03 03 2016

Nuk i lejojnë librat tanë, nuk i pranojmë prodhimet e tyre.

Sot, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e përmbysën një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë. Ky aksion është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

16 vjet pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë. Në të njëjtën kohë, Republika e Serbisë vijon të shantazhojë përmes minoritetit serb në Kosovë, duke kërkuar të ndërtojë një shtet brenda shtetit me projektin e “Zajednicës”.

Këto aksione të Republikës së Serbisë nuk gjejnë përgjigje reciproke nga Republika e Kosovës, udhëheqja e korruptuar e të cilës e ka çuar Kosovën në përulje. Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t’ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë.

Për këto arsye, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojnë aksionet e tilla deri sa Republika e Serbisë të pranojë reciprocitet me Republikën e Kosovës. Pabarazia dhe nënshtrimi janë të papranueshme. Ata nuk i lejojnë librat tanë, ne nuk do t’i pranojmë prodhimet e tyre.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 02 2016

Regjimi Thaçi-Mustafa vazhdon persekutimin e opozitës

Dje, forcat e Policisë së Kosovës brenda Kuvendit, përveç që rrahën e tërhoqën zvarrë nga salla e Kuvendit deputetët e opozitës, arrestuan tre prej tyre. Deputetët e arrestuar dolën sot para gjyqit në Gjykatën Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda.

Prokurorja Merushe Llugiqi ka kërkuar 30 ditë arrest shtëpiak për deputeten Shqipe Pantina, 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Ismajl Kurteshi, si dhe masën për paraqitje në polici për deputetin Bali Muharremaj. Gjyqtarja Alltene Sulejmani i shqiptoi këto masa për deputetët, sipas kërkesës së prokurores. Me këtë, numri i deputetëve opozitarë që aktualisht janë nën masat si paraburgim, arrest shtëpiak, dhe paraqitje në polici, arrin në 14.

Kjo dëshmon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe vepron sipas direktivave që i merr nga pushteti. Deputetët e opozitës po e mbrojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës, brenda Kuvendit të Republikës, dhe veprimet e tyre janë tërësisht legjitime karshi rreziqeve që ia ka sjellë Kosovës funksionimi normal i institucioneve në qeverisjen Mustafa-Thaçi. Përndjekjet e deputetëve të opozitës janë tipike për regjimet totalitare.

Por lëvizja gjithëpopullore protestuese nuk do të ndalet, deri në anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës, deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese dhe shtypëse dhe deri në instalimin e një rendi ligjor demokratik. Institucionet nuk do të normalizohen deri në zgjedhje të reja.

27 shkurt 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 02 2016

Protestat tona do të vazhdojnë.

Betejat dhe protestat tona do të vazhdojnë. Kundërshtimi i dy temave; formimit të “Zajednicës” dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi do të jetë edhe më i fortë. Kështu u tha në konferencën e Opozitës së bashkuar ku folën kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ndërkaq, procesi i zgjedhjes së presidentit nën ushtrimin e një dhune të madhe, vetëm sa e ka thelluar edhe më shumë krizën në vend. Poashtu, e ka rritur edhe më shumë iritimin e qytetarëve ndaj Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Ky thellim i kapjes së shtetit nuk do të kalojë dhe qytetarët që e kundërshtojnë këtë klikë uzurpatore do të ngadhnjejnë.

Kuvendi i cili ka një kohë që funksionon si Kuvend jolegjitim ka marrë sot një vendim skandaloz që u shpreh përmes dhunës ndaj deputetevë të opozitës së bashkuar me ç’rast u përjashtuan në mënyrë të paligjshme 11 deputetë opozitarë. Kjo u bë arbitrarisht nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. E tëra u bë që Hashim Thaçi është të zgjidhet president. Ai është zgjedhur president pasi i ka nxjerrë zvarrë deputetët opozitarë. Zgjedhja e tij vjen, pas arrestimit të katër deputetëve të opozitës, Salih Salihu, Bali Muharremaj, Shqipe Pantina dhe Ismajl Kurteshi.
Hashim Thaçi është zgjedhur president vetëm pasi e ka mbushur Kuvendin me polici. Është dashur të rrihen deputetët opozitarë, të krijohet një parlament ku ka vetëm parti qeveritare, që ai të zgjidhet president. Ai do të jetë presidenti më përçarës i Kosovës. Për opozitën, Hashim Thaçi kurrë nuk ka për të qenë president legjitim.

Presidentin e Kosovës e zgjodhi bekimi nga Vuçiqi. Hashim Thaçi sot është president për shkak të pranimit të tij nga Lista Serbe, pra nga përkrahja e Qeverisë së Serbisë. Për të siguruar praninë e tyre, ai ka shitur sovranitetin e Kosovës. Hashim Thaçi është bërë president pasi ka blerë votat e atyre që nuk e votuan në raundin e parë. Ky është pretendenti për president, një njeri që i fiton votat me blerje, shantazhim apo joshje.

Hashim Thaçi është bërë president duke shtypur protestuesit. Ai ka urdhëruar policinë të heqë kampin me tenda që kishte marrë karakterin e një infrastructure kundër regjimit. Kjo u bë edhe pse ai kamp paqësor ishte në ato momente i banuar vetëm nga të moshuar paqësorë. Ai kamp kishte leje deri në datën 8 mars. Përveç kësaj, Hashim Thaçi ka përndjekur protestuesit nëpër rrugicat e Kodrës së Trimave. Ai i ka mbushur kulmet e banesave me snajperë, për të kërcënuar popullin e tij.

Zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e lira demokratike që do ta kthenin legjitimitetin demokratik në këto institucione.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 02 2016

Policia ndërhyn arbitrarisht në kampin e tendave, edhe pse ishte me leje

Policia ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë duke bastisur dhe sekuestruar tendat në kampin paqësor në sheshin “Skënderbeu”. Tendat e vendosura aty janë pronë private e protestuesve. Organizatorët e protestës kanë marrë leje prej Komunës së Prishtinës, leje e cila zgjaste prej datës 23 shkurt e deri në datën 8 mars. Policia ka hyrë në këtë kamp me reparte speciale dhe qen policorë, edhe pse aty nuk kishte asnjë lloj provokimi apo trazire, kështu që nuk kishte asnjë lloj rreziku për rendin.

Përveç padrejtësive arbitrare që po i ndërmerr ky pushtet policor, kemi mësuar prej aktivistëve që kanë qenë në kamp në momentin e bastisjes, se policia po synon të montojë gjetjen e ndonjë materiali në kamp. Kjo nuk është hera e parë që policia e urdhëruar nga pushteti ndjek metoda të tilla të ulëta. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe në 28 nëntor, kur kanë sulmuar pa asnjë të drejtë zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjë që u dënua edhe nga institucione e organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 02 2016

Policia e Thaçit dhe e Mustafës ka bastisur të gjitha tendat në kampin protestues paqësor opozitar

Hashim Thaçi është i vendosur që të kurorëzojë veten me pushtet, me çfarëdo lloj mënyre. Si një diktator shembullor ai e ka mbushur Kuvendin e Kosovës me policë të njësisë speciale. Më pas, me urdhër të tij, u përjashtuan prej Kuvendit të Kosovës deputetët opozitarë. Ky është koncepti i pushtetit të Thaçit, të mbajë mbledhje të Kuvendit pa opozitë.

Përveç kësaj, Thaçi, bashkë me partnerin e tij Isa Mustafa dhe me vartësin e tyre Skënder Hyseni, ka organizuar terror policor në rrugët e Prishtinës. Ai i ka urdhëruar snajperët të dalin në kulmet e banesave, dhe ka nxjerrë autoblindat, topat e ujit, dhe reparte speciale me qen policorë, kundër protestuesve.

Policia e Thaçit dhe e Mustafës ka bastisur të gjitha tendat në kampin protestues paqësor opozitar, dhe po i ndjek protestuesit në drejtim të rrugës “Ilir Konushevci”, si dhe në drejtim të sheshit “Nëna Terezë”. Barbaria policore është si kurrë më parë. I vetmi brutalitet që e tejkalon policinë e urdhëruar prej pushtetit, është ai i vetë pushtetit, i Thaçit që kurrë nuk ngopet duke uzurpuar e privatizuar shtetin dhe postet publike.

Me gjithë këtë dhunë, Hashim Thaçi e vazhdoi votimin e tij në Kuvend, pa opozitën. Në këtë votim absurd, ai arriti të marrë vetëm 50 vota. Kjo flet shumë për “unitetin” që ofron kjo figurë përçarëse, e urryer nga shumë prej subjekteve e grupeve shoqërore në Kosovë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 02 2016

Protesta e nesërme nis në ora 10:00

Nesër në ora 10:00, do të bëjmë protestën e radhës për largimin e Qeverisë dhe kundër zgjedhjes së Presidentit.

I thërrasim të gjithë qytetarët e Kosovës që janë kundër politikave të kësaj qeverie, që janë kundër thellimit dhe vazhdimit të kapjes së shtetit, që nesër të na bashkohen në shesh të kundërshtimit dhe ta ngrisim së bashku zërin e protestës ashtu që ta pengojmë kapjen e shtetit në majën e tij, në Presidencë.

Më poshtë mund të gjeni pjesë nga deklarimet e sotme të tre liderëve të subjekteve opozitare:

Visar Ymeri: Personi që e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacion, dhe ai që e ka nisur marrëveshjen për “Zajednicën”, po shpreson që nesër të kurorëzohet në President të Republikës së Kosovës. Ne jemi kundër kësaj, dhe insistojmë që Qeveria të largohet në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe që institucionet e Kosovës të bëhen institucione me legjitimitet demokratik. Ky Kuvend dhe këto institucione qendrore, as nuk kanë legjitimitet demokratik, e as nuk kanë legalitet politik për të marrë çfarëdo vendimi, e aq më pak të zgjedhin President.

Fatmir Limaj: I ftoj të gjithë qytetarët që nesër në ora 10:00 të jenë në shesh bashkë me ne, për ta vazhduar kauzën tonë – largimin e këtij regjimi antikushtetues. Regjimet e tilla sikur ky, testojnë dhe provojnë popullin se sa është i qëndrueshëm. Nesër në sheshe të Prishtinës duhet të dëshmojmë se do të vazhdojmë të qëndrojmë deri në largimin e këtij regjimi.

Ramush Haradinaj: Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike- janë rrena. Kanë paralajmëruar rreziqe – janë rrena. Kanë paralajmëruar festë – është rrenë. Ata kanë qëllimin që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk ka protestues shpresojnë se do të duken më legjitim në parlament. Kuorumi në parlament është degraduar, tash ka mbetur populli kuorumi i vetëm legjitim.

Dalja nga kriza, janë zgjedhjet. Çfarëdo tentimi për të vazhduar me logjikën e këtij regjimi, çon në thellim të krizës, për çka përgjegjësia bie mbi Mustafën dhe Thaçin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 02 2016

10 vjetori i Demonstratës së 10 shkurtit në Tiranë

Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi sot në Teatrin Metropol në Tiranë 10 vjetorin e demonstratës së 10 Shkurtit, përmes shfaqjes se dokumentarit mbi ngjarjet e datës 10 shkurt 2007 dhe një prezantimi mbi këto ngjarje. Në këtë prezantim folën deputeti Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, i cili e hapi këtë aktivitet me një përmbledhje të ngjarjeve të demonstratës së 10 Shkurtit dhe domethënien e saj për Kosovën dhe shqiptarët.

Pas shfaqjes së dokumentarit deputeti Kurti prezantoi gjashtë dëmet që shkaktoi “Plani i Ahtisaarit” ndaj Kosovës, dëme këto që kundërshtoheshin nga Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes aksioneve dhe demonstratave, pikërisht si ajo e 10 Shkurtit. Ndër dëmet e këtij plani, deputeti Kurti theksoi decentralizimin e Kosovës mbi baza etnike, qe i ka hapur sot rrugën negociatave për bosnjëzimin e Kosovës përmes instalimit të “Zajednicës”. Ai tha se “Atëherë, përmes ‘Planit të Ahtisaarit’, njëherë i ndan më vete komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa sot, përmes ‘Zajednicës’, po përpiqen t’i bëjnë bashkë kundër Kosovës”. Gjatë këtij prezantimi u shpjegua se vrasja e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nga policia e UNMIK-ut në demonstratën e 10 Shkurtit, vazhdon të mbetet e pandëshkuar, pavarësisht vendimit të Panelit për të Drejtat e Njeriut të OKB-se që e njeh UNMIK-un përgjegjës për dhunën dhe vdekjen e dy demonstruesve.

Ky aktivitet u mbyll me një diskutim me pyetje dhe komente nga të pranishmit, të cilët u interesuan për situatën në Mitrovicë, por edhe mbi mënyrat se si mund të rritet bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe se si mund të bashkërendohen më mirë e më shumë politikat e dy shteteve me synim bashkimin.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

31 01 2016

VAJZAT DHE GRATË E GJILANIT, TË MOBILIZUARA DERI NË LARGIMIN E QEVERISË ANTIKUSHTETUESE

Sot në Gjilan, opozita e bashkuar mbajti tubim mobilizues me gra, në kuadër të përgatitjeve për protestën e ardhshme kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën dhe kundër kësaj Qeverie që e ka shkelur Kushtetutën e vendit.

Para të pranishmeve folën Nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, Fatmir Mulhaxha – Kollçaku, Kryetarja e Aleancës së Gruas, Magbule Shkodra, Kryetarja e Nismës së Gruas në Gjilan, Ajshe Matoshi, si dhe deputetet Donika Kadaj-Bujupi, Valdete Bajrami dhe Besa Baftiu.

Në këtë tubim u fol për rolin e gruas në ndryshimet politike në Kosovë ndër vite, si dhe për nevojën e rritjes së angazhimit në këtë fazë, ashtu që të gjithë bashkërisht t’i ndalim marrëveshjet që e cenojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës. Tash e disa muaj, opozita është bashkuar kundër proceseve të dëmshme për Kosovën, dhe me aktivitete të shumta ka kundërshtuar vazhdimisht marrëveshjet e 25 dhe 25 gushtit. Nga data 23 dhjetor jemi në situatë të re, meqë edhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Qeveria e Kosovës i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës me marrëveshjen për “Zajednicën”. Prandaj, kjo Qeveri nuk ka më as legjitimitet e as legalitet të udhëheq me vendi. Largimi i saj është i domosdoshëm. Këtë e kërkoi populli i Kosovës fuqishëm më 9 janar, e edhe më fuqishëm do ta kërkojë më 17 shkurt të këtij viti.

Gratë pjesëmarrëse në këtë tubim u shprehen të revoltuara me mënyrën e qeverisjes së këtij pushteti, qeverisje kjo që i ka sjellë dëme të mëdha Republikës së Kosovës. Ato u shprehen gatshme për angazhim të përbashkët në protestën tonë të drejtë, deri në anulimin e marrëveshjeve dhe deri në largimin e kësaj qeverie.

“Mirupafshim më 17 shkurt”, ishte emëruesi i përbashkët i folëseve në këtë tubimi.

31 janar 2016
Opozita e bashkuar – Gjilan

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

29 01 2016

Policia arrestoi asmableistin e VETËVENDOSJE!-s, Valon Hoti.

Sot në kohën kur po mbahej seanca e rregullt e Kuvendit Komunal në Malishevë, policia rrethoi ndërtesën e e Kuvendit dhe më pas arrestoi asmableistin e VETËVENDOSJE!-s, Valon Hoti.

Pushteti përmes policisë së instrumentalizuar futet dhunshëm në mjediset e Kuvendit Komunal duke bërë presion ndaj Komunës së Malishevës dhe asambleistëve të saj madje,dhe duke arrestuar njërin nga ta si hakmarrje ndaj qëndrimit që ky Kuvend kishte nxjerrë, në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën që dolën të jenë edhe antikushtetuese.

Malisheva si kurrë më parë është bashkuar rreth kauzës në mbrojtje të sovranitetit dhe Republikës, e veprimi i sotëm i regjimit nuk mund as ta frikësojë e as ta zmbrapsë këtë vullnet.

Opozita e bashkuar në Malishevë dënon ashpër këtë akt tinëzar dhe qyqar të orkestruar nga pushteti në theqafje, i cili tashmë në panik ka filluar të futet edhe në ndërtesat dhe institucionet që përfaqësojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.

Këtij regjimi po i numërohen orët dhe do t’i jepet goditja përfundimtare nga qytetarët e Kosovës. Ne nuk do të ndalemi. Qytetaret çdo ditë e më tepër po bashkohen rreth kauzës sonë dhe kështu së bashku do të vazhdojmë derisa ta ndalim degradimin e Republikës sonë.

29 janar 2016
Opozita e Bashkuar – Malishevë

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 01 2016

Posta dhe Telekomi i Kosovës është ndarë nga Serbia 55 vjet më parë

Posta dhe Telekomi i Kosovës është ndarë nga Serbia 55 vjet më parë. E tash, për herë të parë, me nënshkrim të Qeverisë së Kosovës, operatori shtetëror serb kthehet në Kosovë. Dhe kjo bëhet kinse për kodin telefonik, për të cilin aplikon Austria me pëlqimin e Kosovës dhe Serbisë. Me marrëveshjen për telekomunikacion, Kosova u betonua në një rajon që formalisht gjendet nën sovranitetin e Serbisë (të paktën në sektorin e telekomunikacionit). Peticionin kundër kësaj marrëveshjeje, kundër të gjitha marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, dhe kundër marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, e kanë nënshkruar 205.254 qytetarë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 01 2016

ZULLUMI QEVERITAR PËRBALLET ME MLLEFIN QYTETAR

Protesta e thirrur nga Opozita e Bashkuar, u bë një protestë gjithëqytetare. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive si kurrë më parë. Opozita falenderon dhe shprehë mirënjohje për të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e subjekteve opozitare për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë.

Para disa ditësh Isa Mustafa tha se do ta zbatojë “Zajednicën” pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se opozita nuk ka mbështetje dhe se nuk po i dalin njerëzit në protesta.

Sot, qytetarët ia dhanë përgjigjen qeverisë Mustafa, duke dalë në protestën më të madhe të zhvilluar në Kosovë që prej pasluftës. Rreth 100.000 pjesëmarrës i kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Prishtinës, të ardhur nga gjithë qytetet e fshatrat e Kosovës, si dhe nga vise të tjera nga trojet shqiptare dhe nga diaspora.

Organizimi i protestës ka qenë tepër korrekt. Siç u tha edhe në tubimin e sotëm, protestuesit vetë shënojnë ardhjen e një kohe të re për Kosovën, e për të gjithë, pa dallim.

Policia që prej orëve të para të ditës në disa raste ka provokuar protestuesit duke ndalur shumë autobusë e duke i penguar qytetarët të vijnë në Prishtinë.

Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar.

Qeveria duhet ta dijë se pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Për t’u qetësuar qytetarët, nevojitet dorëheqja e menjëhershme e qeverisë Mustafa.

Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese.

Protestat vazhdojnë!

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 01 2016

KAPJA E SHTETIT NGA KOALICIONI LDK-PDK

Etja e pakufizuar për pushtet dhe dëshira e pangopur për pasuri janë karakteristikat më tipike të forcave që po e qeverisin aktualisht Kosovën.

Për të mirëmbajtur sistemin e tyre klientelist, partitë në pushtet, pra PDK e LDK kontrollojnë përmes bordeve të gjitha ndërmarrjet publike, autoritetet që me ligj janë të pavarura dhe institucionet kushtetuese. Po ashtu, përmes kontrollit të bordeve këto parti sigurojnë edhe zhvatjen që ia bëjnë ekonomisë sonë.
Në një llogari të thjeshtë, vetëm në bordet e KOSTT, Aeroportit të Gjakovës, Ibër-Lepencit, Infrakos-it, PTK-së, Trainkos-it, AKP-së, ARKEP-it dhe ZRRE-së janë plot 34 individë të cilët kanë lidhje të ngushta me partitë në pushtet si edhe me persona të caktuar të qeverisë. Kjo lidhje nuk është për ide e projekte, por për favore e për tendera.

Këta persona, emrat e të cilëve ne sot po i publikojmë, janë një hallkë e rëndësishme në zinxhirin urdhërues që varet prej Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit.

Me këtë shtrirje të korrupsionit, me këtë kapje të të gjitha enteve e ndërmarrjeve, e institucioneve asnjëherë nuk do të mund të kemi një shtet të së drejtës, apo një shtet zhvillimor. Mungesa e efikasitetit ekonomik dhe ndarjes së drejtësisë do të jetë karakteristikë e përhershme e këtyre ndërmarrjeve dhe institucioneve, edhe pse ato kanë potencial.

Nuk po i bëjmë thirrje qeverisë t’i pastrojë bordet e institucionet prej njerëzve partiakë instrumente të korrupsionit, meqenëse ata në 16 vite kanë bërë vetëm të kundërtën. Por tashmë kemi kërkuar që Qeveria vetë të largohet, dhe këtë do ta arrijmë edhe nëpërmjet protestave që nisin në 9 janar.

E me qeverinë e re, këta që janë aty si duar të zgjatura të korrupsionit qeveritar nëpër borde e institucione, që e mbajnë peng Kosovën, nuk do të jenë më, ndërsa në vend të tyre do të jenë profesionistët, punëtorët dhe menaxherët, pra njerëzit e ndershëm e të guximshëm nga fushat përkatëse.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 12 2015

Aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë gjuajtur me vezë zëvendëskryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin.

Të hënën, në datën 28 dhjetor 2015, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë gjuajtur me vezë zëvendëskryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin.

Memli Krasniqi, aktualisht Ministër i Bujqësisë në qeverinë e Isa Mustafës, është një prej mbrojtësve më të zellshëm të veprimeve kundër-kushtetuese të qeverisë. Ai ka mbrojtur marrëveshjet kriminale të nënshkruara nga qeveria, dhe ka justifikuar veprimet e dhunshme të cilat pushteti i ka ndërmarrë ndaj aktivistëve dhe deputetëve të opozitës.

Përndryshe, Memli Krasniqi si Ministër ka dështuar në çdo politikë të ndihmës ekonomike, të subvencionimit, apo të planifikimit zhvillimor për sektorin e bujqësisë, i cili është një prej sektorët e lënë pas dore edhe pse potencialin zhvillimor e ka të madh.

Për arsye të servilizmit të tij ndaj “shefave të mëdhenj”, për arsye të korrupsionit e të klientelizmit që e shoqërojnë këtë ministër kudo që shkon, si në Ministrinë e Kulturës ashtu edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ai e meriton protestën e aktivistëve, dhe i meriton tërësisht vezët. Asnjë zyrtar i lartë i kësaj qeverie kriminale nuk do të mund të qëndrojë rehat, larg protestës së opozitës.

Gjatë zhvillimit të këtij aksioni gjashtë ose shtatë truproja të Memli Krasniqit kanë rrahur në mënyrën më brutale e më çnjerëzore, pa asnjë të drejtë, aktivistin Egzon Azemi. Dëshmitarë të kësaj rrahje u bënë shumë qytetarë, që kanë qenë duke kaluar në atë kohë në Rrugën “Rexhep Luci”. Më pas Egzon Azemi është dërguar në polici.

Egzon Azemi ka ushtruar një të drejtë themelore si qytetar, atë të protestës, dhe për këtë arsye askush nuk ka të drejtë ta privojë nga liria apo ta arrestojë. Kërkojmë menjëherë lirimin e aktivistit Egzon Azemi, dhe respektimin e të drejtave të tij.

Po ashtu, kërkojmë nga policia evidentimin dhe arrestimin e menjëhershëm të personave që e kanë rrahur aktivistin Egzon Azemi, të cilët janë truproja të Memli Krasniqit. Nuk guxojmë kurrë të lejojmë që truprojat “të bëjnë ligjin” në vendin tonë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 12 2015

Pushteti nuk mbahet me represion ndaj opozitës

Gjykata Themelore në Prishtinë sot vazhdoi masën e arrestit shtëpiak për deputetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, deri më 17 shkurt të vitit 2016. E njëjta Gjykatë, i shqiptoi sot masën 30 ditë paraburgim koordinatorit të sekretariateve të VETËVENDOSJE!-s, Nol Nushit.

Ky sistem i kapur i drejtësisë, është vënë në shërbim të kësaj Qeverie kriminale, e cila përmes marrëveshjeve antikushtetuese po do ta instalojë “Zajednicën” në Kosovës.

I bëjmë thirrje Qeverisë që t’i ndalë përpjekjet për ta shtypur opozitën. I bëjmë thirrje Gjykatave që të vihen në shërbim të Republikës, dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kriminelët e pushtetit, ata të cilët shkelën Kushtetutën, e për të cilët nuk vlen asnjë ligj në Kosovë.

Pushteti nuk mbahet me represion ndaj opozitës. Ne nuk ndalemi. Përpjekjet tona për ta mbrojtur Republikën e Kosovës nga marrëveshjet e dëmshme dhe nga kjo Qeveria, nuk do të ndalen. Më 9 janar, populli i Kosovës do ta thotë fjalën e vetë.

28 dhjetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 12 2015

KOALICIONI I “ZAJEDNICËS” DUHET TË LARGOHET MENJËHERË

Opozita e bashkuar ka deklaruar dhe argumentuar se marrëveshja e 25 gushtit me Serbinë e nënshkruar nga Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq në Bruksel është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe frymën e saj.

Rrjedhimisht kjo marrëveshje dhe ‘Zajednica’ në përgjithësi janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla janë të vdekura.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si dhe koalicioni i tyre duhet të japin përgjegjësi për shkelje të Kushtetutës.

Këta shkelën Kushtetutën, dhe mashtruan qytetarët duke u përpjekur ta fshihnin këtë mashtrim. Po ashtu, ata kanë vënë në lajthitje Kuvendin e Republikës, duke tentuar dhunshëm ta bëjnë atë pjesë të shkeljes së tyre të rëndë.

Kundër argumenteve tona Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi patën deklaruar se Zajednica është OJQ, është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën dhe se Dekretin për themelimin e saj do ta dërgonin në Gjykatën Kushtetuese.

Ata nën këto qëndrime antikushtetuese shpërfillën Peticionin e 205 254 qytetarëve, arrestuan deputetët tanë, aktivistët e qytetarët protestues.

Ata na akuzuan se po shkelim ligjin teksa kishin shkelur thelbësisht Kushtetutën e vendit tonë, pra interesin tonë shtetëror.

Prandaj largimi i menjëhershëm i Mustafës dhe Thaçi është i domosdoshëm dhe më e pakta që duhet të ndodhë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 12 2015

Vezë për Blerand Stavilecin

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, është një nga përgjegjësit për shkatërrimin ekonomik të Kosovës. Ai bashkë me Kryeministrin Isa Mustafa, u tërhoqën nga Ligji për Trepçën, meqë një gjë të tillë e kërkoi Beogradi.

E për t’i shkuar edhe më për shtati politikave të Serbisë mbi Kosovën, Ministri Blerand Stavileci dje në Beograd nuk guxoi asnjëherë ta përmend fjalën Republikë, pra nuk guxoi të thotë “Republika e Kosovës”, përderisa në anën tjetër Marko Gjuriq vazhdimisht i referohej Kosovës si Kosovë e Metohi.

Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s sot e gjuajtën me vezë këtë ministër, për t’i treguar edhe njëherë Qeverisë së Kosovës që pa u tërhequr nga marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi nuk do të ketë qetësi dhe rehati për ministrat e saj.

22 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 12 2015

Fjalimi i Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, i mbajtur në mbledhjen e XVII-të të Këshillit të Përgjithshëm.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm
Të shumërespektuar aktivistë mysafirë të kësaj mbledhjeje të Këshillit
Të dashur aktivistë e simpatizantë,
Zonja e zotërinj

Që prej se jemi takuar herën e fundit, e kemi kaluar një kohë jashtëzakonisht aktive. Po i lëmë prapa plot 4 muaj të protestës së vazhdueshme, angazhime tw aksionit politik e të ballafaqimit.

Këta muaj të ballafaqimit janë muajt më intenziv të Lëvizjes sonë. Janë muajt që e definojnë 10 vjeçarin e organizatës sonë. Por jo vetëm kaq. Këta janë muajt që po e definojnw të ardhmen e Kosovës dhe rrjedhimisht të ardhmen e Lëvizjes në të.

Dhe të tillë do të jenë edhe muajt që po vijnë.

Republika e Kosovës po vazhdon të kërcënohet nga “Zajednica” e Serbisë. Territori i kësaj Republike po vazhdon të kërcënohet me tkurrje nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Qeveria e policëve po vazhdon të egërsohet e të kërcënojë. Po hyjmë në një fazë të definimit të qartë të pozicioneve brenda shtetit tonë.

Populli i Kosovës bashkë me Opozitën e Bashkuar në njërën anë duke e kundërshtuar formalizimin dhe konsolidimin e ndërhyrjes së Serbisë brenda territorit, institucioneve, pasurisë, resurseve të Republikës së Kosovës. E treshja Mustafa – Thaçi – Veseli në anën tjetër duke e luftuar këtë kundërshtim, duke e keqpërdorur aparatin shtetëror, polici, gjyqësi, për të vënë atë në funksion të hapjes së rrugës për këtë ndërhyrje të Serbisë.

Situata është tejet e qartë dhe po qartësohet përherë e më shumë.

Kohëve të fundit klika Mustafa – Thaçi janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndarjes formale të Trepçës në dy ndërmarrje funksionale. Njëra në veri e tjetra në jug. Kështu vepron “Zajednica”. Kështu duket “Zajednica”. Dhe për këtë po insistohet të themelohet ajo. Që resurset e Kosovës të jenë në kontroll juridik të Serbisë, përmes kreaturës institucionale të saj në Kosovë, “Zajednicës”.

Ndarja e Trepçës në dysh nënkupton përgjysmim të kapaciteteve të saj, dhe përgjysmim të potencialit të saj profit për Republikën e Kosovës.

Ashtu siç po e ndajnë sistemin e energjisë, atë të telekomunikacionit, tregun e mallrave, buxhetin e vendit, ashtu “Zajednica” po kërkon ta ndajë edhe potencialin industrial, turistik, e minerar të vendit.

Ndërkohë që Serbia tashmë ka filluar ta kërkojë kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, si dhe të ndërhyjë dretpërdrejt në menaxhimin e Parkut Nacional të Sharrit.

Mustafa e Thaçi, si bashkëpunëtorë në këtë rast të Vuçiqit e Daçiqit po i kalojnë pasuritë e Kosovës në pronësi faktike të Sërbisë pjesë – pjesë. Njëlloj, sikur hajni që e shet makinën e vjedhur pjesë – pjesë.

Kjo është mendësia politike e cila është ulur këmbëkryq tash e 8 vite pavarësi në institucionet e Kosovës. Mendësi politike që karakterizohet nga serviliteti, inferioriteti e qyqarllëku ndaj atyre lart, dhe egërsia dhuna e brutaliteti ndaj atyre poshtë. Kështu Thaçi e Mustafa dhe të tjerët si ata që bartin këtë mendësi politike janë jashtëzakonisht të nënshtruar politikisht e intelektualisht ndaj çdokujt dhe çdogjëje jashtë Kosovës, për ta kompensuar pastaj këtë inferioritet e servilizëm me egërsi brenda.

Serbisë i bëjnë koncensione qoftë në sovranit mbi territorin qoftë në sovranitet mbi resurset, e ato që mbeten egërsisht, brutalisht e primitivisht i ndajnë mes vete. Nënshkruajmë marrëveshje shtetrrënuese jashtë sepse ashtu po ua kërkokan, e pastaj arrestojnë deputetë, rrahin e keqtrajtojnë aktivistw, arrestojnë qytetarë për t`i zbatuar këto marrëveshje.

Çfarëdo nërhyrje politike e Serbisë në Kosovë, e lehtë apo e rënduar qoftë ajo, përherë ka kërkuar të burgosur politik. Edhe sot që Serbia me Zajednicë po e ndan Kosovën, Mustafa e Thaçi me prokurorë e gjykatës po mbajnë të burgosur politik. Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Finsnik Ismajli, Ismajl Kurteshi janë deputetët e VETËVENDOSJES!-s që aktualisht gjenden në burg. Besa Baftiu, Aida Dërguti e Glauk Konjufca po ashtu janë arrestuar nga policia në Kuvend.

Valdrin Ahmeti, Egzon Balaj, Pajtim Demaj, Veron Hasani, Kushtrim Avdimetaj
Trim Gashi, Besnik Zeqiraj – janë aktivistë të arrestuar që kanë mbajtur paraburgim – disa prej tyre vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Egzon Azemi, Ardian Huli, Luan Hoti, Durim Elshani, Valmir Osmanaj, Arianit Manxhuka. Agron Kabashi – janë aktivistë të cilët ishin mbajtur në burg dhe tash janë në arres shtëpiak. Poashtu edhe Artan Abrashi, Zgjim Hyseni e të tjerë që kishin kaluar nëpër duart e policisë e veçanërisht rreth 100 që u arrestuar më 28 nëntor ditën e ndërhyrjes brutale të policisë në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Po ta bëjmë një llogari të thjeshtë, vetëm muajt e fundit janë mbajtur rreth 1020 ditë nga aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kjo i bie, afërsisht 3 vite burg përgjatë këtyre muajve të protestave që kemi qenë bashkë të angazhuar.

Dhe pastaj thonë duam të dialogojmë. I kemi dëgjuar disa herë edhe Mustafën, edhe Thaçin, bashkë me Jahjagën e cila është qind përqind vegël e kësaj mendësie politike, dialogun po e kërkojnë sa për ta maskuar këtë të vërtetë të tyre politike Dialogun po e duan ashti siç e do Serbia dialogun me Kosovën: dialog pa kushte nga Kosova dhe dialog “Zajednicën”.

Nuk ka dialog për “Zajednicën” sepse nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë “Zajednicë”. Kundër “Zajednicës” dhe sponsorizuesve e lehtësuesive të saj ka vetëm ballafaqim politik, angazhim protestues, e vetëmohim deri në anulimin e saj.

Dialogu sot do të nënkuptonte marrëveshje për themelimin e “Zajedenicës” e marrëveshje për legjitimimin e këtij pushteti policor, me shtetin e tij të kapur. Do të nënkuptonte mohim i tërë përpjekjes sonë të përbashkët, mohim i vullnetit të qytetarëve i shprehur përmes peticionit e protestës, si dhe mohim i interesit të Republikës ashtu siç e kemi identifikuar bashkërisht.

Nuk mund të jetë as në interes të Republikës dhe as të popullit të kësaj Republike sepse në interes të populli të kësaj Republike është republika e barazisë, e zhvillimit, mirëqenies dhe e bashkimit. Jo Republikë që ndan resusre, ndan territore dhe që arreston e burgos qytetarët e saj. Një Republikë e cila do ta krijonte hapësirën e domosdoshme të lirisë, punës dhe zhvillimit për qytetarët e vet dhe jo një republikë e cila krijon hapësirën e kërkuar nga shteti armik i kësaj Republike, nga Serbia përmes “Zajednicës”. Një “Zajednicë” të tillë dhe një republikë të tillë nuk do të lejojmë që të zbatohet në Kosovë sepse në Kosovë mund të ketë vetëm një Republikë dhe ajo është Republika e këtij populli, e këtyre qytetarëve, dhe Republika e cila ua mundëson mirëqenien këtyre qytetarëve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 12 2015

Prizreni është për Republikën

Manifestimit të Opozitës së Bashkuar për Republikën dhe kundër marrëveshjeve me Serbinë e asaj për demarkacionin me Malin e Zi, qytetarët e prizrenit i janë përgjigjur masivisht. Në numër shumë të madh ata sot kanë demonstruar vullnetin e tyre për t’i kundërshtuar këto marrveshje.

Marrëveshjet nuk do të kalojnë, Serbia nuk do të lejohet të kthehet në Kosovë dhe nuk mund t’i falim tokë askujt. Këto kanë qenë tri pikat kryesore gjatë fjalëve të mbajtura gjatë manifestimit në Prizren.

Sikur janarin e kaluar, edhe janarin që po vjen do të ketë protesta. Ato do të ndalen kur të tërhiqen marrëveshjet. Kjo qeveri duhet të reflektojë mbi alternativat tona që i kemi dhënë si Opozitë e Bashkuar. Nuk mund të na përgjigjen vetëm me polici gjithmonë.

Shumica e pankartave që mbaheshin prej pjesëmarrësve i drejtoheshin si thirrje e kërkesa Qeverisë së Kosovës, por disa iu drejtuan edhe policisë për shkak të arrestimve të shumta që po i bën opozitës dhe dhunës që ushtron ndaj tyre.

Qytetarët nuk do ta lejojnë zbatimin e marrëveshjeve, por as nuk do ta tolerojnë gjatë një qeveri e cila në formën më të papërgjegjshme nënshkroi marrëveshje tepër të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Prizreni sot dëshmoi se marrëveshjet kriminale nuk do të kalojnë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 12 2015

MBAJTJA NË BURG E DEPUTETËVE, DO TË KETË KOSTO TË MADHE PËR QEVERINË

Gjykata Themelore e Prishtinës, me një trupë gjykuese të udhëhequr nga gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që të zgjasë edhe për dy muaj mbajtjen në paraburgim të deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që janë Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Po ashtu, është vazhduar edhe për dy muaj arresti i shtëpisë për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Është i njëjti sistem i gjyqësorit, i cili në 16 vitet e pasluftës dhe në 8 vite të pavarësisë kurrë nuk ka nisur procese të tilla kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i cili është prezent në të gjitha nivelet e larta të politikës dhe ekonomisë në vend.

Ky gjyqësor sot po përdoret, pikërisht nga kriminelët në pushtet, që të mbajë pa asnjë të drejtë në burg deputetët të cilët ende kanë imunitet në bazë të mandatit të marrë nga votat e popullit.

Këta deputetë, të gjitha veprimet që i kanë bërë, i kanë bërë me ndërgjegje të plotë politike, për të ndalur marrëveshjet e dëmshme që i ka sjellë qeveria e paaftë, e korruptuar dhe e shantazhuar e Mustafës dhe e Thaçit. Pra sot ata janë të burgosur politikë.

Vendimi i padrejtë për të mbajtur në burg deputetët do të ketë një kosto të madhe për pushtetin. Ne nuk do të ndalemi së protestuari.

Kërkojmë të lirohen menjëherë deputetët dhe aktivistët e tjerë. Kërkojmë që qeveria të ndalë mbrojtjen me dhunë të marrëveshjeve të padrejta për Zajednicë dhe Demarkacion.
Protestat e janarit po afrojnë. Në ato protesta jo vetëm që do të ndalet zbatimi i marrëveshjeve, por do të ndalet edhe praktika e korruptuar sipas së cilës qeveria kontrollon gjykatat e policinë për të burgosur opozitën. Qeveria e re do të sjellë liri edhe për gjykatat e për institucionet e rendit, që sot janë të kapura në mënyrë skandaloze nga Qeveria e Rashkës dhe nga SHIK-u.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

14 12 2015

Triumvirati i rrenave: Veseli-Mustafa-Thaçi

Seanca e sotme e improvizuar nëpër skuta i ka nxjerrë në pah tre gënjeshtarë të mëdhenj, të cilët edhe sot nuk hezituan të vazhdojnë ta mbulojnë diktaturën e tyre me fjalime hipokrite e patetike.

I pari foli ish shefi i SHIK-ut, i rehabilituar si kryetar i institucionit më të lartë të një demokracie parlamentare, siç është Kuvendi. Të gjithë e mbani mend kur, para pak ditësh Kadri Veseli betohej se kurrë nuk do të lejonte të hynte policia në Kuvend, dhe kurrë nuk do të përjashtohej opozita, për sa kohë që Ai, do të ishte kryetar kuvendi. E sot, Kadri Veseli bën thirrje për skanera specialë, ndërkohë që e ka mbushur sallën e Kuvendit me policë me maska gazi. Kadri Veseli ka urdhëruar kontrollin e deputetëve të opozitës, ndërkohë që shumë prej bashkëpunëtorëve të tij në SHIK, që sot janë deputetë e ministra të partive në pushtet, kurrë nuk janë kontrolluar e kurrë nuk janë hetuar. Kadri Veseli ka kërkuar sot edhe masa të shtuara represive kundër opozitës, sepse sipas tij policia nuk mjafton, edhe pse i kemi parë të gjithë arrestimet dhe ndërhyrjet policore ndaj opozitës dhe mbështetësve të saj.

Në seancën e turpshme ku partitë në pushtet u mblodhën të diskutojnë pasi e përjashtuan opozitën, kryeministri i Qeverisë së Rashkës, Isa Mustafa, ka përsëritur edhe një herë se kërkesat e opozitës për tërheqje të marrëveshjeve nuk janë të sinqerta, dhe kinse Opozita e Bashkuar paska kërkesa të tjera.

Kjo nuk është hera e parë që Mustafa e thotë të njëjtën gënjeshtër, pasi ai këtë gjë e ka pretenduar edhe në kohën kur Opozita protestonte kundër ministrit të tij me qëndrime raciste, Jabllanoviqit. Por veprimet opozitare gjithnjë kanë qenë të përgjegjshme, dhe kanë vërtetuar të kundërtën. Mjafton që Isa Mustafa të heqë dorë nga dy marrëveshjet e dëmshme për të ardhmen e Kosovës, dhe ne garantojmë se secili aktivist e secili deputet opozitar do t’i kthehet normalitetit.

Mashtruesi i tretë ishte Hashim Thaçi, personi i cili i ka ndërtuar gjithë këto marrëveshje të cilat tash i ka nënshkruar Mustafa. Thaçi ka deklaruar me pafytyrësinë më të madhe se me bllokimin e këtyre marrëveshjeve, opozita ia paska pamundësuar Kosovës përfitimin e 60 milion eurove. Sipas zëvendësit të Mustafës ia vlen ta ndërtojmë Republikën Serbe në Kosovë, me një çmim të tillë. Hashim Thaçi mendon se qytetarët i kanë harruar aferat me qindra milionë të cilat ai dhe njerëzit e tij i kanë përfituar nëpër privatizime shkatërruese të pronës publike. Vetëm kontrata që Hashim Thaçi ka lidhur për privatizimin e KEDS-it, ia ka vjedhur fitimin mbi një qarkullim prej 300 milionë eurosh në vit. E kësaj i shtohen qindra milionë prej shumë privatizimeve e koncesioneve të dyshimta. Pra Thaçi nuk duhet të na tregojë çmimin me të cilin duhet të shesim Kosovën përmes marrëveshjeve, por duhet të shkojë sa më parë në Gjykatë për korrupsionin masiv të partisë të tij, korrupsion që tashmë është bërë shqetësimi kryesor edhe i ndërkombëtarëve në Kosovë.

Këta tre zyrtarë po thonë se në emër të demokracisë do të përjashtojnë e do të arrestojnë opozitën. Këta po thonë se në emër të drejtësisë do të përndjekin opozitën dhe do të mbrojnë korrupsionin e tyre.
Por ne jemi të vendosur se marrëveshjet për “Zajednicë” e Demarkacion, nuk kalojnë! Opozita nuk ndahet! Normaliteti do të kthehet vetëm kur të kthehet demokracia! Protestat nuk ndalen!

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 12 2015

Nuk ka rehati për Qeverinë, pa u tërhequr marrëveshjet

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot kanë goditur me ngjyrë makinën e zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashit.
Ky ministër para disa ditësh e ka krahasuar forcën më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës me terroristët e ISIS.
Abrashi është një abuzues dhe ofendues, i cili ka etiketuar rëndë opozitën e vendit të tij, duke përdorur fjalë të njëjta me Serbinë. Sipas Abrashit, aktivistët që përdorin ngjyrë e vezë për të protestuar janë terroristë. Ndërkohë kolegët qeveritarë e partiakë të Abrashit mbajnë nëpër shtëpi e nëpër makinat e tyre arsenale armësh pa leje, dhe i përdorin këto armë për të shantazhuar qytetarët e policët, dhe për të mbrojtur aferat e tyre korruptive, për të cilat as nuk mundohen që t’i fshehin.
Përveç kësaj, Abrashi është një prej mbrojtësve më të zellshëm të “Zajednicës” dhe të marrëveshjeve qeveritare me Beogradin, të cilat po ndajnë e po dëmtojnë rëndë Kosovën.
Qeveria e Kosovës dhe zyrtarët e saj nuk do të mund të kenë rehati pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë realizimit të këtij aktiviteti.
Aktivistët nuk do të ndalen, Zajednica nuk do të kalojë!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT