08 10 2016

RTK – MINISTRIA E PROPAGANDËS INSISTON NË REFUZIMIN E VETËVENDOSJE!-s

Ministria e Propagandës, pra RTK-ja, përmes shërbyesit të saj, Xhymret Veliu, ka thënë sot se intervista me kryetarin Visar Ymeri do të bëhet kur RTK e vlerëson. Pra, nuk ka afat. Nuk ka plan. Nuk ka vullnet. Ka refuzim. Nëse deri sot, Veliu ka thënë se po e shqyrtonte realizimin e kësaj interviste, sot në një komunikimin me aktivisten e zyrës së mediave së Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka përdorur futbollin si pretekst për mosrealizimin e intervistës.

Thuajse është normale që një medium ta pezullojë të gjithë transmetimin, sidomos pjesën politike, për hir të të sektoreve të tjera – sportit. Kjo bisedë është realizuar pasi aktivistja Tinka Kurti e ka thirrur autorin e emisionit “Monitor”, Ngadhnjim Kastratin që t’i propozojë intervistimin e z. Ymeri në atë emision. Pas kësaj, Veliu e ka thirrur znj. Kurti për ta dhënë përgjigjen se nuk po e konsideron njëherë ta bëjë këtë intervistë. Në këtë komunikim skandaloz, Veliu e përmend edhe Korenë e Veriut.

Është koha që ky shërbyes i pushtetit ta pranojë se Koreja e Veriut dhe mungesa e demokracisë kudo shoqërohet pikë së pari me mohimin e fjalës për opozitën. Me këtë bashkërendim të aktiviteteve me Qeverinë dhe Policinë, kjo ministri e zellshme e Qeverisë, po tenton ta mohojë fjalën e kryetarit të subjektit më të madh opozitar, pikërisht sepse është e vetëdijshme si ai ka shumë material për të thënë në atë intervistë.

Ne nuk do të ndalemi deri në çlirimin e këtij institucioni. Deri në kthimin e tij, nga ministri e Propagandës në medium publik e në shërbim të qytetarëve ashtu siç është në natyrën e punës së institucionit.

Kontribo

06 10 2016

POLICIA ”PRONTO” VAZHDON PËRNDJEKJET NDAJ AKTIVISTËVE

Policia po vazhdon të sillet e ndërsyer ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s.

Ata sot e kanë bastisur shtëpinë e aktivistit Çlirim Gërbeshi. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë bërë caku i policisë përderisa kriminelët vazhdojnë t’i shtojmë krimet. Derisa policia nuk guxon, as nuk provon ta kontrollojë ekzekutuesin e “Prontos” Adem Grabovcin, katër policë e kanë shqelmuar derën e shtëpisë ku jeton Çlirimi.

Aty ndodhej vetëm një grua me një fëmijë. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë asnjë krim, sikur as Çlirimi. Aktivistët e Lëvizjes po ndiqen vetëm pse janë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Shteti, përmes policisë nuk mund të kthehet kundër opozitës, as kundër qytetarëve.

Por një shtet autoritar siç është Kosova duhet të ndalet në këtë tatëpjetë që ka marrë. Të gjitha këto përndjekje nuk e kanë ndalur asnjëherë përpjekjen e VETËVENDOSJE!. Këto po bëhen arsye shtesë që të vazhdojmë angazhimin tonë për çlirimin e drejtësisë e cila sot është e kapur nga një shtet mafioz si ky i yni.

Kontribo

05 10 2016

NGA DEBATI MBI MËSIMIN ME KURRIKULAT E SERBISË NË KOSOVË

Grupi Parlamentar me mbështetje të Komitetit për Arsim dhe Kërkim Shkencor në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, mbajtën sot debat në Kuvendin e Kosovës me temën “Kurrikula shkollore për nxënësit e komunitetit serb në Kosovë”, ku morën pjesë deputetë, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, ekspertë të arsimit e përfaqësues të tjerë.

Në fjalën e tij, deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ismajl Kurteshi, theksoi që sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Ministria i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është përgjegjëse për çështje të arsimit në tërë Kosovë, por një gjë e tillë nuk respektohet në shkollat me mësim në gjuhën serbe. “Në këto shkolla punohet me kurrikulë serbe, tekstet shkollore shtypen në Serbi dhe në ato tekste nxënësit mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë dhe shqiptarët armiq të Serbisë”, tha midis të tjerash Kurteshi.

Po ashtu ai solli në vëmendje se dhe Komisioni i Pavarur për rishqyrtimin e teksteve nga Serbia ka konkluduar zyrtarisht që në 2010-tën se këto tekste janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe se po ashtu vërehen edhe dallime të shumta në kurrikulë dhe strukturë arsimore. Me ç’rast sqaroi se Kosova punon me sistemin 5+4+3 e Serbia ende me sistemin 4+4+4. Edhe pse nuk këto shpërputhje e shkelje të rënda ende nuk është ndërmarrë asgjë nga Ministria e Arsimit ose të paktën zyrtarisht nuk është komunikuar asgjë.

”Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, dhe veçanërisht nga Ministria e Arsimit t’i ndërmerr masat për të cilat është e obliguar me ligj për ta pamundësuar shkeljen e Kushtetutës dhe përhapjen e urrejtjes në mesin e shkollarëve të ri të komunitetit serb, të cilët në këtë situatë janë pa fajin e tyre, dhe kështu kurrë nuk do të integrohen në shoqëri dhe nuk do ta përjetojnë Republikën e Kosovës si të veten” përfundoi fjalën e tij deputeti Ismajl Kurteshi.

Deputeti tjetër, Prof. Mytaher Haskuka në këtë debat ngriti çështjen e arsimit universitar në gjuhën serbe në Kosovë. Ai theksoi se në Kosovë edhe arsimi universitar është bërë sinonim i ndarjes e jo i përbashkimit, duke shtuar se Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë figuron si ”Universiteti i Prishtinës në Kosovska Mitrovicë” dhe është themeluar nga Parlamenti i Republikës së Serbisë, e po ashtu financohet nga Republika e Serbisë.

“Për më shumë, ky universitet për dallim nga universitet publike të Kosovës nuk i nënshtrohet fare licensimit nga MASHT-i dhe akreditohet nga Republika e Serbisë”, theksoi Prof. Haskuka.
Ndër të tjera ai tha se formimi i “Zajednicës” do ta legalizonte moszbatimin e ligjit në fuqi dhe do ta përkeqësonte tutjen gjendje, teksa një universitet në Mitrovcë do të mund të ishte flakadani i perspektivës për zhvillimin e rajonit.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, paraqiti normat ligjore në fuqi dhe prezantoi të dhënat e gjendjne për shkollën “Dimitrie Prica” në Bernicë, e cila punon me kurrikulë të Serbisë. Sipas Nagavcit, deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim konkret si inspektim apo inicim të procedurave disiplinore për mosrespektim të kurrikulës apo kërkesë për mësim shtesë në shkollat e minoritetit serbë ku nuk respektohet kurrikulumi. Ministria, tha ajo, ka dështuar krejtësisht në realizimin e detyrimeve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga shkollat ku mësojnë serbët në Republikën e Kosovës.

Shqetësime ngriti edhe Prof. Halim Hyseni, i cili kërkoi përgjegjësi për mosrespektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Sistemi i arsimit në Serbi është i organizuar për qëllime ekspasioniste. Fëmijët serbë janë viktima, sepse ata edukohen në frymën se si ta urrejnë kombin shqiptar”, theksoi ndër të tjera profesori Halim Hyseni, i cili shprehu shqetësimin për mosveprimin e Qeverisë së Kosovës.

Eksperti i fushës së edukimit, Jusuf Thaçi, kërkoi zbatueshmëri të Kushtetutës dhe ligjeve sa i takon kurrikulave dhe përmbajtjes së teksteve. Si dhe studiuesi Shkëlzen Gashi, i cili kërkoi nga deputetët që t’i kushtojnë fillimisht rëndësi teksteve mësimore të kurrikulës së Kosovës, të cilat i quajti po ashtu skandaloze.

Në këtë debat prezantuan qëndrimet e tyre dhe deputetet Teuta Haxhiu nga AAK dhe Shukrije Bytyçi nga NISMA. Haxhiu tha se shqetësimi për moszbatimin e ligjit është i përbashkët për gjitha partitë, duke shtuar se MASHT ka treguar paaftësi në këtë drejtim, dhe theksoi se kjo e vështirëson integrimin e pakicës serbe. Kurse Shukrije Bytyçi tha se është shqetësuese mungesa e përfaqësuesve të Ministrisë në këtë debat dhe përmendi dështimin e Qeverisë për librat në Luginën e Preshevës.

Në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës, në mesin e të cilëve Xhelal Memeti, zv. Kryetar i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafi nga Kuvendi Komunal i Bujanocit, Ragmi Mustafa, kryetar i PDSH-së në Preshevë dhe profesori i gjuhës shqipe Enkel Rexhepi.

Z. Mustafa, pati kritika për qeveritë e Kosovës që nga paslufta, duke thënë që nuk e kishin parasysh që po udhëheqin shtet. Ai tha se Kosova duhet të kërkojë zbatimin e principit të reciprocitetit nga Serbia, duke problematizuar po ashtu pengimin e teksteve mësimore nga Serbia për shqiptarët e Preshevës, gjë e cila është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kurse profesor Rexhepi tha se në vazhdimësi serbët e Kosovës kanë qenë të mbiprivilegjuar, ndërsa shqiptarët e Luginës të nënvlerësuar, duke përmendur problemin e teksteve mësimore, çështjen e mosnjohjes së diplomave e probleme të tjera. E përfaqësuesi nga Bujanoci, Ragmi Mustafa, tha se sistemi i arsimit në Kosovë nuk mund të quhet paralel, por ai është ilegal, si dhe problematizoi mospërkrahjen e Kosovës për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. “Çështja jonë është shpërfillë në çdo proces të Luginës, prej Rambujesë e deri në negociatat që mbahen sot”, theksoi Mustafa.

Në fund, Ismajl Kurteshi përmbylli debatin duke prezantuar konkluzionet e mëposhtme:

1.MASHT të mos lejoj përdorimin e teksteve shkollore dhe plan-programeve shkollore të Serbisë nëse paraprakisht nuk është njoftuar ashtu siç parashihet me nenin 12.3 të ligjit nr/03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës.
2 .Neni 12.4 i ligjit për Arsim në Komuna e obligon MASHT-in ta kundërshtoj përdorimin e plan-programeve dhe teksteve shkollore që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në Komisionin e Pavarur të themeluar me të njëjtin ligj. Prandaj MASHT-i është i obliguar të veproj sipas ligjit.
3.Neni 13 i ligjit për Arsim në Komuna e obligon Komisionin e Pavarur ta ndaloj përdorimin e plan-programeve dhe teksteve shkollore që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Komisioni i Pavarur është i obliguar të veproj sipas ligjit.
4. Qeveria e Kosovë/MASHT-i duhet të përdor parimin e reciprocitetit me Serbinë në lidhje me plan-programet dhe tekstet shkollore.
5. Me konkluzionet e këtij debati do të njoftohet Komisioni Parlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe MASHT-i.
6. MASHT ka formësuar një procedurë për verifikimin e vlefshmërisë së diplomave të marra nga universitetet në Serbi por procedurë do të duhej të zbatohej në reciprocitet, pra në masën që Serbia i validon diplomat e universiteteve të Kosovës. Por kjo procedurë nuk duhet të aplikohet për validimin e diplomave të së ashtuquajturës “Universiteti të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”. Validimi i diplomave të këtij Universiteti paralel (ilegal) të Prishtinës në Mitrovicë paraqet shkelje të rëndë ligjore dhe legalizim i ndarjes etnike të universitetit. Një proces i tillë do të pamundësonte integrimin e këtij institucioni paralel të arsimit në sistemin arsimor të Kosovës në të ardhmen.

Kontribo

04 10 2016

MUSTAFA E THAÇI PO I DËNOJNË KOLEKTIVISHT TË GJITHË VETERANËT

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me pensionet dhe listat e veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës me ç’rast foli deputeti Rexhep Selimi.

Deputeti Selimi theksoi në fillim të kësaj konference se problemet që e kanë karakterizuar këtë çështje zënë fill tek çarmatosja e UÇK-së dhe po kulmojnë me manipulimet me listat e rrjedhimisht me pensionet e ish luftëtarëve. Në mënyrën se si është nisur ndërtimi i listave, paqartësia e ligjit na bën të kuptojmë se ky proces është nisur që në krye të herës për të qenë i dështuar, madje më keq për të diskretituar figurën e ish luftëtarëve tanë.

Ai tha se tash po konstatohet edhe nga vetë pushteti se ka pasur problem me verifikimin e listave të veteranëve, më saktësisht me fryrjen e tyre, gjë të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka paralajmëruar që në kohën e hartimit e miratimit të projektligjit për statusin.

“Dy mangësitë kryesore që ka ky ligj vazhdojnë të jenë mospërcaktimi i kritereve të mirëfillta për statusin e veteranët dhe për shkak se brenda këtij ligji nuk ekziston fare përkufizimi i veteranit të luftës së UÇK-së”, theksoi deputeti Selimi.

“Që nga miratimi i ligjit dhe fillimi i procesit të verifikimit janë vënë në dukje një varg parregullsish, duke filluar nga politizimi i procesit qysh në zanafillën e tij në Kuvend”, shtoi Selimi.

Më pas, ai përmendi edhe politizimin gjatë procesit të verifikimit, që si pasojë solli fryrjen e listave dhe korrupsionin në dhënien e statuseve të rrejshme, shkeljen e procedurave dhe rregullores së Komisionit Shtetëror për verifikimin e Listave të veteranëve dhe shkeljen e protokollit te dhënies së certifikatës së veteranit të UÇK-së.

“Në vend se të korrigjoheshin gabimet, ndodhi dënimi kolektiv që ua dha Kryeministri, duke ndërprerë pagat për të gjithë veteranët, edhe atyre që e meritojnë, edhe manipuluesve”, theksoi Selimi.

Ai po ashtu prezantoi edhe Nenin 13 të Ligjit për veteranët e Luftës së UÇK-së, ligj ky që është shkelur, e për çfarë Selimi ftoi Prokurorinë që të reagojë menjëherë në mbrojtje të ligjit, duke shtuar se për gjitha këto shkelje dhe manipulime, s’ka se si të përjashtohen nga përgjegjësia të gjithë bartësit e këtij procesi.

Selimi bëri përgjegjës Kryeministrin Mustafa, i cili me një arbitraritet të papranueshëm, mori vendim për dënimin kolektiv të të gjithë veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve të cilët u privuan nga pagesat e merituara.

“Nuk e meritojnë veteranët, luftëtarët e vërtetë, që të fyhen e të keqtrajtohen, as nga Kryeministri i sotëm e as nga ai i djeshmi. As nga Isa Mustafa që i dënon të gjithë pa përjashtim e as nga Thaçi, që herë thotë se gjithë Kosova është UÇK e herë thotë se vetë ka qenë larg vijave te frontit”, deklaroi deputeti.

Selimi në fund kërkoi në emrin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të gjithë atyre që e duan UÇK-në të paprekshme, të pastër dhe të mbrojtur, që menjëherë të ndalen manipulimet kundër vlerave të Luftës Çlirimtare.

Zgjidhja për këtë është fillimi i punës për ndryshimin e ligjit dhe pastrimin e listave të veteranëve dhe invalidëve, që këtyre kategorive t’iu mundësohet trajtim i dinjitetshëm.

Kontribo

01 10 2016

Menaxhmenti i RTK-së zbaton vendimet e klanit pronto

Kryeredaktori i RTK-së dhe autori i emisionit “DEBAT”, Ridvan Berisha, e pranoi më në fund të vërtetën rreth kapjes së RTK-së dhe mohimit të së drejtës për paraqitje në këtë televizion të subjektit më të madh opozitar në Kosovë.

Është skandaloze që kryeredaktori i mediumit publik, post publik që ka përgjegjësi publike ndaj të gjithë qytetarëve dhe votuesve të të gjitha subjekteve, të vendosë për arsye personale t’ia ndalojë kryetarit të subjektit më të madh opozitar, pjesëmarrjen në emisionin që e drejton.

Së paku tash e dy muaj, VETËVENDOSJE!-s i mohohet e drejta për hapësirë në RTK, ndërkohë që udhëheqësit e subjekteve në pushtet, brenda këtyre dy muajve kanë zhvilluar intervista në këtë medium së paku nga dy herë secili.

Kjo tregon që në fakt vendimet “personale” të kryeredaktorit Ridvan Berisha dhe Xhymret Veliut, njësoj sikur edhe ato të drejtorëve Mentor Shala dhe Mufail Limani, janë vendime të klanit pronto, që ekzekutohen nga shërbyesit e tyre në RTK.

Lëvizja VETËVENDOSJE! fton Këshillin e Pavarur Medial dhe Asocicaionin e Gazetarëve të Kosovës që të reagojnë ndaj këtij diskriminimi që ka bazë politike dhe është i papranueshëm për këdo që beson në lirinë e shprehjes dhe në mediet e lira.

Kontribo

01 10 2016

RTK-ja INSISTON NË PRIVATIZIMIN E HAPËSIRËS MEDIALE

Udhëheqësi i emisionit në RTK 1, Ridvan Berisha në një komunikim me zyrtaren për media në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Tinka Kurti, ka thënë se refuzon ta intervistojë kryetarin Visar Ymeri për shkak të komunikatës së mbrëmshme të Lëvizjes, në të cilën tregohet se kjo intervistë ende nuk është kryer pavarësisht të dakordimit të më shumë së një muaji.

Një vendim i tillë, flet për mendje privatizuese brenda RTK-së, e cila nuk guxon assesi të ndodhë në një medium publik. Z. Berisha po sillet si shërbyes të pushtetit duke e përjashtuar prezantimin e opozitës nga një hapësirë publike e cila i takon.

Arsyetimi se komunikata e Lëvizjes është pengesë për ta realizuar intervistën nuk qëndron. Nuk mundet një medium publik i cili në natyrën e tij të punës e ka fjalën dhe duhet të punojë për lirinë e shprehjes t’i pengojë komunikata e cila është pikërisht e bazuar në këtë liri themelore.

Ndërkohë, Kryeredaktori i RTK1, Xhymret Veliu është shprehur se përzgjedhja e mysafirëve bëhet nga stafi i RTK-së. Atëherë, pse duhet RTK-ja ta përzgjedhë vetëm Kadri Veselin, Hashim Thaçin, e Isa Mustafën? Si po rastisin të jenë vetëm këta mysafirë të ftuar? Kjo është saktësisht kapja e hapësirës për partitë në pushtet dhe përjashtimi i opozitës.

Kontribo

30 09 2016

RTK-ja VAZHDON TA ANASHKALOJË VETËVENDOSJE!-n

RTK-ja nuk po e interviston kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri. Hapësirën e njëjtë që ia kishte dhënë dhe organizuar për Kadri Veselin e Hashim Thaçin, nuk po ia ndan edhe z. Ymeri. Kryeredakotorët në RTK, Ridvan Berisha dhe Xhymret Veliu, as pas një muaji kur e kemi bërë publik refuzimin e tyre ndaj nesh, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të bërë intervistën me z. Ymeri.

Autori i emisionit, Ridvan Berisha, i kontaktuar të martën më 27 shtator, nga aktivistja në zyrën e mediave të Lëvizjes, Tinka Kurti, ka thënë se do ta lajmëronte të nesërmen për mundësinë e intervistës gjatë kësaj jave. Të nesërmen ai e drejton tek kryeredaktori i RTK1, Xhymret Veliu, i cili poashtu thotë se të nesërmën do ta marrë një vendim në lidhje me këtë intervistë të mundshme. Kështu, deri sot, e premte, kur asnjëri prej tyre nuk lajmërohet në thirrjet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Ky medium ka muaj të tërë që nuk po gjen hapësirë për kryetarin e subjektit më të madh opozitar, derisa kishte realizuar intervista speciale me kryetarët e subjekteve të pozitës, duke ua mundësuar atyre sulmin ndaj VETËVENDOSJE!-s. Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ishte intervistuar më 12 gusht 2016 dhe Kryeministri Isa Mustafa më 19 gusht 2016.

Për ta refuzuar VETËVENDOSJE!-n fillimisht Xhymret Veliu kishte thënë se është në pushime. Tash të njëjtin arsyetim e ka Ridvan Berisha. Çuditërisht, në muajin gusht, për t’i realizuar intervistat e Veselit dhe Mustafës, asnjëri nuk ishte në pushime. Ky menaxhment duhet të shkojë në pushime të përhershme. Ky menaxhment në shërbim të Qeverisë, ka nevojë të shkarkohet që qëllimi i RTK-së – shërbimi i publikut – të mund të realizohet.

Kontribo

30 09 2016

KEDS-i PËRJASHTON NGA PUNA, QEVERIA MIRATON ME HESHTJE

Përjashtimi i 95 punëtorëve të KEDS-it nga vendet e punës këtë, si dhe trendi i përjashtimit të punëtorëve nga kjo ndërmarrje është i papranueshëm. Ky largim kolektiv i punëtorëve është jashtëzakonisht i dëmshëm për ekonominë dhe shoqërinë tonë.

Drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje Sociale, Faton Topalli dhe Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, në një konferencë për media të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kundërshtuan dhe kërkuan përgjegjësi nga qeveria për këto përjashtime nga puna të punëtorëve nga kompania KEDS-i.

“Pa asnjë përgjegjësi morale dhe ligjore ka larguar para dy ditësh 95 punëtorë, 75 të tjerë në maj dhe 160 brenda një viti përmes presioneve e shantazheve. Këto janë pasojat aktuale të privatizimit, por jo të fundit. Diku rreth 332 brenda vitit”, ka thënë deputeti Topalli, duke folur përjashtimet që ka bërë KEDS-i.

Topalli shtoi se këto janë pasoja të privatizimit të dëmshëm, duke përmendur privatizimin e KEDS-it nga kompania turke ‘Limak’, për vetëm 26.3 milionë euro. Ai përmendi edhe punonjësit e papunë të Ferronikelit në Drenas.

Më tej, Topalli paralajmëroi largimin nga puna edhe të një numri të punëtorëve nga Bechtel Enka, duke treguar që së fundi kjo kompani ka sjellë në Kosovë 50 punëtorë nga Rumania, që kanë ardhur për të kryer punë që kryhen nga punëtorët kosovarë.

Topalli kërkoi që Qeveria të ndërmarrë masa për t’iu dalë në mbrojtje punëtorëve të Kosovës, të cilët janë kategoria më e shtypur dhe e diskriminuar në vend.

“Punëmarrësi në Kosovë janë kategoria më diskriminuar në vendin tonë. Ata janë lënë pa mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje të mirëfilltë. Oraret e gjata të punës, kushtet e vështira në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e kompensimit të rrogave pas fatkeqësive në punë, puna me muaj dhe ndonjëherë me vite pa asnjë ditë pushim, janë vetëm disa nga problemet që i bëjnë punëmarrësit e Kosovës në skllevër të vërtetë, përfundoi drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje Sociale, Faton Topalli.

Kurse Naim Hoxha, tha që largimet e punëtorëve nga puna po e rrisin papunësinë dhe po ua pamundësojnë punëtorëve që kryesisht janë mbi 40 vjeçarë të jetuarit me dinjitet.

“Në anën tjetër përjashtimi nga vendet e punës e përjashton dijën dhe përvojën që shoqëria e ka krijuar për një kohë të gjatë në fusha specifike të industrisë së prodhimit, duke kushtëzuar njëkohësisht kualifikim të fuqisë punëtore”, ka thënë Hoxha.

“Ky proces privatizimi e ka shpërfilluar plotësisht faktin që këta janë njerëz, me familje, me përvojë jetësore e profesionale, me histori, të drejta, dinjitet e mundësi. Kështu secili punëtor është i largueshëm. Tërë kjo për ta rritur profitin e KEDS-it duke e ulur koston e punës”, ka shtuar Hoxha.

Në fund u tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të merret me këtë çështje dhe me çdo padrejtësi ndaj secilit punëtor, duke bërë presion ndaj institucioneve dhe duke mbrojtur ata, e duke qenë me ta në organizimet e tyre.

Kontribo

29 09 2016

VAZHDIMI I MASËS SË SIGURISË PËR 6 AKTIVISTËT, VEPRIM TOTALITAR

Ashtu siç paralajmëroi drejtori i njësitit anti-terror të Policisë së Kosovës para dy ditëve në një emision televiziv, Fatos Makolli, 6 aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të arrestuar pa kurrfarë provash për sulmin në Kuvend, iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Ky vendim përveçse është i papranueshëm dhe skandaloz, është dëshmi se shteti i Kosovës dhe instuticionet e tij ka marrë modelin e shtetit totalitar, ku Policia përzihet në punët e Prokurorisë dhe gjykatave, duke ua imponuar vendimet për të arrestuarit.

Një vendim i tillë, pa u marrë asnjëri nga të arrestuarit asnjëherë në pyetje dhe pa pasur asnjë fakt që tregon lidhjet e sulmit të Kuvendit me aktivistët tanë, është veprim që shpërfaq lidhjen zinxhirore mes klanit Pronto dhe Policisë, Prokurorisë e gjykatave, ku të gjitha së bashku përdorin trasnmetuesin publik RTK-në si zëdhënësin e tyre. Asnjëra nga këto institucione nuk po synon rendin apo drejtësinë, por po garojnë me njëra-tjetrën se kush po i shërben me mirë pushtetit kriminal.

Ashtu siç ndodhi edhe arrestimi i 6 aktivistëve, pas një mori shpifjesh e montimesh të Policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore të kapura, në të njëjtën mënyrë erdhi edhe ky vendim, në vazhdën e luftës speciale të pushtetit ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që të heqin dorë nga këto vendime dhe nga shërbimi ndaj grupimeve kriminale, siç është klani Pronto. Dhe i bëjmë me dije pushtetit, se këto veprime nuk do të zbehin në asnjë moment aktivitetin e Lëvizjes sonë kundër këtij regjimi që po ecë hapave të regjimeve totalitare. Mbesim të përkushtuar dhe do të angazhohemi me gjitha kapacitetet tona që të çlirojmë institucionet e kapura nga klani Pronto, në mënyrë që të kemi një shtet të së drejtës, një shtet demokratik dhe ligjor.

Kontribo

27 09 2016

POLICIA MERR VENDIME NË VEND TË GJYKATËS

Sonte, në një emision special të kryepolicit për anti-terror, u konfirmua edhe njëherë se si Policia e Kosovës është vënë tërësisht nën shërbimin e klanit pronto dhe aktivitetin e saj kryesor dhe më të zellshëm e ka luftën speciale ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Drejtori i njësitit anti-terror të Policisë së Kosovës, Fatos Makolli, vazhdoi luftën politike të nisur nga Policia e Kosovës me disa konferenca menjëherë pas arrestimit të 6 aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s. Asnjë fakt i ri nuk u paraqit por thjeshtë përsëritën shpifjet dhe montimet e paraqitura nga policia në ato konferenca.

Asnjë nga aktivistët e arrestuar nuk është marrë në pyetje nga prokuroria, as edhe një muaj pas arrestimit të tyre, dhe kjo po ndodh saktësisht ngase nuk ka asnjë fakt që do të dëshmonte njëmend lidhjen në mes sulmeve me bomba dhe aktivistëve tanë. Kjo u konfirmua edhe nga intervista e këtij drejtori të anti-terrorit, i cili as edhe një gjë të re nuk e tha në këtë intervistë.

Është shqetësuese se si vetëm një ditë para se gjykata të marrë vendim për vazhdimin ose jo të masës së paraburgimit ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s, ky drejtor i Policisë del dhe zhvillon një propagandë politike tipike për klanin pronto.

Për më tepër, skandali më i madh, që nuk ka ndodhur asnjëherë deri sonte në Republikën e Kosovës është se si policia merr vendim në vend të Gjykatës për vazhdim paraburgimi ndaj dikujt. Sonte drejtori i njësitit anti-terror tha se aktivistëve të arrestuar u është vazhduar masa e paraburgimit, anipse nuk ka asnjë vendim gjykate për këtë dhe asnjë nga aktivistët e arrestuar apo avokatët e tyre nuk ka një vendim të tillë. Vetëm në shtetet totalitare, Policia kryen rolin edhe të prokurorisë e edhe të gjykatës. Vetëm në vendet totalitare policore, policia i tregon Gjykatës se si duhet të sillet me njerëzit e arrestuar. Asnjëherë deri sot, nuk ka ndodhur që Policia publikisht në një medium të kumtojë “vendim” gjykate, pa u njoftuar palët e përfshira që janë të akuzuarit dhe avokatët e tyre.

Sonte, nga kjo intervistë u dëshmua që në Kosovë nuk ka gjykata, nuk ka prokurori, nuk ka polici të njëmendtë hetuese por krejt çka ka është polici terrorizuese që e kryen funksionin e të trija këtyre.

Kontribo

25 09 2016

DEMANTIM NDAJ SHPIFJEVE TË GAZETËS EXPRESS RRETH OBJEKTIT TË MILLOSHEVIQIT NË OBORR TË UP-SË

Hapësira brenda kampusit universitar, për të cilën pretendohet se i përket Kishës Ortodokse Serbe për ndërtimin e objektit kishtar, i është uzurpuar Universitetit të Prishtinës nën masa të dhunshme, me vendim të Kuvendit të Republikës së Serbisë në vitin 1990.

Më saktësisht, më 26 nëntor të vitit 1990, në bazë të “nenit 16 të Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të jashtëzakonshme”, Kuvendi i Republikës së Serbisë ka marrë të ashtuquajturin “Vendim për plotësimin e vendimit për miratimin e planit të hollësishëm urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë”, me cka ka paraparë ndërtimin e Objektit të Tempullit të Kishës Ortodokse Serbe dhe Institutit për historinë kishtare serbe dhe kulturën profane me përmbajtjet përcjellëse”, në hapësirën universitare.

Ky vendim ka hyrë në fuqi 8 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë dhe është publikuar poashtu në numrin 4 të Gazetës Zyrtare të Kosovës, të datës 30 prill 1992.

Ky fakt e dëshmon edhe njëherë se i tërë procesi rreth ndërtimit të objektit kishtar në hapësirën universitare, është vepër e regjimit fashist të Millosheviqit dhe përfaqëson,hegjemoninë e Serbisë në Kosovë të vendosur kundër vatrës së rezistencës dhe luftës për çlirim kombëtar të shqiptarëve që simbolizohej me Universitetin.

Pretendimet e klerikëve serbë dhe telallit të tyre, Gazetës Express, se leja për këtë objekt është dhënë nga organe legjitime të Komunës së Prishtinës, apo më saktësisht nga babai i aktivistit tonë Erzen Vraniqi, përvec që kanë për qëllim sulmin kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! me anë të shpifjeve tendencioze ndaj aktivistëve të saj dhe familjarëve të tyre, kanë qëllim edhe që këtë objekt, simbol të okupimit të regjimit të Millosheviqit, ta legjitimojnë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga organet kompetente komunale dhe qendrore që vendimet e organeve të Serbisë nën masa të dhunshme, mos t’i marrin parasysh dhe ky objekt të konsiderohet objekt i ndërtuar pa leje në hapësirën e uzurpuar të Qendrës Universitare në Prishtinë.

Ndaj Gazetës Express do të deponojmë padi për shpifje kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe zyrtarëve të saj, si dhe për keqinformim të opinionit publik.

Kontribo

24 09 2016

LDK-ja e Isës, në panikë nga rënia e mbështetjes së qytetarëve

Pas skandaleve të shumta që prej krijimit të koalicionit LDK-PDK-Srpska; pas qeverisjes skandaloze bashkë me klanin “Pronto”; pas dështimit që të na e sjell “Zajednicën” dhe Demarkacionin; pas mungesës së guximit për të thënë qoftë edhe një fjalë të vetme kundër klanit “Pronto”… LDK-ja nën drejtimin e Isa Mustafës, në vend që të merret seriozisht me veten dhe të kuptojë humbjet e mëdha në elektorat, po shpif e akuzon.

LDK-ja e Isa Mustafës, tashmë e ka shndërruar në traditë shpifjen dhe akuzën, ndaj kujtdo që ia thotë të vërtetën. Qoftë ndaj medieve, qoftë ndaj kompanive të ndryshme që masin opinionin pubik dhe qoftë ndaj qytetarëve.

Në vend që të kërkojë sqarim nga kompania që kishte realizuar këtë sondazh, dhe të kërkojë të dijë parametrat, metodën e punës, etj. që ta analizojë nëse ky sondazh është serioz dhe shkencor, LDK e Isa Mustafës ka vendosur ta denoncojë atë pa pasur asnjë informacion, dhe të tentojë në mënyrë absurde ta lidhë këtë sondazh me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

LDK-ja e drejtuar nga Isa Mustafa është në panikë të madhe pikërisht ngase po e di që ky dhe sondazhet e tjera të kohëve të fundit janë të vërteta. Ne tashmë jemi të bindur që rezultatet e këtij sondazhi – që flasin për rritje të madhe të VETËVENDOSJE!-s – përputhen me atë çka mendojnë qytetarët, dhe çka po shprehin ata për çdo ditë në vizitat tona në teren.

Kontribo

24 09 2016

REFERENDUMI I MILORAD DODIKUT ËSHTË VAZHDIM I KRIMIT TË SERBISË

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet zërave që e kundërshtojnë fuqishëm referendumin jolegjitim që planifikohet të mbahet në datën 25 shtator nga Milorad Dodiku, Presidenti i “Republika Srpska” në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Republika Srpska”, sipas vetë gjykimeve që kanë ndodhur në Tribunalin e Hagës, është një entitet politik i ndërtuar mbi gjenocidin ndaj boshnjakëve. Nuk mund të pretendohet asnjë mbrojte e vlerave të demokracisë përmes mbajtjes së referendumit në një vend ku janë shfarosur njerëzit prej atyre që sot po e organizojnë këtë referendum. Ky referendum që ka si gurthemel krimin ndaj njerëzimit është zgjatim i këtij krimi në Bosnjë e Hercegovinë.

Referendumi po organizohet me synimin për legjitimimin e datës 9 janar si “Dita e Republikës” së “Republika Srpska”, e cila pati shpallur pavarësinë prej Bosnjës me 9 janar të vitit 1992. Kjo pavarësi, e kjo “republikë”, u shpallën në mes të zbatimit të politikave serbomadhe të Milosheviçit që çuan drejt qindra mijëra të vrarëve, gjenocidin në Srebenicë, dhjetëra mijëra përdhunimeve dhe në shpërnguljen e dhunshme të mbi dy milion njerëzve.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje Hercegovinës tashmë e ka marrë një vendim që e shpall këtë referendum të jashtëligjshëm dhe diskriminues ndaj popujve joserbë të Bosnje Hercegovinës, por Milorad Dodiku nuk është zmbrapsur. Ai ka marrë mbështetje të plotë për këtë akt të vazhdimit të krimit përmes retorikës boshe për “demokraci” nga Putini, që ka vendosur të hapë edhe qendra votimi për këtë referendum për serbët që jetojnë në Rusi. Njëkohësisht, Dodiku ka marrë përkrahjen edhe nga Vuçiçi dhe Beogradi zyrtar, që jo vetëm nuk e ka kundërshtuar këtë referendum por edhe e mbështet hapur legjitimitetin e datës 9 janar, si shënjues politik kundër projektit të Bosnje Hercegovinës si shtet sovran, funksional dhe i zhvilluar.

Referendumi i Dodikut, i ngritur mbi krimin ndaj njerëzimit, është dëshmia më e fundit e mungesës së procesit të “denazifikimit” të Serbisë, duke mos e ballafaquar atë me të kaluarën e saj kriminale. Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës në Serbi, i ka sjell ata ne krye të Qeverisë dhe brenda Parlamentit të Serbisë duke nxitur pareshtur provokime të rrezikshme në disa vende të Ballkanit. Përmes këtij referendumi, Serbia po vërteton sërish se nuk ka hequr dorë nga projekti serbomadh dhe pretendimet aneksuese hegjemonike në rajon, e mbështetur edhe nga Rusia.

Ky referendum shkon në drejtim të kundërt të zhvillimit shtetëror të Bosnje Hercegovinës. Sakaq, degradimi i sovranitetit të Bosnje Hercegovinës, dhe rikthimi i politikave ekspansioniste të Serbisë, përbëjnë një kërcënim direkt për sigurinë në të gjitha vendet e Ballkanit. Kjo ngjarje është kambanë alarmi për mbarë Evropën. Prandaj, mbajtja e këtij referendumi duhet kundërshtuar me çdo kusht.

Kontribo

23 09 2016

Vendimi për importin e plehrave i takon popullit

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi mbrëmë vonë, me më pak se gjysmën e deputetëve (vetëm 63 vota PRO), projektligjin për disa ndryshime për menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke legalizuar importin e plehrave në Republikën e Shqipërisë. Votimi ndodhi në kohën kur jashtë Kuvendit protestohej kundër këtij projektligji.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2012, mbi 60,000 qytetarë të Republikës së Shqipërisë patën nënshkruan peticionin që kundërshtonte ligjin e atëhershëm për importin e plehrave, me synimin për të mbajtur një referendum mbi këtë ligj përmes nismës qytetare. Referendumi nuk u zhvillua sepse qeveria e re e formuar pas zgjedhjeve të vitit 2013 vendosi t’i ndalonte të gjitha rastet e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë, nisur nga kundërshtimi dhe shqetësimi i madh i qytetarëve ndaj këtij ligji. Mbrëmë, përmes miratimit të projektligjit për importin e plehrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ka shpërfillur vullnetin e qytetarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet shqetësimit të rishprehur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë lidhur me miratimin e projektligjit për importin e plehrave. Natyra, territori, nëntoka, ajri, ujërat, janë të kufizuara, të fundme e të pakthyeshme. Trajtimi i tyre është përgjegjësi kombëtare, pasi ato janë shtëpia e përbashkët e kombit. Aventurizmi i interesit privat në këto terrene politike pashmangshmërisht publike duhet ndalur. Nga ana tjetër, dështimi në krijimin e një ekonomie prodhuese e lë vendin nevojtar, dhe nevojtarët shpesh janë gati të pranojnë propozime të këqija biznesore. Qeveria e Shqipërisë nuk duhet të veprojë si nevojtare përballë joshjes së investitorëve në këto industri të rrezikshme, por duhet ta kanalizojë kapitalin privat drejt rrugës së ngadaltë por më të leverdisshme për publikun, që janë sektorët e prodhimit vendor, bujqësia dhe industritë që respektojnë ambientin.

Një çështje kaq e rëndësishme nuk prek vetëm bizneset dhe punëtorët e angazhuar në importin dhe përpunimin e mbetjeve, por ka potencialin të ndikojë drejtpërdrejt negativisht mbi ambientin, ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve. Rrjedhimisht, vendimi për një çështje kaq madhore i takon dhe duhet të merret nga populli.

Kontribo

22 09 2016

Qeveria e stenteve uzurpon dhe kompetencat e odave të mjekëve

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e mjerueshme. Përkundër premtimeve nga qeveria për modernizim të këtij sektori, gjendja vijon përkeqësimin.

Deputetja dr. Besa Baftiu dhe Drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi, prof. Jusuf Ulaj, adresuan sot në konferencë për media dy nga problemet në këtë sektor, siç janë uzurpimi i kompetencave të Odave të mjekëve dhe zhvatja e buxhetit të shtetit e të pacientëve për referimet QKUK – spitale private.

Prof. Ulaj tha se një nga arsyet e regresit në këtë fushë është mosfunksionalizmi i Odave të profesionistëve shëndetësorë, që duhej të funksionalizoheshin katër muaj pas miratimit të Ligjit, saktësisht 4 muaj pas majit të 2013-së. Ai deklaroi se Ministri aktual i Shëndetësisë vijon të thotë shumë të pavërteta, duke tentuar të hedh fajin mbi vetë Odat.

“Nuk kuptohet ende ku po bazohet Ministria e Shëndetësisë dhe vet ministri që vijon të shkelë të gjitha normat ligjore dhe procedurale sa i takon bartjes së kompetencave dhe lejimit të funksionimit bashkë me financat autonome të këtyre institucioneve kaq të rëndësishme për punonjësit mjekësor. Është viti 2016 dhe në vendin tonë paditet Ministria e Shëndetësisë sepse nuk pranon t’u lëshojë kompetencat që i kanë me ligj profesionistët shëndetësor”, është shprehur Ulaj.

Ai më tej ka shtuar se Ministria vazhdon t’i trajtojë profesionistët shëndetësor si vartës të saj si dhe i ka rikujtuar ministrisë përgjegjësinë për kontroll ndaj institucioneve shëndetësore, për dërgimin në ndjekje penale të keqbërësve dhe për hartimin e politikave që lehtësojnë punë. E, që ministria asnjë nga këto nuk po i realizon, teksa i mban të uzurpuara kompetencat e odave të profesionistëve shëndetësorë, duke mbajtur nën kontroll kësisoj avancimin dhe karrierën e tyre.

Ende pa mbaruar procesi gjyqësor për rastin e tmerrshëm “Stenta” Ministria vijon bashkë me QKUK-në referimet tek privatët meqë aparaturat kryesore ekzaminuese nuk janë funksion.

Doktoreshë Baftiu tha në mjekësinë publike mungojnë barnat e materiali shpenzues, aparaturat nuk funksionojnë, e për këtë, pacientët shtrëngohen të shkojnë në spitale private duke paguar sigurisht shumë shtrenjtë.

“Ka më shumë se 2 muaj që aparati i koronarografisë është jashtë funksionit. Çdo ditë referohen nga 3-4 raste, dhe vetëm prej 1-15 shtator janë referuar 35 pacientë, ku një rast kushton 4000-5000 euro. I bie që rreth 250.000 euro në muaj, Ministria e Shëndetësisë paguan për spitalet private, ndërsa një koronarograf i ri kushton 300.000 euro”, theksoi deputetja Baftiu, duke shtuar se në klinikën e kardiologjisë ekziston material i skaduar që kap vlerën prej 200.000 euro.

Baftiu konstatoi po ashtu se CT në emergjencë është gjysmëfunksionale, aparati për thyerjen e gurëve në veshkë dhe fiberebronkoskopi në pulmologji janë jashtë funksionit, si dhe tha që ka mungesë të morfinës në kardiologji e që testet e hepatitit nuk kryhen në QKUK.

Doktoreshë Besa Baftiu ka deklaruar se ka dallim të madh në mes të programit për shëndetësi moderne të premtuar nga qeveria, dhe gjendjes që mbizotëron aktualisht në këtë sektor. Ajo ka thënë se problemet po shtohen çdo ditë, veçanërisht në institucionet shëndetësore që menaxhohen nga Ministria e Shëndetësisë, sekondare e terciare.

Si përfundim, u tha që këtu kushte persekutojnë mjekun dhe u kërkua implementimi i ligjit për Odat, për funksionimin normal të tyre.

Komiteti për Shëndetësi
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 09 2016

Reagim i deputetit Albin Kurti për deklaratën e Hashim Thaçit:

“I ashtuquajturi president i Kosovës, përveç tjerash, paska thënë që deklarata ime është njëkohësisht edhe qesharake edhe e rrezikshme. Si mund të jetë qesharake diçka që është e rrezikshme? Po, pra, qenka e mundur atëherë kur injoranti ordiner të instalohet si ‘president’. E pranoj që znj. Jahjaga na paska qenë më e logjikshme se ky teveqel!

Dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator 2016, atë marrëveshje të 26 gushtit 2015 e vulosi si marrëveshje personale të Thaçit. Tash, le ta varë atë dokument tradhtie e krimi në mur të tij, ky që do të duhej ta mbante atë si aktakuzë në qeli burgu.”

Kontribo

20 09 2016

RTK – 19:30 – Ndërroje kanalin

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik para objektit të televizionit publik RTK, ka shprehur pakënaqësinë me politikat editoriale të transmetuesit publik.

Aktivistja Teutë Rrusta në prononcimin e saj ka deklaruar se RTK po ushtron presion ndaj opozitës, me sjelljen e saj si përmbarues i punëve të Qeverisë. Ajo tha se pas presionit medial të RTK-së janë arrestuar zyrtarët për media nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi e Adea Batusha, gjë që ndodhi pas debatit të Frashër Krasniqit me kryeredaktorin e RTK-së, Ridvan Berisha.

“RTK-ja me vite të tëra ka ofruar vetëm dy gjëra për qytetarët: terr dhe terror. Në terr informativ i ka lënë qytetarët, kurse terror ka ofruar për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ky medium publik sillet si një polici private. Sillet tamam si përmbarues i punëve të Qeverisë”, u shpreh aktivistja Rrusta.

Më tej, ajo shtoi se RTK po shërben si dikaster qeveritar, veçanërisht gjatë edicioneve të lajmeve, çdo ditë në orën 19:30, ku hyjnizohet puna e Kadri Veslit, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Teksa minimizohen lajmet që lidhen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, qoftë në rradhitjen e temave apo në minutat në dispozicion dhe mënyrën se si pasqyrohen ato.

Teutë Rrusta theksoi se transmetuesi publik po ashtu nuk problematizon çështjet me rendësi për qytetarët, kurse hallet e tyre i trajton si probleme pa fajtorë. RTK nuk ka aspak qasje kritike, dhe përkundër që jemi shteti më i korruptuar në rajon, ajo nuk paraqet skandalet e shumta qeveritare në edicionet e lajmeve, duke i dhënë hapësirë vetë sulmit të qeverisë ndaj opozitës, shënimit të datave e aktiviteteve ku prehen shirita apo realizohen vizita nga zyrtarë të qeverisë.

“Për këto arsye dhe shumë të tjera, ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos i shikojnë lajmet e RTK-së. Në pikën në të cilën ka mbërritur ky medium publik, ndërrimi i kanalit në orën 19:30 është akt çlirimi nga propaganda qeveritare”, përfundoi Rrusta.

Në fund, u ekspozua një televizion i fikur me një mbishkrim që shënonte orën e edicionit të lajmeve dhe thirrjen “NDËRROJE KANALIN”.

Kontribo

17 09 2016

Policia arreston studentët e UP vetëm pse vendosën një pano prej letre te kisha e Millosheviqit!

Asnjë intervenim nuk ndërmorri kjo polici disa ditë më herët, kur zyrtarë të manastirit të Graçanicës, jashtëligjshëm u futën në këtë objekt dhe filluan punimet për rinovimin e tij. Madje i mbrojti ata.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët thjeshtë vendosën një pano prej letre para kësaj kishe. Ky objekt, i ndërtuar gjatë regjimit të Millosheviqit, simbolizon planet e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe uzurpon hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

Është shqetësuese dhe e papranueshme që Policia të vazhdojë shërbimin me aq përkushtim ndaj klanit Pronto e për interesat e Serbisë. E në anën tjetër të jetë aq shtypëse e brutale ndaj kujtdo që ngrit zërin e angazhohet për interesin e shtetit dhe kombit tonë.

Bëjmë thirrje për lirim të mënjehershëm të studentëve të arrestuar dhe ftojmë Policinë që të mos vazhdojë me këto veprime që po kontribuojnë që Kosova të shndërrohet në shtet autoritar në shërbim të Serbisë.

Kontribo

15 09 2016

SHTETI GJYSMË AUTORITAR SOT KREMTON PËR DEMOKRACINË

Demokracia është hapësira dhe përmbajtja që u garanton të drejta, barazi dhe mirëqenie qytetarëve. Të tria këto, po mungojnë në Kosovë. Nuk mund të jetë demokratik shteti që arreston deputetët. Nuk mund të jetë demokratitk shteti që persekuton qytetarët dhe që e lufton opozitën.

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ky pushtet që ironikisht, ligjërimin e ka të mbushur me fraza mbi demokracinë, përparimin, prosperitetin, mendimin ndryshe, ka arrestuar për 12 muaj më shumë se 400 aktivistë vetëm pse mendojnë ndryshe nga Qeveria. Aktivistët e arrestuar, në shumicën e rasteve janë rrahur brutalisht për kundërshtimin e projekteve që donin të kalonin pa pikë transparence.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House ku flitet për Kosovën, shteti jonë zë vendin më të keq në Ballkan. Ai cilësohet si gjysmë autoritar. Strukturat qeveritare, thuhet aty, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin. Nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur. Nuk mund të ketë zhvillim me klanin mafioz “Pronto”.

Demokracia do të triumfojë vetëm me zërin e qytetarëve të vendosur, sikur në protestat kundër “Zajednicë” dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kontribo

14 09 2016

Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata.

Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata. Por, edhe për deputetin Glauk Konjufca, edhe për gjashtë të arrestuarit e tjerë, Gjykata e Apelit i ka lënë në fuqi masat e padrejta të shqiptuara ndaj tyre.

Përderisa, gjashtë të arrestuarit po mbahen pa asnjë provë e asnjë argument, krejtësisht të pafajshëm, Gjykata sot, përmes gjuhës së shkeljes të së drejtës, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për t’ua hequr atyre masat e ndalimit.

Gjykatat e këtij sistemi, në të njëjtën ditë që ofendohen nga sjellja arrogante e hipokrite të shefit të shefave, anëtarit të “Prontos”, Adem Grabovcit, tregohen të fuqishme me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s. Dinjitetin e nëpërkëmbur nga tallja e Grabovcit, gjykatësit nuk mund ta rikuperojnë me ndjekjen e aktivistëve sepse ata i kanë arrestuar padretjësisht.

Duke lënë në liri kriminelët dhe duke bërë inskenime të dobëta mundohen t’i mbushin raportet e punës. Por, montimet e rasteve politike janë shenja të dobësisë së pushtetit dhe jo të së drejtës, e as të fuqisë. Ashtu sikurse përpjekja jonë është e pandalshme, tashmë, askush nuk mund ta ndalë këtë pushtet në tatëpjetën që ka marrë.

Kontribo

08 09 2016

“Pronto” shqiptoi padrejtësisht edhe 30 ditë arrest shtëpiak për Glauk Konjufcën

Sistemi i drejtësisë i kapur nga klani Pronto ia ka vazhduar deputetit Glauk Konjufca edhe 30 ditë arrestin shtëpiak. Ky pushtet që ishte duke e mbajtur padrejtësisht deputetin Konjufca ka vendosur ta bllokojë atë për t’ia ndalur hovin e kundërshtimit të “Prontos”. Arrestimi dhe mbajtja e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s në kohën e dëshmive dhe lulëzimit të krimit të organizuar të pushtetit, është frikë e pushtetit. Por, tashmë kjo nuk mund të krijojë kurrfare hutie.

Policia dhe prokuroria, çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë që t’i bindesh klanit “Pronto” është shkelje e rëndë dhe nuk mund të vazhdojë gjatë.

Mjegulla që duan ta krijojnë nuk po zë vend. Gjithçka është shumë e qartë. Ky demarkacion është i pambrojtshëm pasi gabimet e mëdha në këtë marrëveshje janë argumentuar nga shumë anë. Agresioni policor është shenjë që pushteti po bjen. Këto janë përpëlitjet e tij të fundit për ta ruajtur pushtetin kështu siç është. Brutaliteti i këtij pushteti do të përfundojë shumë shpejt sepse askush nuk do të jetojë me një shtet që krejt çka ofron janë taktikat policore.

Kontribo