30 11 2016

EULEX-i FOLI SI PARTNER I KLANIT “PRONTO”

Administrimi i procesit të hetimit, deklaratat publike kundërthënëse të policisë, rrjedhja e të dhënave, kontradiktat shkencore në shkaqet e vdekjes, përgjithësisht angazhimi i hetuesisë në propagandë publike më shumë se sa në hetime serioze, e kanë bërë procesin e hetimit të vdekjes së Astrit Deharit absolutisht të pabesueshëm dhe të dyshimtë. Dhe pikërisht në këtë moment në skenë del EULEX-i për të na bindur se hetimet qenkan kryer sipas standardeve dhe se qenkan të besueshme. Pas të gjitha atyre shkeljeve edhe procedurale, e etike, dhe pas përfshierjes së drejtpërdrejt të njerëzve të lidhur me Klanin Pronto në këto hetime, ato jo që nuk janë kredibile, por më shumë ngrisin dyshime për synim të fshehjes së të vërtetës se sa zbardhje të saj.

EULEX-i as nuk është i pavarur e as i paanshëm. Gjatë kohës sa shërbejnë në Kosovë EULEX ka qenë subjekt i skandaleve të shumta dhe dyshimeve të mëdha për intervenime gjyqësore me qëllime politike e deri te skandalet e shumta të korrupsionit. Edhe këto EULEX-i kishte thënë që i kanë hetuar. Dhe nuk kanë gjetur asgjë. Mu sikur në këtë rastin e fundit të monitorimit të hetimeve të prokurorisë për vdekjen e Astritit.

Si u bë që EULEX-i nuk gjeti as shkeljen më të vogël në këtë proces hetimi? Nuk japin kurrfarë shpjegimi për ngarendjen e Sylë Hoxhës për ta cilësuar rastin si vetëvrasje 1 orë pas raportit të autopsisë i cili përkundër kontradiktave të mëdha shkencore, nuk e sjellë një përfundim të tillë. EULEX-i nuk e shpjegon se pse kemi kaq shumë deklarime zyrtare që e përjashtojnë njëra tjetrën prej policisë e cila tha që vdekja kishte ardhur si rezultat i konsumimit të mbidozuar të medikamenteve, e deri te deklaratat që Astriti ka vdekur rrugës, ose se ai ka pasur puls dhe frymëmarrje normale në momentin kur është gjetur në qeli, që kanë ardhë nga persona të ndryshëm përgjegjës brenda Shërbimit korrektues.

EULEX-i nuk mund të sigurojë hetime të pavarura. As nuk e ka kredibilitetin minimal për të qenë të përfshirë në një rast të tillë. Kjo komunikatë fatkeqësisht shihet vetëm si vazhdimësi e luftës propagandistike për ta mbështetur konstatimin e Sylë Hoxhës me pronto eprorët e tij.

Qytetarët e Kosovës sot duan ta dijnë të vërtetën për vdekjen e Astritit. Dhe, në lidhje me këtë, ta diskutojnë karakterin e shtetit që i vdesin njerëzit në burg dhe që nuk merr asnjë përgjegjësi. Jo të dëgjojnë propagandëagjitative në gjuhë të ndryshme. Pavarësisht gjuhën në të cilën flitet, pra shqip ose anglisht në këtë rast, kjo propagandë synon ta fsheh të vërtetën, dhe asgjë tjetër.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 11 2016

VENDIM TJETËR I PADREJTË NDAJ PESË AKTIVISTËVE

Gjykata themelore në Prishtinë ka vendosur që të ndërmarrë edhe një veprim arbitrar ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që tash e tre muaj po mbahen padrejtësisht në burgje dhe arreste shtëpiake, duke iu vazhduar masat e mbajtjes në paraburgim, përkatësisht në arrest shtëpiak, edhe për një muaj.

Edhe përkundër faktit që secili nga ta akuzohet për veprën e njëjtë, të gjithë këta padrejtësisht nën akuza të montuara e të paprovuara, ndaj tyre janë vazhduar masa të ndryshme të sigurisë. Atdhe Arifi e Egzon Haliti do të vazhdojnë të mbahen në burg, kurse Adea Batusha e Frashër Krasniqi vazhdojnë të mbahen nën arrest shtëpiak, teksa Petrit Ademit i është caktuar masa e paraqitjes në Polici.

Ky vendim është kryekëput politik e arbitrar. Arbitrariteti në këtë rast përcillet më shkelje flagrante të procedurave penale e gjyqësore. Gjatë këtyre 3 muajve nuk është paraqitur asnjë provë kredibile që i lidh aktivistët me veprën për të cilën po akuzohen e hetohen. Ndërkohë që pavarësisht kësaj gjykatësi ia pranon secilën kërkesë të prokurorit të rastit Avdurrahman Islami që 5 aktivistët të mbahen nën arrest për të katërtin muaj. Ky prokuror që i kërcënon aktivistët duke ua shprehur dëshirën e tij sadiste që të gjithë të mbahen në burg, edhe pse nuk ka se si ta argumentojë këtë dëshirë të tijën, e shpërfaq më së miri se si funksionon regjimi autoritar, zaptues i organeve shtetërore, ndaj kundërshtarëve politikë, e konkretisht Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kujtojmë po ashtu se nga ky proces i padrejtë gjyqësor, brenda ambienteve të burgut, aktivisti Astrit Dehari ka humbur jetën në rrethana të pasqaruara, e për çfarë deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi. Pas vdekjes së tij të dyshimtë, institucionet përkatëse gjithashtu kanë bërë një sërë shkejesh procedurale, duke problematizuar edhe më shumë zbardhjen e këtij rasti.

Ky vendim sikurse i tërë procesi është i padrejtë, i pabazuar, dhe shkelje flagrante e të drejtave qytetare, dhe lirisë politike e kolektive. Shteti i kapur është vënë kundër Republikës. Dhe po e sulmon atë vazhdimisht, duke ia sulmuar popullin Republikës me vendime arbitrare gjyqësore, me cenim të lirisë, e mos garantim as të sigurisë minimale në [elitë e burgut. Kjo është përndjekje klasike. Si e tillë bëhet dëshmi e gjallë e ndërtimit të një aparati autoritar shtetëror. Këtë nuk duhet ta lejojmë. Këtë nuk do ta lejojmë. Drejtësia do të vijë në vend. Krimi nuk mund e nuk do të fitojë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 11 2016

Standardet ndërkombëtare të aplikueshme në rastin Astrit Dehari

Gjashtëmbëdhjetë ditë pas vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burg, asnjë person nuk ka dhënë përgjegjësi. Në lidhje me këtë dhe me shkeljet e e të drejtave elementare në rastin Dehari, sot gjatë një konference për shtyp folën deputetët Driton Çaushi dhe Aida Dëeguti.

Në fjalën e tij, deputeti Çaushi numëroi katër prej parimeve fundamentale të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë shkelur, e të cilat janë:

Neni 2, përkatësisht e drejta në jetë, dhe detyrimi i shtetit për të mbrojtur njeriun nga marrja e jetës sidomos kur ai është nën jurisdiksionin e tij direkt;

Neni 6, përkatësisht e drejta për një gjykim të pavarur dhe të drejtë, në të cilin shteti garanton të drejtën e viktimës për një hetim të shpejtë dhe të pacenuar nga interferimi politik;

Neni 8, përkatësisht e drejta në respektim të privatësisë dhe jetës private, në kuptim të detyrimit të shtetit për të mos i dhënë publikut informacione paragjykuese që ndryshojnë rrjedhën e procedurës penale kundër dikujt, përpara se ai të jetë gjykuar në mënyrë të plotë dhe të pavarur; dhe

Neni 3, përkatësisht e drejta e çdokujt për t’u mos keqtrajtur, trajtuar çndershëm, apo ushtruar trajtim degradues në qendrat e paraburgimit dhe të dënimit.

“Duhet qartësuar që Republika e Kosovës, në kuptim të Nenit 53 të Kushtetutës, është e detyruar që t’i respektojq vendimet gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut erga omnes. Mosrespektimi i cilitdo standard të Konventës i interpretuar me vendim të Gjykatës së Strasburgut përbën shkelje jo vetëm të Konventës por edhe të vet Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi ndër të tjera Çaushi.

Kurse, deputetja Aida Dërguti theksoi që sa i takon të drejtës në jetë në kuptim të qendrave të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit ka disa raste kur Gjykata e Strasburgut i ka bërë përgjëgjës institucionet shtetërore.

“Në rastin Anguelova kundër Bullgarisë, Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që vdekja në burg e Anguelova, ndër të tjera, vendoste përgjegjësinë ndërkombëtare mbi Bullgarinë për shkakun që ajo dështoi të hetonte në mënyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse përgjegjësit e saj”, deklaroi Dërguti

Ajo shtoi se në këtë rast Gjykata kishte konstatuar që Bullgaria dështoi të respektonte parimin e sigurisë së deklaratave të dëshmitarëve, si elementë krucial në identifikimin e fajtorëve, dështoi të heqte dyshimet mbi kundërthëniet e shprehura në mes të shumë raporteve zyrtare, dhe vendimi i prokurorisë për të mbyllur hetimet ishte cilësuar krejtësisht i bazuar në bindjen e krijuar në opinionin publik e cila ishte paragjykuese.

“Një drejtim i tillë i ngjarjes përbën shkelje të Nenit 4, Nenit 5 dhe Nenit 6 të Konventës, dhe vesh Bullgarinë me përgjegjësinë për një shkelje të tillë”, tha Dërguti.

Gjithashtu, Dërguti deklaroi se Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar detyrimin e shtetit sa i procesit të pavarur të hetimi në rastet e vdekjeve në qendra paraburgimi, duke përmendur rastin Jordan kundër Britanisë së Madhe. Këtu Gjykata e Strasburgut përcaktoi se hetimi i shtetit për vdekjen duhet të jetë plotësisht i pavarur.

Ajo tha se Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që pavarësia e tillë duhet të sigurohet në kuptimin që:

 

  • hetuesit e rastit të vdekjes në qendrën e paraburgimit duhet të mos kenë qenë më parë të përfshirë në asnjë rrethanë, qoftë edhe të lejuar, në rastin e viktimës;
  • hetimi duhet të jetëi shpejtë, procesi hetues duhet të nxjerri të dhëna që mundësojnë atribuimin e përgjegjësisë së atyre që janë përgjegjës për vdekjen e tillë, e jo t’i shkatërrojnë të dhënat e tilla duke e mbyllur praktikisht rastin;
  • hetimi të dërgojë në përcaktimin e shkakut dhe përgjegjësisë për vdekjen dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës i) t’i mundësojë familjarëve pjesëmarrje në plotë në tërë procesin hetimor për t’i arritur interesat legjitime të viktimës.

Dërguti foli edhe për rastin Kelli dhe të tjerët kundër Britanisë së Madhe, me ç’rast Gjykata e Strasburgut gjithashtu kishte vendosur detyrimin që asnjë nga deklaratat e dëshmitarëve dhe detajeve të procesit të hetimit të vdekjes të mos lejohen të nxjerren në publik, përpara se ato t’i jenë nënshtruar në mënyrë të paanshme vlerësimit gjyqësor në praninë e të afërmëve të viktimës.

“Në të dyja rastet, Gjykata e Strasburgut vendosi që kishte shkelje të Nenit 2 (të drejtës në jetë) dhe Nenit 6 (të drejtës për një gjykim të drejtë dhe fer) për shkakun që shteti nuk kishte garantuar rrjedhjen e hetimit në një mënyrë që do të linte dozë të mjaftueshme të besueshmërisë për t’i nxjerrur fajtorët përpara drejtësisë”, përfundoi Dërguti.

Keqadministrimi i rastit të Deharit ka treguar që shteti Kosovës nuk e ka as synim e as praktikë drejtësinë e nuk po pyet për këto shkelje. Ky pushtet është i vendosur që të tentojë t i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi. Por, këta zëra që e kanë tejkaluar Lëvizjen VETËVENDOSJE! është e vështirë të ndalen dhe drejtësia për këtë rast do të vijë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 11 2016

SYLË HOXHA KONSTATOI PA U KRYER HETIMET – RAPORTI I AUTOPSISË ËSHTË JOKREDIBIL

Sot, avokati i familjes, z. Tomë Gashi, e ka marrë Raportin e Autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë.
Kryeprokurori z. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet.
Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra.
Në këtë Raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”). Raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është i pabesueshëm.
Do të nevojiten disa ditë që Dr.Besim Ymaj e Dr.Besim Latifaj ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 11 2016

MAShT-i duhet të merret me politikat e arsimit e jo me policimin e nxënësve e mësimdhënësve

Ministria e Arsimit ka lëshuar një komunikatë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! plot me pasaktësi. Prentendimi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar protestë të nxënësve të Prishtinës është i pavërtetë. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është organizatore e kësaj proteste dhe rrjedhimisht nuk ka bërë kurrfarë paralajmërimi për të. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sigurisht që mund të marrin pjesë në protestat me të cilat pajtohen dhe kjo është një prej tyre. Kërkesa për drejtësi për Astritin është kërkesë e të gjithë qytetarëve, e jo vetëm e VETËVENDOSJE!-s. Por jo edhe e shtetit të kapur e as e kapësve të shtetit.

Ministria e Arsimit e cila e akuzon padrejtësisht VETËVENDOSJE!-n për instrumentalizim të nxënësve, po e bën të njëjtën gjë vetë. Thirrja që ata të mos dalin në protestë është përpjekje për instrumentalizim direkt të tyre. Madje, Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk ka lëshuar ndonjë komunikatë siç ka bërë ky institucion i dobët i qeverisë.

MASHT-i që nuk e ka thënë asnjë fjalë për vdekjen e studentit Astrit Dehari që ka vdekur 13 ditë më parë në burg, konfirmoi në këtë rast se është vegël e keqpërdorur nga Qeveria duke tejkaluar kompetencat e veta kur u bën thirrje qytetarëve që të mos dalin në protestë. MAShT-i duhet të merret me politikat e arsimit e jo me policimin e nxënësve e mësimdhënësve. Madje, ky është edhe ofendim i rëndë që u bëhet qytetarëve duke i konsideruar ata si të manipulueshëm. Ky institucion në asnjë mënyrë nuk guxon t’u bëjë thirrje: nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe drejtorëve të shkollave që të mos dalin në protesta. Ky është presion i hapur, shkelje elementare e të drejtave themelore dhe për më keq është pozicionim në anën e padrejtësisë. Këto janë shenja të shteteve autoritare.

Kjo komunikatë e MASHT-it nuk tregon asgjë tjetër, vetëm se kjo ministri është një instrument i drejtuar nga njerëz të paditur, pjesë të një Qeverie pa asnjë element të drejtësisë dhe që pas rastit të vdekjes së dhunshme të Astritit po tregohen edhe pa ndjeshmëri.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 11 2016

Reagim për Raportin e Autopsisë së rastit të Astrit Deharit

Sot, avokati i familjes, z. Tomë Gashi, e ka marrë Raportin e Autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë.

Kryeprokurori z. Sylë  Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet.

Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra.

Në këtë Raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”). Rrjedhimisht, raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është krejt i pabesueshëm.

Do të nevojiten disa ditë që Dr.Besim Ymaj e Dr.Besim Latifaj ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 11 2016

Kuvendi do që të heshtet vdekja e Astrit Deharit

Pasi që ishin bërë dhjetë ditë nga vdekja e aktivistit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dhe institucionet e rendit dhe drejtësisë nuk dhanë kurrfarë sqarime për vdekjen përveçse deklarata kontradiktore e të pamatura, Lëvizja VETËVENDOSJE! mblodhi 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare. Kërkesa në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e mbështetur nga AAK e NISMA, si dhe disa deputetë të mazhorancës, u dorëzua nga Visar Ymeri me datën 15 nëntor pranë Kryesisë së Kuvendit.

Kërkesa ishte për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së të praburgosuri Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, përmes të cilës synohej edhe nxjerrja e një rezolute që kërkon hetim të pavarur për rastin, marrë parasysh administrimin e keq që i është bërë rastit nga organet kompetente vendore.

Si pasojë e trysnisë nga pushteti, në mënyrë të koordinuar, me të filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që kishte në rend të ditës shqyrtimin e kësaj kërkese, shefit të Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, vjen njoftimi nga administrata për tërheqje të nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj.

Më pas, kur u zëvëndësua nënshkrimi i deputetit Zogaj, Kryesia e Kuvendit neglizhoi mbajtjen e mbledhjes së rradhës së Kryesisë së Kuvendit të kërkuar nga ne, duke mundësuar që të ushtrohet trysni edhe ndaj deputetëve të tjerë për tërheqje nënshkrimi. Si pasojë e kësaj, deputeti Danush Ademi nga Grupi 6+ dhe deputeti Veton Berisha nga LDK tërhoqën po ashtu nënshkrimet e tyre.

Arsyetimet në të tri rastet ishin përafërisisht të ngjashme, duke thënë që e shohin të udhës të pritet raport nga organet e hetuesisë dhe të merret vesh me shumë për rastin. Por, ky ishte vetëm arsyetimi formal e publik, pasi që në bisedat private me deputetët e opozitës, ata kanë pranuar trysninë që është ushtruar ndaj tyre nga partitë e koalicionit qeverisës – PDK e LDK.

Gjatë ditës së sotme, u mbajt mbledhja tjetër e Kryesisë së Kuvendit, duke e pasur parasysh tërheqjen e dy nënshkrimeve, ku ne bojkutuam mbledhjen, kurse AAK e lëshoi mbledhjen.

Pas kësaj, filloi edhe seanca e rregullt e Kuvendit, ku fillimisht mori fjalën Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri,  i cili deklaroi edhe një herë se vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi e institucioneve të Qeverisë së Ksoovës, duke shtuar se qytetarët e Kosovës sot e kanë humbur besimin e drejtësisë nga këto institucione.  Gjatë kësaj kohe, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpalosën një pano me mbishkrimin “DREJTËSI!” para foltores së Kuvendit.

Më pas, Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, propozoi në përputhje me Nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të shqyrtohet si çështje urgjente, për çfarë pati mbështetje nga dy partitë opozitare, AAK e NISMA, por jo edhe nga LDK e PDK. E në votimin që u mbajt në mungesë kuorumi, votuan 45 deputetë, prej të cilëve 25 votuan për, 16 ishin kundër dhe 4 nga ta abstenuan.Pas gjitha këtyre, përcjellë edhe me shkelje të shumta procedurale, Lëvizja VETËVENDOSJE! lëshoi seancën  e rregullt.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se Kuvendi nuk po tregon gatishmëri për të diskutuar për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, e rrjedhimisht po kërkon që të heshtet vdekja e tij, për të cilën është përgjegjës shteti i Kosovës. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë që kjo çështje të diskutohet, dhe në vazhdimësi do të angazhohemi që ky rast të zbardhet dhe drejtësia të vendoset.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 11 2016

Kuvendi nuk po ka guxim të diskutojë për vdekjen e Astrit Deharit

Në një konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! foli për seancën e jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, e cila dështoi për shkak të terheqjes së nënshkrimeve nga deputetë të mazhorancës. Deputetët Aida Dërguti, Glauk Konjufca e Mytaher Haskuka deklaruan se këto veprime vijnë si pasojë e trysnisë që po ushtrohet nga dy partitë në qeveri, PDK e LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, tha se tërheqja e nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj, ishte e planifikuar mirë dhe e koordinuar, pasi që ajo u bë në momentet që po fillonte mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, që të pamundësohej zëvendësimi i nënshkrimit dhe kështu të dështonte paraqitja e kërkesës për seancë. Më pas, z. Konjufca tha që një gjë e tillë ndodhi edhe sot, pasi që kur kërkesa ishte gati për të proceduar ndodhi tërheqja tjetër e nënshkrimit nga deputeti Danush Ademi.

“Ajo prej çka po vuan Kosova më së shumti është politizimi i policisë dhe drejtësisë. Pikërisht për shkak të mënyrës se si janë politizuar burgjet në Kosovë, policia, komponenta e hetuesisë në Policinë e Kosovës, prokurorët që ngrisin raste e akuza me urdhëra politikë siç ishte rasti i Abdyrrahim Islamit, i cili me urdhër politik ka ngritur rastin ndaj gjashtë aktivistëve tanë të akuzuar pët terrorizëm”, tha ndër të tjera deputeti Konjufca.

Ai tha se këta njerëz të regjimit, po e ndihmojnë pushtetin ta luftojë opozitën, veçanërisht Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kurse ngritja e çështjes së rastit të Astrit Deharit në Parlament tha se nuk është politizim, por ka qëllim ta gjejmë zgjidhjen që këso raste të mos ndodhin më.

“Nëse ne të zgjedhurit e popullit nuk flasim për këtë rast, nëse nuk e kemi guximin të flasim, nuk e di se kush do ta ketë guximin në këtë vend të flasë për Astrit Deharin.  Prandaj unë Parlamentin e shoh vendin më të duhur që të diskutojë për këtë gjë”, shtoi Konjufca.

Tutje, ai i quajti banale dhe të gabuara deklaratat se për vdekjen e një 26 vjeçari në një institutcion të shtetit duhet të flasë vetëm forenzika, pasi që vdekja e dikujt në burg është shqetësim shoqëror. Si dhe tha që Kadri Veseli është mobilizuar që të pamundësojë këtë seancë, pasi që i frikësohet të vërtetës.

Kurse Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se dje qëllimisht nuk është thirrur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, që të shtyhet seanca dhe të këtë mundësi që të ushtrohet presion që deputetë të tjerë të terheqin nënshkrimin, siç ndodhi sot me Danush Ademin.

“Ne kemi nënshkrime të deponuara nga deputetë që ndodhen jashtë vendit, por që nuk po i pranon sekretaria e Kuvendit si valide sepse s’janë të vendosura në fletën e kërkesës, dhe kështu shtyhet pafundësisht seanca sepse duan ta heshtin vdekjen e Astrit Deharit”, theksoi Dërguti.

Ajo i quajti arsyetimet e deputetëve që thonë se po presin një raport nga hetimet si të paqëndrueshme, duke thënë që deri më tani nuk ka vend që të besohen këto hetime, marrë parasysh deklaratat kontradiktore që janë dhënë nga institucionet përkatëse dhe rrjedhjen e provave në media në kundërshtim me ligjin.

Dërguti po ashtu sqaroi se përmes seancës është synuar të kërkohet hetim i pavarur, kurse tha që sistemi i drejtësisë ka dështuar plotësisht, si dhe përmendi që Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut nuk ka lejuar as nxjerrjen e një deklarate.

E për këtë deklaratë foli anëtari i këtij komisioni, Mytaher Haskuka, tha se nga rradhët e deputetëve e mazhorancës që janë pjesë e këtij komisioni është treguar mungesë e theksuar e gatishmërisë që ta shprehin brengën e tyre për vdekjen e një të riut në burg përmes një deklarate.

“Deputetët nga pozita nuk janë duke i kryer detyrat e tyre siç kërkon Kushtetuta e Kosovës”, përfundoi Haskuka.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 11 2016

NUK MUND T’I BESOJMË POLICISË SË KLANIT “PRONTO”

Ky është Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Policisë Rajonale të Prizrenit, i cili manipuloi të vërtetën e vdekjes së Astritit. Në foto Nexhmiu është me shefat e tij të klanit “Pronto”.

Nexhmi Krasniqi është nismëtari i deklaratave kontradiktore të institucioneve përkatëse në lidhje me vdekjen e Astritit, si dhe personi përgjegjës për plasimin joligjor të materialeve të konfiskuara nga Policia.

Nexhmi Krasniqi më parë ishte edhe i akuzuar si njëri ndër njerëzit kryesor që kryen shërbimet për ‘mafian’ në qytetin e Prizrenit, ku kryesisht merret me rastet e haraçit dhe fajdes, si dhe më pas edhe ishte suspenduar për një kohë.

Por, ai është prapë në krye të Policisë falë lidhjeve dhe afërsisë me klanin “Pronto”, veçanërisht me Hashim Thaçin e Adem Grabovcin.

Është e pamundur t’ua besojmë këtyre njerëzve të kapur, hetimin për vdekjen e Astrit Deharit. Janë po këta që e mbajtën Astritin në burg pa asnjë provë dhe na e nxorrën nga burgu në arkivol.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

13 11 2016

Mbështetje protestës qytetare – “DREJTËSI PËR ASTRITIN”

Është bërë një javë nga vdekja e Astrit Deharit dhe përveç që nuk është qartësuar asgjë në lidhje me rastin, sistemi i kapur i sigurisë e drejtësisë ka ndihmuar vetëm në rritjen e dilemave që dëftojnë pamundësinë e kryerjes së një hetimi të pavarur e të drejtë që do të rezultonte me vendosje të drejtësisë.

Gjatë kësaj kohe, përkundër të pavërtetave dhe veprimeve tendencioze të pushtetit, në mesin e qytetarëve ka pasur solidarizim, si dhe mbështetje për hetim e vendim të pavarur e të drejtë.

Me kërkesën për drejtësi në lidhje me këtë rast, me moton “Drejtësi për Astritin”, një grup i qytetarëve të mbështetur nga pjesëtarë të shumtë të shoqërisë civile, nesër (e hënë – 14 nëntor), me fillim nga ora 12:00, organizojnë protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet këtë protestë, duke ftuar qytetarët për pjesëmarrje, duke bërë thirrje që të mos ndalet kërkesa për drejtësi deri në zbardhjen e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë, dhe deri në çlirimin e sistemit të kapur të drejtësisë dhe ndërtimin e një sistemi të pavarur, i cili angazhohet njëmend për vendosje të drejtësisë.

Është domosdoshmëri që secili nga ne, të gjithë së bashku, të ngremë zërin dhe të angazhohemi për sistem të mirfilltë të drejtësisë dhe shtet të së drejtës.

Sot, më shumë se kurrë ka arsye që të kërkohet drejtësi. Rasti i Astritit i thërret ndërgjegjës sonë dhe përgjegjësisë qytetare që kemi secili nga ne në angazhimin për bërjen e Republikës, për shtetin e drejtë për gjithë qytetarët.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 11 2016

Nderimet për rënien e Astrit Deharit, heroi me i ri i kombit

Ditën e martë, në datën 8 nëntor, me mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës, dhe qindra të tjerë të ardhur nga treva të ndryshme shqiptare dhe nga mërgata, u mblodhën në Prishtinë për të bërë nderimet e tyre në mbledhjen komemorative, homazhet dhe varrimin e aktivistit, heroit, Astrit Dehari. Astriti vdiq si i burgosur politik nën masat e dhunshme të këtij regjimi. Para homazheve, organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës zhvilluan një marsh protestues në qendër të qytetit, të mbajtur në heshtje solemne, me kërkesën për “DREJTËSI!”. I lehtë qoftë dheu shqiptar për Astritin që dha gjithçka për popullin e këtij dheu. Në këto ditë të errëta, ngushëllim kemi jetën kuptimplotë të Astritit – angazhimin e tij të palodhur, me dashuri për popullin shqiptar dhe lirinë e plotë të këtij populli – që është shndërruar në dritën e një ylli, siç është dhe vetë kuptimi i emrit Astrit, që na tregon rrugën përpara.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 11 2016

Atdhe Arifi po terrorizohet psiqikisht në burgun e Lipjanit

Sot, me shqetësim morëm informacione se Atdhe Arifi, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet psiqikisht në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit, ku po mbahet padrejtësisht.

Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti”.

Vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj terrorizimi psiqik ndaj aktivistit tonë Atdhe Arifi, flet për terrorin sistemik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë t’i rezistojnë kësaj Qeverie. Këto metoda fashiste, e kanë shndërruar Kosovën në vend autoritar e policor dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për qytetarët e vendit tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit. Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2016

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2016

ZBARDHJE E PLOTË E RASTIT DHE PËRGJEGJËSI INSTITUCIONALE PËR HUMBJEN E JETËS SË ASTRIT DEHARIT

Astrit Dehari mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor.

Në këto momente të rënda për familjarët dhe shokët e Astrit Deharit, dhe për të gjithë ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! po ndjek nga afër deklaratat kontradiktore të organeve të shtetit të Kosovës lidhur me vdekjen e tij.

Astrit Dehari po mbahej në burg prej 68 ditësh bazuar mbi akuza të montuara për terrorizëm nga Prokuroria dhe Policia e kapur e Kosovës. Astrit Dehari ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Nga njëra anë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij. Burime të tjera tregojnë se Astrit Dehari mund të ketë vdekur në burg si pasojë e mungesës së duhur të kujdesit ndaj shëndetit të tij. Kurse kryeprokurori i Prizrenit deklaron se vdekja është e dyshimtë. Të gjitha këto janë informata kontradiktore dhe të papërputhshme.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë disa herë thirrje dhe protesta për lirimin e aktivistit Astrit Dehari dhe 5 aktivistëve të tjerë që ende mbahen si të burgosur politikë. Protesta e fundit për lirimin e aktivistit Astrit Dehari është mbajtur dje pranë burgut të Prizrenit, por kërkesa jonë e drejtë ka rënë në vesh të shurdhër.

Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

05 11 2016

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 10 2016

PO DEGRADOHET LUFTA ÇLIRIMTARE E UÇK-SË

Derisa sot e 16 vite mbesin të pa dënuara krimet sistemike të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe derisa krimi organizuar e korrupsioni në vendin tonë po zhvillohen të papenguara nga sistemi i drejtësisë, EULEX-i i ka caktuar vetes misionin e njollosjes dhe kriminalizimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vendimet skandaloze të Gjykatës së Apelit për konfirmim të dënimeve në rastet e ashtuquajtura “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, janë pjesë e fushatës denigruese ndaj UÇK-së, e cila për qëllim përfundimtar ka përgatitjen e kushteve për krijimin e Gjykatës Speciale.

Kjo vjen pikërisht nga EULEX-i, i cili nuk e njeh as luftën çlirimtare dhe as pavarësinë e Kosovës dhe, njëkohësisht, nuk i jep llogari as institucioneve të shtetit e as qytetarëve të Republikës sonë.

Përpjekjet e tilla për njollosjen dhe kriminalizimin e luftës së popullit të Kosovës për liri e çlirim, janë të pashkëputshme nga përpjekjet për rehabilitimin e krimeve të organizuara dhe sistematike që kreu Serbia në Kosovë. Gjykata Speciale që do të ketë mandat për ta gjykuar UÇK-në edhe për gjenocid, është krijesë e iniciuar nga Serbia dhe e pranuar nga qeveria jonë servile, në funksion të ndryshimit të së vërtetës historike për krimet e Serbisë ndaj popullit tonë dhe për luftën tonë çlirimtare.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit dhe çdo veprim të tillë që ka synim njollosjen, degradimin dhe kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare. Ne insistojmë që të gjitha rastet individuale të krimeve që mund të kenë ndodhur, duhet të trajtohen nga gjykatat tona vendore ashtu siç trajtohen të gjitha krimet ordinere, dhe në asnjë mënyrë të krijojmë gjykata ndërkombëtare që kanë synim ndërkombëtarizimin e tregimit të rrejshëm të Serbisë mbi gjoja pa pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

25 tetor 2016,
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 10 2016

EGZONI, ATDHEU E ASTRITI QË 57 DITË PO MBAHEN PADREJTËSISHT NË BURG

Me shpalosjen e panos me mbishkrimin “Lironi të burgosurit politik” dhe me brohoritje të parullës “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, filloi një aktivitet simbolik në afërsi të burgut të Pejës, ku po mbahet padrejtësisht i burgosur aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Egzon Haliti. Përmes këtij aksioni, u kërkua lirimi i Egzonit, si dhe i dy aktivistëve të tjerë që po mbahen në burgje të komunave tjera, Atdhe Arifit e Astrit Deharit.

Gjatë këtij aksioni, në fjalimin e saj, deputetja Shqipe Pantina foli për padrejtësinë që po iu bëhet këtyre të rinjve nga një pushtet që ka instrumentalizuar organet e rendit dhe drejtësisë për të luftuar kundërshtarët politikë.

“Egzoni, si dhe Atdheu e Astriti, padrejtësisht po mbahen në paraburgim. Egzoni nuk e ka vendin pas këtij muri. Vendi i tij është këtu në mesin tonë, si dhe në amfiteatër të Universitetit. Egzoni është student, është aktivist politik, si dhe asnjëherë nuk është terrorist. Prandaj ne kërkojmë lirimin e mënjehershëm të tij, si dhe Atdheut e Astritit”, tha deputetja Pantina.

Pantina tha se aty ku po mbahet Egzon Haliti duhet të jenë Adem Grabovci e klani “Pronto”. Aty duhet të jenë Kadri Veseli, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, që e kanë katandisur Kosovën në një vend me therra e gjemba.

“Pa drejtësi nuk ka qetësi, dhe drejtësia nuk bëhet me Nuhi Ukën, Sali Mekajn e të ngjashëm. Dhe ne nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa Kosovën ta bëjmë vend ku sundon drejtësia e mirëfilltë”, shtoi Pantina.

Egzon Haliti, Atdhe Arifi e Astrit Dehari po mbahen tash e 57 ditë në burg padrejtësisht, pa asnjë provë a fakt të vetëm. Regjimi autoritar përmes taktikave policore që pengon në vazhdimësi aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me montime të ndryshme po ua mohon lirinë këtyre tre aktivistëve, si dhe Frashër Krasniqit, Adea Batushës e Petrit Ademit, që poashtu mbahen në arrest shtëpiak. Ne do të vazhdojmë thirrjet tona për lirinë e tyre dhe për vendosje të drejtësisë, e cila do ta mbajë përgjegjës gjithë këtë organizim kriminal që ka kapur çdo pore të shtetit e shoqërisë sonë.

25 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 10 2016

POLICIA QË PËRGJON VETËVENDOSJE!-n PENGON AKSIONIN SIMBOLIK

Policia e Kosovës ndaloi furgonin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili bartte zërimin për aksionin simbolik që do të mbahet në komunën e Pejës. Patrulla e cila ndaloi furgonin, ka përcjellur atë nga Prishtina, ndërsa ndalimin e ka bërë me arsyetimin se kanë urdhër nga lart që të ndalohet automjeti me këto targa.

Siç edhe po shihet, Policia e cila është shndërruar në instrument të klanit “Pronto”, po përgjon dhe po përcjell çdo aktivitet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ngjashëm siç veprohet nga regjimet autoritare me subjektet opozitare. Në vend që të luftojë strukturat paralele dhe grupacionet e tjera kriminale, kjo polici merr urdhër që të ndjekë automjetet e VETËVENDOSJE!-s.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron këtë akt të papranueshëm dhe kundërshton të gjitha këto taktika policore, që janë karakteristikë e shteteve autoritare. Me këto veprime, asesi nuk do të ndalet angazhimi ynë i përditshëm për çlirimin e shtetit dhe për ndërtimin e një Republike demokratike të qytetarëve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 10 2016

SISTEMI I DREJTËSISË NË DUAR TË KRIMINELËVE

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për shtyp në lidhje me vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë. Deputetja Albulena Haxhiu dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, i quajtën këto vendime skandaloze dhe të padrejta.

Deputetja Haxhiu përmendi fillimisht aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbylljen e seancave ndaj ish kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, i cili nga afera “Pronto” dëshmohet të jetë njeri i këtij klani brenda drejtësisë.

“Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun në seancat gjyqësore edhe përkundër faktit se edhe me Kushtetutën e Republikës, por edhe me Kodin e procedurës penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore. Duke keqpërdorur Kodin e procedurës penale, ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po fshihen prapa seancave te mbyllura”, tha Haxhiu në lidhje me këtë rast.

Kurse, më pas nga deputetja u përmend rasti i Nuhi Ukës, të cilin Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli të pafajshëm. E për këtë, ajo tha se sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit.

“Ky sistem është dëshmia më e mirë e përmbysjes së brendshme të këtij sistemi në veçanti, por edhe aparatit shtetëror në përgjithësi si kuptim i shtetit të së drejtës. Kjo përmbysje vjen nga vetë antagonizmi i brendshëm i cili është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë dhe janë instrumente të drejtpërdrejta të subjekteve politike në pushtet”, shtoi më tutje Haxhiu.

Haxhiu tha më pas se janë dy përbërës që e përkufizojnë morfologjinë e krimit të kryer dje nga Gjykata Themelore ne Prizren
.
“Përbërësi i parë përfaqëson standardin e dyfishtë të gjyqësisë, me ç’rast kur vije puna te njerëzit e sojit të Nuhi Ukës, Adem Grabovcit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Isa Mustafës, drejtësia merr petkun e provës së drejtpërdrejt në bazë të pohimit, ndërkaq në rastet e kundërshtarëve politik ai ka tipar interpretues dhe sugjestiv”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, më pas tha se përbërësi i dytë përfaqëson një sistem të kurdisur i cili pushon se vepruari nga rasti në rast.

“Kur trajton rastet e Nuhi Ukës, Xhabir Zharkut, Ramadan Mujës, të tjerëve si këta, pushon së vepruari deri sa gjendja juridike dhe faktike nuk kthehet në favor të kriminelëve, ndërsa është tejet aktiv dhe azhur tek përndjekja e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe kujdeset maksimalisht që për veprimet politike, lënda të mos parashkruhet, në rastin konkret tek aksioni politik ndaj EULEX-it në vitin 2009”, theksoi deputetja Albulena Haxhiu.

“Lirimi i Nuhi Ukës dhe shokëve të grupit kriminal në mungesë të provave dhe parashkrimi i veprave të tjera që janë kryer në shërbim të veprës kryesore, është sabotim i dyanshëm. Në njërën anë prokuroria saboton Gjykatën duke bërë ndjekjen penale sa për sy e faqe, dhe në anën tjetër sabotimi i gjykatës ndaj prokurorisë me pasivitet të qëllimshëm të gjykatës për mos të vepruar brenda afateve të arsyeshme e bie procesin gjyqësor në gjendje të parashkrimit të veprave penale për shkak të parashkrimit absolut”, tha ndër të tjera Haxhiu.

E në fjalën e tij, Sami Kurteshi përmendi Nuhi Ukën, Sali Mekajn e Nazmi Mustafin, të cilët kanë pasur pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë, e për të cilët tha se këta janë vetëm disa shembuj, por s’janë as fillimi e as fundi i sistemit të drejtësisë.
Kurteshi tha se me rastin Uka kemi një dëm që është konstatuar nga vetë gjykata dhe ekspertët e kësaj fushe, mbi 60 milionë euro, dhe konsekuencat qesharake në këto raste janë dëshmia me e mirë për gjendjen e tërësishme të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha se ky pushtet ka kapur çdo institucion, fillimisht drejtësinë, e përfshirë edhe institucionet e pavarura, gjë që ka shkaktuar humbjen gati totale të besueshmërisë në drejtësinë institucionale.

“Si pasojë e mëtutjeshme e humbjes së besimit në drejtësinë institucionale, që do të duhej të ishte edhe drejtësi shoqërore, kemi një pasiguri pothuajse totale që për pasojë të rradhës do të kishte tendencën për siguri personale të njerëzve. Dhe kjo tendencë nuk çon askund tjetër, veçse në krijimin e ligjit të fortit”, tha Kurteshi, për të shtuar se në Kosovë drejtësia e të fortit po krijohet duke kriminalizuar institucionet shtetërore.

Dhe për këtë, Kurteshi tha se nuk është fare e rastësishme që institucioni i gjyqësorit ka besimin me të ulët në mesin e institucioneve të Kosovës, sipas shumë hulumtimeve, me ç’rast përmendi një raport të vitit të kaluar, sipas të cilit besimi në gjyqësor është vetëm 17%. E nivel jo shumë më i mirë i besimit është edhe në Prokurori sipas të njëjtave hulumtime, të cilat poashtu e nxjerrin si rrezikun më të madh të brendshëm të Kosovës krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Besimi në drejtësinë institucionale dhe shoqërore ka një rënie lineare të përhershme. Kjo nuk është veç opinion i publikut të brendshëm, por kjo rrjedh edhe nëse i shohim edhe raportet e progresit të BE-së”, deklaroi Kurteshi.

Më tej ai shtoi, se këto raporte për 6 vite rresht konstatojnë se sistemi i drejtësisë është në stadin fillestar dhe se nuk ka as minimalisht progres, duke thënë poashtu se derisa të kemi konstatime të tilla në këto raporte, nuk do të ketë asgjë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Si përfundim, u konstatua se qytetari i Republikës së Kosovës e ka për model të drejtësisë, modelin e një sistemi të kapur i cili është në shërbim të mafisë politike dhe të tjerëve që janë të lidhur me ta. Si dhe u tha se qytetarët nuk mund të presin drejtësi pa ndryshimin rrënjësor të sistemit politik. Me këtë sistem politik, drejtësi do te kenë vetëm grupet e krimit të organizuar dhe shërbëtoret e klanit Pronto. Ndërsa qytetarët do të jenë lubrifikanti për mirëmbajtjen e këtij sistemi, i cili mund te jetë çdo gjë përveç ai i drejtësisë.

22 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 10 2016

“DREJTËSIA” E KLANIT PRONTO DHE E EULEX-IT LIRON NUHI UKËN

Lirimi i ish kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, mbi të cilin rëndonin akuza për krim të organizuar me disa të pandehur të tjerë, tregon edhe një herë për gjendjen jashtëzakonisht të keqe të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Shpallja e tij si i pafajshëm, duke u liruar nga njëra akuzë teksa të tjerat i ishin vjetëruar, është dëshmia me e mirë që ky sistem është komplet i kriminalizuar dhe udhëhiqet nga kokat e krimit të klanit “Pronto”, në bashkëpunim me misionin nddërkombëtar EULEX, i cili nuk shprehu asnjeherë gatishmëri për të luftuar krimin. E për më keq, EULEX që nuk preku asnjeherë majat e krimit në Kosovë, u korruptua edhe vetë.

Uka akuzohej si drejtues i një grupi të organizuar kriminal, të cilët kishin kryer krime të ndryshme. Ai akuzohej për shkelje ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, si dhe për keqpërdorim të ish pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së Azem Syla. Dhe pikërisht lirimi i tij vjen si pasojë e afërsisë me klanin “Pronto”, që është pasqyrë e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, të cilët veprojnë lirshëm para EULEX-it, mision ky që premtonte rend, ligj e drejtësi.

Siç u bë e ditur, bashkë me Ukën dhe të tjerë, në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe Fehmi Havolli, eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, akuza ndaj të cilit u hodh poshtë po ashtu për shkak të vjetërsisë së lëndës. Ndryshe, Fatmir Havolli është mik (vëllai i gruas) i Ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, Dhe kjo flet qartazi që krerët e ekzekutivit të shtetit e kanë orientuar aktivitetin e tyre vetëm në mbrojtje të kriminelëve, qoftë për shkak të afërsisë familjare, qoftë përkatësisë partiake, apo lidhjeve tjera biznesore.

Në anën tjetër, pa asnjë provë a fakt vazhdojnë të mbahen në burg gjashtë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me raste të montuara për veprime terroriste. Ky pushtet që ka kapur çdo institucion, dhe lufton këdo që synon çlirimin e këtyre institucioneve, çrrënjoset vetëm me angazhimin qytetar. Është pikërisht “drejtësia” e klanit Pronto ajo që ka kushtëzuar humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, dhe pengesa kryesore për zhvillimin e shtetit, sovranizimin e Republikës dhe mirëqenien e barazinë për qytetarët.

Ky rast shpërfaq edhe dështimin e EULEX-it si mision, për çfarë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar me vendosjen e tij në Kosovë, EULEX, që nuk u mor as me krimet e strukturave të Serbisë përgjatë këtyre 14 viteve të pasluftës në veri të Ibrit, nuk po merret as me krimet e klanit “Pronto”. Madje është shndërruar në bashkëpunëtor të zellshëm të tyre. EULEX nuk solli ligj e drejtësi, por vetëm shkelje të ligjit e padrejtësi.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përveç se shpreh shqetësimin e saj dhe kundërshton një vendim të këtillë, kryekëput politik dhe të shkruar nga kriminelët e klanit “Pronto”, për ta pranuar më pas EULEX-i. Drejtësia nuk është e pamundur, zhvillimi e fuqizimi i shtetit nuk janë të pamundura. Por me këtë rrjet të organizuar kriminal me pushtet politik e gjyqësorë ato po na mohohen vazhdimisht. Ndryshimi politik që e çrrënjos krimin është e vetmja rrugë përpara.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 10 2016

VIZITË E SUKSESSHME E LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË BRUKSEL

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Albin Kurti dhe Gurjeta Zeka, e ka kryer me sukses vizitën në Bruksel gjatë punimeve të Konferencës së Social Demokratëve të Aleancës Progresive Evropiane. Nga partitë e ndryshme evropiane që morën pjesë në këtë konferencë, delegacioni është takuar me zyrtarë të lartë të Partisë Social Demokrate Gjermane, Partisë Laburiste Britanike, Partisë Social Demokrate Suedeze, Partisë Laburiste Norvegjeze, etj. Më tej takime janë zhvilluar edhe më përfaqësues të lartë të Partisë Eurosocialiste si Giacomo Fillibeck dhe Maria Freitas, dhe me kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Rinisë Socialiste, Howard Lee. Në të gjitha këto takime Lëvizja VETËVENDOSJE! ka synuar forcimin e marrëdhënieve bilaterale me partitë e qendrës së majtë evropiane dhe anëtarësimin e plotë në grupacionet ndërkombëtare partiake të formuara prej tyre, dhe ka gjetur një interes reciprok në këtë drejtim.

Gjatë kësaj vizite u organizua edhe një takim i përbashkët me Zv. Presidenten e Parlamentit Evropian, Znj. Ulrike Lunacek, dhe me Europarlamentaren raportuese për Kosovën, Znj. Tanja Fajon. Në këtë takim u diskutua lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës si dhe lidhur me zhvillimet e fundit politike. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka treguar edhe një herë pesë hapat e propozuara nga Visar Ymeri për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit si dhe ka diskutuar për zgjedhjet në Kosovë si e vetmja zgjidhje për krizën ekonomiko-politike nëpër të cilën po kalon vendi.

Delgacioni ka vazhduar gjithashtu takimet me përfasues të lartë të qeverisë së Belgjikës (Valoni), si Ministri i Buxhetit André Flahaut. Sakaq, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e kësaj vizite shfrytëzoi mundësinë për t’u takuar me Kryetarin e Komunës së Namurit (Kryeqyteti e Valonisë), Maxime Prevot. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Namurit kanë nënshkruar më herët një bashkëpunim për binjakëzim dhe, pas shkëmbimeve të para kulturore, së shpejti do të zhvillojnë edhe projektin e parë të restaurimit të trashigimisë kulturore në Prishtinë.

21 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT