03 07 2017

Takim me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë

Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i nominuari për Kryeministër nga VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin, Dardan Sejdiu, takuan sot Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Gjatë këtij takimi u dsikutua rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit dhe mbi oraret kushtetuese të formimit të koalicioneve qeverisëse, me ç’rast z. Kurti e z. Sejdiu folën mbi 40 masat konkrete për konsolidimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe shprehën gatishmërinë e VETËVENDOSJE!-s për të drejtuar qeverinë. Këto 40 prioritete që burojnë nga Alternativa qeverisëse mbi Shtetin e së Drejtës, Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social, u prezantuan si projekti me të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! synon ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik e social të tij, përmes qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti.

Ambasadorja kroate, znj. Kapitanoviq, shprehu mbështetjen e saj dhe të shtetit kroat për vendin tonë, si dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës e Kroacisë. Po ashtu, u shpalosën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s mbi dialogun dhe tema të tjera, ku u diskutua veçanërisht rëndësia e angazhimit të përbashkët për të mundësuar avancimin e Kosovës në integrimet evropian dhe bashkëpunimin për NATO-n. Gjithashtu, u veçua edhe roli i mërgatës në ekonominë vendore me përvoja të përbashkëta të Kosovës e Kroacisë në këtë fushë.

Në fund, nga të dyja palët pati dakordim për të vazhduar komunikimin, për takime të tjera në të ardhmen e për thellim të bashkëpunimit.

Kontribo

30 06 2017

Nga takimet e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Berlin

Pas vizitës në Bruksel, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vazhduar sot takimet në Berlin me deputetë të Bundestagut të Gjermanisë, nga Partia Social Demokrate (SPD) dhe Unioni Kristian Demokrat (CDU), si dhe me përfaqësues të admisnitratës gjermane. Kryetari, Visar Ymeri, Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u takuan sot në Bundestag me deputetët e SPD-së Josip Juratoviç dhe Norbert Spinrath, si dhe me deputetin e CDU-së Thorsten Frei dhe këshilltarin për marrëdhënie me jashtë të CDU-së, Z. Hans Joachim Falenski. Më tej delegacioni u prit në takim në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga Ambasadori Christian Hellbach, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore.

Në këto takime delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpjegoi situatën politike post-zgjedhore në Kosovë, si dhe paraqiti prioritetet qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe gatishmërinë, bazuar mbi rezultat zgjedhore, për drejtimin e qeverisë së re të Kosovës. Përfaqësuesit gjermanë që morën pjesë në këto takime e përgëzuan delegacionin për rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe treguan edhe një herë vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re që do të arrihet të formohet pas këtyre zgjedhjeve.

30 qershor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

29 06 2017

Takim në Bruksel me eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, është pritur në takim edhe nga eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein. Znj. Tanja Fajon është anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhënie me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa z. Knut Fleckenstein është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Të dy bashkë janë pëfaqësues të lartë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.

Në këtë takim u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re bazuar mbi këto rezultate. Delegacioni i njohu eurodeputetët me prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me faktin që tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i votuar në Kosovë me 32 deputetë në Kuvendin e ardhshëm. Eurodeputetët e përgëzuan delegacionin për këto rezultate duke diskutuar gjithashtu edhe për një bashkëpunim më të afërt dhe më intensiv mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe social-demokratëve të Parlamentit Evropian.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë edhe sot takimet në Bruksel.

29 qershor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

28 06 2017

Vazhdojnë takimet me europarlamentarë në Bruksel

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari Visar Ymeri, kandidati për Kryeministër Albin Kurti dhe Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti vazhduan sot takimet zyrtare në Bruksel. Ata u takuan me z. Victor Boshtinaru, Nënkryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, znj. Sandra Kalniete, Nënkryetare e Grupit EPP në Parlamentin Evropian dhe z. Eduard Kukan, eurodeputet, raportues për Shqipërinë dhe zëvendës raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

Në këto takime u diskutuan zhvillimet politike në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe themelimi i qeverisë së Republikës së Kosovës. Europarlamentarët u interesuan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe uruan VETËVENDOSJE-n për rezultatin në to. Po ashtu fokus i diskutimit ishin edhe prioritetet qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik i përqendruar te prodhimi që krijon vende të reja të punës dhe politikat që i mbrojnë punëtorët, e zbusin pabarazinë dhe rrisin kohezionin shoqëror. Veçanërisht u theksua nevoja që të krijohen mekanizmat që e funksionalizojnë gjyqësorin e sundimin e ligjit kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s shprehën edhe një herë zotimin për procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe shprehën qëndrimin tashmë të njohur për bashkëpunimin rajonal, si dhe atë për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

Kontribo

28 06 2017

1 vit padrejtësi

Gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që ta vazhdojë padrejtësinë ndaj aktivistët të cilët po mbahen që 10 muaj në arrest shtëpiak. Duke ua vazhduar arrestin deri më 28 gusht, bëhet 1 vit mbajtje në arrest nën akuza të montuara politike për aktivistët Adea Batusha, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Atdhe Arifi.

Vendimi i gjykatës është kopje e atij të dy muajve më herët. Kjo kopje tregon për dëshirën për t’i mbajtur aktivistët brenda dhe jo për të vendosur drejtësi. Në vendimin e kaluar shkruante se ata mbahen për shkak se në agjendë politike është çështja e demarakacionit dhe se lirimi i tyre mund ta paraqiste rrezik. Njëjtë, edhe në vendimin e sotëm, shkruan ashtu, pavarësisht ndryshimit të rrethanave dhe se kjo çështje nuk është më në agjendë.

Heqja e lirisë për katër aktivistë të rinj, krejt të pafajshëm se për çka akuzohen, tregon për një shtet me drejtësi të shpërfytyruar. Ata po mbahen pa fakte. I vetmi fakt në lidhje me mbajtjen e tyre është dëshira e pushtetit nga qeveria e kaluar.

Lirimi sa më parë i tyre është shenjë për çlirim të drejtësisë. Deri atëherë, ata janë prova e një shoqërie që funksionin me diktat.

Kontribo

27 06 2017

Nga takimet në Bruksel

Gjatë ditës së parë të vizitës në Bruksel kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri bashkë me kandidatin për Kryeministër Albin Kurtin, takuan eurodeputetin socialdemokrat nga Kroacia z.Tonino Picula dhe përfaqësuesit e zyres së Komisioneres së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Shefen e Kabinetit Fabrizia Panzetti, dhe këshilltaren e kabinetit Ana Maria Baura.

Gjatë takimeve është diskutuar krijimi i Qeverisë së re në Republikën e Kosovës dhe domosdoja e ndryshimit të kursit politik dhe qeverisës të Kosovës, zhvillimit ekonomik që sjellë punësim, sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë. Përfaqësuesit e Komisionit dhe Parlamentit evropian u deklaruan se do ta pranojmë secilën qeveri demokratike që ka shumicën në Kuvend.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE! shprehën zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit drejt integrimit në BE si dhe për bashkëpunimin rajonal sipas parimeve të fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit në marrëdhënie.

Kontribo

13 06 2017

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka folur kandidati për kryeministër, Albin Kurti. Ai fillimisht ka falënderuar sërish qytetarët e Republikës sonë për festën e demokracisë në zgjedhjet e 11 qershorit, duke shtuar se ishin ata që të drejtën demokratike e shndërruan në ndryshim politik.

“Zgjedhja e re qytetare tash duhet të bëhet qeveri e re progresive që zgjidh problemet e vendit tonë. Nëpërmjet 40 Prioriteteve të Republikës dhe marrëdhënies së afërt me popullin, me votën e tyre, qytetarët e vendit jo vetëm kanë afirmuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si partinë më të madhe politike në Kosovë, si partinë e parë në Republikë, por edhe kanë krijuar një situatë krejtësisht të re politike”, deklaroi Kurti në konferencën e sotme.

Tutje ai tha se Lëvizja VETËVENDOSJE!, si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërkaq dy koalicionet që kemi patur përballë ths se kanë pësuar humbje të thella.

“Në këto kushte plotësisht të reja politike, dhe bazuar mbi përkrahjen e madhe qytetare, ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e një qeverie të re të vendit të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe ne e kemi dëgjuar mirë e qartë zërin e tyre. Prandaj, e kemi obligimin që të japim maksimumin tonë për ta çuar përpara vullnetin e tyre”, shtoi Kurti.

Më pas, Albin Kurti ka ftuar të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-ALTERNATIVA si dhe të gjithë ata deputetë të Koalicionit PDK-AAK-NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të Klanit Pronto, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë një mandat të qartë dhe të fuqishëm prej qytetarëve për të sjell ndryshimin në qeverisje. Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi ai.

Në fund, Albun Kurti iu ka bërë thirrje gjitha partive të tjera dhe deputetëve që janë të përcaktuar për t’i sjell vendit ndryshimin, që të bashkohen në këto bisedime për përgatitjet për ndërtimin e një qeverie te re të Republikës së Kosovës.

Kontribo

09 06 2017

Edhe Partia Socialiste e Francës mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet 2017

Pas mbështetjes për zgjedhjet parlamentare 2017 që Lëvizja VETËVENDOSJE! mori këtë javë nga Internacionalja Socialiste, grupacioni më i madh ndërkombëtar i partive social demokrate, sot Kryetari Visar Ymeri ka pranuar edhe një letër mbështetëse nga Partia Socialiste e Francës. Kjo letër është dërguar nga Sekretari Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Partisë Socialiste të Francës, Maurice Braud.

Gjeni në vijim letrën e plotë:

PARTIA SOCIALISTE E FRANCËS

9 qershor 2017

Visar Ymeri,
Kryetar, Lëvizja VETËVENDOSJE!,
Kosovë

I dashur shok,

Më 11 qershor 2017, në Republikën e Kosovës do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në emër të Partisë Socialiste, dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia për suksesin e kandidatëve të partisë tuaj, Lëvizjes Vetëvendosje.

Që prej fundit të konfliktit, në qershor të vitit 1999, e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, vendi po kalon një fazë të gjatë tranzicioni për ndërtimin e institucioneve dhe të sovranitetit të tij. Partia Socialiste është e vetëdijshme për rëndësinë e punës që keni si përgjegjësi për të mbrojtur e plotësuar arritjet dhe për ta bërë Kosovën një Shtet plotësisht funksional, të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të integruar në rajon.

Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju shprehur besimin tonë që pas disa vitesh ndryshimesh e transformimesh, partia juaj është tashmë alternativa kryesore për të ushtruar përgjegjësitë e për ta drejtuar Kosovën kah drejtësia sociale, zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe integrimi dinjitoz i të gjitha minoriteteve.

Jam po ashtu i bindur që Lëvizja juaj do të dijë të japë prova të pjekurisë si konfirmim që është një parti progresive, moderne dhe pro-evropiane, e hapur sidomos ndaj dialogut me të gjitha Shtetet fqinje.

I dashur shok, dalë prej shoqërisë civile, partia juaj ka bërë një rrugëtim të gjatë. Është e pakontestueshme që ka arritur të konsolidojë rreth vetes një mbështetje të gjerë të të gjitha shtresave të shoqërisë, në veçanti falë dinamizmit të rinisë. Partia Socialiste ju përsërit mbështetjen e saj, në emër të shpresave që ju keni bërë të lindin dhe perspektivës që ju propozoni për një Kosovë më në fund demokratike dhe të shqetësuar për interesin e të gjithë qytetarëve të saj.

Vëllazërisht,
Maurice BRAUD

Sekretar Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Kontribo

08 06 2017

Internacionalja Socialiste mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet 2017

Grupacioni ndërkombëtar më i madh në botë i partive social-demokrate, Internacionalja Socialiste, i ka dërguar një letër mbështetëse Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet parlamentare 2017. Në Internacionalen Socialiste bëjnë pjesë parti evropiane të qendrës së majtë të spektrit politik, si Partia Socialiste e Francës, Partia Social Demokrate e Austrisë, Partia Socialiste e Spanjës, Partia Socialiste e Belgjikës, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Socialiste e Bullgarisë, Partia Socialiste Finlandeze, e plot parti të tjera evropiane dhe nga e gjithë bota.

Letra mbështetëse në emër të Internacionales Socialiste është dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm, Luis Ayala, drejtuar kryetarit Visar Ymeri dhe kandidatit për Kryeministër Albin Kurti.

Gjeni në vijim letrën e plotë:

INTERNACIONALJA SOCIALISTE

6 qershor 2017

Visar Ymeri,
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Albin Kurti,
Kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të dashur miq,

Ndërkohë që i afroheni zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen këtë të diel, dëshiroj të shfrytëzoj rastin t’ju shpreh juve, dhe nëpërmjet jush të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përshëndetjet e mia vëllazërore dhe urimet e mia më të mira për fushatën tuaj elektorale sa të shkurtër aq edhe intensive.

Duke ju uruar suksese, unë shpresoj që përmes kontributit tuaj këto zgjedhje të sjellin stabilitet të shtuar, progres ekonomik dhe drejtësisë sociale për të gjithë popullin e Kosovës. Në këtë përpjekje ju keni mbështetjen dhe solidaritetin e Internacionales Socialiste.

Përshëndetje të përzemërta,

Luis Ayala
Sekretar i Përgjithshëm

Kontribo

01 06 2017

ARTANA KA VENDOSUR PËR VETËVENDOSJE!

Në ditën e dytë të fushatës, pas tubimit në Pejë, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim në komunën e Artanës. Para qytetarëve të Artanës kandidatët për deputetë dhe kryetari Visar Ymeri prezantuan projektin e VETËVENDOSJE!-s që funksionalizon shtetin e Kosovës dhe ftuan ata që të mbështesin ndryshimin me 11 qershor.

Kandidati për deputet nga kjo komunë, Emin Gerbeshi, u shpreh i bindur se qytetarët e Kosovës janë të vendosur për ndryshimin. Ai tha se me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s do të rriten kapacitetet prodhuese dhe zhvilluese dhe do të përfitojnë të gjitha shtresat e popullatës. “Me VETËVENDOSJE! do të rimëkëmbet miniera e Artanës. Do të investojmë në repartet e fabrikave të cilat tani janë shndërruar në gërmadha, pra ne do t’i shndërrojmë në fabrika prodhuese dhe aty do të punësojmë brezin e ri”, tha Emin Gërbeshi, duke potencuar po ashtu se komuna e Artanës është komuna më e prekur nga procesi i decentralizimit etnik.

Kandidati tjetër për deputet, Shemsi Syla, tha se VETËVENDOSJE! premton trajtimin adekuat dhe me dinjitet për dëshmorët dhe veteranët e UÇK-së.
“U deshën të rinj dhe të reja që i takojnë një organizimi që quhet VETËVENDOSJE! që të ngjallën shpresat për rimëkëmbje të asaj ndjenjes të artë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Syla, duke kujtuar çlirimin e Kosovës dhe degradimet e qeverisjeve të pasluftës.

Kurse, kandidatja tjetër për deputete, Albana Gashi, tha se qytetarët e kanë humbur shpresën dhe kjo nuk ndodhi as rastësisht, as aksidentalisht. Ajo theksoi se humbja e shpresës popullore është pasojë e keq-qeverisjes të gjatë menga dy partitë – PDK e LDK.
“PDK e LDK janë bashkëpjesëmarrës edhe në shkatërrimin e shëndetësisë, rrënimin e arsimit e kapjen e drejtësisë. Ata janë të njëjtë. Ata kanë qeverisur bashkë dhe janë sot të ndarë vetëm e vetëm për shkak të përfitimeve klanore. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetmja kundërshti reale e tyre. Ne jemi për investime në shëndetësi, riformulimin e arsimit, dhe reformimin e drejtësisë”, tha ndër të tjera në fjalë e saj, Albama Gashi.

Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë, e po ashtu kandidate për deputete, Nazlie Bala, prezantoi disa nga 40 prioritet tona, duke theksuar se VETËVENDOSJE! ka mbetur e vetmja alternativë për qytetarin e varfër të Kosovës, të cilit ky pushtet ia ka mbytur edhe shpresën.
“Ne synojmë që permes programit 40 pikësh, t’i ofrojmë secilt qytetar vendbanim të përhershëm, duke i ndërtuar 4000 banesa. Do i ofrojmë secilit student shkollim falas, shujtë ushqimi për secilin nxënës në krejt Kosovën, dhe stimulim financiar nga dhjetë euro në muaj për secilin femijë nen moshen 15 vjeç”, tha Nazlie Bala.

Pas saj, fjalën e mori Nënkryetari i Prishtinës, Nënkryetari i VETËVENDOSJE!-s dhe kandidati për deputet, Dardan Sejdiu, i cili kujtoi fitoren në Prishtinë për gjithë ata që ishin skeptikë në zgjedhjet e vitit 2013. Ai kritikoi kapjen e shtetit dhe domosdoshmërinë e çkapjes së tij, e po ashtu theksoi se puna në Prishtinë është modeli që mund të aplikohet në të gjithë Republikën, pasi që në kryeqytet krimi u ndal, dosjet u dorëzuan në prokurori, fëmijëve u jepet ushqim, shëndetësia u transformua komplet e ndërmarrjet publike u rimëkëmbën.
“VETËVENDOSJE! me datën 11 qershor i ofron popullit të Kosovës një Alternativë, e cila sigurohet që i papuni punësohet, punëtori mbrohet, qytetari është i barabartë dhe pushtetari në shërbim”, tha para qytetarëve të Artanës, Dardan Sejdiu.
E në fjalën përmbyllëse, Kryetari Visar Ymeri tha se pushteti ka synuar që ta lodhë qytetarin nga papunësia, e jo nga puna, si dhe përmblodhi 40 masat ndërhyrëse e kujtoi fitoret e opozitës përkundër skepticizmit të kohës.

“Shumëkush e njeh, por shumë na pyesin në rrugë, në shesh, e gjithandej për programin tonë dhe prioritetet tona për Republikën sepse shohin prej kohësh tashmë te VETËVENDOSJE! të vetmen shpresë dhe të vetmen garancën që kjo Republikë edhe do të ekzistojë, edhe do të zhvillohet, edhe do të jetë Republikë që do ta mbajë popullin brenda dhe jo ta përjashtojë jashtë siç bëjnë ata. Kam ardhur sot këtu bashkë me kandidatët e tjerë për deputetë t’ua themi se te ju, te qytetarët e kësaj Republike, ne shohim të vetmen shpresë. Këta të tjerët i ka kapluar paniku dhe frika. E kanë futur njëri-tjetrin në sqetull: Kadri Veseli AAK-në dhe Nismën, Avdullah Hoti AKR-në e të tjerët. VETËVENDOSJE! nuk është subjekt që frikësohet dhe as subjekt që bashkohet nga paniku, sepse VETËVENDOSJE! gjithnjë ka qenë e bashkuar me qytetarët e popullin dhe ashtu do të vazhdojmë gjithnjë. Asnjëherë, në asnjë organizim, ne nuk jemi ndarë prej jush, dhe as ju pre nesh, por me 11 qeshor angazhimin dhe devotshmërinë ndaj Republikës e shprehim me votë”, tha Visar Ymeri.
Kryetari Ymeri e mbylli këtë tubim duke bërë thirrje për të votuar numrin 35, ku qëndron e vetmja vijë e kuqe. Ai tha se deri më 11 qeshor duhet të punojmë shumë, që me 12 qershor të festojmë, dhe me 13 qershor t’i rikthehemi punëve për ta ndërtuar Republikën

Kontribo

01 06 2017

PEJA E VENDOSUR: 11 QERSHORI DO TË JETË DITA E NDRYSHIMIT

Tubimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë u hap me frazën “Peja është lulja e Dukagjinit e vyshkur nga pushteti, dhe vetëm duke larguar këtë pushtet mund të lulëzojë Peja dhe e gjithë Kosova”. Në fjalën hapëse, Nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s dhe kandiatja për deputete, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku përsëriti rëndësinë qëndrore për VETËVENDOSJE!-n të idesë së barazisë duke thënë: “Aty ku nuk ka barazi për të gjithë, nuk mund të ketë barazi për grupe të ndryshme, apo për individ dhe vetëm ku ka barazi sociale ka ndryshim.”
“Mos votoni për hir të së kaluarës, por për hir të së ardhmes”, ishte porosia me të cilën Mulhaxha-Kollçaku e mbylli fjalën e saj duke u bërë thirrje për pejanët që të votojnë VETËVENDOSJE!-n.

Në vazhdim, Ali Lajçi, pasi përmendi fitoret e Lëvizjes me zbrapsjen e “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi, u kërkoi pejanëve që të zbrapsin po ashtu edhe ato subjekte që u afrohen për t’u blerë votat gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërsa Dukagjin Gorani rreshtoi tre qëllimet që mbledhin qytetarët rreth Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Të kemi shoqëri të drejtë, t’i hapim rrugë zhvillimit, dhe të krijojmë një atdhe të sigurtë.”, tha kandidati për deputet, Dukagjin Gorani.

Shpend Ahmeti bëri ndarjen e Alternativës së Lëvizjes, e cila përfaqëson një shumësi grupesh shoqërore, nga koalicionet e tjera të cilat synojnë të marrin mbështetjen e grupve shoqërore specifike. Po ashtu Ahmeti e kundërshtoi sloganin e koalicionit të PDK-AAK-Nisma duke thënë se “nuk mund të ketë Fillim të Ri me dajë të vjetër, por se Fillimi vërtetë i Ri i qeverisjes është ndjekja e modelit të drejtimit të Komunës së Prishtinës nga VETËVENDOSJE!”.

Tubimi u mbyll me fjalën e kandiatit për kryeministër, Albin Kurtit. Kurti tha se dy koalicionet që më shumë janë një koalicion në dy lista janë përvoja e hidhur e qytetarëve dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! është shpresa e re e këtij vendi.

Në vazhdim të fjalimit, nga kandidati për kryeministër u ritheksua karakteri i fortë social-demokrat i Lëvizjes i cili i përfshin qytetarët e përjashtuar në zhvillim përmes rikthimit të ekonomisë në prodhim, dhe rikthimin e prodhimit në treg përmes rikthimit të tregut në lidhje të afërt me prodhimin vendor. Kurti po ashtu përforcoi karakterin barazitar të programit qeverisës së VETËVENDOSJE!-S në lidhje me minoritetet kombëtare, më specifikisht duke thënë se “Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i respektojë të drejtat e pakicës serbe, jo sepse e kërkon Beogradi, por se ne besojmë te respektimi i të drejtat e njeriut.” Tubimi u mbyll duke mbetur zotimi i Kurtit se, “me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s merr fund terri i krimit, dhe vjen drita e drejtësisë!”

Kontribo

30 05 2017

Albin Kurti takon ambasadorin francez, Didier Chabert

Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me Shefin e Shtabit Zgjedhor, Besnik Bislimi, kanë takuar sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Në këtë takim u shprehën qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e 11 qershorit. Me këtë rast, u paraqitën prioritetet dhe zgjidhjet që ofron VETËVENDOSJE! për problemet me të cilat ballafaqohet vendi ynë.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u shprehen edhe një herë qëndrimet tona mbi dialogun me Serbi dhe në lidhje me çështjen e demarkacionit

Kontribo

28 05 2017

Gjenerata e ndryshimit do të votojë me zemër

Lëvizja VETËVENDOSJE! në tubimin mobilizues me të rejat dhe të rinjtë votues për herë të parë theksoi domosdoshmërinë e angazhimit të këtyre gjeneratave në zgjedhjet e 11 qershorit. Folësja e parë Adea Batusha e këtij tubimi, aktivistja që po mbahet në arrest shtëpiak për 9 muaj padrejtësisht, tash kandidate për deputete, foli në tubim përmes një lidhjeje direkt nga banesa e saj. “Ne duam kushte të barabarta në secilën sferë të jetës, dhe kjo është e mundshme me alternativën tonë”, tha Adea. Duke përmendur largimet e të rinjve dhe të rejave nga vendi. Adea u shpreh për domosdoshmërinë e qëndrimit dhe të ballafaqimit me pushtetin. Ajo shprehu bindjen e saj se jeta e dinjitetshme do të jetë e munshme këtu por se ajo nuk mund të realizohet pa angazhimin e të rinjve. Aktivistja Batusha e sulmoi pushtetin duke thënë, “Ne nuk i kemi borxh askujt! Ne na kanë borxh ata të gjithë që e kthyen Kosovën nga ëndrra e prindërve tanë në ferrin e tyre dhe tonin.”

Ndërkaq, asambleisti i komunës së Prishtinës dhe kandidati për deputet Qëndron Kastrati kujtoi angazhimin e tij të parë kolektiv politik si student kundër padrejtësive në Universitet duke thënë, “premtimet tona janë përvoja jonë.” Kështu Lëvizja nga përvoja e saj e angazhimeve, mes tjerash, propozon uljen e moshës së votimit në 16 vjet dhe mundësimin e arsimit të lartë pa pagesë.

Tutje, nënkryetari i Lëvizjes Dardan Sejdiu kujtoi angazhimin e tij të parë politik në protestën studentore të tetorit në 1997, për çlirimin e hapësirave universitare për shqiptarët dhe përkimin e kësaj proteste me luftën për çlirimin e Kosovës. Sejdiu u shpreh se duhet përsëritur ky bashkim i angazhimit të të rinjve për çlirimin e Kosovës, tashmë nga kapja private e shtetit, në zgjedhjet e datës 11 qershor.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha, “rinia ka më së shumti interes për ndryshimet për shkak se rinia është gjithnjë e ndryshme dhe përshkak se rinia do të jetë më së gjati këtej pari”. Kurti ritheksoi karakterin social-demokrat të VETËVENDOSJES! sipas të cilës konkurenca nuk duhet të jetë vlera e vetme në shoqëri, por duhet t’ia shtojnë përkrah edhe vlerën e bashkëpunimit. Më pas, ai foli për ndarjen mes lirisë negative si një liri prej arbitraritetit të një pushteti dhe lirisë pozitive që përmes arsimimit cilësor ia mundëson qytetarëve zgjedhjet e duhura në jetë dhe qëndrimet e menduara mire. Prandaj, kandidati për kryeministër, Albin Kurti premton arsimin e lartë pa pagesë në shërbim të kësaj lirie. Kurti foli gjithashtu për domosdoshmërinë e lidhjes së dijes teorike me atë praktikë, të arsimit me ekonominë, dhe të studentëve me nevojat e vendit. Zoti Kurti përmendi gjithashtu faktin se në Kosovë jetojnë më shumë se gjysëm milioni të rinj që janë nën moshën 16 vjeçare. Për Kurtin qëdemokracia të jetë sa më e vërtetë atëherë pragu i të drejtës së votës duhet ulur në 16 vjet. Në mbyllje, Albin Kurti u bëri thirrje të gjithë të rejave dhe të rinjve të pranishëm që të bëhen vullnetarë në këtë Lëvizje.

Kontribo

27 05 2017

Pasnesër – dy javë prej fitores së grave e burrave

Në tubimin mobilizues me gra aktiviste e anëtare të Lëvizjes u theksua rëndësia e grave si një forcë organizative e barabartë si brenda Lëvizjes ashtu edhe në proceset ekonomiko-shoqërore në Kosovë. Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazile Bala rikujtoi fitoren e VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë në zgjedhjet lokale të 2013, duke thënë, “Forca, angazhimi, vullneti dhe qëndrimi i çdo gruaje i dhanë fuqi, forcë, vullnet e zemër çdo aktivisti e aktivisteje të Lëvizjes që u kurorëzua me një fitore shumë të bindshme në Prishtinë.”

Pabarazia gjinore, në këtë tubim u trajtua e lidhur me fenomenet shoqërore dhe ekonomike në Kosovë. Nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fatmire Kollçaku përmendi disa shembuj problematik si braktisja e arsimit nga vajzat, papunësia e madhe e grave, vështirësitë e pavlerësuara të të qënët amvisë, tentativat për shkurtimin e lejes së lehonisë, përqindja tejet e vogël e grave që trashëgojnë pasuritë familjare, dhe pushimet nga puna si pasojë e kontratave afatshkurtra. Më specifikisht znj. Kollçaku u shpreh se për pushimin e lehonisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! me të ardhur në qeverisje do ta ndajë atë në mes të dy prindërve.

Në fjalën e mbajtur, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti duke ritheksuar domosdoshmërinë e angazhimit të grave në shoqëri dhe në institucione tha, “Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e vetmja forcë e qendrës së majtë, është social-demokrate, e vetmja forcë progresive në Republikën e Kosovës.” Sipas Ahmetit, ky prograsivitet reflektohet në kritikën ndaj patriarkalizmit, në propozimet konkrete të Lëvizjes për regjistrimin e pronave familjare jo vetëm në emrat e burrave dhe djemve, por edhe të grave dhe vajzave brenda familjeve dhe në propozimet e tjera të programit të VETËVENDOSJES!. Ai i inkurajoi gratë që të marrin sa më shumë përgjegjësi brenda institucioneve.

Kurse, kandidati për kryeministër, Albin Kurti e bëri diferencimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga forcat e tjera. Ai tha, “Ne jemi ata të cilët sigurojmë barazi gjinore për shkak se ne e kemi në programin tonë kemi barazinë shoqërore. Ata të cilët janë kundër barazisë shoqërore nuk mund të sjellin barazi gjinore. Lëvizja Vetëvendosje me qeverisjen e saj pas 11 qershorit do të sjelli edhe barazi gjinore edhe barazi shoqërore.” Kurti përmendi edhe propozimet e tjera të Vetëvendosjes për të realizuar këto dy barazi mes të cilave bëjnë pjesë: pesëfishimi i çerdheve në të gjithë Kosovën me shtimin e 160 çerdheve, pagesat gjatë lejes së lehonisë me gjysmën e financimit nga buxheti shtetëror dhe gjysmën nga punëdhënësit privat, dhe rritja e pjesmarrjes së grave në qeverisjen e Vetëvendosjes. Në mbyllje të fjalës së tij zoti Kurti i inkurajoi gratë që të mobilizohen në organizata që kanë synim barazinë gjinore duke thënë se, “pa solidaritet gjinor nuk mund të zvogëlohet pabarazie dhe të realizohet barazia”. Ndërkaq duke inkurajuar për angazhim sa më të madh, citoi një autore: “ne nuk mund të presim nga shtypësit një ndjenjë bujarie falas”.

Tubimi u mbyll nga Nazile Balaj pasi u shpreh: “As nuk jemi numra, as nuk jemi statistikë, as nuk jemi përqindje, por pjesë e barabartë e kësaj shoqërie.”

Kontribo

25 05 2017

PRIORITETET E REPUBLIKËS

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpalosi sot publikisht “Prioritetet e Republikës” – 40 masa konkrete për konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Këto masa do të zbatohen brenda mandatit qeverisës katër vjeçar të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, bazuar në Alternativën qeverisëse mbi Shtetin e së Drejtës, Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social:

1. Zbatimi i Planit zhvillimor mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës – investime në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, PTK-së

2. Themelimi Forcave të Armatosura të Kosovës

3. Rishikimi shkencor, administrativ dhe parlamentar i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi

4. Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike nga kapitali publik, krijimi i tregut të përbashkët energjitik Kosovë-Shqipëri, rishikimi i tarifave të energjisë elektrike dhe reformimi i sistemit tarifor

5. Ujitje për tokat bujqësore – Revitalizimi i plotë i sistemit të ujitjes “Ibër-Lepenc” dhe studimi për zgjerimin e tij

6. Rritja e subvencioneve e granteve në bujqësi dhe sigurimi i plotë i prodhimit bujqësor

7. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Prodhimeve vendore

8. Hartimi dhe zbatimi i planit për banimin e përballueshëm dhe banimin social

9. Rindërtimi i plotë i Kadastrit dhe zgjidhja e çështjeve pronësore me prioritet

10. Krijimi i Planit për furnizimin me ujë të pijshëm në qytete dhe trajtimin e ujërave të zeza, rrjetet e kanalizimit në të gjitha fshatrat e Kosovës me mbi 200 shtëpi

11. Reformimi progresiv i tatimit në të hyra si dhe reformimi i tatimit për Korporatat

12. Zvogëlimi i numrit të Ministrive dhe reformimi i Administratës

13. Krijimi i tregut të përbashkët për prodhimet, mallrat, shërbimet dhe biznesin mes Kosovës dhe Shqipërisë në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së

14. Ndërtimi i Komisioneve të Përbashkëta qeveritare dhe parlamentare me Republikën e Shqipërisë për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore

15. Rritja e pensioneve për pensionistët kontributdhënës

16. Sigurime Shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës

17. Shtesa 10 euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeçare

18. Sigurimi i jetës së të gjithë anëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve

19. Trefishimi i numrit të inspektorëve të punës dhe ndalimi i punës mbi pesë ditë në javë për vendet e punës jomenaxheriale

20. Hapja e 160 çerdheve të reja në bashkëpunim me komunat e Republikës së Kosovës

21. Rimëkëmbja e shkollave të Republikës së Kosovës

22. Arsim i lartë publik pa pagesë

23. Ndërtimi i Teatrit të Operas, dhe investime në kinematë publike

24. Rritja direkte e subvencionimit të klubeve sportive me rezultate të larta si dhe ndërtimi i Stadiumit të futbollit me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s

25. Ushqim falas për fëmijët e klasave fillore nga 1 deri në 5 në të gjitha shkollat publike të Republikës së Kosovës

26. Ndalja e rritjes së mëtejshme të pagave të deputetëve, presidentit, kryeministrit dhe pozitave të tjera të zgjedhura

27. Trajtim i dinjitetshëm i veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

28. Krijimi i Dhomës së Veçantë të Punës në Gjykatat e Republikës së Kosovës që do të merret me shkeljet e të drejtave të punëtorëve

29. Hartimi dhe miratimi i Ligjit për referendum në Republikën e Kosovës

30. Të rinjve dhe të rejave nga mosha 16 vjeçare do t’u jepet e drejta e votimit

31. Hetimi parlamentar i organizatës ilegale “SHIK” mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën/rrjetin e veprimit

32. Hetim Parlamentar për Privatizimin e KEDS-it, për kontratat e ndërtimit të autostradave “Vërmicë-Prishtinë-Merdarë” e “Prishtinë-Shkup”, si dhe për procesin privatizues të PTK-së

33. Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit – Krijimi i Njësisë së veçantë të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara

34. Veting (vlerësim i hollësishëm) për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës nëpërmjet një ligji të posaçëm

35. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit Anti-Mafia

36. Nisja e Zbatimit të planit 13 pikësh për bashkimin e Mitrovicës

37. Fillimi zyrtar i Dialogut të hapur me qytetarët e pakicës serbe të Kosovës

38. Mbështetja institucionale për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

39. Krijimi i komisionit parlamentar për vlerësimin e Dialogut të deritanishëm me Serbinë gjatë viteve 2011 – 2017

40. Dërgimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venecias për vlerësimin e ligjshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare, dhe anulimi i Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 për krijimin e “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”

Kontribo

18 05 2017

VETËVENDOSJE! PO RRITET, NDRYSHIMI PO VJEN

Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë bashkuar sot Adem Mikullovci, Driton Tali, Xhevdet Qerirqi, Xhavit Drenori dhe Avni Tafili.

Adem Mikullovci është njëri nga aktorët më të shquar shqiptar. Ishte po ashtu deputet i Kuvendit që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe njihet për konsistencën e tij politike dhe kontributin e shquar për çështjen kombëtare.

Driton Tali është Doktor në fushën e ekonomisë. Ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, ku veproi si i pavarur. Mbahet mend si një ndër deputetët më të angazhuar në gjitha legjislaturat e pasluftës, ku në vazhdimësi ka ngritur zërin dhe ka luftuar kompromiset e dëmshme, krimin e korrupsion qeveritar.

Xhevdet Qeriqi ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht është Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve. Në vazhdimësi ka qenë i angazhuar më përkushtimin më të madh për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

Xhavit Drenori është Doktorant në Shkenca Sociale. Është njëri nga asambleistët më aktivë në Komunën e Drenasit, dhe në zgjedhjet e fundit në këtë komunë ka qenë kandidat i pavarur për Kryetar të Drenasit. Ai ka qenë mjaft i zëshëm në Kuvendin Komunal në interes të qytetarëve dhe vazhdimisht ka denoncuar keqpërdorimet dhe parregullësitë në këtë komunë.

Avni Tafili ka qenë pjesë e NISMA për Kosovën, të cilën e braktisi pas vendimit të saj për koalicion parazgjedhor me PDK-në. Aktualisht është pjesë e Kuvendit Komunal të Kaçanikut, ku në vazhdimësi ka problematizuar çështje në interes të qytetarëve të kësaj komune.

Ademi Mikullovci Driton Tali, Xhevdet Qeriqi, Xhavit Drenori dhe Avni Tafili do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 11 qershorit. Angazhimi ynë i përbashkët kundër kapjes së shtetit dhe për çlirimin e tij, do ta marrë mbështetjen e fuqishme të qytetarëve me 11 qershor. Me konsistencën tonë politike në qëndrimet dhe veprimet tona, tashmë është e qartë se jemi të vetmit që mundësojmë transformimin e Republikës, duke luftuar krimin e duke sjellë progres shoqëror. Ndryshimi është afër!

Kontribo

17 05 2017

Nga mbledhja e Kryesisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilën janë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e 11 qershorit dhe përgatitjet për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes e cila mbahet nesër, e ku do të votohet edhe lista e kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këto zgjedhje.

Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme. Gjatë ditës së sotme kemi pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR. Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave, kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim.

Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror. Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim.

Kontribo

12 05 2017

Qeveria nuk lejon hetim ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit

Zyra e Kryeministrit ka refuzuar hetimin e pavarur të rastit të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në kuadër të Qendrës Universitare në Lozanë të Zvicrës. Për këtë veprim i cili është në vazhdën e tentimeve të Qeverisë për të penguar hetimin e këtij rasti, në një konferencë për media folën deputeti Driton Çaushi dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi.

Deputeti Çaushi bëri një renditje kronologjike të të gjitha veprimeve të pushtetit me synimin për ta heshtur këtë rast, duke theksuar se rasti i refuzimit të hetimit ndërkombëtar nga një institut me kredibilitet aq të lartë flet më së miri për kapjen e drejtësisë në Kosovë.

“Me datën 20 dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Kjo pra u votua në Kuvend, dhe ajo që tani kemi marrë si lajm është se Zyra e Kryeministrisë, pra Qeveria e Kosovës, refuzon kërkesën e familjes për investigimin e këtij rasti nga një institucion zviceran me renome botërore, me një të kaluar të sukseshme të rasteve të zgjidhura të hetimeve të ndryshme”, bëri me dije Çaushi.

Ai kritikoi deklarimet e fundit të Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit Dehari, tha se nuk do të merret me të kaluarën. Por, shtoi po ashtu se askush s’do të mund të fshihet në të kaluarën për krimin e bërë në Burgun e Prizrenit.

Kurse, Sami Kurteshi sqaroi gjitha veprimet në lidhje me kërkesën për hetim ndërkombëtar. Ai tha se me 2 mars të këtij viti është bërë kërkesë nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e cila nuk mori përgjigje për më shumë se një muaj. Më pas tregoi se me 18 prill ka pasur një urgjencë nga avokati drejtuar Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila më pas bart përgjegjësinë tek Zyra e Kryeministrit. Tutje, avokati Gashi drejton me 21 prill kërkesën për hetim ndërkombëtar pranë Zyrës së Kryeministrit, sipas udhëzimeve nga Ministria e Drejtësisë, e që më pas refuzohet me 3 maj.

“Me 3 maj 2017, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pranon një letër nga Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe e njofton për përgjigjen që Ministria e Drejtësisë ka marrë për kërkesën me 14 prill. Me ketë përgjigje refuzohet nga Zyra e Kryeministrit hetimi ndërkombëtar i rastit të Astrit Deharit”, sqaroi Kurteshi, duke përmendur se si kjo Zyrë nuk i kthen drejtpërdrejt përgjigje avokatit Gashi pa asnjë arsyetim.

Ai po ashtu foli edhe për kredibilitetin dhe profesionalizmin e lartë të institutit, duke theksuar se ky institut është marrë edhe me rastin e vrasjes së kryeministrit libanez dhe raste të tjera të njohura.

Në fudn, u potencua se gjitha këto veprime flasin për tentimin e pushtetit për ta fshehur të vërtetën në lidhje me rastin, por pavarësisht gjithë kësaj, u tha edhe një herë se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbardhja e të vërtetës për vdekjen e dyshimtë të Astritit.

Kontribo

08 05 2017

Zmbrapsja e qeverisë është rezultat i angazhimit qytetar

Kjo qeveri e cila është zmbrapsur disa herë e që po zmbrapset prapë është rezultat i angazhimit qytetar. Për shkak të organizimit tonë dhe për shkak të vetëdijësimit të popullit karshi akteve të tradhëtisë të kësaj qeverie, sot e shohim qeverinë duke i bërë disa tërheqje.

Këto u thanë gjatë një tubimi mobilizues me struktura të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Edhe një herë, aty u përsërit nevoja për zgjedhje të parakohshme. Në këtë tubim në të cilin folën kryetari Visar Ymeri, anëtari i kryesisë Elvis Hoxha dhe kryetari i Qendrës së Prishtinës Ylli Hoxha, u tregua vendosmëria kundër marrëveshjes për demarkacion. “Kjo qeveri e cila është zmbrapsur disa herë e që po zmbrapset prapë, është rezultat i angazhimit qytetar, për shkak të organizimit tonë dhe për shkak të vetëdijësimit të popullit karshi akteve të tradhëtisë të kësaj qeverie”, tha kryetari Visar Ymeri.

Kjo qeveri po e mban qytetarin nën kërcënim kur vjen puna te demarkacioni, marrëveshje e cila qartazi dhe sheshazi shihet se është ndëshkim për Republikën e Kosovës, e në asnjë mënyrë për sovranizimin e saj siç thoshin në fillim. Deri tash demarkacionin e kanë përdorur si kërcënim ndaj nesh, por tash kanë filluar ta përdorin kundrejt njëri-tjetrit. Në fund, kjo nuk është luftë për interesat e Kosovës, kjo është luftë për karrige.

Ne duhet t’i shtojmë energjitë, ta rrisim angazhimin në mënyrë që jeta e kësaj Qeverie të jetë sa më e shkurtë; dhe Kosovës t’i sjellet ndryshimi për të cilin jemi duke luftuar dhe qytetarët janë duke e kërkuar. Në Kosovë vendos vetëm populli dhe në burg do të shkojnë vetëm kriminelët.

Kontribo

05 05 2017

181 ditë padrejtësi për Astritin

Janë bërë 181 ditë që kur aktivisti Astrit Dehari vdiq në rrethana të pasqaruara në Burgun e Prizrenit, ku po mbahej padrejtësisht dhe pa asnjë provë. Tash e 6 muaj askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë krim, vdekjen e tij në duart e shtetit.

Për këtë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan sot një aksion simbolik. Në këtë rast janë shkelur standardet ndërkombëtare si të trajtimit korrekt në paraburgim po ashtu edhe të gjykimit të drejtë.

Duke qenë se një ndër përgjegjësit kryesor në lidhje me këtë rast është Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, aktivistët shkruan në muret e ministrisë që drejtohet nga ajo 181 vija që simbolizojnë numrin e ditëve nga vdekja e aktivistit Dehari. Ata po ashtu shkruan “DREJTËSI PËR ASTRITIN” në muret e ministrisë dhe në veturat zyrtare që ndodheshin në oborrin e kësaj ministrie.

Deputeti Glauk Konjufca në fjalën e tij para aktivistëve pjesëmarrës në këtë aksion, tha se janë tre segmente që e kanë çuar Astritin në vdekje.
“Është pushteti dhe politika që i ka përgjegjës drejtpërdrejt Kryeministrin dhe Presidentin. Është gjyqësia që i ka gjyqtarë Vehbi Kashtanjevën dhe Abdurrahim Islamin. Është policia në krye me Shpend Maxhunin, bashkë me Luan Kekën dhe Fatos Makollin, që e kanë konstruktuar rastin për ta akuzuar VETËVENDOSJE!-n për terrorizëm. E në vend që policia dhe gjyqësia të merren me gjetjen e atyre që janë përgjegjës për vdekjen e Astritit, deri tash askush nuk ka dhënë llogari për vdekjen e një aktivisti të pafajshëm në burg”, tha Konjufca.

Astriti është mbajtur 68 ditë në burg pa u marrë në pyetje, kurse pas vdekjes së tij tha se ka pasur mobilizim të gjyqësisë, policisë dhe poltikës për ta mbajtur këtë rast të pazbuluar.Astriti ishte burgosur bashkë me 5 aktivistë të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 29 gusht përmes një procesi të montuar politik, të cilët akuzoheshin për sulmin në ndërtesën e Kuvendit që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016. Katër prej këtyre aktivistëve vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak ndonëse Prokuroria nuk ka prezantuar asnjë provë të vetme për akuzat që iu ka mveshur. As forenzika, as gjurmët e gishtërinjëve, as analizat e ADN-së, as dëshmitë e shumta fotografike për vendndodhjen nuk i lidh këta aktivistë me sulmin në Kuvend.

Para vdekjes së tij, kryeparlamentari Kadri Veseli kishte kërcënuar deputetetët tanë duke ua përmendur vetëvrasjen. Pas vdekjes së tij, pak orë më pas, Komandanti i Policisë për Prizren, Nexhmi Krasniqi, pati deklaruar se vdekja është shkaktuar nga përdorimi i mbidozuar i medikamenteve e dy ditë më pas, autopsia e dëshmon që vdekja ka ardhur si rezultat i ngulfatjes, teksa edhe analizat e gjakut e dëshmojnë se nuk ka pasur fare përdorim të medikamenteve. Kurse, menjëherë pas publikimit të raportit zyrtar të autopsisë, prokurori i rastit Sylë Hoxha, nxjerrë përfundimin se Astriti ka bërë vetëvrasje, duke falsifikuar atë që thuhet në raportin zyrtar, ku nuk konstatohet një gjë e tillë.

Të gjitha këto, më pas edhe rrjedhja e provave, si dhe duke pasur parasysh se Sylë Hoxha ishte ndër akterët e aferës “Pronto”, i cili së fundi edhe u promovua në Prokurorinë Speciale, flasin për një proces të dyshimtë, për të cilin u pengua hetimi i mirëfilltë. E sidomos, pasi që autopsia e ekspertëve të mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja, me një përvojë të theksuar, ka mospërputhje të mëdha me raportin e autopsisë nga mjeko-ligjorët e shtetit.

Së voni, edhe dëshmitari kryesor në rastin e Astritit, Naser Makolli, i cili ishte i fundit që e kishte parë Astritin para se të dilte në shëtitje dhe i pari që e gjeti në dhomë në ditën e vdekjes, ka vdekur në Burgun e Lipjanit në rrethana po ashtu të dyshmita. Ndërkohë, pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit, kërkesa nga familja për hetim të pavarur nga Instituti zviceran është dorëzuar tash e dy muaj, e për këtë përgjigja vazhdimisht është zvarritur. Vetëm pas një kohe të gjatë, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i kthen përgjigje avoktatit të familjes duke i kërkuar që kërkesën ta drejtoj te kryeministri.

I tërë procesi i hetimeve është trajtuar në atë mënyrë që të fshihet e vërteta. Gjatë tërë procesit, edhe prokuroria, edhe policia, kanë qenë të angazhuara kryekëput në orientimin e opinionit publik karshi rastit e jo në zbardhjen e tij. Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast. Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit. Fshehja e krimit është krim. Pengimi i drejtësisë është krim. Përgjegjësit për këtë janë: Dhurata Hoxha, Skender Hyseni, Sylë Hoxha, Nexhmi Krasniqi, Vehbi Kashtanjeva e Abdurrahim Islami.

Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin.

Kontribo

01 05 2017

Shfrytëzim brenda e jashtë orarit për profitin e pronarit

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në ditën ndërkombëtare të punëtorëve zhvilluan një aktivitet simbolik për të drejtat e punëtorëve.

Vdekjet në punë mbeten alarmante dhe pa asnjë masë serioze të ndërmarrë nga institucionet. Vetëm në vitin 2017 kemi gjashtë punëtorë të vdekur në vendin e punës. Për më pak se katër muaj, janë gjashtë jetë të humbura njerëzish. Për këtë i kemi vendosur simbolikisht edhe gjashtë helmeta. Dhe punëtorët që humbin jetën në detyrë nuk guxojnë të trajtohen si raste aksidentale. Humbja e jetës së një punëtori sot nënkupton edhe humbjen e burimit financiar kryesor të një familjeje. Ndërkohë, në të shumtën e rasteve nuk ka shpagim e as kompensim.

Gati të gjithë punëtorët, veçanërisht të sektorit privat trajtohen si mjete, për rritjen e fitimit të kompanisë. Për punëtorët e Kosovës nuk ekziston Ligji i Punës, as Kontrata Kolektive dhe as të drejtat elementare të njeriut. Rreth 61.3% e të rinjve të moshës 15 deri 24 vjeç punojnë pa kontratë pune.

Të punosh pa kontratë ose të mos respektohet kontrata, sot nënkupton që të jesh ndërtues që i le gjymtyrët në punë, të jesh punëtor sigurimi e të qëndrosh deri në rraskapitje për 150 pagë, të jesh shitëse me orar të zgjatur dhe të punosh pa ditë pushimi për një pagë që nuk mjafton as për të blerë miell për familjen, të jesh kamarier në qytete të vogla dhe të paguhesh nën 100 euro, të jesh taksist dhe të mos pushosh as për festa.

Rastet fatale, duhet të jenë alarm edhe për shfrytëzimin që kalon i pavërejtur. Shteti që nuk u shërben punëtorëve, i shërben privatit. Një shtet i tillë i monopolistëve milionerë është armiqësor me qytetarët e tij që janë shumicë. Vetëm një organizim i fortë sindikal, politik e shoqëror mund dhe duhet të ndërhyjë për ndryshimin e kësaj situate.

Kontribo