03 02 2018

Vendimi për ngritje pagash në Qeveri duhet të zhbëhet

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur një konferencë në lidhje me vendimin e paligjshëm për ngritjen e pagave. Në këtë konferencë, deputetja Albulena Haxhiu rikujtoi se më 20 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, në mbledhjen e Qeverisë, me anë të një vendimi sa të kundërligjshëm, kryeministri dhe ministrat ia rritën pagat vetes afër 100 përqind. Ndërkohë kjo Qeveri rriti pagat me vetëm 4 përqind për të punësuarit dhe refuzoi propozimin e Këshilli Ekonomik social që paga minimale nga 170 euro, të ngrihet në 250 euro.

Vendimin e paligjshëm për ngritjen e pagave, një ditë pas, e kemi dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasi që kabineti qeveritar nuk kishte shmangur konfliktin e interesit siç e parasheh ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, madje duke votuar për t’i sjellë vetes përfitime kishin konsumuar vepër penale të konfliktit të interesit.

Agjencia Kundër Korrupsionit, të premten e kaluar kishte dhënë opinionin e tij se vendimi në fjalë është i kundërligjshëm dhe ne i bëjmë thirrje këtij institucioni të procedojë kallëzimet penale sa më parë.

Po ashtu, vendimin në fjalë e kemi dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ky vendim përpos që është vepër penale, është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. I vetmi autoritet legjitim për të ngritur pagat është Kuvendi, përmes ligjit për buxhetin dhe ligjin për pagat.

Por po ashtu ky vendim është kundërkushtetues sepse është në shpërputhje me gjendjen sociale dhe ekonomike.

Po ashtu, të hënën në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, si pikë e rendit të ditës është interpelanca e thirrur nga grupi ynë parlamentar lidhur me vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë dhe çështjet që lidhen me pagën minimale dhe lartësinë e pagesës për skemën sociale.

Ne presim që sa më parë kryesia e kuvendit ta caktojë seancën ku mbahet interpelanca e kërkuar nga ne. Shumëkush sot në Kosovë pret prej institucioneve që të adresojë problemet e tyre të paadresuara prej të paktën dy dekadave.

Qeveria nuk kishte plan të qartë kur propozoi buxhetin për vitin 2018 sa i takon shtresave me nevoja më të mëdha. Ndaj vendimet ad hoc dhe për interes të vetëm një shtrese zyrtarësh tregojnë për improvizime larg shumë nga ndonjë program zhvillimor.

Vendimi i kundërligjshëm i Qeverisë Haradinaj, nuk do të duhej të pezullohej por të shfuqizohej. Deklarimet e Haradinajt se nga ky vendim do të preken gjyqtarët e prokurorët, nuk është i sinqertë. Buxheti për vitin 2018 është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar shtrohet pyetja se nëse qeveria Haradinaj paska qenë e interesuar të rrisë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve atëherë pse këtë rritje nuk e paraqiti në mënyrë krejt të ligjshme nëpërmjet ligjit për buxhetin i cili kaloi pak ditë para se të votohej ky vendim në Qeveri?

Sa i përket kësaj çështje, ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Aktualisht paga e prokurorit është 1000 euro ndërsa paga e gjyqtarit 1200 kjo shkon duke u ngritur për Apelin dhe Supremen dhe Prokurorinë speciale. Ata që kanë nevojë për ngritjen e pagave janë stafi civil i institucioneve të drejtësisë të cilët kanë paga nën 400 euro.

Sipas informacioneve që i kemi, në kohën kur është marrë ky vendim i kundërligjshëm, qeveria Haradinaj nuk ka qenë në dijeni që me automatizëm do të ngrihen pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Këtë pohim timin e mbështes duke ia shtuar këtu deklaratat skandaloze të kryeministrit Haradinaj kur u pyet për rritjen e pagës, të njëjtën e arsyetoi me nevojën e blerjes së këmishave dhe kollareve dhe tha që një kryeministër që se ka pagën e lartë do të detyrohet të korruptohet, në atë kohë s’foli për prokurorët dhe gjyqtarët!

Çka mendon kjo qeveri për mjekët që paguhen rreth 600 euro, për mësuesit, për inxhinierët, për punëtorët kudo në sistemin publik të cilët as kanë vetura zyrtare, as beneficionet e zyrtarëve të lartë e as sigurim shëndetësor.

Kjo qeveri e nisi punën me caktimin e një numri tepër të lartë të ministrave. E vijoi duke caktuar një numër rekord zëvendësmsministrash dhe e mbështeti këtë politikë krejtësisht të gabuar me vendimin për rritjen e pagave pikërisht të këtij numri të madh zyrtarësh.

Kontribo

01 02 2018

Vizitë nga Ambasadori i Zvicrës, z. Jean-Hubert Lebet

Sot në mëngjes, Ambasadori i Zvicrës, z. Jean-Hubert Lebet, vizitoi Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ai u prit nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, znj. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe deputetja e Kuvendit të Republikës, znj. Fitore Pacolli.

Në takim u bisedua për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike. Po ashtu u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës si dhe mundësitë për ta thelluar e zgjeruar këtë bashkëpunim në interes të ndërsjelltë. Kryetari Albin Kurti e njoftoi ambasadorin Lebet me qëndrimet, sfidat dhe vizionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në fund të këtij takimi të dyja palët u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe të takimeve të rregullta.

Kontribo

31 01 2018

Padrejtësia e themelimit të Gjykatës speciale nuk korrigjohet me nismat joserioze

Grupi Parlamentar i Lëvzjes VETËVENDOSJE!, në ambientet e Kuvendit të Republikës kanë mbajtur një tryezë me temën “Dhomat e specializuara” dhe raporti me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja Albulena Haxhiu tregoi argumentet në kundërshtim të Gjykatës Speciale qysh më 26 gusht 2015, kur kjo çështje ishte në Kuvend për herë të parë. “Argumentet tona kanë qenë të natyrës juridike dhe politike. Kemi konsideruar që Gjykata Speciale krijonte një sistem paralel, i tërë stafi i saj ishin përfaqësues ndërkombëtar, poashtu ku institucion ishte politik pasi qëllimi i tij ishte paraqitja e një pasqyre të shtrembëruar për luftën çlirimtare të Kosovës. Ne kemi propozuar një gjykatë vendore e cila do të trajtonte të gjitha krimet e kryera përgjatë luftës në Kosovë. Përkundër këtyre argumenteve, Gjykata Speciale dhe Dhomat e Specializuara kishin kaluar në votimin e dytë pas një muaji në Kuvend.

Ndërkaq nismën e fundit për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara e quajti joserioze, prandaj edhe nuk e kemi mbështetur projektligjin e tillë.

Drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, foli për origjinën e kësaj gjykate. Ai përmendi të gjitha fazat nëpër të cilat kaloi krijimi i saj. Iniciativa për themelimin e një gjykate që merret me krimet e luftës i ka fillet tek libri i Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, “Gjahu: unë dhe kriminët e Luftës” të botuar pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, në Këshillin e Evropës, nëpërmjet përfaqësuesit të Federatës ruse, Konstandin Kosaqev, në prillin e vitit 2008 kishte kërkuar mocion për këtë. Mocioni i bazuar në pretendimet e Carla del Pontes, i përkrahur edhe nga 17 deputetë të tjerë, quhej: “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve në Kosovë”. Konjufca u shpreh se tentimi për krijimin e kësaj gjykate, është luftë kundër Kosovës sepse është në kuadër të goditjeve të Serbisë dhe Rusisë kundër pavarësië së Kosovës. Tutje, ai rikujtoi se Këshilli i Evropës si përgjigje ndaj këtij mocioni e kishte caktuar një grup i cili duhej të konstatonte nëse janë të vërteta këto pretendime dhe përgjegjës për këtë u caktua senatori Dick Marty. Raporti i tij shndërrohet në rezolutë për asamblenë pasi fitoi me shumicë votash. Më pas, Marty nëpërmjet mediave kishte kërkuar që pretendimet e tij të përcilleshin me një gjykatë.

Konjufca solli në vëmendje bazën ligjore mbi të cilën u ngrit Gjykata Speciale në Kosovë, letërkëmbimin Jahjaga – Ashton dhe marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës bazuar në këtë letërkëmbim, si dhe raportin e kryeprokurorit amerikan, Clint Ëilliamson. Ky i fundit, trafikimin e organeve që përbën pretendimin kryesor për Mayrtin dhe Del Ponten e trajton si pertendim të pambështetur. Ndërkaq, fokusi kryesor i Ëilliamsonit është trajtimi çnjerëzor për të cilin ai insiston se ka ndodhur. Pas raportit të Ëilliamsonit, fillon edhe presioni ndërkombëtar për krijimin e një gjykate speciale.

Në debatin e kësaj tryeze u përfshinë shumë prej të pranishmëve. Profesori Azem Hajdari e quajti krijimin e kësaj Gjykate si një të keqe për historinë dhe popullin e Kosovës. Aktivisti i shoqërisë civile, Krenar Shala tha se temat e tilla të mëdha për Kosovën, po na lënë mbrapa për të mos u marrë me çështje të tjera më esenciale për jetën e qytetarëve. Artan Murati, hulumtues i lartë, nga KDI tha se për çështje të kësaj rëndësie do të duhej të kishte koncensus më të gjerë shoqëror dhe vendimet e tilla të mos merreshin pa debate më gjithëpërfshirëse. Ndërkaq, Luljeta Aliu tha se kjo iniciativë është në dëm të imazhit të Kosovës dhe do të duhej të reagonim me kohë.

Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Nazlie Bala tregoi për përvojën e saj si dëshmitarë në Tribunalin e Hagës dhe tha vlerësimin e saj sa i përket gjykimeve ndërkombëtare. Pavarësisht gjykimeve të zhvilluara, ajo tha se shumë prej kriminelëve vazhdojnë të lëvizin lirshëm sot përderisa vlerësohet se pjesëmarrja direkte dhe indirekte e ushtarëve dhe formacioneve të tjera policore ka qenë 100 mijë. Profesori Mazllum Baraliu ritheksoi se nuk mund të thuhet se po formohet në kuadër të sistemit të drejtësisë në Kosovë se nuk ka asgjë të përshkët me të.

Rreze Hoxha nga Grupi për studime politike dhe juridike tha se shfuqizimi i Dhomave të Specializuara nuk është vetëm problem vendor, por edhe ndërkombëtar. Nga e njëjta organizatë, Albana Merja, theksoi se fokusi te kjo temë për qëllime personale të disa individëve e dëmton imazhin e Kosovës. Ndërkaq, Arton Demhasaj nga ÇOHU! tha se dëmi është shkaktuar me t’u pranuar kjo Gjykatë për themelim. Poashtu, ai theksoi edhe kundërshtimet e ligjit në raport me Kushtetutën.

Kurse, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti tha se “Gjykata Speciale konsiston në një histori të re politike për Kosovën. Historia politike është parashikim is ë kaluarës. Gjykata Speciale me procedurat dhe në fund vendimet e saj do të parashikojë ndryshe të kaluarën e do ta na shkruajë ndryshe edhe historinë”.

Juristi Getoar Mjeku tha se edhe bizneset ndërkombëtare po ndjehen të pasigurtë të vijnë këtu, për shkak të mungesës së sigurisë juridike. Në emër të Këshillit për mbrojtjen e të Drejtave të ish ushtarëve të UÇK-së, foli Xhevdet Qeriqi i cili tha se kjo është gjykatë e paderjtë, e njëanshme dhe politike dhe nuk i zbardh krimet e Serbisë të kryera në Kosovë. Kurse sindikalisti Tahir Tahiri u shpreh se kjo po bëhet pengesë për zhvillim ekomonik.

Në fund të kësaj tryeze, drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca paraqiti konkluzionet e kësaj tryeze të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë parasysh në veprimet e qëndrimet e saj në vijim.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

31 janar 2018

Kontribo

26 01 2018

Vizitë nga Ambasadori i Republikës së Sllovenisë, z. Bojan Bertoncelj,

Sot në mëngjes, Ambasadori i Republikës së Sllovenisë, z. Bojan Bertoncelj, vizitoi Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ai u prit nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, znj. Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, dhe deputetja e Kuvendit të Republikës, znj. Fitore Pacolli.

Në fillim të vizitës ambasadori uroi Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, për zgjedhjen e tij në drejtimin e Lëvizjes si dhe shprehu interesim të njoftohet dhe të kuptoj nga afër për strategjinë dhe politikat që do të ndjek gjatë udhëheqjes së tij.

Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe gjendjen socio-ekonomike në vend. Theks i veçantë në takim iu kushtua gjendjes së rëndë ekonomike dhe paligjshmërisë si dhe hapave që duhet të ndërmirren për të stimuluar zhvillimin ekonomik për krijimin e vendeve të punës dhe reformën e sistemit të drejtësisë për sundim të ligjit.

Kontribo

25 01 2018

Dorëzohet kërkesa për interpelancë lidhur me rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, pagën minimale dhe pagesat e skemave sociale

Lëvizja VETËVENDOSJE! nëpërmjet deputetes Albulena Haxhiu dhe deputetëve nënshkrues dorëzoi sot kërkesën për Interpelancë për Kryeministrin Haradinaj, lidhur me vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, pagën minimale dhe pagesat e skemës sociale.

Presim nga Kryesia e Kuvendit që sa më parë dhe me prioritet të lartë ta caktojë në rendin e ditës këtë kërkesë tonën për shkak të rëndësi së madhe të kësaj teme dhe shqetësimit po ashtu të madh nga qytetarët e të gjitha grupimeve shoqërore.

Grupi ynë do ta dërgojë po ashtu në Gjykatë Kushtetuese vendimin joligjor dhe të padrejtë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagave të zyrtarë të lartë politikë.

Kontribo

25 01 2018

Vizitë nga një delegacion gjerman

Një delegacion gjerman vizitoi sot Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Në mes tyre ishin dhe z.Bernd Karwise, z.Heinz Stoppe, Dr. Roland Griese, z.Wolfang Kruger. Ata u pritën nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, deputeti z.Sami Kurteshi dhe Kordinatorja e Komiteteve profesionale, znj.Dejona Mihali.

Gjatë takimit i njoftuam pjesëtarët e delegacionit për programin tonë që përfshin tri reformat për shtetin zhvillimor (Fondi Sovran, Agjencia e Zhvillimit, Banka Zhvillimore) që do ta nxirrnin nga kriza Republikën e Kosovës duke rritur punësimin.

Nga ana e tyre delegacioni gjerman i shoqëruar edhe nga profesionistë shqiptarë si z.Blerim Dervari dhe z. Hashim Rexhepi, shprehën interesimin e veçantë për të njohur dhe kuptuar në hollësi hapësirat e bashkëpunimit në sektorët strategjikë dhe gjendjen aktuale të ekonomisë në Kosovë.

Të dy palët u pajtuan se bashkëpunimi në të gjitha nivelet, institucional, universitar e atë të zhvillimit të prodhimit e teknologjisë ishin i shumëpritur e në një masë të madhe dhe i domosdoshëm.

25 janar 2018

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

23 01 2018

Fjala e plotë e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të nderuar gazetarë, ju falemnderit që i jeni përgjigjur pozitivisht kësaj konference për shtyp.

Para një ore, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm më ka shpallur zyrtarisht kryetar të ri të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Gjatë 24 orëve pas shpalljes së rezultateve nuk ka pasur letërankesa për procesin zgjedhor të së dieles në të cilin u votua sipas parimit një anëtar – një votë. Unë i falenderoj të gjithë votuesit e së dielës, por edhe anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes sonë. Do të jem kryetar i të gjithëve, sepse do t’iu shërbej të gjithëve, vullnetit e interesit të përgjithshëm. Është nder dhe përgjegjësi për mua që të jem kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Siç e kemi thënë ngahera, do të jemi bashkë në organizim dhe bashkë në drejtim.

Në këtë muajin janar të vitit 2018, janë bërë një shekull, pra saktësisht 100 vjet, prej se Presidenti amerikan Woodrow Wilson pat shpalosur programin e tij 14 pikësh me të cilin elaboronte të drejtën për vetëvendosje. Në Konferencën e Paqes në Versaj, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, pikërisht përmes vetëvendosjes u pat shpëtuar Shqipëria nga copëtimi.

Lëvizja jonë që mban emrin e këtij koncepti liridashës për popujt, në vitin që lamë pas, u bë subjekti i parë politik në vend dhe grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Qytetarët e Kosovës kanë shumë halle dhe presin shumë prej nesh. Ne duhet të jemi e do të jemi në nivel të detyrës për qytetarët, si në komunat ku qeverisim ashtu edhe në ato ku jemi në opozitë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, ku ndërrimi i qeverisë dhe qeverisjes, është dëshirë e shumicës së qytetarëve.

Platforma që kam prezantuar nuk hyn në fuqi automatikisht pse unë jam bërë kryetar me të. Kam marrur vërejtje dhe sugjerime të ndryshme nga anëtarët dhe ato duhet të trajtohen hapur dhe thellë në forumet tona. Demokraci do të thotë që cilido mund ta ketë fjalën i pari por asnjëri nuk mund ta ketë atë i fundit. Pas mendimeve e opinioneve, vijnë diskutimet e përballjet, e pas diskutimeve e përballjeve vijnë vendimet me shumicën siç e parasheh atë statuti dhe rregulloret tona.

Unë zotohem se do t’i përmbahem programit dhe statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alternativës sonë Qeverisëse dhe rregullorëve tona të funksionimit, se do të punoj e angazhohem me dijen e me mendjen, me vullnetin dhe dashurinë që kam për Lëvizjen dhe për Kosovën, sepse kështu kam fituar besimin tuaj dhe për shkak se jam i bindur se jemi më të mirët e më të drejtët nga të gjitha subjektet politike në Kosovë (dhe jo vetëm).

Ju falemnderit.

Kontribo

23 01 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm shpall zyrtarisht Albin Kurtin kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ditën e diel, pas numërimit të votave në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) ka bërë shpalljen e rezultateve paraprake të votimit. Pas shpalljes së rezultateve paraprake, në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, KZP-ja ka lënë 24 orë afat në dispozicion për paraqitjen e letërankesave nga anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Sipas Rregullores, secili anëtar ka patur të drejtën e votës, ashtu siç ka patur edhe të drejtën për t’u ankuar pranë KZP-së për cilëndo pjesë të procesit zgjedhor. Gjatë afatit në dispozicion për pranimin e ankesave, pranë KZP-së nuk është paraqitur asnjë letërankesë për procesin zgjedhor.

KZP-ja ka konstatuar se procesi ka qenë i rregullt, dhe bazuar mbi rezultatet e bëra publike, shpall zyrtarisht deputetin Albin Kurti kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke i uruar punë të mbarë në mandatin e ri.

Prishtinë, 23 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

22 01 2018

Procesi më i mirë i zgjedhjeve të brendshme për kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i organizuar deri më tani

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur konferencë për media për procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky proces u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës ku është i shtrirë organizimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, 29 në total, si dhe në 6 shtete të Evropës ku Lëvizja VETËVENDOSJE ka ngritur Qendrat e saj pranë mërgatës shqiptare.

Kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi shpjegoi se rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve u publikuan mbrëmë pas procesit të numërimit, ku kandidati Albin Kurti ka fituar 98.82% të votave. Si pasojë e traditës tashmë të krijuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, rezultatet paraprake u shpallën mbrëmë ashtu siç janë prezantuar edhe rezultatet paraprake për kryetar të vitit 2015.

Kjo është hera e tretë që Lëvizja VETËVENDOSJE! mban zgjedhje për kryetar. Zgjedhjet e para janë mbajtur në pranverën e vitit 2011, para se të miratohej Statuti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe para se të shkruhej e miratohej Rregullorja e Zgjedhjeve të Brendshme, me të cilën ne funksionojmë që prej vitit 2012. Votimi për kryetar në vitin 2011 nuk është zhvilluar në një ditë të vetme, por përgjatë një periudhe tre mujore. Gjithashtu në atë kohë nuk kishim vendosur as opsionin “abstenim” në fletëvotime. Për nga lloji i tij, votimi gati tre mujor që ka ndodhur në vititn 2011, është i pakrahasueshëm me zgjedhjet për kryetar të vitit 2015 dhe ato të vitit 2018.

Në vitin 2015 ne mbajtëm për herë të parë zgjedhjet për kryetar sipas Statutit dhe Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme. Për ta lehtësuar menaxhimin e procesit të votimit të vitit 2015, si dhe për të mundësuar një pjesëmarrje më të lartë, Qendrat e Lëvizjes u ndanë në dy grupe, dhe votimi u mbajtë në dy ditë, në datat 21 dhe 22 shkurt 2015: një herë në gjysmat e Qendrave, pastaj në gjysmën tjetër. Në këto zgjedhje për kryetar, për herë të parë morën pjesë edhe Qendrat tona në mërgatë, si dhe ne përfshim për herë të parë në fletëvotim opsionin “abstenim”. Në zgjedhjet e për kryetar të vitit 2015 kanë marrë pjesë në votim 5,350 anëtarë, nga 19,576 anëtarë në total. Pra, përqindja e pjesëmarrjes në këto zgjedhje ka qenë 27.43%.

Zgjedhjet 2018 për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë përmirësime shumë të dukshme në raport me vitin 2015, sa i përket menaxhimit të procesit dhe pjesëmarrjes. Për shkak të fuqizimit të strukturave tona, dhe përvojës së shtuar, i gjithë votimi u mbajt në një ditë brenda dhe jashtë Kosove. Sot që kemi marrë të dhëna më të plota nga terreni, kemi analizuar se numri total i anëtarëve tanë që prej vitit 2015 është rritur me gati në 60 %, ndërkaq numri i anëtarëve që kanë votuar dje në këto zgjedhje është rritur thuajse me 100%. Në procesin e votimit të mbajtur dje, të gjithin në një ditë, kanë marrë pjesë 10,606 anëtarë, nga 31,350 anëtarë në total. Përqindja e pjesëmarrjes në votimin e djeshëm është 33.83%. Këto shifra shënojnë rekorde në pjesëmarrje sa i përket këtij lloj procesi zgjedhor në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Pa asnjë dyshim, ky është procesi më i mirë i zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga të gjitha proceset e deritanishme. Sigurisht që ka ende nevojë të bëhen përmirësime, por kemi bindjen e thellë se tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka konsoliduar praktikën e zgjedhjeve të brendshme për kryetar, ngjashëm me shumë subjekte të tjera politike demokratike në Perëndim. Për këtë pjesëmarrje të shtuar dhe për menaxhimin e këtij procesi, dëshirojmë të falenderojmë edhe një herë të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të përfshirë në praktikat e demokracisë tonë të brendshme, si dhe stafin e KQZ-së për gjithë asistencën dhe materialet e votimit që na e kanë lehtësuar administrimin e këtij procesi.

Prishtinë, 22 janar 2018
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 01 2018

Shpallen rezultatet paraprake të votimit për zgjedhjet e brendshme

Tashmë ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e brendshme 2018, për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se në këtë proces votimi për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë shënuar rekorde në pjesëmarrjen e anëtarëve në zgjedhje në shumicën e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë si dhe në Qendrat në mërgatë, qoftë sa i përket numrit të votave qoftë në përqindjen e pjesëmarrjes.

Në vijim, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm shpall rezultatet paraprake të votimit për kandidatin për kryetar, Albin Kurti:

PËR: 98.82%

KUNDËR: 0.61%

ABSTENIM: 0.57%

TË PAVLEFSHME: 0.26%

Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm falenderon të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe falenderojmë të gjthë anëtarët që kanë shprehur sot të lirë vullnetin e tyre mbi të ardhmen e organizatës. I jemi gjithashtu mirënjohës stafit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe të Komisioneve Komunale Zgjedhore, për asistencën dhe materialet e votimit të vëna në dispozicion anekënd Kosovës për zhvillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Prishtinë, 21 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 01 2018

Votimi në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdon i rregullt

Komisioni Zgjedhor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! njofton se procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! po zhvillohet në mënyrë të rregullt. Të gjitha vendvotimet në Kosovë janë hapur sot në ora 10:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00. Njëkohësisht votimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt edhe jashtë Kosove në Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë. Deri tani nuk është paraqitur asnjë ankesë nga vendvotimet dhe anëtarët, dhe procesi po zhvillohet me një interes të veçantë të shprehur nga anëtarësia.

Shfrytëzojmë rastin të ftojmë edhe një herë të gjithë anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të dalin sot në votim për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për përcaktimin e drejtimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Prishtinë, 21 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

20 01 2018

Të dielën votohet për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Fushata e zgjedhjeve të brendshme, ku është shpalosur platforma për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga kandidati Albin Kurti, është përmbyllur në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme. Ditën e diel, data 21 janar 2018, anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të votojnë sipas parimit një anëtar–një votë nëpër vendvotimet që do të hapen në komunat e ndryshme të Kosovës dhe në mërgatë.

Vendvotimet brenda Kosovës do të hapen të dielën nisur nga ora 10:00 e mëngjesit dhe do të mbyllen në ora 19:00. Të gjitha adresat e këtyre vendvotimeve janë bërë tashmë publike për anëtarësinë nga Komisionet Zgjedhore Ad Hoc të Qendrave të Lëvizjes në Kosovë. Ndërsa orari i vendvotimeve që do të hapen të dielën në Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë ndryshon sipas shtetit ku veprojnë Qendrat tona dhe hapësirave të vëna në dispozicion për procesin e votimit. Të gjitha oraret dhe adresat e vendvotimeve të Qendrave tona në mërgatë gjithashtu janë bërë publike për anëtarësinë nga Komisionet Zgjedhore Ad Hoc të këtyre Qendrave.

Pas mbylljes së procesit të votimit ditën e diel, do të fillojë procesi i numërimit të votave. Me përfundimin e numërimit të votave, KZP-ja do të bëjë shpalljen e rezultateve paraprake për votat “për”, “kundër” dhe “abstenim” në lidhje me kandidaturën për kryetar të deputetit Albin Kurti.

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të shprehin këtë të diel vullnetin e tyre të lirë demokratik duke votuar anekënd Kosovës dhe në mërgatë.

Prishtinë, 20 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

18 01 2018

Ankesat e Aktivistëve

Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish-sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes.

Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë.

Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kot.

Ismajl Kurteshi
Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kontribo

16 01 2018

Policia të heqë dorë nga përndjekja e aktivistëve

Pushteti po mundohet t’i riaktualizojë aksionet e mëhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpërmjet paralajmërimeve për arrestime të reja. Policia sot në mbrëmje e ka kërkuar në shtëpinë e tij aktivistin Ardian Huli për aksionin e heqjes së grilave të oborrit të Qeverisë në fundin e gushtit 2015.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte kryer këtë aksion në kuadër të veprimeve të para, në kundërshtim të marrëveshjes së dëmshmë për themelimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë. Me të filluar aksionet, Qeveria kishte vendosur që të krijojë barriera të reja me qytetarët dhe kishte rritur rrethojat e Qeverisë.

VETËVENDOSJE! ka argumentuar se barrierat e tilla nuk i përkasin një shteti demokratik. Ndërkaq, kundërshtimi i ‘Zajednicës’ ka hasur në përkrahje të madhe popullore, kurse vetë ky projekt është hedhur poshtë nga ekspertët. Këto janë arsye të mjaftueshme që përndjekja e aktivistëve është e panevojshme dhe po bëhet për arsye të tjera e që janë politike.

Ky pushtet po dëshmon që nuk mund të prodhojë asnjë praktikë e as mentalitet tjetër pos asaj policore. Kjo polici po tregon që derisa dështon në të gjitha fushat që i ka në mandat e kompetencë, mundohet të specializojë në përndjekjen e aktivistëve të Lëvizjes.

Për ne, çështja e ‘Zajednicës’ është e mbyllur dhe nuk lejojmë që të hapet sërish në asnjë prej formave.

Kontribo

11 01 2018

KOMISIONI DISIPLINOR I LËVIZJES VETËVENDOSJE!

NJOFTIM

Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në bazë të Statutit, neni 89, paragrafi 10 dhe Rregullores së punës së Komisionit, në mbledhjen e sotme mori vendim që të dalë me një njoftim sqarues për anëtarësinë dhe opinionin:

Këto ditë nga disa që po dorëhiqen nga funksioniet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! pohohet se ndaj tyre po ndodhin veprime që pretendohet se janë thyerje e disiplinës nga anëtarë të supozuar të Lëvizjes. Njoftojmë se Komisioni Disiplinor, VETËVENDOSJE! organ që trajton këto çështje në rastet kur raportohen, nuk ka marrë asnjë shkresë apo ankesë lidhur me këtë.

Është shqetësues publikimi i dokumenteve të Komisionit Disiplinor në rrjetet sociale. Publikimet e tilla të nxjerrura fshehtas nga Arkiva e Lëvizjes është shkelje e Rregullorës se Komisionit disiplinor dhe Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Prishtinë, 11.01.2018

Kontribo

11 01 2018

Nis fushata e zgjedhjeve të brendshme: votimi për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbahet të dielën, më 21 janar 2018

Mbrëmë ka përfunduar afati i dorëzimit të kandidaturave për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky afat qe shpallur publikisht në datën 21 dhjetor 2017. Në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) e ka shpallur të mbyllur procesin e pranimit të kandidaturave, marrë parasysh edhe faktin që pranë këtij Komisioni nuk është dorëzuar ndonjë kërkesë për të kërkuar shtyrje afati. Me përfundimin e afatit të pranimit të kandidaturave, në mbledhjen e mbajtur sot në Prishtinë, KZP-ja ka konstatuar se deputeti Albin Kurti ka qenë kandidati që ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëme për kandidimin si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nuk janë dorëzuar kandidatura të tjera.

Marrë parasysh Statutin dhe Rregulloret, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dielën, më 21 janar 2018. Sipas parimit një anëtar – një votë, anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit nëpër vendvotimet që do të hapen brenda dhe jashtë Kosove të dielën më 21 janar, duke shprehur vullnetin e tyre – “për”, “kundër”, ose “abstenim” – në lidhje me kandidaturën e Albin Kurtit si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Këtë praktikë normale votimi Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka ndjekur edhe në shumë procese të tjera të zgjedhjeve të brendshme.

Nga dita e sotme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka shpallur të hapur fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku kandidati Albin Kurti do të paraqesë platformën e tij për mandatin e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Fushata e zgjedhjeve të brendshme do të mbyllet 24 orë para ditës së votimit.

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i bën thirrje të gjithë anëtarëve të përfshihen në diskutimet dhe aktivitetet që do të mbahen në ditët në vijim gjatë fushatës së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për fuqizimin e mëtejshëm të praktikave të demokracisë së brendshme që tashmë e kanë etabluar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si subjektin politik më demokratik në Republikën e Kosovës.

Prishtinë, 11 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

11 01 2018

Takim me delegacionin franko-gjerman nga Bashkimi Evropian

Dje pasdite, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deputeti i Kuvendit dhe kandidati për kryetar të Lëvizjes, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, deputetja e Kuvendit të Republikës, Fitore Pacolli, dhe drejtuesi i Komitetit profesional për politikat ekonomike dhe financiare, Prof. Besnik Bislimi, pritën në takim delegacionin franko-gjerman nga Bashkimi Evropian, të dërguarin e posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Christian Hellbach dhe shefin e Departamentit për Ballkan dhe Evropë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, z.Thomas Bertin, të shoqëruar nga ambasadori i Francës, Didier Chabert, dhe zëvendës-ambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Në takim u diskutua për gjendjen aktuale politiko-institucionale dhe socio-ekonomike në Kosovë, për integrimet euro-atlantike, e për raportet midis vendeve të rajonit në Ballkanin perëndimor.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s theksuan që punësimi dhe drejtësia, përkatësisht zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për të gjithë e në gjithë territorin, janë vendimtare për shtetndërtimin e domosdoshëm dhe progresin aq të nevojshëm në Kosovë.

Theks i veçantë në takim iu kushtua Gjykatës Speciale dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Zi.

Të dy palët, shprehën interesimin për kontakte të vazhdueshme e takime të tjera në të ardhmen.

Kontribo

07 01 2018

Mbledhja me Kryetarët e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Nën udhëheqjen e ushtruesit të detyrës së Sekretarit Organizativ, Ismajl Kurteshi, VETËVENDOSJE! u mbajt mbledhja me kryetarët e Qendrave të Lëvizjes.

Në mbledhje morën pjesë 27 përfaqësues të Qendrave, në mesin e tyre edhe tre përfaqësues të qendrave nga diaspora: Verim Mejzini nga Austria, Bekim Halimi nga Britania e Madhe dhe Mujë Shala nga Zvicra, ndërkaq dy kryetarë mungonin me arsye, kurse Kryetarët e Qendrave të tjera të Lëvizjes nga diaspora mbledhjen e ndoqën përmes rrjetit Skype.

Në këtë mbledhje u diskutua rreth situatës së krijuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! pas dorëheqjeve të Kryetarit të saj dhe disa anëtarëve të Kryesisë, si dhe për procesin zgjedhor për Kryetar të Lëvizjes.

Kryetarët e Qendrave u njoftuan me kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet.

Ata e përkrahën kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE.

Në lidhje me përgatitjet për zgjedhjen e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje të pranishmëve u foli Adnan Rrustemi, në cilësinë e kryetarit të KZP-së.

Në këtë takim u fol edhe për iniciativën e 43 deputetëve të PAN-it për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Kryetarët e Qendrave ishin të mendimit se qëndrimi i Lëvizjes në lidhje me këtë çështje ka qenë i drejtë, e iniciativa për shfuqizim ishte e papërgatitur dhe e pasinqertë, meqenëse prirej prej interesave personale e jo atyre kombëtare e shtetërore.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

02 01 2018

Deklarim i sekretarit të Lëvizjes, Ismajl Kurteshi.

Dorëheqja e Visar Ymerit

Me keqardhje mora vesh lajmin për dorëheqjen e z. Visar Ymeri, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përmes një komunikimin publik, nga pozitat drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Për këtë dorëheqje, njoftimi na erdhi me e-mail një orë para konferencës për shtyp. Sa di unë, një vendim i tillë nga ana e tij nuk është diskutuar paraprakisht brenda asnjë organi të Lëvizjes, dhe as unë nuk e kam ditur më herët, edhe pse ushtroj detyrën e Sekretarit Organizativ.
Është e vërtetë se së bashku, si Lëvizje, kemi arritur sukseset që përmendi z. Ymeri, dhe për këtë i jam mirënjohës, ashtu si të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, por nuk mund të pajtohem me rrugën që e ka zgjedhur Visari. Lëvizja i ka dokumentet (Statutin) dhe strukturat që përherë ofrojnë rrugëdalje.
Përkundër dorëheqjes së Visarit nga pozita e kryetarit, kam bindjen se Lëvizja do ta tejkalojë këtë situatë me pjekuri, duke e marrë parasysh edhe faktin se vendi është në vështirësi të shumta politike, e populli është në varfëri dhe gjendje të rëndë ekonomike. Prandaj qytetarët presin shumë prej nesh. Lëvizja do të vazhdojë të trajtojë me diskutime të hapura brenda organeve vendimmarrëse gjithçka që është në kompetencat e saj, sipas parimeve të demokracisë së brendshme.
Por më shumë se kaq, është koha të vazhdojmë me energji e vullnet përpjekjen tonë të përbashkët politike e historike, për përparim shoqëror e emancipim kombëtar.

Ismajl Kurteshi, 02. 01. 2018

Kontribo

29 12 2017

Dorëzohen ankesat për rastin e katër aktivistëve të dënuar

Avokatët mbrojtës kanë dorëzuar sot katër ankesa në Gjykatën e Apelit për aktivistët e dënuar: Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.

Dënimi i tyre është kryekëput politik dhe i padrejtë dhe shkalla e dytë e ka mundësinë që ta korrigjojë këtë gabim të drejtësisë. Përgjigjia në këto katër ankesa është shanci i dëshmisë se një pjesë e gjyqësorit të Kosovës ende mund të veprojë e pavarur.

Pa prova e pa fakte, aktivistët tanë janë të privuar nga liria që prej fundigushtit të vitit 2016. Pos muajve të paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak, ata kanë 73 ditë që janë arrestuar dhe po vuajnë padrejtësinë.

Ne kërkojmë liri për katër aktivistët e dënuar. Kërkojmë fundin e këtij gjyqi të montuar. Kërkojmë vënie të drejtësisë për rastin e aktivistit Astrit Dehari.

Liri për aktivistët.
Drejtësi për Astritin.

Kontribo

27 12 2017

Zyrtarizohet kandidatura e Albin Kurtit për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është mbledhur sot në Prishtinë për të bërë verifikimin e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që kanë dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturën e deputetit Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe për të trajtuar çështje të tjera që lidhen me procesin e zgjedhjeve të brendshme.

KZP-ja ka konstatuar se nënshkrimet janë grumbulluar dhe dorëzuar nga deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme si dhe me autorizimin e lëshuar nga deputeti Albin Kurti për grumbullimin e nënshkrimeve nga këto dy deputete. Pas verifikimit të nënshkrimeve të dorëzuara të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, KZP-ja konstatoi se është plotësuar kushti i nevojshëm i këtyre nënshkrimeve për zyrtarizimin e kandidaturës së Albin Kurtit sipas Statutit dhe Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme që është në fuqi.

Nga sot, deputeti Albin Kurti është zyrtarisht kandidat për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen në fillim të vitit 2018 sipas parimit një anëtar – një votë.

Kujtojmë se afati kohor për të dorëzuar kandidatura të tjera për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbaron në datën 10 janar 2018.

Nisur nga kërkesat e shumta për informim lidhur me këtë proces të brendshëm zgjedhor, si dhe duke marrë parasysh faktin që Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i madh në Republikën e Kosovës, KZP-ja do të vazhdojë ta mbajë të informuar rregullisht anëtarësinë dhe publikun e gjerë pëmes njoftimeve mbi këtë proces të demokracisë së brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Prishtinë, 27 dhjetor 2017

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo