25 05 2017

PRIORITETET E REPUBLIKËS

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpalosi sot publikisht “Prioritetet e Republikës” – 40 masa konkrete për konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Këto masa do të zbatohen brenda mandatit qeverisës katër vjeçar të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, bazuar në Alternativën qeverisëse mbi Shtetin e së Drejtës, Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social:

1. Zbatimi i Planit zhvillimor mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës – investime në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, PTK-së

2. Themelimi Forcave të Armatosura të Kosovës

3. Rishikimi shkencor, administrativ dhe parlamentar i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi

4. Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike nga kapitali publik, krijimi i tregut të përbashkët energjitik Kosovë-Shqipëri, rishikimi i tarifave të energjisë elektrike dhe reformimi i sistemit tarifor

5. Ujitje për tokat bujqësore – Revitalizimi i plotë i sistemit të ujitjes “Ibër-Lepenc” dhe studimi për zgjerimin e tij

6. Rritja e subvencioneve e granteve në bujqësi dhe sigurimi i plotë i prodhimit bujqësor

7. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Prodhimeve vendore

8. Hartimi dhe zbatimi i planit për banimin e përballueshëm dhe banimin social

9. Rindërtimi i plotë i Kadastrit dhe zgjidhja e çështjeve pronësore me prioritet

10. Krijimi i Planit për furnizimin me ujë të pijshëm në qytete dhe trajtimin e ujërave të zeza, rrjetet e kanalizimit në të gjitha fshatrat e Kosovës me mbi 200 shtëpi

11. Reformimi progresiv i tatimit në të hyra si dhe reformimi i tatimit për Korporatat

12. Zvogëlimi i numrit të Ministrive dhe reformimi i Administratës

13. Krijimi i tregut të përbashkët për prodhimet, mallrat, shërbimet dhe biznesin mes Kosovës dhe Shqipërisë në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së

14. Ndërtimi i Komisioneve të Përbashkëta qeveritare dhe parlamentare me Republikën e Shqipërisë për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore

15. Rritja e pensioneve për pensionistët kontributdhënës

16. Sigurime Shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës

17. Shtesa 10 euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeçare

18. Sigurimi i jetës së të gjithë anëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve

19. Trefishimi i numrit të inspektorëve të punës dhe ndalimi i punës mbi pesë ditë në javë për vendet e punës jomenaxheriale

20. Hapja e 160 çerdheve të reja në bashkëpunim me komunat e Republikës së Kosovës

21. Rimëkëmbja e shkollave të Republikës së Kosovës

22. Arsim i lartë publik pa pagesë

23. Ndërtimi i Teatrit të Operas, dhe investime në kinematë publike

24. Rritja direkte e subvencionimit të klubeve sportive me rezultate të larta si dhe ndërtimi i Stadiumit të futbollit me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s

25. Ushqim falas për fëmijët e klasave fillore nga 1 deri në 5 në të gjitha shkollat publike të Republikës së Kosovës

26. Ndalja e rritjes së mëtejshme të pagave të deputetëve, presidentit, kryeministrit dhe pozitave të tjera të zgjedhura

27. Trajtim i dinjitetshëm i veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

28. Krijimi i Dhomës së Veçantë të Punës në Gjykatat e Republikës së Kosovës që do të merret me shkeljet e të drejtave të punëtorëve

29. Hartimi dhe miratimi i Ligjit për referendum në Republikën e Kosovës

30. Të rinjve dhe të rejave nga mosha 16 vjeçare do t’u jepet e drejta e votimit

31. Hetimi parlamentar i organizatës ilegale “SHIK” mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën/rrjetin e veprimit

32. Hetim Parlamentar për Privatizimin e KEDS-it, për kontratat e ndërtimit të autostradave “Vërmicë-Prishtinë-Merdarë” e “Prishtinë-Shkup”, si dhe për procesin privatizues të PTK-së

33. Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit – Krijimi i Njësisë së veçantë të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara

34. Veting (vlerësim i hollësishëm) për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës nëpërmjet një ligji të posaçëm

35. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit Anti-Mafia

36. Nisja e Zbatimit të planit 13 pikësh për bashkimin e Mitrovicës

37. Fillimi zyrtar i Dialogut të hapur me qytetarët e pakicës serbe të Kosovës

38. Mbështetja institucionale për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

39. Krijimi i komisionit parlamentar për vlerësimin e Dialogut të deritanishëm me Serbinë gjatë viteve 2011 – 2017

40. Dërgimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venecias për vlerësimin e ligjshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare, dhe anulimi i Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 për krijimin e “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 05 2017

VETËVENDOSJE! PO RRITET, NDRYSHIMI PO VJEN

Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë bashkuar sot Adem Mikullovci, Driton Tali, Xhevdet Qerirqi, Xhavit Drenori dhe Avni Tafili.

Adem Mikullovci është njëri nga aktorët më të shquar shqiptar. Ishte po ashtu deputet i Kuvendit që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe njihet për konsistencën e tij politike dhe kontributin e shquar për çështjen kombëtare.

Driton Tali është Doktor në fushën e ekonomisë. Ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, ku veproi si i pavarur. Mbahet mend si një ndër deputetët më të angazhuar në gjitha legjislaturat e pasluftës, ku në vazhdimësi ka ngritur zërin dhe ka luftuar kompromiset e dëmshme, krimin e korrupsion qeveritar.

Xhevdet Qeriqi ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht është Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve. Në vazhdimësi ka qenë i angazhuar më përkushtimin më të madh për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

Xhavit Drenori është Doktorant në Shkenca Sociale. Është njëri nga asambleistët më aktivë në Komunën e Drenasit, dhe në zgjedhjet e fundit në këtë komunë ka qenë kandidat i pavarur për Kryetar të Drenasit. Ai ka qenë mjaft i zëshëm në Kuvendin Komunal në interes të qytetarëve dhe vazhdimisht ka denoncuar keqpërdorimet dhe parregullësitë në këtë komunë.

Avni Tafili ka qenë pjesë e NISMA për Kosovën, të cilën e braktisi pas vendimit të saj për koalicion parazgjedhor me PDK-në. Aktualisht është pjesë e Kuvendit Komunal të Kaçanikut, ku në vazhdimësi ka problematizuar çështje në interes të qytetarëve të kësaj komune.

Ademi Mikullovci Driton Tali, Xhevdet Qeriqi, Xhavit Drenori dhe Avni Tafili do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 11 qershorit. Angazhimi ynë i përbashkët kundër kapjes së shtetit dhe për çlirimin e tij, do ta marrë mbështetjen e fuqishme të qytetarëve me 11 qershor. Me konsistencën tonë politike në qëndrimet dhe veprimet tona, tashmë është e qartë se jemi të vetmit që mundësojmë transformimin e Republikës, duke luftuar krimin e duke sjellë progres shoqëror. Ndryshimi është afër!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 05 2017

Nga mbledhja e Kryesisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilën janë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e 11 qershorit dhe përgatitjet për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes e cila mbahet nesër, e ku do të votohet edhe lista e kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këto zgjedhje.

Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme. Gjatë ditës së sotme kemi pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR. Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave, kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim.

Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror. Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 05 2017

Qeveria nuk lejon hetim ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit

Zyra e Kryeministrit ka refuzuar hetimin e pavarur të rastit të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në kuadër të Qendrës Universitare në Lozanë të Zvicrës. Për këtë veprim i cili është në vazhdën e tentimeve të Qeverisë për të penguar hetimin e këtij rasti, në një konferencë për media folën deputeti Driton Çaushi dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi.

Deputeti Çaushi bëri një renditje kronologjike të të gjitha veprimeve të pushtetit me synimin për ta heshtur këtë rast, duke theksuar se rasti i refuzimit të hetimit ndërkombëtar nga një institut me kredibilitet aq të lartë flet më së miri për kapjen e drejtësisë në Kosovë.

“Me datën 20 dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Kjo pra u votua në Kuvend, dhe ajo që tani kemi marrë si lajm është se Zyra e Kryeministrisë, pra Qeveria e Kosovës, refuzon kërkesën e familjes për investigimin e këtij rasti nga një institucion zviceran me renome botërore, me një të kaluar të sukseshme të rasteve të zgjidhura të hetimeve të ndryshme”, bëri me dije Çaushi.

Ai kritikoi deklarimet e fundit të Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit Dehari, tha se nuk do të merret me të kaluarën. Por, shtoi po ashtu se askush s’do të mund të fshihet në të kaluarën për krimin e bërë në Burgun e Prizrenit.

Kurse, Sami Kurteshi sqaroi gjitha veprimet në lidhje me kërkesën për hetim ndërkombëtar. Ai tha se me 2 mars të këtij viti është bërë kërkesë nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e cila nuk mori përgjigje për më shumë se një muaj. Më pas tregoi se me 18 prill ka pasur një urgjencë nga avokati drejtuar Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila më pas bart përgjegjësinë tek Zyra e Kryeministrit. Tutje, avokati Gashi drejton me 21 prill kërkesën për hetim ndërkombëtar pranë Zyrës së Kryeministrit, sipas udhëzimeve nga Ministria e Drejtësisë, e që më pas refuzohet me 3 maj.

“Me 3 maj 2017, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pranon një letër nga Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe e njofton për përgjigjen që Ministria e Drejtësisë ka marrë për kërkesën me 14 prill. Me ketë përgjigje refuzohet nga Zyra e Kryeministrit hetimi ndërkombëtar i rastit të Astrit Deharit”, sqaroi Kurteshi, duke përmendur se si kjo Zyrë nuk i kthen drejtpërdrejt përgjigje avokatit Gashi pa asnjë arsyetim.

Ai po ashtu foli edhe për kredibilitetin dhe profesionalizmin e lartë të institutit, duke theksuar se ky institut është marrë edhe me rastin e vrasjes së kryeministrit libanez dhe raste të tjera të njohura.

Në fudn, u potencua se gjitha këto veprime flasin për tentimin e pushtetit për ta fshehur të vërtetën në lidhje me rastin, por pavarësisht gjithë kësaj, u tha edhe një herë se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbardhja e të vërtetës për vdekjen e dyshimtë të Astritit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 05 2017

Zmbrapsja e qeverisë është rezultat i angazhimit qytetar

Kjo qeveri e cila është zmbrapsur disa herë e që po zmbrapset prapë është rezultat i angazhimit qytetar. Për shkak të organizimit tonë dhe për shkak të vetëdijësimit të popullit karshi akteve të tradhëtisë të kësaj qeverie, sot e shohim qeverinë duke i bërë disa tërheqje.

Këto u thanë gjatë një tubimi mobilizues me struktura të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Edhe një herë, aty u përsërit nevoja për zgjedhje të parakohshme. Në këtë tubim në të cilin folën kryetari Visar Ymeri, anëtari i kryesisë Elvis Hoxha dhe kryetari i Qendrës së Prishtinës Ylli Hoxha, u tregua vendosmëria kundër marrëveshjes për demarkacion. “Kjo qeveri e cila është zmbrapsur disa herë e që po zmbrapset prapë, është rezultat i angazhimit qytetar, për shkak të organizimit tonë dhe për shkak të vetëdijësimit të popullit karshi akteve të tradhëtisë të kësaj qeverie”, tha kryetari Visar Ymeri.

Kjo qeveri po e mban qytetarin nën kërcënim kur vjen puna te demarkacioni, marrëveshje e cila qartazi dhe sheshazi shihet se është ndëshkim për Republikën e Kosovës, e në asnjë mënyrë për sovranizimin e saj siç thoshin në fillim. Deri tash demarkacionin e kanë përdorur si kërcënim ndaj nesh, por tash kanë filluar ta përdorin kundrejt njëri-tjetrit. Në fund, kjo nuk është luftë për interesat e Kosovës, kjo është luftë për karrige.

Ne duhet t’i shtojmë energjitë, ta rrisim angazhimin në mënyrë që jeta e kësaj Qeverie të jetë sa më e shkurtë; dhe Kosovës t’i sjellet ndryshimi për të cilin jemi duke luftuar dhe qytetarët janë duke e kërkuar. Në Kosovë vendos vetëm populli dhe në burg do të shkojnë vetëm kriminelët.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 05 2017

181 ditë padrejtësi për Astritin

Janë bërë 181 ditë që kur aktivisti Astrit Dehari vdiq në rrethana të pasqaruara në Burgun e Prizrenit, ku po mbahej padrejtësisht dhe pa asnjë provë. Tash e 6 muaj askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë krim, vdekjen e tij në duart e shtetit.

Për këtë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan sot një aksion simbolik. Në këtë rast janë shkelur standardet ndërkombëtare si të trajtimit korrekt në paraburgim po ashtu edhe të gjykimit të drejtë.

Duke qenë se një ndër përgjegjësit kryesor në lidhje me këtë rast është Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, aktivistët shkruan në muret e ministrisë që drejtohet nga ajo 181 vija që simbolizojnë numrin e ditëve nga vdekja e aktivistit Dehari. Ata po ashtu shkruan “DREJTËSI PËR ASTRITIN” në muret e ministrisë dhe në veturat zyrtare që ndodheshin në oborrin e kësaj ministrie.

Deputeti Glauk Konjufca në fjalën e tij para aktivistëve pjesëmarrës në këtë aksion, tha se janë tre segmente që e kanë çuar Astritin në vdekje.
“Është pushteti dhe politika që i ka përgjegjës drejtpërdrejt Kryeministrin dhe Presidentin. Është gjyqësia që i ka gjyqtarë Vehbi Kashtanjevën dhe Abdurrahim Islamin. Është policia në krye me Shpend Maxhunin, bashkë me Luan Kekën dhe Fatos Makollin, që e kanë konstruktuar rastin për ta akuzuar VETËVENDOSJE!-n për terrorizëm. E në vend që policia dhe gjyqësia të merren me gjetjen e atyre që janë përgjegjës për vdekjen e Astritit, deri tash askush nuk ka dhënë llogari për vdekjen e një aktivisti të pafajshëm në burg”, tha Konjufca.

Astriti është mbajtur 68 ditë në burg pa u marrë në pyetje, kurse pas vdekjes së tij tha se ka pasur mobilizim të gjyqësisë, policisë dhe poltikës për ta mbajtur këtë rast të pazbuluar.Astriti ishte burgosur bashkë me 5 aktivistë të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 29 gusht përmes një procesi të montuar politik, të cilët akuzoheshin për sulmin në ndërtesën e Kuvendit që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016. Katër prej këtyre aktivistëve vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak ndonëse Prokuroria nuk ka prezantuar asnjë provë të vetme për akuzat që iu ka mveshur. As forenzika, as gjurmët e gishtërinjëve, as analizat e ADN-së, as dëshmitë e shumta fotografike për vendndodhjen nuk i lidh këta aktivistë me sulmin në Kuvend.

Para vdekjes së tij, kryeparlamentari Kadri Veseli kishte kërcënuar deputetetët tanë duke ua përmendur vetëvrasjen. Pas vdekjes së tij, pak orë më pas, Komandanti i Policisë për Prizren, Nexhmi Krasniqi, pati deklaruar se vdekja është shkaktuar nga përdorimi i mbidozuar i medikamenteve e dy ditë më pas, autopsia e dëshmon që vdekja ka ardhur si rezultat i ngulfatjes, teksa edhe analizat e gjakut e dëshmojnë se nuk ka pasur fare përdorim të medikamenteve. Kurse, menjëherë pas publikimit të raportit zyrtar të autopsisë, prokurori i rastit Sylë Hoxha, nxjerrë përfundimin se Astriti ka bërë vetëvrasje, duke falsifikuar atë që thuhet në raportin zyrtar, ku nuk konstatohet një gjë e tillë.

Të gjitha këto, më pas edhe rrjedhja e provave, si dhe duke pasur parasysh se Sylë Hoxha ishte ndër akterët e aferës “Pronto”, i cili së fundi edhe u promovua në Prokurorinë Speciale, flasin për një proces të dyshimtë, për të cilin u pengua hetimi i mirëfilltë. E sidomos, pasi që autopsia e ekspertëve të mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja, me një përvojë të theksuar, ka mospërputhje të mëdha me raportin e autopsisë nga mjeko-ligjorët e shtetit.

Së voni, edhe dëshmitari kryesor në rastin e Astritit, Naser Makolli, i cili ishte i fundit që e kishte parë Astritin para se të dilte në shëtitje dhe i pari që e gjeti në dhomë në ditën e vdekjes, ka vdekur në Burgun e Lipjanit në rrethana po ashtu të dyshmita. Ndërkohë, pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit, kërkesa nga familja për hetim të pavarur nga Instituti zviceran është dorëzuar tash e dy muaj, e për këtë përgjigja vazhdimisht është zvarritur. Vetëm pas një kohe të gjatë, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i kthen përgjigje avoktatit të familjes duke i kërkuar që kërkesën ta drejtoj te kryeministri.

I tërë procesi i hetimeve është trajtuar në atë mënyrë që të fshihet e vërteta. Gjatë tërë procesit, edhe prokuroria, edhe policia, kanë qenë të angazhuara kryekëput në orientimin e opinionit publik karshi rastit e jo në zbardhjen e tij. Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast. Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit. Fshehja e krimit është krim. Pengimi i drejtësisë është krim. Përgjegjësit për këtë janë: Dhurata Hoxha, Skender Hyseni, Sylë Hoxha, Nexhmi Krasniqi, Vehbi Kashtanjeva e Abdurrahim Islami.

Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 05 2017

Shfrytëzim brenda e jashtë orarit për profitin e pronarit

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në ditën ndërkombëtare të punëtorëve zhvilluan një aktivitet simbolik për të drejtat e punëtorëve.

Vdekjet në punë mbeten alarmante dhe pa asnjë masë serioze të ndërmarrë nga institucionet. Vetëm në vitin 2017 kemi gjashtë punëtorë të vdekur në vendin e punës. Për më pak se katër muaj, janë gjashtë jetë të humbura njerëzish. Për këtë i kemi vendosur simbolikisht edhe gjashtë helmeta. Dhe punëtorët që humbin jetën në detyrë nuk guxojnë të trajtohen si raste aksidentale. Humbja e jetës së një punëtori sot nënkupton edhe humbjen e burimit financiar kryesor të një familjeje. Ndërkohë, në të shumtën e rasteve nuk ka shpagim e as kompensim.

Gati të gjithë punëtorët, veçanërisht të sektorit privat trajtohen si mjete, për rritjen e fitimit të kompanisë. Për punëtorët e Kosovës nuk ekziston Ligji i Punës, as Kontrata Kolektive dhe as të drejtat elementare të njeriut. Rreth 61.3% e të rinjve të moshës 15 deri 24 vjeç punojnë pa kontratë pune.

Të punosh pa kontratë ose të mos respektohet kontrata, sot nënkupton që të jesh ndërtues që i le gjymtyrët në punë, të jesh punëtor sigurimi e të qëndrosh deri në rraskapitje për 150 pagë, të jesh shitëse me orar të zgjatur dhe të punosh pa ditë pushimi për një pagë që nuk mjafton as për të blerë miell për familjen, të jesh kamarier në qytete të vogla dhe të paguhesh nën 100 euro, të jesh taksist dhe të mos pushosh as për festa.

Rastet fatale, duhet të jenë alarm edhe për shfrytëzimin që kalon i pavërejtur. Shteti që nuk u shërben punëtorëve, i shërben privatit. Një shtet i tillë i monopolistëve milionerë është armiqësor me qytetarët e tij që janë shumicë. Vetëm një organizim i fortë sindikal, politik e shoqëror mund dhe duhet të ndërhyjë për ndryshimin e kësaj situate.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 04 2017

DREJTËSIA E KAPUR VAZHDON ARRESTIN SHTËPIAK EDHE 2 MUAJ PËR ADEAN, ATDHEUN, EGZONIN DHE FRASHËRIN

Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi do të mbahen edhe dy muaj të tjerë në arrest shtëpiak, sipas aktvendimit të ri, i cili thuajse është përseritje e fjalëpërfjalshme e aktvendimit paraprak. Ky vendim i padrejtë i Gjykatës Themelore të Prishtinës që privon nga liria katër aktivistët tanë, po ia mundëson zgjatjen e jetës një procesi, i cili ende po mbijeton pa asnjë provë të vlefshme.

Ky proces kryekëput politik është dëshmi e qartë e instrumentalizimit të drejtësisë për interesa të klanit kriminal “Pronto”, i cili e ka zhytur vendin në varfëri e mjerim dhe krim e korrupsion. Kjo drejtësi e kapur e cila punën e saj e kryen sipas porosive të pushtetit, në vazhdimësi është përqëndruar në luftimin e opozitës, dhe ka mbyllur sytë para krimit të organizuar dhe kriminelëve që qëndrojnë mbi ligjin.

Vendimi ndaj aktivistëve është arbitrar dhe është shkelje e të drejtave themelore të katër aktivistëve tanë, dhe si i tillë është i papranueshëm, siç është i gjithë procesi. Si pasojë e këtij procesi të montuar, i përcjellë që nga fillimi me shkelje flagrante të të drejtave elementare të njeriut, aktivisti Astrit Dehari sot nuk është në mesin tonë. Për këtë, sikurse për gjithë këtë rast dhe përndjekjen e vazhdueshme të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të mbahet përgjegjëse ministrja Dhurata Hoxha dhe gjithë krerët e shtetit të kapur. Këta njerëz që në vend të angazhimit për shtet të së drejtës, me çdo kusht e duan ndërtimin e një aparati autoritar shtetëror, nuk do të mund ta ndalin drejtësinë. Shteti i së drejtës do të shënojë fundin e proceseve të tilla të padrejta dhe fundin e gjithë atyre që janë kundër drejtësisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 04 2017

LËVIZJA VETËVENDOSJE! ANËTARËSOHET NË GRUPIN SOCIALIST TË KËSHILLIT TË EVROPËS

Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, është një prej përfaqësuesëve të delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili po zhvillon këto ditë punimet në Strasburg. Nëpërmjet deputetes Dërguti, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka aplikuar për t’u bërë pjesë e grupacionit të partive social-demokrate të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky grupacion njihet me emrin “Grupi Socialist” i Këshillit të Evropës, dhe në të bëjnë pjesë të gjitha partitë evropiane të qendrës së majtë të spektrit politik.

Aplikimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është miratuar zyrtarisht ditën e djeshme nga Grupi Socialist, ku sot e tutje Aida Dërguti merr pjesë si anetare. Është hera e pare që një përfaqësues i Kosovës bëhet anëtar i këtij grupimi, dhe deputetja Dërguti synon që ta shfrytëzojë maksimalisht këtë mundësi për të çuar përpara interesat e shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar, si dhe vlerat e solidaritetit dhe luftën kundër pabarazisë.

Prishtinë, 26 prill 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 04 2017

Nga tryeza “Situata aktuale e bujqësisë në Kosovë – sfidat dhe mundësitë”.

Zhvillimi i Bujqësisë nuk mund të bëhet pa mbrojtje dhe mbështetje shtetërore

Sot u mbajt tryeza rreth gjendjes së bujqësisë në Kosovë. Kryetari Visar Ymeri, prof.Salih Salihu, drejtues i Komitetit për bujqësi dhe prof.Driton Çaushi, paraqitën qëndrimet e Lëvizjes mbi sfidat kryesore të këtij sektori, me fokus të veçantë tek problemet e fermerëve e prodhuesve të Kosovës, politikat publike në bujqësi, mungesën e përkrahjes e neglizhencën institucionale, si dhe problemet nga marrëveshja e CEFTA-s dhe MSA-së.

Në mesin e pjesëmarrësve, njohës të fushës së bujqësisë, fermerë, prodhues, federata sindikale e bujqve, profesorë, përfaqësues të institucioneve, pati kritika të shumta në lidhje me atë se si është trajtuar ky sektor nga qeveria aktuale dhe ato para saj. Nga shumica prej tyre u tha se pushtetet e njëpasnjëshme nuk e kanë parë asnjëherë si prioritet shtetëror zhvillimin e bujqësisë dhe u theksua nevoja për një strategji afatgjate për zhvillimin e këtij sektori.

Ndërkaq, Drejtuesi i Komitetit Salih Salihu vuri theksin tek mungesa e buxhetit shtetëror për bujqësinë si faktori kryesor që ndikon në gjendjen e fermerëve të Kosovës. Ai po ashtu paraqiti të dhënat mbi gjendjen e sektorëve të prodhimit bujqësor dhe infrastrukturës bujqësore si dhe për mbrojtjen e tokës bujqësore nga ndërtimet e egra dhe fondin për fatkeqësitë natyrore.

Kryetari Visar Ymeri tha ndër të tjera se bujqësia është nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në shumicën e vendeve. Mirëpo, në rastin e Kosovës, politikat e pafavorshme agrare e tatimore po pamundësojnë që prodhimtaria bujqësore të jetë zëvëndësues i importeve. Qasjen në treg dhe atë në kapital, Ymeri i theksoi si dy faktorët që po e dëmtojnë më së shumti prodhimin vendor. “Tregu i prodhimeve ushqimore është dekurajues i prodhimit vendor sepse Kosova ka politikë tepër liberale tregtare, si dhe prodhimet ushqimore të importuara janë shumëfish më të subvencionuara në vendet e origjinës, dhe për rrjedhojë kanë mundësi të shiten me çmime shumë më të lira”, tha Ymeri.

Ai tutje shtoi se zgjidhja vjen duke i vendosur prodhimet tona në pozitë të barabartë. Dhe kjo mundësohet me subvencionimin në masë të njëjtë me prodhimet e huaja ose duke i tatuar prodhimet e huaja për aq sa është dallimi në subvencionim me prodhimet tona. Kurse, duke folur në lidhje me marrëveshjet CEFTA dhe MSA, Ymeri theksoi se në vend të tregtisë thjesht të lirë na duhet tregtia korrekte, që ndihmon vendet që të përfitojnë në mënyrë sa më të barabartë nga marrëdhëniet tregtare, qofshin bilaterale apo multilaterale. “MSA nuk është e liruar nga defekti që e ka CEFTA, pra vendosjen në pozita të pabarabarta të prodhimeve tona krahasuar me ato të BE-së, por MSA ka një përparësi sepse parasheh një fazë kalimtare me përkrahje edhe financiare të ekonomisë kosovare në arritjen e standardeve më të larta si të cilësisë po ashtu edhe mbrojtjes së mjedisit e të tjera”, u tha veç tjerash nga Visar Ymeri.

Kurse, deputeti Driton Çaushi tha se mungesa e ndikimit të investimeve bujqësore në ekonomi po ndodh për shkak të mungesës së një analize paraprake se ku dhe në çfarë kulturash bujqësore të investohet. Si dhe, pjesa tjetër e këtij dështimi sipas tyre lidhet me menaxhimin jo të mirë të skemave të subvencioneve dhe granteve. “Rreth 220 milionë euro janë investuar në bujqësi në tri vitet e fundit, por këto milionë nuk kanë ndikuar që të ketë rritje të theksuar në pjesëmarrjen e Bujqësisë në Bruto Produktin Vendor. Ai po ashtu përmendi parregullsitë e shumta në aplikimin për grante, mënyrën e shpërndarjes së tyre dhe përzgjedhjen e komunave të preferuara, si dhe kritikoi ashpër Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për të cilin tha se nuk është duke i kryer detyrat dhe përmbushur obligimet ligjore sa i përket ruajtjes së shëndetit të kafshëve, shëndetit publik dhe inspektimit. Madje, shtoi se ky institucion është i kapur fort nga njerëz të politikës dhe biznesit. Çaushi përmendi edhe dështimin në kontrollimin e sëmundjeve infektive, duke përmendur me theks të veçantë sëmundjen gungore dhe brucelozën.

Në fund, në formë konkluzionesh u përmblodhën nevoja për zhvillimin e masave mbrojtëse për prodhimet vendore, lidhja e institucioneve publike me prodhuesit vendor, ofrimi i shërbimeve adekuate këshillimore profesionale në nivelet komunale, orientimi dhe planifikimi prodhimit, ulja e kostos së prodhimit, ngritja e cilësisë dhe rritjes së sigurisë ushqimore të prodhimit vendor dhe rritja e zinxhirit të marketingut.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 04 2017

Takim me delegacionin nga Parlamenti Frankofon i Belgjikës

Shefi i grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s Glauk Konjufca, bashkë me anëtarin e Kryesisë, Sami Kurteshi dhe Kryetarin e Qendrës së Belgjikës, Arben Fetain pritën një delegacion nga Parlamenti Frankofon i Belgjikës, në përbërje të dy deputetëve socialistë, Jean-Charles Luperto, Zëvendës Kryetar i Komisionit për Punë te Jashtme, dhe Christophe Collignon, shef i grupit parlamentar te PS-së në Parlamentin regjional të Valonisë dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Frankofon.

Në takim u bisedua për rolin e emigracionit, situatën ekoniomike, papunësinë e madhe si dhe qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s në lidhje me këto. Deputetët socialistë u interesuan edhe për historikun dhe angazhimin e Lëvizjes. Të dyja palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtutjeshëm në temat të cilat duke pasur orientim të majtë, kanë interesim të përbashkët.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 04 2017

TAKIM NË VJENË ME DEPUTETËT E PARLAMENTIT AUSTRIAK

Gjatë vizitës së përfaqësuesëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në Austri, sot u mbajt një takim me deputetët e parlamentit austriak, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Austri. Në këtë takim, nga Lëvizja VETËVENDOSJE! morën pjesë deputetët Albin Kurti dhe Salih Salihu, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë Boiken Abazi bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Vjenë Serafina Bytyqi dhe Bekim Morina. Ndersa të pranishëm në këtë takim nga deputetët austriakë ishin deputeti Peko Baxant, nga Partia Social-demokrate, deputeti Lukas Mandl, nga Partia Popullore, dhe deputetja Terese Reiter. nga partia NEOS. Gjithashtu, në këtë takim mori pjesë edhe aktivisti i shoqërisë civile në Austri, Januz Saliuka dhe Sekretari i Përgjithshëm i Grupit të Miqësisë Kosovë-Austri, Arbër Marku.

Në këtë takim deputetët austriakë u interesuan mbi gjendjen ekonomike dhe politike në Kosovë, si dhe për alternativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të dalë nga kjo gjendje. Ata gjithashtu shprehën interesin e madh të shtetit austriak për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e zhvillimit të saj ekonomik dhe në proceset e integrimit. Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! prezantuan pikat kryesore të programit politik dhe të alternativës qeverisëse të Lëvizjes, duke theksuar nevojën për ndryshimin e kursit ekonomiko-politik të vendit, si dhe rolin e mërgatës shqiptare në Austri si një urë që përforcon bashkëpunimin mes dy vendeve.

Vizita e përfaqësuesëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Austri do të vazhdojë me tubime me bashkatdhetarët ne Vjenë, Graz dhe Linz.

22 prill 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 04 2017

Kurti dhe Salihu takime me zyrtarët e SPÖ-së

Sot, në Vjenë të Austrisë, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti dhe Prof.Salih Salihu, u takuan me zyrtarët e lartë të socialdemokratëve austriakë, Znj.Ilia Dib, Sekretare Ndërkombëtare e SPÖ, dhe Dr.Gerhard Marchl, Drejtor i Institutit ‘Karl Renner’.

Në këtë takim deputetët Kurti e Salihu paraqitën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s mbi situatën në Kosovë dhe rajon si dhe për idetë për daljen nga kriza. Në veçanti u shpalosën elemente të kritikës dhe programit të VETËVENDOSJE!-s mbi çështjet socio-ekonomike. U diskutua edhe për rolin dhe sfidat e mërgatës shqiptare si dhe ato të integrimit evropian.

Në fund të këtij takimi shumë të përzemërt të dyja palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Vizita e deputetëve Kurti e Salihu vazhdon me takime të tjera zyrtare dhe me tubime me bashkatdhetarë në Vjenë​, Grac dhe Linc.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 04 2017

Mustafa po e lufton shtetin e Kosovës duke emëruar strukturat ilegale ministra

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pa vullnet e pafuqi për t’i luftuar strukturat ilegale, emëroi sot drejtuesin e këtyre strukturave, Ivan Todosijeviqin, për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal. Drejtimi i institucioneve nga strukturat ilegale është luftë ndaj shtetësisë dhe funksionimit të Republikës. Ndërkaq, emërimi i tyre prej vetë Kryeministrit është i pajustifikueshëm dhe i pafalshëm.

Kjo Qeveri, sikur edhe të kaluarat, të vetmen gjë që ka bërë me strukturat ilegale është amnistimi e tash edhe rehabilitimi i tyre. Kjo Qeveri e paralizuar nuk bën punë të tjera pos atyre që ia cakton Beogradi. Mustafa në vend se të jetë udhëheqës, po bëhet ekzekutues i punëve të strukturave ilegale që nuk e njohin dhe e luftojnë shtetin e Kosovës.

Strukturat ilegale duhet të dënohen për krimet e kryera. Por, Mustafa nuk e ka as qëllim e as dëshirë dhe nuk e pranon që e ka për detyrë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 04 2017

Dështimet në sektorin e energjisë – dështime prej korrupsionit e privatizimit

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tryezën me temën “Situata në sektorin energjetik- prodhim, çmimi dhe investimet afatgjata”.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Visar Ymeri u ndal tek gjendja e rëndë në sektorin energjetik, me fokus të veçantë rrezikun e sigurisë së prodhimit vendas të energjisë elektrike për shkak të problemeve me thëngjillin, rritjen e vazhdueshme të çmimit të rrymës dhe funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE). Ai tha se përkundër burime të mjaftueshme që i kemi, pushteti në Kosovë ka dështuar që të krijojë stabilitet dhe qëndrueshmëri në sektorin energjetik. “Prej se është shpallur Kosova e pavarur ka një tendencë të shtuar privatizuese për sa i përket sektorit të energjetikës, dhe kjo e ka ndikuar drejtpërdrejt edhe funksionimin e institucioneve që janë të ndërlidhura dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejt në këtë sektor, e më së shumti këtu ZRrE-në”, theksoi Ymeri, duke treguar se si KEDS/KESCO aktualisht ka për qëllim maksimalizimin e profitit e jo furnizimin me energji elektrike për qytetarët, si dhe duke kujtuar se pas privatizimit kemi pasur tri momente të rritjes së çmimit të rrymës.

Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, prof. Naim Hoxha, tha se KEDS/KESCO përveç se nuk ka realizuar premtimet e dhëna, ka larguar njerëz nga puna dhe vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen në sektorin e energjetikës.“Zhvillimet që po shkojnë kah privatizimi komplet i energjisë elektrike nuk janë në drejtim të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Mungesa e një strategjie të përgjithshme zhvillimore të Kosovës, e pamundëson edhe zgjidhjen e problemit të energjetikës”, tha veç tjerash profesori Hoxha.

Nga ana tjetër, Nagip Krasniqi tha se ka pasur vetëm qasje ad hoc në planifikimin e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, si dhe tregoi mbi problemet në lidhje me projektin për termocentralin “Kosova e Re”, probleme këto që fillojnë qysh në fazën e tenderimit. Krasniqi tha se nëse qasja ndaj sektorit energjetik vazhdon të jetë e tillë, së shpejti Kosova do të ketë kolaps energjetik, si dhe do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në tarifa të energjisë elektrike, krejt kjo si pasojë e importit të madh e në pamundësi të ndërtimit të kapaciteteve për prodhim të energjisë elektrike.

Në fjalën e tij, Visar Azemi nga Drejtues i Konsorciumit Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), tha se ndër problemet kryesore të sektorit të energjisë është mungesa e prioriteteve në këtë fushë, dhe problemi i energjisë nuk zgjidhet me ndërtimin e një termocentrali të ri.

Kritika në adresë të ZRRE-së dhe privatizimit të KEDS-it pati profesori Ruzhdi Sefa, funksionimi i të cilave tha se varet kryekëput nga interesat e qarqeve të pushtetit dhe përreth pushtetit, teksa Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) theksoi si problem humbjen e energjisë, duke shtuar se problemi kryesor këtu është vjedhja e energjisë. Ai theksoi se 16.65% ka humbje komerciale të rrymës, ku 12.65% e kësaj është nga vjedhja, kurse 4% është shifër nga mospagesa e rrymës prej qytetarëve në Komunat me shumicë serbe.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se në Kosovë për një kohë të gjatë ka pasur shpërfillje të vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe natyrore. Ajo tha se Kosovës i ka kushtuar shtrenjtë procesi i privatizimit në sektorin e energjisë ndër të tjera me humbjen e vendeve të punës, si dhe tha se abuzimi i burimeve natyrore bëhet me qëllime dhe interesa të pushtetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Komiteti për Energjitikë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vijojë adresimin e çështjeve që lidhen me mospërmbushjen e kontratës nga KEDS/KESCO, rritjen e padrejtë dhe të jashtëligjshme të energjisë, faturimin e “humbjeve komerciale” (vjedhjeve dhe mospagimin e komunave me shumicë serbe) mbi buxhetin edhe ashtu të paktën të familjeve që paguajnë rregullisht energjinë elektrike, si dhe problemet e jashtëzakonshme me gjenerimin e energjisë elektrike, burimi i të cilave është kryesisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe qeverisë në tërësi.

Çështjet e energjitikës janë një betejë për të cilën kërkohet solidaritet dhe rezistencë nga të gjitha qarqet shoqërore, nga punëtorët deri të profesorët universitarë. Ne do të përpiqemi që ta nxisim këtë solidaritet dhe këtë rezistencë.

20 prill 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Komiteti për Energjetikë

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 04 2017

Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës mbajtur me 19 prill 2017

Qytetarë të Republikës,
Deputetë të Kuvendit,

Edhe në Kosovë kemi emra biznesmenësh që për një kohë të shkurtër i kanë shumëfishuar pronat e të ardhurat e tyre në mënyrë eksponenciale, duke tejkaluar edhe Bill Gates-in e Steve Jobs-in në ShBA. Mirëpo, te ne në Kosovë, Bill Gates dhe Steve Jobs janë dy vëllezër, janë Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Ata janë pasuruar shpejt dhe shumë përtej imagjinatës së tyre dhe përtej njohurive tona, thua se kanë bërë ndonjë inovacion në fushën e teknologjisë informative porsi Gates e Jobs.

Për pak vite këta u bënë pronarë të kompanive më të fuqishme në vend si fabrika e miellit M&Sillosi, Qumështorja VITA, Princ Caffe, Fabrika e sfunxherit “Comodita dopio”, fabrika e lëngjeve “Tango”, “Z-mobile”, Qendra e homologimit, Terminali doganor në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, Birra e Pejës, thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre etj. etj.

Cili ishte inovacioni i këtyre vëllezërve? Çka zbuluan ata që u pasuruan kështu? Çudisë Devolli nuk i mungon shpjegimi por hetimi. Kosova është shtet i kapur jo vetëm pse është polici e kapur, gjyqësi e kapur, prokurori e kapur, RTK e kapur, shëndetësi e kapur, arsim i kapur, por edhe pse është ekonomi e kapur.

Të gjithëve na kujtohet pronto biseda e Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit “Kqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…”, ndërkohë që Devolli i përgjigjet “U bo shef, qe po t’i çoj…”. Shtrohet pyetja, a ju ka tharë fyti vetëm njëherë Grabovcit apo nuk i kanë publikuar pronto ankesat e tjera për tharje fyti? Cilido variant është më i keq se tjetri. Dhe, së dyti, Devolli i thotë Grabovcit shef e jo anasjelltas. E shef do të thotë shef kuzhine apo shef fisi apo shef klani apo shef firme. Përderisa në këtë qeveri e kuvend kemi politikanë që përfaqësojnë kapitalin ekonomik si puna e Ramiz Kelmendit dhe Margarita Kadriut, te Devollët kemi situatën e përmbysur: ata janë biznesmenë që përfaqësojnë kapitalin e pronto politikanëve. Nuk kemi vetëm politikanë që përfaqësojnë interesat e bizneseve por ka edhe biznesmenë që përfaqësojnë interesa të politikanëve. Devollët janë arketipi i biznesit paravan të kapjes ekonomike të shtetit.

Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha. Ata po i shkatërrojnë fushat tona bujqësore dhe bujqit tanë s’kanë më levërdi të mbjellin për shkak të importit të grurit për ushqimin e kafshëve prej rezervave shtetërore të Serbisë e të cilat Devollët po ia sjellin jo vetëm Kosovës por po ia çojnë edhe Shqipërisë. Kanë rënë të ardhurat dhe fitimet në fabrikat e blojës në Kosovë e Shqipëri që s’punojnë as me gjysëm kapaciteti, e njësoj ka rënë importi i grurit nga vendet e tjera, madje edhe nga Italia e afërt për shkak se është rritur drastikisht importi nga Serbia dhe Rusia e largët. Autostradën e kombit Devollët e kanë bërë autostradë të krundeve dhe rezervave serbe për konsumatorët shqiptarë. Për të qenë edhe më keq se kaq, gruri pa proteina dëmton rëndë shëndetin e fëmijëve dhe përbën kequshqyrje që shkakton prapambetje në rritje.

Kjo e shkatërron bujqësinë e Kosovës, sidomos prodhimin vendor të grurit dhe misrit sepse çmimi i grurit në Kosovë tani sillet nga 13-15 centë, pra më lirë se krundet tona. Me këtë çmim asnjë fermer i Kosovës nuk mund t’i mbulojë shpenzimet e prodhimit. Sot te Devollët mund t’i blesh 100 kg miell me 20 euro, madje nëse i blen 3.000 kg miell, 1.000 kg miell i ke gratis!

Nga Devolli Commerce gjatë okupimit te Devolli Company e sot te Devolli Group, prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. “Serbia deformon tregun”, “Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash”, “Mashtrimi me tarifat doganore” janë tituj të zakonshëm kur mediet shkruajnë për Devollët. Natyrisht jo edhe në televionin e tyre Klan, i cili dikur ishte fabrikë reale prodhuese e amorizatorëve për automjetet kurse tash pas privatizimit është fabrikë virtuele televizive për amortizimin e pakënaqësisë së qytetarëve.

Devollët karakterizohen nga monopoli absolut i transaksioneve me gjithçka që del prej sektorit publik për t’u dhënë si koncension, si privatizim, si kontraktim apo nënkontraktim. Ata po ashtu kanë në dorë tregun e patundshmërive, pra transaksionet e shitblerjes se tokave dhe pronave të palujtshme. Si Devolli edhe Rukolli, Elkos e tajkunët e tjerë, përveçse nuk figurojnë si tatimpaguesit më të mëdhenj, i kanë kompanitë të cilat qendrën e tyre zyrtare edhe pse fiktive nuk e kanë në Kosovë. Për Devollin dihet se i ka kompanitë që kanë degë në Kosovë e janë të regjistruara në Maltë. Po ashtu Rukolli dhe të tjerët në Panama (ku ambasadore është mbesa e Kadri Veselit dhe ka pasur vizita të shpeshta zyrtare).

Ky tip i operimit gjithnjë është i lidhur me gjoja “politikën e jashtme”. Po të vërehet me kujdes çdo herë ka vizita të çuditshme psh. në Maltë, në Luxemburg, në Panama apo dhe në vende jo fort të njohura si partner kryesorë ku Thaçi, Veseli jo më rrallë edhe këta të MZhE-së apo MPJ priten me nderime.

Ekzistenca e Z-Mobile është produkt i krimit të organizuar me pjesëmarrje të një numri të madh individësh. Për ketë krim Prof. Ismet Hamiti ka bërë një kallëzim penal te prokurori i shtetit. Qartazi, Klani ‘Pronto’ ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender. Për shkak të kurdisjeve të këtilla pronarë të vërtetë të bizneseve që figurojnë në emër të Devollëve janë kurdisësit, pra Klani ‘Pronto’.

Terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët e Ramiz Kelmendin e Margarita Kadriun sesa për Republikën tonë.

Të gjithë fermerët janë në mëshirën e fabrikave të qumështit. Ato ua masin sasinë, cilësinë, çmimin dhe kur të donë nuk ua pranojnë fare qumështin. Nëse blegtori përpiqet që mandej qumështin e mbetur t’ia ofrojë ndonjë fabrike tjetër, ato nuk e pranojnë, për shkak se ata kanë kontratë me konkurrencën e tyre. Devollët janë më të egrit në këtë pikëpamje. Ata e kanë luksin të mos e marrin qumështin e blegtorëve vendës sepse përdorin qumësht pluhur kurdo që të kenë nevojë.

Qeveria e sotme sikurse edhe çdo tjetër para saj është në shërbim të tajkunëve. Neve na nevojitet një qeverisje e re me shtet zhvillimor ku qeveria është e afërt me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi, por jo tepër e afërt me tajkunët e monopoleve. Isa Mustafa s’e bën dot këtë. Ai nuk po merret me ekonomi por me demarkacionin e Thaçit. Zaten e ka të vështirë të merret me ekonomi sepse magjistraturën dhe doktoraturën i ka në kundërshtim me njëra-tjetrën: e para në frymën e socializmit vetëqeverisës të Kardelit kurse e dyta për lidership e menaxhment brenda orientimit neoliberal. E, të dyja këto janë të gabueshme.

Ju falemnderit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 03 2017

Në sondazhet e reja, Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti i parë në Kosovë

Lëvizja VETËVENDOSJE! në tre vitet e fundit ka pasur rritje të vazhdueshme. Kjo është vërejtur edhe nga angazhimi në terren, por edhe nga matjet përmes sondazheve të opinionit publik, të bëra nga kompani vendore e ndërkombëtare. Një sondazh i tillë në lidhje me zgjedhjet qendrore të mundshme, i realizuar në javët e para të marsit, u prezantua sot nga Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj.

Fillimisht, Molliqaj foli mbi metodologjinë e hulumtimit dhe demografinë e të anketuarve të cilat flasin për një sondazh mjaft kredibil, për të kaluar më pas tek rezultatet, të cilat e nxjerrin Lëvizjen VETËVENDOSJE! në vend të parë me 20.8%, duke lënë prapa PDK-në me 18,4% dhe LDK-në me 16.4%. Duke hequr ata që kanë refuzuar të përgjigjen se cilën parti do ta votonin, diferenca mes nesh dhe partive tjera thellohet, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! merr 26%, PDK 23%, kurse LDK vetëm 20.4%.

Ajo që vlen të theksohet nga ky sondazh është fakti që Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia e parë si zgjedhje e dytë nga votuesit potencial me 13.6%. Nga ky sondazh vërehet po ashtu se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti që ruan më së shumti votën, dhe atë në përqindje prej 92.7%, si dhe nga lëvizjet e votuesve më së shumti votues vijnë nga dy partitë e koalicionit qeveritar, 9.1% nga LDK dhe 8.2% nga PDK. Ndërkaq, personat që nuk kanë votuar në zgjedhjet e 2014-së, ku hyjnë edhe votuesit e rinj, në zgjedhjet e ardhshme kanë deklaruar se do ta votonin Lëvizjen VETËVENDOSJE! në përqindje prej 24.1%, që është shifër jashtëzakonisht e lartë krahasuar me gjitha subjektet tjera.

Gjendja në të cilën është katandisur vendi dhe zhvillimet e fundit politike po e bëjnë çdo herë e më të ditur se angazhimi dhe kritika e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë dhe është në vijën e duhur, dhe rrjedhimisht, konfirmohet si subjekti politik i cili mund ta bëjë ndryshimin që i duhet Kosovës. Ne do të vazhdojmë angazhimin në terren, punën dhe organizimin për fuqizimin e organizatës, do të vazhdojmë komunikimin e rregullt me gjithë qytetarët, dhe besojmë se e gjithë kjo do ta mundësojë fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 03 2017

STATISTIKAT SHTETËRORE NGA MJET MANIPULIMI NË MJET PËR POLITIKA ZHVILLIMORE

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, sot u mbajt tryeza “Statistikat zyrtare të Kosovës, ligji dhe agjencia”. Deputeti Albin Kurti, si dhe profesori Besnik Bislimi përveç çështjeve ligjore u përqendruan edhe në cilësinë e këtyre statistikave, e veçanërisht për Agjencinë e Statistikave të Kosovës, e më konkretisht për problemet në këtë institucion. Ata theksuan problemet e manipulimit me të dhënave sipas nevojave të pushtetit dhe kërkesën për transformimin rrënjësor përgatitjes dhe përdorimit të tyre.

Tryezën e hapi deputetja Shqipe Pantina e cila foli për rëndësinë që ka Agjencia e Statistikave dhe për përmbajtjen e Projektligjit, i cili e ka kaluar në leximin e parë në Kuvend dhe po shqyrtohet tutje. Ajo theksoi qysh në fillim se ky Projektligj prek pavarësinë e këtij institucioni.

“Ajo që prek Projektligji në thelb është mbikëqyrja e ASK-së dhe mënyrën e menaxhimit të këtij institucioni. Nenet e tjera janë kryesisht teknike që nuk e prekin në thelb përmbajtjen, por në fakt e përmirësojnë Ligjin”, tha Pantina, duke treguar se ka një përplasje mes asaj që propozon Qeveria dhe asaj që propozon Agjencia.

ASK-në kërkon që mbikëqyrja e saj të bëhet nga Kuvendi, ndërsa Qeveria me këtë Projektligj do që një gjë e tillë të bëhet nga një ministri që nuk precizohet, por që duket të jetë Ministria e Financave. Po ashtu ASK kërkon që drejtori i kësaj agjencie të këtë mandat shtatëvjeçar, kurse Qeveria do që ky mandat të jetë vetëm trevjeçar. Deputetja Pantina tha se nga hulumtimet në lidhje me mbikëqyrjen dhe menaxhimin e këtij institucioni në vendet e rajonit dhe BE-së, është parë se nuk ka një formulë fikse se si është e rregulluar. Por, ajo vuri në pah se në shumicën e vendeve kjo agjenci është ose pjesë e Qeverisë përmes Zyrës se Kryeministrit ose mbikëqyret në Kuvendi e shumë rrallë nga ndonjë ministri. Ndërkaq, mandati i drejtorit të saj kryesisht është përtej mandatit politik, pra zgjat me shumë se 4 vite.

Profesori Besnik Bislimi në fjalën e tij theksoi mungesën e statistikave dhe nevojën e reformimit të ASK-së, duke shtuar se synimi i këtyre reformave do të duhej të ishte ngritja e profesionalitetit të zyrtarëve të këtij institucioni në grumbullimin, analizën, interpretimin e paraqitjen e të dhënave, dhe këto të dhëna të mos mbahen si pronë e këtij institucioni por të jenë të hapura për ata që kanë interesim të qasjes në to.“Qeveria jonë i përdorë të dhënat statistikore për të përhapur një manipulim apo dezinformim të opinionit për të ia zgjatur jetën vetes”, tha profesori Besnik Bislimi, duke marrë shembull manipulimin e Qeverisë me shifrën e papunësisë duke iu referuar Entit të Statistikave të Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Albin Kurti shpjegoi se edhe duke iu referuar etimoligjikisht fjalës “statistikë”, nuk mund të definohet ndryshe përveç se si diçka që i përket shtetit, gjë që tregon se shteti dhe statistikat janë thellë të lidhura. E, në rastin e vendit tonë, ai tha se qeveria gënjen edhe me statistika, duke vënë në pah edhe vërejtjet dhe hezitimet e Raportit të Progresit ndër vite për cilësinë e këtyre statistikave, çfarë pengon analizat e shëndosha. Ai pati vërejtje të shumta për punën e ASK-së, për të cilën tha se nxjerrë shumë statistika që në thelb janë të pasakta, por që i përshtaten Qeverisë, duke marrë shembullin e shifrave në lidhje me papunësinë. “Nuk i paraprinë metoda shkencore rezultatit sa rezultati politik metodës. Prandaj, duhet shikuar të tjera shifra, nga të tjera instanca, dhe atë duke u përqendruar të shifrat e punësimit më parë sesa mbi papunësinë, nëse duam ta mësojmë të vërtetën dhe të jemi të saktë”, theksoi ai.

Qëndrimet e tyre i paraqitën dhe të ftuarit ndër ta edhe Drejtori i Zyrës Ligjore të Kryeministrit, njëherazi sponzorizuesi i këtij Projektligji, Mentor Borovci dhe Drejtori i ASK-së, Isa Krasniqi. Borovci nënvizoi anët pozitive të këtij Ligji sipas tij, kurse Krasniqi foli mbi aktivitetin e institucionit që drejton dhe vështirësitë me të cilat janë përballur.

Qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sa i përket këtij Projektligji i paraqiti deputetja Shqipe Pantina, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisja Lokale dhe Media. Këtu u përmenden garantimi i pavarësisë profesionale të Agjencisë së Statistikave, ngritja e kapaciteteve të saj, ngritja buxhetit, rritja e cilësisë dhe besueshmërisë të raporteve statistikore që i prodhon Agjencia duke ofruar shpjegime dhe analiza për të dhënat që publikohen. Po ashtu u dha ideja e krijimit të një programi master për të përgatitur specialistë që dinë të mbledhin, analizojnë dhe interpretojnë të dhëna statistikore.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Komiteti për Politika financiare e tregtare

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 03 2017

POLICËT E HASHIM THAÇIT KËRCËNOJNË E RRAHIN STUDENTËT

Në një ligjëratë të mbajtur në ambientet e kolegjit UBT, ku i ashtuquajturi president Hashim Thaçi ishte i pranishëm, për të folur mbi zhvillimet politike, iu është mohuar fjala fillimisht, dhe më pas janë keqtrajtuar studentët Diellza Arifi dhe Korab Muhadri.

Studentja Diellza Arifi është nxjerrë dhunshëm nga salla ku po mbahej ligjërata, pasi që kishte pyetur Thaçin në lidhje me klanin “Pronto”, e më pas është futur një dhomë dhe ndaj saj është ushtruar presion psiqik. Kurse, studentit Korab Muhadri, nuk i është dhënë në asnjë moment fjala, përkundër insistimit të vazhdueshëm të tij.

Përveç kësaj, për shkak të protestës nga ana e studentit Muhadri për faktin që nuk iu dha fjala, katër policë me veturën zyrtare të eskortës së Thaçit, me targat 156-01, e kanë kidnapuar atë në rrugë, duke e futur në veturë, që më pas ta kërcënojnë e ta rrahin, si dhe ta porosisin që asnjëherë të mos ngreh zërin ndaj Thaçit. Tre nga këta policë ishin Arben Bytyqi, Arsim Jashanica dhe Arsim Rashica, të cilët e kanë kërcënuar studentin Muhadri edhe me jetë.

Aktet e tilla janë kriminale dhe janë të papranueshme. Policët e këtillë janë shërbyes të pushtetarëve kriminelë, siç është Hashim Thaçi, e jo shërbyes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Tentimi i tillë për të mbytur zërin kundërshtues ndaj padrejtësisë dhe krimit të këtij pushteti nuk do të ketë sukses. Studentët dhe gjithë qytetarët e Republikës do ta shpëtojnë Republikën nga kapësit dhe zhvatësit e saj.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 03 2017

QYTETARËT E SHQIPËRISË E AS TË KOSOVËS NUK MUND TË QUHEN ASNJËHERË “MILICË TË SHESHELIT”

Po bëhen gati 24 orë që kur kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, i është drejtuar aktivistit nga Tirana, Arbër Zaimit, me gjuhën e urrejtjes dhe me etiketat më të rënda për një shqiptar. Pavarësisht se që prej asaj kohe ajo ka marrë kritika të shumta nga publiku, dhe shpresojmë që tashmë e ka kuptuar se cilësime të tilla nuk janë korrekte dhe as parimore, znj. Xharra ende nuk ka kërkuar falje për fyerjen ndaj z. Zaimi. Ajo e quajti z. Zaimi “milic i Sheshelit”, duke përdorur një prej fjalëve më të urryera për shqiptarë, “mërrsh” – fjalë e gjuhës serbe me të cilën paramilitarët serbë u janë hakërryer shqiptarëve.

Po ashtu, cilësimi i Shqipërisë si “kotec” shpreh diskriminim dhe është i papranueshëm për ligjërimin publik, duke tejkaluar çdo normë të lirisë së fjalës.

Ne e respektojmë lirinë e fjalës, por jemi të bindur që askush nuk mund të fyhet mbi bazën e prejardhjes vetëm për shkak se ka kritikuar, brenda çdo etike, qëndrime rreth një prej çështjeve më të diskutuara vitin e fundit në Kosovë.

Arbër Zaimi ka qenë për më shumë se një vit kolumnist i rregullt në të përditshmen “Zëri”, ku znj. Xharra ka qenë dhe vazhdon të jetë kryeredaktore, gjë e cila e bën dhe më absurd konstatimin e saj se mendimet e qytetarëve nga Shqipëria nuk vlejnë për publikun në Kosovë. Derisa, në anën tjetër, vetë Xharra në vazhdimësi komenton mbi zhvillimet në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe me gjerë rajonit tonë.

Tre prej aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë deportuar nga Kosova në Republikën e Shqipërisë, pas një linçimi dhe një fushatë kundër tyre nga disa prej udhëheqësve të mediave. Dy prej tyre, Dejona Mihali dhe Boiken Abazi ende nuk mund të vijnë në Kosovë meqë, shteti i Kosovës i ka përndjekur dhe dëbuar politikisht. Fushata kundër tyre ka pasur vetëm një arsye: origjinën e tyre nga Republika e Shqipërisë. Kjo është shfaqje e urrejtjes, përndjekje politike, dhe mungesë e përgjegjësisë publike.

Presim nga zonja Xharra që t’i kërkojë falje qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe të gjithë shqiptarëve, dhe në veçanti z. Zaimi. Gjithashtu, kërkojmë prej Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që të distancohen dhe të mos identifikohet me këtë gjuhë dhe këtë qëndrim të njërës prej pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 03 2017

BARAZIA SI PIKËNISJE, RRUGËTIM DHE PIKËSYNIM

Grupi parlamentar dhe Komiteti për Mbrojtje Sociale i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në tryezën që kishin organizuar me temë “Pabarazia dhe papunësia e grave dhe vajzave në Kosovë” nxorën disa konkluzione të cilat do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës.

Për këtë temë folën fillimit e morën fjalën drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste Nazlie Bala, nënkryetarja e Fatmire Kollçaku, deputeti Mytaher Haskuka dhe kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri.

Panelistët dhe diskutuesit shprehën shqetësimin për gjendjen e pabarazisë së gruas në shoqëri. Në tryezën e një salle të mbushur plot, ata u pajtuan se këto çështje duhet të marrin vëmendje më të madhe të shoqërisë dhe ndërmarrje të shtetit.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! barazia është pikënisje dhe pikësynim. Prandaj, është edhe rrugëtim i përbashkët.

Për të arritur në këto rezultate duhet të ndryshojnë politikat e tërësishme në nivel shtetëror sepse me politikat e njëjta jemi duke ecur prapa.

Një shoqëri, ku formalisht deklamohet nga zëri i pushtetit, se barazia është e garantuar, statistikat flasin se një në pesë gra në moshë pune është e punësuar, krahasuar me rreth tri të pestat e burrave në moshë pune.

Ne besojmë se shteti zhvillimor, pra një model tjetër ekonomik, ku shteti është aktor dhe s’ dorëzohet para tregut të derregulluar, dhe shteti social, një strukturë tjetër e mbështetjes sociale ku nuk strukturohet lëmosha por solidariteti, nevojiten për ta transformuar gjendjen e grave dhe vajzave në Kosovë.

Në fund të diskutimit, nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti dhe pjesëmarrësit u morën vesh që nëpërmjet deputetëve t’i drejtohen, Kuvendit me një grup çështjesh që adresojnë në themel këtë gjendje të rëndë sa i takon punësimit dhe disavantazheve të tjera me të cilat përballen gratë dhe vajzat në Kosovë.

8 mars 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT