23 10 2015

Deputetët e opozitës sapo kanë hedhur gaz lotsjellës pranë zyres së Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky i fundit e blindoi kuvendin me forca policore. Njësoj sikur që Isa Mustafa po e blindon shoqërinë duke arrestuar, përndjekur e kidnapuar deputetë e qytetarë. Opozita nuk do të lëshojë pe kur është në pyetje sovraniteti shtetëror, interesi qytetar, liria dhe barazia.

Protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kontribo

22 10 2015

Vazhdojnë të mbahen në burg aktivistët e arrestuar ditë më parë

Qeveria e Kosovës duke instrumentalizuar institucionet e drejtësisë, po tenton që instalimin e Serbisë në Kosovë ta bëj duke persekutuar qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sot, Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’i mbajtur në paraburgim 30 ditë Yll Hoxha, Premton Iberdemaj, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj.

Vendimet e tilla nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë, janë thellësisht politike dhe të vetmin qëllim e kanë shtypjen e vullnetit qytetar për t’i kundërshtuar marrëveshjet që janë në dëm të Republikës.

Përndjekja, arrestimi e paraburgimi i aktivistëve nuk do të ndal në rrugën tonë të drejtë. Tërheqja nga marrëveshjet e 25 gushtit dhe nga marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi është zgjidhja e vetme dhe e panegociueshme. Në të kundërtën, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbaj përgjegjësi për tensionimin e situatës.

Kontribo

21 10 2015

Reagim ndaj deklaratave të Sava Janjiqit

Gjuha e përdorur së fundmi nga një udhëheqës fetar në Kosovë, z. Sava Janjiq, është e papranueshme. Në komunikimin me zv. Ministrin P. Selimi, z. Janjiq shprehet për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për aktivistët e saj në një mënyrë ofenduese dhe përbuzëse duke na quajtur neo-nazistë.

Gjuha e Sava Janjiq i bën jehonë në fakt gjuhës së vetë zv. Ministrit Selimi, i cili disa ditë më parë i ka quajtur aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! fashistë. Etiketime të tilla për ekstremizma të llojeve të ndryshme janë përdorur kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! vetëm nga njerëzit pranë pushtetit në Kosovë për të vetmen arsye, sepse Lëvizja është i vetmi subjekt politik që nuk pranon “paqe pa drejtësi” dhe nuk pranon “stabilitet pa barazi”.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është një organizatë politike socialdemokrate që refuzon e lufton çdo veprim e qëndrim shoven, racist a fashizmi. Këtë e kemi të sanksionuar dhe në Statutin e organizatës tonë.

Sava Janjiq dhe Petrit Selimi i akuzojnë shqiptarët për atë që kurrë s’kanë qenë. Janjiq-Selimi jo vetëm që përdorin të njëjtat terma për një Lëvizje të frymës çlirimtare e sovraniste siç është VETËVENDOSJE!, por po kurdisin të njëjtën të ardhme për Kosovën, pasi interesat e tyre janë të ngjashme. E ardhmja për të cilën ata punojnë është e ardhmja e një Kosove, çelësat e stabilitetit të së cilës do të varen në Beograd. Është e ardhmja ku mungesa e zhvillimit ekonomik do të shihet si fatalitet i pakapërcyeshëm. Është e ardhmja ku shqiptarëve do t’u mbetet si mundësi vetëm mërgimi, dhe kjo e ardhme ngjan me të shkuarën.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër një të ardhme të tillë, e cila bart në vetvete realizimin shpirtëror të Millosheviqit.

Ne do të punojmë me vetësakrifikim maksimal për një Kosovë sovrane e republikane ku të gjitha minoritetet do të mbrohen e do të garantohen me të gjitha të drejtat, sipas konventave ndërkombëtare.

Ne do të punojmë për një Kosovë ku serbët do të mund të jetojnë si të barabartë, e ku të gjitha fetë e institucionet fetare do të ruhen si në çdo vend të Evropës.

Por vetëm një Serbi që dënon fashizmin politikisht e shoqërisht, që e njeh Kosovën e që merr përsipër pasojat e krimeve të kryera, do të krijonte kushtet e paqtimit fqinjësor në të ardhmen.

Visar Ymeri, Kryetar
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 21 tetor 2015

Kontribo

20 10 2015

Policia sekrete e Isa Mustafës përgjon zyrat e VETËVENDOSJE!-s

Sot rreth orës 15:00, në zyrën qendrore të Lëvizjes në Prishtinë, u kap një person tek tentonte fshehtazi që të vendoste pajisje përgjuese pranë zyrave të Kryesisë së VETËVENDOSJE!-s dhe kryetarit Visar Ymeri. Personi i cili nuk kishte asnjë dokument identifikues me vete, deklaroi që është polic. Ai fillimisht nuk pranoi të tregonte identitetin kurse më pas tha që quhet Qerim Krasniqi. Pajisjet që kishte me vete u gjetën nga aktivistët. Ky person iu dorëzua Policisë bashkë me pajisjet që kishte me vete.

Represionit policor të Isa Mustafës po i shtohen edhe metodat përgjuese ndaj kundërshtarëve politikë. Kosova po shndërrohet në një shtet totalitar ku opozita torturohet nëpër stacione, kidnapohet në rrugë, dhe hetohet nëpër zyra. Këto praktika, të cilat janë përdorur ndaj rezistencës kombëtare edhe në të kaluarën nga pushtetit të cilit i ka shërbyer Isa Mustafa, janë të papranueshme në Kosovë. Ky skandal duhet të hetohet urgjentisht nga sistemi i drejtësisë dhe të zbardhet sa më parë.

Më poshtë gjeni fotot e personit dhe pajisjeve të cilat ishte duke i përdorur kur u kap në korridoret e zyrave tona.

Kontribo

20 10 2015

Policia e Kosovës ka filluar t’i kërkojë për t’i arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes.

Policia e Kosovës ka filluar t’i kërkojë për t’i arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes. Para disa minutash, policia ka kontaktuar përmes telefonit aktivistët Egzon Balaj dhe Ardian Huli, duke kërkuar që të paraqiten në polici ose përndryshe do të arrestohen kudo që takohen nga policia.

Dje aktivistët u torturuan në stacionet policore, ndërsa sot policia po kërkon që aktivistët të shkojnë në polici. Përndjekja e opozitarëve është sjellje tipike e pushteteve me tendenca autoritare. Këto pushtete bëhen të dhunshme dhe policore veçanërisht kur ndeshen me opozitarizëm të fortë e të vendosur.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, që kanë filluar ta ndjejnë fundin e tyre, po përpiqen që të vazhdojnë qeverisjen përmes taktikave policore. Mirëpo taktikat policore do ta rrisin pakënaqësinë dhe do ta mobilizojnë edhe më shumë opozitën në kauzën e saj për të parandaluar “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Kontribo

19 10 2015

Torturohen aktivistët në stacionin policor

Rreth orës 16:00, Policia ka liruar dy aktivistët që kishte kidnapuar paradite. Aktivistët e sapo liruar, janë rrahur brutalisht në Stacionin Qendra, të Policisë së Kosovës. I përfshirë në torturimin e aktivistëve ka qenë edhe komandanti i Stacionit “Qendra” të Policisë së Kosovës, Driton Imeri.

Me t’i futur në stacionin policor, aktivistëve u është thënë nga Driton Imeri që “tash e tutje ju nuk do të keni punë në gjykata. Këtu ma nuk ka ligje. Thjesht do t’ju rrahim nëpër stacione deri sa të ndaleni”. Rreth 10 policë kanë rrahur aktivistët që ishin me duar të lidhura dhe i kanë kërcënuar që “nëse vazhdoni kështu do t’ju rrahim vazhdimisht”. Po ashtu, policët u kanë thënë aktivistëve t’i qojnë fjalë Dardan Molliqajt dhe disa aktivistëve të tjerë që “sapo t’i arrestojmë do t’i torturojmë më shumë se juve”. Po ashtu, policët kanë sharë e ofenduar aktivistët në baza familjare.

Më poshtë i gjeni edhe disa foto nga lëndimet që aktivisti Shkëlqim Morina ka marrë nga rrahjet.

Qeveria ka filluar të përshkallëzojë dhunën, në çdo institucion që kontrollon. Format e tilla të torturave janë tipike për sistemet autoritare që duan t’i frikësojnë ata që kritikojnë pushtetin. Të tilla metoda, Isa Mustafa, me siguri i njeh mirë. Mirëpo duhet ta ketë të qartë kjo qeveri që ne nuk do të ndalemi deri në ndaljen e “Zajednicës”, dhe siç po duket, edhe të qeverisë Mustafa e cila po e mbron Serbinë në Kosovë edhe përmes torturave policore.

Kontribo

17 10 2015

ZÜRICH: KUNDËR ZAJEDNICËS! NË MBROJTJE TË SOVRANITETIT!

‘Zajednica’ është projekt famëkeq dhe jashtëzakonisht i dëmshëm, që si kërkesë erdhi nga pushtetarët e Serbisë, dhe u pranua nga pushtetarët tanë servilë e antikombëtarë në Kosovë. Krijimi i saj e bosnjëzon vendin, duke ia copëtuar territorin, permes kompetencave ekzekutive që do t’i jepen asaj në 30% të territorit.

‘Zajednica’ cënon shtetin e Kosovës. E ardhmja me ‘Zajednicë’ brenda shtetit bëhet e pasigurtë!

Prandaj, edhe Diaspora i bashkangjitet popullit të Kosovës në kauzën e tyre për mbrojtje të Republikës. Fuqishëm në kundërshtim të ‘Zajednicës’ dhe për mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.

ZAJEDNICA NUK KALON!

Kontribo

17 10 2015

Të lirohen sa më parë aktivistët

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilluan një aksion simbolik për të kundërshtuar përndjekjen dhe mbajtjen në burg në mënyrë të padrejtë të aktivistëve të opozitës.

Isa Mustafa po e vërteton se është Kryeministër i ‘Zajednicës’. Ai ka vënë në përdorim çdo mjet që të mbrojë këtë marrëveshje të dëmshme. Përmes policisë dhe drejtësisë së kapur ai i është lëshuar në gjah aktivistëve të opozitës.

“Këtë zell të policisë dhe gjyqësisë sigurisht që nuk e shohim ndaj strukturave paralele, korrupsionit tenderomanisë, tjetërsimit të pronave, mafias së ndërtimit, klanit Hamiti dhe SHIK-ut dhe shumë strukturave të tjera kriminale që janë të lidhura ngusht me pushtetin”, tha aktivisti Nol Nushi. Ai më tej u shpreh se “deri tash nga qeverisja Mustafa, kanë përfituar vetëm familja e tij, Serbia dhe Mali i Zi. Djemve po u jep tenderë, Serbisë po ia jep ‘Zajednicën’ e Malit të Zi po i fal territor.”

Opozita e bashkuar bën thirrje që aktivistët të lirohen sa më parë, dhe të tërhiqen marrëveshjet e dëmshme, përndryshe këtë pushtet e pret rezistencë e fuqishme qytetare.

17 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 10 2015

DEKLARATË E OPOZITËS SË BASHKUAR

Ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi. Qeveria e Republikës me marrëveshjet në fjalë ka krijuar situate të jashtëzakonshme. Kuvendi nuk mund të vazhdojë sikur zakonisht. Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi.

1. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës.

2. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të merr vendim për tërheqje nga Marrëveshjet me Serbinë dhe atë për demarkacion me Malin e Zi. Vetëm tërheqja nga këto marrëveshje do ta kthejë normalitetin institucional dhe shoqëror në Kosovë.

Prishtinë,
15 tetor 2015

Kontribo

14 10 2015

Gënjeshtra e pushtetit nuk zgjati më shumë se një ditë

Gënjeshtra e pushtetit nuk zgjati më shumë se një ditë. Sot vetë kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, pranoi që për arrestimin e Albin Kurtit nuk ka pasur urdhër arrest nga prokuroria.

Kjo e vërtetoi edhe njëherë paligjshmërinë e arrestimit të Albin Kurtit dhe e vuri në pah se si ky në fakt ka qenë kidnapim prej policisë i një deputeti të zgjedhur nga populli.

Skandalet e tilla tregojnë që shteti është kapur nga dy partitë në pushtet dhe po përdoret në njërën anë për t’i liruar nga akuzat djemtë e kryeministrit dhe në anën tjetër për t’i persekutuar kundërshtarët e tij politikë. Vënia e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë në funksion të mbrojtjes së “Zajednicës” është e papranueshme dhe duhet të ndalet. Sa më herët, aq më mirë.

Nuk ka pushtet dhe polici që do të arrijë sukses në shtypjen e vullnetit të popullit për një Kosovë të lirë, sovrane dhe të zhvilluar.

Kontribo

12 10 2015

KADRI VESELI TURPËROHET NGA HISTORIA KOMBËTARE

Pas orarit të punës, fshehurazi, Kadri Veseli mbuloi muralet me motive kombëtare që gjenden në muret e Kuvendit të Republikës, e të cilat u zbuluan nga deputetët të enjten. Kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares dhe kualifikimin për në Kampionatin evropian, Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë sonë, Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit. Sikur UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar.

Përmes këtij veprimi, Kadri Veseli, e shpërfaq ‘demokracinë’ e vërtetë në Kuvendin kryetar i të cilit u instalua: për ato murale asnjëherë nuk u pyetën deputetët, nëse duhet të mbulohen, madje as që u diskutua fare për to. Kokë më vete, larg syve të publikut, Veseli vendosi që Kuvendi i Republikës po u dashka të turpërohet nga historia e shqiptarëve. Prandaj Veseli, qartazi i turpëruar nga kjo histori, vendosi ta mbulojë atë.

Në kohën kur ‘Zajednica’ po e kërcënon Republikën, e Qeveria po rrënon integritetin e Kuvendit, Veseli po e uzurpon vendimmarrjen deri edhe te disejnimi estetik i hollit të Kuvendit. Natyrisht që vendimmarrja për procese shtetrrënuese, të cilat e përjashtojnë popullin nga politika, e shoqërinë nga mirëqenia, reduktohet vetëm në institucione, e brenda tyre në shumë pak njerëz. Kur projekti është antidemokratik, procedura nuk mund të jetë demokratike.

Kadri Veseli ka bërë çmos për ta përmirësuar imazhin e tij. Trashëgiminë e Shefit të ShIK-ut është munduar ta shpërlajë me paraqitjen e tij prej një Kryetari jashtëzakonisht të kujdesshëm të Kuvendit. Por ky është vetëm imazhi i Veselit. Veseli i vërtetë mbetet ai i ShIK-ut, Shefi i punëve të fshehta, ai i vendimeve dhe veprimeve sekrete.

Mbulimi i muraleve kombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës është akt i papranueshëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe do të kundërshtohet me ngulm.

Kontribo

09 10 2015

BASTISEN ZYRAT E DEPUTETËVE TË VETËVENDOSJE!-s, POLICIA THËRRET DEPUTETËT PËR T’I MARRË NË PYETJE

Sot rreth orës 18:00 në zyrat e Kuvendit të Kosovës, pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës, ka ndodhur një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar. Policia e Kosovës e cila duhet të sigurojë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit, ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Policia e Kosovës përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend.

Ky presion ndodh, pikërisht pas dorëzimit të padisë për Armend Zemajn, i cili ka shprehur publikisht qëllimin e tij për të goditur me gotë të qelqtë deputetët e VETËVENDOSJE!-s dhe për t’i dëmtuar fizikisht ata ndërkohë që Policia asnjë veprim nuk e mori ndaj tij.

Këto ndodhi të papranueshme vijnë menjëherë pasi që Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit. Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me ambasadorët e Kuintit për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës. Ish-kryetari i SHIK-ut u përpoq për disa ditë të përdorë maskën demokratike e paqësore, por tashmë përballë vendosmërisë së opozitës, Veseli po e shfaq sërish fytyrën e tij të vërtetë, atë të vjetrën!

Pas thirrjes dhe presionit publik që ditët e fundit kryeministri Mustafa ia ka bërë policisë dhe gjyqësorit që të angazhohen kundër aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës, këta institucione janë vënë krejtësisht në shërbim të pushtetit.

Mustafa, i cili veten e vet e ka vënë krejtësisht në shërbim e në mbrojtje të Zajednicës, tashmë po e vendos edhe Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Sistemin Gjyqësor po ashtu në mbrojtje të projektit më të dëmshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Por çdo përpjekje e tillë do të dështojë. “Zajednica” nuk do të kalojë!

Ne ia bëjmë të qartë Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit se veprimet e tilla si dhe kërcënimet për arrestimin e deputetëve Albin Kurti dhe Albulen Haxhiu do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe përgjegjësia për këtë i mbetet vetëm pushtetit.

Kontribo

09 10 2015

LETËR E PËRBASHKËT E OPOZITËS

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ne vlerësojmë se shteti ynë është në rrezik! Vendimet e Kryeministrit dhe vartësve të tij do të rezultojnë në ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është në interes as të shqiptarëve e as të serbëve. Në anën tjetër, marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit. Këto për ne janë të papranueshme.

Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e falë territorin e saj. Jemi të vetëdijshëm që masat kundërshtuese të opozitës dje në Kuvend nuk kanë qenë të rregullta, por kjo ishte rruga e vetme për të kundërshtuar proceset që rrezikojnë funksionimin e shtetit të Kosovës, i cili ka qenë një projekt i përbashkët edhe me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, kërkojmë që edhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë ta shohin kundërshtimin tonë nga ky aspekt.

Vezët, uji dhe gazi lotësjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotësjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë.

Për opozitën e bashkuar, e neveritshme është ndarja e Kosovë në linja etnike dhe falja e territorit të shtetit tonë. E shëmtuar është shkurtpamësia politike për të parë dëmin që mund ta shkaktojnë këto marrëveshje.

Qeveria ka kaluar çdo kufi të sjelljes në suaza normaliteti me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, përkundër paralajmërimeve të qarta që u kemi bërë në foltoren e Kuvendit për javë e muaj me radhë. Por, kjo Qeveri nuk dëgjon zërin e arsyes dhe as qytetarin. Nuk ka dëgjuar as argumentet tona. Kryeministri dhe Qeveria janë nën presionin e dosjeve të korrupsionit, prandaj edhe e dëmtojnë Kosovën për të tentuar shpëtimin e vetes. Për ne është i papranueshëm nënshtrimi i interesave të kombit për interesa private e meskine të cilitdo individ, qofshin ata edhe krerët e koalicionit qeverisës.

Konsiderojmë se kjo që po bën Kryeministri Mustafa dhe Qeveria e tij nuk është demokraci. Kjo është logjikë e dhunimit të shtetit, popullit dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.

Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme. Nëse ai vazhdon të shpërfill këtë shqetësim krejt legjitim, atëherë dorëheqja e tij është e pashmangshme.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA

Kontribo

08 10 2015

DEKLARATË E PËRBASHKËT E OPOZITËS MBI NGJARJET NË KUVEND

Qeveria e Republikës së Kosovës po e rrënon dhe falimenton shtetin, duke e formalizuar dhe legalizuar pushtetin e Serbisë brenda territorit dhe institucioneve të Kosovës. Ky pushtet i Serbisë është shkatërrim i Republikës, sovranitetit, integritetit territorial, e mirëqenies së qytetarëve. Askush nuk ka mandat e as të drejtë ta kthejë Serbinë në Kosovë. Këtë nuk do ta lejojmë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot u tërhoq nga pozita e tij, duke e bartur kundërligjshëm udhëheqjen e seancës te anëtari i Kryesisë. Kjo është ikje nga përgjegjësia e atij që e ka për detyrë ta mbrojë Kuvendin e Republikës. Skenari sot ishte i qartë: Kadri Veseli deshi ta nxisë konfliktin mes deputetëve të Kuvendit.

Ne protestën tonë e kemi të orientuar kundër kthimit të Serbisë përmes ‘Zajednicës’, dhe kundër njerëzve të shantazhuar në qeveri, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, të cilët po punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm për t’ia mundësuar Serbisë pushtetin në Kosovë. Prandaj këta persona arritën marrëveshje në Bruksel dhe e shkelën hierarkinë institucionale të Republikës së Kosovës, duke e shpërfillur dhe pamundësuar kështu vetë Republikën dhe qytetarët në të.

Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të kalojnë. Serbinë nuk do ta lejojmë të kthehet në Kosovë. Malit të Zi nuk do t’i falet toka e Kosovës. Qeveria duhet të tërhiqet nga marrëveshjet.

Normalizimi i punës në Kuvend është normalizim i ‘Zajednicës’, rrjedhimisht i pushtetit të Serbisë në Kosovë. Është normalizim i pafuqisë së pushtetit karshi interesave të Republikës. Pushtetarët e shantazhuar janë bartësit e këtij nënshtrimi. Qytetarët e Republikës së bashku me deputetët, që e mbajnë dinjitetshëm betimin e tyre, janë ata që do ta mbrojnë Republikën.

Kontribo

06 10 2015

PUSHTETI QË NUK GUXON T’I REAGOJË DAÇIQIT, SHFRYNË MLLEFIN NDAJ VETËVENDOSJE!-s

Kryetari i Komunës së Besianës sot ka përdorur një gjuhe rrugaçërore ndaj aktivistëve që kanë kryer një aksion simbolik ndaj kryeministrit të Zajednicës.

Arsyet pse Agim Veliu e përdorë këtë gjuhë banale janë dy, së pari ai dëshiron të shprehë servilizmin e tij të fuqishëm ndaj kryeministrit të pafuqishëm, së dyti edhe ai dëshiron t’i bashkohet logjikës parafashiste dhe antidemokratike që po instalohet gjerësisht në instancat e pushtetit burokratik, mafioz edhe mediatik.

Ata politikanë që përdorin gjuhë kërcënuese dhe quajnë horra aktivistët e qytetarët e ndërgjegjshëm e paqësorë, janë të njëjtët që nuk guxojnë ta çelin gojën kur qeveria e Serbisë e quan Kosovën të barabartë me ISIS-in.

Me logjikën e tyre të pabarazisë dhe servilizmit, Daçiqi e Vuçiqi ofendon Kosovën, dhe Mustafa e Veliu ofendojnë aktivistët e qytetarët e tyre. Por kësaj logjike i ka ardhur fundi. Qindra mijëra qytetarë po e kundërshtojnë “Zajednicën” dhe në fakt ky mobilizim është shqetësimi kryesor i qeverisë Mustafa. Humbja e legjitimitetit të Isa Mustafës po përcillet me ofendime e sharje, kërcënime e dhunë policore. Ky është paralajmërim i fundit të tij politik.

Kontribo

30 09 2015

KOMUNA E MALISHEVËS KUNDËR “ZAJEDNICËS”

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Malishevës, ka propozuar një deklaratë e cila kundërshton marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë, në theks të veçantë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe/“Zajednicës”.

Deklarata u mbështet nga anëtarët e subjekteve tjera politike Nisma dhe AAK, derisa u kundërshtua nga LDK-ja dhe PDK-ja, të cilat në momentin e votimit të saj lëshuan edhe sallën, duke treguar se janë për krijimin e Zajednicës, dhe i qëndrojnë besnik shefave të tyre që këto marrëveshje i arritën në dëm të vendit.

D E K L A R A T Ë

1. I ashtuquajturi Asociacioni/“Zajednica” i/e komunave me shumicë serbe shprehë themelimin e një etniteti juridik të themeluar mbi bazën e pastrimit etnik të shqiptarëve.

2. Themelimi i një Asociacioni të tillë, krahas dëmit juridiko-administrativ dhe organizimit shtetëror që i bënë Republikës së Kosovës si shtet me karakter unitar të përkufizuar me Kushtetutë, juridizon formalizimin e një strukture juridike me tipare etnike. Me këtë karakter tani më të përkufizuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe me marrëveshjen e fundit të datës 25 gusht 2015, Republika e Kosovës po bëhet shtet diskriminues ndaj shumicës shqiptare, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë që janë shtetas të Republikës së Kosovës.

3. Themelimi i këtij Asociacioni/Zajednicë me pushtet të ndërmjetëm e tejkalon çdo qëllim të organizimit të pushtetit lokal si organizim themelor administrativ. Qëllimi i këtij etniteti legal nuk është asgjë tjetër veçse një strukturë formale me baza etnike që përjashton të gjithë qytetarët të tjerë që nuk janë të përkatësisë kombëtare serbe.

4. E themeluar me përmbajtje tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikë së Kosovës, legjislacionin pozitiv nga fusha e organizimit të pushtetit lokal dhe atij përkitazi me financat publike të pushtetit lokal, Kartës Evropiane Për Vetëqeverisje Lokale (Strasburg, 15 tetor 1985).

5. Kuvendi i Komunës së Malishevës nxjerrë qëndrim për arsyet e mësipërme:

5.1 Kuvendi i Komunës së Malishevës nuk do të njoh një formacion juridik i quajtur Asociacion/ “Zajednicë” e Komunave me Shumicë Serbe, duke përfshirë vendimet që do të merren nga organet e këtij konstruksioni formal kundërkushtetues;

5.2 Kuvendi i Komunës së Malishevës zotohet se nuk do të mbajë asnjë raport me strukturat e këtij organizimi kriminal dhe me prapavijë të spastrimit etnik;

5.3 Kuvendi i Komunës së Malishevës i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga cilido veprim i cili do t’i kontribuojë themelimit të Asociacionit/“Zajednicës”;

5.4 Kjo Rezolutë do të hyjë në fuqi ditën e miratimit të saj nga Kuvendi i Komunës së Malishevës.

Kontribo

29 09 2015

KOMUNA E HANIT TË ELEZIT KUNDËR “ZAJEDNICËS”

Kuvendi i komunës së Hanit të Elezit me shumicë të votave miratoi Deklaratën e propozuar nga nga grupi i këshilltarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në Deklatatën të cilën e lexoi këshilltari i VETËVENDOSJE!-s, z. Mirsad Shkreta thuhet:

DEKLARATË

1. I ashtuquajturi Asoiciacioni/Zajednica i/e komunave me shumicë serbe shprehë themelimin e një etniteti juridik të themeluar mbi bazën e pastrimit etnik te shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës.

2. Themelimi i një Asociacioni të tillë, krahas dëmit juridiko-administrativ dhe organizimit shtetëror që i bënë Republikës së Kosovës si shtet me karakter unitar të përkufizuar me Kushtetutë, juridizon formalizimin e një strukture juridike me tipare etnike. Me këtë karakter tani më të përkufizuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe me marrëveshjen e fundit të datës 25 gusht 2015, Republika e Kosovës po bëhet shtet diskriminues ndaj shumicës shqiptare, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë që janë shtetas të Republikës së Kosovës.

3. Themelimi i këtij Asociacioni/Zajednicë me pushtet të ndërmjetëm e tejkalon çdo qëllim të organizimit të pushtetit lokal si organizim themelor administrativ. Qëllimi i këtij etniteti legal nuk është asgjë tjetër veçse një strukturë formale me baza etnike që përjashton të gjithë qytetarët të tjerë që nuk janë të përkatësisë kombëtare serbe.

4. E themeluar me përmbajtje tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikë së Kosovës, legjislacionin pozitiv nga fusha e organizimit të pushtetit lokal dhe atij përkitazi me financat publike të pushtetit lokal, Kartës Evropiane Për Vetëqeverisje Lokale (Strasburg, 15 tetor 1985).

5. Kuvendi i Komunës së Hanit i Elezit nxjerrë qëndrim për arsyet e mësipërme:
5.1 Kuvendi i Komunës së Hanit i Elezit nuk do të njoh një formacion juridik i quajtur Asociacion/ Zajednicë e Komunave me Shumicë Serbe, duke përfshirë vendimet që do të merren nga organet e këtij konstruksioni formal kundërkushtetues;
5.2 Kuvendi i Komunës së Hani i Elezit zotohet se nuk do të mbajë asnjë raport me strukturat e këtij organizimi kriminal dhe me prapavijë të spastrimit etnik;
5.3 Kuvendi i Komunës së Hani i Elezit i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga cilido veprim i cili do t’i kontribuojë themelimit të Asociacionit/Zajednicës;
5.4 Kuvendi i Komunës së Hani i Elezit i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës se në vend që të ndajë buxhet për strukturat e tilla me të kaluar dhe të tashmën kriminale, të ndaj fonde për kthimin e qytetarëve të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës;

6. Kjo Rezolutë do të hyjë në fuqi datën e miratimit të saj nga Kuvendi i Komunës së Hani i Elezit.

Kontribo

29 09 2015

DHJETË DITË, 101.672 NËNSHKRIME

Për 10 ditë të mbledhjes së nënshkrimeve kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi, janë mbledhur 101672nënshkrime. Kjo shifër është shumë shpresëdhënëse duke pasur parasysh që përgjatë këtyre dhjetë ditëve të aktivizimit, jo pak ditë kanë qenë me mot shumë të keq me shi, disa ditë ka qenë festa e Bajramit, nuk duhet të harrojmë edhe ditën e protestës sonë para Kuvendit të Kosovës. Pra, të gjitha këto rrethana e kanë vështirësuar objektivisht mbledhjen e nënshkrimeve por vullneti i aktivistëve dhe gatishmëria qytetare për t’i thënë jo “Zajednicës” dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka qenë shumë më e madhe sesa vështirësitë.

Për derisa ka gatishmëri kaq të lartë qytetare për të nënshkruar, aktivistet e aktivistët do të vazhdojmë punën e palodhshme që kemi bërë bashkërisht edhe ditëve në vazhdim. Marrëveshjet e fundit të kësaj qeverie janë tepër të dëmshme dhe të papranueshme. Kjo po vërtetohet edhe nga nënshkrimet e qytetarëve. Një Kryeministër normal do ta kuptonte që veprimet e tij janë në kundërshtim me vullnetin e popullit prandaj Kryeministri ose duhet ta tërheqë nënshkrimin nga këto marrëveshje ose duhet të japë dorëheqje

Kontribo

21 09 2015

Raportimi i fundit i portalit Indeksonline.net rreth sulmit që iu bë sonte Lëvizjes VETËVENDOSJE! është tërësisht i pavërtetë dhe jashtëzakonisht tendencioz.

Rrjedha e sulmit të sotshëm ishte si vijon:
Njëri nga djemtë e Sabit Gecit e parkoi makinën BMW saktësisht në hyrje të zyrës së VETËVENDOSJE!-s (siç shihet në foto), duke e bllokuar derën. Me të dalur nga makina ai ka filluar t’i kërcënojë dhe fyej verbalisht dy aktivistët e Lëvizjes që ishin para zyrës. Në atë moment kanë ardhur edhe 4 persona të tjerë të armatosur me revole dhe me thikë dhe kanë filluar të godasin aktivistët dhe i kanë therrur dy nga ta.

Me të dëgjuar zhurmën, nga zyra kanë dalur edhe aktivistët e tjerë dhe i kanë larguar sulmuesit. Në atë moment ka arritur Policia e Kosovës. Kjo e fundit ka arrestuar 2 djemtë e Sabit Gecit, Alban dhe Kushtrim Gecin, ndërsa 3 sulmuesit e tjerë kanë ikur.

Ky raportim tendencioz i portalit INDEKSONLINE është në vazhdën e keqinformimit dhe sulmeve të vazhdueshme që ky portal ia bën Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky portal tendencioz është vënë tërësisht në shërbim të pushtetit të krimit.

Kontribo

21 09 2015

Paramilitarët e PDK-së sulmojnë aktivistët e Lëvizjes në zyren e tyre

Rreth orës 21:20 katër persona, nga të cilët dy të armatosur, kanë sulmuar dy aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! brenda në hollin e zyrës dhe para objektit.

Dy nga sulmuesit janë djemtë e Sabit Gecit, Alban dhe Kushtrim Geci të cilët kanë të kaluar kriminale. Policia i arrestoi këta dy persona ndërsa dy të tjerë kanë ikur.
Dy aktivistë të Lëvizjes janë therrur me thikë dhe po trajtohen në QKUK.

Ky sulm është sulm i planifikuar ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe është i papranueshëm. Të tilla sulme nuk e ndalin Lëvizjen në kauzën e saj të drejtë.

21 shtator 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 09 2015

Reagim për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese

Sot, Gjykata Kushtetuese edhe njëherë e vërtetoi kapjen strukturore të pushtetit. Me përmbajtjen e aktvendimit me të cilin ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën e 24 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo gjykatë ka hequr dorë nga mbrojtja preventive dhe represive të rendit kushtetues. Një gjykatë e tillë, e cila formalisht konsiderohet si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, e redukton veten brenda kapitullit II mbi të drejtat elementare, e kur e bëri vlerësimin e amendamentit XXIV për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, tejkaloj pak edhe Kapitullin II për tu marrë edhe me Kapitullin III mbi të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Gjykata Kushtetuese sot e ka shpjeguar natyrën e interpretimit të ardhshëm lidhur me të ashtuquajturin “dekretin e Qeverisë” për themelimin e Zajednicës. Për këtë kur një organ kushtetues i cili ka për detyrim kushtetues vlerësimin e cilitdo akt të Kuvendit i cili krijon pasoja juridike të vlerësoj kushtetutshmërinë e të njëjtit, heq dorë nga vlerësimi i aktit i cili jo vetëm që ndërhyn në sistemin kushtetues siç është amendamenti XXIV, cili do të konstruksioni interpretues për një akt ligjor të cilin e nxjerrë Qeveria.

Për më keq, kjo gjykatë tani e bartë kompetencën juridiko-kushtetuese, të njohur edhe në praktikën dhe teorinë gjyqësore që statusin e lëndëve dhe konstatimin formal të tyre ta bartë në qeveri. Gjykata Kushtetuese sot ia barti kompetencën e vlerësimit të statusit të propozimeve kushtetuese, se kur një çështje ka qenë apo jo e gjykuar. Qeveria sot është sufleri i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ajo aktruese në një monolog mashtrues.

21 shtator 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo