22 09 2016

Qeveria e stenteve uzurpon dhe kompetencat e odave të mjekëve

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e mjerueshme. Përkundër premtimeve nga qeveria për modernizim të këtij sektori, gjendja vijon përkeqësimin.

Deputetja dr. Besa Baftiu dhe Drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi, prof. Jusuf Ulaj, adresuan sot në konferencë për media dy nga problemet në këtë sektor, siç janë uzurpimi i kompetencave të Odave të mjekëve dhe zhvatja e buxhetit të shtetit e të pacientëve për referimet QKUK – spitale private.

Prof. Ulaj tha se një nga arsyet e regresit në këtë fushë është mosfunksionalizmi i Odave të profesionistëve shëndetësorë, që duhej të funksionalizoheshin katër muaj pas miratimit të Ligjit, saktësisht 4 muaj pas majit të 2013-së. Ai deklaroi se Ministri aktual i Shëndetësisë vijon të thotë shumë të pavërteta, duke tentuar të hedh fajin mbi vetë Odat.

“Nuk kuptohet ende ku po bazohet Ministria e Shëndetësisë dhe vet ministri që vijon të shkelë të gjitha normat ligjore dhe procedurale sa i takon bartjes së kompetencave dhe lejimit të funksionimit bashkë me financat autonome të këtyre institucioneve kaq të rëndësishme për punonjësit mjekësor. Është viti 2016 dhe në vendin tonë paditet Ministria e Shëndetësisë sepse nuk pranon t’u lëshojë kompetencat që i kanë me ligj profesionistët shëndetësor”, është shprehur Ulaj.

Ai më tej ka shtuar se Ministria vazhdon t’i trajtojë profesionistët shëndetësor si vartës të saj si dhe i ka rikujtuar ministrisë përgjegjësinë për kontroll ndaj institucioneve shëndetësore, për dërgimin në ndjekje penale të keqbërësve dhe për hartimin e politikave që lehtësojnë punë. E, që ministria asnjë nga këto nuk po i realizon, teksa i mban të uzurpuara kompetencat e odave të profesionistëve shëndetësorë, duke mbajtur nën kontroll kësisoj avancimin dhe karrierën e tyre.

Ende pa mbaruar procesi gjyqësor për rastin e tmerrshëm “Stenta” Ministria vijon bashkë me QKUK-në referimet tek privatët meqë aparaturat kryesore ekzaminuese nuk janë funksion.

Doktoreshë Baftiu tha në mjekësinë publike mungojnë barnat e materiali shpenzues, aparaturat nuk funksionojnë, e për këtë, pacientët shtrëngohen të shkojnë në spitale private duke paguar sigurisht shumë shtrenjtë.

“Ka më shumë se 2 muaj që aparati i koronarografisë është jashtë funksionit. Çdo ditë referohen nga 3-4 raste, dhe vetëm prej 1-15 shtator janë referuar 35 pacientë, ku një rast kushton 4000-5000 euro. I bie që rreth 250.000 euro në muaj, Ministria e Shëndetësisë paguan për spitalet private, ndërsa një koronarograf i ri kushton 300.000 euro”, theksoi deputetja Baftiu, duke shtuar se në klinikën e kardiologjisë ekziston material i skaduar që kap vlerën prej 200.000 euro.

Baftiu konstatoi po ashtu se CT në emergjencë është gjysmëfunksionale, aparati për thyerjen e gurëve në veshkë dhe fiberebronkoskopi në pulmologji janë jashtë funksionit, si dhe tha që ka mungesë të morfinës në kardiologji e që testet e hepatitit nuk kryhen në QKUK.

Doktoreshë Besa Baftiu ka deklaruar se ka dallim të madh në mes të programit për shëndetësi moderne të premtuar nga qeveria, dhe gjendjes që mbizotëron aktualisht në këtë sektor. Ajo ka thënë se problemet po shtohen çdo ditë, veçanërisht në institucionet shëndetësore që menaxhohen nga Ministria e Shëndetësisë, sekondare e terciare.

Si përfundim, u tha që këtu kushte persekutojnë mjekun dhe u kërkua implementimi i ligjit për Odat, për funksionimin normal të tyre.

Komiteti për Shëndetësi
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 09 2016

Reagim i deputetit Albin Kurti për deklaratën e Hashim Thaçit:

“I ashtuquajturi president i Kosovës, përveç tjerash, paska thënë që deklarata ime është njëkohësisht edhe qesharake edhe e rrezikshme. Si mund të jetë qesharake diçka që është e rrezikshme? Po, pra, qenka e mundur atëherë kur injoranti ordiner të instalohet si ‘president’. E pranoj që znj. Jahjaga na paska qenë më e logjikshme se ky teveqel!

Dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator 2016, atë marrëveshje të 26 gushtit 2015 e vulosi si marrëveshje personale të Thaçit. Tash, le ta varë atë dokument tradhtie e krimi në mur të tij, ky që do të duhej ta mbante atë si aktakuzë në qeli burgu.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 09 2016

RTK – 19:30 – Ndërroje kanalin

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik para objektit të televizionit publik RTK, ka shprehur pakënaqësinë me politikat editoriale të transmetuesit publik.

Aktivistja Teutë Rrusta në prononcimin e saj ka deklaruar se RTK po ushtron presion ndaj opozitës, me sjelljen e saj si përmbarues i punëve të Qeverisë. Ajo tha se pas presionit medial të RTK-së janë arrestuar zyrtarët për media nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi e Adea Batusha, gjë që ndodhi pas debatit të Frashër Krasniqit me kryeredaktorin e RTK-së, Ridvan Berisha.

“RTK-ja me vite të tëra ka ofruar vetëm dy gjëra për qytetarët: terr dhe terror. Në terr informativ i ka lënë qytetarët, kurse terror ka ofruar për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ky medium publik sillet si një polici private. Sillet tamam si përmbarues i punëve të Qeverisë”, u shpreh aktivistja Rrusta.

Më tej, ajo shtoi se RTK po shërben si dikaster qeveritar, veçanërisht gjatë edicioneve të lajmeve, çdo ditë në orën 19:30, ku hyjnizohet puna e Kadri Veslit, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Teksa minimizohen lajmet që lidhen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, qoftë në rradhitjen e temave apo në minutat në dispozicion dhe mënyrën se si pasqyrohen ato.

Teutë Rrusta theksoi se transmetuesi publik po ashtu nuk problematizon çështjet me rendësi për qytetarët, kurse hallet e tyre i trajton si probleme pa fajtorë. RTK nuk ka aspak qasje kritike, dhe përkundër që jemi shteti më i korruptuar në rajon, ajo nuk paraqet skandalet e shumta qeveritare në edicionet e lajmeve, duke i dhënë hapësirë vetë sulmit të qeverisë ndaj opozitës, shënimit të datave e aktiviteteve ku prehen shirita apo realizohen vizita nga zyrtarë të qeverisë.

“Për këto arsye dhe shumë të tjera, ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos i shikojnë lajmet e RTK-së. Në pikën në të cilën ka mbërritur ky medium publik, ndërrimi i kanalit në orën 19:30 është akt çlirimi nga propaganda qeveritare”, përfundoi Rrusta.

Në fund, u ekspozua një televizion i fikur me një mbishkrim që shënonte orën e edicionit të lajmeve dhe thirrjen “NDËRROJE KANALIN”.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 09 2016

Policia arreston studentët e UP vetëm pse vendosën një pano prej letre te kisha e Millosheviqit!

Asnjë intervenim nuk ndërmorri kjo polici disa ditë më herët, kur zyrtarë të manastirit të Graçanicës, jashtëligjshëm u futën në këtë objekt dhe filluan punimet për rinovimin e tij. Madje i mbrojti ata.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët thjeshtë vendosën një pano prej letre para kësaj kishe. Ky objekt, i ndërtuar gjatë regjimit të Millosheviqit, simbolizon planet e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe uzurpon hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

Është shqetësuese dhe e papranueshme që Policia të vazhdojë shërbimin me aq përkushtim ndaj klanit Pronto e për interesat e Serbisë. E në anën tjetër të jetë aq shtypëse e brutale ndaj kujtdo që ngrit zërin e angazhohet për interesin e shtetit dhe kombit tonë.

Bëjmë thirrje për lirim të mënjehershëm të studentëve të arrestuar dhe ftojmë Policinë që të mos vazhdojë me këto veprime që po kontribuojnë që Kosova të shndërrohet në shtet autoritar në shërbim të Serbisë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 09 2016

SHTETI GJYSMË AUTORITAR SOT KREMTON PËR DEMOKRACINË

Demokracia është hapësira dhe përmbajtja që u garanton të drejta, barazi dhe mirëqenie qytetarëve. Të tria këto, po mungojnë në Kosovë. Nuk mund të jetë demokratik shteti që arreston deputetët. Nuk mund të jetë demokratitk shteti që persekuton qytetarët dhe që e lufton opozitën.

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ky pushtet që ironikisht, ligjërimin e ka të mbushur me fraza mbi demokracinë, përparimin, prosperitetin, mendimin ndryshe, ka arrestuar për 12 muaj më shumë se 400 aktivistë vetëm pse mendojnë ndryshe nga Qeveria. Aktivistët e arrestuar, në shumicën e rasteve janë rrahur brutalisht për kundërshtimin e projekteve që donin të kalonin pa pikë transparence.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House ku flitet për Kosovën, shteti jonë zë vendin më të keq në Ballkan. Ai cilësohet si gjysmë autoritar. Strukturat qeveritare, thuhet aty, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin. Nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur. Nuk mund të ketë zhvillim me klanin mafioz “Pronto”.

Demokracia do të triumfojë vetëm me zërin e qytetarëve të vendosur, sikur në protestat kundër “Zajednicë” dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 09 2016

Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata.

Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata. Por, edhe për deputetin Glauk Konjufca, edhe për gjashtë të arrestuarit e tjerë, Gjykata e Apelit i ka lënë në fuqi masat e padrejta të shqiptuara ndaj tyre.

Përderisa, gjashtë të arrestuarit po mbahen pa asnjë provë e asnjë argument, krejtësisht të pafajshëm, Gjykata sot, përmes gjuhës së shkeljes të së drejtës, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për t’ua hequr atyre masat e ndalimit.

Gjykatat e këtij sistemi, në të njëjtën ditë që ofendohen nga sjellja arrogante e hipokrite të shefit të shefave, anëtarit të “Prontos”, Adem Grabovcit, tregohen të fuqishme me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s. Dinjitetin e nëpërkëmbur nga tallja e Grabovcit, gjykatësit nuk mund ta rikuperojnë me ndjekjen e aktivistëve sepse ata i kanë arrestuar padretjësisht.

Duke lënë në liri kriminelët dhe duke bërë inskenime të dobëta mundohen t’i mbushin raportet e punës. Por, montimet e rasteve politike janë shenja të dobësisë së pushtetit dhe jo të së drejtës, e as të fuqisë. Ashtu sikurse përpjekja jonë është e pandalshme, tashmë, askush nuk mund ta ndalë këtë pushtet në tatëpjetën që ka marrë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 09 2016

“Pronto” shqiptoi padrejtësisht edhe 30 ditë arrest shtëpiak për Glauk Konjufcën

Sistemi i drejtësisë i kapur nga klani Pronto ia ka vazhduar deputetit Glauk Konjufca edhe 30 ditë arrestin shtëpiak. Ky pushtet që ishte duke e mbajtur padrejtësisht deputetin Konjufca ka vendosur ta bllokojë atë për t’ia ndalur hovin e kundërshtimit të “Prontos”. Arrestimi dhe mbajtja e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s në kohën e dëshmive dhe lulëzimit të krimit të organizuar të pushtetit, është frikë e pushtetit. Por, tashmë kjo nuk mund të krijojë kurrfare hutie.

Policia dhe prokuroria, çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë që t’i bindesh klanit “Pronto” është shkelje e rëndë dhe nuk mund të vazhdojë gjatë.

Mjegulla që duan ta krijojnë nuk po zë vend. Gjithçka është shumë e qartë. Ky demarkacion është i pambrojtshëm pasi gabimet e mëdha në këtë marrëveshje janë argumentuar nga shumë anë. Agresioni policor është shenjë që pushteti po bjen. Këto janë përpëlitjet e tij të fundit për ta ruajtur pushtetin kështu siç është. Brutaliteti i këtij pushteti do të përfundojë shumë shpejt sepse askush nuk do të jetojë me një shtet që krejt çka ofron janë taktikat policore.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 09 2016

Isa Mustafa ka nostalgji për vitet e 80-ta, mendësia e tij po merr fund

E tunduar nga nostalgjia për regjimin komunist jugosllav, partia e udhëhqur nga shërbyesi i atij regjimi që e do kultivimin e tij edhe në Kosovën e sotme, e paska quajtur VETËVENDOSJE!-n kriminale e neokomuniste. LDK e Isa Mustafës, e cila më shumë po kontrollohet nga ai që Mustafa e quante kriminel, Kadri Veseli, duhet ta ketë të qartë se frika e tyre nga VETËVENDOSJE! vjen si pasojë e luftimit të pakompromis të krimit nga ana jonë.

Partia e kryetarit me 70 dosje, me veprimtarinë kriminale dhe tradhtinë ndaj elektoratit duke u shndërruar në vegël të ShIK’ut është në panikun e rënies drastike në përkrahje nga populli, gjë që më pas i çon në lëshim të kumtesave histerike, të çoroditura e të mërzitshme.

Sikur viteve të 80-ta, edhe sot po montohen raste ndaj atyre që e duan Kosovën të lirë dhe pa krim e korrupsion. Kjo ngase kemi një kryeministër që ka nostalgji aq të madhe për atë kohë kur ishte në pushtet, sa që do që të na kthejë në atë kohë.

Në vend se të merret me inskenimet e shpifjet e Policisë, LDK duhet të merret me kriminelët e shumtë brenda saj, që degraduan Prishtinën e që po ndjekin traditë të njëjtë në qeverisjen qendrore. Por, siç duket kjo parti ka gjetur rehatinë në djepin e krimit, pranë Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Isa Mustafa është injorant, servil, kriminel e antikombëtar, dhe e ardhmja e tij patjetër që do të përfundojë prapa grilave, bashkë me miqtë nga klani Pronto. Dhe vetëm atëherë hapen dyert për drejtësi, rend e ligj, dhe funksionim të Republikës. Fundi i tij dhe i mendësisë së tij është më afër se kurrë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 09 2016

Policia paramilitare e klanit pronto, vazhdon me logjikën inskenuese

Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje ka rrethuar disa hapësira që janë në shfrytëzim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ka bastisur ato, pa praninë apo njoftimin e asnjë zyrtari të Lëvizjes – gjë që është obligim ligjor në rastet kur bëhen bastisje.

Lokalet që janë në shfrytëzim nga ne, janë okupuar pra nga forcat paramilitare dhe ne nuk marrim përgjegjësi për asgjë që këto forca kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme aty.

Sikur në rastin e arrestimit e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm, që në fund doli të jetë inskenim dhe montim nga po ky grup paramilitar i kapur nga klani pronto, edhe gjësendet e gjetura në objektet tona janë në linjën e njëjtë të logjikës inskenuese.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 09 2016

Policia e grupe anonime janë angazhuar jashtëligjshem kundër VETËVENDOSJES!

Gjatë gjithë natës policia dhe grupacione të panjohura janë angazhuar në një fushatë pa precedent bastisjesh dhe shpifjesh, kundër VETËVENDOSJES!
Arsyeja e vetme për këto gjeste diktatoriale, është dëshira e Thaçit, Veselit e Mustafës për t’ia dhuruar 8200 hektarë Malit të Zi, kundër ligjit, kundër vullnetit qytetar e kundër dëshirës së deputetëve.

Gjatë natës janë bastisur e vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhe ekranin LED për protestën. Këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 pas mesnate dhe policia po i mban të bllokuara ende.

Po ashtu policia ka bllokuar edhe magazinat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin materialet dhe parrullat për protestën e sotme.

Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër Vetëvendosjes. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist.

Këto aksione prej regjimit shtypës policor kanë si autor direkt Thaçin, Veselin e Mustafën. Ata janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, janë gati të përdhosin demokracinë, të bëhen si Sadami, Asadi apo Gadafi, vetëm e vetëm që të realizojnë projektet e tyre rrënuese për vendin, siç është Demarkacioni e Zajednica. Këto projekte janë çmimi i qëndrimit të tyre në pushtet.

I bëjmë thirrje qytetarëve të mos lejojnë pushtetin e frikës të bëhet pushtet i terrorit. Masivisht autobusët po nisen nga çdo vend i Kosovës për të ardhur në protestën e sotme. Bashkangjitu dhe ti, për demokracinë, për atdheun tënd.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

31 08 2016

Sa më afër protesta, aq më agresiv po bëhet pushteti

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon sulmin fizik ndaj dy aktivistëve të Qendrës së Malishevës, Bekim Gashi dhe Liman Hoti, sulm ky i bërë nga të afërm të deputetit të LDK-së, Salih Morina.

Aktivistët tanë u sulmuan teksa po shpërndanin fletushka dhe po vendosnin posterë që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 1 shtatorit. Për pasojë, të dy aktivistët janë në Qendrën Emergjente të Malishevës.

Ky klan kriminelësh që po qeveris me vendin, tash ka filluar ta shfaqë brutalitetin e tij edhe fizikisht, nga paniku për fundin që po iu vjen. Sulmet e tilla nuk do të frikësojnë aktivistët tanë, dhe rezistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj bandave kriminale në pushtet veçse do të fuqizohet.

Ne mbajmë përgjegjës deputetin Morina për këtë sulm, dhe ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë që të merën me hetimin e këtij rasti të kriminelëve të pushtetit, në koordinim me një deputet që është vegël dhe shërbyes i klanit Pronto. Si dhe, i bëjmë me dije deputetit Morina se do të mbajë përgjegjësi historike për qëndrimin e tij ndaj demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 08 2016

PDK është grup kriminal që e ka kapur shtetin, fundi i tyre po vjen

Partia e krimit të organizuar dhe keqpërdorimeve të të gjitha llojeve, PDK, paska reaguar në lidhje me arrestimin e sotëm të 6 aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke marrë rolin e prokurorisë e gjykatave, rol në të cilin tash e sa kohë e ka angazhuar RTK-në dhe gjitha institucionet e kapura propagandistike.

Partia e udhëhequr nga klani Pronto, me shumicën e zyrtarëve të korruptuar e nën hetime, pa fije turpi paska kërkuar unifikim të spektrit politik dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Derisa përgjimet e publikuara tregojnë shumë mirë se si e trajtojnë opozitën e si tallen me ndërkombëtarët këta kriminelë që kanë degraduar çdo element të shtetit.

E si e shohin këta banditë funksionimin e demokracisë tregon më së miri njëri nga episodet e përgjimeve, Adem Grabovci merr urdhëra nga Kadri Veseli, dhe i thotë se “ti i merr vendimet unë i zbatoj”. Kjo është “demokracia” e banditëve të klanit Pronto, të cilën e kanë mbjellur në çdo institucion që e kanë kapur.

Banditët e klanit Pronto paskan mbështetur punën e organeve të rendit, sigurisë e drejtësisë në sajimin që i kanë bërë rastit ku u arrestuan aktivistët tanë, organe këto, që në krye të tyre janë zgjedhur njerëz me telefonatat e tyre, njerëz këta që të vetmen punë e kanë shërbimin ndaj klanit Pronto.

Grupi kriminal i udhëhequr nga njeriu i nëntokës, Kadri Veseli, nuk mund të flasë për ligjin, kur dihet se që nga viti 2007, ky grupim kriminal është mbi ligjin. Ndërsa, në vend të broçkullave për destabilizim të vendit, këta tregtarë të shtetit tonë duhet të heqin dorë nga falja e tokave të Kosovës dhe copëtimi i saj.

Petku fals institucional i tyre nuk ua fsheh veprimet e tyre kriminale e antikombëtare, të cilat cenojnë shtetësinë e Kosovës, e kanë zhytur vendin në mjerim dhe janë kërcënim për të ardhmen e këtij vendi. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të frikësohet asnjëherë nga sulmet e këtij pushteti, dhe do të luftojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga këta kriminelë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 08 2016

Pushteti po i trajton aktivistët me njësite anti – terror pa asnjë fakt

Policia tashmë krejtësisht e diskredituar e Kosovës, aktivistët e arrestuar po i cilëson si terroristë. Ky institucion nuk i ka quajtur kështu, asnjëherë as strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, nuk ka guxim t’i quajë kështu, as vrasësit e Enver Zymberit. Kjo polici e cila në konferencën për shtyp nuk ofroi asnjë argument për veprat të cilat i ka akuzuar dhe arrestuar aktivistët, angazhoi kundër tyre njësitet dhe drejtorinë anti-terror. Është hera e dytë që këto njësite anti-terror angazhohen kundër opozitës. Hera e parë ka qenë kur u bastisën zyrat e Lëvizjes, gjë për të cilën institucionet e policisë janë dënuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International etj.

Derisa krimi e korrupsioni po lulëzojnë në Kosovë, territori falet e Serbia mund të kthehet, institucionet e kapura të pushtetit po e trajtojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! si problem të Kosovës dhe nuk po ndalen së luftuari atë. Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos flasë me gjuhën e pushtetit dhe sqarojmë se monopolin për fjalën ‘terrorizëm’ nuk e ka ky pushtet dhe nuk mund ta përdorë sipas tekeve të tij të padrejta, pa asnjë argument e pa asnjë fakt të vetëm.

Kur kishte ndodhur sulmi në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe kur ende nuk kishte të dyshuar, Policia këtë nuk e kishte quajtur akt terrorist, por vetëm ‘sulm me mjet shpërthyes’. Tash, që ka vendosur ta bëjë fajtore Lëvizjen VETËVENDOSJE! e përdori edhe këtë fjalë si armë përbaltëse.
Thirrja e konferencës së jashtëzakonshme për të përsëritur fjalët dhe ligjërimin e pushtetit, pa prezantuar prova, është njollosje e kundërshtarëve politikë të pushtetit dhe keqpërdorimi më flagrant i kapjes së shtetit.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë të cilët janë krejt të pafajshëm lidhur me këtë ngjarje.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 08 2016

Menaxhmenti i RTK paraqet rrezik për funksionimin e demokracisë dhe fjalës së lirë në Kosovë

Sot, menaxhmenti i RTK-së paska marrë sërish rolin e prokurorisë duke tentuar për të disatën herë ta lidh VETËVENDOSJE!-n me sulmet e fundit me bomba.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sa herë ka pasur të thotë diçka ndaj RTK-së e ka thënë publikisht. Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve. Tendenca e menaxhmentit të RTK-së që në vazhdimësi të jap gjykime të tilla, është e papranueshme dhe e shpërfaq sheshit rolin e këtij mediumi që të propagandojë në mbrojtje të klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës.

Menaxhmenti kriminal i RTK-së, me në krye keqpërdoruesin kryesor në këtë medium, Mentor Shala, janë të rrezikshëm për demokracinë, fjalën e lirë dhe informimin e drejtë të publikut në Kosovë. Ky menaxhment, duhet të jap llogari ligjore për keqpërdorimet milionëshe që kanë ndodhur në këtë medium, si dhe për shndërrimin e RTK-së në altoparlant të Qeverisë dhe klanit Pronto.

Ne ftojmë asociacionet e gazetarëve dhe këshillet mediale që të reagojnë ndaj linçimit që ky menaxhment po i bën Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ndaj akuzave të rënda në drejtim të subjektit tonë.

29 gusht 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 08 2016

Reagim ndaj deklaratës së mbrëmshme të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende nuk është deklaruar në lidhje me përgjimet e klanit Pronto, me shpejtësi drite paska reaguar ndaj deputetit Driton Çaushi, i cili ia përmendi Isa Mustafës 70 dosjet që tash e sa kohë i ka në Prokurori. Dosje këto, që LDK’në e futën në koalicion me ata që i akuzonte për vrasjen e aktivistëve të saj.

Në një komunikatë ku gërshëtohen injoranca, hipokrizia dhe praktika e servilizmit, LDK paska deklaruar se deputeti Çaushi dhe VETËVENDOSJE! janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje, duke harruar se nuk ka gjë më institucionale sesa të burgoset ai i cili ka 70 dosje për krim e keqpërdorim. Ndërsa, nga paniku i jashtëzakonshëm për rënien në elektorat në gjithë vendin, LDK e cila në komunikatën e saj përmend edhe neokomunizëm, harron se kryetari i saj ka qenë shërbyes i zellshëm i sistemit komunist jugosllav dhe anikombëtar i shquar.

LDK, e cila mori në mbrojtje Adem Grabovcin për punësimet e jashtëligjshme, qenka shërbyer me listën e PDK’së për “punësimet” e Shpend Ahmetit, të cilën e përgënjeshtruan vetë eksponentë të kësaj të fundit. Teksa në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës dhe borde të ndërmarrjeve vazhdojnë punën familjarë të zyrtarëve të LDK’së e militantë të saj, të punësuar gjatë keqeverisjes 14 vjeçare të LDK’së dhe klanit të Hamitëve.

Kjo parti me një kryetar pakurrizor, e cila tradhëtoi elektorartin e saj, duke i hyrë nën sqetull PDK’së dhe ShIK’ut, vazhdon të përtypë shpifje e broçkulla të ndryshme, dhe merr mund të flasë për prespektivën evropiane dhe miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, teksa nuk bëzajti kur Hashim Thaçi tallej me po këta.

E kapur në njërën anë nga Hashim Thaçi, e në anën tjetër nga Kadri Veseli, të prirë nga degraduesi i Prishtinës, Isa Mustafa, LDK po ecë sigurt drejt humnerës. Dhe, kjo padyshim është ndihma më e mirë për prespektivën e Kosovës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 08 2016

Kur partia e krimit të akuzon për vandalizëm!

Partia që udhëheqet nga kokat e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, së cilës përditë po i dalin përgjime që dëshmojnë kriminalitetin e saj, sot paska reaguar ndaj aktivistëve paqësorë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në komunikatën e saj PDK, udhëheqësit e së cilës po e falin tokën e Kosovës, paska shprehur shqetësim për pronat private të tyre. Sikur ky subjekt të shqetësohej kështu për territorin e Republikës sonë, Kosova sot do të ishte në gjendje shumë më të mirë.

Në fund PDK paska ftuar organet e sigurisë, të cilat janë nën kontrollin e po të njejtëve kriminelë që e udhëheqin këtë subjekt, që të shtojnë shtypjen ndaj aktivistëve tanë dhe qytetarëve të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i sheh këto reagime si panikë e pushtetit në prag të rënies së tij dhe mendojmë që PDK ka të drejtë të ketë panikë. Ajo po i lut qytetarët që të kenë besim në institucione pikërisht ngase e di që askush sot nuk i beson shtetit të kapur nga krimi. Shumë shpejt qytetarët do të shprehin mosbesimin e tyre në këtë qeveri përmes protestave e demonstratave masive dhe do të përfundojë periudha e qeverisjes nga krimi i organizuar.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 08 2016

Lirohet Azem Syla – burgosen aktivistët e VETËVENDOSJE!-s

Vendimi i djeshëm i gjykatës për lirimin e Azem Sylës është veprimi i rradhës që tregon nivelin shqetësues të kapjes që i është bërë organeve të drejtësisë nga klani Pronto.

Përderisa në vazhdimësi po publikohen përgjime që flasin për përfshirje në krim të organizuar e keqpërdorim të detyrës zyrtare edhe nga shumë bashkëpartiakë të Azem Sylës, organet e drejtësisë kanë mbyllur sytë kundruall tyre, dhe morën vendimin skandaloz për lirimin e këtij të fundit.

Në anën tjetër, të njëjtat organe të drejtësisë kanë shqiptuar masa të arrestit shtëpiak ndaj deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vetëm pse këta të fundit penguan klanin Pronto në misionin e tyre kryesor – faljen e tokave të Kosovës dhe copëtimin e saj. Sot poashtu, Policia e Kosovës intervenoi brutalisht për të penguar aktivistët e VETËVENDOSJE!-s që të vendosin një pano prej letre para shtëpisë së Kadri Veselit. Me ç’rast arrestuan aktivistin Imer Fejza, ndërsa lënduan ish-luftëtarin e UÇK-së, Musa Ajeti.

Nuk ka më asnjë dilemë që i gjithë sistemi shtetëror, duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjykatat, është vënë në shërbim të klanit pronto dhe shtypjes së kujtdo që mendon ndryshe dhe kundërshton politikisht këtë klan.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë sa më masivisht në protestën e 1 shtatorit, ku do t’i tregohet në mënyrë të vendosur këtij klani kriminal që qytetarët nuk do të dorëzohen para tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 08 2016

Një vit pas nënshkrimit – “Zajednica” e demarkacioni janë ndalur

Në fundin e gushtit të vitit të kaluar, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, Kosovës ia kurdisën Kosovës dy dëme shumë të mëdha; marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës” dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, që parasheh humbje të territorit të Kosovës. Qeveria kishte në plan që t’i bënte fakt të kryer këto marrëveshje deri në dhjetor të vitit të shkuar por ato as sot nuk janë realizuar. Ato janë të parealizueshme.

Sot një vit, Kosovës i kanosej themelimi i Zajednicës. Por një vit më vonë, pamundësimi i themelimit të saj është dëshmuar si triumf i organizimit dhe vendosmërisë qytetare. Nënshkrimit të Isa Mustafës iu kundërvunë 205 mijë nënshkrime të qytetarëve të Republikës. Të gjithë ata, nënshkruan edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të nëshkruar në Vjenë nga Hashim Thaçi. Dhjetëra protesta e qindra arrestime bënë që qeveria të dorëzohet. Atë që Mustafa dhe Thaçi e kishin parashikuar si fat për Kosovën, qytetarët e saj e ndalën sepse e cilësuan si fatkeqësi për vendin dhe të ardhmen e secilit. Ato që planifikonte t’i realizonte për dy – tre muaj, Qeveria nuk arriti t’i përfundojë as për 12 muaj.

Pavarësisht se nënshkruesit duan ta kthejnë e ta ngjallin këtë projekt, “Zajednica” është projekt i vdekur falë kundërshtimit qytetar. E njëjta do të ndodhë edhe me marrëveshjen për demarkacionin. Më 1 shtator përgjigjia për demarkacion jepet në shesh. Aty tregohet vullneti dhe fitorja do të jetë e qytetarëve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 08 2016

RTK është bërë altoparlant i Qeverisë – por kjo nuk justifikon bombat

Me tentimin e për ta lidhur VETËVENDOSJE!-n me sulmin e mbrëmshëm në RTK, menaxhmenti i këtij televizioni e konfirmoi përfundimisht që RTK-në e kanë shndërruar në propagandues klasik të Qeverisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë kohë që i bënë thirrje RTK-së të mos i shërbejë Thaçit, Veselit dhe Mustafës si altoparlant agjitacioni. Kapja e RTK-së është dëshmuar përmes uzurpimit të pozitave drejtuese nga militantët partiakë; është dëshmuar nga përgjimet dhe po dëshmohet vazhdimisht nga politikat redaktoriale të këtij mediumi.

Qeveria dhe klani Pronto nuk gjeti fajtorët për asnjërin prej sulmeve që kanë ndodhur kohët e fundit. RTK-ja në vend që të kërkojë përgjegjësi nga kjo qeveri dhe klani pronto, për dështimin e sistemit të sigurisë në vend dhe për mosgjetjen e fajtorëve, e sulmoi Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk pajtohet me sulmin e mbrëmshëm ndaj RTK-së, jo sepse RTK-ja e sotme simbolizon fjalën e lirë, por sepse nuk mendojmë që sulmet e tilla me bomba ndihmojnë ndonjë kauzë të drejtë në Kosovë. Çlirimi i shtetit tonë nga klani pronto që ka uzurpuar çdo institucion publik, do të ndodh vetëm përmes protestave masive paqësore nëpër sheshet e Prishtinës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 08 2016

RTK-ja nuk është radio-televizion i Kosovës. Menaxhmenti i këtij televizioni e ka shndërruar atë në radiotelevizion të klanit “Pronto”.

Nga përgjimet e kemi kuptuar përfundimisht se si kokat e krimit në Kosovë, duke e shtënë në dorë sistemin e drejtësisë, kanë liruar nga ndjekja penale gjithë klanin e tyre kriminal. Në anën tjetër, duke instrumentalizuar po këtë sistem drejtësie, vazhdimisht kanë ndjekur politikisht dhe burgosur kundërshtarët politikë.

Në të njëjtën logjikë, ky klan kriminal, përmes menaxhmentit të RTK-së, e ka shndërruar këtë medium në propagandues mbrojtës të aferave të tyre. Në anën tjetër RTK po përdoret nga PDK e LDK për të etiketuar, shpifur, e sulmuar mediatikisht kundërshtarët politikë të pushtetit.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 08 2016

Ekzekutuesi e pranoi fajin, kërkojmë dorëheqjen e kokave të krimit!

Dorëheqja e Adem Grabovcit është pranim i fajësisë për krim të organizuar, korrupsion dhe kapje të shtetit. Adem Grabovci fillimisht u orvat të shpëtonte nga presioni publik duke fyer inteligjencën e qytetarëve duke dhënë arsyetime absurde që gjoja qenka angazhuar për të rritur punësimin në Kosovë, por i përballur me zemërimin e publikut, u detyrua që më në fund të pranojë fajet e tij ndaj Republikës dhe institucioneve të Kosovës.

Sidoqoftë, dorëheqja e tij vetëm nga drejtimi i Grupit Parlamentar të PDK-së është e pamjaftueshme. Ai duhet të heq dorë edhe nga pozita e deputetit, nënkryetarit të PDK-së si dhe nga çdo funksion tjetër politik e publik. Në anën tjetër, ai duhet urgjentisht të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e tij të pista.

Dorëheqja e tij nuk mjafton, ngase – siç e pranon edhe vetë ai – Adem Grabovci ishte vetëm ekzekutues që urdhrat i merrte vazhdimisht nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Populli i Kosovës nuk mjaftohet me dorëheqjen e një ekzekutuesi përderisa kokat e krimit që e udhëhiqnin atë janë ende në krye të shtetit tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon urgjentisht dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si dhe arrestimin e tyre të menjëhershëm.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT