18 09 2015

PRESION POLICOR NDAJ QYTETARËVE QË NËNSHKRUAJNË PETICIONIN

Në Vushtrri, pranë pikës ku po mblidhen nënshkrimet e qytetarëve, gjatë gjithë kohës po qëndrojnë dy policë me uniforma, pa kurrfarë nevoje. Qëndrimi i policëve po vazhdon, dhe kjo gjë po i bën qytetarët që të hezitojnë të afrohen për të nënshkruar. Një gjë e tillë po ashtu po shkakton irritim tek njerëzit që megjithatë po përfshihen në peticion.

Prania e policisë në aktivitete të tilla si mbledhja e nënshkrimeve, është tërësisht e panevojshme dhe s’ka se si të jetë ndryshe përveçse formë e sofistikuar e presionit ndaj qytetarëve për të mos e nënshkruar peticionin.

Kontribo

16 09 2015

Deklaratë

Duke e pasur parasysh rrënimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës, si territor, ekonomi e shoqëri, rrënim ky i udhëhequr me vetëdije të plotë nga Qeveria aktuale e Kosovës,

Duke i konsideruar negociatat pa parime me Serbinë në Bruksel si të padrejta dhe marrëveshjet e arritura atje (posaçërisht atë për themelimin e “Zajednicës”) si hapa të mëdhenj drejt bosnjëzimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht, falimentimin politik e ekonomik të shtetit të Kosovës,

Duke e konsideruar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi si heqje dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës,

Të shqetësuar me procesin aktual politik i cili po e dërgon Kosovën pashmangshëm drejt thellimit të ndarjes së brendshme territoriale e etnike dhe konsolidimit të Serbisë brenda Kosovës, e në anën tjetër të marrëdhënies speciale e vasale të Kosovës me Serbinë,

Të brengosur me padrejtësitë e shumta që vijnë nga mungesa e sistemit të drejtësisë, si dhe nga drejtësia selektive e dirigjuar prej pushtetit, dhe me mos gatishmërnë e të fundit për t’i luftuar dukuritë negative dhe korrupsionin që po e rrënon perspektivën e qytetarëve tanë,

Të indinjuar me varfërimin, rritjen e papunësisë dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të shkaktuara nga politikat qeveritare, qofshin ato fiskale, tregtare, por edhe ato të sundimit të ligjit,

Të bindur se politikat qeveritare po e zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik, industrial e rritje të punësimit, duke shkuar kështu ndesh me të drejtën e qytetarëve për mirëqenie e dinjitet,

Të vendosur që këtë rrënim dhe falimentim të shtetit si dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as t’i lejojmë së zbatuari,

DEKLAROJMË

Që Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe NISMA për Kosovën,

DAKORDOHEN se

Do të veprojmë si OPOZITË E BASHKUAR në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike.

Do t’i rrisim dhe intensifikojmë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës.

Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik.

Kontribo

12 09 2015

SHQIPTARËT NË PRESHEVË, MEDVEGJË DHE BUJANOC DUHET TË ORGANIZOHEN DHE BASHKOHEN PËR TË DREJTAT DHE VULLNETIN E TYRE

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (PMB) janë popullsi autoktone që vazhdojnë të jenë të shtypur, diskriminuar e të shfrytëzuar pavarësisht ndërrimit të qeverive në Beograd. Ata kanë të drejtë dhe detyrë që të organizohen dhe veprojnë për vullnetin, interesat dhe nevojat e tyre, për integrim e bashkim me njëri-tjetrin si dhe me Kosovën e Shqipërinë. Prandaj, ne e përshëndesim aktivitetin e tyre të sotshëm.

Mirëpo, PMB nuk do të duhej që ta kopjojnë e imitojnë Beogradin dhe as të kufizohen vetëm te reagimet ndaj tij. Zajednicën në Kosovë nuk e kërkuan serbët e Kosovës por Beogradi i cili do më shumë territor të Kosovës për Serbinë e jo më shumë të drejta për serbët në Kosovë. Prandaj, politikanët shqiptarë në PMB duhet që njëkohësisht ta kundërshtojnë Zajednicën e Vuçiqit me Mustafën në Kosovë e jo ta legjitimojnë atë me pasqyrim kërkese.

Për më tepër, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, duhet ta tërheq dhe ta shpallë të pavlefshme Zahvalnicën që ia dha Vuçiqit para dy muajsh e të cilën nuk e publikoi asnjëherë se çfarë shkruante aty! Zahvalnica e Ragmi Mustafës për Vuçiqin në Preshevë dhe Zajednica e Isa Mustafës për të njëjtin në Kosovë janë të lidhura.

Përderisa Kosova e Shqipëria si shtete nuk e vendosin reciprocitetin me Serbinë, nuk do të ketë reciprocitet të drejtash e kompetencash në terren te popullsia e pushteti lokal.

Kontribo

11 09 2015

Dhjetëra vetura të Qeverisë së Kosovës u defunksionalizuan nga aktivistët e VETËVENDOSJE!-s

Sot rreth orës 11:20, dhjetëra vetura të Qeverisë së Kosovës u defunksionalizuan nga aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, duke ua shfryrë gomat. Policia e Kosovës intervenoi me njësitet e saj speciale duke rrahur, lënduar dhe arrestuar aktivistët. Disa nga aktivistët e arrestuar janë: Gëzon Kastrati, Alban Makolli, Daut Halili, Armend Krasniqi, Vllaznim Krasniqi, Muhamet Merofci, Erden Atiq, Imer Fejza, Uran Hasani, Teuta Hasani, Muhamet Bytyqi, Fatos Sahiti, Kastriot Gërbeshi, Gurjeta Zeka, etj. Disa nga aktivistët e lënduar janë Albana Gashi, Etleva Malushaj, Margaritë Hajrizi, Valon Simnica, etj. Policia është duke përndjekur aktivistët e Lëvizjes nëpër qytet dhe po i arreston e rrah ata kudo që po i takon.

Këta pushtetarë duan ta defunskionalizojnë shtetin e Kosovës. Përballë kësaj situate nuk mbetet tjetër veç angazhimit për ta ndaluar këtë.

Ne sot duam të defunksionalizojmë qarkullimin e veturave të qeverisë së Isa Mustafës sepse këtë qeveri, Mustafa po e përdorë për ta jetësuar “Zajednicën”, me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës. Mustafa e ka vënë gjithë sistemin shtetëror në funksion të “Zajednicës”. Edhe policia e gjyqësia janë bërë jashtëzakonisht efektive kur vije puna t’i arrestojnë dhe dënojnë kundërshtarët e këtij projekti.

Kosova po rrezikohet nga funksionimi i kësaj qeverie. Këto rreziqe katastrofike ne na bëjnë të lëvizim. “Zajednica” duhet të ndalohet. E meqë Isa Mustafa e ka lidhur aq pazgjidhshëm qeverinë e tij me këtë projekt të ndarjes etnike të vendit, atëherë e vetmja mënyrë për ta ndalur “Zajednicën” është defunksionalizimi i Qeverisë Mustafa. Vetëm kështu shpëton Kosova.

Kontribo

10 09 2015

MARRËVESHJA PËR ENERGJINË LEGALIZON NDIKIMIN E SERBISË, PAMUNDËSON UNIFIKIMIN ME SHQIPËRINË

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media ku u trajtua marrëveshja e 25 gushtit mes Isa Mustafës dhe Vuçiqit për çështjen e energjisë, ku foli Kryetari Visar Ymeri dhe Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha. Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë. Aty thuhet që Kosova konsideron në bazë të kushtetutës së vet, ligjeve të veta dhe ligjit ndërkombëtar, që prona që gjendet brenda Kosovës është pronë e Republikës së Kosovës. Në paragrafin tjetër thuhet që Serbia konsideron se në pajtim me ligjin vendor dhe ndërkombëtar, si dhe Rezolutën 1244, që prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë, nën rregullimin specifik krahinor dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e Serbisë. Ymeri tha se Isa Mustafa me nënshkrimin në këtë marrëveshje, e pranon këtë mendim të Serbisë mbi pronat në Kosovë, dhe konteston pronësinë e Kosovës brenda territorit të vetë.

“Prej se është çliruar Kosova nga Serbia, çështja kryesore në sektorin e energjisë ka qenë pikërisht pavarësimi i këtij sektori nga Serbia, në mënyrë që ky sistem i pavarur të lidhet më pas dhe të unifikohet me sistemin energjetik të Republikës së Shqipërisë, dhe kështu të dyja vendet t’i rrisin kapacitetet e veta edhe të gjenerimit edhe të furnizimit me energji elektrike, përmes kombinimit të termoenergjisë që e kemi ne dhe hidroenergjisë që e ka Shqipëria. Ky proces negociator, veçanërisht kjo marrëveshje e fundit, po e kthen prapa këtë tendencë të bashkëpunimit dhe unifikimit të dy sistemeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse po e rilidhë edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”, tha Ymeri.

Ai theksoi se me këtë marrëveshje u cenua edhe pavarësia e autoritetit rregullativ në Republikën e Kosovës, që duhet të jetë i pavarur nga vendimet politike. “ZRrE-ja obligohet nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë që t’i licencojë kompanitë e caktuara për tregtim të energjisë elektrike, si dhe për furnizim me energji elektrike, dhe këtë ta bëj përmes një afati të paraparë në marrëveshje. Askund nuk flitet për kriteret që duhet të plotësohen, por vetëm për marrëveshje politike mes dy kryeministrave”, tha ndër të tjera Ymeri.

Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, profesor Naim Hoxha, tha se është plotësisht e gabueshme futja e KEDS-it në këtë marrëveshje. Edhe më e rëndë është futja e KOSTT-it në European Network of Transmission System Operators (ENTSO-E), përmes Serbisë direkt, meqë Kosova nuk është anëtare. “Përfundimisht, nëse KOSTT do të bëhet pjesë e ENTSO-E-së, atëherë mund të bëhet vetëm si TSO e Serbisë. KEDS ka kontratë me Kosovën e, jo me Serbinë. Cilido që të jetë raporti i Kosovës me “ElektroServer”, raportet e këtij të fundit me KEDS dhe institucionet tjera nuk mund të jenë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës me këdo qoftë. Më tej, mbështetja e “ElektroPriveda Srbije” (EPS) për KEDS është lojë në vete. KOSTT nuk mund të jetë anëtare e ENTSO-E, ngase Kosova nuk është shtet i pranuar nga BE-ja. KOSTT-it nuk mund t’i ndihmojë askush që si TSO e Kosovës së pavarur, të jetë anëtar i ENTSO-E-së”, theksoi Naim Hoxha, duke shtuar se kjo lloj “ndihme” nga EPS nuk i duhet fare Republikës së Kosovës.

Duke folur për paraqitjen e “ElektroServer” si palë midis KOSTT dhe KEDS, ai tha se me këtë rast “ElektroServer” dallohet pakrahasimisht nga “operatorët komercial të thjeshtë” (siç i quan Qeveria). “ElektroServer do të jetë pjesë konstituive e sistemit energjetik të Kosovës, sipas marrëveshjes së nënshkruar. KEDS dhe “ElektroServer” do të kenë monopol në dy pjesë të ndryshme të Kosovës”, tha ndër të tjera Hoxha, duke theksuar zbatimi i kësaj marrëveshjeje legalizon ndërhyrjen e plotë të Serbisë brenda sistemit energjetik të Kosovës.

10 shtator 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

05 09 2015

Sot, më 5 shtator, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tribunën e saj të katërt në kundërshtim të “Zajednicës”.

Në sallën e mbushur plot, fjalën hapëse kishte Emrush Xhemaili, Koordinator i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, i cili foli për dëmet e “Zajednicës” dhe për gatishmërinë e këtij qyteti për organizimin e aktiviteteve për pamundësimin e zbatimit të “Zajednicës” që është “kreaturë para-shtetërore brenda shoqërisë sonë.”

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu u shpreh sesi “Zajednica” kur përkthehet në përditshmëri do prek jetën e secilit pa përjashtim. Ai mori shembull Prishtinën për të shpjeguar si Isa Mustafa as si Kryetar e as si Kryeministër për 16 vite me radhë nuk miratoi ligjin për Prishtinë, ndërsa kompetenca ekzekutive “Zajednicës” ia dha për një ditë.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca foli për qasjen ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës, dhe se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte përmbushje e një kërkese shekullore të këtij shteti. Konjufca mbylli fjalimin e tij duke thënë : “Ose qeveria ta anulojë këtë marrëveshje, ose populli do ta anulojë këtë Qeveri”.

Ndërsa Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri tregoi se krijimi i “Zajednicës” është mbivendosje ndaj shtetit të Kosovës dhe se populli la vendosur që ai nuk është për “Zajednicë”, rrjedhimisht duhet t’u themi jo atyre pak personave në pushtet që po e përkrahin këtë të keqe.

“Që Isa Mustafa të jetë tamam Kryeministër, duhet të insistojë për mbrojtjen e pronave tona publike ashtu siç me shumë me zell po e mbron pronën e tij private”, tha Ymeri.

5 shtator 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

01 09 2015

RRËZOHEN GRILAT E VENDOSURA DJE NGA QEVERIA

Siç e kemi parë, Kryeministri Isa Mustafa, tash ka filluar të vendosë barrikada të cilat e ndajnë pushtetin nga qytetarët. Demokracia e vërtetë, nuk e lejon që qeveria të ndahet nga populli. Kjo ndarje i ngjan vetëm sistemeve të kaluara autoritare që nuk kanë lidhje me demokracinë.

Politikanët në pushtet, duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. E nëse vendimet e tyre janë të padrejta dhe të papërgjegjshme ata nuk duhet t’i ikin përgjegjësisë duke u barrikaduar për t’u ndarë nga populli. Ata që marrin vendime për ne qytetarët, nuk kanë të drejtë të ikin dhe të rrethohen nga qytetarët.

Isa Mustafa, në njërën anë po e ndan dhe defunksionalizon Kosovën përmes “Zajednicës” si dhe po e përdor buxhetin e shtetit për t’i shpërblyer djemtë e vet, e në anën tjetër, po izolohet brenda kësaj ndërtese për t’i ikur përgjegjësisë për veprimet e veta.

Pushteti nuk mbrohet me dhunë. Dhuna e pushtetit nuk është zgjidhje.
Persekutimet ndaj aktivistëve dhe qytetarëve, kërcënimet dhe gjuha e ulët e kryeministrit ndaj kujtdo që e kundërshton, janë tensionim i situtatës.

Siç e kemi thënë edhe më herët, themelimi i “Zajednicës” në Kosovë është tërësisht i papranueshëm dhe si rezultat i kësaj marrëveshjeje të dëmshme, Isa Mustafa duhet të japë dorëheqje.

Për këtë arsye, ne sot kemi dalë që në mënyrë simbolike ta shprehim papajtueshmërinë tonë me ndarjen e pushtetit prej qytetarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

29 08 2015

Mitrovicë: Populli s’pranon Zajednicë

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur një tribunë në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” ku janë diskutuar dëmet dhe rreziqet që shkaktohen nga formimi i “Zajdenicës” në Kosovë. Në tribunën ku folën Kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri, nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, Shefi i grupit parlamentar Glauk Konjufca dhe Kordinatori i Qendrës së Mitrovicës Faruk Mujka u tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! po punon që ta mobilizojë popullin kundër formimit të kësaj “Zajednice”.

Ymeri gjatë fjalës se tij tha se nuk ka Republikë ku disa qytetarë janë të privilegjuar e disa të diskriminuar. Sipas tij, kjo po e betonon ndarjen e Kosovës. Ai fajtorë për këtë i sheh politikanët e korruptuar që po e pranojnë këtë ndarje. Ymeri tha se udhëheqja qeveritare është e varur. “Disa për dosje të korrupsionit, disa për pasuri të paligjshme e disa për pasurimin e djemve dhe vëllezërve, atëherë del se këta nuk janë të gatshëm që në asnjë mënyrë ta mbrojnë interesin e Kosovës”, tha ai. “Zajednica” e pengon zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë. “Për secilin aspekt të jetës politike, shoqërore, ekonomike… duhet të merret pëlqimi edhe prej Serbisë”, tha Ymeri. Kurse duke folur për Kryeministrin Isa Mustafa tha se “ai po i përdor mjetet e aparatit shtetëror duke i vënë në funksion të mbrojtjes siç po e quan ai, nga sulmi që VETËVENDOSJE! po i bën rançit të tij”.

Kurse, deputeti Glauk Konjufca tha se kërkesa e Serbisë për krijimin e “Zajednicës” në Kosovë është e menduar më herët dhe është e qëllimshme. “Zajednica është me keq sesa nivel i tretë i pushtetit sepse ajo është një shtet brenda shtetit të Kosovës”.

Ndërkaq, Faruk Mujka i ka diskutuar me qytetarë edhe njëherë aksionet e ditëve të fundit që kanë zhvilluar aktivistët në Mitrovicë. Të gjitha këto, ai tha se e kanë për qëllim kundërshtimin më të fortë të këtij rreziku të Kosovës.

“Zajednica” gjithsesi që ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës edhe ashtu të varfër. Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti foli për gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Ajo tha se shumë qytetarë janë të varfër sot, por kjo duhet të paraqesë edhe një arsye për angazhimin e tyre për ndryshimin e kësaj gjendjeje.

Ymeri gjatë bashkëbisedimit me qytetarë ka thënë se ende ka kohë që procesi të kthehet prapa dhe këtë mund ta bëjnë qytetarët.

Pas kësaj tribune aktivistët bashkë me qytetarë zhvilluar një aksion ku u shënua “Mitrovica nuk e pranon Zajednicën”.

29 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë

Kontribo

29 08 2015

Isa Mustafa duhet të jap dorëheqje, në të kundërtën qytetarët do ta shkarkojnë atë!

Sot Policia e Kosovës, duke e ndjekur rrugën e shpifjeve të kryeministrit dhe kryepolicit Isa Mustafa, bëri një deklaratë të gënjeshtërt dhe shumë tendencioze. Policia tha se Salih Zyba është arrestuar ngase ishte i dhunshëm. Por, nga xhirimet e kamerave të Komunës së Prishtinës si dhe dëshmitë e punëtorëve të sigurimit të Komunës, është e qartë që Salih Zyba ka qenë duke qëndruar bashkë me punëtorët e sigurimit, në oborrin e Komunës, ndërkohë që aty janë futur dy policë civilë.

Salih Zyba, së bashku me punëtorët e sigurimit kanë shkuar për t’i pyetur se kush janë dhe çka po bëjnë në parkingun e Komunës, ndërsa policët civilë kanë filluar menjëherë të ofendojnë dhe pastaj ta godasin Salih Zybën dhe e kanë arrestuar atë, me ndihmën edhe të një patrulle policore që ka ardhur ndërkohë.

Dhuna policore e kohës së masave të dhunshme, përherë është përcjellur edhe me propagandë policore që ka tentuar t’i demonizojë qytetarët që i arrestonin. Saktësisht e njëjta po ndodh edhe sot nën qeverisjen e Isa Mustafës.

Isa Mustafa duhet të jap dorëheqje, në të kundërtën qytetarët do ta shkarkojnë atë!

Kontribo

28 08 2015

Albin Kurti – shkrim në Koha Ditore:

“Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë të persekutohen nga policia e Kosovës. Nuk mund të jetë ndryshe përderisa kryeministri i vendit i ka quajtur ata kriminelë, banditë, fashistë, kmerë të kuq e çka jo të tjetër. Kjo nuk ka ndodhur as në kohën famëkeqe të Rrahman Morinës. Nuk ka më shefa policie e ministër të brendshëm – në raport me Lëvizjen tonë, kryeministri ua mori kompetencat këtyre. Për çkado që u ndodh aktivistëve tanë tash e tutje, përgjegjësinë e mban Mustafa i cili e ndërseu policinë kundër nesh me shpifjet më të ndyra. Nuk do t’ia falim: rrugës që është nisur Mustafa, do të vijë dita kur nuk do t’i bëjnë punë as pyjet e Prapashticës për t’u fshehur.”

Kontribo

27 08 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE! i konsideron të papranueshme vendimet dhe sjelljet e kryeministrit dhe kërkon me ngulm dorëheqjen e tij.

Pas korrupsionit dhe kriminalitetit 6 vjeçar në Komunën e Prishtinës, pas keqpërdorimeve me pronat në Bërnicë – për të përfituar vetë, pas bashkimit me Thaçin – përkundër të gjitha premtimeve që ua kishte dhënë anëtarësisë së vet, pas nënshkrimit të marrëveshjes më të dëmshme për Republikën e Kosovës prej përfundimit të luftës… kryeministri Mustafa bashkë me djalin e tij Besnik Mustafa, kanë humbur kontrollin duke iu sulur deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Albin Kurti, me një gjuhë të paturpshme dhe të ulët. Ky kryeministër e ka humbur toruan dhe po sulmon në mënyrë të tillë çdo kundërshtar të tij.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i konsideron të papranueshme vendimet dhe sjelljet e kryeministrit dhe kërkon me ngulm dorëheqjen e tij.

Një kryeministër hajn, me djem hajna që marrin paratë e buxhetit të shtetit; një kryeministër që është në gjendje ta shesë krejt Kosovën veç sa për të mbetur vet në pushtet, nuk i duhet Kosovës. Një kryeministër i tillë duhet të jap urgjent dorëheqje. Dhe nëse nuk e bën këtë, duhet të shkarkohet urgjent nga qytetarët.

Kontribo

25 08 2015

Policia e Kosovës e ka ndaluar lirinë e lëvizjes dhe lirinë e shprehjes

Veprimi i sotëm i Policisë së Kosovës tregon qartë se Policia e Kosovës është vënë në shërbim të individëve që kanë krijuar pasuri marramendëse në Kosovë, pra pushtetarëve të Kosovës. Policia e Kosovës e ka ndaluar lirinë e lëvizjes dhe lirinë e shprehjes, përderisa aktivistët tanë ishin nisur në një aksion krejtësisht paqësor.

Përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel po i shërbejnë interesave të Serbisë. Marrëveshja e fundit e arritur sot për telekomunikimin tregon se kah po shkon Kosova përmes negociatave dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Edhe njëherë Serbia i ka realizuar interesat e saja në Kosovë. Edhe njëherë është cenuar sovraniteti dhe integriteti i Kosovës në aspektin e telekomunikimit. Kjo për shkak se me marrëveshjen e sotme Serbia e ruan të drejtën që të ketë kompani të saj të telekomunikimit në Kosovë, prefiksin e saj në Kosovë, tarifat e njëjta. Praktikisht Kosova shihet si zonë e njëjtë me Serbinë sa i përket telekomunikimit përmes kompanisë së vet, kurse Kosova nuk e merr të drejtën të aplikoj si shtet i pavarur për prefiksin e vetë. Për ne, do të aplikojë Austria.

Në kuadër të marrëveshjeve gjithnjë e më të dëmshme për Kosovën, është edhe kjo e sotmja. Në anën tjetër, Policia e Kosovës për interesa personale të Isa Mustafës i ndëshkon, i sulmon dhe i arreston qytetarët e Republikës.

Dje e patëm edhe skandalin me tenderin që i ka dhënë Isa Mustafa djalit të tij, skandal ky që zuri në vend në shumë media edhe ndërkombëtare. Për çudi, nuk kemi asnjë reagim të ambasadorëve për këtë skandal. Jemi mësuar që ata të reagojnë për çdo gjë, madje edhe të mbushin gropa nëpër Prishtinë, por ambasadorët nuk reaguan për një skandal të tillë. Kjo tregon se ata janë të kënaqur me Isa Mustafën, për shkak se Isa Mustafa po i përmbush apetitet e Serbisë në Kosovë.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera që nëse kjo është përgjigja e tyre ndaj aksioneve tona paqësore e të drejta përmes të cilave i shprehim pakënaqësitë tona lidhur me këtë që po i ndodhë Kosovës, atëherë mendojmë se ky është provokim i situatës edhe ashtu të rënduar nga këto marrëveshje të dëmshme, dhe mund të çojë në eskalim të situatës që VETËVENDOSJE! nuk e dëshiron. Nëse kjo ndodh, përgjegjësinë do ta bartë Kryeministri dhe institucionet tjera përgjegjëse si Policia e Kosovës që vënë në shërbim të këtyre interesave.

25 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

25 08 2015

Policia e Kosovës është vënë në shërbim të plotë të interesave financiare private të Kryeministrit Isa Mustafa.

Policia e Kosovës, duke cënuar rëndë lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e protestës, arrestoi 3 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, si dhe përdori dhunë dhe spray lotësjellës kundër tyre. Aktivistët e Lëvizjes tentuan ta vendosin pranë villës luksoze të Isa Mustafës, një pano me mbishkrimin “Shiti pronat e tua, e jo Kosovën”. Këtë gjë e dinte Policia e Kosovës, por prap nuk reshti së përdoruri dhunën ndaj aktivistëve.

Kontribo

24 08 2015

Djemve tenderat! Serbisë Zajednicën!

Gjendja në të cilën ka ardhur shteti i Kosovës është bërë e padurueshme. Kjo ngase me vendin tonë po qeverisin ca kusarë të cilët djemve të tyre ua japin tenderat kurse Serbisë territorin e Kosovës. Ata po e marrin buxhetin e popullit të varfër të Kosovës, për t’ia dhënë në formë tenderash djemve dhe vëllezërve të tyre, kurse territorin dhe resurset tona, po ia japin Serbisë përmes Zajednicës. Sot u publikua skandali i dhënies së një tenderi nga kryeministria, djalit të kryeministrit Mustafa. Ndërkohë, po sot, ky i fundit ndodhet në Bruksel ku do të nënshkruajë themelimin e Zajednicës.

Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë ngase vetëm dy rrugë janë të mundshme: ose shteti i Kosovës do të dështojë plotësisht dhe do të ndahet në vija etnike, ose qytetarët do të mobilizohen për ta mbrojtur Republikën. Normalisht, që kjo e fundit do të ndodh patjetër.

Kontribo

22 08 2015

Dëmet që ia shkakton “Zajednica” Mitrovicës

Formimi i “Zajednicës” e dëmton edhe më rëndë qytetin tashmë e ndarë të Mitrovicës. Dëmet do të vërehen në cenim të territorit, ekonomi e siguri. Ndarja e formalizuar e qytetit në dy komuna me Planin e Ahtisaarit po betonohet me duke ia dhënë Zajednicës komunën e veriut të Mitrovicës.

Territorit të Mitrovicës, pjesës ku kanë qasje shqiptarët i kanë mbetur 350 km2. Ndërkaq në pjesën e Mitrovicës së veriut janë edhe 11 km2 të tjera, të shkëputura nga ndarja etnike. Tutje në veri të Ibrit bëjnë pjesë edhe Zveçani me 122.4 km2; Zubine Potoku 335 km2; Leposaviqi 750 km2; Vetëm pjesa veriore i ka 1218 km2. Me formimin e “Zajadnicës” mbesin jashtë 6 fshatra shqiptare (Kelmend, Boletin, Zhazhë, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë e Vllahisë)

Mitrovica në pjesën veriore dhe perëndimore kufizohet me “Zajednicën”: 8 km në perëndim fillon komuna e Zubin Potokut.

Po ashtu, “Zajednica” drejtpërtësëdrejti ndikon në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës edhe ashtu të varfër. Ajo do ta kontrollonte gjysmën e Trepçës, (minierat deri në Leposaviq, rezervat e mëdha të mineraleve si dhe infrastruktura e vjetër e Kombinatit që përfshin shkritoren, rafinerinë, tymtarin, Trepça commerce, Trepça bank dhe drejtorinë). Gjithashtu ka mbi 1200 punëtorë dhe drejtorinë e vet.

“Zajednica” do të kishte kontroll komplet mbi liqenin e Ujmanit dhe hidrocentralin e Ujmanit (19 MW) duke përfshirë edhe hidrosistemin Ibër – Lepenc që furnizohet nga liqeni dhe i cili përdoret për ftohe në Obiliq dhe ujitje të tokave bujqësore. Ajo do të prekte edhe shpërndarjen e energjisë elektrike për Mitrovicën meqë në Zveçan ndodhet trafostacioni i Vallaqit nga ku vjen rryma nga Obiliqi.

“Zajednica” mund ta ketë edhe kontrollin e kufirit dhe të doganave. Impianti për pastrimin e ujërave të zeza planifikohet që të ndërtohet në Zveçan

Me formimin e “Zajednicës” do të kishte shumë pika neurologjike si: Ura e Ibrit, Lagjja e Boshnjakëve, Lagjja e Doktorëve, Kroi i Vitakut, Suhadolli, fshati Vidimriq. Kurse, në shërbime / kompani elektroenergjetike, telekomunikacion, furnizim me ujë ka paqartësi të shumta. “Zajednica” do të ketë të drejtën e planifikimit hapësinore që përfshin edhe rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve të dëbuar.

Nga aspekti i sigurisë pos Policisë së Kosovës që përbëhet kryesisht nga ish – policë të Serbisë akoma funksionon Civilna Zastita dhe po ashtu mbetet e paqartë se si do të funksionojë FSK-ja në veri.

Dëmet që po i shkaktohen Mitrovicës duhet të ndalen. “Zajednica” është e papranueshme. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë e kundërshton ashpër “Zajednicën” dhe do ta pengojë atë me tërë kapacitetin e saj dhe iu bën thirrje edhe mitrovicasve që të bashkohen në mbrojtje të Mitrovicës dhe Kosovës nga “Zajednica” e Beogradit.

22 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë

Kontribo

08 08 2015

Lirojini veteranët!

Lëvizja VËTËVENDOSJE! reagon kundër arrestimit të veteranëve të luftës dhe mbajtjes së tyre padrejtësisht në paraburgim. Ky pushtet pasi e ka dëshmuar moskujdesin për vite të tëra për këtë kategori, po e përdor aparatin shtetëror të dhunës për t’ua mohuar edhe protestën, si mjet demokratik i domosdoshëm përmes të cilit veteranët e luftës po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Persekutimi i veteranëve të luftës vjen me një kohë kur padrejtësitë ndaj tyre po rriten në proporcion të drejtë me rritjen e pasurisë së pushtetarëve që shfrytëzuan maksimalisht luftën e tyre për përfitime personale.

Ky pushtet në vend se t’i trajtojë siç duhet veteranët e luftës, i ka varfëruar e përçmuar, po i rrahë, po i arreston, po iu formon edhe “gjykata speciale”, për t’i frikësuar e shtypur edhe më tej, në mënyrë që t’i shuajë kështu zërat e pakënaqur të kësaj kategorie.

Kërkesat e tyre janë të drejta. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve të arrestuar!

8 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 07 2015

Reagim

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon kundër arrestimit të aktivistit Kushtrim Dakaj i cili u arrestua me urdhër të EULEX-it, në lidhje me aksionet e mëhershme politike. Ky arrestim konfirmon mungesën e drejtësisë në Kosovë dhe prirjet totalitare të pushtetit në vendin tonë. Përndjekjet ndaj protestuesve nuk po ndalen, ndërkohë që krimi e korrupsioni i pushtetarëve po rritet. Në vend që drejtësia të merrej me këta të fundit, prokuroritë e gjykatat tona janë vënë në shërbim të autokracisë që po tentohet të instalohet në Kosovë, duke arrestuar e përndjekur ata që kritikojnë dhe kundërshtojnë padrejtësinë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistit Kushtrim Dakaj dhe ndaljen e përndjekjes së aktivistëve të tjerë të VETËVENDOSJE!-s.

15 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

11 07 2015

VAZHDOJNË TAKIMET E Z.YMERI, ME KONGRESMENË NË SHBA

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e Legjislativit në ShBA, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga kryetari Visar Ymeri, dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Florin Krasniqi, është pritur nga kongresmeni Reid Ribble, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, si dhe kongresmeni Jim McGovern, Bashkëdrejtues i Komitetit për të Drejtat e Njeriut dhe anëtar i Grupit të Çështjeve Shqiptare (“Albanian Caucus”) në Kongresin e SHBA-së. Kryetari Ymeri dhe zoti Krasniqi po ashtu u pritën në zyrën e kongresmenit Paul Cook, që shërben në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë dhe në atë të Forcave të Armataosura në Kongresin e ShBA-ve.

Gjatë këtyre takimve u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në vend. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e vuri theksin te rëndësia e sovranizimit të Republikës së Kosovës në rrafshin politik, ekonomik dhe në gjyqësor, të gjitha këto të dëmtuara nga negociatat me Serbinë, tentim-themelimi i Gjykatës Speciale, dhe keqtrajtimi dhe uzurpimi i vazhdueshëm i burimeve ekonomike të Kosovës për interesa të veçanta. Po ashtu kryetari Ymeri i shtjelloi qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! karshi procesit shtetndërtues në Kosovë, duke u përqendruar në domosdoshmërinë e ndërtimit të Republikës së barazisë për qytetarët, moslejimin e formalizimit dhe zgjerimit të ndikimit të Serbisë në Kosovë përmes krijimit të “Zajednicës”, funksionalizimin dhe çlirimin nga kapja e sistemit të gjyqësorit për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, dhe vendosjen e burimeve minerare dhe strategjike të Kosovës në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Delegacioni i VETËVENDOSJE!-s po ashtu kërkoi nga kongresmenët që ta mbikëqyrin punën e Departmentit të Shtetit në Kosovë që të sigurohen që Republika e Kosovës me sovranitet të plotë, e njohur nga ShBA-të, të jetë baza e partneritetit mes ShBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

11 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

30 06 2015

DEKLARATË E PËRBASHKËT E TRI SUBJEKTEVE OPOZITARE, Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK DHE NISMA

Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi.

Çdo tentativë për ta përmbysur këtë vendim të deputetëve të Kuvendit të Republikës të shprehur lirshëm me votë të lirë, gjoja në emër të procedurave, është tendencë për ta përmbysur rendin institucional dhe demokratik në vend.

Gjithashtu, i thërrasim të gjithë akterët të përfshirë në këtë proces, qofshin “për” apo “kundër”, ta respektojnë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Visar Ymeri
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ramush Haradinaj
AAK

Fatmir Limaj
NISMA

30 Qershor 2015,
Prishtinë

Kontribo

28 05 2015

VAZHDOJNË ARRESTIMET E AKTIVISTËVE TË VETËVENDOSJE!-s

Sot, rreth orës 08:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Lirim Gashi, për, siç i kanë thënë, një akuzë në lidhje me aksionet tona kundër produkteve të Serbisë. Ndërkohë, po sot, Policia e Kosovës i ka kërkuar për t’i arrestuar edhe disa aktivistë të tjerë të Lëvizjes, për të njëjtat aksione.

Qeveria e Kosovës po duket se nuk e ka ndërmend të ndalet në përndjekjen e opozitës gjë kjo e cila flet pikërisht për brishtësinë e qeverisë. Një qeveri që përdor pareshtur policinë, për të shtypur zërat që e kundërshtojnë, është qeveri që ka humbur çdo legjitimitet për të qeverisur me vendin dhe krejt çka i ka mbetur është forca policore. Prej themelimit të kësaj qeverie, përgjigjja që vazhdimisht i është dhënë kërkesave dhe nevojave të drejta të qytetarëve, ka qenë dhuna policore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të aktivistit Lirim Gashi, dhe ndaljen e menjëhershme të përndjekjes që po i bëhet aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

24 05 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE! e kundërshton ndarjen etnike të vendit, dhe në këtë linjë edhe ndarjen etnike të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ne jemi për një shtet unik dhe funksional, ku të gjitha minoritetet janë të sigurta, gëzojnë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe kanë mirëqenie të barabartë. Por ajo që po ndodh në Kosovë, dhe që do të kundërshtohet fuqishëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është zgjerimi i planeve agresore të Serbisë, në emër të gjoja zgjerimit të të drejtave për minoritetin serb. Serbia, përmes Listës Serbe dhe në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, po synon shndërrimin e Kosovës në një shtet të ndarë, jofunksional dhe të dështuar.

Kontribo