04 03 2018

Privatizimi e rriti mungesën e energjisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka trajtuar problemin me mungesën e energjisë elektrike dhe faturat e papërballueshme për qytetarët. Në një konferencë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në të cilën folën deputetja Albulena Haxhiu dhe përfaqësuesi i Komitetit për Energjitikë Naim Hoxha treguan për reduktimet e ashpra të energjisë dhe u njoftua se do të kërkohet interpelancë qysh nesër në Kuvendin.

Deputetja Haxhiu tha se në vitin 2012, nga Qeveria Thaçi, humbëm një aset publik si pasojë e privatizimit. Rrjeti i Shpërndarjes dhe kompania publike në atë kohë KEDS u privatizuan me vetëm 26.3 milionë euro. Kontrata ishte nënshkruar pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të Lëvizjes. Aso kohe thuhej se do të ketë investime që do të garantojnë furnizimin me energji si dhe punëtorët e KEK-ut nuk do ta humbnin punën.

Gjashtë vite pas privatizimit orët e ndërprerjes së energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit nuk janë ulur, përkundrazi në periudhën e pikut orët e ndërprerjeve janë rritur.

Ulja e humbjeve teknike dhe komerciale nuk ka asnjë përmirësim përkundrazi raportimet zyrtare të Zyrës së Rregullatorit tregojnë për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte publike.

Fatura e mospagimit, vjedhjes së energjisë ende sot i shpërndahet paligjshmërisht çdo konsumatori që paguan në mënyrë të rregullt energjinë.

Komunat veriore ende nuk e paguajnë drejtpërdrejtë energjinë, atë KEDS i drejtuar nga Limak-Çalik ua faturon të gjithë shqiptarëve e të tjerëve në komuna të tjera të Kosovës.

Në këto 6 vite çmimi i energjisë elektrike sipas kërkesës së konsorciumit privat është rritur 4 herë nga Zyra e Rregullatorit. Kjo me arsyetimin fals të mbulimit të kostove nga defektet në gjenerimin e energjisë.

Situata lidhur me punëtorët dhe përjashtimet e tyre nga puna është tepër shqetësuese. Janë 95 punëtorë të larguar vjeshtën e vitit 2015 dhe, 75 të tjerë të larguar në maj të vitit 2016. 40 punëtorë janë larguar përmes presioneve e shantazheve për ta lënë vendin e punës dhe mbi 200 punëtorë të tjerë iu është komunikuar vendimi për largim. Çdo ditë në këtë konsorcium përgatiten taktika për t’iu shmangur kontratës dhe Ligjit të punës dhe për të demotivuar ata punëtorë që kanë kontrata të përhershme për t’i zëvendësuar më një numër më të vogël punëtorësh të rinj më të keqpaguar.

Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë. Përveç në Prishtinë, qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë në secilin qytet e fshat dhe në këto ditë të ftohta dimri kjo gjendje është e papërballueshme, Mungesa e energjisë elektrike më së shumti i prek familjet në kushte të vështira ekonomike dhe zonat e thella.

Me gjithë këto probleme, deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryra, dhe largimin e punëtorëve. Po ashtu ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mashtrimin dhe vendimin e paligjshëm të ZRRE-së, i cili shpenzimet e qytetarëve të Kosovës të nacionalitetit serb, ia faturonte qytetarëve të tjerë.

Andaj, qysh nesër, do ta dërgojmë kërkesën për interpelancë ndaj Kryeministrin Haradinaj, për të dhënë sqarime për ketë gjendje të rënduar.

Ndërkaq, prof. Naim Hoxha nga Komiteti për Energjitikë paraqiti hapat që duhen marrë për të dalë nga kjo situatë. Ai theksoi se në terma afat shkurtër duhet:

1. Të ngrihet niveli i vigjilencës dhe kujdestarisë në të gjitha strukturat e sistemit energjetik.

2. Apel dhe vetëdijësim qytetarëve në përdorimin e energjisë me qëllim kursimin.

3. Kontraktimi i importit të energjisë, si për shembull nga Shqipëria për të vendosur nën kontroll situatën.

Ndërsa në terma afatgjatë:

4. Inicimi sa më i shpejtë i rindërtimit të TC “Kosova A”,

5. Përshpejtimi i planit për remontin e TC “Kosova B”

6. Kontraktimi i energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhë më afatgjatë.

7. Stabilizimi i prodhimit të qymyrit – sanimi i ndërtimit të kundërligjshme në Shipitullë

8. Heqja dorë nga projekti më i shëmtuar i TC “Kosova e Re”. Po të ketë arsye për ndërtim të një Termocentrali të ri mbi bazën e linjitit tonë është nëse ai termocentral e prodhon energjinë më të lirë.

9. Të përpilohet sa më shpejt strategjia afatmesme dhe afatgjatë zhvillimore e Kosovës për t’i nxjerrë strategjitë të përkatëse të energjetikës.

10. Dizajnimi i Termocentralit të ri pas kësaj strategjie dhe kontraktimi i tij.

11. Përcjellja e rrjedhave në gjeneratorët alternative e posaçërisht të asaj elektrovoltaike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të paraqesë sërish në javët në vijim propozimet për ta adresuar këtë krizë energjitike të paralajmëruar nga specialistët e energjitike e edhe nga Komiteti e Grupi parlamentar i Lëvizjes prej disa vitesh.

4 mars 2018

Kontribo

02 03 2018

Shkelja e shprehjes së lirë në Kuvend

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në mënyrë arbitrare, me arrogancë dhe egërsi të pashembullt, i ka ndërprerë fjalën deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi pas një fjalie të vetme të thënë në foltore. Derisa deputeti Krasniqi ishte duke folur në foltoren e Kuvendit, në kohën e deklarimeve jashtë rendit ditës sipas radhës, pa paralajmërim, në kundërshtim me normat e Rregullores së Kuvendit, pa asnjë bazë ligjore dhe pa kurrfarë arsyetimi, Kadri Veseli i ka ndërprerë fjalën. Ky është veprim kundërkushtetues, i kundërligjshëm dhe i patolerueshëm.

Ky veprim i Kadri Veselit është një precedent që duhet të shërbejë si një sinjal dhe alarm i jashtëzakonshëm për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, për gjithë shoqërinë kosovare, për secilin qytetar të lirë të Republikës së Kosovës. Ky veprim përbën edhe një shembull më shumë të kapjes totale jo vetëm të institucioneve shtetërore, por tani edhe i të drejtës për mendimin, shprehjen dhe fjalën e lirë. Madje në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Kjo është shkelje serioze në kuptimin e plotë të fjalës.

Veprimi i tillë i pakontrolluar, arbitrar e i paarsyetuar i Kadri Veselit, përveç shkeljes normative të garantuar me Kushtetutë dhe Rregullores së Kuvendit, jo vetëm lë shumë për të dyshuar, por detyrimisht hapë shteg për shumë pyetje dhe në kuptimin politik. Çfarë është prapaskena e këtij veprimi kundërligjor e arbitrar? Cila është frika e vetë Kadri Veselit nga shprehja e lirë e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës? Pse Kadri Veseli sot reagoi si ta trajtonte Frashër Krasniqin ‘terrorist’. Deri ku mund të shkojë arbitrariteti dhe keqpërdorimi i pozitës së Kryetarit të Kuvendit? A mos e nënkupton kjo edhe kapjen e sistemit tonë gjyqësor nga Kadri Veseli që po ngritë raste të montuara politike kundër VETËVENDOSJE!-s?

Lëvizja VETËVENDOSJE! në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk pranon cenimin e fjalës dhe shprehjes së lirë në Republikën e Kosovës si e drejtë dhe liri e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si normë e arritur humane globale, nga asnjë person apo institucion, pa marrë parasysh hierarkinë, pozitën apo fuqinë keqpërdoruese. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk pranon dhe nuk lejon një krim të tillë, nuk lejon cenimin e thelbit të qenies njerëzore.

Kontribo

01 03 2018

Ndalni reduktimin e energjisë elektrike

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot në shenjë pakënaqësie me reduktimet e shpeshtuara të energjisë elektrike ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të KEDS-it. Aktivistja Arta Berisha e përshkroi situatën e rëndë të qytetarëve si pasojë e mungesës së energjisë. “Në këto ditë të ftohta dimri, qytetarët anëkend komunave të Kosovës po ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke ua vështirësuar kështu jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Kur sot në lagjet e Prishtinës, që është kryeqytet, dhe vetëm 3 minuta larg objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka ndërprerjë të energjise, mund ta marrë me mend secili prej nesh se çfarë reduktime ka nëpër fshatrat e komunave të tjera.

Qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme.

Ndonëse, mungesa energjisë është e shprehur kudo në Kosovë, vetëm në muajin e fundit është raportuar që komunat që kanë pasur më shumë ndërprerje të energjisë elektrike kanë prekur Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajin dhe Drenasin me fshatrat e tyre përreth.

Derisa KEDS raporton para ZRRE-së për uljen e humbjeve teknike çdo vit zgjidhjen me sa duket e ka gjetur duke reduktuar gjithnjë e më shumë orarin e furnizimit me energji për qytetarët e Kosovës. Në vend të investimeve të plota dhe të shtrira në të gjithë territorin pra dhe aty ku banojnë pak familje, KEDS po aplikon me sa duket një praktikë hicc më pak se abusive.

Kur e bën privatizimin arbitrar të KEDS-it na thanë se përveç të tjerave kjo po bëhet që të garantohet furnizim i pandërprerë me energji elektrike dhe se humbjet teknike e edhe ato komerciale do të reduktoheshin.

E kundërta po ndodh, po na rritet ccmimi i energjisë dhe orët e ndërprerjes me energji elektrike.

Qytetarët që 18 vite pas luftës nuk kanë pasur rastin asnjëherë të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike. Ky degradim konstant po bëhet në kurriz të më të varfërve dhe më të pambrojturve, siç janë banorët në fshatra e zona të thella.

Menaxhmenti i KEDS dhe politikanët që janë të lidhur me ta po i vjelin fitimet ndërsa ne reduktimet.

Ne bëjmë thirrje urgjente që KEDS-it dhe institucioneve përgjegjëse, që të zbatojnë masat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, dhe ta trajtojnë këtë gjendje të krijuar me seriozitet ashtu që sa më shpejt qytetarëve te ju sigurohet energjia elektrike në shtëpitë e tyre.

Kontribo

01 03 2018

Kryeministri të raportojë urgjent në Kuvend për përjashtimin e Agjencisë së Akredimit nga EQAR

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Agjencinë e Akreditimit. Lidhur me situatën e përkeqësuar në këtë institucion shumë të rëndësishëm dhe veprimet e papërgjeshmë qeveritare foli deputetja Arbërie Nagavci. Ajo njoftoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka iniciuar Seancë të Jashtëzakonshme parlamentare dhe po ashtu ka kërkuar në komisionin përktatës raportim urgjent të Ministrit të Arsimit dhe Teknologjisë.

Deputetja tha se vendimi për të përjashtuar Agjensinë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) mund të ketë pasoja të mëdha dhe të rënda për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Ky vendim i marrë me 27 shkurt vjen pas Vendimit të Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie, vendim ky i marrë me 25 shtator 2017, me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj.Është tërësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë për shkak të betejave partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit. Duhet të mos harrohet fakti se shkarkimi i Këshillit është bërë për arsye krejtësisht partiake dhe kjo është tashmë një praktikë e zakonshme në qeveritë e vendit. Si Këshilli që u shkarkua, ashtu dhe Këshilli ri i propozuar janë persona partiakë të emëruar për interesa të grupeve të ngushta. Beteja për pushtet e kontroll të arsimit të lartë publik e privat në mes të këtyre grupeve ka sjellë në këtë situatë. Agjencia e Akreditimit ka mbetur pa organe drejtuese për disa muaj dhe si rrjedhojë me institucione të arsimit të lartë të paakredituara, pra praktikisht të pakontrolluara sa i takon cilësisë.

Një element i rëndësishëm në marrjen e vendimit për përjashtimin e Agjencisë tonë të Akreditimit ka edhe ndikimi i letrës së Kryetarit të Këshillit të kaluar, tashmë i shkarkuar nga qeveria aktuale, Zot. Blerim Rexha, person po ashtu partiak, nga rradhët e PDK-së. Edhe ankuesi apo i shkarkuari vjen nga një eksperiencë e keqpërdorjes së Këshillit të Cilësisë. Ka jo pak raste kur ishin pezulluar akreditime të programeve, për t’i rikthyer të njëjtat brenda ditësh dhe javësh dhe poashtu regjistrime të studentëve përtej kuotave të caktuara. Përgjigja që erdhi nga Qeveria aktuale ndaj shkeljeve të këshillit të kaluar nuk ishte hetimi, shqyrtimi, vendosja para përgjegjësisë për këto shkelje, por shkarkimi i plotë i të gjithë anëtarëve, mungesa e plotë e transparencës dhe mos raportimi në Kuvend sipas përgjegjësisë ligjore si dhe propozimi i një grupi tjetër po aq partiak sa ky i shkarkuari. Kujdesi dhe masat ndaj veprimeve të Këshilit të cilësisë do të duhej të vinin shumë kohë më parë, dhe atë për akreditime të kundërligjshme dhe krim të organizuar, por situata erdhi ashtu që për inate personale dhe grupore, për direktiva partiake, të vendosen studentët tanë në rrezik të ballafaqimit me sfida të shumta rreth njohjes së diplomave të tyre.

Kjo që po ndodh është në fakt një betejë në mes të partive në pushtet për të favorizuar dhe kontrolluar bartësit e arsimit të lartë në vend. Me një qeveri të tillë të papërgjegjshme jo vetëm se nuk mund të pritet liberalizimi i vizave, por edhe ata apo ato studente që mund të gjejnë vetë mënyrën e financimit, të sigurojnë bursa për studime apo çfarëdo zhvillimi profesional jashtë vendit, do të kenë vështirësi të mëdha. Përgjegjësia është e institucioneve të vendit, në rradhë të parë e Qeveris së Kosovës , konkretisht Zot. Haradinaj e sigurisht edhe e Ministrit të Arsimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron si shumë shqetësuese përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe MASHT që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.
Masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje:

Duhet të përgatitet ankesa brenda afatit prej nëntëdhjetë ditëve, por paraprakisht duhet të kryhen të gjitha obligimet ligjore si raportimi në Kuvend, prezantimi i gjetjeve për punën e bordit të mëparshëm, transparencë e plotë dhe për më shumë propozimi i anëtarëve të rinj që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht e me integritet personal.
E pas kësaj duhen inicuar edhe ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Përndryshe, bazuar në papërgjegjësinë e plotë të institucioneve tona, është shumë e mundur që AKA të përjashtohet edhe nga Rrjeti i Agjensive për Sigurimin e Cilësisë që është edhe themeluesi kryesorë i Regjistrit. Ndaj Qeveria ta rikuperojë sa më parë këtë situatë ose Ministri Bytyqi nuk ka ccfarë bën më në postin që ia ka ndarë koalicioni qeverisës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Grupi parlamentar & Komiteti për Arsim dhe Shkencë

Kontribo

01 03 2018

Ndalni reduktimin e energjisë elektrike

Qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme.

Kontribo

25 02 2018

Pazar fjalësh që prapë na i humb 8.200 hektarë

Pas fjalëve të forta në seancën e së premtes në Kuvend, Kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me LDK-në për votimin e demarkacionit me Malin e Zi. E kanë shtuar fjalën “si orientim” për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë Raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë. Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar.

Brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi.

Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajn vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?

Duke qenë se Kryeminstri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët. Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë Kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht Kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare.

Ne nuk e mirëkuptojmë dhe as e kuptojmë zellin e askujt që shtyn një marrëveshje të tillë për vendin. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta kundërshtojë atë.

Kontribo

23 02 2018

Takim me përfaqësuesit e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë

Dje, në mbrëmje, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari, Albin Kurti, Nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, dhe Deputetja, Fitore Pacolli, u takuan me përfaqësuesit e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, kryesuar nga z. Carl Bildt, ish-Kryeministër dhe ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, z. Fredrik Wesslau, drejtor i Programit “Evropa e Zgjeruar”, znj. Vessela Tcherneva, Drejtore e Programeve, dhe, znj. Tania Lessenska.

Në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike dhe çështjen e marrëveshjes me Malin e Zi për demarkimin e kufirit. Kryetari Albin Kurti e njoftoi delegacionin me qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth marrëveshjes për ‘Demarkacionin’, por edhe për gjendjen socio-ekonomike në Kosovë dhe idetë e VETËVENDOSJE!-s për të dalur nga kriza e për ta nisur progresin.

Në takim u diskutua edhe për perspektivën e integrimit të Kosovë në BE si dhe për hapat që duhet ndërmarrë shteti ynë në këtë drejtim. Përveç tjerash, u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik e politik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për investimet ekonomike si dhe për situatën energjetike në vend.

Kontribo

21 02 2018

Nënshkrimi i dyfishtë i Thaçit nuk e ka ndryshuar demarkacionin

Versioni i demarkacionit që u është sjellë deputetëve për votim nuk ka ndryshuar nga ai i Murat Mehës dhe as nuk po bëhet që të na i liberalizojë vizat. Ai është ende versioni i Murat Mehës. Për ta shpjeguar këtë dhe për të bërë thirrje për mosvotim të tij, në konferencë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dalur kryetari Albin Kurti dhe drejtuesi i grupit parlamentar Glauk Konjufca.

“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi po keqinterpretohet si çmim për liberalizimin e vizave. Mirëpo, ka aq shumë procedura të brendshme në Bashimin Evropian (BE) për liberalizim të vizave: Komisioni Evropian, pastaj Këshilli i Bashkimit Evropian, pastaj Parlamenti Evropian, pastaj ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm të vendeve anëtare. Pse gjithë kjo nguti e Thaçit dhe Haradinajt me demarkacionin? Liberalizimi nuk do të vie këtë të premte, as javën e ardhshme, as muajin e ardhshëm e as në stinën e ardhshme. Pse po nxitohen?”, tha Kurti gjatë fjalës së tij.

Ata nuk e kanë për liberalizim të vizave sepse nuk e kanë për qytetarët. Po ta kishin për qytetarët nuk do të pasuroheshin për vete e populli të ngelej gjithnjë e më i varfër, nuk do t’i jepnin pjesë të shtetit të Kosovës Serbisë e pjesë të territorit të Kosovës Malit të Zi. Po ta kishin për qytetarët nuk do t’i bënin 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra e mbi 70 zëvendës-ministra e nuk do t’ia dyfishonin pagat vetes. Jo, këta nuk e kanë për qytetarët, por e kanë për vete. E kanë për karrigat e tyre që po ju lëkunden e jo për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Gjithashtu Kurti theksoi se meqë janë dy kritere për liberalizim, atëherë duhet të merremi më shumë me kriterin e parë, që është luftimi i korrupsionit.

“Deklarata Thaçi-Vujanoviq nuk sjell gjë të rë. Thaçi e ka nënshkruar dy herë të njëjtën çështje dhe të njëjtën gjë. Prandaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Ky është ratifikim i delimitimit, pra i ndryshimit të kufirit, që ka bërë Komisioni i Murat Mehës”, tha Konjufca.

Konjufca si drejtues i Grupit Parlamentar sqaroi se deputetët e Lëvizjes përveç që nuk do ta votojnë nesër demarkacionin, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit ne do ta kundërshtojmë atë dhe porsa ta shohim mundësinë do ta pamundësojmë kuorumin.

Çfarë, duhet bërë është që së pari do të duhej që Prokuroria e shtetit ta hetonte ish Komisionin Meha duke u bazuar në të gjeturat e Komisionit Bulliqi. Së dyti, Kuvendi i Kosovës duhet ta diskutojë raportin vlerësues të Komisionit Bulliqi dhe ta themelojë një Komision Hetimor Parlamentar mbi Demarkacionin e këtillë, përkatësisht të hetohet marrëveshja e 26 gushtit 2015 në Vjenë dhe Deklarata e Presidentëve e 16 shkurtit 2018 në Podgoricë.

Ai shtoi se Qeveria nuk i ka numrat pa Listën Serbe. Kurse Lista Serbe po e kërkon ‘Zajednicën’ e Serbisë para se ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Pra, kjo Qeveri duhet t’i falë shtet Serbisë në mënyrë që t’i falë territor të Kosovës Malit të Zi. Qeveria e këtillë duhet të japë dorëheqje.

Kontribo

19 02 2018

Të zbatohen kërkesat e miratuara në Kuvend lidhur me 4 aktivistët e dënuar padrejtësisht

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti konferencë në lidhje me rastin e dënimit padrejtësisht të katër aktivistëve për sulmin në Kuvend. Nëpërmjet kësaj konference në të cilën folën deputetët Arbëri Nagavci dhe Liburn Aliu, edhe një herë kërkuam zbatimin e kërkesave të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nagavci kërkoi qe në seanca e 22 shkurtit e Gjykatës së Apelit, që mbahet për gjykimin e aktivistëve të jetë mundësi edhe e korrigjimit të dënimit të padrejtë dhe politik ndaj po këtyre aktivistëve. Gjithashtu, ajo foli edhe për kërkesat e miratuara nga Kuvendi i Kosovës e që duhet të zbatohen menjëherë nga institucionet përgjegjëse dhe të cilat janë.


1. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, përjashtuar rastin e Astrit Deharit që do të hetohet veçmas.


2. Të hetohen dhe të gjenden përgjegjësit në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës, të përfshirë për inskenimin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht 2016 dhe për përndjekjen kriminale të aktivistëve të LVV për këtë rast.


3. Të hetohen dhe të merren në përgjegjësi ligjore të gjithë personat përgjegjës në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve të LVV dhe vdekjen e Astrit Deharit.


Ndërkaq deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Liburn Aliu i cili foli edhe për personat përgjegjës që do të duhej të përfshiheshin në hetim dhe që kanë qenë të lidhur kyq në këtë rast.

”Nuk mund të ketë hetim nëse paraprakisht nuk kemi edhe shkarkim të personave përgjegjës në mënyrë që hetimi të jetë i rregullt”, shtoi deputeti Aliu.

Tre aktivistët Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti po mbahen në burg që prej 17 nëntorit të vitit 2017, kurse me ta është dënuar edhe aktivistja Adea Batusha. Ky dënim ka ardhur pasi kishin mbajtur më shumë se 1 vit arrest shtëpiak e paraburgim. Kjo histori e padrejtë e nisur në fundgushtin e vitit 2016 duhet të korrigjohet më 22 shkurt 2018.

Kontribo

18 02 2018

Të lirohet nga paraburgimi Sadri Ramabaja

Një shtet i pavarur është një shtet me drejtësi funksionale. Ndërsa atij shteti ku gjykatat janë të varura prej sundimtarëve, i duhet ende punë për t’u bërë i pavarur.

Kërkojmë drejtësi për rastin gjyqësor ndaj Sadri Ramabajës, mu tash, gjatë festimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, që t’ia përkujtojmë institucioneve dhe qytetarëve se puna dhe mundi për vetëvendosje dhe shtetndërtim të Kosovës ende s’ka përfunduar.

Sot, 10 vite pas shpalljes së pavarësisë ende kemi të burgosur politikë. Ata janë të rinj të pafajshëm, të burgosur dhe të vrarë, në burgje të Kosovës, për bindjet e tyre politike. Po ata janë edhe intelektualë e veprimtarë të kahmotshëm, si Sadri Ramabaja, i cili ka punuar për Kosovën që nga vitet e ‘80-ta. Sadri Ramabaja po mbahet në paraburgim prej gati pesë muajsh, nuk po nxirret para gjyqit që të ballafaqohet me drejtësinë. Paraburgimi i tij po zgjatet duke zëvendësuar dënimin, pikërisht sepse kundër tij nuk ka prova, por vetëm akuza të trilluara, pa bazë substanciale në të vërtetën. Mbyllja e Sadri Ramabajës në paraburgim duhet të marrë fund. Ai ishte asambleist i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe është ligjërues fakulteti. Burgimi i padrejtë e ndan nga ligjëratat dhe studentët e tij.

Sadri Ramabaja që në fillimet e veprimtarisë së tij ka shkruar gjithnjë duke pasur për qëllim atdhedashurinë. Puna e tij reflekton angazhim të pastër për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Për të njëjtat bindje që u arrestua dekada më parë nga regjimi serb, e me të njëjtat akuza të rrejshme, ai po mbahet i arrestuar edhe sot, por këtë herë nga shteti për të cilin ai veproi gjithë jetën.

Duhet të ndalen arrestimet dhe mbajtjet e padrejta nëpër burgje të Kosovës, arrestime me prapavijë politike. Nuk duhen përsëritur veprimet e regjimeve të mëhershme, por duhen mbrojtur interesat e qytetarit, e të lartësohen mundi dhe veprimtaria e gjeneratës së Ukshin Hotit.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 18 shkurt 2018

Kontribo

16 02 2018

Takim me një delegacion austriak

Sot pasdite, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari, Albin Kurti, dhe Deputetja, Arbërie Nagavci, u takuan me delegacionin austriak të përbërë nga Deputeti në Parlamentin Evropian z. Lukas Mandel, Deputetja znj. Carmen Jeitler Cincelli, ish zëvendëskryeministri i Republikës së Austrisë z. Erhard Busek, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler, dhe Ambasadori i Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike, ekonomike e sociale në vend si dhe për të arriturat që ka shënuar Republika e Kosovës brenda këtij 10 vjeçari. Po ashtu, u përmendën edhe ngecjet dhe hapat që duhet të ndërmarrë Kosova në të ardhmen për t’u forcuar si shtet, me ekonomi të zhvilluar prodhuese, gjykata të pavarura efikase, administratë transparente profesionale, drejtësi sociale inkluzive dhe integrime të përshpejtuara euro-atlantike.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë në realizimin e interesave të përbashkëta si dhe thellimit të bashkëpunimit, si atij bilateral po ashtu edhe nëpërmjet Bashkimit Evropian.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! falendëroi delegacionin austriak për ndihmën që shteti austriak i ka dhënë Kosovës e shqiptarëve si historikisht ashtu edhe në kohërat e reja para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Kontribo

16 02 2018

MASHTRIMI NUK KALON!

Sot, pasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi opinionin publik lidhur me deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga ai dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së saj.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme sepse e padrejtë dhe mashtruese.

1. Teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeninë dhe diskutimin në institucionet e Kosovës. Shteti i pavarur i Kosovës është Republikë Parlamentare.
2. Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit 2015 nënshkruar në Vjenë. Janë 205 mijë nënshkrime në Peticionin qytetar të vjeshtës së vitit 2015 në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje më 9 janar dhe 17 shkurt 2016, duke dëshmuar vullnetin popullor.
3. Rezultatet e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi janë shpërfillur tërësisht nga kjo Deklaratë. Komisioni Bulliqi theksonte, midis të tjerash, se Marrëveshja e nënshkruar në 26 gusht 2015, për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi nuk është marrëveshje për shënjimin e kufirit, por është marrëveshje për përcaktimin e kufirit, përkatësisht për ndryshimin e tij në një kufi të ri, jashtë çdo kompetence.
4. Pas ratifikimit, në këtë deklaratë, thuhet se do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare. Kësisoj, pranohet që demarkacioni nuk ka qenë i tillë (shënjim kufiri) por delimitim (kufi i ri) i cili do të ketë nevojë për shënjim të ri.
5. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale”. Pra, do të ketë identifikim e adresim të mosmarrëveshjeve pa garanci për zgjidhje të tyre.
6. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”. Pra, pranohet që Çakorri dhe Kulla e Zhlepit nuk do të jenë pika kufitare dhe po ashtu nuk përmendet pellgu i lumit Bjelluha.
7. Deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Psh. në versionin shqip mungon pika 6 e cila duke nënvizuar arsyet objektive që kanë pamundësuar nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes i legjitimon të gjitha veprimet e ndërmarra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA për Kosovën në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje.

Deklarata Thaçi – Vujanoviq është mashtrim. Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi. Ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në BE dhe NATO.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet urgjentisht të formojë Komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për këtë inciativë.

Kontribo

15 02 2018

10 vjet stagnime, pak të arritura

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur konferencën për media me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me ç’rast deputeti i Parlamentit Rexhep Selimi foli për të arriturat dhe stagnimet e shtetit të Kosovës përgjatë këtyre 10 vjetve.

Selimi tha se Kosova këtë 10 vjetor po e feston me njohjen e rreth 115 vende të cilat kanë ardhur kryesisht në 2 vitet e para pas shpalljes së Pavrësisë. “Në këtë 10 vjetor kemi rreth 15 vende të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, nuk po them rastësisht rreth 115 për shkak se jo rrallë herë është munduar ose është spekuluar me këta numra, sido që të jëtë kjo është një ndër arritjet e Republikës së Kosovës në këtë 10 vjecar” tha z.Selimi

“Në mungesë të arritjeve të tjera, si arritje kryesore duhet t’i përmendim medaljet e arta të Majlinda Kelmendit”, u shpreh ndër të tjera deputeti Selimi.

Po çfarë Kosova nuk bëri ose çfarë bëri gabim këto 10 vite është një listë më e gjatë sesa ajo e arritjeve.

Kosova në vend të përparimeve pati shumë stagnime. Ngecja e parë filloi atëherë kur pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u rihapen negociatat me Serbinë dhe meqenëse Kosova ishte shpallur shtet i pavarur, sovran dhe demokratik këto negociata e kanë kontestuar pavarësinë. Si pasojë e bisedimeve me Serbinë janë arritur shumë marrëveshje dhe kësisoj, kemi ndarjen e Kosovës në baza etnike, ndarjen e Mitrovicës edhe zyrtarisht në Komunat veri dhe jug, kemi pasur edhe ndarjen e Policisë së Kosovës në baza etnike, kemi pasur pastaj një rënia drastike të dinamikes së njohjeve të Pavarësisë së Kosovës e të gjitha këto i solli rifillimi i negociatave me Serbinë.

Paralisht me këtë, jatë këtyre viteve ka ndodhur edhe një keqqeverisje, e cila ka shkaktuar korrupsion edhe krim të organizuar në Kosovë, pastaj kemi një rritje të papunësisë në shkallë alarmante, kemi shumë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, siç janë marrëveshja për “Zajednicën” dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të cilat janë shumë të dëmshme për shtetin tonë.

Në fushën e dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës gjatë këtyre 10 viteve gjithsesi është edhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së, ndërsa në rrugën e integrimeve europiane Kosova ka stagnuar dhe nuk ka arritur të bëjë as hapin e vetëm drejt këtyre integrimeve.

Kosova dështoi edhe në antarësimin në UNESCO edhe në INTERPOL e mbi të gjitha kemi dështuar ta bëjmë ushtrinë e Kosovës edhe pas 10 vjetëve shtet jemi pa garantuesin e sovranitetit, ushtrinë e saj. Gjithashtu, mbesim vendi më i izoluar në Europë.

Pra pas gjithë këtyre stagnimeve për gjatë këtyre 10 viteve qytetarët e Kosovës nuk kanë se çfarë të festojnë dhe me cka të krenohen pos me dështimet dhe keq qeverisjen e vendit.

Kontribo

13 02 2018

Kundër heqjes së flamurit kombëtar

Në mbrëmjen e datës 13 shkurt, pasi ra terri, me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, u angazhuan forca të shumta policore dhe njësi speciale për të hequr flamurin kombëtar shqiptar, i cili është ngritur me leje të rregullt nga Komuna e Prishtinës.

Arsyeja pse dhanë urdhër të hiqet flamuri kombëtar shqiptar i ngritur me leje, është që të ngrihet flamuri zyrtar i Kosovës, tek i cili nuk gjen as historinë tonë në përmbajtje dhe as demokracinë plebishitare në aprovim. Nuk zëvendësohet flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes me flamurin që për kritere dizajni kishte përjashtimin e të kuqes dhe të zezës.

Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku ngrihet siç parashikohet në ligj, po ashtu i ka vendet ku sipas protokollit ngrihet në raste festash. Por në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash.

Ky aksion i ndërmarrë natën, ka si qëllim ndërtimin e të ashtuquajturit identitet kosovar në kurriz të identitetit tonë kombëtar shqiptar. Pikërisht për këtë arsye u ndërmor në terr, e me prezencë të lartë policore. Por në Kosovë secili që është përpjekur të ulë flamurin shqiptar për të ngritur flamuj të tjerë, ka dështuar. Ne shqiptarët jemi shumicë absolute në Kosovë, dhe nuk do të vonojë koha kur do të arrijmë të vendosim vetë për veten tonë, gjithnjë duke i respektuar të drejtat e komuniteteve të ndryshme e minoriteteve që jetojnë mes nesh e me ne.

Heqja e flamurit kuqezi është e turpshme, edhe pse faqet e atyre që japin e zbatojnë urdhra të tillë ka kohë që nuk skuqen. Është e turpshme, sepse flamuri kombëtar nuk e konteston pavarësinë e as sovranitetin e Kosovës. Te rrethi në Prishtinë Kosova ka sovranitet, nuk ka nevojë për aksione policore e në terr në atë vend. Po të ishte se shqetësohen për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës qeveritarët, atëherë do të kërkonin ngritjen e flamurit në veri të Kosovës apo në enklavat që i kanë krijuar vetë, përmes decentralizimit etnik. Flamuri i Serbisë jo vetëm që po valon në Leposaviq, por edhe 5 km. larg rrethit të Prishtinës, në Graçanicë. Dhe jo thjesht në një hapësire publike, si rrethi, por në shtizën zyrtare të institucioneve komunale. Pavarësia e Kosovës kontestohet vetëm atje ku ngrihet e valon flamuri i Serbisë, i një vendi që pasi na mbajti afër një shekull nën pushtim mizor e shtypës, pasi na vrau e na preu me qëllim spastrimi, ende sot nuk na e njeh pavarësinë e nuk kërkon falje për krimet e bëra.

Ne e dimë se loja me flamujt po bëhet për të mbuluar dështimet katastrofale të kësaj qeverie e të qeverive paraardhëse, të cilat e kanë varfëruar Kosovën, ia kanë shkatërruar industritë përmes privatizimeve të egra, ia kanë vjedhur pasuritë nëntokësore përmes koncesioneve kriminale, ia kanë asgjësuar prodhimin vendor e bujqësinë përmes korporatave që importojnë nga Serbia. Janë këto qeveri që me korrupsionin e tyre e kanë izoluar Kosovën dhe na e kanë nxjerrë faqen e zezë në gjithë Evropën, ku mediat shkruajnë se ne qeverisemi nga kriminelë. Janë këta qeveritarë që e kanë çarmatosur UÇK-në e na kanë lënë pa ushtri, e kanë shitur idealin kombëtar e duan të na shkatërrojnë identitetin e historinë, gjithçka për të siguruar pushtetin e tyre. Asnjë lojë me flamur, natën apo ditën, nuk mund t’i mbulojë turpet e tyre.

Është krejt e gabueshme të tregohet fuqia e shtetësisë së Kosovës kundër flamurit kombëtar. Pavarësia erdhi si rezultat i sakrificës shekullore me flamurin kombëtar kundër shtetit serb.

E dënojmë heqjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe përpjekjen për ta fshirë shqiptarizmën nga faqja e Kosovës. Kërkojmë nga ata që e hoqën, ta kthejnë sa më shpejt flamurin kombëtar aty ku ishte më përpara. Mbetemi të përkushtuar e të angazhuar që popullit tonë sa më shpejt t’ia sigurojmë mundësinë që të vendosë vetë, demokratikisht, për shtetin e vet, që nga simbolet, flamuri e himni, e deri tek e drejta për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Kontribo

13 02 2018

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! takohet me presidentin slloven

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Kryetari, Albin Kurti, Nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca dhe Deputetja, Arbërie Nagavci, u takuan sot me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, i cili ishte i shoqëruar nga Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Iztok Mirošič, Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, Shefja e Kabinetit të Presidentit, Alja Brglez, si dhe këshilltarët, Ernest Petrič dhe Špela Vovk.

Në këtë takim miqësor u bisedua për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, të arriturat e shtetit të ri të Kosovës në vigjile të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, si dhe fushat në të cilat Kosova ka nevojë të koncentrojë përpjekjet për zhvillim.

Theks i veçantë ju dha edhe gjendjes e raporteve në rajonin e Ballkanit perëndimor, si dhe bashkëpunimit të ndërsjellë politik e ekonomik dhe integrimit të rajonit në struktura euro-atlantike. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Sllovenisë u cilësuan si shumë të mira dhe nga të dy palët u shpreh besimi se këto marrëdhënie mund e duhet të avansohen edhe më shumë.

Kontribo

11 02 2018

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti mbledhjen e XXXII të Këshillit të Përgjithshëm.

Para delegatëve të Këshillit, kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, mbajti fjalën hyrëse. Në këtë mbledhje Sekretariati për Financa raportoi për të hyrat dhe shpenzimet e Lëvizjes përgjatë tre mujorit të kaluar. Poashtu ushtruesi i detyrës së Sekretarit Organizativ, Ismajl Kurteshi, bëri një raportim lidhur me gjendjen organizative në Sekretaritat të Përgjithshëm dhe në Qendrat e Lëvizjes duke treguar kështu për hapat e ndërmarrë dhe ndryshimet e bëra në përgjithësi.

Këshilli i Përgjithshëm poashtu mori vendim për praninimin e dorëheqjeve nga Kryesia e Lëvizjes, dhe bëri plotësimin me 5 anëtarë të rinj që u votuan sot në mesin e 13 propozimeve për kandidatë.

Pesë anetarët e rinj, prej të cilëve 3 gra e 2 burra, të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të zgjedhur përmes votimit të fshehtë , me shumicë votash në mesin e 13 propozimeve janë:

Mytaher Haskuka
Fitore Pacolli
Arben Vitia
Vlora Haxhimehmedi
Tinka Kurti

Kontribo

09 02 2018

Ministria e Drejtësisë dhe KGJK ta respektojë vullnetin e Kuvendit

Lëvizja VETËVENDOSJE!, përshëndet votimin e rekomandimeve nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktivistët që padrejtësisht po mbahen në burg dhe janë dënuar me mbi 21 vjet padrejtësisht e politikisht, pa asnjë fakt dhe vetëm në bazë të indicieve dhe paragjykimeve e insinuatave.

Kërkesa për debat parlamentar, debati dhe votimi i rekomandimeve, janë në përputhje të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit e po ashtu me praktikat parlamentare. Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë, që të respektojë vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës pra të mos ndërhyjë në punën e Kuvendit por t’i kryejë me përgjegjësi detyrat që ia ngarkon ligji dhe Kushtetuta.

Ne e thërrasim Këshillin Gjyqësor të Kosovës që me seriozitet e përkushtim të kryejë mandatin e tij kushtetues. I njëjti në vend të reagimeve të pabaza, do të duhej të mos lejonte degradimin e sistemit të drejtësisë, si pasojë e së cilit, aktivistëve politik u montohen raste kriminale.

Sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, Këshilli Gjyqësor e ka për detyrë të kujdeset që palëve në procedurë të mos u shkilen të drejtat dhe duhet të kujdeset që gjyqtarët të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe jo të dënojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të bindjeve të tyre politike. Aktgjykimi i cili i shpallë aktivistët tanë terroristë, duhet të jetë alarmi i fundit për zgjim të këtij institucioni.

KGJK të angazhohet për ngritjen profesionale të gjyqtarëve, për pavarësimin e gjyqësori nga kapja totale nga politika, për pastrimin e gjyqësorit nga elementët e kriminalizuar brenda gjyqësorit dhe rritjen e përgjegjësisë në gjyqësor si dhe respektimin e kushtetutës dhe të ligjeve ne fuqi.

Ndërsa MD të respektojë vendimet e Kuvendit, të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, si dhe të angazhohet sipas detyrimit kushtetues për krijimin e klimës për një shtet të mirëfilltë të së drejtës ligjore, si dhe për ligjshmërinë në Republikën e Kosovës.

Ne do të angazhohemi, ditëve në vijim, që rekomandimet e Kuvendit të jetësohen.

Në vijim gjeni rekomandimet e miratuara sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës

1.Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 4 Gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, përjashtuar rastin e Astrit Deharit që do të hetohet veçmas.

2. Të hetohen dhe të gjenden përgjegjësit në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës, të involvuar për inskenimin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht 2016 dhe për përndjekjen kriminale të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këtë rast.

3. Të hetohen dhe të merren në përgjegjësi ligjore të gjithë personat përgjegjës në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

07 02 2018

Strategjia e zgjerimit të BE-së: optimizëm në frymë dhe pesimiste në germë

Strategjia e Komisionit Evropian e titulluar “Një perspektivë e besueshme zgjerimi për rritjen e angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor” shërben për të kuptuar rrugën që po cakton BE-ja për integrimin evropian për secilin prej gjashtë shteve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia është dokument i rëndësishëm pasi që perspektiva për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila është trajtuar që në vitin 2000, dhe është përforcuar në vitin 2003 në Samitin e Selanikut, po rikthehet sërish në vëmendjen e BE-së.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka analizuar me kujdes këtë strategji e cila ka një qasje më të përgjithshme për rajonin, pasi pritet që raporti vlerësues për secilin prej gjashtë shteteve të bëhet në prill të këtij viti. Duke qenë se qasja e kësaj strategjie është rajonale, ia vlen që të vlerësohet së pari nga ky këndvështrim, duke patur në mendje avancimin e interesave tona shtetërore dhe kombëtare.

Në shkurt të vitit 2011, në prag të fillimit të dialogut me Serbinë qeveria e Kosovës, për të arsyetuar këtë dialog të dëmshëm për vendin pati deklaruar se rruga drejt integrimit evropian është përmes këtij dialogu. Tani pas shtatë viteve u kuptua se përmes dialogut pa kushte, përveç koncesioneve të dëmshme nuk pati hapa pozitivë për Kosovën drejt integrimit evropian. Përmes dialogut Kosova ia hapi rrugën Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa neve na u shtua fusnota e u hoq fjala Republikë, duke mos pasur kështu rrugë nëpër të cilën do të ecnim në cilësinë e shtetit.

Shumë zyrtarë të Republikës së Kosovës e paraqesin nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si përparim në rrugën e integrimit. Por duhet thënë qartë që sado që është për t’u vlerësuar ajo marrëveshje, edhe vende që nuk gjenden në kontinent apo që nuk duan të hyjnë në BE kanë tashmë marrëveshje të tilla.

Te strategjia në të cilën përmendet normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë theksohet se “Kosova do të përfitoj nga një marrëveshje definitive për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, por nuk thuhet se çka do të përfitojmë. Nuk përmendet mundësia e anëtarësimit madje as mundësia për të aplikuar për statusin kandidat, edhe nëse arrihet marrëveshja. Por, në rastin e Serbisë, si kusht për integrim përmendet tre herë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, dhe atë me hapa konkretë që duhet të ndjekë.

Sërish në asnjë rast nuk shpjegohet çfarë nënkupton fjala “normalizim” marrëdhëniesh me Serbinë, dhe kërkohet vazhdim i dialogut pa asnjë objektiv të shprehur qartë lidhur me njohjen e pavarësisë që Serbia duhet të bëjë ndaj Republikës së Kosovës. Ndërkohë që ndaj Serbisë nuk vendoset ky kusht, ndaj Kosovës shtohet kushti i Gjykatës Speciale, një Gjykatë e paprecedentë në këto dy shekuj, që e kthen përmbys konceptin e drejtësisë. Kosova pra përmendet edhe dy herë të tjera, por për obligimet që ka në raport me Dhomat e specializuara (Gjykata Speciale).

Lëvizja VETËVENDOSJE! vlerëson se kjo strategji në një aspekt flet për një bashkëpunim më të ngushtë dhe unifikim të shumë sektorëve mes gjashtë shteteve të Ballkanit. Por në aspektin tjetër, strategjia i vendos këto shtete në një konkurrencë të pabarabartë me njëri-tjetrin, e cila i mbyll sytë para problemeve që ka shkaktuar e vazhdon të shkaktojë Serbia në rajon. Në strategji flitet për avancimin e përbashkët të të gjithë rajonit në procese si ai i Berlinit, në një bashkëpunim të gjithë rajonit sa i përket energjisë dhe transportit, në funksionalizimin e një Zone Rajonale Ekonomike, në forcimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, në një bashkëpunim rajonal në çështjet e migracionit, sigurisë, luftës kundër terrorizmit, etj. Të gjitha këto janë elemente që në pamje të parë të bëjnë të mendosh se Komisioni Evropian ka për synim integrimin në bllok të të gjashtë shteteve në BE. Por, duke lexuar strategjinë dhe duke ndjekur deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, bëhet e qartë për të gjithë se gjashtë shtetet e rajonit janë ndarë në 4 kategori.

Në kategorinë e parë BE-ja ka vendosur Serbinë dhe Malin e Zi, dhe për këto dy shtete Komisioni tregon se është i gatshëm të nisë të hapë dyert për anëtarësim të plotë që në vitin 2025.

Në kategorinë e dytë Komisioni ka vendosur Republikën e Shqipërisë dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Për këto dy shtete nuk ka data orientuese për anëtarësim të plotë, por mund të ketë rekomandim këtë vit për të qenë shtete kandidate.

Në kategorinë e tretë, strategjia ka vendosur Bosnje Hercegovinën, për të cilën jo vetëm nuk ka data orientuese për anëtarësim të plotë, por nuk i është dhënë as datë orientuese për të qenë shtet kandidat.

Në kategorinë e katërt dhe të fundit, BE-ja ka vendosur Kosovën, duke përdorur fusnotën që vazhdon ta trajtojë me ambiguitet shpalljen e pavarësisë tonë. Sa i takon Kosovës, strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal që diçka e tillë do të jetë e mundshme pa tejkaluar pengesat që Komisioni i quan pa të drejtë si “objektive”.

Pra në dy kategoritë e fundit që ka krijuar kjo strategji e Komisionit, janë vendosur dy shtetet që kanë pësuar e vazhdojnë të pësojnë padrejtësitë më të mëdha në rajon nga Serbia, përmes pengesave të Serbisë që nuk janë aspak objektive, por që janë plan konkret politik dhe ekonomik destabilizues i Serbisë për shtetet e rajonit. Sakaq, gjithnjë sipas kësaj strategjie, duket se Komisioni vlerëson se ky shtet destabilizues – Serbia – i prin integrimit evropian në Ballkan.

Kjo qasje e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është një sinjal shumë i qartë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ne duhet të ideojmë dhe strukturojmë një politikë të brendshme e rajonale, të Kosovës e të Shqipërisë, për të vendosur peshën që kemi dhe për të realizuar qëllimet ku duam të jemi, në Ballkanin Perëndimor e drejt BE-së.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka theksuar dhe më herët se duhet sa më parë të fillojë dialogu me të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë, që do të jetë edhe dialog me serbët e Kosovës, dialog i hapur, demokratik dhe shoqëror, prej poshtë-lart, për zhvillim. Dialogu 2011-2017 me Serbinë ishte dialog i mbyllur e diplomatik, prej lart-poshtë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Përmes këtij dialogu të gjithë do të shihen si qytetarë të Republikës, në profesionet që i kanë e shtresat shoqërore që u përkasin. Kështu ndërtohet besimi dhe largohet frika e cila është mbjellë për të ndarë e përçarë. Pakicat kombëtare duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre sipas standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Por, shumica e problemeve në Republikën tonë janë ekonomike e sociale. Drejt BE-së përparojmë duke ndërtuar vlerat në shtetin tonë. Konsolidimi i brendshëm është edhe i duhur edhe i domosdoshëm. Qeveritarët e Kosovës duhet të pushojnë së kërkuari udhën drejt Brukselit nëpërmjet Vuçiqit e Beogradit.

Shtetndërtimi demokratik, zhvillimi ekonomik për punësim, drejtësia ligjore dhe sociale e përbëjnë Republikën dhe e bëjnë atë evropiane.

Është e vërtetë që strategjia e BE-së njeh më në fund zyrtarisht kapjen e shtetit që ka ndodhur në rajon e veçanërisht në Kosovë. Duke treguar kështu për atë që e kemi quajtur regjim autoritar të instaluar në Kosovë. Më tej strategjia prek edhe kapjen e sistemit të drejtësisë dhe të mediave, si dhe krimin e organizuar e korrupsionin, dhe dobësimin e interesave publike përmes kapjes nga interesat private, që janë krijuar sigurisht përmes lidhjes së pushtetit politik më atë ekonomik oligarkik.

Ndërsa sa i përket ekonomisë, mund të thuhet se kjo strategji e sheh rajonin në përgjithësi, e shqiptarët dhe Kosovën në veçanti, më shumë si treg konsumi prej 18 milionë konsumatorësh, sesa si ekonomi prodhuese. Bilanci negativ tregtar i rajonit me BE-në bëhet ekstrem tek rasti i Kosovës, aty raporti bëhet 12 (importe) me 1 (eksporte). Një bilanc kaq negativ tregtar jo vetëm që e shkatërron potencialin e ekonomisë prodhuese vendase, por edhe e thellon këtë problem nëse nuk parashihen masa mbrojtëse për prodhimin vendas të Kosovës, duke rritur kështu edhe më tëj papunësinë tek të gjitha shtresat e shoqërisë. Për më shumë, nënteksti i kësaj strategjie në lidhje me vazhdimin e proceseve të privatizimit, nuk merr aspak parasysh nevojën për hetimin dhe marrjen e masave ndaj privatizimeve abuzive që tashmë kanë ndodhur në Kosovë e në gjithë rajonin. Por, në sektorë të tjerë, ia vlen të përmendet se rritja e asistencës financiare që nënkupton kjo strategji për shëndetësinë, arsimin dhe mbrojtjen sociale, duhet konsideruar me optimizëm dhe duhet vlerësuar në bazë të zbërthimit të kësaj asistence për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit sipas nevojave prioritare të secilit shtet.

Për fund, ia vlen gjithashtu të përmendet se propozimi për përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në komitetet teknike dhe grupet e punës së Komisionit Evropian është një hap pozitiv për gjithë rajonin.

7 shkurt 2018,
Lëvizja VETEVENDOSJE!

Kontribo

06 02 2018

Ambasadori Ruairi O’Connell pritet në takim në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, sot, kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, pritën në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike e institucionale. Kurti e Konjufca e njoftuan ambasadorin O’Connell me qëndrimet dhe idetë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për daljen nga kriza në të cilën ndodhet Kosova. Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për reformën në drejtësi si parakusht për luftimin e suksesshëm të korrupsionit dhe krimit.

Të dy palët potencuan rëndësinë e marrëdhënieve sa më të mira e bashkëpunimit sa më të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe për kontakte e takime të vazhdueshme në të ardhmen.

Kontribo

05 02 2018

Nga takimi me shefen e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova

Sot, në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, takuan shefen e Zyres së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në institucionet e Kosovës, për gjendjen socio-ekonomike në vend dhe për sfidat e shtetndërtimit dhe integrimit. Kurti dhe Konjufca shprehën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s për shtet të së drejtës dhe vizion ekonomik të përqendruar në punësim. Të dy palët u pajtuan për rëndësinë e reformave për integrimin e Kosovës në BE gjë që do të rriste si rregullsinë dhe ligjëshmërinë, po ashtu edhe bashkëpunimin ekonomik e shoqëror.

Kontribo

04 02 2018

Konferencë për media

Lëvizja VETËVENDOSJE! nëpërmjet një konference ka ripërsëritur qëndrimin e saj për demarkacionin si dhe ka mbështetur Raportin e hartuar nga Komisioni i ri qeveritar i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi. Në këtë konferencë në të cilën folën deputetët Ali Lajçi dhe Arbërie Nagavci, po ashtu u kërkua që personat e përfshirë në marrëveshjen e 26 gushtit 2015, të hetohen nga Prokuroria.

Duke qenë se raporti i hartuar nga Komisioni që udhëhiqet nga z. Bulliqi ka nxjerrë konkluzionin që thotë: “Si rezultat i të gjitha këtyre të gjeturave në punën e ish – Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Komisioni ynë konstaton se: vija kufitare në Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi (Vjenë, 26 gusht 2015), nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish – Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës “, marrëveshja e pretenduar për shënimin e vijës kufitare nuk duhej të vinte fare në Kuvend.

Ajo marrëveshje, përmbajtja e saj, personat e përfshirë në atë komision, si dhe përfaqësuesit politikë, pra nënshkruesit e asaj marrëveshjeje me 26 gusht 2016 në Vjenë aktualisht duhet të ishin para një procesi gjyqësor për cenimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Në këto kushte ne i bëjmë thirrje prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës që të nisë sa më parë hetimet për këtë rast tejet të rëndë dhe të paprecedentë.

Po ashtu i bëjmë thirrje Kryesisë së Kuvendit, anëtarëve të saj, veçanërisht atyre që vijnë nga ish – qeveria që jashtëligjshëm në të kaluar e kanë mbështetur marrëveshjen e 2015 të mos përfshihen më tej në këtë rast flagrant të cenimit territorial te Kosovës.

Komisioni Qeveritar i drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi ka dhënë material të mjaftueshëm për të vërtetuar shqetësimet e dyshimet e bazuara të qytetarëve anekënd Kosovës përgjatë vitit 2015-2016 si dhe deputeteve që e kundërshtuan atëbotë.

Po ashtu, është e pakuptueshme se si një kryeministër edhe pas konkluzioneve të këtij raporti e sjell ne Kuvend në vend se ta dorëzojë në Prokurori këtë raport dhe të gjeturat e tij.

Ne dhe njëherë përsërisim, ne jemi për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, shtet mik i Kosovës, por nuk jemi për të cenuar asnjë centimetër te territorit të vendit tonë.

Shënimet e sakta janë, vlerësimi i saktë po ashtu nga ekspertet ekziston, qeveria duhet të kryejë detyrën dhe te fillojë bisedimet me Malin e Zi për ta korrigjuar atë çfarë ka ndodhur.

Kontribo