16 11 2016

Kuvendi nuk po ka guxim të diskutojë për vdekjen e Astrit Deharit

Në një konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! foli për seancën e jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, e cila dështoi për shkak të terheqjes së nënshkrimeve nga deputetë të mazhorancës. Deputetët Aida Dërguti, Glauk Konjufca e Mytaher Haskuka deklaruan se këto veprime vijnë si pasojë e trysnisë që po ushtrohet nga dy partitë në qeveri, PDK e LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, tha se tërheqja e nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj, ishte e planifikuar mirë dhe e koordinuar, pasi që ajo u bë në momentet që po fillonte mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, që të pamundësohej zëvendësimi i nënshkrimit dhe kështu të dështonte paraqitja e kërkesës për seancë. Më pas, z. Konjufca tha që një gjë e tillë ndodhi edhe sot, pasi që kur kërkesa ishte gati për të proceduar ndodhi tërheqja tjetër e nënshkrimit nga deputeti Danush Ademi.

“Ajo prej çka po vuan Kosova më së shumti është politizimi i policisë dhe drejtësisë. Pikërisht për shkak të mënyrës se si janë politizuar burgjet në Kosovë, policia, komponenta e hetuesisë në Policinë e Kosovës, prokurorët që ngrisin raste e akuza me urdhëra politikë siç ishte rasti i Abdyrrahim Islamit, i cili me urdhër politik ka ngritur rastin ndaj gjashtë aktivistëve tanë të akuzuar pët terrorizëm”, tha ndër të tjera deputeti Konjufca.

Ai tha se këta njerëz të regjimit, po e ndihmojnë pushtetin ta luftojë opozitën, veçanërisht Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kurse ngritja e çështjes së rastit të Astrit Deharit në Parlament tha se nuk është politizim, por ka qëllim ta gjejmë zgjidhjen që këso raste të mos ndodhin më.

“Nëse ne të zgjedhurit e popullit nuk flasim për këtë rast, nëse nuk e kemi guximin të flasim, nuk e di se kush do ta ketë guximin në këtë vend të flasë për Astrit Deharin.  Prandaj unë Parlamentin e shoh vendin më të duhur që të diskutojë për këtë gjë”, shtoi Konjufca.

Tutje, ai i quajti banale dhe të gabuara deklaratat se për vdekjen e një 26 vjeçari në një institutcion të shtetit duhet të flasë vetëm forenzika, pasi që vdekja e dikujt në burg është shqetësim shoqëror. Si dhe tha që Kadri Veseli është mobilizuar që të pamundësojë këtë seancë, pasi që i frikësohet të vërtetës.

Kurse Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se dje qëllimisht nuk është thirrur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, që të shtyhet seanca dhe të këtë mundësi që të ushtrohet presion që deputetë të tjerë të terheqin nënshkrimin, siç ndodhi sot me Danush Ademin.

“Ne kemi nënshkrime të deponuara nga deputetë që ndodhen jashtë vendit, por që nuk po i pranon sekretaria e Kuvendit si valide sepse s’janë të vendosura në fletën e kërkesës, dhe kështu shtyhet pafundësisht seanca sepse duan ta heshtin vdekjen e Astrit Deharit”, theksoi Dërguti.

Ajo i quajti arsyetimet e deputetëve që thonë se po presin një raport nga hetimet si të paqëndrueshme, duke thënë që deri më tani nuk ka vend që të besohen këto hetime, marrë parasysh deklaratat kontradiktore që janë dhënë nga institucionet përkatëse dhe rrjedhjen e provave në media në kundërshtim me ligjin.

Dërguti po ashtu sqaroi se përmes seancës është synuar të kërkohet hetim i pavarur, kurse tha që sistemi i drejtësisë ka dështuar plotësisht, si dhe përmendi që Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut nuk ka lejuar as nxjerrjen e një deklarate.

E për këtë deklaratë foli anëtari i këtij komisioni, Mytaher Haskuka, tha se nga rradhët e deputetëve e mazhorancës që janë pjesë e këtij komisioni është treguar mungesë e theksuar e gatishmërisë që ta shprehin brengën e tyre për vdekjen e një të riut në burg përmes një deklarate.

“Deputetët nga pozita nuk janë duke i kryer detyrat e tyre siç kërkon Kushtetuta e Kosovës”, përfundoi Haskuka.

Kontribo

13 11 2016

NUK MUND T’I BESOJMË POLICISË SË KLANIT “PRONTO”

Ky është Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Policisë Rajonale të Prizrenit, i cili manipuloi të vërtetën e vdekjes së Astritit. Në foto Nexhmiu është me shefat e tij të klanit “Pronto”.

Nexhmi Krasniqi është nismëtari i deklaratave kontradiktore të institucioneve përkatëse në lidhje me vdekjen e Astritit, si dhe personi përgjegjës për plasimin joligjor të materialeve të konfiskuara nga Policia.

Nexhmi Krasniqi më parë ishte edhe i akuzuar si njëri ndër njerëzit kryesor që kryen shërbimet për ‘mafian’ në qytetin e Prizrenit, ku kryesisht merret me rastet e haraçit dhe fajdes, si dhe më pas edhe ishte suspenduar për një kohë.

Por, ai është prapë në krye të Policisë falë lidhjeve dhe afërsisë me klanin “Pronto”, veçanërisht me Hashim Thaçin e Adem Grabovcin.

Është e pamundur t’ua besojmë këtyre njerëzve të kapur, hetimin për vdekjen e Astrit Deharit. Janë po këta që e mbajtën Astritin në burg pa asnjë provë dhe na e nxorrën nga burgu në arkivol.

Kontribo

13 11 2016

Mbështetje protestës qytetare – “DREJTËSI PËR ASTRITIN”

Është bërë një javë nga vdekja e Astrit Deharit dhe përveç që nuk është qartësuar asgjë në lidhje me rastin, sistemi i kapur i sigurisë e drejtësisë ka ndihmuar vetëm në rritjen e dilemave që dëftojnë pamundësinë e kryerjes së një hetimi të pavarur e të drejtë që do të rezultonte me vendosje të drejtësisë.

Gjatë kësaj kohe, përkundër të pavërtetave dhe veprimeve tendencioze të pushtetit, në mesin e qytetarëve ka pasur solidarizim, si dhe mbështetje për hetim e vendim të pavarur e të drejtë.

Me kërkesën për drejtësi në lidhje me këtë rast, me moton “Drejtësi për Astritin”, një grup i qytetarëve të mbështetur nga pjesëtarë të shumtë të shoqërisë civile, nesër (e hënë – 14 nëntor), me fillim nga ora 12:00, organizojnë protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet këtë protestë, duke ftuar qytetarët për pjesëmarrje, duke bërë thirrje që të mos ndalet kërkesa për drejtësi deri në zbardhjen e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë, dhe deri në çlirimin e sistemit të kapur të drejtësisë dhe ndërtimin e një sistemi të pavarur, i cili angazhohet njëmend për vendosje të drejtësisë.

Është domosdoshmëri që secili nga ne, të gjithë së bashku, të ngremë zërin dhe të angazhohemi për sistem të mirfilltë të drejtësisë dhe shtet të së drejtës.

Sot, më shumë se kurrë ka arsye që të kërkohet drejtësi. Rasti i Astritit i thërret ndërgjegjës sonë dhe përgjegjësisë qytetare që kemi secili nga ne në angazhimin për bërjen e Republikës, për shtetin e drejtë për gjithë qytetarët.

Kontribo

08 11 2016

Nderimet për rënien e Astrit Deharit, heroi me i ri i kombit

Ditën e martë, në datën 8 nëntor, me mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës, dhe qindra të tjerë të ardhur nga treva të ndryshme shqiptare dhe nga mërgata, u mblodhën në Prishtinë për të bërë nderimet e tyre në mbledhjen komemorative, homazhet dhe varrimin e aktivistit, heroit, Astrit Dehari. Astriti vdiq si i burgosur politik nën masat e dhunshme të këtij regjimi. Para homazheve, organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës zhvilluan një marsh protestues në qendër të qytetit, të mbajtur në heshtje solemne, me kërkesën për “DREJTËSI!”. I lehtë qoftë dheu shqiptar për Astritin që dha gjithçka për popullin e këtij dheu. Në këto ditë të errëta, ngushëllim kemi jetën kuptimplotë të Astritit – angazhimin e tij të palodhur, me dashuri për popullin shqiptar dhe lirinë e plotë të këtij populli – që është shndërruar në dritën e një ylli, siç është dhe vetë kuptimi i emrit Astrit, që na tregon rrugën përpara.

Kontribo

08 11 2016

Atdhe Arifi po terrorizohet psiqikisht në burgun e Lipjanit

Sot, me shqetësim morëm informacione se Atdhe Arifi, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet psiqikisht në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit, ku po mbahet padrejtësisht.

Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti”.

Vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj terrorizimi psiqik ndaj aktivistit tonë Atdhe Arifi, flet për terrorin sistemik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë t’i rezistojnë kësaj Qeverie. Këto metoda fashiste, e kanë shndërruar Kosovën në vend autoritar e policor dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për qytetarët e vendit tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit. Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte.

Kontribo

05 11 2016

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë.

Kontribo

05 11 2016

ZBARDHJE E PLOTË E RASTIT DHE PËRGJEGJËSI INSTITUCIONALE PËR HUMBJEN E JETËS SË ASTRIT DEHARIT

Astrit Dehari mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor.

Në këto momente të rënda për familjarët dhe shokët e Astrit Deharit, dhe për të gjithë ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! po ndjek nga afër deklaratat kontradiktore të organeve të shtetit të Kosovës lidhur me vdekjen e tij.

Astrit Dehari po mbahej në burg prej 68 ditësh bazuar mbi akuza të montuara për terrorizëm nga Prokuroria dhe Policia e kapur e Kosovës. Astrit Dehari ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Nga njëra anë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij. Burime të tjera tregojnë se Astrit Dehari mund të ketë vdekur në burg si pasojë e mungesës së duhur të kujdesit ndaj shëndetit të tij. Kurse kryeprokurori i Prizrenit deklaron se vdekja është e dyshimtë. Të gjitha këto janë informata kontradiktore dhe të papërputhshme.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë disa herë thirrje dhe protesta për lirimin e aktivistit Astrit Dehari dhe 5 aktivistëve të tjerë që ende mbahen si të burgosur politikë. Protesta e fundit për lirimin e aktivistit Astrit Dehari është mbajtur dje pranë burgut të Prizrenit, por kërkesa jonë e drejtë ka rënë në vesh të shurdhër.

Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.

Kontribo

05 11 2016

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë.

Kontribo

25 10 2016

PO DEGRADOHET LUFTA ÇLIRIMTARE E UÇK-SË

Derisa sot e 16 vite mbesin të pa dënuara krimet sistemike të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe derisa krimi organizuar e korrupsioni në vendin tonë po zhvillohen të papenguara nga sistemi i drejtësisë, EULEX-i i ka caktuar vetes misionin e njollosjes dhe kriminalizimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vendimet skandaloze të Gjykatës së Apelit për konfirmim të dënimeve në rastet e ashtuquajtura “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, janë pjesë e fushatës denigruese ndaj UÇK-së, e cila për qëllim përfundimtar ka përgatitjen e kushteve për krijimin e Gjykatës Speciale.

Kjo vjen pikërisht nga EULEX-i, i cili nuk e njeh as luftën çlirimtare dhe as pavarësinë e Kosovës dhe, njëkohësisht, nuk i jep llogari as institucioneve të shtetit e as qytetarëve të Republikës sonë.

Përpjekjet e tilla për njollosjen dhe kriminalizimin e luftës së popullit të Kosovës për liri e çlirim, janë të pashkëputshme nga përpjekjet për rehabilitimin e krimeve të organizuara dhe sistematike që kreu Serbia në Kosovë. Gjykata Speciale që do të ketë mandat për ta gjykuar UÇK-në edhe për gjenocid, është krijesë e iniciuar nga Serbia dhe e pranuar nga qeveria jonë servile, në funksion të ndryshimit të së vërtetës historike për krimet e Serbisë ndaj popullit tonë dhe për luftën tonë çlirimtare.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit dhe çdo veprim të tillë që ka synim njollosjen, degradimin dhe kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare. Ne insistojmë që të gjitha rastet individuale të krimeve që mund të kenë ndodhur, duhet të trajtohen nga gjykatat tona vendore ashtu siç trajtohen të gjitha krimet ordinere, dhe në asnjë mënyrë të krijojmë gjykata ndërkombëtare që kanë synim ndërkombëtarizimin e tregimit të rrejshëm të Serbisë mbi gjoja pa pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

25 tetor 2016,
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

25 10 2016

EGZONI, ATDHEU E ASTRITI QË 57 DITË PO MBAHEN PADREJTËSISHT NË BURG

Me shpalosjen e panos me mbishkrimin “Lironi të burgosurit politik” dhe me brohoritje të parullës “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, filloi një aktivitet simbolik në afërsi të burgut të Pejës, ku po mbahet padrejtësisht i burgosur aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Egzon Haliti. Përmes këtij aksioni, u kërkua lirimi i Egzonit, si dhe i dy aktivistëve të tjerë që po mbahen në burgje të komunave tjera, Atdhe Arifit e Astrit Deharit.

Gjatë këtij aksioni, në fjalimin e saj, deputetja Shqipe Pantina foli për padrejtësinë që po iu bëhet këtyre të rinjve nga një pushtet që ka instrumentalizuar organet e rendit dhe drejtësisë për të luftuar kundërshtarët politikë.

“Egzoni, si dhe Atdheu e Astriti, padrejtësisht po mbahen në paraburgim. Egzoni nuk e ka vendin pas këtij muri. Vendi i tij është këtu në mesin tonë, si dhe në amfiteatër të Universitetit. Egzoni është student, është aktivist politik, si dhe asnjëherë nuk është terrorist. Prandaj ne kërkojmë lirimin e mënjehershëm të tij, si dhe Atdheut e Astritit”, tha deputetja Pantina.

Pantina tha se aty ku po mbahet Egzon Haliti duhet të jenë Adem Grabovci e klani “Pronto”. Aty duhet të jenë Kadri Veseli, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, që e kanë katandisur Kosovën në një vend me therra e gjemba.

“Pa drejtësi nuk ka qetësi, dhe drejtësia nuk bëhet me Nuhi Ukën, Sali Mekajn e të ngjashëm. Dhe ne nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa Kosovën ta bëjmë vend ku sundon drejtësia e mirëfilltë”, shtoi Pantina.

Egzon Haliti, Atdhe Arifi e Astrit Dehari po mbahen tash e 57 ditë në burg padrejtësisht, pa asnjë provë a fakt të vetëm. Regjimi autoritar përmes taktikave policore që pengon në vazhdimësi aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me montime të ndryshme po ua mohon lirinë këtyre tre aktivistëve, si dhe Frashër Krasniqit, Adea Batushës e Petrit Ademit, që poashtu mbahen në arrest shtëpiak. Ne do të vazhdojmë thirrjet tona për lirinë e tyre dhe për vendosje të drejtësisë, e cila do ta mbajë përgjegjës gjithë këtë organizim kriminal që ka kapur çdo pore të shtetit e shoqërisë sonë.

25 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

25 10 2016

POLICIA QË PËRGJON VETËVENDOSJE!-n PENGON AKSIONIN SIMBOLIK

Policia e Kosovës ndaloi furgonin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili bartte zërimin për aksionin simbolik që do të mbahet në komunën e Pejës. Patrulla e cila ndaloi furgonin, ka përcjellur atë nga Prishtina, ndërsa ndalimin e ka bërë me arsyetimin se kanë urdhër nga lart që të ndalohet automjeti me këto targa.

Siç edhe po shihet, Policia e cila është shndërruar në instrument të klanit “Pronto”, po përgjon dhe po përcjell çdo aktivitet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ngjashëm siç veprohet nga regjimet autoritare me subjektet opozitare. Në vend që të luftojë strukturat paralele dhe grupacionet e tjera kriminale, kjo polici merr urdhër që të ndjekë automjetet e VETËVENDOSJE!-s.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron këtë akt të papranueshëm dhe kundërshton të gjitha këto taktika policore, që janë karakteristikë e shteteve autoritare. Me këto veprime, asesi nuk do të ndalet angazhimi ynë i përditshëm për çlirimin e shtetit dhe për ndërtimin e një Republike demokratike të qytetarëve.

Kontribo

22 10 2016

SISTEMI I DREJTËSISË NË DUAR TË KRIMINELËVE

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për shtyp në lidhje me vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë. Deputetja Albulena Haxhiu dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, i quajtën këto vendime skandaloze dhe të padrejta.

Deputetja Haxhiu përmendi fillimisht aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbylljen e seancave ndaj ish kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, i cili nga afera “Pronto” dëshmohet të jetë njeri i këtij klani brenda drejtësisë.

“Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun në seancat gjyqësore edhe përkundër faktit se edhe me Kushtetutën e Republikës, por edhe me Kodin e procedurës penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore. Duke keqpërdorur Kodin e procedurës penale, ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po fshihen prapa seancave te mbyllura”, tha Haxhiu në lidhje me këtë rast.

Kurse, më pas nga deputetja u përmend rasti i Nuhi Ukës, të cilin Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli të pafajshëm. E për këtë, ajo tha se sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit.

“Ky sistem është dëshmia më e mirë e përmbysjes së brendshme të këtij sistemi në veçanti, por edhe aparatit shtetëror në përgjithësi si kuptim i shtetit të së drejtës. Kjo përmbysje vjen nga vetë antagonizmi i brendshëm i cili është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë dhe janë instrumente të drejtpërdrejta të subjekteve politike në pushtet”, shtoi më tutje Haxhiu.

Haxhiu tha më pas se janë dy përbërës që e përkufizojnë morfologjinë e krimit të kryer dje nga Gjykata Themelore ne Prizren
.
“Përbërësi i parë përfaqëson standardin e dyfishtë të gjyqësisë, me ç’rast kur vije puna te njerëzit e sojit të Nuhi Ukës, Adem Grabovcit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Isa Mustafës, drejtësia merr petkun e provës së drejtpërdrejt në bazë të pohimit, ndërkaq në rastet e kundërshtarëve politik ai ka tipar interpretues dhe sugjestiv”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, më pas tha se përbërësi i dytë përfaqëson një sistem të kurdisur i cili pushon se vepruari nga rasti në rast.

“Kur trajton rastet e Nuhi Ukës, Xhabir Zharkut, Ramadan Mujës, të tjerëve si këta, pushon së vepruari deri sa gjendja juridike dhe faktike nuk kthehet në favor të kriminelëve, ndërsa është tejet aktiv dhe azhur tek përndjekja e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe kujdeset maksimalisht që për veprimet politike, lënda të mos parashkruhet, në rastin konkret tek aksioni politik ndaj EULEX-it në vitin 2009”, theksoi deputetja Albulena Haxhiu.

“Lirimi i Nuhi Ukës dhe shokëve të grupit kriminal në mungesë të provave dhe parashkrimi i veprave të tjera që janë kryer në shërbim të veprës kryesore, është sabotim i dyanshëm. Në njërën anë prokuroria saboton Gjykatën duke bërë ndjekjen penale sa për sy e faqe, dhe në anën tjetër sabotimi i gjykatës ndaj prokurorisë me pasivitet të qëllimshëm të gjykatës për mos të vepruar brenda afateve të arsyeshme e bie procesin gjyqësor në gjendje të parashkrimit të veprave penale për shkak të parashkrimit absolut”, tha ndër të tjera Haxhiu.

E në fjalën e tij, Sami Kurteshi përmendi Nuhi Ukën, Sali Mekajn e Nazmi Mustafin, të cilët kanë pasur pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë, e për të cilët tha se këta janë vetëm disa shembuj, por s’janë as fillimi e as fundi i sistemit të drejtësisë.
Kurteshi tha se me rastin Uka kemi një dëm që është konstatuar nga vetë gjykata dhe ekspertët e kësaj fushe, mbi 60 milionë euro, dhe konsekuencat qesharake në këto raste janë dëshmia me e mirë për gjendjen e tërësishme të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha se ky pushtet ka kapur çdo institucion, fillimisht drejtësinë, e përfshirë edhe institucionet e pavarura, gjë që ka shkaktuar humbjen gati totale të besueshmërisë në drejtësinë institucionale.

“Si pasojë e mëtutjeshme e humbjes së besimit në drejtësinë institucionale, që do të duhej të ishte edhe drejtësi shoqërore, kemi një pasiguri pothuajse totale që për pasojë të rradhës do të kishte tendencën për siguri personale të njerëzve. Dhe kjo tendencë nuk çon askund tjetër, veçse në krijimin e ligjit të fortit”, tha Kurteshi, për të shtuar se në Kosovë drejtësia e të fortit po krijohet duke kriminalizuar institucionet shtetërore.

Dhe për këtë, Kurteshi tha se nuk është fare e rastësishme që institucioni i gjyqësorit ka besimin me të ulët në mesin e institucioneve të Kosovës, sipas shumë hulumtimeve, me ç’rast përmendi një raport të vitit të kaluar, sipas të cilit besimi në gjyqësor është vetëm 17%. E nivel jo shumë më i mirë i besimit është edhe në Prokurori sipas të njëjtave hulumtime, të cilat poashtu e nxjerrin si rrezikun më të madh të brendshëm të Kosovës krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Besimi në drejtësinë institucionale dhe shoqërore ka një rënie lineare të përhershme. Kjo nuk është veç opinion i publikut të brendshëm, por kjo rrjedh edhe nëse i shohim edhe raportet e progresit të BE-së”, deklaroi Kurteshi.

Më tej ai shtoi, se këto raporte për 6 vite rresht konstatojnë se sistemi i drejtësisë është në stadin fillestar dhe se nuk ka as minimalisht progres, duke thënë poashtu se derisa të kemi konstatime të tilla në këto raporte, nuk do të ketë asgjë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Si përfundim, u konstatua se qytetari i Republikës së Kosovës e ka për model të drejtësisë, modelin e një sistemi të kapur i cili është në shërbim të mafisë politike dhe të tjerëve që janë të lidhur me ta. Si dhe u tha se qytetarët nuk mund të presin drejtësi pa ndryshimin rrënjësor të sistemit politik. Me këtë sistem politik, drejtësi do te kenë vetëm grupet e krimit të organizuar dhe shërbëtoret e klanit Pronto. Ndërsa qytetarët do të jenë lubrifikanti për mirëmbajtjen e këtij sistemi, i cili mund te jetë çdo gjë përveç ai i drejtësisë.

22 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 10 2016

“DREJTËSIA” E KLANIT PRONTO DHE E EULEX-IT LIRON NUHI UKËN

Lirimi i ish kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, mbi të cilin rëndonin akuza për krim të organizuar me disa të pandehur të tjerë, tregon edhe një herë për gjendjen jashtëzakonisht të keqe të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Shpallja e tij si i pafajshëm, duke u liruar nga njëra akuzë teksa të tjerat i ishin vjetëruar, është dëshmia me e mirë që ky sistem është komplet i kriminalizuar dhe udhëhiqet nga kokat e krimit të klanit “Pronto”, në bashkëpunim me misionin nddërkombëtar EULEX, i cili nuk shprehu asnjeherë gatishmëri për të luftuar krimin. E për më keq, EULEX që nuk preku asnjeherë majat e krimit në Kosovë, u korruptua edhe vetë.

Uka akuzohej si drejtues i një grupi të organizuar kriminal, të cilët kishin kryer krime të ndryshme. Ai akuzohej për shkelje ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, si dhe për keqpërdorim të ish pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së Azem Syla. Dhe pikërisht lirimi i tij vjen si pasojë e afërsisë me klanin “Pronto”, që është pasqyrë e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, të cilët veprojnë lirshëm para EULEX-it, mision ky që premtonte rend, ligj e drejtësi.

Siç u bë e ditur, bashkë me Ukën dhe të tjerë, në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe Fehmi Havolli, eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, akuza ndaj të cilit u hodh poshtë po ashtu për shkak të vjetërsisë së lëndës. Ndryshe, Fatmir Havolli është mik (vëllai i gruas) i Ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, Dhe kjo flet qartazi që krerët e ekzekutivit të shtetit e kanë orientuar aktivitetin e tyre vetëm në mbrojtje të kriminelëve, qoftë për shkak të afërsisë familjare, qoftë përkatësisë partiake, apo lidhjeve tjera biznesore.

Në anën tjetër, pa asnjë provë a fakt vazhdojnë të mbahen në burg gjashtë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me raste të montuara për veprime terroriste. Ky pushtet që ka kapur çdo institucion, dhe lufton këdo që synon çlirimin e këtyre institucioneve, çrrënjoset vetëm me angazhimin qytetar. Është pikërisht “drejtësia” e klanit Pronto ajo që ka kushtëzuar humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, dhe pengesa kryesore për zhvillimin e shtetit, sovranizimin e Republikës dhe mirëqenien e barazinë për qytetarët.

Ky rast shpërfaq edhe dështimin e EULEX-it si mision, për çfarë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar me vendosjen e tij në Kosovë, EULEX, që nuk u mor as me krimet e strukturave të Serbisë përgjatë këtyre 14 viteve të pasluftës në veri të Ibrit, nuk po merret as me krimet e klanit “Pronto”. Madje është shndërruar në bashkëpunëtor të zellshëm të tyre. EULEX nuk solli ligj e drejtësi, por vetëm shkelje të ligjit e padrejtësi.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përveç se shpreh shqetësimin e saj dhe kundërshton një vendim të këtillë, kryekëput politik dhe të shkruar nga kriminelët e klanit “Pronto”, për ta pranuar më pas EULEX-i. Drejtësia nuk është e pamundur, zhvillimi e fuqizimi i shtetit nuk janë të pamundura. Por me këtë rrjet të organizuar kriminal me pushtet politik e gjyqësorë ato po na mohohen vazhdimisht. Ndryshimi politik që e çrrënjos krimin është e vetmja rrugë përpara.

Kontribo

21 10 2016

VIZITË E SUKSESSHME E LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË BRUKSEL

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Albin Kurti dhe Gurjeta Zeka, e ka kryer me sukses vizitën në Bruksel gjatë punimeve të Konferencës së Social Demokratëve të Aleancës Progresive Evropiane. Nga partitë e ndryshme evropiane që morën pjesë në këtë konferencë, delegacioni është takuar me zyrtarë të lartë të Partisë Social Demokrate Gjermane, Partisë Laburiste Britanike, Partisë Social Demokrate Suedeze, Partisë Laburiste Norvegjeze, etj. Më tej takime janë zhvilluar edhe më përfaqësues të lartë të Partisë Eurosocialiste si Giacomo Fillibeck dhe Maria Freitas, dhe me kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Rinisë Socialiste, Howard Lee. Në të gjitha këto takime Lëvizja VETËVENDOSJE! ka synuar forcimin e marrëdhënieve bilaterale me partitë e qendrës së majtë evropiane dhe anëtarësimin e plotë në grupacionet ndërkombëtare partiake të formuara prej tyre, dhe ka gjetur një interes reciprok në këtë drejtim.

Gjatë kësaj vizite u organizua edhe një takim i përbashkët me Zv. Presidenten e Parlamentit Evropian, Znj. Ulrike Lunacek, dhe me Europarlamentaren raportuese për Kosovën, Znj. Tanja Fajon. Në këtë takim u diskutua lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës si dhe lidhur me zhvillimet e fundit politike. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka treguar edhe një herë pesë hapat e propozuara nga Visar Ymeri për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit si dhe ka diskutuar për zgjedhjet në Kosovë si e vetmja zgjidhje për krizën ekonomiko-politike nëpër të cilën po kalon vendi.

Delgacioni ka vazhduar gjithashtu takimet me përfasues të lartë të qeverisë së Belgjikës (Valoni), si Ministri i Buxhetit André Flahaut. Sakaq, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e kësaj vizite shfrytëzoi mundësinë për t’u takuar me Kryetarin e Komunës së Namurit (Kryeqyteti e Valonisë), Maxime Prevot. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Namurit kanë nënshkruar më herët një bashkëpunim për binjakëzim dhe, pas shkëmbimeve të para kulturore, së shpejti do të zhvillojnë edhe projektin e parë të restaurimit të trashigimisë kulturore në Prishtinë.

21 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

19 10 2016

RTK IA MOHON PRAPË VETËVENDOSJE!-s PJESËMARRJEN NË EMISIONE

Radio Televizioni i Kosovës vazhdon veprimet diskriminuese sa i përket paraqitjes në emisione televizive të subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Pas një refuzimi të gjatë për të intervistuar kryetarin Visar Ymeri, RTK sot ia ka pamundësuar pjesëmarrjen në një emision debatues të orës 17:00 përfaqësuesit tonë, Ylli Hoxha, i cili është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.Transmetuesi publik RTK ka vendosur që në këtë emision të ftojë vetëm përfaqësuesit nga PDK dhe AAK.

Ky veprim është aq sa i padrejtë, po aq dëshmi se RTK nuk po mund asesi të çlirohet nga ndikimi i pushtetit, më saktë i klanit “Pronto” apo krerëve të krimit në Kosovë. Ky veprim tregon se RTK është e vendosur që të mbetet zëdhënës i klanit “Pronto”, dhe në përputhje me këtë, ky medium po përpiqet ta izolojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Mentor Shala dhe krerët e tjerë të transmetuesit publik që e kanë shndërruar në altropalant të pushtetit, duhet ta kenë të qartë se RTK është institucion i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe që paguhet nga taksat e tyre, e jo i Kadri Veselit.

Ne nuk do të lejojmë që RTK të vazhdojë të mbetet si një dikaster qeveritar që propagandon për pushtetin, por do të angazhohemi për çlirimin e këtij institucioni dhe kthimin e tij tek qytetarët.

Kontribo

17 10 2016

LËVIZJA VETËVENDOSJE! NË PUNIMET E KONFERENCËS PARLAMENTARE TË SOCIAL-DEMOKRATËVE EVROPIAN

Kanë nisur sot punimet e Konferencës së Social Demokratëve të Aleancës Progresive Evropiane, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! merr pjesë me një delegacion të përbërë nga Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti. Në këtë konferencë marrin pjesë partitë kryesore social-demokrate të Evropës, si dhe shumë parti të tjera social demokrate nga e gjithë bota. Në këtë konferencë do të flasin edhe Federica Mogherini (Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë), Martin Schultz (President i Parlamentit Evropian), Gianni Pittella (President i Grupit Social Demokrat në Parlamentin Evropian), Iain McNicol (Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Laburiste Britanike), etj.

Punimet e kësaj konference do të zgjasin dy ditë, dhe ato janë të përqëndruara te “Axhenda e re për paqe dhe drejtësi”. Kjo axhendë synon të ndërtojë politikat e nevojshmë që i bëjnë ballë zhvillimeve si krizës financiare, krizës së refugjatëve dhe gjendjes së emergjencës që është vendosur në shumë shtete për shkak të sulmeve terroriste dhe ekstremizmit fetar. Nëpërmjet kësaj axhende, Aleanca Progresive e Social Demokratëve synon të ndërtojë një rrugë të qëndrueshme demokratike që i bën ballë sfidave të shekullit të XXI përmes politikave që e vendosin njeriun dhe të drejtat e njeriut në qendër, si dhe përmes forcimit të lidhjeve dhe organizatave në nivel ndërkombëtar, kundër autoritarizmit në rritje në shumë shtete të botës.

Para konferencës, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDSOJE! u takua me Z. Dirk Van Der Maelen, nga Partia Socialiste Ndryshe e Belgjikes, i cili kryeson Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Belg. Me Partinë Socialiste Ndryshe u diskutua për bashkëpunimin ndërpartiak, shkëmbime të ideve dhe bashkëpunimin në avancimin e çështjeve të Kosoves në parlamentin belg si dhe në Këshillin e Evropës, ku Z. Van der Maelen njihet si përkrahës i anëtarësimit të Kosovës.

Paralelisht me këto aktivitete, në Bruksel Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr pjesë edhe në punimet që kanë nisur sot të Konferencës Parlamentare të “International Unionin of Socialist Youth” (IUSY) – Unioni Ndërkombëtar i Rinisë Socialiste. Kjo organizatë është e përbërë prej forumeve rinore të partive social demokrate nga e gjithë bota. Gurjeta Zeka, Koordinatore e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, po e përfaqëson Lëvizjen VETËVENDOSJE! në këtë konferencë të forumeve rinore.

17 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

17 10 2016

FONDI PENSIONAL NUK DUHET TË JETË BURIM PËR HUAMARRJE TË QEVERISË

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me mbështetje të Komitetit për Politika financiare e tregtare dhe atij për Mbrojtje sociale, organizuan dëgjimin publik për ndryshimin e Projektligjit lidhur me Fondet pensionale të Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, Drejtuesi i Komitetit prof. Besnik Bislimi, theksoi joseriozitetin e Qeverisë në trajtimin dhe organizimin e dëgjimeve publike për projektligjin e fondit pensional. “Qeveria e Kosovës nuk e ka organizuar asnjë dëgjim publik për projektligjin e fondeve pensionale dhe as që i ka konsideruar fare, ata që janë pala kryesore në këtë ligj, e që janë kontribuesit e këtij fondi”.

Duke përmendur mangësitë e projektligjit ai u foksua te pikënisja e gabuar për reformimin e ligjit ekzistues, që si pikënisje nuk i ka mangësitë e ligjit, por nevojën e Qeverisë për huamarrje. Nga ky qëllim parashihet që 30% e letrave me vlerë t’i shkojnë Qeverisë.

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Sejdiu në vazhdim nënvizoi se mendësia e qeverive të pasluftës sa i takon fondit pensional dhe sistemit pensional në tërësi është e gabuar. “Ka 15 vite që nuk është trajtuar si duhet ligji për fondet pensionale. Ajo çka kemi parë deri më tani janë disa ndryshime kozmetike. Po ashtu, duhet të dimë se këto fonde nuk janë pronë e Qeverisë, por vetëm e kontributdhënësve”.

Më tutje ai foli edhe për mundësinë e futjes në funksion për të mirën e përgjithshme të këtij fondi, duke kritikuar qëllimin e Qeverisë që këto fonde të përdoren për asfalt dhe shpenzime për paga e mëditje. “Fondet pensionale janë investitori më i madh institucional. Kësisoj fondi pensional mund të përdorej si fond për energji. Vendimet për fondet pensionale nuk duhet të koncentrohen,por shpërndahen. Ato duhet të shkojnë për industri e jo për paga e mëditje”, shtoi ndër të tjera z. Sejdiu.

Dilema kryesore, tha Sejdiu, është se fondet a do të jenë motor shtytës apo barrë për gjeneratat e tjera nga kjo Qeveri.

Drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje Sociale dhe deputeti, Faton Topalli u fokusua te ndikimi i këtij projektligji në mirëqenien e pensionistëve dhe qytetarëve në përgjithësi. Ky projkektligj s’ka të bëjë aspak me pensionistët, por me nevojat e Qeverisë, në vend se të ishte i lidhur me masa për zbutjen e varfërisë.

Ndër të tjera, Topalli, dha edhe disa kritika direkte për projektligjin në lidhje me Komisioni për përzgjedhje me ç’rast ai propozoi se në përbërje përveç Ministrisë së Financave e Bankës Qendrore anëtarë duhet të ketë dhe nga opozita e përfaqësuar në Kuvend duke krijuar një mekanizëm kontrolli të mirëfilltë.

Në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësues nga organizata që veprojnë në Kosovë. Selatin Kaqaniku, nga organizata ‘Konsumatori’ dhe njëkohësisht pensionist tha se për “borxhet dhe gabimet që i ka bërë dikush nuk duhet që pensionistët të paguajnë pasi që ata nuk janë fajtorë për një gjë të tillë, dhe se për këtë gjë dikush duhet të jep përgjegjësi”.

Kontribo

15 10 2016

Liri dhe drejtësi për aktivistët

“Lironi të burgosurit politik” ishte parrulla që u shpalos, afër burgut të Lipjanit ku po mbahet padrejtësisht aktivisti Atdhe Arifi. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe poashtu familjarë të aktivistëve të arrestuar thirrën para këtij burgu gjatë kohës së shëtitjes së burgut, emrin e Atdheut, Astritit dhe Egzonit. Përmes një zërimi të lartë që mund ta dëgjonin edhe të burgosurit që ndodheshin në oborr, mbajtën fjalime edhe deputetja Donika Kadaj dhe Sami Kurteshi.

Kadaj tha se përgjatë dekadave të kaluara të rinjtë arrestoheshin vetëm pse besonin në Republikë dhe se kishin kërkesa të drejta politike.

“Të rinj të tjerë, studentë guximtarë, mendje të lira po mbahen të burgosura. Sot Atdheu, Adea, Frashëri, Petriti, Astriti, e Egzoni po persekutohen përsëri, por kësaj here nga regjimi vendas dhe po vazhdojnë të mbahen në burg dhe arrest shtëpiak në procese komplet të montuara politike”, tha Kadaj.

Klani “Pronto” mobilizoi policinë, prokurorinë dhe gjykatat e veta të emëruara më parë që t’i shërbejnë përulësisht në qëllimin e tyre për ta shtypur opozitën. “Prandaj filluan përndjekjet, bastisjet dhe burgosjet prandaj po vazhdojnë t’i mbajnë në burg të pafajshëm. Ajo shtoi se mendjet dhe vullneti i aktivistëve janë më të fuqishme sesa e tërë armata e prontove dhe vartëseve te tyre.

Sot janë bërë 47 ditë të vuajtura prej 6 aktivistëve. Ky dënim është i padrejtë. Ata po i vuajnë pasojat e shtetit autoritar e të kapur i cili përmes metodave policore ka montuar këtë rast për gjashtë aktivistë të pafajshëm. Ata janë në burg pa asnjë provë e as fakt. Ne do të kërkojmë pareshtur drejtësi deri në çmontimin e këtij rasti dhe vendosjen e drejtësisë për këtë rast. Liri dhe drejtësi do të jenë thirrjet tona të vazhdueshme deri sa të lirohen këta aktivistë që po mbahen padrejtësisht.

15 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

13 10 2016

PADREJTËSITË NDËR VITE TË PUNËTORËVE TË SIGURIMIT NË KEK PO VAZHDOJNË ENDE

Punëtorët e sigurimit në KEK po ballafaqohen ndër vite me padrejtësi të shumta në vendin e punës dhe problemet e tyre i tha në konferencë për media deputeti Faton Topalli.

Të gjithë punëtorët që kanë punuar në sektorin Mbrojtja dhe Siguria në KEK dhe kanë pasur kontrata valide, asnjëherë nuk janë larguar nga puna, por KEK-u nuk konsiderohet më punonjësi i tyre. Me shurjen e këtij sektori përbrenda KEK-ut, punëtorët janë bartur kompanive private të cilat do të kontraktoheshin për sigurimin e objekteve të KEK-ut. Halli i punëtorëve ëshë se nuk kanë kontrata pune as më kompanitë private si WDG, “Besa Security“ dhe së fundi “Security Code“.

KEK-u ka bërë një varg shkeljesh me 270 punëtorë duke manipuluar me statusin e tyre. Numri i tyre është reduktuar ndër vite. Ata sot llogariten vetëm 170 punëtorë nga 270 sa kanë qenë. Poashtu, janë detyruar të punojnë me rroga më të vogla. Shkelja tjetër është kthimi i tyre në punë sipas nevojave të KEK-ut . Në periudha të caktuara kohore, kur KEK-u nuk ka kontrata me kopani private për mbrojtje dhe siguri i trajtonte këta punonjësi si të tij. Ata herë marrin paga prej kompanive private herë prej KEK-ut (në periudhën 2012- 2013).

“Veprime të tilla nga ana e KEK- ut jo vetëm që shkelin të drejtat elementare të punëtorëve por janë edhe të jashtëligjshme. Edhe pse e drejta është në anën e tyre, kjo e drejtë asnjëherë nuk u realizua për këta punëtorë, përkundrazi ajo u mohua edhe nga institucionet që janë të thirrura ta zbatojnë të drejtën siçështë gjykata“, tha Topalli.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, njëra prej kompanive private, WDG, u ka mbetur punëtorëve rreth 1 milion euro borxh, duke inkasuar nga punëtorët dhe duke mos i paguar ato në Fondin për Kursimet pensionale.

“Ne e ftojmë Korporatën Energjetike të Kosovës tu njoh statusin e punëtorëve të KEK-ut të gjithë punonjësve të Sektorit të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Kërkojmë nga Inspektoriatin e punës që të merret me ankesat e punëtorëve , të kërkoj zbatimin e ligjit të punës dhe ta ndëshkoj KEK-un për shkak të shkeljeve ligjore dhe trajtimin e padinjitetshëm të punëtorëve të tij“, përsëriti kërkesat e punëtorëve Topalli.

Gjykatën Themelore të Prishtinës duhet të veprojë në raport me ligjin dhe të mos sjell vendime të jashtëligjshme si në rastin e Punëtorëve të KEK-ut duke u bërë në të njëjtën kohë vetë shkelëse e ligjit. Këtyre punëtorëve u është bërë padrejtësi dhe kjo duhet të rregullohet.

Kontribo

11 10 2016

VAZHDON PROPAGANDA E RTK KUNDËR VETËVENDOSJE!-s

Sonte, në edicionin qendror të lajmeve, menaxhmenti i RTK vazhdoi të keqpërdorë mediumin publik që paguhet nga qytetarët e Kosovës, për të shpifur kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në një reagim, përplot me fjalë shpifëse dhe ofenduese ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!, RTK keqinformoi publikun duke thënë të pavërteta rreth videos së paraqitur nga VETËVENDOSJE! para dy ditësh.

Në atë video, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka treguar se si në lajmet qendrore të RTK, lajmet e para në shumicën absolute të rasteve ndahen për pushtetin. Ne askund nuk kemi thënë që RTK nuk ka raportuar fare për opozitën, por që në lajmet e para dhe kryesore, prej datës 20 shtator deri më 4 tetor, as një ditë të vetme lajm kryesor nuk është opozita. Ndërsa nga këto 15 ditë, në 13 ditë, lajmet e para dhe kryesore i janë ndarë pushtetit. Kjo nuk u mohua nga RTK dhe nuk ka se si të mohohet. Prandaj, në mungesë të argumentimit menaxhmenti i RTK-së kishte përgatitur atë kronikë përplot me shpifje.

Sonte menaxhmenti i RTK, për të disatën herë, e rikonfirmoi që ky televizion është shndërruar në mjet propagande për klanin “Pronto” dhe qeverinë e Isa Mustafës.

VIDEO E PLOTË E VETËVENDOSJE!-s:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/10153722002902000/

Kontribo

10 10 2016

KUJDES: LISTA E VEPRIMEVE QË PËRBËJNË AKT TERRORIST

Gjashtë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që prej 42 ditësh po mbahen padretjësisht në burgje e arreste shtëpiake pa prova e pa argumente nën akuzën për terrorizëm. Të vetmet prova që Policia ka, janë disa fotografi të këtyre aktivistëve derisa ishin duke blerë kifle, duke pirë kafe duke udhëtuar me taksi ose ngjashëm. Pas kësaj, qytetarët e Kosovës nuk mund t’i besojnë Policisë së Kosovës. Përkundrazi, me një qasje të tillë policore, cilido qytetar mund të përfundojë i akuzuar për terrorizëm vetëm pse i bën punët e përditshmërisë së tij.

Për këtë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë realizuar sot një aksion simbolik gjatë së cilit kanë shpërndarë njoftime me logo të Policisë të cilat i thërrasin qytetarët të bëjnë kujdes. Drejtor i kësaj policie e cila është e specializuar në montime të rasteve, de facto është Elmi Reçica dhe de jure është Shpend Maxhuni.

Qytetarët duhet ta dinë se cilat janë aktivitet që mund të cilësohen si akte terroriste:

1. Blerja e telefonit te tregtarët ilegalë në shesh

2. Blerja e kifleve dhe shkuarja në Fast Food

3. Udhëtimi me taxi në qytet

4. Nxjerrja e të hollave në bankomat

5. Pirja e kafes nëpër kafenetë e qytetit

6. Blerja e motoçiklestës apo posedimi i saj nga ndonjë familjar i juaji

7. Kritika ndaj RTK-së dhe mos përcjellja e kanali televiziv

Gjashtë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! po mbahen në burgje të dyshuar për këto veprime.

Kontribo