënyra e hetimit e ka paragjykuar që në start si vetëvrasje këtë rast duke mos ndjekur procedurat e rregullta që do duhej të ishin ndjekur në rastin e dyshimit për një vrasje. Ky lloj hetimi paragjykues ka ndikuar në çdo hap të procesit duke e orientuar atë.

7. Mungesa e ndihmës së shpejtë adekuate:

Nga raporti: “Në kontaktin e parë me ndodhinë e ngjarjes sipas materialeve të çështjes dhe dëshmive të dhëna ka paqartësi dhe kontradikta në lidhje me prezencën apo jo të shenjave të jetes. Nese ka patur shenja jete (puls dhe frymëmarrje sipas personelit mjekesor) dhënia e ndihmës së mundshme mjekësore nuk ka qene në nivelin e duhur. Interesi mjeko-ligjor fokusohet kryesisht te vendi ku është gjetur kufoma në vendin e ngjarjes, si dhe duart e viktimës duhej të ishin mbeshtjellur me qese të bardhe që te mos humbasin provat.”

Kjo të bën të dyshosh pse ndihma e shpejtë nuk është dhënë shpejtë dhe ashtu siç duhet?

8. Oraret e mbërritjes në spital në raportin e Spitalit janë korrigjuar (rishkruar) me dorë:
Dy orare janë rishkruar me dorë në raportet e mjekëve, duke e bërë të pamundur deshifrimin e orarit të shënuar fillimisht lidhur me orën e mbërritjes së Astritit në spital dhe orën e vdekjes së tij. Dy oraret e korrigjuara me dorë janë te Raporti Mjekësor Specialistik i Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku duket se ora e paraqitjes së Astritit në Spital është ndryshuar me dorë.

9. Pesë muaj më vonë, Naser Makolli, shoku i dhomës së Astrit Deharit gjendet i vdekur në burg

Sipas deklaratës së tij të parë, një prej shokëve të qelisë së Astrit Deharit, Naser Makolli, ishte personi i parë që e gjeti Astritin në qeli të shtrirë në tokë. Sipas deklaratës së parë të Naser Makollit, ai ka thënë se u përpoq t’i jepte Astritit ndihmën e parë. Në ri-intervistim ai ndryshon deklaratën duke folur edhe për frikën që kishte nëse e merr policia në pyetje – kjo është e shënuar edhe në raportin e autopsisë së mjekëve të familjes. Ka deklarata kontradiktore lidhur me atë se kush ia ka hequr Astritit shishen nga goja dhe kush i ka dhënë ndihmën e parë (Naser Makolli apo gardiani). Më tej, Naser Makolli, që duket të jetë dëshmitari kryesor i këtij rasti, gjendet i vdekur në burg në 4 prill 2017.

Në datën 14 prill 2017, Zyra e Kryeministrit të Kosovës kthen përgjigje zyrtarisht se refuzon kërkesën e familjes për hetim ndërkombëtar. Këtë përgjigje Zyra e Kryeministrit ia kthen fillimisht Ministrisë së Dretësisë, znj. Dhurata Hoxha, më tej në datën 3 maj 2017 ia kthen edhe avokatit të familjes Tomë Gashit.

Kontribo

08 03 2018

Luftimi i dhunës ndaj grave duhet të prioritizohet nëpër Kuvende Komunale

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka ndërmarrur aktivitete e aksione të ndryshme, duke adresuar gjendjen e rëndë në përgjithësi të Gruas në Kosovë dhe veçmas trajtimin e dhunës në familje me theks të veçantë dhunën ndaj Grave.

Të dhënat shqetësuese për dhunën ndaj grave në familje e bëjnë të domosdoshme vënien e kësaj çështje si prioritet në agjendën e punës së institucioneve të ndryshme publike, qofshin qendrore apo lokale. Statistikat flasin se mbi 40% e grave përjetojnë dhunë në familje, 1200 raste të dhunës në familje janë raportuar në 2017-ën, ndërsa 5 gra janë vrarë që nga viti 2016 nga dhuna e ushtruar në familje.
Këto shifra duhet të vejnë në lëvizje të gjithë, e veçmas institucionet shtetërore, që të ndërmarrin masa dhe veprime konkrete për parandalimin e dhunës në familje, e veçmas të dhunës ndaj grave.

Në funksion të kësaj dhe brenda rolit të pushtetit lokal, në komuna të ndryshme të Republikës, asambleistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë iniciuar kërkesën e thirrjes së seancave të jashtëzakonshme të kuvendeve komunale, me vetëm një pikë të rendit të ditës “Dhuna në familje, me theks të veçantë dhuna ndaj grave”.

Me këtë rast, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit, Vitisë, Shtimes, Kastriotit, Skenderajt dhe Kaçanikut janë mbledhur nënshkrimet e mjaftueshme dhe janë thirrur seanca të jashtëzakonshme, në të cilat është diskutuar për pabarazinë gjinore në përgjithësi dhe për dhunën ndaj grave në veçanti. Fatkeqësisht, përkundër që ishte përmbushur kushti i thirrjes së mbledhjes së kuvendit komunal në komunën e Kaçanikut, seanca u pamundësua nga bojkotimi i asambleistëve të PDK-së.

Mospjesëmarrja e organizuar e asambleistëve të PDK-së në Kaçanik flet shumë për qasjen moskokëçarëse të kësaj partie politike ndaj kësaj dukurie.

Pas diskutimeve të shumta nga ana e kuvendarëve lokalë, kuvendet komunale kanë miratuar deklarata dhe rekomandime konkrete në drejtim të përmirësimit të gjendjes së grave. Përgjithësisht deklaratat dhe rekomandimet e miratuara njohin dhe pranojnë si shqetësuese gjendjen e gruas dhe e të qenurit të saj e parambrojtur nga lehtësia e padurueshme e dhunës dhe e shtypjes brenda shoqërisë sonë.

Kuvendarët lokalë, brenda rolit dhe përgjegjësive të kuvendeve komunale kanë identifikuar masa nga më të ndryshmet për të shprehur përkushtimin për t’u angazhuar në vazhdimësi për adresimin e dhunës në familje dhe parandalimin e saj, në bazë të kompetencave që ka komuna, si dhe në funksion të rritjes së vetëdijes institucionale dhe shoqërore mbi dhunën në familje. Kështu, kanë listuar veprime të caktuara si në vijim:

– Raportim në baza të rregullta në Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për rastet e dhunës në familje;
– Fuqizimi i mekanizmit Kundër Dhunës në Familje dhe raportimi një herë në vit në Asamble;
– Në raportimin e komandantit të stacionit të Policisë së Kosovës në komunë, të ketë informim të veçantë për dhunën në familje. Po ashtu, Policia e Kosovës të sigurojë linjë të veçantë telefonike për raportimin e dhunës në familje;
– Të shtohet përkrahja nga qeveria komunale për organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e grave nga dhuna;
– Profesionalizimi i stafit për Punë dhe Mirëqenie Sociale që do të merrej me gratë viktima të dhunës në familje;
– Krijimin komisioneve që do vlerësonin gjendjen e shfrytëzuesve aktual të banesave sociale, në mënyrë që këto banesa t’i kthehen Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale për nevojat e saja edhe për gratë viktima të dhunës;
– Shqyrtimi i mundësive që nga të hyrat vetanake të krijohet një fond i posaçëm për t’iu dalë në ndihmë grave viktima të dhunës në familje.
– Të fuqizohet mekanizmi për koordinim në Komunë mbi dhunën në familje, me qëllim që të përmirësohet koordinimi midis institucioneve përkatëse dhe të ofrohet një qasje e përmirësuar për raportim nga Njësia për të Drejta e Njeriut dhe Barazi Gjinore.
– Të organizohen fushata sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese kundër dhunës ndaj grave, përmes punëtorive të ndryshme, e programeve në institucionet arsimore

Në ndërkohë, në komunën e Prizrenit janë zhvilluar aktivitete tjera, ku Kryetari i Komunës ka takuar gratë punonjëse të komunës me të cilat ka bashkëbiseduar për sfidat dhe pengesat që përballin gratë punonjëse gjatë angazhimit të tyre. Ndërkaq, në Besianë, Qendra e lëvizjes VETËVENDOSJE! ka organizuar tryezë të rrumbullakët me asambleistë, struktura lokale dhe OJQ, ku u diskutua për dhunën ndaj gruas.
Në këtë tryeze u konstatua, se ndër shkaqet kryesore të dhunës është gjendja e rënduar ekonomike dhe veçanërisht niveli i ulët i grave të punësuara. Potenciali i grave nënvlerësohet dhe nuk kanë hapësirën e duhur për të shfaqur talentet dhe kapacitetet e tyre për punë. Përveç dhunës fizike, problem që kalohet e nuk raportohet, është dhuna psikologjike që ushtrohet ndaj grave. Kurse përfaqësimi i grave në nivel të qeverisjes lokale është shumë i vogël.

Kontribo

08 03 2018

SËRISH VJEN MARSI – ÇDO DITË ËSHTË 8 MARSI

Aktivistet dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 8 mars në ditën ndërkombëtare të gruas, kanë zhvilluar një aksion simbolik duke shkruar tri parulla afër godinës së Qeverisë së Kosovës. Në mure u shkruan këto parulla.

SËRISH VJEN MARSI
ÇDO DITË ËSHTË 8 MARSI

BURRAT NËN HIJE,
LOZIN, KUVENDOJNË,
PIKA QË S’U BIE,
SE NGA GRATË RROJNË!

PAVARËSIA NUK MJAFTON
BUKË DHE TRËNDAFILA

Pas shkrimit të këtyre tri parullave aktivistja Albana Gashi u prononcua për media. Më poshtë fjalimi i saj:

Të jesh grua në Kosovë është barrë e rëndë. Të jesh grua e varfër në Kosovë është rraskapitëse.

Sfera private nuk do të duhej të përbente alibi për ta legjitimuar shdërrimin e njeriut në objekt.
Sfera private ku funksionon familja nuk e bën pronë private njeriun, pra as gruan. Askush s’ka të drejta më shumë mbi asnjë grua, perveç vetes së saj.
Mbyllja brenda shtëpise sot nuk është vetëm si burim i një shoqerie që nuk po shpëton dot nga e kaluara e saj por edhe një problem themelor i modelit ekonomik e institucional që i është imponuar Kosoves dhe që mirëmbahet nga konjuktura e pushtetit.

Privatizimi i ndërrmarrjeve të prodhimit dhe korrupsioni që buron prej këtij procesi si dhe kapje e shtetit i kanë pakësuar me së shumti vendet e punës për gratë.

Modeli neoliberal ku gjithcka shitet tepër lirë dhe shpejt ka reduktuar ne minimum pjesëmarrjen e gruas në jetën e punës dhe angazhimit ekonomik.

Ne sot, në Ditën ndërkombëtare të Gruas e shohim ashtu siç edhe ka nisur. Kjo ditë i takon grave punëtore. Tek ne gratë e punësuara janë pak. Sipas një raporti të publikuar së fundi janë vetëm 12 për qind të punësuara. Këtu natyrisht që flitet për diskriminim të madh, por kjo është edhe varfëri. Kjo vjen si pasokë e sistemit patriarkal por edhe për shkak të modelit ekonomik neoliberal.

Papunësia në Kosovë është e lartë. Por fakti që papunësia është e lartë nuk do të thotë se gratë po rrijnë si në pushim. Jo, ato i mbulojnë shumicën e punëve në shtëpi dhe organizimin e jetës. Ta organizosh jetën derisa të mungojnë mjetet e jetesës është punë e rëndë. E në Kosovë mungojnë sepse Kosova është e zhytur thellë në varfëri.

8 Marsi pra, për ne është dita e gruas së varfër, e gruas rome, e gruas së privuar nga arsimi, e lypëses, e të papunës, e të abuzuarës, asaj që shfrytëzohet, asaj që paragjykohet. 8 Marsi është i të gjitha atyre grave të përjashtuara nga të gjitha të drejtat e garantuara.
Prandaj jemi këtu të themi që ligji nuk mjaton, pavarësia nuk mjafton, përfaqësimi nuk mjafton, na duhet pjesëmarrja dhe pjesëmarrje e madhe. Na duhet barazi. Na duhet drejtësi.

Ligji na i garanton të drejtat, me ligj mbrohemi prej dhunës por gjendja nuk po ndryshon.
Vetëm 12% e grave në moshe pune janë të punësuara.

Vetëm 12% e pronave janë në pronësi të grave.

As 10% e bizneseve nuk udhëhiqen nga gratë.

Vetëm 3% e kredive të bizneseve u jepen grave.

40% e grave të punësuara janë në sektorin e shëndetësisë e arsimit ku janë pagat më të ulëta.

Mbi 40% e grave përjetojnë dhunë në familje.

Vetëm 19% të të gjithë përfituesve të subvencioneve janë gra.

74% e njerëzve në Kosovë besojnë se gratë i kanë fajet për ngacmimet seksuale.

64.1% e grave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual.

1200 raste të dhunës në familje janë raportuar në 2017.

5 gra janë vrarë që nga viti 2016 nga dhuna e ushtruar në familje.

Këto shifra na bëjnë të lëvizim. Të çohemi për veten, për njëra – tjetrën dhe për një jetë më të mirë për gjithsecilin.

Kontribo

08 03 2018

Vizitë nga Drejtori për Evropë të Fondacionit Westminster për Demokraci, z. George Kunnath

Sot në mëngjes, Drejtori për Evropë të Fondacionit Westminster për Demokraci, z. George Kunnath, i shoqëruar nga z.Fitim Mulolli, përfaqësues i Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë, vizituan Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku u pritën nga Kryetari, Albin Kurti dhe Deputetja, Fitore Pacolli.

Fillimisht, z. Kurti e njoftoi z. Kunnath për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend dhe theksoi se Kosovës i duhet një shtet zhvillimor për të ecur drejt integrimeve evropiane dhe mirëqenie shoqërore.

Në takim u bisedua për vazhdimin e realizimit të projekteve të filluar më herët në mes të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Fondacionit Westminster për Demokraci. Vëmendje e veçantë iu kushtua propozimeve të projekteve të radhës që do të fillojnë të realizohen në të ardhmen përmes të cilave do të thellohet bashkëpunimi në mes të Partisë Laburiste në Britani të Madhe dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! falendëroi Drejtorin Kunnath për vizitën dhe për bashkëpunimin.

Kontribo

08 03 2018

Mbi dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga Lëvizja

Morëm vesh, jo pa zhgënjim, dorëheqjen prej organizatës sonë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Ne e falënderojmë Shpend Ahmetin për kontributet në fitoret tona, dhe natyrisht që presim nga ai hiç më pak se realizimin e premtimeve që ka dhënë në emër të Lëvizjes, në 2013 por edhe në 2017. Mbështetjen e Lëvizjes besojmë se Shpendi e ka ndjerë në të gjitha betejat politike, por edhe në Asamblenë Komunale, si dhe nga aktivistët e angazhuar në drejtoritë me vështirësi e rrezikshmëri të lartë, por edhe në fushatë, ku qindra vullnetarë, deputetë, anëtarë të kryesisë e figura publike janë angazhuar që të krijojnë mbështetje për Shpend Ahmetin në çdo fshat e çdo lagje.

Fatkeqësisht Shpendi ka zgjedhur që megjithatë të mbaj anën e atyre personave që për mbi një vit e gjysëm punojnë brenda Lëvizjes, kundër Lëvizjes, persona të cilët në valën më të madhe të angazhimit për fushatë e për balotazh, e kalonin kohën nëpër takime informale për prapaskena, duke u marrë me thashetheme përçarëse e duke pritur të kryheshin zgjedhjet për të dhënë dorëheqjen.

Shpend Ahmeti ka qenë një prej figurave më të respektuara prej Lëvizjes, dhe kontributor i madh në disa rezultate të mira elektorale. Por, si të gjithë ne, edhe ai ka fituar nga Lëvizja më shumë se ç’i ka dhënë Lëvizjes, e këtë e ka pohuar edhe vetë, në jo pak fjalime publike.

Shpend Ahmeti ka patur të gjitha mundësitë që secilin shqetësim të vetin apo edhe kërkesë specifike ta sjellë në organet e Lëvizjes, në Kryesi e në Këshill të Përgjithshëm. Ai vazhdimisht ka gëzuar mirëkuptim dhe mbështetje për kërkesat e veta, apo për ndonjë dyshim në qëllime e metoda, siç po thotë vetëm tani, nëpërmjet mediave. Mirëpo, ai ka patur më shumë mungesa sesa pjesëmarrje në mbledhjet e Kryesisë që janë mbajtur pas zgjedhjeve lokale, duke treguar për Lëvizjen një interes më të ulët sesa para se të fitonte mandatin e dytë. Përvetësimi i privilegjeve duke u distancuar nga obligimet është apetit tejet afatshkurtër me dobishmëri jetëshkurtër.

Sakrificat, puna e palodhur e aktivistëve dhe vullnetarëve dhe buxheti i ndarë për zgjedhjet lokale në Prishtinë nuk ka qenë për ta patur kryetarin vetëm 100 ditë, por për katër vjet. Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku në fakt fituam. Kjo është gjendje e pazakontë dhe e padrejtë për votuesit, mbështetësit dhe aktivistët e Lëvizjes.

Megjithatë ne e dimë se Lëvizja ka kaluar sfida më të mëdha se kjo, dhe bashkë me mbështetjen e qytetarëve Lëvizja do t’i prijë ndryshimeve të domosdoshme e të shumëpritura në Kosovë. Goditjet mbi Lëvizjen nuk i ndihmojnë Kosovës por as nuk e zmbrapsin Lëvizjen në përballjen me regjimin. Ne kalitemi nëpër sfida. Dhe, fitojmë. Dhe, do të fitojmë.

Kontribo

08 03 2018

Sërish vjen marsi – çdo ditë është 8 Marsi

Aktivistet dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 8 mars në ditën ndërkombëtare të gruas, kanë zhvilluar një aksion simbolik duke shkruar tri parulla afër godinës së Qeverisë së Kosovës. Në mure u shkruan këto parulla.
 
SËRISH VJEN MARSI 
ÇDO DITË ËSHTË 8 MARSI
 
BURRAT NËN HIJE,
LOZIN, KUVENDOJNË,
PIKA QË S’U BIE,
SE NGA GRATË RROJNË!
 
PAVARËSIA NUK MJAFTON
BUKË DHE TRËNDAFILA
 
Pas shkrimit të këtyre tri parrullave aktivistja Albana Gashi u prononcua për media. Më poshtë fjala e saj:
 
Të jesh grua në Kosovë është barrë e rëndë. Të jesh grua e varfër në Kosovë është rraskapitëse. Sfera private nuk do të duhej të përbente alibi për ta legjitimuar shdërrimin e njeriut në objekt. Sfera private ku funksionon familja nuk e bën pronë private njeriun, pra as gruan. Askush s’ka të drejta më shumë mbi asnjë grua, perveç vetes së saj. 
Mbyllja brenda shtëpise sot nuk është vetëm si burim i një shoqerie që nuk po shpëton dot nga e kaluara e saj por edhe një problem themelor i modelit ekonomik e institucional që i është imponuar Kosoves dhe që mirëmbahet nga konjuktura e pushtetit. Privatizimi i ndërrmarrjeve të prodhimit dhe korrupsioni që buron prej këtij procesi si dhe kapje e shtetit i kanë pakësuar me së shumti vendet e punës për gratë. Modeli neoliberal ku gjithcka shitet tepër lirë dhe shpejt ka reduktuar ne minimum pjesëmarrjen e gruas në jetën e punës dhe angazhimit ekonomik.
 
Ne sot, në Ditën ndërkombëtare të Gruas e shohim ashtu siç edhe ka nisur. Kjo ditë i takon grave punëtore. Tek ne gratë e punësuara janë pak. Sipas një raporti të publikuar së fundi janë vetëm 12 për qind të punësuara. Këtu natyrisht që flitet për diskriminim të madh, por kjo është edhe varfëri. Kjo vjen si pasokë e sistemit patriarkal por edhe për shkak të modelit ekonomik neoliberal. Papunësia në Kosovë është e lartë. Por fakti që papunësia është e lartë nuk do të thotë se gratë po rrijnë si në pushim. Jo, ato i mbulojnë shumicën e punëve në shtëpi dhe organizimin e jetës. Ta organizosh jetën derisa të mungojnë mjetet e jetesës është punë e rëndë. E në Kosovë mungojnë sepse Kosova është e zhytur thellë në varfëri.
 
Marsi pra, për ne është dita e gruas së varfër, e gruas rome, e gruas së privuar nga arsimi, e lypëses, e të papunës, e të abuzuarës, asaj që shfrytëzohet, asaj që paragjykohet. 8 Marsi është i të gjitha atyre grave të përjashtuara nga të gjitha të drejtat e garantuara.
Prandaj jemi këtu të themi që ligji nuk mjaton, pavarësia nuk mjafton, përfaqësimi nuk mjafton, na duhet pjesëmarrja dhe pjesëmarrje e madhe. Na duhet barazi. Na duhet drejtësi.
 
Ligji na i garanton të drejtat, me ligj mbrohemi prej dhunës por gjendja nuk po ndryshon. 
Vetëm 12% e grave në moshe pune janë të punësuara.
Vetëm 12% e pronave janë në pronësi të grave.
As 10% e bizneseve nuk udhëhiqen nga gratë.
Vetëm 3% e kredive të bizneseve u jepen grave.
40% e grave të punësuara janë në sektorin e shëndetësisë e arsimit ku janë pagat më të ulëta.
Mbi 40% e grave përjetojnë dhunë në familje.
Vetëm 19% të të gjithë përfituesve të subvencioneve janë gra.
74% e njerëzve në Kosovë besojnë se gratë i kanë fajet për ngacmimet seksuale.
64.1% e grave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual.
1200 raste të dhunës në familje janë raportuar në 2017.
5 gra janë vrarë që nga viti 2016 nga dhuna e ushtruar në familje.
 
Këto shifra na bëjnë të lëvizim. Të çohemi për veten, për njëra – tjetrën dhe për një jetë më të mirë për gjithsecilin.

Kontribo

07 03 2018

“Debat parlamentar lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lart (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.”

Grupi Parlamentar i Lëvizja VETËVENDOSJE!, nëpërmjet deputetës sonë Arbërie Nagavci ka kërkuar Seancë të jashtëzakonshme me temën:

“Debat parlamentar lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lart (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.”

Ndër masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje me Agjencinë e Akreditimit propozojmë:

1. Brenda afatit të ankimimit prej nëntëdhjetë ditëve, të ndërmirren të gjitha veprimet e duhura për të kthyer AKA-në në EQAR.

2. Të kryhen të gjitha obligimet ligjore të ministrisë, në radhë të parë raportimi në Kuvend për shkarkimin e ish KSHC të AKA-së sipas nenit 7, pika 5 e LAL në Kosovë, ku parashihet se: “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet ti raportojë këtë Kuvendit”, raportim që nuk është bërë asnjëherë përkundër kërkesës sonë të vazhdueshme.

3. Të njoftohet Kuvendi dhe gjitha palët e interesuara se pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditimi, në mesin e të cilëve kishte edhe anëtarët ndërkombëtar, ekspertë të arsimit të lartë, që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar? Të na tregoni se a ka pasur një hulumtim dhe analizë të punës dhe performancës së KSHC së AKA-së? Nëse po nga kush, cilat janë gjetjet, gjegjësisht shkeljet apo parregullsitë e supozuara, çfarë është ndërmarrë apo do të ndërmirret për t’i përmirësuar këto parregullsi dhe pse këto nuk janë bërë publike?

4. Të tërhiqet pika e planifikuar për seancën e kaluar për Ratifikimin e Anëtarëve të KSHC-së dhe e njejta të risillet në rend të ditës pas marrjes së të gjitha masave që garantojnë një proces krejtësisht të besueshëm, profesional, konstruktiv e me transparencë të plotë, që reflekton me propozimi të anëtarëve të rinj të KSHC–së që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht, të liruar nga konflikti i interesit e me integritet personal. Kjo duhet të bëhet sa më parë në mënyrë që të funksionalizohet puna e AKA-së.

5. Të inicohen ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Kontribo

07 03 2018

MARShojmë, S’festojmë – Mbështetje e marshit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues të organizuar nga Kolektivi “MARShojmë, S’festojmë” që do të mbahet të enjtën më 8 mars në orën 12:00 me fillim në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë, mbështetësve e qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij marshi i cili do të na mbledhë nën thirrjet për barazi.

Angazhimi për barazi shoqërore është i domosdoshëm dhe i paalternativë. Me gjendjen aktuale as nuk pajtohemi e as nuk bën të përshtatemi.

Përveç vetë grave e vajzave në vendin tonë, edhe shumë prej organizatave për të drejtat e grave që prej pas luftës janë duke u sfiduar me pengesa të mëdha institucionale e sigurisht dhe mospërkrahje në kauzat që kanë ngritur.

Përkrahja e organizatave dhe aktivisteve është jo vetëm detyrë por na takon si organizatë politike e subjekt parlamentar që t’i ndihmojmë atyre dhe kauzës së tyre derisa të bëhet kauzë e të gjithëve.

Ne po ashtu, pajtohemi se niveli i përjashtimit të grave është aq i madh sa ka arsye për grevë, protestë e çfarëdo rezistence që mund të organizohet.

Shifrat diskriminuese janë ftesë që të veprojmë. Sa më shpejt, qysh nesër.

Andaj edhe njëherë bëjmë thirrje që së bashku nesër të marrim pjesë në këtë marshin “MARShojmë, S’festojmë”

Kontribo

07 03 2018

131 vite nga hapja e shkollës shqipe

Nga mësues të përndjekur, që me ngulm dhe përkushtim të pakusht jepnin kontributin e tyre edhe në kohë të vështira të pushtimit, këtu e 131 vjet më parë, merr hov krijimi i mësonjëtoreve të para shqipe, për t’u konkretizuar kësisoj në mësues të vërtetë, të cilët vetëmohimin e kishin tiparin më të fortë, e ndërgjegjësimin kombëtar motiv parësor. Kështu, më 7 mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, me Pandeli Sotirin mësues dhe drejtues, si një prelud, po aq sa edhe nevojë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe shpalosje e hapur e vizionit për përparim shoqëror e kombëtar përmes edukimit dhe dijës.

7 Marsi, shënjon ndërgjegjësimin kombëtar dhe kështu bëri të mundur kapërcimin e mësimnxënies dhe mësimdhënies së gjuhës shqipe nga mbajtja gjallë në zhvillimin e kultivimin e saj, e përmes saj të progresit shoqëror e politik të kombit shqiptar përgjatë historisë.

Padyshim se arsimimi dhe shkolla si institucion janë një nga shtyllat e kombit dhe të Republikës. Kështu ka qenë kudo dhe kurdo, paçka edhe e ndaluar dhe e shtypur gjatë okupimit. Arsimimi gjithnjë, e veçmas për shqiptarët ka tërhequr paralelisht dy veçori. Në njërën anë, ndërgjegjësimi politik e kombëtar për të drejtat politike ka filluar dhe është paraprirë pikërisht nga shkolla dhe arsimdashësit, dhe së dyti, ka qenë pika nevralgjike e popullit që ka tërhequr politikat shtypëse e diskriminuese gjatë okupimit të regjimit të Milosheviqit. Përjashtimi nga shkollat dhe Universiteti të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, ishin ndër veprimet e para dhe më brutale të këtij regjimi gjatë viteve të 90-ta, si goditje për të shtypur vullnetin dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Qytetarët kanë të drejtë për dije dhe shkencë, ndërsa shoqëria dhe shteti kanë nevojë për sistem të arsimit cilësor që përkon si me resurset e Republikës për zhvillim, ashtu edhe me pritshmëritë legjitime të qytetarëve për mirëqenie brenda vendit. Por, tregimi që dijmë dhe përvoja që kemi njohur gjatë këtyre nëntëmbëdhjetë viteve pas çlirimit e dhjetë vjet pavarësi, është modeli i degradimit të sistemit të arsimit që nuk prodhon as dije për zhvillim e as lidhje të tij me ekonominë.

Me tekste shkollore jocilësore, jokoherente dhe pa ndërlidhje me nevojat dhe potencialin shoqëror e ekonomik, mbështetje të pamjaftueshme nga shteti, ku shkolla është e partizuar, drejtorët zgjedhen sipas përqindjeve të koalicioneve, pa investime në mjete të konkretizimit apo laboratorë; ku mësimdhënësit nuk kanë sigurim mjekësor, sigurim invaliditeti etj; nuk mund të kemi arsimim cilësor, ajo çfarë kemi pashmangshëm është në fakt renditja në nivelet më të ulëta nga Testi PISA dhe përjashtim të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë. Ndërsa, mësimdhënësit e viteve të 90-ta në Kosovë për shumë vite janë nëpërkëmbur, kontributi i të cilëve asnjëherë nuk është njohur mirëfilltazi.

Trajektorja e arsimimit dhe edukimit shqip do të mbarte në vete sfida e vështirësi të mëdha, e megjithatë, asnjë e tillë nuk do të arrinte të ndalonte vullnetin e madh të mësuesve, të cilët domosdoshmërinë për të shpërndarë dije ndër breza e kishin vënë mbi çdo rrezik a interes vetjak. Dhe janë pikërisht këta mësues, të cilët do të ishin model për mësimdhënës të shumtë përgjatë viteve, në kohë lufte e paqeje, rruga e të cilëve do të përshkohej nga rreziqe e vështirësi, që do të tejkaloheshin në saje të vetëmohimit të tyre.

Megjithëkëtë, shkolla në Kosovë duhet rifituar rëndësinë e saj, tashmë jo të mbijetesës, por të prodhimit të shkencës e kompetencës së krahasueshme me shtetet e rajonit e më gjerë, që i shërben zhvillimit të shtetit, progresit e emancipimit shoqëror e kombëtar.

Pavarësisht sfidave e denigrimit të sistemit të arsimit, roli i mësimdhënësve mbetet thelbësor në përmirësimin e këtij kaosi të prodhuar këto vitet e fundit nga politikat e gabuara qeveritare. Por, duke uruar për një ditë kur arsimimi do të marrë vëmendjen e duhur e mësimdhënësit trajtim dinjitoz, urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!

Kontribo

06 03 2018

Homazhe te 59 varret në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz

Sot, shumë aktivistë e anëtarë, anëtarë të kryesisë e deputetë të Lëvizjes, bënë homazhe te 59 varret në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz. Me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitoi familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat e Lulzim Jashari. Pas nderimeve, kryetari i VETËVENDOSJE-s, Albin Kurti tha:

Këtu në Prekaz, para dy dekadave, tre breza të Jasharajve u flijuan për të ardhmen dhe për neve. Nga Shabani e Zahidja që ishin 74 vjeçarë te Igballja 11 vjeç, Blerina 7 vjeç e Kushtrimi 13 vjeç.

Hamza e Ademi bashkë me Zarifen, Hidajeten, Adilen, Feriden dhe Selveten, luftuan dhe u sakrifikuan sepse e deshën lirinë dhe tokën më shumë se jetën.

Sakrifica e Jasharajve i dha hovin vendimtar luftës çlirimtare. Epopeja e UÇK-së e 5, 6 dhe 7 marsit ndodhi midis dy demonstratave shumë të fuqishme në Prishtinë, asaj me 2 mars 1998 dhe 9 mars 1998. E mbaj mend mirë se si aq masive ishte demonstrata e 9 marsit, dy ditë pas Epopesë, saqë edhe policia e Serbisë u frikësua të ndërhyjë. Atë ditë nëpër banesa në Prishtinë nuk kishte mbetur kush. Që të gjithë ishin në rrugë.

Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen dhe kështu e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë dhe e ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetëdijësuan ato. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë.

Jemi këtu në Prekazin heroik e historik. Historia nuk dorëzohet. Sepse ajo nuk ka pronar. Dhe, ajo reziston suksesshëm. Ato tri ditë ishin më shumë se 20 vjet. E, këto 20 vjet nuk duken as si tri ditë.

Lavdi Jasharajve dhe gjithë herojve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!

Kontribo