08 03 2018

Vizitë nga Drejtori për Evropë të Fondacionit Westminster për Demokraci, z. George Kunnath

Sot në mëngjes, Drejtori për Evropë të Fondacionit Westminster për Demokraci, z. George Kunnath, i shoqëruar nga z.Fitim Mulolli, përfaqësues i Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë, vizituan Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku u pritën nga Kryetari, Albin Kurti dhe Deputetja, Fitore Pacolli.

Fillimisht, z. Kurti e njoftoi z. Kunnath për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend dhe theksoi se Kosovës i duhet një shtet zhvillimor për të ecur drejt integrimeve evropiane dhe mirëqenie shoqërore.

Në takim u bisedua për vazhdimin e realizimit të projekteve të filluar më herët në mes të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Fondacionit Westminster për Demokraci. Vëmendje e veçantë iu kushtua propozimeve të projekteve të radhës që do të fillojnë të realizohen në të ardhmen përmes të cilave do të thellohet bashkëpunimi në mes të Partisë Laburiste në Britani të Madhe dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! falendëroi Drejtorin Kunnath për vizitën dhe për bashkëpunimin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 03 2018

Mbi dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga Lëvizja

Morëm vesh, jo pa zhgënjim, dorëheqjen prej organizatës sonë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Ne e falënderojmë Shpend Ahmetin për kontributet në fitoret tona, dhe natyrisht që presim nga ai hiç më pak se realizimin e premtimeve që ka dhënë në emër të Lëvizjes, në 2013 por edhe në 2017. Mbështetjen e Lëvizjes besojmë se Shpendi e ka ndjerë në të gjitha betejat politike, por edhe në Asamblenë Komunale, si dhe nga aktivistët e angazhuar në drejtoritë me vështirësi e rrezikshmëri të lartë, por edhe në fushatë, ku qindra vullnetarë, deputetë, anëtarë të kryesisë e figura publike janë angazhuar që të krijojnë mbështetje për Shpend Ahmetin në çdo fshat e çdo lagje.

Fatkeqësisht Shpendi ka zgjedhur që megjithatë të mbaj anën e atyre personave që për mbi një vit e gjysëm punojnë brenda Lëvizjes, kundër Lëvizjes, persona të cilët në valën më të madhe të angazhimit për fushatë e për balotazh, e kalonin kohën nëpër takime informale për prapaskena, duke u marrë me thashetheme përçarëse e duke pritur të kryheshin zgjedhjet për të dhënë dorëheqjen.

Shpend Ahmeti ka qenë një prej figurave më të respektuara prej Lëvizjes, dhe kontributor i madh në disa rezultate të mira elektorale. Por, si të gjithë ne, edhe ai ka fituar nga Lëvizja më shumë se ç’i ka dhënë Lëvizjes, e këtë e ka pohuar edhe vetë, në jo pak fjalime publike.

Shpend Ahmeti ka patur të gjitha mundësitë që secilin shqetësim të vetin apo edhe kërkesë specifike ta sjellë në organet e Lëvizjes, në Kryesi e në Këshill të Përgjithshëm. Ai vazhdimisht ka gëzuar mirëkuptim dhe mbështetje për kërkesat e veta, apo për ndonjë dyshim në qëllime e metoda, siç po thotë vetëm tani, nëpërmjet mediave. Mirëpo, ai ka patur më shumë mungesa sesa pjesëmarrje në mbledhjet e Kryesisë që janë mbajtur pas zgjedhjeve lokale, duke treguar për Lëvizjen një interes më të ulët sesa para se të fitonte mandatin e dytë. Përvetësimi i privilegjeve duke u distancuar nga obligimet është apetit tejet afatshkurtër me dobishmëri jetëshkurtër.

Sakrificat, puna e palodhur e aktivistëve dhe vullnetarëve dhe buxheti i ndarë për zgjedhjet lokale në Prishtinë nuk ka qenë për ta patur kryetarin vetëm 100 ditë, por për katër vjet. Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku në fakt fituam. Kjo është gjendje e pazakontë dhe e padrejtë për votuesit, mbështetësit dhe aktivistët e Lëvizjes.

Megjithatë ne e dimë se Lëvizja ka kaluar sfida më të mëdha se kjo, dhe bashkë me mbështetjen e qytetarëve Lëvizja do t’i prijë ndryshimeve të domosdoshme e të shumëpritura në Kosovë. Goditjet mbi Lëvizjen nuk i ndihmojnë Kosovës por as nuk e zmbrapsin Lëvizjen në përballjen me regjimin. Ne kalitemi nëpër sfida. Dhe, fitojmë. Dhe, do të fitojmë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 03 2018

Sërish vjen marsi – çdo ditë është 8 Marsi

Aktivistet dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 8 mars në ditën ndërkombëtare të gruas, kanë zhvilluar një aksion simbolik duke shkruar tri parulla afër godinës së Qeverisë së Kosovës. Në mure u shkruan këto parulla.
 
SËRISH VJEN MARSI 
ÇDO DITË ËSHTË 8 MARSI
 
BURRAT NËN HIJE,
LOZIN, KUVENDOJNË,
PIKA QË S’U BIE,
SE NGA GRATË RROJNË!
 
PAVARËSIA NUK MJAFTON
BUKË DHE TRËNDAFILA
 
Pas shkrimit të këtyre tri parrullave aktivistja Albana Gashi u prononcua për media. Më poshtë fjala e saj:
 
Të jesh grua në Kosovë është barrë e rëndë. Të jesh grua e varfër në Kosovë është rraskapitëse. Sfera private nuk do të duhej të përbente alibi për ta legjitimuar shdërrimin e njeriut në objekt. Sfera private ku funksionon familja nuk e bën pronë private njeriun, pra as gruan. Askush s’ka të drejta më shumë mbi asnjë grua, perveç vetes së saj. 
Mbyllja brenda shtëpise sot nuk është vetëm si burim i një shoqerie që nuk po shpëton dot nga e kaluara e saj por edhe një problem themelor i modelit ekonomik e institucional që i është imponuar Kosoves dhe që mirëmbahet nga konjuktura e pushtetit. Privatizimi i ndërrmarrjeve të prodhimit dhe korrupsioni që buron prej këtij procesi si dhe kapje e shtetit i kanë pakësuar me së shumti vendet e punës për gratë. Modeli neoliberal ku gjithcka shitet tepër lirë dhe shpejt ka reduktuar ne minimum pjesëmarrjen e gruas në jetën e punës dhe angazhimit ekonomik.
 
Ne sot, në Ditën ndërkombëtare të Gruas e shohim ashtu siç edhe ka nisur. Kjo ditë i takon grave punëtore. Tek ne gratë e punësuara janë pak. Sipas një raporti të publikuar së fundi janë vetëm 12 për qind të punësuara. Këtu natyrisht që flitet për diskriminim të madh, por kjo është edhe varfëri. Kjo vjen si pasokë e sistemit patriarkal por edhe për shkak të modelit ekonomik neoliberal. Papunësia në Kosovë është e lartë. Por fakti që papunësia është e lartë nuk do të thotë se gratë po rrijnë si në pushim. Jo, ato i mbulojnë shumicën e punëve në shtëpi dhe organizimin e jetës. Ta organizosh jetën derisa të mungojnë mjetet e jetesës është punë e rëndë. E në Kosovë mungojnë sepse Kosova është e zhytur thellë në varfëri.
 
Marsi pra, për ne është dita e gruas së varfër, e gruas rome, e gruas së privuar nga arsimi, e lypëses, e të papunës, e të abuzuarës, asaj që shfrytëzohet, asaj që paragjykohet. 8 Marsi është i të gjitha atyre grave të përjashtuara nga të gjitha të drejtat e garantuara.
Prandaj jemi këtu të themi që ligji nuk mjaton, pavarësia nuk mjafton, përfaqësimi nuk mjafton, na duhet pjesëmarrja dhe pjesëmarrje e madhe. Na duhet barazi. Na duhet drejtësi.
 
Ligji na i garanton të drejtat, me ligj mbrohemi prej dhunës por gjendja nuk po ndryshon. 
Vetëm 12% e grave në moshe pune janë të punësuara.
Vetëm 12% e pronave janë në pronësi të grave.
As 10% e bizneseve nuk udhëhiqen nga gratë.
Vetëm 3% e kredive të bizneseve u jepen grave.
40% e grave të punësuara janë në sektorin e shëndetësisë e arsimit ku janë pagat më të ulëta.
Mbi 40% e grave përjetojnë dhunë në familje.
Vetëm 19% të të gjithë përfituesve të subvencioneve janë gra.
74% e njerëzve në Kosovë besojnë se gratë i kanë fajet për ngacmimet seksuale.
64.1% e grave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual.
1200 raste të dhunës në familje janë raportuar në 2017.
5 gra janë vrarë që nga viti 2016 nga dhuna e ushtruar në familje.
 
Këto shifra na bëjnë të lëvizim. Të çohemi për veten, për njëra – tjetrën dhe për një jetë më të mirë për gjithsecilin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 03 2018

“Debat parlamentar lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lart (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.”

Grupi Parlamentar i Lëvizja VETËVENDOSJE!, nëpërmjet deputetës sonë Arbërie Nagavci ka kërkuar Seancë të jashtëzakonshme me temën:

“Debat parlamentar lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lart (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.”

Ndër masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje me Agjencinë e Akreditimit propozojmë:

1. Brenda afatit të ankimimit prej nëntëdhjetë ditëve, të ndërmirren të gjitha veprimet e duhura për të kthyer AKA-në në EQAR.

2. Të kryhen të gjitha obligimet ligjore të ministrisë, në radhë të parë raportimi në Kuvend për shkarkimin e ish KSHC të AKA-së sipas nenit 7, pika 5 e LAL në Kosovë, ku parashihet se: “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet ti raportojë këtë Kuvendit”, raportim që nuk është bërë asnjëherë përkundër kërkesës sonë të vazhdueshme.

3. Të njoftohet Kuvendi dhe gjitha palët e interesuara se pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditimi, në mesin e të cilëve kishte edhe anëtarët ndërkombëtar, ekspertë të arsimit të lartë, që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar? Të na tregoni se a ka pasur një hulumtim dhe analizë të punës dhe performancës së KSHC së AKA-së? Nëse po nga kush, cilat janë gjetjet, gjegjësisht shkeljet apo parregullsitë e supozuara, çfarë është ndërmarrë apo do të ndërmirret për t’i përmirësuar këto parregullsi dhe pse këto nuk janë bërë publike?

4. Të tërhiqet pika e planifikuar për seancën e kaluar për Ratifikimin e Anëtarëve të KSHC-së dhe e njejta të risillet në rend të ditës pas marrjes së të gjitha masave që garantojnë një proces krejtësisht të besueshëm, profesional, konstruktiv e me transparencë të plotë, që reflekton me propozimi të anëtarëve të rinj të KSHC–së që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht, të liruar nga konflikti i interesit e me integritet personal. Kjo duhet të bëhet sa më parë në mënyrë që të funksionalizohet puna e AKA-së.

5. Të inicohen ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 03 2018

MARShojmë, S’festojmë – Mbështetje e marshit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet marshin protestues të organizuar nga Kolektivi “MARShojmë, S’festojmë” që do të mbahet të enjtën më 8 mars në orën 12:00 me fillim në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë, mbështetësve e qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij marshi i cili do të na mbledhë nën thirrjet për barazi.

Angazhimi për barazi shoqërore është i domosdoshëm dhe i paalternativë. Me gjendjen aktuale as nuk pajtohemi e as nuk bën të përshtatemi.

Përveç vetë grave e vajzave në vendin tonë, edhe shumë prej organizatave për të drejtat e grave që prej pas luftës janë duke u sfiduar me pengesa të mëdha institucionale e sigurisht dhe mospërkrahje në kauzat që kanë ngritur.

Përkrahja e organizatave dhe aktivisteve është jo vetëm detyrë por na takon si organizatë politike e subjekt parlamentar që t’i ndihmojmë atyre dhe kauzës së tyre derisa të bëhet kauzë e të gjithëve.

Ne po ashtu, pajtohemi se niveli i përjashtimit të grave është aq i madh sa ka arsye për grevë, protestë e çfarëdo rezistence që mund të organizohet.

Shifrat diskriminuese janë ftesë që të veprojmë. Sa më shpejt, qysh nesër.

Andaj edhe njëherë bëjmë thirrje që së bashku nesër të marrim pjesë në këtë marshin “MARShojmë, S’festojmë”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 03 2018

131 vite nga hapja e shkollës shqipe

Nga mësues të përndjekur, që me ngulm dhe përkushtim të pakusht jepnin kontributin e tyre edhe në kohë të vështira të pushtimit, këtu e 131 vjet më parë, merr hov krijimi i mësonjëtoreve të para shqipe, për t’u konkretizuar kësisoj në mësues të vërtetë, të cilët vetëmohimin e kishin tiparin më të fortë, e ndërgjegjësimin kombëtar motiv parësor. Kështu, më 7 mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, me Pandeli Sotirin mësues dhe drejtues, si një prelud, po aq sa edhe nevojë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe shpalosje e hapur e vizionit për përparim shoqëror e kombëtar përmes edukimit dhe dijës.

7 Marsi, shënjon ndërgjegjësimin kombëtar dhe kështu bëri të mundur kapërcimin e mësimnxënies dhe mësimdhënies së gjuhës shqipe nga mbajtja gjallë në zhvillimin e kultivimin e saj, e përmes saj të progresit shoqëror e politik të kombit shqiptar përgjatë historisë.

Padyshim se arsimimi dhe shkolla si institucion janë një nga shtyllat e kombit dhe të Republikës. Kështu ka qenë kudo dhe kurdo, paçka edhe e ndaluar dhe e shtypur gjatë okupimit. Arsimimi gjithnjë, e veçmas për shqiptarët ka tërhequr paralelisht dy veçori. Në njërën anë, ndërgjegjësimi politik e kombëtar për të drejtat politike ka filluar dhe është paraprirë pikërisht nga shkolla dhe arsimdashësit, dhe së dyti, ka qenë pika nevralgjike e popullit që ka tërhequr politikat shtypëse e diskriminuese gjatë okupimit të regjimit të Milosheviqit. Përjashtimi nga shkollat dhe Universiteti të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, ishin ndër veprimet e para dhe më brutale të këtij regjimi gjatë viteve të 90-ta, si goditje për të shtypur vullnetin dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Qytetarët kanë të drejtë për dije dhe shkencë, ndërsa shoqëria dhe shteti kanë nevojë për sistem të arsimit cilësor që përkon si me resurset e Republikës për zhvillim, ashtu edhe me pritshmëritë legjitime të qytetarëve për mirëqenie brenda vendit. Por, tregimi që dijmë dhe përvoja që kemi njohur gjatë këtyre nëntëmbëdhjetë viteve pas çlirimit e dhjetë vjet pavarësi, është modeli i degradimit të sistemit të arsimit që nuk prodhon as dije për zhvillim e as lidhje të tij me ekonominë.

Me tekste shkollore jocilësore, jokoherente dhe pa ndërlidhje me nevojat dhe potencialin shoqëror e ekonomik, mbështetje të pamjaftueshme nga shteti, ku shkolla është e partizuar, drejtorët zgjedhen sipas përqindjeve të koalicioneve, pa investime në mjete të konkretizimit apo laboratorë; ku mësimdhënësit nuk kanë sigurim mjekësor, sigurim invaliditeti etj; nuk mund të kemi arsimim cilësor, ajo çfarë kemi pashmangshëm është në fakt renditja në nivelet më të ulëta nga Testi PISA dhe përjashtim të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë. Ndërsa, mësimdhënësit e viteve të 90-ta në Kosovë për shumë vite janë nëpërkëmbur, kontributi i të cilëve asnjëherë nuk është njohur mirëfilltazi.

Trajektorja e arsimimit dhe edukimit shqip do të mbarte në vete sfida e vështirësi të mëdha, e megjithatë, asnjë e tillë nuk do të arrinte të ndalonte vullnetin e madh të mësuesve, të cilët domosdoshmërinë për të shpërndarë dije ndër breza e kishin vënë mbi çdo rrezik a interes vetjak. Dhe janë pikërisht këta mësues, të cilët do të ishin model për mësimdhënës të shumtë përgjatë viteve, në kohë lufte e paqeje, rruga e të cilëve do të përshkohej nga rreziqe e vështirësi, që do të tejkaloheshin në saje të vetëmohimit të tyre.

Megjithëkëtë, shkolla në Kosovë duhet rifituar rëndësinë e saj, tashmë jo të mbijetesës, por të prodhimit të shkencës e kompetencës së krahasueshme me shtetet e rajonit e më gjerë, që i shërben zhvillimit të shtetit, progresit e emancipimit shoqëror e kombëtar.

Pavarësisht sfidave e denigrimit të sistemit të arsimit, roli i mësimdhënësve mbetet thelbësor në përmirësimin e këtij kaosi të prodhuar këto vitet e fundit nga politikat e gabuara qeveritare. Por, duke uruar për një ditë kur arsimimi do të marrë vëmendjen e duhur e mësimdhënësit trajtim dinjitoz, urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 03 2018

Homazhe te 59 varret në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz

Sot, shumë aktivistë e anëtarë, anëtarë të kryesisë e deputetë të Lëvizjes, bënë homazhe te 59 varret në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz. Me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitoi familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat e Lulzim Jashari. Pas nderimeve, kryetari i VETËVENDOSJE-s, Albin Kurti tha:

Këtu në Prekaz, para dy dekadave, tre breza të Jasharajve u flijuan për të ardhmen dhe për neve. Nga Shabani e Zahidja që ishin 74 vjeçarë te Igballja 11 vjeç, Blerina 7 vjeç e Kushtrimi 13 vjeç.

Hamza e Ademi bashkë me Zarifen, Hidajeten, Adilen, Feriden dhe Selveten, luftuan dhe u sakrifikuan sepse e deshën lirinë dhe tokën më shumë se jetën.

Sakrifica e Jasharajve i dha hovin vendimtar luftës çlirimtare. Epopeja e UÇK-së e 5, 6 dhe 7 marsit ndodhi midis dy demonstratave shumë të fuqishme në Prishtinë, asaj me 2 mars 1998 dhe 9 mars 1998. E mbaj mend mirë se si aq masive ishte demonstrata e 9 marsit, dy ditë pas Epopesë, saqë edhe policia e Serbisë u frikësua të ndërhyjë. Atë ditë nëpër banesa në Prishtinë nuk kishte mbetur kush. Që të gjithë ishin në rrugë.

Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen dhe kështu e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë dhe e ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetëdijësuan ato. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë.

Jemi këtu në Prekazin heroik e historik. Historia nuk dorëzohet. Sepse ajo nuk ka pronar. Dhe, ajo reziston suksesshëm. Ato tri ditë ishin më shumë se 20 vjet. E, këto 20 vjet nuk duken as si tri ditë.

Lavdi Jasharajve dhe gjithë herojve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

04 03 2018

Privatizimi e rriti mungesën e energjisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka trajtuar problemin me mungesën e energjisë elektrike dhe faturat e papërballueshme për qytetarët. Në një konferencë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në të cilën folën deputetja Albulena Haxhiu dhe përfaqësuesi i Komitetit për Energjitikë Naim Hoxha treguan për reduktimet e ashpra të energjisë dhe u njoftua se do të kërkohet interpelancë qysh nesër në Kuvendin.

Deputetja Haxhiu tha se në vitin 2012, nga Qeveria Thaçi, humbëm një aset publik si pasojë e privatizimit. Rrjeti i Shpërndarjes dhe kompania publike në atë kohë KEDS u privatizuan me vetëm 26.3 milionë euro. Kontrata ishte nënshkruar pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të Lëvizjes. Aso kohe thuhej se do të ketë investime që do të garantojnë furnizimin me energji si dhe punëtorët e KEK-ut nuk do ta humbnin punën.

Gjashtë vite pas privatizimit orët e ndërprerjes së energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit nuk janë ulur, përkundrazi në periudhën e pikut orët e ndërprerjeve janë rritur.

Ulja e humbjeve teknike dhe komerciale nuk ka asnjë përmirësim përkundrazi raportimet zyrtare të Zyrës së Rregullatorit tregojnë për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte publike.

Fatura e mospagimit, vjedhjes së energjisë ende sot i shpërndahet paligjshmërisht çdo konsumatori që paguan në mënyrë të rregullt energjinë.

Komunat veriore ende nuk e paguajnë drejtpërdrejtë energjinë, atë KEDS i drejtuar nga Limak-Çalik ua faturon të gjithë shqiptarëve e të tjerëve në komuna të tjera të Kosovës.

Në këto 6 vite çmimi i energjisë elektrike sipas kërkesës së konsorciumit privat është rritur 4 herë nga Zyra e Rregullatorit. Kjo me arsyetimin fals të mbulimit të kostove nga defektet në gjenerimin e energjisë.

Situata lidhur me punëtorët dhe përjashtimet e tyre nga puna është tepër shqetësuese. Janë 95 punëtorë të larguar vjeshtën e vitit 2015 dhe, 75 të tjerë të larguar në maj të vitit 2016. 40 punëtorë janë larguar përmes presioneve e shantazheve për ta lënë vendin e punës dhe mbi 200 punëtorë të tjerë iu është komunikuar vendimi për largim. Çdo ditë në këtë konsorcium përgatiten taktika për t’iu shmangur kontratës dhe Ligjit të punës dhe për të demotivuar ata punëtorë që kanë kontrata të përhershme për t’i zëvendësuar më një numër më të vogël punëtorësh të rinj më të keqpaguar.

Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë. Përveç në Prishtinë, qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë në secilin qytet e fshat dhe në këto ditë të ftohta dimri kjo gjendje është e papërballueshme, Mungesa e energjisë elektrike më së shumti i prek familjet në kushte të vështira ekonomike dhe zonat e thella.

Me gjithë këto probleme, deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryra, dhe largimin e punëtorëve. Po ashtu ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mashtrimin dhe vendimin e paligjshëm të ZRRE-së, i cili shpenzimet e qytetarëve të Kosovës të nacionalitetit serb, ia faturonte qytetarëve të tjerë.

Andaj, qysh nesër, do ta dërgojmë kërkesën për interpelancë ndaj Kryeministrin Haradinaj, për të dhënë sqarime për ketë gjendje të rënduar.

Ndërkaq, prof. Naim Hoxha nga Komiteti për Energjitikë paraqiti hapat që duhen marrë për të dalë nga kjo situatë. Ai theksoi se në terma afat shkurtër duhet:

1. Të ngrihet niveli i vigjilencës dhe kujdestarisë në të gjitha strukturat e sistemit energjetik.

2. Apel dhe vetëdijësim qytetarëve në përdorimin e energjisë me qëllim kursimin.

3. Kontraktimi i importit të energjisë, si për shembull nga Shqipëria për të vendosur nën kontroll situatën.

Ndërsa në terma afatgjatë:

4. Inicimi sa më i shpejtë i rindërtimit të TC “Kosova A”,

5. Përshpejtimi i planit për remontin e TC “Kosova B”

6. Kontraktimi i energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhë më afatgjatë.

7. Stabilizimi i prodhimit të qymyrit – sanimi i ndërtimit të kundërligjshme në Shipitullë

8. Heqja dorë nga projekti më i shëmtuar i TC “Kosova e Re”. Po të ketë arsye për ndërtim të një Termocentrali të ri mbi bazën e linjitit tonë është nëse ai termocentral e prodhon energjinë më të lirë.

9. Të përpilohet sa më shpejt strategjia afatmesme dhe afatgjatë zhvillimore e Kosovës për t’i nxjerrë strategjitë të përkatëse të energjetikës.

10. Dizajnimi i Termocentralit të ri pas kësaj strategjie dhe kontraktimi i tij.

11. Përcjellja e rrjedhave në gjeneratorët alternative e posaçërisht të asaj elektrovoltaike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të paraqesë sërish në javët në vijim propozimet për ta adresuar këtë krizë energjitike të paralajmëruar nga specialistët e energjitike e edhe nga Komiteti e Grupi parlamentar i Lëvizjes prej disa vitesh.

4 mars 2018

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 03 2018

Shkelja e shprehjes së lirë në Kuvend

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në mënyrë arbitrare, me arrogancë dhe egërsi të pashembullt, i ka ndërprerë fjalën deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi pas një fjalie të vetme të thënë në foltore. Derisa deputeti Krasniqi ishte duke folur në foltoren e Kuvendit, në kohën e deklarimeve jashtë rendit ditës sipas radhës, pa paralajmërim, në kundërshtim me normat e Rregullores së Kuvendit, pa asnjë bazë ligjore dhe pa kurrfarë arsyetimi, Kadri Veseli i ka ndërprerë fjalën. Ky është veprim kundërkushtetues, i kundërligjshëm dhe i patolerueshëm.

Ky veprim i Kadri Veselit është një precedent që duhet të shërbejë si një sinjal dhe alarm i jashtëzakonshëm për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, për gjithë shoqërinë kosovare, për secilin qytetar të lirë të Republikës së Kosovës. Ky veprim përbën edhe një shembull më shumë të kapjes totale jo vetëm të institucioneve shtetërore, por tani edhe i të drejtës për mendimin, shprehjen dhe fjalën e lirë. Madje në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Kjo është shkelje serioze në kuptimin e plotë të fjalës.

Veprimi i tillë i pakontrolluar, arbitrar e i paarsyetuar i Kadri Veselit, përveç shkeljes normative të garantuar me Kushtetutë dhe Rregullores së Kuvendit, jo vetëm lë shumë për të dyshuar, por detyrimisht hapë shteg për shumë pyetje dhe në kuptimin politik. Çfarë është prapaskena e këtij veprimi kundërligjor e arbitrar? Cila është frika e vetë Kadri Veselit nga shprehja e lirë e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës? Pse Kadri Veseli sot reagoi si ta trajtonte Frashër Krasniqin ‘terrorist’. Deri ku mund të shkojë arbitrariteti dhe keqpërdorimi i pozitës së Kryetarit të Kuvendit? A mos e nënkupton kjo edhe kapjen e sistemit tonë gjyqësor nga Kadri Veseli që po ngritë raste të montuara politike kundër VETËVENDOSJE!-s?

Lëvizja VETËVENDOSJE! në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk pranon cenimin e fjalës dhe shprehjes së lirë në Republikën e Kosovës si e drejtë dhe liri e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si normë e arritur humane globale, nga asnjë person apo institucion, pa marrë parasysh hierarkinë, pozitën apo fuqinë keqpërdoruese. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk pranon dhe nuk lejon një krim të tillë, nuk lejon cenimin e thelbit të qenies njerëzore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 03 2018

Ndalni reduktimin e energjisë elektrike

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot në shenjë pakënaqësie me reduktimet e shpeshtuara të energjisë elektrike ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të KEDS-it. Aktivistja Arta Berisha e përshkroi situatën e rëndë të qytetarëve si pasojë e mungesës së energjisë. “Në këto ditë të ftohta dimri, qytetarët anëkend komunave të Kosovës po ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke ua vështirësuar kështu jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Kur sot në lagjet e Prishtinës, që është kryeqytet, dhe vetëm 3 minuta larg objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka ndërprerjë të energjise, mund ta marrë me mend secili prej nesh se çfarë reduktime ka nëpër fshatrat e komunave të tjera.

Qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme.

Ndonëse, mungesa energjisë është e shprehur kudo në Kosovë, vetëm në muajin e fundit është raportuar që komunat që kanë pasur më shumë ndërprerje të energjisë elektrike kanë prekur Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajin dhe Drenasin me fshatrat e tyre përreth.

Derisa KEDS raporton para ZRRE-së për uljen e humbjeve teknike çdo vit zgjidhjen me sa duket e ka gjetur duke reduktuar gjithnjë e më shumë orarin e furnizimit me energji për qytetarët e Kosovës. Në vend të investimeve të plota dhe të shtrira në të gjithë territorin pra dhe aty ku banojnë pak familje, KEDS po aplikon me sa duket një praktikë hicc më pak se abusive.

Kur e bën privatizimin arbitrar të KEDS-it na thanë se përveç të tjerave kjo po bëhet që të garantohet furnizim i pandërprerë me energji elektrike dhe se humbjet teknike e edhe ato komerciale do të reduktoheshin.

E kundërta po ndodh, po na rritet ccmimi i energjisë dhe orët e ndërprerjes me energji elektrike.

Qytetarët që 18 vite pas luftës nuk kanë pasur rastin asnjëherë të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike. Ky degradim konstant po bëhet në kurriz të më të varfërve dhe më të pambrojturve, siç janë banorët në fshatra e zona të thella.

Menaxhmenti i KEDS dhe politikanët që janë të lidhur me ta po i vjelin fitimet ndërsa ne reduktimet.

Ne bëjmë thirrje urgjente që KEDS-it dhe institucioneve përgjegjëse, që të zbatojnë masat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, dhe ta trajtojnë këtë gjendje të krijuar me seriozitet ashtu që sa më shpejt qytetarëve te ju sigurohet energjia elektrike në shtëpitë e tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 03 2018

Kryeministri të raportojë urgjent në Kuvend për përjashtimin e Agjencisë së Akredimit nga EQAR

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Agjencinë e Akreditimit. Lidhur me situatën e përkeqësuar në këtë institucion shumë të rëndësishëm dhe veprimet e papërgjeshmë qeveritare foli deputetja Arbërie Nagavci. Ajo njoftoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka iniciuar Seancë të Jashtëzakonshme parlamentare dhe po ashtu ka kërkuar në komisionin përktatës raportim urgjent të Ministrit të Arsimit dhe Teknologjisë.

Deputetja tha se vendimi për të përjashtuar Agjensinë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) mund të ketë pasoja të mëdha dhe të rënda për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Ky vendim i marrë me 27 shkurt vjen pas Vendimit të Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie, vendim ky i marrë me 25 shtator 2017, me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj.Është tërësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë për shkak të betejave partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit. Duhet të mos harrohet fakti se shkarkimi i Këshillit është bërë për arsye krejtësisht partiake dhe kjo është tashmë një praktikë e zakonshme në qeveritë e vendit. Si Këshilli që u shkarkua, ashtu dhe Këshilli ri i propozuar janë persona partiakë të emëruar për interesa të grupeve të ngushta. Beteja për pushtet e kontroll të arsimit të lartë publik e privat në mes të këtyre grupeve ka sjellë në këtë situatë. Agjencia e Akreditimit ka mbetur pa organe drejtuese për disa muaj dhe si rrjedhojë me institucione të arsimit të lartë të paakredituara, pra praktikisht të pakontrolluara sa i takon cilësisë.

Një element i rëndësishëm në marrjen e vendimit për përjashtimin e Agjencisë tonë të Akreditimit ka edhe ndikimi i letrës së Kryetarit të Këshillit të kaluar, tashmë i shkarkuar nga qeveria aktuale, Zot. Blerim Rexha, person po ashtu partiak, nga rradhët e PDK-së. Edhe ankuesi apo i shkarkuari vjen nga një eksperiencë e keqpërdorjes së Këshillit të Cilësisë. Ka jo pak raste kur ishin pezulluar akreditime të programeve, për t’i rikthyer të njëjtat brenda ditësh dhe javësh dhe poashtu regjistrime të studentëve përtej kuotave të caktuara. Përgjigja që erdhi nga Qeveria aktuale ndaj shkeljeve të këshillit të kaluar nuk ishte hetimi, shqyrtimi, vendosja para përgjegjësisë për këto shkelje, por shkarkimi i plotë i të gjithë anëtarëve, mungesa e plotë e transparencës dhe mos raportimi në Kuvend sipas përgjegjësisë ligjore si dhe propozimi i një grupi tjetër po aq partiak sa ky i shkarkuari. Kujdesi dhe masat ndaj veprimeve të Këshilit të cilësisë do të duhej të vinin shumë kohë më parë, dhe atë për akreditime të kundërligjshme dhe krim të organizuar, por situata erdhi ashtu që për inate personale dhe grupore, për direktiva partiake, të vendosen studentët tanë në rrezik të ballafaqimit me sfida të shumta rreth njohjes së diplomave të tyre.

Kjo që po ndodh është në fakt një betejë në mes të partive në pushtet për të favorizuar dhe kontrolluar bartësit e arsimit të lartë në vend. Me një qeveri të tillë të papërgjegjshme jo vetëm se nuk mund të pritet liberalizimi i vizave, por edhe ata apo ato studente që mund të gjejnë vetë mënyrën e financimit, të sigurojnë bursa për studime apo çfarëdo zhvillimi profesional jashtë vendit, do të kenë vështirësi të mëdha. Përgjegjësia është e institucioneve të vendit, në rradhë të parë e Qeveris së Kosovës , konkretisht Zot. Haradinaj e sigurisht edhe e Ministrit të Arsimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron si shumë shqetësuese përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe MASHT që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.
Masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje:

Duhet të përgatitet ankesa brenda afatit prej nëntëdhjetë ditëve, por paraprakisht duhet të kryhen të gjitha obligimet ligjore si raportimi në Kuvend, prezantimi i gjetjeve për punën e bordit të mëparshëm, transparencë e plotë dhe për më shumë propozimi i anëtarëve të rinj që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht e me integritet personal.
E pas kësaj duhen inicuar edhe ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Përndryshe, bazuar në papërgjegjësinë e plotë të institucioneve tona, është shumë e mundur që AKA të përjashtohet edhe nga Rrjeti i Agjensive për Sigurimin e Cilësisë që është edhe themeluesi kryesorë i Regjistrit. Ndaj Qeveria ta rikuperojë sa më parë këtë situatë ose Ministri Bytyqi nuk ka ccfarë bën më në postin që ia ka ndarë koalicioni qeverisës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Grupi parlamentar & Komiteti për Arsim dhe Shkencë

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 03 2018

Ndalni reduktimin e energjisë elektrike

Qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 02 2018

Pazar fjalësh që prapë na i humb 8.200 hektarë

Pas fjalëve të forta në seancën e së premtes në Kuvend, Kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me LDK-në për votimin e demarkacionit me Malin e Zi. E kanë shtuar fjalën “si orientim” për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë Raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë. Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar.

Brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi.

Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajn vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?

Duke qenë se Kryeminstri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët. Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë Kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht Kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare.

Ne nuk e mirëkuptojmë dhe as e kuptojmë zellin e askujt që shtyn një marrëveshje të tillë për vendin. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta kundërshtojë atë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 02 2018

Takim me përfaqësuesit e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë

Dje, në mbrëmje, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari, Albin Kurti, Nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, dhe Deputetja, Fitore Pacolli, u takuan me përfaqësuesit e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, kryesuar nga z. Carl Bildt, ish-Kryeministër dhe ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, z. Fredrik Wesslau, drejtor i Programit “Evropa e Zgjeruar”, znj. Vessela Tcherneva, Drejtore e Programeve, dhe, znj. Tania Lessenska.

Në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike dhe çështjen e marrëveshjes me Malin e Zi për demarkimin e kufirit. Kryetari Albin Kurti e njoftoi delegacionin me qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth marrëveshjes për ‘Demarkacionin’, por edhe për gjendjen socio-ekonomike në Kosovë dhe idetë e VETËVENDOSJE!-s për të dalur nga kriza e për ta nisur progresin.

Në takim u diskutua edhe për perspektivën e integrimit të Kosovë në BE si dhe për hapat që duhet ndërmarrë shteti ynë në këtë drejtim. Përveç tjerash, u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik e politik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për investimet ekonomike si dhe për situatën energjetike në vend.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 02 2018

Nënshkrimi i dyfishtë i Thaçit nuk e ka ndryshuar demarkacionin

Versioni i demarkacionit që u është sjellë deputetëve për votim nuk ka ndryshuar nga ai i Murat Mehës dhe as nuk po bëhet që të na i liberalizojë vizat. Ai është ende versioni i Murat Mehës. Për ta shpjeguar këtë dhe për të bërë thirrje për mosvotim të tij, në konferencë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dalur kryetari Albin Kurti dhe drejtuesi i grupit parlamentar Glauk Konjufca.

“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi po keqinterpretohet si çmim për liberalizimin e vizave. Mirëpo, ka aq shumë procedura të brendshme në Bashimin Evropian (BE) për liberalizim të vizave: Komisioni Evropian, pastaj Këshilli i Bashkimit Evropian, pastaj Parlamenti Evropian, pastaj ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm të vendeve anëtare. Pse gjithë kjo nguti e Thaçit dhe Haradinajt me demarkacionin? Liberalizimi nuk do të vie këtë të premte, as javën e ardhshme, as muajin e ardhshëm e as në stinën e ardhshme. Pse po nxitohen?”, tha Kurti gjatë fjalës së tij.

Ata nuk e kanë për liberalizim të vizave sepse nuk e kanë për qytetarët. Po ta kishin për qytetarët nuk do të pasuroheshin për vete e populli të ngelej gjithnjë e më i varfër, nuk do t’i jepnin pjesë të shtetit të Kosovës Serbisë e pjesë të territorit të Kosovës Malit të Zi. Po ta kishin për qytetarët nuk do t’i bënin 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra e mbi 70 zëvendës-ministra e nuk do t’ia dyfishonin pagat vetes. Jo, këta nuk e kanë për qytetarët, por e kanë për vete. E kanë për karrigat e tyre që po ju lëkunden e jo për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Gjithashtu Kurti theksoi se meqë janë dy kritere për liberalizim, atëherë duhet të merremi më shumë me kriterin e parë, që është luftimi i korrupsionit.

“Deklarata Thaçi-Vujanoviq nuk sjell gjë të rë. Thaçi e ka nënshkruar dy herë të njëjtën çështje dhe të njëjtën gjë. Prandaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Ky është ratifikim i delimitimit, pra i ndryshimit të kufirit, që ka bërë Komisioni i Murat Mehës”, tha Konjufca.

Konjufca si drejtues i Grupit Parlamentar sqaroi se deputetët e Lëvizjes përveç që nuk do ta votojnë nesër demarkacionin, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit ne do ta kundërshtojmë atë dhe porsa ta shohim mundësinë do ta pamundësojmë kuorumin.

Çfarë, duhet bërë është që së pari do të duhej që Prokuroria e shtetit ta hetonte ish Komisionin Meha duke u bazuar në të gjeturat e Komisionit Bulliqi. Së dyti, Kuvendi i Kosovës duhet ta diskutojë raportin vlerësues të Komisionit Bulliqi dhe ta themelojë një Komision Hetimor Parlamentar mbi Demarkacionin e këtillë, përkatësisht të hetohet marrëveshja e 26 gushtit 2015 në Vjenë dhe Deklarata e Presidentëve e 16 shkurtit 2018 në Podgoricë.

Ai shtoi se Qeveria nuk i ka numrat pa Listën Serbe. Kurse Lista Serbe po e kërkon ‘Zajednicën’ e Serbisë para se ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Pra, kjo Qeveri duhet t’i falë shtet Serbisë në mënyrë që t’i falë territor të Kosovës Malit të Zi. Qeveria e këtillë duhet të japë dorëheqje.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 02 2018

Të zbatohen kërkesat e miratuara në Kuvend lidhur me 4 aktivistët e dënuar padrejtësisht

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti konferencë në lidhje me rastin e dënimit padrejtësisht të katër aktivistëve për sulmin në Kuvend. Nëpërmjet kësaj konference në të cilën folën deputetët Arbëri Nagavci dhe Liburn Aliu, edhe një herë kërkuam zbatimin e kërkesave të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nagavci kërkoi qe në seanca e 22 shkurtit e Gjykatës së Apelit, që mbahet për gjykimin e aktivistëve të jetë mundësi edhe e korrigjimit të dënimit të padrejtë dhe politik ndaj po këtyre aktivistëve. Gjithashtu, ajo foli edhe për kërkesat e miratuara nga Kuvendi i Kosovës e që duhet të zbatohen menjëherë nga institucionet përgjegjëse dhe të cilat janë.


1. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, përjashtuar rastin e Astrit Deharit që do të hetohet veçmas.


2. Të hetohen dhe të gjenden përgjegjësit në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës, të përfshirë për inskenimin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht 2016 dhe për përndjekjen kriminale të aktivistëve të LVV për këtë rast.


3. Të hetohen dhe të merren në përgjegjësi ligjore të gjithë personat përgjegjës në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve të LVV dhe vdekjen e Astrit Deharit.


Ndërkaq deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Liburn Aliu i cili foli edhe për personat përgjegjës që do të duhej të përfshiheshin në hetim dhe që kanë qenë të lidhur kyq në këtë rast.

”Nuk mund të ketë hetim nëse paraprakisht nuk kemi edhe shkarkim të personave përgjegjës në mënyrë që hetimi të jetë i rregullt”, shtoi deputeti Aliu.

Tre aktivistët Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti po mbahen në burg që prej 17 nëntorit të vitit 2017, kurse me ta është dënuar edhe aktivistja Adea Batusha. Ky dënim ka ardhur pasi kishin mbajtur më shumë se 1 vit arrest shtëpiak e paraburgim. Kjo histori e padrejtë e nisur në fundgushtin e vitit 2016 duhet të korrigjohet më 22 shkurt 2018.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 02 2018

Të lirohet nga paraburgimi Sadri Ramabaja

Një shtet i pavarur është një shtet me drejtësi funksionale. Ndërsa atij shteti ku gjykatat janë të varura prej sundimtarëve, i duhet ende punë për t’u bërë i pavarur.

Kërkojmë drejtësi për rastin gjyqësor ndaj Sadri Ramabajës, mu tash, gjatë festimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, që t’ia përkujtojmë institucioneve dhe qytetarëve se puna dhe mundi për vetëvendosje dhe shtetndërtim të Kosovës ende s’ka përfunduar.

Sot, 10 vite pas shpalljes së pavarësisë ende kemi të burgosur politikë. Ata janë të rinj të pafajshëm, të burgosur dhe të vrarë, në burgje të Kosovës, për bindjet e tyre politike. Po ata janë edhe intelektualë e veprimtarë të kahmotshëm, si Sadri Ramabaja, i cili ka punuar për Kosovën që nga vitet e ‘80-ta. Sadri Ramabaja po mbahet në paraburgim prej gati pesë muajsh, nuk po nxirret para gjyqit që të ballafaqohet me drejtësinë. Paraburgimi i tij po zgjatet duke zëvendësuar dënimin, pikërisht sepse kundër tij nuk ka prova, por vetëm akuza të trilluara, pa bazë substanciale në të vërtetën. Mbyllja e Sadri Ramabajës në paraburgim duhet të marrë fund. Ai ishte asambleist i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe është ligjërues fakulteti. Burgimi i padrejtë e ndan nga ligjëratat dhe studentët e tij.

Sadri Ramabaja që në fillimet e veprimtarisë së tij ka shkruar gjithnjë duke pasur për qëllim atdhedashurinë. Puna e tij reflekton angazhim të pastër për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Për të njëjtat bindje që u arrestua dekada më parë nga regjimi serb, e me të njëjtat akuza të rrejshme, ai po mbahet i arrestuar edhe sot, por këtë herë nga shteti për të cilin ai veproi gjithë jetën.

Duhet të ndalen arrestimet dhe mbajtjet e padrejta nëpër burgje të Kosovës, arrestime me prapavijë politike. Nuk duhen përsëritur veprimet e regjimeve të mëhershme, por duhen mbrojtur interesat e qytetarit, e të lartësohen mundi dhe veprimtaria e gjeneratës së Ukshin Hotit.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 18 shkurt 2018

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 02 2018

Takim me një delegacion austriak

Sot pasdite, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari, Albin Kurti, dhe Deputetja, Arbërie Nagavci, u takuan me delegacionin austriak të përbërë nga Deputeti në Parlamentin Evropian z. Lukas Mandel, Deputetja znj. Carmen Jeitler Cincelli, ish zëvendëskryeministri i Republikës së Austrisë z. Erhard Busek, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler, dhe Ambasadori i Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike, ekonomike e sociale në vend si dhe për të arriturat që ka shënuar Republika e Kosovës brenda këtij 10 vjeçari. Po ashtu, u përmendën edhe ngecjet dhe hapat që duhet të ndërmarrë Kosova në të ardhmen për t’u forcuar si shtet, me ekonomi të zhvilluar prodhuese, gjykata të pavarura efikase, administratë transparente profesionale, drejtësi sociale inkluzive dhe integrime të përshpejtuara euro-atlantike.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë në realizimin e interesave të përbashkëta si dhe thellimit të bashkëpunimit, si atij bilateral po ashtu edhe nëpërmjet Bashkimit Evropian.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! falendëroi delegacionin austriak për ndihmën që shteti austriak i ka dhënë Kosovës e shqiptarëve si historikisht ashtu edhe në kohërat e reja para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 02 2018

MASHTRIMI NUK KALON!

Sot, pasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi opinionin publik lidhur me deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga ai dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së saj.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme sepse e padrejtë dhe mashtruese.

1. Teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeninë dhe diskutimin në institucionet e Kosovës. Shteti i pavarur i Kosovës është Republikë Parlamentare.
2. Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit 2015 nënshkruar në Vjenë. Janë 205 mijë nënshkrime në Peticionin qytetar të vjeshtës së vitit 2015 në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje më 9 janar dhe 17 shkurt 2016, duke dëshmuar vullnetin popullor.
3. Rezultatet e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi janë shpërfillur tërësisht nga kjo Deklaratë. Komisioni Bulliqi theksonte, midis të tjerash, se Marrëveshja e nënshkruar në 26 gusht 2015, për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi nuk është marrëveshje për shënjimin e kufirit, por është marrëveshje për përcaktimin e kufirit, përkatësisht për ndryshimin e tij në një kufi të ri, jashtë çdo kompetence.
4. Pas ratifikimit, në këtë deklaratë, thuhet se do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare. Kësisoj, pranohet që demarkacioni nuk ka qenë i tillë (shënjim kufiri) por delimitim (kufi i ri) i cili do të ketë nevojë për shënjim të ri.
5. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale”. Pra, do të ketë identifikim e adresim të mosmarrëveshjeve pa garanci për zgjidhje të tyre.
6. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”. Pra, pranohet që Çakorri dhe Kulla e Zhlepit nuk do të jenë pika kufitare dhe po ashtu nuk përmendet pellgu i lumit Bjelluha.
7. Deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Psh. në versionin shqip mungon pika 6 e cila duke nënvizuar arsyet objektive që kanë pamundësuar nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes i legjitimon të gjitha veprimet e ndërmarra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA për Kosovën në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje.

Deklarata Thaçi – Vujanoviq është mashtrim. Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi. Ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në BE dhe NATO.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet urgjentisht të formojë Komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për këtë inciativë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 02 2018

10 vjet stagnime, pak të arritura

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur konferencën për media me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me ç’rast deputeti i Parlamentit Rexhep Selimi foli për të arriturat dhe stagnimet e shtetit të Kosovës përgjatë këtyre 10 vjetve.

Selimi tha se Kosova këtë 10 vjetor po e feston me njohjen e rreth 115 vende të cilat kanë ardhur kryesisht në 2 vitet e para pas shpalljes së Pavrësisë. “Në këtë 10 vjetor kemi rreth 15 vende të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, nuk po them rastësisht rreth 115 për shkak se jo rrallë herë është munduar ose është spekuluar me këta numra, sido që të jëtë kjo është një ndër arritjet e Republikës së Kosovës në këtë 10 vjecar” tha z.Selimi

“Në mungesë të arritjeve të tjera, si arritje kryesore duhet t’i përmendim medaljet e arta të Majlinda Kelmendit”, u shpreh ndër të tjera deputeti Selimi.

Po çfarë Kosova nuk bëri ose çfarë bëri gabim këto 10 vite është një listë më e gjatë sesa ajo e arritjeve.

Kosova në vend të përparimeve pati shumë stagnime. Ngecja e parë filloi atëherë kur pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u rihapen negociatat me Serbinë dhe meqenëse Kosova ishte shpallur shtet i pavarur, sovran dhe demokratik këto negociata e kanë kontestuar pavarësinë. Si pasojë e bisedimeve me Serbinë janë arritur shumë marrëveshje dhe kësisoj, kemi ndarjen e Kosovës në baza etnike, ndarjen e Mitrovicës edhe zyrtarisht në Komunat veri dhe jug, kemi pasur edhe ndarjen e Policisë së Kosovës në baza etnike, kemi pasur pastaj një rënia drastike të dinamikes së njohjeve të Pavarësisë së Kosovës e të gjitha këto i solli rifillimi i negociatave me Serbinë.

Paralisht me këtë, jatë këtyre viteve ka ndodhur edhe një keqqeverisje, e cila ka shkaktuar korrupsion edhe krim të organizuar në Kosovë, pastaj kemi një rritje të papunësisë në shkallë alarmante, kemi shumë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, siç janë marrëveshja për “Zajednicën” dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të cilat janë shumë të dëmshme për shtetin tonë.

Në fushën e dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës gjatë këtyre 10 viteve gjithsesi është edhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së, ndërsa në rrugën e integrimeve europiane Kosova ka stagnuar dhe nuk ka arritur të bëjë as hapin e vetëm drejt këtyre integrimeve.

Kosova dështoi edhe në antarësimin në UNESCO edhe në INTERPOL e mbi të gjitha kemi dështuar ta bëjmë ushtrinë e Kosovës edhe pas 10 vjetëve shtet jemi pa garantuesin e sovranitetit, ushtrinë e saj. Gjithashtu, mbesim vendi më i izoluar në Europë.

Pra pas gjithë këtyre stagnimeve për gjatë këtyre 10 viteve qytetarët e Kosovës nuk kanë se çfarë të festojnë dhe me cka të krenohen pos me dështimet dhe keq qeverisjen e vendit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 02 2018

Kundër heqjes së flamurit kombëtar

Në mbrëmjen e datës 13 shkurt, pasi ra terri, me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, u angazhuan forca të shumta policore dhe njësi speciale për të hequr flamurin kombëtar shqiptar, i cili është ngritur me leje të rregullt nga Komuna e Prishtinës.

Arsyeja pse dhanë urdhër të hiqet flamuri kombëtar shqiptar i ngritur me leje, është që të ngrihet flamuri zyrtar i Kosovës, tek i cili nuk gjen as historinë tonë në përmbajtje dhe as demokracinë plebishitare në aprovim. Nuk zëvendësohet flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes me flamurin që për kritere dizajni kishte përjashtimin e të kuqes dhe të zezës.

Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku ngrihet siç parashikohet në ligj, po ashtu i ka vendet ku sipas protokollit ngrihet në raste festash. Por në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash.

Ky aksion i ndërmarrë natën, ka si qëllim ndërtimin e të ashtuquajturit identitet kosovar në kurriz të identitetit tonë kombëtar shqiptar. Pikërisht për këtë arsye u ndërmor në terr, e me prezencë të lartë policore. Por në Kosovë secili që është përpjekur të ulë flamurin shqiptar për të ngritur flamuj të tjerë, ka dështuar. Ne shqiptarët jemi shumicë absolute në Kosovë, dhe nuk do të vonojë koha kur do të arrijmë të vendosim vetë për veten tonë, gjithnjë duke i respektuar të drejtat e komuniteteve të ndryshme e minoriteteve që jetojnë mes nesh e me ne.

Heqja e flamurit kuqezi është e turpshme, edhe pse faqet e atyre që japin e zbatojnë urdhra të tillë ka kohë që nuk skuqen. Është e turpshme, sepse flamuri kombëtar nuk e konteston pavarësinë e as sovranitetin e Kosovës. Te rrethi në Prishtinë Kosova ka sovranitet, nuk ka nevojë për aksione policore e në terr në atë vend. Po të ishte se shqetësohen për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës qeveritarët, atëherë do të kërkonin ngritjen e flamurit në veri të Kosovës apo në enklavat që i kanë krijuar vetë, përmes decentralizimit etnik. Flamuri i Serbisë jo vetëm që po valon në Leposaviq, por edhe 5 km. larg rrethit të Prishtinës, në Graçanicë. Dhe jo thjesht në një hapësire publike, si rrethi, por në shtizën zyrtare të institucioneve komunale. Pavarësia e Kosovës kontestohet vetëm atje ku ngrihet e valon flamuri i Serbisë, i një vendi që pasi na mbajti afër një shekull nën pushtim mizor e shtypës, pasi na vrau e na preu me qëllim spastrimi, ende sot nuk na e njeh pavarësinë e nuk kërkon falje për krimet e bëra.

Ne e dimë se loja me flamujt po bëhet për të mbuluar dështimet katastrofale të kësaj qeverie e të qeverive paraardhëse, të cilat e kanë varfëruar Kosovën, ia kanë shkatërruar industritë përmes privatizimeve të egra, ia kanë vjedhur pasuritë nëntokësore përmes koncesioneve kriminale, ia kanë asgjësuar prodhimin vendor e bujqësinë përmes korporatave që importojnë nga Serbia. Janë këto qeveri që me korrupsionin e tyre e kanë izoluar Kosovën dhe na e kanë nxjerrë faqen e zezë në gjithë Evropën, ku mediat shkruajnë se ne qeverisemi nga kriminelë. Janë këta qeveritarë që e kanë çarmatosur UÇK-në e na kanë lënë pa ushtri, e kanë shitur idealin kombëtar e duan të na shkatërrojnë identitetin e historinë, gjithçka për të siguruar pushtetin e tyre. Asnjë lojë me flamur, natën apo ditën, nuk mund t’i mbulojë turpet e tyre.

Është krejt e gabueshme të tregohet fuqia e shtetësisë së Kosovës kundër flamurit kombëtar. Pavarësia erdhi si rezultat i sakrificës shekullore me flamurin kombëtar kundër shtetit serb.

E dënojmë heqjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe përpjekjen për ta fshirë shqiptarizmën nga faqja e Kosovës. Kërkojmë nga ata që e hoqën, ta kthejnë sa më shpejt flamurin kombëtar aty ku ishte më përpara. Mbetemi të përkushtuar e të angazhuar që popullit tonë sa më shpejt t’ia sigurojmë mundësinë që të vendosë vetë, demokratikisht, për shtetin e vet, që nga simbolet, flamuri e himni, e deri tek e drejta për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT