28 11 2015

ARRESTOHET OPOZITA, PËR T’U MBROJTUR “ZAJEDNICA” DHE DEMARKACIONI ME MALIN E ZI

Para pak minutash, Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin Fisnik Ismaili. Ky është deputeti i tretë i opozitës që u arrestua këto kohë. Donika Kadaj – Bujupi dhe Albin Kurti po mbahen të burgosur. Ndërkohë, rreth 30 aktivistë të tjerë të opozitës janë duke u mbajtur të burgosur për shkak të aktiviteteve opozitare kundër “Zajednicës”.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit Fisnik Ismaili dhe të gjithë aktivistëve dhe deputetëve të tjerë.

Projektet si “Zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi, që mund të kalojnë vetëm përmes burgosjes së opozitës, janë projekte jolegjitime dhe të parealizueshme.

Opozita vazhdon rezistencën kundër ndarjes etnike të vendit, faljes së territoreve dhe shtetit policor.

Kontribo

28 11 2015

Të lënduarit prej dhunës policore

Përdorimi i forcës së qindra policëve kundër aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s ka shkaktuar dhjetëra të lënduar.
Sipas raportimeve që i kemi nga brenda ambienteve të policisë, dhuna ka vazhduar edhe në ambientet ku janë mbajtur aktivistët e arrestuar për qëndrimet e tyre politike.

Të lënduarit dhe të plagosurit prej ushtrimit paprecedent të dhunës policore janë me dhjetëra. Më poshtë ne po publikojmë emrat për të cilët tashmë kemi konfirmim.

Ndër fytyrat e policëve të fotografuar kemi parë edhe disa prej zyrtarëve policorë të njohur edhe më parë për sadizmin dhe ndjenjën e hakmarrjes ndaj aktivistëve.

Të lënduarit:
Sami Kurteshi, ish-avokat i popullit, anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është rrahur, është shkelmuar e shkelur prej policisë ndërkohë që rrinte ulur në rrugë, i lënduar rëndë në brinjë.

Gani Krasniqi, aktivist i çështjes kombëtare, i burgosur politik, organizator i UÇK-së, ish-kryetari i komunës së Malishevës,është rrahur rëndë prej policisë brenda në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i janë shkaktuar hematoma e gjakrrjedhje në fytyrë.

Valdrin Ahmeti, Koordinator për Aktivitete në Lëvizjen VETËVENDOSJE! është rrahur rëndë në ambientet e policisë dhe është dërguar në emergjencë me lëndime të rënda në brinjë dhe me thyerje në trup.

Frashër Krasniqi, drejtues i Sekretariatit për Media e Komunikim i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është qëlluar me plumba gome dhe është rrahur gjatë arrestimit. Ai ka lëndime të rënda në fytyrë, pas koke, si dhe në këmbë e në trup.

Kushtrim Dermaku është lënduar rëndë në kokë dhe ka përfunduar në emergjencë ku ka marrë 5 qepje.

Qëndrim Sahiti është lënduar në gjymtyrë, me thyerje të eshtrave dhe ka marrë ndihmë në emergjencë.

Luan Hoti është rrahur rëndë në ambientet policore dhe ende nuk është dërguar në emergjencë.

6 aktivistë kanë marrë ndihmë deri më tani në emergjencë.
14 aktivistë janë në gjendje të rëndë brenda në ambientet policore, dhe kanë nevojë urgjente të kurohen në emergjencë
Ky është bilanci pas një Manifestimi paqësor për Republikën. Kjo është fytyra e vërtetë e dhunës

Kontribo

28 11 2015

Aktivitetin tonë të drejtë nuk ka arrestim që e ndal!

Në 28 nëntor 2015 policia e Kosovës e urdhëruar nga qeveria e Zajednicës ka ndërmarrë aksionin më të dhunshëm kundër subjektit më të madh opozitar. Qëllimi i vetëm i tyre ishte që të shtypet e të ndalohet aktiviteti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe të ndalet zëri i qytetarëve të cilët masivisht dhe në mënyrë të organizuar u shprehën kundër kthimit të Kosovës në Serbi përmes Zajednicës.

Në aksionin brutal dhe të dhunshëm u arrestuan mbi 150 aktivistë dhe qytetarë. Ne po publikojmëemrat që i kemi deri tani. Në vijim do t‘i publikojmë edhe emrat e tjerë të të arrestuarve që janë marrë me dhunë prej zyrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Në rrugët e Prishtinës vazhdojnë arrestimet e aktivistëve dhe qytetarëve, pa fletë arresti si dhe metodat e shtetrrethimit. Këto masa kurrë policia e Kosovës nuk ka guxuar t’i përdorë kundër krimit të strukturave paralele serbe, apo kundër mafiozëve shqiptarë në pushtet.

I bëjmë thirrje policisë të ndalë represionin dhe të lirojë aktivistët, pasi sundimi i padrejtësisë nuk do të zgjasë përgjithnjë.
Lironi menjëherë aktivistët!

Albin Kurti
Nazlie Balaj
Albana Gashi
Alban Lahu
Frashër Krasniqi
Selman Sokoli
Genc Sherifi
Egzon Haliti
Arianit Beqiri
Luan Aliu
Niman Beqiraj
Marigonë Drevinja
Arbëri Krasniqi
Teutë Rrusta
Krenare Krasniqi
Alket Zeqiri
Shkodran Hoti
Margaritë Hajrizi
Liridon Latifi
Teutë Hasani
Enkloditë Molliqaj
Egzon Balaj
Egzon Azemi
Valdrin Ahmeti
Adonis Tahiri
Jonuz Shatri
Gurjeta Zeka
Muhamet Bytyqi
Labinot Halimi
Hektor Qyqalla
Ylli Hoxha
Fitore Pacolli
Qëndron Kastrati
Arianit Beqiri
Ilir Cacaj
Rina Zhitia
Erden Atiq
Princ Mullatahiri
Arbër Sejdiu
Lisjan Perolli
Zgjim Zyba
Qëndresa Bogujevci
Arbër Morina
Jonis Metaj
Qëndrim Sahiti
Hana Blakçori
Nderim Aliaj
Rinor Miftari
Pajtim Demaj
Alban Makolli
Adem Megjuani
Lulzim Gjaka
Labinot Halimi
Riga Demiri
Vedat Megjuani
Kushtrim Halilaj
Berat Lahu
Erisa Hajrizi
Gani Krasniqi
Ismail Haziri
Fidan Ademi

Kontribo

28 11 2015

Ditën e festës pushteti e ktheu në ditë të dhunës

Qytetarë të Kosovës, mbështetës të Opozitës së Bashkuar, bashkëkombas të nderuar.

Pjesëmarrja e mbi 35.000 qytetarëve në Manifestimin për Republikën shkoi paqësisht, siç ishte planifikuar. Por ky pushtet me sjelljet e tij menjëherë pas tubimit paqësor, dëshmoi se nuk e duron opozitën paqësore. Ky pushtet ka frikë nga opozita. Ky pushtet e urren opozitën, ashtu siç urren qytetarët, ashtu siç urren popullin e vet.

Qeveria kriminale zgjodhi 28 nëntorin e vitit 2015 për të ringjallur në rrugët e Prishtinës imazhin e dhunës policore, që populli ynë kujtoi se e kishte lënë pas, me mbarimin e Luftës Çlirimtare.

Në 28 nëntor, qindra policë, reparte speciale të armatosura rëndë, të maskuara, kanë thyer zyrat e subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin qindra aktivistë që sapo ishin kthyer prej Manifestimit.

Policia u tregua e e pamëshirshme, duke përdorur dhunë të paparë kundër aktivistëve. Ka rreth 100 të arrestuar, dhe numri i të lënduarve rëndë është i madh.

Në 28 nëntor 2015 u arrestua Albin Kurti. Pushteti u tregua i gatshëm të përdorë dhunën më ekstreme për të mbrojtur Zajednicën e Demarkacionin, pavarësisht peticionit, pavarësisht aksioneve opozitare, pavarësisht Manifestimit paqësor për Republikën.

Më tej do t’ju njoftojmë në vazhdimësi për të arrestuarit, të lënduarit, e veprimet tona të radhës.

I bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen rreth opozitës së përbashkuar. Aksionet tona nuk mund t’i ndalë asnjë shtet policor, asnjë arrestim, asnjë dhunë. Aktivistët do të lirohen. Dhunuesit do të vihen shumë shpejt përpara një drejtësie së vërtetë dhe funksionale, në një Republikë që ka për të qenë vërtet sovrane dhe pavarur.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

28 11 2015

Mbi 35 mijë pjesëmarrës në manifestim

Sapo ka nisur Manifestimi për Republikën.

Sipas të dhënave të sakta të pjesëmarrësve që janë paraqitur tek strukturat tona, në këtë protestë pjesëmarrja është si vijon:

– Nga qytetet e fshatrat e Kosovës janë pjesëmarrës të konfirmuar: 19,369 qytetarë,
– Nga Prishtina, të konfirmuar sipas degëve tona janë: 11,521 qytetarë,
– Nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina, Mali i Zi e Diaspora kanë konfirmuar mbërritjen në Prishtinë: 1,023 qytetarë,
– Në këtë përllogaritje nuk përfshihet pjesëmarrja spontane e qytetarëve.

TOTALI i përafërt pjesëmarrësve, sipas raportimeve të strukturave tona është rreth 32 mijë pjesëmarrës (pa përfshirë pjesëmarrësit spontanë që nuk kanë ardhur përmes strukturave tona). Nëse i shtojmë kësaj shifre edhe minimumin e protestuesve që kanë ardhur spontanisht, masa e kalon numrin 35 mijë. Kjo konfirmohet edhe nga llogaritja mesatare e pjesëmarrjes mbi sipërfaqen e sheshit “Zahir Pajaziti”, për m2.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

28 11 2015

ADEM JASHARI MBETET MËSUESI KRYESOR I HISTORISË TONË

Një delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Kryetari Visar Ymeri, Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Aida Dërguti si dhe deputeti Rexhep Selimi, bënë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Prekaz.

“Në këtë ditë që nuk vdes kurrë, më 28 Nëntor, ka lindur një njeri që nuk vdes kurrë. Ai është Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij i solli lulet e para lirisë së Kosovës. Sakrifica e kësaj familjeje dhe jehona e kësaj sakrifice nuk do të vdes kurrë, sepse na mëson se çka duhet të bëjë njeriu, çka duhet të jetë i gatshëm të bëj njeriu, për lirinë e vet dhe për dinjitetin e popullit të vet. Adem Jashari vazhdon të mbetet mësuesi kryesor i historisë tonë, dhe si i tillë, vepra e tij, jeta e tij dhe dëshmia e tij janë të pavdekshme dhe do të jetojnë përherë në zemrat dhe mendjet tona”, tha Visar Ymeri.

28 Nëntor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

28 11 2015

Urime 28 Nëntori!

28 Nëntori është dita që shënon më shumë se çdo ditë tjetër publiken shqiptare. Në këtë datë përkujtojmë përballjet historike të një populli të vogël me perandori të mëdha, me tiranë mizorë e me aparate shtetërore të fuqishme.

Flamuri që i mbetet shqiptarëve prej kësaj date është flamur i patregtueshëm, i pakëmbyeshëm, i paharrueshëm.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ua uron të gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo Pavarësi do të mbetet një projekt që thërret në angazhim, deri në ditën që do të plotësohet amaneti i firmëtarëve të saj.

Ky 28 Nëntor i thërret shqiptarët në Prishtinë për të kundërshtuar vazhdimin e copëtimit të trojeve tona. Bashkë me qytetarët e mbarë Kosovës, bashkë me pjesëmarrës nga Shqipëria, nga trojet në Maqedoni, Luginë, Mal të Zi, e ata nga diaspora, ne do të manifestojmë për Republikën e Kosovës si vazhdim i projektit të 1912.

Ata që thonë se Kosova nuk është shtet i shqiptarëve përgjigjen do ta marrin në secilin nëntor. Shqiptarët nuk pranojnë epërsi apo shtypje prej askujt, dhe askënd nuk duan ta diskriminojnë.

Takohemi së bashku në orën 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti, për Ditën e Flamurit, për sovranitet, për barazi mes kombeve, për demokraci, për drejtësi, për gjithëpërfshirje.

Kontribo

26 11 2015

Alternativa nuk ka dialog

Në janarin e këtij viti, anembanë qyteteve e qytezave të Kosovës u patën mbajtur rreth 15 protesta kundër ish ministrit të qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq. Me vendosmëri po kërkohej shkarkimi i Jabllanoviqit pasi që ai i kishte quajtur egërsira nënat e të pagjeturve nga Gjakova dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Qeveria po e mbronte Jabllanoviqin herë duke thënë që ai është keqkuptuar e herë duke i keqinterpretuar motivet e protestuesve.

Të shumtë ishin qytetarët e Kosovës të cilët asokohe na thoshin se nuk hiqet dot Jabllanoviqi si ministër qeverie meqenëse ai është kreu i Listës serbe. Dhe, vazhdonin ata, po u shkarkua Jabllanoviqi, atëherë tërhiqet Lista serbe nga koalicioni me PDK e LDK dhe asisoj bie qeveria! Na e thoshin këtë edhe pas dy protestave masive e të fuqishme më 24 dhe 27 janar në Prishtinë. Na e thoshin këtë madje edhe në ditën e 3 shkurtit, në mbrëmjen e së cilës më në fund u shkarkua Jabllanoviqi (një ditë para protestës së radhës të paralajmëruar për 4 shkurt).

Mirëpo, të gjithë këta qytetarë një gjë nuk po e kuptonin: Vuçiqi e Daçiqi më të rëndësishëm i kanë Mustafën e Thaçin të cilët u nevojiten atyre për ‘Zajednicën’ sesa Jabllanoviqin të cilin kollaj mund ta zëvendësojnë me një tjetër siç edhe bënë. Pra, Serbia i ka aset shumë të vlefshëm krerët e qeverisë së Kosovës sepse këta janë tejet dorëshlirë për Kosovën duke ia përmbushur rregullisht apetitet Serbisë.

Në këtë kuptim, Mustafa e Thaçi nuk janë më as tradhtarë të Republikës së Kosovës e të kombit shqiptar. Ata tashmë janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Mund të tradhtosh një herë, nuk mund të tradhtosh disa herë e aq më pak të tradhtosh vazhdimisht. Mustafa e Thaçi moti e kanë kryer tradhtinë. Sot ata janë shndërruar në bashkëpunëtorë të Serbisë, në shërbëtorë të devotshëm të Serbisë hegjemoniste dhe ekspanzioniste, në vegla të nacional-socializmit serb të udhëhequr nga Vuçiqi e Daçiqi. Mustafa e Thaçi janë më keq se tradhtarë të Kosovës – ata janë bashkëpunëtorë të Serbisë.

Këta dy jo vetëm që aspak s’po e ndihmojnë Kosovën, por edhe po e ndihmojnë shumë Serbinë. Trajtimi special që po ia bën qeveria e Kosovës Serbisë përmes dialogut pa kushte me të, po e forcon Serbinë në fushatën e saj kundër Kosovës. Qeveria e Kosovës po jep kontribut të çmuar në fuqizimin e Serbisë brenda Kosovës e rreth Kosovës, gjithnjë kundër Kosovës. Prandaj, opozita e bashkuar nuk mund t’i lëshojë pe Mustafës e Thaçit sepse ashtu do t’i binte që i lëshuam pe Serbisë!

Thaçi e Mustafa pasi që e kanë bërë Kosovën të negociueshme me Serbinë, tash marrëveshjet me Serbinë po i paraqesin si të panegociueshme (sic.). Thonë se e kanë të pamundur të tërhiqen nga marrëveshjet e këqija si këto për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Po të ishin Mustafa e Thaçi njëmend qeveritarë të Kosovës e jo shërbëtorë të Serbisë, jo tërheqja nga këto marrëveshje, por pikërisht nënshkrimi i tyre do të ishte i pamundur e i paimagjinueshëm.

Kuvendi i Kosovës është i shkelur me ‘Zajednicën’ e Serbisë. Bllokimi në Kuvend e mbron Republikën pa të cilën nuk ka çka të duhet Kuvendi. Fundja, Kuvendi mund të jetë edhe i autonomisë, edhe i kantonit, edhe i njësisë federative, s’është e thënë të jetë vetëm i republikës, apo jo? Kthimi në Kuvend i opozitës nuk mund të jetë kthim në hapsirë pa qenë kthim në kohë: duhet të kthehemi në situatën para 25 gushtit të këtij viti. Sepse debati duhet t’i paraprijë marrëveshjeve e jo anasjelltas.

Me kohë dhe në vazhdimësi ne i kemi kundërshtuar decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar, UNMIK-un dhe EULEX-in, shitjen e KEDS-it dhe vjedhjen e Bechtelit, mallrat e Serbisë dhe Jabllanoviqin. Për të gjitha këto ka dalur se kemi pasur të drejtë. S’do mend se edhe ata që sot kanë dilema shpejt do ta kuptojnë se kemi pasur të drejtë edhe në kundërshtimin e ‘Zajednicës’ së Serbisë e të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E gjithë çështja është se çfarë çmimi duhet të paguajmë deri sa të tërhiqen Mustafa e Thaçi nga pazaret e tyre me Serbinë dhe Malin e Zi.

Ka mundësi që ata do të tërhiqen vetëm pasi ta kenë vrarë dikë prej nesh apo disa prej nesh. Nuk kam dyshim në gatishmërinë e tyre për të na vrarë. Mirëpo, kjo gatishmëri e tyre do ta ketë përballë një gatishmëri tonën edhe më të madhe edhe më të lartë: gatishmërinë jo vetëm që të burgosemi por edhe të vdesim vetëm e vetëm që Serbia të mos e fitojë ‘Zajednicën’ në Kosovë kurse Mali i Zi të mos i marrë 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Ne nuk i frikësohemi as burgjeve e as plumbave të regjimit Mustafa-Thaçi. Ne i frikësohemi vetëm bosnjëzimit të Kosovës.

Nuk mund të dialogosh me këtë qeveri e të merresh vesh me të. Jo vetëm për shkak se ajo tanimë ka dialoguar e është marrur vesh me Serbinë dhe Malin e Zi. Dialogun në institucione e kemi parë te ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë Gjykatës Speciale. Fol e debato sa të duash në foltoren e Kuvendit, në fund, votimi i deputetëve të koalicionit PDK-LDK-Srpska i përngjan futjes së rruazave në pe. E, nëse rastësisht s’ka mjaftueshëm rruaza, atëherë thirret seanca tjetër ku gjithçka përsëritet deri te rezultati i duhur. Demokraci se jo mahi!

Alternativa e kësaj është insistimi përmes protestave të vazhdueshme sikurse në rastin e shkarkimit të Jabllanoviqit. Në atë rast u arrit qëllimi e u realizua kërkesa jonë pa kurrfarë dialogu e pa asnjë takim me Mustafën e Thaçin. Nuk pati as tryezë dialogu e as platformë bisedimesh, por Jabllanoviqi u detyrua të ikë. Dialogu me regjimin Mustafa-Thaçi nuk është alternativë. Fundja, në shtetin e të kapur, natyrisht që ka më shumë më tepër demokraci në demonstrata qytetare sesa në institucione zyrtare.

 

26 nëntor 2015

Albin Kurti      

 

 

 

 

Kontribo

25 11 2015

Për Republikën

Aktivistët e opozitës së bashkuar vendosën sot mbi rrethojat e Qeverisë mbishkrimin “PËR REPUBLIKËN”.

Përgjatë këtij aktiviteti, Nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputetja e AAK-së Time Kadriaj, si dhe Kryetari i degës së Nismës në Prishtinë, Shyqyri Bytyqi, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të bashkohen në manifestimin paqësor për Republikën dhe në kundërshtim të “Zajednicës” si dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Manifestimi mbahet më 28 nëntor, në ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

24 11 2015

Barazia para sprejit lotsjellës

Gazi lotsjellës i cili plaste në një sallë me rreth 150 njerëz ikte për më pak se gjysëm ore, ndërsa instalimi i ‘Zajednicës’ do t’iu mbetet dy milionë njerëzve për dekada të tëra. Më mirë ta bllokojmë përkohësisht Kuvendin me gaz lotsjellës sesa të na bllokohet përjetësisht Republika me ‘Zajednicën’ e Serbisë.

Duke iu falenderuar opozitës së bashkuar, gazi e spreji lotsjellës nuk hedhen më vetëm kundër të varfërve dhe rinisë kosovare nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe kundër qeveritarëve të pasur dhe deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Kur goditej me gaz e sprej qytetari në protestë, kjo gjë fare nuk problematizohej dhe asnjëherë nuk quhej dhunë. Tash që atë e përjetuan njerëzit e regjimit në Kuvend, përnjëherë gazi e spreji lotsjellës na u bënë dhunë e rrezikshme, armë kimike, helm toksik e çka jo tjetër.

Gazi lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës që s’po arrin të fillojë, nuk është armë por municion. Armë është protesta e opozitës së bashkuar e cila e ka për municion gazin dhe sprejin lotsjellës të cilin Policia e Kosovës na e dhuron nëpër protestat tona. Tentimet maratonike për seanca Kuvendi po bëhen duke shpresuar që deputetëve të opozitës së bashkuar do t’iu soset municioni. Kot e kanë. Policia nuk na lë neve pa municion.

Në Kuvendin e Kosovës ne kemi përdorur forcë proporcionale kundër qeveritarëve dhe deputetëve të rebeluar kundër Republikës së Kosovës. Asnjë gaz lotsjellës më shumë sesa që ishte e nevojshme nuk e kemi ndezur në ato tentim seanca. Vetëm aq sa e pamundësonte fillimin e mbledhjeve plenare të cilat do ta normalizonin ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe faljen e tokave tona Malit të Zi (thua se asgjë nuk ngjau me marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit).

Është policia e Kosovës ajo që përdor forcë të tepruar mbi protestuesit, jo ne mbi qeveritarët. Vetëm në njërin rast ne nuk përdorëm forcë proporcionale. E kam fjalën për situatën kur disa dhjetëra policë kishin zënë shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin në Kuvendin e Kosovës duke penguar kështu lirinë e lëvizjes së deputetëve. Forca ynë nuk ishte proporcionale sepse policët kishin vënë gaz maskat dhe ne nuk patëm mjaftueshëm sprej lotsjellës për ta. Për pasojë, ne nuk arritëm t’i largojmë ata policë dhe shkallët mbetën të bllokuara.

Mund të thuhet që Kosova sot nuk ka më Kuvend, sepse s’po funksionon ai për shkak të opozitës së bashkuar që proteston aty. Mirëpo, në një tjetër rrafsh, pikërisht tash ka Kuvend shteti i Kosovës, sepse aty po mbrohet Republika jonë nga ‘Zajednica’ e Serbisë dhe falja e 9.000 hektarëve Malit të Zi. Në këtë kuptim më thelbësor, shteti i Kosovës nuk ka qeveri porse ka opozitë. Sepse duke mos pasur qeveri të saj, Kosovës ia merr Mali i Zi tokën kurse Serbia ia shton ‘Zajednicën’.

Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në qeveri dhe në sistem në mënyrë që populli të dalë nga kriza. Nuk ka ndryshime progresive në Kosovë me fjalë. Në shtetin autoritar, në shtetin e kapur, nuk mjaftojnë dialogu e fjalët. Gjendja është tejet e keqe dhe ka shkuar shumë larg: po normalizohet ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë. Bosnjëzimi po troket në derë të hapur. Fjalët s’kryejnë punë. Dialogu ynë është monolog. E monologu i tyre është plan dhune.

Policia e regjimit me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndan qytetarët nga sheshi kryesor i republikës. Opozita e bashkuar me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndanë nga Kuvendi qeveritarët e ‘Zajednicës’. Çka ka të paqartë këtu? Gazi e spreji lotsjellës, shkaktojnë lotë, porse ato edhe e hapin shikimin sepse qartësojnë syrin dhe pamjen.

Spreji lotsjellës është i domosdoshëm për ta sjellur frymën e republikës në vendin tonë. Kur të godet spreji lotsjellës të vështirësohet frymëmarrja, të djegin sytë e të skuqet lëkura. Të gjithë ne protestuesit e dimë moti këtë gjë. Mirëpo tash këtë po e mësojnë edhe njerëzit e regjimit. Pa sprejin lotsjellës, nuk u hapen sytë qeveritarëve dhe deputetëve të tyre, nuk u skuqet fytyra, dhe, nuk merr dot frymë republika jonë. Spreji e gazi lotsjellës të detyrojnë t’i mbyllësh sytë, të mendosh pak para se t’i hapësh sytë sërish, të lotosh jo pak që të mund t’i hapësh sytë, dhe, pasi të arrish që më në fund t’i hapësh sytë, gjërat duken shumë më qartë mandej.

Janë disa gjëra në jetë që nuk mund t’i shohësh për shkak të lotëve, por janë edhe ca gjëra të tjera që mund t’i shikosh vetëm përmes lotëve. Në këtë kategori bën pjesë edhe Kosova jonë e dashur, ky vend i pasur e me popull të varfër, me pushtet të kënaqur e me qytetarë të vuajtur, me intelektualë të shitur e me rini pa perspektivë. Kosova mund të shihet vetëm nëpërmjet lotëve.

Gazi e spreji ynë lotsjellës po e paralajmërojnë barazinë në shtet. Para gazit e sprejit lotsjellës duhet të jemi të gjithë të barabartë: si qytetari, si polici, si qeveritari, si deputeti. E jo dikush të jetë mbi sprejin lotsjellës e dikush nën sprejin lotsjellës, apo jo? Barazia para sprejit lotsjellës është parakusht për barazinë në republikë. Sepse shteti i kapur s’mund të jetë republikë.

24 nëntor 2015

Albin Kurti

Kontribo

23 11 2015

Sot, në emër të Opozitës së Bashkuar drejtuesit e grupeve parlamentare, deputetët Glauk Konjufca, Pal Lekaj e Valdete Bajrami i dorëzuan Presidentes së Republikës së Kosovës Peticionin kundër Marrëveshjeve të nënshkruara me 25 dhe 26 gusht nga Isa Mustafa dhe Hashim Thacci. Ky peticion iu dorëzua Presidente së Republikë në cilësinë e kryetares së shtetit që sipas kushtetutës garanton unitetin, funksionimin kushtetues dhe drejton politikën e jashtme të Kosovës.

Ky peticion u fillua nga subjektet opozitare me 18 shtator 2015 dhe u përmbyll më 31 tetor 2015. Ky peticion u nënshkrua nga 205.254 qytetarë të Republikës sonë.

Valdete Bajrami shpjegoi arsyen kryesore pse peticioni iu dorëzua Presidentes duke thënë se sipas kompentecave që ia jep Kushtetuta, Presidentja garanton unitetin e populli. Bajrami tha se Presidentja do të duhet t’i shqyrtojë kërkesat e qytetarëve të Kosovës, meqë ato janë legjitime.

Ndërkaq Glauk Konjufca theksoi se në deklaratat dhe qëndrimet e saj politike, Presidentja duhet ta përfaqësoj unitetin e popullit i cili është i mishëruar në këtë peticion të qytetarëve të Kosovës të cilët masivisht janë shprehur kundër themelimit të Zajednicës dhe kundër dhënies së mijërave hektarëve tokë Malit të Zi”.

Pal Lekaj shtoi midis të tjerash se Opozita e Bashkuar është e vendosur që t’i kundërshtojë këto dy marrëveshje me të gjitha mjetet demokratike, marrëveshje këto që dëmtojnë dhe copëtojnë Kosovën.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA

Kontribo

20 11 2015

Dënimi i policëve që arrestuan rojat e Vulinit, i papranueshëm!

Më 18 nëntor 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’i dënojë me 9 vite burgim, pjestarët e Policisë së Kosovës të cilët kishin arrestuar rojat ilegale të Aleksandër Vulin.

Ashpërsia e shtetit të Kosovës ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë depërtimin ilegal të Serbisë në Kosovë, si dhe toleranca e Qeverisë ndaj strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, që cënojnë për çdo ditë sovranitetin dhe sigurinë e vendit, janë të padurueshme. Nuk është më e qartë se për kë po punon Qeveria e Kosovës. Për sovranitetin shtetëror dhe barazinë qytetare, apo për realizimin e planeve të Serbisë për kontroll të brendshëm në Kosovë.

Sistemi i drejtësisë sot është vënë në funksion të Qeverisë, e cila, po sulmon, arreston e burgosë, ata që janë kundër Serbisë, kurse po i toleron, mbron dhe mbështetë, ata që po e mbajnë Serbinë në Kosovë.

Vendimi për dënimin e policëve që arrestuan rojat ilegale të Vulinit, është i papranueshëm dhe duhet të tërhiqet.

Kontribo

18 11 2015

Nuk ka qetësi, pa tërheqjen e marrëveshjeve!

Përballë insistimit të Qeverisë, që t’i zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, kundërshtimi aktiv i opozitës së bashkuar do të rritet dhe do të intensifikohet për çdo ditë e më shumë.

Nuk do të tolerojmë që Kosova të shndërrohet në shtet policor, e shteti policor në instrument të mbrojtjes së “Zajednicës” dhe demarkacionit. Nuk do të ketë qetësi derisa pushteti vazhdon arrogancën, duke arrestuar opozitën.

Nuk mund të ketë normalizim ngase Kosova po rrezikohet nga defunksionalizimi dhe ndarja etnike. Opozita e bashkuar do të vazhdojë aktivitetet dhe protestat deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme dhe lirimin e deputetëve të opozitës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Kontribo

18 11 2015

Përndjekja e opozitës duhet të ndalet menjëherë

Policia ka arrestuar deputeten Donika Kadaj – Bujupi ndërsa ka rrethuar banesën e deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiut. Banesa e Albin Kurtit dhe ajo e Albulena Haxhiut janë bastisur nga Policia e Kosovës dhe aktualisht brenda po qëndrojnë disa policë.

Policia po i përgjigjet urdhërave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Deputetja Kadaj – Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë.

Ne nuk do të ndalemi pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht sa larg është i gatshëm të shkojë pushteti, në mbrojtje të “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

16 11 2015

MANIFESTIM KUNDËR MARRËVESHJEVE TË DËMSHME DHE KUNDËR QEVERISË

Ka më shumë se dy muaj që subjektet opozitare, me vendosmëri të lartë, i kanë kundërshtuar në mënyrë aktive planet e Qeverisë së Kosovës për të instaluar në vendin tonë një republikë serbe dhe për t’ia falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë të territorit tonë. Gjatë kësaj kohe ne morëm edhe mendimin e qytetarëve rreth këtyre marrëveshjeve. Gjithandej nëpër Kosovë organizuam tubime e takime me qytetarë, në të cilat, kundërshtimi i këtyre të fundit ndaj planeve të qeverisë ishte absolut. Ne organizuam njërin nga peticionet më të mëdha në Kosovë dhe mblodhëm 205, 254 nënshkrime.

Përballë protestave opozitare dhe mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, Qeveria e Kosovës u përgjigj me cinizëm, shpërfillje, përndjekje, arrestime, burgosje dhe dhunë policore. Ajo, po insiston t’i qëndrojë besnike Serbisë edhe pasi Serbia bëri çmos që përmes fushatës së saj raciste të na pengojë në UNESCO. Ajo po insiston në zbatimin e demarkacionit, edhe pse nuk ka ekspert të fushës që nuk ka treguar qartë se si Kosova humbë mbi 8000 hektarë nga kjo marrëveshje.

Qeveria Mustafa-Thaçi, që premtoi 200 mijë vende pune, krejt çka na solli janë projektet që rrënojnë shtetin tonë dhe e ndajnë etnikisht atë, skandalet korruptive, uljen e zhvillimit ekonomik, ikjen e mbi 100 mijë qytetarëve, etj.

Populli i Kosovës nuk mund të heshtë para një qeverie të tillë.

Prandaj, subjektet opozitare, më 28 nëntor 2015, në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” organizojnë manifestim kundër marrëveshjeve me Serbinë, demarkacionit me Malin e Zi dhe kundër Qeverisë së Kosovës.

Në këtë manifestim do të shprehet masivisht, vullneti i qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran e funksional. Për një shoqëri të barabartë dhe jo të ndarë në baza etnike.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën

Kontribo

10 11 2015

NUK NDALEMI DERI NË TËRHEQJEN E MARRËVESHJEVE

Fitorja e opozitës së bashkuar, në kauzën e saj për mbrojtjen e shtetit, është e pashmangshme. Drejtësia e kësaj kauze, në njërën anë, dhe vendosmëria jonë në anën tjetër, pashmangshëm do ta gjunjëzojnë koalicionin e dy marrëveshjeve me të cilat është rrezikuar Republika e Kosovës.

Kur u nënshkruan marrëveshjet e fundit me Serbinë, më 25 gusht, kryeministri, zv.kryeministri dhe të gjithë vartësit e tyre, deklaronin me vendosmëri të lartë se marrëveshjet do të zbatohen, se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk do të ketë kthim mbrapa. Ata nuk e morën seriozisht, seriozitetin e opozitës së bashkuar.

Sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush.

Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka kredibilitet dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës.

Ne e kemi të qartë që kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së plotë të opozitës, në kauzën e saj për tërheqjen e plotë të këtyre marrëveshjeve. Është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që paligjshëm ia vazhdoi PDK-së qëndrimin në pushtet dhe normalisht që nuk presim kurrfarë vendimi në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, nga një gjykatë e kapur. Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive.

Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën

Kontribo

09 11 2015

Më 8 nëntor, në qytetin Kristianstad në Suedi u mbajt takim me aktvistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jetojnë në regjionin Skåne.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen politike në Kosovë dhe përpjekjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! së bashku me partitë tjera opozitare për t’i ndalur këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Aktivistët u pajtuan që marrëveshja për “Zajednicën”, marrëveshjet tjera të 25 gushtit si dhe marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, janë marrëveshje që e dëmtojnë rëndë Republikën e Kosovës dhe që patjetër duhet të kundërshtohen deri në tërheqjen e Qeverisë nga këto marrëveshje. Në këtë takim, aktivistët e shprehën përkrahjen e tyre ndaj protestave dhe aksioneve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe opozitës, qoftë në parlament apo jashtë tij.

Përgjatë këtij takimi u diskutua edhe për punët që duhet të bëhen për themelimin e Pikave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër regjione të ndryshme të Suedisë, për të vazhduar pastaj edhe me themelimin e Qendrës së Lëvizjes në Suedi. U zgjodh Grupi Punues i Pikës në Skåne, i cili do t’i vazhdojë punimet deri në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes.

Takimet e tilla kanë për qëllim shtrirjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi, dhe shumë shpejt do të vazhdohet me takime të tilla edhe në regjione të tjera të Suedisë ku jetojnë shqiptarë, si në Stockholm, Västra Götaland, e të tjera.

Kontribo

06 11 2015

“A është segregacioni etnik vlerë e BE-së?!” “Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”

Synimet pro-perendimore dhe integruese të popullit të Kosovës, po dëmtohen nga disa marrëveshje që janë në shpërputhje të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian.

Segregacioni dhe ndarja etnike janë projekte tashmë të tejkaluara dhe të luftuara ashpër nga shtetet perendimore. Reciprociteti dhe barazia në mes të shteteve janë disa nga vlerat fundamentale të BE-së nga të cilat Kosova nuk guxon të heq dorë.

Opozita e bashkuar e Kosovës beson që vetëm duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të Republikës, jemi duke i mbrojtur edhe vlerat perendimore. Marrëveshjet për Asociacionin dhe për demarkacionin me Malin e Zi janë të padrejta. E para ndan etnikisht dhe e defunksionalizon vendin kurse e dyta ia fal territoret e Kosovës, Malit të Zi. Ne nuk mund të heqim dorë nga subjektiviteti shtetëror dhe nga funksionaliteti i shtetit tonë. Evropa nuk do të pranojë në gjirin e saj një shtet jofunksional dhe të pazhvilluar dhe i cili për shkak të marrëveshjeve që e ndajnë etnikisht do të jetë burim i përhershëm i konflikteve.

Prandaj, subjektet opozitare, duke e mbrojtur Republikën e Kosovës nga këto marrëveshje të padrejta, po e mbrojnë dhe lehtësojnë edhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Shteti, liria, barazia, drejtësia dhe zhvillimi, janë çështje për të cilat nuk mund të bëjmë kompromise.

Kontribo

31 10 2015

Kadri Veseli sot dha urdhër që deputetëve të opozitës të mos u lejohet mbajtja e një konference për medie në sallat e Kuvendit.

Kadri Veseli sot dha urdhër që të mos lejohet futja në Kuvend e dokumenteve që përmbanin mbi 200,000 nënshkrimet e qytetarëve kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Megjithatë, drejtuesit e subjekteve opozitare, nuk u ndalën para urdhrave të Veselit dhe u futën brenda pa lejen e sigurimit dhe po ashtu i futën brenda edhe nënshkrimet e qytetarëve. Konferenca u mbajt pa lejen e Veselit dhe aty u prezantuan ato nënshkrime para medieve.

Kadri Veseli nuk e do opozitën brenda Kuvendit. Kadri Veseli nuk i do as nënshkrimet e qytetarëve që shprehën pakënaqësinë e tyre me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Opozita dhe peticioni i qytetarëve i pengojnë Kadri Veselit sepse ia kujtojnë atij se sa në shpërputhje janë vendimet e këtij pushteti me vullnetin e qytetarëve.

Por, Kadri Veseli është i pafuqishëm përballë këtij vullneti.

Kontribo

26 10 2015

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tryezën e Evropës Qendrore për pushtetin lokal

Lëvizja VETËVENDOSJE! është ftuar të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët për Evropën Qendrore që u organizua në Vjenë nga data 22-24 tetor 2015 nga Eurodeputetja, Monika Vana. Në këtë tryezë morrën pjesë mbi tridhjetë këshilltarë komunalë të partive të gjelbra nga njëmbëdhjetë shtete të ndryshme të Evropës. Ndërkohë që Kosova dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! u përfaqësuan në këtë tryezë nga Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hatixhe Latifi-Pupovci dhe Kreshnik Ahmeti.

Tri temat kryesore të kësaj tryeze ishin zgjidhjet që duhen ofruar për krizën e refugjatëve në Evropë, rreziku nga tendencat autoritare në shtete të ndryshme të Evropës, si dhe shkëmbimi i praktikave të mira qeverisëse në nivelin lokal.

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë tryezë paraqitën gjendjen e përgjithshme ekonomiko-politike në Kosovë dhe prirjen e Qeverisë së Kosovës drejt autoritarizmit. Më tej ata prezantuan edhe organizimin dhe programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! qoftë sa i përket alternativës qeverisëse për nivelin qendror, qoftë sa i përket punës dhe arritjeve të deritanishme të qeverisjes në Komunën e Prishtinës. Përveç takimeve të shumta me pjesëmarrësit, dy përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! patën mundësinë të takoheshin edhe me Eurodeputeten Monika Vana dhe me stafin e saj për te diskutuar mbi situatën në Kosovë.

Pjesëmarrësit dhe organizatorët në këtë tryezë u zotuan që të rrisin nivelin e komunikimit dhe bashkëpunimit në të ardhmen.

26 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

24 10 2015

OPOZITA FITOI, DETYROI KOALICIONIN E “ZAJEDNICËS” QË TË FSHIHET SKUTAVE

VISAR YMERI:
“Mbrëmë për nëntë orë rresht ka zgjatur protesta e opozitës së bashkuar, brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj. Kjo protestë rezultoi me fitore të subjekteve opozitare për shkak se edhe mbrëmë, me gjithë tentativat e turpshme të pushtetit ata nuk arritën dot që ta normalizojnë “Zajednicën”, përmes tentim-normalizimit të seancave të Kuvendit. Shfrytëzoj rastin që t’i falenderojë të gjithë deputetët e opozitës, të gjithë aktivistët dhe qytetarët që protestuan mbrëmë dhe juve mediave për durueshmërinë dhe qëndrueshmërinë tuaj dje.

Për shkak të protestës së Opozitës së bashkuar deputetët e pozitës u detyruan të fshihen skutave për t’u shtirur kinse po marrin vendime. Takimi i mbajtur në restoran duke i përjashtuar një të tretën e deputetëve të Republikës, është shpërfaqje e inatit dhe dëshpërimit të këtij pushteti.

Një qeveri që e tëra vendoset në funksion të zbatimit të kërkesave dhe interesave të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, nuk do të jetë njëkohësisht as transparente e as demokratike: ata janë zaptues që merren vesh skutave, rrënues të Republikës që veprojnë natën. Dhe kështu nuk mund ta kenë të gjatë.

Protesta jonë do të vazhdojë. Kuvendi i Republikës nuk do të bëhet mekanizëm për kontrabandim të ‘Zajednicës’, e as mekanizëm për shpërlarjen e të palarave të qeverisë.”

ALBIN KURTI:
“Duke qenë të bashkuar, të vendosur dhe aktiv nuk kemi lejuar normalizimin e “Zajednicës” në Kuvendin e Republikës. Në Kosovë nuk mund të ndërtohet edhe Republika edhe “Zajednica”. Prandaj “Zajednica” do të bjerë ose bashkë me të do të bije edhe qeveria. Nuk ka zgjidhje tjetër.

Ata kanë pritur që ne do të lodhemi, ata kanë pritur që ne do të mërzitemi, por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. As në rrugët e Prishtinës dhe as në sallën e Kuvendit. Rezultat i qëndrueshmërisë sonë të pakompromis është edhe fitorja e mbërmshme.”

Kontribo