02 09 2016

Isa Mustafa ka nostalgji për vitet e 80-ta, mendësia e tij po merr fund

E tunduar nga nostalgjia për regjimin komunist jugosllav, partia e udhëhqur nga shërbyesi i atij regjimi që e do kultivimin e tij edhe në Kosovën e sotme, e paska quajtur VETËVENDOSJE!-n kriminale e neokomuniste. LDK e Isa Mustafës, e cila më shumë po kontrollohet nga ai që Mustafa e quante kriminel, Kadri Veseli, duhet ta ketë të qartë se frika e tyre nga VETËVENDOSJE! vjen si pasojë e luftimit të pakompromis të krimit nga ana jonë.

Partia e kryetarit me 70 dosje, me veprimtarinë kriminale dhe tradhtinë ndaj elektoratit duke u shndërruar në vegël të ShIK’ut është në panikun e rënies drastike në përkrahje nga populli, gjë që më pas i çon në lëshim të kumtesave histerike, të çoroditura e të mërzitshme.

Sikur viteve të 80-ta, edhe sot po montohen raste ndaj atyre që e duan Kosovën të lirë dhe pa krim e korrupsion. Kjo ngase kemi një kryeministër që ka nostalgji aq të madhe për atë kohë kur ishte në pushtet, sa që do që të na kthejë në atë kohë.

Në vend se të merret me inskenimet e shpifjet e Policisë, LDK duhet të merret me kriminelët e shumtë brenda saj, që degraduan Prishtinën e që po ndjekin traditë të njëjtë në qeverisjen qendrore. Por, siç duket kjo parti ka gjetur rehatinë në djepin e krimit, pranë Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Isa Mustafa është injorant, servil, kriminel e antikombëtar, dhe e ardhmja e tij patjetër që do të përfundojë prapa grilave, bashkë me miqtë nga klani Pronto. Dhe vetëm atëherë hapen dyert për drejtësi, rend e ligj, dhe funksionim të Republikës. Fundi i tij dhe i mendësisë së tij është më afër se kurrë.

Kontribo

02 09 2016

Policia paramilitare e klanit pronto, vazhdon me logjikën inskenuese

Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje ka rrethuar disa hapësira që janë në shfrytëzim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ka bastisur ato, pa praninë apo njoftimin e asnjë zyrtari të Lëvizjes – gjë që është obligim ligjor në rastet kur bëhen bastisje.

Lokalet që janë në shfrytëzim nga ne, janë okupuar pra nga forcat paramilitare dhe ne nuk marrim përgjegjësi për asgjë që këto forca kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme aty.

Sikur në rastin e arrestimit e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm, që në fund doli të jetë inskenim dhe montim nga po ky grup paramilitar i kapur nga klani pronto, edhe gjësendet e gjetura në objektet tona janë në linjën e njëjtë të logjikës inskenuese.

Kontribo

01 09 2016

Policia e grupe anonime janë angazhuar jashtëligjshem kundër VETËVENDOSJES!

Gjatë gjithë natës policia dhe grupacione të panjohura janë angazhuar në një fushatë pa precedent bastisjesh dhe shpifjesh, kundër VETËVENDOSJES!
Arsyeja e vetme për këto gjeste diktatoriale, është dëshira e Thaçit, Veselit e Mustafës për t’ia dhuruar 8200 hektarë Malit të Zi, kundër ligjit, kundër vullnetit qytetar e kundër dëshirës së deputetëve.

Gjatë natës janë bastisur e vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhe ekranin LED për protestën. Këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 pas mesnate dhe policia po i mban të bllokuara ende.

Po ashtu policia ka bllokuar edhe magazinat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin materialet dhe parrullat për protestën e sotme.

Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër Vetëvendosjes. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist.

Këto aksione prej regjimit shtypës policor kanë si autor direkt Thaçin, Veselin e Mustafën. Ata janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, janë gati të përdhosin demokracinë, të bëhen si Sadami, Asadi apo Gadafi, vetëm e vetëm që të realizojnë projektet e tyre rrënuese për vendin, siç është Demarkacioni e Zajednica. Këto projekte janë çmimi i qëndrimit të tyre në pushtet.

I bëjmë thirrje qytetarëve të mos lejojnë pushtetin e frikës të bëhet pushtet i terrorit. Masivisht autobusët po nisen nga çdo vend i Kosovës për të ardhur në protestën e sotme. Bashkangjitu dhe ti, për demokracinë, për atdheun tënd.

Kontribo

31 08 2016

Sa më afër protesta, aq më agresiv po bëhet pushteti

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon sulmin fizik ndaj dy aktivistëve të Qendrës së Malishevës, Bekim Gashi dhe Liman Hoti, sulm ky i bërë nga të afërm të deputetit të LDK-së, Salih Morina.

Aktivistët tanë u sulmuan teksa po shpërndanin fletushka dhe po vendosnin posterë që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 1 shtatorit. Për pasojë, të dy aktivistët janë në Qendrën Emergjente të Malishevës.

Ky klan kriminelësh që po qeveris me vendin, tash ka filluar ta shfaqë brutalitetin e tij edhe fizikisht, nga paniku për fundin që po iu vjen. Sulmet e tilla nuk do të frikësojnë aktivistët tanë, dhe rezistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj bandave kriminale në pushtet veçse do të fuqizohet.

Ne mbajmë përgjegjës deputetin Morina për këtë sulm, dhe ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë që të merën me hetimin e këtij rasti të kriminelëve të pushtetit, në koordinim me një deputet që është vegël dhe shërbyes i klanit Pronto. Si dhe, i bëjmë me dije deputetit Morina se do të mbajë përgjegjësi historike për qëndrimin e tij ndaj demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

30 08 2016

PDK është grup kriminal që e ka kapur shtetin, fundi i tyre po vjen

Partia e krimit të organizuar dhe keqpërdorimeve të të gjitha llojeve, PDK, paska reaguar në lidhje me arrestimin e sotëm të 6 aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke marrë rolin e prokurorisë e gjykatave, rol në të cilin tash e sa kohë e ka angazhuar RTK-në dhe gjitha institucionet e kapura propagandistike.

Partia e udhëhequr nga klani Pronto, me shumicën e zyrtarëve të korruptuar e nën hetime, pa fije turpi paska kërkuar unifikim të spektrit politik dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Derisa përgjimet e publikuara tregojnë shumë mirë se si e trajtojnë opozitën e si tallen me ndërkombëtarët këta kriminelë që kanë degraduar çdo element të shtetit.

E si e shohin këta banditë funksionimin e demokracisë tregon më së miri njëri nga episodet e përgjimeve, Adem Grabovci merr urdhëra nga Kadri Veseli, dhe i thotë se “ti i merr vendimet unë i zbatoj”. Kjo është “demokracia” e banditëve të klanit Pronto, të cilën e kanë mbjellur në çdo institucion që e kanë kapur.

Banditët e klanit Pronto paskan mbështetur punën e organeve të rendit, sigurisë e drejtësisë në sajimin që i kanë bërë rastit ku u arrestuan aktivistët tanë, organe këto, që në krye të tyre janë zgjedhur njerëz me telefonatat e tyre, njerëz këta që të vetmen punë e kanë shërbimin ndaj klanit Pronto.

Grupi kriminal i udhëhequr nga njeriu i nëntokës, Kadri Veseli, nuk mund të flasë për ligjin, kur dihet se që nga viti 2007, ky grupim kriminal është mbi ligjin. Ndërsa, në vend të broçkullave për destabilizim të vendit, këta tregtarë të shtetit tonë duhet të heqin dorë nga falja e tokave të Kosovës dhe copëtimi i saj.

Petku fals institucional i tyre nuk ua fsheh veprimet e tyre kriminale e antikombëtare, të cilat cenojnë shtetësinë e Kosovës, e kanë zhytur vendin në mjerim dhe janë kërcënim për të ardhmen e këtij vendi. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të frikësohet asnjëherë nga sulmet e këtij pushteti, dhe do të luftojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga këta kriminelë.

Kontribo

30 08 2016

Pushteti po i trajton aktivistët me njësite anti – terror pa asnjë fakt

Policia tashmë krejtësisht e diskredituar e Kosovës, aktivistët e arrestuar po i cilëson si terroristë. Ky institucion nuk i ka quajtur kështu, asnjëherë as strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, nuk ka guxim t’i quajë kështu, as vrasësit e Enver Zymberit. Kjo polici e cila në konferencën për shtyp nuk ofroi asnjë argument për veprat të cilat i ka akuzuar dhe arrestuar aktivistët, angazhoi kundër tyre njësitet dhe drejtorinë anti-terror. Është hera e dytë që këto njësite anti-terror angazhohen kundër opozitës. Hera e parë ka qenë kur u bastisën zyrat e Lëvizjes, gjë për të cilën institucionet e policisë janë dënuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International etj.

Derisa krimi e korrupsioni po lulëzojnë në Kosovë, territori falet e Serbia mund të kthehet, institucionet e kapura të pushtetit po e trajtojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! si problem të Kosovës dhe nuk po ndalen së luftuari atë. Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos flasë me gjuhën e pushtetit dhe sqarojmë se monopolin për fjalën ‘terrorizëm’ nuk e ka ky pushtet dhe nuk mund ta përdorë sipas tekeve të tij të padrejta, pa asnjë argument e pa asnjë fakt të vetëm.

Kur kishte ndodhur sulmi në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe kur ende nuk kishte të dyshuar, Policia këtë nuk e kishte quajtur akt terrorist, por vetëm ‘sulm me mjet shpërthyes’. Tash, që ka vendosur ta bëjë fajtore Lëvizjen VETËVENDOSJE! e përdori edhe këtë fjalë si armë përbaltëse.
Thirrja e konferencës së jashtëzakonshme për të përsëritur fjalët dhe ligjërimin e pushtetit, pa prezantuar prova, është njollosje e kundërshtarëve politikë të pushtetit dhe keqpërdorimi më flagrant i kapjes së shtetit.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë të cilët janë krejt të pafajshëm lidhur me këtë ngjarje.

Kontribo

29 08 2016

Menaxhmenti i RTK paraqet rrezik për funksionimin e demokracisë dhe fjalës së lirë në Kosovë

Sot, menaxhmenti i RTK-së paska marrë sërish rolin e prokurorisë duke tentuar për të disatën herë ta lidh VETËVENDOSJE!-n me sulmet e fundit me bomba.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sa herë ka pasur të thotë diçka ndaj RTK-së e ka thënë publikisht. Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve. Tendenca e menaxhmentit të RTK-së që në vazhdimësi të jap gjykime të tilla, është e papranueshme dhe e shpërfaq sheshit rolin e këtij mediumi që të propagandojë në mbrojtje të klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës.

Menaxhmenti kriminal i RTK-së, me në krye keqpërdoruesin kryesor në këtë medium, Mentor Shala, janë të rrezikshëm për demokracinë, fjalën e lirë dhe informimin e drejtë të publikut në Kosovë. Ky menaxhment, duhet të jap llogari ligjore për keqpërdorimet milionëshe që kanë ndodhur në këtë medium, si dhe për shndërrimin e RTK-së në altoparlant të Qeverisë dhe klanit Pronto.

Ne ftojmë asociacionet e gazetarëve dhe këshillet mediale që të reagojnë ndaj linçimit që ky menaxhment po i bën Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ndaj akuzave të rënda në drejtim të subjektit tonë.

29 gusht 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

29 08 2016

Reagim ndaj deklaratës së mbrëmshme të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende nuk është deklaruar në lidhje me përgjimet e klanit Pronto, me shpejtësi drite paska reaguar ndaj deputetit Driton Çaushi, i cili ia përmendi Isa Mustafës 70 dosjet që tash e sa kohë i ka në Prokurori. Dosje këto, që LDK’në e futën në koalicion me ata që i akuzonte për vrasjen e aktivistëve të saj.

Në një komunikatë ku gërshëtohen injoranca, hipokrizia dhe praktika e servilizmit, LDK paska deklaruar se deputeti Çaushi dhe VETËVENDOSJE! janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje, duke harruar se nuk ka gjë më institucionale sesa të burgoset ai i cili ka 70 dosje për krim e keqpërdorim. Ndërsa, nga paniku i jashtëzakonshëm për rënien në elektorat në gjithë vendin, LDK e cila në komunikatën e saj përmend edhe neokomunizëm, harron se kryetari i saj ka qenë shërbyes i zellshëm i sistemit komunist jugosllav dhe anikombëtar i shquar.

LDK, e cila mori në mbrojtje Adem Grabovcin për punësimet e jashtëligjshme, qenka shërbyer me listën e PDK’së për “punësimet” e Shpend Ahmetit, të cilën e përgënjeshtruan vetë eksponentë të kësaj të fundit. Teksa në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës dhe borde të ndërmarrjeve vazhdojnë punën familjarë të zyrtarëve të LDK’së e militantë të saj, të punësuar gjatë keqeverisjes 14 vjeçare të LDK’së dhe klanit të Hamitëve.

Kjo parti me një kryetar pakurrizor, e cila tradhëtoi elektorartin e saj, duke i hyrë nën sqetull PDK’së dhe ShIK’ut, vazhdon të përtypë shpifje e broçkulla të ndryshme, dhe merr mund të flasë për prespektivën evropiane dhe miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, teksa nuk bëzajti kur Hashim Thaçi tallej me po këta.

E kapur në njërën anë nga Hashim Thaçi, e në anën tjetër nga Kadri Veseli, të prirë nga degraduesi i Prishtinës, Isa Mustafa, LDK po ecë sigurt drejt humnerës. Dhe, kjo padyshim është ndihma më e mirë për prespektivën e Kosovës.

Kontribo

26 08 2016

Kur partia e krimit të akuzon për vandalizëm!

Partia që udhëheqet nga kokat e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, së cilës përditë po i dalin përgjime që dëshmojnë kriminalitetin e saj, sot paska reaguar ndaj aktivistëve paqësorë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në komunikatën e saj PDK, udhëheqësit e së cilës po e falin tokën e Kosovës, paska shprehur shqetësim për pronat private të tyre. Sikur ky subjekt të shqetësohej kështu për territorin e Republikës sonë, Kosova sot do të ishte në gjendje shumë më të mirë.

Në fund PDK paska ftuar organet e sigurisë, të cilat janë nën kontrollin e po të njejtëve kriminelë që e udhëheqin këtë subjekt, që të shtojnë shtypjen ndaj aktivistëve tanë dhe qytetarëve të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i sheh këto reagime si panikë e pushtetit në prag të rënies së tij dhe mendojmë që PDK ka të drejtë të ketë panikë. Ajo po i lut qytetarët që të kenë besim në institucione pikërisht ngase e di që askush sot nuk i beson shtetit të kapur nga krimi. Shumë shpejt qytetarët do të shprehin mosbesimin e tyre në këtë qeveri përmes protestave e demonstratave masive dhe do të përfundojë periudha e qeverisjes nga krimi i organizuar.

Kontribo

26 08 2016

Lirohet Azem Syla – burgosen aktivistët e VETËVENDOSJE!-s

Vendimi i djeshëm i gjykatës për lirimin e Azem Sylës është veprimi i rradhës që tregon nivelin shqetësues të kapjes që i është bërë organeve të drejtësisë nga klani Pronto.

Përderisa në vazhdimësi po publikohen përgjime që flasin për përfshirje në krim të organizuar e keqpërdorim të detyrës zyrtare edhe nga shumë bashkëpartiakë të Azem Sylës, organet e drejtësisë kanë mbyllur sytë kundruall tyre, dhe morën vendimin skandaloz për lirimin e këtij të fundit.

Në anën tjetër, të njëjtat organe të drejtësisë kanë shqiptuar masa të arrestit shtëpiak ndaj deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vetëm pse këta të fundit penguan klanin Pronto në misionin e tyre kryesor – faljen e tokave të Kosovës dhe copëtimin e saj. Sot poashtu, Policia e Kosovës intervenoi brutalisht për të penguar aktivistët e VETËVENDOSJE!-s që të vendosin një pano prej letre para shtëpisë së Kadri Veselit. Me ç’rast arrestuan aktivistin Imer Fejza, ndërsa lënduan ish-luftëtarin e UÇK-së, Musa Ajeti.

Nuk ka më asnjë dilemë që i gjithë sistemi shtetëror, duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjykatat, është vënë në shërbim të klanit pronto dhe shtypjes së kujtdo që mendon ndryshe dhe kundërshton politikisht këtë klan.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë sa më masivisht në protestën e 1 shtatorit, ku do t’i tregohet në mënyrë të vendosur këtij klani kriminal që qytetarët nuk do të dorëzohen para tyre.

Kontribo

25 08 2016

Një vit pas nënshkrimit – “Zajednica” e demarkacioni janë ndalur

Në fundin e gushtit të vitit të kaluar, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, Kosovës ia kurdisën Kosovës dy dëme shumë të mëdha; marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës” dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, që parasheh humbje të territorit të Kosovës. Qeveria kishte në plan që t’i bënte fakt të kryer këto marrëveshje deri në dhjetor të vitit të shkuar por ato as sot nuk janë realizuar. Ato janë të parealizueshme.

Sot një vit, Kosovës i kanosej themelimi i Zajednicës. Por një vit më vonë, pamundësimi i themelimit të saj është dëshmuar si triumf i organizimit dhe vendosmërisë qytetare. Nënshkrimit të Isa Mustafës iu kundërvunë 205 mijë nënshkrime të qytetarëve të Republikës. Të gjithë ata, nënshkruan edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të nëshkruar në Vjenë nga Hashim Thaçi. Dhjetëra protesta e qindra arrestime bënë që qeveria të dorëzohet. Atë që Mustafa dhe Thaçi e kishin parashikuar si fat për Kosovën, qytetarët e saj e ndalën sepse e cilësuan si fatkeqësi për vendin dhe të ardhmen e secilit. Ato që planifikonte t’i realizonte për dy – tre muaj, Qeveria nuk arriti t’i përfundojë as për 12 muaj.

Pavarësisht se nënshkruesit duan ta kthejnë e ta ngjallin këtë projekt, “Zajednica” është projekt i vdekur falë kundërshtimit qytetar. E njëjta do të ndodhë edhe me marrëveshjen për demarkacionin. Më 1 shtator përgjigjia për demarkacion jepet në shesh. Aty tregohet vullneti dhe fitorja do të jetë e qytetarëve.

Kontribo

23 08 2016

RTK është bërë altoparlant i Qeverisë – por kjo nuk justifikon bombat

Me tentimin e për ta lidhur VETËVENDOSJE!-n me sulmin e mbrëmshëm në RTK, menaxhmenti i këtij televizioni e konfirmoi përfundimisht që RTK-në e kanë shndërruar në propagandues klasik të Qeverisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë kohë që i bënë thirrje RTK-së të mos i shërbejë Thaçit, Veselit dhe Mustafës si altoparlant agjitacioni. Kapja e RTK-së është dëshmuar përmes uzurpimit të pozitave drejtuese nga militantët partiakë; është dëshmuar nga përgjimet dhe po dëshmohet vazhdimisht nga politikat redaktoriale të këtij mediumi.

Qeveria dhe klani Pronto nuk gjeti fajtorët për asnjërin prej sulmeve që kanë ndodhur kohët e fundit. RTK-ja në vend që të kërkojë përgjegjësi nga kjo qeveri dhe klani pronto, për dështimin e sistemit të sigurisë në vend dhe për mosgjetjen e fajtorëve, e sulmoi Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk pajtohet me sulmin e mbrëmshëm ndaj RTK-së, jo sepse RTK-ja e sotme simbolizon fjalën e lirë, por sepse nuk mendojmë që sulmet e tilla me bomba ndihmojnë ndonjë kauzë të drejtë në Kosovë. Çlirimi i shtetit tonë nga klani pronto që ka uzurpuar çdo institucion publik, do të ndodh vetëm përmes protestave masive paqësore nëpër sheshet e Prishtinës.

Kontribo

22 08 2016

RTK-ja nuk është radio-televizion i Kosovës. Menaxhmenti i këtij televizioni e ka shndërruar atë në radiotelevizion të klanit “Pronto”.

Nga përgjimet e kemi kuptuar përfundimisht se si kokat e krimit në Kosovë, duke e shtënë në dorë sistemin e drejtësisë, kanë liruar nga ndjekja penale gjithë klanin e tyre kriminal. Në anën tjetër, duke instrumentalizuar po këtë sistem drejtësie, vazhdimisht kanë ndjekur politikisht dhe burgosur kundërshtarët politikë.

Në të njëjtën logjikë, ky klan kriminal, përmes menaxhmentit të RTK-së, e ka shndërruar këtë medium në propagandues mbrojtës të aferave të tyre. Në anën tjetër RTK po përdoret nga PDK e LDK për të etiketuar, shpifur, e sulmuar mediatikisht kundërshtarët politikë të pushtetit.

Kontribo

16 08 2016

Ekzekutuesi e pranoi fajin, kërkojmë dorëheqjen e kokave të krimit!

Dorëheqja e Adem Grabovcit është pranim i fajësisë për krim të organizuar, korrupsion dhe kapje të shtetit. Adem Grabovci fillimisht u orvat të shpëtonte nga presioni publik duke fyer inteligjencën e qytetarëve duke dhënë arsyetime absurde që gjoja qenka angazhuar për të rritur punësimin në Kosovë, por i përballur me zemërimin e publikut, u detyrua që më në fund të pranojë fajet e tij ndaj Republikës dhe institucioneve të Kosovës.

Sidoqoftë, dorëheqja e tij vetëm nga drejtimi i Grupit Parlamentar të PDK-së është e pamjaftueshme. Ai duhet të heq dorë edhe nga pozita e deputetit, nënkryetarit të PDK-së si dhe nga çdo funksion tjetër politik e publik. Në anën tjetër, ai duhet urgjentisht të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e tij të pista.

Dorëheqja e tij nuk mjafton, ngase – siç e pranon edhe vetë ai – Adem Grabovci ishte vetëm ekzekutues që urdhrat i merrte vazhdimisht nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Populli i Kosovës nuk mjaftohet me dorëheqjen e një ekzekutuesi përderisa kokat e krimit që e udhëhiqnin atë janë ende në krye të shtetit tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon urgjentisht dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si dhe arrestimin e tyre të menjëhershëm.

Kontribo

13 08 2016

Vetëm qytetarët mund ta ndalin kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e institucioneve

Sot me datë 13 gusht 2016, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e institucioneve. Anëtarët e Kryesisë së VETËVENDOSJE!-s, Shpend Ahmeti dhe Sami Kurteshi thanë se sistemi jonë politik është i kapur fund e krye dhe ftuan qytetarët që të bashkëngjiten në veprimin për ndaljen e kësaj të keqeje dhe kthimin e dinjitetit qytetar.

Në fjalën e tij, Shpend Ahmeti tregoi se si VETËVENDOSJE! gjithnjë ka shprehur shqetësimin e saj për kapjen e shtetit, kriminalizimin e institucioneve dhe përzierjen e pushteteve.

“Sa herë që të flasim ne si Lëvizje për kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e institucioneve, vazhdimisht marrim përgjigje nga pushteti se ne nuk i respektojmë institucionet. Por në fakt, jemi ne ata që po përpiqemi t’i shpëtojmë ato, pikërisht nga ky klan njerëzish”, tha Ahmeti në fillim të fjalës së tij.

Më tej Ahmeti përmendi disa raste nga përgjimet e fundit të publikuara nga ‘Insajderi’, të cilat tregojnë më së miri kapjen e shtetit.

“Në qoftë se në një universitet vendoset një njeri që nuk e di pse është vendosur, nëse në një bord zgjedhet dikush që nuk ka lidhje me funksionimin e atij bordi, atëherë duhet ta kuptoni se këto janë arsyet bazike pse Kosova është kështu siç është sot”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti.

Ahmeti poashtu tregoi se edhe me punën në Komunë të Prishtinës kanë vërejtur këtë kapje të institucioneve të drejtësisë, duke treguar rastin e padisë për ndërmarrjen “Pastrimi”, rast ky që u fitua në Gjykatë Themelore dy herë, por u refuzua nga Gjykata e Apelit, ku tashmë është e dokumentuar se janë instaluar njerëz të pushtetit.

Në fund të fjalës së tij Ahmeti tha se sot e kësaj dite nuk kemi asnjë reagim nga ambasadorët, veçanërisht nga ambasadorët e Kuintit, që në vazhdimësi flasin për ruajtjen e demokracisë, për stopimin e korrupsionit dhe drejtësinë si dhe për heshtjen e LDK’së, e cila po frikësohet të jap deklarata rreth përgjimeve për shkak të dosjeve të Isa Mustafës në prokurori.

Në anën tjetër, Sami Kurteshi e quajti sistemin e drejtësisë të kapur e të kalbur.

“Numri i lëndëve nëpër gjykata nuk po shkon duke u zvogëluar, por duke u rritë. Sepse shumë lëndë nuk procedohen fare. Këtu kemi një sistem të kalbur”, tha në fillim të fjalës së tij, Kurteshi.

Ai e quajti lojë fjalësh deklarimin e vazhdueshëm se si në Kosovë ka ndarje të qartë mes pushteteve, pasi që janë qeveritarët që po kontrollojnë edhe legjislativin, edhe gjyqësorin.

Tutje, Kurteshi tha se njerëzit në vendin tonë përveç se po e humbin besimin dhe shpresën për drejtësinë institucionale, kanë filluar ta humbin besimin dhe shpresën edhe në drejtësinë shoqërore, gjë që Kurteshi e quajti tragjike për Kosovën.

“Sa herë që e kemi kritikuar apo akuzuar këtë sistem, na kanë thënë vazhdimisht ‘drejtohuni në Prokurori’, por kjo ishte një ftesë cinike sepse po shihet se kush është sot në krye të këtyre institucioneve të drejtësisë”, deklaroi Kurteshi.

Në fund të konferencës, Kurteshi ritheksoi se gjyqësori është në gjendjen më të rëndë, dhe për këtë konstatoi se zgjidhja për këtë vjen nga veprimi i ndërgjegjshëm politik. Dhe për këtë, Kurteshi tha se VETËVENDOSJE! është ajo që në vazhdimësi ka luftuar për ndërgjegjësimin e politikës, si dhe fare në fund, ai bëri ftesë për secilin qytetar që t’i bashkëngjitet veprimit për kthimin e dinjitetit njerëzor.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
13 gusht, 2016

Kontribo

11 08 2016

Dënimi me 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Driton Çaushi dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Glauk Konjufca

Dënimi me 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Driton Çaushi dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Glauk Konjufca, është veprim në vazhdën e aktivitetit autoritar të Qeverisë së Kosovës.

Si e tillë, kjo masë e caktuar ndaj deputetëve Çaushi e Konjufca është e padrejtë dhe e papranueshme, teksa në anën tjetër është tregues i panikut që e ka kapluar Qeverinë, e cila nuk po arrinë ta shtyejë përpara faljen e tokës së Kosovës.

Mbajtja në arrest shtëpiak e deputetëve që mbrojtën integritetin dhe sovranitetin e Republikës dhe lënia në liri e kriminelëve që me vite shkatërruan e po shkatërrojnë shtetin tonë, është pasqyra më e mirë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë.

Këta pushtetarë që janë demaskuar me zë e figurë, që me çdo kusht duan t’i avancojnë përpara projektet e tyre antishtetrore e kriminale, me asnjë kusht nuk do të tolerohen që ta copëtojnë Republikën, herë duke falur territor e herë duke instaluar organizime sipas planeve shoviniste të Serbisë.

Prandaj, këtyre kriminelëve që janë instaluar në krye të shtetit me metoda kriminale, siç i është bërë me dije edhe më herët, iu përseritet prapë se burgosja dhe maltretimi nuk e ndalë dot përpjekjen për mbrojtje të Republikës. Rezistenca ndaj këtij pushteti do të jetë veç me e fuqishme dhe e pathyeshme.

Kontribo

10 08 2016

Arrestimi i Drejtuesit të Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, z. Glauk Konjufca, tregon që drejtësia në Kosovë po vdes përfundimisht.

Në një situatë ku krimet e pushtetarëve po faktohen për çdo ditë me incizime, prokuroria dhe policia – që asnjë veprim nuk e morën ndaj kriminelëve – po veprojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme për të arrestuar kundërshtarët e këtij krimi.

Sa më pak argumente e fakte që i mbesin kësaj Qeverie, aq më agresive, autoritare e policore bëhet ajo. Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, i kanë vënë të gjitha institucionet e Kosovës në funksion të realizimit të tradhtisë së tyre ndaj Republikës dhe kombit tonë.

Nuk ka dhunë e polici që do të mund t’ia bëj të pranueshme popullit të Kosovës faljen e mbi 8000 hektarëve të territorit të tij. Demarkacioni nuk do të kalojë edhe nëse mbushen burgjet me qytetarë e aktivistë opozitarë. Sa më herët që e kuptojnë këtë drejtuesit kriminalë të shtetit tonë, aq më pak pasoja do të vuaj Kosova.

Kontribo

09 08 2016

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë të arrestohen me urdhra politikë.

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë të arrestohen me urdhra politikë. Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Kuvend, deputetin Driton Çaushi për shkak të aksionit të tij politik për ta ndalur procedimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Këto urdhra të përndjekjes politike për VETËVENDOSJE!-n po zbatohen në kohën e lulëzimit të krimit dhe korrupsionit nga Qeveria. Organet e Drejtësisë kanë shumë punë për të bërë. Ata do të duhej të hetonin vetë Komisionin e Murat Mehës që e ka propozuar këtë marrëveshje, aferën ‘Pronto’, ‘dosjen e shefave’, skandalin e pasaportave e shumë skandale të tjera.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit Driton Çaushi. Poashtu, e paralajmërojmë qeverinë kuislinge që nuk mund të vazhdojë me kalimin e kësaj marrëveshjeje. Kosova nuk ka tokë për të falur, kurse verpimet e tyre nuk mund të na ndalin e as frikësojnë në mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të Republikës.

Kontribo

04 08 2016

Reagim i VETËVENDOSJE!-s ndaj shpifjeve të LDK-së

LDK-ja që e humbi çdo argument për demarkacionin, nën panikun që do ta humbë edhe Qeverinë, ka filluar të dal nga kontrolli me akuza e shpifje.

LDK-ja që për 15 vite ka qeverisur me krim të organizuar e korrupsion, njësoj si “shefat e shefave” që i ka në koalicion, po e akuzon për korrupsion qeverisjen aktuale e cila e kanë çrrënjosur përfundimisht krimin dhe korrupsionin e kësaj partie nga Komuna e Prishtinës. Ajo madje po shpifë në mënyrën më të paskrupullt për nënkryetarin e Prishtinës, z. Dardan Sejdiu.

LDK-ja ka kërkuar që Dardan Sejdiu të largojë kriminelët nga Komuna e Prishtinës, por ka harruar me qëllim që me të marrë qeverisjen, nga Komuna e Prishtinës janë larguar kriminelët që për 15 vite i kanë dhunuar e zhvatur qytetarët e Prishtinës dhe kjo komunë është shndërruar në institucionin gati të vetëm shtetëror ku kriminelë e matrapazë si ata që po e qeverisin vendin, nuk mund të kenë asnjëherë vend. LDK-ja qëllimisht ka harruar që i pari i saj, Isa Mustafa, sot e asaj dite i ka mbi 70 dosje në Prokurori, për krim e korrupsion në kryeqytet.

LDK-ja flet për “asfalt korruptiv (!)” por harron që vetëm për 3 vite në Prishtinë është punuar e ndërtuar dhjetëra herë më shumë, me sasi e cilësi, se sa për 15 vite të qeverisjes së saj kriminale.

LDK-ja shpreson që duke kërcënuar me “përgjegjësi ligjore” aktivistët opozitar që e kundërshtojnë qeverinë kriminale, do t’i frikësojë qytetarët. Por ajo po harron që është një përgjegjësi pakrahasimisht më e madhe që do ta mbajë ky subjekt: përgjegjësinë historike për shkatërrimin ekonomik, politik e social që po ia bën Republikës sonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
4 gusht 2016
Prishtinë

Kontribo

26 07 2016

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe pranë lapidarit të Heroit Enver Zymberi

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe pranë lapidarit të Heroit Enver Zymberi, policit të vrarë nga strukturat kriminale ilegale të Serbisë në veri të Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, në krye të detyrës, në përpjekjen për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit.

Shembulli i Enver Zymberit ishte dhe mbetet inkurajues jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjithë brezat e ardhshëm, që synojnë krijimin e atdheut të lirë e sovran. Akti i tij heroik ka bërë që emri i tij të shkruhet në pllakën ku shkruhen emrat e gjithë atyre shqiptarëve që u flijuan për Kosovën me liri, pavarësi e sovranitet të plotë, për Kosovën ku gjithë qytetarët janë të barabartë.

Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar pesë vite nga vrasja e heroit Zymberi, vrasësit e tij ende nuk dihen dhe jetojnë në liri, teksa qeveritarët e Kosovës kanë vazhduar negociatat me Serbinë, duke pranuar koncesione e projekte të dëmshme si “Zajednica”.

Gjyqi i realizuar nga EULEX me të dyshuarit për këtë krim të Serbisë doli të jetë një dështim dhe zhgënjim.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh gjithmonë respektin dhe nderimin e thellë për punën, veprën dhe vetëmohimin e Enver Zymberit, duke theksuar përherë që emri i heronjve dhe dëshmorëve tanë nuk duhet të harrohet asnjëherë, ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë.


26 korrik 2016
Lëvizja VETЁVENDOSJE!

Kontribo

24 07 2016

ZGJEDHET STRUKTURA E RE UDHËHEQËSE E LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e III-të zgjedhore e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kjo mbledhje ishte njëkohësisht edhe përmbyllje e procesit të brendshëm zgjedhor në Lëvizje.

Përgjatë këtyre tre muajve sa zgjati procesi zgjedhor kemi vërtetuar se demokracia e brendshme që sjellë rritje e zgjerim, është mënyra më e mirë për të forcuar strukturat e bashkuar njerëzit. Janë zgjedhur strukturat në mbi 300 Pika nëpër lagje e fshatra anekënd Kosovës që do ta bartin fjalën e Lëvizjes në popull, e porositë e qytetarëve në Lëvizje. Nga gjithsej 26 Qendra të Lëvizjes, 5 kryetare janë gra. Nga ky proces, Lëvizjes i janë bashkuar mbi 4000 anëtarë të rinj, ndërsa 2000 aktivistë janë ngarkuar me detyra konkrete të nivele të ndryshme organizative. Kjo është forca lëvizëse e VETVËVENDOSJE-s në popull drejt ndryshimeve të pashmangshme që na presin. Ky proces zgjedhor ka rritur e forcuar kapacitetet organizative të Lëvizjes që janë kushti dhe mundësia për t’i realizuar qëllimet tona programore.

Me këtë organizim të ri, Lëvizja është e gatshme që t’i zhvillojë edhe më e fuqishme betejat e saj. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk duhet të kalojë dhe strukturat e reja të organizatës sonë janë syçelë dhe të gatshme që të mos e lejojnë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të dëmshme.


Struktura udhëheqëse e Lëvizjes, e zgjedhur në këtë mbledhje:

Nënkryetar i Parë: Dardan Sejdiu

Nënkryetare e Dytë: Fatmire Mullhaxha Kollçaku

Sekretar Organizativ: Dardan Molliqaj

Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë: Boiken Abazi

Koordinatore për Komitete: Dejona Mihali

Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm: Hydajet Hyseni

Zv. Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm: Faruk Mujka

Anëtarë të tjerë të Kryesisë:

Albin Kurti

Shpend Ahmeti

Glauk Konjufca

Aida Dërguti

Elvis Hoxha

Dukagjin Gorani

Xhelal Sfeçla

Albulena Haxhiu

Donika Kadaj Bujupi

Ylli Hoxha

Zgjim Hyseni

Sami Kurteshi

Liburn Aliu

Nazlie Bala

Belgzim Kamberi

Rexhep Selimi

24 korrik 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo