27 12 2017

Depuetetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj u zgjatet paraburgimi duke e rënduar padrejtësinë dhe persekutimin politik ndaj tyre dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ditën e djeshme, gjyqtari Beqir Kalludra ka zgjatur sërish afatin e mbajtjes në paraburgim për deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj deri në datën 27 janar 2018. Gjyqtari Kalludra është kthyer tashmë në personin kyç të sistemit të kapur të drejtësisë që regjimi në Kosovë ka vendosur në përndjekje të aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky vendim i radhës i gjyqtarit Kalludra sërish është jo vetëm i pabazë por edhe i ngritur mbi mashtrimin.

Në vendimin e djeshëm për ta zgjatur afatin e paraburgimit për dy deputetët, Gjyqtari Kalludra ka mashtruar duke thënë se Albin Kurti dhe Donika Kadaj “nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre” dhe se “të njëjtit janë fshehur” për t’iu shmangur organeve. I kujtojmë Gjyqatarit Kalludra dhe mbarë opinionit publik se dy deputetët jo vetëm janë gjetur në shtëpitë e tyre në vizitat që policia ka bërë në vendbanimet e dy deputetëve, por për më tepër edhe janë arrestuar duke ushtruar detyrën e tyre si përfaqësues të popullit. Përkatësisht, Albin Kurti dhe Donika Kadaj janë arrestuar nga Policia e Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës duke vajtur për të marrë pjesë në seancë pleanare.

Lëvizja VETËVENDOSJE! bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të deputetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj nga paraburgimi, dhe kërkon ndaljen e këtij persekutimi politik që regjimi në Kosovë vazhdon të ushtrojë ndaj deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.


Prishtinë, 27 dhjetor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 12 2017

Fillon procesi i zgjedhjeve të brendshme për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, Lëvizja VETËVENDOSJE! është etabluar si subjekti politik më i madh në Republikën e Kosovës. Më tej, në zgjedhjet lokale të mbajtura po këtë vit, Lëvizja ka dyfishuar votën dhe ka dalë fituese në tre komuna, duke rikonfirmuar fitoren në Prishtinë dhe duke fituar edhe garën për Kryetar të Komunës së Prizrenit dhe Dardanës. Praktikat demokratike që Lëvizja VETËVENDOSJE! synon të realizojë në të mirë të të gjithë qytetarëve si dhe për të gjita institucionet e Republikës së Kosovës, janë praktika që Lëvizja VETËVENDOSJE! i vendos në zbatim edhe brenda organizatës përmes parimeve të demokracisë së brendshme. Në këtë frymë, dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloret në fuqi, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në mbledhjen XXXI-të mori vendim për të shpallur të hapura zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Bazuar mbi vendimin e Këshillit të Përgjithshëm, dhe në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, sot në Prishtinë u mblodh Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të nisur menaxhimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes. Në këtë kuadër, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm kërkon prej të gjitha Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, brenda dhe jashtë Kosovës, që të bëjnë funksionalizimin e Komisioneve Zgjedhore Ad Hoc të Qendrave (KZAQ) deri në datën 10 janar 2018, për menazhimin e këtij procesi të brendshëm zgjedhor.

Nga ana tjetër, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes VETËVENDOSJE! njofton të gjithë aktivistët e interesuar për të kandiduar për pozicionin e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës më së largu deri në datën 10 janar 2018, ora 17:00, pranë KZP-së. Sipas Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme, deklarata e kandidaturës për kryetar duhet shoqëruar me një kopje të letërnjoftimit dhe kartës së anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pas dorëzimit të këtij dokumentacioni, KZP-ja do të bëjë verifikimin e tij dhe do ta pajisë kandidatin me formularin e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës. Sipas Statutit dhe Rregulloreve në fuqi, kandidatët për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të grumbullojnë së paku 1/5 e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, ose 5% të nënshkrimeve të anëtarësisë për ta zyrtarizuar kandidaturën e tyre. Çdo kandidat që dorëzon deklaratën e kandidaturës para datës 10 janar 2018, pas verifikimit nga KZP-ja, do mund të fillojë edhe grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës. Nëse një kandidat do ta ketë të pamundur t’i dorëzojë nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës deri në datën 10 janar 2018, atëherë kandidati është i lutur t’i drejtohet KZP-së me një kerkesë për shqyrtim për shtyrjen e këtij afati.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! anembanë Republikës së Kosovës, si dhe në mërgatë, do të kenë mundësinë që të votojnë për pozicionin e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! sipas parimit një anëtar – një votë. Ne i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të bëhen pjesë e këtij procesi të brendshëm zgjedhor, në mënyrë që së bashku ta konsolidojmë edhe më shumë demokracinë e brendshme të organizatës sonë.

Prishtinë, 21 dhjetor 2017

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

20 12 2017

Regjimi në Kosovë krimet i kryen prapa krahëve të publikut në favor të Veselit

Sot është duke u mbajtur në fshehtësi seanca e radhës e gjyqit politik që regjimi autoritar në Kosovë po zhvillon kundër katër deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli.

Sot do të duhej që të dëshmonte Kadri Veseli, por prokurori e ka tërhequr dëshminë e tij. Madje, kur deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kërkuan sqarime për këtë vendim për Veselin, gjyqtari i përjashtoi ata dy nga seanca. Ky gjyqtar i përjashtoi nga publiku edhe deputetët Adem Mikullovci, Sami Kurteshi, Ismajl Kurteshi, Xhelal Sveçla.

Rikujtojmë se të katër deputetët janë vendosur në bankën e të akuzuarëve vetëm nga që patën guximin t’i dilnin në mbrotje sovranitetit të Republikës dhe integritetit territorial të vendit, duke kundërshtuar “Zajednicën” dhe marrëveshjen për “Demarkacionin”. Gjykata Kushtetuese dhe komisioni i ri shtetëror për “Demarkacionin” kanë dëshmuar institucionalisht se këto dy marrëveshje cenojnë sovranitetin dhe territorin e vendit. Ky fakt do të mjaftonte që sot, në bankën e të akuzuarëve, të ishin ata që i kanë nënshkruar dy marrëveshjet dhe jo deputetët që i kundërshtuan ato. Por në vend që të dënohen shkelësit, përmes kapjes së sistemit gjyqësor, regjimi po tenton të dënojë pikërisht ata që e mbrojtën popullin dhe vendin ndaj akteve kriminale të vetë regjimit, dhe ketë krim të radhës regjimi po tenton ta kryejë mbrapa krahëve të publikut.

Në seancën e parë gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes, u lejua transmetimi direkt televiziv dhe aty mbarë opinioni publik kuptoi nivelin e ulët profesional dhe motivet e pastra politike që po e shtynë gjyqtarin Kalludra të çojë përpara këtë proces kryekëput politik. Kujtojmë se ky është i njëjti gjyqtar që dënoi pa asnjë provë apo dëshmi, me një akuzë krejtësisht të montuar, edhe 4 aktivistët e Lëvizjes Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti. Sakaq, në seancën e sotme gjyqësore, Kalludra e ndali për herë të dytë mundësinë e mediave për ta pasqyruar këtë proces për publikun e gjerë. Meqenëse regjimi i ka humbur të gjithë argumentet, përpiqet sot ta mbrojë veten përmes censurës – mjetit të preferuar të çdo regjimi autoritar.

Ky proces politik gjyqësor, tashmë i censuruar, është në të njëjtën linjë me mënyrën se si u nënshkruan marrëveshjet për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin” në gusht të vitit 2015. Edhe në atë kohë, regjimi nuk i paraqiti paraprakisht këto dy marrëveshje në Kuvend, siç ishte i detyruar ligjërisht të vepronte, dhe nuk tregoi kurrëfarë transparence ndaj publikut deri sa këto dy marrëveshje shtet-rrënuese u nënshkruan. Sot, sërish në fshehtësi, regjimi po tenton ta mbulojë krimin e këtyre dy marrëveshjeve me një tjetër krim: procesin politik gjyqësor ndaj deputetëve të Lëvizjes. Sërish sot, përmes censurës, regjimi po vepron në fshehtësi, larg syve të publikut.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon censurën e gjyqtarit Kalludra dhe të regjimit autoritar në Kosovë, dhe kërkon me ngulm transparencë dhe drejtësi për të gjithë përfaqësuesit e popullit që ndodhen sot padrejtësisht në bankën e të akuzuarve.

20 dhjetor 2017

Kontribo

18 12 2017

Liri për aktivistët dhe deputetët, drejtësi për Astrit Deharin!

Deklaratë e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në mbledhjen e tij XXXI-të, del me këtë deklaratë sa i përket përndjekjes dhe dënimit të padrejtë të aktivistëve Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, si edhe arrestimit të deputetëve Albin Kurtit e Donika Kadajt, por edhe përndjekjes së padrejtë gjyqësore të Albulena Haxhiut e Faton Topallit e të deputetëve të tjerë që po ballafaqohen me procese gjyqësore të ndara për të njëjtën çështje, dhe kërkon me insistim drejtësi për rastin e Astrit Deharit.

Prej më shumë se 15 muajsh, në Kosovë po ndodh një padrejtësi e madhe në formë skandali politik e ligjor, që përmban në vetvete shkelje të të drejtave universale njerëzore, por edhe shkelje të parimeve të shtetit demokratik e të drejtësisë. Gjashtë aktivistë të pafajshëm u arrestuan me një akuzë të përbindshme: për terrorizëm. U arrestuan pa prova e dëshmi, qoftë edhe minimale. U mbajtën fillimisht në burg, edhe pse shumë shpejt u dëshmua, prej dëshmitarëve dhe kamerave të sigurisë, se në momentin kur ka ndodhur veprimi për të cilin akuzohen, të gjithë aktivistët kanë qenë në punë të vet e diku tjetër.

Astrit Dehari ka qenë një prej aktivistëve të arrestuar nën akuza të montuara, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se është vrarë në burgun e Prizrenit. Dyshim bazohet në raportin mjekoligjor të dy mjekëve të caktuar nga familja Dehari, bazohet në gënjeshtrat e dëshmuara prej zyrtarëve të lartë të policisë dhe të pushtetit, si dhe bazohet tek vdekja po aq e dyshimtë, disa muaj më vonë, e dëshmitarit kryesor të këtij rasti, Naser Makollit, i cili vuante dënimin në të njëjtën qeli me Astrit Deharin. Sot e kësaj dite, pushteti ende nuk po lejon që të ketë hetime të pavarura për rastin vdekjes në burg në rrethana të dhunshme të Astrit Deharit, duke penguar zbardhjen e asaj që mund të konsiderohet vrasja më e rëndë politike që ka ndodhur në rrethana të tilla.

Katër aktivistë, Frashër KrasniqiAtdhe ArifiEgzon Haliti dhe Adea Batusha u mbajtën në paraburgim dhe në arrest shtëpiak në një proces të stërzgjatur, edhe pse seancë pas seance u vërtetua pafajësia e tyre dhe u rrëzuan të gjitha përpjekjet e prokurorit të porositur nga regjimi. Madje edhe ekspertiza e ardhur nga FBI-ja amerikane ka dëshmuar se nuk ka asnjë provë që të fajësojë katër aktivistët tanë. Megjithatë, ashtu pa prova, në shkelje të të drejtave njerëzore e të ligjeve, Gjyqtari Beqir Kalludra, i shndërruar në vegël të regjimit, i dënoi aktivistët e Lëvizjes me 21 vite e gjysmë burgim. Në Kosovën tonë, ku kriminelët janë në pushtet, të pafajshmit dënohen në mënyrë kriminale. Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron kulmin e padrejtësisë këtë vendim.

U desh që aktivistët të organizoheshin në protesta e demonstrata kundër këtij vendimi të padrejtë. Por përqendrimi tek zgjedhjet lokale, ashtu si edhe situata e brendshme në Lëvizje dhe ndërprerja e funksionimit normal të disa organeve vendimmarrëse, e kanë vonuar për një kohë një pjesë të vendimeve që Lëvizja do të duhej t´i kishte marrë që herët.

Kryetari Visar Ymeri, në një vjetorin e vrasjes së Astrit Deharit, paralajmëroi regjimin me një ultimatum, me synim lejimin e hetimeve të pavarura në rastin e Astrit Deharit. Kërkesa jonë për lirimin e aktivistëve, është pjesë e së njëjtës çështje, ndaj do ta trajtojmë politikisht bashkë dhe njësoj me kërkesën për drejtësi për Astritin. Ne kërkojmë njëkohësisht drejtësi për Astritin dhe liri për aktivistët. Nëse regjimi vazhdon të mos veprojë, ne do të organizohemi në protesta.

Këshilli i Përgjithshëm i bën kërkesë kryetarit, kryesisë dhe Sekretariatit të Përgjithshëm, që të përcjellë me vëmendje kërkesat e familjarëve dhe të avokatëve të aktivistëve të dënuar, duke bërë ç´është e mundur, me të gjitha kapacitetet njerëzore, logjistike e financiare të Lëvizjes, që kjo çështje të avancojë në shkallët më të larta të gjyqësorit. Po ashtu, i bëjmë kërkesë strukturave tona drejtuese që të jenë sa më aktive, në çdo rast, për ta vetëdijësuar publikun e brendshëm dhe për ta ndërkombëtarizuar sa më shumë problemin e dënimit të padrejtë e kriminal të aktivistëve të pafajshëm, si edhe çështjen e hetimit të pavarur për vrasjen e Astrit Deharit.

Sikur i gjithë ky sulm kriminal i regjimit ndaj aktivistëve të mos mjaftonte, tashmë deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj mbahen në paraburgim, ndërsa Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli po i vazhdohet persekutimi përmes një gjyqi kryekëput politik, vetëm nga që dolën në mbrojtje të Republikës kundër “Zajednicës” dhe marrëveshjes së padrejtë të Demarkacionit me Malin e Zi. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si dhe Komisioni i ri shtetëror për Demarkacionin, u ka dhënë të drejtë dhe e ka legjitimuar veprimin që kanë ndërmarrë deputetët e Lëvizjes në mbrotje të Republikës. Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i madh në vend, dhe as nuk pajtohet e as nuk do ta lejojë arrogancën e gjyqësorit të kapur ndaj deputetëve tanë, të cilët nuk kanë bërë asnjë krim, por vetëm kanë mbrojtur territorin dhe të ardhmen e Kosovës.

Në kërkojmë me këmbëngulje që institucionet të reagojnë ashtu siç është e drejta dhe ligji, t´i lirojnë aktivistët dhe deputetët e pafajshëm, dhë të mundësojnë të bëhet drejtësi për rastin e Astrit Deharit. Siç është bërë me dije publikisht, në marshin protestues të datës 5 nëntor 2017, regjimi ka një afat, dhe ai afat është muaji shkurt 2018. Më tej nuk do të ketë më kërkesa, por protesta e demonstrata.

Kontribo

17 12 2017

Këshilli i Përgjithshëm vendos për zgjedhjet e reja për kryetar të Lëvizjes

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur mbledhjen e XXXI-të të Këshillit të Përgjithshëm. Kryesuesi i këtij Këshilli, Hydajet Hyseni, i përshëndeti të burgosurit politikë: Albin Kurtin e Donika Kadajn e po ashtu Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Frashër Krasniqin dhe të dënuarën Adea Batusha.

Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku në fjalën e saj drejtuar delegatëve të Këshillit dhe tha se ‘kjo nuk është mbledhje e jashtëzakonshme, e parakohshme apo e njëanshme. Është e zakonshme dhe e paraparë me statut’. Kollçaku i përshëndeti si suksese të muajve të fundit edhe tri fitoret e komunave të Prishtinës, Prizrenit dhe Dardanës.

Ndërkaq, delegatëve të Këshillit, deputeti Albin Kurti i është drejtuar me një letër të cilën e lexoi delegati Arben Vitia. ‘Kemi rrethanë shumë të volitshme për ta rrëzuar qeverinë sepse opozita është me e madhe se pozita dhe VETËVENDOSJE! është partia më e madhe. Ky shansi yni është shpresa e popullit’, thotë Kurti në këtë letër nga burgu.

Në këtë mbledhje u vendos me votim unanim për zgjedhjet e reja të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, afati i të cilave do të caktohet nga Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i Lëvizjes.

Po ashtu, në këtë mbledhje u votua edhe për koalicionet zgjedhore lokalë, në Prishtinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e re, në Prizren me Nismën për Kosovën, në Klinë me AAK dhe në Vushtrri me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 12 2017

NJOFTIM PËR MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Duke pasur parasysh obligimet statutore dhe kërkesat e proceseve funksionale që lidhen edhe me detyrimet ndaj KQZ-së, në përputhje me dispozitat dhe nenet e Statutit, si dhe me praktikat e funskionimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në cilësinë e Kryesusesit të Këshillit të Përgjithshëm, ju njoftoj për mbajtjen e mbledhjes së XXXI-të të Këshillit të Përgjithshëm këtë të diel, data 17 dhjetor 2017.

Kërkesat e përsëritura për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë, në të cilën, pos të tjerash do të merrej edhe vendimi për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, për të bërë edhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, nuk patën marrë përgjigjen e kërkuar.

Sot paradite, në cilësinë e Kryesuesit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam marrë nënshkrimet e mbi 2/3 të delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm për të mbajtur mbledhje të këtij organi më të lartë vendimmarrës ditën e diel, data 17 dhjetor 2017. Kërkesa e nënshkruar nga shumica dërrmuese e delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm është e rregulltë dhe në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me Rregulloren e Organeve Vendimmarrëse.

Rrjedhimisht, mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do të mbahet ditën e diel, data 17 dhjetor 2017, në “American School of Kosova” (ASK), në Prishtinë, në ora 11:30.

I ftoj të gjithë delegatët e Këshillit të Përgjithshëm të marrin pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme të organit më të lartë vendimmarrës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Shpreh përcaktimin, vullnetin dhe besimin që edhe kjo mbledhje të zhvillohet në një klimë normale, në frymë demokratike, konstruktive, konsoliduese në pajtim me traditën e pasur dhe idealet e larta të Levizjes VETËVENDOSJE!


Me respekt,

Hydajet Hyseni
Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

07 12 2017

VAZHDIMI I PARABURGIMIT RIDËSHMON LIDHJEN E KALLUDRËS ME VESELIN

Në gjyqin politik që po i bëhet deputetëve të Kuvendit të Republikës; Albin Kurti, Donika Kadaj, Albulena Haxhiu; gjyqtari Beqir Kalludra vazhoi paraburgimin për Albin Kurtin dhe Donika Kadaj, përderisa nuk ishte në gjendje ta urdhërojë sjelljen me detyrim në gjykatë të Kadri Veselit dhe Armend Zemajt në cilësinë e dëshmitarëve. Tashmë, njëanshmëria e këtij gjyqtari të specializuar kundër VETËVENDOSJE!-s është edhe më e dukshme. Ai nuk e fsheh anën që mban.

Kalludra mundohet ta fsheh vetëm demaskimin e veprimeve të tij. Sot nuk i lejoi as mediat që ta transmetojnë drejtpërdrejtë këtë përndjekje politike.

Vazhdimi i paraburgimit për deputetët deri më 20 dhjetor është i papranueshëm, skandaloz dhe shpërfytyrim i drejtësisë. Vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Kalludra e mori veç pak pasi e kërcënoi deputeten Albulena Haxhiu me shprehjet: “Ta marr fjalën dhe të dënoj”, duke përmendur me nervozitet edhe kallëzimin penal që e ka ngritur VETËVENDOSJE! ndaj tij.

Në pyetjen e deputetes Albulena Haxhiu se a po e kërcënon, gjyqtari i pushtetit kërcënoi zëshëm : “Po, po të kërcënoj, ankohu po deshe!”.

Kësisoj, edhe me gjuhën e tij kërcënuese, gjyqtari Kalludra ridëshmon se është dorë e zgjatur e Kadri Veselit i cili kërcënon(te) vazhdimisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! edhe nga foltorja e kryekuvendarit.

Derisa drejtësia është në duart e një gjyqtari politik që e mban anën e klanit Pronto, aktivistët dhe deputetët tanë po e vuajnë burgun pa u shpallur fajtorë dhe me procese të montuara politike.

Kontribo

02 12 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! po përgatit kallëzim penal për Beqir Kalludrën

Persekutimi i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga gjyqtari Beqir Kalludra vazhdoi edhe dje me seancën politike gjyqësore ndaj deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit dhe Albulena Haxhiut, e cila zgjati më shumë se 8 orë.

Gjatë kësaj seance, ku u morrën në pyetje dëshmitarët e prokurorisë, gjyqtari Kalludra, mbante haptazi anë dhe u jepte dëshmitarëve këshilla sugjestive, sa herë që ata mirreshin në pyetje nga deputetët tanë në këtë seancë. Edhe atëherë kur dëshmitarët kishin vullnet të përgjigjeshin, ky gjyqtar ua ndërprente fjalën, ndërhynte pa asnjë të drejtë në pyetjet e deputetëve, me ç’rast u pamundësohej atyre që nëpërmjet këtyre dëshmitarëve të ofronin prova me anë të së cilave edhe njëherë do të vërtetohej qëllimi politik për veprimet tona në mbrojtje të Republikes dhe territorit. Ai donte që deputetët tanë të bënin pyetje që u pëlqejnë dëshmitarëve dhe atij. Kjo është shkelje esenciale e palëve në procedurë në rastin konkret deputetëve tanë.

Ky gjyqtar shkoi aq larg sa që deputeten Donika Kadaj-Bujupi e nxorri nga seanca, vetëm se ajo i bëri pyetje deputetit Nuredin Ibishi, mbi veprimet faktike nga e kaluara e tij e që ishin me rëndësi për ta dëshmuar karakterin dhe integritetin e dëshmitarit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! më datë 22 nëntor ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, kryesuar nga Beqir Kalludra, por ende pa marrë vendim kryetarja e Gjykatës Themelore, mbi këtë përjashtim, i lartëpërmenduri, më 23 nëntor ka marrë vendim të paligjshëm për arrestimin e 3 deputetëve, Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut dhe caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

Sipas Kodit të Procedurës Penale neni 43, gjyqtari ndërpren çfarëdo veprimi, nëse ka kërkesë për përjashtimin e tij. Rrjedhimisht lëshimi i urdhëarresteve 1 ditë pas kërkesës për përjashtim është shkelje e KPRK pra me këtë vendim të paligjshëm Beqir Kalludra ka kryer vepër penale andaj Lëvizja VETËVENDOSJE! po përgatlit kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe në Zyrën e Prokurorit Disiplinor.

Ne kërkojmë nga gjyqtari lirimin e deputetëve dhe aktivistëve që padrejtësisht po mbahen në burg!

Kontribo

28 11 2017

Homazhe dhe vizita në nderim të dëshmorëve dhe të figurave kombëtare, me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kryesuar nga kryetari Visar Ymeri ka bërë sot homazhe dhe vizita në nderim të dëshmorëve dhe të figurave kombëtare, me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.

Janë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, vizitë te familja Jashari dhe tek vendi i daljes publike të UÇK-së në Llaushë, si dhe është vizituar familjen e mësuesit të vrarë, Halit Geci.

Në Prishtinë janë bërë nderime te Varrezat e dëshmorëve, Shtatorja e Ismail Qemalit, ajo e Zahir Pajazitit, tek Pllaka e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe te busti i dëshmorit Isa Kastrati.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe edhe te varri i dëshmorit më të ri të kombit, Astrit Dehari.

Kjo datë, ky flamur na obligon ne, si komb e shoqëri të angazhohemi çdo ditë për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe të drejtë, e komb të bashkuar. Jo vetëm si synim i së kaluarës, por edhe si projekt i së ardhmes.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Gëzuar Festën, Ditën e Flamurit!

Kontribo

27 11 2017

ARRESTIMI I ALBIN KURTIT DHE DONIKA KADAJ-BUJUPIT – DORËZIM I QEVERISË HARADINAJ NDAJ KLANIT PRONTO

Policia e Kosovës ka burgosur prapë sot deputetin Albin Kurti dhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi.

Ky arrestim u bë përkundër faktit që urdhër-arresti i lëshuar nga gjyqtari Beqir Kalludra ishte i kundërligjshëm dhe përbënte vepër penale; meqë deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kishin bërë paraprakisht kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues tek kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Znj. Afërdita Bytyqi.

Ndonëse kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues është dorëzuar më 22.11.2017; gjykatësi Beqir Kalludra lëshoi fletëarrestin për deputetët tanë, një ditë më vonë më 23 nëntor, pa pritur asnjë përgjigje nga kryetarja e Gjykatës Themelore sipas Kodit të Procedurës Penale.

Arrestimi i deputetëve është i padrejtë dhe manifestim i qartë i persekutimit politik që po i bëhet Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes organeve të rendit dhe drejtësisë, të cilat janë të kapura nga protagonistët e Klanit “Pronto”.

Kjo luftë speciale ndaj deputetëve tanë është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt kundruall agjendës së qeverive të mëhershme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilat mbahen mend për cenimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri dëshmon çdo ditë e më shumë që është vijmësi e shtetit të kapur.

Vendosmëria jonë për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se çdo persekutim që mund t’iu bëhet deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Rezistenca jonë kundër padrejtësive dhe rreziqeve që vijnë përmes projekteve si Demarkacioni dhe “Zajednica” nuk mund të shtypen. Nga askush dhe asnjëherë.

Hiq më larg se dje, populli e vërtetoi vullnetin e tij për çlirimin e shtetit nga garnitura e Klanit “Pronto”. Populli e ka ndalur Demarkacionin dhe “Zajednicën”. Këtë vullnet popullor nuk mund ta ndalë makineria e pushtetit të Klanit “Pronto”.

Kontribo

22 11 2017

BASTISJA, PJESË E PANIKUT TË KLANIT PRONTO DHE PRONTO 2 NGA ZGJIMI QYTETAR

Vazhdon përndjekja e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sot në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e deputetit Albin Kurti dhe atë të deputetes Donika Kadaj. Kjo pas një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj 3 deputetëve, si pjesë e një procesi të padrejtë e politik që po iu bëhet këtyre 4 deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Këto veprime të organeve të rendit dhe drejtësisë janë të papranueshme dhe tregojnë për luftën e vazhdueshme që po i bëhet Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Përndjekja dhe persekutimi i tillë, i vazhdueshëm ndaj aktivistëve dhe deputetëve tanë flet më së miri se deri në çfarë niveli është i kapur sistemi i drejtësisë.

Pa dyshim, kryefjala e gjithë këtij procesi të padrejtë është gjyqtari Beqir Kalludra, i cili si shërbyes i zellshëm i krimit, ditë më parë dënoi me 21 vite burg katër aktivistët tanë pa asnjë provë të vetme. Ky gjyqtar i cili shquhet vetëm për shërbimin me përkushtim ndaj klanit Pronto, me veprime të tilla, është manifestimi më i mirë i sistemit të kapur të drejtësisë.

Regjimi që po përndjek dhe që po burgos kundërshtarët e marrëveshjeve për themelimin e “Zajednicës” brenda Republikës së Kosovës dhe për Demarkacionin me Malin e zi, po sinkronizohet ngushtë edhe për zgjedhjet lokale të cilat përfunduan të dielën. Ka një tendencë të dëshpëruar të Klanit Pronto dhe Pronto 2 të LDK-së për ta minimizuar fitoren e qytetarëve e të VETËVENDOSJE!-s. 4 aktivistët e Lëvizjes u dënuan padrejtësisht përmes një masakre juridiko-politike të premten, më pak se dy ditë para balotazhit. Tash deputetët tanë po persekutohen vetëm 3 ditë pas balotazhit. Këto përndjekje tregojnë panikun që i ka kapluar këto struktura kapëse të shtetit nga zgjimi qytetar.

Ne kërkojmë që përndjekja ndaj deputetëve dhe aktivistëve tanë të marrë fund. Veprimet e tilla me qëllim frikësimin apo pengimin e aktivitetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të jenë përherë të paefektshme. Beteja jonë për ta çliruar sistemin e drejtësisë sikurse lufta për ta ndërtuar një shtet zhvillimor dhe të drejtë e të barabartë për të gjithë, nuk ndalen dot. Ne do të angazhohemi me përkushtimin më të lartë për të ndërtuar institucione të mirëfillta të drejtësisë, para të cilave do të jepet llogari për të gjitha këto veprime.

Kontribo

21 11 2017

Takim me Ambasadorin e Japonisë në Vjenë, z. Kiyoshi Koinuma dhe Sekretarin e Parë, z. Mitsunori Ogasawara.

Sot, deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, kanë pritur në takim Ambasadorin e Japonisë në Vjenë, z. Kiyoshi Koinuma dhe Sekretarin e Parë, z. Mitsunori Ogasawara.

Në këtë takim miqësor, fillimisht, zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë shprehur mirënjohjen e tyre për kontributin e Japonisë, duke përfshirë njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës.

Më tej, përveç qëndrimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbi çështje të rëndësisë së veçantë, siç janë integrimi evropian, përfshirja në NATO, sovraniteti i shtetit dhe integriteti territorial, në këtë takim është biseduar për mundësinë e bashkëpunimit me Japoninë në nivel ndërkombëtar dhe në fushën ekonomike.

Z. Koinuma shprehu interesimin e tij për ta vazhduar përkrahjen ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin duke e theksuar interesimin e tij për ta hapur, së shpejti, Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe planin e tij për lobim në Japoni për të nxitur investime në Kosovë.

Në fund palët u pajtuan ta vazhdojnë kontaktin dhe bashkëpunimin.

Kontribo

07 11 2017

Takim me Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, z.Christian Heldt dhe Sekretarin e parë të Ambasadës, z.Marten Menger.

Sot, në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, deputeti Albin Kurti dhe deputetja e nënkryetarja, Fatmire Mullhaxha-Kollçakun; pritën në takim Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, z.Christian Heldt dhe Sekretarin e parë të Ambasadës, z.Marten Menger.

Fillimisht, Kurti dhe Kollçaku shprehën falenderimin dhe mirënjohjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për rolin dhe kontributin e Gjermanisë në të kaluarën dhe në të tashmen e Kosovës; në të gjitha fushat, nga siguria te ekonomia, prej edukimit te demokratizimi.

Në takimin i cili u zhvillua në atmosferë miqësore dhe të përzemërt, u diskutuan shumë tema e çështje : situata politike në Kosovë, papunësia e madhe e në veçanti tek të rinjtë, integrimi evropian dhe marrëdhëniet bilaterale, mërgata dhe investimet, drejtësia dhe arsimi etj.

Në fund, të dyja palët u pajtuan për të vazhduar kontaktin, komunikimin dhe takimet për bashkëpunim sa më të mirë dhe më të ngushtë midis dy shteteve dhe popujve tanë.

Kontribo

06 11 2017

NEVOJA PËR NJË STRATEGJI TË PËRBASHKËT NË POLITIKËN E JASHTME

Kryetari i Lëvizjes VETEVENDOSJE! Visar Ymeri, së bashku me shefin e Grupit parlamentar Glauk Konjufca dhe me deputeten Albulena Haxhiu, priten sot në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, delegacionin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të përbërë nga kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi dhe nga kryetarët e Grupeve parlamentare.
Në këtë takim u diskutua për rolin e grupit tonë parlamentar, si dhe për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të të dy kuvendeve dhe të komisioneve parlamentare.
Gjendja politike në vend, e veçanërisht marrëveshja për demarkacionin dhe negociatat me Serbinë ishin në fokus të bashkëbisedimit.
Kryetari Ymeri theksoi pos tjerash nevojën e një strategjie të përbashkët në politikën e jashtme; në funksion të faktorizimit, zhvillimit dhe sovranizimit të të dy republikave.

Kontribo

05 11 2017

ULTIMATUM PËR QEVERINË NË NJËVJETORIN E VDEKJES SË DHUNSHME TË ASTRIT DEHARIT

Mijëra qytetarë morën pjesë sot në homazhet dhe në marshin protestues, të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në përvjetorin e parë të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor 2016.

Me moton “Drejtësi për Astritin”; organizatorët i kanë dhënë afat Qeverisë së Republikës së Kosovës, që deri më 5 shkurt 2018, të lejojë dhe të nisë hetimet e pavarura dhe të gjithanshme sipas kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit; si dhe t’i shkarkojë nga pozitat zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve: Dhurata Hoxhën (ish-ministre e Drejtësisë, tani Ministre e Integrimit), Shpend Maxhunin (Drejtor i përgjithshëm i Policisë), Nexhmi Krasniqin (Komandant i Policisë Rajonale në Prizren) dhe Fatos Makolli (Drejtor i Njësisë Kundër Terrorizëm).

Këto kërkesa u parashtruan nga kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, në marshin protestues që nisi nga Biblioteka Kombëtare dhe që vazhdoi deri te Qeveria e Kosovës me thirrjet “Drejtësi për Astritin” dhe “Unë jam Astriti”. “Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast. Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit”, ka pohuar Ymeri.

Në fjalimin e tij, deputeti Albin Kurti e cilësoi Astrit Deharin si dëshmorin më të ri të kombit. “Astrit, rënia jote dëshmon se populli ynë, është ende në lëvizje dhe se nuk është dorëzuar. Kosova nuk është nënshtruar as prej sundimtarësh shumë të ashpër të vendeve pushtuese, e sigurisht nuk do të nënshtrohet as nga kjo kastë hajnash e vrasësish”, ka thënë Kurti.

Në këtë marsh folën edhe Egzon Pnishi, shok i Astrit dhe Destan Hajdini, familjar.

Në mesditë, qindra bashkëpartiakë, familjarë, shokë e qytetarë të ndryshëm, bënë homazhe te varri i Astrit Deharit. Kortezhit i ka prirë babai, nëna, motra e bashkëshortja e ve e Astritit, të cilët kanë vënë buketa lulesh te varri i Astrit dhe të varri i Arbënorit, djalit tjetër i Avni e Xhemile Deharit, i cili kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 11.06.2014. Babai i tij, Avni Dehari ka falenderuar të pranishmit që kishin ardhur për ta ndarë dhimbjen me familjen duke theksuar se familja Dehari do të jetë gjithnjë në aktivitetet që çojnë drejt jetësimit të idealit kombëtar.

Qëndresën e prindërve dhe familjes së Astritit, deputeti Glauk Konjufca e cilësoi si shembull të jashtëzakonshëm që na ndihmon për të qëndruar drejtë dhe që të jemi të guximshëm. ”Qeveria e kaluar e Kosovës duhet të marrë përgjegjësinë për vdekjen e Astritit. Siç po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s po shihet se është i montuar dhe me prapavijë politike, prandaj ky pushtet dhe qeveria e kaluar sidomos duhet ta marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejt për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit”, ka thënë Konjufca.

Përndryshe, Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga ngjyra e hedhur drejt ndërtesës së qeverisë. Këto veprime nuk kanë qenë pjesë e agjendës organizative dhe janë njëkohësisht të papranueshme.

Astriti, është ylli ynë që nuk shuhet kurrë!

Lavdi jetës së shkurtër, por veprës së madhe të Astrit Deharit!

Kontribo

02 11 2017

RASTI GJYQËSOR I GRUPIT TË KUMANOVËS ËSHTË I MONTUAR

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër “Grupi i Kumanovës” si të motivuar politikisht dhe si trajtim jonjerëzor e degradues në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.

E kaluara në Maqedoni ka dëshmuar se shumë raste dhe procese gjyqësore kundër shqiptarëve kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë. Deri më tani, Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë përgjëgjësitë e saj për të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë montuar këto raste. Në vend të kësaj, në territorin nën sovranitetin e qeverisjes së saj, po vazhdojnë të ndodhin raste dhe procese të diskredituara për nga profesionalizmi, pavarësia politike dhe paanshmëria e pushteteve policore dhe gjyqësore.

Të panjohurat e ngjarjes së Lagjes së Trimave, trajtimi i të burgosurëve, procesi gjyqësor dhe së fundi dënimi i shtatë të akuzuarve me burg të përjetshëm dhe me gjithsej 746 vjet burg, prej të cilëve shumica janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë referencat më të mira për ta inicuar urgjentisht fillimin e një hetimi të pavarur ndërkombëtar lidhur me ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Vetëm duke e hetuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme tërë ngjarjen do të mund të sillet drejtësia për të gjithë personat e përfshirë, në një mënyrë apo tjetër, në ngjarjen e padrejtë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, prapavijat e të cilit proces të montuar i di vetë pushteti dhe sigurimi shtetëror maqedon.

Ftojmë gjithashtu Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen politikisht dhe në rafshin diplomatik për një gjykim të drejtë dhe për respektim të të drejtave të njeriut për rastin e Lagjes së trimave në Kumanovë.

Kontribo

09 10 2017

PDK në Prizren ta ndalë gjuhën përçarëse dhe të urrejtjes

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren mbajti një konferencë për media, në të cilën prezantoi audio-incizime, që shpërfaqin metodat anti – demokratike të cilat po i përdor kandidati i PDK-së, për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj dhe ekipi i tij. Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe fjalorit tejet diskriminues.

Në dy tubime parazgjedhore, në Has dhe në lagjen “Jeta e re”, z. Totaj dëgjohet duke folur me gjuhë përçarëse dhe fashiste, duke iu referuar kandidatit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në audio incizimet që i posedon Qendra e Lëvizjes në Prizren dhe të cilat i ka publikuar në këtë konferencë, Totaj dëgjohet të shprehet: “A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu cashtjen e ujit e t’rrymës?”. Poashtu, “Ka ardhë koha që duhet me menu, që qytetin e Prizrenit edhe Hasin mos me ia lonë në dorë njerëzve që s’dinë me folë shqip.”

Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e Lëvizjes në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja se nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të papranueshme të urrejtjes, përçarëse dhe fashiste.

Shumica e qytetarëve të Komunës sonë i njohin shumë mirë kandidatin tonë për kryetar, ashtu edhe familjen Haskuka. Gjyshi i z. Haskuka, ka qenë ndër të burgosurit e parë politikë shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ka vuajtur 4 vite burg, mes viteve 1945 e 1949, nga regjimi i Jugosllavisë për çështje kombëtare.

Prof. dr. Mytaher Haskuka është njëri prej themeluesve të Departamentit të Psikologjisë pranë Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron në gjuhën shqipe mbi dhjetë gjenerata të studentëve tanë. Ai ka doktoruar në Stamboll dhe studimet postdiplomike i ka kryer në Mynhen.

Para se të kyçet në politikë, ai ka punuar për 10 vite në UNDP. Dy herë është zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës, me përkrahje të madhe të qytetarëve të Komunës sonë dhe më gjerë.

Prof. dr. Mytaher Haskuka flet 5 gjuhë dhe në secilin aspekt është shumë më superior kundrejt kandidatit të PDK-së. Si në aspektin akademik, si në aspektin profesional, si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin moral.

Prizreni njihet për një bashkëjetesë tradicionale, e Shaqir Totaj dhe mendësia e tij e cenon këtë si dhe vlerat demokratike të cilat shoqëria jonë mëton t’i praktikojë e zhvillojë. Luftën e pandershme të kundërshtarëve tanë e konsiderojmë si provincializëm mesjetar që çon në instalim të fashizmave rajonalë.

Ndryshimi i domosdoshëm në Prizren, vjen vetëm me njerëz të ndershëm, të dijshëm e punëtorë sikurse është profesori Mytaher Haskuka.

Audio incizimi me zërin e Shaqir Totajt:

https://www.facebook.com/LVVPrizren/videos/1705724712805710/

Kontribo

02 10 2017

Nga vizita e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qëndruar ditëve të fundit në Zvicër. Qindra qytetarë kanë bashkëbiseduar me kryetarin e LVV-së, Visar Ymeri dhe me deputetët Aida Dërguti, Dardan Molliqaj dhe Albulena Haxhiu, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në Kosovë, si dhe për rolin e rëndësishëm të mërgatës në zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Mbështjetja e mërgatës për Alternativën Qeverisëse të VETËVENDOSJE!-s dhe për programin e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit u rivërtetua gjatë tubimeve të zhvilluara në Gjenevë, Bern, Basel, St-Gallen dhe Cyrih.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka rishprehur angazhimin e saj për krijimin kushteve të nevojshme, që mërgata e Republikës së Kosovës të mund të votojë në objektet e përfaqësive diplomatike, si në ambasada dhe në konsulata.

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë falënderuar mërgatën për kontributin e saj në çlirimin e Kosovës dhe në ruajtjen e paqes sociale, duke u zotuar njëkohësisht për angazhim edhe më të madh politik të Lëvizjes, në krijimin e hapësirave dhe mundësive për përfshirjen e saj në jetën politike dhe socio-ekonomike të Republikës së Kosovës.

Kontribo

22 09 2017

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË GJERMANI KANË NEVOJË PËR MOBILIZIM TË GJERË KUNDËR TË DJATHTËS EKSTREME

Ditën e diel në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka ndjekur me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore për shkak të rolit tejet të rëndësishëm të Gjermanisë në Bashkimin Evropian dhe më tej në nivel ndërkombëtar, për shkak të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane si dhe për rëndësinë që do të kenë këto zgjedhje për mërgatën shqiptare që jeton në Gjermani. Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë). Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë.

Përballë këtij rreziku, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillimeve kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje. Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Gjejmë rastin ta ftojmë mërgatën shqiptare ta shfrytëzojë të drejtën e votës duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në datën 24 shtator 2017 në Gjermani.

Prishtinë, 22 shtator 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

16 09 2017

Nga tryeza “Rëndësia e pushtetit lokal”

Ne duam ta ndryshojmë qytetin dhe qeverisjen lokale, sepse duam ta përmirësojmë mënyrën e jetës. Ky ishte fokusi i tryezës me temë “Rëndësia e pushtetit lokal” të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Me qeverisjet lokale të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e përbashkëta dhe të drejtat nuk mund të cenohen nga interesat private. Ndërkaq, rëndësia e komunikimit me komunitetin do të jetë e pazëvendësueshme.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri foli për rëndësinë e Komunës si garancë e plotësimit të të drejtave dhe nevojave qytetare.

Drejtuesi i Komitetit për Politika Financiare Besnik Bislimi foli për ndarjen buxhetore që duhet ta ketë parasysh qeverisja komunale.

Kurse, Kyetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti foli për ndryshimin që është bërë në Prishtinë. Ai tha se pavarësisht punëve që janë kryer, suksesi më i madh është ndërtimi i një qytetari aktiv.
Ahmeti shtoi se Komuna është vija e parë e frontit e shtetit social.

Pasi foli për problemet e trashëguara nga qeverisja e kaluar, Ahmeti ftoi të bëhemi bashkë që të mos lejohet përsëritja e atyre gabimeve.

Pjesëmarrësit e tjerë dhanë propozimet e tyre për sferat e ndryshme të qeverisjes të cilat janë kompetencë qeverisë e Komunës.

Kontribo

15 09 2017

Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm

Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë.

Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm. Tash edhe një ministër dyshohet të jetë i tillë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte.

Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje.

Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet.

Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë.

Kontribo