21 07 2017

ALBIN KURTI DHE GLAUK KONJUFCA TAKUAN AMBASADORIN AMERIKAN

Sot, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, i nominuari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Glauk Konjufca, takuan ambasadorin amerikan z.Greg Delawie.

Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. U trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 07 2017

THAÇI DUHET TË THËRRAS SEANCËN KONSTITUIVE

Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim. Afati ligjor për thirrjen e seancës konstituive është i përcaktuar ligjërisht dhe Thaçi thjesht e ka obligim kushtetues ta kumtojë ditën dhe orën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. Nëse Thaçi nuk e bën këtë, atëherë ne, si deputetë të Kuvendit të zgjedhur me votën e popullit, do ta bëjmë ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ftesa e Thaçit për takim konsultativ, është përpjekje që përmes takimeve joformale të tipit parapolitik ta bëjë të paqartë thirrjen e seancës konstituive. Kjo është tendencë e qartë për të krijuar përshtypjen e krizës ku të gjithë duhet të ulen në një tryezë dhe ka thjeshtë për qëllim shpërlarjen e takimeve të kafeneve me koalicionin e PAN-it, të cilit duke qenë se më shpejtë po i ikën koha se sa që po i bëjnë numrat për formimin e qeverisë, po mendojnë se tek Thaçi kanë gjetur mundësinë për blerjen e kohës. Thaçi e ka shfrytëzuar këtë ftesë, për t’ia mbuluar PAN-it humbjen e të gjitha afateve të cilat ata vetë i kanë caktuar. Kësisoj, Thaçi vetë i skaduar, ka pranuar këtë rol prej shpëtimtarit fallso për t’u rikthyer sërish në skenë, ku deri më tani qëndronte vetëm nëpërmjet thirrjeve telefonike me Vuçiqin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 07 2017

ALBIN KURTI PRITI DELEGACIONIN NDËRKOMBËTAR TË ORGANIZIMIT TË LUTJEVE TË MËNGJESIT

I nominuari për kryeministër të Kosovës nga VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, në selinë qendrore të Lëvizjes në Prishtinë, sot priti delegacionin ndërkombëtar të organizimit të lutjeve të mëngjesit të përbërë nga z.Lars Rise, z.Anthony Cordle, znj.Jennifer Lu dhe znj.Iris Lu.

Këta po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë për të mësuar më shumë mbi zhvillimet politike dhe gjendjen socio-kulturore te ne. Me këtë rast, z.Kurti i njoftoi mysafirët për programin, aktivitetet dhe organizimin e VETËVENDOSJE!-s, për suksesin në zgjedhjet e fundit dhe sfidat në të ardhmen për Kosovën duke theksuar ato për formimin e qeverisë së re në legjislaturën e gjashtë.

Ata e uruan z. Kurti për rezultatin në zgjedhje dhe i dëshiruan atij suksese të reja në vijim. Të dy palët potencuan rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë midis politikanëve të kombeve, bindjeve e rajoneve të ndryshme dhe u zotuan për bashkëpunim e takime të tjera në të ardhmen.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 07 2017

Nga konferenca përkujtimore “Teqeja Bektashiane e Gjakovës – vatër e atdhetarizmit”

I nderuari Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të bektashinjve, baba Mondi,
I nderuari baba Mumin Lama,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame, Kishës Katolike të komunitetit hebrenj,
Zotëri Rexhepi,
Don Lush Gjergji,
Zotëri Demiri
Të nderuar klerikë,
Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe kënaqësinë që sot ndodhem këtu, mes jush, në këtë konferencë, e cila e tregon, e vërteton, e dëshmon edhe një herë që bashkëjetesa dhe bashkëveprimi i feve të ndryshme te shqiptarët është shembull jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë botën.

Janë shqiptarët ata të cilët e kanë theksuar gjithmonë të përbashkëtën e tyre përkundër dallimeve dhe nuk janë kufizuar tek toleranca, por janë avancuar te puna dhe jeta e përbashkët.

Prej universalitetit të krishterizmit tek umeti i myslimanëve, shqiptarët e të gjitha feve, klerikë ose vetëm besimtarë e kanë theksuar rëndësinë e bashkësisë, qysh prej Rilindjes sonë Kombëtare, në formimin e kombit tonë. Fetë kanë kontribuar me bashkimin e njerëzve me angazhmin e tyre për bashkësinë. Gjendja normale e njerëzve është bashkësia. Kur njerëzit janë të ndarë, të përçarë ose të vetmuar, kjo do të thotë se dikush prej lart i ka ndarë, i ka përçarë ose i ka izoluar për t’i sunduar më kollaj. Njerëzit janë të lirë, atëherë kur janë bashkë, dhe këtë gjë kombi ynë prej formimit e ka dëshmuar si askush tjetër.

Unë i falenderoj të gjithë përfaqësuesit e të gjitha besimeve për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë para luftës, gjatë luftës e pas luftës. E kanë ndihmuar popullin tonë në paqe e në luftë, në ditë të vështira me ndihma nga më të ndryshmet. Te rezistenca jonë gjatë okupimit, lufta jonë çlirimtare dhe ndërtimi i paqes e shtetit sot, kanë gjurmë të thella të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë. Prandaj, unë shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata dhe secilin prej tyre.
Më lejoni që me ketë rast të përfundoj këtë fjalë përshëndetëse duke e përkujtuar thënien e famshme të Faik bej Konicës i cili thoshte se shqiptarët nuk ndahen në të krishterë dhe muhamedanë, shqiptarët ndahen në kombëtarë, ku ka prej të gjitha besimeve, dhe, në zuzarë. Ne jemi kombëtarë pavarësisht prej besimeve tona dhe le ta theksojmë të përbashkëtën tonë e cila është edhe mundësia, edhe garancioni, për përparimet e pandalshme të popullit dhe shoqërisë në Kosovë e më gjerë.

Ju falemnderit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 07 2017

NGA TAKIMI ME PËRFAQËSUESEN SPECIALE TË BE-së NË KOSOVË

Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryeministër Albin Kurti dhe nënkryetari i Lëvizjes, Dardan Sejdiu kanë takuar sot Përfaqësuesen Speciale të BE-së në Kosovë, znj. Natalia Apostolova. Në këtë takim në zyrët e BE-së, u diskutua situata pas çertifikimit të zgjedhjeve të 11 qershorit, vizita e delegacionit të VETËVENDOSJE!-s në Bruksel si dhe disa nga prioritet qeverisëse të Lëvizjes. Nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm mes të dyja palëve ishte pjesë e bisedës në këtë takim.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejshëm e të vazhdueshëm dhe intensifikim të raporteve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 07 2017

NGA TAKIMI ME AMBASADORIN E SUEDISË DHE AMBASADOREN E FINLANDËS

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kanë takuar sot Ambasadorin e Suedisë, z. Henrik Nilsson, dhe Ambasadoren e Finlandës, znj. Anne Huhtamäki.

Para ambasadorëve të të dyja shteteve, z. Ymeri e z. Kurti folën mbi zgjidhjet që parasheh VETËVENDOSJE! karshi problemeve me të cilat tash e sa vite ballafaqohet Kosova, të sintetizuara në Alternativën qeverisëse, ku me këtë rast u theksuan zgjidhjet konkrete që jepen në 20 kapitujt e kësaj alternative, që gjatë zgjedhjeve të fundit u konkretizuan tutje në formën e 40 prioriteteve apo masave që do të ndërmerren për zhvillimin e forcimin e Republikës së Kosovës. Në këtë takim u diskutua veçanërisht mbi modelin ekonomik që e parasheh Alternativa qeverisëse, ai i shtetit zhvillimor, përmes të cilit synohet të vihen në përdorim politikat shtetërore, resurset natyrore që ka vendi ynë dhe ndikimi i shtetit, me qëllimin që të luftohet varfëria dhe të mundësohet mirëqenia për të gjithë. E posaçërisht u potencua rëndësia e përkrahjes për prodhimin vendor, si mundësi për të përmirësuar bilancin tregtar, duke zëvendësuar importet me eksporte.

Po ashtu, më theks të veçantë u diskutua edhe modeli i shtetit social që parasheh Lëvizja VETËVENDOSJE!, që ka për pikënisje barazinë, ku z. Ymeri e z. Kurti shprehën domosdoshmërinë që Kosova të jetë një shtet social dhe përmenden nevojën që të ndërtohen mekanizma që mundësojnë, por dhe që garantojnë barazinë për të gjithë. Ndër të tjera, ata thanë që ky shtet social e ka për synim që të garantojë qasje në të mirat sociale për të gjithë, duke zhdukur dallimet dhe shtypjen ndaj shtresave e kategroive të ndryshme.

Nga ana tjetër, z. Nilssson dhe znj. Huhtamäki shprehën kënaqësinë për takimin e mbajtur, duke vlerësuar si të nevojshme që të ketë sa më shumë takime të këtilla. Si dhe, uruan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe uruan VETËVENDOSJE!-n për rezultatin e arritur. Gjithashtu, ambasadorët nga dy vendet skandinave, deklaruan se Suedia, përkatësisht Finlanda, do të jenë mbështetëse të Kosovës në rrugën drejt shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj.

Nga të dyja palët u shtrua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm në të gjitha fushat mes shteteve dhe pati dakordim për thellim të bashkëpunimit e kordinim për takime të tjera.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 07 2017

Takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, dhe i nominuari për Kryeministër nga VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, takuan sot Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler dhe zëvendësen e tij, znj. Vera Fusch.

Në këtë takim u diskutua mbi situatën politike, veçanërisht për zgjedhjet e 11 qershorit dhe rezultatin e tyre, si dhe formimin e qeverisë së ardhshme. Me këtë rast, z. Ymeri e z. Kurti e njoftuan më detajisht ambasadorin austriak për planin dhe 40 priortitetet e VETËVENDOSJE!-s, si projektin e vetëm që mundëson ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Po ashtu, shprehën qëndrimet mbi dialogun me Serbisë, duke prezantuar para ambasadorit platformën e VETËVENDOSJE!-s për këtë çështje.

Në anën tjetër, z. Pfandler dhe znj. Fusch, uruan VETËVENDOSJE!-n për suksesin në zgjedhje. Si dhe, u tha se Austria mbetet e vendosur për përkrahjen dhe mbështetjen e Kosovës, në veçanti për avancimin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe anëtarsimin në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Nga ky takim i përzemërt u theksua po ashtu rëndësia e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, si dhe nevoja për të vazhduar edhe në të ardhmen më takime të këtilla.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 07 2017

Takim me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë

Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i nominuari për Kryeministër nga VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin, Dardan Sejdiu, takuan sot Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Gjatë këtij takimi u dsikutua rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit dhe mbi oraret kushtetuese të formimit të koalicioneve qeverisëse, me ç’rast z. Kurti e z. Sejdiu folën mbi 40 masat konkrete për konsolidimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe shprehën gatishmërinë e VETËVENDOSJE!-s për të drejtuar qeverinë. Këto 40 prioritete që burojnë nga Alternativa qeverisëse mbi Shtetin e së Drejtës, Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social, u prezantuan si projekti me të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! synon ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik e social të tij, përmes qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti.

Ambasadorja kroate, znj. Kapitanoviq, shprehu mbështetjen e saj dhe të shtetit kroat për vendin tonë, si dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës e Kroacisë. Po ashtu, u shpalosën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s mbi dialogun dhe tema të tjera, ku u diskutua veçanërisht rëndësia e angazhimit të përbashkët për të mundësuar avancimin e Kosovës në integrimet evropian dhe bashkëpunimin për NATO-n. Gjithashtu, u veçua edhe roli i mërgatës në ekonominë vendore me përvoja të përbashkëta të Kosovës e Kroacisë në këtë fushë.

Në fund, nga të dyja palët pati dakordim për të vazhduar komunikimin, për takime të tjera në të ardhmen e për thellim të bashkëpunimit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 06 2017

Nga takimet e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Berlin

Pas vizitës në Bruksel, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vazhduar sot takimet në Berlin me deputetë të Bundestagut të Gjermanisë, nga Partia Social Demokrate (SPD) dhe Unioni Kristian Demokrat (CDU), si dhe me përfaqësues të admisnitratës gjermane. Kryetari, Visar Ymeri, Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u takuan sot në Bundestag me deputetët e SPD-së Josip Juratoviç dhe Norbert Spinrath, si dhe me deputetin e CDU-së Thorsten Frei dhe këshilltarin për marrëdhënie me jashtë të CDU-së, Z. Hans Joachim Falenski. Më tej delegacioni u prit në takim në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga Ambasadori Christian Hellbach, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore.

Në këto takime delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpjegoi situatën politike post-zgjedhore në Kosovë, si dhe paraqiti prioritetet qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe gatishmërinë, bazuar mbi rezultat zgjedhore, për drejtimin e qeverisë së re të Kosovës. Përfaqësuesit gjermanë që morën pjesë në këto takime e përgëzuan delegacionin për rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe treguan edhe një herë vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re që do të arrihet të formohet pas këtyre zgjedhjeve.

30 qershor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 06 2017

Takim në Bruksel me eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, është pritur në takim edhe nga eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein. Znj. Tanja Fajon është anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhënie me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa z. Knut Fleckenstein është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Të dy bashkë janë pëfaqësues të lartë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.

Në këtë takim u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re bazuar mbi këto rezultate. Delegacioni i njohu eurodeputetët me prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me faktin që tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i votuar në Kosovë me 32 deputetë në Kuvendin e ardhshëm. Eurodeputetët e përgëzuan delegacionin për këto rezultate duke diskutuar gjithashtu edhe për një bashkëpunim më të afërt dhe më intensiv mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe social-demokratëve të Parlamentit Evropian.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë edhe sot takimet në Bruksel.

29 qershor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 06 2017

Vazhdojnë takimet me europarlamentarë në Bruksel

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari Visar Ymeri, kandidati për Kryeministër Albin Kurti dhe Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti vazhduan sot takimet zyrtare në Bruksel. Ata u takuan me z. Victor Boshtinaru, Nënkryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, znj. Sandra Kalniete, Nënkryetare e Grupit EPP në Parlamentin Evropian dhe z. Eduard Kukan, eurodeputet, raportues për Shqipërinë dhe zëvendës raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

Në këto takime u diskutuan zhvillimet politike në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe themelimi i qeverisë së Republikës së Kosovës. Europarlamentarët u interesuan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe uruan VETËVENDOSJE-n për rezultatin në to. Po ashtu fokus i diskutimit ishin edhe prioritetet qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik i përqendruar te prodhimi që krijon vende të reja të punës dhe politikat që i mbrojnë punëtorët, e zbusin pabarazinë dhe rrisin kohezionin shoqëror. Veçanërisht u theksua nevoja që të krijohen mekanizmat që e funksionalizojnë gjyqësorin e sundimin e ligjit kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s shprehën edhe një herë zotimin për procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe shprehën qëndrimin tashmë të njohur për bashkëpunimin rajonal, si dhe atë për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 06 2017

1 vit padrejtësi

Gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që ta vazhdojë padrejtësinë ndaj aktivistët të cilët po mbahen që 10 muaj në arrest shtëpiak. Duke ua vazhduar arrestin deri më 28 gusht, bëhet 1 vit mbajtje në arrest nën akuza të montuara politike për aktivistët Adea Batusha, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Atdhe Arifi.

Vendimi i gjykatës është kopje e atij të dy muajve më herët. Kjo kopje tregon për dëshirën për t’i mbajtur aktivistët brenda dhe jo për të vendosur drejtësi. Në vendimin e kaluar shkruante se ata mbahen për shkak se në agjendë politike është çështja e demarakacionit dhe se lirimi i tyre mund ta paraqiste rrezik. Njëjtë, edhe në vendimin e sotëm, shkruan ashtu, pavarësisht ndryshimit të rrethanave dhe se kjo çështje nuk është më në agjendë.

Heqja e lirisë për katër aktivistë të rinj, krejt të pafajshëm se për çka akuzohen, tregon për një shtet me drejtësi të shpërfytyruar. Ata po mbahen pa fakte. I vetmi fakt në lidhje me mbajtjen e tyre është dëshira e pushtetit nga qeveria e kaluar.

Lirimi sa më parë i tyre është shenjë për çlirim të drejtësisë. Deri atëherë, ata janë prova e një shoqërie që funksionin me diktat.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 06 2017

Nga takimet në Bruksel

Gjatë ditës së parë të vizitës në Bruksel kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri bashkë me kandidatin për Kryeministër Albin Kurtin, takuan eurodeputetin socialdemokrat nga Kroacia z.Tonino Picula dhe përfaqësuesit e zyres së Komisioneres së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Shefen e Kabinetit Fabrizia Panzetti, dhe këshilltaren e kabinetit Ana Maria Baura.

Gjatë takimeve është diskutuar krijimi i Qeverisë së re në Republikën e Kosovës dhe domosdoja e ndryshimit të kursit politik dhe qeverisës të Kosovës, zhvillimit ekonomik që sjellë punësim, sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë. Përfaqësuesit e Komisionit dhe Parlamentit evropian u deklaruan se do ta pranojmë secilën qeveri demokratike që ka shumicën në Kuvend.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE! shprehën zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit drejt integrimit në BE si dhe për bashkëpunimin rajonal sipas parimeve të fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit në marrëdhënie.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 06 2017

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka folur kandidati për kryeministër, Albin Kurti. Ai fillimisht ka falënderuar sërish qytetarët e Republikës sonë për festën e demokracisë në zgjedhjet e 11 qershorit, duke shtuar se ishin ata që të drejtën demokratike e shndërruan në ndryshim politik.

“Zgjedhja e re qytetare tash duhet të bëhet qeveri e re progresive që zgjidh problemet e vendit tonë. Nëpërmjet 40 Prioriteteve të Republikës dhe marrëdhënies së afërt me popullin, me votën e tyre, qytetarët e vendit jo vetëm kanë afirmuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si partinë më të madhe politike në Kosovë, si partinë e parë në Republikë, por edhe kanë krijuar një situatë krejtësisht të re politike”, deklaroi Kurti në konferencën e sotme.

Tutje ai tha se Lëvizja VETËVENDOSJE!, si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërkaq dy koalicionet që kemi patur përballë ths se kanë pësuar humbje të thella.

“Në këto kushte plotësisht të reja politike, dhe bazuar mbi përkrahjen e madhe qytetare, ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e një qeverie të re të vendit të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe ne e kemi dëgjuar mirë e qartë zërin e tyre. Prandaj, e kemi obligimin që të japim maksimumin tonë për ta çuar përpara vullnetin e tyre”, shtoi Kurti.

Më pas, Albin Kurti ka ftuar të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-ALTERNATIVA si dhe të gjithë ata deputetë të Koalicionit PDK-AAK-NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të Klanit Pronto, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë një mandat të qartë dhe të fuqishëm prej qytetarëve për të sjell ndryshimin në qeverisje. Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi ai.

Në fund, Albun Kurti iu ka bërë thirrje gjitha partive të tjera dhe deputetëve që janë të përcaktuar për t’i sjell vendit ndryshimin, që të bashkohen në këto bisedime për përgatitjet për ndërtimin e një qeverie te re të Republikës së Kosovës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 06 2017

Edhe Partia Socialiste e Francës mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet 2017

Pas mbështetjes për zgjedhjet parlamentare 2017 që Lëvizja VETËVENDOSJE! mori këtë javë nga Internacionalja Socialiste, grupacioni më i madh ndërkombëtar i partive social demokrate, sot Kryetari Visar Ymeri ka pranuar edhe një letër mbështetëse nga Partia Socialiste e Francës. Kjo letër është dërguar nga Sekretari Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Partisë Socialiste të Francës, Maurice Braud.

Gjeni në vijim letrën e plotë:

PARTIA SOCIALISTE E FRANCËS

9 qershor 2017

Visar Ymeri,
Kryetar, Lëvizja VETËVENDOSJE!,
Kosovë

I dashur shok,

Më 11 qershor 2017, në Republikën e Kosovës do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në emër të Partisë Socialiste, dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia për suksesin e kandidatëve të partisë tuaj, Lëvizjes Vetëvendosje.

Që prej fundit të konfliktit, në qershor të vitit 1999, e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, vendi po kalon një fazë të gjatë tranzicioni për ndërtimin e institucioneve dhe të sovranitetit të tij. Partia Socialiste është e vetëdijshme për rëndësinë e punës që keni si përgjegjësi për të mbrojtur e plotësuar arritjet dhe për ta bërë Kosovën një Shtet plotësisht funksional, të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të integruar në rajon.

Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju shprehur besimin tonë që pas disa vitesh ndryshimesh e transformimesh, partia juaj është tashmë alternativa kryesore për të ushtruar përgjegjësitë e për ta drejtuar Kosovën kah drejtësia sociale, zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe integrimi dinjitoz i të gjitha minoriteteve.

Jam po ashtu i bindur që Lëvizja juaj do të dijë të japë prova të pjekurisë si konfirmim që është një parti progresive, moderne dhe pro-evropiane, e hapur sidomos ndaj dialogut me të gjitha Shtetet fqinje.

I dashur shok, dalë prej shoqërisë civile, partia juaj ka bërë një rrugëtim të gjatë. Është e pakontestueshme që ka arritur të konsolidojë rreth vetes një mbështetje të gjerë të të gjitha shtresave të shoqërisë, në veçanti falë dinamizmit të rinisë. Partia Socialiste ju përsërit mbështetjen e saj, në emër të shpresave që ju keni bërë të lindin dhe perspektivës që ju propozoni për një Kosovë më në fund demokratike dhe të shqetësuar për interesin e të gjithë qytetarëve të saj.

Vëllazërisht,
Maurice BRAUD

Sekretar Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 06 2017

Internacionalja Socialiste mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet 2017

Grupacioni ndërkombëtar më i madh në botë i partive social-demokrate, Internacionalja Socialiste, i ka dërguar një letër mbështetëse Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet parlamentare 2017. Në Internacionalen Socialiste bëjnë pjesë parti evropiane të qendrës së majtë të spektrit politik, si Partia Socialiste e Francës, Partia Social Demokrate e Austrisë, Partia Socialiste e Spanjës, Partia Socialiste e Belgjikës, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Socialiste e Bullgarisë, Partia Socialiste Finlandeze, e plot parti të tjera evropiane dhe nga e gjithë bota.

Letra mbështetëse në emër të Internacionales Socialiste është dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm, Luis Ayala, drejtuar kryetarit Visar Ymeri dhe kandidatit për Kryeministër Albin Kurti.

Gjeni në vijim letrën e plotë:

INTERNACIONALJA SOCIALISTE

6 qershor 2017

Visar Ymeri,
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Albin Kurti,
Kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të dashur miq,

Ndërkohë që i afroheni zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen këtë të diel, dëshiroj të shfrytëzoj rastin t’ju shpreh juve, dhe nëpërmjet jush të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përshëndetjet e mia vëllazërore dhe urimet e mia më të mira për fushatën tuaj elektorale sa të shkurtër aq edhe intensive.

Duke ju uruar suksese, unë shpresoj që përmes kontributit tuaj këto zgjedhje të sjellin stabilitet të shtuar, progres ekonomik dhe drejtësisë sociale për të gjithë popullin e Kosovës. Në këtë përpjekje ju keni mbështetjen dhe solidaritetin e Internacionales Socialiste.

Përshëndetje të përzemërta,

Luis Ayala
Sekretar i Përgjithshëm

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 06 2017

ARTANA KA VENDOSUR PËR VETËVENDOSJE!

Në ditën e dytë të fushatës, pas tubimit në Pejë, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim në komunën e Artanës. Para qytetarëve të Artanës kandidatët për deputetë dhe kryetari Visar Ymeri prezantuan projektin e VETËVENDOSJE!-s që funksionalizon shtetin e Kosovës dhe ftuan ata që të mbështesin ndryshimin me 11 qershor.

Kandidati për deputet nga kjo komunë, Emin Gerbeshi, u shpreh i bindur se qytetarët e Kosovës janë të vendosur për ndryshimin. Ai tha se me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s do të rriten kapacitetet prodhuese dhe zhvilluese dhe do të përfitojnë të gjitha shtresat e popullatës. “Me VETËVENDOSJE! do të rimëkëmbet miniera e Artanës. Do të investojmë në repartet e fabrikave të cilat tani janë shndërruar në gërmadha, pra ne do t’i shndërrojmë në fabrika prodhuese dhe aty do të punësojmë brezin e ri”, tha Emin Gërbeshi, duke potencuar po ashtu se komuna e Artanës është komuna më e prekur nga procesi i decentralizimit etnik.

Kandidati tjetër për deputet, Shemsi Syla, tha se VETËVENDOSJE! premton trajtimin adekuat dhe me dinjitet për dëshmorët dhe veteranët e UÇK-së.
“U deshën të rinj dhe të reja që i takojnë një organizimi që quhet VETËVENDOSJE! që të ngjallën shpresat për rimëkëmbje të asaj ndjenjes të artë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Syla, duke kujtuar çlirimin e Kosovës dhe degradimet e qeverisjeve të pasluftës.

Kurse, kandidatja tjetër për deputete, Albana Gashi, tha se qytetarët e kanë humbur shpresën dhe kjo nuk ndodhi as rastësisht, as aksidentalisht. Ajo theksoi se humbja e shpresës popullore është pasojë e keq-qeverisjes të gjatë menga dy partitë – PDK e LDK.
“PDK e LDK janë bashkëpjesëmarrës edhe në shkatërrimin e shëndetësisë, rrënimin e arsimit e kapjen e drejtësisë. Ata janë të njëjtë. Ata kanë qeverisur bashkë dhe janë sot të ndarë vetëm e vetëm për shkak të përfitimeve klanore. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetmja kundërshti reale e tyre. Ne jemi për investime në shëndetësi, riformulimin e arsimit, dhe reformimin e drejtësisë”, tha ndër të tjera në fjalë e saj, Albama Gashi.

Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë, e po ashtu kandidate për deputete, Nazlie Bala, prezantoi disa nga 40 prioritet tona, duke theksuar se VETËVENDOSJE! ka mbetur e vetmja alternativë për qytetarin e varfër të Kosovës, të cilit ky pushtet ia ka mbytur edhe shpresën.
“Ne synojmë që permes programit 40 pikësh, t’i ofrojmë secilt qytetar vendbanim të përhershëm, duke i ndërtuar 4000 banesa. Do i ofrojmë secilit student shkollim falas, shujtë ushqimi për secilin nxënës në krejt Kosovën, dhe stimulim financiar nga dhjetë euro në muaj për secilin femijë nen moshen 15 vjeç”, tha Nazlie Bala.

Pas saj, fjalën e mori Nënkryetari i Prishtinës, Nënkryetari i VETËVENDOSJE!-s dhe kandidati për deputet, Dardan Sejdiu, i cili kujtoi fitoren në Prishtinë për gjithë ata që ishin skeptikë në zgjedhjet e vitit 2013. Ai kritikoi kapjen e shtetit dhe domosdoshmërinë e çkapjes së tij, e po ashtu theksoi se puna në Prishtinë është modeli që mund të aplikohet në të gjithë Republikën, pasi që në kryeqytet krimi u ndal, dosjet u dorëzuan në prokurori, fëmijëve u jepet ushqim, shëndetësia u transformua komplet e ndërmarrjet publike u rimëkëmbën.
“VETËVENDOSJE! me datën 11 qershor i ofron popullit të Kosovës një Alternativë, e cila sigurohet që i papuni punësohet, punëtori mbrohet, qytetari është i barabartë dhe pushtetari në shërbim”, tha para qytetarëve të Artanës, Dardan Sejdiu.
E në fjalën përmbyllëse, Kryetari Visar Ymeri tha se pushteti ka synuar që ta lodhë qytetarin nga papunësia, e jo nga puna, si dhe përmblodhi 40 masat ndërhyrëse e kujtoi fitoret e opozitës përkundër skepticizmit të kohës.

“Shumëkush e njeh, por shumë na pyesin në rrugë, në shesh, e gjithandej për programin tonë dhe prioritetet tona për Republikën sepse shohin prej kohësh tashmë te VETËVENDOSJE! të vetmen shpresë dhe të vetmen garancën që kjo Republikë edhe do të ekzistojë, edhe do të zhvillohet, edhe do të jetë Republikë që do ta mbajë popullin brenda dhe jo ta përjashtojë jashtë siç bëjnë ata. Kam ardhur sot këtu bashkë me kandidatët e tjerë për deputetë t’ua themi se te ju, te qytetarët e kësaj Republike, ne shohim të vetmen shpresë. Këta të tjerët i ka kapluar paniku dhe frika. E kanë futur njëri-tjetrin në sqetull: Kadri Veseli AAK-në dhe Nismën, Avdullah Hoti AKR-në e të tjerët. VETËVENDOSJE! nuk është subjekt që frikësohet dhe as subjekt që bashkohet nga paniku, sepse VETËVENDOSJE! gjithnjë ka qenë e bashkuar me qytetarët e popullin dhe ashtu do të vazhdojmë gjithnjë. Asnjëherë, në asnjë organizim, ne nuk jemi ndarë prej jush, dhe as ju pre nesh, por me 11 qeshor angazhimin dhe devotshmërinë ndaj Republikës e shprehim me votë”, tha Visar Ymeri.
Kryetari Ymeri e mbylli këtë tubim duke bërë thirrje për të votuar numrin 35, ku qëndron e vetmja vijë e kuqe. Ai tha se deri më 11 qeshor duhet të punojmë shumë, që me 12 qershor të festojmë, dhe me 13 qershor t’i rikthehemi punëve për ta ndërtuar Republikën

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 06 2017

PEJA E VENDOSUR: 11 QERSHORI DO TË JETË DITA E NDRYSHIMIT

Tubimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë u hap me frazën “Peja është lulja e Dukagjinit e vyshkur nga pushteti, dhe vetëm duke larguar këtë pushtet mund të lulëzojë Peja dhe e gjithë Kosova”. Në fjalën hapëse, Nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s dhe kandiatja për deputete, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku përsëriti rëndësinë qëndrore për VETËVENDOSJE!-n të idesë së barazisë duke thënë: “Aty ku nuk ka barazi për të gjithë, nuk mund të ketë barazi për grupe të ndryshme, apo për individ dhe vetëm ku ka barazi sociale ka ndryshim.”
“Mos votoni për hir të së kaluarës, por për hir të së ardhmes”, ishte porosia me të cilën Mulhaxha-Kollçaku e mbylli fjalën e saj duke u bërë thirrje për pejanët që të votojnë VETËVENDOSJE!-n.

Në vazhdim, Ali Lajçi, pasi përmendi fitoret e Lëvizjes me zbrapsjen e “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi, u kërkoi pejanëve që të zbrapsin po ashtu edhe ato subjekte që u afrohen për t’u blerë votat gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërsa Dukagjin Gorani rreshtoi tre qëllimet që mbledhin qytetarët rreth Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Të kemi shoqëri të drejtë, t’i hapim rrugë zhvillimit, dhe të krijojmë një atdhe të sigurtë.”, tha kandidati për deputet, Dukagjin Gorani.

Shpend Ahmeti bëri ndarjen e Alternativës së Lëvizjes, e cila përfaqëson një shumësi grupesh shoqërore, nga koalicionet e tjera të cilat synojnë të marrin mbështetjen e grupve shoqërore specifike. Po ashtu Ahmeti e kundërshtoi sloganin e koalicionit të PDK-AAK-Nisma duke thënë se “nuk mund të ketë Fillim të Ri me dajë të vjetër, por se Fillimi vërtetë i Ri i qeverisjes është ndjekja e modelit të drejtimit të Komunës së Prishtinës nga VETËVENDOSJE!”.

Tubimi u mbyll me fjalën e kandiatit për kryeministër, Albin Kurtit. Kurti tha se dy koalicionet që më shumë janë një koalicion në dy lista janë përvoja e hidhur e qytetarëve dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! është shpresa e re e këtij vendi.

Në vazhdim të fjalimit, nga kandidati për kryeministër u ritheksua karakteri i fortë social-demokrat i Lëvizjes i cili i përfshin qytetarët e përjashtuar në zhvillim përmes rikthimit të ekonomisë në prodhim, dhe rikthimin e prodhimit në treg përmes rikthimit të tregut në lidhje të afërt me prodhimin vendor. Kurti po ashtu përforcoi karakterin barazitar të programit qeverisës së VETËVENDOSJE!-S në lidhje me minoritetet kombëtare, më specifikisht duke thënë se “Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i respektojë të drejtat e pakicës serbe, jo sepse e kërkon Beogradi, por se ne besojmë te respektimi i të drejtat e njeriut.” Tubimi u mbyll duke mbetur zotimi i Kurtit se, “me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s merr fund terri i krimit, dhe vjen drita e drejtësisë!”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 05 2017

Albin Kurti takon ambasadorin francez, Didier Chabert

Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me Shefin e Shtabit Zgjedhor, Besnik Bislimi, kanë takuar sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Në këtë takim u shprehën qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e 11 qershorit. Me këtë rast, u paraqitën prioritetet dhe zgjidhjet që ofron VETËVENDOSJE! për problemet me të cilat ballafaqohet vendi ynë.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u shprehen edhe një herë qëndrimet tona mbi dialogun me Serbi dhe në lidhje me çështjen e demarkacionit

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 05 2017

Gjenerata e ndryshimit do të votojë me zemër

Lëvizja VETËVENDOSJE! në tubimin mobilizues me të rejat dhe të rinjtë votues për herë të parë theksoi domosdoshmërinë e angazhimit të këtyre gjeneratave në zgjedhjet e 11 qershorit. Folësja e parë Adea Batusha e këtij tubimi, aktivistja që po mbahet në arrest shtëpiak për 9 muaj padrejtësisht, tash kandidate për deputete, foli në tubim përmes një lidhjeje direkt nga banesa e saj. “Ne duam kushte të barabarta në secilën sferë të jetës, dhe kjo është e mundshme me alternativën tonë”, tha Adea. Duke përmendur largimet e të rinjve dhe të rejave nga vendi. Adea u shpreh për domosdoshmërinë e qëndrimit dhe të ballafaqimit me pushtetin. Ajo shprehu bindjen e saj se jeta e dinjitetshme do të jetë e munshme këtu por se ajo nuk mund të realizohet pa angazhimin e të rinjve. Aktivistja Batusha e sulmoi pushtetin duke thënë, “Ne nuk i kemi borxh askujt! Ne na kanë borxh ata të gjithë që e kthyen Kosovën nga ëndrra e prindërve tanë në ferrin e tyre dhe tonin.”

Ndërkaq, asambleisti i komunës së Prishtinës dhe kandidati për deputet Qëndron Kastrati kujtoi angazhimin e tij të parë kolektiv politik si student kundër padrejtësive në Universitet duke thënë, “premtimet tona janë përvoja jonë.” Kështu Lëvizja nga përvoja e saj e angazhimeve, mes tjerash, propozon uljen e moshës së votimit në 16 vjet dhe mundësimin e arsimit të lartë pa pagesë.

Tutje, nënkryetari i Lëvizjes Dardan Sejdiu kujtoi angazhimin e tij të parë politik në protestën studentore të tetorit në 1997, për çlirimin e hapësirave universitare për shqiptarët dhe përkimin e kësaj proteste me luftën për çlirimin e Kosovës. Sejdiu u shpreh se duhet përsëritur ky bashkim i angazhimit të të rinjve për çlirimin e Kosovës, tashmë nga kapja private e shtetit, në zgjedhjet e datës 11 qershor.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha, “rinia ka më së shumti interes për ndryshimet për shkak se rinia është gjithnjë e ndryshme dhe përshkak se rinia do të jetë më së gjati këtej pari”. Kurti ritheksoi karakterin social-demokrat të VETËVENDOSJES! sipas të cilës konkurenca nuk duhet të jetë vlera e vetme në shoqëri, por duhet t’ia shtojnë përkrah edhe vlerën e bashkëpunimit. Më pas, ai foli për ndarjen mes lirisë negative si një liri prej arbitraritetit të një pushteti dhe lirisë pozitive që përmes arsimimit cilësor ia mundëson qytetarëve zgjedhjet e duhura në jetë dhe qëndrimet e menduara mire. Prandaj, kandidati për kryeministër, Albin Kurti premton arsimin e lartë pa pagesë në shërbim të kësaj lirie. Kurti foli gjithashtu për domosdoshmërinë e lidhjes së dijes teorike me atë praktikë, të arsimit me ekonominë, dhe të studentëve me nevojat e vendit. Zoti Kurti përmendi gjithashtu faktin se në Kosovë jetojnë më shumë se gjysëm milioni të rinj që janë nën moshën 16 vjeçare. Për Kurtin qëdemokracia të jetë sa më e vërtetë atëherë pragu i të drejtës së votës duhet ulur në 16 vjet. Në mbyllje, Albin Kurti u bëri thirrje të gjithë të rejave dhe të rinjve të pranishëm që të bëhen vullnetarë në këtë Lëvizje.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 05 2017

Pasnesër – dy javë prej fitores së grave e burrave

Në tubimin mobilizues me gra aktiviste e anëtare të Lëvizjes u theksua rëndësia e grave si një forcë organizative e barabartë si brenda Lëvizjes ashtu edhe në proceset ekonomiko-shoqërore në Kosovë. Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazile Bala rikujtoi fitoren e VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë në zgjedhjet lokale të 2013, duke thënë, “Forca, angazhimi, vullneti dhe qëndrimi i çdo gruaje i dhanë fuqi, forcë, vullnet e zemër çdo aktivisti e aktivisteje të Lëvizjes që u kurorëzua me një fitore shumë të bindshme në Prishtinë.”

Pabarazia gjinore, në këtë tubim u trajtua e lidhur me fenomenet shoqërore dhe ekonomike në Kosovë. Nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fatmire Kollçaku përmendi disa shembuj problematik si braktisja e arsimit nga vajzat, papunësia e madhe e grave, vështirësitë e pavlerësuara të të qënët amvisë, tentativat për shkurtimin e lejes së lehonisë, përqindja tejet e vogël e grave që trashëgojnë pasuritë familjare, dhe pushimet nga puna si pasojë e kontratave afatshkurtra. Më specifikisht znj. Kollçaku u shpreh se për pushimin e lehonisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! me të ardhur në qeverisje do ta ndajë atë në mes të dy prindërve.

Në fjalën e mbajtur, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti duke ritheksuar domosdoshmërinë e angazhimit të grave në shoqëri dhe në institucione tha, “Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e vetmja forcë e qendrës së majtë, është social-demokrate, e vetmja forcë progresive në Republikën e Kosovës.” Sipas Ahmetit, ky prograsivitet reflektohet në kritikën ndaj patriarkalizmit, në propozimet konkrete të Lëvizjes për regjistrimin e pronave familjare jo vetëm në emrat e burrave dhe djemve, por edhe të grave dhe vajzave brenda familjeve dhe në propozimet e tjera të programit të VETËVENDOSJES!. Ai i inkurajoi gratë që të marrin sa më shumë përgjegjësi brenda institucioneve.

Kurse, kandidati për kryeministër, Albin Kurti e bëri diferencimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga forcat e tjera. Ai tha, “Ne jemi ata të cilët sigurojmë barazi gjinore për shkak se ne e kemi në programin tonë kemi barazinë shoqërore. Ata të cilët janë kundër barazisë shoqërore nuk mund të sjellin barazi gjinore. Lëvizja Vetëvendosje me qeverisjen e saj pas 11 qershorit do të sjelli edhe barazi gjinore edhe barazi shoqërore.” Kurti përmendi edhe propozimet e tjera të Vetëvendosjes për të realizuar këto dy barazi mes të cilave bëjnë pjesë: pesëfishimi i çerdheve në të gjithë Kosovën me shtimin e 160 çerdheve, pagesat gjatë lejes së lehonisë me gjysmën e financimit nga buxheti shtetëror dhe gjysmën nga punëdhënësit privat, dhe rritja e pjesmarrjes së grave në qeverisjen e Vetëvendosjes. Në mbyllje të fjalës së tij zoti Kurti i inkurajoi gratë që të mobilizohen në organizata që kanë synim barazinë gjinore duke thënë se, “pa solidaritet gjinor nuk mund të zvogëlohet pabarazie dhe të realizohet barazia”. Ndërkaq duke inkurajuar për angazhim sa më të madh, citoi një autore: “ne nuk mund të presim nga shtypësit një ndjenjë bujarie falas”.

Tubimi u mbyll nga Nazile Balaj pasi u shpreh: “As nuk jemi numra, as nuk jemi statistikë, as nuk jemi përqindje, por pjesë e barabartë e kësaj shoqërie.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT