03 05 2016

DEGA E NISMA-s NË FERIZAJ, I BASHKOHET VETËVENDOSJE!-s

Lëvizjes VETËVENDOSJE! iu bashkuan anëtarë të kryesisë dhe forumit rinor, në krye me ish-kryetarin e NISMËS në Ferizaj, Valon Ramadanin. Këtë e bëri të ditur në një konferencë Koordinatori i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, Emrush Xhemaili, bashkë me Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri.

Ramadani, tash aktivist i Lëvizjes, tregoi se si bindjet e tij politike nuk kanë ndërruar për shkak se ka ndërruar subjektin politik ku bën pjesë, por pikërisht ato bindje kanë mbetur të njëjta, krahas ndryshimit që ka pësuar NISMA për Kosovën.

Kryetari Visar Ymeri iu falenderua aktivistëve për punën dhe rezistencën e këtyre 7 muajve të fundit. Fjalën e tij e përmbylli duke thënë se si pasojë e qeverisjes së keqe që mbretëron në Kosovë, në mënyrë të pashmangshme vjen rritja e hovshme e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! po rritet sepse populli po zgjohet për ta rritur kundërshtimin ndaj qeverisjes së keqe.

Kontribo

01 05 2016

DËNOJMË ARRESTIMIN E ISH-USHTARIT TË UÇK-së, NGA POLICIA ZVICERANE

Policia zvicerane arrestoi ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albert S., për ta ekstraduar në Serbi. Kjo u bë me kërkesë të Serbisë, shtet ky që ka bërë krime sistematike me gjithë aparatin shtetëror nëpër gjithë Ballkanin.

Tendenca për ta barazuar gjenocidin serb në Kosovë me luftën tonë çlirimtare, është e padrejtë dhe e papranueshme. E për këtë, fajin më të madh e kanë qeveritë e pasluftës në Kosovë, të cilët punuan më ngulm për ta maskuar Serbinë përballë Evropës, se kinse ajo ka ndryshuar dhe me të mund të flasim për fqinjësi të mirë. Serbia ishte dhe vazhdon të mbetet armike ndaj Kosovës. Nuk ka vend për negociata pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë; pa i kthyer të pagjeturit; pa i paguar dëmet e luftës; pa i kthyer artefaktet , fondin pensional, dhe origjinalet e librave kadastral; pa i dorëzuar kriminelët e luftës; pa e njohur Republikën e Kosovës.

Populli i Kosovës përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë luftë të drejtë, të domosdoshme, çlirimtare. Kosova sot është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Për çdo shkelje eventuale, individuale, gjykimi duhet të bëhet në Kosovë, në vendin ku janë zhvilluar luftimet.

Prandaj, ekstradimi i ushtarëve të UÇK-së në Serbi është i padrejtë e i papranueshëm. “Drejtësia” e shtetit të Serbisë, secilin nga ne e nxjerrë fajtor. Sepse luftuam për liri e bashkim e kombëtar, duke ia përmbysur kështu rendin kushtetues atij shteti fashist, dhe duke ia pamundësuar planet për shfarosjen e popullit shqiptar.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
1 maj 2016

Kontribo

19 04 2016

Skema mashtruese për sigurimet shëndetësore

Sot Komiteti për Shëndetësi mbajti një konferencë për media lidhur me një problem të rëndë në sektorin e shëndetësisë i cili prek të gjithë popullatën e Kosovës.

Në konferencë foli doktor Mirsad Shkreta i cili solli në vëmendje se qytetarët në Kosovë po bien pre e një zinxhiri të gjatë e të komplikuar që po pengon pajisjen e qytetarëve me sigurim shëndetësor publik.

Shkreta tha se “në mars kemi mbajtur një konferencë në lidhje me mosimplementimin e Sistemit informativ Shëndetësor dhe keqpërdorimet financiare për një pjesë të projektit siç është kontrata e nënshkruar nga Ymer Shahini, (i afërmi i Enver Hoxhajt) në emër të kompanisë “PRINTEC”. Po ashtu kemi shprehur shqetësimin rreth dëmit financiar (keqpërdorimit të parasë publike) dhe dëmit në sistemin shëndetësor.

Ne kemi pritur këto javë reagimin nga Ministria e Shëndetësisë apo organe të tjera shtetërore të cilat kanë detyrimin ligjor të përgjigjen. Si ndodhi pra që një projekt jetik për shëndetin e qytetarëve për të cilin janë dhënë mbi 7 milionë euro (nga donatorë dhe qeveria) nga 2009 deri me 2015 kur dhe duhet të fillonte nga puna nuk ka dhënë asnjë efekt tek përmirësimi i marrëdhënies me pacientët në Kosovë. Ministria po hesht. Prokuroria po ashtu. Teksa jetët e pacientëve po vihen në rrezik për çdo ditë.

Tash në vend të hetimeve e përgjigjeve lidhur me këtë përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve kemi fillimin e një kontrate të re në Ministrinë e Shëndetësisë me mbi 9 milionë euro ku përfshihet edhe Studimi i fizibilitetit për Sistemin informativ shëndetësor me një shumë prej 250 mijë euro. Pra do të presim e do të paguhet sërish deri në 2018 nëse gjithçka shkon mirë që të funksionalizohet Sistemi informativ e që më pastaj të fillojnë Sigurimet Shëndetësore.

Duhet të kemi parasysh se sistemi nuk nënkupton vetëm hardware dhe software por edhe modulet e caktuara që janë licencimi i mjekëve, edukimi i vazhdueshëm, regjistri i barnave, udhërrëfyesit, klinik, etj. Por për këto nuk ka tenderë. Këto bëhen me vendime politike e profesionale të qeverisjes si dhe me guximin për t’i prerë fijet e krimit të organizuar në sektorin e shëndetësisë.

Në vend të këtyre ne kemi para vetes një qeveri që përbëhet nga individë të cilët direkt dhe indirekt janë pjesë e kësaj skeme korruptive.

Në ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë ka tentativa për të filluar me mbledhjen e primit nga pagat e qytetarëve të Kosovës për Fondin e Sigurimeve. Ne paralajmërojnë qytetarët që pas vjedhjes disa vjeçare lidhur me infrastrukturën e Sistemit Informativ po përgatitet edhe vjedhja e radhës në emër të sigurimeve shëndetësore.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore kërkon që paraprakisht të sigurohen shërbimet, çmimorja, pajisja me kartela e 75% të të punësuarve dhe 75% e kategorive që lirohen nga pagesa për sigurim shëndetësor. Asnjë nga këto nuk mund të bëhet pa e pasur të kompletuar Sistemin informativ Shëndetësor. E për ta pasur Sistemin informativ, duhet së pari të mos vidhen e keqpërdoren tenderët për këtë infrastrukturë, të licensohet i gjithë personeli shëndetësor në Kosovë, të hartohet e zyrtarizohen protokollet për trajtimin dhe për barnat. Asnjë nga këto nuk është bërë dhe as nuk është në plan për t’u bërë.

Ne ftojmë dhe njëherë prokurorinë të hetojë. Ne jemi të bindur se kjo nuk është vetëm një skemë korruptive e tenderëve por është një përpjekje për ta penguar rimëkëmbjen e shëndetësisë. Vetëm kështu pa regjistra e pa sistem monitorimi kushdo e kurdo përfiton miliona euro nga buxheti i shtetit dhe donacionet të cilat kurrë përgjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë mbërritur tek pacientët.

19 prill 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

18 04 2016

REAGIM LIDHUR ME DOKUMENTARIN “SHTABI I MILIONERËVE”

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj për një raportim tendencioz në dokumentarin “Shtabi i Milionerëve” (pjesa e dytë), të prodhuar nga Gazeta Express.

Në atë dokumentar thuhet që Lëvizja VETËVENDOSJE! financohet nga bizneset e familjes Selimi dhe përmendet si “argument” fakti që një kompani me emrin DRINI gjoja ka financuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Pohimet në këtë dokumentar janë shpifje dhe denoncimi ynë ndaj këtij reportazhi bazohet në dy të vërteta:

1. Kompania DRINI nuk është kompani e familjes Selimi,

2. Kjo kompani ka bërë donacion për VETËVENDOSJE!-n, një herë të vetme, në vitin 2012, në vlerë prej 100 euro dhe nga ky fakt nuk mund të pohohet që kjo kompani “ka financuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!”. Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekt që vazhdimisht bënë thirrje për donacione nga qytetarët e Republikës. Edhe ky donacion ka ardhur në këtë formë, përmes llogarisë bankare.

Përfolja e VETËVENDOSJE!-s në dokumentarin në fjalë është jashtëzakonisht tendencioze dhe qëllimkeqe. Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më transparent sa i përket financimit të saj dhe shpenzimit të mjeteve të veta. Këtë e pohojnë edhe organizatat e shoqërisë civile që merren me monitorimin e financave të subjekteve politike.

Kërkojmë nga Gazeta Express që të tërheq një lajm të tillë dhe të jap sqarim e kërkojë falje për këtë përfolje të padrejtë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në të kundërtën, ne nuk do të kemi tjetër zgjidhje përveçse t’u drejtohemi organeve gjyqësore.

18 prill 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

17 04 2016

DEKLARATË E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Historia e ngecjes dhe dështimeve po përsëritet në Kosovë. Në pushtet janë ata që për interesat personale po shesin e falin çdo gjë publike. Po e privatizojnë ekonominë, po rrudhin territorin dhe po reduktojnë sovranitetin shtetëror. Në burgje e procese gjyqësore i kemi ata që po kërkojnë që Republika e Kosovës të jetë vërtetë dhe të funksionojë si Republikë e vërtetë sovrane dhe demokratike. Rrënimi politik, ekonomik dhe social i Republikës së Kosovës po vazhdon të thellohet. Paralajmërimet për ringjallje të “Zajednicës” dhe zbatim të demarkacionit po shpeshtohen.

Qeveria shpërblen Serbinë, kastën profitere sunduese, familjet e kryeministrit e ministrave, vëllezërit e presidentit dhe militantët partiakë. Ndërkaq, papunësia po rritet, rinia po e braktisë Kosovën dhe rezistenca opozitare po përndiqet me polici e gjyqe.

Kryeministri, zyrtarët e tij dhe djemtë e tij po i trashin lidhjet biznesore me Mishkoviqin dhe biznesmenët tjerë nga Serbia, po i hapin rrugë shovenizmit dhe revanshizmit serbomadh, që na vjen në Kosovë në formën e politikanëve që futen këtu dhe promovojnë hapur idenë se “Kosova është djep i Serbisë”, kurse në anën tjetër, po deporton dhe ua ndalon hyrjen në Kosovë aktivistëve nga Shqipëria të cilët me përkushtim, ndershmëri, vendosmëri e sakrificë po e mbrojnë Republikën tonë.


Përballë kësaj situate të rëndë dhe në keqësim të mëtejshëm, bashkimi gjithëpopullor është i domosdoshëm. Gjithë forcat progresive të shoqërisë duhet të mblidhen e bashkohen, sepse vetëm bashkimi do t’i jap fund të keqes.

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i mbledhur më 17 prill 2016, nxjerr përfundimet e mëposhtme:

1. Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbështet fuqishëm përpjekjen e Kryesisë së Lëvizjes për të forcuar bashkimin e opozitës dhe shoqërisë civile në rezistencën e pakompromis ndaj kësaj qeverie dhe projekteve të saj të dëmshme për Kosovën. Këshilli i Përgjithshëm kërkon vazhdimin edhe më intenziv të përpjekjes për të krijuar një Alternativë të bashkuar e cila do të përfshinte VETËVENDOSJE!-n, AAK-në, NISMA-n dhe personat e organizatat e interesuara të shoqërisë civile që nuk pajtohen me këtë gjendje. Kjo do të kthente shpresën që në Kosovë qeverisja ndryshe është e mundshme dhe do të ndikonte fuqishëm në mobilizimin e qytetarëve për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

2. Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mirëpret dhe vlerëson edhe iniciativën e ditëve të fundit, për një koalicion progresist ku do të përfshiheshin subjektet dhe individët që mbështesin koneptet socialdemokrate dhe liberale në politikë dhe qëllimi i së cilës Alternativë do të ishte: demokracia shoqerore, përballë shtetit autoritar; integrimi i vërtetë i serbëve përballë ndarjes etnike dhe shtrirjes së kontrollit të Serbisë në Kosovë; ekonomia e zhvilluar që bazohet tek prodhimi përballë privatizimit abuziv të ekonomisë; çlirimi i institucioneve dhe ndërmarrjeve publike përballë kapjes së shtetit nga koalicioni PDK-LDK-Srpska; drejtësia shoqërore përballë padrejtësisë shtetërore dhe diskriminimit; etj. Një koalicion i tillë paravajtës, do të sillte frymë emancipuese në Kosovë.

Si pasojë e gjendjes së rëndë të krijuar dhe në funksion të zgjidhjes, normalizimit dhe konsolidimit të përgjithshëm kombëtar e shoqëror, protestat janë të domosdoshme dhe të pashmangshme. Qytetarët nuk do të durojnë pafundësisht këtë gjendje dhe rrjedhimisht do të organizohen e mobilizohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekti që ka organizuar më së shumti protesta në Kosovën e pasluftës, e mirëpret çdo protestë që organizohet në Kosovë. Por, gjendja në Kosovë nuk do të përmirësohet pa rrëzimin e kësaj qeverie. E largimi i saj nuk do të bëhet asnjëherë përmes koketimit me partitë në pushtet, por përmes rezistencës qytetare të vendosur e të pakompromis.

Prandaj, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nxjerr përfundimet që para se të vendoset e diskutohet në lidhje me pjesëmarrjen e VETËVENDOSJE!-s në protestën e paralajmëruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e rëndësishme që:

1. Të krijohet Alternativa e bashkuar, e cila përveç që do të ofronte alternativë të qartë kundër regjimit që po e kundërshtojmë, do të forconte jashtëzakonisht shumë kampin e rezistencës dhe do të prodhonte protesta masive e të fuqishme. Bashkimi i opozitës me individë e organizata të shoqërisë civile do të ngjallte shpresë tek qytetarët dhe do t’i nxirrte ata në rrugë me entuziazëm e vendosmëri për ta rrëzuar qeverinë.

2. Me koketime dhe flirtime eventuale me partitë e pushtetit nuk do ketë sukses kauza opozitare dhe nuk do të ndalet e keqja në Kosovë nëpërmjet bisedimeve të fshehta me shkaktarët e krizës. Ky pushtet ka arritur në përmasat e një regjimi autoritar dhe si i tillë ai duhet të dorëhiqet apo të hiqet. Duhet të sqarohen flirtimet me partitë në pushtet para se të vazhdojmë me veprimin e përbashkët opozitar, që do të manifestohej me protesta.


Sot, kur Kosova po rrezikohet nga brenda e nga jashtë, bashkimi i kundërshtarëve të kësaj qeverie është i domosdoshëm. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme që të angazhohet pa kursim dhe me vetëmohim e sakrificë, për ta mundësuar dhe funksionalizuar këtë bashkim. U bëjmë thirrje për angazhim e mobilizim, të gjithë shqiptarëve që e kuptojnë dhe nuk duan ta durojnë tradhëtinë që po u bëhet kundër kombit e vlerave të tij, kundër Republikës dhe idealeve tona. Vetëm përmes bashkimit do të mund t’i realizojmë edhe synimet që duken të pamundshme.

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
17 prill 2016, Prishtinë

Kontribo

14 04 2016

Të ndalohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media ku u fol për nënshtrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Këto zgjedhje përveç që nuk po ndalohen nga Qeveria e Kosovës, Ministrat e Isa Mustafës po kontribuojnë në to dhe po marrin pjesë në tubimet e organizuara nga Vuçiqi e Daçiqi në Kosovë. Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ato janë në përputhje vetëm me Kushtetutën e Serbisë. Tash shtrohet pyetja – cila është përgjegjësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës: mbrojtja e Kushtetutës sonë, apo mbrojtja e Kushtetutës së Serbisë?

“Me mosveprimin e tyre, me tolerimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe me pajtueshmërinë që këto zgjedhje të zhvillohen nga shteti serb brenda territorit të shtetit tonë, Qeveria e Kosovës është vënë në funksion të Kushtetutës serbe dhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës, përballë dështimit për t’i ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, po mundohet t’i paraqesë këto zgjedhje si zgjedhje normale demokratike të një shteti fqinj. Zgjedhjet e Serbisë që janë paralajmëruar të mbahen më 24 prill, nuk janë thjesht zgjedhje të një shteti fqinj, shtetasit e te cilit votojnë në ambasadën e shtetit përkatës, por janë zgjedhje që po organizohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Serbisë në Kosovë”, tha drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, duke shtuar se kjo është shkelje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë e sovranitetit shtetëror, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit të paprekshëm të sistemit zgjedhor.

Ai më tej tha se pakica serbe i është lënë totalisht në përgjegjësi institucioneve të Serbisë, me ç’rast zyrtarët e Serbisë lirshëm hyjnë në Kosovë dhe zhvillojnë fushata zgjedhore duke e lidhur popullatën serbe me premtimet e tyre vazhdueshme për kthimin e Kosovës nën Serbi. “Serbisë i është lënë shkollimi i serbëve, informimi, shëndeti dhe pagat, zgjedhjet, pra praktikisht çdo sferë e jetës sociale, politike, ekonomike dhe kulturore. Kësaj po i korrespondon përpjekja që të krijohet edhe një autonomi territoriale serbe përmes Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Dhe kështu të pamundësohet çfarëdo funksionimi unitar i shtetit të Kosovës në të ardhmen”, theksoi Konjufca.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kundërshton fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Nëse Qeveria ka dështuar t’i kryejë funksionet dhe t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj shtetërore dhe kushtetuese, ne ftojmë Policinë e Kosovës që ta zbatojë ligjin. Kjo do të thotë që çdo person dhe politikan që vjen nga Serbia për këto aktivitete të kundërligjshme të ndalohet, arrestohet ose dëbohet; të ndalohet veprimtaria e paligjshme e shfrytëzimit të objekteve publike të Republikës së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë; si dhe të konfiskohet çdo material zgjedhor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Serbisë.

14 prill 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

30 03 2016

VENDIMI PËR DEMARKACIONIN, I PAPRANUESHËM PËR OPOZITËN

Opozita e Bashkuar që me krijimin e komisionit të ri për demarkacionin me Malin e Zi ka shprehur skepticizmin dhe kundërshtimin e saj, për shkak se ky komision nuk përmbante asnjë ekspert vendor dhe në anën tjetër, kishte përcaktuar që metodën e punës ta kishte të njëjtë me atë të komisionit paraprak. Një komision që nuk përmbanë ekspertë vendorë dhe që ka metodë të njëjtë me komisionin e kaluar, nuk kishte se si të sillte rezultate të ndryshme nga ai.

Opozita e Bashkuar vlerëson se të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtarë, për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, janë vlerësime që janë bërë për nevojat e Presidentes dhe si të tilla nuk mund të kënë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e zi.

Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një Komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumenta valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë.

Kufiri i Kosovës me Malin e zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtar, demarkacioni i kufirit me Malin e zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshohet pa kompromis. Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip.

Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtar se demarkacioni me Malin e zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komsioneve shtetërore, nuk qëndron, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhën zgjidhje jolegale, sic ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi.

Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla.

Kontribo

22 03 2016

ARRESTOHET AKTIVISTI ARBËR ZAIMI, SHTETAS I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Policia e Kosovës, sapo arrestoi aktivistin e VETËVENDOSJE!-s, Arbër Zaimi, vetëm për shkak sa ka shtetësi të Republikës së Shqipërisë.

Siç po duket, Qeveria e Kosovës është e vendosur që të largojë nga Kosova secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë, dhe po aq e vendosur që të lehtësojë intervenimet e ndryshme, legale dhe ilegale të Serbisë. Isa Mustafa në njërën anë e ka hapur Kosovën ekonomikisht dhe politikisht ndaj armikut tonë shekullor, Serbisë, kurse në anën tjetër përherë e më shumë po shfaqë tendenca armiqësore ndaj Republikës së Shqipërisë.

Kjo përshtatet plotësisht me politikat e Kryeministrit për të kthyer ndikimin e Serbisë brenda Kosovës.

Kjo qeveri që arreston opozitën, kërcënon gazetarët, deporton nga Kosova qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është e papranueshme për qytetarët e Republikës sonë. Më 26 mars, masivisht do të dëshmojmë vullnetin tonë për ndërrimin e këtyre politikave që po e shkatërrojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Ne i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në këto skandale dhe të ndikojë që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të tilla jodemokratike dhe absurde.

Kontribo

17 03 2016

Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë

Dje, në Prishtinë, në rrugën ‘Fehmi Agani’, në afërsi të selisë së VETËVENDOSJE!-s, është kidnapuar dhe dëbuar nga Kosova, Boiken Abazi, anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Boikeni këtë funksion e ka tash një vit, ndërkaq nga viti 2011 deri në vitin 2015 ai ka qenë koordinator i sekretariateve të Lëvizjes sonë. Boiken Abazi nuk ka qenë një qytetar privat i Shqipërisë në Kosovë. Ai ka qenë i ftuar nga Lëvizja jonë në Kosovë.

“Kidnapimi dhe dëbimi i Boikenit është krim i këtij regjimi të korruptuar ndaj Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Për këtë kidnapim dhe dëbim ne e mbajmë përgjegjës Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministrin e tij të brendshëm, Skënder Hyseni dhe Drejtorin e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Valon Krasniqi, nga profili i të cilit në Facebook duket qartë se është militant i PDK-së. Këto janë taktika të shtetit policor kundër opozitës tonë demokratike, këto janë metoda fashiste kundër lëvizjes sonë social-demokrate, këto janë tendenca anti-shqiptare kundër frymës sonë kombëtare”, theksoi deputeti Albin Kurti në konferencën e sotme për media. Kurti më tej tregoi se në momentin kur ka kuptuar se policë me rroba civile e kanë kidnapuar Boikenin pa i treguar as urdhërarrest e madje asnjë dokument të vetëm, ky e ka thirrur ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës, z.Bruno Rexhaj. “U thashë të ndërhyjnë menjëherë dhe të shkojnë te policia sepse siguria e Boikenit është rrezikuar, kurse nëse ata që e morën janë policë, atëherë mund ta çojnë në burg ose mund ta dëbojnë jashtë Kosovës. Nuk e di a kanë shkuar, porse disi m’u duk se ata nuk besonin që mund të ndodhin gjëra të këtilla”, u shpreh Kurti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aida Dërguti, tha se ajo bashkë me Boiken Abazin, më 3 shkurt janë kthyer nga Tirana në Prishtinë, pas homazheve për nderë të akademikut Kristo Frashëri. “Në orët e pasdites jemi kthyer në Prishtinë, përmes pikës kufitare të Morinës, me ç’rast kemi paraqitur dokumente tek zyrtarët e policisë dhe gjithçka ka qenë në rregull. Pse Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar Boikenin kur është kthyer në Kosovë nga Tirana, ky nuk është faji i Boikenit por i policisë. Në arsyetimin e policisë thuhet se prania e Boikenit “paraqet kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”. Si bëhet që kjo nuk thuhet për Vuçiqin, Dikoviqin, Daçiqin e Gjuriqin por thuhet për Boiken Abazin?! Për më tepër, Boikeni nuk është kontaktuar kurrë as me shkrim, as me gojë e as me telefon nga policia për t’u paraqitur në polici për shkeljet e aluduara. Pra, nuk ka patur as fletëthirrje më herët edhe pse aktiviteti i Boikenit është publik dhe ai nuk është fshehur asnjëherë. Boikenit i është mohuar e drejta për avokat, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Boikenit i është mohuar e drejta për të njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë edhe pse këtë gjë e ka kërkuar nga Policia”, tha ndër të tjera Dërguti.

Nga vendimi mësojmë se Boikeni qenka shpallur i rrezikshëm dhe mandej policia e lë të lirë në zonën neutrale të kufirit Kosovë – Shqipëri dhe nuk i ka lajmëruar autoritet kufitare të Republikës së Shqipërisë. Boikeni ka ecur vetëm dhe i pashoqëruar drejt kufirit të Republikës së Shqipërisë. Ky deportim i Boikenit nga policia e Kosovës është edhe skandal diplomatik. Ai pason ndaljen e qytetarëve nga Tirana më 9 janar dhe me 17 shkurt 2016, kur ata nuk u lejuan ta kalojnë kufirin dhe të na bashkohen në protestat më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Ne kërkojmë ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama e të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë. Kufiri midis Kosovës e Shqipërisë është kufi i Jugosllavisë e i Serbisë.

17 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

16 03 2016

Deportohet me forcë prej Kosovës Boiken Abazi

Boiken Abazi, pasi është arrestuar prej policëve civilë, është dërguar në stacion, ku i është dhënë një vendim për ekstradim me forcë, të cilin Boiken Abazi ka refuzuar ta nënshkruajë, për shkak se argumentet e paraqitura në atë vendim, janë të pavërteta.

Në vendimin policor shkruhet se Boiken Abazi ka dalë prej Kosovës në datën 03.02.2016 dhe nuk ka të dhëna për hyrje të ligjshme në Kosovë. Ky është një mashtrim i drejtpërdrejtë. Boiken Abazi ka hyrë legalisht në Kosovë, në të njëjtën ditë, duke qenë në shoqërimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, dhe Ramadan Deliut, dhe duke kaluar kontrollin normal kufitar në pikën doganore të Morinës.

Boiken Abazi nuk është përballur me asnjë trupë gjykuese, nuk i është dhënë mundësia të ankohet, apo të apelojë vendimin që është marrë ndaj tij, dhe nuk është lejuar të takohet me avokat – duke ia pezulluar kështu arbitrarisht edhe të drejtat e liritë themelore të përshkruara në konventat ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Kosova. Menjëherë, Boiken Abazi është dërguar me shoqërim të policisë në zonën neutrale mes Kosovës e Shqipërisë. Atë nuk e kanë lejuar të marrë as veshjet e as dokumentat e gjësendet personale. Pra, Boiken Abazi është trajtuar si person i rrezikshëm, edhe pse askund në vendim nuk shkruhet se ai është person i rrezikshëm e se duhet trajtuar si i tillë.

Gjatë udhëtimit, policët i kanë thënë se po detyrohen që t’i bëjnë këto veprime vetëm për shkak të urdhrave, edhe pse nuk po pajtohen me to.

Deportimi i Boiken Abazit, i cili është anëtar i Kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! po bëhet për dy arsye: sepse është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe sepse është shtetas i Shqipërisë. Prej Kosovës nuk deportohen shtetasit e Serbisë që ushtrojnë aktivitete në strukturat ilegale paralele në Kosovë, apo anëtarët e mafisë ballkanike që bashkëveprojnë me pushtetarët e Kosovës. Por, po deportohet një qytetar i Shqipërisë, vetëm për angazhimet dhe aktivitetet e tij politike e kombëtare.

Shteti i fundit që ekstradon qytetarë të Shqipërisë për shkak të angazhimit të tyre politik, ka qenë Greqia. Tash, këtë gjë e bën dhe Kosova. Qeveria antishqiptare e proserbe e Kosovës, po kthen në kujtesën tonë vitet më të errëta të përndjekjes politike dhe të terrorit ndaj shqiptarëve. Kosova e Zajednicës dirigjohet nga Beogradi i Vuçiqit, prandaj ajo nuk mund të jetë as demokraci e as shtet i shqiptarëve, edhe pse shqiptarët luftuan dhe dhanë jetën për të pasur pavarësi në tokën e tyre.
Neomillosheviqët e qeverisë së Isa Mustafës nuk do t’i lejojmë t’i përzënë arbitrarisht shqiptarët prej Kosovës, për shkak të angazhimit të tyre politik. Mbështetësit e fashizmit në Kosovë janë duke gjetur tek qytetarët e Shqipërisë “hebreun” e tyre, dhe janë duke i përdorur mjetet e tyre propagandistike, mediet e portalet, për të bërë thirrje për linçime. Por Kosova është atdhe i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, e shumë shpejt do të bëhet edhe republikë demokratike, prej së cilës asnjë qytetar, i asnjë vendi të botës, nuk do të mund të deportohet arbitrarisht.

Kontribo

11 03 2016

Hegjemonia e Serbisë në Kosovë është e papranueshme, qoftë ajo politike, ushtarake, apo ekonomike.

E vetmja e ardhme për të cilën do të punojmë e do të angazhohemi, është ajo e paqes me drejtësi e barazi mes vendeve. Është e papranueshme për ne që Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, si dhe të fshehë apo të mohojë krimet gjenocidale që ka bërë këtu, në vend që të kërkojë falje e të dëmshpërblejë viktimat. Kjo Serbi që punon aktivisht kundër Kosovës, nuk mund t’i ketë dyert e hapura për prodhimet e saj. Për të patur reciprocitet tregtar është i domosdoshëm në radhë të parë reciprociteti politik.

Për këtë arsye aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot, në Rrugën e Kombit, e kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë. Aksione të tilla do të vazhdojnë deri sa qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës, dhe të mos na i mohojnë të drejtat tona kombëtare!

Dëshirojmë të bëjmë me dije se gjatë aksionit, si dhe gjatë çdo aksioni tjetër të mëparshëm, aktivistët janë kujdesur në maksimum që drejtuesi i mjetit dhe asnjë pasagjer të mos lëndohen fizikisht e të mos frikësohen. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve të cilësdo etni, apo të cilitdo vend.

Kontribo

08 03 2016

8 Marsi – i organizimit për barazi e liri

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka mbajtur një tubim për të diskutuar lidhur me moszbatimin e qëllimshëm nga Qeveria e Kosovës të ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Aty u lexuan dëshmi të viktimave dhe u diskutua për njohjen e statusit së kësaj kategorie. Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri tha se përmes dhunës seksuale dhe shkatërrimit ekonomik, Serbia ka dashur që të lërë pasoja afatgjate në popullin tonë.

“Ajo që quhet ‘normalizim i marrëdhënieve’ e nganjëherë ‘pajtim’, nuk është mes popujve se s’janë të përfshirë fare, dhe as mes shteteve sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por mes pushteteve, mes Vuçiqit, Mustafës e Thaçit”, tha Ymeri.

Krimet e dhunës seksuale ai tha se i kemi trajtuar në mënyrë të gabueshme dhe të dëmshme. ”Ne si shoqëri e kemi trajtuar këtë problem në mënyrën më të keqe të mundshme, duke e injoruar, me një dimension maçoizmi, duke mos e pranuar se këto krime na kanë ndodhur. Pra, duke pohuar se edhe nëse kanë ndodhur, nuk na ka ndodhur ne, por grave e vajzave. Kjo nuk është e vërtetë: këto krime i kanë ndodhur popullit të Kosovës. Ky nuk është faj, por është krim. Kjo është nuk është arsye për turp, por për revoltë.”, tha më tej Ymeri.

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës Aida Dërguti tha se mos zbatimi i këtij ligji nga Qeveria përbën shkelje të rëndë. “Kanë kaluar dy vite që nga aprovimi i ligjit për njohjen e statusit të personat e dhunuar seksualisht në luftë dhe Qeveria nuk po e zbaton ligjin për këtë. Kjo përbën shkelje të rëndë.” Ndërkaq, Këshilli i formuar nga Presidenca për këtë punë nuk ka bërë asgjë. Përfshirja e Arban Abrashit në këtë Këshill, vetëm e ka penguar zbatimin e këtij ligji”, tha Dërguti.
Nazlie Bala, Drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste lexoi disa nga dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale gjë e cila i preku të pranishmit.

“Dëshmitë e mbledhura nuk ishin vetëm një copë letër, ato kanë një histori më vete, nuk janë vetëm shkronja të alfabetit ato janë më shumë se dhimbje me shumë histori e së vërtetës”, tha Bala. Ajo përmendi se përkundër mbledhjes së dëshmive, ato nuk janë adresuar në mënyrë që të kompensohen këto viktima dhe të vihet drejtësi për to.
“Krimi u bë edhe më i rëndë nga administrate ndërkombëtare në Kosovë, që dëshmitë e mbledhura nga shoqatat për gratë e dhunuara i ka shkatërruar apo zhdukur, me të vetmin qëllim, mbrojtjen e shtetit serb”, shtoi Bala gjatë fjalës së saj.

Kurse Albana Gashi, ish deputetja që e ka ndjekur çështjen e ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ka folur për pengesat në të cilat kishte hasur ky ligj i hartuar dhe propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! derisa u aprovua.

“Gjuha e ashpër dhe kudnërshtuese atë ditë në Kuvend nga ana e deputetëve të pushtetit, pati shkaktuar kërcënimin për dhunën fizike ndaj aktivistes Nazlie Bala.
Pas përfundimit të këtij tubimi, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë zhvilluar edhe një aktivitet. Ata kënë shpalosur një hartë të madhe afër Qeverisë me lokacioneve ku ka pasur dhunime masive.

“Emrat që shihni në hartë janë lokacionet ku gjatë luftës së fundit janë përdhunuar 20.000 gra dhe vajza si dhe burra e djem. Dhunimet kanë qenë të organizuara si pjesë e operacioneve ushtarake të Serbisë. Edhe gati 20 vite pas luftës, asnjë ushtarak i Serbisë nuk është dënuar apo nuk është në proces gjyqësor”, tha aktivisti Nol Nushi.gjatë prononcimit për këtë aktivitet.

Të dy këto aktivitete kishin për qëllim thirrjen që 8 Marsi t’i takojë organizimit për liri e barazi në shoqëri. 8 Marsi të jetë i vendosmërisë dhe i ngritjes së zërit.

Kontribo

08 03 2016

Vazhdon gjuetia e Policisë ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s

Policia e Kosovës vazhdon gjuetinë ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aktivistët Zgjim Hyseni, Egzon Azemi, Arbër Morina dhe Lekë Isufi janë arrestuar gjatë periudhës që po merreshin me aktivitetet e planifikuara për datën 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Arsyet pse policia i ka arrestuar aktivistët, si zakonisht nuk janë bërë të ditura. Atyre nuk i është treguar asnjë fletarrest, dhe sipas traditës së shtetit policor, thjesht janë kidnapuar në një aksion të papritur ku janë angazhuar policë të uniformuar dhe policë civilë.

Organizimi i këtij arrestimi në mes të një rruge kryesore të Prishtinës, në një orar tepër të frekuentuar prej këmbësorëve, tregon se sulmet policore të urdhëruara nga pushteti kriminal, kanë si synim edhe terrorizimin e qytetarëve.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, dhe dënimin e urdhërdhënësve e zbatuesve të këtyre veprimeve të përndjekjes politike.

8 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

07 03 2016

129 vjetori i vështirë i shkollës shqipe

Më 7 Mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe në kohën kur kjo i ndalohej shqiptarëve. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Hapja e shkollës së parë shqipe kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri. Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar. Veprimtaria e saj përshkruhej nga fryma patriotike, nga dëshira për dije dhe edukata e punës. Tekstet e përdorura në shkollë si abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit e të tjera, si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike.

“129 vite nga kjo datë shkolla shqipe ka rënë sërish në një grumbull problemesh shumë të mëdha. Tekstet shkollore, përmbajtja e tyre në Kosove është në nivel shumë më të ulët se sa kapacitetet e shoqërisë sonë dhe kombit tonë. Tekstet shkollore në Kosovë janë përgatitur për një periudhe 3 mujore para më shumë se një dekade. Librat shkollorë janë qenësor edhe për ta përmirësuar lexim-shkrimin. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i shpërndan falas në Kosovë librat shkollorë për 270,000 nxënësit e klasave 1-9 në Kosovë”, tha deputeti Mytaher Haskuka, duke theksuar se këto tekste vijojnë të jenë me pasaktësi të forta shkencore; me varfëri referencash; me skizma dhe paragjykime gjinore; si dhe të palidhura me kurrikulën e re të Kosovës, atë të vitit 2011, të cilën e ka pranuar me përshtatje edhe Shqipëria.

Është folur shumë për unifikimin e kurrikulës parauniversitare me Republikën e Shqipërisë por edhe pse tashmë kurrikula e Kosovës është përshtatur, ende nuk i kemi tekstet e unifikuara. Ndërkohë, shqiptarët e Luginës se Preshevës jenë të privuar nga mësimi me tekste në gjuhën shqipe dhe sipas kurrikulës kombëtare. “Në Mal të Zi ende ndalohet që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të përdorin librat nga Tirana ose Prishtina, me arsyetimin si të Serbisë, se ata libra nuk u përputhen me kurrikulën zyrtare që në masë të madhe përmban të njëjtën frymë të para luftërave e ndryshimeve në Ballkan”, tha Haskuka.

Ai më tej theksoi faktin se mësimdhënësit e viteve te 90-ta në Kosovë për shumë vite janë marrë nëpër këmbë pa ua njohur përvojën e punës e pa ua kompensuar atë. “Po ashtu, mësimdhënësit sot në Kosovë nuk kanë sigurim shëndetësor e as invalidor. As Ligji i Punës dhe as Kontrata Kolektive e Arsimit Parauniversitar nuk ua mundëson mësimdhënësve të shfrytëzojnë më shumë se 20 ditë pushim mjekësor me pagesë. Në një shoqëri ku shkolla është e partizuar; ku drejtorët e shkollave zgjidhen sipas përqindjeve të koalicioneve komunale; ku pothuajse nuk ka asnjë investim në mjete të punës bashkëkohore edukative apo laboratorë; ku mësimdhënësit nuk kanë sigurim mjekësor, sigurim invaliditeti; nuk mund të kemi arsimim cilësor”, u shpreh Haskuka.

Mendësia qeverisëse e deritashme në Kosovë, që shkollës dhe mësuesve iu rezervon gjithnjë vendin e fundit në buxhetin e shtetit, është e kundërta e asaj që duam të arrijmë në të ardhmen.

7 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

03 03 2016

Nuk i lejojnë librat tanë, nuk i pranojmë prodhimet e tyre.

Sot, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e përmbysën një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë. Ky aksion është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

16 vjet pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë. Në të njëjtën kohë, Republika e Serbisë vijon të shantazhojë përmes minoritetit serb në Kosovë, duke kërkuar të ndërtojë një shtet brenda shtetit me projektin e “Zajednicës”.

Këto aksione të Republikës së Serbisë nuk gjejnë përgjigje reciproke nga Republika e Kosovës, udhëheqja e korruptuar e të cilës e ka çuar Kosovën në përulje. Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t’ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë.

Për këto arsye, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojnë aksionet e tilla deri sa Republika e Serbisë të pranojë reciprocitet me Republikën e Kosovës. Pabarazia dhe nënshtrimi janë të papranueshme. Ata nuk i lejojnë librat tanë, ne nuk do t’i pranojmë prodhimet e tyre.

Kontribo

27 02 2016

Regjimi Thaçi-Mustafa vazhdon persekutimin e opozitës

Dje, forcat e Policisë së Kosovës brenda Kuvendit, përveç që rrahën e tërhoqën zvarrë nga salla e Kuvendit deputetët e opozitës, arrestuan tre prej tyre. Deputetët e arrestuar dolën sot para gjyqit në Gjykatën Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda.

Prokurorja Merushe Llugiqi ka kërkuar 30 ditë arrest shtëpiak për deputeten Shqipe Pantina, 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Ismajl Kurteshi, si dhe masën për paraqitje në polici për deputetin Bali Muharremaj. Gjyqtarja Alltene Sulejmani i shqiptoi këto masa për deputetët, sipas kërkesës së prokurores. Me këtë, numri i deputetëve opozitarë që aktualisht janë nën masat si paraburgim, arrest shtëpiak, dhe paraqitje në polici, arrin në 14.

Kjo dëshmon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe vepron sipas direktivave që i merr nga pushteti. Deputetët e opozitës po e mbrojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës, brenda Kuvendit të Republikës, dhe veprimet e tyre janë tërësisht legjitime karshi rreziqeve që ia ka sjellë Kosovës funksionimi normal i institucioneve në qeverisjen Mustafa-Thaçi. Përndjekjet e deputetëve të opozitës janë tipike për regjimet totalitare.

Por lëvizja gjithëpopullore protestuese nuk do të ndalet, deri në anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës, deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese dhe shtypëse dhe deri në instalimin e një rendi ligjor demokratik. Institucionet nuk do të normalizohen deri në zgjedhje të reja.

27 shkurt 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

26 02 2016

Protestat tona do të vazhdojnë.

Betejat dhe protestat tona do të vazhdojnë. Kundërshtimi i dy temave; formimit të “Zajednicës” dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi do të jetë edhe më i fortë. Kështu u tha në konferencën e Opozitës së bashkuar ku folën kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ndërkaq, procesi i zgjedhjes së presidentit nën ushtrimin e një dhune të madhe, vetëm sa e ka thelluar edhe më shumë krizën në vend. Poashtu, e ka rritur edhe më shumë iritimin e qytetarëve ndaj Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Ky thellim i kapjes së shtetit nuk do të kalojë dhe qytetarët që e kundërshtojnë këtë klikë uzurpatore do të ngadhnjejnë.

Kuvendi i cili ka një kohë që funksionon si Kuvend jolegjitim ka marrë sot një vendim skandaloz që u shpreh përmes dhunës ndaj deputetevë të opozitës së bashkuar me ç’rast u përjashtuan në mënyrë të paligjshme 11 deputetë opozitarë. Kjo u bë arbitrarisht nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. E tëra u bë që Hashim Thaçi është të zgjidhet president. Ai është zgjedhur president pasi i ka nxjerrë zvarrë deputetët opozitarë. Zgjedhja e tij vjen, pas arrestimit të katër deputetëve të opozitës, Salih Salihu, Bali Muharremaj, Shqipe Pantina dhe Ismajl Kurteshi.
Hashim Thaçi është zgjedhur president vetëm pasi e ka mbushur Kuvendin me polici. Është dashur të rrihen deputetët opozitarë, të krijohet një parlament ku ka vetëm parti qeveritare, që ai të zgjidhet president. Ai do të jetë presidenti më përçarës i Kosovës. Për opozitën, Hashim Thaçi kurrë nuk ka për të qenë president legjitim.

Presidentin e Kosovës e zgjodhi bekimi nga Vuçiqi. Hashim Thaçi sot është president për shkak të pranimit të tij nga Lista Serbe, pra nga përkrahja e Qeverisë së Serbisë. Për të siguruar praninë e tyre, ai ka shitur sovranitetin e Kosovës. Hashim Thaçi është bërë president pasi ka blerë votat e atyre që nuk e votuan në raundin e parë. Ky është pretendenti për president, një njeri që i fiton votat me blerje, shantazhim apo joshje.

Hashim Thaçi është bërë president duke shtypur protestuesit. Ai ka urdhëruar policinë të heqë kampin me tenda që kishte marrë karakterin e një infrastructure kundër regjimit. Kjo u bë edhe pse ai kamp paqësor ishte në ato momente i banuar vetëm nga të moshuar paqësorë. Ai kamp kishte leje deri në datën 8 mars. Përveç kësaj, Hashim Thaçi ka përndjekur protestuesit nëpër rrugicat e Kodrës së Trimave. Ai i ka mbushur kulmet e banesave me snajperë, për të kërcënuar popullin e tij.

Zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e lira demokratike që do ta kthenin legjitimitetin demokratik në këto institucione.

Kontribo

26 02 2016

Policia ndërhyn arbitrarisht në kampin e tendave, edhe pse ishte me leje

Policia ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë duke bastisur dhe sekuestruar tendat në kampin paqësor në sheshin “Skënderbeu”. Tendat e vendosura aty janë pronë private e protestuesve. Organizatorët e protestës kanë marrë leje prej Komunës së Prishtinës, leje e cila zgjaste prej datës 23 shkurt e deri në datën 8 mars. Policia ka hyrë në këtë kamp me reparte speciale dhe qen policorë, edhe pse aty nuk kishte asnjë lloj provokimi apo trazire, kështu që nuk kishte asnjë lloj rreziku për rendin.

Përveç padrejtësive arbitrare që po i ndërmerr ky pushtet policor, kemi mësuar prej aktivistëve që kanë qenë në kamp në momentin e bastisjes, se policia po synon të montojë gjetjen e ndonjë materiali në kamp. Kjo nuk është hera e parë që policia e urdhëruar nga pushteti ndjek metoda të tilla të ulëta. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe në 28 nëntor, kur kanë sulmuar pa asnjë të drejtë zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjë që u dënua edhe nga institucione e organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Kontribo

26 02 2016

Policia e Thaçit dhe e Mustafës ka bastisur të gjitha tendat në kampin protestues paqësor opozitar

Hashim Thaçi është i vendosur që të kurorëzojë veten me pushtet, me çfarëdo lloj mënyre. Si një diktator shembullor ai e ka mbushur Kuvendin e Kosovës me policë të njësisë speciale. Më pas, me urdhër të tij, u përjashtuan prej Kuvendit të Kosovës deputetët opozitarë. Ky është koncepti i pushtetit të Thaçit, të mbajë mbledhje të Kuvendit pa opozitë.

Përveç kësaj, Thaçi, bashkë me partnerin e tij Isa Mustafa dhe me vartësin e tyre Skënder Hyseni, ka organizuar terror policor në rrugët e Prishtinës. Ai i ka urdhëruar snajperët të dalin në kulmet e banesave, dhe ka nxjerrë autoblindat, topat e ujit, dhe reparte speciale me qen policorë, kundër protestuesve.

Policia e Thaçit dhe e Mustafës ka bastisur të gjitha tendat në kampin protestues paqësor opozitar, dhe po i ndjek protestuesit në drejtim të rrugës “Ilir Konushevci”, si dhe në drejtim të sheshit “Nëna Terezë”. Barbaria policore është si kurrë më parë. I vetmi brutalitet që e tejkalon policinë e urdhëruar prej pushtetit, është ai i vetë pushtetit, i Thaçit që kurrë nuk ngopet duke uzurpuar e privatizuar shtetin dhe postet publike.

Me gjithë këtë dhunë, Hashim Thaçi e vazhdoi votimin e tij në Kuvend, pa opozitën. Në këtë votim absurd, ai arriti të marrë vetëm 50 vota. Kjo flet shumë për “unitetin” që ofron kjo figurë përçarëse, e urryer nga shumë prej subjekteve e grupeve shoqërore në Kosovë.

Kontribo

25 02 2016

Protesta e nesërme nis në ora 10:00

Nesër në ora 10:00, do të bëjmë protestën e radhës për largimin e Qeverisë dhe kundër zgjedhjes së Presidentit.

I thërrasim të gjithë qytetarët e Kosovës që janë kundër politikave të kësaj qeverie, që janë kundër thellimit dhe vazhdimit të kapjes së shtetit, që nesër të na bashkohen në shesh të kundërshtimit dhe ta ngrisim së bashku zërin e protestës ashtu që ta pengojmë kapjen e shtetit në majën e tij, në Presidencë.

Më poshtë mund të gjeni pjesë nga deklarimet e sotme të tre liderëve të subjekteve opozitare:

Visar Ymeri: Personi që e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacion, dhe ai që e ka nisur marrëveshjen për “Zajednicën”, po shpreson që nesër të kurorëzohet në President të Republikës së Kosovës. Ne jemi kundër kësaj, dhe insistojmë që Qeveria të largohet në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe që institucionet e Kosovës të bëhen institucione me legjitimitet demokratik. Ky Kuvend dhe këto institucione qendrore, as nuk kanë legjitimitet demokratik, e as nuk kanë legalitet politik për të marrë çfarëdo vendimi, e aq më pak të zgjedhin President.

Fatmir Limaj: I ftoj të gjithë qytetarët që nesër në ora 10:00 të jenë në shesh bashkë me ne, për ta vazhduar kauzën tonë – largimin e këtij regjimi antikushtetues. Regjimet e tilla sikur ky, testojnë dhe provojnë popullin se sa është i qëndrueshëm. Nesër në sheshe të Prishtinës duhet të dëshmojmë se do të vazhdojmë të qëndrojmë deri në largimin e këtij regjimi.

Ramush Haradinaj: Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike- janë rrena. Kanë paralajmëruar rreziqe – janë rrena. Kanë paralajmëruar festë – është rrenë. Ata kanë qëllimin që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk ka protestues shpresojnë se do të duken më legjitim në parlament. Kuorumi në parlament është degraduar, tash ka mbetur populli kuorumi i vetëm legjitim.

Dalja nga kriza, janë zgjedhjet. Çfarëdo tentimi për të vazhduar me logjikën e këtij regjimi, çon në thellim të krizës, për çka përgjegjësia bie mbi Mustafën dhe Thaçin.

Kontribo

11 02 2016

10 vjetori i Demonstratës së 10 shkurtit në Tiranë

Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi sot në Teatrin Metropol në Tiranë 10 vjetorin e demonstratës së 10 Shkurtit, përmes shfaqjes se dokumentarit mbi ngjarjet e datës 10 shkurt 2007 dhe një prezantimi mbi këto ngjarje. Në këtë prezantim folën deputeti Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, i cili e hapi këtë aktivitet me një përmbledhje të ngjarjeve të demonstratës së 10 Shkurtit dhe domethënien e saj për Kosovën dhe shqiptarët.

Pas shfaqjes së dokumentarit deputeti Kurti prezantoi gjashtë dëmet që shkaktoi “Plani i Ahtisaarit” ndaj Kosovës, dëme këto që kundërshtoheshin nga Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes aksioneve dhe demonstratave, pikërisht si ajo e 10 Shkurtit. Ndër dëmet e këtij plani, deputeti Kurti theksoi decentralizimin e Kosovës mbi baza etnike, qe i ka hapur sot rrugën negociatave për bosnjëzimin e Kosovës përmes instalimit të “Zajednicës”. Ai tha se “Atëherë, përmes ‘Planit të Ahtisaarit’, njëherë i ndan më vete komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa sot, përmes ‘Zajednicës’, po përpiqen t’i bëjnë bashkë kundër Kosovës”. Gjatë këtij prezantimi u shpjegua se vrasja e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nga policia e UNMIK-ut në demonstratën e 10 Shkurtit, vazhdon të mbetet e pandëshkuar, pavarësisht vendimit të Panelit për të Drejtat e Njeriut të OKB-se që e njeh UNMIK-un përgjegjës për dhunën dhe vdekjen e dy demonstruesve.

Ky aktivitet u mbyll me një diskutim me pyetje dhe komente nga të pranishmit, të cilët u interesuan për situatën në Mitrovicë, por edhe mbi mënyrat se si mund të rritet bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe se si mund të bashkërendohen më mirë e më shumë politikat e dy shteteve me synim bashkimin.

Kontribo