14 09 2017

TAKIM ME AMBASADORIN E KANADASË PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS, DANIEL MAKSYMIUK

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Sejdiu, dhe drejtuesi i Komitetit për Politika financiare, Besnik Bislimi, kanë takuar të enjten Ambasadorin e Kanadasë për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk.

Themelimi i institucioneve qendrore, gjendja politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe përgatitjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth zgjedhjeve lokale të 22 tetorit ishin tema qendrore bashkëbisedimi.

Ambasadori Maksymiuk shprehu interesimin gatishmërinë e autoriteteve shtetërore kanadeze për të bashkëpunuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si subjektin kryesor opozitar në Republikën e Kosovës.

Duke i paraqitur prioritetet e tyre programore, zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ngriten nevojën e zhvillimit dhe revitalizimit të industrive, veçmas ato minerare dhe bujqësore.

Kontribo

14 09 2017

YMERI, DËRGUTI E KONJUFCA TAKUAN DREJTORESHËN PËR BALLKANIN PËRËNDIMOR, ANGELINA EICCHORST

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!-s, z. Visar Ymeri, Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Aida Dërguti, dhe Shefi i Grupit Parlamentar, z. Glauk Konjufca, takuan sot në zyrat e BE-së në Kosovë, Drejtoreshën per Ballkanin Perendimor ne EEAS , znj. Angelina Eicchorst.

Në takim u diskutua situata politike në vend, puna e mëtutjeshme e Parlamentit të Kosovës dhe mbi hapat e Kosovë në lidhje me agjendën evropiane. Si dhe, për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Me theks të veçantë u diskutua mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe zbatimin e saj. Nga znj. Eicchorst u theksua nevoja e Kosovës për avancim më të shpejtë në proceset evropiane.

Kurse, përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ngritën shqetësimet e tyre për logjikën qeverisëse të kësaj qeverie e cila po vazhdon hapave të njëjtë me ato të mëparshmet: qeverisje pa program zhvillimor e pa strategji shtetndërtuese, duke vazhduar avazin e vjetër të prioriteteve të caktuara nga agjenda e Serbisë.

Po ashtu kundërshtuan rritjen e ndikimit politik të Serbisë përmes Listës Serbe, dhe tash thellimin e bashkëpunimit të kësaj Liste me partinë e Putinit.

Nga të dyja palët u konstatua nevoja për takime të tjera dhe komunikim të vazhdueshëm.

Kontribo

09 09 2017

QEVERI AUTOKRATËSH E KONTROLLUAR NGA VUÇIQI

Sot ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën, më në fund arritën ta formojnë një qeveri, pasi që erdhi “leja” nga Beogradi. Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiqi.

Ata thanë se po kërkojnë bashkëpunim me opozitën shqiptare, që të mos mbeten peng i Beogradit, por edhe kjo është rrenë. Sot kryetari i PAN, Kadri Veseli, shkeli rregulloren duke mos e votuar mocionin e opozitës. Ndërkaq PAN votoi që opozitës t’i hiqej mundësia për të diskutuar. Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë respekt për opozitën, dhe se janë autokratë të pandreqshëm.

Në parimet programore të paraqitura, nuk parashikohet asnjë instrument financiar apo ekonomik në ndihmë të zhvillimit. Ata aty thonë se do të vazhdojnë privatizimet. Pra programi i tyre është vazhdim i dështimit neoliberal që solli krizën në Kosovë e në botë.

Ne e dimë se kjo qeveri i ka punët pisk. Por u bëjmë thirrje, as mos t’u shkojë ndërmend të sillni në Kuvend “temat e mëdha”, Zajednicën, Demarkacionin, Kosovën C me një kthim shumëpërqindësh të garantuar pēr privatin, apo privatizimet. Ne i kemi ndalur këto kur ishim pak, tani ne jemi dyfish më të fortë e qeveria dyfish më e dobët. Mos i hapni telashe të reja vendit.

Ne do të mbështesim edhe me votë, çdo politikë e propozim që i ndihmon punësimit, mirëqenies, afrimit me Shqipërinë e shqiptarët në troje e mërgatë, çdo politikë që e bën Kosovën me ushtri, që rrit demokracinë e lufton korrupsionin. Pra nëse doni bashkëpunim, vetëm ajo është rruga.

E nëse jo, shumë shpejt keni për të mbetur dy herë më të dobët se në 11 qershor.

Kontribo

06 09 2017

KURTI E SEJDIU TAKUAN AMBASADORIN E REPUBLIKËS SË FRANCËS NË KOSOVË, Z. DIDIER CHABERT

Sot, në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kandidati për Kryeministër z.Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu kanë takuar Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Didier Chabert.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike dhe mbi gjendjen ekonomiko-sociale në vendin tonë. Çështja e krijimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës ishte po ashtu në fokus të bashkëbisedimit.

Kurti dhe Sejdiu njoftuan ambasadorin francez gjithashtu lidhur me përgatitjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Kontribo

26 08 2017

3 VITE NGA AKTGJYKIMI I PADREJTË I GJYKATËS KUSHTETUESE

Tre vite më parë, në 26 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar një vendim skandaloz, i cili siç po shihet vazhdon të lërë pasoja tragjike për Kosovën. Aktgjykimi KO119/14 vendosi që në Kosovë të institucionalizohet kriza.

Kushtetuta shkruan se e drejta për propozim të Kryetarit të Kuvendit i takon ”grupit më të madh parlamentar” dhe kjo në të gjitha vendet me demokraci parlamentare interpretohet si e drejtë e atij grupi që ka me vete shumicën e mjaftueshme për ta zgjedhur Kryetarin. Pra nëse nuk e ka njëri grup, kalohet te grupi tjetër për të parë se a e ka atë shumicë. Mirëpo Gjykata Kushtetuese vendosi ta lexojë Kushtetutën në mënyrë perverse, duke u shprehur se kjo e drejtë i takon vetëm subjektit më të madh të regjistruar në KQZ. Pra, jo më Kuvendi e Grupi Parlamentar, por KQZ-ja dhe Subjekti Politik na u bënë kategori kushtetuese dhe faktorë për zgjidhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u ndërmorr në një periudhë kur vendi ishte fare pranë çlirimit prej kapjes së shtetit nga ana e PDK-së. Dhe siç po shihet, edhe tre vjet më vonë, ky vendim është kryekëput instrument në dorë të PDK-së, e cila për pushtet është gati edhe ta shkatërrojë shtetin që e ka kapur dhe e ka bllokuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë një vendim i padrejtë, i marrë prej Gjyqtarësh të anshëm, të cilët madje pikërisht gjatë mbledhjeve për të marrë atë vendim i zhdukën shënimet e mbajtura gjatë hartimit të Kushtetutës, pikërisht sepse në ato shënime shpjegohej saktë e qartë se si e rregullon Kushtetuta këtë çështje. Shënimet u gjetën vetëm disa muaj më vonë, gjë që tregon edhe mungesën e mentalitetit shtetformues të kapësve të shtetit dhe të përfaqësuesve të tyre në Gjykatë Kushtetuese.

Në qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjykatat do të çlirohen nga kapja, dhe aktvendime të tilla që janë të padrejta dhe që e bllokojnë përparimin në Kosovë, nuk do të ketë më.

Kontribo

22 08 2017

Katër aktivistët lirohen pas një viti paraburgim dhe arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar katër aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Frashër Krasniqin nga arresti shtëpiak, si dhe Atdhe Arifin nga paraburgimi. Ne vlerësojmë se ky është një korrigjim i pjesshëm ndaj një padrejtësie e cila ka filluar një vit më parë. Që të katër aktivistët janë privuar nga liria padrejtësisht për 12 muaj. Ata, bashkë me aktivistin tashmë të ndjerë, Astrit Deharin, u arrestuan në fund të gushtit të kaluar. Gjatë gjithë kësaj kohe ata janë mbajtuar në arrest shtëpiak e paraburgim, si pasojë e një procesi të padrejtë, bazuar mbi shpifje dhe me synime qartësisht politike. Vendimi për ndërprerjen e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak është një pranim i nënkuptuar nga organet e drejtësisë se ky proces ka qenë i porositur politikisht dhe kryekëput i padrejtë. Drejtësia do të vihet në vend vetëm kur të ndërpritet tërësisht ky proces.

Sistemi i kapur i drejtësisë i arrestoi ata nën akuzat për terrorizëm. Ky sistem ka nevojë për reformim dhe për pastrim rrënjësor prej elementëve të kontrolluar nga pushtetet apo të korruptuar. Bashkë, me aktivistët Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi nuk do të reshtim së kërkuari edhe drejtësi për Astritin i cili humbi jetën dhunshëm në burg, gjatë kohës kur vuante një dënim të padrejtë për shkak të akuzave të sajuara të këtij pushteti shtypës.

Kontribo

16 08 2017

SEANCA KONSTITUTIVE, PJESË E PAZAREVE PËR ZGJEDHJET LOKALE

Koalicioni PAN është duke e bllokuar Kuvendin. Kjo është tashmë e qartë për publikun dhe nuk ka nevojë për interpretime të tjera qofshin ato dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Sot, koalicioni i udhëhequr nga PDK kërkoi që vazhdimi i seancës themeluese të mbahet më 24 gusht. Kësisoj, e shtyu edhe për një javë kërkesën e vet të mëparshme – që seanca e radhës të mbahej këtë të enjte ose të premte, me 17-18 gusht.

Në konsultën e sotme, përfaqësuesit e koalicionit PAN sërish kërkuan që deputetët e Kuvendit ta votojnë kandidatin e tyre, Kadri Veselin. Kësisoj dëshmuan se nuk e kanë shumicën dhe e lanë të hapur mundësinë që sërish ta braktisin seancën nëse Veseli nuk votohet.

Përveç Listës Serbe, partner kryesor i koalicionit PAN, sot u shpërfaq edhe roli i dëmshëm i disa përfaqësuesve të komuniteteve të tjera të cilët u pajtuan me taktikën e zvarritjes së mëtutjeshme në themelim të institucioneve qeverisëse. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e brengosur për pozicionimin e tillë të deputetëve minoritarë të cilët kësisoj e rënduan tutje pozitën e ndjeshme të komuniteteve të tyre në këtë periudhë të krizës politike dhe shantazhit institucional.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i kupton takimet e sotme ndër-partiake si taktizim të palëve në prag të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë. Insistimi i përfaqësuesve të PAN për datën 24 gusht ndërlidhet me afatin e fundit për dorëzim të listave të kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë kuvendesh komunale, e që skadon më 22 gusht.

Tashmë është e qartë që PAN synon mbajtjen peng të jetës institucionale derisa të përmbyllen pazaret e kandidaturave dhe përkrahjeve elektorale të nivelit lokal. Ndihmesë kryesore në këtë qëllim të ulët e ka Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014.

Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se ky Aktgjykim përbën njërin nga vendimet më të dëmshme politike në historinë e pasluftës në Kosovë. Ai ishte dizenjuar si agresion i drejtpërdrejtë mbi sistemin e brishtë demokratik dhe synon monopolizimin e pushtetit qeveritar në vend nga një grup i vetëm politik, i përfaqësuar sot nga koalicioni PAN.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se 24 gushti nuk është zgjidhje, por vetëm zvarritje e mëtutjeshme. Seanca e caktuar është pretekst i koalicionit PAN për ta ripërtëritur krizën, duke shantazhuar Kuvendin me votim të Veselit ose me braktisje të sërishme të seancës.

Kontribo

09 08 2017

Kriza e brendshme e PDK-së nuk mund të transferohet në Kuvend

Sot u tentua sërish që kriza e brendshme e Partisë Demokratike të transferohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Përfaqësuesit e tij e shpërdorën ‘takimin konsultativ’ në mbajtjen e të cilit insistuan vet. Ata pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër. Kësisoj, sërish shkelën procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhduan bllokimin e themelimit të institucioneve.

Sot, koalicioni PAN shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre. Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me “konsensus” t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas.

Përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike.

Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së.

Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim ndodhen në situatë shantazhi të cilën, nuk ua kanë për borxh sidomos PDK-së që për dhjetë vite është në pushtet.

Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet.

Ne po përcjellim me shqetësim lojën e rrezikshme të PAN-it, tërheqim vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës. Pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK.

Lëvizja VETËVENDOSJE! thërret të gjithë deputetët e Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive. Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit.

Kontribo

05 08 2017

Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s’bën dot.

Blerand Stavileci nuk ka bindje as mendim. Ai është një servil i vockël që i shërben shefit. Fillimisht Hashim Thaçit, pastaj Kadri Veselit, pse jo, nesër edhe tjetërkujt. Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s’bën dot. Kjo punë e ulët nuk njeh dinjitet. Suksesi i servilëve matet me shkallën e instrumentalizimit. Nganjëherë, ata duhet ta tejkalojnë edhe nivelin e të zotit për ta dëshmuar besnikërinë. Kjo pra është merita e Blerand Stavilecit për t’u bërë ministër.

Ata që kanë shkelur gjakun e dëshmorëve, po hedhin akuza drejt nesh se duam pushtet përmes gjakut; ata që për ta mbajtur pushtetin e bënë Kosovën pre të aspiratave shoveniste të Serbisë, na akuzojnë për gjoja lidhje me Serbinë; ata që e kanë kapur shtetin, tash që i kanë humbur zgjedhjet, akuzojnë se duam ta marrim pushtetin përmes dhunës. Akuzojnë pikërisht sepse u frikësohen akuzave nga shteti i së drejtës që nuk njeh shefa. Siç duket vetem tash, afër 2 muaj pas zgjedhjeve PDK ka filluar ta ndjejë goditjen e madhe që ka marrë me 11 qershor. Ne e dimë se janë të frikësuar, por vetëm ata e dinë sa shumë kanë vjedhur – pra sa shumë kanë çfarë të humbasin. Për Astrit Deharin do të përgjigjeni, dhe për këtë ju garantojmë; kurse për milionat e bëra përmes krimit e korrupsionit, e kemi gati ligjin anti-mafia.

Ky vend do të çlirohet me çdo kusht! Pavarërisht se nuk do klani Pronto. Në fakt, pikërisht përkundër tij. Për këtë i detyrohemi të rënëve!

Kontribo

03 08 2017

Ka qenë koha e fundit për reflektimin e Veselit

E përshëndesim tërheqjen e Veselit nga kandidatura për kryeparlamentar. Ka qenë koha e fundit për reflektim. Ne tash presim se kush do të jetë kandidati i PAN për kryetar kuvendi. Le ta propozojnë ndonjë personalitet që është sa më gjithpërfshirës.

Sa i përket kërkesës së Veselit që ne ta votojmë Haradinajn, ne nuk mund të bëjmë marrëveshje me Veselin. Është Veseli ai që ka marrëveshje me Haradinajn. Pas dështimit të z.Haradinaj për të formuar qeverinë, radha i kalon të nominuarit tonë.

Kontribo

31 07 2017

Kurti e Konjufca takojnë ambasadoren gjermane Angelika Viets

Sot, në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, ishin për vizitë i nominuari për kryeministër nga VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, dhe, deputeti i Lëvizjes, z.Glauk Konjufca. Ata u pritën nga Ambasadorja në largim, znj. Angelika Viets, dhe Sekretari i Parë, z. Marten Menger.

Në këtë takim u diskutua rëndësia dhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Gjermanisë, si në rrafshin bilateral po ashtu edhe në atë të integrimeve evropiane. Zhvillimi ekonomik i orientuar në investime e punësim si dhe sundimi i ligjit për ta luftuar korrupsionin e për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve ishin temat kryesore.

Në veçanti u bisedua edhe për zhvillimet politike në Kosovë në prag të seancës konstituive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ambasadorja Viets uroi z. Kurti dhe z. Konjufca për rezultatin në zgjedhje dhe shprehu përkushtimin e saj për mbështetjen e cilësdo shumicë parlamentare që formon qeverinë e ardhshme të Kosovës. Z.Kurti dhe z.Konjufca falenderuan Ambasadoren Viets për kontributin e Gjermanisë në Kosovë dhe theksuan gatishmërinë dhe interesimin e tyre për kontakte të vazhdueshme e takime të mëtutjeshme.

Kontribo

29 07 2017

PDK të ndal gjuhën fyese

Asambleisti i PDK-së Muhamet Selmani nëpërmjet një statusi në Facebook e ka ofenduar deputeten Albulena Haxhiu duke përmendur lajme të demantuara kundër të cilave është ngritur padi dhe pa asnjë të drejtë, poshtë çdo niveli merret me pjesë intime të deputetes.

Sulmi pa asnjë shkas drejtuar deputetes Haxhiu, është nivel i ulët e rrugaqëri e cila nuk i takon sferës politike. Selmani e as askush tjetër nuk ka të drejtë të komentojë pjesë të trupit te grave as burrave deputetë e aktivistë. Një mendësi e tillë seksiste, duke komentuar trupin e deputetes është e papranueshmoe për sferën e politikës, debatin publik dhe shoqërinë për të cilën angazhohemi. Ne zotohemi se do ta luftojmë PDK-në edhe në këtë pikë të prapambetur e cila në shoqërinë tonë shkakton edhe dëm publik në kurriz të grave. Komente ofenduese janë drejtuar edhe kah nënkryetarja e deputetja Fatmire Kollçaku.

Njerëzit e tillë nuk mund të na ofendojnë. Ky është niveli intelektual i PDK-së dhe këta njerëz janë për keqardhje. E aq më shumë është për keqardhje fakti që këta kriminelë e uzurpatorë, këta rrugaçë të pacipë, kanë kapur shtetin dhe ia kanë pamundësuar qytetarëve mirëqenien. Rrjedhimisht aq shumë na vjen mirë që u ka ardhur fundi. E aq më tepër na gëzon fakti që edhe këta e kanë kuptuar që u ka ardhur fundi.

Është e pashpjegueshme se si këto sulme qyqare vijnë ndaj një deputeteje të guximshme si Albulena e cila nuk kurseu veten në mbrojtje të Republikës e kundër Zajednicës që Selmani me shokë përulësisht ia falnin Vuçiqit.

Këto sulme janë pjesë e një fushate kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila PDK-së po i shërben që ta mbulojë humbjen e saj dhe t’i eksportojë problemet e brendshme partiake të shkaktuara pas kësaj humbje.

Kontribo

26 07 2017

SHPIFJET E PDK-SË JANË PRODUKT I FRIKËS NGA HUMBJA E PUSHTETIT

Rënia e ndjeshme e PDK-së në zgjedhjet e fundit, ku humbi 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka tronditur aq shumë këtë parti, saqë duket se e ka të pamundur këndelljen, prandaj edhe ka filluar një fushatë shpifëse që e bën aq të dukshme gjendjen e rëndë të saj. Dyfishimi i VETËVENDOSJE!-s në anën tjetër, që ka bërë që të jemi partia më e madhe në vend, e ka futur në panik të thellë këtë parti, e cila për vite të tëra përmes klanit “Pronto” e ka kapur në gjitha format shtetin dhe tashmë po frikësohet nga çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit.

Së fundi, nga zyrtarë të kësaj partie u plasua shpifja se deputeti Dardan Molliqaj dha dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ për shkak të presionit nga ambasadat, shpifje kjo e rradhës, e cila është manifestim i frikës që klani “Pronto” e ka nga qeverisja e VETËVENDOSJE!-s dhe vendosja e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë.

Deputeti Molliqaj, i cili renditet në mesin e dhjetë deputetëve më të votuar në vend, i ka dhënë tashmë arsyet e dorëheqjes, të cilat përmblidhen në angazhimin e mëtutjeshem që ai do ta ketë në Kuvend për ta luftuar klanin “Pronto” së bashku me deputetët e tjerë të VETËVENDOSJE!-s, e cila do ta ketë grupin më të madh parlamentar në Kuvend. Dhe pikërisht kjo luftë të cilën e kanë frikë aq shumë ky klan krimnal, është arsyeja pse PDK ka filluar të sajojë shpifje, të cilat në asnjë mënyrë nuk do ta shpëtojnë nga rënia e vazhdueshme dhe përgjegjësia që duhet ta japin për dëmin që i kanë shkaktuar vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe do të angazhohet fuqishëm për një mendësi të re qeverisëse, e cila çrrënjos krimin dhe korrupsionin, si dhe mundëson një shtet të së drejtës, një shtet zhvillimor e social. Kjo sigurisht që është e papranueshme për klanin “Pronto” sepse një shtet i tillë që vë në pah veprimntarinë e tyre krimale dhe i mbanë përgjegjës për të, është i frikshëm për ta.

Kontribo

25 07 2017

AKTIVISTI ATDHE ARIFI KTHEHET NË PARABURGIM

Aktivisti Atdhe Arifi është kthyer në paraburgim nga vuajtja e masës së arrestit shtëpiak. Edhe një herë, policia ka vendosur që të tregohet e padrejtë e agresive me aktivistët e zellshëm. Atdheut që ka 11 muaj duke u privuar prej lirisë, i është caktuar masa e paraburgimit deri më 25 shtator. Sot, policia e ka marrë atë në shtëpi, për ta dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, me arsyetimin se nuk e ka zbatuar masën e arrestit shtëpiak. Bëhet fjalë për datën 6 korrik, kur Atdheu kishte provim në degën e Arkitekturës, në lëndën ‘Organizimi dhe teknikat e ndërtimit’. Ky provim i paraparë për datën 5 korrik, ishte shtyrë për një ditë, me datë 6. Për këtë provim, që Atdheu e ka kaluar me sukses, ekzistojnë edhe dëshmi për shtyrjen me datën 6 korrik.

Atdheu ka mbajtur 3 muaj paraburgim dhe nëntë të tjerë arrest shtëpiak për asnjë faj. Të gjitha këto vuajtje të padrejta të Atdheut e tre bashkaktivistëve të tjerë që po vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak, ia detyrojmë këtij pushteti kriminal. Ne e dimë që ky pushtet e kalon kohën duke ideuar dhe ekzekutuar planet për akuza ndaj VETËVENDOSJE! dhe këtë kohë është duke u marrë me Atdhe Arifin, Adea Batushën, Egzon Halitin e Frashër Krasniqin. Sa herë që legjitimiteti i këtij pushteti bie, shpërfaqja e egërsisë me aktivistët e Lëvizjes rritet. Tash që PDK ka humbur në zgjedhje, njerëzit e zyrave të PDK-së i akuzuan këta katër aktivistë të pafajshëm me akuza të montuara. Në harmoni me akuzat e PDK-së, në kohën e njëjtë u janë refuzuar edhe lejet edhe për çështje shëndetësore për këta aktivist si për t’u vërtetuar edhe publikisht që po mbahen aty nëpërmjet montimit të procesit absurd.

Atdheu është një i ri i angazhuar për një shoqëri e të ardhme më të mirë. Atdheu është student i dalluar. Përgjatë kohës sa ishte në arrest shtëpiak diplomoi në Psikologji. Vetëm edhe një provim e ndan atë prej diplomimit në Arkitekturë. Natyrisht se ky është një profil që i pengon këtij sistemi autoritar që ekziston për të keqpërdorur. Por, sigurisht që profilet e tilla, aktivistët e qytetarët e shumtë që janë kundër këtij sistemi janë edhe garancia për jetën e shkurtër të këtij pushteti.

Kontribo

21 07 2017

ALBIN KURTI DHE GLAUK KONJUFCA TAKUAN AMBASADORIN AMERIKAN

Sot, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, i nominuari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Glauk Konjufca, takuan ambasadorin amerikan z.Greg Delawie.

Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. U trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të.

Kontribo

21 07 2017

THAÇI DUHET TË THËRRAS SEANCËN KONSTITUIVE

Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim. Afati ligjor për thirrjen e seancës konstituive është i përcaktuar ligjërisht dhe Thaçi thjesht e ka obligim kushtetues ta kumtojë ditën dhe orën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. Nëse Thaçi nuk e bën këtë, atëherë ne, si deputetë të Kuvendit të zgjedhur me votën e popullit, do ta bëjmë ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ftesa e Thaçit për takim konsultativ, është përpjekje që përmes takimeve joformale të tipit parapolitik ta bëjë të paqartë thirrjen e seancës konstituive. Kjo është tendencë e qartë për të krijuar përshtypjen e krizës ku të gjithë duhet të ulen në një tryezë dhe ka thjeshtë për qëllim shpërlarjen e takimeve të kafeneve me koalicionin e PAN-it, të cilit duke qenë se më shpejtë po i ikën koha se sa që po i bëjnë numrat për formimin e qeverisë, po mendojnë se tek Thaçi kanë gjetur mundësinë për blerjen e kohës. Thaçi e ka shfrytëzuar këtë ftesë, për t’ia mbuluar PAN-it humbjen e të gjitha afateve të cilat ata vetë i kanë caktuar. Kësisoj, Thaçi vetë i skaduar, ka pranuar këtë rol prej shpëtimtarit fallso për t’u rikthyer sërish në skenë, ku deri më tani qëndronte vetëm nëpërmjet thirrjeve telefonike me Vuçiqin.

Kontribo

18 07 2017

ALBIN KURTI PRITI DELEGACIONIN NDËRKOMBËTAR TË ORGANIZIMIT TË LUTJEVE TË MËNGJESIT

I nominuari për kryeministër të Kosovës nga VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, në selinë qendrore të Lëvizjes në Prishtinë, sot priti delegacionin ndërkombëtar të organizimit të lutjeve të mëngjesit të përbërë nga z.Lars Rise, z.Anthony Cordle, znj.Jennifer Lu dhe znj.Iris Lu.

Këta po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë për të mësuar më shumë mbi zhvillimet politike dhe gjendjen socio-kulturore te ne. Me këtë rast, z.Kurti i njoftoi mysafirët për programin, aktivitetet dhe organizimin e VETËVENDOSJE!-s, për suksesin në zgjedhjet e fundit dhe sfidat në të ardhmen për Kosovën duke theksuar ato për formimin e qeverisë së re në legjislaturën e gjashtë.

Ata e uruan z. Kurti për rezultatin në zgjedhje dhe i dëshiruan atij suksese të reja në vijim. Të dy palët potencuan rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë midis politikanëve të kombeve, bindjeve e rajoneve të ndryshme dhe u zotuan për bashkëpunim e takime të tjera në të ardhmen.

Kontribo

14 07 2017

Nga konferenca përkujtimore “Teqeja Bektashiane e Gjakovës – vatër e atdhetarizmit”

I nderuari Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të bektashinjve, baba Mondi,
I nderuari baba Mumin Lama,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame, Kishës Katolike të komunitetit hebrenj,
Zotëri Rexhepi,
Don Lush Gjergji,
Zotëri Demiri
Të nderuar klerikë,
Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe kënaqësinë që sot ndodhem këtu, mes jush, në këtë konferencë, e cila e tregon, e vërteton, e dëshmon edhe një herë që bashkëjetesa dhe bashkëveprimi i feve të ndryshme te shqiptarët është shembull jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë botën.

Janë shqiptarët ata të cilët e kanë theksuar gjithmonë të përbashkëtën e tyre përkundër dallimeve dhe nuk janë kufizuar tek toleranca, por janë avancuar te puna dhe jeta e përbashkët.

Prej universalitetit të krishterizmit tek umeti i myslimanëve, shqiptarët e të gjitha feve, klerikë ose vetëm besimtarë e kanë theksuar rëndësinë e bashkësisë, qysh prej Rilindjes sonë Kombëtare, në formimin e kombit tonë. Fetë kanë kontribuar me bashkimin e njerëzve me angazhmin e tyre për bashkësinë. Gjendja normale e njerëzve është bashkësia. Kur njerëzit janë të ndarë, të përçarë ose të vetmuar, kjo do të thotë se dikush prej lart i ka ndarë, i ka përçarë ose i ka izoluar për t’i sunduar më kollaj. Njerëzit janë të lirë, atëherë kur janë bashkë, dhe këtë gjë kombi ynë prej formimit e ka dëshmuar si askush tjetër.

Unë i falenderoj të gjithë përfaqësuesit e të gjitha besimeve për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë para luftës, gjatë luftës e pas luftës. E kanë ndihmuar popullin tonë në paqe e në luftë, në ditë të vështira me ndihma nga më të ndryshmet. Te rezistenca jonë gjatë okupimit, lufta jonë çlirimtare dhe ndërtimi i paqes e shtetit sot, kanë gjurmë të thella të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë. Prandaj, unë shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata dhe secilin prej tyre.
Më lejoni që me ketë rast të përfundoj këtë fjalë përshëndetëse duke e përkujtuar thënien e famshme të Faik bej Konicës i cili thoshte se shqiptarët nuk ndahen në të krishterë dhe muhamedanë, shqiptarët ndahen në kombëtarë, ku ka prej të gjitha besimeve, dhe, në zuzarë. Ne jemi kombëtarë pavarësisht prej besimeve tona dhe le ta theksojmë të përbashkëtën tonë e cila është edhe mundësia, edhe garancioni, për përparimet e pandalshme të popullit dhe shoqërisë në Kosovë e më gjerë.

Ju falemnderit.

Kontribo

11 07 2017

NGA TAKIMI ME PËRFAQËSUESEN SPECIALE TË BE-së NË KOSOVË

Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryeministër Albin Kurti dhe nënkryetari i Lëvizjes, Dardan Sejdiu kanë takuar sot Përfaqësuesen Speciale të BE-së në Kosovë, znj. Natalia Apostolova. Në këtë takim në zyrët e BE-së, u diskutua situata pas çertifikimit të zgjedhjeve të 11 qershorit, vizita e delegacionit të VETËVENDOSJE!-s në Bruksel si dhe disa nga prioritet qeverisëse të Lëvizjes. Nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm mes të dyja palëve ishte pjesë e bisedës në këtë takim.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejshëm e të vazhdueshëm dhe intensifikim të raporteve.

Kontribo

07 07 2017

NGA TAKIMI ME AMBASADORIN E SUEDISË DHE AMBASADOREN E FINLANDËS

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kanë takuar sot Ambasadorin e Suedisë, z. Henrik Nilsson, dhe Ambasadoren e Finlandës, znj. Anne Huhtamäki.

Para ambasadorëve të të dyja shteteve, z. Ymeri e z. Kurti folën mbi zgjidhjet që parasheh VETËVENDOSJE! karshi problemeve me të cilat tash e sa vite ballafaqohet Kosova, të sintetizuara në Alternativën qeverisëse, ku me këtë rast u theksuan zgjidhjet konkrete që jepen në 20 kapitujt e kësaj alternative, që gjatë zgjedhjeve të fundit u konkretizuan tutje në formën e 40 prioriteteve apo masave që do të ndërmerren për zhvillimin e forcimin e Republikës së Kosovës. Në këtë takim u diskutua veçanërisht mbi modelin ekonomik që e parasheh Alternativa qeverisëse, ai i shtetit zhvillimor, përmes të cilit synohet të vihen në përdorim politikat shtetërore, resurset natyrore që ka vendi ynë dhe ndikimi i shtetit, me qëllimin që të luftohet varfëria dhe të mundësohet mirëqenia për të gjithë. E posaçërisht u potencua rëndësia e përkrahjes për prodhimin vendor, si mundësi për të përmirësuar bilancin tregtar, duke zëvendësuar importet me eksporte.

Po ashtu, më theks të veçantë u diskutua edhe modeli i shtetit social që parasheh Lëvizja VETËVENDOSJE!, që ka për pikënisje barazinë, ku z. Ymeri e z. Kurti shprehën domosdoshmërinë që Kosova të jetë një shtet social dhe përmenden nevojën që të ndërtohen mekanizma që mundësojnë, por dhe që garantojnë barazinë për të gjithë. Ndër të tjera, ata thanë që ky shtet social e ka për synim që të garantojë qasje në të mirat sociale për të gjithë, duke zhdukur dallimet dhe shtypjen ndaj shtresave e kategroive të ndryshme.

Nga ana tjetër, z. Nilssson dhe znj. Huhtamäki shprehën kënaqësinë për takimin e mbajtur, duke vlerësuar si të nevojshme që të ketë sa më shumë takime të këtilla. Si dhe, uruan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe uruan VETËVENDOSJE!-n për rezultatin e arritur. Gjithashtu, ambasadorët nga dy vendet skandinave, deklaruan se Suedia, përkatësisht Finlanda, do të jenë mbështetëse të Kosovës në rrugën drejt shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj.

Nga të dyja palët u shtrua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm në të gjitha fushat mes shteteve dhe pati dakordim për thellim të bashkëpunimit e kordinim për takime të tjera.

Kontribo

05 07 2017

Takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, dhe i nominuari për Kryeministër nga VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, takuan sot Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler dhe zëvendësen e tij, znj. Vera Fusch.

Në këtë takim u diskutua mbi situatën politike, veçanërisht për zgjedhjet e 11 qershorit dhe rezultatin e tyre, si dhe formimin e qeverisë së ardhshme. Me këtë rast, z. Ymeri e z. Kurti e njoftuan më detajisht ambasadorin austriak për planin dhe 40 priortitetet e VETËVENDOSJE!-s, si projektin e vetëm që mundëson ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Po ashtu, shprehën qëndrimet mbi dialogun me Serbisë, duke prezantuar para ambasadorit platformën e VETËVENDOSJE!-s për këtë çështje.

Në anën tjetër, z. Pfandler dhe znj. Fusch, uruan VETËVENDOSJE!-n për suksesin në zgjedhje. Si dhe, u tha se Austria mbetet e vendosur për përkrahjen dhe mbështetjen e Kosovës, në veçanti për avancimin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe anëtarsimin në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Nga ky takim i përzemërt u theksua po ashtu rëndësia e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, si dhe nevoja për të vazhduar edhe në të ardhmen më takime të këtilla.

Kontribo