03 03 2017

LËVIZJA VETËVENDOSJE! MERR PJESË NË INTERNACIONALEN SOCIALISTE

Lëvizja VETËVENDOSJE! është ftuar të marrë pjesë në punimet e Kongresit të XXV-të të Internacionales Socialiste, i cili po zhvillohet në qytetin e Kartagjenës, ku u rrit romancieri i shquar, fitues i Çmimit Nobel, Gabriel Garcia Marquez. Në këtë Kongres, Lëvizjen VETËVENDOSJE! po e përfaqëson Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi.

Punimet e Kongresit janë përqëndruar në diskutimin për një botë me paqe, barazi dhe solidaritet, si dhe në votimin e Presidiumit, ku ia vlen të përmendet se kryeministri Edi Rama u rizgjodh zevendespresident i Internacionales Socialiste.

Sekretari Abazi po zhvillon një numër takimesh në këtë Kongres me perfaqësues të ndryshëm të partive social-demokrate nga e gjithë bota. Ndër të tjerë, ai u takua edhe me përfaqësuesin ndërkombëtar të Partisë Socialiste të Francës, Sébastien Gricourt.

Me Z. Gricourt u diskutua gjatë lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit, i cili sot rrezikohet nga autoritarizmi, si dhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe nevojën e madhe për të fituar kundër ekstremit të djathtë që po vë në rrezik të gjithë projektin evropian.

Punimet e Kongresit do të vazhdojnë në dy ditët në vijim me një diskutim për barazi më të madhe ekonomike brenda kombit dhe në nivel ndërkombëtar.

3 mars 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 02 2017

Beqir Kalludra e Abdurrahim Islami vendosin edhe për dy muaj padrejtësi ndaj aktivistëve

Pas gjysmë viti të vuajtjes së arrestit shtëpiak, Gjykata ka vendosur që ta vazhdojë edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak për katër aktivistët tanë që po përndiqen politikisht: Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi. Ky vendim është marrë pavarësisht se masa e arrestit është respektuar në përpikëri prej aktivistëve. Që prej gjysmë viti të katër aktivistët po mbahen në arrest pa asnjë provë e asnjë fakt.

Tashmë, ky pushtet ka kaluar çdo nivel të absurdit të procesit politik..

Gjyqtari Beqir Kalludra duhet ta dijë se po merr vendime të porositura politike dhe të gabuara juridikisht. Duke i dënuar aktivistët tonë, ai po e sulmon drejtësinë. Beqir Kalludra në njërën anë me vendime të padretja dhe Abdurrahim Islami në anën tjetër me insistimin me montimet e dobëta ndaj drejtësisë, na sigurojnë se ky vend e ka një sistem të kapur të drejtësisë. Kjo tregon që qytetarët janë të pasigurtë në këtë vend, por më shumë se kaq, kjo tregon se kjo gjendje në të cilën drejtësia është në duar të të padrejtëve nuk do të lejohet gjatë. Ky vendim i pajustifikueshëm është i patolerueshëm.

Adea, Frashëri, Egzoni, Atdheu nuk kanë bërë asnjë faj. Ata duhet të lirohen dhe t’u kthehen studimeve e angazhimeve për një shtet të së drejtës e me mirëqenie. Ky është edhe motivi pse ata janë arrestuar. Pa lirinë e tyre të plotë dhe të mënjehershmë nuk mund të ketë as qetësi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
24 shkurt 2017

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 02 2017

TAKIM ME EURODEPUTETEN TANJA FAJON

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, me kërkesën e znj. Tanja Fajon, eurodeputete dhe raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, u takuan sot në Prishtinë.

Gjatë takimit z. Konjufca tregoi edhe njëherë qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në lidhje me procesin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi duke shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ri-procedimin e marrëveshjes aktuale e cila është kontestuar si nga ana juridike dhe nga ajo faktike, nga profesorë dhe ekspertë të ndryshëm.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
20 shkurt 2017

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 02 2017

KONGRESMENËT AMERIKANË TAKOJNË DEPUTETËT E LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri dhe deputetja Puhie Demaku, së bashku edhe me deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në dy takime të ndara në ambienetet e Kuvendit, takuan delegacionin e Komisionit për Partneritet Demokratik të Kongresit të SHBA-së, të udhëhequr nga kongresmeni Peter Roskam, së bashku me kongresmenët David Price, Gerald E. Connolly, Adrian Smith dhe Gwen Moore.

Gjatë takimit Kryetari Ymeri theksoi rëndësinë e madhe që Kuvendi i Kosovës duhet ta ketë në raport me Qeverinë përmes kontrollit parlamentar. Ai vazhdoi duke thënë se Kuvendi është injoruar nga qeveria në raport me bisedimet me Serbinë, dhe për këtë arsye Kuvendi nuk ka arritur ta realizojë funksionin e vet që e ka të garantuar me legjislacionin vendas në fuqi.

Më tej, me interesimin e kongresmenëve, Visar Ymeri dhe Puhie Demaku e njoftuan delegacionin në lidhje me situtatën politike dhe me qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për dy proceset tejet të dëmshme: Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “Zajednicën”. Deputetët nga grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! treguan për dëmet dhe rreziqet që i kanosen shtetit të Kosovës nga Demarkacioni dhe “Zajednica”, të cilat do të mund ta çonin vendin dhe rajonin drejt një situate të pakënaqësisë që do të sillte një paqe të paqëndrueshme. Në anën tjetër, ata folën edhe për domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave drejt sovranizimit dhe zhvillimit ekonomik të shtetit të Kosovës, dhe rëndësinë që ka partneriteti me ShBA-në në këtë drejtim.

Kongresmenëve i’u prezentuan më tutje pesë hapat e duhur për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sipas propozimit të bërë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në shtatorin e vitit të kaluar. Në këtë propozim përshihet rishqyrtimi në themel i marrëveshjes për Demarkacionin, themelimi i një komision gjithëpartiak e mbipartiak që do të trajtonte modalitetet juridike të rishikimit, udhëzime për institucionet kompetente të Kosovës, një Komision Hetimor për Marrëveshjen e 26 gushtit, kërkesë zyrtare nga Kryeministri i Republikës së Kosovës drejtuar homologut të tij në Mal të Zi për rinegociimin nën dritën e fakteve të reja që shpreh edhe zotimin për marrëdhënie të mira mes dy vendeve, si dhe duke i kërkuar zyrtarisht Bashkimit Evropian që kjo çështje të mos kthehet në pengesë për Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
19 shkurt 2017

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

10 02 2017

10 vjetori i Demonstratës së 10 shkurtit në Strugë

Në Strugë, në Teatrin “Poshka” u shënua 10 vjetori i demonstratës së 10 Shkurtit, përmes shfaqjes se dokumentarit mbi ngjarjet e datës 10 shkurt 2007 dhe një prezantimi mbi këto ngjarje. Në këtë prezantim foli Bekim Qoku anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili fillimisht paraqiti për një kronologji të ngjarjeve nga publikimi i Planit të Ahtisarit deri te realizimi i Dokumentarit.

Pas shfaqjes së dokumentarit debati vijoi duke shtjelluar dëmet që burojnë nga plani i Ahtisaarit dhe pasojat e tij në politikën aktuale të Republikës së Kosovës, veçanërisht rrezikun që sjell “Zajednica” në pengimin e realizimit të sovranitetit të Kosovës.

Shumë nga të pranishmit morën fjalën për të debatuar. U fol kryesisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE! rolin e saj në Kosovë dhe efektet e saj në aktualitetin politik e social në nivel kombëtar. Fjalën e morën edhe shumë të pranishëm të tjerë për të shprehur kryesisht admirim por edhe domosdoshmërinë e një lëvizje të tillë në këto troje. Në mesin e të pranishëmve ishte edhe Kryetari i ri i Komunës së Strugës z. Mustafa Zabzuni dhe deputeti i zonës z. Syrija Rashidi.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! si mik i saj, për idealizmin dhe frymën e drejtuesve dhe aktivistëve të saj foli dhe Shpëtim Pollozhani, kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarve politikë shqiptarë të Maqedonisë. Me përzemërsi dhe mirënjohje për Lëvizjen VETËVENDOSJE! foli edhe atdhetari e veprimtari i çështjes kombëtare, z.Sejdin Lloga.

Strugë, 10 shkurt 2017

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 02 2017

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

Dritëro Agolli, vjershëtari i dashur prej popullit, është shuar. Sa e sa rima të tij, me atë tingëllimën e njohur, janë përsëritur si fabula prej shumë njerëzve, pa e ditur se të cilit autor janë.

Agolli do të mbetet në mendjet tona me vargjet e tij herë ironike e herë provokuese, herë pasionale e herë cinike, por kurrë nihiliste e pa moral.

Me gjuhën e tij të thjeshtë ai është shembulli tipik se si kultura popullore mund të jetë ende burim e mjet artistik që mund të ngrihet edhe në një nivel të krahasueshëm me forma të tjera, më të sofistikuara, të artit poetik.

Agolli mbeti besnik i gjuhës së shtresës popullore, ndaj dhe populli nuk do ta harrojë kurrë. I qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë!

Lëvizja VETËVENDOSJE! i shpreh ngushëllime familjarëve dhe gjithë lexuesve të tij.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 01 2017

MËRGATA SHQIPTARE NË GJERMANI PËRKRAH FUQISHËM LËVIZJEN VETËVENDOSJE!

Këto tre ditë deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe Donika Kadaj mbajtën disa tubime me bashkatdhetarë në Gjermani.

Në këto tubime, përfaqësuesit Lëvizjes VETËVENDOSJE! prezantuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe alternativën e Lëvizjes ndaj këtyre zhvillimeve.

Tubimet që u mbajtën në Bielefeld, Heilbronn dhe Heidelberg ishin përplotë me bashkatdhetarë që kishin shprehur vullnetin dhe interesimin të dëgjonin dhe të bashkëbisedonin me përfaqësuesit e VËTVENDOSJE!-s.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 01 2017

Nismë legjislative për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikuar

Sot, në Kuvendin e Kosovës, Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Komiteti për Drejtësi organizoi një tryezë, në lidhje me Projektligjin për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikuar.

Të pranishëm ishin deputetë, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, avokatë, përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian, shoqërisë civile, profesorë dhe studentë.

Këtë diskutim e hapi Deputetja e VETËVENDOSJE!-s, Albulena Haxhiu që është njëkohësisht dhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në strategjinë legjislative për vitin 2016, Qeveria kishte paraparë procedimin në Kuvend të rishikimit e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme më 30 qershor të vitit 2016.

Qeveria, konkretisht Ministria e Drejtësisë, as nuk e ka sjellë për diskutim një iniciativë të tillë. Praktikisht ka dështuar në realizimin e axhendës legjislative, madje i njëjti projektligj është hequr edhe nga strategjia legjislative e vitit 2017. Sigurisht që kjo sjellje e Qeverisë dëshmon mungesën e plotë të vullnetit që qoftë dhe formalisht ta adresojnë çështjen e pasurimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.

Duke e pasur në vëmendje nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit e në anën tjetër pasivitetin e institucioneve të drejtësisë për të luftuar atë, të pranishmit vlerësuan lart nevojën e nxjerrjes së këtij projektligji.

Diskutimet u përqendruan në fuqinë retroaktive të këtij ligji, pra në përcaktimin kohor se prej kur duhet të vlejë shqyrtimi i pasurisë. Po ashtu u diskutua edhe për mbështetjen e sistemit të drejtësisë, duke pasur parasysh që ka mungesë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ngritjen e një departamenti përbrenda prokurorisë i cili do të përfaqësohej nga prokurorë të profilizuar që do të merreshin me rastet e korrupsionit dhe të tjera çështje të ngjashme.

Përfaqësuesit e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u kërkuan të pranishmëve që vërejtjet e tyre për draftin e propozuar të këtij projektligji, t’i parashtrojnë me shkrim deri më 6 shkurt, në mënyrë që projektligji më pas të procedohet në Kuvend.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e kishte propozuar edhe në legjislaturën e kaluar këtë nismë por ajo ishte zvarritur e penguar për të vijuar më tej qoftë nga mazhoranca e asaj kohe, qoftë nga një pjesë e opozitës që tash është në qeveri.

Po ashtu ne jemi të vetëdijshëm se vetëm normat ligjore nuk mjaftojnë për t’i bërë ballë mafias që ka kapur shtetin. Në këtë kuptim ky projektligj është i pamjaftueshëm, por megjithatë është i domosdoshëm dhe e vlerësojmë vetëm si një nga shumë masat që nevojiten për ta çkapur shtetin nga mafia e pushtetit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 01 2017

Policia nuk kishte as prova të montuara për Astrit Deharin

Policia nuk kishte as prova të montuara për Astrit Deharin

Arrestimi i aktivistit Astrit Dehari pa asnjë provë, asnjë fakt, madje as të montuar, e përbën skandalin më të madh gjyqësor e politik në sistemin e drejtësisë. Nuk ka asnjë sms, nuk ka asnjë bisedë të tij që është inkriminuese. Nuk ka asnjë postim në Facebook që Policia mund ta llogarisë inkriminuese. Në të gjtiha pajisjet që i janë konfiskuar Astritit; veturë, telefon, lap-top, nuk është gjetur asgjë sipas pretendimeve të Policisë. Poashtu, ADN-ja e Astritit nuk përputhet. I tërë procesi është i ndërtuar mbi dy dëshmitarë dhe as këta dy dëshmitarë nuk e kanë përmendur Astrit Deharin. Astriti u arrestua e u mbajt në burg sepse ishte aktivist.

Sekretari i VETËVENDOSJE!-s Dardan Molliqaj në një konferencë për këtë rast tha se i  tërë procesi që është montim politik, i bazuar vetëm në deklaratat jokredibile të dy dëshmitarëve për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! tashmë ka dështuar.

“I vetmi fakt që Policia e pranon pse e ka arrestuar Astritin, është shoqërizimi i tij me aktivistët Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti. Dëshminë për këtë shoqërizim, madje e ka të bazuar nga aktiviteti i tyre në rrjetin Facebook. Kjo pranohet në dokumentet zyrtare të vetë Prokurorisë”, sqaroi Molliqaj.

Molliqaj shoti më tëj se deklarata e personit që pretendon se e ka shitur motorin aktivistëve tonë, thotë se motori u është shitur tre personave të gjatësisë së njëjtë, të cilin kishin theks nga Rahoveci. Aktivistët e arrestuar janë të gjithë nga Prishtina dhe kanë dallim në gjatësinë e tyre, sidomos Astriti me Atdheun dhe Egzonin. Nga fotot e të dyshuarve, dëshmitari nuk kishte arritur ta identifikojë Astritin. Ai i kishte identifikuar vetëm vetëm dy persona dhe Astriti nuk ishte i dyshuar.

Astriti vdiq faji i këtij pushteti. Astriti u mbajt në burg i pafajshëm. Seanca për Astritin ende nuk është mbajtur e procesi ka dështuar. Astriti vazhdon ta denoncojë këtë pushtet. Ky pushtet ka emra të përveçëm të fajtorëve. Disa prej tyre janë: Mentor Shala, Ridvan Berisha, Shpend Maxhuni, Fatos Makolli, Luan Keka, Abdyrrahim Islami, Vehbi Kashtanjeva, Sylë Hoxha, Metush Biraj, Nexhmi Krasniqi, Skender Hyseni dhe Dhurata Hoxha.

Ne as nuk harrojmë, as nuk falim.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
18 janar 2017

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 01 2017

TRENI I NEGOCIATAVE

Treni i linjës Beograd-Mitrovicë, i cili cenon tutje sovranitetin e Kosovës, është produkt i pastër i negociatave pa parime e pa kushte të shtetit tonë me Serbinë. Dhe sikurse për koncesione të tjera, përgjegjësit kryesor edhe për këtë iniciativë të Serbisë brenda Kosovës janë Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe Isa Mustafa.

Ky tren që po qarkullon për herë të parë në relacionin Beograd-Mitrovicë që nga viti 1999, është përplot me motive të trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë dhe me thënie që konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë. Dhe kjo, është qartas mesazhi i Serbisë që e do Kosovën si në vitin 1999.

E kundruall gjithë kësaj, institucionet tona që detyroheshin nga Lista Srpska që të mbulonin muralet me simbole kombëtare në Kuvendin e Kosovës, kanë zgjedhur të mos veprojnë dhe të viktimizohen. Përballë këtij projekti famëkeq, negociatorët deklarojnë se treni është ilegal, se nuk janë marrë vesh për të në negociata, dhe kërkojnë që ai të ndalet nga Bashkimi Evropian. Ndonëse, në vazhdimësi të njëjtit negociatorë janë deklaruar për suksese të njëpasnjëshme të Kosovës në procesin negociator me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është vënë në shërbim të Serbisë. Nënshtrimi i vazhdueshëm ndaj Serbisë përmes negociatave me të, dhe nënshtimi ndaj degëzimit të saj në Kosovë, Listës Srpska, është garancë edhe për projekte të tjera që do ta minimizojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, që të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës duhet që të mos lejohet Serbia brenda saj. Dhe që të ndalet Serbia, është e domosdoshme që të ndërpritet procesi negociator pa parime e pa kushte më të, gjë të cilën nuk e bën dot qeveria aktuale e Kosovës, e cila funksionon pa asnjë parim dhe e kushtëzuar nga shteti serb.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

12 01 2017

TAKIM NË LONDËR ME MINISTRIN NË HIJE TË PUNËVE TË JASHTME

Në ditën e dytë të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i udhëhequr nga kryetari Visar Ymeri, u takua me deputetin e Partisë Laburiste Britanike, Khalid Mahmood, i cili mban pozicionin e Ministrit në hije të Punëve të Jashtme.

Në këtë takim Kryetari Ymeri prezantoi pikat kryesore të programit politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe situatën politike në Kosovë dhe më gjerë në Ballkan. Deputeti Khalid Mahmood tregoi se synimi i kryetarit të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, është të ndihmojë partitë e pozicionuara majtas në rajonin e Ballkanit, dhe shprehu interesimin për të ardhur në një vizitë zyrtare në Kosovë gjatë këtij viti.

Më tej delegacioni zhvilloi një vizitë në Universitetin “London School of Economics” (LSE) për t’u takuar me profesorin shqiptar Arjan Gjonçaj, dhe gjatë ditës u zhvillua një takim edhe me organizatën anglo-shqiptare “British Albanian Kosovar Council”. Takimet e delegacionit do të vazhdojnë në Londër deri në fund të kësaj jave.

12 janar 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 01 2017

Nis vizita e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mbretërinë e Bashkuar

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! po merr pjesë në një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar për t’u takuar me mërgatën shqiptare, partitë politike britanike, dhe organizata shqiptare dhe ndërkombëtare. Delegacioni udhëhiqet nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri dhe është i përbërë nga Glauk Konjufca, Kryetar i grupit parlamentar, Fisnik Ismaili, deputet, dhe Fitore Pacolli, Drejtuese e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë.
Në ditën e parë të vizitës delegaioni është takuar me përfaqësues të lartë të Partisë Laburiste Britanike si Baronesha Janet Royall, me Ndërlidhsen e Marrëdhënieve me Jashtë Znj. Jo Greening dhe me Menaxheren e Projekteve Ndërkombëtare Znj. Nabila Sattar.

Baronesha Royall, e cila ka dhënë më herët një kontribut të çmuar gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, shprehu interesimin që të mësojë më shumë mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë si dhe tregoi gatishmërinë e saj për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Baronesha Royall dhe Kryetari Visar Ymeri e përqendruan diskutimin te forcimi i marrëdhënieve mes forcave progresive social-demokrate në Evropë si strategji e domosdoshme për të sfiduar pushtet e djathta dhe konservatore. Kryetari Ymeri e njohu Borenesën me zhvillimet e fundit ekonomiko-politike në Kosovë duke u ndalur edhe te pasojat negative që ka sjell dialogu pa kushte me Serbinë.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë vizitën gjatë kësaj jave në takime të tjera me përfaqësues të partisë Laburiste, me Ministrinë e Punëve Jashtme Britanike, me gazetarë si dhe në takime dhe një tubim me mërgatën shqiptare. Ndër të tjera, në datën 13 janar, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufaca do të mbajnë edhe një ligjëratë në Universitetin Sussex me temën “Kosova dhe shqiptarët në një Evropë në ndryshim”

11 janar 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 01 2017

LINJË HEKURUDHORE ME BEOGRADIN – MUR NDARËS ME KOSOVËN

Vendimi për ndërtimin e linjës hekurodhore Beograd – Mitrovicë është cenim i drejtpërdrejt i sovranitetit të Kosovës. Ky projekt është vazhdimësi e shmangies së shtetit tonë dhe krijon lidhje direkte me shtetin e Serbisë. Serbia po e bën zhvendosjen e kufirit para syve të qeveritarëve tanë. Tashmë, kufiri me Serbinë, nga Leposaviçi është zhvendosur në lumin Ibër ku është ndërtuar një mur ndarës. Ndërkaq, linja hekurudhore që është vendim i shtetit serb është tregues i sjelljes së Beogradit sikur të ishin brenda të të njëjtit shtet me pjesën veriore të Mitrovicës.

Linja hekurodhore nuk ka të bëjë me kurrfarë integrimi për të cilin flasin qeveritarët tanë. Përkundrazi, kjo linjë është dëshmi që Serbia e injoron krejtësisht kufirin dhe shtetin e Kosovës dhe përpiqet që t’i tërheqë drejt vetës serbët e Kosovës.

Kjo Serbi po i bën të gjitha projektet që e cenojnë sovranitetin në veri të vendit tonë. Me të njëjtën Serbi, Qeveria jonë ka pranuar të negociojë. Prej së njëjtës Serbi dhe me Listën Serbe po provohet të instalohet “Zajednica” në Kosovë. Ky projekt nuk është i ndryshëm. Linja hekurodhore është vetëm njëri prej treguesve se si mund të dukej “Zajednica” e cila sjellë ndarje reale por edhe simbolike. Flamujt dhe kishat ortodokse në trenat e ri, janë vetëm kujtesë që ndarja është etnike dhe nuk bëhet fjalë për hekurudha përbashkuese.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 01 2017

ARRESTIMET NË GJAKOVË JANË SHTYPJE E KËRKESËS PËR DREJTËSI

Ardhja e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të Gjakovës është veprim provokues, i cili i rëndon edhe më shumë plagët e shumë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit. Protestat e vazhdueshme kundër këtyre vizitave janë thirrje për t’u vendosur drejtësi, kurse dhuna policore nga organet e rendit ndaj protestuesve është veprim kundër drejtësisë, dhe si i tillë i papranueshëm.

Sikurse edhe në herat e kaluara, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe sot qytetarë që po kundërshtonin ardhjen e këtyre pelegrinëve, bashkë me të cilët edhe kriminelë të luftës, të cilët nuk u hetuan asnjëherë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin për arrestimin e Hazbije Pruthit, Mimoza Shalës, Haxher Bytyqit, Shkëndije Hodës dhe Sanije Berishës, si dhe kërkon lirimin e mënjehershëm të tyre.

Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë përderisa drejtësia nuk është vendosur. Serbia përveçse nuk ka kërkuar falje, ajo po mban në fuqi fletë-arrestet për pjesëmarrësit në luftën tonë çlirimtare. Prandaj, protestat janë të pashmangshme deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 12 2016

LËVIZJA VETËVENDOSJE! NËNSHKRUAN KOALICION ME AKR-NË NË MITROVICË

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nënshkruar koalicion për qeverisje lokale në Komunën e Mitrovicës me subjektin politik Aleanca Kosova e Re – AKR. Kjo marrëveshje politike është nënshkruar në Mitrovicë, nga kryetari i Qendrës së Mitrovicës Faruk Mujka dhe përfaqësuesi nga AKR-ja, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

Qyteti i Mitrovicës është i rëndësishëm për shkak të pretendimeve ekspansioniste që ka Serbia karshi pjesës veriore. Për këtë duhet një qasje politike që i përgjigjet këtyre pretendimeve. Qëndrimet e kryetarit të Mitrovicës kanë qenë edhe parimore dhe konsistente. Në këtë drejtim dhe me këtë synim Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur marrëveshje të bashkëqeverisjes me kryetarin Bahtiri, në këta muaj të mbetur të qeverisjes.

Ne mendojmë se situata politike dhe e sigurisë në Mitrovicë është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe kjo duhet të nënkuptojë angazhim më të shtuar të forcave që besojnë në një Mitrovicë të zhvilluar, prosperuese dhe që merren me probleme të dala që nga paslufta deri më tani. Me këtë marrëveshje politike, ne angazhohemi për një qeverisje lokale profesionale, të guximshme dhe të ndershme.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të qeverisë me Drejtorinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Arsimit dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Kurse nënkryetari i komunës së Mitrovicës do të jetë z. Faruk Mujka.

VETËVENDOSJE! zotohet se do ta kryejë me përgjegjësi të plotë dhe me përkushtim obligimin që ka marrë për këto drejtori.

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 12 2016

Asnjë veprim i shtetit për dhunën gjatë operacionit policor në selinë e VETËVENDOSJE!-s

Në 18 dhjetorin e vitit të kaluar 78 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar kallëzimet e tyre penale në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me intervenimin policor të 28 nëntorit në Selinë e VETËVENDOSJE!-s. Sot e asaj dite nuk është ndërmarrë asnjë veprim, përkundër kërkesës së vazhdueshme nga institucione kredibile vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi, gjatë konferencës për media tha se e tërë kjo tregon se sistemi shtetëror në Kosovë është i kapur nga një regjim kriminal me elemente fashiste e terroriste. Duke shtuar po ashtu se e tërë kjo ka qenë pjesë e skenarit për eliminimin e VETËVENDOSJE!-s nga skena politike.

“Intervenimi i Policisë në zyrat e Lëvizjes me njësitë antiterroriste, ka pasur elemente terroriste. Qëllimi i intervenimit ka qenë krijimi i panikut, së pari midis aktivistëve, e pastaj edhe midis qytetarëve, të cilët janë sulmuar brutalisht, në mënyrë klandestine, me numër jashtëzakonisht të madh të forcave policore (mbi 1000) të të gjitha njësive, përfshirë edhe Njësitet Antiterroriste FIT, me përdorimin e të gjithë arsenalit të disponueshëm të armëve të zjarrit në Policinë e Kosovës”, deklaroi Kurteshi.

Ai shtoi se ky veprim terrorizues i policisë është bërë pa asnjë vendim të ndonjë gjykate në Kosovë, por sipas urdhërit politik të regjimit fashistoid të Thaçit, Mustafës e Veselit. E po ashtu sqaroi se kallëzuesit i kishin bazuar pretendimet e tyre në përshkrimin kushtetues 128, par. 4, i cili përkufizon zixhirin komandues në Policinë e Kosovës dhe rrjedhimisht për personat përgjegjës thotë se duhet të bartin pasojat e veprimeve policore të asaj dite, duke kërkuar ndjekjen e tyre.

Kurteshi përmendi shqetësimin e Amnesty International dhe kërkesën për hetimin e dhunës të asaj dite drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, si dhe kërkesën nga Avokati i Popullit për iniciimin e hetimeve. Por, ai theksoi se i gjithë mosveprimi shpjegohet duke pasur parasysh se në krye të organeve të rendit ka njerëz si Shpend Maxhuni e Rashit Qalaj apo në krye të drejtësisë njerëz si Ymer Beka, Sylë Hoxha e Metush Biraj, duke i quajtur të gjithë shërbyes të klanit “Pronto”.

“Të githa këto që kanë ndodhur shkelin Neni 6 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe Nenin 53 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera Sami Kurteshi, duke përmendur se pas intervenimit të 28 nëntorit, pushteti dhe analistë e gazetarë të afërt me pushtetin kanë cilësuar si veprime terroriste shumë aktivitete të VETËVENDOSJE!-s dhe kanë montuar akuza ndaj 6 aktivistëve pa asnjë dëshmi të qëndrueshme.

Tentimi për nxjerrjen e Lëvizjes nga skena politike e Kosovës është pasojë e frikës nga filozofia e saj politike, qëndrimit të saj parimor në lidhje me problemet politike e shoqërore në Kosovë e më gjerë dhe për shkak të veprimit të saj të vazhdueshëm konkret kundër veprimeve antishoqërore, antikombëtare dhe kundërkushtetuese të këtij regjimi, kundërshtia ndaj të cilit nuk do të ndalet në asnjë moment.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 12 2016

PUSHTETI NUK E DO AS TË DREJTËN E AS TË VËRTETËN PËR ASTRITIN

Të gjeturat nga mjeko-ligjorët Besim Ymaj dhe Besim Latifaj hedhin poshtë raportin e mjeko-ligjorëve të caktuar nga institucionet shtetërore, i cili raport nuk shpjegonte lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”).

Ky raport i detajizuar nga Dr. Ymaj dhe Dr. Latifaj demanton shumë konstatime nga organet e hetuesisë dhe prokuroria, të cilat me nguti, pas shumë deklaratave kontradiktore, vdekjen e Astritit u përpoqën ta paraqesin si “vetëvrasje”. Dhe për më keq, Kryeprokurori Sylë Hoxha, mënjeherë pas publikimit të këtij raporti deklaron se këtë raport të ekspertëve ligjorë të pavarur nuk do ta marrin parasysh.

Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme që institucionet e drejtësisë të pengojnë zbardhjen e vdekjes të një qytetari në një institucion të sigurisë. Këto institucione, të cilat që nga 5 nëntori nxorrën vetëm deklarata kontradiktore dhe një raport jokredibil të autopsisë, të shpërfillin raportin e publikuar nga mjeko-ligjorët e pavarur që është i bazuar në fakte dhe dëshmi, përveç se në autopsinë e trupit të pajetë të Astritit.

Ky raport dallon nga ai zyrtar edhe në shumësinë e fakteve që sjellë, edhe me konsistencën ligjore që e ngërthen në vete. Dhe fakti që prokuroria po refuzon ta përdorë këtë raport tregon se ajo nuk e do as të vërtetën e as drejtësinë për Astritin. Tregon se prokuroria ka përgjigje negative për kërkesën e familjes, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarëve të shumtë për hetim të pavarur.

Prandaj, ne qëndrojmë prapa kërkesës për hetim të pavarur, dhe nuk do të ndalemi së kërkuari zbardhjen e tij. Është momenti i fundit që institucionet të reflektojnë dhe reagojnë për zbardhjen e rastit. Shteti i kapur nga klani “Pronto” prodhon kryeprokurorë e prokurorë si Sylë Hoxha e Metush Biraj, të cilët nuk e kanë synim shtetin e së drejtës. Drejtësia mundësohet vetëm me çlirimin e institucioneve nga ky grupim kriminal.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 12 2016

KËTA JANË PËRGJEGJËSIT PËR MONTIMIN E RASTIT NDAJ AKTIVISTËVE

1. Mentor Shala – Drejtori i RTK-së është nismëtar i propagandës mediatike, të njëanshme dhe të padrejtë ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! para se të arrestoheshin ata.

2. Ridvan Berisha – Kryeredaktor i RTK-së, i cili akuzoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! drejtpërdrejtë për sulmet disa ditë para se të arrestoheshin aktivistët tanë.

3. Shpend Maxhuni – Kryepolici i cili për ta vazhduar mandatin e tij i qëndroi besnik shtetit të kapur, Grabovcit e Veselit duke e organizuar tërë policinë e Kosovës për ta montuar këtë rast politik ndaj aktivistëve tanë.

4. Fatos Makolli – Drejtuesi i njësitit anti-terror i cili në një paraqitje publike pati thënë se është i bindur se aktivistët tanë kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit. Ai është drejtues i një njësiti policor i cili ka falsifikuar e montuar prova duke dashur t’i çojë drejt dënimit aktivistët e VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm. Fakte e dëshmi që nuk i kemi parë deri më tani.

5. Luan Keka – Ky është personi më meritor për këtë të keqe. Ky ka qenë udhëheqës i këtij operacioni të padrejtë. Ky ishte personi i cili kishte dalur në konferencën e parë ku janë paraqitur “faktet”, dhe pasi që u demaskua nga ne pasi që kishte lidhje të afërta me klanin ‘Pronto’, që kishe miqësi të afërt me Ridvan Berishën dhe se gruaja e tij ishte kandidate për deputete e PDK-së në zgjedhjet e kaluara – nuk u paraqit më asnjëherë në media, edhe pse ishte udhëheqës i operacionit.

6. Abdurrahim Islami – Ky është personi cili e ka mundësuar infrastrukturën e këtij procesi politik. Ky prokuror i cili kishte marrë këtë rast dy ditë pasi që është kthyer nga pushimet dhe ka urdhëruar arrestimin e aktivistëve tanë pa e parë lëndën, dhe pa e studiuar atë. Një tjetër fakt i ri është se djali i Prokurorit Islami, punon në AKI, brenda njësitit anti-terror. Pra, si bëhet që të gjithë personat e caktuar për ta përndjekur Lëvizjen VETËVENDOSJE! qenkan të lidhur familjarisht? Kjo nuk është e rastësishme. Ky është personi kryesor se pse kanë qëndruar aktivistët tanë në burg. Ky i ka bërë të gjitha kërkesat që aktivistët të mbahen në burgje e arreste shtëpiake, të cilat tash po dalin se kanë qenë të padrejta ashtu siç kemi thënë.

7. Vehbi Kashtanjeva – Ky është gjyqtari i rastit. Njeriu i cili ka marrë vendim për të gjitha masat kundrejt aktivistëve tanë. Një panel i gjykatës së apelit ka konsideruar se vendimi i tij është i padrejtë. Dhe ky njeri për t’u bërë ende më kriminal pati thënë disa ditë pas vdekjes së Astritit se nuk ka dhënë leje për ta vizituar Astritin në burg për Dardan Molliqajn e Sami Kurteshin . Por, kur ne mbajtëm një konferencë për media duke dëshmuar se kemi pasur leje nga ky gjyqtar, ai doli dhe tha “po kam dhënë leje, por kam shumë kërkesa për leje”. Pra, Vehbi Kashtanjeva gënjeu publikisht dhe ka marr vëndim për t’i çuar në burg aktivistët tanë.

8. Sylë Hoxha – I apostrofuar në video e klanit ‘Pronto’, i cili në procesin pas vdekjes së Astritit ka qenë skandaloz. Ky person ende pa përfunduar hetimet dhe pa dalur raporti i autopsisë kishte deklaruar se Astriti kishte bërë vetëvrasje. Ky ka pasur të angazhuar si prokuror të këtij rasti Metush Birajn, prej të cilit kishte kërkuar vite më parë që t’ia ulte dënimin vëllait të tij, i cili kishte qenë një gjyqtar i dënuar për korrupsion. Një fenomen i cili nuk ndodh kurrë, që një prokuror të kërkojë ulje të dënimit. Këta njerëz janë produkte të klanit ‘Pronto’.

9. Metush Biraj – Prokurori i cili kishte kërkuar uljen e dënimit për vëllain e Sylë Hoxhës, një gjyqtar i dënuar për korrupsion. Pra, ja çfarë prokuror kemi, të tillë që kërkojnë uljen e dënimit për një person të korruptuar.

10. Nexhmi Krasniqi – Drejtor i Policisë në Prizren, një person shumë i dëmshëm, i dërguar disa herë në Inspektoriatin e Policisë për shkak problemeve me ligjin. Ende sot e kësaj dite nuk ka dhënë deklarim publik, s’ka dhënë dorëheqje dhe nuk kanë filluar hetimet ndaj tij, i cili si komandant i policisë deklaroi në fillim se Astriti ka vdekur nga mbidoza e barnave, gjë që u demantua ditë më pas nga autopsia. Ky është personi që i ka udhëhequr hetimet, i cili po ashtu ka bërë publike xhirimet ku shihet Astriti në burg, dhe pjesë nga ditari i tij.

11. Skender Hyseni – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili s’ka folur pothuajse fare për këtë çështje dhe që është drejtues i tërë Policisë së Kosovës. Ky ministër mban përgjegjësi për faktin se s’ka ndërmarrë asnjë veprim sa i përket rastit që nga fillimi, pra prej arrestimeve e deri më sot. Ky mbetet përgjegjësi kryesor politik për këtë rast.

12. Dhurata Hoxha – Ministrja e Drejtësisë e cila pas disa javëve nga vdekja e Astritit, suspendoi dhe pushoi nga puna disa persona me përgjegjësi shumë të ulët, në vend se t’i hiqte nga puna personat më përgjegjësi të lartë dhe natyrisht ajo vetë nuk dha dorëheqje. Ministrja pas raportit të autopsisë bëri thirrje për hetime ndërkombëtare pasi që as ajo vetë nuk i besonte drejtësisë Kosovare.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 12 2016

Takime të shumta dhe frytëdhënëse në Kongresin e Partisë Social-demokrate Zvicerane

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka përmbyllur pjesëmarrjen në Kongresin e Partisë Social-demokrate Zvicerane me takime të shumta dhe me një tubim shtesë me mërgatën shqiptare.

Përveç takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme në Zvicër, Alain Berset, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE, i udhëhequr nga Visar Ymeri, pati mundësinë të takohet me deputetin dhe Zv/Presidentin e Partisë, Cédric Wermuth, deputeten Barbara Gysi, Sekretarin Ndërkombëtar Peter Hug anëtarin e Presidencës së Partisë Socialiste Evropiane, Walter Suter, etj. Në të gjitha këto takime u diskutua lidhur me çështjet që prekin mërgatë shqiptare dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës, si dhe u ngrit çështja e Astrit Deharit. Më tej nga këto takime u bisedua edhe për lidhjen e marrëdhënieve më të ngushta të bashkëpunimit bilateral mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Social-demokrate zvicerane.

Vizita në Zvicër u mbyll me nje tubim me pyetje-përgjigje me bashkatdhetarë në qytetin e Bernit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 12 2016

VETËVENDOSJE! NË KONGRESIN E PARTISË SOCIAL-DEMOKRATE ZVICERANE DHE NË TUBIME ME MËRGATËN

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është ftuar të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Social-demokrate të Zvicrës, i cili zhvillohet më 3 dhe 4 dhjetor 2016, në qytetin e Bernit. Ky delegacion është i përbërë nga Kryetari Visar Ymeri, Nënkryetarja Fatmire Kollçaku, deputeti Faton Topalli dhe Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër, Mujë Shala.

Me këtë rast, Qendra e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër ka organizuar një tubim me mërgatën shqipëtare në Zyrih në mbrëmjen e datës 2 dhjetor. Tubimi nisi me mbajtjen e një minutë heshtje për humbjen e aktivistit Astrit Dehari. Kryetarja e Pikës së VETËVENDOSJE!-s në Zyrih, Njomëza Gutaj shpjegoi qëllimin e vizitës së delegacionit, dhe më tej diskutimi u përqëndrua në angazhimin për të vendosur drejtësi për rastin e Astritit si dhe në Alternativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kryetari Ymeri foli për situatën e rëndë poltike në Kosovë pas vdekjes së dyshimtë të aktivistit Astrit Dehari. Kërkesa “Drejtësi për Astritin” sot përveç se është shndërruar në kërkesë gjithëpopullore, është kërkesë Drejtësi për Kosovën. Sepse rasti i Astrit Deharit është e vërteta e katandisjes së shtetit të Kosovës, si një shtet i kapur që është shndërruar në shtet kundër popullit. Ashtu siç i njëjti shtet i kapur u angazhua kundër territorit me nënshkrimin e Marrëveshjes së dëmshme për shenjimin e vijës kufitare me Malin e Zi; ashtu siç shteti i kapur u ngrit kundër Republikës me nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e “Zajednicës”.

Fatmire Kollçaku diskutoi lidhur me liberalizimin e vizave, Demarkacionin dhe “Zajednicën”, ku theksoi se nuk ka mundësi që të bëhen koncesione sa i përket sovranitetit të vendit dhe ta falim pasurinë shteterore kinse në emër të liberalizimit. Ajo foli edhe lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetesisë dhe ndihmën e vazdueshme të cilen e jep mërgata për shërimin e qytetarëve në Kosovë dhe të gjitha aktet tjera të bamirësisë, atë që në fakt është obligim i shtetit. Po ashtu ajo theksoi se vetëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE ka mundësi që të ndryshohet situata në Kosove dhe ftoi bashkatdhetarët që t’i bashkohen kauzës së drejte për të cilën angazhohemi.

Nga ana tjetër, deputeti Faton Topalli tha se Kosova, vendi më i varfër në Evropë, në të njëjtën kohë është edhe vendi më i shtrenjtë. Pa mbështetjen e mërgimtarëve, që sjellin çdo vit rreth 780 milionë Euro, do te rrezikohej ekzistenca dhe paqja sociale. Mjerisht Qeveria e Kosovës po i perdor këto të ardhura për të siguruar vende pune në Serbi, e cila është eksportuesi kryesor ekonomik në Kosovë, në vend se te krijonte kushte që keto mjete të shfrytezohen për zhvillim ekonomik të Kosoves.

Ndërkaq, sot paradite, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbërritur në hapjen e punimeve të Kongresit të Partise Social-demokrate Zvicerane, të pritur nga Sekretari Ndërkombëtar dhe përfaqësues të tjerë të lartë të kësaj partie me të cilët do kenë mundësi të zhvillojnë takime gjatë dy ditëve të Kongresit.

3 dhjetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 12 2016

DORËZOHEN NË GJYKATË DHE PROKURORI DËSHMITË E PAFAJËSISË SË GJASHTË AKTIVISTËVE

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Themelore dhe poashtu Prokurorinë Themelore materialet me video ku dëshmohet pafajësia e gjashtë aktivistëve të Lëvizjes, të arrestuar para më shumë se 3 muaj dhe duke u hetuar për terrorizëm. Ky sistem i drejtësisë që i trajton ata si të dyshuar për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës, tashmë i ka edhe provat se aktivistët nuk kanë qenë fare as afër vendit ku ka ndodhur sulmi atë natë.

“Tashmë faktin që aktivistët e nuk kanë qenë aty dhe alibinë e dëshmuar me video dje në konferencën e Lëvizjes, e ka parë gjithë opinioni në Kosovë, por meqë mund të ketë hapësirë për keqkuptime, ne sot i kemi sjellë nga një kopje të kësaj videoje edhe prokurorisë e edhe gjykatës”, ka thënë aktivisti Valdrin Ahmeti pas dorëzimit të alibive në Gjykatë.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë që po mbahen padrejtësisht në burg: Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, dhe aktivistët Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi që po mbahen në arrest shtëpiak.

“Deri më tani, përveç fotografive nga disa markete dhe fotografive nëpër bankomate, hetuesia dhe prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë provë bindëse as për t’i mbajtur 48 orë, e lëre më 95 ditë siç po ndodhë”, shtoi më tej Ahmeti.

Pikërisht duke vujatur padrejtësisht burgun nga ky proces gjyqësor i montuar politikisht, vdiq në rrethana shumë të dyshimta shkoku dhe bashkeaktivisti yne Astrit Dehari. Siç dëshmohet edhe nga videoja Astriti dhe 5 aktivistët e tjerë nuk kanë të bëjnë fare me rastin, dhe shteti duhet të japë përgjegjësi për burgosjen e tyre.

Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi në Kosovë, nuk do të ndalemi së kërkuar Drejtësi për Astritin deri sa të zbardhet i gjithë rasti. Nuk do të ndalemi së kërkuari Drejtësi për aktivistët që po mbahen padrejtësisht nëpër burgje e arreste shtëpiake.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT