05 11 2017

ULTIMATUM PËR QEVERINË NË NJËVJETORIN E VDEKJES SË DHUNSHME TË ASTRIT DEHARIT

Mijëra qytetarë morën pjesë sot në homazhet dhe në marshin protestues, të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në përvjetorin e parë të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor 2016.

Me moton “Drejtësi për Astritin”; organizatorët i kanë dhënë afat Qeverisë së Republikës së Kosovës, që deri më 5 shkurt 2018, të lejojë dhe të nisë hetimet e pavarura dhe të gjithanshme sipas kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit; si dhe t’i shkarkojë nga pozitat zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve: Dhurata Hoxhën (ish-ministre e Drejtësisë, tani Ministre e Integrimit), Shpend Maxhunin (Drejtor i përgjithshëm i Policisë), Nexhmi Krasniqin (Komandant i Policisë Rajonale në Prizren) dhe Fatos Makolli (Drejtor i Njësisë Kundër Terrorizëm).

Këto kërkesa u parashtruan nga kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, në marshin protestues që nisi nga Biblioteka Kombëtare dhe që vazhdoi deri te Qeveria e Kosovës me thirrjet “Drejtësi për Astritin” dhe “Unë jam Astriti”. “Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast. Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit”, ka pohuar Ymeri.

Në fjalimin e tij, deputeti Albin Kurti e cilësoi Astrit Deharin si dëshmorin më të ri të kombit. “Astrit, rënia jote dëshmon se populli ynë, është ende në lëvizje dhe se nuk është dorëzuar. Kosova nuk është nënshtruar as prej sundimtarësh shumë të ashpër të vendeve pushtuese, e sigurisht nuk do të nënshtrohet as nga kjo kastë hajnash e vrasësish”, ka thënë Kurti.

Në këtë marsh folën edhe Egzon Pnishi, shok i Astrit dhe Destan Hajdini, familjar.

Në mesditë, qindra bashkëpartiakë, familjarë, shokë e qytetarë të ndryshëm, bënë homazhe te varri i Astrit Deharit. Kortezhit i ka prirë babai, nëna, motra e bashkëshortja e ve e Astritit, të cilët kanë vënë buketa lulesh te varri i Astrit dhe të varri i Arbënorit, djalit tjetër i Avni e Xhemile Deharit, i cili kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 11.06.2014. Babai i tij, Avni Dehari ka falenderuar të pranishmit që kishin ardhur për ta ndarë dhimbjen me familjen duke theksuar se familja Dehari do të jetë gjithnjë në aktivitetet që çojnë drejt jetësimit të idealit kombëtar.

Qëndresën e prindërve dhe familjes së Astritit, deputeti Glauk Konjufca e cilësoi si shembull të jashtëzakonshëm që na ndihmon për të qëndruar drejtë dhe që të jemi të guximshëm. ”Qeveria e kaluar e Kosovës duhet të marrë përgjegjësinë për vdekjen e Astritit. Siç po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s po shihet se është i montuar dhe me prapavijë politike, prandaj ky pushtet dhe qeveria e kaluar sidomos duhet ta marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejt për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit”, ka thënë Konjufca.

Përndryshe, Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga ngjyra e hedhur drejt ndërtesës së qeverisë. Këto veprime nuk kanë qenë pjesë e agjendës organizative dhe janë njëkohësisht të papranueshme.

Astriti, është ylli ynë që nuk shuhet kurrë!

Lavdi jetës së shkurtër, por veprës së madhe të Astrit Deharit!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 11 2017

RASTI GJYQËSOR I GRUPIT TË KUMANOVËS ËSHTË I MONTUAR

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër “Grupi i Kumanovës” si të motivuar politikisht dhe si trajtim jonjerëzor e degradues në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.

E kaluara në Maqedoni ka dëshmuar se shumë raste dhe procese gjyqësore kundër shqiptarëve kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë. Deri më tani, Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë përgjëgjësitë e saj për të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë montuar këto raste. Në vend të kësaj, në territorin nën sovranitetin e qeverisjes së saj, po vazhdojnë të ndodhin raste dhe procese të diskredituara për nga profesionalizmi, pavarësia politike dhe paanshmëria e pushteteve policore dhe gjyqësore.

Të panjohurat e ngjarjes së Lagjes së Trimave, trajtimi i të burgosurëve, procesi gjyqësor dhe së fundi dënimi i shtatë të akuzuarve me burg të përjetshëm dhe me gjithsej 746 vjet burg, prej të cilëve shumica janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë referencat më të mira për ta inicuar urgjentisht fillimin e një hetimi të pavarur ndërkombëtar lidhur me ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Vetëm duke e hetuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme tërë ngjarjen do të mund të sillet drejtësia për të gjithë personat e përfshirë, në një mënyrë apo tjetër, në ngjarjen e padrejtë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, prapavijat e të cilit proces të montuar i di vetë pushteti dhe sigurimi shtetëror maqedon.

Ftojmë gjithashtu Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen politikisht dhe në rafshin diplomatik për një gjykim të drejtë dhe për respektim të të drejtave të njeriut për rastin e Lagjes së trimave në Kumanovë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 10 2017

PDK në Prizren ta ndalë gjuhën përçarëse dhe të urrejtjes

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren mbajti një konferencë për media, në të cilën prezantoi audio-incizime, që shpërfaqin metodat anti – demokratike të cilat po i përdor kandidati i PDK-së, për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj dhe ekipi i tij. Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe fjalorit tejet diskriminues.

Në dy tubime parazgjedhore, në Has dhe në lagjen “Jeta e re”, z. Totaj dëgjohet duke folur me gjuhë përçarëse dhe fashiste, duke iu referuar kandidatit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në audio incizimet që i posedon Qendra e Lëvizjes në Prizren dhe të cilat i ka publikuar në këtë konferencë, Totaj dëgjohet të shprehet: “A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu cashtjen e ujit e t’rrymës?”. Poashtu, “Ka ardhë koha që duhet me menu, që qytetin e Prizrenit edhe Hasin mos me ia lonë në dorë njerëzve që s’dinë me folë shqip.”

Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e Lëvizjes në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja se nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të papranueshme të urrejtjes, përçarëse dhe fashiste.

Shumica e qytetarëve të Komunës sonë i njohin shumë mirë kandidatin tonë për kryetar, ashtu edhe familjen Haskuka. Gjyshi i z. Haskuka, ka qenë ndër të burgosurit e parë politikë shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ka vuajtur 4 vite burg, mes viteve 1945 e 1949, nga regjimi i Jugosllavisë për çështje kombëtare.

Prof. dr. Mytaher Haskuka është njëri prej themeluesve të Departamentit të Psikologjisë pranë Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron në gjuhën shqipe mbi dhjetë gjenerata të studentëve tanë. Ai ka doktoruar në Stamboll dhe studimet postdiplomike i ka kryer në Mynhen.

Para se të kyçet në politikë, ai ka punuar për 10 vite në UNDP. Dy herë është zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës, me përkrahje të madhe të qytetarëve të Komunës sonë dhe më gjerë.

Prof. dr. Mytaher Haskuka flet 5 gjuhë dhe në secilin aspekt është shumë më superior kundrejt kandidatit të PDK-së. Si në aspektin akademik, si në aspektin profesional, si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin moral.

Prizreni njihet për një bashkëjetesë tradicionale, e Shaqir Totaj dhe mendësia e tij e cenon këtë si dhe vlerat demokratike të cilat shoqëria jonë mëton t’i praktikojë e zhvillojë. Luftën e pandershme të kundërshtarëve tanë e konsiderojmë si provincializëm mesjetar që çon në instalim të fashizmave rajonalë.

Ndryshimi i domosdoshëm në Prizren, vjen vetëm me njerëz të ndershëm, të dijshëm e punëtorë sikurse është profesori Mytaher Haskuka.

Audio incizimi me zërin e Shaqir Totajt:

https://www.facebook.com/LVVPrizren/videos/1705724712805710/

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 10 2017

Nga vizita e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qëndruar ditëve të fundit në Zvicër. Qindra qytetarë kanë bashkëbiseduar me kryetarin e LVV-së, Visar Ymeri dhe me deputetët Aida Dërguti, Dardan Molliqaj dhe Albulena Haxhiu, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në Kosovë, si dhe për rolin e rëndësishëm të mërgatës në zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Mbështjetja e mërgatës për Alternativën Qeverisëse të VETËVENDOSJE!-s dhe për programin e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit u rivërtetua gjatë tubimeve të zhvilluara në Gjenevë, Bern, Basel, St-Gallen dhe Cyrih.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka rishprehur angazhimin e saj për krijimin kushteve të nevojshme, që mërgata e Republikës së Kosovës të mund të votojë në objektet e përfaqësive diplomatike, si në ambasada dhe në konsulata.

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë falënderuar mërgatën për kontributin e saj në çlirimin e Kosovës dhe në ruajtjen e paqes sociale, duke u zotuar njëkohësisht për angazhim edhe më të madh politik të Lëvizjes, në krijimin e hapësirave dhe mundësive për përfshirjen e saj në jetën politike dhe socio-ekonomike të Republikës së Kosovës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 09 2017

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË GJERMANI KANË NEVOJË PËR MOBILIZIM TË GJERË KUNDËR TË DJATHTËS EKSTREME

Ditën e diel në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka ndjekur me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore për shkak të rolit tejet të rëndësishëm të Gjermanisë në Bashkimin Evropian dhe më tej në nivel ndërkombëtar, për shkak të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane si dhe për rëndësinë që do të kenë këto zgjedhje për mërgatën shqiptare që jeton në Gjermani. Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë). Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë.

Përballë këtij rreziku, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillimeve kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje. Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Gjejmë rastin ta ftojmë mërgatën shqiptare ta shfrytëzojë të drejtën e votës duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në datën 24 shtator 2017 në Gjermani.

Prishtinë, 22 shtator 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 09 2017

Nga tryeza “Rëndësia e pushtetit lokal”

Ne duam ta ndryshojmë qytetin dhe qeverisjen lokale, sepse duam ta përmirësojmë mënyrën e jetës. Ky ishte fokusi i tryezës me temë “Rëndësia e pushtetit lokal” të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Me qeverisjet lokale të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e përbashkëta dhe të drejtat nuk mund të cenohen nga interesat private. Ndërkaq, rëndësia e komunikimit me komunitetin do të jetë e pazëvendësueshme.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri foli për rëndësinë e Komunës si garancë e plotësimit të të drejtave dhe nevojave qytetare.

Drejtuesi i Komitetit për Politika Financiare Besnik Bislimi foli për ndarjen buxhetore që duhet ta ketë parasysh qeverisja komunale.

Kurse, Kyetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti foli për ndryshimin që është bërë në Prishtinë. Ai tha se pavarësisht punëve që janë kryer, suksesi më i madh është ndërtimi i një qytetari aktiv.
Ahmeti shtoi se Komuna është vija e parë e frontit e shtetit social.

Pasi foli për problemet e trashëguara nga qeverisja e kaluar, Ahmeti ftoi të bëhemi bashkë që të mos lejohet përsëritja e atyre gabimeve.

Pjesëmarrësit e tjerë dhanë propozimet e tyre për sferat e ndryshme të qeverisjes të cilat janë kompetencë qeverisë e Komunës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 09 2017

Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm

Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë.

Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm. Tash edhe një ministër dyshohet të jetë i tillë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte.

Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje.

Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet.

Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 09 2017

TAKIM ME AMBASADORIN E KANADASË PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS, DANIEL MAKSYMIUK

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Sejdiu, dhe drejtuesi i Komitetit për Politika financiare, Besnik Bislimi, kanë takuar të enjten Ambasadorin e Kanadasë për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk.

Themelimi i institucioneve qendrore, gjendja politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe përgatitjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth zgjedhjeve lokale të 22 tetorit ishin tema qendrore bashkëbisedimi.

Ambasadori Maksymiuk shprehu interesimin gatishmërinë e autoriteteve shtetërore kanadeze për të bashkëpunuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si subjektin kryesor opozitar në Republikën e Kosovës.

Duke i paraqitur prioritetet e tyre programore, zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ngriten nevojën e zhvillimit dhe revitalizimit të industrive, veçmas ato minerare dhe bujqësore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 09 2017

YMERI, DËRGUTI E KONJUFCA TAKUAN DREJTORESHËN PËR BALLKANIN PËRËNDIMOR, ANGELINA EICCHORST

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!-s, z. Visar Ymeri, Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Aida Dërguti, dhe Shefi i Grupit Parlamentar, z. Glauk Konjufca, takuan sot në zyrat e BE-së në Kosovë, Drejtoreshën per Ballkanin Perendimor ne EEAS , znj. Angelina Eicchorst.

Në takim u diskutua situata politike në vend, puna e mëtutjeshme e Parlamentit të Kosovës dhe mbi hapat e Kosovë në lidhje me agjendën evropiane. Si dhe, për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Me theks të veçantë u diskutua mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe zbatimin e saj. Nga znj. Eicchorst u theksua nevoja e Kosovës për avancim më të shpejtë në proceset evropiane.

Kurse, përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ngritën shqetësimet e tyre për logjikën qeverisëse të kësaj qeverie e cila po vazhdon hapave të njëjtë me ato të mëparshmet: qeverisje pa program zhvillimor e pa strategji shtetndërtuese, duke vazhduar avazin e vjetër të prioriteteve të caktuara nga agjenda e Serbisë.

Po ashtu kundërshtuan rritjen e ndikimit politik të Serbisë përmes Listës Serbe, dhe tash thellimin e bashkëpunimit të kësaj Liste me partinë e Putinit.

Nga të dyja palët u konstatua nevoja për takime të tjera dhe komunikim të vazhdueshëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 09 2017

QEVERI AUTOKRATËSH E KONTROLLUAR NGA VUÇIQI

Sot ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën, më në fund arritën ta formojnë një qeveri, pasi që erdhi “leja” nga Beogradi. Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiqi.

Ata thanë se po kërkojnë bashkëpunim me opozitën shqiptare, që të mos mbeten peng i Beogradit, por edhe kjo është rrenë. Sot kryetari i PAN, Kadri Veseli, shkeli rregulloren duke mos e votuar mocionin e opozitës. Ndërkaq PAN votoi që opozitës t’i hiqej mundësia për të diskutuar. Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë respekt për opozitën, dhe se janë autokratë të pandreqshëm.

Në parimet programore të paraqitura, nuk parashikohet asnjë instrument financiar apo ekonomik në ndihmë të zhvillimit. Ata aty thonë se do të vazhdojnë privatizimet. Pra programi i tyre është vazhdim i dështimit neoliberal që solli krizën në Kosovë e në botë.

Ne e dimë se kjo qeveri i ka punët pisk. Por u bëjmë thirrje, as mos t’u shkojë ndërmend të sillni në Kuvend “temat e mëdha”, Zajednicën, Demarkacionin, Kosovën C me një kthim shumëpërqindësh të garantuar pēr privatin, apo privatizimet. Ne i kemi ndalur këto kur ishim pak, tani ne jemi dyfish më të fortë e qeveria dyfish më e dobët. Mos i hapni telashe të reja vendit.

Ne do të mbështesim edhe me votë, çdo politikë e propozim që i ndihmon punësimit, mirëqenies, afrimit me Shqipërinë e shqiptarët në troje e mërgatë, çdo politikë që e bën Kosovën me ushtri, që rrit demokracinë e lufton korrupsionin. Pra nëse doni bashkëpunim, vetëm ajo është rruga.

E nëse jo, shumë shpejt keni për të mbetur dy herë më të dobët se në 11 qershor.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 09 2017

KURTI E SEJDIU TAKUAN AMBASADORIN E REPUBLIKËS SË FRANCËS NË KOSOVË, Z. DIDIER CHABERT

Sot, në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kandidati për Kryeministër z.Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu kanë takuar Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Didier Chabert.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike dhe mbi gjendjen ekonomiko-sociale në vendin tonë. Çështja e krijimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës ishte po ashtu në fokus të bashkëbisedimit.

Kurti dhe Sejdiu njoftuan ambasadorin francez gjithashtu lidhur me përgatitjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 08 2017

3 VITE NGA AKTGJYKIMI I PADREJTË I GJYKATËS KUSHTETUESE

Tre vite më parë, në 26 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar një vendim skandaloz, i cili siç po shihet vazhdon të lërë pasoja tragjike për Kosovën. Aktgjykimi KO119/14 vendosi që në Kosovë të institucionalizohet kriza.

Kushtetuta shkruan se e drejta për propozim të Kryetarit të Kuvendit i takon ”grupit më të madh parlamentar” dhe kjo në të gjitha vendet me demokraci parlamentare interpretohet si e drejtë e atij grupi që ka me vete shumicën e mjaftueshme për ta zgjedhur Kryetarin. Pra nëse nuk e ka njëri grup, kalohet te grupi tjetër për të parë se a e ka atë shumicë. Mirëpo Gjykata Kushtetuese vendosi ta lexojë Kushtetutën në mënyrë perverse, duke u shprehur se kjo e drejtë i takon vetëm subjektit më të madh të regjistruar në KQZ. Pra, jo më Kuvendi e Grupi Parlamentar, por KQZ-ja dhe Subjekti Politik na u bënë kategori kushtetuese dhe faktorë për zgjidhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u ndërmorr në një periudhë kur vendi ishte fare pranë çlirimit prej kapjes së shtetit nga ana e PDK-së. Dhe siç po shihet, edhe tre vjet më vonë, ky vendim është kryekëput instrument në dorë të PDK-së, e cila për pushtet është gati edhe ta shkatërrojë shtetin që e ka kapur dhe e ka bllokuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë një vendim i padrejtë, i marrë prej Gjyqtarësh të anshëm, të cilët madje pikërisht gjatë mbledhjeve për të marrë atë vendim i zhdukën shënimet e mbajtura gjatë hartimit të Kushtetutës, pikërisht sepse në ato shënime shpjegohej saktë e qartë se si e rregullon Kushtetuta këtë çështje. Shënimet u gjetën vetëm disa muaj më vonë, gjë që tregon edhe mungesën e mentalitetit shtetformues të kapësve të shtetit dhe të përfaqësuesve të tyre në Gjykatë Kushtetuese.

Në qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjykatat do të çlirohen nga kapja, dhe aktvendime të tilla që janë të padrejta dhe që e bllokojnë përparimin në Kosovë, nuk do të ketë më.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 08 2017

Katër aktivistët lirohen pas një viti paraburgim dhe arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar katër aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Frashër Krasniqin nga arresti shtëpiak, si dhe Atdhe Arifin nga paraburgimi. Ne vlerësojmë se ky është një korrigjim i pjesshëm ndaj një padrejtësie e cila ka filluar një vit më parë. Që të katër aktivistët janë privuar nga liria padrejtësisht për 12 muaj. Ata, bashkë me aktivistin tashmë të ndjerë, Astrit Deharin, u arrestuan në fund të gushtit të kaluar. Gjatë gjithë kësaj kohe ata janë mbajtuar në arrest shtëpiak e paraburgim, si pasojë e një procesi të padrejtë, bazuar mbi shpifje dhe me synime qartësisht politike. Vendimi për ndërprerjen e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak është një pranim i nënkuptuar nga organet e drejtësisë se ky proces ka qenë i porositur politikisht dhe kryekëput i padrejtë. Drejtësia do të vihet në vend vetëm kur të ndërpritet tërësisht ky proces.

Sistemi i kapur i drejtësisë i arrestoi ata nën akuzat për terrorizëm. Ky sistem ka nevojë për reformim dhe për pastrim rrënjësor prej elementëve të kontrolluar nga pushtetet apo të korruptuar. Bashkë, me aktivistët Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi nuk do të reshtim së kërkuari edhe drejtësi për Astritin i cili humbi jetën dhunshëm në burg, gjatë kohës kur vuante një dënim të padrejtë për shkak të akuzave të sajuara të këtij pushteti shtypës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 08 2017

SEANCA KONSTITUTIVE, PJESË E PAZAREVE PËR ZGJEDHJET LOKALE

Koalicioni PAN është duke e bllokuar Kuvendin. Kjo është tashmë e qartë për publikun dhe nuk ka nevojë për interpretime të tjera qofshin ato dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Sot, koalicioni i udhëhequr nga PDK kërkoi që vazhdimi i seancës themeluese të mbahet më 24 gusht. Kësisoj, e shtyu edhe për një javë kërkesën e vet të mëparshme – që seanca e radhës të mbahej këtë të enjte ose të premte, me 17-18 gusht.

Në konsultën e sotme, përfaqësuesit e koalicionit PAN sërish kërkuan që deputetët e Kuvendit ta votojnë kandidatin e tyre, Kadri Veselin. Kësisoj dëshmuan se nuk e kanë shumicën dhe e lanë të hapur mundësinë që sërish ta braktisin seancën nëse Veseli nuk votohet.

Përveç Listës Serbe, partner kryesor i koalicionit PAN, sot u shpërfaq edhe roli i dëmshëm i disa përfaqësuesve të komuniteteve të tjera të cilët u pajtuan me taktikën e zvarritjes së mëtutjeshme në themelim të institucioneve qeverisëse. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e brengosur për pozicionimin e tillë të deputetëve minoritarë të cilët kësisoj e rënduan tutje pozitën e ndjeshme të komuniteteve të tyre në këtë periudhë të krizës politike dhe shantazhit institucional.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i kupton takimet e sotme ndër-partiake si taktizim të palëve në prag të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë. Insistimi i përfaqësuesve të PAN për datën 24 gusht ndërlidhet me afatin e fundit për dorëzim të listave të kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë kuvendesh komunale, e që skadon më 22 gusht.

Tashmë është e qartë që PAN synon mbajtjen peng të jetës institucionale derisa të përmbyllen pazaret e kandidaturave dhe përkrahjeve elektorale të nivelit lokal. Ndihmesë kryesore në këtë qëllim të ulët e ka Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014.

Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se ky Aktgjykim përbën njërin nga vendimet më të dëmshme politike në historinë e pasluftës në Kosovë. Ai ishte dizenjuar si agresion i drejtpërdrejtë mbi sistemin e brishtë demokratik dhe synon monopolizimin e pushtetit qeveritar në vend nga një grup i vetëm politik, i përfaqësuar sot nga koalicioni PAN.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se 24 gushti nuk është zgjidhje, por vetëm zvarritje e mëtutjeshme. Seanca e caktuar është pretekst i koalicionit PAN për ta ripërtëritur krizën, duke shantazhuar Kuvendin me votim të Veselit ose me braktisje të sërishme të seancës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 08 2017

Kriza e brendshme e PDK-së nuk mund të transferohet në Kuvend

Sot u tentua sërish që kriza e brendshme e Partisë Demokratike të transferohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Përfaqësuesit e tij e shpërdorën ‘takimin konsultativ’ në mbajtjen e të cilit insistuan vet. Ata pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër. Kësisoj, sërish shkelën procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhduan bllokimin e themelimit të institucioneve.

Sot, koalicioni PAN shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre. Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me “konsensus” t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas.

Përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike.

Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së.

Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim ndodhen në situatë shantazhi të cilën, nuk ua kanë për borxh sidomos PDK-së që për dhjetë vite është në pushtet.

Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet.

Ne po përcjellim me shqetësim lojën e rrezikshme të PAN-it, tërheqim vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës. Pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK.

Lëvizja VETËVENDOSJE! thërret të gjithë deputetët e Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive. Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 08 2017

Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s’bën dot.

Blerand Stavileci nuk ka bindje as mendim. Ai është një servil i vockël që i shërben shefit. Fillimisht Hashim Thaçit, pastaj Kadri Veselit, pse jo, nesër edhe tjetërkujt. Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s’bën dot. Kjo punë e ulët nuk njeh dinjitet. Suksesi i servilëve matet me shkallën e instrumentalizimit. Nganjëherë, ata duhet ta tejkalojnë edhe nivelin e të zotit për ta dëshmuar besnikërinë. Kjo pra është merita e Blerand Stavilecit për t’u bërë ministër.

Ata që kanë shkelur gjakun e dëshmorëve, po hedhin akuza drejt nesh se duam pushtet përmes gjakut; ata që për ta mbajtur pushtetin e bënë Kosovën pre të aspiratave shoveniste të Serbisë, na akuzojnë për gjoja lidhje me Serbinë; ata që e kanë kapur shtetin, tash që i kanë humbur zgjedhjet, akuzojnë se duam ta marrim pushtetin përmes dhunës. Akuzojnë pikërisht sepse u frikësohen akuzave nga shteti i së drejtës që nuk njeh shefa. Siç duket vetem tash, afër 2 muaj pas zgjedhjeve PDK ka filluar ta ndjejë goditjen e madhe që ka marrë me 11 qershor. Ne e dimë se janë të frikësuar, por vetëm ata e dinë sa shumë kanë vjedhur – pra sa shumë kanë çfarë të humbasin. Për Astrit Deharin do të përgjigjeni, dhe për këtë ju garantojmë; kurse për milionat e bëra përmes krimit e korrupsionit, e kemi gati ligjin anti-mafia.

Ky vend do të çlirohet me çdo kusht! Pavarërisht se nuk do klani Pronto. Në fakt, pikërisht përkundër tij. Për këtë i detyrohemi të rënëve!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 08 2017

Ka qenë koha e fundit për reflektimin e Veselit

E përshëndesim tërheqjen e Veselit nga kandidatura për kryeparlamentar. Ka qenë koha e fundit për reflektim. Ne tash presim se kush do të jetë kandidati i PAN për kryetar kuvendi. Le ta propozojnë ndonjë personalitet që është sa më gjithpërfshirës.

Sa i përket kërkesës së Veselit që ne ta votojmë Haradinajn, ne nuk mund të bëjmë marrëveshje me Veselin. Është Veseli ai që ka marrëveshje me Haradinajn. Pas dështimit të z.Haradinaj për të formuar qeverinë, radha i kalon të nominuarit tonë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

31 07 2017

Kurti e Konjufca takojnë ambasadoren gjermane Angelika Viets

Sot, në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, ishin për vizitë i nominuari për kryeministër nga VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, dhe, deputeti i Lëvizjes, z.Glauk Konjufca. Ata u pritën nga Ambasadorja në largim, znj. Angelika Viets, dhe Sekretari i Parë, z. Marten Menger.

Në këtë takim u diskutua rëndësia dhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Gjermanisë, si në rrafshin bilateral po ashtu edhe në atë të integrimeve evropiane. Zhvillimi ekonomik i orientuar në investime e punësim si dhe sundimi i ligjit për ta luftuar korrupsionin e për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve ishin temat kryesore.

Në veçanti u bisedua edhe për zhvillimet politike në Kosovë në prag të seancës konstituive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ambasadorja Viets uroi z. Kurti dhe z. Konjufca për rezultatin në zgjedhje dhe shprehu përkushtimin e saj për mbështetjen e cilësdo shumicë parlamentare që formon qeverinë e ardhshme të Kosovës. Z.Kurti dhe z.Konjufca falenderuan Ambasadoren Viets për kontributin e Gjermanisë në Kosovë dhe theksuan gatishmërinë dhe interesimin e tyre për kontakte të vazhdueshme e takime të mëtutjeshme.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 07 2017

PDK të ndal gjuhën fyese

Asambleisti i PDK-së Muhamet Selmani nëpërmjet një statusi në Facebook e ka ofenduar deputeten Albulena Haxhiu duke përmendur lajme të demantuara kundër të cilave është ngritur padi dhe pa asnjë të drejtë, poshtë çdo niveli merret me pjesë intime të deputetes.

Sulmi pa asnjë shkas drejtuar deputetes Haxhiu, është nivel i ulët e rrugaqëri e cila nuk i takon sferës politike. Selmani e as askush tjetër nuk ka të drejtë të komentojë pjesë të trupit te grave as burrave deputetë e aktivistë. Një mendësi e tillë seksiste, duke komentuar trupin e deputetes është e papranueshmoe për sferën e politikës, debatin publik dhe shoqërinë për të cilën angazhohemi. Ne zotohemi se do ta luftojmë PDK-në edhe në këtë pikë të prapambetur e cila në shoqërinë tonë shkakton edhe dëm publik në kurriz të grave. Komente ofenduese janë drejtuar edhe kah nënkryetarja e deputetja Fatmire Kollçaku.

Njerëzit e tillë nuk mund të na ofendojnë. Ky është niveli intelektual i PDK-së dhe këta njerëz janë për keqardhje. E aq më shumë është për keqardhje fakti që këta kriminelë e uzurpatorë, këta rrugaçë të pacipë, kanë kapur shtetin dhe ia kanë pamundësuar qytetarëve mirëqenien. Rrjedhimisht aq shumë na vjen mirë që u ka ardhur fundi. E aq më tepër na gëzon fakti që edhe këta e kanë kuptuar që u ka ardhur fundi.

Është e pashpjegueshme se si këto sulme qyqare vijnë ndaj një deputeteje të guximshme si Albulena e cila nuk kurseu veten në mbrojtje të Republikës e kundër Zajednicës që Selmani me shokë përulësisht ia falnin Vuçiqit.

Këto sulme janë pjesë e një fushate kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila PDK-së po i shërben që ta mbulojë humbjen e saj dhe t’i eksportojë problemet e brendshme partiake të shkaktuara pas kësaj humbje.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 07 2017

SHPIFJET E PDK-SË JANË PRODUKT I FRIKËS NGA HUMBJA E PUSHTETIT

Rënia e ndjeshme e PDK-së në zgjedhjet e fundit, ku humbi 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka tronditur aq shumë këtë parti, saqë duket se e ka të pamundur këndelljen, prandaj edhe ka filluar një fushatë shpifëse që e bën aq të dukshme gjendjen e rëndë të saj. Dyfishimi i VETËVENDOSJE!-s në anën tjetër, që ka bërë që të jemi partia më e madhe në vend, e ka futur në panik të thellë këtë parti, e cila për vite të tëra përmes klanit “Pronto” e ka kapur në gjitha format shtetin dhe tashmë po frikësohet nga çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit.

Së fundi, nga zyrtarë të kësaj partie u plasua shpifja se deputeti Dardan Molliqaj dha dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ për shkak të presionit nga ambasadat, shpifje kjo e rradhës, e cila është manifestim i frikës që klani “Pronto” e ka nga qeverisja e VETËVENDOSJE!-s dhe vendosja e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë.

Deputeti Molliqaj, i cili renditet në mesin e dhjetë deputetëve më të votuar në vend, i ka dhënë tashmë arsyet e dorëheqjes, të cilat përmblidhen në angazhimin e mëtutjeshem që ai do ta ketë në Kuvend për ta luftuar klanin “Pronto” së bashku me deputetët e tjerë të VETËVENDOSJE!-s, e cila do ta ketë grupin më të madh parlamentar në Kuvend. Dhe pikërisht kjo luftë të cilën e kanë frikë aq shumë ky klan krimnal, është arsyeja pse PDK ka filluar të sajojë shpifje, të cilat në asnjë mënyrë nuk do ta shpëtojnë nga rënia e vazhdueshme dhe përgjegjësia që duhet ta japin për dëmin që i kanë shkaktuar vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe do të angazhohet fuqishëm për një mendësi të re qeverisëse, e cila çrrënjos krimin dhe korrupsionin, si dhe mundëson një shtet të së drejtës, një shtet zhvillimor e social. Kjo sigurisht që është e papranueshme për klanin “Pronto” sepse një shtet i tillë që vë në pah veprimntarinë e tyre krimale dhe i mbanë përgjegjës për të, është i frikshëm për ta.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 07 2017

AKTIVISTI ATDHE ARIFI KTHEHET NË PARABURGIM

Aktivisti Atdhe Arifi është kthyer në paraburgim nga vuajtja e masës së arrestit shtëpiak. Edhe një herë, policia ka vendosur që të tregohet e padrejtë e agresive me aktivistët e zellshëm. Atdheut që ka 11 muaj duke u privuar prej lirisë, i është caktuar masa e paraburgimit deri më 25 shtator. Sot, policia e ka marrë atë në shtëpi, për ta dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, me arsyetimin se nuk e ka zbatuar masën e arrestit shtëpiak. Bëhet fjalë për datën 6 korrik, kur Atdheu kishte provim në degën e Arkitekturës, në lëndën ‘Organizimi dhe teknikat e ndërtimit’. Ky provim i paraparë për datën 5 korrik, ishte shtyrë për një ditë, me datë 6. Për këtë provim, që Atdheu e ka kaluar me sukses, ekzistojnë edhe dëshmi për shtyrjen me datën 6 korrik.

Atdheu ka mbajtur 3 muaj paraburgim dhe nëntë të tjerë arrest shtëpiak për asnjë faj. Të gjitha këto vuajtje të padrejta të Atdheut e tre bashkaktivistëve të tjerë që po vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak, ia detyrojmë këtij pushteti kriminal. Ne e dimë që ky pushtet e kalon kohën duke ideuar dhe ekzekutuar planet për akuza ndaj VETËVENDOSJE! dhe këtë kohë është duke u marrë me Atdhe Arifin, Adea Batushën, Egzon Halitin e Frashër Krasniqin. Sa herë që legjitimiteti i këtij pushteti bie, shpërfaqja e egërsisë me aktivistët e Lëvizjes rritet. Tash që PDK ka humbur në zgjedhje, njerëzit e zyrave të PDK-së i akuzuan këta katër aktivistë të pafajshëm me akuza të montuara. Në harmoni me akuzat e PDK-së, në kohën e njëjtë u janë refuzuar edhe lejet edhe për çështje shëndetësore për këta aktivist si për t’u vërtetuar edhe publikisht që po mbahen aty nëpërmjet montimit të procesit absurd.

Atdheu është një i ri i angazhuar për një shoqëri e të ardhme më të mirë. Atdheu është student i dalluar. Përgjatë kohës sa ishte në arrest shtëpiak diplomoi në Psikologji. Vetëm edhe një provim e ndan atë prej diplomimit në Arkitekturë. Natyrisht se ky është një profil që i pengon këtij sistemi autoritar që ekziston për të keqpërdorur. Por, sigurisht që profilet e tilla, aktivistët e qytetarët e shumtë që janë kundër këtij sistemi janë edhe garancia për jetën e shkurtër të këtij pushteti.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT