23 07 2016

Dhimbje për viktimat e Mynihut

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe aktivistët e saj dëshirojnë t’i shprehin ngushëllime familjarëve të viktimave të aktit të dhunshëm e kriminal që ndodhi dje në Mynih. Mes atyre që humbën jetën ishin edhe tre me origjinë shqiptare, e kjo e materializon dhimbjen tonë në një mënyrë edhe më tragjike.

I bashkohemi shpresës mbarënjerëzore që ky lloj i dhunës që po e shoqëron njerëzimin në dy dekadat e fundit, të ndalet.

Pasiguria e frika që janë synim i terrorit, mposhten vetëm përmes një solidariteti të hapur, jopërjashtues, që nuk i diskriminon njerëzit mbi baza origjine e identiteti, e që nuk është indiferent ndaj problemeve të vogla a të mëdha të njeriut, të cilin ideologji të caktuara e kanë lënë të vetmuar.

Pra as braktisje me indiferencë në vetmi, as grumbullim identitar përjashtues. Zgjidhjen ne e shohim tek shtrirja e dorës së solidaritetit, dialogimit, bashkëpunimit, dhe pranimit të njerëzimit si një e tërë mozaikale që nuk qëndron nëse ia heq qoftë edhe njërën pjesë.

23 korrik 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

22 07 2016

Qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen kurrë me diktaturën

Qeveria e Republikës së Kosovës paska reaguar sot kundër aksionit politik të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, gjegjësisht hedhjes së ngjyrës në veturën e Ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni. Është mjaft indikative që edhe reagimi i Policisë së Kosovës është në harmoni të plotë me atë të Qeverisë.

Të dyjat thonë që aksioni ynë ka rrezikuar jetën e njerëzve, por po ashtu thonë se VETËVENDOSJE! me aksionet e saj e paska dëmtuar procesin eurointegrues të Kosovës, apo anëtarësimin e saj në UNESCO. Nëse ka një faktor të brendshëm që ka ndaluar proceset integruese, atëherë janë pjesëtarët e kësaj Qeverie të zhytur në krim e korrupsion. Kurse, sa për UNESCO-n, partnerët e koalicionit të Rashkës shkaktarin e këtij dështimi e kanë bërë president.

Reagimet zyrtare nuk na e shpjeguan dot se si rrezikohet jeta e njeriut nga ngjyra në veturë, apo në cilat raste aksionet tona kanë rrezikuar jetën e njerëzve.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës nuk e tha asnjë fjalë për deportimet e aktivistëve, që përbëjnë suspendim të rendit demokratik drejt vendosjes së diktaturës. Këtë shpjegim ia ka lënë për detyrë policisë. Të gjithë e dimë që deportimit kanë për bazë urdhrat politikë, dhe jo ligjet. Por fakti që për këtë punë po flet Policia, tregon edhe një herë për nivelin e kapjes së shtetit.

Aktivistja jonë nga Tirana, Dejona Mihali, është ndaluar në kufi përmes një urdhri të pastër arbitrar nga Ministria e Brenshme. Asnjë shpjegim, asnjë procedure ligjore dhe asnjë nga kriteret ligjore për të huajt nuk është argumentuar.

Qeveria e Kosovës, duhet ta dijë që qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen kurrë me diktaturën. Sa më shumë që ajo do ta rrisë shtypjen, aq më të vendosur do ta marrë përgjigjen.

Kontribo

18 07 2016

Kërkojmë heqjen e urdhrit që ndalon hyrjen e Dejona Mihalit në Kosovë

Sot, më 18 korrik 2016, rreth orës 07:30 është ndaluar të hyjë në Kosovë Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve dhe anëtare e kryesisë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Dejona Mihali është mbajtur për disa orë në kufi, dhe më pas është kthyer në Shqipëri, pasi i është komunikuar një urdhër për ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës, pa afat.

Policia kufitare i ka marrë direktivat drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme, dhe komunikimi është kryer në prani të Dejona Mihalit. Është për t’u vënë në dukje se urdhri për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës është lëshuar në shkurt, por prej asaj kohe e deri sot Dejona Mihali nuk është vënë kurrë në dijeni për ekzistencën e këtij urdhri, as zyrtarisht e as në ndonjë mënyrë tjetër.

Ky vendim arbitrar është marrë pa u bazuar në asnjë ngjarje faktike, në asnjë ligj dhe pa asnjë vendim gjyqësor. Ky arbitraritet i pushtetit të Thaçit, Mustafës dhe i Veselit po e bën Kosovën një vend pa të drejta demokratike e civile, po e shpërfaq si një tirani despotësh të vegjël, që të vetmin funksion e kanë servilizmin ndaj ndërkombëtarëve, Serbisë e mafias.

Ndalimi i Dejona Mihalit i shtohet deportimit të Boiken Abazit dhe Arbër Zaimit, si një fushatë sistematike që qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë ndaj veprimtarëve të Lëvizjes që janë nga Shqipëria. Reagimet e zbehta të qeverisë së Shqipërisë na bëjnë të pandehim se kjo fushatë kriminale e arbitrare është e koordinuar mes dy qeverive.

Në vizionin e despotëve bashkimi kombëtar është bashkim i forcave të regresit, i mafias, i dallaverexhinjve, i dhunës, i krimit e i servilizmit. Në vizionin tonë bashkimi kombëtar është bashkim i popullit, i prodhuesve, i qytetarëve të ndërgjegjshëm, i kulturës, i dinjitetit e mbi të gjitha bashkim kombëtar i idealit.

Ai kufi që ndan Kosovën prej Shqipërisë ka qenë armik i idealistëve e i dëshmorëve që na e prunë lirinë, ai kufi është dhe armiku jonë. Ai kufi ka qenë i ashpër ndaj atyre që e deshën këtë vend, ai kufi është sot i ashpër ndaj nesh. Atë kufi që i ndan shqiptarët padrejtësisht e mbrojtën me gjak ushtarët e Titos e të Rankoviçit, e të njëjtët e mbrojnë dhe sot.

Kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin dhe ndalje të persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë, përndryshe kjo qeveri do të mbajë një vulë të madhe turpi, e do ta paguajë rëndë përballë historisë.

Kontribo

11 07 2016

Denoncim publik ndaj dyshes zhvatëse Rrahim Pacollit dhe Gani Thaçit

Mërgatës shqiptare nga Kosova, s’po u ndahen zhvatjet. Përpos shumë investimeve individuale të shkuara dëm nën trysninë e adminisratës së korruptuar nga sundimtarët e Kosovës, si gjithnjë, në prag të pushimeve verore, zyrtarët sundimtarë, nuk harrojnë, që nën emrin e «polisave të sigurimit», të vazhdojnë grabitjet e tyre për mërgimtarët ende pa hyrë brenda kufirit të Kosovës.

Kësaj radhe, rolin e përkrahësit zyrtar të institucioneve të Kosovës e mori vetë kryeparlamentari Kadri Veseli.

Përmes mashtrimit të ri, me qëllimin gjithnjë të vjetër, Kadri Veseli, priti para dy ditësh në konsultë Kryetarin e Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin që së bashku me Gani Thaçin, përbëjnë dyshen grabitqare të mërgimtarëve në pikat kufitare të Kosovës.

Publiciteti dhe vetë forma e paraqitjes para opinionit publik, na bëjnë të dyshojmë, se zgjidhja e problemit të Kartonit të Gjelbër do të shtyhet deri në pakufi me vetë përkrahjen e Veselit dhe drejtuesve kryesorë të këtij rrjeti.

Për këtë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër, ngrenë zërin dhe denoncojnë publikisht metodën grabitçare ndaj mërgatës.

Deri më tani, nga llogaritë e thjeshta del se nga kjo dyshe, nën kontrollin dhe për egon e tyre të pangopur, janë grumbulluar mbi 120 millionë euro. Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënes, para institucioneve, as para opinionit të Kosovës, dyshojmë se pjesa dërmuese e kësaj shume, është përdorur në kundërshtim të çdo rregulli dhe ligji të një shteti të drejtë.

Ngritja e zërit dhe denoncimi para prokurorit të shtetit të bëhet urgjent dhe pa mëdyshje. Dyshja, Rrahim Pacolli dhe Gani Thaçi, të bëhen objekt i hetimit dhe të dërgimohn para gjykatës.

Kjo detyrë, pa hezitim, i takon dhe duhet ta marrë përsipër Prokurori i Republikës së Kosovës Aleksandër Lumezi.

Në të kundërt, me mosgatishmërinë e z. Lumezi, për t’u ballafaquar me këtë fenomen të ”zhvatjes” “ligjore”, rezervojmë të drejtën, që të ngrisim padi penale, pranë organeve të drejtësisë zvicerane. Këtë të drejtë na e mundëson hapësira juridike në kuadër të legjislacionit legal zviceran.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Zvicër

Kontribo

11 07 2016

21 vjetori i masakrave dhe gjenocidit në Srebrenicë

Deputeti i VETËVENDOSJE!-s, z. Albin Kurti, sot mori pjesë në shënimin e 21 vjetorit të masakrave dhe gjenocidit në Srebrenicë, ku për pak ditë ushtria dhe vullnetarët serbë patën vrarë së paku 8.327 boshnjakë.

Z.Kurti është ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, përkatësisht nga kryetarja znj. Munira Subashiq, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, z. Murat Tahiroviq. Sivjet, organizatorët boshnjakë i kanë shpallur të padëshirueshëm në Srebrenicë qeveritarët nga Serbia.

Në Potoçari të Srebrenicës janë varrosur deri më tani 6.377 viktima dhe aty sot u varrosën edhe 121 të tjerë. Z.Kurti mori pjesë në ceremoninë mortore, vizitoi shoqatat e familjarëve dhe bëri nderime te monumenti pranë varrezave e vendosi lule të freskëta në kujtim të të vrarëve. Ai shprehu solidaritetin e tij me të afërmit e viktimave dhe popullin boshnjak.

21 vite më parë në Bosnjë e Hercegovinë ndodhi krimi më monstruoz që ka parë Evropa pas Holokaustit. Në Srebrenicë u vranë e u masakruan mbi 8 mijë njerëz të pafajshëm. As pas 21 vitesh Serbia nuk e ka pranuar fajin për gjenocidin që ka kryer si shtet. Republika Srpska, ky projekt i krijuar nga gjenocidi edhe sot është kërcënim për viktima të reja. Kështu ndodh kur marrëveshjet e paqes bazohen në raporte forcash, dhe jo në vendosje të drejtësisë.

Projekti shovinist serb që ka shkaktuar luftërat në ish Jugosllavi është ende aty. Ai po vazhdon të tolerohet në emër të interesave gjeopolitike e ruajtjes së stabilitetit. Por, historia ka treguar se rreziqet më të mëdha për paqen janë konservizimi i padrejtësisë e formave të ndryshme të diskriminimit.

Kontribo

09 07 2016

Pasuria e Kosovës as nuk falet, as nuk vidhet

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilluan një aksion simbolik në lidhje me marrëveshjen e dëmshme të demarkacionit me Malin e Zi. Në këtë aksion që u krye afër banesës ku jeton presidenti Hashim Thaçi, aktivistja Teutë Rrusta tha se Thaçi nuk mund ta falë tokën e Kosovës, madje ai duhet ta kthejë pasurinë e vjedhur bashkë me vëllezërit e tij.

“Sot kemi ardhur në një pikë që nuk kemi pse i diskutojmë faktet që dëshmojnë humbjen e një pjese të territorit të Kosovës nga marrëveshja për demarkacion. Ajo çfarë duhet vënë në pah vazhdimisht është lidhja në mes të fatit të Hashim Thaçit në politikë përmes faljes së territorit”, tha Rrusta.

Hashim Thaçi ka shumë prona, pasuri e rrjet të organizuar për këtë gjë. Në ndërkohë që ai fal tokë të Kosovës që të bëhet president, dhe nuk e pranon gabimin në mënyrë që të vazhdojë të jetë president. Ndërkohë, atij i duhet të mbetet president që të mos jetë prapa grilave.

“Thaçi e përdor pozitën e Presidentit për t’u arratisur nga burgu”, shtoi ajo.

Qeveria Mustafa, nga dy kushtet kryesore për liberalizim përmend vetëm njërin, atë të demarkacionit, por kushti tjetër nga BE-ja është luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar.

Nuk do të lejojmë, në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim që të ratifikohet kjo marrëveshje. Ne do ta përdorim tërë kapacitetin tonë mendor e organizativ për ta penguar një gjë të tillë.

9 korrik 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

03 07 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE! u ftua të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste

Lëvizja VETËVENDOSJE! u ftua të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste që u mbajt në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, Zvicër, në datat 1-2 korrik, 2016. Boiken Abazi, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, e përfaqësoi Lëvizjen në këtë mbledhje të Këshillit të Internacionales.

Në këtë Këshill morën pjesë delegatë nga mbi 90 parti socialdemokrate nga e gjithë bota. Disa prej delegatëve të partive nga Evropa në këtë Këshill përfshinë Partinë Socialiste të Francës, Partinë Socialiste të Belgjikës, Partinë Socialdemokrate të Finlandës, Partinë Socialdemokrate të Hungarisë, Partinë Socialdemokrate Austriake, Partinë Popullore Republikane të Turqisë, Partinë Socialiste të Spanjës, e shumë parti të tjera nga Amerika Latine, Afrika dhe Azia.

Këshilli ia nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmit terrorist që ndodhi para pak ditësh në aeroportin e Stambollit në Turqi. Më tej Këshilli u përqendrua në tre tema kryesore: përforcimi i reagimit politik dhe humanitar ndaj sulmeve terroriste dhe konflikteve të armatosura, mbrojtjen dhe mbështetjen e përpjekjeve për demokraci në vende të ndryshme të botës, si dhe përpjekjen për të ndërtuar një model ekonomik që e sfidon dhe e mund pabarazinë ekonomike mes shteteve dhe brenda secilit shtet.

Gjatë Këshillit, Sekretari Abazi pati mundësinë të takohet me dhjetëra delegatë të partive pjesëmarrëse për të prezantuar situatën ekonomiko-politike në Kosovë si dhe programin e VETËVENDOSJE!-s. Më tej, Lëvizja u ftua për të marrë pjesë edhe ne Kongresin e Internacionales Socialiste që do të mbahet në fund të këtij viti.

2 korrik 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

28 06 2016

Dënojmë shkeljen e territorit dhe vjedhjen tinëzare të Policisë së Malit të Zi

Nga portalet mësuam që Policia e Malit të Zi e paska hequr tabelën “Mirësevini në Republikën e Kosovës” (në tri gjuhë) dhe flamurin kombëtar shqiptar të cilat i vendosëm dje te Varri i Nuses, pra te pika kufitare midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne e dënojmë aktin e policisë malazeze që shkel territorin e shtetit të Kosovës dhe ndërhyn tinëzisht për të vjedhur tabela mirëseardhjeje dhe flamuj të shtetit tjetër.

Pesë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndruan dje mbi një orë në këtë pikë kufitare. Policia e Malit të Zi, sipas banorëve atje, shfaqet andej pari çdo 15 minuta, mirëpo ajo nuk erdhi fare të hënën. Të martën e paskan vjedhur shenjimin e drejtë të kufirit që bëmë.

Varri i Nuses ndodhet 29 km larg Pejës dhe 18 km larg Rozhajës, si dhe 8 km larg nga pika e kontrollit të policisë së Kosovës e 2 km nga ajo e Malit të Zi. Policia e Kosovës (PK), por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), duhet të shkojnë te Varri Nuses sepse janë të thirrur dhe paguhen për ta mbrojtur kufirin e territorit tonë. Deputetët tanë do ta vendosin sërish tabelën e flamurin atje, por ata nuk janë policë që t’i ruajnë ato 24 orë në ditë e 7 ditë në javë. PK dhe FSK duhet ta bëjnë këtë. Ato nuk është e thënë që ta presin qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s për këtë gjë.

Ndërkohë, ne nuk lejojmë ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes private të Thaçit me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit i cili na i humbet mbi 8.200 hektarë. I ashtuquajturi President Thaçi duhet të përgjigjet për krimin dhe tradhtinë e bërë.

Kontribo

27 06 2016

Sot deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vendosën tabelën e shtetit të Kosovës në pikën ku duhet të jetë kufiri me Malin e Zi.

Historia jonë kombëtare njeh disa raste kur politikanë të caktuar, për interesa personale, u kanë shitur shteteve fqinje pjesë të territorit tonë. Përkundër përpjekjes së Hashim Thaçit dhe qeverisë së Isa Mustafës për t’ia shitur Malit të Zi edhe mbi 8000 hektarë të Kosovës, ne nuk do të lejojmë që kjo histori të na përsëritet.

Pika kufitare me Malin e Zi, për qytetarët e Republikës së Kosovës, është në Kullën e Zhlepit dhe tek Maja e Çakorrit. Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që për interesa personale të një grupi kriminal në pushtet, të zvogëlohet territori i Kosovës.

I bëjmë thirrje edhe njëherë Qeverisë së Kosovës që të mos e provokojë situatën më tutje duke e sjellë në Kuvend atë marrëveshje tradhtie.

Kontribo

21 06 2016

Lufta jonë ndaj krimit në Prizren nuk do të ndalet

Deponimi i kallëzimit penal nga Lëvizja VETËVTNDOSJE! në Prizren me 8 gusht të vitit 2012 ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit për keqpërdorim të mjeteve financiare kushtuar ‘Javës së Remzi Ademajt’, tashmë ka marr formën e dënimit me burg efektiv për zyrtarët e përfshirë në rast. Gjithashtu lajmi i fundit për ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të Drejtorisë së Inspektoratit pas denoncimit të asamblesitëve tanë në Kuvendin Komunal të Prizrenit për uzurpimin të paligjshëm të pronës publike dhe keqpërdorimin e detyrës dhe autoritetin zyrtar paraqet lajm të mirë dhe veprim të duhur të organeve të drejtësisë me qëllim të konsolidimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të pushtetarëve brenda institucioneve të vendit.

Pas rasteve të fundit konsiderojmë se qeverisja e PDK-se në Prizren nuk ka legjitimitet të vazhdojë mandatit qoftë edhe për një ditë. Dorëheqja e Kryetarit të Komunës dhe estabilishmentit të tij janë e vetmja rrugë për ta nxjerr Komunën e Prizrenit nga gjendja e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet.

Kurse ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! zotohemi se edhe në të ardhmen do të jemi të pakompromistë përballë krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqqeverisjes në të gjitha nivelet e pushtetit dhe se përpjekjet tona për drejtësi dhe zhvillim nuk do të ndalen asnjëherë deri në bërjen e plotë të shtetit!

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren

Kontribo

21 06 2016

Një delegacion i Lëvizjes vizituan Komunën e Preshevës

Një delegacion i Lëvizjes me në krye nënkryetaren Fatmire Kollçaku, vizituan Komunën e Preshevës ku zhvilluan takime me drejtuesit e kësaj komune dhe vizituan maternitetin jashtëspitalor.

Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht ka bërë thirrje që Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të përfshihen në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Çdo marrëdhënie me Serbinë do të duhej të kushtëzohej nga Kosova dhe Shqipëria me ndaljen e menjëhershme të shtypjes së shqiptarëve në këtë pjesë dhe me garantimin e të gjitha të drejtave për ta.

Kontribo

20 06 2016

Takim me deputetin e SPD-së në Bundestag, Josip Juratoviç

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca së bashku me deputeten Shqipe Pantina dhe anëtarët e Kryesisë Ylli Hoxha dhe Marigonë Drevinja takuan sot deputetin nga radhët e SPD-së në Bungestag, Josip Juratoviç.

Në takim u diskutua rreth çështjeve ekonomike të Kosovës. Përgjatë 17 viteve të pasluftës nuk është rindërtuar potenciali industrial në Kosovë. Përkundrazi, nëpërmjet privatizimit të egër dhe pa planifikim vetëm sa kanë mbetur mijëra të papunë. Në Kosovë duhet të ndërtohen strategji të reja ekonomike dhe duhet të hulumtohet potenciali prodhues i Kosovës.

Kontribo

16 06 2016

Kërkohen 10 milion euro, nga fondi për emergjenca, për mbrojtjen e qendrës historike të Prizrenit

Të nderuar qytetarë, deputete dhe deputetë,Javën e kaluar ndodhi një tragjedi, një vajzë 3 vjeçare duke lozur në një rrugicë ku banonte vdiq nën murrin e një shtëpie e cila ishte nën mbrojtje të shtetit. Atë ditë, po ashtu u lënduan 2 persona.
Kaluan më shumë një javë nga tragjedia dhe asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse. Reagimi I vetëm institucional ishte vendosja e gypave të kanalizimit rreth objekteve të trashëgimisë kulturore në Prizren. Nuk ka as inicim të ndonjë rasti ndaj zyrtarëve (në prokurori), nuk ka kërkesë për përgjegjësi e as deklaratë nga kryeministri, ministra apo personi i cili veten e quan “president”.
Qeveritarët e Prizrenit këtë ngjarje u munduan të paraqesin si fatkeqësi.
Po, fatkeqësia e Xhaneta Gashit ishte që ajo jeton ne Komunën e Prizrenit ku një kryetar I dënuar qe tre vjet vazhdon të mban postin e tij. Ku shumë drejtorë komunale janë nën hetime por gjykimet e tyre vazhdojnë në pafundësi. Prizreni ku njerëzit vriten nga gangsterë ngase prokuroria nuk bën punën e saj. Prizreni ku fajdeja bën biznes.
Pastaj si mund të jetë fatkeqësi kur një vajzë jep shpirt nën rrënojat e një shtëpie që është nën mbrojtje të shtetit?
A mund të jetë fatkeqësi kur ekzistojnë fonde për mirëmbajtjen e këtyre shtëpive dhe kur kemi institucione që duhet të mirëmbajnë ato?
A mund të quhet fatkeqësi kur organet kompetente e neglizhojnë punën e tyre dhe si pasojë e kësaj shkaktojnë vdekje? Ligjet përcaktojnë qartë përgjegjësitë e Komunës së Prizrenit dhe të ministrive sipas ligjit ato duhet të mbrojnë qendrën historike të Prizrenit dhe të ofrojnë siguri për qytetarëve.
Nëse mjeku neglizhon punën dhe pacienti vdes, mjeku shkon në burg. Nëse shoferi i veturës neglizhon vozitjen dhe e vret këmbësor ai futet në burg. Por në Kosovë nëse një zyrtar nuk e bën punën e tij dhe si pasojë njerëzit vdesin kjo nuk konsiderohet si krim.
Në vitet e kaluara shumë organizata joqeveritare dhe opozita në Prizren kanë kërkuar që institucionet të ndalin degradimin e qendrës historike dhe të ndajë fonde emergjente për të ndërhyrje dhe riparime tek objektet e rrezikuara nga shembja. Degradim kjo që u bë me neglizhence, por edhe me djegie dhe rrënim, për ti hapur vend bizneseve të lidhura me pushtetarët e Prizrenit. Kështu nuk do të anëtarësohemi KURRË në UNESCO.
Qendra historike e Prizrenit është pasuria më e madhe kulturore e Kosovës prandaj duhet të ndahen fonde emergjente për mbrojtje. Duhet të ndahen minimum 10 milion euro për riparim dhe mirëmbajtje të qendrës historike.
Po ashtu duhet të krijohet komisioni hetimor për të shikuar se ku çalon implementimi i ligjeve në Prizren dhe pse ka ardhur deri te kjo gjendje. Pra një komision parlamentar për hetimin e degradimit të Qendrës Historike të Prizrenit. Ftoj të gjithë deputetë që e duan Prizrenin të përkrahin formimin e këtij komisioni duke vënë nënshkrimet e tyre.
Nëse lejojmë shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit kot e kemi anëtarësimin në UNESCO! Ju faleminderit!

Kontribo

14 06 2016

Kryeprokurori i kapur

Në këtë fotografi shihen bashkë Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, deputeti i ShIK-ut, Elmi Reçica, dhe kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Basri Ibrahimi. Nuk mund të ketë kështu luftim të krimit e korrupsionit, por vetëm zgjerim të rrethit të bashkëpunëtorëve në krim e korrupsion. Të tre këta nuk kanë problem me marrje të vizave Schenghen, por për shkak të kësaj sorte njerëzish Kosovës i mohohet liberalizimi i vizave.

Ju lutem shpërndajeni sa më shumë këtë foto!

Kontribo

10 06 2016

Vazhdimi i misionit të EULEX-it, heqje dorë nga drejtësia

Misioni i EULEX-it erdhi në Kosovë me premtimet për luftim të krimit dhe korrupsionit si dhe forcim të sistemit vendor të drejtësisë. Asnjëra nga këto dy premtime nuk u realizua ngase qëllimi i vërtetë i EULEX-it asnjëherë nuk ka qenë drejtësia në Kosovë. Kjo trupë që nga fillimi ka pasur për qëllim menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit. E ruajtja dhe stabilizimi i situatës për realitetin kosovar nënkupton stabilizim të krimit e korrupsionit që rrënjët i ka në majën e piramidës shtetërore. Si rezultat i kësaj paradigme, EULEX-i u përfshi edhe vetë në menaxhimin e politikës ditore, duke ndërtuar raste sipas porosive dhe interesave të partive në pushtet. Kjo e bëri EULEX-in pjesë të organizimit kriminal të pushtetit në Kosovë.

Institucionet e Kosovës kanë nevojë për EULEX-in sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kurse EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën.

EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë. Kosova duhet të pushojë se trajtuari nga BE si çështje e sigurisë në kuadër të menaxhimit të krizave. Nga kjo paradigmë duhet kaluar tek nevoja për drejtësi, zhvillim e mirëqenie. E drejtësia nuk vjen asnjëherë nga jashtë dhe vetë EULEX-i është dëshmi për këtë.

Kontribo

26 05 2016

Shembja e dheut në Korishë mund të jetë fatale për banorët

Tash e një vit, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, shembjet e dheut janë duke rrezikuar qytetarët e këtij fshati. Për këtë çështje, banorët e këtij fshati nuk lanë derë pa trokitur si në institucionet komunale ashtu edhe në ato qendrore, si dhe kanë organizuar peticionin të cilin do ta dorëzojnë në organet kompetente të Komunës së Prizrenit.

Asambleisti i VETËVENDOSJE!-s në Prizren, Arbër Rexhaj, tha se në pjesën e sipërme te fshatit Korishë javëve të fundit dheu ka përbirë disa objekte, ndërsa ka prekur edhe shtëpitë. “Prona dhe sidomos jeta e qytetarëve është në rrezik. Nëse nuk intervenohet brenda një jave, Korisha rrezikon ta pësojë njëjtë si Restelica, madje edhe më keq. Drejtoria e Emergjencës duhet të reagojë menjëherë dukë bërë evakuimin e dy lagjeve të këtij fshati, ashtu që t’i parandalojmë dëmet në njerëz nga një katastrofe të mundshme”, tha ndër të tjera Rexhaj, duke shtuar se Drejtoria e Emergjencave po mundohet me një ekskavator ta sanojë gjendjen, por një gjë e tillë është e pamundur.

Drita Millaku, asambleiste e Lëvizjes në Prizren, i bëri apel Komunës dhe drejtorive përkatëse që të intervenojnë sa më shpejt në këtë fshat. “Shpëtimi i jetës dhe pronës së qytetarëve është obligim për të gjithë ne, prandaj kërkojmë ndihmën e të gjithëve ashtu që të rritet presioni publik ndaj institucioneve gjegjëse. Nëse nuk intervenohet menjëherë, përgjegjëse për gjendjen atje do të jenë institucionet”, theksoi Millaku.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga Komuna e Prizrenit që urgjentisht t’i qaset këtij problemi me seriozitetin më të madh, sepse çdo vonesë mund të jetë fatale për shumë banorë të Korishës.

Kontribo

26 05 2016

Kundër faljes së tokave Manastirit të Deçanit

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronat e ndara për manastirin e Deçanit dhe njëherit përkrahë deklaratën e përbashkët kundërshtuese të miratuar me datë 25 maj 2016 në Kuvendin Komunal të Deçanit ku të gjitha subjektet politike bashkarish me Lidhjen e Historianëve nënshkruan zotimin për t’i dalë kundër këtij vendimi.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm ngase përveç se shpronëson punëtorët e ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” duke iu referuar legjislacionit të vitit 1997 ku këto prona në mënyrë të dhunshme nën kushte okupimi u bartën në pronësi të Manastirit të Deçanit, legjitimon edhe politikat fashiste, kolonizuese e gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve.

Është e habitshme se si institucione të larta si Gjykata Kushtetuese marrim një vendim për të legjitimuar vendimet e një regjimi që u cilësua si regjim kriminal e gjenocidal nga e gjithë bota në atë kohë.

Më pak e habitshme është përkrahja që Hashim Thaçi i bën këtij vendimi duke qenë se për këtë të fundit jemi mësuar që më shumë se një mungesë ndjeshmërie të shohim një gatishmëri të hapur për të japë territore në pushtete lokale brenda e jashtë vendit.

Ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan do ta përkrahim dhe do të jemi pjesë e çdo organizimi lokal dhe qendrorë që vihet në kundërshtim të këtij vendimi absurd të Gjykatës Kushtetuese.

Kontribo

16 05 2016

LËVIZJA I FTON GRATË PËR ZGJEDHJET E BRENDSHME

Gratë duhet të angazhohen politikisht per ta ndryshuar raportin e pabarazisë në shoqëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton ato që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor të brendshëm i cili po ndodhë në Lëvizje. Këto u thanë gjatë tubimit me gra.

“Sot e kemi thirrur këtë takim sepse i kemi shpallë zgjedhjet e brendshme. Kjo është mundësi e mirë për demokratizimi i shoqërisë. Sa më shumë gra që angazhohen, mundësitë për një shoqëri më të barabartë, janë më të mëdha”, tha nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fatmire Kollçaku.

Ajo shtoi se vetëm një subjekt politik që i promovon politikat barazimtare përbdlrenda subjektit mund të flasë edhe për barazinë në shoqëri.

“Çdo grua sot është e mbingarkuar. Pavarësisht nësë është e punësuar ose jo, ajo është e angazhuar në shtëpi ose jashtë saj. Gruas duhet t’i hiqet barra e rëndë e punëve të shumta dhe kjo bëhet duke bërë politika publike”, shtoi nënkryetarja Kollçaku.

Ne nuk kemi dilema se a duhet të jetë gruaja e pranishme aty ku merren vendime të rëndësishme. Të gjitha vendimet politike e ndikojnë atë, ndaj ajo duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.

Kurse nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti foli mbi historikun e angazhimit të grave e vajzave në Lëvizje. Ajo përmendi edhe emra të përveçëm të aktivisteve shembull.

“Teuta dhe Marigona, dy emra grash të shquara në histori, rastisi të jenë bashkohanike dhe u bënë shoqe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ato iu bashkuan Lëvizjes, në kohën kur në tërë Kosovën kishim disa dhjetëra aktivistë. Aktivistët si Marigona dhe Teuta, u bënë boshti i Lëvizjes dhe shembulli më i mirë për aktivistët që erdhën më tej”.

Dërguti përmendi edhe aktivistet Alexanda Channer dhe Dejona Mihali të cilat kanë ardhur në Prishtinë duke lënë punët dhe angazhimet e mëparshme për t’u përqendruar me tërë kapacitetin e tyre në Lëvizje.

Për të arritur barazinë në vendimmarrje, pikënisja është angazhimi e kontributi i përbashkët.

Edhe Sekretarja e Gruas Aktiviste, Nazlie Bala i ka ftuar gratë që të jenë pjesë e procesit zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

“Gratë dhe vajzat janë pjesë e barabartë e politikës. Të votosh është një lejekalim për sferën publike. Ne duhet të luftojmë e punojmë më shumë për barazi”, tha Bala. Ajo theksoi më tej, se kjo punë nuk i takon vetëm një grupi të shoqërisë.

“Po nuk patëm përfshirje të madhe të grave e vajzave, nuk mund të bëjmë ndryshime në shoqëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vendosur për ndryshime të mëdha dhe kjo është e mundur vetëm me angazhimin e madh të grave e vajzave.

Kontribo

09 05 2016

9 Maji – Dita e Evropës

71 vite më parë, më 9 Maj 1945, në kontinentin e Evropës përfundoi lufta më e përgjakshme që kishte parë njerëzimi ndonjë herë – lufta kundër nazifashizmit. Kjo datë shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse; të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit; të popujve kundër perandorisë; të barazisë kundër shfrytëzimit.

5 vite më pas, po më 9 Maj 1950, u lidh marrëveshja e parë midis Gjermanisë Perëndimore dhe Francës për bashkimin e industrive të çelikut dhe thëngjillit, për të vazhduar pastaj me marrëveshje tjera ekonomike, dhe krahas kësaj zgjerimin e shteteve nënshkruese. Bashkimi Evropian që njohim sot kështu kishte filluar, ndaj 9 Maji është sot dita e Evropës.

Projekti i Evropës së bashkuar kishte parakusht barazinë midis popujve, dhe lirinë e tyre për t’u bashkuar vullnetarisht në projektin e përbashkët. Prandaj, 9 Maji 1950 s’do të ishte i mundur pa 9 Majin e vitit 1945, ditën e fitorës kundër fashizmit.

Paqja e qëndrueshme në Evropë, sot të bashkuar por historikisht në luftë, ka në themel dy shtylla të forta: barazinë mes shteteve dhe qytetarëve të atyre shteteve; paprekshmërinë e kufijve të këtyre shteteve. Vetëm duke e njohur njëri tjetrin në mënyrë reciproke dhe si të barabartë, dhe vetëm duke ia njohur kufijtë shtetëror si të pacenueshëm, u bë i mundur projekti për bashkëpunim reciprok mes shteteve në të mirë të të gjithëve.

Bashkimi Evropian natyrisht se ka evoluar politikisht, ekonomikisht e në aspektin social. Por BE nuk do të ishte e njëjtë nëse do të devijonte nga parimet bazë që themelojnë vlerat politike të saj. Këto vlera nuk duhet të jenë të zbatuara dhe të zbatueshme vetëm brenda BE-së, por edhe të promovohen jashtë saj.

Është thellësisht antievropiane që sot t’i kërkohet Kosovës ndarje e brendshme në vija etnike, pabarazi të qytetarëve sipas përkatësisë kombëtare, të dyja këto që rrjedhin nga ‘Zajednica’. Është në kundërshtim flagrant me 9 Majin 1945 ky paqëtim, përmes koncesioneve, i politikës shoveniste të qeverisë në Beograd.

Siç është në kundërshtim flagrant me parimet bazë të Evropës së bashkuar të insistohet që Republika e Kosovës ta zbatojë Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe kështu të heq dorë nga mbi 8200 hektarë të territorit të vet.

Projekti evropian u bë model për shtetet jashtë tij, pikërisht sepse ishte sinonim i lirisë dhe të drejtave, barazisë e solidaritetit, zhvillimit e jetës së mirë. Janë këto vlerat evropiane që duhet afirmuar përkundër erërave të këqija që sot po i fryjnë ksenofobisë, përjashtimit e ndarjeve.

9 maj 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

08 05 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet protestën që do të mbahet të hënën më 9 maj në Shkup

Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet protestën që do të mbahet të hënën më 9 maj në Shkup. Kjo protestë është shprehje e përbashkët e organizimeve të ndryshme qytetare shqiptare në Maqedoni, dhe adreson problematikat shqetësuese që ka krijuar pabarazia etnike të cilën tash e shumë vjet e përjetojnë shqiptarët në Maqedoni.

Është për t’u vlerësuar fakti se kjo protestë po mbështetet nga të gjitha subjektet opozitare shqiptare, si dhe nga grupe të ndryshme të interesit qytetar e shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat më në fund kanë gjetur fjalën e përbashkët për t’u organizuar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah secilin organizim të përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni që i kundërvihet politikave diskriminuese që kanë prodhuar qeverisjet e deritanishme të Gruevskit dhe aleatëve të vet.

Formula mbi të cilën është krijuar Maqedonia është një formulë delikate. Ky shtet nuk mund të ketë stabilitet, në kurriz të shqiptarëve. Ndaj e vetmja mënyrë që Maqedonia të mbijetojë, është pranimi i shqiptarëve si popull tërësisht i barabartë, si për sa i takon të drejtave qytetare, ashtu edhe sa i takon të drejtave kombëtare. Është e vërtetë e mirënjohur se shqiptarët jetojnë në trojet e tyre historike, ku nuk janë minoritet e as imigrantë, ndaj dhe nuk mund t’i nënshtrohen diskriminimit maqedonocentrik. Shqiptarëve duhet t’u lejohet të kenë institucionet e tyre, në secilin sektor e segment, në secilën fushë të shtetformimit, të politikbërjes, të krijimit kulturor dhe të prodhimit ekonomik.

Shpresojmë që bashkimi i shqiptarëve në protestën e datës 9 maj, të çelë një perspektivë të re, emancipuese për shqiptarët e Maqedonisë. Një perspektivë që duhet t’i japë fund pabarazisë.

Kontribo

04 05 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ne besojmë se privimi i deritashëm i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë brenda zonës Schengen ka qenë i padrejtë. Qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e krimit të organizuar e korrupsionit të politikanëve në pushtet me të cilët eksponentë të ndryshëm ndërkombëtarë (përfshirë ata të BE-së) kanë punuar ngushtë.

Ne e përshëndesim rekomandimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, ne duhet të këmbëngulim që trajtimi i vendeve të ndryshme të Ballkanit të bëhet i njëjtë për të gjithë, dhe jo të përdoren kute të ndryshme varësisht nga ndikimi e interesat.

Kërkesa që Republikës së Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi para se çështja e liberalizimit të shkojë tek Parlamenti Evropian, është e padrejtë, kur merret parasysh sa e dëmshme është marrëveshja aktuale me Malin e Zi. Një kërkesë të tillë nuk e ka pasur Mali i Zi kur i janë hequr vizat qytetarëve të atij vendi e as vendet tjera. Republika e Kosovës nuk e ka të demarkuar as kufirin me Serbinë. Por kjo nuk është vënë si kërkesë. Nëse kufijtë e demarkuar qartë janë kërkesë e zakonshme atëherë është dashur që të kërkohet demarkimi i të gjithë kufijve ndërkombëtar të Kosovës. Nëse jo atëherë as ky me Malin e Zi nuk duhet të jetë si kërkesë shtesë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! beson në parimet e vlerat si demokracia, liria e barazia, që themelet e tyre i kanë në kontinentin e vjetër.

Kontribo